VOAL

VOAL

DUKE I KTHYER DHIMBJET NË FRYMËZIM E PLAGËT NË MENÇURI KOHE – Nga PREND BUZHALA

June 23, 2022
blank

Komentet

blank

BOTA ÂSHT NJI RROTULL – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Bota âsht nji rrotull që sillet rrethas

me turr. Ndoshta rrugës ajo humb sende

shum, pa u kujtue aspak.

Dhe na sillemi me njimijë rruzullime

në parzëm rreth saj e ndezemi e digjemi

e me flakën tonë ushqehet koha

e shekullit XX- dy iks –

trajtue me tymin e zjarmit tonë.

blank

S’jam si ti, Statujë e Lirisë, me pishtarin e Prometeut në duar Cikël poetik nga Senad Guraziu

Fotografia ilustruese: Pikturë nga Jacques Louis David (1748-1825) – Kaliopa duke vajtuar vdekjen e Homerit, 1812 ]

 

REKUIZIT (POETIK)
S. Guraziu, 2015

s’është se vjen nga ti,
në fakt, mund t’jetë “ves”
narcizist, i vetëlidhur
në sytë e Ehosë* me prangat
e Herasë, jam pra (madje)
viktimë, memecëri poetike,
dhimbje pa gjuhë, vuajtje…
nga tërheqja jote lunatike

vocërrak i hutuar me lodrën
e lirisë, pothuaj falas
nga “treg i Çamëve”
të demokracisë, s’kam fuqinë
apollonike ta tërheq diellin
në zinxhir, as vetveten kah ti,
me një “traktor” plastik
tërhiqen mbase vetëm
hejbet e ndjesisë

ditëve i përhumbur (carpe
diem, nec sine te) – netëve,
duke i mbyllur sytë kthehem
kah ti, si Toka harrestare
n’orbitalen e fiksuar,
hijerëndë, tërë diten fytyrën
kah errësira (carpe noctem) –
pastaj gjoja dhe unë i kthej
sytë kah drita, ëndërroj
përqafimin tënd

– – –

* Eho (mit.) – nimfë jashtëzakonisht e bukur; oreadë – Ehoja e takoi Narcisin dhe ra në dashuri me të, por s’ishte në gjendje t’i tregonte çfarë ndjente, thjesht i shkonte nga pas, e ndiqte gjithandej ashtu memece.
Kohë më parë, duke dashur ta mbronte Zeusin për tradhtitë valentineske ndaj Herasë (gruas së Zeusit), Ehoja qe ngatërruar me zemërimin e Herasë së bashku me konsekuencat si dënim, sepse e hutonte atë me bisedat e gjata. Hera, për inat ia pati reduktuar tmerrësisht mundësinë e të folurit – tutje e ngrata Eho mund t’i thoshte vetëm ca fjalë, s’mund ta zgjaste as një fjali modeste.
Miti i “Ehosë dhe Narcisit” na vjen nga poeti romak, Ovidi, nga “Metamorfozat” e tij. Sipas Ovidit, Narcisi ishte një djalosh fort i bukur i cili e refuzoi seksualitetin, e refuzoi oreaden e bukur Eho dhe ra në dashuri me reflektimin e figurës së vet në liqen. Ai u mbyt në ujë dhe, pasi perënditë mitologjike ishin të fuqishme, e kthyen në një lule që sot e mban emrin e tij.
(sguraziu)

HISTORI
S. Guraziu, 2013

[ muza e epikës vetëngushëllohet; je Kaliopa – i thotë kujtesës, s’je Penelopa… ]

Zemrat gurëzohen –
gurët s’janë sinorë,
piramida “kufijsh”
për ndarje zemrash,
kujtimet mjegullohen,
treten dhe puthjet
Iliad-heve të vjetra,
mbase lirës i binin
Homerë të verbër,
por buzëvala e qullur
me shiun e historisë,
“hëna e shirave”, ajo
e përgjumura, i teket
vargëzon odiseadën
gjatoshe pikërisht
në faqen tënde,
epike si “Malcia…”
e Fishtes, as sinorë
as gardhiqe mes meje
dhe ikjes, atëherë
kur t’bjer Troja
e fundit e poetikes,
asgjë s’më mban
peng, s’më “mashtron”
Kalipsoja, asnjë sirenë,
prore afshin do ta
ndjesh, buzëprekjen,
vulën e lëngshme
në faqe do ta kesh.

LIBERTY
S. Guraziu, 2009

S’jam si ti, Statujë e Lirisë,
me pishtarin e Prometeut
në duar, me dritën e urtësinë,
me një univers boshësie
që s’e njohim as unë
dhe as ti – Liberty e pafajshme,
çdo gjë e mozaikut përjashta
na përket neve, ka diç
që pulson brenda, shtytja,
inercioni i gjakut, vetë
jemi krijuesit e së jashtmes,
i kemi shpikur statujat,
reliket, simbolet,
me qëllim t’ia kujtonim
vetes së paku të jashtmen
e Lirisë, por çfarë e plotëson
brendësinë, me çfarë
ta mbushim boshësinë
tënde, një boshllëk Piramide,
mos vallë me rërë germash
dhe kurthe – apo thjesht
është besim, i njësuar
me grahmat e flakës,
oksigjen që “digjet”
i frymëmarrjes, beso pra
dhe ti Liberty… në Lirinë,
kurrë s’do t’i kesh frikë pastaj
treqind kalorësit e ndërgjegjes,
t’i godasin portat, bedenat
që rrënohen me vetë gurët
e vet, katapultet ngjeshur
me të njëjtit gurë, s’do
i kesh frikë as kapuçonët
netëve me stuhi, të mistershëm
si vdekja, si nata me pelerinën
e zezë që e mbështjell
boshësinë, të padukshmen
e trishtë, tek trokasin
në portat e kalbura
të pallatit tënd… të ëndrrave.

LIPOGRAM
S. Guraziu, 2020

(“ka dy mënyra për t’përhapur dritën; t’jesh kandil, o pasqyrë për reflektimin e tij” – Edith Wharton)

Puthja, kjo vulë
e “lëngshme” n’xhamin
e thatë, lipogram (fals),
i shpuplosur tashmë,
pasqyrim mbrapsht,
gjoja kod strategësh,
sekret, për lexim
nga ana “andej”,
stampuar me afshin
e nxehtë,
metaforë e ngjeshur
plot ndjenjë,
si “çorapet” e Neruda,
si poezi e leshtë…

Vetëm buzët bëjnë
dritë – mbledh
shkarpa n’errësirë,
i vë zjarrin vetes
pa strall as fitil, varfërisht,
çdo fillim i vështirë,
dritëshkurtër,
as Naim as qiri i mirëfilltë,
reflektim stoik,
djegie sëgjalli,
as “gëk” as klithmë,
si dikur ai murgu
budist, me çdo xixë
të shpirtit kuantik,
në secilin libër,
vëllim poetik,
thuase buzë neoni,
luminale, bio-llambë
në errësirë, Homeri
i verbër buzë kraterit
të çmendisë,
i kërkon buzët e tua,
ëmbëlsinë e poezisë.

PORTRET SURREALIST (V)
S. Guraziu, 2017

Poezia, ushqim
shpirtëror, supë
e shijshme për shpirtrat
përtej xhamit,
vezullojnë sytë, lugët
e urisë së “LShK”,
larë me ujin pa klor,
pa kripra, pa kalcium
në Stiks – shih,
në azilin e pleqve
frigoriferi akull,
super-ekologjik,
s’bën vrima ozonike
në qiell, fare
antipiretik, e përdor
ajrin, ujin, hidrokarburet,
pord***, amoniakun…
e këso substancash
të padëmshme
për artin poetik – larg
vegshit politik,
Hara-Shima dhe këso
të tjerë… i shohin
në “Oxygen” *,
e ngjyejnë kafshatën
e njomin koren
n’supën e Dr. Oetker,
ëndërrojnë, i buzëqeshin
Europës, dhëmbë
fildishi, artifiça-poetica,
shkëlqejnë.

* Oxygen – Klan Kosova është një rrjet televiziv që operon në Kosovë, pronë e Aleksandër Frangaj (Shqipëri), qe lançuar në v. 2009 (si version kosovar i TV-Klan-it shqiptar). Programatura e Klan përfshin me dhjetra show-emisione, një nga to është dhe “Oxygen”, kuptohet… as logoja as emri s’janë bash “shqip”, ama emisioni udhëhiqet shul-shqip gjakovarisht nga ai shakaxhiu Besim Dina : )
(sg)

DIORAMË EKSPERIMENTALE
S. Guraziu, 2015

Polifemi e shihte botën
me një sy, dy-dimensionalisht,
si një foto, pa thellësi –
dikush eksperimentoi
me ciklopin në lashtësi,
thuase e kuptoi…
me një optikë s’mund
të kapej tre-dimensionalja
e botës!

I tërbuar do kesh qenë
Poseidon, mrekulli
si shpëtoi ai Odise, e rëndë
ta humbësh të vetmin sy,
aq e rëndë të jesh
zot – nëse yt bir i verbër,
tridenti yt kot!

Polifem i ngratë,
as sot “imax” nuk kapet
me një xham, prapë
me dioramat e shkencës
sytë i mashtrojmë,
prizmat monokulare
ishin dikur… të piratëve –
në fakt, që para jush
dikush nga Titanët,
ndoshta vetë Gaja pati
eksperimentuar me dritën,
me kromozomet.

ULTRASONOGRAFI E QENIES
S. Guraziu, 2006

Si pikënisje… thellë
nga brendia nisu,
dil nga trupi dhe kthehu
si një torpedo fotonike,
si grusht i fortë drite,
godit muret, pushto vetveten,
un-in tënd – brenda krizalidës
shkapurit strofullën
dhe prushin e valë, puth
larvën tënde të frymimit,
digju i gjithi flakëve të arsyes,
prek natyrën dualiste
të universit dhe vetë
dualizmin e qenies, lufto
për frymën në anën e drites,
fluksohu, i gjithi në dritë
ktheu, me dashuri përvëlohu,
prore hidh shkarpa,
pandalë, fryji zjarrit guximshëm –
kur të tretesh i molisur, kur
i fikur të ndjehesh, ngrohu
dhe një grimë, energji
“rezervë” me kujtimin,
shfleto guidën, doracakun
e mbijetimit, me llambën
kriptonike të bebzës,
shqisen e gjashtë tendosur
si kapiten-komando
në xhungël, nën shiun
“monsun” të dhimbjes
injekto zemrën prapë
me gjilpera drite – nëse
i mekur, pa zë, si balenat
nën akullin e oqeanit,
errësirës së ftohtë, në qetësinë
absolute, si një grahmë
me “sonar” dridh lëngun
e jetës valë-valë,
si pëshpëritje e lutjes
së fundit… dhe vdis në paqe
me veten, me buzëqeshjen
sublime – nëse di si vdiset,
nëse di si shuhet drita!

blank

Mannahatta* Nga Walt Whitman – (1819-1892) E shqipëroi Elida Buçpapaj

Po kërkoja diçka të veçantë dhe perfekte për qytetin tim,
Atëherë ja! u shfaq emri aborigjen.
Tani shoh se çfarë ka në një emër, një fjalë, e lëngshme, e arsyeshme, e padisiplinuar, muzikore, e vetëmjaftueshme,
Unë shoh që fjala e qytetit tim vjen nga lashtësia,
Sepse e shoh atë fjalë fole në foletë e gjireve të ujit, e shkëlqyer,
E pasur, qarkuar rreth e qark me anije me vela dhe avullore, një ishull gjashtëmbëdhjetë milje i gjatë, me themel të fortë,
Rrugë të panumërta të mbushura me njerëz, ngrehina të larta hekuri, të holla, të forta, të lehta, që lartohen shkëlqyeshëm drejt qiellit të pastër,
Baticat e shpejta dhe të gjēra, të dashura nga unë, drejt perëndimit të diellit,
Rrymat detare që rrjedhin, ishujt e vegjël, ishujt më të mëdhenj fqinjë, lartësitë, vilat,
Direkët e panumërt, avullorët e bregut të bardhë, oxhaqet, tragetet, avullorët e detit të zi  modeluar mirë,
Rrugët e qendrës së qytetit, shtëpitë e bizneseve të punëmarrësve, shtëpitë e biznesit të tregtarëve të anijeve dhe agjentëve të pareve, rrugët e lumenjve,
Emigrantët që vijnë, pesëmbëdhjetë ose njëzet mijë në një javë,
Karrocat që transportonin mallra, raca burrërore e karrocierëve,  marinarët të nxirë nga dielli,
Ajri i verës, dielli i ndritshëm që shkëlqen dhe retë lundruese lart,
Dëbora e dimrit, këmbanat e slitës, akulli i thyer në lumë, duke kaluar lart ose poshtë me baticën ose zbaticën,
Mekanikët e qytetit, mjeshtrat, të formuar mirë, me fytyrë të bukur, që të shikojnë drejt e në sy,
Trotuarë, automjete, Broadway, gratë, dyqanet dhe shfaqjet,
Një milion njerëz – sjellje të shpenguara dhe të shkëlqyera – zëra të çiltër – mikpritje – të rinjtë më të guximshëm dhe miqësorë,
Qyteti i ujërave të nxituar dhe të gazuar! qytet i majave të kambanoreve  dhe direkëve !
Qytet i futur nëpër foletë e gjireve! Qyteti im!

 

 

 

 

Mannahatta* Kështu quhej Manhattan  nga aborigjenët

blank

TRILOGJIA ROMANORE E MUHARREM KURTIT- Nga ARTUR SHEMAJ

Muharrem Kurti është një prozator nga Gjakova ,me një prurje romanesh bajagi të bollshme,e cila ka sjellë vëmendjen e lexuesit në Kosovë e Shqipëri dhe meriton të studiohet.Romanet e tij kanë si bosht tematik luftën e UÇK dhe fatin ekzistencial të individit në Kosovë në këtë periudhë të plojës dhe të tmerrit të luftës.Janë romane që kanë një bosht tematik,por bëhen interesante dhe të dallueshme nga njëri- tjetrit prej mënyrës së konceptimit dhe qasjes ndaj problemit dhe çështjes kryesore.
Romani i parë”Data Njëmbëdhjetë” ndërtohet mbi një datë ,ku njëri nga udhëheqësit komunistë po jep frymën e fundit.Pikërisht dhe si për ironi të fatit, në të njëjtën date, do të arrestohet edhe Iliri,protagonist i romanit.
Romani i dytë”Kufiri i Gjakut” është vijim i ngjarjeve të një kohe të ndryshuar tashmë;ndërsa romani i tretë”Jeta e rrënojave” thuret si një sintezë e dy romaneve, më parë të botuar,ndërtuar me një fiksion të arrirë, ku përmes të pamundurës kërkohet e mundura,pra ndërtimi i jetës mbi rrënoja.
“Data Njëmbëdhjetë” është një roman që i sjell gjërat ndryshe ,nga një paqe e sforcuar në një luftë të ashpër.Protagonisti,Iliri arratiset,arrestohet dhe burgoset.Autori me një prozë autentike,mbushur me detaje të kohës,gjithë shprehimësi dhe poetikë ngjethëse ,na jep jetën e një të riu që donte Shqipërinë londineze,që tjetër mendonte e tjetër gjeti në të.Pas lë të dashurën,Dianën,që s`mundi ta marrë me vete.Por ai detyrohet të rikthehet sërish,i përzënë,i deportuar nga shteti amë.Dhe atje në shtetin tjetër shovinist gjen të dashurën e tij Dianën,si gjykatëse,ajo është e detyruar ta gjykojë e dënojë Ilirin si irredentist,element i rrezikshëm.Asaj iu dhe ultimatimi nga UDB të hiqte dorë,nga prindërit e saj si aparatçikë të sistemit vrasës.Gjithë ai idil i bukur shkërmoqet,ëndrrat dashurore,përbetimet dhe dashuria vetë merr një plagë të madhe.
Muharrem Kurti i njeh mirë tipat dhe prototipat e atij sistemi dhe këtë e ka parqitur e gdhendur me nivel artistik në figurën e Melez Gorës.Si personazh,ai ta pështiros,është njeriu hileqar,dinak,njeriu i kamufluar dhe i shndërruar,njeriu ideologjik dhe i mbingopur me frymën e urrejtjes,spiun,keqtrajtues,puthador i të huajit,arrivist dhe pa principin më të vogël moral,me shumë trajta dhe mënyra të shfaqjes,i besueshëm për naivët,njëjtë deri diku meJagon e Shekspirit.Ai e detyron Ilirin të arratiset,ai pengon dhe ndërhyn brutalisht në dashurinë e vajzës së tij.Si femër Diana nuk ngrihet në kufijtë e sakrificës sublime duke e shkelur veten përdhunshëm.
Është meritë e këtij romani që autori paraqet me besnikëri mjediset,terrorin,autencitetin e kohës kur dhuna i tejkalon përfytyrimet dhe gjeneron gjithnjë veten e saj përmes bëmave monstruoze të bartësve të saj.
Në romanin e dytë”Kufiri I Gjakut”,ngjarjet zhvillohen në të njëjtën hapësirë si në romanin e parë,po tani nuk është Iliri që vjen në Shqipëri,po shqiptari i Shqipërisë që shkon në Kosovë,dhe ky shqiptar ,nga zonat kufitare,ngjit me Kosovën.Atje ai ka martuar motrën e tij dhe katër dekada ,pa e parë,por ndërkaq motra kishte vdekur.Dhe ai mbrinë pas disa orë rrugë.Me mjeshtëri dhe forcë të madhe sugjestionuese,sidomos në pjesën e parë të romanit,autori paraqet çaste drithëruese kur malësori i Tropojës shkon në Gjakovë fshehurazi,duke përgjuar lëvizjet se mos e kapin ushtarët serbë.Këtu realiterti i hidhur i ndarjes bëhet gati legjendë dhe mpikset e çlirohet nga një ankth i madh i të zënurit peng.I të zënurit peng të vetvetes,pse nuk erdha më parë,i të zënurit peng nga ushtari.Ai kufi i lidhur me tela,i bllokuar nga dy anët,dhe kaq afër e pa u parë…Autori e ndërton romanin në dy plane që vijnë dhe i flasin njëri-tjetri,kufiri si lak i gjarpërit dhe kufiri që mbetet një konvencion me çlirimin e Kosovës.Nëse në pjesën e parë ankthi është i madh,në pjesën e dytë ky ankth shtjellohet si vrapim i etnisë shqiptare ,për ta bërë kufirin një kujtim të së shkuarës dhe për ta përzënë në një përrallë të hidhur,që duhet kujtuar ,për t`u bashkuar më shumë.Në se në pjesën e parë romani dallohet nga episode që vijnë dhe konfigurojnë një realitet të mbrapshtë,në pjesën e dytë romani u lëshohet ideve dhe autori përmes një toni polemist ndërton një traktat filozofik- kombëtar,që mund të lexohet bukur dhe me kthjelltësi nga politikëbërësit shqiptarë në dy anët e kufirit të sotëm konvencional.
Romani i tretë”Jeta e rrënojave” ndërtohet me një fiksion.Reani,i mbijetuari i tërmetit apokaliptik,si një Robinson Kruzo i ditëve tona,ndesh e takon një Evë jo të kopshtit të Edenit,por Zvetllanën serbe.Këtu vijnë dhe parakalojnë gjithë ngjarjet në sytë e Reanit,vrasjet e njerëzve të tij,krimet makabre që kishin kryer njerëzit e Svetllanës.Duhet thënë se Kurti, me zotësi,mjeshtëri dhe dije, ngre një problem të madh që ka ekzistuar te shqiptari në shekuj:humanizmi dhe pranimi i të huajit nga shqiptari,prej të cilit edhe e ka pësuar nga bujtësi dhe udhëtari i lig.Kjo aksiomë e njohur merr vlerë prej paraqitjes dhe shtjellimit artistik të autorit përcjellë edhe nga kodi etik i idesë.Ç`duhej të bënte me këtë grua?Dhe këtu lind idili e fillon dashuria,megjithëse ,ndërdyzjet nuk mungojnë.A i urrente Zvjetllanat,djegiet ,vrasjet e popullit të vet?A mund ta tejkalonte veten dhe a mund të ndodhte kjo?
Mjaft dilema dhe përsiatje të Reanit vijnë e bëhen nyje lidhëse dhe njëkohësisht ura kalimi nga kalojnë episode në roman.Po,fundi i fundit ,ai që vret a nuk vret dhe veten e tij?Ndërgjegja njerëzore a mund të jetë aq kriminele sa të mos e pranojë edhe këtë fakt?Në fund të fundit lufta që prodhon rrënoja a nuk duhet t`i bëjë njerëzit që t`i vënë gishtin kokës dhe të shohin më qartësisht se diçka më e bukur,më e fortë ekziston se lufta:dashuria,fryma e paqes.
Duke ndërtuar një trilogji romanore të tillë,autori arrin të na japë një tablo historike të popullit shqiptar në Kosovë dhe të popullit shqiptar në tërësi ,në periudhën e genocidit serb,luftës dhe paqes.Ai na tregon se njeriu në këto vise ka vuajtur shumë për shkak të kombësisë,ideologjisë,urrejtjes racore dhe për shkak të të shiturve e bastardëve.Por njëkohësisht shpreh edhe forcën morale të një populli të pamposhtur,siç edhe realisht është populli i Kosovës.Të gjitha idetë vijnë si reflektim i ngjarjeve tronditëse epike-dramatike,me fokus fatin e individit dhe peshën e kombit që ai nuk e brakatis dot ,sepse fati i kombit dhe fati i individit përputhen dramatikisht dhe përbëjnë forcën që krijohet prej njëri-tjetrit.
Proza e Muharrem Kurtit është e rrjedhshme,e ngrohtë,me elemente jetësorë të gjallë,me personazhe të skalitura dhe plot gjallëri.Stili dhe ndërkallja e figurave stilistike,dialogu,meditimi filozofik,fryma,mesazhi ,e bëjnë këtë prozë të bukur dhe intersante,por njëkohësisht të ngarkuar me ide kombëtare dhe universale,me idetë e lirisë dhe të paqes.Në prozën e tij ngrihen qindra pyetje dhe shpalosen dilema.Disa pyetje gjejnë pyetje e disa jo,por e ardhmja do t`u japë përgjigje,dhe autori përcjell idenë:pa harruar të shkuarën…Kështu,proza e tij në këto tre romane të bukura dhe me një ritëm rrëfimor të kënaqshëm,mbetet një tekst i hapur…
blank

MALLI, AH, KY MALLI IM PËR PETRITIN!..- Nga XHAHID BUSHATI

-Me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të mikut tim të shtrenjtë e të paharruar, poetit të talentuar Petrit Ruka (06.07.2021 – 06.07.2022)-
Kur u takova për herë të parë me Petrit Rukën, nga mënyra sesi fliste, si artikulonte fjalët dhe më recitonte ca vargje, (sa ajër, dritë e qiell kishin ato!), dlirësia e tij shpirtërore, humanizmi, e qeshura e pastër, sytë që i shndrisnin më sillnin në mendje poetët e famshëm rusë që i kisha për zemër. Ngaqë i kisha për zemër, edhe Petrit Ruka u bë pjesë e zemrës sime. I thashë se, që sot e tutje, unë do të thërras me emrin: Petja. Ai qeshi ëmbël. E qeshura e tij e bëri ditën time e ditët që do vinin më të bukura e më ëndërrimtare.
Si unë, si poeti Bedri Islami u munduam dhe i falëm dashurinë tonë shkodrane. Por unë isha gabuar se, në ditët që do vinin, Petja më fali aq dashuri sa mbeta borxh tek Ai. Borxh jam edhe sot… Udhëtuam si bashkëstudentë të një viti, hymë bashkë në auditore, bashkë në rrethin letrar të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, bashkë te Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut”, më vonë… bashkë në vitin 1985 në specializim pasuniversitar, ai për dramaturgji filmike, unë për kritikë letrare; pastaj pas ca vitesh kur vija në Tiranë takoheshim dhe pinim kafe, pastaj për herë të fundit në Shkodër, në promovimin e librit të poetit të talentuar Bedri Islami. Fola unë, foli dhe Petja. E vëzhgoja me kujdes: nuk kishte ndryshuar. Drita e syve dhe e shpirtit, e qeshura e ëmbël, fjalët e zgjedhura poetike që i zgjidhte me aq finesë, siç dinte Petja, vetëm fitonin hapësirë dhe mua më mbulonin me dashuri malli. Në drekën e organizuar, karriget i kishim pranë e pranë. Filluam kujtimet, filluam të tregonim shumë ngjarje, histori dhe përmendje emra personazhesh. Petja, me një kujtesë fenomenale, falenderonte Shkodrën. Fjalët e tij mbartnin aromë dhe trëndafila Shkodre. Mes shumë virtyteve, Mirënjohja spikaste si rreze drite në ndërgjegjen e tij, në shpirtin e tij si biluri.
Petja ishte mik i çmuar në shtëpinë e Bedriut. Nana e tij, Drita përherë buzagaz e priste dhe e përcillte me dritë. Shpesh, me disa shokë vinin edhe në shtëpinë time. Unë kisha një kopsht me shumë pemë. Ata vinin, mes të tjerave, për të ngrënë kumbulla stamolle, që i pëlqenin veçanërisht. Ardhjen e stinës kur piqeshin këto kumbulla nuk e harronin dhe ma kujtonin herë pas here. Ata bisedonin me nanën time. Nana ime u kujtonte secilit nanën që kishin lënë në shtëpitë e tyre. Në bisedat e tyre të këndshme e plot të qeshura, shëtiste malli i nënës… Kur iknin, nana gjithnjë më thoshte: “Bir, nuk e di pse, por atë Petritin dhe Skënderin (Buçpapaj) i kam për zemër. Mos iu largo atyre, mbështetu tek ato! Janë të mirë, shumë të mirë!”
Amanetin e nanës sime e përmend edhe sot e kësaj dite, do ta përmend edhe në ditët që do vijnë, edhe në frymën time të fundit. Është i shenjtë ky amanet! E përmend dhe malli, dhe dhimbja, dhe loti janë të pranishëm tek unë. Malli për Petjan! Malli, ah, ky malli që nuk mund të shuhet!..
Shkodër, 06.07.2022 ( Xhahidi Bushati)
blank
blank

KTHIMI – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Varret janë mbyllë përjashta.

Falemnderës, o shikim i diellit,

që priresh edhé sot mbi trupna tonë.

 

Pse jam shqiptàar,

trishtimi i kaluem i seme amë

jeton si gjaku i saj në mue:

të gjitha hapsitë avyten në gjansinë

e dritave të syve.

 

Edhe rétë janë ulë e i prekim me dorë.

 

Kur tallazi të bijë në pushim

e njimijë bimë ujce kryepezull

të përshëndesin ngjyrat e agut,

duke me kthye në jetë buzë ujit

që e njoh si veten.

blank

Për ty Kosovë! – Cikël poetik nga VIRON KONA

Si feniksi i legjendave u ringjalle!

Dëshiroj të të shpreh disa fjalë të ngrohta zemre,
Të ndiej gjakun e heronjve që në trup të vërshon,
Të puth brazdat në ballin e gjakosur nga plumbat,
Të ledhatoj trupin tënd të plagosur që fërgëllon.

Të ndiej në çdo pore të trupit tim, e jona Kosovë,
Të shoh përherë në ëndrra, o fisnike famëmadhe,
Të përfytyroj nëpër kroje, qumësht zane duke pirë,
Ngazëllehem! Si feniksi i legjendave ti u ringjalle!

Luftëtarëve të UÇK-së

Hodhët pushkët supeve u bëtë flakadan,
Me valë vetëtimash ju goditët mizorinë,
Heroizmi juaj rindezi ëndrrat çlirimtare,
Me flamuj kuqezi, përuruat lirinë!

 

Në ditën e dëshmorëve

Lule t`freskëta pranvere sjellin nënat dhe fëmijët,
Shqipet përshkojnë qiellin,burrat shkrehin pushkë,
Krojet e ndalin rrjedhjen, flladet valëvitin flamujt,
Malësori thërret legjendat, ngre këngë me lahutë.

Presidenti Bill Klinton

Thuhet se ish testament nga Zhorzh Uashingtoni,
Të mbështetej e të ndihmohej populli i Kosovës,
E bëri vepër atë amanet të shenjtë, Bill Klintoni,
Bashkë me Kosovën,mbrojti qytetërimin e botës.

Ai u shfaq liridashës dhe human si Nëna Terezë,
Kreu misionin që me ankth e priste bota mbarë,
Përcolli mesazhin: njerëzimi s`duhej t`tolerojë,
Gjenocidin mesjetarë dhe skllavërimin barbarë!

Të falënderojmë nga zemra, o presidenti Klinton,
Do t`mbahesh mend si një lider që vure drejtësi,
Ne shqiptarët do të t`jemi në shekuj mirënjohës,
Sepse na qëndrove pranë, kur kërkonim liri.

 

Për ty Kosovë!

Hordhitë barbare t`kanë dhunuar pareshtur,
Janë vërsulur mbi ty me pabesi dhe egërsi,
Kënga jote e lirisë asnjëherë s`ka heshtur,
O hyjnesha jonë e ëmbël,e lashta Dardani!

Klithmat tona për liri janë përhapur në glob,
Jetën ne ia kemi falur këtij dheu të shenjtë,
Gjaku ynë ka vërshuar lumë nëpër shekuj,
Për ty, Kosova jonë e shtrenjtë!

N`truallin tënd çdo gur e shkëmb – lapidarë,
Çdo grimcë dheu nxjerr gjak ende t`patharë,
Çdo dëshmor – kushtrim për mijëra luftëtarë,
Mijëra Shota e Azem, mijëra Adem Jasharë…

Kosovë: dheu, klithma, geni i pastër shqiptar,
Me emrin tënd ne lindim, jetojmë e vdesim,
Amanetin e vyer të lirisë të t`parëve dardanë,
E kemi besë e flamur e në breza e përcjellim…

blank

ATJE KU SYTË E KËRKOJNË GJITHMONË MIKUN… – Reportazh nga Tahir Bezhani

( Ose heshtja që shprushë mallin e djegur…)

Atë natë nuk më zuri gjumi. U përcaktova dhe mora vendim që vikendin e 25 qershorit ta kaloj në Shëngjin. Kaluan tre vite pa shijuar bukuritë e Shëngjinit, këtij bregdeti të bukur. Më silleshin ndërmend shumë ngjarje të kohës së kaluar. Shumë kujtime ruante rëra, uji, ”Iliria”,”Rafaello”…
Ajo kodra me pisha, lart mbi kaltërsinë detare, ku jetonte miku im e i shumë të tjerëve. Ajo ishte më tërheqësja, më sillte dhimbje, aty vriste syri, mendja dhe zemra ime, që atë moment kur u “pjek” arsyeja të shkoj në Shëngjin.
Më përfytyrohej miku im, tani i ndjerë z. Zeqir Lushaj, gazetari, poeti, publicisti ,redaktori i gazetës Zemra Shqiptare për shumë vite. Asnjëherë, që kur ishte rikthyer nga SHBA, z. Zeqir Lushaj ,nuk kishte ngjarë kurrë të kthehem në Gjakovë pa u takuar, pa pirë kafe e bërë llafe n ‘oborrin e asaj shtëpie të bukur, ku aroma e detit dhe e pishave të vjedhin kohën padiktueshëm… Shpesh ishim si miq se bashku me Lulzim Logun e Sejdi Berishën.

blank
Një pjesë e shtëpisë se Zeqir Lushaj në Shengjin.

Ishte ora gjashtë e mëngjesit kur u nisem nga Gjakova për Shëngjin, me Dr. Rexhep Golaj. Herët kaluam Kukësin dhe iu veshëm shpateve te atyre bjeshkëve, ku dielli kishte puthur moti majat e larta. Kishte me qindra makina që na tejkalonin, si grejzat. Kisha hedhur sytë asaj bukurie dehëse, atyre leqeve gjarpërore ku makina përpinte asfaltin në heshtje. Provuam të pimë kafenë e mëngjesit në dy-tre vende buzë rrugës, ishte e pamundur të vije në shprehje. Të dukej se kishin ikur nga shtëpitë e tyre të tërë Kosova…
Ecëm.

Afër Milotit gjetëm kohë e mundësi të hurpojmë nga një kafe shpejt e shpejt, nga se dëshironim të zëmë kohën për të realizuar të gjitha qëllimet. Sapo makina mori drejtimin e Lezhës, me ra në sy Shëngjini dhe kodra, atje ku ishte shtëpia e mikut tim. Filloi një dridhje malli e padiktueshme, një ligësi mëngjesore lëvizte në tërë trupin tim. Më bëhej se e shikoja ulur në atë tavolinë guri, me kafe e gotën e rakisë ,me miqtë e tij të shumtë, Zeqirin.

blank

Pamje nga oborri i shtëpisë se Zeqir Lushaj, tavolina prej guri ku priste miq Zeqiri.

E hoqa shikimin nga andej, ula kokën, shikoja rrugën dhe drejtimin me kujdes të makinës nga Dr. Rexhep Golaj. Bashkëshortja më foli duke më pyetur “ a je mirë”?!
-Po i them, mirë, dhe sërish sytë morën në shënjestër Kodrën Rrenc dhe gjithë atë panoramë të cilës i ofrohemi çdo moment. Do pakës uji, më foli vajza im, bashkëshortja e Dr. Rexhepit?!
…. Jo i them, mirë jam, më leni të qetë!…
Sikur të kishim pikur nga qielli, mbërrimë në plazh, te Rana e Hedhur. Herët u vendosëm dhe filluam gjithë atë lodhje të rrugës dhe hallakamtë e mia të brendshme, t’ia shkarkojmë ujit të detit dhe rërës së nxehtë.Në mbrëmje, afër hotel “ Rafaelos,” duhej të takonim Dr. Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, me bashkëshortin Arbenin, z. Adil Fetahu me bashkëshorten nga Prishtina. Për këtë takim kishim paralajmërimin, ishim të njoftuar nga njeri tjetri që të takohemi për kafe, të rikujtojmë mikun tonë të ndjerë, Zeqir Lushaj dhe te shkëmbejmë libra si kujtime te paharruara mes miqve.

blank

Këtë miqësi e pati mbjellë dhe na la trashëgim i madhi Zeqir Lushaj, andaj, në këtë kuptim, evokuam kujtime miqësore dhe padyshim se do e vazhdojmë miqësinë tonë si amanet të Zeqirit. Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, i qëndroj afër Zeqirit deri ne frymën e fundit të jetës. Ishin prekëse rrëfimet e saj.
Qetësia e dhimbshme dhe heshtja që vrasin, kuja që mbyll derën e oborrit…
Bëra çdo gjë të mundur që mos të shkoja te shtëpia e mikut të ndjerë Zeqir Lushaj. Nga njëra anë me vriste malli kur parafytyroja ndejat në atë oborr, ulur në tavolinën guri, ullishtën përrreth, blinin e Grisë, rrushin e merakut dhe shumë pemë të mara nga disa vende të Kosovës, koleksione malli për dashurinë që kishte për Kosovën. Ndërsa akoma më e madhe ishte forca e brendshme shtytëse, që mos të kthehem assesi pa e parë, pa e hequr ose mbushur mall me atë vend parajsë ku jetoi miku im e dhjetra të tjerëve, në atë kodër mali me pisha, mbi kaltërsinë e detit pafund.

blank

Dera e oborrit e mbyllur me kujë.
blank
Pa koment, lexoni e kuptoni vetvetiu!……

blank
Dikur se bashku, Sejdi Berisha,Zeqir Lushaj, T.Bezhani.

Dhe makina u ndal para derës së shtëpisë së mikut tim, me 26 qershor 2022, ndalova si i shtangur, doja ta thërrisja si dikur, sipas traditës malësore, ku edhe e merrja përgjigjen;
” O mirë se erdhe o djali i Gjakovës!”….
Kështu me thoshte Zeqiri përherë, ose kur nuk i bindesha, me thoshte “rri mirë nipalan!….” Këtë radhë nuk thirra, vetëm shikoja e diç më përvëlonte në heshtje. Shikova me dhimbje derën e mbyllur me kujë, tavolinën e gurit, ullinjtë dhe të gjitha të mirat tjera, punuar nga duart e vyera të Zeqir Lushajt .Një e lehur qeni ofrohej ngadalë te dera, sikur donte të thoshte:
“ Zeqir Lushaj nuk jeton më në këtë shtëpi…..”
blank
Një nga kujtimet me te ndjerin Z. Lushaj në oborrin e shtëpisë së tij.

Ai ,thashë me vete, nuk ka vdekur. Jeton në zemrat tona, të mijra bashkëvendasve të tij, anekënd trojeve shqiptare, të cilët i deshi aq shumë, me tërë forcën e shpirtit prej fisniku, rritur e kalitur në Malësinë e Gjakovës.
Më rrodhën instinktivisht dy-tre pika lot te pragu i oborrit të shtëpisë së mikut tim, Zeqir Lushaj. Nuk fola asgjë kur më tërhoqën familjarët në makinë, duke më ngushëlluar e përqafuar.
Në largim nga ai vend i paharruar, mu kujtua një thënie e Dostojevskit:
” Vdekja është dhurata më e çmuar prej Zotit. Ajo të largon nga mundimet e jetës….”
Të asaj rruge gjykimi jemi të gjithë. Ecim kryelartë!..

Gjakovë, 4 korrik, 2022

blank

PREJ ANDEJ KU BUJTA NJI NATË – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Përpara udhtimit ndigjova

muzikën e thërmueme nga pikat

e njimijë thumbave këpucësh.

 

Dashunija e tingujve të violinës

për erën e Jugut digjet mbi ullijt

e zdeshun. Toka e ndezun lëviz

kambët e fëmijëve rrugaça që ecin

zdathë: ç’mall për dheun e humbun!

 

E ajo tha: “Pushoji sytë në mue!”

Në gjijt mes krahëve ngjyrgruni

– binjokë të lindun së voni –

prehej edhe ndjesia amnore.

 

Unë do të nisem pa lanë nji shêj

prej andej ku bujta nji natë.

blank

NATURA MORTA – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Dielli, plak, çohet mes rêve,

vasha për rreth picak

që e ndiejnë peshën e marrjes vetëm

në gji.

 

Zotat endé pushojnë n’Olimp:

n’qepallat e tyne rrah çdo minut

para pemve t’gazit në truell rritë e thà

për nji natë:

 

Poshtë fijet e telefonit masin

gjatsinë e rrugave

e koha éc e èc npër ta

e flokët e borës digjen në takim me sende:

natyra morta!

 

Njeriu ndrron fëtyrë vetëm përmbrenda!

 

blank

ÇAST I QETË – Poezi nga GOTTFRIED KELLER – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Viti në ikje, nën petkun me parfume
Teksa shëtit buzë pellgjeve të kuqe
Ti hapin tënd e ndal;
Më sheh te ky liqen i ftohtë pyjor
Ku larg në një tis të thellë vjeshtor
Një mjellmë e heshtur krahët hap.

E qetë dhe e vetmuar ajo vrullin
Fluturues kredh në pasqyrë të ujit,
Zgjat qafën dhe dëgjon pastaj;
Zhytet atje poshtë e përsëri
Ndalet dhe dëgjon me kërshëri
Kallamishtes pëshpëritëse si fryn fllad.

Dhe me çdo veprim të saj, me çdo ngurim
Do më marrë lart si një ëndërrim
Sikur shpirti im ajo të qe
Që ngre papushim pyetje për jetë
Sa fluturon poshtë e përpjetë
Sa dëgjon prap e prehje s’gjen.

Pastaj me tërë shpirtin e frymon
Atë frymim të sajin paqësor
Në shteg të heshtur fill e vetme!
Dhe e ke kuptuar fare kthjellët
Se orët e tua mund të treten
Si qiellit gjurmët e mjellmës.

blank

DITA SI PËRJETËSI E POETIT CESAR IVÃNESCU – Nga Visar Zhiti

…kisha marrë me vete librin “Fryt”, të poetit Cezar Ivãnescu dhe sikur kisha mbartur shpirt nga vendi i tij, Rumania.
Të vjen ta lexosh gjithkund, në natyrë, mes blerimesh si pjesë e tyre dhe ndërkaq të përftohen caqet, muret e shtëpisë së jetës dhe e vazhdon leximin në shtëpi, teksa të përtërihet natyra, pafundêsia e saj.
Dhuratë e bukur e shqipëruesit virtuoz, Dr. Luan Topçiu, e kam fjalën dhuratë për lexuesin shqiptar, poezisë tonë si një prurje të re nga bota, plot me ato ndjesi jete e vdekjeje e dashurie…
Është një botim dygjuhësh i “Ombra GVG”, mjaft cilësor, me skica, me një biobibliografi nga e bija, Clara Arustei, dhe parathënie nga Daniel Cristea-Enache, me një pasthënie nga përkthyesi, ndërsa poezitë midis si copa ditësh e netësh, përjetimesh me nerva e gjak e përsiatje të thella, lutje dhe muzikë njëherësh, himne e requime, thjeshtësi parake e modernitet, ritme ku përditësia bashkohet më divinen, ku e zakonshmja është dhe e pazakonshme.
Poeti, i dëshiruar mynxyrshëm për dritën e jetës, e do vdekjen, me të fillon dhe pavdekësia. Jeta dhe vdekja janë shumë bashkë pa antagonizëm në poezinë e tij, ndërkallshëm te njëra-tjetra dhe si vazhdime. Janë këngë hare-trishtuese dhe gjej se ai gjithsesi ka kultin e mëmës, domethënëse kjo, sikur mban ndër duar ikonën e amësisë dhe ecën në mugëtirë, të agut apo pasdites së vonë, nuk ka rëndësi, rëndësi ka magjia e ecjes.
Ishte shqiptare e ëma e poetit, na tregohet në libër, nga Korça. Nga adhurimi për nënën, poeti kaloi natyrshëm dhe në adhurimin për Shqipërinë. Dy herë e vizitoi mëmëdheun Ivanescu, në diktaturë dhe në postdiktaturë, qëndronte mbi to dhe ai i ngazëllehej si një fëmijë përkthimit në shqip, na dëshmon Dr. Luan Topciu, i cili vazhdimisht forconte miqësinë me të, vëllazêrisht dhe si kolegë në kulturë. Është poet atipik, i veçantë, shpjegon Luani, që s’përshtatej dhe i të papriturave, me një sinqeritet sublim, i kollajkonfliktueshëm. “Nuk zinte vend qendror në sistemin kulturor të kohês, – shkruhet në parathënie, – donin ta shtynin në zonat e harrimit… në një epokë të kontrolluar ideologjikisht…”, por “meriton plotësisht të jetë në krye të piramidës së homologimit…”. Cezar Ivanescu i refuzoi kompromiset dhe, sipas studiuesve, justifikimi me kontekstin dhe alibinë historike nuk funksion më…
Shumë interesante kjo dhe një porosi që vlen dhe për të gjykuar në autorët dhe letrat shqipe sot, një çelës që na i jep kritiku i shquar Luan Topçiu.
Ndërkaq nuk mund të rri pa treguar dhe befasinë, që më emocionoi, kur po lexoja pasthënien. Ivanescu, në shtratin e vdekjes, librin e fundit që lexoi, ishte romani im “Funerali i pafundmë”, i përkthyer rumanisht po nga Luan Topçiu, që do t’i thoshte për autorin: “Është një shkrimtar plot forcë dhe me një imagjinatë turbulluese”.
Unë nuk e takova kurrë, por ai është i gjallë në poezinë e tij plot mistikë dhe muzikë, dije dhe natyrshmëri, një bashkëbisedim që nuk të vjen të ndahesh dot, ai është siç shkruante. Librin i tij, ndër më të mirët e poezisë në botimet tona, është, si të thuash dita e tij, që ai e shndërron për të gjithë ne në copëz pêrjetësie…
blank
blank
blank

Send this to a friend