VOAL

VOAL

NË SHQIP ‘ÇLIRIMI I KOSOVËS’ I DAVID PHILLIPS – Nga FRANK SHKRELI

November 26, 2015

Komentet

KOSOVA ZGJODHI PRESIDENTEN – TANI DUHET TË ZGJEDHË RRUGËN- Nga Frank Shkreli

             Disa mendime mbi zgjedhjen e Presidentes së re të Kosovës
                                        Nga Frank Shkreli
Më në fund, Kuvendi i Kosovës bëri atë që duhej të kishte bërë prej kohësh: zgjodhi Presidenten e Republikës. Justina Shiroka-Pula mori 81 vota dhe, me këtë votim, Kosova shmangu një tjetër përplasje institucionale dhe një tjetër cikël krize dhe pasigurie politike.  Por zgjedhja e Presidentes nuk duhet të interpretohet si fund i krizës. Përkundrazi, ajo duhet të jetë fillimi i një prove të re për klasën politike të Kosovës.
Pyetja tani nuk është vetëm kush do të jetë Presidente. Pyetja është: a do të vazhdojë Kosova të qeveriset nga logjika e përplasjes partiake, apo më në fund do të fillojë të sillet si një shtet që e di se cilat janë interesat e tij strategjike? Sepse Kosova nuk ka më kohë për të humbur.  81 vota nuk mjaftojnë për të ndryshuar politikën. Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës ishte rezultat i një kompromisi politik. Dhe kompromisi, në një demokraci, nuk është turp. Përkundrazi, është pjesë e kulturës demokratike.  Por Kosova ka parë mjaft marrëveshje që zgjasin vetëm deri në momentin kur partitë marrin atë që duan. Prandaj, 81 votat e Kuvendit duhet të kenë një kuptim më të madh se zgjedhja e një Presidenteje. Ato duhet të shënojnë fundin e një kulture politike ku partia vendoset mbi shtetin, lideri mbi institucionin dhe interesi elektoral mbi interesin kombëtar. Kjo vlen veçanërisht për forcën politike që ka dominuar politikën kosovare vitet e fundit.  Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë marrë përgjegjësi të mëdha për drejtimin e Kosovës. Është e drejtë që të vlerësohen për ato që kanë bërë, por është po aq e drejtë që të kritikohen për ato që nuk kanë bërë.  Një qeveri nuk gjykohet vetëm nga mbështetja që merr nga votuesit.   Ajo gjykohet edhe nga aftësia për të ruajtur aleancat, për të forcuar institucionet dhe për të kuptuar kufijtë midis interesit partiak dhe interesit shtetëror.  Dhe këtu Kosova ka ende shumë punë për të bërë. Washingtoni zyrtar nuk është kundërshtar i Prishtinës.  Një nga gabimet më të rrezikshme të politikës kosovare do të ishte krijimi i përshtypjes se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mund të trajtohen si një çështje e zakonshme diplomatike. Nuk janë!  Për Kosovën, marrëdhënia me SHBA-në është strategjike, historike dhe ekzistenciale.
Shqiptarët dhe gjithë bota e di se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë një spektator i historisë së Kosovës. Kanë qenë ndër aktorët kryesorë që ndihmuan në çlirimin e saj dhe në krijimin e rrethanave që çuan drejt pavarësisë. Prandaj, çdo qeveri në Prishtinë ka detyrimin moral dhe kombëtar të ruajë këtë marrëdhënie. Kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të heqë dorë nga interesat e veta. Jo, por do të thotë se duhet të ketë zotësi dhe mençuri diplomatiko-strategjike për t’i mbrojtur ato interesa në bashkëpunim me aleatët perëndimorë. Një shtet i vogël duhet dhe mund të ketë dinjitet dhe mund dhe duhet të ketë edhe qëndrime të forta në interes të vet.  Por nuk mund të ketë luksin të humbasë aleatët.
Me të drejtë është thënë shpesh gjatë këtij procesi se Presidenti/ja e re duhet të jetë mbi partitë. Në këtë pikë, përgjegjësia e Justina Shiroka-Pulës bëhet veçanërisht e madhe. Ajo duhet të tregojë se Presidenca nuk do të jetë një tjetër zyrë e luftës së brendshme politike. Duhet të jetë institucioni që bashkon atë që politika partiake shpesh e ndan. Presidentja e re, në fjalën e parë drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës deklaroi se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve dhe se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet themelor. Kjo duhet të jetë më shumë se një deklaratë ceremoniale.  Kosova duhet ta kthejë orientimin euroatlantik në një doktrinë të politikës së saj shtetërore, ashtu siç duhet të bëjë edhe Shqipëria e mbarë trojet shqiptare. Dhe kjo do të thotë shumë më tepër sesa flamujt amerikanë dhe evropianë vendosur në zyrat dhe në ceremonitë zyrtare.
Orientimi euro-atlantik – siç e kam thënë shpeshherë nuk është një botë e përsosur, por kryesisht dhe në përgjithësi do të thotë demokraci funksionale. Do të thotë sundim ligji. Do të thotë luftë kundër korrupsionit. Do të thotë ekonomi konkurruese. Do të thotë media të lira. Do të thotë respekt për institucionet. Dhe mbi të gjitha, do të thotë besueshmëri ndaj miqve dhe aleatëve. “Me të vërtetë, është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha atyre formave të tjera që janë provuar…”, e që kanë dështuar, është shprehur dikurë Winston Churchilli.
Me këtë rast, të gjithë që ia duam të mirën Kosovës, urojmë që me zgjedhjen e Presidentes së re, Kosova të dalë nga politika e përhershme e krizës. Nuk është normale që një shtet i pavarur të kalojë vazhdimisht nga një krizë institucionale në tjetrën. As nuk është normale që zgjedhja e Presidentit të rrezikonte të kthehej në një krizë kushtetuese. Nuk është normale as që partitë politike të shpenzojnë energjinë e vendit në përplasje të pafundme politike , ndërkohë që Kosova përballet me sfida shumë më të mëdha. Njohjet ndërkombëtare ende nuk janë aty ku duhet të jenë. Kosova ende nuk është pjesë e plotë e arkitekturës euroatlantike. Dialogu me Serbinë mbetet i vështirë. Qytetarët vazhdojnë të përballen me probleme ekonomike dhe sociale. Dhe një pjesë e konsiderueshme e rinisë vazhdon të shohë emigrimin si të vetmen alternativë. Përballë këtyre problemeve, politika nuk mund të vazhdojë të sillet sikur beteja kryesore është se kush e fiton konferencën e radhës për shtyp. Beteja e vërtetë është për shtetin.  Edhe Shqipëria duhet ta kuptojë përgjegjësinë e saj. Kjo nuk është vetëm çështje e Prishtinës. Është edhe një provë për Tiranën.  Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndryshme dhe duhet të respektojnë sovranitetin dhe institucionet e njëra-tjetrës. Por kanë një interes strategjik të përbashkët: të jenë pjesë e pandashme e botës perëndimore.  Prandaj, politika shqiptare në të dy anët e kufirit duhet të ketë më shumë shtetësi dhe më pak protagonizëm. Më shumë koordinim dhe më pak retorikë.  Më shumë Washington dhe Bruksel si partnerë strategjikë dhe më pak përdorim të marrëdhënieve ndërkombëtare për konsum politik të brendshëm.  Shqiptarët kanë bërë zgjedhjen e tyre historike. Është Perëndimi, bota eeuro-atlantike. Kjo zgjedhje e shqiptarëve nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga asnjë qeveri, parti apo lider. Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës mund të jetë një mundësi për një fillim të ri. Por vetëm nëse politika e Prishtinës zyrtare kupton se kompromisi që solli Presidenten duhet të pasohet nga një kompromis më i madh për shtetin.  Kosova nuk ka nevojë për një luftë tjetër politike.  Ka nevojë për një marrëveshje kombëtare për demokracinë, për aleancën me SHBA-në, për integrimin evropian, për sundimin e ligjit dhe për forcimin e shtetit.
Presidentja e re duhet të jetë një nga zërat kryesorë të kësaj marrëveshjeje.  Qeveria duhet ta mbështesë.  Opozita duhet të kontribuojë. Shoqëria civile dhe media duhet ta kërkojnë. Dhe qytetarët duhet ta imponojnë me votën e tyre. Sepse Kosova ka kaluar shumë për të mbetur peng i konflikteve politike të ditës. Ajo u krijua si shtet me një sakrificë të jashtëzakonshme dhe me mbështetjen e një aleance historike me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.  Prandaj, nuk ka kuptim të fitohet liria dhe të humbet drejtimi. Zgjedhja e Presidentes është bërë. Tani duhet të bëhet zgjedhja më e rëndësishme: Kosova duhet të zgjedhë shtetin mbi partinë, aleancën mbi izolimin, demokracinë mbi populizmin dhe Perëndimin mbi çdo aventurë politike.  Ky është momenti që politika e Kosovës të dëshmojë se ka mësuar nga krizat e saj.  Sepse historia nuk i fal kombet që kanë mundësi për të ecur përpara dhe zgjedhin të humbin kohën duke u grindur me njëri-tjetrin. Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi. As Shqipëria. As shqiptarët.  Në këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, urimi im i sinqert shkon për Presidenten e re, Justina Shiroka-Pula, i  uroj suksese në detyrën e lartë dhe të vështirë që sapo ka marrë përsipër. Uroj që Presidenca e saj të jetë një institucion i unitetit, i dialogut dhe i forcimit të shtetit — mbi ndarjet dhe interesat partiake. Republikës së Kosovës i uroj që kjo ditë të shënojë një fillim të ri me më shumë stabilitet, më shumë demokraci, më shumë bashkëpunim institucional dhe një orientim të palëkundur drejt familjes së madhe euroatlantike.
Frank Shkreli
Presidentja e re e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula
Përtej politikës dhe institucioneve shtetërore, emri i presidentes së re sjell edhe një simbolikë të veçantë shqiptare: një bijë shkodrane që u bë nuse Peje dhe që sot merr përgjegjësinë më të lartë shtetërore në Kosovë.
Kjo është një histori që bashkon dy qytete, dy treva dhe një hapësirë të përbashkët të trojeve shqiptare – Shkodrën dhe Pejën – përmes jetës, familjes dhe kontributit të një gruaje që tashmë do të përfaqësojë të gjithë qytetarët e Kosovës.

MOS E HUMBISNI KËTË MOMENT HISTORIK- Nga Frank Shkreli

                       Nga Washingtoni në Bruksel, Shqipëria ka përpara një
                         mundësi që kërkon vendim, jo më shumë justifikime
                                               
Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe mesazhi i saj për Shqipërinë nuk duhet të trajtohen si një tjetër episod diplomatik. Ato janë një sinjal politik: Evropa është më afër, por dera nuk hapet vetëm me deklarata.
“Objektivi është në horizont”, tha von der Leyen. Tani Shqipëria duhet të tregojë nëse ka vullnetin, kapacitetin dhe seriozitetin për ta arritur atë objektiv. Kohët e fundit, zyrtarja e lartë evropiane vizitoi Shqipërinë dhe disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor me synimin për të ndihmuar ato vende në rrugën drejt antarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Kjo, paraprakisht, dhe përball 6 tetorit, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, si dhe 15-16 tetorit, kur liderët e Bashkimit Europian do të diskutojnë zgjërimin dhe reformat e brendshme.
Nuk besoj se fjalët e von der Leyen të jenë vetëm një frazë diplomatike, kësaj rradhe. Është një moment që duhet marrë seriozisht. Shqipëria është më pranë Evropës se kurrë më parë. Por, pikërisht, për këtë arsye nuk duhet të humbasim kohë. Tani nuk mjafton më të themi se jemi evropianë.  Shqiptarët e kanë deklaruar orientimin e tyre perëndimor në mënyra të ndryshme për më shumë se tri dekada.  Shqiptarët, ndryshe nga elitat e tyre politike të këtyre 35-viteve tranzicion i pafund, kanë dëshmuar ndjenjat e tyre pro-perëndimore me votën, me sakrifica, me emigrimin, me lidhjet familjare e kulturore me Perëndimin, me mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe me dëshirën për të ndërtuar një shtet demokratik pro-perëndimor pas shëmbjes së komunizmit zyrtar. Por pas më shumë se tri dekada reformash, negociatash dhe pritjeje, retorika pro-evropiane e Tiranës zyrtare, nga të dy partitë kryesore, nuk mjafton më.
Nëse Shqipëria duhet të ndërtojë shtetin që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, kjo do të thotë drejtësi të pavarur, zgjedhje të besueshme dhe të pa kontestueshme, luftë të pakompromis kundër korrupsionit, media të lira, administratë profesionale dhe institucione që respektojnë qytetarin, pronën dhe ligjin. Këto nuk janë kërkesa të tepërta të Brukselit. Janë kushtet minimale që kërkohen nga një shtet normal funksional. Mesazhi evropian është i qartë. Përparimi i bërë deri tani, vlerësohet, por nuk mjafton. Reformat duhet të zbatohen, të maten dhe të prodhojnë rezultate. Nuk ka më vend për vetëkënaqësi, propagandë të flliqt apo përpjekje për ta shitur çdo hap procedural si sukses historik.  Integrimi nuk matet me flamuj, fotografi me udhëheqës perendimorë, madje edhe me pagesë, dhe konferenca shtypi. Integrimi i vërtetë matet me mënyrën se si funksionon drejtësia, si zhvillohen zgjedhjet, si kontrollohet pushteti dhe si mbrohet qytetari në Shqipëri. Sepse ndërsa kryeministri shqiptar flet në kancelaritë europiane për një Ballkan që duhet të afrohet sa më shpejt me Bashkimin Europian, në Tiranë për disa muaj, zhvillohen protesta të vazhdueshme kundër mënyrës së qeverisjes aktuale.  Ajo që nisi më 30 maj të këtij viti, me kundërshtimin ndaj projekteve të mëdha turistike është zgjeruar tani në një revoltë më të gjerë politike dhe qytetare. Protestuesit kërkojnë llogari, përgjegjësi, hetim të akuzave për korrupsion dhe, gjithnjë e më shumë, dorëheqjen e kryeministrit. Kjo është një pjesë e rëndësishme e zhvillimeve në Shqipëri që Europa nuk duhet ta shohë vetëm nga larg. Protestat tre-mujore qytetare janë një mesazh politik që duhet të dëgjohet nga klasa politike shqiptare dhe mos të injorohet nga Evropa dhe as nga Shreret e Bashkuara.
 
Evropa nuk është dekor politik as Bashkimi Evropian nuk është një organizatë e përsosur shtetesh. Megjithkëtë, ai ent evropain përfaqëson shtetin ligjor, përgjegjësinë institucionale, transparencën, kontrollin mbi pushtetin dhe demokracinë funksionale. Nëse këto standarde nuk bëhen realitet në jetën e përditshme në Shqipëri, “mbyllja e kapitujve të negociatave” do të mbetet një arritje teknike dhe jo një ndryshim i vërtetë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Prandaj, politika shqiptare duhet të heqë dorë njëherë e mirë, nga një keqkuptim i rrezikshëm se integrimi evropian nuk është projekti i një qeverie, partie apo lideri. Është dhe duhet të jetë një zgjedhje strategjike kombëtare. Asnjë forcë politike nuk ka të drejtë ta përvetësojë këtë proces as këtë projekt, por gjithashtu asnjë forcë politike nuk ka të drejtë ta pengojë procesin e integrimit për interesa të ngushta politike ose partiake. Por edhe Evropa duhet të jetë e vetdijshme se procesi i integrimt të Shqipërisë nuk mund të arrihet vetëm me një krah të politikës shqiptare.
Shtetet e Bashkuara mbeten partneri i Kombit shqiptar, i pa zëvendësueshëm, për sigurinë dhe orientimin euroatlantik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndërsa Bashkimi Evropian është hapi i radhës për ta shndërruar këtë orientim në standarde politike, ekonomike dhe institucionale. Nga Washingtoni në Bruksel, rruga është e qartë. Ajo që mungon nuk është drejtimi, por vendosmëria e klasës politike shqiptare për të ecur drejtë këtij objektivi të madh mbarë-kombëtar “në horizont”, sipas deklaratës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Tiranë.  Duke pasur parasysh gjëndjen kritike politike në Tiranë, ky moment historik kërkon arritjen e një marrëveshjeje të re politike ndërmjet partive politike të Shqipërisë rreth disa objektivave konkrete, për të hapur derën  njëherë e mirë drejtë antarsimit përfundimtar të Shqipërisë në BE. Për një drejtësi pa ndërhyrje nga politika, për zgjedhje pa manipulim, për institucione të pavarura, për një administratë pa militantizëm, për një luftë reale kundër korrupsionit dhe transparencë në përdorimin e pushtetit dhee të financave publike.  Kërkon gjithashtu diçka që politika shqiptare pozitë-opozitë, pa dallim, e ka shmangur vazhdimisht, e që është pranimi i rregullave që kufizojnë pushtetin. Standardet evropiane nuk janë të dobishme vetëm kur kritikojnë kundërshtarin. Ato vlejnë edhe kur kërkojnë llogari nga qeveria, kur mbrojnë të drejtat e opozitës, kur garantojnë kritikën dhe ndalojnë abuzimin me institucionet e shtetit.   Shqipëria nuk mund të presë që Brukseli ta ndryshojë atë, për të bëlrë të mundur antarsimin. Janë shqiptarët ata që duhet t’a ndryshojnë Shqipërinë. Kjo do të thotë se qeveria duhet të zbatojë reformat e nevojshme, opozita të ofrojë alternativa dhe institucionet të veprojnë pa frikë nga pushteti politik. Do të thotë, gjithashtu, që shoqëria civile, media dhe qytetarët të mos mjaftohen me duartrokitje apo ankesa, por të kërkojnë afate, rezultate dhe përgjegjësi ng Kuvendi dhe nga politika në përgjithsi.
Mundësia është reale për antarësim, por nuk është e pakufishme. Ajo mund të humbasë në luftërat e vogla politike, në retorikën boshe dhe në protagonizmin e liderëve. Mund të humbasë edhe nga lodhja e një shoqërie që ka pritur gjatë dhe nga një klasë politike që është mësuar të premtojë më shumë sesa zbaton.  Prandaj ky moment kërkon veprim të menjëhershëm, jo një tjetër cikël premtimesh boshe.  Qeveria duhet të publikojë një plan të matshëm për reformat, me afate dhe përgjegjës konkretë.  Parlamenti i Shqipërisë duhet të miratojë ligje që forcojnë institucionet, jo pushtetin e radhës të një lideri ose partie politike. Opozita duhet ta trajtojë integrimin si interes kombëtar, jo si armë propagandistike.  Institucionet e drejtësisë duhet të tregojnë rezultate të prekshme. Dhe qytetarët duhet të kërkojnë llogari për çdo premtim të pambajtur.
Siç thashë më lartë, orientimi perëndimor i shqiptarëve është prej kohësh një zgjedhje historike. ani orientimi i deritanishëm pro-perëndimor, duhet të bëhet realitet institucional dhe i përditshëm. Jo vetëm në dokumente e ligje që nuk zbatohen, por në vendimet e gjykatave, në administratë, në zgjedhje, në ekonomi, lirinë e shtypit dhe, sidomos, në marrëdhënien e shtetit me qytetarin. Nga Washingtoni në Bruksel. Nga aleanca te anëtarësimi, nga ëndrra te konkretizimi, Shqipëria ka përpara një rrugë të qartë, me një objektiv, “në horizont”. Por rruga nuk përshkohet vetëm me fjalë.  Unë u garantoj se Evropa nuk do të vijë ta ndërtojë Shqipërinë. Shqipëria duhet të ndërtojë veten, për antarësim  dhe integrim në Evropë. Dhe këtë duhet ta bëjë tani.  Është koha që orientimi perëndimor i shqiptarëve, i shprehur dhe i dëshmuar për më së një shekull, më në fund, të konkretizohet, në një Shqipëri, anëtare e Bashkimit Evropian, me vlera evropiane. Ky nuk është vetëm një objektiv politik. Është një moment historik për Kombin shqiptar. Mos e humbisni!
Frank Shkreli

Prof. Justina Shiroka Pula, Presidente e Kosovës në minutën e fundit Nga Elida Buçpapaj

Ishte një torturë për shumë nga ne zgjedhja e Presidentes së Republikës së Kosovës në sekondat e fundit të lejueshmërisë kushtetutore,

duke rrezikuar stabilitetin dhe tërhequr zvarrë Kosovën mbarë nga zgjedhjet në zgjedhje

për shkak të mospjekurisë,

mospërgjegjshmërisë,

mospërfaqësimit në mënyrë të denjë

në organin më të lartë ligjvënës.

Votuesi, dmth Sovrani në Kosovë, ka nivel shumë më përfaqësues se deputetët e atij Kuvendi,

të cilët, sapo ulen në atë kolltuk, nisin kalkulimet partiake dhe aq u bën për interesat e Kosovës apo të qytetarëve të saj,

duke bërë luftë nervash dhe duke u tallur me interesat kombëtare të vendit e hallet e popullit.

Nuk besoj nëse Kuvendi i Kosovës ka sitë të lustracionit apo ka të përcaktuar kriteret meritore të përfaqësimit në këtë institucion.

Pra, ky Kuvend lë shumë për të dëshiruar, sikur thotë populli “asht vajmedet”.

Të mos flasim pastaj për mediat apo “guerrilasit” e rrjeteve sociale, kryesisht nga partia e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, me mentor baton stanishiqin, të cilët shantazhojnë, duke pretenduar se janë gazetarë, por që e shkelin me këmbë non stop 24 orë në ditë lirinë e fjalës

dhe çudia është se, ndërsa META bie pre e algoritmave për të censuruar profilet e protestuesve kundër regjimit të Edi Ramës,

në Kosovë këto algoritma mbështesin çakallët që sulmojnë hapur rendin kushtetues dhe fjalën e lirë pa u ndier aspak të shqetësuar se shkelin kodin e etikës vendosur nga META.

Dhe, po ashtu, nuk ua ndin aspak as nga institucionet rregullatore të gjuhës së komunikimit publik,

as nga organizmat e gazetarëve, si kliente të politikës old fashion,

por as nga organet përkatëse të shtetit, që e ka për detyrim mbrojtjen e rendit e qetësisë sociale në shërbim të qytetarit.

Pra, jemi në kaos dhe ky kaos duhet të marrë fund,

sepse rendin kushtetues e garanton shteti i së drejtës me të cilin Kosova krenohet.

Odiseja e zgjedhjes së presidentes së Republikës i qendronte Kosovës mbi kokë prej dy vitesh si Shpata e Demokleut, çka e çoi në tri palë zgjedhje, duke rrezikuar të katërtat në as dy vjet.

Pas zgjedhjeve të qershorit 2026,

kur VV me LDK arritën marrëveshje politike për president konsensual të propozuar nga LDK, e cila doli me emrin e një figure të respektuar si e Bekim Sejdiut, kuorumi u bë i pamundur, sepse gjashtë deputetë të saj, si reminishencë e aleancës së vjetër me PDK, i bën puç vendimit të kryesisë e forumeve brendapartiake.

Për llogari partiake, emri i respektuar i Bekim Sejdiut nuk u pranua as nga PDK, edhe kur Kurti premtoi votimin e ligjit të Dhomave të Specializuar, çka e bëri z. Sejdiu të tërhiqej publikisht, që emri i tij të mos gojohej nëpër kuluaret e llogarive politike.

Po kështu, të katër kryetarët e partive parlamentare e kaluan në heshtje dhe në mungesë të plotë serioziteti propozimin e emrit të Faton Bislimit për president të Republikës së Kosovës nga Ambasadori Walker dhe ish Kongresmeni Joe DioGuardi, megjithëse Faton Bislimi është një figurë e mirënjohur për aktivizëm lobist në Washington DC prej dy dekadash, me një komunikim e njohje me administratat e SHBA, qofshin Republikane apo Demokrate, kur ky komunikim sot do të duhej të forcohej më shumë se kurrë.

Për zgjedhjen e institucionit të presidentit të Republikës, PDK i ushtroi presion dhe diktat VV duke mos u mjaftuar me kalimin e Ligjit të Dhomave Speciale, por duke kushtëzuar votimin për një kandidate politike nga kjo parti.

Ndërkohë, prej 16 shtatorit nuk janë ndalur protestat, në emër të UÇK, por me pjesëmarrjen e njerëzve të lidhur direkt me Katërshen e Hagës. Nuk flas për familjarët, por për persona që deklarojnë se protesta nuk është e PDK, ndërkohë në fotot e profilit të tyre në Facebook shfaqen me Kadri Veselin e Azem Sylën. E kam fjalën për Çlirim Hazirin, drejtuesin e nismës “Jo në emrin tim”.

Në këtë situatë dramatike, VV nuk i mbeti alternativë-

ose zgjedhjet e reja të parakohëshme, ose zgjedhja e Presidentes së Republikës së Kosovës në sekondat e fundit.

Disa mendonin se zgjedhjet e reja duheshin se kishin me e sakatu si LDK dhe PDK ndërsa AAK e kishin nxjerrë krejt jashtë loje.
Edhe ky variant ish.
Por shumë ma mirë kështu.

Natyrisht që Kosovës i duhet stabilitet, por, ndonëse zgjedhja e Prof. Justina Shiroka Pula i dha fund krizës institucionale,

nxori në pah moskonkordancën, që s’ka lidhje parimore në respekt të votës, por interesash partiake,

duke e zëvendësuar komunikimin institucional e transparent me logoritë e rrjeteve të klientelizmit partiak të opozitës.

Ndërkohë, tregoi se nuk ishte e vështirë të zgjidhej Presidenti i Republikës.

Por ky fakt nuk e shmang nga përgjegjshmëria asfare maxhorancën.

Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje të krizave në momentin e fundit,

Kosova nuk ka nevojë fare për kriza, prandaj janë institucionet për parandalimin e tyre.

Dhe nuk është zor të zbulohet se kryefjala e këtyre krizave, (çka do të duhej të ishin shmangur vite më parë), është ngërçi Kushtetues që lidhet direkt me institucionin e presidentit. E njëjta Kushtetutë, që me 61 vota legjitimon konstituimin e Kuvendit, të qeverisë, bile edhe zgjedhjen e presidentit, me mekanizmin e kuorumit, kërkon pjesëmarrjen e 80 deputetëve dhe, nëse ky kuorum nuk përmbushet, e njëjta Kushtetutë rrëzon vetveten dhe çon vendin në zgjedhje dhe kriza institucionale.

Prandaj Kuvendi i Kosovës në këtë sesion të ri duhet ta fusë në rend të ditës zgjidhjen e këtij çarku institucional që Kushtetuta e Kosovës e mban brënda vetes, kundër vetes.

Në fund, uroj që Kosova, Sovrani i Kosovës, në të ardhmen ketë përfaqësues të denjë e të përfaqësohet denjësisht në Kuvendin e saj,

larg praktikës së deritashme

se Krahu i Luftës duhet të vazhdojë të përfitojë trofetë e pushtetit,

larg militantizmit pa kredite individuale

dhe larg infiltrimeve të shërbimit inteligjent të ish vendit pushtues, që nuk heq dorë nga ankthet e mitologjisë mesjetare.

Kurrë më Kosova të përballet me një zgjidhje të improvizuar sekondave të fundit, si një mungesë eksplicite përgjegjshmërie nga ata të cilëve Sovrani ua ka besuar votën.

Zonjës Presidente Prof.Justina Shiroka Pula i uroj sukseset më të mira në mandatin pesë vjeçar në shërbim të unitetit, interesit kombëtar e qytetarëve, duke forcuar lidhjet me Aleatët tanë Perëndimore drejt perspektivës Euro-Atlantike të Republikës së Kosovës.

Kosova tashmë e ka Presidenten e saj të re- Nga FATON BISLIMI

 

Së pari, dua t’i uroj nga zemra znj. Justina Shiroka-Pula detyrën e re dhe t’i dëshiroj shëndet, urtësi dhe suksese në ushtrimin e përgjegjësisë së saj të lartë kushtetuese. Presidenca është mbi çdo individ dhe mbi çdo parti; ajo është institucioni që duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit dhe dinjitetin e Republikës.

Procesi që na solli deri këtu ishte i vështirë dhe i zgjatur.

Dua të shpreh edhe një herë mirënjohjen time të përjetshme për dy burra që për mua përfaqësojnë një pjesë të lavdishme të historisë së marrëdhënies së Kosovës me Amerikën: Ambasadorin William Walker dhe Kongresistin Joe DioGuardi. Po ashtu, falëmnderim i sinqertë edhe për të gjithë të tjerët nga anembanë vendit dhe diasporës për çdo fjalë të mirë e çdo përkrahje.

Propozimi dhe besimi i tyre publik ndaj meje do të mbeten përjetë një testament politik dhe njerëzor që e çmoj mbi çdo funksion, mandat apo post.

Ata janë njerëz që e kanë mbështetur Kosovën në ditët kur kjo mbështetje kishte kosto, kur liria dhe pavarësia jonë nuk ishin ende realitet. Prandaj, besimi i tyre ndaj meje nuk është thjesht një mbështetje për një kandidaturë; për mua është një nder i jashtëzakonshëm që do ta mbaj me vete gjatë gjithë jetës.

Por dua ta them sot shumë qartë: Angazhimi im për Kosovën nuk ka filluar për ndonjë post, dhe nuk përfundon me të.

Nuk kam punuar për Kosovën për ndonjë pozitë. Kam punuar për Kosovën sepse e kam ndier si detyrim të jetës sime.

Kam punuar në Washington për më shumë se dy dekada, kam ndërtuar marrëdhënie me njerëz në të dyja anët e spektrit politik amerikan, kam mbrojtur interesat e Kosovës në kohë të mira e të vështira dhe kam dhënë gjithçka që kam mundur, pa e ditur nëse një ditë do të më kërkohej apo jo ndonjë detyrë shtetërore.

Kjo nuk ndryshon sot. Përkundrazi!

Ndoshta tani është koha që të gjithë të reflektojmë më thellë se çfarë lloj politike i duhet Kosovës.

Një politikë ku interesi i shtetit është mbi kalkulimin e radhës. Një politikë ku fjala e dhënë ka peshë. Një politikë ku kontributi për vendin nuk matet me përkatësinë partiake. Një politikë ku Kosova nuk përdoret si mjet për pushtet, por pushteti përdoret si mjet për Kosovën.

Vlerësoj se në një moment kaq të rëndësishëm, kalkulimet e ngushta politike dhe lojërat e minutave të fundit nuk duhet zënë vendin e vizionit afatgjatë dhe mirënjohjes ndaj kontributit të njerëzve që kanë punuar për Kosovën për dekada.

Megjithatë, unë zgjedh të shikoj përpara. Kosova ka qenë gjithmonë e para për mua. Dhe Kosova do të mbetet e para.

Do të vazhdoj të punoj për Kosovën, për forcimin e lidhjes sonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, për vlerat e Luftës Çlirimtare, për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe për një Kosovë të fortë, demokratike dhe euroatlantike.

Ndoshta koha që vjen do të kërkojë forma të tjera të angazhimit. Ndoshta Kosovës i duhet një frymë e re politike. Ndoshta ka ardhur koha që, përtej ndarjeve tradicionale, të ndërtojmë një alternativë që nuk pyet së pari se cilës parti i shërben Kosova, por pyet: Çfarë i shërben Kosovës?

Unë do të vazhdoj të jem aty. Jo për një post, titull, apo karrige. Por për Kosovën.

Sepse për mua, Kosova nuk ka qenë kurrë një mundësi për karrierë. Ka qenë mision!

Dhe misionet e jetës nuk përfundojnë me një angazhim!

Kosova e Para. Gjithmonë!

MISIONI: TA KALLUM KOSOVËN Nga Xhafer SHATRI

Marrëzi kolosale, sepse brenda kësaj kohe do të dalin në publik detaje pikante nga aktgjykimi që e dënoi shefin e saj historik me 25 vjet burg. Dhe ata që po e mbushin sheshin, shumica të lindur pas Luftës, do të ftohen shpejt dhe do të kthehen në shtrojerën politike që u takon: te brezi i ri i politikanëve që përfaqësojnë Kurti, Abdixhiku etj.

——-

Pas verdiktit në Hagë, më 16 shtator 2026, priteshin demonstrata e shprehje pakënaqësie. Por jo në këtë masë. Sepse logjikisht pritej që, së pari, të publikohej aktgjykimi e pastaj, në përputhje me të, të veprohej.

Si dikush që ka telashe shëndetësore dhe e pret rentgenin apo skanerin për t’u përcaktuar diagnoza e saktë.

Dhe në këtë rast nuk ndihmon as hoxha, as prifti, as protestat. Por mjeku që quhet qeveri. Sepse dëmtimi i Kosovës është aq i madh, sa që kërkohet një veprim i koordinuar, në thelb të të cilit duhet të jetë shteti e askush tjetër.

Po ndodh krejt ndryshe. Kauza e mllefit kundër vendimit të Gjykatës Speciale po kthehet në luftë të egër për pushtet.

Dhe në përplasje të qëllimshme me policinë.

Këtë po e nxisin ata që janë fajtorët kryesorë për themelimin e Gjykatës Speciale. Sepse, duke e themeluar atë, e shkelën sovranitetin e vendit. Madje nuk qitën kurrfarë kushtesh. Dhe tash, me një të rënë të lapsit, duan ta bëjnë joekzistente marrëzinë, fajin e tyre kolosal. Punë që s’bëhet.

Këtu tash hyjnë në veprim edhe faktorë të tjerë: zanatçinjtë e luftës hibride, për ta thelluar krizën dhe për të krijuar kaos në Kosovë. E këtu ka shumë argatë që paguhen rrast. Padronët e disa mediave dhe ata që i frikohen përballjes me ligjin me shumë se egjelit.

Ashiqare, PDK ka një strategji të qartë: ta shfrytëzojë rastin që, përmes trazirave, ta rritë rejtingun në zgjedhjet e ardhshme, të cilat, siç po shihet, do të mbahen pas 45 ditësh.

Marrëzi kolosale, sepse brenda kësaj kohe do të dalin në publik detaje pikante nga aktgjykimi që e dënoi shefin e saj historik me 25 vjet burg. Dhe ata që po e mbushin sheshin, shumica të lindur pas Luftës, do të ftohen shpejt dhe do të kthehen në shtrojerën politike që u takon: te brezi i ri i politikanëve që përfaqësojnë Kurti, Abdixhiku etj.

PDK ka edhe një hall tjetër. Duke qenë më shumë kartel se parti, aty nuk ka përballje idesh, por luftë të pamëshirshme bërrylash. Qëllimi është që, përmes trazirave, ta rrëzojnë jo vetëm qeverinë, por edhe liderin e kompromisit, Bedri Hamzën.

Fituesi moral në këtë përplasje është Policia e Kosovës. Rejtingu i saj po rritet, radhët e saj po forcohen përmes një diferencimi të qartë: ata që e mbrojnë shtetin dhe ata që, për interesa meskine, i shërbejnë kaosit.

Në këtë betejë të ashpër do të fitojnë ata që e duan shtetin dhe lirinë e pakthyeshme që ky përfaqëson.

Sot Dita e sotme e 6 Tetorit 2026 ka shansin historik Nga Elida Buçpapaj

Dita e sotme 6 Tetori 2026 ka shansin historik të shënohet si Dita e Konsensusit Politik e Kuvendit për hir të shtetit dhe Republikës së Kosovës,

si arritja kulmore për liri, demokraci e pavarësi që kurorëzoi sakrificat supreme të gjithë brezave e lëvizjeve për çlirim në ish Jugosllavi.

Shteti i Kosovës ka dy vjet që nëpërkëmbet politikisht si presion ndaj Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit, tre partitë e opozitës, të cilat i kanë humbur katër palë zgjedhje prej 2021 dhe do të humbin edhe të pestat nëse do të jenë shkaku kryesor i krizës institucionale prej mosvotimit të presidentit.

Kuvendi i Kosovës ka shansin që të hyjë në histori duke kurorëzuar një mision kombëtar si përfaqësues i Sovranit, si unitet partish brënda pluralizmit demokratik në mbrojtje të Republikës së Kosovës, dhe vlerave me të cilat identifikohet, ku një vend nderi zë UÇK.

Kuvendi i Kosovës, si përfaqësues i Sovranit

nuk mund kurrë t’i mohojë apo sulmojë,

me stilin antishqiptar të Edi Ramës,

Aleatët jetikë të Kosovës apo institucionet e Perëndimit kryesuar nga SHBA,

të cilët si Aleancë Verio-Atlantike iu gjendën në krah popullit të Kosovës

prej kur makineria kriminale e kryekasapit të Ballkanit po i vriste e dëbonte nga vatrat e tyre me genocid e spastrim etnik,

kur ia njohën të parat pavarësinë dhe ndikuan tek njohjet e tjera

e deri sot, nesër e përherë.

6 Tetori 2026 qoftë një ditë e bekuar e Kuvendit të Kosovës, e popullit të Kosovës për sanksionimin e legjitimitetit të institucioneve të shtetit e Republikës, ardhur si rezultat i një marrëveshje politike me dy pika nga PDK me maxhorancën, sepse pa legjitimitet institucional të shtetit të Kosovës nuk mund të ketë bashkërendim institucional për të ndjekur e mbështetur Katërshen përmes instancave të drejtësisë.

Opozita këto dy vjet përmes obstruksionizmit deri në shprehje antagonizmi brënda një sistemi pluralist, duke shpërfillur votën e Sovranit në demokraci, kanë sulmuar shtetin e Kosovës por edhe kanë vazhduar të defaktorizohen, sepse megjithë cfilitjen e elektoratit, opozita ka vijuar të humbasë votuesit e saj.

Le të shërbejnë këto dy vite të hidhura për demokracinë e Kosovës, që kanë sjellë për pasojë mosfunksionimin e plotë të shtetit, si mësim për never more, duke i lënë vendit unitetin kombëtar, bashkëpunimin dhe bashkërendimin institucional, të pushtetit ligjbërës, me atë ekzekutiv, të drejtësisë deri tek Presidenti i Republikës që të fokusohen tek temat qendrore të interesit kombëtar të Republikës së Kosovës, ku përfshihet forcimi i lidhjeve me Aleatët Perëndimorë, integrimet Euro-Atlantike të Kosovës dhe mbështetja e Katërshes.

Ashtu u bëftë. U bëftë më e mira për çdo qytetar të Republikës së Kosovës në respekt të tempullit të demokracisë që është shteti i së drejtës.

Jemi shqiptarë, jemi vëllezër e motra të një gjaku, kurrë më vëllavrasje!

Kosova dhe ish liderët e UÇK-së në kurthin e Realpolitikës! – Nga Dr. JORGJI KOTE

 

Pas Vendimit gjyqësor të Dhomave të Specializuara në Hagë më 16 Shtator në Kosovë, në Shqipëri dhe në të gjitha trevat  e banuara nga shqiptarët, krahas protestave masive  po ziejnë debatet dhe diskutimet që ka shkaktuar  dënimi i 4 liderëve të Ish UÇK-së. Krahas të tjerash, ato lidhen  edhe me  rolin e BE-së dhe të SHBA-ve në Ballkanin Perendimor në gati 30 vitet e fundit, sidomos pas konfliktit në Kosovë. Edhe pse në këto debate vërehet në jo pak raste  prirja  për ta trajtuar këtë ngjarje të trishtë  të shkëputur nga dinamikat gjeopolitike të këtyre tre dekadave  dhe sidomos Realpolitika e ngurtë dhe e pamëshirshme, qoftë dhe e aleatëve tanë perendimorë; ca më keq akoma, ne vahdojmë t‘i shohim BE-në dhe SHBA-të me syzet dhe me prizmin e viteve 90, duke shpërfillur ndryshimet tektonike që kanë ndodhur në strategjinë, sfidat dhe  dinamikat e tyre  demokratike. Këtë nuk e themi për të justifikuar dhe ca më pak për ta mbrojtur BE-në apo edhe SHBA-të nga kritikat e drejta për dështimet  e tyre  në Ballkan. Por i përmendim që nisur nga këto zhvillime dhe mësime gjeopolitike, të nxjerrim mësime mbi sjelljen dhe  qëndrimet tona diplomatike në të ardhmen.

Meqenëse gjatë gati 30 viteve të fundit  jam marrë aktivisht me këto dosje si diplomat në Tiranë, në Berlin dhe në Bruksel dhe vitet e fundit si analist i pavarur diplomatik po në Bruksel, më poshtë po ndalem te hapat, sfidat dhe “psetë“ e dinamikave të Perëndimit në këto 3 dekada, ndikimet në rajon dhe në secilin vend.

Dihen tashmë fillimet pozitive dhe premtuese në vitet 90 në Ballkanin Perendimor. Mirëpo, sa i takon sigurisë dhe stabilitetit rajonal, krahas arritjeve, ka patur shumë zhgënjime të mëdha; shkaktare kryesore ishte dhe mbetet  Serbia, e cila  pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë ndërmori 4 luftra vëllavrasëse; kulmi i atij agresiviteti arriti me spastrimin masiv etnik në Srebrenicë më 1993 – 1995  dhe në vitin 1999 me konfliktin e armatosur në Kosovë deri në  pavarësimin e saj më 2008.

Ndërsa në  Shqipërinë tonë me shpresa të mëdha për një asociim të shpejtë në BE, për të cilën Komisioneri i saj Van de Broeck erdhi në Tiranë më 1995, farsa dhe dhuna zgjedhore e majit 1996, shembja e shtetit më 1997 dhe rebelimi ndaj shtetit në shtator 1998 i minuan shpresat dhe pritshmëritë tona europianizuese.

Për pasojë, mbas atyre ngjarjeve negative kudo në rajon dhe sidomos pas  përfundimit të konfliktit në Kosovë, në fillimin e viteve 2000, SHBA-të, BE-ja, OSBE-ja dhe KiE-ja e ridimensionuan tërësisht strategjinë e tyre tërësore ndaj të 6 vendeve të Ballkanit Perendimor nëpërmjet tre instrumentave madhorë –  Procesi i Stabilizm& Asociimit për gjashtë vendet tona; natyrisht një kategori më e ulët se Marrëveshjet e Asociimit për shkak të gjendjes më të rënduar  dhe me kushte me të forta me rezultatet e njohura. Drejtimi i dytë ishte krijimi i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, një miniaturë e  Aktit Final të Helsinkit; vetëm se në vend të “tri shportave“, Pakti kishte “tre tryeza“ me të njëjtat emra – demokracia dhe të drejtat e njeriut, bashkëpunimi ekonomik dhe siguria. Pakti u nënshkrua në Samitin e tij të  Sarajevës me praninë edhe të Presidentit Clinton më 30 korrik 1999. Më vonë, në vitin 2008 ai u kthye në  Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) me seli në Sarajevë. Dhe së treti krijimi i shtetit të ri të pavarur të Kosovës dhe në vijim, fillimi i dialogut politik me Serbinë që vijon prtej 15 vitesh.

Veç sa sipër, për të qenë objektivë në analizat politike, do theksuar se ndryshe nga gjendja përpara viteve 2000, kur SHBA-të dhe veçanërisht BE-ja ballafaqoheshin  me 1 – 2 konflikte ndërkombëtare dhe  me kriza të brendshme, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe më tej, ato janë përfshirë  në  kriza të   njëpasnjëshme politike, ekonomike, sociale, humanitare, diplomatike dhe ushtarake.

Ky historik i trishtë filloi më sulmet terroriste të datës 11 Shtator 2001 kundër kullave binjake në Nju Jork. Në vijim, SHBA-të dhe NATO ndërhynë ushtarakisht në Irak dhe në Afganistan që vazhdoi deri vonë. Pastaj Europën e mbërtheu kriza më e rëndë financiare, si pasojë e të cilës Italia, Greqia dhe Portugalia ishin në prag falimenti. Në vitin 2011 filloi Pranvera Arabe me mbështetjen e BE-së, e cila  dështoi dhe një ndër pasojat e saj ishte krijimi i Shtetit islamik dhe lufta e tij  kundër Perëndimit. Kulmet e asaj lufte ishin atentatet terroriste në Paris, Bruksel, Madrid, Londër, Berlin, etj, me pasoja tragjike, të cilat spostuan axhendat e tjera.

Dhe kur kjo luftë ishte në kulmet e veta, në Europë shpërtheu kriza biblike e  azilit, kur mbi 1 milion refugjatë hynë në Europë dhe miliona të tjerë ishin gati. U desh ndihma e Turqisë, e cila strehoi 4 milion refugjatë dhe pengoi vërshimin e tyre.

Ndërkohë, pas aneksimit të pjesës lindore të Ukrainës nga Rusia në vitin 2014, BE-ja me SHBA-të, Rusinë dhe Ukrainën u angazhua për miratimin e dy Marrëveshjeve të Minskut më 2016, plus Marrëveshjes tjetër të vështirë  për paqe më Iranin.

Kështu erdhi pandemia COVID -19 me sfida dhe vështirësi të jashtëzakonshme për BE-në; krahas shumë masave të tjera dragoniane, për herë të parë në historinë e vet ajo miratoi me shumë vështirësi blerjen e përbashkët të një borxhi stratosferik prej 750 Miliard Euro, për t‘u ardhur në ndihmë vendeve më të prapambetura.

Dhe ende pa e marrë vehten nga pandemia e rëndë, më 24 Shkurt 2022 Rusia ndërmori agresionin e paprovokuar kundër Ukrainës, çka krijoi një realitet dhe dinamikë krejtësisht të re gjeopolitike, tanimë me shumë të panjohura, sfida dhe kërcënime jetike edhe për BE-në, të cilat janë përshkallëzuar më tej në formën e Luftës Hibride ruse edhe kundër vetë NATO-s. Shto këtu vështirësitë e krijuara me Presidencën Trump, pretendimet madhore gjeopolitike të Kinës, Inteligjenca Artificiale dhe krizat e brendshme me forcimin e  ekstremit të djathtë, sidomos në Francë dhe Gjermani dhe tablloja bëhet akoma më e zymtë.

Në këtë gjendje të mbingarkuar gjeopolitike për aleatët tanë dhe për pasojë edhe për Kosovën, pavarësia e saj dhe vendimi i GJND-së më 2010 që konfirmoi pajtimin e saj me të drejtën ndërkombëtare përkuan me fillimin e të ashtuquajturës “ diplomaci qetësuese” ( appeasement) të BE-së ndaj Rusisë dhe Serbisë, meqenëse kjo e fundit mbetet e lidhur ngushtë me Moskën dhe si vendi më i madh në rajon.

Thelbi i politikës qetësuese/paqtuese ka të bëjë me lëshime të ndryshme, më shqip, marrja me të mirë e armikut, agresorit, diktatorëve, me qëllim zbutjen dhe çtensionimin  e situatës, për parandalimin e përshkallëzimit të veprimeve luftarake prej këtyre të fundit. Për fat të keq, me këtë politikë të destinuar të dështonte, BE-ja i “ hipi kalit mbrapsht”, duke injoruar pësimet e  saj të hidhura në fund – vitet 30, si pasojë e naivitetit politik të Kryeministrit britanik Çambërlen ndaj Hitlerit; ajo kulmoi me nënshkrimin e Marrëveshjes famëkeqe të Munihut më 1938, nëpërmjet të cilës, për ta qetësuar dhe larguar Hitlerin nga kursi agresiv, i dhanë rajonin e Sudeteve në Çeki; por shumë shpejt  ai sulmoi Poloninë dhe pastaj Bashkimin Sovjetik, duke ndezur kësisoj  zjarrin e Luftës së II Botërore.

Liderët e BE-së nuk iu referuan as dështimit tragjik të diplomacisë qetësuese  të Dërguarit Special të SHBA-ve, Syrus Vance dhe të  BE-së për Bosnien, Lordi David Owen. Më 2 Janar 1993 ata shpallën me bujë “Planin e Paqes” për Bosnien. Emërimi i tyre pati një jehonë të gjerë ndërkombëtare nisur edhe nga profili i tyre i lartë politik. Lordi David Owen, ishte Ministër i Jashtëm  në qeverinë e Callaghan më 1977-1980 dhe zv.President i  Konferencës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë 1992 – 1995 i caktuar nga BE-ja. Ndërsa Syrus Vance ( 1917 – 2002) kishte shërbyer si Sekretar Shteti në Administratën e Presidentit Carter më 1977 – 1979; të dy  artizanë  të diplomacisë “qetësuese ose me kulaç”

Mirëpo, edhe pse tejet i favorshëm për Beogradin, të cilit i premtonte gjysmën e Bosnies,  Milosevici e hodhi poshtë Planin, sepse oreksi i tij kriminal nuk kishte të ngopur. Për pasojë, në Qershor, Vance dhe Owen dhanë dorëheqjen, duke pranuar fiaskon e Planit të Paqes në Bosnie dhe diplomacisë  së tyre (sh)qetësuese.

Dihen tashmë pasojat e dhunës dhe genocidit të pashëmbullt me mbi 100.000 boshnjakë të pafajshëm të vrarë, rrethimin e gjatë të  Sarajevës,  dëmet dhe shkatërrimet masive të ultranacionalistëve serbë nën hundën e trupave të OKB-së. Ata  pushtuan  edhe zonën nën administrim e OKB-së, duke përfshirë Srebrenicën, ndonëse kjo e fundit ishte shpallur zonë e mbrojtur me vendim të KS të OKB-së, duke ekzekutuar  8500 burra të pafajshëm boshnjakë Perëndimi u fut me trupat e tij. Vetëm nën trysninë ushtarake, pra të “ kërbaçit” Milosevic u ul në tryezë dhe nënshkroi Marrëveshjen e Paqes së Daytonit më 14 Dhjetor 1995.

Mirëpo çuditërisht, BE-ja, natyrisht me miratimin e SHBA-ve, jo vetëm nuk u tërhoq nga ky kurs i gabuar, por e institucionalizoi diplomacinë qetësuese  me Serbinë dhe me Rusinë.  Si shpërblim për strategjinë e saj qetësuese pro-ruse,  Europa do të përfitonte ” dividentin e paqes” dmth tarifa të ulta të blerjes së naftës dhe gazit nga Rusia, me ndikime pozitive në ekonominë gjermane e sidomos në industrinë e saj të  automobilave. Dihet tani se pas 24 Shkurtit 2022 ajo po e paguan “ si frëngu pulën” atë djall dividenti dhe diplomaci që po i del nga hundët!

Pikërisht në kulmin e diplomacisë qetësuese, për ta marrë me të mirë  si Moskën dhe Beogradin  dhe për një gjoja ekuilibër politik, kur aleatët tanë e quajtën “ të kopsitur” misionin e tyre ndaj Kosovës, BE-ja filloi dialogun politik Serbi – Kosovë.

Mirëpo edhe në politikë “oreksi vjen duke ngrënë”. Ndaj në këtë klimë tejet të favorshme për ta, Moska dhe Beogradi kërkuan hapur akoma më shumë nga BE-ja dhe SHBA-të. Një nga kërkesat e tyre në dukje dhe në parim e drejtë por me hile nga pas ishte  që të nxirreshin përpara drejtësisë  ata liderë të UÇK-së të lidhur me krimet sipas tyre të kryera në Kosovë. Terrenin që kjo kërkesë të mos binte “ në vesh të shurdhët “ e kishte përgatitur me kohë Prokurorja Carle del Ponte. Realizimi i kësaj kërkese u administrua nëpërmjet Senatorit zviceran,  Dick Marty,  i cili 10 vjet mbasi kishte mbaruar konflikti u kujtua dhe  i paraqiti, natyrisht “ me porosi nga lart”  Asamblesë Parlamentare të KiE-së raportin famëkeq me akuzat e njohura ndaj liderëve të UÇK-së.  Raporti u diskutua dhe u miratua në Strasburg më 25 Janar 2011 me shumicë dërmuese votash; por si raport politik, me aludime të cilët duhej t’i nënshtroheshin  gjykimit nga një gjykatë asnjanjëse, në emër të Kosovës  me seli në Hagë. Aleatët tanë nuk donin tia prishnin qejfin Moskës dhe Beogradit.

Tani pretendimet se pse deputetët tanë në Strasburg e miratuan raportin/rezolutën nuk qëndrojnë dhe nuk kanë asnjë kuptim; edhe sikur ata ta pak deputetë që kishim në Strasburg të votonin kundër, asgjë nuk do të ndryshonte, se gjithçka ishte vendosur tjetërkund; vetëm se do të cënonim marrëdhëniet me aleatët tanë që kishin çliruar Kosovën dhe na donin vetëm të mirën por dhe drejtësi. Pastaj, të mos harrojmë se me 21 Janar 2011 në  Tiranë u vranë  4 vetë në protestë e madhe të opozitës; ndaj, gjithë vëmendja e politikës sonë ishte te sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar mbi atë ngjarje tragjike.

Në vijim, po me mbështetjen e aleatëve tanë europianë lindi dhe u miratua ideja për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Realisht, edhe ajo, ca më tepër në rrethanat e mbi 10 viteve më parë nuk mund të kundërshtohej dot as me numra dhe as me logjikë politike nga deputetët tanë. Ca më tepër kur SHBA-të dhe BE-ja, partizanë të saj e kishin sqaruar se nuk bëhej fjalë për UÇK-në, por për të dhënë drejtësi për këdo. Dhe prapë ne nuk mund të dilnim dot kundër, se do te na bllokonin aleatët, nuk do çeleshin negociatat dhe Kosova nuk do të përparonte  me njohjen e saj, krahas prishjes së imazhit si partnerë të  të dy vendeve tona.

Natyrisht, me një linjë të tillë ideologjike, diplomacia europiane dhe ajo amerikane do të mbante qëndrime të njanshme të dukshme. Praktikisht, BE-ja e ka trajtuar Beogradin pothuajse në të gjitha rastet “si të nënës, ndërsa Prishtinën si të njerkës”; me Beogradin, ajo ka ndjekur diplomaci qetësuese/përkëdhelëse ose “ me kulaç” ndërsa me Prishtinën çuditërisht atë të shtrëngimit dhe të kërbaçit” me  sanksione të njohura. Kjo u pa tani së fundi edhe me rastin e homazheve të kryekriminelit të luftës, Mlladiç, kur BE-ja u mjaftua me disa paralajmërime si ato kineze të 5 dekadave më parë, se tani me Kinën nuk bëhet më shaka. Pse? Sepse BE-ja dhe SHBA-të duan ta mbajnë Serbinë me çdo  çmim në anën e tyre.

Prirja e lartpërmendur u shfaq edhe me rastin e dakordësimit  të Marrëveshjes së të Ohrit në shkurt  2023; një kopje “fjalë për fjalë” e Marrëveshjes së vitit 1972 midis RFGJ-së dhe RDGJ-së dhe vetëm me shtesën e Asociaionit ; ashtu siç edhe pritej, pa asnjë rezultat, sepse  ata “kanë vënë karrocën përpara kalit”, dmth Asociacionin famëkeq përpara njohjes nga Serbia të Kosovës. Nuk është parë ndokund që  dy vende fqinj bëjnë 15 vite dialog dhe prapë  nuk e  njohin njeri tjetrin; ndërsa RFGJ-ja më 1973 e njohu menjëherë RDGJ-në “ de fakto” dhe lejoi anëtarësimin e saj në OKB brenda 6 muajve. Mirëpo, a mund të krahasohet Serbia me RFGJ-në, Vuçiç me Nobelistin emblematik Willy Brandt, politika paqësore dhe e ndjesës e RFGJ-së pas vitit 1945 me agresivitetin e Milosevicit dhe Vuçiçit përpara, gjatë dhe pas viteve 1990 dhe sot në pushtet? Ndaj Marrëveshja e Ohrit ka mbetur në letër, ndërsa dialogu midis tyre është i vdekur por i pakallur.

Lidhur me vendimin e Hagës për liderët e UÇK-së, pa dyshim që ai  ka shumë politikë brenda tij, edhe pse është zbutur duke kaluar nëpër filtrat dhe kanalet gjyësore, duke hequr krimet kundër njerëzimit, trafikimin e qenieve njerëzore, etj.

Mirëpo, në pikpamje të Realpolitikës, me keqardhje theksojmë se me përjashtim të Kosovës dhe vendit tonë, ai dënim i kënaq të gjitha fuqitë e mëdha dhe palët kryesore – SHBA-të, BE-në, Rusinë, Kinën, Serbinë dhe të tjerë. E kundërta do të ndodhte në rastin e pafajësisë, çka vetëm se do të ndërlikonte edhe më tej rebusin  gjeopolitik që edhe pa të është i tejet i ngatërruar. Veç sa sipër, do patur parasysh se nuk jemi më në vitet 90, kur BE-ja dhe SHBA-të mbronin me çdo çmim vlerat dhe parimet universale dhe të drejtën ndërkombëtare, pastaj edhe interesat; por sot po ndodh e kundërta dhe këtë e kanë thënë hapur Trump, von der Leyen, etj. Shkurt, SHBA-të dhe BE-ja kanë interesa më të mëdha ekonomike, etj me Serbinë.

Veç sa sipër, ndryshe nga 25 vite më parë, Kosova nuk është më në krye të axhendës gjeopolitike të aleatëve tanë të mëdhenj. Sa për fatin e  3 – 4 ish liderëve të UÇK-së, me keqardhje e themi, por sipas Realpolitikës, ai është kalimtar. Siç e ka shprehur me një krahasim të gjetur ambasadori i famshëm amerikan Thomas Pickering “ ndryshe nga arkeologjia që zbulon të panjohurën, diplomacia mbulon të njohurën“! Kështu po ndodh edhe këtë radhë. Deklarata e BE-së dhe SHBA-ve në mbështetje të vendimit të Hagës e konfirmon këtë dukuri jo të mirë për ne.

Së fundi, ajo çka mbetet për t’u bërë nga Kosova dhe Shqipëria dhe në përgjithësi nga faktori shqiptar në botë për fazën e apelimit të vendimit të Hagës i takon një shkrimi tjetër. Por fare shkurt, le ta themi se në radhë të parë do hequr dorë nga strategjia e deritanishme e dëmshme dhe dështake e Kryeministrit Rama, e cila siç i thonë fjalës nuk të shpie as te  “ura e Beshirit”. Duke filluar nga fjalimi skandaloz më 12 Tetor 2022 përpara Asamblesë Parlamentare të KiE-së në Strasburg,  stigmatizimet e papranueshme  ndaj Hagës, memecllëku i pafalshëm në OKB dy javë më parë për Kosovën, kur Vuçiç foli mbarë e prapë kundër saj dhe deri  te gafa e rëndë me qortimin e gabuar të Presidentit Biden si “ tradhtar i Thaçit”; kur dihet botërisht se Presidenti Bideni ka bërë aq shumë për Kosovën për mbi 5 dekada edhe si  Senator; gjithsesi ai nuk ka lidhje me këtë temë, mbasi më 2015 President ka qenë Obama, më 2017 dhe tani Trump. Ndaj, Rama mund të qortonte ata të dy, ndërsa Bidenit t’i uronte shëndet dhe jetë, se tumori po i përparon dita ditës.

Për pasojë, Rama është në konflikt interesi me këtë temë, ndaj do të bënte mirë  t’ia linte dosjen diplomacisë tonë me goxha përvojë në këtë fushë, që të punojë me kanalet e saj diskrete, pa bujë dhe zhurmë, në bashkëpunim të ngushtë me Prishtinën zyrtare; nëse mundet të gjejnë dhe financojnë avoketër të zot, duke ndryshuar ndoshta edhe strategjinë e mbrojtjes.

Po aq, në mos edhe më e rëndësishme është që Prishtina t’i japi fund krizës së zgjatur institucionale, se vetëm kështu  do të na dëgjojnë dhe besojnë, të shoqëruara, pse jo, me instrumenta politike, protesta dhe forma të tjera publike. Gjithsesi, megjithë rëndësinë e tyre publike dhe mediatike, vendimi i padëshiruar i Hagës në Apel nuk mund të përmbyset vetëm me akte dhe veprime politike dhe parlamentare, por edhe me demarshe dhe nisma juridike, por detyrimisht në kontakte, konsultime dhe bashkëpunim me aleatët tanë perendimorë dhe Dhomat e Specializuara në Hagë; mbi të gjitha jo për të fituar disa pikë zgjedhore brenda vendit; por për të qenë sa më bindës dhe për të bërë maksimumin edhe me instrumentet tona diplomatike me SHBA-të dhe BE-në; ca më tepër se gjasat janë që ato do  vazhdojnë diplomacinë qetësuese dhe përkëdhelëse ndaj Serbisë.

MISIONI: TA KALLUM KOSOVËN- Nga XHAFER SHATRI

 

Pas verdiktit në Hagë, më 16 shtator 2026, priteshin demonstrata e shprehje pakënaqësie. Por jo në këtë masë. Sepse logjikisht pritej që, së pari, të publikohej aktgjykimi e pastaj, në përputhje me të, të veprohej.

Si dikush që ka telashe shëndetësore dhe e pret rentgenin apo skanerin për t’u përcaktuar diagnoza e saktë.

Dhe në këtë rast nuk ndihmon as hoxha, as prifti, as protestat. Por mjeku që quhet qeveri. Sepse dëmtimi i Kosovës është aq i madh, sa që kërkohet një veprim i koordinuar, në thelb të të cilit duhet të jetë shteti e askush tjetër.

Po ndodh krejt ndryshe. Kauza e mllefit kundër vendimit të Gjykatës Speciale po kthehet në luftë të egër për pushtet.

Dhe në përplasje të qëllimshme me policinë.

Këtë po e nxisin ata që janë fajtorët kryesorë për themelimin e Gjykatës Speciale. Sepse, duke e themeluar atë, e shkelën sovranitetin e vendit. Madje nuk qitën kurrfarë kushtesh. Dhe tash, me një të rënë të lapsit, duan ta bëjnë joekzistente marrëzinë, fajin e tyre kolosal. Punë që s’bëhet.

Këtu tash hyjnë në veprim edhe faktorë të tjerë: zanatçinjtë e luftës hibride, për ta thelluar krizën dhe për të krijuar kaos në Kosovë. E këtu ka shumë argatë që paguhen rrast. Padronët e disa mediave dhe ata që i frikohen përballjes me ligjin me shumë se egjelit.

Ashiqare, PDK ka një strategji të qartë: ta shfrytëzojë rastin që, përmes trazirave, ta rritë rejtingun në zgjedhjet e ardhshme, të cilat, siç po shihet, do të mbahen pas 45 ditësh.

Marrëzi kolosale, sepse brenda kësaj kohe do të dalin në publik detaje pikante nga aktgjykimi që e dënoi shefin e saj historik me 25 vjet burg. Dhe ata që po e mbushin sheshin, shumica të lindur pas Luftës, do të ftohen shpejt dhe do të kthehen në shtrojerën politike që u takon: te brezi i ri i politikanëve që përfaqësojnë Kurti, Abdixhiku etj.

PDK ka edhe një hall tjetër. Duke qenë më shumë kartel se parti, aty nuk ka përballje idesh, por luftë të pamëshirshme bërrylash. Qëllimi është që, përmes trazirave, ta rrëzojnë jo vetëm qeverinë, por edhe liderin e kompromisit, Bedri Hamzën.

Fituesi moral në këtë përplasje është Policia e Kosovës. Rejtingu i saj po rritet, radhët e saj po forcohen përmes një diferencimi të qartë: ata që e mbrojnë shtetin dhe ata që, për interesa meskine, i shërbejnë kaosit.

Në këtë betejë të ashpër do të fitojnë ata që e duan shtetin dhe lirinë e pakthyeshme që ky përfaqëson.

Shqipëria i ka punët kështu si i ka sepse ka pak nacionalizëm, por kjo nuk pritej nga politikanët e Kosovës- Nga Skënder Sadri KAPITI

Faton Bislimi

 

 

Nuk pritej ky zhgënjim nga politika kosovare pas shpalljes së Pavarësisë së saj, sepse ashtu si komunistët  shqiptarë që merrnin paratë dhe armët nga Britania, por shpirin e kishin te Moska, ashtu po veprojnë edhe sot politikanët në Shqipëri por edhe në Kosovë të cilët deklarohen si proamerikanë por me zemër janë enveristë,  titistë dhe të korruptuar.

Shkaku që më nxiti për t’a shkruar këtë shkrim është ai që Kosova është në udhëkryq politik institucional që vjen si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, dhe në lidhje më këtë edhe një shkrim brilant te publicistes  Znj. Elida Buçpapaj me titull” Albin Kurti @ opozita duhet të bien dakord për Faton Bislimin , kandidatin për president konsensual propozuar nga kongresmeni JoeDioguardi & ambasadori Walker”. Vlerësoj dhe gjykoj se Znj. Buçpapaj në analizën e saj jep këshillë mjaft të vlefshme dhe të mirëargumantuar për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës pasi propozimi vjen nga dy miq të mëdhenj të Kosovës që janë  për mendiin tim dhe heronj të shtetit të Kosovës për atë kontribut historik të tyre për lrinë dhe pavarësinë e Kosovës.Shkrimi i Znj. Buçpapaj shërben  si leksion për politikën kosovare dhe për atë shqiptare në tërësi, ku nga ai shkrim po citoj se: “Nuk ka ndodhur kurrë në historinë moderne të shtetit që dy nga Figurat më të shquara me ndikim thelbësor në arritjet që Kosova gëzon sot,

sikur Ambasadori Walker që e ktheu rrotën e historisë në favor të viktimës

dhe Kongresmeni JoeDioGuardi që e vuri temën e Kosovës si çështje për t’u zgjidhur në kryemetropolin e demokracisë Washington D.C

në favor të Kosovës e popullit të saj të nëpërkëmbur, të shtypur e konsideruar i dorës së fundi nga regjimi kriminal serb,

bashkë që të dy,

dy Zëra të Fuqishëm që vijnë nga SHBA,

të propozojnë të njëjtin emër si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës.

Emrin e Faton Bislimit i cili ka filluar bashkëpunimin me administratat Amerikane, me Kongresin e SHBA dhe Komitetin për Punë të Jashtme që kur drejtohej nga Kongresisti i shquar Miku i paharruar i kombit shqiptar Tom Lantosh.

Këto dy  figura të ndritura, DioGuardi dhe Walker dhe dy zëra të fuqishëm direkt me ndikim në Administratat e SHBA, bëhen garant për kandidaturën e Faton Bislimit si President i Republikës së Kosovës

ndërsa politika e dështuar e Kosovës bën syrin qorr e veshin shurdh duke sanksionuar falimentin e saj”.

Albin  dhe politika kosovare distancohuni nga enverizmi dhe nga Edi Rama, dhe këtë porosi timen është e mjafueshme dhe po ua sqaroj me atë se çfarë shkruan profesori i nderuar Z. Eshref Ymeri:”Si shërbëtor besnik i serbosllavizmit, Enver Hoxha nuk kishte absolutisht besim në energjitë krijuese të popullit shqiptar për rimëkëmbjen e vendit pas përfundimit të luftës. Prandaj ekzistencën e Republikës së Shqipërisë ai e shikonte të pamundur jashtë ombrellës shoviniste jugosllave.Kryeministri Rama është kreu i majtizmit në Shqipëri, majtizëm, i cili është trashëgimtar i drejtpërdrejtë i veprës tradhtare të Enver Hoxhës në marrëdhëniet me serbosllavizmin. Ishte pikërisht Enver Hoxha ai, i cili, nga hiç njeri, u peshkua me kohë e me vakt nga shërbimi sekret serb për t’u vënë në krye të Shqipërisë për interesat shoviniste të serbosllavizmit

Në plenumin e Beratit të vitit 1944 deklaroi: “Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë sepse imperializmi do ta gëlltiste;… e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konferderatë me Jugosllavinë…” Tre vjet më vonë dhe pikërisht më 15 dhjetor 1947, Enver Hoxha, i mbrujtur mirë tashmë me kolaboracionizmin tradhtar me shovinizmin jugosllav, në mbledhjen e Byrosë Politike del me këtë deklaratë publike, duke vazhduar poshtërimin e vendit të vet, sipas shembullit të Velimir Stojniçit tre vjet më parë: “Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.

“Po çfarë po bën kryeministri Rama, si pasardhës i Enver Hoxhës në krye të qeverisë majtiste? Në marrëveshje të plotë me Vuçiçin, po kërkon ta futë vendin tonë në minishengenin neojugosllav. Dhe nuk i bën përshtypje absolutisht fakti që pikërisht Vuçiçi është ai shovinist me damkë, i cili, në bashkëpunim të ngushtë me të tillë kryeshovinistë, si Shesheli dhe Nikoliçi, në fund të viteve ’90 patën hartuar Platformën për spastrimin etnik të Kosovës përmes masakrimit të njerëzve, vrasjeve masive, shpërnguljeve me dhumë dhe shkatërrimeve tërësore të vendbanimeve të popullsisë dhe të ekonomisë së saj”. https://telegraf.al/politike/prof-eshref-ymeri-kryeministri-rama-ecen-ne-gjurmet-e-enver-hoxhes/

Pra sa shpejt e harruan politikanët e Kosovës kolonizatorin dhe gjenocidin serb , duke arritur deri aty sa që ta mbajnë Kosovën dhe demokracinë peng për interesa personale pushteti, korrupsioni dhe hajnije.

Albin kur nuk ke  mundësi për të zgjedhur vetë presidentin, atëhere lërë kokëfortësinë dhe vepro sic të thotë aleati i madh i shqiptarëve , miqtë e sprovuar  si proshqiptarë të mëdhenj.

Albin  dhe opozita në Kosovë a nuk e dini se Pavarësia e Kosovës erdhi nga SHBA, dhe se pa SHBA-të shqiptarët nuk mund të bëjnë vetë ndonjë gjë të madhe?!

Albin dhe opozita e Kosovës dëgjoni SHBA-të , dhe ju opozita kosovare sidomos, mos merrni këshilla nga kryeministri i Shqipërisë dhe as nga nostalgjia enveriste, sepse pasojat e komunizmit po i vuajnë akoma edhe sot Shqipëria dhe shqiptarët.Nga kush do merrni mësime e këshilla nga ata që importojnë nga Kosova  në Shqipëri opininistë, gazetarë, politikanë, ministra dhe deri edhe   drejtues të SHISH  me lidhje spiunimi e agjenturash serbe?

 

 

Shqipëria jo vetëm sot por pothujse që kur shpalli Pavarësinë,  prej politikanëve dhe shtetarëve të saj mbeti gjithonë në udhëkryq dhe e fundit në rrugën e progresit, zhvillimit, mirëqënies dhe e para për kequnksionimin e ligjit, shoqërisë dhe  shtetit.Kjo për arësyen se në Shqipëri ka pasur por ende ka mungesë të theksuar të nacionalizmit, i cili është shpirti i Kombit.

 

Nacionalizmi gjithmonë ka ardhur nga Kosova, sepse ajo ka mbajtur peshën kryesore në historinë moderne , ajo ka mbajtur mbi supe dhe i ka kushtuar shtrenjtë  me plot sakrifica, mund, gjak e me jetë njerëzore.

Për Cështjen kombëtare, për pavarësinë, për lirinë dhe për bashkimin kombëtar, Xhafer Deva  ka një meritë të vecantë sepse për një periudhe të shkurtër kohe solli në Shqipëri edukatën nacionaliste.

 

Mirëpo nuk është aspak mirë që Kosova e pas luftës, nuk është mirë që politika kosovare mori eksperiencën politike të zullimqarëve komunistë e antinacinalistë të enveristëve në Shqipëri dhe të titistëve në Kosovë. Politika ,edhe ajo në Kosovë ka zhgënjyer shumë, sepse edhe ajo gjatë 27 viteve shtet, edhe në Kosovë politika, shteti, drejtësia dhe akademia  nuk iu nënshtrua Veting-ut, por edhe atje  hapur por edhe nën rrogoz janë akoma dhe drejtojnë politikën, drejtësinë, mediat dhe institucinet ishata me bindje enveristo-titiste. Fatkeqësisht Kosova mori eksperiencën e ishkomunisteve nga Shqipëria: atë të autokracisë, injorancës, korrupsionit, hajdutërisë , tradhëtisë, të përçarjes politike, të proamerikanizmit falso,të pazareve me troje dhe të klano-familjaro-partizantizmit politik.

 

Në Shqipëri është e vërtetë se ka shumë pak politikanë, media dhe intelektualë nacionalistë dhe Kosovëdashës, sepse kështu është gatuar njeriu i ri me botëkuptimin komunist ,revolucionar,antinacionalist dhe proletar. Mirëpo Kosova mjerisht këta dhe këshillat e këtyre i dëgjon dhe prandaj edhe Kosova i ka punët kështu si Shqipëria. Ju politika në Kosovë  vetëm yrnek politik nga Shqipëria nuk duhet të kishit marrë, kishit se nga ku të mësonit si bëhet  dhe si funksinon demokracia, kishit SHBA-të me të cilat duhet të konsultoheni besnikërisht me ta,dhe jo të deklaroheni si proamerikanë dhe të veproni krejt ndryshe dhe me hipokrizi e djallëzi. Jo të deklaroheni si proamerikanë dhe të vidhni, të korruptoni , të bëni pazare e të falni troje , dhe jo ta mbani Kosovën në krizë institucionale e të hyni në librin gines për stërzgjatjen maratonë dhe monotonë për zgjedhjen  Presidentit.

 

Politika në Kosovë nëse ia don  të mirën popullit, dëgjoni edhe këshillat e Kosovëdashësve dhe intelektualëve meritorë e patriotë nga Shqipëra. Nuk më rezulton që politika e derimësotme në Kosovë të ketë respektuar nga Shqipëria ndonjë trashëgimtarë të elitës nacionaliste nga Shqipëria,dhe as nga ata nacionalistë nga Shqipëria që kanë bërë burg politik pse kanë kundërshtuar komunizmin sllavo-shqiptar, që kanë kundërshtuar bashkim-vëllazërimin jugosllavo-shqiptar. Dhe nuk e di a ka dekoruar Kosova ndonjë  të djathtë nga Shqipëra që kanë  kontribuar për lirinë e Kosovës,ndërsa  ishkryeministri Thaci ua sillte në Shqipëri disa socialistëve dekoratat për kontributin e asnjëlloj kontributi që ata kanë dhënë për Kosvën.

Kur Kosova ka nevojë për bashkim – Nga Isuf B.Bajrami

Pse Faton Bislimi mund të jetë një mundësi alternative për një President konsensual

Kosova ka kaluar shumë prova në historinë e saj të re. Ka njohur shtypjen, rezistencën, luftën, ndërhyrjen ndërkombëtare, çlirimin, shpalljen e pavarësisë dhe përpjekjen e vazhdueshme për të ndërtuar një shtet demokratik e funksional.

Në secilën prej këtyre etapave, ajo ka pasur nevojë për njerëz që dinë të shohin përtej momentit politik dhe të kuptojnë një të vërtetë themelore: shteti është më i madh se çdo parti, grup apo interes i ditës.

Sot Kosova ndodhet sërish përballë një prej atyre momenteve kur politika duhet të dëshmojë pjekurinë e saj. Jo vetëm duke numëruar votat, por duke kërkuar atë që mund të bashkojë. Jo duke pyetur se kujt i përket një emër, por se kujt mund t’i shërbejë ai emër. Jo duke e parë institucionin si vazhdim të betejës partiake, por si një hapësirë ku Republika duhet të jetë më e madhe se të gjitha palët.

Në këtë kontekst, propozimi i William Walkerit dhe Joseph DioGuardit për Faton Bislimin si një mundësi për President konsensual meriton të dëgjohet.

Unë mendoj si Walker dhe DioGuardi se Faton Bislimi është një mundësi alternative që meriton të shqyrtohet seriozisht.

Jo sepse është kandidati i vetëm i mundshëm. As sepse një propozim që vjen nga dy miq të Kosovës duhet pranuar si urdhër. Republika e Kosovës ka institucionet e veta dhe vendimi duhet të merret në Kosovë.

Por një demokraci që e respekton veten nuk i mbyll dyert para një ideje vetëm pse ajo shfaqet në një moment të vështirë politik. Ajo e dëgjon, e peshon dhe pastaj vendos.

Dhe kur kjo ide vjen nga dy njerëz që e kanë njohur Kosovën në ditët e saj më të vështira, ajo meriton të dëgjohet.

Nga qëndresa te përgjegjësia

Në historinë shqiptare, figura të ndryshme kanë mbetur të rëndësishme jo vetëm për atë që kanë bërë në kohën e tyre, por për vlerat që përfaqësojnë edhe sot.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është kujtesë e qëndresës.

UÇK-ja është kujtesë e sakrificës për lirinë.

Anton Çeta është kujtesë e pajtimit.

Ibrahim Rugova është kujtesë e paqes dhe dialogut.

At Mark Sopi është kujtesë e ndërgjegjes, përgjegjësisë dhe bashkëjetesës.

Nënë Tereza është kujtesë e humanizmit.

Këto figura dhe këto momente u përkasin periudhave të ndryshme dhe nuk mund të vendosen artificialisht në të njëjtën vijë politike. Por prej secilës mund të nxjerrim një mësim për Kosovën e sotme.

Dhe mbase mësimi më i rëndësishëm është ky: një shoqëri bëhet më e fortë kur arrin të bashkojë atë që është e ndryshme rreth një interesi më të madh se vetja.

Skënderbeu na kujton qëndresën përballë rrezikut.

UÇK-ja na kujton çmimin e lirisë.

Por një shtet nuk ndërtohet vetëm me qëndresë dhe sakrificë. Pas luftës vjen detyra edhe më e vështirë: të ndërtosh paqe, institucione dhe një kulturë politike ku kundërshtari nuk trajtohet si armik.

Pikërisht këtu bëhet i rëndësishëm Anton Çeta.

Mësimi i Anton Çetës

Në vitet e nëntëdhjeta, kur Kosova jetonte nën një regjim shtypës dhe kur plagët brenda shoqërisë rrezikonin të prodhonin plagë të reja, Anton Çeta zgjodhi rrugën e pajtimit.
Ai nuk e pa pajtimin si dobësi.

E pa si forcë.

Nuk u kërkoi njerëzve të harronin dhimbjen, por t’i jepnin asaj një fund që të mos prodhonte dhimbje të re.

Pajtimi ishte një akt i guximshëm qytetar. Ishte dëshmi se një shoqëri mund të vendosë të mos mbetet peng i së kaluarës.

Sot, kur flasim për konsensus politik, ky mësim është më aktual se kurrë.

Pajtimi nuk është vetëm kapitull i së kaluarës. Është kulturë politike.

Konsensusi, po ashtu, nuk do të thotë që të gjithë mendojnë njësoj. Do të thotë që, edhe kur mendojmë ndryshe, dimë të gjejmë një qëllim më të madh se vetja.

Rugova dhe politika e dialogut

Në këtë kujtesë zë një vend të veçantë edhe Ibrahim Rugova.
Rugova e ndërtoi një pjesë të madhe të filozofisë së tij politike mbi rezistencën paqësore, dialogun dhe orientimin e Kosovës drejt botës demokratike.

Ai e kuptonte rëndësinë e aleatëve. Por e kuptonte edhe se Kosova duhej t’i dëshmonte botës se ishte e aftë të ndërtonte një shoqëri demokratike, tolerante dhe të respektueshme.

Për Rugovën, politika nuk ishte vetëm luftë për pushtet. Ishte edhe përpjekje për të krijuar një kulturë të re politike.

Një kulturë ku kundërshtari nuk duhej domosdoshmërisht të shndërrohej në armik.

Ku dialogu nuk ishte kapitullim.

Ku paqja nuk ishte dobësi.

Kjo trashëgimi politike është veçanërisht e rëndësishme sot, kur debati publik shpesh reduktohet në pyetjen se kush fitoi dhe kush humbi.

Një Republikë nuk ndërtohet vetëm mbi fitoret e njërës palë.

Ajo ndërtohet mbi aftësinë për të jetuar së bashku edhe pas betejës politike.

At Mark Sopi dhe dimensioni i ndërgjegjes

Pikërisht në këtë dimension lidhet natyrshëm edhe kujtimi i Imzot Mark Sopit.
Mark Sopi ishte një figurë e rëndësishme morale e Kosovës. Ai i dha jetës publike një dimension që shpesh mungon në politikë: dimensionin e ndërgjegjes.

Marrëdhënia e tij me Ibrahim Rugovën dhe bashkëpunimi i tyre në rrethana të vështira dëshmonin se njerëzit me role dhe bindje të ndryshme mund të gjejnë gjuhë të përbashkët kur përballë tyre qëndron një interes më i madh shoqëror.

Në vitin 2005, kur Rugova dhe Mark Sopi vendosën gurthemelin e Katedrales “Nënë Tereza”, simbolika e atij akti shkonte përtej një godine.

Ishte një shenjë e një Kosove që donte të ndërtonte të ardhmen mbi tolerancën, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën.

Dhe kjo është arsyeja pse Mark Sopi nuk duhet të kujtohet vetëm në ditë përkujtimore. Ai duhet të kujtohet edhe kur flasim për mënyrën se si duam ta ndërtojmë Republikën.

Nënë Tereza dhe humanizmi

Kjo frymë na çon natyrshëm te një tjetër figurë që e tejkalon çdo ndarje politike: Shën Nënë Tereza.
Nënë Tereza nuk është thjesht një emër shqiptar me famë botërore. Ajo është një nga simbolet më të fuqishme të humanizmit shqiptar në botë.

Mesazhi i saj ishte njerëzor para se të ishte politik: t’i shërbesh njeriut, t’i qëndrosh pranë atij që ka nevojë dhe ta ruash dinjitetin njerëzor edhe në rrethanat më të vështira.

Nëse Kosova dëshiron të ndërtojë një shtet demokratik, atëherë humanizmi nuk mund të jetë vetëm një fjalë ceremoniale. Duhet të jetë pjesë e kulturës së saj institucionale.

Sepse në fund të fundit, shteti ekziston për njeriun.

Walker, DioGuardi dhe një emër për t’u shqyrtuar

Në këtë kontekst duhet parë edhe propozimi për Faton Bislimin.
William Walker nuk është thjesht një emër në historinë diplomatike të Kosovës. Ai është dëshmitar i një prej kapitujve më tragjikë të historisë së saj moderne. E njohu Kosovën në kohën kur fjala e saj ende duhej të dëgjohej në botë dhe kur krimet që po ndodhnin këtu rrezikonin të mbeteshin nën heshtjen e politikës ndërkombëtare.

Ai pa dhe foli.

Për një popull që luftonte për të mos mbetur i harruar, kjo kishte peshë të jashtëzakonshme.

Sot, pas kaq vitesh, Walker kthehet përsëri me një mendim për Kosovën. Këtë herë nuk flet për luftën, por për një nevojë institucionale; jo për konfliktin, por për një figurë që mund të shërbejë si urë; jo për atë që na ndan, por për atë që mund të krijojë një pikë të përbashkët.

Ai ka propozuar Faton Bislimin për President.

Në krah të tij qëndron Joseph DioGuardi, një tjetër mik i kahershëm i Kosovës dhe një prej zërave amerikanë që për dekada ka punuar që çështja e shqiptarëve të Kosovës të dëgjohej në Washington.

DioGuardi e njeh Bislimin prej më shumë se dy dekadash. Kjo e bën propozimin e tij më shumë se një deklaratë të rastit: është një vlerësim që buron nga një njohje e gjatë.

Por edhe këtu duhet të ruajmë një parim të rëndësishëm.

Faton Bislimi nuk duhet të shihet si “kandidati amerikan”.

As si “kandidati i Walkerit”.

As si “kandidati i DioGuardit”.

Nëse një ditë do të bëhej President, ai do të mund të ishte vetëm President i Republikës së Kosovës.

Miqtë mund të tregojnë një rrugë.

Por rrugën duhet ta zgjedhë vetë Kosova.

Pse një alternativë meriton të dëgjohet

Nuk po them se Faton Bislimi është kandidati i vetëm i mundshëm.
As se duhet të jetë patjetër Presidenti i ardhshëm i Kosovës.

Po them diçka më të thjeshtë dhe, besoj, më të arsyeshme:

Faton Bislimi është një mundësi alternative që meriton të shqyrtohet seriozisht.

Në politikë, sidomos në momente të vështira, alternativa është vlerë.

Një shoqëri që nuk ka alternativa rrezikon të mbetet peng i ndarjeve të veta.

Një Republikë që kërkon konsensus duhet të jetë në gjendje të shohë edhe përtej emrave të zakonshëm, përtej llogarive të ditës dhe përtej pyetjes se cili krah politik do të dalë fitues.

Presidenti nuk është çmim i një partie.

Presidenti është institucion i Republikës.

Dhe një President konsensual duhet të jetë në gjendje të hyjë në një sallë ku janë të pranishëm njerëz që nuk pajtohen me të dhe të dalë prej saj pa e humbur respektin për ta.

Kjo është një nga sfidat më të mëdha të një Presidenti.

Jo t’i bindë të gjithë.

Por të jetë i respektueshëm edhe për ata që nuk e kanë mbështetur.

Një test për kulturën politike

Kandidatura e Faton Bislimit mund të shërbejë edhe si një test i kulturës sonë politike.
A jemi në gjendje ta shqyrtojmë një alternativë pa e parë menjëherë si kërcënim?

A mund të dëgjojmë një emër që nuk është domosdoshmërisht zgjedhja e parë e secilit?

A mund të kërkojmë një figurë që nuk bashkon vetëm një shumicë, por krijon një hapësirë më të gjerë mirëkuptimi?

Këto janë pyetje që duhet t’i bëjë politika kosovare.

Sepse Presidenti i Kosovës nuk duhet të jetë vetëm President i atyre që e kanë votuar.

Ai duhet të jetë edhe President i atyre që nuk e kanë votuar.

Këtu qëndron dallimi mes një kandidature partiake dhe një kandidature që synon konsensusin.

Nëse ekziston një kandidat më i mirë, le të dalë përpara.

Nëse ekziston një figurë tjetër që mund të bashkojë më shumë, le të dëgjohet.

Por le të mos e mbyllim derën para se ta kemi dëgjuar argumentin.

Kosova ka nevojë për një frymë

Ndoshta kjo është ajo që na mungon më shumë sot: jo një emër i përkryer, por një frymë politike.
Një frymë që e njeh vlerën e aleatit, por ruan dinjitetin e vendimmarrjes së vet.

Një frymë që e respekton të kaluarën, por nuk mbetet peng i saj.

Një frymë që e kujton Skënderbeun për qëndresën, UÇK-në për sakrificën për lirinë, Anton Çetën për pajtimin, Nënë Terezën për humanizmin, Rugovën për paqen dhe dialogun dhe At Mark Sopinë për përgjegjësinë morale e bashkëjetesën.

Dhe një frymë që i sheh miqtë amerikanë të Kosovës me mirënjohje, por jo si zëvendësim të vullnetit dhe institucioneve të Republikës.

Sepse ky është edhe kuptimi i një shteti të pjekur: të dëgjojë miqtë, të respektojë aleatët dhe, në fund, të vendosë vetë.

Sot Kosova ka nevojë pikërisht për këtë.

Përtej partive.

Përtej kampeve.

Përtej interesave të momentit.

Përtej pyetjes se kush fiton.

Sepse shteti nuk duhet të jetë fitorja e askujt mbi askënd.

Shteti duhet të jetë fitorja e të gjithëve.

Nëse Faton Bislimi mund të jetë njëra prej mundësive për ta afruar Kosovën me këtë ide, atëherë propozimi i William Walkerit dhe Joseph DioGuardit meriton të dëgjohet.

Me qetësi.

Me respekt.

Pa imponim.

Dhe mbi të gjitha, me bindjen se Presidenti i Republikës duhet të jetë, para së gjithash, President i Republikës së Kosovës.

Prishtinë,05.10.2026

Albin  Kurti është  vazhdim i projektit kombëtar – Nga Skënder Sadri KAPITI

 

 

Në Kosovë votohet Albin Kurti, sepse populli i Kosovës zgjedh alternativën më të mirë, atë alternativë e cila  është vazhdim i projektit kombëtar , i zhvillimit të Kombit dhe i realizimit të demokracisë,shtetit ligjor, pra i Triumfit të Kombit.

Opozita politike ka vite që e mban në krizë Kosovën,  shtetin dhe institucionet. Në mbështeje të këtyre krizave opozita në Kosovë ka pasur gjithmonë mbështetje Edi Ramën, kryeministrin shëmbull dhe model korrupsioni, kundër regjimit të të cilit protestohet në Tiranë prej më shumë se 4 muaj rresht, por që para një viti kundër Kurtit u rreshtua edhe ishPresidentja Osmani.

Të gjithë në një komplot kundër KURTIT.

Por, pyesim se përse?

Sepse Kurti ishte komplet dhe tërsisht dhe krejt ndryshe nga kjo lloj politike dhe krejt ndryshe edhe nga llumi mediatik, serbofil, agjenturor antishqiptar dhe Kurti është krejtësisht ndryshe edhe ndaj   intelektualizmit  mercenar të cilët kishin projekt e qëllim vetëm pushtetin personal, hajdutërinë, pazaret me trojet, pasuritë kombëtare dhe me korrupsionin. Ndërsa Kurti si projekt kishte dhe ka vlerat dhe interesin kombëtar, shtetin demokratik e ligjor,zhvillimin ekonomik e mirëqënien,  sigurinë kombëtare dhe të territorit, forcimin e ushtrisë , antarësimin në NATO, antikorrupsionin, antitradhëtinë, patriotizmin dhe  aleancën e sinqertë me SHBA-të.Dhe për këto arësye unë iu pata drejtuar me një thirrje votuesve në Kosovë  me 10 Maj 2026 , një muaj para zgjedhjeve të 7 Qershorit 2026 që:

”Votoni Kurtin sepse ai dhe LVV janë projekt kombëtar”:

 

“Albin Kurti dhe LVV nuk janë dhe nuk erdhën rastësisht aty ku janë sot. Vetë fakti se ai votohet nga shumica në Kosovë tregon se Kurti është një projekt kombëtar si domosdoshmëri kombëtare.

Kurti dhe LVV sot mbështeten edhe nga ndërkombëtarët, sidomos nga SHBA-të dhe aleatët besnikë të Kosovës, sepse Kurti është në shërbim të çështjes kombëtare të Kosovës.

Kurti, politika e tij dhe LVV janë sot projekt kombëtar, ashtu siç ishte edhe UÇK-ja.

Kurti sot është politikani shqiptar më proamerikan sepse SHBA-të duan dhe mbështesin politikën dhe politikanin Kurti, pasi Kurti është i pakorruptueshëm, ndërsa korrupsioni është dhe përbën kërcënimin më të madh për demokracinë dhe shtetin ligjor, si dhe kërcënim për shtetin, pavarësinë dhe sovranitetin e tij.Kurti është politikani më proamerikan sepse ai është i përkushtuar kundër korrupsionit, të cilin SHBA e ka në krye të agjendës politike të saj.

 

Kurti është proamerikan sepse punon dhe i është përkushtuar forcimit të ushtrisë së Kosovës, forcimit dhe modernizimit të saj, si dhe pajisjes me armë moderne dhe antarësimit të  Kosovës në NATO.

Kurti është projekt kombëtar  sepse është besnik i projektit amerikan , i SHBA-ve të cilat janë i vetmi shtet në botë që ka mbrojtur dhe mbështetur Çështjen shqiptare në Ballkan, Çështje së cilës i është përkushtuar më shumë  se cilido politikan tjeter në Historinë e shtetit shqiptar të Shqipërisë dhe Kosovës

SHBA-të mbështesin Kurtin dhe Kurti është me SHBA-të sepse SHBA-të duan një politikë dhe politikan në Kosovë i cili për çështjen kombëtare dhe në mbrojtje të sovranitetit dhe territorit të shtetit të Kosovës është i pathyeshëm.

LVV dhe Kurti punojnë për ndërtimin e demokracisë, të drejtësisë dhe të shtetit ligjor, dhe prandaj duhet votuar Kurti”

Shënim : Koha vertetoi dhe më dha të drejtë , sepse tani kanë rënë të gjitha fantazitë ,alibirat , akuzat dhe retorikat  e opozitës në Kosovë. U vertetua se sa  të drejtë ka pasur Kurti i cili ka kundërshtuar ngritjen e Gjykatës Speciale dhe se sa fajtorë dhe të papërgjegjshëm kanë qenë ata të cilët votuan për ngritjen e saj.

Ranë të gjitha alibitë se Kurti është antiamerikan , se nuk mund të shkojë në SHBA dhe se nuk e pret atë Presidenti i SHBA-ve, por Kurti shkoi në SHBA dhe u prit nga  Presidenti Trump.

Opozita politike tani, por  tepër vonë proteston kundër Aktgjykimin dhe vendimit të dënimit të 4 ishkomandantëve të UÇK-së, por ajo duhet fajesuar pse e votoi këtë gjykatë, por edhe pse  për interesa pushteti opozita bllokoi dhe pengoi , madje edhe shkaktoi kriza parlamentare për interesa pushteti, gjë e cila, pra opozita duhej që sinqerisht të ishte shumë më e interesuar se sa Kurti e LVV për ecurinë, zgjedhjen  dhe vënien në funksionim të institucioneve të shtetit ,gjë e cila do kishte qenë mbështetja më e mirë që shteti i Kosovës të kishte angazhuar gjithë potencialet parlamentare, qeveritare, presidenciale dhe juridiko-kushetuese për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Opozita, mjerish për të si projekt kishte atë të  rolit  të   një opozite dritëshkurtër pasi mendonte se duke bllokuar e penguar demokracinë dhe zgjedhjen e institucioneve do të vinte në pushtet, por ajo vetëm sa ka dështuar vazdimisht.

Albin Kurti & opozita duhet të bien dakord për Faton Bislimin, kandidatin për president konsensual propozuar nga kongresmeni JoeDioGuardi & ambasadori Walker Nga Elida Buçpapaj

Më 27 Gusht 2026, ish kongresmeni dhe presidenti i LQSHA JoeDioGuardi u dërgoi nga një letër me të njëjtën përmbajtje Albin Kurtit, Bedri Hamzës, Lumir Abdixhikut e Ardian Gjinit ku propozonte për president konsensual Faton Bislimin, një personalitet me të cilin Joe DioGurdi dhe LQSHA ka bashkëpunuar që kur Bislimi vazhdonte studimet në SHBA. Dhe ky bashkëpunim midis tyre në interes të shtetit të Kosovës nuk ka rreshtur kurrë. Faton Bislimi i ka qendruar në krah Skënderbeut modern të Shqiptarëve në lobimin me administratat Amerikane, qofshin Republikane apo Demokrate, si një interlokutor i plotbesueshëm.

Të njëjtin propozim publik me Joe DioGuardin, njëkohësisht, bëri edhe Ambasadori William Walker, për të njëjtin emër.

Nuk ka ndodhur kurrë në historinë moderne të shtetit që dy nga Figurat më të shquara me ndikim thelbësor në arritjet që Kosova gëzon sot,

sikur Ambasadori Walker që e ktheu rrotën e historisë në favor të viktimës

dhe Kongresmeni JoeDioGuardi që e vuri temën e Kosovës si çështje për t’u zgjidhur në kryemetropolin e demokracisë Washington D.C

në favor të Kosovës e popullit të saj të nëpërkëmbur, të shtypur e konsideruar i dorës së fundi nga regjimi kriminal serb,

bashkë që të dy,

dy Zëra të Fuqishëm që vijnë nga SHBA,

të propozojnë të njëjtin emër si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës.

Emrin e Faton Bislimit i cili ka filluar bashkëpunimin me administratat Amerikane, me Kongresin e SHBA dhe Komitetin për Punë të Jashtme që kur drejtohej nga Kongresisti i shquar Miku i paharruar i kombit shqiptar Tom Lantosh.

Këto dy  figura të ndritura, DioGuardi dhe Walker dhe dy zëra të fuqishëm direkt me ndikim në Administratat e SHBA, bëhen garant për kandidaturën e Faton Bislimit si President i Republikës së Kosovës

ndërsa politika e dështuar e Kosovës bën syrin qorr e veshin shurdh duke sanksionuar falimentin e saj.

Po i kthehem letrës së 27 Gushtit 2026 që kongresmeni dhe presidenti i LQSHA i ka dërguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe liderëve të opozitës e cila është mbajtur në heshtje, diçka e papranueshme.

Kësaj letre që asnjë nga katër liderët nuk marrin mundimin ta vendosin në qendër të vemendjes, kur do të duhej të mbanin qendrim publik, i shtohet edhe Letra e Hapur që Joe DioGuardi i dërgon para dy ditëve lidërshipit aktual të Kosovës,

duke paraqitur kërkesën e tij të vetme, të parën e të fundit, si amanetin e tij, propozimin e Faton Bislimit, si kandidat për Republikën e Kosovës, si një figure tashmë të mirënjohur për aktivizmin e tij të pandalshëm me Administratat e SHBA në interes të Republikës së Kosovës dhe Çështjes Shqiptare në përgjithësi.

Joe DioGuardi i lutet klasës politike ta mbyllë këtë krizë institucionale në dëm të shtetit të Kosovës me një emër që meriton respekt për të qenë President konsensual.

Deri më tani ka heshtje.

Por kjo heshtje duhet të marrë fund.

Liderët politikë janë të detyruar të respektojnë një lutje apo kërkesë nga Zëra të fuqishëm që përfaqësojnë SHBA.

Partitë e Kosovës janë tepër të vogla përpara kontributit dhënë për Kosovën nga Joe DioGuardi.

Deputetët e partive të ndryshme, një pjesë e madhe me moshë të re dhe pa fare kontribute, duhet të bëhen të përgjegjshëm se roli i tyre si përfaqësues të popullit nuk ka vlerë që t’i binden kryetarëve të partive, por votuesit nga ku kanë marrë votbesimin që të mbrojnë interesin e shtetit të Kosovës, që sot është më i nëpërkëmbur se kurrë nga kjo klasë politike që ka mbetur peng e Katërshes së Hagës.

O sot o kurrë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të marrin përgjegjshmërinë që u takon,

duke e krahasuar veten se çfarë kanë bërë seicili nga ata për Kosovën

dhe çfarë roli kanë pasur dhe çfarë kanë bërë për Kosovën Kongresmeni JoeDioguardi dhe William Walker,

i cili i tha Perëndimit se UÇK nuk ishte organizatë terroriste sikur e kish etiketuar i dërguari special i SHBA në Ballkan Robert Gelbard dhe se kryekasapi i Ballkanit në 15 janarin e 1999 në Reçak kish kryer krime kundër njerëzimit.

Të dy këta burra, DioGuardi dhe Walker propozojnë Faton Bislimin si kandidat për president të Republikës së Kosovës.

Asnjëri prej jush që jeni pjesë e atij Parlamenti nuk e gëzoni këtë privilegj moral, as nuk keni të drejtën ta anashkaloni, por e keni për detyrë të respektoni propozimin dhe pastaj seicili prej jush të tregojë përgjegjshmërinë e vet ndaj shtetit të Kosovës.

Mos ia vini veshin kurrë as folklorizmave për tradhëti të Edi Ramës apo ndonjë shkrimtari që vjen nga oborri famëkeq i partisë së tij.

SHBA janë Aleati ekzistencial i kombit shqiptar, dmth i përhershëm,

për inat të gjithkujt që ia do të keqen Kosovës

apo e mat Kosovën qoftë me kutin e lakmive të vjetra mitomane

apo me kutin e politikanëve minukë dhe anonimë që mjerisht duan të dalin, diçka e pamundur, mbi interesat kombëtare dhe Euro-Atlantike të Kosovës.


Send this to a friend