Përmes një postimi të gjatë dhe të detajuar në rrjetin X, Jared Kushner ka reaguar ndaj shkrimeve të medias lidhur me pozicionin e tij si ndërmjetësues i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë dhe akuzave për përfitime biznesi. Ndërsa hedh poshtë me fakte akuzat, ndër të tjera ai flet edhe për Shqipërinë.
Pretendimet e medias për Shqipërinë: [Kushner-it] i ishin dhënë të drejtat e zhvillimit (të biznesit) pa njoftim publik apo garë konkurruese, dhe se amendamenti për të zhbllokuar tokën e mbrojtur ishte kaluar me ngut në parlament. Rama madje lejoi që një aeroport të ndërtohej brenda zonës së mbrojtur. (Pretendimet e medias)
Ja si përgjigjet zoti Kushner.
Realiteti: Toka nuk na u dha nga qeveria shqiptare. Grupi ynë i partnerëve e bleu atë nga një palë private për 230 milionë euro në një transaksion privat, ndër çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të kësaj shkalle. Titulli i pronësisë u rishikua nga avokatët dhe u vërtetua.
Ky projekt nisi si një investim i thjeshtë privat në pasuri të paluajtshme i bazuar në besimin tonë në potencialin e Shqipërisë si një destinacion në rritje dhe në mundësinë për të krijuar diçka vërtet të veçantë atje.
Ne po investojmë kapital të madh privat, në një vend që nuk ka pasur kurrë një projekt të kësaj shkalle. Nuk ka garanci. Ne po e marrim përsipër atë rrezik sepse besojmë te Shqipëria dhe besojmë te shqiptarët.
Nëse do të jetë i suksesshëm, projekti mund të rezultojë në afërsisht 4 miliardë euro investime dhe të krijojë vende të rëndësishme pune, aktivitet ekonomik dhe dukshmëri ndërkombëtare për Shqipërinë.
Që nga blerja e tokës kanë kaluar më shumë se tre vjet dhe miliona dollarë shpenzime për të studiuar zonën, mjedisin e saj dhe mundësitë e nevojat e rajonit, ndërsa kemi mbledhur arkitektë, projektues, inxhinierë, ekspertë mjedisorë dhe partnerë të jashtëzakonshëm për ta formësuar projektin në mënyrë të përgjegjshme.
Qëllimi nuk ka qenë kurrë, thjesht zhvillimi i tokës, por krijimi i diçkaje që mund të bëhet një platformë mundësish dhe rritjeje afatgjatë për Shqipërinë.
Asher Abehsera, një mik i hershëm dhe partner biznesi me një histori të suksesshme në zhvillim, u bashkua si partner dhe CEO i projektit dhe ka udhëhequr punën e përditshme për katër vitet e fundit.
Familja Kastrati, një familje e respektuar biznesi shqiptar me rrënjë të thella dhe krenari të madhe për vendin e tyre, na e solli fillimisht mundësinë e tokës dhe ndan besimin tonë në potencialin e Shqipërisë.
Për herë të parë u takova me Ramez dhe Moutaz Alkhayyat në Doha gjatë Botërorit 2022. Një takim mbresëlënës për nga historia dhe aftësitë e tyre. Ata kishin ikur nga Siria si refugjatë nën regjimin brutal të Asadit, ku shumë nga pronat dhe pasuritë e tyre u konfiskuan më pas nga qeveria. Atyre iu dha mundësia të rindërtonin jetën dhe bizneset e tyre në Katar.
Arritja e tyre përkoi me nevojat e mëdha të ndërtimit në Katar përpara Botërorit, dhe ata u përfshinë thellësisht në transformimin e ndërtimeve në Doha.
Ne e blemë tokën (në Shqipëri) për 230 milionë euro, po angazhojmë kapital shtesë të konsiderueshëm privat dhe mbajmë rrezikun nëse projekti do të ketë sukses.
Nëse ka sukses, Shqipëria do të përfitojë përmes vendeve të punës, turizmit, mundësive ekonomike dhe rritjes afatgjatë.
Fokusi im ka qenë kryesisht tek vizioni dhe dizajni, duke sjellë së bashku arkitektë, partnerë, projektues dhe krijues të jashtëzakonshëm për të krijuar një destinacion të ndryshëm nga çdo gjë tjetër në rajon. Unë jam një partner pakice dhe nuk kam përfshirje të përditshme në projekt.
Partneriteti është angazhuar gjerësisht me komunitetin lokal në Vlorë. Ne e kuptojmë gjithashtu se njerëzit kanë pikëpyetje dhe shqetësime legitime. Projekti do të duhet të kalojë përmes të gjitha proceseve përkatëse rregullatore dhe mjedisore shqiptare dhe të marrë miratimet e nevojshme për të ecur përpara.
Ambicia jonë është që të ndërtojmë sipas standardeve më të larta të arkitekturës dhe mjedisit dhe që kjo pjesë e jashtëzakonshme e Shqipërisë të ruaj vlerat natyrore, me biodiversitet më të pasur dhe mjedis më të pasur.
Sugjerimi se ky projekt u miratua për të fituar mbështetjen e Presidentit Trump bie ndesh me kronologjinë e zhvillimeve. Siç ka njoftuar media,interesi ynë nisi në verën e vitit 2021, kur isha një qytetar privat dhe shumë kohë përpara se Presidenti Trump të njoftonte fushatën e tij të vitit 2024.
E njëjta gjë vlen edhe për aeroportin. Artikulli aludon, por nuk e thotë plotësisht, se zyrtarët e qeverisë e miratuan aeroportin me kërkesën time.
Në fakt, aeroporti ishte miratuar në kohën kur unë pashë për herë të parë zonën dhe ishte një nga faktorët që më tërhoqi dhe ndikoi tek vizioni im lidhur me mundësinë se si mund të zhvillohej rajoni.
Përfundimisht, Shqipëria do të vendosë nëse projekti do të vazhdojë. Nëse miratohet, shpresoj se mund të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët të jenë krenarë dhe që familjet nga Shqipëria dhe nga e gjithë bota do ta shijojnë për breza të tërë.



Nje vleresim shume permbantesor dhe i bazuar ne fakte. Per cudi, akteret e ketyre maskaralleqeve nuk turperohen fare per ato veprime skandaloze ?!
Bukur e ke shkru vlla i dashur po cka me ju klanistve e kanë uzurpu pozitën dhe po bashkëpunojnë me partitë tjera k e LDK e kanë strofull për pushtet.
Komentin e shkroi Nezir Zeqiraj Prishtinë