VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dy poezi nga JOHN DONNE – Përktheu IRENA DONO

By | October 22, 2021
blank

Komentet

blank

EPISODI I NISJES – Fragment i romanit “Një Emër në katër Rrugë” nga PETRO MARKO

“Rroftë jeta!” Ashtu më dukej sikur përsërisnin ditë e natë, e sidomos natën, kur oshëtima e tyre ishte më e fuqishme, dallgët e detit jon, që përplaseshin në bregun shkëmbor, të fshatit tim Dhrimadhe. Këtë refren të përhershëm të dallgëve të detit jon më dukej sikur shprehnin pa zë dhe fshatarët e mi, se lufta që bënin atë moto kishte: “Rroftë jeta!” . jeta mbi gurë, jeta në dallgët e detit, jeta kur ishte zor të jetoje, zor të dashuroje, zor të ëndërroje dhe zor të vdisje.
Ky refren i pashpallur me zë, me vaj apo me këngë, që pulsi i nxitjes për të jetuar me luftë të ashpër mbi gurë në furtunat që rrëmbenin dhe dheun e gërxheve.
Kaloje nga ndonjë monopat dhe shikoje ndonjë burrë qe ngrinte ledhe për t’i mbushur pastaj me dhè dhe e pyesje:
– Ç’po bën aty? – Dhe ai të përgjigjej:
– Ja, luftoj!
Shihje ndonjë grua që bënte dru në pllaja të pjerrëta, gërxhore dhe të zhveshura, se dhitë nuk i linin kurrë xinat, cfakat dhe anticfakat të rriteshin, dhe e pyesje:
– Ç’po bën aty? – Dhe ajo të përgjigjej:
– Ja, luftoj!
Shikoje në prakun e dyerve të oborreve plaka të heshtura që tirrnin duke shikuar detin, detin që u kishte marrë burrin apo djalin, dhe i pyesje:
– Ç’po bëni aty! – Dhe ato të përgjigjeshin:
– Ja, luftojmë!
Shikoje burra, gra, të rinj, e të reja që çanin gurë, që rrëmihnin tokën, që mbillnin agrilidhe apo shartonin nerënxa, që shkundnin ullinj o që kërkonin mbi çatinë se cilën qeramidhe kishte rrëmbyer tramundana e natës, kurrë nuk të përgjigjeshin: “Ja punojmë”, por: “Ja luftojmë!” – Lufta ka qëne jeta e tyre. Luftë me të huaj, luftë me urinë, me sëmundjet, me borxhet, me kurbetin, me xhandarin, me vdekjen. Dhe kjo luftë kishte si bajrak refrenin e pashpallur kurrë me zë:
“Rroftë jeta!”
Dhe me luftën e tyre ata mbijetuan! Dhe unë tani që shoh, mendoj e them: ,Mbijetuan, se hodhën rrënjë në gurë dhe u ushqyen me gjakun e gurit…”
Këto mendime mua më kishin larguar nga bisedat e shtruara që bëheshin atë mbrëmje në shtëpinë e Mitro Balit, i cili rrinte në krye të vatrës duke pirë duhan pas duhani, nga ato cigare që i hidhnin njërën pas tjetrës gjitha ata burra që vinin darkë për darkë për ta ngushëlluar e për t’i lehtësuar dhembjen dhe gjëmën e madhe që i erdhi nga miniera e Firminisë për vdekjen nga veremi i djalit të tij, Vangjelit. Aty pleqtë, që dinë shumë gjëra nga jeta, tregonin ngjarje të çuditshme nga bota e gjerë që kishin gjezdisur, aty rriheshin mendime mbi politikën dhe mbi fuqitë e mëdha që kanë fatin e njerëzimit në dorë… Hera-herës zinin në gojë dhe qeverinë e Tiranës, po emrin e mbretit nuk e zinin kurrë në gojë.
Pastaj, si kurdoherë, xha Foti fillonte me qyfyret e tij të hidhura dhe atmosfera ndryshonte fare, bëhej më e lehtë dhe dalëngadalë hiqte nga fytyra e Mitro Balit perden e zymtë të dëshpërimit, bënte të tjerët të mblidhnin këmbët dhe të pregatiteshin për të qeshur. Se, xha Foti, që kishte gjezdisur gjithë brigjet e globit si marinar nën shumë flamuj, sidomos nën flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe që kishte lundruar për dyzet vjet në detin e Karaibeve, kushedi se sa herë e kishte kënduar “Dekameronin” e Bokaçios dhe, pasi asnjëri nga fshatarët e mi nuk dinin se ç’ishte “Dekamereoni” dhe kush ishte ky Bokaçio, të gjitha aventurat, thoshte se i kishte bërë vetë ai, me disa shokë të tij detarë nga Spanja dhe Gjenova e Italisë.
Dhe, pasi kallëzoi një aventurë, të gjithë qeshën. Ky, xha Foti, tani ishte plak, po mbahej mirë me shëndet dhe me humor. Kishte tre vjet që ishte kthyer pa asnjë lek, po me humorin e hidhur të botës që kishte parë. Humori i tij ishte njëra nga pasuritë më të mëdha që mund të sillte një mërgimtar, se në luftën e ashpër dhe të hidhur të jetës së fshatit tonë, më shumë dëgjohej vajtimi se kënga, më shumë mbinte gjembi i urisë se sa blerimi i vjeljes së gëzimit.
Me habinë time dëgjova të merrte fjalën dhe Gjikë Mërtiri, i cili tha:
– [Hodha grepin nga qielli] dhe [nuk kapa as zogj, as re e as yje], [po kapa bishtin e botës së lutjeve] [drejtuar perëndisë nga ara që vanë]. [Dhe qesha siç do të qeshin të nesërmit për mua!].
Kur mbaroi Gjikë Mërtiri, hyri Kolë Dede. Ra heshtja. Ashtu ishte. Kur hynte njeri, heshtja binte për disa çaste, pastaj vazhdonin biseda. Kola ndenji afër derës. I hodhi një duhan Mitros. Dhe unë prita që Gjikë Mërtiri të vazhdonte. Ai tundi kokën dhe, duke shikuar Kolën, e pyeti se kur kishte dalë nga burgu.
– Më mirë të mos kisha dalë! – tha Kola.
– Mirë e ke! i tha duke qeshur Gjikë Argjiri. Gjikë Argjiri shtoi dhe disa fjalë që nuk i dëgjoi njeri. Kolën, pasi nuk kishte paguar borxhin te zoti Kosta, zoti Kosta e kishte hedhur në gjyq. Ishte dënuar me tre muaj burgim. Dhe sipas ligjit, zoti Kosta duhej t’i paguante pesë lekë Kolës për çdo ditë që të mbahej në burg. Po Kola në burg vetëm një lek prishte. Katër lekët e tjerë ia dërgonte familjes.
– Ku ta gjesh këtë që të jesh në burg dhe t’i dërgosh katër lekë në ditë familjes. Mua më ra bretku dhe nuk fitoj një lek në ditë! – shtoi me zë të lartë Gjikë Argjiri.
– Burgu është i rëndë! Pa shikoje se si është katandisur i gjori Kolë! – tha Gjikë Nina – Ku jemi mësuar ne me burgje! Po nuk na pa dielli përditë e po nuk u shtrimë në dyshemenë tonë, vdesim shpejt.
Pasi folën për burgjet dhe për ligjet, për fajdexhitë dhe për borxhet, prisnin të merrte fjalën Gjikë Mërtiri, se Gjikë Mërtiri ishte i vetmi njeri i ligjeve. Ai kishte mbaruar në Francë drejtësi dhe i dinte të gjitha. Ai e kuptoi nga shikimet që i hidhnin, prandaj lëshoi këtë shprehje, nga e cila unë nisa të mendoja ndryshe dhe të shkruaja këtë rrëfirn të vërtetë.
– Kohë të vështira për njeriun e ndershëm ! tha Gjikë Mërtiri.
Kur i tha këto Gjikë Mërtiri, unë e shikova në sy. Ai, me atë fytyrë të bardhë dhe me ato syze pa rrathë, shikonte Kolën. Dhe Kola pinte duhan sikur të ishte në burg.
– Sipas teje, o Gjikë Mërtiri, që ke marrë diplomë drejtësie në Francë, kurse shumica jonë ka fituar veremin nga minierat e Santetienit dhe të Firminës – dhe i hodhi një shikim Mitros – kush është i ndershëm dhe kush pa nder? – e pyeti duke mbledhur këmbët dhe duke u kapardisur Gjikë Argjiri.
Aty për aty unë u hodha një shikim të shpejtë Gjikëve që folën dhe, pasi edhe mua më quajnë Gjikë, Gjikë Bua, qesha me vete. Më pëlqente që adashët të dalloheshin sipas thënies së zotit, gjyshit, se ne gjyshit i themi zot. Zoti ka si detyrë që pas tri ditëve të lindjes së mashkullit në familje të shkojë tek i porsalinduri dhe me një hanxhar apo shpatë të qëllojë tri herë në krye të djepit duke thënë: “T’u ndiftë emri, more bir!” Unë gëzohesha kur dalloheshin Gjikët, se në fshatin tonë Gjikët ishin të paktë dhe nuk kishin ditë shenjtori për mesha dhe të kremte, prandaj priftërinjve nuk u pëlqente që djemtë të pagëzoheshin me emrin që s’kanë shenjtor. Shtatë ishim gjithsej, duke përfshirë dhe Gjikë Bixhilin që kishte vdekur në Rusi, që po përmendej se gjithë paratë që kishte fituar atje gjithë jetën e tij i kishte dërguar në fshat për të ngritur shkollën ku mësova dhe unë. Fytyrën e tij e shihja përditë katër vjet me radhë, se në çdo klasë ishte varur dhe një fotografi e tij e zmadhuar.
Vura re se aty, atë mbrëmje, ishim katër Gjikë. Dy të tjerë, kushedi se nga ishin. Po, të them të drejtën, ata të dy nuk para përziheshin me asnjeri. Dhe siç ish e varfër jeta e tyre, edhe qenia e tyre në fshat nuk sillte ndonjë notë. Sikur të mos ishin fare. Prandaj dhe unë nuk i përmend. Do të merrem me këta të tre që janë këtu dhe patjetër dhe me rrugën e jetës sime për të rrëfyer ngjarjet ashtu siç rrodhën.

Thonë se emri lot një farë roli në karakterin dhe ndërgjegjen e njeriut, po këto unë nuk i besoj. Se ka njerëz me emër të mirë dhe vetë janë të ligj. Ashtu dhe ne të katër Gjikët, me të vërtetë një emër kemi, nga një fshat jemi, po ai diell na ka ngrohur, sytë tanë po atë det kanë parë dhe mushkëritë tona po atë erë kanë marrë, po, siç do ta shihni edhe ju, secili nga ne mori rrugë të ndryshme, dhe me rrugë të ndryshme fituam kafshatën e gojës…

————————————————–
Është kapitulli i parë nga romani voluminoz “Një emër në katër rrugë”. Bën fjalë dhe përshkruan vendlindjen e katër Gjikëve, katër personazheve kryesorë të romanit – Dhrimadhin buzë detit jon. Duke përshkruar jetën e rëndë , -si luftë për ekzistencë, autori, që në faqet e para të romanit, mëton të paralajmërojë katër rrugët e ndryshme të personazheve që do të jenë përcaktime në përputhje me karakterin dhe botëkuptimin, filozofinë e tyre të veçantë, të ndryshme nga njëri-tjetri.
Mesazhi i romanit është dhënë në formën e një parrulle Rroftë jeta! Që në krye Petro Marko shpall krejt filozofinë e tij të të jetuarit dhe të krijuarit. Lufta jepet në kuptimin e saj më të gjerë. Njeriu nuk lufton vetëm në luftë dhe me armë.
Më kryesore është si të mbijetosh në vështirësitë dhe dramat e jetës: Ja punojmë! Ja luftojmë! Thonë personazhet e tij.

blank

PËR NË KAMPIN E USTIKËS – Fragment i romanit “Nata e Ustikës” nga PETRO MARKO

Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.
U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen…
– Zoti e di se ku jemi!
– Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa…
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam.
Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen.
– Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh.
Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja…
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
– Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi…
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
– Spie! Spie!
– (It.: Spiunë! Spiunë!)
– A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
– (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
– Traditori! Spie di un cane!
– (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit…
Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
– Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
– Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
– Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera…

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë…
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar.
————————————–
Ky fragment përshkruan udhëtimin e të burgosurve shqiptarë me anije, të cilët të hedhur atje si thasë me patate e të lidhur në pranga po i çojnë për në kampin e Ustikës. Nata është e gjatë dhe atë e bën më të gjatë gjendja tragjike e burrave të burgosur. Ajo është aq e gjatë sa ia kalon dhe vetë vdekjes, nënvizon shkrimtari. Nga ana tjetër në një mënyrë shumë të thjeshtë e të natyrshme si për t’iu kundërvënë fatalitetit, të burgosurit flasin për shijet e tyre në të ngrënë. Fundi i fragmentit është aq ngjethës kur shkrimtari mbi majën e anijes vendos të burgosurit shqiptarë, ndërsa poshtë turmën që nuk e kupton për se ka aq urrejtje për njerëz që janë po aq viktima nga xhelatët e luftës sa vetë ata vetë. Kënga me fjalët internacionaliste jepet pikërisht në këtë situatë që duket se pret zgjidhje.

blank

TAKIMI I GORIT ME ANITËN – Fragment i romanit ‘Hasta la vista’ nga PETRO MARKO

Aeroplani ra mbi ullinjtë. I digjeshin krahët. Të tjerët u larguan, se pothuaj gjithë vagonat u bënë shkrumb e hi. Një tërkuzë e gjatë vagonash ishin katandisur skelete hekuri në zjarr. Disa ishin të përmbysura dhe akoma lëshonin zjarr e tym.
Ata që duallën nga aeroplani, kërkuan të shpëtonin, po u zunë. Ishin tre hitierianë të divizionit “Kondor” dhe një frankist. Garibaldinët i zunë, i lidhën dhe i shikonin me zemërim.
-E çmi mbani gjallë, -thirri dikush. – Hidhini n’atë zjarr që ndezën vetë! Brigantët!
Një tjetër u afrua dhe nxori revolen t’i vriste, po dora e tij u ndal nga Ramizi.
Këta janë robër lufte! Do të dërgohen te shokët e tyre! Mos i ngini! Po i ngau njeri…
Fjalën e Ramizit e preu Alvarezi.
– I çarmatosni mirë dhe i shpini në shtabin e brigadës, aty pas ullinjve. ju të tjerët ndihmoni shokët!…
– Ç’më rrini kështu sikur shikoni ndonjë Sfaqje!
– Plumbin qenve! Plumbin – u dëgjua përsëri nga mesi i ushtarëve.
– Dëgjoni thirri me zë të prerë komisari Alvarez – po i ngau njeri, plumbin ka. Shpejt, sikush në kompaninë e tij…
Kishte nga ata kurreshtarë që deshën të shikonin ç’fytyrë kishin bishat që bombardonin ditë e natë Spanjën republikane. S’lanë shtëpi e fshat, stacion e qytet pa bërë shkrumb e hi. Mirë! Ata sipas ligjeve të luftës së tyre të padrejtë, mund t’i sulmonin trenat e luftës e t’i shkatërronin siç bënë tani! Po kush i lajmëroi? Kush e dërgoi lajmin se ky tren ishte i brigadës së 12-të? Eh, luftë o luftë!
– Mor po këta qënkan simpatikë! – tha njeri. -janë të rinj. Pa shikoi! Flokëverdhë, bukuroshë! Pa shiko frankistin! Një moreno, tërheqës për vajzat, që ç’ke me të…
– Derrat! – thirri një tjetër.
– Qënt e qënit! – ia priti një tjetër.
– Të katër robërit, shkonin kryelartë. Bile ndezën dhe cigaren. Flisnin midis tyre… dhe siç dukej, atë që ato po bënin, e bënin për Fuhrerin që i kish verbuar dhe ndërsyer.. Kush e di! Pa tjetër do të vinin në vete ndonjë ditë, po të shpëtonin nga ky zjarr që ndezën ata me urdhërin e perëndisë së tyre.
Agimi, si nga hera, vazhdonte të derdhte dritën e argjendë nga lindja ku shtrihej deti Mesdhe. Pastaj një valë resh të kuqe u dalluan në horizontin e hapur! Eh, ç’agim! Sa keq për Gorin që s’e pa këtë agim! I kishin folur për agimet e kuqërreme të Spanjës së bukur. Po ja që s’pati fat ta shikonte këtë agim vjeshte. Ish i shtrirë, aty rrëzë një ulliri, i rrethuar nga shokët. Asimi nuk fliste. Prisnin doktorin, që mjekonte ata që ishin të plagosur më rëndë.
Kush e di sa shokë të rinj si Gori, që kapërcyen kufi e dete, për të ardhur gjer këtu, u vranë tani, pa ja shkrepur asnjëherë, pa shfryrë asnjë herë zemërimin dhe urrejtjen e tyre kundër fashizmit!
-Ka patur dhe më keq, – mendonte Asimi. – Ka patur shokë që u vranë pa shkelur fare në tokën spanjolle. Bllokada e turpshme dhe barbare e kapitalit internacional me fashizmin si xhandar, kush e di sa e sa shokë ka vrarë në det e në stere…
Gori geli sytë! Herën e parë nuk mundi të përmblidhej e të kuptonte se ku ish. Po kur pa pranë fytyrat e dashura të Asimit e të Xhemalit, të Ramizit e të Dragushit, të Fatosit e të Arxhelit e të shumë garibaldinëve të tjerë, e kuptoi se po i linte përjetë. Mbylli prapë sytë dhe lotët i rodhën pa dashur.
Në këto çaste të mallëngjyera, Vjen xha Kola, i cili, sa dëgjoi plasjet e para, kish këcyer përjashta dhe kish marë frymë tutje kanalit. Ishte mbledhur kruspull në një guvë ulliri, kishte mbyllur sytë dhe qëndroi aty gjersa pushoi zjarri dhe rrëmuja. Kur ra agimi, atëherë u kujtua për armët dhe sidomos për çantën, ku mbante gjëra të vlefshme, siç thoshte ai, dhe nuk linte njeri t’ia prekte… Për këtë i vinte plasja dhe ish enduar shumë që s’mori të paktën çantën e vogël. “Po lëkura qënka më e dhëmbshur se floriri!” – kur shikonte lemerinë që ish bërë.
– Ka vdekur njeri nga tanët? – pyeti , kur pa shokët rreth Gorit.
– Po ti ç’u bëre? – pyeti Ramizi. – Nga bridhje! Ne kujtuam se… re dëshmor!
– Mortja nuk merr. shtoi Xhemali.
Ra buria! Të gjithë të mblidheshin në kompanitë e tyre.
Gori e dëgjoi. çeli sytë dhe bëri të ngrihej.
-Mos lëviz! – e porositi Ramizi, – ja tani vjen doktori. Dhe me të vërtetë erdhi doktori me infermierët. E zbuloi. I pa mirë kokën, trupin e këmbët! I lidhi kryet, krahun dhe tërë gjoksin dhe porositi infermierët ta shpinin n’ambulancën që u ngrit tej kanalit.
Komandanti i brigadës dhe komisari që erdhën aty, pyetën doktorin dhe ky u tha se s’ka rrezik – frakturë dhe tronditje.
-Shoku shqiptar! Kur të shërohesh të presim në brigadë, – i tha komisari, dhe e përkëdheli duke i lëmuar flokët. -ju garibaldinët e Shqipërisë, përshëndetuni me shokun se po nisemi.
Gorin e vunë mbi vig. Ai nuk i çelte sytë nga turpi se i ishin mbytur në lotë.
-Gori! – i tha Asimi. – Ne po ndahemi, se brigada niset. Erdhi treni. Të presim! – dhe e puthi. E puthi dhe u largua, se një nyje i u bë në fyt.
Të gjithë e përqafonin. Po Gori nuk i çilte sytë të shikonte shokët, vëllezërit për të cilët krenohej jo vetëm ai, po krenoheshin tërë shqiptarët antifashistë. S’kishte fuqi të thoshte një fjalë, vetëm një fjalë: “Luftoni dhe për mua!” Kur nuk i dëgjoi më, kur ndjeu se infermierët e kishin ngritur, çeli sytë dhe pa se po e shpinin në drejtim të kundërt nga ai i shokëve që duke u larguar, kthenin kokën pas dhe i tundnin dorën duke e përshëndetur.
………………………………………………….
Fishkëllima e trenit ngrinte peshë më tepër zemrat e ndezura të garibaldinëve, që lanë shumë të vrarë dhe të plagosur. Po kënga gjëmoi.
Këtej autoambulancat mbartnin të plagosurit. Ata që ishin me plagë të rënda i shtruan aty pranë në një shtëpi fshatari, kurse Gorin e shtrinë në një shtrat të autoambulancës. Në shtratin tjetër ishte një shok italian që rrënkonte thellë. Pranë Gorit rrinte një infermiere e re, e cila i lëmonte ballin. Gori mbylli sytë dhe s’dinte ç’të mendonte. I vinte turp… Çahu dhè të futem! Si? I shtrirë dhe i lidhur në këmbë, kurse brigada shkoi në Aragonë! Çfat i keq! Po kjo vajzë! Sa e mirë! Sa e dashur!
Ajo i foli në një gjuhë që Gori s’mori vesh. Pastaj i foli me gjuhën e ëmbël spanjolle. Gori, që dinte mirë italishten, e kuptonte spanjishten.
Befas maqina u ndal! Si një britmë e vetme gjëmuan thirrjet e të plagosurve. Dyert përnjëherë u çelën dhe infermierët rrëmbyen vigjët me të plagosur dhe vrapuan nën ullinjtë. Aeroplanët fashistë fluturuan shumë ulët. Gjëmimi i tyre bënte të dridhej dhe dheu! Për pak çaste toka u drodh dhe aty pranë në Alkala de Çis shtëllunga tymi u ngritën përpjetë si uji i detit nga plasja e bombave të mëdha. Gori pa dritën e tokës spaniolle. Sa dritë ka qielli dhe deti i Spanjës! Kudo që të hidhje sytë shikoje pyje me portokalle! Pyje me ullinj! Dhe ja, aty pranë, deti ish i shqetësuar dhe era kafshonte valët duke zbardhur dhëmbët si një qen i egërsuar. Infermierja, që i rrinte Gorit mbi kokë si një pulë që mbronte zogjtë e saj nga ndonjë skifter, Kristina, siç e quanin infermieren suedeze, e ruante të plagosurin nga aeroplanat.
– Janë shumë çnjerëzorë! Edhe autoambulancat i sulmojnë! Sa herë na kanë mitraluar!
Doktori që shoqëronte kollonën vizitoi edhe Gorin. E gjeti mirë, më të qetë.
– Jemi fqinjë! – i tha.
– Nga jini ju? – e pyeti Gori.
– Jam bullgar! Dr. Klimgev! Ti je shqiptar, apo jo?
– Po! jam shqiptar!
– Aty në spital, do të gjesh dhe një infermiere shqiptare. Është një shoqe e mirë.
Në rrugën e bukur, që përshkon bregun e detit Mesdhe, rrugë plot pemë dhe vreshta, plot vila dhe fshatra të bukura, tani përsëri nisën të lëviznin maqinat: kamionë me ushtarë e me mall, vetura, autobuzë, motoçikleta, biçikleta qerre – ç’lëvizje e madhe për në Castellon de la Plana! Maqina të mbuluara me giethe, me dega: si duken së largu! Si një kopësht lëvizës!
Shumë maqina ndalen dhe vizitojnë të plagosurit. Edhe Gorin e vizitojnë, i buzëqeshin, i urojnë shëndet. Dhe Gori u buzëqesh me zor, se ndjen dhembie të madhe në gjoks e në brinjët dhe në majë të kokës. Ah, kjo erë e bendeve e mbyti fare! S’e duron dot! Sikur infermiera të mos ishte infermiere, po infermier, do të thërriste një herë e shumë herë: “Nënë! Moj nënë!”, po kishte turp nga ata dy sy të kaltërt të shoqes suedeze që e shikonin me atë ëmbëlsi që e shikonte edhe qielli i Spanjës. Shtrëngonte dhëmbët dhe… ja para tij, pa dy sy, dy sy spanjollë, që kurrë s’do t’i harronte.
Një kolonel francez, burrë i shkuar nga mosha, me flokë të drejtë e t’ergjëntë, me mustaqe të shkurtëra si furcë e fortë, me dhëmbë të florinjtë, me beretën baske bojëhiri, u afrua dhe pyeti:
– Franse?
– Jo Shqiptar! – i tha infermiera –
– Shqiptar? Shqiptar?! Sans blague! (Fr.: Pa shaka: Vërtet) Sa mirë! Trim shqiptar, e? Si je, mon petit? (Fr.: biri im) Si je, mon petit? – dhe u afrua, i vuri dorën në ballë dhe i tha diçka frëngjisht. E puthi me dashuri. Vajza që e shoqëronte, e shikonte në thellësitë e syve, sikur kërkonte të kridhej brënda në sytë jeshil të Gorit, i cili ndjeu një diçka që s’e kish ndjerë kurrë gjer ahere. Koloneli e përshëndeti, kapi vajzën nga krahu dhe u largua, kurse e reia, duke e shikuar akoma, po me atë mënyrë të çuditëshme, u kthye i përkëdheli flokët, u ngritë duke e parë në sy si i hutuar, sikur deshi t’i thosh diçka… i hodhi një degë ulliri që mbante në dorë dhe u largua duke e hequr prej kolonelit dhe duke i thënë Gorit:
– Hasta la vista! (Sp.: mirupafshim)
Gori lëvizi pakëz, e shikoi më mirë, kur ajo largohej. Infermierja tha:
-Buena chiquita! Muy guapa! (Sp.: Vajzë e mirë! Shumë e bukur)
Gori s’foli gjersa e vunë prapë në autoambulancë. Maqina ecte në rrugën e asfaltuar drejt Murcias. Infermierja, me sjelljen e saj shumë të dashur, nuk ia hoqi degën e ullirit. Gori si i truar e kish pyetur:
– Mua më tha: “Hasta la vista?”
– Po! Të tha me zemër spanjolle “hasta la vista!” dhe të uroj ta rishikosh. Të fali dhe këtë degë ulliri.
——————————————
Takimi i Gorit me Anitën është nga pjesët më të bukura të romanit, i cili është aq i ngarkuar me mundimet dhe dhimbjet njerëzore. Duket se dashuria bën magjira, ndihet nënteksti i kësaj ndjenje në tërë romanin. Vështrimi në thellësi të syve të ushtarit shqiptar me infermieren spanjolle nënvizon me forcë vetinë universale të kësaj ndjenje, që nuk pyet as për gjendje të vështirë, as për kohë dhe aq më tepër për kombësi të ndryshme. Dega e ullirit që Anita ia dhuroi Gorit është simbol i fitores, dhe i një dashurie të përjetshme. Me lidhjen e këtij çifti P.Marko solli në letërsinë shqiptare çiftet më simpatikë dhe më të guximshëm të të dashuruarve. Dhe ideali i njëjtë që kanë këta dy të dashur jepet në planin intim njerëzor dhe aspak si një propagandë e letërsisë zyrtare të kohës.

blank

KORI I TË VDEKURVE – Poezi nga CONRAD FERDINAND MEYER – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Ne të vdekurit, të vdekurit jemi ushtri më e fortë
Se jeni ju në det, se jeni ju në tokë!
I lëruam me mund e me durim ne arat,
Ju tundni drapërit që të korrni farat,
Dhe çfarë ne mbaruam dhe çfarë nisëm dikur
Mbush botën me qilimat që ne i patëm thurë,
Dhe gjithë dashuritë tona, beteja dhe urrejtje
Ende trokasin tash në venat tuaja vdekëse,
Me ligjet që zbuluam, rregullat, parimet
Janë të lidhura në tokë gjithandej ndryshimet,
Dhe këngët tona, poezitë dhe tablotë
skalitur ne dikur ndriçojnë sot në botë,
Për qëllimet njerëzore jemi ende në kërkim –
Ndaj nder e vetëmohim për ne! Se jemi pa mbarim!

blank

PAKËZ NË ËNDËRR PAKËZ NË ZHGJËNDËRR – Poezi nga DIN MEHMETI

Jam pakëz i ndrydhur pakëz i çliruar
Duke vrapur pas emrit
Pakëz i zverdhur pakëz i fiksuar
Jam pakëz i ngrirë pakëz i shkrirë
Duke kënduar për ty
Pakëz i rrahur pakëz i ndjekur jam
Jam pakëz i përbuzur nga Dielli
Kënga jote më ka ndezur
E më ka stërpikur me lot
Pakëz i vrarë edhe nga ylli jam
Jam ëndërr pakëz zgjëndërr
Pakëz fëmijë kur fluturojnë zogjtë
Jam pakëz endacak-shtegtimin e kam në gjak
Duke ecur me ty kalistrok
Pakëz i çuditshëm kur qëlloj retë
Jam pakëz i dyshimtë pakëz kokëfortë
Kur shkelmoj zotërat që s’dinë të ngopen kurrë
Pakëz diçka nëpër zjarr diçka nëpër ujë
Diçka që hyn në të ardhmen
Për të ikur nga vdekja jam…
blank

KËNGË PËR FLAMURIN – Poezi nga Konstandin Dhamo          

 

 

Kush s’u ndje burrë kur e mbajti

Dhe ,s’u frymëzua kur e pa ?

Sa dhe Flamuri shkëlqim e dritë

Për ne veç dielli i lartë ka !

 

Tallazi i kuq, shqiponja e rreptë

Jan’balli ynë plot lavdi.

Ku ndrit Flamuri, ka shqiptarizmë,

Ka anembanë krenari !

 

Me bes’e nder, ndër shekuj trimat

U lidhën njësh nën flak’n e Tij;

Kumboi betimi, u shkrep kushtrimi

Luftërash për Nënën Shqipëri !

 

Në robëri, kur mbet’ pa qiell,

Shqipja në mal ish në liri.

Gjaku q’u derdh s’e shteri jetën ;

U mpiks në bronz për histori !

 

Sot jemi më të fortë se kurrë;

Të vdesim dimë,

Të rrojmë siç dimë.

Përndezur n’er’ flatron Flamuri

Dhe, ndiejmë ne përjetësinë !

 

1978

blank

SA MË I MADH TË JETË LOTI – Poezi nga VASIL DEDE

 

Sa më i madh të jetë loti
aq më i madh bëhet poeti.
Unë lotin e kam si globi
me duar e mbaj i shkreti.

Dhe nuk besoj bota të ketë
një peshëngritës kaq të rrallë.
Nuk dua NOBEL, mor të shkretë,
veç më kujtoni sa jam gjallë.

blank

KUJTIMI – Poezi nga LASGUSH PORADECI

Edhe në mungove,
Edhe në ndryshove,
Edhe në dredhove,
Në më gjarpërove:

 

Kujt j-a dhè mungimin?
Kujt ja dhè ndryshimin?
Kujt j-a dhe dredhimin?
Kuja gjarpërimin?

Mungime-e ndryshime,
Mungime-e dredhime,
Dh’ato gjarpërime-
Hon për zemrën t’ime.

Zemr’ e mall i parë,
Zemërëz’ e vrarë
Kujton dyke qarë,
Pushton me llaftarë
Lulen e pavdarë,
Trupin e pangarë.

Pa ri pshoj qetuar
Dyke ëndëruar

Ndaj po puth nër duar-
Si ndaj koh’ e shkuar-

Fort i dëshëruar,
Fort i dhëmshëruar,
Fort i lumtëruar,
Ballin dritë-qëruar
Syrin qjell-kulluar,
Gjirin-vajzëruar,
Trupin-qumështuar.

blank

Lule molle, lule ftua – Poezi nga VASIL DEDE

Lule molle, lule ftua
ti më do, unë të dua
zëri yt më rrjedh moj zemër
si një krua

zëri yt më rrjedh moj zemër
si një krua

moj me ty do rend agimit
mes pranverës, mes blerimit

do mbjell ëndrra, do mbjell këngë
do mbjell lule mes gëzimit (x2)

moj me ty do rend pas reve,
moj me ty do rend trasheve
krah për krah një trup i vetëm
tok në punë e tok në jetë

do mbjell ëndrra, do mbjell këngë
do mbjell lule mes gëzimit (x2)

lule molle, lule ftua
ti më do dhe unë të dua
më jep zjarr, e prush
e flatra, krahë mua

unë me ty do rend agimit
mes pranverës mes blerimit

do mbjell ëndrra, do mbjell këngë
do mbjell lule mes gëzimit (x2)
moj me ty do rend pas reve,
moj me ty do rend trasheve
krah për krah një trup i vetëm
tok në punë e tok në jetë

do mbjell ëndrra, do mbjell këngë
do mbjell lule mes gëzimit (x2)

blank

LYPSARI I URËS – Poezi nga VASIL DEDE

 

 

Piva gjithë ditën
Piva sa munda
Dhe vetja mu duk
Perandor.
Elladën e lashtë
E tunda,e shkunda
Nga froni i lartë
Përrrallor.
Mëngjezi të ura
Më thirri për punë.
Po punë s’ kish
Kishte veç shi.
Dje Perandor kam qenë unë.
Sot një lypsar
Që ka uri……

blank

KU VEMI SHPESH – Poezi nga LASGUSH PORADECI

Në zemër t’ënde vetëm unë,
Në zemër t’ime vetëm ti,
dhe jashtë bota fjalëtare,
Dhe jashtë syri plot zili

Dh’ashtu filluam përngahera
Një vetësi plot ëmbëlsi,
Të mos na shohë syr’i botës,
Mos na zemrosh, moj njerëzi.

Dhe ikm’ e ikmë gjith-më largë,
Dyke kërkuar pak liri,
Që me t’u ndezur flak’e ditës,
Gjer më të mugëtit të zi;

Gjer në mesnatë-e pasmesnate,
Oh! E pangopur e arrati!
Un’ hijerënd’ e mvrerësuar,
Ti buzëndritur në stoli.

Nër ato male shtat-mëdhaja,
Nër ata pyje me fshehtësi,
N’ato mburima lozonjare,
N’ata shkëmbenj plot llaftari;

Ku fryn një erë pastërtije,
E vetëtin një bukuri,
E ritet malli posi deti,
E ndizet zemëra në gji;

Ku nuku duket asnjeri,
Ku vemi shpesh veç un’e ti
Ku djeg si zjarr, moj dashuri!
Ku ndrin si yll, moj perëndi!

blank

GERRNETAXHINJTË… – Poezi satirike nga TASIM ALIAJ

O Ju laro e sojlinj,
Sorollop gerrnetaxhinj
Qe gerrnetat mend i çate
Per dy Laro me bajrake,
.
Qe nuk lane pa perlare,
Byzylyk,argjend e ar,
Arkat,bankat dhe buxhetin,
Damlla,zhyl e lan miletin!
.
Se i joshi fort floriri.
Gjemb ne kembe nuk u hyri,
As ne kembe,as ne koke,
Dhe vendin e lan’ troke!
.
E lan’ troke e teneqe,
S’ka ku bie nje rrufe,
As ne zyre,as ne hale!
.
Si te bjer’ rrufe mavrija,
Kur ze shfryhet drejtesia,
Si ata qe hane groshe
Edhe zbrazen nga perposhe!
.
Kesaj i thon’ drejtesi,
As me dhen e as me dhi,
Kullosin ne nje tepsi
Edhe ujk,edhe bari.
.
Thone se per Drejtesi,
Kemi dhe nje Ministri,
Pashallare e mballomtare
Kush te rrjepe e kush te marre!
.
Qe nga Jugu,ne Veri,
Nje Murtaje e nje Stihi,
Llupin mish e revani
Si Lugat e si Lubi!
.
Qejf o qejf qe ben dervishi,
Pi raki,ha thela mishi,
Po tani U bene dervishe
Batakçkinj edhe kulishe.
.
Pizevenge e derbedere,
Futin hundet dere ne dere,
Jo si miq dikur,njehere,
Po si lolo te permjere!
.
Lum e lum moj Shqiperi
Per mehmuret qe ke ti,
Barkun derr,koken kazan,
Shpirtin zeher e katran…

blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend