VOAL

VOAL

Besiana Kadare, vajza e Kadaresë rol kyç për futjen e Kosovës në axhendën e UNESCO-s

September 15, 2015

Komentet

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve rezolutë drejtuar KLGJ-së: Togat e zeza nën presion të vazhdueshëm. Mbingarkesa në Gjykata e paprecedentë, shqetësues cenimi i sigurisë!

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i është drejtuar me një rezolutë Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke ngritur shqetësime serioze dhe urgjente mbi funksionimin e gjykatave, veçanërisht atyre të Tiranës dhe Apelit.

Në dokument theksohet se mbingarkesa e jashtëzakonshme e çështjeve, mungesa e gjyqtarëve, problemet e sigurisë dhe standardet jorealiste të vlerësimit po cenojnë drejtpërdrejt pavarësinë e gjyqësorit, mirëqenien e gjyqtarëve dhe të drejtën e qytetarëve për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

REZOLUTA

Drejtuar: Këshillit të Lartë Gjyqësor

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, në ushtrim të rolit të saj përfaqësues dhe në përmbushje të misionit për mbrojtjen e pavarësisë, dinjitetit dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor, në mbledhjen e saj të fundit të dates 10.12.2025, vendosi t’i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për të paraqitur shqetësime serioze dhe urgjente lidhur me funksionimin e disa gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, veçanërisht Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Në këtë moment, këto gjykata janë ato që përballojnë ngarkesën më të madhe të çështjeve të juridiksionit përkatës në shkallë vendi. Gjithashtu, i njëjti shqetësim vlen edhe për gjykatat administrative.

Që prej fillimit të zbatimit të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting), nga viti 2018 e në vijim, këto gjykata, dhe jo vetëm, janë përballur me një situatë mbingarkese të paprecedentë, të zgjatur në kohë, të shoqëruar me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, si në nivelin e gjyqtarëve ashtu edhe të administratës gjyqësore.

Kjo situatë ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar drejtpërdrejt respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetin dhe eficiencën e administrimit të drejtësisë, si dhe perceptimin dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor. Kjo situatë është shoqëruar madje dhe me raste ekstreme të cenimit të jetës së gjyqtarëve, deri në rastin tragjik të kolegut tonë gjyqtar z. Astrit Kalaja.

Njëkohësisht, mbingarkesa strukturore dhe afatgjatë (puna me orare përtej atij zyrtar, angazhimi me punë gjatë fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare e pushimeve vjetore), ka cenuar rëndë mirëqenien fizike, psikologjike dhe sociale të gjyqtarëve dhe të stafit administrativ, duke krijuar kushte pune që bien ndesh me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për ushtrimin e pavarur dhe dinjitoz të funksionit gjyqësor. Mirëqenia e gjyqtarëve njihet tashmë edhe në dokumentet e Kombeve të Bashkuara si element thelbësor për garantimin dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe cilësisë së drejtësisë (Deklarata Nauru mbi Mirëqenien e Gjyqësorit datë 25.05.2024). Fluksi i jashtëzakonshëm i çështjeve, rishortimet e vazhdueshme dhe mungesa e infrastrukturës kanë vendosur gjyqtarët përballë një presioni të vazhdueshëm profesional dhe njerëzor, duke i cenuar në ushtrimin e pavarur dhe cilësor të funksionit gjyqësor.

Në këtë kontekst, Shoqata parashtron problematikat konkrete të mëposhtme dhe paraqet kërkesat përkatëse ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor, si organ kushtetues i qeverisjes së sistemit gjyqësor.

I. Problematikat e konstatuara
1. Siguria institucionale në gjykata
1.1. Kontrolli i personave që hyjnë në ambientet e gjykatave kryhet nga persona të patrajnuar dhe pa standarde të unifikuara sigurie, me trajtim finanaciar të ulët. Për pasojë punonjësit e sigurisë caktohen punonjës të sektorit të shërbimeve mbështetëse të cilet rekrutohen me pagën e përafërt me pagën minimale në shkallë vendi, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të kryer këtë shërbim në mënyrë efikase.

1.2. Mungon ndarja funksionale e ambienteve të brendshme ndërmjet:
• gjyqtarëve;
• stafit administrativ;
• palëve në proces dhe publikut.

1.3. Në shumicën e ambienteve gjyqësore mungojnë pajisjet teknike të kontrollit të sigurisë (detektorë metalikë, mjete skanimi etj.).

1.4. Nuk ka personel të dedikuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore në sallat e gjykimeve.

2. Ngarkesa e punës dhe menaxhimi i çështjeve

2.1. Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përballen aktualisht me një ngarkesë mesatare që tejkalon 1100 çështje për gjyqtar (ngarkesë kjo tashmë sistematike prej më shumë 7 vjetësh). Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm po ashtu përballet me një ngarkesë të lartë të çështjeve të prapambetura, duke e bërë të pamundur realizimin e standardit kushtetues të gjykimit brenda afateve të arsyeshme. Radha e shqyrtimit të ankimeve të zakonshme në këtë gjykatë është ende në vitet 2017–2018, ndërkohë që rreth 50.000 dosje presin shqyrtimin.

Kjo ngarkesë vjen si pasojë e:
a) organikës së paplotësuar të gjyqtarëve, e cila deri në fund të vitin 2022 për gjykatën e shkallës së pare ka qenë rreth 52% sipas raportit të ILD-së datë 29.09.2023 dhe vijon të jetë e tillë, ndërsa për gjykatën e apelit ka një numër shumë të vogël gjyqtarësh vetëm 32 nga 78 që duhet të kishte. Kohët e fundit KLGJ-ja, me delegimin dhe ngritjen në detyrë të disa gjyqtarëve nga gjykata e shkallës së parë, ka rritur numrin e gjyqtarëve në këtë gjykatë, por efektiviteti i kësaj vendim-marrje mbetet për t’u vlerësuar në kushtet e mungesës së infrastrukturës me salla gjykimi, zyra gjyqtarësh dhe staf administrative mbështetës.

b) mungesës së stafit administrativ shoqëruar me mangësi në trajnimin e tyre profesional, veçanërisht të sekretarëve dhe ndihmësve ligjorë, duke sjellë:

• vonesa procedurale;

• angazhim të gjyqtarëve në detyra administrative, në kundërshtim me natyrën e funksionit të tyre.

2.2. Transferimet e gjyqtarëve të kryera nga KLGJ-ja gjatë viteve të fundit nuk kanë prodhuar rritje reale të kapaciteteve gjyqësore, për shkak se janë shoqëruar me ngritje në detyrë dhe lëvizje paralele të gjyqtarëve në gjykata të tjera.

2.3. Rishortimi i çështjeve të mbetura nga gjyqtarët e larguar ose të transferuar ka krijuar:

• rritje të menjëhershme të ngarkesës për gjyqtarët aktualë dhe cenimin e mirëqenies së tyre fizike, psikologjike, emocionale, duke i vënë përballë një situate të vazhdueshme për gjykimin e çështjeve tej kapaciteteve të mundshme njerëzore dhe përballjen me presionin e palëve, për shkak të pamundësisë së respektimit të afateve ligjore të gjykimit të çështjeve dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Gjyqtarët përballen me menaxhimin e një situate të jashtëzakonshme, që nuk ka ardhur për faj të tyre;

• vonesa të mëtejshme në shqyrtimin e çështjeve;

• pakënaqësi dhe mungesë besimi nga ana e palëve në proces.

2.4. Transferimet, përfshirë edhe ato të përkohshme, nga një seksion në një seksion tjetër brenda së njëjtës gjykatë, kanë sjellë rishortim çështjesh sipas vendimit nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së dhe ndërprerje të vazhdimësisë së gjykimit e për pasojë ngarkesë joproporcionale mes gjyqtarëve.

2.5 Nuk ka mjaftueshëm salla për të zhvilluar gjykimet në gjykata. Kjo ka sjellë si pasojë cenimin e cilësisë dhe transparencës së procesve gjyqësore në raport me palët. Godina e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është krejtësisht e papërshtatshme, duke qenë se mungojnë hapësirat e nevojshme për salla gjyqi (ka vetëm 8 salla dhe me kalimin e gjyqtarëve të rinj në këtë gjykatë bëhet tejet e vështirë, në mos e pamundur, që gjyqtarët të zhvillojnë seanca gjyqësore), ka mungesë hapësire për arkiva, akomodim të gjyqtarëve dhe stafit ndihmës, mungesë të ambienteve të përshtatshme për avokatët, palët ndërgjyqëse, prokurorët, të paraburgosurit si dhe për qytetarët.

3. Vlerësimi dhe pëgjegjësia e gjyqtarëve

3.1. Vendimi nr. 433, datë 22.07.2025, i Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për përcaktimin e afateve standarde minimale kohore dhe standardeve minimale sasiore”, parashikon kritere të cilat, në kushtet aktuale të mbingarkesës strukturore, rezultojnë objektivisht të parealizueshme për një pjesë të konsiderueshme të gjykatave, veçanërisht për ato të Tiranës. Ky vendim parashikon mundësinë e gjykatave për të vendosur afate tej atyre të parashikuara në të , sipas specifikave të tyre, duke i deleguar kompetencën për të sanksionuar këto rregulla Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, të secilës gjykatë. Megjithatë, vlerësojmë se ky mekanizëm krijon mundësinë që gjykata të ndryshme të vendosin rregulla të ndryshme mbi afatet e gjykimit dhe standartet minimale sasiore, për rrjedhojë shkallë të ndryshme vlerësimi. Kjo krijon premisën për pabarazi në trajtimin e gjyqtarëve në shkallë vendi .

Kjo sjell për pasojë:
• trysni dhe presion ndaj gjyqtarëve;
• subjektivizëm në procesin e vlerësimit;
• rrezik për ushtrimin e pushtetit diskrecional nga organet vlerësuese dhe kontrolluese;
• dekurajim të ushtrimit normal të funksionit gjyqësor, për shkak të kritereve jo të qarta; jotranspartente dhe jo të unifikuara të vlerësimit të gjyqtarëve.

Vendimi nr. 433/2025, shton klimën e trysnisë dhe presionit ndaj gjyqtarëve për të arritur afate jorealiste për kohën, dhe për pasojë cenon cilësinë e gjykimeve dhe në tërësi performancën e gjykatës. Deri tani gjyqtarët kanë treguar përgjegjshmëri dhe angazhimin maksimal në evadimin e një numri të konsiderueshëm dosjesh, i cili tejkalonte ndjeshëm standardet sasiore të ngarkesës, të cilat ishin në fuqi sipas Vendimit nr. 261/2, datë 14.04.2010, të KLD-së. Në këtë situatë të një krize komplekse, për shkak të ngarkesës dhe backlog-ut të mbivendosur prej disa vitesh, KLGJ-ja duhet të gjejë mekanizma për të rritur kapacitetet në gjykata, në vend të implementimit të një akti nënligjor shumë të kontestuar paraprakisht nga trupa gjyqësore. Ky akt nënligjor nuk kontribuon në mbështetjen e gjyqtarëve dhe as në një menaxhim më të mirë të kohës gjyqësore, por në rritjen e presionit ndaj tyre, si dhe në cenim të pavarësisë së brendshme të gjyqtarëve. Një rregullim i tillë nënligjor duhet të përputhet me kuadrin ligjor, realitetin objektiv të gjykatave, si dhe me praktikat me të mira ndërkombëtare për të përcaktuar, në funksion të sistemit të vlerësimit dhe mbikëqyrjes së gjyqtarëve, afate kohore dhe standarde sasiore që janë të arsyeshme, por dhe të mundshme, sidomos në situatën aktuale, për t’u realizuar. Për këto arsye, ky vendim duhet të rishikohet dhe të merren në konsideratë opinionet e trupës gjyqësore, të bëra prezent pranë KLGJ-së me komunikimet e mëparshme elektronike.

3.2. Standardi 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore, i vendosur mbi bazën e raportit të ILD-së, të datës 29.09.2023, dhe i miratuar nga KLGJ-ja, nuk është proporcional dhe as realist në kushtet e një ngarkese pune të jashtëzakonshme, që ka filluar prej më shumë se shtatë vitesh dhe që vijon të jetë e tillë. Madje, kjo është konstatuar edhe nga KLGJ-ja në rastet e kërkesave të ILD-së për masa disiplinore. Presioni i vazhdueshëm për respektimin e këtyre afateve cenon pavarësinë funksionale të gjyqtarit dhe të sistemit gjyqësor, që duhet të garantohet jo vetëm ndaj pushteteve të tjera, por edhe brenda vetë sistemit.

II. Kërkesa dhe propozime
1. Në lidhje me sigurinë institucionale
1.1. Rritja e numrit të punonjësve të trajnuar për garantimin e sigurisë në gjykata dhe përmirësimi i statusit të tyre financiar.
1.2. Vendosja e detektorëve dhe pajisjeve të tjera të kontrollit në hyrjet e gjykatave.
1.3. Krijimi i ambienteve të ndara dhe të sigurta për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë.
1.4. Sigurimi i personelit të dedikuar për ruajtjen e rendit në sallat e gjykimit.
1.5. Krijimi i ambienteve të reja per salla gjykimi.

2. Në lidhje me ngarkesën dhe menaxhimin e çështjeve
2.1. Plotësimi në mënyrë emergjente i vendeve vakante të gjyqtarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Me qëllim plotësimin sa me shpejt të vendeve vakante, por edhe në funksion të mos cënimit të pavarësisë së brendshme të sistemit gjyqësor, propozojmë përshpejtimin e proceseve të vlerësimit të gjyqtarëve dhe mundësisht kryerjen e këtyre vlerësimeve përpara se gjyqtarët të hyjnë në proceset e ngritjes në detyrë apo të lëvizjeve paralele.
2.2. Në gjykatat e shkallës së pare propozohet mosshortimi i çështjeve të dorëzuar nga gjyqtarët për shkak të promovimit dhe lëvizjes paralele tek gjyqtarët aktualë të mbingarkuar, deri në emërimin efektiv të gjyqtarëve të rinj. Kjo kërkon eventualisht një ndërhyrje në vendimin nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së.
2.3. Përmirësimi i mekanizmave nënligjorë, vendimit nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së, për të shmangur rishortimin e çështjeve në rast transferimi nga një seksion në një seksion tjetër brenda të njëjtës gjykatë.

2.4. Shtimi i stafit administrativ, veçanërisht i sekretarëve gjyqësorë, trajnimi i tyre për të përmirësuar nivelin profesional, shoqëruar me përmirësimin e trajtimit financiar.
2.5 Implementimi i një sistemi të digitalizuar në gjykata, që do të rriste ndjeshëm eficiencën dhe efektivitetin në menaxhimin e çështjeve gjyqësore.

3. Në lidhje me vlerësimin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve

3.1. Përcaktimi i një ngarkese reale, objektive dhe të përballueshme çështjesh për çdo gjyqtar, duke garantuar një ndarje të drejtë dhe të barbartë mes tyre në shkallë gjykate dhe vendi.

3.2. Në lidhje me vendimin nr. 433, datë 22.07.2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për përcaktimin e afateve standarde minimale kohore dhe standardeve minimale sasiore”, vlerësojmë të përshtatshme dhe në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore, në kuadër të propozimit për ndryshimin e këtij vendimi, të parashikohen rregullime në lidhje me standartet që normojnë veprimtarinë e gjykatave në një situatë të jashtëzakonshme dhe/ose pezullimin e zbatimit të tij, gjatë periudhës tranzitore të mbingarkesës strukturore, deri në përmirësimin e situatës përmes plotësimit të vakancave dhe arritjen e ngarkesë reale të punës së gjyqtarëve sipas pikës 3.1.

3.3. Moszbatimi i standardit 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore për aq kohë sa vazhdon situata e jashtëzakonshme e ngarkesës në punë.

3.4 Hartimi dhe zbatimi i një strategjie të unifikuar komunikimi institucional, me qëllim informimin transparent dhe objektiv të publikut mbi problematikat reale me të cilat përballet aktualisht sistemi gjyqësor, në funksion të ndërgjegjësimit mbi shkaqet e vonesave në gjykim dhe të forcimit të besimit të publikut në drejtësinë.

III. Përfundime
Për sa më sipër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të ndërmarrë masa konkrete dhe të menjëhershme për adresimin e problematikave të mësipërme, në funksion të garantimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, mirëqenies së gjyqtarëve dhe ofrimit të një drejtësie cilësore, efektive dhe të besueshme për qytetarët. Shoqata shpreh gadishmërinë për të bashkëpunuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor në adresimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve të mësipërme.

Berisha: Vjedhjet e Ballukut shkojnë në 1.2 mld euro- Lulet e ‘kopshtit’ i ujiste Linda, kopshtari ishte baxhanaku i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se vjedhjet e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës arrijnë në vlera deri në 1.2 mld euro.


Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Balluku ka 300 apartamente dhe 14 supermarketë.

I ndalur tek dosja e AKSHI-t, kryedemokrati u shpreh se “ai ishte kopshti privat i Edi Ramës, lulet i ujiste Linda e Surrelit, ndërsa kopshtar ishte baxhanaku i kryeministrit”.

“Edi Rama pa dorëzuar veten e vet nuk dorëzon Lubi Ballukun. Sic keni dëgjuar nga dosja e plotë demi dhe vjedhjet shkojnë në 1.2 miliard vetëm në këto dosje, aty hajduti i parë është Edi Rama.

Krahas tyre ju keni dëgjuar se ka dalë edhe dosja e baxhanakut, e kopshtit privat të Edi Ramës apo AKSHI-t. Lulet e atij kopshti i ujiste Linda, jo Linda e AKSHI-t, por ajo e Surrelit. Kopshtari i atij kopshti ishte Frangu, baxhanaku i Edi Ramës.

Në atë kopsht shtetëror ishin marrë tre pengje dhe ndoshta gjëra të tjera të mëdha mund të dalin.

Rama e ka të qartë që mbi të rëndojnë krime të përmasave që dalin jashtë parashikimeve.

Nëse Lubisë i janë gjetur 300 apartamente, 14 supermarkete etj, ju garantoj se ato të Ramës janë 8-10 më të mëdha sesa këto të Lubisë. Pra kemi të bëjmë me këtë situatë”, tha nder te tjera Berisha. gsh

Kosovë: Në vitin e dytë të liberalizimit të vizave, bien kërkesat për azil në BE

Doruntina Baftiu

Pa viza drejt 29 vendeve anëtare të zonës Schengen, kryesisht shtete anëtare të BE-së…

Ky lajm kishte ardhur me paralajmërimin se liberalizimi i vizave mund të përkeqësojë trendin e emigrimit nga Kosova.

Dhe, gjatë vitit të parë, më 2024, kishte ndodhur pikërisht kjo, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat.

Trendi, megjithatë, ndryshoi në vitin e dytë të mundësisë së udhëtimit pa viza.

Edhe pse janari i këtij viti shënoi numrin më të lartë të kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian për një fillimvit, trendi ra dukshëm në muajt pasues.

Në disa muaj, ky numër ishte madje më i ulët se në vitet para liberalizimit të vizave.

Në parim, liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera.

Në Kosovë kishte shqetësime se shumë të rinj mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të tentuar të gjejnë punë apo për të kërkuar azil.

Edhe pse në të kaluarën kishte një numër dukshëm më të madh të burrave që kërkuan azil në BE, ky dallim pothuajse u zhduk në dy vjetët e fundit.

Këtë vit, përpos rënies së përgjithshme të numrit të azilkërkuesve, vërehet një rënie drastike edhe e numrit të azilkërkuesve nën 14 vjeç.

Ky është një lajm i mirë për kosovarët, pasi që trendi i aplikimeve më të mëdha për azil rrezikon edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave.

Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave.

Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime, apo ka rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt.

Për më tepër, këtë muaj, Këshilli i Bashkimit Evropian e përfshiu Kosovën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE.

Të rinjtë kanë ikur! 70% e emigrantëve shqiptarë në Europë nën 45 vjeç

Mosha e 2,2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është mjaft e re sipas të dhënave nga Ces Hub i Bashkimit Europian.

Shumica e vendeve të BE zhvilloi censet e popullsisë më 2021, nga të cilat u evidentua popullata e emigrantëve sipas vendeve të origjinës dhe mosha e saj.

Në total 70% e shqiptarëve që jetojnë në BE janë deri në 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç), me grup-moshën 30–49 vjeç që dominon fort, me 40.7% të totalit.

Kjo peshë është pothuajse identike si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni nuk është më një fenomen i kufizuar kryesisht te meshkujt, por ka marrë një karakter familjar dhe më të balancuar gjinor.

Sakaq, struktura e popullsisë rezidente në Shqipëri është dukshëm më e plakur. Brenda vendit, pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa grup-moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur.

Përkundrazi në emigracion, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa moshat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme (0.3%), çka tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht një emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.

Edhe grup-mosha nën 15 vjeç ka një peshë të konsiderueshme në diasporë me 19%, çka tregon praninë e familjeve emigrante dhe një proces më të qëndrueshëm vendosjeje jashtë vendit. Ndërsa në Shqipëri rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.

Në terma ekonomikë dhe demografikë, grafiku konfirmon se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të vjetër.

Ndërsa jashtë vendit shqiptarët janë kryesisht në moshat që kontribuojnë në rritje ekonomike, brenda vendit barra mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financave publike është në rritje.

Sipas të dhënave të fundit nga Cens Hub emigrimi në dekadën e fundit shënonte 56 % meshkuj në Gjermani, 53 % në Greqi dhe 51 % meshkuj në Itali. Shtetas shqiptarë që jetojnë në Evropë figurojnë të jenë të një moshe të re, edhe në raport me strukturën e popullssisë së vendeve pritëse.

Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ai është i dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, me largimin e një mase të madhe banorësh nga trevat shqiptare.

Akoma vazhdon të mbetet veprues dhe të japë impaktet e tij domethënëse, si në aspektet demografike, po ashtu edhe në ato sociale dhe ekonomike të vendit./ Monitor

 

 

Degradimi i shëndetësisë – Spitalet pa shërbim për sklerozën multiple, pacientët marrin ilaçe kot

 

“Unë kam marrë lloj e soj medikamentesh, jo të duhura”, shprehet Ambra Koka e cila është diagnostikuar me sklerozën multiple kur ishte vetëm 3 vjeçe.

Prindërit e dërguan në Itali për trajtim ku pati një gjendje stabël, por nisja e trajtimit në Shqipëri ka rënduar aspektin shëndetësor të Ambrës.

“Kohët e fundit marr një medikament që më jep shumë efekte anësore. Më është bllokuar këmba e majtë. Kam patur edhe temperaturë çdo dy ditë dhe është një gjendje që nuk e përballoj dot. E kam lënë ilaçin disa muaj, por mjekët më dhanë të njëjtin mjekim. Tani pres skemën e vitit 2026 për të marrë një trajtim të ri”, shprehet Ambra.

Pacientët me sklerozën multiple deri në vitin 2025 kanë patur vetëm dy medikamente për trajtim. Nga viti i ardhshëm, numri i tyre shkon në 6, por sërish Shqipëria mbetet mbrapa vendeve të rajonit për trajtimin e këtyre pacientëve.

“Kërkojmë transparencë. Çfarë ilaçesh po marrim, pse po i pimë, çfarë përmirësimi apo përkeqësimi do të kemi. Maqedonia ka 10 ilaçe, Mali i Zi më shumë, Serbia akoma edhe më shumë. Madje, edhe Kosova ka mbulim më të mire”,- shton Ambra.

Pacientët me sklerozën multiple kanë nevojë për shërbim fizioterapeutik, shërbim psikologjik si dhe integrim në tregun e punës, nevoja këto që ende janë të munguara./A2 CNN

Edward P. Joseph: Serbia është anija kryesore e Rusisë në Ballkan, me Kosovën në NATO, loja mbyllet

Eksperti i njohur amerikan i diplomacisë dhe menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, ka paraqitur një propozim që po ngjall debat serioz në qarqet politike të Uashingtonit dhe Evropës: futjen e Kosovës dhe Serbisë në NATO.

Po ashtu edhe aplikimin e elementeve të modelit të Kosovës në rajonin e Donbasit të Ukrainës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar ndikimin rus në Evropë.

Joseph, aktualisht lektor në Johns Hopkins University – SAIS, tha se Ballkani nuk është një rajon periferik, por një nyje kyçe e luftës hibride të Rusisë kundër Perëndimit.

“Ukraina është dimensioni kinetik i luftës. Ballkani është dimensioni hibrid. Dhe Serbia është platforma përmes së cilës Rusia ushtron ndikimin e saj në rajon,” deklaroi Joseph.

Sipas Joseph, largimi i Serbisë nga orbita e Moskës do të kishte një efekt shkatërrues për strategjinë ruse në Evropën Juglindore.

“Futja e Serbisë në NATO do të ishte si fundosja e anijes ‘Moskva’ për Rusinë në Ballkan,” tha ai, duke e krahasuar ndikimin strategjik të këtij hapi me humbjen simbolike dhe ushtarake të flotës ruse në Detin e Zi.

Ai theksoi se 96 për qind e investimeve kineze në Ballkan janë të përqendruara në Serbi, ndërsa Rusia e përdor Beogradin për të bllokuar Kosovën dhe për të ushqyer narrativën kundër NATO-s.

Joseph argumenton se ideja nuk është teorike, por e ndërtuar mbi realitete aktuale politike.

“Serbia tashmë është nën presion për shkak të kontrollit rus mbi kompaninë NIS. Ky presion duhet të përshpejtohet. Beogradi po detyrohet të shkëputet nga Moska,” u shpreh ai.

Ai shtoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndodhet në një krizë të brendshme politike dhe se një ofertë e tillë nga Presidenti Donald Trump, i cili gëzon popullaritet në Serbi, do të kishte peshë të jashtëzakonshme.

“Një rrugë drejt NATO-s e propozuar nga Trump nuk do të mund të injorohej nga Vuçiq,” tha Joseph.

Një element kyç i propozimit është se Kosovës do t’i ofrohej rruga drejt NATO-s, pavarësisht qëndrimit të Serbisë.

“Në momentin që Kosova ka një rrugë drejt NATO-s, strategjia serbe e bllokimit diplomatik bie. Loja praktikisht mbaron,” theksoi Joseph.

Ai shtoi se anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm për Kosovën sesa anëtarësimi në OKB, duke e krahasuar situatën me përvojën e Ukrainës.

Në lidhje me Ukrainën, Joseph propozon përdorimin e modelit të Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila la qëllimisht të hapur çështjen e statusit të Kosovës.

“Modeli i Kosovës e heq sovranitetin nga tryeza e menjëhershme dhe krijon hapësirë për negociata reale,” shpjegoi ai.

Sipas tij, kjo do t’i lejonte Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të mos “dorëzojë territor”, por ta vendosë Donbasin nën administrim ndërkombëtar, me trupa paqeruajtëse dhe referendum final.

“Ironia është se vetë Putini këmbëngul se Kosova dhe Ukraina janë absolutisht të njëjta. Pikërisht këtë argument mund ta përdorë Perëndimi kundër tij,” tha Joseph.

Joseph paralajmëroi se nëse Ballkani nuk stabilizohet, Evropa do të mbetet e cenueshme ndaj ndërhyrjeve autoritare.

“Nëse e hiqni partneritetin strategjik Rusi–Serbi, arkitektura e luftës hibride ruse shembet,” theksoi ai.

Ai bëri thirrje për masa të menjëhershme, përfshirë sanksione ndaj RT dhe Sputnik, mbylljen e qendrave ruse të inteligjencës dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik të rajonit./ TheGeoPost/

Rikthehen protestat në Serbi, studentët kundërshtojnë presionin që po u bëhet nga universitetet, pas tragjedisë në stacionin hekurudhor

Disa mijëra aktivistë nga e gjithë Serbia iu bashkuan protestave studentore në jugperëndim të vendit të dielën, duke u mbledhur kundër asaj që ata e përshkruajnë si presion qeveritar mbi universitetet shtetërore.

Demonstrata, pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kundër ndërhyrjes politike në arsimin e lartë, ishte e para e këtij lloji në Novi Pazar, një qytet me shumicë popullsie myslimane boshnjake.

Është ndër shumë protesta të organizuara pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor vitin e kaluar në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.

Studentët nga Novi Pazari janë bërë të famshëm në të gjithë vendin pasi ecën për ditë të tëra për t’u bashkuar me protestat masive në Novi Sad për të shënuar përvjetorin e parë të shembjes së çatisë më 1 nëntor.

Tani ata thonë se administrata e universitetit ka revokuar statusin e studentit të rregullt për ata që mungojnë për shkak të protestave dhe ka shkarkuar dhjetëra pedagogë.

“Erdha këtu për të shprehur mbështetje për studentët e Novi Pazarit”, tha Momcilo Zelenbaba, i cili udhëtoi nga qyteti i Jagodinës, 190 km (120 milje) në veri të Novi Pazarit. “Erdha sepse 200 studentë humbën statusin e tyre dhe 30 profesorë humbën vendet e tyre të punës.”

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e bordit drejtues të universitetit dhe zgjedhjen e një rektori të ri.

“Jemi këtu sot për t’i dërguar një mesazh Serbisë se luftojmë për një menaxhim të përkohshëm dhe mbijetesën e universitetit tonë”, tha Dzenana Ahmetovic, një protestuese. “Kjo na shqetëson të gjithëve, jo vetëm Novi Pazarin.”

Gjatë gjithë protestës njëditore, pjesëmarrësit mbajtën një moment heshtjeje për viktimat e shembjes së çatisë. Ata valëvitën flamuj që përfaqësonin qytetet dhe universitetet e tyre, fishkëllyen dhe brohoritën sloganin e tyre karakteristik: “Ngrini energjinë!”

Lëvizja protestuese – e udhëhequr nga studentë, akademikë dhe figura të opozitës – akuzon presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij populiste nacionaliste për nxitjen e korrupsionit, shërbimeve të dobëta publike, nepotizmit dhe kufizimeve të lirisë së medias. Vuçiç dhe partia e tij i mohojnë akuzat.

Novi Pazari është qyteti më i ri demografik i Serbisë, me 60% të popullsisë shumicë myslimane nën moshën 30 vjeç. Pavarësisht përbërjes së tij të dallueshme etnike, nuk janë raportuar përplasje me fqinjët ortodoksë serbë që nga shpërbërja e Jugosllavisë më shumë se tre dekada më parë.. bw

“Shteti lajmëroi kriminelët!”- Zhdukja e verës miliona euro nga kantina e Ergys Agasit, Shehaj: Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku!

Kryetari i Partisë “Mundësia” dhe deputeti Agron Shehaj, ka denoncuar publikisht një rast, që sipas tij, dëshmon bashkëpunimin e hapur mes krimit të organizuar dhe institucioneve shtetërore, lidhur me zhdukjen e verës miliona euro nga kantina e Ergys Agasit.


Sipas Shehajt, disa ditë më parë prokuroria ka ushtruar kontroll në vilën e Ergys Agasit, ku në kantinë është konstatuar një koleksion verash me vlerë të paktën 3 milionë euro. Prokuroria ka komunikuar menjëherë me doganat, duke kërkuar sekuestrimin e mallit.

Por, sipas tij, doganat i kthejnë përgjigje prokurorisë dhe i thonë: “Sot është shumë vonë, tani është shumë vonë, është natë. Do të shkojmë nesër në mëngjes.”

Ai theksoi se gjatë natës, sipas informacioneve, janë njoftuar të afërmit e Ergys Agasit, të cilët kanë shkuar në kantinë, kanë marrë verërat, kanë prishur provat dhe kamerat e sigurisë dhe janë larguar. Të nesërmen, doganat janë paraqitur në vendngjarje dhe kanë deklaruar se nuk ka më mall për t’u sekuestruar.

“Kjo është arsyeja pse SPAK-u kërkon arrestimin e të akuzuarve. Por nëse ky është një tregues i qartë i bashkëpunimit midis krimit të organizuar dhe shtetit”, deklaroi Shehaj, ndërsa shton se “imagjinoni sesi prishen provat nga drejtorat e KESH-it, OSHEE-së apo të AKSH-it, të cilët pavarësisht se SPAK-u i ka marrë në hetim”.

Shehaj akuzoi kryeministrin Rama se po mbron zyrtarë të lartë të dyshuar për korrupsion, përfshirë edhe zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestim.

“Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku, për të cilën po ashtu SPAK-u ka kërkuar arrestin e saj, por Edi Rama e ka marrë në mbrojtje. Kjo po ndodh në Shqipëri! I gjithë shteti është vendosur në mbrojtje të të korruptuarve dhe të kriminelave dhe kundër SPAK-ut. Rama vazhdon duke i sulmuar”, shprehet ai.

 

Agron Shehaj: Është e pabesueshme ajo që po ndodh me drejtësinë. Para disa ditësh prokuroria ka shkuar në vilën e Ergys Agasit dhe në kantinë ka gjetur një koleksion verash prej të paktën 3 mln euro,  me një vlerë prej të paktën 3 mln euro. Ka komunikuar me doganat dhe i kërkuar doganave që të shkojnë ta sekuestrojnë mallin. Por, doganat çfarë bëjnë?

I kthejnë përgjigje prokurorisë dhe i thonë: “Sot është shumë vonë, tani është shumë vonë, është natë. Do të shkojmë nesër në mëngjes.”

Ndërkohë lajmërojnë të afërmit e Ergys Agasit, të cilët shkojnë, marrin verën, prishin provat, prishin dhe kamerat e sigurisë dhe ikin. Qartësisht të nesërmen doganat shkojnë dhe thonë: “Na vjen keq, por aty nuk kishte më mall.” Kjo është ajo që po ndodh. Kjo është arsyeja pse SPAK-u kërkon arrestimin e të akuzuarve. Por nëse ky është një tregues i qartë i bashkëpunimit midis krimit të organizuar dhe shtetit, imagjinoni sesi prishen provat nga drejtorat e KESH-it, OSHEE-së apo të AKSH-it, të cilët pavarësisht se SPAK-u i ka marrë në hetim. Disa prej tyre janë në arrest shtëpie, Edi Rama nuk i lëshon.

Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku, për të cilën po ashtu SPAK-u ka kërkuar arrestin e saj, por Edi Rama e ka marrë në mbrojtje. Kjo po ndodh në Shqipëri! I gjithë shteti është vendosur në mbrojtje të të korruptuarve dhe të kriminelave dhe kundër SPAK-ut. Rama vazhdon duke i sulmuar.

Sot ka dalë dhe ka thënë: “Prokurorët dhe gjykatësit që janë vërsulur Arkës së shtetit”. Imagjinoni, kjo është çmenduri! Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Duhet të kemi zgjedhje të parakohshme sa më shpejt! Nuk mund të vazhdohet më në këtë mënyrë. Tani e ka nxjerrë kokën. Edi Rama është i korruptuar me të korruptuarit! gsh

“Rama po zvarritet se do të shpëtojë veten dhe familjen e tij”, Bardhi nga njësia 1 Tiranë: Në protestën e 22 Dhjetorit, të gjithë bashkë kundër qeverisë së korruptuar

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u takua me banorët e njësisë nr.1 në Tiranë, ku në fokus të diskutimeve ishin arsyet pse qytetarët duhet t’i bashkohen protestës së 22 dhjetorit, para kryeministrisë.

Bardhi u shpreh se demokratët dhe qytetarët janë të gjithë bashkë kundër Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit.

“Fundi i tij po vjen ashtu siç e kishim paralajmëruar: si Kryeministri i bandave dhe më i korruptuari në historinë e shtetit shqiptar.

Duke penguar drejtësinë të bëjë punën e saj, Edi Rama po zvarritet duke menduar se do të shpëtojë veten dhe familjen e tij. E ka gabim, qytetarët do të ngrihen dhe do ti japin përgjigjen e merituar. Duke nisur nga kjo e hënë!”, shkruan Bardhi në rrjetin social facebook.

Protestojmë të gjithë bashkë, të hënën, datë 22 Dhjetor, ora 18:00, përpara Kryeministrisë.

Nga Njësia 1 Tiranë demokratët dhe qytetarët janë të gjithë bashkë kundër Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit. Fundi i tij po vjen ashtu siç e kishim paralajmëruar: si Kryeministri i bandave dhe më i korruptuari në historinë e shtetit shqiptar.

Duke penguar drejtësinë të bëjë punën e saj, Edi Rama po zvarritet duke menduar se do të shpëtojë veten dhe familjen e tij. E ka gabim, qytetarët do të ngrihen dhe do ti japin përgjigjen e merituar. Duke nisur nga kjo e hënë! bw

Nxit reagime vdekja e papritur e Sllavko Aleksiq, dëshmitarit kryesor të “turizmit të snajperëve”

Ka vdekur papritmas dëshmitari kyç në hetimin nëse turistë të pasur kanë paguar mijëra euro për të vrarë civilë të paarmatosur gjatë rrethimit të Sarajevës në të ’90-tat. Çetniku i famshëm Sllavko Aleksiq ishte udhëheqës i njësisë paramilitare serbe të Bosnjës.

Ai vdiq në Trebinë edhe pse raportohet se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, sipas “The Times”.

Vdekja e tij e papritur ka ndodhur në kohën kur në Itali nisën hetimet muajin e shkuar për pretendimet se shtetas të huaj kishin paguar anëtarë të forcave serbe të Bosnjës për të qëlluar mbi civilët, në një veprim që disa e quanin si “turizëm snajperësh”.

Aleksiq 69-vjeçar pati marrë kontrollin e varrezave hebraike mbi Sarajevë. Ajo zonë përdorej nga snajperët gjatë rrethimit. E sipas avokatit serb Çedomir Stojkoviq, Aleksiq ka qenë dëshmitar kyç “sepse mund të tregonte se kush qëlloi dhe kush organizoi gjithçka”.

“Është e arsyeshme të dyshohet se vdekja e Aleksiqit është e lidhur me hetimin për safarin dhe se shërbimi inteligjent serb ka qenë i përfshirë”, ka shkruar ky avokat në X.

Muajin e shkuar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u akuzua se ishte i përfshirë në “turizmin e snajperëve” në Sarajevë. Vuçiq ka mohuar pretendimet. Më 24 nëntor, Aleksiq dha një intervistë për një televizion në Serbi duke mohuar se Vuçiqi ka pasur gisht në këtë çështje.

Vdekja e Aleksiqit erdhi pak pas ripublikimit të videos morbide të një veture që i atribuohej atij, e në kapakun e së cilës ishte një kafkë njerëzore, që dyshohet se ishte hequr nga trupi i një viktime boshnjake.

Hetimet për vrasjet në Sarajevë u nisën pas dokumentarit “Sarajevo Safari” të vitit 2022. Filmi pretendon se entuziastë të armëve nga Rusia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkonin në Sarajevë gjatë fundjavave për të qëlluar mbi civilët për qejf, me çmim më të lartë nëse i kishin për cak fëmijët.

Të mbijetuarit e masakrës së Sarajevës kanë kërkuar dënime të ashpra ndaj turistëve që dyshohet se paguanin për të vrarë civilët.

Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe sulmet me snajper midis viteve 1992 dhe 1996, në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.

Hetimi filloi nga një ankesë ligjore e paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano, i cili mblodhi prova mbi akuzat, si dhe një raport të dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq. Gavazzeni ka thënë se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth “turistëve të dyshuar snajperistë” në shtypin italian në vitet ‘90, por vetëm pasi kishte parë “Sarajevo Safari”, një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniq, filloi të hetonte më tej.

Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pretenduan se disa grupe perëndimorësh qëllonin popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës. Pretendimet e tyre janë mohuar me forcë nga veteranët serbë të luftës.

Gavazzeni pretendon se shumë italianë dyshohet se janë të përfshirë, pa dhënë një shifër.

Dosja e Ballukut/ Berisha: Jo vetëm Bolino, shuma të mëdha ka marrë edhe Top Tuneli! BB është Ben Blushi

Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjete sociale, theksoi se Karlo Bolino nuk është i vetmi emër i përfshirë në dosjen e Lubi Ballukut.

Ai shtoi se shuma të mëdha parash janë përvetësuar gjithashtu nga Top Channel dhe figura të tjera të lidhura me “Top Tunelin”, ndërsa “BB” i referohet Ben Blushit.

Berisha denoncoi atë që e quajti një “rreth vicioz” të përfitimeve dhe shpëlarjes së mediave, duke theksuar se pasojat më të rënda bien mbi qytetarët që mbeten pa ilaçe, ndërsa dokumentet e zbuluara duhet të zgjojnë zemërimin e merituar të shqiptarëve ndaj kësaj mafie.

“E vërteta, në përgjime përfshihej Karlo Bolino, përfshihej ai BB, duhet ta them këtu, ishte Ben Blushi, ai vepra shkruan, por aty ishte.

Përfshiheshin edhe të tjerë.

Kjo do të thotë mafiozizëm i tmerrshëm i medieve.

Imagjino pak, ky mafioz që e ka filluar jetën si i tillë, vjell vrer, shpif dhe trillon kundër opozitës, ndërkohë që ka marrë tokat e lënë për gjimnaz nga pronarët me 4 vendime të Edi Ramës.

Katër vendime për tokën në mes të Tiranës, për të ndërtuar zyrat e tij.

Karlo Bolino, vetëm në një nga këto regjistrimet, ka qindra milionë me këste që Evis Berberi të shpifte për Sali Berishën, të shpifte për ju, të mashtronte shqiptarët p[ër të vërtetat, të lavdëronte Edi Ramën.

Por Karlo nuk është i vetëm.

Të themi atë që është.

Shuma më të mëdha ka marrë Top Channel.

Aty BB-ja. Tek tuneli, nuk e quajtën kot Top Tuneli, etj. Dhe sa portale mbahen me paratë që u vidhen taksapaguesve për të shpëlarë fytyrat e nxira të këtyre hajdutëve ministra. Pra një rreth vicioz.

Por edhe njëherë do kërkoj mirëkuptimin se forma më e zezë për mua është kjo bie tek të sëmurët me sëmundje të rënda se mbeten pa ilaçe se u vidhen fondet.

Dhe mediat heshtin, dhe në të gjitha mediat është vetëm një gazetar që pranon çdo lloj kërcënimi për t’u bërë zëri i atyre të sëmundjeve.

Uroj që këto dokumente të zgjojnë tek shqiptarët zemërimin e merituar ndaj kësaj mafie.”- tha Berisha.

Rrëzimi i dronëve në Detin e Zi, Turqia paralajmëron Rusinë dhe Ukrainën

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (MSB)në Turqi bëri një deklaratë në lidhje me një dron të rrëzuar në qiellin mbi Ankara dhe deklaroi se kishte paralajmëruar Rusinë dhe Ukrainën.
Tensioni politik vazhdon pasi dy mjete ajrore pa pilot (UAV) që hynë në hapësirën ajrore turke mbi Detin e Zi janë rrëzuar.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (MND) bëri një deklaratë në lidhje me një UAV, i cili hyri në hapësirën ajrore nga drejtimi i Detit të Zi dhe u rrëzua në qiellin mbi Ankara më 15 dhjetor, dhe deklaroi se ata paralajmëruan Rusinë dhe Ukrainën.

“Si rezultat i vlerësimeve të bëra, me qëllim ruajtjen e sigurisë së hapësirës ajrore dhe për të mbrojtur sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë, droni, i cili dukej se ishte jashtë kontrollit, u pasua nga avioni ynë F-16 dhe, pas përfundimit të procedurave, u rrëzua me një ndërhyrje të kontrolluar në vendin më të përshtatshëm”, thuhet në deklaratë.

“Për shkak të luftës së vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë, bashkëbiseduesve tanë u është paralajmëruar se të dyja palët duhet të jenë më të kujdesshme ndaj negativiteteve të tilla në lidhje me sigurinë e Detit të Zi.”

Nuk u dha asnjë informacion se cilit vend i përkiste droni dhe nëse mbante ndonjë gjë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, droni i shkatërruar u thye në copa shumë të vogla dhe u shpërnda në një zonë të gjerë. Kjo e bën të vështirë zbulimin e mbeturinave. Megjithatë, ministria deklaroi se aktivitetet e kërkim-skanimit dhe hetimit teknik po kryhen me kujdes nga njësitë përkatëse.

Një dron i dytë u rrëzua të shtunën dhe u gjet në një fushë të zbrazët pranë qytetit Balıkesir, rreth tre orë në jugperëndim të Stambollit. Dyshohet se është me origjinë ruse, thonë autoritetet lokale.

Ky është incidenti i tretë i këtij lloji që nga e hëna. bw


Send this to a friend