VOAL

VOAL

ARTISTI I MADH PALOK KURTI

December 3, 2022
blank
1 Comments
  • author avatar
    Fritz Radovani 2 months ago Reply

    I Ndjemi Palok Kurti asht edhe kompozitor i muzikes se Hymnit Flamurit me tekstin e
    At Gjergj Fishtes se vitit 1913. Nje muzikant i persosun. Ndjese paste!
    ju falemnderes.

Komentet

blank

Dafina Zeqiri Nushi kompozitorja e parë në Kosovë që sjell dy vëllime me vepra vokale dhe instrumentale Nga Iliriana Pylla

“Përmes notave mundohem të paraqes ngjyrat muzikore e përmes tyre flas për natyrën, mitologjinë e letërsinë me teknika bashkëkohore”. Kështu u shpreh Dafina Zeqiri – Nushi kompozitore, veprat e së cilës u promovuan në Prishtinë në praninë e disa kompozitorëve, instrumentistëve e artëdashësve të muzikës.

E re në moshë por me një krijimtari 20 vjeçare kompozitorja arriti që këto vepra ti përmbledh në dy vëllime, njëra përfshinë vepra vokale si duo, solo dhe korale. Dhe vëllimi i dytë i cili përfshinë vepra instrumentale nga duo deri tek ato për ansambël më të gjerë. U tha se ky është botimi i parë i këtij lloji nga një kompozitore grua në Kosovë.

Gjatë promovimit të veprave u tha se zhvillimi i krijimtarisë së saj bëhet gradualisht nga ajo tradicionale nga forma e harmonia, deri tek ato avangardë ku vërehet përdorimi i teknikave të zgjeruara instrumentale e vokale.

Muzikologja Yllka Kurti gjatë vështrimit që i bëri librit ”Vepra vokale”, tha se kompozitorja ka një stil individual që i atashohet natyrshëm motiveve popullore dhe arbëreshe të cilat trajtohen me një këndvështim të ri.

Ndërsa, Rreze Kryeziu Breznica muzikologe duke folur për librin” Vepra instrumetale”, trajtoi temën, “Zgjerimi i paletës kompozicionale kosovare përmes krijimtarisë instrumentale të kompozitores Dafina Zeqiri Nushi”. Kryeziu Breznica mes tjerash tha se ajo është kompozitorja e parë profesioniste në Kosovë e cila për synim kishte dhe vazhdon ta ketë ndjekjen e stilit bashkëkohorë i cili si i tillë na paraqitet në po thuaj se tërë opusin e saj krijues. “Me anë të kësaj krijimtarie Dafina, vazhdon mos me e mbajtë sekret muzikën që ajo e krijon. Nga 13 kompozime të këtij botimi shpalosen edhe disa elemente autobiografike, ndoshta të mbajtura sekret deri më sot”.

Vet autorja në fjalën e saj tha se këto dy vepra paraqesin krijimtarinë e saj 20 vjeçare duke filluar nga krijimtaria në moshë fare të re 16 vjeç e deri më sot. Zeqiri-Nushi u shpreh se në të ardhmen shpreson të botojë edhe vepra të tjera me krijimtari orkestrale.

Siç thotë Dafina, vazhdimisht është munduar të jetë aktive duke qenë pjesëmarrëse nëpër festivale si në Kosovë e po ashtu edhe në shumë vende të botës si në Izrael, Angli, Gjermani, ShBA etj.

Në këtë organizim përpos muzikologeve Prof. ass. dr. Rreze Kryeziu Breznica dhe Mr. Yllka Kurti, morën pjesë edhe instrumentistet Artemida Qarri, Florita Raifi, Nezahate Shala Zeka, dhe trion Trio de Soprano (Jeta Çitaku, Erëmira Çitaku, dhe Alberta Troni) të cilat interpretuan disa vepra të autores.

Përndryshe, Dafina Zeqiri Nushi është kompozitore fituese e disa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare.

Nëse përmendim vetëm disa nga pjesëmarrjet e saj duhet veçuar se, ajo u bë e njohur në Konkursin e Kompozitorëve të Rinj Çesk Zadeja (2002, 2003, 2005), PRE ART 2008 (në Zvicër), Theodore Front Prize (ShBA), Chopin Fest 2012 (Kosovë), konkursin Composer’s Voice 2012 nga ‘Vox Novus’ (New York, ShBA), konkursin e kompozitorve nga Ministria e Kulturës (Kosovë) (2011, 2013, 2014, 2015, 2016). Ajo ishte finaliste në konkursin ndërkombëtar në Festivalin e Grave Kompozitore të Hartford-it, në Connecticut (SHBA), ajo mori pjesë në festivalin e muzikës bashkëkohore ‘blurred edges’ në Hamburg (Gjermani), Gaudeamus Musicweek (Hollandë), Festivalin Vox Feminae’ në Izrael, Aldgete Square Festival në Londër (MB), Connect Festival në Malmo (Suedi), Emil Cossetto Festival në Zagreb (Kroaci) dhe në shumë evenimente tjera festivale.

Përveç vendlindjes, Kosovë, veprat e saj janë interpretuar në Angli, New York, Vermont, Gjermani, Austri, Itali, Meksikë, Danimarkë, Hollandë, Izrael, Turqi, Hungari, Zvicër, Suedi, Bullgari, Kroaci, Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Ajo është titullare e Doktoratës për Kompozim nga Departamenti i Muzikës në ‘New Bulgarian University’ në Sofje, Bullgari.

Ajo punon si mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës, është anëtare e OJQ-së Neo Musica e cila është anëtare në FOUNDATION ADKINS CHITI (Anëtare Ndërkombëtare e Këshillit për Muzikë në UNESCO dhe Këshillit Evropian për Muzikë), OJQ-së Aleanca Ndërkombëtare për Gratë në Muzikë (IAWM/USA), si dhe anëtare e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës.

blank blank blank

blank

Dimensioni kombëtar i letërsisë përmetare- Nga Kujtim Mateli

 

Letërsia përmetare është e njohur në të gjitha trojet shqiptare. Naim Frashëri, i njohur nga shqiptarët si Poet Kombëtar tregon se shkrimtarët e kanë patur Naimin si frymëzim për veprat e tyre, kurse shqiptarët kanë marrë prej tij dritën e fjalës dhe shpirtin luftarak. Përmetarët, si pasardhës të denjë të Naimit, nxorën një numër të madh shkrimtarësh dhe artistësh me rrezatim në të gjithë hapësirën e trojeve shqiptare. Letërsia përmetare mbështetet mbi katër shtylla të fuqishme artistike të përfaqësuara nga katër autorët më të rëndësishëm të saj. Dy nga këto shtylla qëndrojnë në bregun e djathtë të Vjosës dhe që janë Naim Frashëri dhe Kasëm Trebeshina, kurse dy të tjerat në bregun e majtë: Bardhyl Londo dhe Sejfulla Malëshova i cili njihet në letërsi si Lame Kodra. Letërsia përmetare, falë përmasës kombëtare që mbartëte letërsia e tyre, është e njohur dhe e dashur nga shqiptarët kudo që ata ndodhen: në trojet shqiptare apo në Diasporë. Veçori e letërsisë përmetare është se të gjithë autorët përmetarë kanë në krijimtarinë e tyre diçka nga madhështia e vargut të Naimit dhe ëmbëlsia e vargut të Londos, nga vargu luftarak i Malëshovës dhe karakteret e spikatura të Trebeshinës. Ndikimi i këtyre autorëve te shkrimtarët e tjerë përmetarë është i dukshëm dhe kjo ka bërë që letërsia përmetare të jetë kryezonjë e letërsisë shqipe. Rrethi i Përmetit përbëhet nga disa krahina të rëndësishme, njëra prej tyre është dhe krahina e Dëshnicës që shtrihet në veriperëndim të rrethit të Përmetit dhe që ka si kryeqendër qytetin e Këlcyrës.
Në këtë libër të ri “Dyzet shkrimtarët e Dëshnicës” po e veçoj letërsinë e krijuar nga autorët dëshnicarë nga pjesa tjetër e autorëve përmetarë, vetëm për efekt studimi, pasi letërsia e plotë përmetare mund të kërkojë të përfshihet në tre libra. Letërsia dëshnicare i ka fillesat e veta qysh në mesin e shekullit të kaluar me shkrimtarin e madh Kasëm Trebeshina dhe në vijim: Belul Arapi, Bujar Elmazi, Ylli Hoxhaj, Kujtim Halili, Zenel Anxhaku, Lumo Kolleshi, Sadik Murraj etj. Zhvillimin e saj të vrullshëm e ka sidomos pas vitit 2000, pra në fillim të këtij Mijëvjeçari. Ajo shënoi arritje si në anën sasiore ashtu edhe në atë cilësore. Krijuesit dëshnicarë kanë marrë pjesë në konkurset letrare që janë zhvilluar në të gjitha trojet shqiptare, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme gjatë këtyre viteve. Po ambicja e tyre i ka kapërcyer edhe kufijtë e trojeve tona duke marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare dhe përsëri poezia dëshnicare ka qenë e vlerësuar me çmime. Mund të themi se në ditët e sotme letërsia dëshnicare është bërë pjesë e qënësishme e letërsisë që zhvillohet në trojet tona. Dëshnica numëron 40 autorë me libra artistikë e studimorë për letërsinë, ku kryen e vendit e zë poezia. Krahas letërsisë ka rreth 30 studiues të tjerë dëshnicarë, që me studimet e tyre i janë kushtuar truallit të Dëshnicës, ku dominojnë monografitë për figura të njohura, fshatrat dhe fiset e tyre
Shkrimtari dhe artisti nuk është i mbyllur në krijimtarinë e tij brenda një hapësire të ngushtë ku punon dhe jeton. Çdo shkrimtar, duke dhënë një kontribut të çmuar për vendin e vet, e ka si synim të tij që këtë pasuri ta përcjellë jashtë këtij kuadrati, për ta bërë të njohur veten dhe vendin e tij në rrafshin global. Duke qënë se shkrimtari dhe artisti, me gjuhën e artit, komunikon me të gjithë banorët e planetit Tokë, me universin e tij shpirtëror, gjithçka që krijon nuk është pronë as e tij, as e vendit që përfaqëson. Ajo ka vlerë universale. Ç`kuptim do të kishte që mirësinë që vjen prej kësaj hapësire globale, poeti ta mblidhte për vendlindjen apo atdheun e tij, kur bota që e rrethon, e ruan ende atë tiparin e egër që njerëzimi e ka patur që në fillimet e tij. Një vend i vetëm, sado fuqi politike dhe ekonomike të ketë, nuk do ta bëjë dot botën më të mirë. Ndryshimin në këtë botë nuk e sjell dot një vend i vetëm sado i madh që të jetë, madje as një kontinent i vetëm. Ndaj shkrimtari dhe artisti nuk i drejtohet vetëm vendit të tij dhe kontinentit ku bën pjesë. Ai i drejtohet cilitdo qytetari të kësaj bote, pavarësisht se ku ndodhet: në Lindje apo në Perëndim. I drejtohet cilitdo qytetari të kësaj bote, pavarësisht besimit fetar, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, pavarësisht pasurisë materiale që zotëron.
Shkrimtarët dhe artistët kërkojnë ta ndajnë në mënyrë të barabartë me qytetarët e kësaj bote pasurinë e tyre shpirtërore. Kjo botë bëhet e bukur dhe e mirë, kur luftojmë të gjithë për të. Letërsia i bën njerëzit të jenë më të dashur me njëri-tjetrin, më të bukur në shpirt, më të kthjellët në mendime. Në krijimtarinë e tyre artistike, shkrimtarët dhe artistët dëshnicarë ia kanë arritur me sukses që të bëhen zëdhënës të banorëve të krahinës sonë, që me krijimtarinë e tyre i kanë dhënë dhe i japin shumë dhe letërsisë në rrafshin kombëtar.
Veçori e letërsisë së shkrimtarëve dhe artistëve dëshnicarë është krijimi i një letërsie që pasqyron realitetin e kohës në të cilën jetojmë. Të gjithë e kanë të drejtën e tyre të predikojnë atë çfarë ata mendojnë se është më e mira për veten e tyre dhe për shoqërinë ku jetojnë. Një klerik apo besimtar mund të predikojë se duhet të jesh i mirë dhe të bësh të mira në këtë botë që të mund të pranohesh në parajsën e botës tjetër. Një politikan mund të predikojë se X forcë politike do të bëjë këtë apo atë mrekulli. Pra, njerëzit mund të predikojnë atë që ata mendojnë se është e realizueshme në të ardhmen. Arti nuk mund të predikojë gjëra misterioze, të pakapshme, që mund të realizohen një ditë apo dhe mund të mos realizohen. Arti i drejtohet jetës reale, atë të cilën jetojmë. Shkrimtari shikon, vrojton, analizon, e prek realitetin me shqisat e tij dhe bindet se ka depërtuar në vërtetësinë e këtij realiteti, se e ka prekur këtë realitet dhe është i gatshëm të vërtetojë nëpërmjet një vepre artistike për vlerat reale.
Një vepër nuk mund të quhet artistike, nëse brenda saj gjejmë synime të caktuara që grupime të ndryshme të një shoqërie kërkojnë të realizojnë. Cilësia kryesore e shkrimtarëve dhe artistëve është se ata e thonë të vërtetën edhe kur ajo i dëmton interesat e tyre personale. Ajo që për njerëzit e zakonshëm mbetet mistike dhe e mjegulluar, procesi krijues i shkrimtarit bën kalimin nga realiteti fizik në atë estetik, e zbardh pamjen dhe ai së mirës i thotë e mirë dhe së keqes i thotë e keqe; liderit i thotë lider e mashtruesit i thotë mashtrues. Krijuesi shpreh atë që ka parë në përthyerjen e tij estetike. Këtë cilësi bazë të një krijimi artistik, e kanë shprehur në veprat e tyre edhe shkrimtarët e artistët e krahinës së Dëshnicës.
Veçori tjetër e letërsisë së shkrimtarëve dhe artistëve dëshnicarë janë nivelet e larta cilësore. Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm që e paraqesin dhe e mbrojnë një realitet të caktuar duke përdorur gjuhën e folur apo ligjërimin bisedor, krijuesi e lartëson gjuhën e folur duke e ngjitur në një shkallë të caktuar ose e thënë me fjalë të tjera: e kthen ligjërimin bisedor në një ligjërim artistik. Një realitet i caktuar, i kthyer në imazhe poetike apo karaktere njerëzorë, ka ndikim shumë herë më të madh se një realitetit i treguar në nivelin e ligjërimit bisedor. Ngjitja nga niveli i ligjërimit bisedor në atë artistik, nuk është dhunti e njerëzve të zakonshëm, kjo është dhunti e atyre njerëzve që quhen shkrimtarë dhe artistë.
Kjo ngjitje kërkon punë dhe vullnet, kërkon talent, kërkon përkushtim që shkrimtarët dhe artistët e bëjnë gjatë gjithë jetës së tyre. Ndaj dhe kjo punë kolosale që shkrimtari dhe artisti e zhvillon në heshtje, larg zhurmës dhe bujës së jetës së përditshme, kërkon të ekspozohet mirë dhe të vlerësohet. Duke paraqitur disa nga veçoritë që karakterizojnë letërsinë e shkrimtarëve dhe artistëve dëshnicarë, jam i bindur se në të ardhmen do të kemi të tjera krijime artistike që do t`u bëjnë jehonë trojeve shqiptare, disa prej cilësive speciale që shqiptarët kanë trashëguar në shekuj dhe që kanë qenë themelet mbi të cilat është ngritur dhe ruhet identiteti ynë kombëtar.

blank

Balada e Zonjës së rëndë të Zhulatit- Nga Yzedin Hima

Balada “Hanko, mos qaj nëpër varre” është një magji poetike e Petrit Rukës me motive nga folklori ynë i jugut. Ky tekst më ftilloi lëmshin e enigmës tejet të hershme  në mendjen time: Kur isha fëmijë, burrat e rëndë të fshatit Rehovë, fare në jug të Beratit, në kufi me Tepelenën dhe Përmetin, pasi kishin pirë raki të fortë bio prej mare, ngriheshin në një valle plot dhimbje të thellë, dhimbje që vinte nga kohra të largëta. Kërcimet, rrotullimet, ohet që dilnin nga shpirtra të plasur, thirrja më tepër vajtuese se kënduese të refrenit: “Ç’deshe ti në Kamenicë”, krijonin një mjedis dridhërues. Edhe si koreografi , edhe si melodi kjo valle e kënduar ishte krejt ndryshe me simotrat e saj. Këmbët rrihnin fort tokën, ndërsa  krahët dhe zërat synonin qiellin. Dukej se trupat dhe shpirtrat përpëliteshin për t’u liruar nga një peng shekullor, nga një faj që nuk e lan dot një jetë njeriu, por shtegëton nga një brez në brezin tjetër.

Kur vallja mbaronte, burrat e moçëm dukeshin krejt të çliruar dhe në fytyrat e tyre ulej një tis pafajësie, si pas një procesi ekzorcizmi. Kurrë nuk e mësova tekstin e kësaj valleje të kënduar, kurrë nuk e mora guximin të pyesja përse bën fjalë, ndoshta nga nga frika për të mos thyer magjinë krijonte ajo skenë e mbartur nga kohëra të moçme, që, sa herë e kujtoja, më përthithte në një tjetër kohë, në një tjetër melodi gjuhe e zërash, deri kur lexova këtë krijim mjaft të bukur, me motivin e asaj kënge, të nyjëtur mjeshtërisht nga poeti i ndjerë Petrit Ruka. Ndjeva një lehtësim në kujtesë. Aty mësova se vargu i famshëm “Hanko mos më shko ndër varre”, nuk është vetëm fillesë e një romance për bukurinë e vashës shqiptare, por edhe fillesë e një balade dhimbjeje.

Poeti Petrit Ruka në tekstin e tij, mbështetur fort te balada arbërore, sjell një tekst ngjethës, risjell skena rrëqethëse të shkretimit të fshatit arbëror Kamenicë, në jug të Arbërisë, pranë Delvinës. Kënga e endur në pëlhurën e kohës me fije dhimbjeje vjen te ne nëpërmjet zbulimit dhe restaurimit të mozaikut të pluhurosur nga koha, por falë mjeshtërisë së rrallë të poetit Petrit Ruka, ky tekst është ngritur në ligjërim autorial si një gdhendje e pazakontë poetike.

Teksti nis me vargjet: “Ç’deshe ti në Kamenicë,/Zonjëz e rëndë e Zhulatit”. Këto dy vargje i ruaj në kujtesë nga vallja, apo më murë nga skena tragjike në atë dhomë fshati, luajtur herët në fëmijërinë time. Natyrisht, janë vargje autentikë të baladës arbërore. Edhe Petrit Ruka e ka vendosur në thojza vargun e parë, si varg i marrë nga folklori. Hershmëria e tyre shquhet edhe nga fjalori i përdorur: “Zonjë e rëndë e Zhulatit”. Fjala arbërore zonjë ende nuk është shemëruar nga fjala hanko. Zonja e rëndë ende nuk është shndërruar në hanko “që rri pas dere”, siç shkruan më poshtë Ruka. Toponimi Zhulat tregon një fshat pranë Kamenicës, ku qe martuar Zonja e rëndë nga Kamenica, fshat i madh, me kisha e me disa qindra shtëpi, ku edhe sot gjenden mjaft rrënoja të ndërtesave me shumë kate, të djegura dhe rrafshuara nga pushtuesit osmanë, diku në mesin e shekullit XVII . Pamja që takon Zonja e rëndë e Zhulatit është tronditëse:

“ Kamenica është kapicë,

Plot me korba derdhur…fshatit.”

Imazhet poetike varg pas vargu krijojnë mozaikun e zi të fshatit Kamenicë, pas kthimit të Zonjës së Zhulatit në fshatin e saj të lindjes, rrënuar nga pushtuesi:

Ç›deshe në derë të babait,

Kamenicë tani nuk ka…

Këndon qyqja portë më portë,

Sorra hidhet tra më tra.

Aliteracioni në dy vargjet e fundit: këndon qyqja portë më portë – r- r dhe sorra hidhet tra më tra –  rr, r, r – krijojnë krrokamën e korbave, krra…krra… duke sjellë një pamje trishtuese të gjallë si pikturë dhe tingëllim.

Vizatimi i qytezës së dikurshme të Kamenicës, sillet nëpërmjet destruksionit të imazhit me mjete gjuhësore që e mbartin atë. Imazhi i Kamenicës: Portë më portë, (jo derë më derë),/ Shkulni kryqet gjer te varret, / Nga qafë e grave fildish, / Shkulni stemat me shgabonja,/ Nga portikët me mermer, / Shembni kishat dhe bujtinat, / Ku burojnë përrenj me verë/, ndërton imazhin e qytezës dhe njëherësh tregon destruksionin barbar të saj. Imazhi sjell një pjesëz të Arbërisë së dikurshme, kur ende ishim pjesë integrale e Europës, me të gjtha shenjat e qytetërimit të saj.

Pikërisht destruksioni nga pushtuesi fokusohet te shenjat arbërore dhe njëkohësisht europiane në tekstin e Petrit Rukës. Foljet e përdorura ndërtojnë imazhin e egërsisë që buron nga një mëri e thellë: e shoi, ndërro besë, pret shpata mes për mes, shkulni kryqet, gdhëndni hënën me këllëç, shkulni stemat, shembni kishat dhe bujtinat…

Pas shembjes së shenjave identitare arbërore, krijohet imazhi i dhunuar i Arbërisë së sprasme, Shqipërisë së pushtuar:

Ti Kristian do jesh Mahmud,

Ti Dorinë do jesh Qefsere,

Fjala Zonjë do bëhet Hanko,

Vend i tyre është pas dere…

Në baladë ndërthuren fati i qytezës, fati i individit arbër ne fatin e arbërve dhe Arbërisë. Imazhe të tilla gjen te poezia e madhe e tragjedive antike:

Kërkoj gjyshen në varreza,

Varri qenka bosh,

Po luaj mendsh, ah, unë e zeza,

Lotët i heq osh…

Pamje të tilla krijohen nga pena mjeshtërore, denjësisht nga pena e Petrit Rukës, këtij njohësi të shkëlqyer të ligjërimi folklorik  jugor, këtij mjeshtri të metaforës, sa elegante, aq befasuese. Në mozaikun e baldës vargjet e cituara pak më lart përndritin si rubinë të zinj. Ende nuk kam ndeshur në letra një imazh kaq tronditës në baladat folklorike dhe ato autoriale. Përmasat e dhimbjes sipërane mund t’i mbartë më së miri vargu mahnitës “Lotët i heq osh…”

Udhëtimi i Zonjës së rëndë të Zhulatit i ngjet udhëtimeve të njohura mitologjike dhe letrare ballkanike e më gjerë. Endja e Zonjës së rëndë të Zhulatit në Kamenicën e rrënuar të kujton endjen e Dantes te Ferri, ndërsa udhëtimi i një qytezë të tërë drejt Italisë ndjek gjurmët e lëna në kohë nga Enea në mug të qytetërimit, i cili sikurse vëllezërit e tij ballkanikë të kohëve moderne, la pas rrënimin nga pushtuesit dhe gjeti prehje te Gadishulli Apenin.

Iku Kamenica, iku

Me kuje në kokë,

“U të lashë e më s’të pashë”

Shembu ti moj tokë!

Arbërit e Kamenicës nuk u thyen, nuk u shndërruan nga dhuna e tmerrshme, nuk bënë kompromis me të keqen. U nisën drejt vendit të huaj, drejt lirisë, por në këmbim të saj braktisën dheun e të parëve, që nuk ishte atdheu i tyre, pës shkak të pushtimit dhe pushtuesve. Po a mund të jetë i lirë njeriu, kur largohet në një dhe të huaj? Kjo pyetje lind mjaft diskutime.

Portat me shqiponja shpinës,

Qajnë Arbërinë,

Ata ik e ato rrugës,

Po u hanë mëlçinë…

Ikja nga vendi shoqërohet nga shqiponjat si totem identitar arbëror, të cilat i ndjekin pas, i qortojnë dhe ndëshkojnë për ikjen duke u ngrënë mëlçinë,  sikurse shqiponja prometeane. Me detin midis, det i dhimbjes për atdheun e lënë pas, arbërit e Kamenicës braktisën vajzat e tyre të martuara rrotull, sikurse Zonjën e rëndë të Zhulatit. Me ç’duket vargu i këngës arbëreshe: “U të lashë e më s’të pashë”, varg malli e dhimbjeje i marrë nga folklori arbëresh, është varg sintezë e imazhit që sjell balada e Rukës për atë që mbeti, pas largimit të madh.

Kot kërkon, o Zonjë, o Hanko,

Kamenicë nuk ka,

Kamenicën e piu deti,

Në një natë hata..

Bie në sy se metamorfoza ka nisur, pranë fjalës Zonjë, përdoret shemra e saj Hanko. Metamorfoza tek ata që qendruan në atdhe është edhe më e dhimbshme se te ata që mërguan. Të dyja dukuritë plagosin identitetin arbëror. Nëse largimi spërkatet me lot, qendrimi në vend shoqërohet me kuje. Hankua tashmë endet si fantazmë në qytezën fantazmë, aty ku gjenden varret e të dashurve. Të vdekurit nuk ngrihen nga endja e bukurisë ndër varre, por ngrihen nga varret për shkak të dhimbjes që mbart Zonja, (tashmë Hankua). Vetëm dhimbjen nuk e tret dheu, siç thuhet te fjala e urtë e popullit, ndërsa bukuria fizike, ndonëse është “materiali” më i qendrueshëm, është e dënuar nga përkohëshmëria. Duhet shënuar se dhimbja në këtë rast është dhimbje shpirtërore, ndërsa bukuria është dukuri fizike. Fiziku bashkë me hijeshinë tretet, ndërsa shpirti bashkë me dhimbjen mbetet.

Hanko mos shko nëpër varre,

Të lutet kunata,

Se të vdekurit i ngjalle,

Mos i nxirr nga nata!

Hanko mos shko nëpër varre,

Mos i lag me lot,

Të gjallët i vdiqe fare,

Ikën nga kjo botë…

Në baladë Petrit Ruka, krahas dhimbjes dhe kujes së Hankos, ndalet edhe te bukuria e saj, që verteton edhe ekzistencën e një motërzimi të tekstit në formë romance. Në tekst nënvizohet forca e bukurisë, efekti i saj, që kurrsesi nuk e matet me efektet që shkakton dhimbja. E bukura shndërron objektet rreth e rrotull saj, shdërron edhe veten nga dhimbja. Bukuria e Hankos është masati, energjia  që bie edhe mbi gur duke e ndezuar flakë:

Hanko mos qaj nëpër varre,

Syri t’u bë gjak,

T’u prish bukuri e gruas

që ndez gurin flakë

Ehe kur flet pë bukurinë e Hankos, autori nuk largohet për asnjë çast nga dhimbja, si shenja themelore semantike e këtij teksti. Bukuria nuk e shndërron dot dhimbjen, ndërsa dhimbja ka forcën e madhe për ta ngrirë atë, për ta murëzuar, duke u përcjellë te lexuesi si dhimbje të bukur:

Hanko mos qaj më me ligje,

Ngjethe gurë e drurë,

Ngrinë sorkadhet, qajnë në shtigje

Era u bë mur.

Marrë nga ExLibris

blank

Filmi me metrazh të shkurtër i Flonja Kodhelit “Ka me Kalu” pretendent për të fituar Magritte Du Cinéma 2023

Voal.ch – Filmi me metrazh të shkurtër i Flonja Kodhelit “Ka me kalu” pretendent për të fituar Magritte du Cinéma 2023.

Magritte Du Cinéma është një çmim që jepet prej vitit 2011 nga Académie André Delvaux, për filmin më të mirë belg me metrazh të shkurtër në gjuhën frënge. 

Sivjet është edicioni i 12-të. Nominimet për Magritte du Cinéma do të shpallen më 12 janar ndërsa ceremonia do të mbahet më 4 mars 2023.

Përzgjedhja e  “Ka me kalu” në dhjetë filmat kandidatë më të mirë për t’u nominuar është një lajm i rëndësishëm edhe për kinemanë shqiptare, sepse regjisorja e filmit belg Flonja Kodheli është shqiptare.

Flonja Kodheli përveçse regjisore e filmit, është edhe skenariste, realizuese, autore e muzikës dhe po ashtu interpreton rol kryesor!

Filmi bën fjalë për Stelën, një vajzë me origjinë shqiptare, që kthehet në Bruksel në shtëpinë e nënës së saj, për të marrë pjesë në varrimin e gjyshes. Menjëherë Stela vëren se nënën e mundon më shumë frika sesa zija për gjyshen. Reagimet e saj duken të hutuara dhe sjellja absurde, madje paranojake. Traumat e së shkuarës rishfaqen dhe pushtojnë jetën e tyre. Në rolet kryesorë përveç Flonja Kodhelit, interpretojnë edhe Ilire Vinca dhe Mathilde Rault.

Filmi i Flonja Kodhelit është përzgjedhur për Magritte du Cinéma në morinë e mbi njëqind filmave me metrazh të shkurtër.

“Ka me kalu” është përzgjedhur po ashtu si filmi më i mirë nga revista franceze FORMAT COURT.  Kritiku Augustin Passard qe boton per kete reviste e ka rradhitur  të parin në pesëshe. Ketu linku i artikullit:

Le nouveau Top 5 de l’équipe de Format Court !

Format Court është një revistë shumë e rëndësishme e shfaqur online prej vitit 2009, që mbulon aktualitetin e filmave me metrazh të shkurtër në të gjithë botën përmes informacioneve,  festivaleve, botimit të intervistave me profesionistë etj. Që nga krijimi i saj, Format Court ka identifikuar vazhdimisht autorë të rinj të talentuar dhe filma të rinj – pa patur si kriter gjatësinë, zhanrin apo kombësinë – dhe ka siguruar promovimin e tyre në ueb.

Flonja Kodheli është bijë arti, ajo është vajza e artistes të shquar Justina Aliaj.

Voal.ch i dëshiron artistes të re që ta fitojë trofenë e Magritte du Cinema për 2023 dhe po ashtu e uron edhe për suksese të tjera, përse jo një ditë të fitojë edhe Oscar!/Elida Buçpapaj

blank

Revista franceze online Format Courte e ka zgjedhur filmin e Flonja Kodhelit “Ka me kalu” të parin në pesëshen e filmave më të mirë-

blank

blank

blank

Me shkas- KUR TEKSTET E DOBËTA, JU BËHEN BARRË KËNGËVE- Nga Agim BAJRAMI

Duke ndjekur Festivalin e 61 të këngës në RTVSH, ajo që më ra në sy është cilësia e dobët e teksteve të këngëve konkurruese. Fjalë të përgjithshme, shpesh pa kuptim që rrotullohen si zaje lumi në gojën e këngëtarit, zanore dhe bashkëtingëllore pa funksion. Edhe pse kjo çështje është konsideruar si thembra e Akilit në vite, avazi vazhdon përsëri. Vitin e kaluar, edhe pse teksti i këngës së kënduar nga Ronela Hajati, ishte një tmerr i vërtetë letrar (të gjithëve na e vranë veshin vulgariteti i vargjeve të asaj kënge), juria në të cilën merrnin pjesë poetë dhe të ashtuquajturit “ustallarë të këngës”,në vend që ta konsideronin atë si “material skarco” dhe të papranueshme nga ana etike, bënë të kundërtën, e shpallën pa ngurrim fituese të Festivalit të 60 të këngës. Pa dashur të hyj në pjesën muzikore dhe interpretuese të saj, sepse nuk jam specialist muzike, etika më jep të drejtë të mendoj, se një këngë me një tekst të tillë, nuk duhet ta kishte parë as me dylbi skenën e këtij evenimenti kaq të rëndësishëm, që lidhet para së gjithash edhe me dinjitetin e këngës sonë kombëtare në vite. Shumëkush e di se kënga përbëhet nga disa komponentë, të lidhur ngushtë me njëri tjetrin. Nëse stonon njëri prej tyre, suksesi i këngës vihet në dyshim. Asnjë kompozitor nuk mund të pretendojë të bëjë një këngë të bukur mbi bazën e një teksti të shëmtuar si ky “Ehehej po vjen djali ka malet/ Ta marrsha me kadal, me kadal ehej/ Ma ke bo jetën si lojna/ Si avion ma kalon/ ma kalon/ nuk e di/ si për tjetër m’ke lon/ Edhe sot po du me ta thon/.
Për dekada të tëra tekstet e këngëve në eventet e RTV shqiptar shkruheshin dhe redaktoheshin me kujdes dhe pasion nga një grup poetësh të njohur, të cilët kanë shkrirë talentin dhe fantazinë e tyre, me bindjen se teksti i një kënge është bazamenti dhe pikënisja e frymëzimeve të çdo kompozitori. Fakti që trashëgojmë një numër të madh këngësh në arkivin e RTSH -së i dedikohet edhe atyre. Përfytyroni ç’vlerë të diskutueshme mund të kish kënga “Për ty atdhe” , edhe pse u këndua mrekullisht nga një mjeshtër i madh i këngës, si Mentor Xhemali, apo ç’emocione mund të shpërndante kënga “Këputa një gjethe dafine”, kënduar nga Gaqo Çako, nëse nuk do të shoqëroheshin nga tekste të arrirë nga Arben Duka, Jorgo Papingji, Xhevahir Spahiu, Agim Doçi, Gjokë Beci e Xhuljana Jorganxhi, Irma Kurti etj.
Në memorien e dashamirësve të këngës. emri i Haxhi Ramës do të kujtohet gjatë, jo vetëm për vlerat e tij regjisoriale në lëmin e estradës, por edhe për tekstin e mrekullueshëm plot gjetje të shumë këngëve, si “Lemza” etj. Por, në vitet e fundit tekstet ju lanë në dorë krijuesve anonimë gjersa mbërritëm këtu ku jemi.
Bob Dylan për karakterin e teksteve të këngëve të tij do të shprehej se: “Unë mund të krijoj nëpërmjet vargjeve të këngëve të mia orbita shumë-llojshe, që udhëtojnë në lidhje me njëra tjetrën”. Është një thënie shumë kuptimplote, por që është shumë larg realitetit në të cilën ndodhet kënga jonë dhe që duhet të na verë në mendime. Por, cili ishte reagimi i njerëzve të letrave për tekstin karikaturë të këngës së Ronelës? Për fat të keq, ishte një reagim shumë i zbehtë që u shua shpejt. Tendenca e dëmshme e konformizmit dhe e mbylljes së gojës vazhdon të dominojë ende në pjesën më të madhe të elitave tona artistike. Analistë dhe kritikë që mbushin çdo natë ekranet e TV -ve dhe gazetave qendrore, që s’ngurojnë të çirren dhe ulërijnë edhe për mustaqet e Çelos, si gjithmonë heshtën. S’dinin ç’të thonin apo aq u bënte? Mendoj se është kjo e dyta. E vetmja që guxoi të jepte mendimin e saj profesional për këtë çështje ishte kompozitorja dhe pedagogia e njohur Diana Ziu, e cila u vu menjëherë përballë falangave të zhurmshme të pseudoartistëve dhe tekstexhinjve profesionistë që janë bërë një trup me antivlerat. Argumentet e saj ishin kaq profesionale dhe të pakundërshtueshme, por kujt t’ia thojë ?
Me tekst, pa tekst, suksesi i një kënge është i garantuar, pohonte njëri prej tyre. Ndërsa ndiqja atë natë debatet aspak profesionale dhe herë herë pa edukatë në një ekran TV -eje lidhur me këtë çështje, m’u përforcua mendimi, se ashtu si në shumë fusha të tjera, edhe për këngën tonë, kanë ardhur kohë të vështira. Krijime të tilla të zhveshura nga motivet jetësore, mbushur me boshllëk shpirtëror, që nuk sjellin mesazhe, por glorifikojnë kulturën e rrugës dhe vulgut, janë një evidentim i qartë i deviacionit që ka marrë sot kënga jonë, si edhe i mungesës totale të përgjegjshmërisë të atyre, që merren me të.
Ende pa u mbushur viti, një tjetër këngë me një tekst pothuajse si i pari, bëhet përsëri fituese e një festivali tjetër, atij të Këngës magjike (një festival që në fillimet e tij nisi me shumë pretendime ), me producent Ardit Gjebrenë dhe TV Klan. Përkundër muzikës së bukur dhe interpretimit, teksti i kësaj kënge na afroi një tufë vargjesh të ç’orientuar, pa asnjë nivel artistik, të ngjashëm me shprehjet e rëndomta, dalë nga goja e një të dehuri. “Ka qenë Xhesi, Sara dhe Iva/ Që më thanë t’palamet e tija/ Veç ai lart e di,sa t’kam duru/ Me kaq jo s’ka përfundu/ Më shih këtu në sytë e mia/ Më thuj si t’shjon tradhëtija/Në ditë të këqija më ke lënduar/ N’funeral t’dashnis tem, ti je i paftuar”/ Ashtu si në rastin e parë edhe këtu teksti trajton një histori të rëndomtë dashuriçkash, me ndarje, sharje dhe kërcënime për hakmarrje. Është një kakofoni vargjesh që të lë një shije të keqe, ndaj justifikimet e stërpërsëritura dhe bajate të ustallarëve të këngës në RTV: se këngë të tilla janë trendy dhe pëlqehen nga artdashësit, janë të papranueshme dhe cinike. Nisur nga këto fakte, shumëkush prej nesh ka kohë që s’i bëhet më të shkojë nëpër ngjarje të tilla dhe mos pyesë veten me shqetësim. Mos vallë po mësohemi me fundin që disave po ju duket si majë?
Shenjat e deritanishme s’flasin për mirë.
blank

Etrita Ibrahimi: Uragani Kosti Deti mbyll Edicionin e 10-të të Pianodrom

Pianistja e mirënjohur Etrita Ibrahimi lajmëron në rrjetin social koncertin e pianistit të ri Kosti Deti me një të ardhme suksesi botërore si më poshtë:
“Një koncert që askush nuk mund ta humbasë,
ky i datës 22 dhjetor, në h 19.00!
Uragani Kosti Deti (siç e kam cilësuar unë që herën e parë që e kam dëgjuar të luajë në piano),
vjen në Tiranë për të mbyllur edicionin e dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar “Pianodrom”.
Është fat për këdo që do të ketë mundësinë ta dëgjojë!”
blank

Jeta kulturo-letrare në qytetin e Gjakovës këtë fundvit: SHKRIMTARI IBRAHIM KADRIU NË MESIN E GJAKOVARËVE- Nga Tahir Bezhani

Me 16 Dhjetor 2022, me fillim në ora 12-te, në sallën “Teki Dervishi” të bibliotekës se qytetit “Ibrahim Rugova” në Gjakovës, shkrimtari i mirënjohur Ibrahim Kadriu, përuroi kompletin e librave të tij, botim i SHB. “Faik Konica”,2022 Prishtinë.

blank

Ky manifestim i sotëm letrarë kishte për qëllim edhe shënimin e 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë se bujshme letrare të z. Ibrahim Kadriu, i cili, padyshim se në këtë rrugëtim, po le gjurmë të mirëfillta letrare në letërsinë shqipe, duke hapur mundësinë edhe për studime te gjeneratave të reja. Jo rastësisht, krijuesi Ibrahim Kadriu, në këto dy përvjetorë, kishte zgjedhur Gjakovën për të ndarë gëzimin e tij, por ishte vlerësimi dhe respekti që ai reflekton për këtë qytet, si kryeqytet i poezisë shqiptare dhe i kulturës në tërësi.

Përurimi i këtij manifestimi kulturo-letrarë, ishte pjesë e aktivitetit permanent vjetorë të SHI. “Jakova” në Gjakovë, e cila shënoi edhe 20 vjetorin e themelimit të saj. Një veprim i qëlluar për një përvjetor të denjë i intelektualeve të Gjakovës. Këtë manifestim me peshë të veçantë letrare e moderoi poetja dhe aktivistja e njohur gjakovare, z. Mevlyde Saraçi, e cila, në fillim ia kaloi fjalën prezantuese kryetarit të SHI. “Jakova” në Gjakovë, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, me ç ‘rast shpalosi qëllimin e aktivitetit dhe rëndësinë e përurimit të veprave të krijuesit të spikatur, z. Ibrahim Kadriu.

blank

Pjesëmarrës në manifestimin e sotëm, salla “Teki Dervishi” Gjakovë.

Në vijimin përurues të aktivitetit, z. Mevlyde Saraçi, ia dha fjalën Prof. Dr. Anton Berishës, krijues e kritik letrarë me respekt në trojet tona shqiptare e jo vetëm. Me këtë rast prof. Anton Berisha, foli me epitet e fakte prezantuese për veprën e Ibrahim Kadriut, duke veçuar disa nga titujt e veprave të tij, si pasuri shpirtërore e kulturore, me vlera te theksuara të interesit shoqërorë e kombëtarë.

blank

Prof.Dr. Anton Berisha.

Padyshim se veprat e krijuesit Ibrahim Kadriu, do jenë të freskëta në të gjitha periudhat kohore për faktin se përmbajtja dhe mesazhi përçues në veprat e tij, janë kurdoherë aktuale dhe porosidhënëse për të gjithë brezat dhe moshat e lexuesve- tha z. Anton Berisha. Gjatë ligjërimit si njohës i mirë i kritikës letrare dhe i letërsisë shqipe në tërësi, prof. Dr. Anton Berisha, nuk la anash edhe poezitë e autorit Ibrahim Kadriu, duke cekur vlerat e pakontestueshme poetike që bartë poezia e tij ndër vite. Për veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut foli edhe kritiku e përkthyesi në disa gjuhë ,Elvi Sidheri nga Tirana, fjala e te cilit u mirëprit nga dashamirët e fjalës së shkruar, prezent në sallë.
Në mbarim të këtij përurimi kulturo-letrarë me mjaft epitet, z. Ruzhdi Sefa, kryetar i SHI. “Jakova” në Gjakovë, z. Ibrahim Kadriu i ndau MIRËNJOHJE me motivacion:
” Shkrimtarit i cili me veprën e tij letrare magjeps me mjeshtërinë e rrëfimit duke depërtuar thellë tek lexuesit e të gjitha shtresave e deri tek studiuesit e letërsisë”.

blank

Ibrahim Kadriu, moment nga pranimi i Mirënjohjes nga z. Ruzhdi Sefa.

blank

Momenti i pranimit të kompletit të librave nga autori: në foto Prof .Dr. Kamber Kamberi dhe z. Engjëll Berisha.

Në fjalën përfundimtarë të z. Ibrahim Kadriu, pos që falënderoi dashamirët e fjalës së shkruar artistike të qytetit të Gjakovës, ndau edhe dy komplete librash, duke ua dhuruar njërin bibliotekës “Ibrahim Rugova” të Gjakovës, ndërsa tjetrin, bibliotekës së Fakultetit Filologjik, Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Përurime të tilla, me krijues vlerash letrare, zgjojnë përherë kureshtjen e dashamirëve të fjalës së shkruar në qytetin tonë.

Gjakovë,
16.dhjetor,2022

blank

Talente kemi plot e përplot Nga Eriona Rushiti

Talente kemi plot e përplot

Detyra jonë mbetet evidentimi dhe vlerësimi i tyre.

Konkursi “Krajka International” mbylli mbrëmë edicionin e tij të parë.

Fëmijë të vegjël fare, fëmijë pak më të rritur e deri tek studentë, ballafaquan punën e talentet e tyre në instrumente muzikore e kanto.

Pas çdo evenimenti, secili nga ne reflekton dhe bën ca bilance me veten. Prandaj edhe e nisa këtë status me fjalinë “talente kemi….”

Ajo që ra në sy ishte numri i shumtë i fëmijëve që konkuruan në kanto e piano. Instrumentet e harqeve ( shkolla e të cilave ka qenë dikur krenari) kishin një numër më të vogël konkurentësh.

Ndoshta kjo vjen nga vështirësia që kanë këto instrumente, ose ngaqë “tregu” muzikor sot ka ndryshuar e kërkon më shumë këngëtarë e pianiste. Kjo mbetet për një disktutim më të gjerë.

Ndjeva në çdo konkurim që fëmijët sot, ndryshe nga dje janë më të lirë në lojën e tyre, kanë guxim e vetbesim shumë më tepër se dikur. Ndoshta dalja e tyre shumë herët nëpër skena iu jep siguri.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe punën që bën sot një mësues, qoftë edhe me anën psikologjike, për të rritur e nxitur këtë vetbesimin.

Kishte të rinj që edhe pse studiojnë në degë të tjera si mjekësi apo ekonomik kishin zgjedhur pianon si hobby-n e tyre, por që na surprizuan me nivelin e përgjegjësinë. Kishte edhe nga ata që studionin në mënyrë autodidakte që gjithashtu për ne ishte befasi. Instrumenta të tjerë si fizarmonika apo buzuku ishin pjesë e konkurimit dhe më vjen mirë që muzika jep hapësira pafund për çdokënd për t’u shprehur artistikisht.

Si pjesë e jurisë së këtij konkursi di të them që u ndodhëm në vështirësi përballë fëmijëve kaq të talentuar.

Dua të falenderoj dhe përgëzoj pafund punën e palodhur, përkushtimin dhe ndershmërinë që treguan organizatorët e këtij konkursi Rei Bezhani, Ulis Krajka dhe Fiona Krajka. Çdo detaj ishte i mirëmenduar dhe me shumë seriozitet edhe pse ishte edicioni i parë.

Uroj që konkurse të tilla të kenë sa më shumë jetëgjatësi, pasi mungesa e pallateve të pionierit (dikur ) ka zbehur edhe qëmtimin e talenteve. Ndaj, evenimente të tilla duhen përkrahur nga të gjitha institucionet arsimore e kulturore.

Kam zgjedhur dy videot më të veçanta të kësaj mbrëmjeje (një duet pianistësh të vegjël e shumë të këndshëm) dhe djalin në buzuk si konkurenti i vetëm në këtë instrument

Çmimi u ndanë si më poshtë në kategoritë përkatese:

Piano: Era Kume
Violinë: Vesa Dume
Cello: Freja Jace
Kanto: Iris Sula

blank

Artistja e mirënjohur Erieta Koliqi Gajtani ka hapur në Tiranë një ekspozitë të re me veprat e saj në mozaik

Artistja e mirënjohur Erieta Koliqi Gajtani ka hapur një ekspozitë me veprat e saj në mozaik të frymëzuara kryesisht nga qyteti i Tiranës.

Ekspozita titullohet “Traditë në gurë” –

Veprat do të shfaqen në Galerinë e Artit Te’Galeria.

Ekspozita hapet sot në orën 17:00 dhe do të qendrojë hapur deri më 15 dhjetor.

Artdashës dhe miq ju ftojmë që ta vizitoni këtë ekspozitë të mrekullueshme nga në artiste e talentuar që e ledhaton gurin dhe e kthen në art.

blank

 

blank

blank

 

blank

Adresa është: Rr.Manol Konomi, ish shtëpia e miqve Tiranë. Galerija ndodhet te pazari ri, sa hyn te Hoxha Tasim, rrugica majtas sa kalon karburantin BOLV oil.

blank

 

blank

Vasjani dhe Luiza, janë artista të shquar e me vlera Nga Evelyne Noygeus

Shfaqja “Mbyllja e dashurisë” / Cloture de l’amour me autor Pascal Rambert, regji Eric Vigner dhe aktorët Luiza Xhuvani e Vasjan Lami , …… në Teatrin Kombëtar….
Mua më pëlqeu shfaqja sepse janë aktorët që ruajnë intensitetin e tekstit pa asnje kompromis.
Janë dy monologë që flasin dhe i përgjigjen njëri tjetrit.
Vetë personaliteti i aktorit/ e aktores i jep impuls tekstit.
Regjia është në të njëjtën kohë moderne dhe klasike.
Kostumet klasikë, theksojnë nga një anë ceremonialin e fundit të dashurisë,
me një ndriçim të vetëm si në një ceremoni vdekje,
ndërkohë personazhet reflektojnë dashurinë nga urrejtja deri në deri në përpëlitjen e saj.
Isha gati ta shikoja edhe një herë (e pashë 2 herë) sepse Vasjani Lami dhe Luiza Xhuvani i përjetojnë dhe transmetojnë ndjenjat ndryshe në çdo dalje të tyre.
Prandaj ata, Vasjani dhe Luiza, janë artista të shquar e me vlera!
blank
blank
blank

ARTISTI I MADH PALOK KURTI

Palok Kurti u lind në Shkodër më 3 korrik 1860, në një familje zanatçinjsh. U rrit pranë jetimores së drejtuar nga françeskani italian P. Tomë Markoci (Tommaso Marcozzi), prej të cilit, mori bazat e dijeve muzikore. Për arsye ekonomike e ëma e futi të punonte në kafe “Adriatik”, ku qe në kontakt me muzikën qytetare, por edhe me ndikimet e huaja ardhur nga italianët që kishin gjetur strehë në qytet pas bashkimit të Italisë.
Më 1876 hapi bandën e parë muzikore në qytet, ku së bashku me të u bënë pjesë edhe Kolë Idromeno me Mati Kodhelin. Banda u krijua dhe më 1880. Banda që njihej në mjediset shkodrane si Daulla, u vu në shërbim të Degës së Shkodrës të ”Lidhjes së Prizrenit” më 1881, ngjarje për të cilat Kurti punoi veprën “Bashkimi i Shqypnisë” dhe marshin “Turqit në Maqedoni”. Për veprimtarinë e tij u internua nga autoritetet osmane në Diarbekir për 20 muaj.
Më 1900 autoritetet osmane e shpërndanë “Daullen”. Pas një viti shkolla italiane “Arti e mestieri” e hapur në Shkodër pajtoi Palokën për mësimdhënie dhe krijimin e bandës së shkollës, bandë e cila qe aktive për një dhjetëvjeçar, deri në mbylljen e shkollës më 1911.
Jepte mësime muzike në privat, por me pushtim-administrimin austro-hungarez u arrestua në maj të 1916 bashkë me të birin, Zefin dhe u burgosën në Grossau për një vit deri me 1 maj të 1917. Pas tërheqjes së austro-hungarezëve, vendin e tyre e zunë trupat frënge, të cilat dimrin e 1919 e internuan Palokën në ishullin grek të Korfuzit. Pas marrëveshjeve mes francezëve dhe italianëve, këta të fundit e shpunë në Ostia ku kishte dhe familjen, dhe u kthyen vetëm pas “Luftës së Vlorës” në vendlindje.
Kurti ka qenë kompozitori i parë që shkroi këngë, shumica e të cilave të mbështetura te sharkia ose peshrefi. Popullariteti i këngëve të Kurtit bëri që ahengxhinjtë të përvetësonin dhe shpërndanin një muzikë më të përpunuar sesa tonet instrumentale të deriatëhershme.
Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishëroje në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Të due, moj të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares dhe artistes së madhe shqiptare Marie Kraja, do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.
I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Kurti shkroi edhe vepra liturgjike. Po ashtu, përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj… Palokë Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1920.Hejza
blank
blank
blank

Themeluesi i shtetit shqiptar si lidership i ditur e largpamës- Nga Msc. Albert HABAZAJ *

Dy fjalë për librin e autorit Evarist Beqiri: “Themeluesi: lidershipi i Ismail Qemalit”

Më vjen ndërmend një fjalë e urtë e nënës së botës njerëzore, Shën Terezës: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, ndërkohë që Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë e nderon në mënyrën e vetë dhe ashtu siç i ka hije tempullit të dijes 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me përurimin e një libri të veçantë, botim i plotë për Ismail Qemalin si lidership me mesazhe drite për Atdheun e tij, një libër që jo vetëm çdo lexues, por çdo shqiptar duhet ta ketë në bibliotekën e tij. Ndërsa autori i këtij libri, dr. Evarist Beqiri, për festën tonë kombëtare ka skalitur për arkitektin, atin e Pavarësisë Kombëtare një monument shkronjor të quajtur meritueshëm “Themeluesi: lidershipi i Ismail Qemalit”.
Janë 420 faqe libër që lexohen me dëshirë dhe mësojmë shumë gjëra mbi Udhëtimin historik e fatbardhë për shqiptarët të Plakut të Urtë. Faqe pas faqeje leximi ecën vetë pa u gufosur, duke rritur më shumë nderimin për themeluesin e kombit, duke ndjerë admirim për punën e vlertë të studiuesit 40 vjeçar Evarist Beqiri, i cili ka ditur të shprehë në letër mendimet e tij të qarta dhe ndjenjat e pastra për Kryeidentitarin tonë. Ky tekst është më shumë se një libër, jo thjesht nga ndershmëria profesionale që ka treguar autori ndaj heroit të tij, as vetëm nga gjuha tërheqëse, e bukur, e dëlirë, apo nga stili i thjeshtë e i rrjedhshëm. Ky tekst i kalon përmasat funksionale të një libri dhe bëhet magnet i atdhedashurisë së vërtetë dhe të motivuar, sepse autori ravijëzon veten si ndriçimtar i ri i figurës së Ismail Qemal Vlorës në një këndvështrim të pashfaqshëm deri më sot në studimet shqiptare apo albanologjike. Autori e trajton heroin e tij në staturën e lartë të lidershipit, si vështrim ndërdisiplinor, krahasimtar, të përfshirë në kohën dhe në hapësirën ku jetoi, punoi e realizoi karrierën e tij, si një figurë e plotë dhënë në tërësi e në harmoni të fushave dhe nënfushave shkencore, ku klasifikohet teksti në shkencën e Bibliotekonomisë. Në pamje të parë na duket një libër biografiko-historik, sepse në fakt trajton tema, fenomene, vende, vite, personazhe, ngjarje nga fusha e historisë, si: Kryengritjet e mëdha shqiptare. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (1908-1912). Veprimtaria politike dhe kulturore e klubeve shqiptare me nënndarje Kryengritja e vitit 1910. Kryengritja e vitit 1911. Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë – gërshetuar me fushën Studime biografike, biografi personale. Në fakt, këtu kemi një mozaik të natyrshëm të fushave ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën për të dhënë profilin vigan të lidershipit themeltar të shtetit shqiptar, si model i rrallë lartësie për Çështjen shqiptare. Në këtë libër ndërthuren natyrshëm dituria në tërësi, filozofia e psikologjia, biznesi dhe lideri, sociologjia e komunikimit dhe e mediave, teoria e komunikimit, komunikimi ndërpersonal, komunikimi publik dhe në grup, komunikimi masiv në konteksin shqiptar e botëror, në kontekstin kulturor, me theks negocimin e dinjitetit, po aq politika e brendshme, gjendja politike në vend, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia e jashtme për të shkruar biografinë dhe historinë e Misionarit të Kombit shqiptar. Ky libër i ndërtuar me pesë kre, me parathënie apo pak fjalë për lexuesin nga akad. Aurela Anastasi (juriste) dhe prof. dr. Nevila Nika (historiane), me hyrje, me lëndën ku na njeh deri në imtësi me karakterin, vizionin, komunikimin, menaxhimin e krizave dhe trashëgiminë e lidershipit të atit themelues, ku spikat vendosmëria, optimizmi, ndershmëria dhe kuraja e Ideatorit dhe Shërbestarit të Artë të Shqipërisë, plotësohet me epilogun e duhur, me dokumente të reja të pabotuara më parë, me intervista për shtypin e huaj dhe vendas, me album fotografik autentik dhe shënimet përkatëse poshtë fotove, me aparat bibliografik në fund të faqeve dhe në fund të tekstit, me bibliografi të plotë librash nga autorë shqiptarë dhe të huaj, burime të tjera dokumentare të arkivit të shtetit, botime periodike seriale apo burime të vazhduara (integrale) online. Pra, libri i referohet fakteve dhe dokumentave që sjellin me vërtetësi Orën e bardhë të Pavarësisë, që erdhi më 28 nëntor 1912.
Ndoshta na është dukur sikur nuk kemi ç’të shkruajmë më apo se nuk kemi ç’të mësojmë më tepër për Ismail Qemalin, por ja që studiuesi Beqiri na e rrëzon këtë koncept të vockël me këtë botim të plotë deri më sot, ndërkohë që, falë njohjes që kam për synimet e larta të autorit, besoj se nuk është studim shterues i tij për këtë personalitet të ndritshëm, por mund të jetë frymëzimtarë dhe për të tjerë. Lidershipi modern i prurë nga Beqiri na shfaqet esencial për nga roli dhe rëndësia historike, që merr peshë të madhe mbi supe. Ai na vjen si një proces dinamik me vlerë kolosale, i cili nuk ndalon kurrë as me frymëmarrjen e tij, sepse ai natyrshëm shfaqet, rritet dhe përsoset si hero, njeri i vlefshëm dhe me shumë virtyte për Atdheun. Mendoj se, për të prurë lidershipin e Ismail Qemalit në këtë 110-vjetor të Pavarësisë, autori i librit ka pasur në kujtesë thënien e Senekës: “Është e vështirë t’i sjellësh njerëzit te virtyti me leksione, por ama është e lehtë ta realizosh këtë me anë të shembullit”.
Tek ky tekst kemi një Ismail Qemal aktiv, të gjallë, në lëvizje, në diell e në furtunë, në fushë e në lumë, në det e në mal, në shkrepa e në moçal, që udhëheq me forcën e shembullit, me mbështetje që nga shqiptarët e Egjiptit, arbëreshët e Italisë, vartanët e Amerikës, mori vëmendjen e personaliteteve të huaja me takimet që nisi në Athinë, Nisë, Paris e Londër, që vijoi e vijoi me detyrime kombëtare e pa asnjë privilegj personal as kur u shkri si meteor i Pavarësisë në Peruxhia të Italisë për t’u përjetësuar mbi yjet më të ndritshëm të Shqipërisë europiane. Po të kishim një Ismali Qemal pasiv e në kornizë, nuk besoj se libri do të paraqiste interes. Autori ka ditur të na japë Ismail Qemalin e vërtetë, sepse ka gjetur formën e duhur të strukturës së brendshme dhe mënyrën e shprehjes së përmbajtjes dhe po aq mirë ka ditur si të na e realizojë këtë shërbim fisnik për shqiptarët, ballkanasit, europianët. Ismail Qemali ishte i pari në ide, në veprim, në udhëheqje, duke e marrë rrezikun në sy për Atdheun. Edhe në logjistikë kryesori ishte, në ballë të frontit më të vështrirë. Mjafton të kujtojmë ç’ka mori përsipër më janar të vitit 1912, në mbledhjen e famshme të patriotëve shqiptarë pranë sheshit “Taksim” në Stamboll, ku u diskutua se e ardhmja dhe fatet e kombit shqiptar i zgjidhte kryengritja e përgjithshme në Shqipëri. Që të fillonte kryengritja çlirimtare duheshin siguruar armë dhe të holla. Pikërisht këtë përgjegjësi, më të madhen e mundshme e mori përsipër Burri i Kombit, ndërkohë që informimin dhe çuarjen e kauzës në opinionin publik europian e kishte filluar qysh nga viti 1900, veçmas në Dymbëdhjetën kur ra ora e madhe e historisë për shqiptarët dhe ai përpiqej si titan, duke intensifikuar përpjekjet me devotshëmri largpamëse për të siguruar me anë të komunikimit publik simpatinë dhe përkrahjen e opinionit publik dhe diplomacisë europiane për çështjen shqiptare. Profesori i Diplomacisë shqiptare u paraqit si strateg në shkencat e komunikimit, duke i shfrytëzuar instrumentet e komunikimit e mediat si zgjatim i nevojshëm i njeriut për arritjen e synimit në rrafshin lokal, kombëtar e ndërkombëtar, si në shoqërinë masive horizontale, ashtu edhe në shoqërinë e lartë apo shoqërinë zyrtare, vertikale. Ai ishte luftëtar i parë për autonominë dhe në vijim për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria e rëndë dhe me po kaq shqetësim shikonte situatën e nderë në Ballkan. Ai ishte i veçantë në njohjen e natyrës njerëzore, mjeshtër i mbushmendjes së të tjerëve, sidomos më të mëdhenjve dhe dinte ç’tu kërkonte Fuqive të Mëdha, dinte të ngarkonte kombet e qytetëruar me përgjegjësi morale për gjendjen e shqiptarëve të tjera brenda Perandorisë Osmane, po aq sa parandjente dhe rrezikun e dyndjeve barbare sllave në trojet ballkanike. Ndër armët e tij efikase kishte pikërisht komunikimin publik, si një sociolog kalibri, fuqinë e imazhit që rrezaton në përmasa gjithëpërfshirëse dhe veçmas kontaktin me shtypin e shkruar në Itali, Vjenë – Austri, Francë, Londër e gjetkë, ku me forcën bindëse të fjalës këmbëngulte në të vërtetën e ndodhur ndër ne aso kohe, mbi idetë e Lëvizjes Kombëtare Shqipare dhe karakterin kombëtar të kryengritjeve të vitit 1911. Shqiptarët nuk janë rebelë, – sqaronte botën europiane lidershipi sfidant. Shqiptarët kërkojnë respektim të kushtetutës, të parimeve liberal – kushtetuese nga Turqia, të cilat qëndronin në themelet e shtetit konstitucional dhe të demokracive liberale. “Kryengritjet shqiptare, – theksonte ai – nuk kanë karakter fetar, por vetëm kombëtar”.
Qetësia e shikimit dhe e tejshikimit, intesifikimi e përshkallëzimi i fjalës dhe veprimit në dobi të shtetformimit, për të mirë të Atdheut, largpamësia si strateg i psikologjisë së bashkatdhetarve të tij, bëri që Ismail Qemal Bej Vlora të ngrihej në lartësinë e liderit vizionar të shqiptarëve, se ishte një rilindas idealist i zjarrtë që kërkonte t’i hapej denjësisht porta e një Kuvendi Europian, se besonte shqiptarisht tek Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Rasih Bej Dino, tek 40 delegatët nga të gjitha trevat shqiptare – firmëtarë të Protokollit të Pavarësisë, tek gjithë ata trima të ditur e me kapital nga Kosova në Çamëri, nga Dibra në Plavë e Guci, nga Kolonja në Vlorë, nga Elbasani në Ulqin, nga Shkupi në Korçë, nga Tomorica në Shkodër, nga Tropoja në Himarë, nga Myzeqeja në Mitrovicë, nga Prizreni në Berat, nga Mallakastra në Gjakovë, që i dolën zot vendit në çastet më të vështira të ekzistencës kombëtare. Ai kështu na shfaqet edhe si një profet, si të thuash, i paradërguar i Zotit, që erdhi dhe iku hyjinisht e aq tokësor, por i parapriu edhe idesë së Bashkimit Europian, që kemi sot. Ai nuk luftoi për vete, por për Shqipërinë e rrezikuar e të mjeruar, sepse Sakrifikuesi i madh donte një shtet shqiptar të lirë e të pavarur, që jeton në paqe dhe harmoni me fqinjët, që edhe sipas traditës e nderit të stërgjyshërve tanë, me pikë të lartë referimi Epokën e Gjergj Kastriotit, është pjesëtar i denjë i familjes së madhe të popujve europianë. Vjen si një apel ndërgjejësimi, sidomos në këtë kohë të shushatur atdhetarisht mesazhi i studiuesit Evarist Beqiri: “Rikthimi tek Ismail Qemali është rikthim tek rrënjët e identitetit tonë kombëtar. Ismail Qemal Vlora ishte dhe mbetet “dielli i shqiptarisë” por që pak njihet sidomos nga brezi i ri. Sot fotografia e tij e varur mureve te zyrave nuk mjafton për të nderuar atin themelues”.
Do të ndaloja dhe pak tek një fakt. Është shembull i lartë motivimi fakti që Ismail Qemali ishte mik me gazetarët, ndërkohë kujtojmë që udhëheqësit diktatorë nuk i kanë miq gazetarët, por o i shikojnë shtrembër o i përdorin, apo i shtërngojnë t’i përdorin.
Në mbyllje të këtij kumtimi modest, mund të shprehem se, nëse vdekja e Themeltarit të shtetit shqiptar qe dëm i rëndë kombëtar, fakti që Ismail Qemali ishte kryetari i parë i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë së Pavarur dhe u shkrua në histori me gërma të arta e në këngë me përjetësim shpirtëror, është fat i madh kombëtar dhe se brenga e tij e thellë do të bëhet realitet brenda familjes së madhe europiane, me një shtet shqiptar modern e demokratik.
Edhe ky përurim libri që Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Indusstrisë, Qarku Vlorë organizojnë këtu, në sallën “Rilindja” godina e Rektoratit, është një përshpirtje nderimtarie e merituar për Themeluesin, që do të vijojë përditshmërisht, duke bërë secili detyrat me devotshmëri dhe përkushtim ismailqemalian.
Faleminderit!
*) Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali “ Vlorë


Send this to a friend