1.
Çifti Staku, Lajde dhe Zef, tashmë, kanë ndërruar jetë. Në mes librave që na kanë lënë si dëshmi të përbashkët, është edhe një, i vetmi si bashkautorë, mban titullin “Përrallat tona”. Mesazhi i tyre si krijues është skalitur në parathënien e këtij libri, që mban datën 06.05.1972. Një mesazh i rrëfyer bukur e hijshëm përmes personazheve që “jetojnë” në fabulat e tyre të shkruara me frymëzim. Do të thonim një rrëfim ala La Fonten, ku ata krijuan këto vargje, p. sh. si te fabula “Breshka e kërmilli”, ku poetikisht shpreheshin: “Qeshej kërmilli / hi-hi hi-hi, / kur vetë breshka / as vetë s’e di!.. // Gajasej breshka / ha-ha ha-ha, tue nga kërmillin / kurrë s’e kam pa!.. // Breshka as kërmilli / s’e njohin veten, por vetëm shokut / ia shohin t’meten”. (26.05.1965)
Në mes të tjerave, në parathënien e tyre të përbashkët, bashkautorët shkruajnë: “Kur t’i lexoni “Përrallat tona” ju do të vëreni, lexuesët tanë, se ato janë të mbushura me pilivesa e milingona, karkaleca e kërmij, merimanga e bumballa, trumcakë e kanarina, kuaj e gomarë, e deri me plepa e lisa, kajsia e ftonj e shumë e shumë të tjerë drunj, insekte, zogj, kafshë e peshq. Këto janë personazhet, heronjtë e “Përrallave tona”. E, si ndodh në jetë, disa janë të mirë, disa janë të këqinj. … Pse na duem që ju lexuesët tanë të mirrni shembull të mirët; por duam edhe që t’i njihni të këqijët, të ruheni nga punët e tyre të poshtra. E jo vetëm të ruheni, por kryesisht të mos u ngjani të këqinjve n’asnjë mënyrë. Fjalën e keqe, përpiquni të mos e thoni kurrë; punën e fëlliqur të mos e bëni asnjëherë.”
2.
E kujtoj dhe tani shkrimtaren për fëmijë Lajde Staku (16.10.1929 – 21.12. 1992), apo teta Lajden siç i thoshnim ahere me shumë dashuri, nderim dhe respekt… E kujtoj ecjen e saj të ngadaltë, por ashtu dhe të folurin që shoqërohej gjithherë me një qeshje e rrezatim buzëqeshjeje prej nëne. I kujtoj bisedat dhe këshillat e saj të urta. Ngjanin si përralla. Ende edhe sot më ndjek bardhësia e flokëve të saj, një bardhësi e bukur, e fisme dhe fisnike.
Lajdja, që kur u shfaq në letërsinë për fëmijë, pas viteve ’60, zgjoi interes. Krijimtaria e saj letrare i pati më shumë arritjet te parashkollarët, ndonëse nuk u vu re nga kritika letrare. Mbase, jetonte në një periferi letrare. Ndërkohë ajo ishte një edukatore model, e cila kishte zgjedhur këtë moshë për t’i bërë personazhe të librave të saj. Se natyra e karakteri i saj, njihte mirë botën, dëshirat dhe gjuhën e fëmijëve. Eh, si bisedonte teto Lajdja me to!… Botë më vete, botë e bukur, e magjishme dhe fantastike!
Lajde Staku është autore e këtyre librave: “Një babagjysh dhe nëntë nipat e mbesat e tij (poemë) – Naim Frashëri, Tiranë 1968; “Ndodhinat e tre shokëve” (novelë) – Naim Frashëri, Tiranë 1971; “Shoqëria “Dallëndyshet” (novelë) – Naim Frashëri, Tiranë 1972 (e ripunuar, 1979, ribotim i tri pjesëve); (greqisht, për shkollat e minoritetit: 8 Nëntori, Tiranë, 1976); “Shoku – shokun ta ndihmojmë (poemë-përrallë) – Naim Frashëri, Tiranë 1976; si dhe bashkautore me të shoqin Zefin: “Përrallat tona” (fabula), Botim i qendrës “Drejtësi dhe Paqe”, Shkodër 2000.
Skedë: për novelën Shoqëria “Dallëndyshet” (botuar në vitin 1979)
Nuk gaboj po të them, se vepra më e arrirë e shkrimtares Lajde Staku, krahas përrallave, përrallëzave dhe tablove muzikore për parashkollarët, është novela Shoqëria “Dallëndyshet”. Është libër, ku teto Lajdja ka skalitur edhe fëmijërinë e saj. Është libër, ku gjurmët e romanit “Djemtë e rrugës Pal” të F. Molnar, duken qartë në përmbajtjen e kompozicionin e librit.
Ngjarjet e novelës datojnë në vitin 1939, dhe vendosen në një lagje karakteristike të Shkodrës, lagje ku shkrimtarja e njeh shumë mire, me detaje. Janë një grup djemsh që bashkohen në shoqërinë me emrin e bukur “Dallëndyshet”. Autorja është një vëzhguese e hollë. I njeh dhe përshkruan bukur të gjitha veprimet e tyre që përputhen me moshën, natyrën dhe karakteret; ruajnë në periudhën e atyre viteve simbolikën e bukur të dallëndysheve.
Jeta e kësaj Shoqërie ka një përkim interesant dhe traditë me shumë shoqëri diletante kulturore e artistike të Shkodrës, ku patën një cak nisjeje, zhvilluan veprimtaritë e tyre dhe u mbyllën me ardhjen e pushtimit fashist, pra të njëjtin fat të hidhur. Një të tillë e pati edhe Shoqëria “Dallëndyshet”.
Vepra ka një kompozicion solid. Mjediset mbartin ngjyra shkodrane. Mbartin psikologji. Personazhet ruajnë individualitetin e tyre. Autorja operon me një frazë të zgjedhur, leksik të pasur. Ngrohtësia e shpirtit të autores është kudo e shfaqshme. Vizatohen me plot detaje karaktere që të mbeten në mendje, si: Frani, Zeka, dhe mësuesi. Mendojmë që këto ishin disa vlera e arritje të shkrimtares Lajde Staku, për novelën Shoqëria “Dallëndyshet”. Në historikun e novelistikës shqiptare mbetet një realizim dinjitoz i krijimtarisë dhe talentit të shkrimtares Lajde Staku.
3.
E kujtoj dhe tani Zef Stakun (09.02.1922 – 20.04.2001) fytyrmenduar, i kulturuar dhe erudit. E kujtoj… se tanimë liria e krijimit të shumëndërruar shëtiste me të… Tashmë, s’mund t’ia ndalonte askush e jo më t’ia cungonte këtë ëndërr të kahershme vitesh.
Ndyshe nga Lajdja, Zefin e njoha më vonë. Edhe në të ecur i shndriste urtia. Fjalëpak. E pata të ftuar, shpesh, në emisione e mia artistike, kur isha gazetar në Radio Shkodra. E pata disa herë radhazi. Më rrëfente “mundimet” e viteve, por dhe ligjëronte bukur e rrjedhshëm rreth përkthimit nga rusishtja e “Eugjeni Oniegin” të Pushkinit. Pastaj më tregonte se, pas daljes nga burgu punoi për shumë vite si punëtor në Fabrikën e Konservave, deri sa doli në pension. Pastaj më tregonte se asnjëherë nuk u shkëput nga krijimtaria letrare. “Që në rini u mora me shkrime, të cilat i botoja me emrin tim, ose me pseudonimin Himarjot Kelmendi.” – i kujtoj edhe tani këto fraza të tij, teksa i dridhej paksa zëri dhe padashur… i rrëshqiste edhe një pikë loti.
Zefi lindi në një familje shkodrane qytetare, me tradita atdhetare. Që në rininë e tij u shqua për talentin letrar dhe formimin atdhetar. Tradicionalisht të parët e tij njiheshin brez pas brezi si qëndistarë të kostumeve kombëtare. Prej tyre Zefi trashëgoi shpirtin poetik, dhe talentin prej shkrimtari. Njihet në Shkodër, si i riu që, më 20 korrik 1941, së bashku me një grup studentësh, hartoi protestën drejtuar rektorit të jezuitëve të Shkodrës, kundër Cordignanos, për shkrimin e tij poshtërues ndaj kombit shqiptar. Më 7 maj 1942 botoi revistën antifashiste “Zani i Lirisë”, e para në llojin e vet në Shqipëri. Më vonë kjo revistë do të vazhdojë me emrin Grupi “28 Nandori” dhe më tej me emrin “Robni o Liri”. Në të tre këto revista ai botoi poezi e artikuj me temë lirimin kombëtar. Qe dishepull i Mithat Frashërit, Lec Kurtit dhe mik i profesor Prenk Kaçinarit. Mbas luftës përjetoi pasojat e regjimit komunist, i cili e torturoi dhe e burgosi dy herë. Herën e dytë e dënoi me vdekje, dënim i cili iu kthye me 20 vjet. Mbas daljes nga burgu u martua me shkrimtaren Lajde Staku, me të cilën pati një bashkëpunim të gjatë. Njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Së bashku botuan vëllimin me përralla për fëmijë “Përrallat tona”. Ka lënë shumë vepra në dorëshkrim, origjinale dhe përkthime, të cilat presin të botohen. Në mes të cilave përkthimi nga rusishtja e Eugjeni Oniegin kryevepër e Pushkinit, si edhe Lusiadet, kryevepër e shkrimtarit poertogez Kamoensit. Para se të vdiste ai i fali publikisht të gjithë ata që i kishin bërë keq, dhe la si amanet që në gurin e varrit të tij të shkruhej epitafi: “Kam një amanet o Perëndi, të lind sërish në Shqipëri”.
4.
Ashtu pranë e pranë qenë në Jetë, ashtu pranë e pranë edhe në këtë libër interesant me një problematikë të gjerë shoqërore adresuar fëmijëve. Unë do ta quaj si testament artistik, pikërisht për këto fëmijë, të cilët i deshën dhe vazhdojnë në libra t’i duan… Me talentin e tyre u dhanë këtyre fëmijëve-lexues magjinë e krijimit të tyre. (“Përrallat tona”, është vepra e parë e botuar së bashku me shoqen e tij të jetës Lajden, e cila tetë vite më parë kishte ndërruar jetë.)
Në themel të librit “Përrallat tona” shfaqen tre dukuri: a) Vetmia, si “personazh” që është i pranishëm në jetën e dy autorëve-bashkëshortë. b) Kultura e njohjes dhe bagazhi i pasur informativ e shkencor. c) Aparati receptiv i komunikimit përrallor.
Në hapësirat e librit prej përralle lëvizin personazhe përrallorë, si: kafshë, shpendë, insekte (kandrra) me të gjitha karakteristikat e tyre. Autorët duke përdorur teknika të larmishme të shprehësisë, në çdo fabul na shfaqen me befasi e përceptime të këndshme, pa rënë në përsëritje, që një rrezik të tillë mund ta kishte dhe ky libër.
Duke parë këto përralla që kanë natyrë fabulore, është e pamundur të mos vëresh mënyrën e komunikimit me fëmijët, njohjen e psikologjisë e botës së tyre, përcjelljen e mesazheve të vlerta.
Gjithashtu, është e pamundur që në çdo faqe libri, të mos vëresh ëmbëlsinë e vargut, melodinë e gegnishtes, pasurinë e figurave, skalitjen e personazheve…, po mbi të gjitha zemrën e madhe dhe shpirtin e bardhë të Lajdes dhe të Zefit për t’iu dhuruar fëmijëve: dashuri, këshilla të urta e dobiprurëse dhe ngrohtësi prindërore.
Thesari përrallor që na dhuruan shkrimtarët Lajde e Zef Staku janë pjesë e angazhimit e misionit fisnik në fushën e letrave shqipe për fëmijë. Ata në jetë dhe me krijimtarinë e tyre, tërë jetën respektuan moshën e njomë të fëmijëve; ndaj dhe do të kenë MIRËNJOHJE të përhershme nga lexuesit e vegjël, prindërit dhe brezat…
Shkodër, shtator 2018
Komentet