’’Ankthi i përjetësisë” e ka quajtur Huan Ramon Himenes poezinë e tij duke iu referuar dëshirës së tij të madhe që të njësohej me bukurinë e objektit të soditur që të ishte i lirë si vetë ai, përtej kohës dhe natyrës së njeriut. Ky koncept klasik siç është përjetësia nuk kuptohet nga një pikëpamje racionale, sepse kërkon një njeri që të priret të lartësojë ndjenjat e veta të përditshme duke gjetur në ballafaqimin me hiçin e gjërave impulsin tokësor drejt kësaj të bukure; një koncept ky pra , që nuk bazohet mbi diçka abstrakte, por lind nga një përfytyrim i realitetit. ”Ankthi i përjetësisë” në veçanti që nuk i lind poetit nga një përshtypje e çastit, por është ankth që vazhdon prej vitesh i shprehur në mënyrë intensive sipas një evoluimi të vetëdijshëm të personalitetit të tij.
Gjendja shpirtërore që përcakton këtë evoluim që përbën edhe temën qendrore të poezisë së Himenesit, tregohet në gjithë konkretësinë e saj në në Ditarin e një poeti të ri. Në këtë vepër dokumentohet takimi i poetit me detin që i lirë dhe gjithmonë i ri në hapësirat e tija të pafundme, i shfaqet poetit si simboli e së bukurës drejt së cilës ai synon :
Det i fortë, det pa qetësi,
soditës i përjetshëm, i pa lodhur
dhe i pa fund i pamjes madhështore dhe të vetme
Të diellit dhe yjeve, det i përjetshëm !
Qëllimi i jetës së tij dhe i poezisë së tij atëherë, u bë ajo që t’i këndonte vetes së vet gjersa të gjente, pastaj, mënyrën për t’u konkretizuar dhe të çliruar nga ekzistenca e tij e kufizuar nga ankthi i vdekjes. Qëkur u dashurua me Cenobian, gjë që duhet konsideruar si shtysë e pazëvendësueshme për poetin, për të krijuar atë vetëdije të hiçit tokësore dhe të çlironte veten në përjetësi:
Kur, ndërsa ti fle, unë përkulem mbi shpirtin tënd,
Dhe dëgjoj me veshët e mi
Mbi gjoksin tënd nudo,
Zemra jote e qetë,
Më duket se kap në rrahjen e saj të thellë,
Sekretin e qendrës
së botës.
Më duket se
Legjione engjëjsh
Mbi kuaj qiellorë
………………………………………….
vijnë për ty nga larg
që të më sjellin në ëndrrën tënde
sekretin e qendrës
së qiellit.
Kështu që, Ditari i vitit 1916, është bërë zakon të quhet si fillimi i një periudhe të dytë në poezinë e Himenesit, shenjë kjo e një stili dhe frymëzimi që dallohen mirë nga stili dhe frymëzimi i një periudhe të mëparshme, në përgjithësi romantike dhe pesimiste.
Në fakt, në veprat e periudhës së mëparshme, sendet që e rrethojnë poetin shfaqen në një dritë melankolike, të humbura në mënyrë të paqëndrueshme që nga kontakti i parë me to, në një klimë absence ( mungese ) që eliminon që në fillim raportin e ngushtë dhe të thellë dhe, pra, një ndërgjegjësim nga ana e poetit, hiçit të tij, e nulitetit të tyre; hiçi, në praktikë, është ende një intuitë e mjegullt dhe kalimtare, e pazonja që të mbështesë lartësimin e poetit në një soditje olimpike të botës :
Zemra ime. zemra ime
…………………………………
s’do të ngjitesh në yje
………………………………
zemër,
përse duhet vallë t’i mbash sytë hapur,
nëse pranvera,
do të qëndrojë larg qiellit ?
Kështu tek Ninfa dhe Labirinti poeti u drejtohet gjërave me terma romantike e simboliste me një pamje melankolie të mugët që bëhet muzikë në gjurmët e Haines, Bekerit dhe Verlenit :
Mbrëmje griargjendi,
mbrëmje, egërsisht nostalgjike
me shëtitje të plogëta
nën akacie të blerta.
Kjo grua më buzëqesh…
Në baladat dhe në vargjet Aleksandrinë biseda bëhet më e hapur, ndonëse, dhe duket përherë e trishtuar :
Të ndiesh shpirtin plot lule dhe farëra
Ndërsa arrin ngrica negative dhe e përjetshme !
Diku tjetër një kromatikë impresioniste e bën frazën më të lehtë dhe imitime të efekteve muzikore:
Në një aromë të pështirë mimozash verdhoshe,
ja shoh të zbresë mbrëmja — ëndërr dhe perla—,
dhe plogësisht ti na përkulesh
e bardhë e bardhë, mbi musolinat prej mëndafshi.
Në të vërtetë me Sonete shpirtërore dhe Estio, formalisht të lidhura me periudhën e parë, tashmë hymë në klimën e periudhës së dytë: në fakt të parat zën fill në viti 1916 dhe Cenobia, tashmë është në zemrën e poetit, aq sa në dy librat reflektohen gëzimet,shpresat dhe hidhërimet e dashurisë së tij të madhe dhe është vështirë të mbushësh heshtjen:
Midis gjokseve tanë të bashkuar
Gjithë bota e pa krijuar.
Kështu që ai ende nuk di të zgjidhë dyshimet, të përballojë realitetin pa vonesë:
Unë s’di si të kapërcej
nga bregu i sotëm
në bregun e së nesërmes.
Në veçanti në këto dy vepra e ka nismën ajo periudhë themelore e jetës së Himenesit në të cilën ai shqyrton deri në thellësi aspektet e poetikës së tij: si data mund të klasifikojmë atë midis viteve 1914 dhe 1923 dhe kjo dëshmohet, përveçse nga dy librat e lartpërmendur nga Ditari, nga Përjetësia, Guri dhe qielli, si dhe nga Poezia dhe bukuria.
Që në fillim në Sonetet dhe në Estio, fillon të lindë te poeti vetëdija e atij hiçi që e rrethon edhe nëse ai nuk di ende si të dalë jashtë saj:
Çdo dallgë nga hiçi e mbërritur te ty,
vjedh dritën tënde më të mirë
dalë nga hija.
Këtu ai dallon nëpër të mundësinë e një rrugëdaljeje te dashuria, por s’ka sigurinë ta zotërojë.
Kur ajo ka ikur që këtu
pikërisht atëherë unë e shoh.
Kur ajo arrin pastaj,
ajo zhduket.
Por pasi realizohet ëndrra e dashurisë, lind ajo poezi që dëshmon ankthin e poetit për të fluturuar drejt përjetësisë; mbi det ( në Ditar ), ai ëndërron dashurinë e tij:
Dashuri, vetëm rini !
Dashuri, forcë në lindjen e saj !
Dashuri, dorë e gatshme
në çdo nismë të zjarrtë !
Dashuri,vështrim i hapur,
Vullnet i patregueshëm !
Me ta fituar pastaj, dhëndër i lumtur (në Përjetësia, Guri dhe qielli) shijon me energji shkëputjen nga ai hiç; e gjitha qëndron gjithmonë midis pasigurisë dhe ankthit, aq sa mbi këtë vazhdë vetë dashuria merr tone herë pasionante, herë metafizike.
Poezi, vdekje dhe ankth drejt së bukurës, janë ende temat, ndonjëherë pak të përsëritura në mënyrë të shkëputur nga Poezia dhe Bukuria që mbase lartësohen më të punuara se të mëparshmet me intuitë poetike; Cenobia, gjithmonë në qendër të frymëzimit, shndërrohet edhe më mençurisht dhe në të poeti sheh të pasqyruara idealet e jetës së vet :
Si në një kristal fortese,
grua lakuriqe,
shihet e përvijuar jeta te ti
jetë prej ari dhe ngjyrash.
Në Stacioni plot procesi shpirtëror dhe stilistik hyn në fazën e tij të pjekur ; poeti, me të kapërcyer çdo pengesë dhe çdo kontrast që përcaktonte pasigurinë, por edhe gjithë mrekullinë e veprave të mëparshme, arrin më në fund atë stinë tërësore, të plotë, në kufirin e absolutes, në të cilën do të mund të vjelë frutën e besimit të tij :
Pafundësia
është brenda.
Unë jam pafundësia e përqendruar.
Ajo, Poezia, Dashuria
qendra e padyshimtë.
Bëhet fjalë që të zhytet në atë qendër, me ndërgjegje të plotë dhe të mos jetojë në një dalldi të plogët të përjetësisë; por në praktikë poeti s’duhet ta lerë veten duke asgjësuar vetveten, nga qenie e vogël, në qenie të madhe pa vazhduar t’i japë zhvillim të mëtejshëm ekzistencës së tij. Dhe që në një hov entuziazmi krejt rinor, i vogli e identifikon veten me të madhin, zbulon në vetvete, në natyrën e tij prej Animal de fondo, (Kafsha e fundit ) praninë e Zotit:
Por edhe ti, Zot, je në këtë fund pusi
dhe sheh këtë dritë të ardhur nga tjetër yll;
jeton
dhe je i madhi dhe i vogli që jam unë,
në një proporcion që është ky imi,
i pafundmë drejt një fundi
që është pusi i konsakruar nga vetë unë.
Në praktikë poeti ka gjetur në shpirtin e tij atë zot,drejt të cilit synonte dhe që dukshëm ishte te vetë ai përgjithmonë, edhe nëse tani ai e ka zbuluar, e logjikshme, pra, që njeriu të mbyllet përsëri në vetvete, por në një mënyrë tjetër. Është një mbyllje në një lavdi bukurie që është ajo e njeriut – zot, në një totalitet që është një hapje pa fund dhe një ekzaltim i një ekzistence të tërë:
Për të gjithë, e ardhme e ndriçuar
dhe ndriçuese,
zot i dëshiruar dhe dëshirues.
Gjuha vetë nuk shprehet më nëpërmes një bisede në një sfond ngjyrash dhe tingujsh; bëhet monolog, por që gjen jehonën e tij në dritën e zotit; bëhet shprehje e pastër pasqyruar në pasqyrën e thellë të përjetësisë.
Poezi dashurie, pra, ato të Eternidades dhe Piedra y cielo; edhe nëse jo vetëm e referueshme ndaj një frymëzim të tillë, është e sigurt se dashuria kushtëzon kryesisht të dyja veprat, mbi të gjitha Eternidades është tamam libri i dashurisë bashkëshortore. Ai është shkruar në vitin e parë të martesës dhe ka lindur nga një gjendje qetësie që e njëjta shprehje: ”Dashuri dhe poezi / çdo ditë” dëshmon qartësisht ; që poeti e ka vendosur në faqen e parë të veprës, një frazë kjo që kuptohet nga një anë si krijim i programuar për të ardhmen, por nga ana tjetër si konkluzion, ashtu siç është jetuar më parë.
Dashuria, në fakt, e kishte frymëzuar poetin edhe në veprat e rinisë, por me një ton dekorativ dhe muzikor, me një nëntekst kuptimi krejt simbolik që sot duket i kapërcyer. Cenobia nuk është muza e poezisë së tij, por është gruaja e tij, element i një realiteti të thellë i dashurisë, personifikim i asaj poezie që i vjen përballë ”krejt lakuriq…/ pasion i jetës sime, lakuriq / poezi imja përgjithmonë”. Ajo është baza e atij procesi konkretizimi të vetvetes që Himenesi është duke kryer: prej saj, pra, poeti nuk do të na japë një portret fizik, por do të këndojë aq sa ajo shpreh për atë që lind në jetë, për të krijuar botën si shpirtin e saj. Së bashku me Cenobian, në fakt, ai do të dalë nga ëndrra në të cilën e ndien veten tek vdes për të shkuar të takojë bukurinë e vërtetë, edhe nëse kjo duket ende e mugët, e pasaktë, e pakapshme në plotësinë e saj.
Kjo gjendje shpirtërore, shfaqet si mjaft e dukshme në pasigurinë me të cilën poeti duket të lëvizë midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, midis së vërtetës dhe ëndrrës, midis ditës dhe natës: një tregues i saktë për të kapërcyer një kontrast të tillë, do të vijë, gjithashtu, oferta në Guri dhe qielli, ndërsa në Përjetësia jetohet ende në një fazë kalimtare nga ëndrra, në realitet. Në këtë kuptim vepra do të mund të ishte stigmatizuar nga Epitafi i mua të gjallit : ”Vdiqa në ëndërr./ Rilinda në jetë” ; sado që të shkojë përballë së vërtetës, ai është gjithmonë një i ” porsalindur ”, ende i papërvojë dhe i pazoti të shkëputet përfundimisht nga e kaluara. E njëjta gjendje e pasigurt shihet në krijimet e stilit të ri poetik dhe kjo vërehet që në vargjet e parë të librit : ”S’di me çfarë ta them, / sepse ende s’është krijuar / fjala ime”. Me një ndërgjegje përtëritjeje shpirtërore, që të tërheqë atë, nuk përkon ende me një gjuhë të përshtatshme: sepse poeti paralajmëron vështirësinë që të krijojë nga hiçi një shprehje të re. Ajo duhet të zbulojë ” emrin e saktë të sendeve ” dhe jo një gjë të çfarëdoshme, por atë ”nga shpirti im përsëri” ; një fjalë që të zbulojë ndjeshmërinë e sendit, dhe si pasojë, të re dhe të kulluar si thelb i atij sendi. Dhe gradualisht tregohet në Përjetësi pjekuria e kësaj shprehjeje, siç duket në poezinë e fundit ku poeti entuziazmohet, i sigurt, se ajo do të bëhet e përjetshme.
Një besim i fortë, pra, është në bazë të librit edhe nëse ende logjikisht gjithçka është në fazën e krijimit dhe uni poetik gërmon në thellësi vetveten, ndonjëherë duke zbuluar në shpirtin e tij, siç u vu re, kontraste të vërteta, nga ana tjetër është në këtë pasiguri midis një gëzimi të arritur dhe ankthit për të depërtuar në përjetësinë që qëndron në thellësinë e ankthit njerëzor të Përjetësisë.
Me një përmasë frymëzimi, jo të ndryshëm, vendoset Guri dhe qielli. Vetë titulli na sjell të gjallë dhe konkret tonin e një poezie që jeton midis elementit shqisor dhe atij intelektual. Por është e sigurt se dashuria, edhe duke e mbajtur me tipare të toneve metafizike, paraqitet e ngrohtë dhe njerëzore dhe është përherë më e qartë se prania e Cenobias. Në shtëpinë e saj është ajo që e bën poetin të ”qeshur” paralelisht merr shtat edhe kënaqësia për të shkruar një poezi të re. Ai vete dhe vjen nga biblioteka dhe përqafon ”në rreth të gjerë pafundësinë”. Cenobia, në praktikë, ka bërë që të krijojë fjalën e re që nevojitet për gjëra të reja ku ai njësohet. Cenobia pra nuk është vetëm dashuria, Cenobia siç e kemi parë në Përjetësia, është vetë poezia, është vepra e tij. Dhe nuk nevojiten zbukurimi dhe pasuria e jashtme për të kënduar qoftë njërën, qoftë tjetrën. Gruaja lakuriq si një trëndafil ” e gjitha, në mëngjes, çdo ditë për të ” ; poezia njëlloj ” e freskët dhe erëmirë ” me vesë. Siç thotë poeti për veprën e tij, ” Mos e prek më, / sepse kështu është trëndafili ”, vlen edhe për Cenobian: ai e përdor tashmë drejt të dyjave atë gjuhë respekti që i shkojnë së bukurës së përjetshme.
Por nga ana tjetër poezitë e këtij libri me një ton më të pasigurt midis hiçit dhe përjetësisë na propozojnë fazën e ndërmjetme të frymëzimit në të cilin lind Piedra y cielo; në këtë mënyrë kuptohen ato të nënndarjes ”Nostalgjia e detit ” që ndërpresin në të vërtetë linearitetin e veprës. Këtu uni mbyllet përsëri në vetvete dhe kujton me nostalgji atë takimin e parë me të bukurën e kënduar gjerësisht në faqet e Ditrarit, me të cilin rilidhen këto poezi. Kjo shihet më mirë në nënndarjen e fundit të librit sesi raporti me përjetësinë përgatit diçka tragjike dhe sesi ankthi për ta arritur shton shqetësimin: ” Ç’dhembje e madhe / ajo e jetës sime në gjithçka !” Është emocioni i të kujtuarit veten të lirë që duke vepruar në thellësinë e shpirtit të poetit, duket se i shton akoma ato çaste kontrasti midis ëndrrës dhe realitetit, midis së shkuarës dhe së ardhmes, midis kujtimit dhe harrimit, të njohur tashmë te Përjetësia. Por në këtë vepër, ndryshe nga ajo, kontrasti kapërcehet më në fund: kujtimi, fillimisht shumë i kërkuar, për të bllokuar në lumin e kohës imazhin e pasqyruar në ujë, atë ”kujtim, dashuri që s’vdes kurrë” tani i duket një makth, ”kacavjerrës i vazhdueshëm / i lules hyjneshë” që e mban të tërhequr fort në tokë me rrënjët e saj. Duhet, pra të shkulen këto rrënjë për të kryer ” fluturimin e përditshëm ” drejt përjetësisë, gjë që mund të fitojë vetëm ” diellin e madh të harresës” ; dhe poeti tani bën zgjedhjen e tij, kërkon harresën që të djegë me rrezet e saj lulen e kujtimit. Duhet bërë sakrifikimi total i jetës së shkuar, me qëllim që të lindë një ” jetë / e dytë, jetën e vërtetë /… pjekuri të mendjes ” : një sakrificë që s’mund të shtyhet, ajo e vdekjes së plot për të rilindur,siç ka parashikuar ai gjithmonë: ”shpërbëmë, / me një goditje, në dritë ”.
Përgatiti dhe përktheu: Faslli Haliti
Komentet