Ish-kryeministri Sali Berisha u ka treguar demokratëve të Shkodrës se përse kërkon votën për t’u bërë sërish kryetar i Partisë Demokratike. Ai tha se votën e kërkon jo për të bërë ato që ka bërë në të kaluarën, por për të nisur një faqe tjetër për të mirën e të rinjve dhe shqiptarëve.
“Votën tuaj dhe të demokratëve nuk e kërkoj absolutisht për asgjë për atë që kemi realizuar para kësaj kohe. E kërkoj për një betejë të re, luftë të re, në të cilën ne së bashku duhet të shënojmë një kthesë rrënjësore në këtë vend. Duhet që në një përpjekje të madhe t’i japim përgjigje varfërimit të shqiptarëve.
Varfëria është armë e tmerrshme. Më e pa merituara. Në këtë kontekst dua të bëj gjithçka për të mbrojtur interesin kombëtar. Nuk duhet të jemi një komb që rrisim fëmijë për emigracion. Lufta e re ka të bëjë me një përpjekje të madhe që ëndrrat e këtyre të rinjve të jenë projektet e Shqipërisë së nesërme.
Unë kam besim. Nuk kërkoj të më votojë njeri për ato që janë bërë deri sot. E kërkoj pikërisht për këtë që thash. S’u ndalua ndonjëherë procesi drejt BE.
S’po them që po ecnim rrufeshëm, por në NATO u anëtarësuam, morëm statusin e vendit kandidat. Ne do të zbatonim ato kërkesa që s’kanë synim tjetër veçse mirësinë e qytetarëve shqiptarë. Më erdhi njëherë një ministër gjerman para shumë vitesh. Inauguruam një ujësjellës.
Ai mbajti një fjalim dhe shprehu disa kërkesa të BE. U kthyem në darkë. Ai tha se mos u lëndove me ato që thash? Unë të lëndohem iu përgjigja, i thash që tha fjalë të drejta. Ai tha që shqiptarët duhet të shkojnë në Evropë. Ato janë gjëra kapitale.
A mundet sot Shqipëria të jetë kundër Kosovës? Kjo s’mund të bëhet kurrë. I ka vendosur traun atyre që sjellin në Shqipëri çdo vit të paktën 350 mijë euro. Lufta ime e re s’ka t bëjë me ato që na rrit, por me projekte të mëdha në të cilat qytetari shqiptar do të jetë në epiqendër të tij.“-tha Berisha.
‘Skënderbeu Davidi ynë’- Berisha: Çdo adhurim për Skënderbeun jashtë mesazheve të tij, është i rremë
Berisha deklaroi se sot mund të jenë pakicë, por nesër do të jenë një shumicë e madhe me synimin për të marrë drejtimin e qeverisë. Lideri historik i PD tha se do të bëjë betejë për votën e lirë, ndërsa theksonte se Lulzim Basha e shkatërroi atë.
Berisha nuk la pa sulmuar edhe Edi Ramën të cilin e quan kryetarin e organizatës kriminale ndërsa thekson se aid he qeveria e tij janë të përfshirë në afera korruptive pafund. Në qytetin e Shkodrës ku prezent ishte edhe kryebashkiaku Bardh Spahia, Sali Berisha tha se i frymëzon Skëndërbeu.
“Skënderbeu ishte Davidi që me një guxim të jashtëzakonshëm, me një kurajo mbinjerëzore u përball me Goliathin më të rrezikshëm të të gjitha kohërave dhe qëndroi në kushtet më të pabarabarta. Qëndroi dhe shkroi ato faqe të historisë që janë dhe mbeten frymëzuese për çdo shqiptar.
Danezët kanë një hero, Hegle, ata thonë se Helge na mbron ne edhe në gjumë. Por Helge është mitologjik, por Skënderbeu është real, është frymëzues për secilin prej nesh që të qëndrojmë në kauzën tonë të drejtë. Çdo dashuri tjetër për Skënderbeun, apo adhurim për Skënderbeun, jashtë mesazheve të tij është fake, është e rreme, është e pavlerë.
Kurse ne jemi dhe do të qëndrojmë për frymëzimin e madh që ai na jep ne që të qëndrojmë në kauza të drejta, pavarësisht nga rrethanat. Sot mund të jemi një pakicë, por ju garantoj se me përsistimin tonë ne shumë shpejt do të jemi një shumicë, një shumicë e madhe”.-tha Berisha.
syri.net
Komentet