Pas daljes nga votimi i seancës parlamentare që zgjati përtej 8 Tetorit, 2026 mbi Reformën Territoriale (RT), gazetarët e zhgënjyer nga bërja e lajmit që ishin parapërgatitur për Erion Braçe deputeti i PS-s morën përgjigjen se më të rejat do t’i kenë nesër.
Asnjë ekran nuk e ftoi Braçen mëngjesin e 9 Tetorit. Më i fundit ishte “She’s on Air” nga Top Al-Radio atë mëngjes.
Braçe është korrekt me te tijen pasi në dalje prej parlamentit tha se NESËR do ta keni një përgjigje. Pra më 10 Tetor, të Shtunën kur edhe Prania Besnike e së Premtes do ta motivojë më shumë se si u prit vota e tij dhe votimi në përgjithësi.
Dhe si për të qënë i motivuar me “Love is in the Air”, Braçe me çantën krahaqafë të përngjan me komisarin modern. Punëtorin e palodhur të partisë.
Këtë mesa duket Rama e ka patur parasysh kur i ka drejtuar Braçes trilemën PPP që shumë ish-komunistë dhe nostalgjikë e ruajnë duke kujtuar fjalët e Alqi Kondit “Ty do të të dua po të duash Partinë time” (poezi dashurie gjatë pushtimit fashist).
Si lindi zhgënjimi i publikut me Braçen kjo është një tjetër histori më vete.
Publiku në një farë mënyre i kishte aty sytë dhe shpresat, por politikanët kalkulimet i bëjnë ndryshe mes llojit të tyre.
Jetëgjatësia në pushtet është kushti.
Ishte një takim pas mesnate për rrethin 30 minuta në Euronews Albania , jashtë në oborrin e Kuvendit kur deputeti më shpesh ndërronte kufjen e përbashkët me gazetaren Shehu se sa i la publikut të kuptohej nga ekrani me Erlën, Manjanin dhe Hasimen që i drejtonin atij pyetje.
Lidhja ishte live dhe nga pas ndërtesës autokolona makinash po sillnin kryeministrin. Linja dhe teknika shpesh kishin probleme dhe ashtu sikurse pyetjet bëheshin nga studio dhe kufjet ndërroheshin asgjë e vendosur nuk doli nga Braçe se si ai do të votonte.
Shikuesit që nga një vesh i hyri dhe nga tjetri i doli qëndrimi, arriti të kuptojë pas mesnate se trilema kishte hyrë në efekt. Ndjenja për Partinë ishte më e madhja. Pas saj Presioni ishte zbutur ndërsa Pazari kishte mbetur pezull.
Në këtë trilemë u zgjidh vota.
Rama do t’i lërë Braçes konkurrimin për Bashkinë e Tiranës për t’ja rrëmbyer prapë.
E rëndësishmja është se ky mbetet një pazar në tregun e rilindësve.
Kur t’i vijë rradha zgjedhjeve vendore dhe kur të kërkohet vota, qytetarët duhet ta kenë mendjen e ndarë. Për territorialen askush nuk i pyeti kryeqytetasit. Ata janë prej mbi katër muajsh në shesh (132 ditë protestë), ku kanë dalur për të mbrojtur fatet e vendit të tyre dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, një qeveri teknikë dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Raste të ngjashme me mungesën e integritetit të përfaqësuesve në Kuvend do të ketë. Ato i pjell korrupsioni.
Kjo e sotmja në historinë e politikës shqiptare, ku Rama hyri dhe doli në më pak se 10 minuta duke ngritur kartonin është vrasja e parlamentarizmit.
Si Erion Braçe ndërroi mendje?
Kjo tani pak rëndësi ka. Për votën e Reformës Territoriale e cila u kalua me 85 kartonë në bllok, u kuptua se ishin në garë pazari, presioni dhe partia, një treshe PPP ose Trilema Braçe.
Braçe, Spiropali, Sinaj deshën partinë sepse mendojnë se aty i kanë meritat dhe aksionet. Nuk deshën votuesit dhe Shqipërinë. Zgjedhja e tyre. Tek e fundit përgjegjësia mes rilindësve është personale.