VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Beteja për Tiranën dhe Shqipërinë, nëntor 1944 (përpjekje për rindërtim të dokumentuar të nentorit 1944) Nga Romeo Gurakuqi

By | November 18, 2015

Komentet

A është Kosova shtet i kapur?! – Nga AGRON SHABANI

Sipas disave “shteti dhe pushteti kosovar janë të kapur nga krimi i organizuar, korrupsioni, kontrabanda, prostitucioni politik dhe trafiku i përgjithëshëm. Kjo sipas tyre, tashmë nuk paraqet kurrfarë formule, ekuacioni ose zbulimi të posaçëm shkencor ose metodologjik.

Kosova e sotme i ngjanë Çikagos së vitëve të tridhjeta të shekullit të kaluar, thuhet shpesh atje, ku bosët ose padrinot e ndryshëm politik dhe parapolitik nga brenda dhe jashtë Kosovës, e bëjnë dhe diktojnë ligjin. Kjo për faktin se Kosova është shndërruar ose promovuar në “parajsë” ose eldorado të krimit të organizuar, pastrimit ose shpërlarjes së parave të pista, trafikut dhe prostitucionit të çfarëdollojëshëm, kontrabandës, stratifikacionit vertikalo-horizontal ose anasjelltas dhe kështu me radhë.

Pëng e ndoshta edhe viktimë potenciale e nëntokës politike ose parapolitike, si dhe e qarqëve dhe forcave të ndryshme retrograde, përverse, reaksionare, diabolike dhe anakronike, si duket është edhe kryeministri dhe lideri reformator, enërgjikë dhe karismatik i Vetvendosjes dhe shqiptarëve të Kosovës, Albin Kurti i cili ditë me parë, me anën e një mocioni, gjegjësisht, puçi klasik të përgatitur nga partnerja e koalcionit qeveritar (LDK) dhe opozita e atjeshme kosovare, u shkarkua nga posti ose funksioni i Kryeministrit të Kosoves. Dhe, kjo në kushte ose rrethana të luftës vendore dhe ndërkombtare kundër pandemisë (epidemisë) globale të Corona Virusit (Covid 19)!

Sepse, sipas tyre, z. Kurti që në krye të herës është parë me sy armiqsorë nga liderët ose politikanët e ndryshëm parazitë, asocial ose apolitik që janë bërë milioner, multimilioner ose ndoshta edhe miliarder pa asnjë ditë të vetme pune gjatë tërë jetës së tyre, përveç “punëve të mëdha” institucionale, funksiinale, partiake, politike, forumiane ose kabinetike, siç thonë zëra të ndryshëm në anonimitet dhe konfidencë të thellë.
Ka edhe zëra të atillë që janë për masa radikale ose revolucionare- kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant në Kosovë.

Armiqtë ose kundërshtarët kryesorë të paqës sociale, lumturisë dhe harmonisë së përgjitjshme njerëzore ose qytetare, thuhet se janë krimi i organizuar, kontrabanda, trafiku, korrupsioni, dhëmbja, frika, ankthi, stresi, depresioni, mërzia, mediokriteti, cinizmi, injoranca dhe padituria së bashku me ndarjet, shkurorëzimet dhe diferencat e ndryshme bashkëshortore, familjare, sociale, ekonomike, qeveritare ose politike etj.

Dyzet ditët e para të pushtetit ose qeverisë, Albin Kurtit, si duket ia japen veç “tekstin” dhe “melodinë e jetës institucionale dhe politike” në Kosovë, ndërsa ditët tjera nè vazhdim, si duket e kanë pajisur, furnizuar ose armatosur akome më shumë me konceptin, përceptimin, idealin, vizionin, formulën, sintezën, përvojen dhe filozofinë e jetës institucionale dhe politike.

Se këndejmi, Albin Kurti është i njohur (i shquar besa) për idealet, vizionet, parimet, principet, postulimet dhe vlerat e larta morale, intelektuale, profesionale dhe patriotike. Ai është madje edhe celebrues ose misionar i shkëlqyer, robust, skrupuloz dhe ekselent i politikës si art, artit politik si filozofi dhe jetës së njohur institucionale dhe politike si filozofi mbi filozofinë. Sidomos në Kosovë ose Ballkan ku politika, posti, funksioni ose kariera e njohur politike, më tepër njihen, çmohen dhe kuptohen si mjet (e) e jo si ideal, vizion, obligim ose qëllim i lartë intelektual, profesiinal dhe patriotik.

Në këtë ‘ritual’ ose ‘celebrimë të përbashkët’ të mendjes (koshiencës), shpirtit, nytyrës, intelektit ose intelektualizmit, është logjika ose koshienca e lartë njerëzore ose qytetare ajo që na flet ose udhërrefen vazhdimisht mbi “vullneti për të jetuar” (wille zum leben). Kështu që “fenomenët” e ndryshme natyrore, jonatyrore ose mbinatyrore, interferojnë dhe integrohen në vullnetin për të jetuar, që është thelbi i jetës, botës dhe natyrès sonë.

U mor vesh se për Immanuel Kantin, vullneti për të jetuar dhe vepruar ose reaguar, që në krye të herë është i njohur dhe identifikuar në vetëdijen (koshiencën) dhe ndërgjegjen tonë. Gjithashtu besohej (besohet edhe sot) se ligji i shkakësisë që i rregullon fenomenet e ndryshme natyrore, jonatyrore ose mbinatyrore dhe parimi i arsyes që i shpjegon dhe pranon ato, ishin (janë) ligje të përhershme dhe absolute. Respektivisht, “veritates aeternae” (të vërtetat e përjetshme).

Për më tepër ndërkaq, vullneti për të jetuar na vë në gjumë dhe kur jemi zgjuar, dhe na vë në levizje edhe kur jemi të fjetur ose në gjumë. Po jetojmë çaste aspak të lehta të pandemisë globale “Covid 19” ku në vend të shetitjeve të prefëruara nepër qytete ose natyrë, jemi të detyruar të zgjedhim jetën e izoluar nè karantena familjare ose shtëpiake. Plus “puçet” ose hakmarrjet e ulëta tè palës rivale ose kundèrshtare qè bëhen shpesh ose vazhdimisht pavetëdije. Sëmundje e pashërueshme. Demagogji, histeri, blasfemi politike ose hipokrizi.

Thonë se të marrët, horrat e ndryshëm ose maskarënjët, vazhdimisht i përqeshin, urrejnë, shpifin ose shantazhojnë të tjerët në atë menyrë që gjithëmonë kanë të drejtë në turpin, marrëzinë, nebulozën, mediokritetin, skizofreninë dhe patologjinë e tyre objektive dhe subjektive.

Diçka nga historia e Napoleon Bonapartit:

Thonë se Napoleon Bonaparta ishte arketip ose një prototip ushtarak dhe politik i borgjezisë së lartë monarkiste ose aristokratike, po aq sa ishte edhe rival ose kundèrshtar i rreptè i një politike dhe ideologjie revolucionare ose radikaliste që i zhvatej vazhdimisht tutelës së njohur sociale dhe materialiste të borgjezisë së lartë aristokrate ose feudaliste. Politika dhe ideologjia e tij bënte që të shpërthenin dhe gumzhinin asokohe skemat e ndryshme të bashkëpunimit dhe korrespondoncës realiste dhe surealiste në mes politikës, kulturës, njeriut si ‘cityoen’ ose ‘burgeros’ si dhe ideologjisë së përgjithëshme shtetrore, nacionale, kulturore, politike etj.
Tek ai dhe jo vetëm tek ai (Napoleoni), natyra dhe karakteri i komplikuar i shtetit, pushtetit dhe shoqërisë së identifikuar dhe interpretuar nëpërmjet artit të dialogut, komunikimit (korrespondencës), subjektit dhe substituit të determinuar dhe kompleksivë, sikur substituohëshin ose transformohëshin vazhdimisht në natyrën dhe karakterin e njohur të një politike ose ideologjie revolucionare ose radikaliste. Mbase, në parime, primisa dhe narrative të ndryshme autoritare, diktatoriale ose cezariste. Ndërkaq, kategoritë qendrore të shtetit dhe shoqërisë, sipas Napoleonit (Bonapartit) ose “apotujve të lirisë” atëbotë, mund të përkthehen dhe interpretohen në qarqe dhe kategori të ndryshme sociale, kulturore, qytetare, politike etj.
” Politika është një art i zgjedhur dhe i detyrueshëm individual ose personal që nuk përkthehët dhe nuk bën të kuptohet e zbatohet nga tè gjithë.”, do thoshte me njè rast Napoleoni.
Vetëm nëpërmjet strukturave dhe kategorive qèndrore politike ose ushtarake, sipas kauzalitetit revolucionar bonapartian, teoritë e njohura elitare, egalitare ose etatiste, paraqesin modelin e zgjedhur determinant dhe paradigmatik të dialektikës së njohur jetèsore ose qytetare ku bëhen shkrijet dhe bashkimet e njohura politike, organike, dialektike, natyrore ose ordinare në mes të së veçantës dhe të së përbashkëtes së njohur individuale dhe kolektive.
Se këndejmi, arti, talenti, morali, disiplina, diktati, monopoli, përvoja, tradita dhe aftësia e njohur ushtarake dhe politike e Napoleon Bonapartit si komandant dhe lider suprem i revolucionit, pos tjerash konsistonin në ekstravagancën, veçantinë dhe ekskluzivitetin e të qenit i zgjedhur ose “demiurg i vetëm” që arrinte të bashkonte asokohe dëshprimet, emocionet, pasionet, dëshirat, dashuritë, ëndërrat e ndryshme, idealet, vizionet, imagjinatat ose fantazitë e ndryshme individuale dhe kolektive. Duke e bërë kështu lirimin (çlirimin) e subjektivitetit nga objektiviteti dhe të ngjajshme.
Kjo mbase ishte edhe “vlera globale ose universale” e Napoleonit (Bonapartit) dhe “apostujve të lirisë”. Autoriteti dhe ndividualiteti i tyre global ose universal, respektivisht, globaliteti ose universaliteti i tyre individual.
Politika është art dhe fryt i nevojès, pèrvojes dhe vet arsyes njerëzore ose qytetare, ndërsa arsyeja njerëzore është konstruksion i historisë së shoqërisë së njohur njerëzore (qytetare) ose politike.
Ndaj, edhe roli dhe misioni i politikës ose artit politik dhe ushtarak tè Napoleonit në kërkimet, studimet ose analizat e njohura shkencore ose filozofike, mund të kuptohen, përceptohen, anticipohetn dhe definohen vetëm përmes ‘grafikonit’ ose ‘rubikonit’ të njohur të aktivitetit ose ‘pleshmërisë së lartë’ ushtarale (luftarake) dhe politike që kishte për qëllim ngrtijen dhe formulimi i një teorie praktike dhe dialektike të kulturës dhe jetës shpirtërore, materiale dhe ekzistencialiste në kutimin e jetës si art dhe artit (politik e ushtarak) si filozofi.
Ndryshe nga kjo, në kuader të “triumfiratit” dhe “direktoriatit”(drejtoratit) të tyre, Napoleoni (Bonaparti) dhe bëshkëpunëtorët e tij, ishin të bindur në metodat e tyre revolucionare, radikale ose ushtarake ndaj të tjerëve. Sidomos ndaj Lujit (Luigjit) të XVI dhe borxhezisë së lartë të burbonëve, zhirondinëve dhe..dikur me vonë edhe ndaj Maksimilian Roberspierit ose “jakobinëve” të shitur dhe korruptuar.
Duke i demaskuar, deplasuar, desimiluar dhe destimuluar faktorët, indikatorët dhe predikatorët e ndryshëm determinant ose paradigmatik së bashku me kushtet dhe rrethanat e gjithëmbarshme shpirtërore, emocionale, materiale, ekzistencialiste dhe të tjera – përmes “industrisë” ose “opiumit reformator” ose revolucionarë ndaj çdo gjëje që atëbotë ishte e keqe, iracionale, groteske, johumane ose jonjerëzore. Kjo me veprimin ose reagimin e njohur qetësues dhe ngushëllues, gjegjësisht ushtarako-politik të “apostujve” të Revolucionit. Si dhe, duke mbajtur në jetë strukturat, superstrukturat, elitat ose par exelencat e ndryshme shkencore, kulturore, politike, policore ose ushtarake (luftarake)- përmes “opiumit” ose ‘terapive’ të ndryshme radikale, revolucionare, triumfaliste, inkursive, reperkursive dhe të tjera.
Janë tezat e njohura të kulturës politike ose ushtarake si ideologji e përbashkët shtetrore, nacionale, historike, politike dhe kështu me radhë në shikim ose vështrim të parë. Por, gjithashtu ato janë edhe stimuj, ide, teori ose një argument i fuqishëm kundër krimit, korrupsionit, mashtrimit dhe gënjeshtrës të cilat në instancë të fundit, kanë një tendencë të dyshimtë dhe tepër transparente për t´u kthyer ose transformuar në kauzalitetit ose ideologji të përgjithshme shtetrore, nacionale, politike ose historike.
Në këtë kontekst të suspektshëm dhe tepër dubiozë, motivet dhe arsyet kryesore të antagonizmave dhe kontradiktave të ndryshme shoqërore ose qytetare, qëndrojnë edhe në konceptet dhe përceptimet e gabuara dhe tepër nihiliste të artit dhe kulturës politike ose ushtarake të bartura dhe reduktuara në një “paravan” ose “korpus ideologjikë” që i arsyetojnë dhe justikojnë vazhdimisht “status quo-të” dhe “vakumet” ose “interegumet” e ndryshme shoqërore, qytetare, kulturore ose politike dhe nuk i japin kurrë mundësi dhe drejtësi narativit dhe impulsit të kundërt të reflektimit dhe ragimit që përmban kultura e lartë shtetrore, nacionale ose moralo-politike.
Në këtë “orkester” ose “celebrim” djallëzor, demoniak ose satanikë, gjithëmonë janë ata ( qofshin të majtë apo të djathtë), të cilët menjëherë e “vejnë dorën në brez ose revole”, apo veton (puçin) në qeveri ose parlament, sapo dëgjojjnë ose mësojnë për emrin dhe mbiemrin e kundërshtarit ose konkurentit robust ose korpulent si Albin Kurti etj.
Ndaj, misioni dhe detyra e një intelektuali dhe kritiku të njohur shkencor dhe dialektik të artit dhe kulturës shtetrore, nacionale ose politike si Albin Kurti,, nuk është celebrimi i ndarjes së mendjes (logjikës) nga shpirti ose materia, të artit nga kultura, të kulturës nga qytetërimi, të etikës nga estetika, të antropologjisë nga ontologjia, epistemologjia, gneseologjia ose metafizika etj. Jo. Por, misioni ose detyra e tij me tepër konsistojnë në forcën dhe guximin e njohur intelektual ose qytetar si dhe në insistimin energjikë në konceptin e njohur elitar dhe egalitar të artit dhe kulturës si “fraksion” ose ‘instancë e lartë’ kundër grushtetit ose palës kundërshtare në domenin ose kontekstin e njohur antropokulturorë dhe antropolitikë.
Në instancë të fundit, arti,, kultura, letërsia, filozofia, psikologjia, socilogjia, logjika, etika, estetika, metodika, politologjia, pedagogjia, antropologjia dhe shkencat ose disiplinat tjera shkencore ose humaniste, janë iluminat (iluminim), tentativë, reflektim, interferim, inkarnim, satisfaksion dhe një ataraksionizëm i lartë që ka (kanë) për qëllim t´i gjejnë ose zbulojnë shkaqet, motivet, konceptet dhe definicionet shkencore ose humaniste mbi ndërgjegjien dhe arsyen e lartë njerëzore ose qytetare së bashku me ato mbi ndërgjegjien dhe arsyen subjektive, objektive, instrumentale, kognitive, iracionale, negative etj.
Për më tepër ndërkaq, edukata, kultura, arsimimi, morali, disiplina dhe emancipimi i gjithëmbarëshem për personin ose individin, janë iluminizëm dhe një evolucion i brendshëm (esencial ose substancial) që e mësojnë dhe përshtasin njeriun me dialektiken dhe racionalitetin e natyrës (arsyeja objektive), gjegjësisht, me fenomenologjinë e shpirtit dhe natyrës (arsyejja subjektive). Mbase, një proces çmitizues si dhe një racionalizëm i njohur kritikë dhe humanist- kundër iracionalzmit, dogmatizmit, demagogjisè dhe hipokrizisë së gjithëmbarëshme (objektive dhe subjektive) të individit dhe kolektivitetit. Këtu zatën qëndron edhe dialektika e brendshme natyrore dhe historike e çdo lloj racionalizmi. Edhe në politikën e lartë shtetrore dge nacionale.
Mëqë, gjithënjë fjala mbi politikën si art dhe artin si filozofi, atëherë do shtuar në vazhdim se përthithja e kulturës së njohur shtetrore, nacionale ose institucionale së bashku me masivitetin ose multidimensionalizimin e saj global ose universal, shihen si rrjedhim, dhe ‘modifikim’ ose konvencionalizimi i rrymave të ndryshme të politikës moderne ose bashkëkohore me politikën e njohur borgjeze ose skllavopronare në momentet e “shkëlqimit” të saj më të madh.
Ndërkohë që rasti ose shëmbulli i politikës aktuale në Kosovë është shembull ose një ilustrim i keq se si fetishizmi (fetishizimi), valorizimi ose glorifikimi i tepruar i “politikës popullore ose nacionale” tè Ibrahim Rugovès, Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt etj., patjetër çon në një delirium, dehje, ekstazë, regresion ose iracionalizëm të përgjithshëm individual dhe kolektivë ku qytetarët (populli-elektorati) ose opinioni i gjërë publik, sikur janë të programuar dhe dirigjuar të pranojnë vetëm një” muzikë ose melodi të njejtë politike” në kohë dhe hapësirë e cila , pos tjerash ndikon dhe kontribuon edhe në riciklimin dhe përforcimin e status quo-ve, parullavve, pamfletëve, sloganëve ose recidivëve të ndryshme në formën ose profilin e një fati të paevitueshëm individual dhe kolektivë.
Ndaj, shih për këtë, edhe transformimi ose zëvendësimi aparent ose tranparent i një stili ose “mode” të demoduar dhe degraduar në shtetin, pushtetin ose ” politikën popullore”( folkloristike) të Kosovës dhe shqiptarëve me një stil tjetër ose me një ‘modë të re’ shtetrore, nacionale, politike ose diplomatike, është jo vetëm imediat ose aditivë, por edhe krucial, esencial dhe imperativë. Sidomos ndaj empatisë, hedonizmit, dogmatizmit, komplotizmit, epigonizmit, recidivizmit, serializmit, servilizmit, kameleonizmit, oportunizmit, konformizmit, pederizmit, dimorfizmit, nihilizmit, eufemizmit, okultizmit, papusizmit, guenonizmit, sektashizmit, tribalizmit dhe provincializmit inflator dhe inflamator.

NJË VIRUS I DYTË NË BOTË – Nga ALBERTO ALESINA e FRANCESCO GIAVAZZI – Përktheu Eugjen Merlika

 

            Viruset që qarkullojnë sot në botë janë dy. Për njërin, Covid-19, shpresojmë që shpejt a vonë do të gjindet një kurë apo një vaksinë (kushedi nëse atë ditë “Jo vax-ët” do të kërkojnë falje). Tjetri është një rrezik për demokracitë tona. Është një virus që, i ndihmuar nga Covid-19 shfqet së paku në katër forma: Putin, Trump, autokratë të tipit Erdogan e Orban në kufijtë tanë dhe sovranistët evropianë. Shkurt populizmi në shfaqjet e tij të ndryshme. Për këtë, fatmirësisht, kurën e njohim: të përforcohet demokracia liberale dhe “checks and balances” ndërmjet pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor.

Rreziku është serioz. Jo vetëm sepse mospranimi i shkencës, që i bashkon populistët, ka bërë të humben në fillim të pandemisë javë të vyera, për shembull në Britaninë e Madhe e në Shtetet e Bashkuara, me të vdekur që mund të ishin shmangur. Donald Trump-i deri në fillim të marsit thonte se në Shtetet e Bashkuara gjithshka ishte nën kontroll, se ishin demokratët ata që i zmadhonin gjërat e se një mrekulli dhe pranvera do të kishin bërë të zhdukej virusi. Sot janë gati 300 mijë të infektuar në SHBA dhe disa parashikime vlerësojnë nga 100 mijë deri në 200 mijë të vdekur në muajt e ardhshëm. Ka një spital fushor në Central Park  dhe një anije ushtarake të paisur si një spital e t’ankoruar në ishullin e Manhattanit. “Gjithshka nën kontroll” pikërisht.

Disa populistë, për shembull në Hungari kanë shfrytëzuar pandeminë për të pezulluar demokracinë. Vetë Trump-i përdor gënjeshtra apo gjysmë të vërteta për të përgojuar guvernatorët demokratë në Shtete të ndryshme, në veçanti ata si Michigani që do të jenë vendimtarë në zgjedhjet e ardhshme. Virusi si vegël e fushatës zgjedhore. Në një çast piskame kombëtare një udhëheqës i vërtetë e bashkon kombin, Trump-i e ndan akoma më shumë. Ka ndonjë që trembet për rregullsinë e votimevet të nëndorit. Kushtetuta amerikane ndalon shtyrjen, por nga Trump-i dhe partia republikane sot mund të pritet gjithshka. Nëse do të përhapej virusi i populizmit do t’i bënte evropianët të papërfillshëm e të varfëruar.

Sovranistët, me “shkakun” e imigrimit (një problem serioz por i tepruar strategjikisht) duan t’a shkatërrojnë Bashkimin evropian e t’a zëvendësojnë me shumë kopshtije në dukje sovrane por në të vërtetë në mëshirë të Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Vënde evropianë, relativisht të vegjël, do të përfundonin së ndeshuri ndërmjet tyre në luftëra tregtare, me tarifa, shvleftësime konkuruese, shemëri taksore. Një lojë gjërësisht negative që e kemi sprovuar në vitet Njëzet e Tridhjetë, ndërmjet dy luftërave botërore e që ka sjellë një batërdi.

Pikërisht për të shmangur përsëritjen e atyre rrënimeve nisi, në vitet pesëdhjetë, proçesi i bashkëpunimit evropian. Nëse do të zhdukej Evropa, siç do të donin sovranistët, Shtetet e Bashkuara, Rusia e Kina do të vendosnin vetë fatet e njerëzimit: nga mbrojtja kundrejt ndryshimeve klimaterike, tek rregullat e tregëtisë ndërmjet kombeve, nga fati i regjimeve të papëlqyera për ta tek përmasat e ushtrive. Putin e Trump shpresojnë që Evropa të shkërmoqet për të asgjësuar një shemër e punojnë së bashku për t’arritur këtë synim. Me ndihmën e autokratëve në kufijtë e Evropës krijojnë paqëndrueshmëri dhe pasiguri, duke mikluar sovranistët tanë se demokracia liberale është disi “e kaluar”. Ndërsa duhet t’a fuqizojmë, përndryshe mund të hapej një periudhë mjaft e errët për liritë vetiake e për ekonomitë tona.

Skifterët” e Evropës Veriore duket se nuk kuptojnë se këtu nuk bëhet fjalë për hulumtime teknike mbi eurobondët apo për MES-in (Mekanizmi evropian i stabilitetit), por për të bërë zgjedhje që do të përcaktojnë mbijetesën ose jo t’Evropës. Nëse, përtej hollësive, Evropa nuk do të vërtetojë se një goditjeje të përbashkët (virusi) është e aftë t’i përgjigjet me një farë mënyre të përbashkët do të mbarojë së qëni. Që të mos e kuptojnë këtë drejtuesit e Hollandës e të Gjermanisë, e jo vetëm ata, është një gjë e jashtzakonshme, veçanërisht në një botë në të cilën Bashkimi evropian ka mbetur një nga shëmbujt tepër të rrallë të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve. Është një shëmbull mbi të cilin duhet të mbështetemi për të fuqizuar pozitën tonë në botë: krejt tjetër nga trembja prej intrigave të Putinit e Trump-it.

            Putini sigurisht ka ndikuar votimet amerikane të 2016 në dobi të Trump-it. Duket se ka ndërhyrë përsëri në paraket e partisë demokratike për të mbështetur Bernie Sanders, një kandidat “nomination” i të cilit do t’i kishte siguruar Trump-it rizgjedhjen e sigurtë dhe një presidencë mundësisht edhe më perandorake se ajo që po mbyllet. Ndoshta me bijën e tij, Ivanka, kandidate më 2024. Fakti që një fuqi e huaj mund të ndërhyjë në votimet e të tjerëve është i rëndë dhe teknologjitë e soshialve e bëjnë mjaft të vështirë shmangien. Vetë Trump-i i ka kërkuar ndihmë një Vendi të huaj (Ukraina) për të kërkuar të sabotonte kandidaturën e Joe Biden, në shkëmbim të ndihmave ushtarake të paguara nga taksapaguesit amerikanë. Do të shohim nëse Putini do të ndërhyjë në votimet e Vendeve të tjera: por është pothuaj e sigurtë që shërbimet e fshehta ruse paguanin, e ndoshta e bëjnë ende, qytetarë evropianë të kombeve të ndryshme që të “postonin” në të përditëshmet on line comente sovraniste e në dobi të Moskës. Deri n’atë pikë që një e përditëshme angleze, Guardian, për t’u mbrojtur nga këto ndërhyrje, kishte pushuar së botuari komentet e lexuesve. Dhe sapo mundet Putini tall demokracinë liberale, duke e quajtur një sistem “i vjetëruar”. Ndërkaq, siç i ndodhi disa ditë më parë Jacopo Iacobonit, gazetar i gazetës “La Stampa”, bën  që të sulmohet liria e shtypit n’Itali nga gjeneralët e tij, ndoshta duke menduar se mbas pak do t’arrijë t’a kufizojë nëpërmjet miqve të tij italianë.

Trump-i po ve në provë të ashpër demokracinë më shumë se dyqindvjeçre të Shteteve të Bashkuara, një sistem në të cilin kundërtrupat në histori, kanë kufizuar gjithmonë dëshirat perandorake të presidentëve. Mjaft të lexohen veprat e etërve themelues të demokracisë amerikane, veçanërisht James Madison, për të kuptuar se sa ishin të shqetësuar ata për të kufizuar pushtetet e “njeriut të fuqishëm”, edhe se vepronin n’atë mënyrë që aftësia e veprimit të qeverisë të mos ishte e bllokuar nga Opozita. Trump-i sot zotëron një parti republikane të shqetësuar më shumë për zgjedhjet e ardhshme se sa për Kushtetutën amerikane. Gjatë mandatit të parë presidenti ka shkarkuar cilindo që kundërshtonte zgjedhjet e tij. Së fundi u vetëshpall kryetar i drejtësisë dhe për pasojë ka vepruar, duke i kërkuar me një tweet ministrit të Drejtësisë, William Barr, të ndërhynte të ulte dënimin e dhënë bashkëpuntorit dhe mikut të tij, Roger Stone. Bart në fillim është bindur, por mbasi kuptoi rëndësinë e çështjes dhe të ortekut të kritikave të ardhura nga më shumë se dymijë gjykatës, “pothuajse” kërcënoi dorëheqjen. “Pothuaj” sepse kulti i personalitetit të “njeriut të fuqishëm” Trump dhe frika për kundërveprimet e tij pushtoi partinë republikane. Ndërkaq presidenti “ka falur” një duzinë personazhesh të dënuar për krime të rënda të korrupsionit ose të “Insider trading”. Trump-i deri tani ka emëruar 50 gjykatës vendorë, dyfishi i 25 të emëruarve nga Obama, në të njëjtën pikë të presidencës së tij. Përfundimi është se në tri gjykata krahinore, ndërmjet të cilave edhe ajo e New Yorkut, njëra nga më të rëndësishmet, emërimi i gjykatësve të rinj, të gjithë konservatorë, do të ndikojnë për shumë vite ndërpretimin e ligjeve. Edhe Gjykata e Lartë, me ardhjen e gjykatësit Cavanagh ka sot një shumicë konservatore. Me emërimet e tij Trump-i po i shndërron edhe shërbimet e fshehta, që do të duhej t’ishin një organ i brishtë mbi palët, në një organ partizan, plot me miqtë e tij.

            Presidenca e Trump-it po krijon preçedentë  të cilëve presidentët e ardhshëm, sido qofshin republikanë a demokratë, mund t’i drejtohen për të dobësuar “checks and balances” të demokracisë amerikane, një virus që mund të shpërndahet tek demokracitë e tjera. Sidoqoftë, por mbi të gjitha nëse Donald Trump-i do të rizgjidhet, “checks and balances” e Kushtetutës amerikane duhet të funksionojnë më së miri. Sepse shëmbulli i kësaj presidence perandorake mund të frymëzojë për të keq shumë të tjerë, si në Shtetet e Bashkuara dhe gjetiu. Aq më tepër përsa i përket demokracive jo liberale, historia do të na thotë nëse në dhjetorin e shkuar partia komuniste kineze, që drejton një Vend krejtësisht pa “checks in balances”, nuk ka fshehur ndonjë gjë mbi virusin që do të kishte mundur të ndihmonte pjesën tjetër të botës për të kundërvepruar më shpejt. Edhe gjatë muajve pasardhës: numuri i të vdekurve kinezë për shembull nuk duket më i besueshëm dhe kjo i ka nxjerrë jashtë rruge veprimet përballuese në pjesën tjetër të botës.

 

“Corriere della Sera”, 5 prill 2020        Përktheu Eugjen Merlika

 

Shënim i përkthyesit:

 

Autorët e këtij shkrimi janë profesorë të universi teteve amerikane e italiane.

Alberto Alesina është lindur më 1957 në Broni, në provincën Pavia, në Lombardi. Është diplomuar në universitetin Bocconi të Milanos e ka vazhduar studimet pas universitare në universitetin e Harvardit në ShBA, duke marrë doktoraturën në ekonomi politike. Bëhet fjalë për njërin nga universitetet më të famëshme të botës, në të cilin tani  është profesor i ekonomisë politike. Njëkohësisht është profesor edhe n’universitetin Bocconi. Është autor i 25 vëllimeve studimore mbi çështje të ekonomisë, të botuara në anglisht dhe italisht.

Francesco Giavazzi, ekonomist e akademik italian, ka lindur në Bergamo, Lombardi më 1949. Është diplomuar në Ingjinjeri elektronike në Politecnico të Milanos. Më 1978 ka marrë doktoraturën për ekonomi në MIT të Bostonit më 1978. Është profesor i ekonomisë politike në universitetet Bocconi dhe MIT të Bostonit. Autor i disa vëllimeve studimore ekonomike është këshilltar ekonomik i qeverisë italiane.

E drejta e pavarësisë – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Sipas normave dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare, e drejta e pavarësisë  nuk njeh asnjë formë varësie nga ndonjë pushtet  të ndonjë shteti tjetër. Me një fjalë vetë sovraniteti është pavarësia e një shteti.

Në përputhje me të drejtën e pavarësisë, shteti ka të drejtë të jetë i lirë dhe i pavarur nga mbikëqyrja dhe kontrolli i cilitdo qoftë shtet tjetër , në mënyrë që t’i ushtrojë të drejtat, liritë, detyrimet, kompetencat, autorizimet dhe përgjegjësitë e plota qoftë  në kuptimin e së drejtës së brendshme, qoftë në kuptimin e së drejtës  ndërkombëtare, me rastin e përcaktimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit me vendet e tjera të bashkësisë ndërkombëtare.

Pothuajse është vlerësim i njëzëshëm i autorëve juristë të së drejtës ndërkombëtare, se e drejta e pavarësisë është një nga të drejtat parësore të shteteve të njohura ndërkombëtarisht. Ky nocion juridik i së drejtës ndërkombëtare përbëhet nga: 1)Pavarësia e brendshme dhe  2) Pavarësia e jashtme. –Pavarësi e brendshme quhet e drejta e një shteti, të cilën askush nuk ka të drejtë t’ia cenojë, duke pretenduar të përzihet në punë të brendshme brenda kufijve të tij shtetërorë. Ndërkaq, pavarësi e jashtme, do të thotë të drejtën e shtetit për të vepruar lirisht në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare.

Prandaj, si në kuptimin  e së drejtës së brendshme, ashtu, edhe asaj të jashtme,  do të thotë se, asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë të përzihet në punë të brendshme të një shteti të pavarur. Së këndejmi, as Serbia si ish-shtet kolonialist, militarist, hegjemonist dhe gjenocidal(1912-1999), nuk ka asnjë të drejtë të përzihet  dhe të ndërhyjë në çështje të brendshme të shtetit të ri të pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).

Pra, thjesht, një shtet është  i pavarur nëse  shtetasit e tij gëzojnë të drejtën e plotë, që në mënyrë të mëvetësishme të marrin  vendime politike  dhe juridike të ligjshme brenda kufijve  territorit të vet.

Një shtet, i cili vihet në gjendje varësie qoftë nga  partneriteti i ndonjë aleance të krijuar miqësore apo nga armiqtë kolonialistë shekullorë apo neokolonialistët,  as de fakto e as de jure nuk  mund të quhet i pavarur në kuptimin e plotë juridik të së drejtës ndërkombëtare ngase  në territorin e vet nuk ushtron summa potestas sovranitetin, as pavarësinë e as të drejtën e vetëvendosjes së bendshme dhe të jashtme.

Gjithashtu, edhe sipas vlerësimit doktrinar shkencor të juristit, të diplomatit dhe të specialistit të famshëm italian të së drejtës ndërkombëtare, Dionisio Anzilotti “(1867-1950), i cili ishte edhe President i Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, gjatë viteve 1928-1930”, rezulton se, realizimi i   së drejtës së pavarësisë nuk është asgjë tjetër, veçse kur një shtet i njohur ndërkombëtrarisht, në asnjë formë nuk i nënshtrohet dhe nuk  është i varur nga ndonjë pushtet  i ndonjë shteti tjetër, apo  nga ndonjë grup i shteteve të tjera. Si rrjedhim, pPavarësia e kuptuar në këtë mënyrë, de fakto dhe de jure, në thelb është vetëm gjendja normale  e një shteti të pavarur dhe sovran sipas së drejtës ndërkombëtare.

Ne duhet të qëndrojmë së bashku, edhe kur armiku është në mesin tonë – Nga Aurel Dasareti*

 

Virusi Corona është një vrasës i qetë dhe i padukshëm. Një murtajë. Në luftërat në të cilat kam qenë, unë mund të merrja një rrezik të llogaritur, mund ta dija se ku ishte snajper-isti dhe kisha mundësi të mbrojë veten. Në tërmetet dhe terrorin, gjithçka është më fizike dhe konkrete, edhe pse është mizore. Por në këtë katastrofë korona nuk mund ta shohim armikun.

***

Kjo është sikur infeksioni me koronë të luajë një lojë psikologjike poshtëruese me ne. Infeksioni mund të jetë në trupin tuaj për dy javë para se të godit. Edhe të shëndetshëm ndiejnë simptoma, sepse gjithmonë flasim për infeksionin dhe mendojmë për të, është sikur të jetë duke zvarritur në kokën tonë.

***

Kriza më e madhe në historinë e KB.

Politika duhet të lihet anash për të fituar këtë luftë.

Virusi paraqet një kërcënim për të gjithë në botë, për të mos përmendur një goditje financiare që do të sjellë një rënie ekonomike që bota nuk ka parë kurrë,

Kombinimi i dy faktorëve dhe rreziqeve të tilla si paqëndrueshmëria, trazirat dhe konfliktet në rritje, do të thotë që ne tani besojmë se kjo është kriza më e madhe që njerëzimi është përballur që nga Lufta e Dytë Botërore.

 

Tani për tani të gjithë jemi të prekshëm, të hutuar dhe të shqetësuar. Por krizat gjithashtu kanë një dimension klasor. Të pasurit janë duke kaluar më mirë se te varfrit. Gjithashtu në krizë. Kjo është pikërisht arsyeja pse një politikë kombëtare-ligjore-humane-solidare që përqafon të gjithë është tani kaq e rëndësishme. Rrjeti i sigurisë në shoqëri duhet të përfshijë të gjithë ata që bien poshtë.

Në kohë të mira, ne duhet t’i ngremë të gjithë. Në të këqija, ne duhet t`i sigurojmë dhe të kujdesemi për të gjithë. Ka qenë në zemër të kulturës sonë për mijëra vjet.

Shoqëria duhet të kujdeset për të gjithë. Askush nga ju që goditet (preket) fort nga kjo krizë nuk duhet të qëndrojë vetëm.

***

Ligji për mbrojtjen nga sëmundjet infektive

Ndëshkimi dhe dëmi. Me përjashtim të detyrave të caktuara që i janë imponuar një personi të infektuar dhe detyrat që mbulohen nga legjislacioni i personelit shëndetësor, shkelja e qëllimshme ose nga pakujdesia e Ligjit për mbrojtjen e infeksionit, ose vendimet bazuar në Ligjin për mbrojtjen e infeksionit, me gjobë ose burgim, është i arsyeshëm dhe domosdoshëm.

***

Ne përballemi me një armik të panjohur dhe të padukshëm. Dhe më e keqja nga të gjitha, janë miqtë dhe fqinjët tanë që e mbajnë atë.

Ne e dimë kush na e kërcënon tërësinë tokësore (integritetin e vendit) dhe shpërbërjen e kombit. Ishte dhe është një armik i jashtëm (i ndihmuar nga ca këlysh të brendshëm), ndaj të cilit  ne qëndronim dhe mund të qëndrojmë kundër, së bashku.

Ndërsa fatkeqësitë e tjera i lidhin njerëzit së bashku, përvoja historike tregon se epidemitë po i ndajnë.

Këtë herë është ndryshe. Këtë herë është gjithçka për të mbajtur distancën tuaj. Jemi në një situatë ku për muaj të ardhshëm do të refuzojmë të tjerët dhe do të refuzohemi nga të tjerët. Kjo është gjëja racionale dhe e arsyeshme për të bërë tani. Por është vërtet në kundërshtim me natyrën njerëzore. Ne jemi qenie shoqërore, të cilët kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Tani ne jemi në mes të një beteje midis instinktit dhe arsyes. Ne duhet të bashkëpunojmë, thotë arsyeja. Ti je i rrezikshëm, thotë instinkti. Frika dhe dyshimi janë pasoja natyrore të epidemive.

Imazhi që dikush përdor, që kjo është një luftë klasike, nuk është adekuate. Nuk janë ushtarët e armikut ata që marshojnë kundër nesh. Janë njerëzit me të cilët rrethohemi, fqinjët, miqtë dhe familja, të cilët vijnë për të na takuar, të ngarkuar me sëmundje dhe ndoshta vdekje.

Prandaj, ne duhet të flasim për këtë tani dhe të praktikojmë të jemi bujar me gabimet e njëri-tjetrit. Sepse ato vijnë, pak nga pak. Ne dhe liderët tanë (mendoj për lider të vërtetë botëror, jo për shumicën e kalbësirave tona) do të bëjmë gabime. Është e pamundur të imagjinohet se gjithçka do të jetë perfekt, në situatën ku jemi tani.

Bujaria e ndërsjellë (reciproke) kërkon që të vazhdojmë një bisedë të çiltër, të qartë dhe të ndershme. Shqiptaria ka një popullsi të ditur dhe të arsimuar. Ne jemi njerëz të ndjeshëm që dëgjojmë, vlerësojmë dhe diskutojmë. Faktet numërohen. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të fitojmë njohuri se si mendojnë profesionistët. Kështu që kjo na tregon hapur për rreziqet, përfitimet dhe të metat e masave të ndryshme, dhe për pasigurinë që rrethon skenarë të ndryshëm.

Sepse është e qartë për të gjithë se nuk ka përgjigje të qarta dhe fikse se si ne si shoqëri duhet të përballemi me virusin e koronës. Ne duhet të jemi në gjendje të marrim pjesë në dyshimet e profesionistëve dhe në të njëjtën kohë të ndjekim me besnikëri të gjitha vendimet e autoriteteve shëndetësore. Mosmarrëveshjet nuk janë të rrezikshme. Nëse arrijmë të shohim që të gjithë duan më të mirën, dhe të veprojmë sipas asaj, atëherë kemi marrë një rrugë të gjatë në uljen e dëmtimit mendor. Shumë njerëz, sidomos punonjës të mjekësisë,  tani janë duke bërë gjithçka munden për të na mbrojtur nga rezultatet më të këqija të koronës. Dhe të tillët janë heronjtë e vërtetë të njerëzimit, që duheshe edhe të paguhen shumë më tepër se deri tani, e jo ata miliarder që i mëshojnë më mirë topit në futboll apo ata që këndojnë më bukur tallava.

Dhe, ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe ta lexojmë njëri-tjetrin në kuptimin më të mirë. Për shembull, duke kuptuar se ai/ajo që ju qorton kur mblidheni kot nëpër rrugë, mbi të gjitha është i/e frikësuar. Dhe se ai që dërgon një pamje të keqe në dyqan sepse mendon se je shumë afër, nga frika se mund ta sjellë infeksionin në shtëpi tek gruaja dhe fëmijët e tij. Ngase frika sjell zemërim. Sidomos nëse nuk flasim për këtë. Rreth asaj se si ndihemi, për çfarë kemi frikë dhe për çfarë kemi nevojë.

 

***

Shqiptarë, bëhuni Njeridashës!

Shumë prej nesh janë mësuar me kurimin më të madh, ekzistencën e ilaçeve dhe vaksinave. Se ka ushqim në tryezë, dhe paqe në rrugë. Por mos harroni se historikisht kjo është e pazakonta. Prindërit, apo gjyshërit tanë kanë përjetuar gjithçka, që ne të llastuarit duhet të mësojmë prej tyre. Dhe ne duhet të kultivojmë njerëzimin përballë njëri-tjetrit – veçanërisht ndaj atyre që tashmë paguajnë një çmim të lartë. Ekonomikisht, por edhe njerëzor. Kostot e izolimit. Vetmia, gjyshërit që nuk mund të shohin nipërit dhe mbesat e tyre, banorë të vetmuar që nuk mund të jenë fizikisht afër një njeriu tjetër për muaj të tërë. Jo një përqafim, as një shtrëngim duarsh.

Nuk ka asnjë arsye (asnjë dobi) për të qenë në gjendje të përcaktojmë koston e kaq shumë njerëzve që duhet të jenë kaq shumë vetëm për kaq gjatë. Por që njerëzit do të vuajnë, gjatë gjithë rrugës dhe në prapa-vështrim (retrospektivë)  është e sigurt. Kjo është arsyeja pse ne duhet të qëndrojmë së bashku, edhe kur armiku është në mesin tonë.

Ne do të jetojmë së bashku pas kësaj. Ne do të takojmë sytë e njëri-tjetrit. Dhe ne do të guxojmë ta shohim veten në pasqyrë.

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Parimi i universalizmit në të drejtën ndërkombëtare – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Nëse ende është valid përkufizimi  i bashkësisë ndërkombëtare sipas normave, rregullave dhe parimeve të së drjetës ndërkombëtare dhe, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara,  atëherë, pa dyshim se duhet të jetë i vlefshëm dhe i aplikueshëm edhe parimi i universalizmit në të drejtën ndërkombëtare nga të gjitha shtetet (e mëdha, të vegjël dhe të mesme) anëtare  me të drejta dhe me detyrime të plota të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ia vlen të nënvizojmë se, pa respektimin dhe  pa aplikimin e parimit të universalismit të së drejtës ndërkombëtare, nuk mund të bëhet transformimi, novelimi dhe modernizimi i saj i plotë në përputhje me kërkesat dhe me nevojat e bashkësisë së sotme  ndërkombëtare . Për më tepër, moszbatimi i parimit të universalismit  të së drejtës ndërkombëtare, në praktikën e deritashme të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare ka shkaktuar edhe fërkime, pabarazi, padrejtësi dhe konflikte ndërmjet shteteve të zhvilluara të fuqishme dhe atyre   të dobëta në zhvillim dhe të pazhvilluara si gjatë luftës së ftohtë, ashtu edhe pas përfundimit të saj (1990).

Edhe pas mbylljes së kaptinës së luftës së ftohtë, me krijimin dhe me shtimin e numrit të organizatave dhe të subjekteve të ndryshme rajonale, parimi i universalismit i të së drejtës ndërkombëtare u shndërrua në një “hallkë ndërlidhëse” të thjeshtë mekanike të sistemeve juridike ndërkombëtare.

Novelimi dhe modernizimi i së drejtës ndërkombëtare, duhet të ketë për  qëllim zhvillimin e  synimit të universalizimit  sipas materies së saj. Në këtë kuptim, sa më shumë të jetë e mundur, duhet të shfrytëzohen të arrirat e derisotme në fushën e shkencës juridike ndërkombëtare, si  dhe frytet e derisotme ekonomike, politike, tekniko-shkencore, kulturore etj. të mendjes njerëzore, me qëllim të zbatimit  dhe të respektimit të parimit  të universalismit nga të të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke u mbështetur në parimin universal  të repektimit të sovranitetit, të barazisë dhe të reciprocitetit të të gjitha shteteve (qofshin të mëdha, të zhvilluara, apo të mesme, të vegjël  në zhvillim, apo të pazhvilluara).

Modernizimi i së drejtës ndërkombëtare ( në kushtet dhe në rrethanat e sotme të varësisë dhe të ndërvarësisë gjithnjë më të madhe, si dhe të konekurrnecës gjithnjë më të ashpër ekonomike e tregtare etj. të pushtimit të tregjeve të ndryshme sipas  ineteresave të “dialektikës” së globalizmit të të gjitha shteteve dhe të sistemeve ekonomiko-shoqërore në shkallë botërore),  duhet të bëhet, duke marrë për bazë parimin e universalismit të zhvillimit, të zgjerimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar  në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, si dhe të organizatave të tjera universale ndërkombëtare kundrejt forcimit koheziv të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, të bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Për  respektimin dhe zbatimin e parimit të universalismit të së drejtës ndërkombëtare, është i domosdoshëm edhe respektimi i  këtyre parimeve : 1) Parimi i sovranitetit, 2) Parimi i mosndërhyrjes në punë të brendshme të shteteve të tjera,  3) Parimi i vetëvendosjes së popujve dhe të kombeve, 4) Ndalimi i përdorimit të forces dhe i kërcënimit me force, 5) Parimi I koekzistencës aktive paqësore, 6) Zgjidhja e konflitkeve dhe e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore etj. Të gjitha  këto parime përbëjnë alternativën e politikës nga pozita e forcës dhe e kërcënimit me force etj.

Mohimi i së drejtës së popujve të vegjël ( siç është populli shqiptar, i kolonizuar në Ballkan, që nga vitti 1878  e deri më sot 2020), që në mënyrë të pavarur të vendosë, si dhe të veprojë në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, është  barriera kryesore dhe serioze që pengon zbatimin e mëtejmë kosntruktiv të parimit të universalismit  të së drejtës ndërkombëtare në përputhje me kërkesat e të gjitha shteteve-anëtare të OKB-së.

PLOJA E TIVARIT DHE DREJTËSIA E MUNGUAR E SHQIPËRISË – Nga EUGJEN MERLIKA

 

 

“Çdo krim i pandëshkuar pjell një familje”

Herbert Spenser (1827 – 1903), filozof e sociolog anglez

 

“- Për iza të Zotit na jepni nji copë bukë! Prej të gjithëve filloi të ndigjohej vetëm kjo fjalë qi kalonte… Kalonte në humnerë… Ato ushtojshin veshët tonë njisoj si ato krismat e nji çekani qi rreh gozhdat e  arkivolit në bregun e vorrit.

  • Prej kah vini ju?
  • Prej Kosove.
  • Tash nji javë dit ecim pa pushim, pa bukë! Kemi kalue gjithato male… male.

Këtu ishte vetëm nji vargan i gjatë, i gjatë, pa mbarim i atyne skeletësh të djelmoçave të rinj kosovarë, qi të rrethuem nga dhuna ecshin drejt kujt…? Ishim në mitologji apo  në realitet?

Mbas disa ditësh në Shkodër u hap fjala vesh më vesh se dikund afër Ulqinit partizanët kishin vramë të gjithë rininë kosovare. O Zot po t’lutem më trego: ç’farë mëkati ka ba ky popull që meriton nji dënim kaqë të randë?”

Ky episod i marrë nga vepra monumentale e Atë Zef Pllumit “Rrno për me tregue” na fut në mjedisin tragjik të një ngjarjeje historike të llahtarshme, të zhvilluar plot 75 vite më parë në Tivarin shqiptar të ish Jugosllavisë. Është fjala për plojën e Tivarit, një nga bëmat më kriminale të ushtrisë jugosllave me miratimin, në dukje të heshtur, por me bashkëpunimin e hapur të qeverisë komuniste shqiptare. Studjuesi e historiani Uran Butka në veprën e tij “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e Shtetit shqiptar” ka nxjerrë në dritë dokumentë që vërtetojnë plotësisht bashkëpunimin mes brigadave të V e të VI të komanduara nga Gjin Marku dhe Rrahman Parllaku me komisar të përgjithshëm Ramiz Alinë me shtabin e UNJ. Të gjithë të rekrutuarit e të dorëzuarit kosovarë në besën e këtyre reparteve shqiptare, u dorëzuan me një urdhër të prerë e me pak fjalë të Enver Hoxhës: “Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Sërbisë”. Madje ai sjell për vërtetim të tezës së tij mbi përgjegjësinë në krimin e kryer nga repartet malazeze e serbe të udhëheqësve shqiptarë edhe një dokument të ministrisë së Brëndëshme shqiptare, në të cilin shkruhet: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”

Në fakt dokumenti i shkruajtur më vonë, kur u dënua Koçi Xoxe, harron se n’atë kohë ploje të kosovarëve ministër ishte Haxhi Lleshi, një i njohur i vjetër i serbëve e që më vonë u bë kryetar i shtetit shqiptar, por pranon fatin e vrasjes në tokën shqiptare të 1000 djemve kosovarë.

Pyetja pa përgjigje e Atë Zef Pllumit vazhdon të godasë  si çekiç mbi ndërgjegjet e vrara të shqiptarëve për shtatëdhjetëepesë  vite me rradhë, në të cilat institucionet e krimit, mbasi kishin bërë theror çështjen kombëtare në altarin e internacionalizmit stalinist, do t’i mbanin të fshehura atyre të vërtetat mbi ndodhitë rrënqethëse n’atë trevë të lashtë të truallit shqiptar që ishte Kosova. Kosova, Dardania e lashtë, një nga krahinat më të zhvilluara e më liridashëse të Ilirisë, që kishte shkruar historinë e saj shumë qindvjetorë më parë, kur sllavët ishin ende fise endacake që vërtiteshin stepave pa fund të Eurazisë, u nda prej trungut të Arbërit nga shpata e të Mëdhenjve të Evropës më 1913.

Kosova e Haxhi Zekës dhe Ymer Prizrendit, e Nexhip Dragës dhe Isa Buletinit, e Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, e Hoxhë Kadriut dhe Sulejman Vokshit e sa e sa burrave të tjerë të mënçur, trima e të besës që flijuan në altarin e Kombit shqiptar gjithshka, dijet dhe aftësitë, mundin dhe pasurinë, ëndërrat, idealet e jetët, u gjend përsëri e tradhëtuar në aktin e fundit të tragjedisë së madhe evropjane, kësaj rradhe prej vetë shqiptarëve, a më mirë të themi, nga një pjesë e tyre.

Nëse më 1913 u flijuam si Komb me ndarjen dyshë nga vendime që ishin përmbi fuqitë tona, më 1945 u vetëflijuam n’emër të një ideologjie që provoi katërcipërisht se ishte antikombëtare, antipopullore, regresive, duke pranuar me vullnet të plotë diktatin serb. Kështu Kosova, e bashkuar me Shqipërinë, në pak vite të luftës, nga njerëz që çuditërisht ende sot etiketohen si “tradhëtarë”, ra përsëri nën thundrën serbe. Mijëra kosovarë vriteshin si bagëtitë nën etiketën e “kundërevolucionarëve”, në një kohë kur në Shqipëri deklarohej me pompozitet nga diktatori: ”Pa Jugosllavinë e marshallit Tito Shqipëria nuk mund të jetojë asnjë ditë.” Qindra mijra kosovarë shpërnguleshin me dhunë nga trojet e tyre, por “Dheu Amë” i mbyllur hermetikisht në një sprovë frymëmarrëse, ishte refraktar ndaj gjysmës tjetër të tij. Pa dyshim mund të themi se diktatura e Enver Hoxhës ishte bashkëpuntore në këtë rrënim të gjysmës tjetër të Kombit. Këtë e vërtetojnë, veç të tjerash, dënimet që gjyqet shqiptare jepnin për të gjithë ata që nuk pajtoheshin me ndarjen e Kosovës, duke marrë nofkat “shovinist” e “shqiptaromadh”, së bashku me dënime të gjata privim lirije e pune të detyruar. Sikur të shkruhej një histori e veçantë e krimeve kontinentale të shekullit të shkuar, mjaft i pasur në të tillë, një kapitull të posaçëm do t’a meritonte krimi komunist në Shqipëri e Kosovë.

Ne sot përkulemi me nderim para kujtimit të  viktimave të pafajshme të këtyre krimeve, në këtë 75 vjetor të masakrës së Tivarit. Ne sot përkujtojmë katër mijë djelmoça të Kosovës martire, të vrarë pabesisht në lule të moshës nga serbo-malazezët me miratimin e “udhëheqësve” të Shqipërisë së re, katër mijë shami të zeza mbi kryet e nënave kosovare e po aq plagë të hapura mbi trupin e Shqipërisë. Historia na kishte mësuar se plumbat duhej t’i prisnim vetëm nga “bajlozët “ e huaj, por kjo gjysëm qindvjete na tregoi se mund të na i jepnin edhe tonët, e ato ishin më të hidhur mbasi shtiheshin në emër të popullit e të lirisë së tij. Ç’kob për një popull që ishte edukuar të respektonte dhe armikun në shtëpinë e vet, që pabesinë nuk e përdorte as karshi tij. Ç’gjëmë e llahtarëshme për mijra nëna, motra, gra e të fejuara, për mijëra Ajkuna që nuk mundën as të vajtojnë mbi qivurët e bijve, vëllezërve, burrave që toka i mori në gjirin e saj të gjithë bashkë, të zhveshur e të uritur. Nga dolën këta shqiptarë që, pa ju dridhur qerpiku, urdhëruan kasaphana të tilla njerëzore?

Sot, në sajë të atyre studjuesve të ndershëm që gërmojnë në arkivat ata kanë emrat e mbiemrat e tyre, e për një absurditet logjik e një ironi të hidhur të historisë sonë janë emra e mbiemra “herojsh” të kombit, “udhëheqësish” të tij për gati gjysmë shekulli, figurash që vazhdojnë ende të nderohen në Shqipërinë e shekullit 21. Ata nuk njohën dhënie llogarie për krimet e tyre, madje nuk patën kurrë brejtje ndërgjegjeje, nuk patën një gjyq ndërkombëtar si kriminelët e nazifashizmit, por jetuan edhe një shekull duke mbrojtur pa pushim bëmat e tyre kriminale, madje duke lënë edhe mbas vdekjes “veprat” e tyre të shkruara në historinë mjerane të këtij populli.

Toka Arbërore kishte ruajtur për qindvjetin e njëzetë, mbas Krishtit, të villte gjithë vrerin e grumbulluar në mijëvjeçarë e t’a trupëzonte në krijesa të pagëzuara prej Luciferrit, t’afta vetëm për të mbjellë zi, vdekje, shkatërrim. E kuqja e gjakut qe ngjyra e tyre e preferuar, sikurse drapëri simbol i emblemës së tyre. Një dyshe tjetër më e përsosur, për t’i përfaqësuar, nuk mund të gjindej. Drapëri, i huajtur nga Moska e largët, korrte si kallinjtë e grurit ëndrrat për jetën të shumicës së shqiptarëve e mijëra syresh ju shkurtonte dhe vetë jetën, duke lënë në pikëllim e helm një numur të pafund prindësh, grashë e fëmijësh, që do të rriteshin duke mbajtur në ballë etiketën e “armikut të klasës”.

Sot shpirtërat e atyre viktimave, ashtu si jetët e gjymtuara të familjarëve të tyre, në një kor të përbashkët na dërgojnë një mesazh të fuqishëm e të qartë: “Asnjë shoqëri njerëzore nuk mund të jetë normale nëse bart me vehte krimin e pandëshkuar, asnjëherë dhe askund nuk mund të vihen në të njëjtin rrafsh xhelati dhe viktima.”

“ Duke heshtur mbi vesin, duke e fshehur në trup që të mos duket, ne e mbjellim dhe në t’ardhmen ai do të mbijë i shumzuar për mijë. Duke mos ndëshkuar, duke mos qortuar as dhe të poshtrit, nuk mjaftohemi të mbrojmë pleqërinë e tyre shterpë por brezave të rinj ju heqim nga poshtë çdo themel drejtësie…Të rinjtë mësojnë se një veprim i poshtër nuk ndëshkohet kurrë mbi tokë, përkundrazi sjell gjithmonë mirëqënie.

“Nuk do të jetë mikpritës një vend i tillë, të tremb të jetosh në të.”

Me këto konsiderata të Aleksandër Sollzhenicinit, autorit të ndritur të veprave mbi kasaphanën sovjetike, e cila shërbeu si model imitimi për xhihadistët shqiptarë, që tingëllojnë aktuale edhe në Shqipërinë e sotme, për më tepër kur kujtohen ngjarjet e përbindëshme të tre çerek shekulli më parë besoj se është rasti të ndalemi në një minutë heshtjeje pikëllimi për jetët rinore të djemve kosovarë, të këputura në lulen e moshës, por edhe në dukurinë e kobshme të mungesës së drejtësisë, të pandëshkueshmërisë së çfardo krimi të vërtetë, një gjëndje e pazakontë që po na shoqëron prej  tre çerek shekulli. E ndoshta është rasti përsëri t’i bëjmë  vetes sot po të njëjtën pyetje që i drejtonte Perëndisë Atë Zef Pllumi kur mori lajmin e llahtarshëm të vrasjeve barbare të Tivarit: “O Zot po t’lutem më trego: çfarë mëkati ka ba ky popull që meriton nji dënim kaqë të randë?”

 

                  2 Prill 2020                                                   Eugjen Merlika

Lini kopallat politike, luftojeni COVID-19!!! – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

 Barometri diplomatik

    

 

           *** Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres apelon se “Ajo që tani i duhet botës, është solidariteti. Me solidaritet ne mund ta mposhtim virusin dhe të ndërtojmë një botë më të mirë”.

*** Gjithshtu, edhe Papa Françesku thërret mbarë njerëzimin ( pa dallim  gjuhe, religjoni, besimi, race, kulture, civilizimi, të pasur dhe të varfër etj.)  dhe i lutet Zotit për  shpëtimin e gjithë njerëzimit në mbarë botën nga koronavirusi misterioz kinez-COVID-19, me këto fjalë të sinqerta të humanistit dhe të besimtarit të madh: “O ZOT MOS NA BRAKTIS NË MËSHIRËN E STUHISË” !

Këtë lutje të mshirësisë drejtuar Zotit për ta shpëtuar mbarë njerëzimin nga pandemia që po herr pamësirshëm gjithë popujt e rruzullit tokësor, Papa Françesku e bëri më 27 mars (ditë e premtë) të motmotit 2020 nga “Tremja  e Bazilikës së Shën Pjetrit, para sheshit bosh, në një ditë që do të mbetet në histori, Papa Françesku i kërkoi Zotit ta dëgjojë lutjen e gjithë burrave e grave, në këto kohë pandemie nga koronavirusi.”  (https://www.voal.ch/lutja-e-papes-per-fundin-e-pandemise-o-zot-mos-na-braktis-ne-meshiren-e-stuhise/0 ).     

Ia vlen për të nënvizuar se,  “pas   bekimit Urbi et Orbi”,  Papa Françesku, gjithashtu, vuri në dukje  gabimet dhe të metat  e bashkësisë së sotme njerëzore,  e cila në këto memonte të rënda fataliste, ende nuk ka përgjigjen adekuate reaguese dhe preventive  për zhdukjen e koronavirusit kinez-COVID-19, i cili, tanimë , në kuptimin global  ka arritur t’i infektojë  “962.977 njerëz; ka vrarë 49.180 sish. Ndërkaq, shifra e të shëruarve është 202,935”. (https://coronavirus.jhu.edu/map.html ).

Këto shifra statistikore janë të datës së sotme 2 prill 2020, deri në orën 11 paradite sipas  kohës amerikane.

-Papa Françesku apelon gjithë botën, si të pasurit, ashtu edhe të varfërit ( pa dallim feje e besimi), që të jenë të bashkuar, mirëbërës, solidarë, të ndershëm, humanë, bujarë, të ndjeshëm dhe zemërgjerë, duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit, duke e ndihmuar njëri-tjetrin pa kursyer asgjë për të shpëtuar nga kjo kataklizmë tragjike-pandemi që për çdo minutë po merr jetët e njerëzëve në mbarë botën, duke mos pyetur se kush janë viktimat, të pasur apo të varfër… etj.

Faleminderit Papa Françesko, për këtë  përkujdes dhe shqetësim të madh të Juaj njerëzor dhe human, plotësisht të justifikueshëm për shpëtimin e gjithë njerëzimit nga kjo kolerë misterioze shfarosëse!

Faleminderit Papa Françesko Ju jeni humanist, altruist i madh dhe besimtar i devotshëm i Zotit dhe i paqes së gjithë njerëzimit të këtij planeti.

 Të lumtë, Papa Françesko, ashtu është, topi se luan  vlerësimin e juaj se :“Nuk mund të jemi të shëndoshë në një botë të sëmurë”!

Edhe kjo kritikë vlerësuese e Papa Françeskut, drejtuar bashkësisë së sotme globale, është plotësisht e justifikueshme, objektive dhe  e parrëzueshme, se vërtet, në kohën e duhur: Nuk jemi zgjuar përballë luftërave dhe padrejtësive planetare, nuk e kemi dëgjuar thirrjen e të varfërve e të planetit tonë të sëmurë rëndë. Kemi vazhduar të patrembur, duke menduar se do të mbeteshim gjithmonë të shëndoshë në një botë të sëmurë. Tani, ndërsa jemi në një det të trazuar të lutemi: “Zgjohu o Zot!” (https://gazetadielli.com/predku-i-plote-i-papes-ne-kohen-e-epidemise/) . 

1.

 Në favorin e kësaj kritike të qëndrueshme të Papa Françeskos, flasin edhe këto shifra marramendëse, që kanë pllakosur bashkësinë e sotme njerëzore të përbotshme : “Në vitin 2019, numri emigrantëve  në gjithë botën ishte 272 milionë (për dallim nga viti 2017, ku numri i emigrantëve ishte  më i vogël 258 milionë.), prej tyre: 48 % femra; rreth 38 milionë fëmijë ; të moshës për punë prej 20 deri në 64 vjet 164 milionë  sish.  Sipas shifrave statistikore, shprehur në përqindje:  31% e emigrantëve janë të vendosur në Azi; 30% në Evropë; 26% në Amerikë; 10%  në Afrikë dhe 3% në Oqeani.” (https://www.un.org/en/sections/issues-depth/migration/index.html )

2.                   

Sipas statistikës së Komisionerit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR): “Në vitin 2018,  numri i  refugjatëve, të kthyerit (të refuzuarit), i personave pa shtetësi () dhe i personave të zhvendosur,  u rrit 3.5%, gjatë një viti më parë, deri në 70.8 milionë njerëz. Më shumë se gjysma e refugjatëve në botë vinin nga tre vende: Siria (5.5 milionë), Afganistani (2.5 milionë), dhe Sudani i Jugut (2.3 milionë. “(https://www.actionagainsthunger.org/global-refugee-crisis-facts-definition-how ).

3.          

Gjithashtu,  sipas të të dhënave statistikore  të   Organizatës së Kombeve të Bashskuara për Ushqimin dhe për Bujqësinë (FAO), sot  “ më shumë se 820 milionë njerëz në botë vuajnë dhe nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë.” (http://www.fao.org/state-of-food-security-nutrition/en/).

Detyrë mbi detyra e gjithë njerëzimit është lufta e përbashkët e zhdukjes së koronavirusit misterioz kinez !
 

Kjo, do të duhej të ishte kryetema për gjithë botën e kërcënuar nga koronavirusi kinez-COVID-19. Për këtë, do të duhej shkruar, debatuar, luftuar dhe vepruar të të gjithë  shkencëtarët dhe të gjitha elitat intelektuale politike e shtetërore botërore për të shpëtuar njerëzimin nga koronavirusi kinez vdekjeprurës, jo të spekulohet me  “shkarravinat” e  disa fukarenjve dhe injorantëve, të cilët me paditurinë , me johumanizmin , me shitjen dhe me servilizimin e tyre po mundohen t’i mashtrojnë dhe t’i “bindin” njerëzit  e varfër se, në vend të bukës dhe të ujit, duhet të ushqehen  dhe, të shuajnë etjen me ideologji propagandistike të ndryshme antihumane dhe antinjerëzore, që ta shkurtojnë jetën, ta  thajnë trurin, barkun, të shndërrojnë në lypësar dhe ta shuajnë jetën si koronavirusi kinez misterioz, që për çdo ditë po vret me qindra e mijëra njerëz anembanë globit tokësor.

Pra, në këto çaste dramatike të kataklizmës së zhdukjes së njerëzimit nga koronavirusi kinez-19,  assesi nuk është prioritet e as mençuri, sepse nuk është momenti, të shkarrvitet, se  si dhe, sa shqiptarët, duhet të jenë “neoliberalë” me Serbinë… , e xhepura të tjera, kur  me miliona njerëz po vdesin për bukë, për ujë të pijshëm, bër ilaçe, për strehë dhe për ekzistencë të zhveshur.

-Nëse nuk ke bukë ( je barkthatë), nuk ke ujë, nuk  ke punë, nuk ke liri ekonomike, politike e kombëtare, nuk ke shtëpi (ku ta futësh kokën), nuk ke sigurim dhe mbrojtje shëndetësore, nuk ke asnjë dollar në xhep, as në shtëpi, domethënë je fukara sui generis, sado i mënçur të jesh, nuk mund të kapesh në lozën e kungullit  mashtrues globalist, sepse nuk njeh  ligje e as ligjshmëri e formula të ndryshme të solidarësisë, të barazisë dhe të mirëqenies së përgjithshme. Pra, të mos humbasim kohë kot në këto çështje, por të punojmë sa më shumë, ditë e natë, sa të mund të qëndrojmë dhe ta përballojmë luftën e përditshme për ekzistencë.

Prandaj, fukarenjtë shqiptarë nuk duhet të lodhen aq shumë, duke ia bajtur gajle globalizimit mashtrues…,etj., sepse ka kush të interesohet për vënien e tij në jetë.  –SË PARI, PRIORITET MBI PRIORITET  ËSHTË SHPËTIMI I NJERËZIMIT NGA KORONAVIRUSI-covid-019-VDEKJEPRURËS ! – Jo “kopallat” dhe  “rrumpallat”   politike dhe propagandistike të politikanëve dhe të vasalëve të tyre të falimentuar.

Pra, nuk është momenti i përfoljes dhe i shtrembërimit të teorive dhe të doktrinave politike etj., se në përmbajtjen e tyre nuk mund të gjendet përgjigjja për shërimin nga koronavirusi kinez dhe nga viruset e tjera endemike, që kanë pllakosur njerëzimin, sidomos në 3 dekadat e fundit (papunësia, sëmundjet e ndryshme, uria, fatkeqësitë elementare të natyrës, varfëria, ekzodi sistematik i refugjatëve dhe i migrantëve, zhvendosja me dhunë e miliona njerëzëve për shkak të konflikteve dhe të luftërave kokale dhe rajonale…etj.) .

Sa më sipër, për njerëzit normalë që kanë tru, zemër, shpirt e dhembje njerëzore, tani, në këto çaste, e   vështirë qenka  të përjetojnë vdekjen e qindra e mijëra njerëzëve për çdo minutë anembanë rruzullit tokësor.

–Ajo që të helmatisë trurin, zemrën dhe shpirtin, është groposja e  të vdekurve  pa varre, pa shenjë dhe pa përcjellje të fundit  lamtumirëse.

 –Qameti nuk ka brirë. Ky është qameti, t’i groposësh njerëzit si kafshët me eskavator etj., si rrjedhim i shkallës së rrezikshmërisë infektuese vdekjeprurëse nga koronavirusi kinez-19.

Së fundi, edhe unë  me shpirt, me zemër  dhe me  besim të padundur, po i lutem të Madhit Zot të gjithëpushtetshëm dhe mëshirues, – O ZOT shpëtoje çdo qenie njerëzore në planetin tonë nga kjo kolerë vdekjeprurëse, që pa hile dhe, pa asnjë hak po herr njerëzimin    e pafajshëm.

Carl Bildt: Kjo pandemi ishte e shmangshme – Të gjitha qeveritë duhet urgjentisht të…

‘Nuk mund të ketë asnjë justifikim’, Carl Bildt flet hapur dhe bën apel të fortë: Të gjitha qeveritë duhet urgjentisht të…

Duke pasur parasysh frekuencën dhe ashpërsinë në rritje të epidemive virale, thjesht nuk ka asnjë justifikim për thellësinë e krizës së COVID-19. Të gjitha qeveritë duhet urgjentisht të bashkohen për të krijuar mekanizma dhe protokolle të reja, për të parandaluar përsëritjen e fatkeqësive të tilla. Sipas një studimi të kohëve të fundit, nëse autoritetet kineze do të kishin pranuar hapur kërcënimin dhe do të ishin përgjigjur siç duhet qoftë edhe tre javë më herët, përhapja e COVID-19 mund të ishte zvogëluar deri në 95%. Për shkak të pakujdesisë, injorancës dhe censurës lokale në momentin më kritik, e gjithë bota tani po paguan një çmim të madh.

STOCKHOLM – Një kërcënim i paprecedentë, kërkon një përgjigje të pashembullt. Rrallëherë qeverive u është dashur të hyjnë në një situatë menaxhimi krizash, aq shpejt sa kanë hyrë në javët e fundit. Deri më tani, fokusi ka qenë në çështjet më të menjëhershme mjekësore, politike dhe ekonomike të ngritura nga pandemia COVID-19 – ashtu siç duhej të ndodhte. Por gradualisht, vëmendja e qeverive do të duhet të kthehet tek pasojat afatgjata të krizës, dhe nevojën për të parandaluar fatkeqësi të tilla në të ardhmen.

Ka pasur disa kërcënime të rënda globale për shëndetin në dy dekadat e fundit. Epidemitë e SARS në 2003, MERS në 2012, dhe Ebola në 2014-16 janë vetëm tre shembuj të shpërthimeve epidemike, që kërkuan një përgjigje të vazhdueshme shumëpalëshe. Çdo episod kishte karakteristikat e veta unike: SARS u shfaq në Kinë, MERS në Arabinë Saudite dhe Ebola në Afrikën Perëndimore. Por mësimet nga të tre janë të ngjashme. Epidemitë dhe shfaqja e sëmundjeve të reja bëhen më të mundshme, si rezultat i rritjes së popullsisë, urbanizimit, shpyllëzimit dhe proceseve të prodhimit dhe shpërndarjes, që bëjnë bashkë shumë specie të ndryshme. Dhe zgjerimi i zinxhirëve të furnizimit global dhe tregtisë ndërkombëtare, për të mos përmendur rritjen e udhëtimeve ajrore ndërkombëtare, bëjnë që sëmundjet ngjitëse të përhapen në të gjithë botën, më shpejt se kurrë.

Vetëm në dekadën e fundit, Organizatës Botërore të Shëndetësisë i është dashur të shpallë një emergjencë shëndetësore, jo më pak se gjashtë herë. Eshtë e qartë, ne nuk kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përballuar shpërthimet e reja, me atë lloj aksioni të shpejtë dhe vendimtar, që ndoshta nuk do të kish lejuar që epidemia e koronavirusit, të dilte jashtë kontrollit.

Vlen të kujtohet se kur SARS (i cili u shkaktua gjithashtu nga një koronavirus) u shfaq në Kinën jugore në fund të vitit 2002, shpërthimi u mbulua për më shumë se një muaj, para se autoritetet kineze të pranonin seriozitetin e rrezikut. Po kështu, në ditët e para të shpërthimit të COVID-19, policia në Vuhan i bëri të heshtin me dhunë profesionistët e shëndetit, që u përpoqën t’u binin këmbanave të alarmit, dhe tubime masive publike u lejuan, edhe shumë kohë pasi rreziku i shpërthimit ishte bërë i qartë.

Sipas një studimi të kohëve të fundit, nëse autoritetet kineze do të kishin pranuar hapur kërcënimin dhe do të ishin përgjigjur siç duhet qoftë edhe tre javë më herët, përhapja e COVID-19 mund të ishte zvogëluar deri në 95%. Për shkak të pakujdesisë, injorancës dhe censurës lokale në momentin më kritik, e gjithë bota tani po paguan një çmim të madh.

Ndërsa OBSH pa dyshim ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër kërcënimeve globale për shëndetin ndër vite, ajo gjithashtu është përballur me kritika, se ka qenë tepër burokratike dhe e ngadaltë për t’iu përgjigjur këtyre krizave. Në të vërtetë, gjatë krizës së Ebolës, ishin Shtetet e Bashkuara, dhe jo OBSH, që bënë një hap përpara duke parandaluar një katastrofë më të gjerë.

Në çdo rast, edhe nëse performanca e OBSH-së kësaj here rezulton të ketë qenë e patëmetë, tashmë është e qartë se kemi nevojë për një mekanizëm shumë më të fortë global për t’u përballur me kërcënimin e pandemive. Të pengohesh nga një krizë në tjetrën thjesht nuk është opsion. COVID-19 është pandemia më e keqe që nga shpërthimi i të ashtuquajturit grip spanjoll në vitin 1918, dhe nuk ka asnjë arsye për të besuar se tjetra nuk do të jetë edhe më keq.

Ndër të tjera, një institucion i ri global do të duhet të ketë autoritetin dhe mjetet për të ndërhyrë sa më fort, për të ndalur një shpërthim infeksioni që në gjurmët e para. Arritja e një marrëveshjeje për një mekanizëm të tillë nuk do të jetë politikisht e lehtë; por është qartësisht e nevojshme për të parandaluar mosmarrëveshjet e vogla diplomatike, që pengojnë përpjekjet globale në përgjigjen ndaj pandemisë.

Në krizën aktuale, edhe pasi ishte e qartë se COVID-19 do të arrinte nivelin e një pandemie, Kina sërish e ka parë të arsyeshme ta pengojë Tajvanin që të jetë pjesë në diskutimet globale mbi mënyrën e reagimit. Po kështu, SHBA ka vazhduar ta dendë Iranin me sanksione, duke e bërë më të vështirë për atë qeveri që të administrojë epideminë brenda kufijve të vet.

Kjo sjellje është thjesht e papranueshme qoftë nga një perspektivë humanitare, qoftë dhe nga një pikëpamje makroekonomike. Çfarë do të ndodhte nëse virusi i radhës, nëse do të jetë shumë ngjitës, do të shfaqej në Tajvan ose Iran? Nëse ka pengesa të panevojshme që bllokojnë një përgjigje të menjëhershme, ne do të shkojmë përsëri atje ku jemi tani.

Sipas kuadrit aktuale, detyra për të raportuar kërcënime të reja ngjitëse tek autoritetet ndërkombëtare si OBSH, u takon qeverive të shteteve. Një reformë kritike, atëherë, do të ishte shtrirja e asaj detyre tek personeli mjekësor dhe i shëndetit publik në të gjitha nivelet – domethënë nga shtetet te individët. Përveç zvogëlimit të kohës që kërkon një përgjigje shumëpalëshe për të hyrë menjëherë në veprim, marrja e një “përgjegjësie universale për të raportuar” do ta bënte më të vështirë për autoritetet lokale ose kombëtare, që të fshihnin informacionin që do e konsideronin të papërshtatshëm.

Me mbylljen e kufijve të shteteve në përgjigje të krizës së COVID-19, disa po argumentojnë se tashmë epoka e globalizmit ka përfunduar. Por tendencat e rritjes së popullsisë dhe urbanizimit do të vazhdojnë, dhe viruset nuk do të fillojnë krejt papritur që të mbajnë pasaporta ose të respektojnë kufijtë kombëtarë. Vetëm në dekadën e kaluar, kërcënimet virale ndaj stabilitetit dhe prosperitetit global janë shfaqur që nga Kina, deri në Afrikë dhe Gadishullin Arabik, gjë që sugjeron se epidemia e ardhshme mund të fillojë pothuajse kudo.

Tani është koha që bota të mblidhet dhe të bjerë dakord për një sistem të ri, më efektiv të paralajmërimit dhe reagimit të hershëm. Kjo pandemi ishte e shmangshme. Nuk mund të ketë asnjë justifikim nëse ne nuk bëjmë gjithçka që kemi në dorë, tonë për të parandaluar atë të ardhshmen. / Project Syndicate – Bota.al

FENOMENI ALBIN KURTI – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Albin Kurti është rishtar në qeveri, por jo edhe i ri në moshë. Guidë ideologjike e tij kanë qenë dhe mbetën dy heronj në sakrificë, por profanë në politikë: Demaçi dhe Hoti. I pari kundërshtoi Marrëveshjen e Rambujesë, bashkë me Hashimin. Dhe të pranishmit në atë Kështjellë thonë se po të dëgjoheshin ata, lamtumirë Kosovë qysh në vitin 1999! I dyti, edhe pse Shqipëria  ishte përkallur, përfshi edhe shkollat dhe bibliotekat, nga bandat e kuqe dhe hiri ishte shtresuar “deri në gju”. Ndërkohë, kjo nuk e pengonte Hotin, për t`i uruar për marrjen e pushtetit, me dhunë e gjak, social-komunistët e Shqipërisë londineze.
     Megjithatë, në një intervistë të bërë më 1991 me bacë Adem Demaçin, më tha: “Vetëm të vdekurit dhe budallenjtë nuk ndryshojnë”. Të paktën, këtë porosi të artë, duhet ta lëndëzojë Albin kryeministri. E besueshme që ju u dakorduat me LDK-në ta zëvendësoni taksën me reciprocitetin. Ndërkohë, tani, SHBA ngulmon heqjen pa kushtëzim. Ndoshta janë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për këtë nguti të çliruesit, pavarësuesit dhe krijuesit të shtetit  të Kosovës. Atëherë, pse të fajësohet LDK-ja për “mos mbajtje të fjalës?!”
     Përgjatë bisedimeve për ndarjen e posteve dhe emërimin e ministrave, apelova tek koalicioni VV-LDK, që përzgjedhja e ministrave të bëhet në koordinim dhe pajtueshmëri të plotë të subjekteve në koalicion. Sepse nga përformanca e ministrave, varet suksesi ose mossuksesi i qeverisë. Përndryshe do të kemi një dështim total, si qeveria PAN-iste, e kryesuare nga Haradinaj.
     VV huazoi dy ministra profesional, edhe pse deri atëherë nuk ishin pjesë e partisë. Dhe, mirë bëri. Ndërsa LDK-ja disa emërime i bëri, thjeshtë, partiake, duke mos qenë adekuat për resorin ministror përkatës! Këtë praktikë e ka përsëritur nga koalicioni me PDK-në. Realisht, një polic i përkushtuar në profesionin e tij, që ka mbaruar, qoftë vetëm Shkollën e mesme klasike të Policisë, në Vushtëri, me një traditë tej 70-vjeçare, është shumë më kompetent, më i aftë se cilido fakultetli i një degëzimi tjetër profeskional. Dhe, LDK-ja ka shumë qindra sish, madje me akademi Policore, plus Fakultetin e Jurispudencës.
     Emërimi i një ministri konfliktuoz, i cili kundërshtoi hapur koalicioni me VV, duke preferuar PDK-në, edhe pse ajo akuzohet për përgjakjen e LDK-së dhe më shumë, penalizon kryetarin Isa Mustafa dhe klanin e tij. Dy nënkryetarët e LDK-së, munguan qëllimshëm dhe e dështuan një mbledhje të LDK-së, ku do të zgjidhej Kryesia e ngushtë dhe kandidati/ja për kryeminstër/e. Ishte një shantazh i vrazhdët, që spostoi LDK-në në vend të dytë, sepse elektorati e lexoi këtë si vijim i sundimit klanor në parti dhe thirrja për ndryshim, ishte mashtrim. LDK-ja humbi shansin e madh, për t`u bërë kryezonjë, përshkak të etjes karrieriste!
        Kushtet e LDK-së dhe reflektimi pa alternativë i Albin Kurtit
      LDK-ja duhet t`i reduktojë kushtet nga 3 në 1 për VV. Mjafton heqja e taksës pa kushtëzim, që është edhe kusht i Amerikës dhe BE-së. Albini duhet të reflektojë, duke mos përsëritur, jo gabime, por, faje, siç ishte emërimi i Kryetarit të Kuvendit dhe, tani, i Ministrit të Brendshëm, pa përfillur marrëveshjet me partnerin në koalicion. Albini duhet ta harrojë sjelljen mujëshore në politikë. Tutorin e tij, Demaçin, asnjë negociator nuk e ka qasur përsëdyti. Refuzimet neveritëse, janë fikësuar në botimet memoriale të personaliteteve ndërkombëtare të kohës.
     LDK-ja, përkatësisht, kryetari i saj me rrethin e tij vicioz, nuk ka të drejtë morale të kërkojë kërkim-falje nga dikush tjetër, kur ai me shokë nuk e kanë bërë këtë, të paktën, në tri raste:
        1) Kur e kanë tërhequr zvarrë Donikë Gërvallën, veprimtarën më të madhe në të gjithë Mërgatën shqiptare, para dhe gjatë luftës së Kosovës, njëherësh, vajza e zgjuar dhe krenare e Heroit Jusuf Gërvalla, nënë e tre fëmijëve studentë;
      2) Kur ua mbylli derën e Kuvendit të 8-të “Zgjedhor”, delegatëve të ligjshëm të Degës të LDK-së në Gjermani, 6 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë, të veprimtarëve të LDK-së, të vrarë gjatë dhe pas luftës, të cilësuara si vrasje politike. Qëllimi ishte sa i qartë, aq edhe i ulët, ngaqë ata nuk pranonin Kuvendin farsë e maskaradë, me “zgjedhje” aklamative;
     3) Kur iu mohua fjala, në Kuvendin e 9-të “Zgjedhor të LDK-së”, delegatës Melihate Trmëkollit, vajza që, para 31 vitësh, përkrah heroit Ukë Bytyçit, kundërshtoi, trimërisht, suprimimin e Autonomisë të Kosovës nga Serbia pushtuese!
           Përmenda vetëm tri rastet e jetuara, si delegat i Kuvendeve në fjalë.
     Për fund, çdo zgjidhje tjetër, është më e pranueshme se Mocioni. Eksponenti i LPK-së, SHIK-ut dhe PDK-së, Xhavit Haliti, e tha një të vërtetë, e cila, si duket i kushtoi: “SHIK-u është i pranishëm në të gjitha partitë politike të Kosovës”. LDK-ja duhet ta marrë seriozisht këtë fakt. Dhe, këtë prani mos e kërkoni ke brezi i ri. LDK-ja duhet ta konsiderojë si bjerra-kohë sundimin klanor. Fryma rugoviane, lëndëzimi i vizionit të Presidentit Rugova, bëhet duke braktisur dhe harruar, si një ëndërr të keqe, metodën bolshevike të veprimtarisë partiake, duke u njëtësuar me partitë-banda të PAN-it.
     Kufizimi i mandatit partiak, në bazë dhe qendër, kompetencat e reduktuara të kryetarit dhe drejtimi kolegjial, begatojnë në ide dhe numër LDK-në. Debati i shpenguar e demokratik, si në epokën rugoviane; konkurrenca e ndërshme, me bazë meritokracinë, vota e fshehtë dhe demokratike. Vetëm kjo formë e veprimit, pamundëson klanin vicioz, i cili përbën rrezik të përhershëm të përçarjes, deri në ndarje të partisë. Përndryshe, ajo bluarja, që përmendi i pari, Luta jonë i nderuar, edhe mund të ndodhë. LDK-ja, pa ndryshuar vetën, nuk mund të ndryshojë askënd dhe asgjë.

FJALËT E ËMBLA TË MIQVE SHQIPTARË – Nga GIAN ANTONIO STELLA* – E përktheu Eugjen Merlika

 

 

“Jo e jo. Nuk përgatis struktura, nuk dua të pres asnjeri. Shqiptarët e rinj do të vinin të trashnin rradhët e atyre që tashmë janë këtu, në Milano. A është e nevojshme t’a themi? Bëjnë gjthshka me përjashtim të dhënies ndihmesë bashkëjetesës qytetare”. A nuk është fort e ashpër? A nuk je duke e tepruar? “Aspak, me përjashtime shumë të rralla, shqiptarët vijnë këtu për të kryer krime. Janë të dhunshëm, nuk punojnë, futin në krizë sigurinë publike, hyjnë në tregun e drogës dhe të prostitucionit…”.

Ishte 18 marsi 1997 dhe kryetari I bashkisë së Milanos, Marco Formentini i Legës së Veriut, i përgjigjej kështu Venanzio Postigliones i cili e pyeste se si do të përgjigjej, nëse qeveria e Romano Prodit do t’i kërkonte të bashkëpunonte në sistemimin e një pjese të të ikurve nga Shqipëria në prag të një lufte civile. Duhet të jetë e qartë: në burgjet italiane në të vërtetë kishte shumë shqiptarë që, të rrokullisur në një lloj anarkie të çmendur mbas viteve të diktaturës komuniste, ishin paraqitur shpesh shumë keq. Edhe një kryebashkiak i së majtës si Francesco Rutelli në Romë, n’ato ditë , tha prerë: “Jemi të gatshëm t’u ofrojmë solidaritet  atyre që me të vërtetë vuajnë: fëmijë e familje në vështirësi, por vetëm në bazë të një vërtetimi të një nevoje njerëzore të sigurtë. Nuk kam asnjë  synim të sjell në Romë kriminalitetin e ikur nga burgjet shqiptare”. Mosbesim i ligjëruar. Por pa atë dozë të racizmit që rridhte nga thirrjet legiste (“Një votë më shumë Legës, një shqiptar më pak në Milano”), në shfrimet e dufit të Mario Borghezios (që i veshi “bandave të kriminelëve sllavë ose shqiptarë” madje dhe nënëvrasjen e Novi Ligures), në afishen e varur në Pieve di Soligo: “Fillon hapja e gjuetisë kundrejt gjahut të presë shtegtuese: rumunë, shqiptarë, kosovarë…” Për të mos folur për të shtënat e Salvinit kundër hyrjes së Shqipërisë në BE: “T’u a lemë këtë Evropë e këtë euro shqiptarëve e të ikim ne”.

Megjithatë, duke dërguar pardje n’Itali  tridhjetë mjekë e infermierë shqiptarë për të luftuar në spitalet tona në ballin e koronavirusit, kryeministri shqiptar Edi Rama, që e din se si bashkatdhetarët e tij me kohë janë përfshirë më mirë se të mërguarit e tjerë, ka kujtuar në një italishte të përsosur vetëm gjërat pozitive e ka përdorur vetëm fjalë t’ëmbla: “Shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi” Dhe përsëri: “Sot jemi të gjithë italianë”. Faleminderit.

 

“Corriere della Sera”, 31 mars 2020        E përktheu Eugjen Merlika

 

 

*Shënim i Përkthyesit

 

Autori i këtij shkrimi është një nga pendat më të njohura të publiçistikës italiane, ndër komentatorët më të shquar të së përditëshmes “Corriere della Sera”. Gian Antonio Stella ka lindur më 1953 në Asolo, provinca e Trevisos. Është autor i 32 vëllimeve publiçistike, të botuara nga viti 1977 deri në 2019. Është laureat i 15 çmimeve letrare e publiçistike italiane e të huaja. Në vitin 2002, kur në Itali vazhdonte të quhej problematike çështja e të mërguarve, me nota kritike edhe karshi shqiptarëve, Stella botoi veprën “Hordhia. Kur shqiptarët ishim ne”. N’atë libër ai u kujtonte bashkatdhetarëve të tij që, në sektorë jo të paktë të shoqërisë, ishin refraktarë kundrejt shqiptarëvet, se cila kishte qënë historia e mërgimit italian n’Evropë e në botë, në shekujt 19 e 20. Ishte një histori e ngjajshme me atë të shqiptarëve, kundrejt të cilëve ai nuk e fshihte mirëkuptimin e simpatinë, gjëra për të cilat besoj se të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës.

Dërgimi i tridhjetë mjekëve e infermjerëve shqiptarë në ballin e luftës kundër koronavirusit është vlerësuar shumë n’Itali, si nga klasa politike (madje vetë Salvini, i përmendur në këtë shkrim për një shprehje përçmuese ndaj Shqipërisë, i ka shprehur edhe publikisht falënderimin kryeministrit), ashtu edhe nga opinioni publik. Duhet të vemë re me kënaqësi se edhe ky i fundit ka ndryshuar shumë në drejtim të gjykimit për ne, që është bërë mjaft pozitiv. Kjo i kushtohet punës së shumicës dërmuese të shqiptarëve, veprimtari e bazuar në korrektësinë dhe mbajtjen e fjalës së dhënë, gjë në të cilën vendasit nuk shkëlqejnë shumë. Duhet të theksojmë këtu edhe ndihmesën e vlerësuar të qindra e mijra djemve e vajzave shqiptare që, me aftësinë e tyre në studime e në punë, me korrektësinë e vullnetin e mirë për të hapur rrugën e jetës, kanë arritur të bëjnë edhe karierë në fusha të ndryshme, duke u bërë qytetarë të nderuar të shoqërisë italiane.

Falënderimi, me të cilin mbyll shkrimin gazetari i shkëlqyer italian, nuk i drejtohet vetëm kryeministrit i cili ka pjesën e vet në këtë veprim të lëvdueshëm, por të gjithë popullit shqiptar, të gjithë Shqipërisë që shpalosi në këtë mënyrë vlerat e saj tradicionale, me të cilat jemi krenuar e jemi lavdëruar në shekujt e gjatë të historisë sonë. Ato vlera pësuan një goditje të fuqishme në gjysmë shekullin komunist, me përpjekjen mizore të Sigurimit të shtetit për të kthyer në spiunë të njëri tjetrit pothuajse të gjithë popullsinë.

Por duket se ato vlera u ringjallën përsëri, ndoshta se bëjnë pjesë në ADN-në tonë si popull, herë herë duke u shpalosur e ngritur krye në jetën tonë shoqërore. Ndoshta ato vlera përfaqësojnë të vetmen shpresë në t’ardhmen tonë, një shpresë të venitur, pothuajse të vrarë nga politika në këta tridhjetë vite. Mendoj se duke e parë atë dukuri n’atë këndvështrim, si vepër kombëtare e jo si trill i çastit politik, si shpalosje të vlerave të shqiptarëve e të Shqipërisë, si vënie në jetë e një parimi të lashtë të filozofisë morale të popullit tonë, simbas së cilës shqiptari për mikun ka gati “bukë e kripë e zemër”, pa vënë theksin mbi personin që i takoi t’a shpallë zyrtarisht, në sajë të postit që mban, e mbi motivet e hamendësuara apo të vërteta të tij, pa njëjtësuar veprimin me figurën e kryeministrit si njeri por si institucion, ne të gjithë do të jemi të vetëdijshëm për dobinë e atij veprimi. Ai është shprehje e mirënjohjes së Shqipërisë për fqinjën e përtej detit, e cila po kalon një nga periudhat më të vështira që prej tre çerek shekulli e me të cilën historikisht na kanë lidhur më shumë gjëra të mira se të këqia.

Duke treguar mirënjohje ne lartësojmë vetveten dhe emrin e Vëndit tonë në botë. Madje këtë nuk duhet t’a bëjmë nga pozita e llogaritësit të çastit aktual evropian në funksion kritikues për të tjerë, por thjesht sepse respektojmë vlerat tona. Nëse vlerat tona çmohen e merren si shembull ne jemi të paguar me ndërgjegjen tonë. Ndonjë shprehje skeptiçizmi e qesëndie që është shfaqur aty këtu në opinionin publik nuk i shërben përfytyresës sonë e ndonjë vrejtje e hapur për lënie mbas dore të problemeve tona për të zgjidhur ata të Italisë, më duken tepër mjerane dhe as të denja për shqyrtim.

Do të bënim mirë të lehtësoheshim sado pak nga ngarkesa mendore ideologjizuese e politikës, që na errëson pa da pamjen e të lëvronim  në vetvete arsyen e ftohtë t’aftë të vlerësojë në çdo kah veprimet e dukuritë në vetvete, pavarësisht kush i kryen apo kush i përcakton. Mendoj se në këtë mënyrë do të jemi më objektivë në gjykim e më të dobishëm për veten e për kombin të cilit i përkasim.

Në këtë mënyrë, të gjithë së bashku duhet t’i urojmë punën e mbarë e sukses atyre vajzave e djemve tanë, që na përfaqësojnë në një ndërmarrje të vështirë e të rrezikshme. E kemi për detyrë t’u sigurojmë atyre mbështetjen e ngrohtë të gjithë Atdheut, për të cilin ata po shkruajnë sot një faqe të bukur që, siç del edhe nga shkrimi i mësipërm, bota e vlerëson dhe e merr si shembull.

Faleminderit Gian Antonio Stella për shkrimin tuaj dhe vlerësimin e Vëndit tonë, shqiptarët do t’u jenë mirënjohës me të gjithë fuqinë që dijnë t’i japin ata asaj fjale.

Virusi dhe Zgjedhjet- Ku janë shtetet me të cilat kemi Traktate Miqësie? – Nga SHABAN MURATI

Pandemia e coronavirusit, që e ka mbyllur botën si asnjëherë më parë në histori, kërkon përveç terapisë mjekësore edhe terapinë e saj politike, që shoqëritë nacionale të jenë në gjendje të kapërxejnë këtë fatkeqësi kombëtare dhe botërore.

Aplikimi i terapisë politike është po aq i vështirë sa ajo mjekësore, sidomos në rajone si Ballkani, më i varfri në nivel ekonomik dhe më i vonuari në nivel demokratik në Europë. Por është një efekt pozitiv në kohën e kësaj pandemie që shtetet e Ballkanit arritën të kuptojnë domosdoshmërinë e një terapie politike, e cila fillon me ngrirjen e zgjedhjeve parlamentare apo lokale qofshin.

Virusi e detyroi Ballkanin të zbulojë dhe të pranojë se pandemia nuk përputhet as me zgjedhjet dhe as me dëshirat apo endrrat për zgjedhje dhe pushtet të partive politike apo politikanëve në vende të ndryshme. Dhe jo rastësisht në kohën e pandemisë së koronavirusit disa shtete ballkanike u ndjenë nën dallgën e zgjedhjeve.

Me të drejtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 29 mars përcaktoi rendin e prioriteteve dhe theksoi se “porsa të mbarojë pandemia Covid- 19 ne duhet të zbresim te populli për zgjedhje të reja”. Kosova, e përfshirë në oqeanin rajonal dhe ndërkombëtar të epidemisë së përgjithshme dhe e mbytur në kriza artificale bizantine politike, nuk mund të mos lerë mënjanë çdo lojë apo aventurë elektorale në një kohë të tillë. Kosova e kupton prioritetin e momentit.

Në Serbi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në datën 16 mars vendosi shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për në 26 prill 2020, për shkak të koronavirusit, deri në heqjen e gjendjes së emergjencës, që shpalli parlamenti serb. Në komunikatën e këtij komisioni theksohet se të gjitha afatet lidhur me procesin zgjedhor do të caktohen pas mbarimit të gjendjes së emergjencave.

Në Maqedoninë e Veriut në takimin e jashtëzakonshëm midis presidentit dhe kryetarëve të partive politike parlamentare u ra dakord dhe qeveria vendosi në 22 mars që të shtyhen zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, që do të mbaheshin në datën 12 prill 2020.

Në Malin e Zi presidenti Milo Gjukanovic në 17 mars anuloi zgjedhjet për asamblenë lokale të Tivarit, që do të mbaheshin në datën 5 prill 2020. Ato do të zhvillohen 90 ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonëshme të vendosur për shkak të epidemisë së koronavirusit.

E përbashkëta pozitive e këtyre vendimeve të drejta politike është se jo vetëm shtyhen e ngrijnë zgjedhjet, por ato do të zhvillohen pasi të kapërxehen masat e jashtëzakonëshme dhe gjendja e jashtëzakonëshme e pandemisë së koronavirusit. Ngrirja e zgjedhjeve parlamentare apo lokale është një terapi e drejtë në situatat serioze, që po kalojnë shtetet e Ballkanit dhe të Europës për shkak të epidemisë.

Udhëheqësit seriozë të shteteve i drejtojnë shtetet në bazë të prioriteteve strategjike të aktualitetit dhe të perspektivës. Aktualiteti dramatik epidemisë i jep prioritetin numur një luftës dhe kapërcimit të epidemisë si fatkeqësi kombëtare. Beteja e madhe, (singulare do të thonte Noli) e shtetit me epideminë e koronavirusit kërkon kohezionin dhe konsensusin e të gjitha forcave politike dhe të gjithë grupeve të popullsisë.

Virusi po u mëson edhe shteteve ballkanike ligjin e hekurt të prioriteteve. Është një zhvillim pozitiv që shtetet e Ballkanit kuptuan seriozitetin e gjendjes dhe po shmangin kurthin e prioritetit zgjedhor. Kushdo e kupton se organizimi i çdo lloj zgjedhje parlamentare apo lokale në një shtet ballkanik në situatën e jashtëzakonëshme të krijuar nga koronavirusi do të ishte vetëvrasje shëndetësore, shtetërore dhe kombëtare. Do të demostronte cinizmin dhe etjen kriminale për pushtet të forcave të caktuara, të cilat janë gati të sakrifikojnë edhe shëndetin, edhe jetën e popullit, për ambicjet vampireske për pushtet.

Në çdo shtet ballkanik ka politikanë të instikteve kriminale, të cilët janë gati të përdorin fatkeqësitë kombëtare natyrale për të krijuar trazira dhe për të marrë pushtetin. Në çdo shtet ballkanik ka politikanë, të cilët edhe pandeminë e koronavirusit e shohin si rast i artë për të marrë pushtetin me çdo kusht.

Përveç aspektit të brendshëm, etja dhe ambicja për të marrë pushtetin në kohë pandemie vdekjeprurëse, me aventurën e zgjedhjeve në shtetet e dobta të Ballkanit, duhet parë edhe si një rrymë politike e sponsorizuar nga forca ballkanike dhe jashtëballkanike, të cilat pandeminë e konsiderojnë edhe si mundësi e rritjes së influencës në shtetet dhe popujt e gjunjëzuar nga epidemia.

Nuk janë të rastit as tronditjet, që po konstatohen tani në Ballkan lidhur me rrugën e orientimit strategjik të këtyre vendeve. Është e vërtetë që BE në kohën e koronavirusit nuk u tregua në lartësinë e duhur të solidaritetit si ndaj vendeve anëtare, ashtu dhe ndaj shteteve kandidate, por kjo nuk don të thotë se vendet e Ballkanit duhet të heqin dorë nga orientimi strategjik euroatlantik.

Nuk mund të konsiderohet i drejtë konkluzioni i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në datën 30 mars, duke sulmuar Europën, deklaroi: “Serbia kishte shpresa të mëdha te Europa, por tani serbët mbështeten më shumë te vetja e vet”. Pas kërkesës që qeveria serbe, duke u mbështetur tek Traktati strategjik nënshkruar midis Serbisë dhe Rusisë, i kërkoi Rusisë në 27 mars ndihma për epideminë e koronavirusit, Dmitri Peskov, sekretari i shtypit i presidentit rus, deklaroi: “ Një kërkesë nga një shtet i rëndësishëm, aleat dhe vëlla si Serbia, nuk do të qendrojë pa përgjigje”.

Në rastin e marrëdhënieve Serbi-Rusi nuk është çeshtje thjesht tek solidariteti, por situata e epidemisë po përdoret nga Serbia për të forcuar më shumë aleancën dhe orientimin e saj strategjik te Rusia. Në këtë tematikë janë për t’u parë edhe raportet midis shteteve të Ballkanit.

Është e drejtë pakënaqësia e shprehur nga disa shtete të Ballkanit ndaj disa shteteve të BE, të cilat ndaluan eksportin e produkteve dhe pajisjeve mjekësore në periudhën e epidemisë së koronavirusit. U kritikua me të drejtë në vendet e Ballkanit qendrimi BE ndaj Italisë, të cilës iu mohua ndihma europiane në pikun e epidemisë, kur po i vdisnin qidra vetë në ditë nga koronavirusi.

Por kritika ndaj mungesës së solidaritetit europian nxorri në dritë një tipar tjetër të marrëdhënieve ndërballkanike: atë të mungesës së solidaritetit ballkanik. Dhe kampioni i kësaj mungese solidariteti është Serbia, presidenti i së cilës nuk ka lënë ditë pa sulmuar Europën për ndalim eksporti.

Në datën 28 mars portali “startribune.com” njoftonte se Serbia ka ndaluar eksportin e produkteve ushqimore. Në datën 16 mars kryeministrja serbe, Ana Bernabiç, deklaroi se qeveria serbe do të ndalojë eksportin e gjithë llojeve të ilaçeve për 30 ditë. Pra Serbia bën vetë pikërisht atë gjë për të cilën kritikon shtetet e BE, që ndalojnë eksportin e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore.

Serbia ka shkuar edhe më tej, duke ndaluar edhe eksportin e mallrave ushqimore. Ky është një tregues domethënës, që duhet të mbahet i shënuar fort në kalendarin e kryeministrave dhe presidentëve të shteteve ballkanike dhe sidomos atyre të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, që janë dalldisur pas dashurisë ballkanike të Serbisë me projektin e quajtur “minishengen”. Serbia nuk bëri asnjë përjashtim për shtetet e Ballkanit të “minishengenit” në ndalimin e saj të eksporteve të ilaçeve dhe të ushqimeve në kohën e epidemisë, duke demostruar një mungesë të plotë të solidaritetit ballkanik dhe fqinjësor.

Retorika dhe projektet fosforeshente për “unione ballkaniko-perëndimore” shkrihen si krypa në ujë në provat e rralla tragjike si kjo e epidemisë se koronavirusit.

Një dilemë e re strategjike, që i del përpara Shqipërsë, qeverisë dhe diplomacisë së saj, është pyetja serioze se ku janë shtetet, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie e Bashkëpunimi strategjik për të ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër koronavirusit. Përveç Turqisë, SHBA dhe Italisë, asnjë shtet tjetër me të cilët kemi nënshkruar Traktate strategjike miqësie e bashkëpunimi nuk është bërë i gjallë.

Mos harroni se janë katër shtete ballkanike, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie e Bashkëpunimi dhe asnjeri nuk ka lëvizur gishtin deri tani për të dërguar maska, tampone, respiratorë apo ambulanca. Pandemitë janë teste për të provuar marrëveshjet dhe traktatet strategjike, të nënshkruara midis shteteve në periudha të ndryshme kohore. Pandemitë janë luftra dhe kjo e koronavirusit është përkufizuar si luftë nga shumë kryetarë shtetesh të rëndësishme të Europës dhe të botës.

Nëse një Traktat strategjik nuk funksionon në periudha lufte apo nevoja lufte, nuk mund të mos lindë dyshimi se çfarë vlere mund të ketë.
Jo gjithmonë Shqipëria ka mbajtur parasysh kriteret rigoroze, që ndiqen për të zgjedhur shtetet me të cilët nënshkruan Traktate Miqësie, për të mos thënë që Shqipëria ka nënshkruar Traktate strategjike dhe ka shpallur aleatë strategjikë shtete, që i dilnin rrugës ndonjë ministri të jashtëm megalloman shqiptar.

Terapia politike në kohën e koronavirusit synon sigurimin e atyre rrethanave politike e sociale brenda vendit, që krijojnë klimën e nevojshme për suksesin e prioritetit numur një në kohë epidemie dhe pandemie, që është sigurimi i shëndetit dhe i jetës së qytetarëve.

Në këtë situatë të jashtëzakonëshme, që po kalojnë shtetet e Ballkanit, do të ishte e mirëpritur arritja e një moratoriumi kombëtar nga partitë dhe forcat politike të çdo shteti për të sanksionuar uljen poshtë të armëve dhe të ambicjeve për të marrë pushtetin, deri sa të mbarojë lufta me koronavirusin.

E para mbi të gjitha për çdo popull dhe çdo shtet është ekzistenca, dhe pastaj vijnë të tjerat, që janë forma të ekzistencës, siç është pushteti politik.

KOVID-19 DO T’I SHPËTOJMË, POR KORONËS KOLONIALISTE SHEKULLORE HËPËRHË JO ! – Nga Prof.Dr. Mehdi HYSENI

Një letër mikut tim në  Atdhe

I dashur miku im    Ahmet,

Gjithashtu të falënderoj për fjalët kurajuese dhe për lutjen e dëshirën e madhe e shpresëdhënëse, se, së bashku, do ta tejkalojmë edhe këtë katrahurë të përbotshme vdekjeprurëse dhe shemtuese… Dhe, do ta tejkalojmë, dashtë Zoti i madh.

2.

Pajtohem plotësisht,  se fatkeqësisht  koha dhe shekujt po e dëshmojnë që shqiptarët nuk ka koronavirus, as superfuqi në botë që i bashkon, prandaj, gjendja e përgjithshme në të cilën ndodhen edhe sot, është tërësisht e merituar. Dhe, kjo epidemi përçarëse dhe copëtuese, do të vazhdojë edhe në këtë shekull të sëmurë të njerëzimit.

3.

Edhe ky konstatim juaj është i qëndrueshëm, se “ky virus  është me përbërje “biologjike-ekonomike, dhe se pas kësaj bota do të ndryshojë shumë”. –Po, kështu po shkruajnë edhe masmediat më të njohura botërore, si dhe shkencëtarët më eminentë amerikanë dhe evropianë.

4.

Gjithashtu, me kohë, edhe vëllezërëve ua paske treguar leksionin më të qëlluar dhe  të vërtetë, se në këtë shekull të sëmurë, qentë dhe zagarët, shitësit, tradhtarët, plaçkitësit, dhunuesit dhe vrastarët po stimulohen, po dashurohen, po favorizohen   dhe po përqafohen si “vlera progresive” të njerëzimit. Ndërkaq, vlerat e njëmendta universale i kanë shpërfytyruar në varfnjakë, në lypës, në refugjatë, në krah pune  me mëditje, si shërbëtorë të pasanikëve hajna, injorantë, dhunues, korrupcionstë, kriminelë ordinerë, shfrytëzues dhe vrasës të vegjëlisë dhe të vlerave të njëmendta universale të dritës dhe të përparimit mbarënjerëzor.

Pra, shumë mirë, e me kohë e paske parashikuar, se do të vijë dita e madhe e qenëve endacakë, që do të bashkohen, do të shoqërohen, dhe do të bëjnë gara, duke kërkuar ngordhësira të kohës. –Kjo nuk është për t’u tallur, por, për të vajtuar, se qe tri dekada kudo në vendet e popujve të vegjël qenët e kanë vlerën më të madhe sesa vetë njeriu i rëndomtë,  sesa liria, barazia dhe mirëqenia e tij e përgjitshme. Kjo është esenca e  përmbajtjes së këtij shekulli më të sëmurë në historinë e shekujve të derisotëm të njerëzimit në dimensione botërore.

Me këtë desha ta mbështes konstatimin tuaj objektiv dhe realist, se,  as ti, as unë, e as njerëzit  normalë, humanistë , racionalë, solidarë e largpamës, që ende nuk u ka ikur truri nga vlerat njerëzore në instiktin shtazor, nga altruizmi, nga solidarësia dhe nga humanizmi …etj., nuk kanë se si të jenë “optimistë” “për perspektivën e popujve të vegjël, e posaçërisht për kombin tonë të vogël”, kur qeni çmohet më shumë, e ka standarin jetësor shumë  më të mirë dhe shumë më të lartë se njeriu, si dhe e ka vlerën më të madhe se njeriu, që është krijues dhe bartës i të gjitha vlerave universale dhe civilizuese të bashkësisë së derisotme njerëzore.

Pra, nuk ka arsye, që të jemi optimistë, kur  30 vjet janë të humbura për popujt dhe vendet e vegjël, të varfër dhe të pazhvilluar ekonomikisht, industrialisht…,etj., por kanë ngelur në varfëri e mjerim dhe të kolonizuar sikurse pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

-Robëria qoftë politike, qoftë ekonomike a qoftë koloniale, nuk heqet me lutje dhe me propagandë neofashiste dhe me cullakhane e me shfrytëzim skllavopronar, por vetëm me punë, me djersë e me sakrifica të shumëta. Këtë e ka provuar historia e derisotme  e njerëzimit.

Fundja, edhe ne të mos bëjmë gjynah me kafshët shtëpiake, por historia e derisotme botëroe flet se, deri më sot, asnjë qen dhe asnjë zagar nuk ka sjellë lirinë dhe pavarësinë e asnjë populli në botë, por vetë njerëzit janë ata, që me idealin, me diturinë, me vendosmërinë, me dinjitetin njerëzor, me mendje të mbledhur, me punë të madhe,  me kontributin dhe me luftën e tyre të drejtë dhe të pareshtur kanë ndryshuar gjendjen e vet në mbarë botën.

-Të jetojmë dhe të veprojmë  me besimin në të drejtën dhe në të vërtetën,  të mos  mashtrohemi pas eshtërave  të qenëve dhe të zagarëve të krehur dhe të bashkuar, sepse ata jetojnë me instiktin,  e ne jetojmë me arsyen dhe me gjykimin, jo për t’i zhdukur, sunduar dhe robëruar të tjerët, por për ta njohur vetëveten, për ta lumnuar vetëvetën në liri, në paqe, në harmoni, në barazi, në solidarësi, në përbashkësi e në mirëqenie të plotë me të gjithë popujt e tjerë liridashës dhe paqedashës  të  mbarë botës. Ne nuk jemi specifikë, por si të gjithë popujt dhe kombet e tjerë, që duan liri, pavarësi, vetëvendosje, zhvillim, përparim, qytetërim, paqe dhe mirëqenie të plotë. -Duam të jemi zot në shtëpinë tonë stërgjyshore pellazgo-ilire-shqiptare, jo  shërbëtorë dhe skllevër të  shtypur dhe të zhveshur nga  të drejtat dhe liritë tona kolektive kombëtare, shtetërore dhe territoriale.

Ahmet i dashur,

Më fal se, u zgjata ca, por t’i më  “preke  atje ku më së shumëti po më dhemb dhëmbi”…, sepse kolonializmi  shekullor mbi shqiptarët dhe copëtimi i bashkimit  të tyre dhe i territoreve të SHQIPËRISË ETNIKE, tanimë, është bërë  sëmundje kronike e pashërueshme (1878-2020).

Të uroj jetë të gjatë e të lumtur së bashku me djemët e mrekullueshëm. Paçi vetëm gëzime , suksese e fat në jetë !

Sinqerisht dhe vëllazërisht,

Mehdiu

PS.

Mos harro, Ahmet, se unë i dua ata, që më donë mua, e jo qenin ose zagarin tim… Të  kuptohemi, të dobishëm janë edhe qentë dhe zagarët e butë dhe të mirë, por, VLERA SIPRANE DHE MË E ÇMUESHME  në këtë botë, ËSHTË  VETËM NJERIU !

Prandaj, çdo shpërfillje, çdo shpërfytyrim dhe çdo bastardim i kësaj VLERE SIPRANE, shpie në instinkt  shtazërie dhe në skllavëri të përjetshme.