VOAL

VOAL

DITA  E  FLAMURIT – Mendime e kujtime nga LUIGJ GURAKUQI

November 28, 2020

Komentet

SHOQATA E INTELEKTUALËVE “JAKOVA” NË GJAKOVË SHËNOI  24  VJETORIN E THEMELIMIT- Nga TAHIR BEZHANI

Me 15 Nëntor, 2026 në “Hotelin  Çarshia e Jupave” në Gjakovë, u mbajt një manifestim i denjë me rastin e 24 vjetorit të themelimit të SHI.”Jakova” në Gjakovë.  Në këtë manifestim morën pjesë një numër i madh intelektualësh nga Gjakova e jo vetë, nga të gjitha strukturat e qytetarëve te Gjakovës. Hapjen e këtij manifestimi e bëri kryetari i SHI.”Jakova” në Gjakovë Prof. Dr. Ruzhdi Sefa i cili në fjalën e tij fillestare, falënderoi themeluesit e Shoqatës dhe të pranishmit tjerë.

Pastaj, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti duke cekur rezultatet e arritura që nga fillimi i themelimit të kësaj  shoqate. Ndër të tjera, në fjalën e tij z. Sefa tha: Sot, kur shënojmë 24 vjetorin e themelimit të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, nuk jemi  mbledhur vetëm për të kujtuar një datë të rëndësishme të historisë sonë institucionale. Jemi këtu për të vlerësuar një rrugëtim,  për të r3eflektuar mbi punën e bërë dhe, mbi të gjitha, për të riafirmuar përgjegjësinë tonë ndaj qytetit, shoqërisë dhe misionit për të cilin është themeluar  kjo Shoqatë. Shoqata e themeluar nga viti 2002 gjithnjë ka synuar të jetë në hapësirë e mendimit të lirë, e komunikimit intelektual, e promovimit të dijes dhe e trajtimit të çështjeve  me interes publik. Gjatë këtyre viteve Shoqata ka kaluar në periudha të ndryshme, me mundësi e vështirësi, por ka arritur të ruaj identitetin dhe qëllimin e saj. Kemi organizuar promovime librash e monografish, takime me autorë, tryeza tematike, akademi përkujtimore dhe aktivitetet sensibilizuese. Kemi krijuar hapësirë për studiues, krijues, profesionistë dhe personalitete nga Gjakova, Kosova dhe Shqipëria, tha Prof. Ruzhdi Sefa në fjalën e tij, për të vazhduar:

Gjatë kësaj periudhe veçojmë aktivitetet në botimin dhe promovimin e e monografisë për themelimin e Universitetit Publik në Gjakovë, botimin e monografisë  për Xhaminë e Sulejman Hadum Agës, veprën për akademik Esat  Valla, takimin me shkrimtarin Agim Gjakova, Helena Kadare, Stjefan Çapalik etj.  Një vend të veçantë në këtë rrugëtim zë edhe projektim i Obeliskut të miqësisë shqiptaro-amerikane, gurthemeli i së cilës u vendo me 3.korrik, 2026,në bashkëpunim me Rrjetin Intelektual Shqiptarë.

Një vëmendje të veçantë, pos bashkëpunimit me  Universitetin “Fehmi Agani” ,OV LANÇ, OJQ etj, edhe revistës “Gjakova e Re,” e cila është një zë i veçantë e me rëndësi të theksuar për komunikim me publikun kur shkruhen gjëra që përcjellin dhe ruajnë kujtesën historike. Profesor Sefa nuk la anësh pa falënderuar kontribuuesit të cilët e mbështesin Shoqatën si z. Skender Nikoliqi, i cili ka dhënë në dispozicion të hapësirën e zyrës së tij, e cila jo se ka tani një adresë Shoqata, por është  një kontribut për vazhdimin e veprimtarisë  institucionale.

Ndaraje e titullit “Guximi intelektual” z. Blyta nga dr. Gezim Lupaveci.

Gjatë këtij manifestimi si rezultat u cek edhe zhvillimi i procesit të  ndarjes së titullit “Guximi Intelektual”. Përzgjedhja e  prof. dr. Afrim Blyta, si fitues  për vitin 2025, u bë përmes një procesi të mbështetur në rregullore dhe procedura transparente, si dëshmi e përkushtimit tonë për ta vlerësuar guximin qytetar dhe intelektual.

Titullin “Guximi Intelektual” për vitin 2025 SHI.”Jakova” ia ndau Prof. dr. Afrim Blyta.  Dorëzimin e këtij titulli të veçantë titullit e bëri dr. Gëzim Lupaveci.  Me këtë rast  Prof. Blyta falënderoj SHI.”Jakova” për ndarjen e këtij titulli prestigjioz. Ndërsa në fjalën e tij të zgjeruar, trajtoi ca qështje me rëndësi për kohen dhe intelektin njerëzorë, me temën “Rënia e mençurisë, kultura e famës dhe kriza e mendimit kritik në shoqërinë moderne. ”Kjo temë mjaft interesante dhe e elaboruar bukur e profesionalisht nga z. Blyta, u mirëprit me duartrokitje të gjata. Nga ligjërimi i z. Blyta po theksojmë dy-tre pyetje si trajtesë: “A kemi arritur në një pikë ku shoqëria jonë i vlerëson më shumë njerëzit që bëjnë zhurmë se sa ata që kanë njohuri?….A jetojmë në një kohë kur një person mund të fitojë miliona ndjekës pa pasur ndonjë kontribut të rëndësishëm intelektual, ndërsa, një shkencëtar, mësimdhënës,  hulumtues, studiues duhet të luftojë për vëmendjen e publikut?. Pse një deklaratë sipërfaqësore mund të marrë mijëra pëlqime, ndërsa një mendim i argumentuar, një hulumtim shkencor apo analizë serioze shpesh kalon pothuajse  pa u vënë  re?…”Trajtimi më gjerësisht i këtyre temave nga z. Blyta, krijojë përshtypjen e jashtëzakonshme të pranishmëve në sallë dhe u prit me duartrokitje.

Kryetari i SHI.”Jakova” z. Ruzhdi Sefa, në fjalën e tij përfundimtare ,falënderoj anëtarësinë e gjerë dhe kryesinë Shoqatës, bashkëpunëtorët, por njëherit, kërkoi  me shumë angazhim në përmbushjen e obligimeve që dalin nga qëllimi i themelimit të kësaj shoqate.

17.11.2026

KRAJA, KU TRADITA I MBLEDH SHQIPTARËT- Nga Neki Lulaj

Në Krajë në mes e valltarve të rinjë krajanë shkrimtari Neki Lulaj
Kraja  vazhdon të jetojë përmes  traditës kulturës dhe bashkimit të shqiptarëve . Andaj mos thoni se Kraja po braktiset, po vetmohet apo po harrohet! Dita e sotme dëshmoi të kundërtën. Rruga kryesore e saj ishte mbushur me  plotë vizitorë të ardhur nga të katër anët e shqiptarisë. Edhe pse kolonat e gjata të automjeteve prape   kalohej disi këmbë deri në sheshin ku zhvillohej tregu dhe ku kumbonte muzika e bukur popullore. Kishin udhëtuar nga Kosova, Shqipëria, Tuzi, Plava e Gucia dhe shumë qytete të tjera, vetëm për të qenë pjesë e një feste që tashmë ka fituar vend të veçantë në kujtesën e njerëzve: “Festa e Gështenjave”.Kjo ditë festive ishte pasuruar edhe me një program të larmishëm artistik. Para të pranishmëve u paraqit këngëtarja e njohur nga Kosova, znj. Afërdita Dërmaku, e cila me repertorin e saj të pasur të këngëve dhe valleve popullore krijoi një atmosferë të veçantë. Më pas, muzika e bukur krajane, me këngët dhe vallet karakteristike të kësaj treve, i dha manifestimit një tjetër ngjyrim artistik. Edhe veshjet tradicionale të Krajës dhe të rrethinës, me bukurinë dhe veçantinë e tyre, ia shtuan hijeshinë kësaj feste të bukur nëntori. Kjo ditë, e begatuar me prodhime të ndryshme vendore, me gështenja e plot të mira të natyrës, u shndërrua në një takim të bukur të traditës, kulturës dhe miqësisë. Jehonën e kësaj feste e përcollën edhe gazetarë dhe përfaqësues të mediave të ndryshme radio-televizive, të ardhur nga Ulqini, Shkodra dhe Podgorica.
Një vend të veçantë në këtë manifestim zuri edhe krijimtaria letrare. U shpallën rezultatet e konkursit letrar për ciklin shkollor dhe atë të lartë, duke dëshmuar se kjo festë nuk i kushtohet vetëm traditës dhe prodhimeve vendore, por edhe kulturës, dijes dhe krijimtarisë letrare. Pjesëmarrja e krijuesve dhe e nxënësve i dha manifestimit një dimension tjetër kulturor e artistik.
Në këtë mesnëntor, Kraja mori pamjen e një shtëpie të madhe shqiptare, ku miqtë e vjetër ritakoheshin, përqafoheshin dhe shkëmbenin kujtime. Në çdo cep dëgjoheshin biseda, të qeshura e përshëndetje, ndërsa aroma e gështenjave të pjekura përhapej në ajrin e freskët të vjeshtës.
Kjo festë, tashmë traditë dyditore, nuk është vetëm një panair i prodhimeve vendore. Ajo është shumë më tepër: është takim njerëzish, brezash e miqësish; është një urë që lidh vendlindjet, kujtimet dhe dashurinë për rrënjët tona. Nëpërmjet saj, Kraja shpalos pasurinë e vet kulturore, traditën e mikpritjes dhe bukurinë e natyrës buzë Liqenit të Shkodrës.
Duke parë gjithë atë gjallëri, vizitorët e shumtë dhe fytyrat e gëzuara, njeriu ndiente një kënaqësi të veçantë. Sikur për një çast, largësitë të ishin zhdukur dhe të gjithë të ishim kthyer në një sofër të përbashkët shqiptare, aty ku tradita, miqësia dhe malli nuk njohin kufij.Dhe, teksa dita po i afrohej fundit, mbetej një mendim i bukur: Kraja nuk është e harruar përderisa ka njerëz që e duan, që kthehen tek ajo dhe që i ruajnë traditat e të parëve.
Gështenja mund të jetë simboli i festës, por dashuria për Krajën është fryma që e mban atë gjallë.
Krajë,14 nëntor 2026

Sa mirë bëmë që kemi heshtur- Cikël poetik nga THANI NAQO

KY JAM UNË

.

Më mungon instinkti i shtirjes,

S’kam durim të dëgjoj për çdo gjë,

Ato që vijnë thjesht natyrshëm,

Më hyjnë në zemër e nuk bëjnë zë.

.

Njeri, kafshë, shpend a pemë,

S’ kam patur idhull as në fëmijëri,

Me kuaj, qen, pleq, lisa e bletë,

Akoma kam natyrshëm miqësi.

.

Çdo çast më gjen në gatishmëri,

Kam sy skifteri e veshë kali,

E shoh kur fryn e lëviz edhe ajrin

Pra kam instikt gjahtari.

.

Madje edhe në studion time,

Kur terri e yjet zbehen krejt,

E shoh e qesh me veten time,

Ndërsa dremit, atje, në cep…

.

LEVENDË, CINGUNË, MBURRAVECË, INJORANTË

.

Ndonjëherë zemërimi më le pa gjumë,

Që shoqërohem me injorantë,

Krahasimet e tyre, (të pista), rrjedhin lumë,

(Kur zemrat vjellin ndonjë inat.)

.

Një nga një po rrallohen fytyrat,

Të mirë e të keq, jam moshatar me ta,

Nga pamja, huqet e nga dëshirat,

(thelbi: kush eroton bën edhe para.)

.

S’na hyn në sy shkëlqimi i natës,

Bëjmë premtime e mbajmë sa mundim,

Levendë, cingunë, mburravecë, injorantë,

Për njëri – tjetrin sakrifikojmë gjumin.

.

SA MIRË BËMË QË S’U PAMË

.

Kur unë s’të shikoja, më shihje ti mua,

Po t’ më rrëfeje ç’ mendoje vërtet,

Do thosha – unë të dua,

Paçka gjithnjë zbulon ndonjë të metë.

.

Kur ti s’më shihje, fshehur të vëzhgoja,

Ç’ mendoja për ty as unë s’ t’ i thosha dot,

Ama për ty më shumë ëndërroja,

Sepse s’ka femër pa llafe, në botë.

.

Gjithmonë të meta tek unë ti zbuloje,

Herë në pamje e herë në mendim,

Me të tjerë djem më krahasoje,

Unë idiot e i shëmtuar, ata simpatikë e zheninj.

.

Si dukem tani në sytë e tu, të terur?

Gjysëm shekulli iku, mbetëm larg e të ndarë,

Sa mirë bëmë që kemi heshtur,

Sa mirë bëmë që më s’u pamë.

.

TEKAT

.

Jam nën qiell të errët e të vranët,

Retë shpalosen si gazeta meteorologjike,

Të kërkoj, i malluar, kudo, anembanë,

Edhe era lëshon psherëtima erotike.

.

Numëroj minutën e fundit, sa një orë,

Gulshet pleqërore rrokullisen tatëpjetë,

Një përshëndetje e huaj, me dorë,

Sërish habitem si shpalosen retë.

.

Nuk mbeti shkak për dyshime të rënda,

Vetëtimat paralajmërojnë shi e stuhi,

Por tekat që i kanë shpesh femrat,

Pandehja se nuk i kishe ti.

.

SI NJË RRËFENJË NGA KOHËT E EGRA

.

Nën hijen e rëndë ku drita s’gjen shteg,

Heshtja mblidhet qark meje, si vel,

Pëshpërima e gjetheve rrëfen një sekret:

Hija e arrës vret.

.

Gjethet e lyrshme vezullojnë, si të lyera me vaj,

Kurrora e pemës nga pesha rënkon,

Kërcasin degët e thyhen sikur kanë faj:

Një kokër trurin mëkon.

.

Fustani i ngjyer me lëng arre,

Varur në kanvacë me ngjyra të qeta,

E gjoksi e këmbët e bezhëta të një vajze,

Mbyllur në kornizë që nga kohët e egra.

PUTHJA E NDALUAR- Prozë nga Vladimir Xhakollari

 

Ka kohë që njerëzit nuk e kuptojnë sa lehtë mund të shkatërrohet
një shpirt. Mjafton të lindësh në një epokë të gabuar, të shqiptosh
një fjalë të ndaluar ose të dashurosh në një kohë kur dashuria
konsiderohej rrezik.
Në Shqipërinë e viteve ‘80, të shekullit të kaluar, liria ishte
vetëm një fjalë, ndërsa ndjenjat duhej të fshiheshin si faj. Ishte koha
kur Partia kërkonte bindje, jo zemër. Në një fshat të madh të jugut,
mes kodrave të heshtura dhe fushave të varfra, jetonte një familje që
mbante mbi supe një damkë të rëndë: “Familje armiku.”
Shtëpia e tyre ishte e vjetër, ngritur me mundin e babait dhe
durimin e nënës. Brenda saj jetonte ndershmëria, por në atë kohë
ndershmëria nuk mjaftonte për të jetuar me dinjitet.
Fshatarët kalonin pranë portës me sytë përdhe, sikur edhe një
përshëndetje mund t’i bënte fajtorë. Të afërmit i vizitonin vetëm
natën, kur errësira fshihte frikën. Fëmijët u rritën pa shokë, pa lojëra
e pa përqafime. Megjithatë, prindërit nuk u mësuan urrejtjen.
– Mos u bëni si ata, – u thoshte babai. – Urrejtja është zinxhiri që
i mban njerëzit skllevër.
Djali i dytë, Shkëlzeni, ishte bërë burrë.
I gjatë, i fuqishëm dhe me sy që flisnin më shumë se fjalët, ai
mbante brenda vetes një botë ëndrrash: dëshirën për dije, për liri dhe
për dashuri.
Pas tetëvjeçares nuk mundi të vazhdonte shkollën. Gjimnazi
ishte në qytet dhe për djemtë me “biografi të keqe” rruga ishte më e
gjatë se kilometra. Ishte një mur që nuk kalohej. Çdo mëngjes dilte
në oborr dhe shihte nxënësit që kalonin drejt qytetit.

I ndiqte me sy derisa humbisnin pas kthesës.
Sytë i mbusheshin me lot, por nuk ankohej.
Një mëngjes, mes grupit të nxënësve, dalloi një vajzë.
Quhej Dhurata.
Flokët e gjatë i valëviteshin lehtë në erën e mëngjesit, ndërsa
sytë i shkëlqenin si drita mbi gjethet pas shiut. Kur sytë e tyre u
takuan për herë të parë, diçka ndryshoi brenda tij. Që nga ajo ditë, ai
e priste çdo mëngjes.
Ajo kalonte.
Ai e shikonte.
Herë pas here, sytë takoheshin për një çast. Ajo skuqej dhe ulte
kokën.
Të nesërmen vinte përsëri.
Kështu lindi një dashuri e heshtur.
Pa premtime.
Pa letra.
Pa fjalë.
Vetëm me shikime.
Një mëngjes pranvere, Shkëlzeni mblodhi gjithë guximin.
I doli përpara.
– Mirëmëngjes, Dhurata.
Ajo u step.
– Mirëmëngjes…
– Dua të të them diçka.
Ajo hodhi një vështrim pas.
– Shpejt… po vijnë vajzat.
– Të dua.
Fjalët dolën të ngadalta, por të pastra.
– Kur të duash, vij të të kërkoj në shtëpi.
Vajza uli sytë.
– Jam ende e vogël. Dua të mbaroj shkollën.
Shkëlzeni buzëqeshi lehtë.
– Do të pres sa të duash.
Ajo u largua. Pas saj mbeti vetëm zhurma e hapave mbi rrugën

Xhaketa e vjetër
me pluhur. Ishte fillimi i një dashurie që nuk pati kohë të jetonte.
Kaluan disa vite.
Dhurata mbaroi gjimnazin dhe u dërgua në një aksion rinor.
Kur u kthye në fshat, Shkëlzeni po punonte pranë shtëpisë.
Sapo e pa, lopata i ra nga duart.
Ajo buzëqeshi.
Një buzëqeshje e vogël, por që për të vlente sa një jetë. Të
nesërmen u gjendën rastësisht në të njëjtin autobus. U ulën pranë
njëri-tjetrit.
Biseduan pak.
Duart u prekën pa dashje.
Asnjëri nuk i largoi.
Në një çast që nuk e mendoi gjatë, Shkëlzeni iu afrua dhe e
puthi lehtë në buzë. Ishte puthja e parë. Një puthje e pafajshme.
Por në atë kohë edhe pafajësia dënohej.
Brenda autobusit shpërthyen britmat.
Disa militantë të Partisë kërkuan që autobusi të ndalonte.
Shoferi mori drejtimin për në polici.
Shkëlzeni nuk bëri rezistencë.
As nuk u përkul.
Në komisariat e rrahën me shkopinj e grushte.
Ndërsa Dhurata, e tmerruar nga njerëzit, familja dhe biografia e
tij, mohoi gjithçka. Frika fitoi mbi dashurinë.
Gjykimi zgjati pak.
Vendimi ishte i pamëshirshëm.
Pesë vjet burg për “sjellje të pahijshme” dhe “kundërshtim të
organeve të rendit”.
Një puthje ishte kthyer në krim.
Në burg, Shkëlzeni u plak para kohe.
Rrihej.
Poshtërohej.
Punonte deri në rraskapitje.
Por askush nuk arriti t’ia shuante kujtimin e asaj puthjeje. Kur
doli, nuk ishte më ai djaloshi i fortë. Fshati e shihte me dyshim.

Sigurimi e mbante nën vëzhgim. Çdo javë duhej të paraqitej në
polici. Jetonte, por nuk ndiente më se po jetonte.
Padrejtësia e sëmuri ngadalë.
Mjekët i mjekuan trupin.
Por zemra nuk kishte ilaç.
Një mëngjes, pa zhurmë, Shkëlzeni mbylli sytë përgjithmonë.
Ishte ende i ri.
Fshati vazhdoi jetën. Koha mbuloi shumë gjurmë.
Por jo të gjitha.
Në rrëzë të kodrës ku ai rrinte dikur, mbeti një gur i bardhë.
Pleqtë e fshatit ende tregojnë historinë e djalit që u burgos për
një puthje.
Dhe vajzat që kalojnë aty ndalen për një çast.
Jo për të qarë.
Por për të kujtuar.
Sepse disa dashuri nuk arrijnë të jetohen. Ato mbeten të ngrira
në një çast të vetëm, që koha nuk arrin ta fshijë. Shkëlzeni nuk ishte
hero lufte.
Nuk mbajti armë.
Nuk fitoi medalje.
Ai bëri vetëm një gjë.
Dashuroi.
Dhe në një kohë kur edhe dashuria dënohej, kjo ishte forma
më e pastër e guximit. Ndoshta kjo është tragjedia më e madhe e
diktaturave. Se arrijnë ta burgosin njeriun…, por kurrë kujtimin.
Puthja e Shkëlzenit dhe e Dhuratës nuk jetoi gjatë.
Por mbeti si dëshmi se edhe në kohët më të errëta, zemra e
njeriut vazhdon të kërkojë dritën.
Sepse dashuria mund të ndalohet.
Mund të dënohet.
Mund të shtypet.
Por nuk shuhet kurrë.

MASKA MORTORE -TROKITJE NE DHIMBJE – Tregim nga DR.EDUARD A. SKUFI ATHINE

 

 

Ai qytet ishte zgjuar i përhumbur, nga një surprizë sa e papritur, aq edhe sensacionale. Lajmi tronditës, kishte shkaktuar një zhurmë të pazakontë në media, ku kureshtja ndërthurej me trishtimin, habia me kujtesë dhe revoltë, ndërkaq diku në skutat më të errëta të ndërgjegjes, përgjonte një nostalgji paradoks, e strukur, e pashprehur… Në Muzeun Historik, krejt papritur, ishte vendosur maska mortore e diktatorit.E quajtën vepër arti, antihomazh, një imazh që rikthehej si subjekt jashtë kohe, si një hije që refuzonte të mbetej në të shkuarën.Por, përtej interpretimeve artistike dhe shpjegimeve të kuruara, ajo që përcillej ishte diçka tjetër: mbase një ndjesi e paqartë idealizimi, madje glorifikimi, e një figure që historia e kishte lënë pas, por që, me sa dukej, ende nuk kishte reshtur së kërkuari vend, në kujtesën tonë.Kjo më kishte mbetur si një brengë.Një brengë që dhëmb, që nuk më linte të qetë.Ndjeja se duhej ta shihja me sytë e mi atë maskë, të përballesha me atë fytyrë të ngrirë në vdekjen e saj, e cila, për çudi, akoma dhe sot vazhdonte të trazonte të gjallët.U ngrita herët atë mëngjes. Jashtë, koha ishte e ftohtë, qielli i rënduar dhe shiu binte me atë këmbënguljen e trishtë që i jep qytetit, pamjen e një melankolie të lagët.Mora me vete nipin dhe u nisëm drejt Muzeut Historik. Mendoja se moti i zymtë, ndoshta edhe shiu, do të na e kursente turmën e vizitorëve.

 

Me nipin ballë maskës mortore

Doja ta shihja në heshtje, të dialogoja me të.Doja pak hapësirë për të menduar, për të ndier, ndoshta edhe për të kuptuar se çfarë më trazonte aq shumë, në atë rikthim të papritur, të së shkuarës. Nuk e dija ende se, ajo vizitë do të ishte më shumë, se një ndalesë në një muze.Do të ishte një udhëtim nëpër kujtesën time, nëpër kohëra që nuk kthehen kurrë plotësisht, por që, herë pas here, dinë të trokasin në ndërgjegjen tonë me një forcë të frikshme.Nuk e di sa kohë qëndrova para asaj dere.Ndoshta disa minuta, që mbartnin një jetë të tërë.Ka dyer që nuk hapen me dorë, por me dhimbjen e shpirtit. Dhe kjo ishte njëra prej tyre.Kisha ardhur deri këtu, por këmbët më rëndoheshin sikur të kisha ende prangat në kyçe. Trupi im kishte dalë prej burgut shumë vite më parë, por shpirti…shpirti nuk kishte mësuar kurrë të largohej plotësisht prej tij. Kishte mbetur atje, në qelitë e lagështa, në netët pa gjumë, në britmat që mbyteshin pas mureve, në emrat e shokëve që nuk u kthyen më. Kishte mbetur në atë kohë, kur njeriu mund të dënohej edhe për një mendim, dhe për një kujtim, edhe për një ëndërr që nuk i përkiste… Sot, për herë të parë, nuk po shkoja të takoja një njeri të gjallë.Po shkoja të përballesha me maskën mortore, me hijen e tij.Pas asaj dere, u gjenda në një tunel “izolimi”, dhe në sfond maska mortore e diktatorit. Një fytyrë e ngrirë në gips, e heshtur, pa frymë, pa zë, sa e ftohtë aq dhe e vrazhdë.Dhe megjithatë, për mua, ajo fytyrë kishte ende diçka kërcënuese.Ishte fytyra e një kohe që kishte mundur të merrte frymën e të gjallëve, të shuante rininë, të ndante nënat nga bijtë, të kthente dashurinë në frikë dhe heshtjen në një mënyrë mbijetese. Më kishte rrëmbyer rininë, ëndrrat, dashuritë e papërjetuara, netët e qeta dhe të drejtën për të qenë thjesht një njeri i lirë. Më kishte marrë vitet, që unë i kisha kaluar pas mureve të ftohta, nën zhurmën e çelësave dhe britmat e hetuesve. Sa e çuditshme është historia! Ai që dikur kishte në dorë jetët e njerëzve, tani ishte shndërruar në një copë të pajetë, në një fytyrë që nuk mund të urdhëronte më askënd. Por a vdes vërtet një diktaturë kur vdes diktatori? A shuhen frika, poshtërimi dhe dhimbja bashkë me trupin e tij? Apo mbeten të gjalla brenda atyre që i kanë mbijetuar?…E ndjeva zemrën të më rrihte fort. Nuk ishte frika nga vdekja, ishte diçka tjetër. Ishte zemërimi, brenga e mbledhur ndër dekada. Ishte dhimbja e atyre që nuk patën mundësi të shohin dritë, ishte zëri i atyre që u varrosën pa varr. Dhe tani e shihja atë, një takim i kërkuar në vite, por i refuzuar. Jo për ta nderuar, jo për të kërkuar përgjigje, nga një fytyrë që nuk mund të fliste.Doja ta shihja si njeri i lirë, me sytë hapur, pa frikën se dikush po më ndiqte, pa ankthin se një fjalë e imja, do të më kushtonte përsëri qelinë.Për vite të tëra, ai kishte qenë mbi mua, edhe kur nuk e shihja. Kishte qenë në makthin tim, në heshtjen time, në ato kujtime që përpiqesha t’i shuaja. Tani, më në fund, do të isha unë ai që do të qëndroja mbi të dhe përballë tij. Mora frymë thellë.Ndoshta nuk do të gjeja paqe brenda atij muzeu.Ndoshta plagët do të hapeshin edhe një herë.Por kishte ardhur çasti të mos ikja më.Kisha ikur gjatë nga kujtimet e mia, kisha heshtur mjaft. Sot do të hyj me gjithë të “munguarit”e mi, do të hyja me rininë që ma vodhën, me vitet që m’i numëruan pas hekurave, me nënën që priti, me lotët që nuk shteruan. Dhe nëse maska do të më shikonte me atë fytyrë të ngrirë, unë do ta shikoja drejt e në sy. Sepse këtë herë nuk do të isha i burgosuri përballë pushtetit, por një njeri i lirë përballë historisë. Doja që ajo maskë e mbetur ta dinte: “se ne mbijetuam, ne jemi këtu”…Dola nga burgu me trupin jashtë mureve, por me shpirtin ende të mbërthyer pas hekurave. Vitet kishin kaluar, flokët ishin thinjur, fytyra ishte mbushur me rrudha, por plagët e padukshme nuk mund të mbylleshin.Dhe tani, pas kaq shumë kohësh, këmbët më çuan në këtë muze.Nuk shkova atje për të parë atë art vizual, apo artefakt antropologjik, as për të admiruar atë “përrallë”, sado perfekte të ishte…Ishte një qasje e re, meditative, ndoshta edhe konceptuale, që po ndërtoja me të kaluarën: një përballje e brendshme me diktatorin, me maskën e tij dhe me hijet që kishte lënë pas historia e diktaturës. Për herë të parë, nuk isha unë pas hekurave, ndërsa ai ishte brenda heshtjes, së përtej jetës.”Shkova për të parë një fytyrë, atë fytyrë që më mori gjithçka.Fytyrën e atij që dikur kishte qenë zot i frikës, “pronar” i fateve njerëzore, njeriu që me një firmë, vendoste destinën e gjithkujt. Përpara meje ishte maska e tij mortore.Një fytyrë e derdhur në gipsin e ftohtë, sytë e mbyllur, buzët të ngrira. Asnjë urdhër. Asnjë britmë. Asnjë kërcënim, “Jo,jo… dhe kështu prania jote është kërcënim! Është fryma jote e fundit nën maskë…është diçka gjenetike, e trashëguar në heshtje. Pra, në njëfarë mënyre, është vetë prania jote, ajo që mbetet…edhe kur fryma dobësohet, edhe kur maska fsheh të vërtetën”…E vështrova gjatë. Sa e çuditshme qenka historia!Dikur unë qëndroja para portës të burgut duke pritur të më hapej dera e lirisë.Tani ai qëndronte para meje, i mbetur përgjithmonë në heshtjen e mortit.U afrova edhe një hap, nuk ndjeva triumf, nuk ndjeva as kënaqësi.Ndjeva një trishtim të thellë, të rëndë, thuajse të mbetur. Sepse përballë asaj maske, nuk shihja vetëm vdekjen e një diktatori, shihja rininë time të vrarë. Dhe atëherë, mes heshtjes së muzeut, më lindi një dëshirë e çuditshme. Papritmas, shpërtheva, doja të flisja me të. T’i thosha ato që nuk munda t’ia thosha kur ishte gjallë.U gjenda përballë tij, më pranë tij, tashmë i shpenguar.Dhe fillova…nuk e konceptoja, çfarë ishte ky dialog me maskën mortore, një bisedë mes kujtesës dhe heshtjes, një mllef prej vitesh i mbledhur në shpirt, apo një monolog revolte e trishtimi.Kisha ndjesinë sikur vallëzoja një vals të trishtë, me maskën mortore…një vals surreal, pezull mes jetës dhe amshimit. …“Ja ku jemi më në fund, përballë njëri-tjetrit! Unë me një të vërtetë të pathënë, peng të heshtjes, ti në mjegullën e paranojës. Sa vite kaluan për të arritur këtë çast!Dikur të kërkoja nëpër zyrat e pushtetit, nëpër korridoret e errëta ku vendosej fati im.Ti ishe kudo, dhe askund edhe kur nuk të shihja.Mjaftonte një emër, një fotografi, një portret i varur në mur dhe ne me sytë e ulur. Sot nuk kam pse t’i ul më sytë. Ja, po të shikoj drejt e në fytyrë!…Maska mortore hesht…Fol pse hesht; A nuk ke më urdhra për të dhënë? Ku janë ata që dridheshin nga një shenjë e jotja? Ku janë duart që firmosnin dënimet? Sa e çuditshme!Dikur një fjalë e jotja mjaftonte për të më marrë lirinë. Sot, para meje, nuk ke asnjë fjalë.E kuptoj që tashti je një fytyrë e ngrirë. Një gjurmë e asaj që ka qenë…Jo! Mos u fshih pas vdekjes! Unë nuk erdha këtu të përulem,as të të kërkoj mëshirë.As të admiroj artin e memorizimit, që akoma nuk e kuptoj, përse është realizuar. Çfarë vlerë ka prezantimi i maskës mortore të një diktatori, që vetëm dhimbje e trishtim shkakton, që hap plagë, që vret buzëqeshjen. Ti nuk je as si maska mortore e një faraoni, as si maska e florinjtë e helenit Agamemnon, as si maska mortore e Bethovenit, apo e Volterit. As si maska mortore e Dantes, që e vizitova në Palazzo Vecchio, në qytetin e Firencës, ku u përkula me respekt e veneracion…As si maska e të “panjohurës së Senës”, që mbeti e brishtë, e buzëqeshur, duke u shpërndarë si souvenir, e pothuajse si një objekt kulti, në mjediset bohemiane dhe artistike parisiene (aq sa A.Camus e quajti “Mona Liza e mbytur”). Atë maskë souvenir e ruaj në shtëpi, jotja nuk di ku do të përfundoj!…Mëkat që je këtu, por sot dua të flas me ty. A e di çfarë më more? Më more rininë! Më more lirinë dhe më le në këmbim, kujtimet e prangave. Por nuk arrite të më marrësh gjithçka…Nuk ma more kujtesën, nuk më more dinjitetin! E vetmja pasuri që nuk ma konfiskuat dot. Po të bëjë një pyetje, që e kam peng: “Çfarë bëra unë, veç që besova premtimet tuaja dhe mbas diplomimit për jurisprudence në Montpellier, u ktheva për ti shërbyer vendit tim”,…

 

 

Maska e të …“Panjohurës së Senës”

Fol, pse s’flet dhe në gipsin e ftohtë mbetur, ti akoma ke zë, unë e di…Më kujtohet qelia ime, më kujtohet buka e thatë, lagështia në mure, hapat e rojeve në korridor. Më kujtohen netët kur dëgjoja dikë të klithte në qelinë ngjitur dhe nuk mund t’i afrohesha as për t’i thënë: “Mbaje veten, vëlla!”. Më kujtohen ata që dolën nga burgu me trupin e gjallë, por me shpirtin e rrënuar. Më kujtohen dhe ata që nuk dolën kurrë. A ke menduar ndonjëherë për ta? Sigurisht që jo. Pushteti nuk ka zakon të dëgjojë rënkimet e viktimave. Ai dëgjon vetëm jehonën e vet…Por shikoje ironinë e historisë! Ti kishe frikën në zemër, unë kisha një copë lirie brenda vetes, që asnjë nuk mundi të ma merrte. Dhe sot, kush prej nesh është më i lirë?…Këtë e mësova në burg. Mësova se njeriu dhe i mbyllur pas hekurave, mund të ruajë dinjitetin. Mësova se mund të jesh në fron dhe të mbytesh nga paranoja dhe obsesionet.Unë luftoja të ruaja atë që ndieja, ndërsa ti luftoje dhe ndaj demonëve që kishe vetë krijuar.Mësova se pushteti mund të të marrë vitet, por nuk mund të të detyrojë të duash padrejtësinë.Por kam një pyetje që më ka ndjekur gjithë jetën:A e dije se çfarë ndodhte në burgjet e tua, se si torturoheshin njerëzit?A e dije se si familjet shkatërroheshin vetëm sepse dikush kishte menduar ndryshe?Apo ishte më e lehtë, të bëje që nuk dije? Maska mbeti në heshtje….Sa i urtë je tani, ku e le oratorinë, por qëndron me sytë e mbyllur dhe pamjen e vrejtur, pa buzëqeshje, se tjetra ishte “maska e qeshur”, që kishe për së gjalli!Unë erdha të dëshmoj, dhe për ata që u varrosën pa emër, për ata që mbetën të heshtur dhe nuk folën më kurrë. Sepse heshtja e viktimave është fitorja e fundit e diktaturës. Dhe unë nuk dua të të jap këtë fitore! Nuk dua të ndjehesh, akoma dhe tani triumfator”…Ndalova për një çast, të kapërdija atë, që me ishte mbledhur nën gjoks. Ju afrova edhe më shumë, doja të shihja çdo detaje të asaj fytyre. Për momentin m’u duk, sikur ajo fytyrë e ngrirë kishte humbur madhështinë e frikshme, që dikur i kishin dhënë. Nuk ishte më portreti i një pushteti të pakufishëm.Ishte një maskë pa jetë, e vendosur në një muze,përballë një të mbijetuari. Ndërkaq më dukej se përpiqej të zgjohej, kujdes dhe kufomat flasin…“Dëgjomë mirë! Unë nuk erdha këtu thjesht të të shoh. As për homazh, mbase për antihomazh.Ti ke vdekur prej kohësh.Unë erdha të shoh, nëse ka vdekur edhe ndruajtja ime.Mund të më kesh marrë njëzet, tridhjetë vjet, apo më tepër nga jeta, por nuk mund të ma marrësh të vërtetën.Nuk mund të ma ndryshosh historinë, më ke peng pafajësinë.Nuk mund t’i kthesh, viktimat në fajtorë dhe fajtorët në heronj…Maska jote do të qëndrojë këtu, në këtë muze, mes këtij ndriçimi të ftohtë, në këtë tunel të improvizuar, veshur në setapura të bardhë, ndofta për të zbardhur hijen tënde të zezë, skëterrë. Sa makabre dhe e ftohtë, një ftohtësirë që më përshkon si rrymë elektrike, si drithmë në trup.Çudi edhe posmortem, ti ndjell ftohtësi dhe trishtim.Por unë do të dal përsëri në rrugë, do të eci, do të flas, do të shkruaj.Do të tregoj se çfarë ndodhi.Ti do të mbetësh i ngrirë nën maskë, por nuk dihet sa akoma,…se dhe maskat një ditë bien?!Duket sikur heshtja jote më pyet: çfarë kërkon tani nga unë?…Asgjë! Nuk kërkoj asgjë prej teje.Kërkoj vetëm që njerëzit të mos harrojnë.Që brezat e rinj të mos e ngatërrojnë heshtjen me paqen, frikën me bindjen dhe propagandën me historinë,…më dëgjon nipi im”…Nipi i shtangur, i prekur përkëdhel fytyrën e gjyshit:Gjysh, pse po të dridhen duart?Pse sytë t’u mbushën me lot, kur pe këtë maskë?…“Ai që fshihet pas maskës,vazhdoi gjyshi, më burgosi lirinë, shpresën, aty fshihet koha e atij, që ma vodhi rininë, ma vrau buzëqeshjen dhe më la plagë që ende flasin. Tani mbeti një fantazmë, një gjurmë e së shkuarës, por jo vetëm kaq: ka lënë pas “reliket”e tij, dëshmi të një pranie, që koha nuk arriti ta zhdukë”…Sa i keq paska qënë,u hodh djaloshi,po përse e kanë vendosur këtu? “Për të mos harruar ju, atë të keqe.Jam i përlotur, bir, jo aq nga dhimbja ime, por nga lumturia që ti nuk e njojte atë ferr, por duhet të mësosh për të, që të mos përsëritet”…Nipi me mllef, e merr maskën edhe e hedh në tokë.Këtu ta lëmë, vazhdoi nipi, mandej hodhi mbi të, disa lule mimoze të mbetura. “Këto lule, bir, janë mesazhi më i fortë se gjithë urrejtja e tyre, që ndesh në kulturën tonë.Ajo është kujtimi im…dhe shpresa jote, mos e harro!”…Mandej ish i burgosuri, i trishtuar, e i tronditur përkëdheli nipin e tij, që e dëgjonte i përkushtuar, me dialogun e mbetur në kujtesë…Nuk mund ta përshëndeste maskën, e mallkoi, por nuk mjaftonte. Shtyu me këmbë disa mimoza të thara dhe copra gazetash të hedhura, dhe pëshpëriti,…“Të tjera gjëra duhet të të kishin hedhur”…Ishte një “bashkëjetesë”, qoftë edhe për pak, me ripërjetimin e dhimbjes dhe të trishtimit. Metaforë e fuqishme, e mbështjellë me një dritë të mjegullt, në një përjetim vizual me rezonancë psikologjike dhe psikoanalitike, ku madhështia e botës së prekshme, ndërthuret me misterin e së përtejmes, duke krijuar një dialog mes dimensionesh të dukshme dhe të padukshme.Por nuk i tha, lamtumirë. Asgjë nuk ishte mbyllur mes tyre, pasi ato që kishin ndodhur, nuk mund të përfundonin me një vizitë në muze. Hodhi edhe një vështrim të fundit pas shpine. Maska qëndronte aty, e palëvizshme, e heshtur, e ftohtë…

 

Për kujtesën historike…

Për herë të parë, nuk i dukej më e frikshme…Dhe ndërsa largohej, mendonte se sa e çuditshme është jeta:Dikur ai numëronte ditët e burgut, ndërsa maska tani numëronte heshtjen e përjetshme.Por një gjë mbetej e pandryshuar:Vitet nuk do t’i ktheheshin kurrë, as rinia e tij, as miqtë që nuk jetonin më.Kujtesa e vuajtjes nuk ishte një e kaluar që mund të mbyllej; ajo vazhdonte të rëndonte mbi gjithë ekzistencën e tij.Megjithatë, kishte fituar diçka, që nuk mund të ekspozohej pas xhamave muzeale.Kishte fituar të drejtën, për t’u shprehur i lirë.Dhe kjo ishte përgjigjja e tij. Përballë, nuk ishte thjesht një maskë mortore, ishte një trokitje në dhimbje, në trishtim,por që nuk mundi ta varroste përgjithmonë të vërtetën. Madje maskat mortore mund të ruhen në muze, ndërsa kujtesa e viktimave jeton në histori…

SKICA TË SHPEJTA VERIU- Poezi nga RUZHDI GOLE

*
Dega plot gjethe
troket në dritare
ndjen ftohtë,
e hap dritaren
në të gjitha çastet
dega të hyj brenda
brenda hyjnë
veç zogjtë.
Era kokulur ikën
kërkon falje
dega gjethesh …
sonte
gjer vonë
ndoshta
në të nesërmen.
Po zogjtë?…
*
Zogjtë me një gjeth në sqep
mikpritje e re k’saj frrullize,
vjeshta në Bolzano
nuk jeton me bletë
bleta
nuk i vjeshton hiret.
*
Tani, këtu gjithçka
e njohur ndryshe
mes një bote
njëherë
me hove
një kohe
me huqe…
Ç’shembëlltyrë e re e e vlagët
afrohet me flatra të kuqe
e xixëllonjtë, e njelmët,
hapat shkrijnë borën
njëherë vranët,
njëherë çelët…
Në Bruniko
dimri sillet
si një i verbër…
*
Via Matteoti…
Lodhja shkund krahët
afron gjithë stolirat
heshtja duarkryq
nuk bredh kotkoti.
Heshtja rrjedh
gëzon heshtjen
mes nesh përsëgjalli…
zërat ndizen ecje
përkrah me vjeshtë
Via Matteoti
malin zbret
ngjit malin…
*
Mbrëmja këtu gjithë fruta
shpesh druhet përskuqje
çdo kokërr motake
mallohet
nga puthja,
gjethja i shkel
syrin gjethes
hovje tutje
s’drithmon
buzëve
të purpurta.
Prej mbrëmjes
përtërihen të gjitha :
gruaja në krahët e ëndjes
qumështi kur gjinjtë menden
me daltën e hënës skalitet nisja.
Mbrëmja druhet përskuqje
andej nga ka ardh’
në Bolzano
në malin përqafim
zjarrmi e lugje
në Durrës
në valën
këmbëshpejtë
shpejti pulëbardhë.

SKLLAV I DASHURISË – Poezi nga Michalis GANAS- Shqipëroi: Vasilika IFANDI

 

Ngaqë jeta jonë duket se po firon
ditë pas dite,
nuk do të thotë se
nuk ia vlen të jetohet.

Ngaqë të kam dashur dhe ende të dua,
edhe pse jo si dikur,
nuk do të thotë se dashuria ka vdekur.
Ndoshta është lodhur,
si çdo gjë që merr frymë.

Ngaqë po kalon ditë të vështira,
e përkulur mbi letra dhe humnera
që nuk mbyllen, ndërsa unë kapërcej
netëve pengesat me shkop, duke gulçuar,
nuk do të thotë se nuk kemi
fat nën diell.
Ne kemi fatin tonë.

Ngaqë herë je njeri
dhe herë zog,
sjell në shtëpinë tonë
thërrime të vogla nga mërgimi,
dhe fëmijët tanë shpresojnë
për ditë më të mira.

Ngaqë ti thua jo dhe po, e pastaj përsëri jo,
dhe nuk dorëzohesh,
më vjen turp për gjithë ato
ndoshta dhe mbase të miat,
por unë nuk ndryshoj, ashtu siç nuk ndryshon as ti.

Po të ndryshonim, do të ishim përsëri
dy të panjohur dhe do të fillonim
përsëri nga e para.

Tani e dimë ku të dhemb,
kur duhet të hesht, kur duhet pauza,
ndërprerja e gjakut dhe trupat ftohen,
derisa një dinamo e fshehtë
të na rikarikojë përsëri me forcë,
tërheqje dhe ngrohtësi të lëkurës.

Ngaqë është e vështirë të duash
dhe edhe më e vështirë

të duash të njëjtin njeri
për një kohë të gjatë,

duke bërë plane e fëmijë,
duke pasur grindje, udhëtime,

dashuri, borxhe dhe sëmundje,

Krishtlindje, të diela
dhe të hëna, ushqime të shijshme
dhe të djegura, duke dashur secili
që tjetri të jetë urë dhe pemë
dhe burim uji, sipas rrethanave,
ose edhe të gjitha bashkë, kur të jetë nevoja,

nuk do të thotë se unë nuk mund
të bëhem diçka nga të gjitha këto,
ose edhe të gjitha së bashku.

Dhe nëse është e shkruar të kaloj
një jetë në robëri – gjithsesi –
le të jem, them unë, një skllav i dashurisë.

Çikleta e munxadhënësit… (Mbi shenjat në horizont)- Nga REX KASUMAJ

Vjeshtë, 2026

 

1. Filli i një porosie

Admiroj përherë stinët kalimtare. Sa magjepëse pranvera kur natyra lind dhe ëndrrat, pas dremitjes dimërore, zgjohen sërish.

Ndaj të gjithë, ne dhe fëmijët, gjendeshim për një pushim të shkurtër në Kosovë pikërisht blerimeve të prillit, vitin e ikur.

Ishin orët e një pasdite të vonë prehëse, kur dikujt iu kujtua të thotë: ah, do të porosis për të ngrënë. Dua të shijoj prapë picat e Prishtinës.

Një alternativë tjetër, mbase, ndërhyra unë?

Jo, jo. Kësaj here unë mora nismën. Por ti, babi, tha vajza ime G., nëse nuk përton, do të dalësh poshtë për të pritur liferantin.

E unë akoma nuk e dija se kjo pritje a syzim i shkurtër do t’më mbetej gjatë në kujtesë.

2. Shenjat e befta…

“Wolt”-i që solli porosinë nxitimthi, me një motoçikletë, kishte një zotës të mbështjellë si ndjekës hajdutësh ose rebeltarësh politikë.

Ndaj desha të bëja pak shaka. Por, pas njatjetimit, ai mbeti i hutuar. Nisi të bëlbëzonte anglisht duke përmendur Turkinë (Tyrkije, Tyrkije…). Atëherë, pak i zënë në beft, kuptova qartë: vinte nga anë e kundërt e Bosforit.

Pas darke vonë, nuk mund të mos mendoja për takimin e papritur. E thashë me vete: ç’status apo mision qëndrimi mund të ketë ky turk, i largët në kohë, në veshje e në gjeografi?

Në kohë sepse, për një çast, e përftyroja motoçikletën e tij si një kalë historik betejash që mësynte hapsirën e krishterë europjane për lavdinë sulltanore.

Në veshje, ndërkaq, kapela e sigurisë sikur i ngjante helmetës kalorsiake të heshtarit otoman, hipur mbi kalë-çikletën e tij.

Dhe, në gjeografi, sepse vinte andej, larg, një botë larg truallit arbnor. Atje ku barbaria e parashekujve
nuk i dorëzohej dhe, madje, sfidonte motin dhe qytetërimin e ri oksidental.

Dyshimi sokratik do t’më përcyste, shpejt më pas, pyetje të vështira.

Ndaj, i përfshirë nga një ndjesi e trishtë,
do t’arsyetoja në heshtje. E, pra, të jetë ai vallë, një dertar i thjeshtë, një ëndërrtar kozmopolit, apo, mbase, një hixhra emigrant (si do t’i definojë Basam Tibi në librin “Europa pa identitet”) që hedh gjurmët e para për të rikthyer Kosovën në atllasin turkoislam të qindvjeçarëve?

Ndërsa tëholloja një përgjigje, çelësin e saj, kujtova të përndriturin Emerson. Ajo që është prapa nesh dhe ajo që është përpara nesh, thosh ai, janë vogëlsira, në krahasim me atë që është brenda nesh”.

Ajo që është pas nesh? E ikur, e mbyllur në kohën e vet? A nuk është frenim i një zemre luftëtare?

Por, jo!

Ekspeditat mondane pajisen maskash të reja. Pararojat virtuale pushtojnë më parë shpirtin e, mandej, trupi i mbetur pa dritë, dorëzohet vetë.

Ne pra, brenda nesh, duhet të “rrnojmë për me tregue” dhe nga Mësuesja e jetës shenjat me i diftue…

3. Shfytyrimi i errët

Në Europë, qëkur jetohet mrekullia e demokracisë, ka tri arsye përligjëse për një ngulim tretdhetar. Një nga këto është dhe martesa me një rezident të ligjshëm. Tani së voni, pas miratimit të ligjit të emigracionit, ndokush mund të akomodohet edhe me vizë pune.

Po picabartësi turk? Ç’argument dhe ç’të drejtë qëndrimi ka siguruar, vallë?

Dhe, nëse lejëqëndrimi i tij legalizohet nga një kurorëzim, aherë ç’emër ka marrë?

Sepse, si dihet, në vendin e tij aziatik në rast etablimi statusor, ardhësi nga tjetër Dhé do të riemnohet turk pa mëshirë e përfillje për gjenealogjinë e tij!

Vite që këtej kisha vajtur me një grup kolegësh të punës për një vizitë në Stamboll.

Një koleg e mik imi (tashmë i ndjerë), që në ditën e parë më rr’fente se kishte një kushëri të dashur aty, në metropolin turk.

Kishte mall dhe pa humbur kohë u vumë t’a kërkonim. Natyrisht, aty ku thuhej të ishin më të shumtë shqiptarët.

Por, kudo që trokisnim zhgënjimi na priste. U lodhëm. Pastaj vendosëm të pyesnim dhe një të vetme herë. Dhe fati do të dilte në anën tonë.

Posa iu drejtuam një rrobaqepësi, morëm një përgjigje të shpejtë. E supozoj se jemi shqiptarë, ndaj dhe u ngrit rrëmbimthi e, disi, përvuajtshëm. U afrua e, pasi pyeti për vizitën, njëj zëri të ngrirë, tha: ai nuk quhet më Gashi, por Aksoy!

Pas pak, do të ndanim me të heshtjen e dhimbjen që, më pas, të gjenim Gashin tonë të tretur…

Evokoj me mall një darkë mbi Urën e Gallatës që shtroi për ne shqiptari i shfytyruar, i miri emërthyer Gashi. Kishim biseduar për Kosovën, mërgimin, punët, familjen dhe, patjetër, mohin e pashpirt turk.

Pas një ndeje të gjatë do të ndaheshim. Përgjithmonë. Ne morëm rrugën e bujtinës, e ai kthimin në identitetin e ri të aksoyzuar që i vriste emrin, gjuhën, etninë dhe kujtesën…

E në Kosovë që, ashtu si Shtëpia Europë, e hapur është, si ndodh pra?

Quhet tani mërgimtari turk që kalëron çikletën e tij tërthor Prishtinës, sipas mendësisë së tyre të ndryshkur që shuan emrin e parëlindur, Arta, Ilir, Agron, Besnik, Shpresë? Apo, mbase, vijon të mbajë i paposhtëruar emrin e vet- Atesh, Fidan, Asia ose…?

E besoj versionin e dytë të përgjigjes.

Gjithsesi!

Sepse, thjeshtë, shqiptarët kanë një kulturë e civilizim thellësisht tjetër. Mijëra vjet më të lashtë e sipërore se dera e Osmanëve obskurë…

4.
A janë, vallë, më të lumtur popujt pa histori?

Që, në fakt, kanë një kronikë të pabujshme dhe, ndaj, një histori të mërzitshme?

Por të tillë nuk janë popujt që, destinuar nga fati, jetojnë në kryq udhësh neuralgjike.

Shqiptarët, veçanërisht!

Shpallja e zjarrtë e pronësisë mbi tokën e tyre, mbi tokën e huaj djeg qyshkur shpirtëra të përhënur.

Para ca vitesh autokrati Erdogan, i egzaltuar fare si në trans, thërriste në Prizren: Kosova është Turqi.

Kurse serbët, të vjetër e të rinj, regjimtarë e studentë të pushtetuar, përjargen gjithnjë lodhshëm në fatamorganën e tyre: Kosova është Serbi.

Madje, dhe një drejtor i agjencisë “Regnum”, e afërt me Kremlinin,
Vladimir Zotov, do t’i jepte një shkrimi në librin e vet, titullin e marrë posesiv: “Kosova është Rusi”!

O Zot, thashë.

Të gjithë e duan këtë Dhé të bekuar. Madje, më zjarrtë se ata të cilët e banojnë qysh nga fillimi i kohës.

Vetëm në Tiranë ose Prishtinë, nuk dëgjojmë refrenin jetik: Kosova është Shqipëri!

E kuptoj krejtësisht qartë gjeopolitikën, fuqinë a dialektikën e përgjakur të historisë.

Por ja që nuk dëgjohet. Madje, nëse politika e lartë duhet të tregojë ose, së paku, të flasë me gjuhë Ezopi, përse indiferenca sundon gjithandej rretheve të kulturës dhe dijes kombëtare?

Në Universitetin e Tiranës madje, si pohon Neritan Ceka, arkeolog i shquar, për çudi, mësohet e kundërta në kufij të tradhtisë: se Kosova qenka gjithmonë e jetë serbe.

5. Vjetërim epokash

Në kohë të vjetra, epokat alternoheshin ngadalë. Brenda saj lindnin e shuheshin breza të tërë.

Porse tani, si do të vërente Kundera në një ese, janë epokat që vijnë e ikin të shpeshta brenda një breznie njerëzore.

Dhe fillet mashtruese të një kthimi, një flete të rinuar epokale në truallin arbnor, janë të ndryshme.

Miqësi natyrale, zonë historike interesi, identitet fetar, traditë e kultivuar shpifërisht apo, së fundmi, lajmës të parë, herakë, të kolonëve anonimë turq – a nuk bëjnë shtrojerën aziate që përzjen kartat e orientimit qytetërues shqiptar?!

E pica-kalorësi turk, më i fshehtë e munxadhënës se të gjithë, bredh rretherrotull me kalë-çikletën e tij.

Dhe nuk është i vetmuar!
(r.)

Ferri nuk ndodhej poshtë tokës, por brenda kujtesës njerëzore- Nga KRISTAQ TURTULLI- fragment i romanit ZËRAT E UJIT

Ferri nuk ndodhej poshtë tokës, por brenda kujtesës njerëzore.
Liqeni nuk qe më ujë. Ishte një sy i madh i zi që shihte gjithçka.
Ushtarët e pashait e tërhoqën zvarrë kryepriftin deri te barka. Gurët që i lidhën në këmbë, në duar e në qafë qenë aq të rëndë, sa dukej sikur donin t’i fundosnin jo trupin, por vetë emrin.
Asnjë nga murgjit nuk guxonte të fliste. Vetëm uji dënesi. Kur barka u largua në errësirë, kambanat e manastirit nisën të tundeshin vetë nga era. Apo ndoshta nga duart e Zotit.
Dhe pastaj filloi çmenduria. Pashai, bejlerët dhe njerëzit e tyre nuk u ngopën me vdekjen e kryepriftit. Jo. Sikur kërkonin të shqyenin vetë shpirtin e manastirit. Me pishtarë në duar, u turrën nëpër korridoret e gurta duke ulëritur emrin e Dodonës. Hapën qelitë e murgjve. Rrëzuan ikonat. Shkelën mbi ungjijtë. Rrahën murgjit derisa gjaku u rridhte mbi pllakat e ftohta.
Disa i lanë lakuriq në oborr, nën natën therëse të liqenit, derisa trupat nisën t’u bëheshin blu.
Por Dodona nuk gjendej. Atëherë tërbimi i tyre mori fytyrë tjetër. Zbritën në katund si një tufë ujqërish të tërbuar. Dyert u shkulën. Fëmijët ulërinin. Plakat përplaseshin përdhe. Nëpër rrugicat e errëta vraponte era e tymit dhe mishit të djegur. Disa shtëpi u dogjën menjëherë, sikur flaka kishte pritur prej kohësh të hynte në to. Dhe në mes të sheshit, nën rrapin e madh, varën Shegën, nënën e Dodonës. Lakuriq. Të përgjakur. Me flokët që i vareshin si rrënjë të zeza mbi trup.
Por edhe mes torturave, ajo nuk foli. Vetëm e shikonte pashain drejt në sy. Me një urrejtje aq të thellë, sa për një çast edhe vetë ai uli kokën. Sepse Dodona tashmë nuk ishte më vetëm vajzë. Ishte sëmundja e tij. Epshi i tij. Mallkimi i tij. Ajo ia kishte prishur gjumin. Kur hante, mendonte për të. Kur pinte verë, shihte fytyrën e saj në fund të kupës. Natën zgjohej i lagur në djersë, duke dëgjuar zërin e saj nëpër korridoret e kalasë.
Dhe urdhri i tij ishte i prerë:
– Kush kthehet pa Dodonën, të mos kthehet fare.
Atëherë ushtarët u shpërndanë nëpër male, shpella e pyje. Kërkuan si qen të uritur.
Deri sa një natë foli Juda. Murgu i ri. Me fytyrë engjëlli dhe zemër të kalbur. Ai ua tregoi shpellën e Dragoit.
Ishte një zgavër e errët mes shkëmbinjve, ku frynte erë dhe toka dukej sikur merrte frymë. Atje fshihej Dodona bashkë me murgun plak Sarafin, njeriun që Papa Nikolla i kishte besuar jetën e saj. Ushtarët hynë me mundim në tunelin e ngushtë. Pishtarët përvëlonin muret.
Hija e tyre dukej si demonë mbi gurë. Serafimi doli përpara me kryqin në dorë. Nuk lutej më.
Nuk kishte mbetur kohë për lutje. Ushtarët e goditën me heshta. Pastaj me shpata. Pastaj vazhduan ta godisnin edhe kur ra. Gjaku i plakut u përzie me ujin që pikonte nga tavani i shpellës.
Dodona ulëriu. Luftoi. Gërvishti fytyrat e tyre. Kafshoi duart që e tërhiqnin. Por ata e lidhën dhe e nxorën jashtë si prenë e një gjuetie të mallkuar.
Atë natë, pashai shtroi darkë në kala. Mbi sofrat shkëlqenin kupat e arta. Vera derdhej si gjak. Daullet binin fort. Ndërsa poshtë kalasë digjej katundi. Flakët ngjiteshin drejt qiellit si shpirtra që kërkonin hakmarrje. Në mes të sheshit therën dy murgj. Pashai qeshi. Bejlerët pinin.
Qentë lëpinin gjakun mes gurëve. Dhe sipër, në kullën e lartë, Dodona priste. E veshur me të bardha. E zbehtë si hëna. Me flokët që i lëkundeshin nga era e natës.
Kur pashai hyri në dhomë, për një çast mbeti pa frymë. Bukuria e saj nuk dukej më njerëzore. Ishte e frikshme. Si bukuria e vdekjes. Ai zgjati dorën. Por Dodona buzëqeshi lehtë.
Një buzëqeshje e qetë. Thuajse e mëshirshme. Dhe para se duart e tij ta preknin, ajo u kthye, u ngjit mbi bedenat e kalasë dhe u hodh në errësirë.
Pashai ulëriu. Por poshtë nuk u dëgjua asnjë përplasje. Vetëm era. Vetëm liqeni.
Vetëm kambanat e largëta të Shën Naumit që binin ngadalë, sikur po përcillnin një shenjtore.
Plaku heshti një moment me shikim të ngulur te liqeni dhe më pas vazhdoi:
Aso kohe, nëpër katund, në hanet e errëta, në stane, pranë zjarreve që digjeshin natën vonë, nisi të përhapej një pëshpërimë e frikshme. Njerëzit nuk flisnin me zë të lartë. Vetëm afroheshin pranë njëri-tjetrit dhe pëshpëritnin, sikur druheshin se mos vetë nata i dëgjonte.
Thuhej se pashai ishte tërbuar si bishë e plagosur. Nuk e mundonte vetëm vdekja e Dodonës. As turpi. As humbja. Por fakti se nuk kishte mundur ta zotëronte. Bukuria e vajzës i kishte rrëshqitur nga duart në çastin e fundit, si një dritë që nuk pranon të jetojë në errësirë.
Dhe urrejtja e tij tani ishte bërë edhe më e zezë se epshi. Në kulmin e tërbimit, ai urdhëroi:
‘ Gjeni kufomën! Copëtojeni! Vareni nëpër pemët e rrugës së Shën Naumit, që çdo njeri ta shohë çfarë fundi kanë ata që sfidojnë pashain!
Ushtarët zbritën me pishtarë drejt humnerës poshtë bedenave. Por poshtë… nuk gjetën asgjë. As trup. As gjak. As kocka. Vetëm erën. Vetëm errësirën. Vetëm zhurmën e liqenit që përplasej poshtë shkëmbinjve si një frymëmarrje gjigante. Atëherë nisën hamendjet. Disa betoheshin se vajzën e kishin marrë engjëjt. Të tjerë thoshin se liqeni e kishte fshehur në fundin e tij, aty ku preheshin shenjtorët dhe të mallkuarit. Pleqtë tundnin kokën dhe pëshpëritnin:
‘ Dodona, nuk ishte vajzë e zakonshme…’
Dhe pikërisht atë natë, qielli u nxi. Jo si para një shiu. Jo. Sikur mbi botë të ishte hapur një plagë. Retë u përplasën mbi male. Vetëtimat grisnin errësirën. Era ulërinte mes pemëve si një turmë shpirtrash të humbur. Pastaj filloi shiu. I dendur. I egër. Thuajse biblik. Liqeni llokoçiti. Oshtiu. Buçiti me një zë të frikshëm, sikur në thellësi të tij po zgjoheshin të vdekurit. Dhe atëherë ndodhi çudia. Mes furtunës, mes dallgëve që ngriheshin si male të zinj, katundarët dhe ushtarët panë një hije të bardhë mbi ujë. Në fillim kujtuan se ishte mjegull. Por hija ecte. Ngadalë. Pa u fundosur. Mjekra e bardhë i valëvitej nga stuhia. Rrobat e zeza përplaseshin pas trupit. Sytë i ndriçonin me një dritë që nuk dukej njerëzore.
Ishte Papa Nikolla. Shenjti mbante në duar të gjorën Dodonë. Trupi i saj i sakatuar kullonte gjak mbi ujë, por çuditërisht, rreth saj përhapej një bardhësi e lehtë, si dritë hëne nën shi. Askush nuk guxoi të lëvizte. As ushtarët. As katundarët. Ata të nemitur vetëm shikonin. Të ngrirë. Të zbehur. Si njerëz që papritur kanë parë diçka që nuk duhej ta shihnin.
Papa Nikolla nuk foli. Vetëm ecte mbi dallgët e tërbuara, sikur liqeni vetë i hapte rrugë.
Dhe ngadalë, mes shiut dhe vetëtimave, figura e tij nisi të humbiste drejt thellësisë së errët. Derisa mbeti vetëm bardhësia. Pastaj… as ajo, Dodona, e gjora, e mrekullueshmja vajzë që u copëtua në moshën më të bukur të jetës.
Në sytë e fshatarë e dhe ushtarëve mbeti; Vetëm liqeni. Vetëm stuhia. Vetëm kambanat e largëta të Shën Naumit që binin vetë në mes të natës.
Kristaq@Turtulli
ZËRAT E UJIT, Tiranë shtator 2026

JANIS RITSOS – ROMIOSINI Përktheu nga greqishtja Vasilika IFANDI

 

Më 11 nëntor 1990, u nda nga jeta poeti i madh grek, Janis Ricos (Giannis Ritsos).

 

I

Këto pemë nuk rehatohen me më pak qiell,
këta gurë nuk rehatohen të qëndrojnë
nën hapa të huaj,
këto fytyra nuk rehatohen veçse
nën diell,
këto zemra nuk rehatohen veçse me drejtësinë.

Ky peizazh është i ashpër si heshtja,
shtrëngon në gjoks gurët e tij të përvëluar,
shtrëngon në dritë ullinjtë e tij jetimë
dhe vreshtat e tij,
shtrëngon dhëmbët.

Nuk ka ujë.
Vetëm dritë.

Rruga humbet në dritë dhe hija
e murit është prej hekuri.

U ngurtësuan pemët, lumenjtë
dhe zërat brenda gëlqeres së diellit.
Rrënja pengohet te mermeri.
Shkurret e pluhurosura.
Mushka dhe shkëmbi gulçojnë.

Nuk ka ujë.
Të gjithë kanë etje.
Prej vitesh.

Të gjithë përtypin një kafshatë qielli
mbi hidhërimin e tyre.

Sytë u janë skuqur nga pagjumësia,
një brazdë e thellë, e ngulitur
mes vetullave të tyre,
si një selvi mes dy maleve
në perëndim të diellit.

Dora e tyre është ngjitur pas pushkës,
pushka është vazhdim i dorës së tyre,
dora e tyre është vazhdim i shpirtit të tyre –
në buzë mbajnë zemërimin
dhe dhimbjen e kanë thellë në sy,
si një yll në një gropë kripe.

Kur shtrëngojnë duart, dielli është i sigurt
për botën.
Kur buzëqeshin, një dallëndyshe e vogël fluturon
nga mjekrat e tyre të egra.
Kur flenë, dymbëdhjetë yje bien
nga xhepat e tyre të zbrazët.
Kur vriten, jeta vazhdon
të ngjitet përpjetë,
me flamuj dhe me daulle.

Prej kaq vitesh të gjithë janë të uritur, të gjithë kanë etje,
të gjithë vriten,
të rrethuar nga toka dhe nga deti.

Përvëlimi ua dogji arat dhe kripa ua lagu shtëpitë,
era ua rrëzoi dyert dhe të paktat jargavane të sheshit.

Nëpër vrimat e palltove të tyre hyn e del vdekja.
Gjuha u është e athët
si kokrra e selvive.

Qentë e tyre ngordhën, të mbështjellë në hijen e tyre.
Shiu u bie mbi kocka.

Mbi karakollet e vrojtimit, të ngurosur, tymosin
bajgën dhe natën,
duke vëzhguar detin e tërbuar,
ku u fundos
direku i thyer i hënës.

Agatha Christie: Një botë misteresh, një udhëtim i jashtëzakonshëm në jetën e mbretëreshës së krimit

Në 50-vjetorin e vdekjes së Agatha Christie-t, ekspozita “Një botë misteresh”, në Bibliotekën Britanike, i fton vizitorët në një udhëtim magjepsës në jetën dhe krijimtarinë e mbretëreshës së romanit policor. Kjo ekspozitë e veçantë ofron për herë të parë mundësinë për të parë një koleksion të pasur dokumentesh private, ditarësh, dorëshkrimesh dhe sendesh familjare, të cilat deri më tani nuk ishin ekspozuar për publikun.

E kuruar me shumë kujdes nga Lucy Rowland, ekspozita paraqet një koleksion mbresëlënës objektesh që pasqyrojnë jetën dhe veprën e Christie-t. Vizitorët mund të shohin sende që sjellin në kujtesë momentet më të rëndësishme të jetës së saj, nga fëmijëria në Devon dhe udhëtimet nëpër botë, deri te karriera jashtëzakonisht e suksesshme si romanciere dhe dramaturge.

Ekspozita nis në një shtëpi tradicionale fshati angleze, një mjedis tipik në romanet e Christie-t ku zhvillohen ngjarjet e krimeve misterioze. Vizitorët që nuk e njohin mirë jetën e saj do të zbulojnë shumë të panjohura. Por edhe admiruesit më të zjarrtë do të kënaqen duke parë objekte dhe dorëshkrime që deri më tani janë mbajtur larg publikut.

Dhomat janë të mbushura me fotografi të fëmijërisë, tregime të hershme që ajo shkruante për të impresionuar motrën e saj dhe skica të vizatuara me dorë të St Mary Mead, fshatit të famshëm anglez ku zhvillohen hetimet e Miss Marple. Krahas tyre ka lojëra ku vizitorët mund të marrin pjesë dhe mistere që duhet t’i zgjidhin. Për shembull, sa janë gjasat të vritesh në një roman të Christie-t? Apo, a mund ta zbulosh motivin e vrasjes në një histori të caktuar?

Image

Në hapësirën e dytë të ekspozitës, e konceptuar si një farmaci, vizitorët mësojnë jo vetëm për shërbimin e Christie-t gjatë luftës dhe formimin e saj si farmaciste, por edhe se si njohuritë e saj të specializuara për barnat dhe substancat kimike u përdorën për të krijuar helmet vdekjeprurëse në romanet e saj. Përshkrimet e Christie-t për helmet ishin aq të hollësishme dhe të sakta, saqë në disa raste kanë ndihmuar edhe lexuesit të shpëtojnë jetë.

Më pas, vizitorët çohen në një nga mjediset më të famshme të krijimtarisë së saj: trenin Orient Express. Prej kohësh kam pasur interes për udhëtarët britanikë që vizituan Irakun në fillim të shekullit XX, gjë që më shtyu të hulumtoja edhe periudhën e qëndrimit të Christie-t në këtë vend. Përvoja e saj në botën arabe është sjellë në mënyrë mbresëlënëse si në pjesën kushtuar Orient Express-it, ashtu edhe në dhomën pasuese, që i kushtohet gërmimeve arkeologjike.

Agatha Christie në Lindjen e Mesme

Image

Siç shpjegon ekspozita, kur ishte e re, Christie u dërgua për herë të parë në Kajro për të marrë pjesë në atë që njihej si ceremonia e prezantimit të vajzave të reja në shoqëri. Ky ishte një rast kur vajzat e familjeve të pasura prezantoheshin zyrtarisht në rrethet shoqërore.

Në autobiografinë e saj, Christie shkruan: “Nëse kishe mundësi ekonomike, nëna organizonte një mbrëmje vallëzimi për ty. Zakonisht duhej të kaloje një sezon në Londër”, por “në jetën time nuk mund të bëhej diçka e tillë”. Sezoni shoqëror në kryeqytetin egjiptian ishte një alternativë më e përballueshme sesa organizimi i një prezantimi tradicional në Londër, që kushtonte shumë.

Megjithatë, në atë moshë, ajo nuk ishte aq e interesuar për rëndësinë historike të qytetit. Më vonë kujtonte: “Mrekullitë e lashtësisë ishin gjëja e fundit që dëshiroja të shihja dhe jam shumë e kënaqur që nëna nuk më çoi t’i vizitoja.”

Ajo u kthye në rajon në vitin 1928, pothuajse rastësisht. Në momentet e fundit ndryshoi planet për të udhëtuar drejt Karaibeve, pasi një bisedë e rastësishme e frymëzoi të shkonte në Bagdad me trenin Orient Express.

Pikërisht gjatë këtij udhëtimi u njoh me arkeologun e njohur Leonard Woolley dhe bashkëshorten e tij, Katharine, e cila ishte admiruese e veprave të Christie-t.

Dy vjet më vonë, Christie u kthye në Irak për t’i vizituar ata në Ur, një qytet-shtet i lashtë sumer në jug të vendit. Gjatë këtij udhëtimi njohu edhe ndihmësin e Woolley-t, Max Mallowan-in.

Image

Në kujtimet e tij, Mallowan tregon se Katharine i nxiti të dy të bënin një udhëtim së bashku. Gjatë një ndalese të papritur, ata vendosën të laheshin në një liqen me ujë të kripur, ndërsa makina e tyre ngeci në rërë.

Mallowan tregon se reagimi i qetë i Christie-t përballë këtij problemi të vogël e bindi se “ajo duhej të ishte një grua e jashtëzakonshme”. Vetëm disa muaj më vonë ai i propozoi martesë dhe çifti u martua në kishën e Shën Kolumbës në Edinburg, në shtator të vitit 1930.

Gjatë gjithë jetës së tyre martesore, Christie e shoqëroi Mallowan-in në pothuajse të gjitha ekspeditat arkeologjike. Çifti kishte një shtëpi në Bagdad dhe qëndronte për periudha të ndryshme edhe në vende të tjera të rajonit. Ekspozita nxjerr në pah rolin e saj, shpesh të lënë në hije, në ekspeditat arkeologjike të bashkëshortit.

Ajo ishte fotografe e zonja, mbikëqyrte punëtorët në vendet e gërmimeve dhe kujdesej për objektet e zbuluara. Madje, përdorte edhe kremin e saj hidratues për të pastruar artefaktet e lashta.

Është veçanërisht emocionuese të shohësh makinën e saj të vogël të shkrimit, një teknologji mjaft e përparuar për kohën, që i mundësonte të jetonte dhe të udhëtonte pa u kufizuar nga një vend i caktuar, duke shkruar kudo që ndodhej. Me të ajo hodhi në letër disa nga romanet e saj më të famshme.

Fama ndërkombëtare e Agatha Christie-t

Vëmendja që ekspozita i kushton vendeve dhe mjediseve ku jetoi e punoi Christie pasqyrohet edhe në trajtimin e saj si një shkrimtare me famë dhe ndikim botëror. Ajo tregon se si veprat e saj, të cilat shpesh janë konsideruar letërsi popullore me vlera të kufizuara letrare, vazhdojnë të lexohen dhe të përshtaten në gjuhë dhe kultura të ndryshme.

Ekspozita nuk i anashkalon as aspektet problematike të krijimtarisë së saj. Aty trajtohen qëndrimet antisemite dhe paragjykimet racore që shfaqen në shkrimet e Christie-t. Titulli origjinal fyes i një prej romaneve të saj më të njohura, “Dhe pastaj nuk mbeti asnjë” (1939), nuk përmendet drejtpërdrejt, por bëhet e qartë se romani ka pësuar ndryshime dhe se titulli është përshtatur me ndryshimin e qëndrimeve shoqërore ndër vite.

Përpara se të hyjnë në hapësirën kryesore të ekspozitës, vizitorët kalojnë pranë një muri të mbuluar me romane të Christie-t të përkthyera në gjuhë të ndryshme. Ndërsa shohim përshtatje të paautorizuara të romanit “Dhe pastaj nuk mbeti asnjë” në stilin e filmave të Bollywood-it, postera që reklamojnë shfaqje të dramës së saj “Kurthi i miut” në Shangai, apo intervista me autorë arabë të romaneve policore që flasin për trashëgiminë e saj letrare në botë, kuptojmë se veprat e saj kanë tërhequr gjithmonë lexues nga të gjitha anët e globit, pavarësisht kufizimeve që ekspozita i vë në dukje dhe i kritikon.

Dhoma e fundit, më moderne nga të gjitha, është teatri. Këtu vizitorët transportohen në West End-in e Londrës, zonën e famshme të teatrove. Në një ekran të madh shfaqet një video bardhezi e Christie-t, e cila, me një përulësi të jashtëzakonshme, feston dhjetëvjetorin e shfaqjes “Kurthi i miut” në hotelin Savoy të Londrës, në vitin 1962.

Është e vështirë të përshkruhet plotësisht ndikimi që Agatha Christie vazhdon të ketë edhe sot. Veprat e saj janë dashur dhe janë marrë si model nga miliona njerëz. Ekranet elektronike në dhomat e fundit të ekspozitës tregojnë se ajo ka shitur tashmë më shumë se dy miliardë libra; se ishte gruaja e parë që pati dy shfaqje teatrale njëkohësisht në skenat e West End-it dhe se veprat e saj janë përkthyer më shumë se 7236 herë.

Edhe 50 vjet pas vdekjes së saj, vetëm gjatë kësaj jave janë shitur 42.779 libra të saj në mbarë botën.

Informuese, mbresëlënëse dhe, mbi të gjitha, jashtëzakonisht argëtuese, ekspozita “Agatha Christie: Një botë misteresh” është një vizitë që nuk duhet humbur nga askush që ka shijuar ndonjëherë veprat e mbretëreshës së romanit policor. /The Conversation – Syri.net

NJË VJESHTË MES KUJTIMEVE DHE MALLIT- Nga Neki Lulaj, shkrimtar

Kjo vjeshtë më duket se ishte njëra ndër më të bukurat e jetës sime. Një lajm i këndshëm nga dhëndri dhe motra ime na gëzoi pa masë: do të kalonim disa ditë së bashku, duke udhëtuar, pushuar dhe vizituar vende të bukura nëpër Shqipëri.
Për mua dhe bashkëshorten time, që tashmë kemi hyrë në vitet e pleqërisë, një udhëtim i tillë ishte një dhuratë e veçantë. Me zemër të mbushur plot gëzim, u nisëm nga Perëndimi drejt Shqipërisë, kësaj toke që përherë ka qenë dhe mbetet krenaria e kombit tonë, me pasuri të rralla historike, kulturore e natyrore. Shqipëria, me malet e bjeshkët, luginat, lumenjtë, detin, liqenet dhe pasuritë e saj nëntokësore, është një vend i begatë, që natyra e ka pajisur me bukuri e mundësi të jashtëzakonshme.
Gjatë dhjetë ditëve të udhëtimit, ne, katër udhëtarët e pandarë, vizituam tetëmbëdhjetë qytete. Vjeshta na priti me ngjyrat e saj të arta, me qiellin e kthjellët dhe rrezet e buta të diellit. Pemishtet ishin të mbushura me ullinj, portokaj, mandarina e limona, fryte të punës dhe përkushtimit të njerëzve të kësaj toke.
Në çdo qytet kërkonim të njihnim historinë, monumentet, muzetë, kalatë, kishat e xhamitë, por edhe të takonim njerëz të artit e të kulturës. Këto ndalesa, biseda dhe përjetime na e bënin udhëtimin edhe më të bukur. As lodhjen nuk e ndienim, sepse çdo ditë na dhuronte diçka të re.
Njëra ndër dëshirat tona të kahershme ishte vizita në Parkun Arkeologjik të Orikumit. Kishim provuar edhe dy herë të mëparshme, por pa sukses, sepse në të dy rastet e kishim gjetur të mbyllur. Kësaj radhe, duke u nisur nga Vlora historike, shpresonim se më në fund do të na buzëqeshte fati.
Dhe, vërtet, e treta e vërteta!
Këtë herë na priti përgjegjësi i parkut, i cili me dashamirësi na udhëzoi për vendet që mund të vizitonim, na hapi portën dhe na uroi një ditë të mbarë.
Para nesh u shfaq kjo perlë e rrallë arkeologjike, ku historia e lashtë ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Aty ku deti duket sikur bisedon me natyrën, ku gurët e mureve madhështore ruajnë kujtimet e shekujve dhe ku valët e Jonit janë të vetmet që e ndërpresin heshtjen e lashtësisë.
Çdo gur dukej sikur kishte një histori për të rrëfyer. Puset e vjetra, muret gjigante dhe gjurmët e vendbanimit të lashtë dëshmonin për jetën dhe zgjuarsinë e njerëzve që kishin jetuar aty. Edhe rrënojat e teatrit antik të krijonin përshtypjen se, përtej shekujve, ende dëgjoheshin zërat e aktorëve dhe duartrokitjet  fren etike te spektatorëve.
Sikur vetë parku të na thërriste: Ejani e më njihni, sepse në gjirin tim ruaj një thesar të paçmuar të historisë!
Qëndruam më shumë se tri orë, duke shëtitur, fotografuar dhe shijuar bukurinë e këtij vendi të lashtë. U larguam të kënaqur, me dëshirën që një ditë të ktheheshim përsëri. Pas nesh mbetën gurët dhe muret e heshtura, ndërsa në shpirt morëm me vete një pjesë të historisë së tyre.
Pas kësaj vizite vazhduam rrugëtimin drejt Durrësit. Të nesërmen, gjatë shëtitjes nëpër qytetin e vjetër, rastësisht na tërhoqi vëmendjen një ekspozitë arti. Hyrëm brenda dhe u mahnitëm nga pikturat e bukura të ekspozitës me titull „Katër stinët“.
Aty patëm kënaqësinë të takonim autorin e veprave, piktorin Sadik Kasa, i cili ishte në shoqërinë e kolegut të tij, piktorit Qazim Kurtusha. Me të dy zhvilluam një bisedë të ngrohtë për artin dhe krijimtarinë, ndërsa fotografitë e përbashkëta mbetën dëshmi e këtij takimi të këndshëm.
Kështu, kjo vjeshtë na dhuroi jo vetëm bukuri natyrore e thesare historike, por edhe takime njerëzore që mbeten gjatë në kujtesë.
Udhëtimi ynë vazhdonte, por unë tashmë e ndieja se këto dhjetë ditë do të zinin një vend të veçantë në kujtimet e jetës sime. Sepse vitet kalojnë, stinët ndërrohen, por mbresat e bukura që i përjetojmë me njerëzit tanë të dashur mbeten përgjithmonë në shpirt.

Send this to a friend