VOAL

VOAL

… A mundem me u rrfye … (Prelatit t’shejtë At’ Gjergj Fishta ) – Poezi nga ZEF BARDHI

October 23, 2020

Komentet

Nënës time Nga Elida Buçpapaj

 

Kushtuar Lili Skënderit, bashkëshortes së Poetit Vehbi Skënderi dhe Nënës sime që na la më 8 shkurt 2016

8 Mars 2016

u mbush një muaj
që nëpër shtëpi
të kërkoj pa dobi
kur dal
pres t’i biesh celularit
sikur bëje rëndom
edhe pa arsye
për fare kot
veç për të dëgjuar sa më shumë
zërat e njëra tjetrës
të Nënës e bijës
sikur ta dije
se nga Qielli telefonit
nuk do t’i bije dot

është 8 Marsi i parë
që nuk të kam pranë
vdekja kjo shtrigë
na e këputi
kordonin ombelik

unë nuk e besoj
se ti nuk je me ne
as ti nuk beson
që je atje ku je

çdo gjë në shtëpi gjurmët e tua mban
kanatet e dritares prej nga shihje rrugën
nënkresat e zbukurimit
me ngjyra tek cepat e divanit
presin që t’i lëvizësh
gjithçka është rregulluar si deshe ti
me asimetriken simetri
në guzhinë gjej biletkat ku shkruaje
se çfarë duhet të blinim,
nektarë lulesh, elikzir
kanellë, majdanoz, vaj ulliri

kur vjen dita e re
pres të më zgjosh,
ta hamë bashkë mëngjesin
që ma përgatisje ti
duke shoqëruar kafenë apo çajin
me kryetituj gazetash tek News24
e kujtuar shtëpinë tonë
në Tiranë që na priste
Liqenin e Poradecit
ku ti linde
malli shtohet e shtohet
si një vullkan i sapozgjuar
që mezi pret
të eksplodohet

ne te dyja flisnim
për gjëra të thjeshta
të bukura
të zakonshme
dhe te jashtëzakonshme
se çfarë do të na gatuaje
për shembull për drekë
speca të pjekura
me djathë delesh
apo lakror me dy petë
për shqetesimet personale
kombëtare e botërore
të gjitha me njëra-tjetrën
kishin lidhje
që po t’i kishim në duar
unë dhe ti
do të kishin të gjitha
happy end dhe rrugëzgjidhje

deri ditën kur u sëmure
papritmas
nisën 100 ditë
të tmerrshme për ne
nga spitali në spital
me zemër të dridhur
nga frika e telefonatave
horrore
në mesin e natës
kur japin
vetëm lajme pelin te hidhur

ne kishim shpresë
deri në fund
që mrekullia
jonë të zgjaste
se ishte dashuri
e kulluar, hyjnore
kur Eva dhe Adami
nuk e kishin prekur
ende mollën

unë të përkëdhelja
me fjalët më të bukura të botës,
të thërrisja Lule,
Lilka,
vajza ime,
të thosha se
ne do të jetonim bashkë 200 vjet
për t’i parë
e për t’i gëzuar bashkë fëmijët,
nipat e sternipat tanë
dhe ti e pranoje këtë sfidë
s’ka më të bukur
se sfida e jetës
më jepje besën dhe fjalën
me të qeshurën tënde
të bukur dhe zërin tënd
me tinguj
edhe kur na qortoje
ishte gjithë plotfuqishmëri
Mbretëreshë
me kurorë e skeptër
që Elisabetha II e Anglisë
do të të kishte zili

Nëna ime prehet nën lulevjollcat

8 Maj 2016

u mbushën 3 muaj
nga 8 shkurti në 8 maj
me lule dhe vaj

nga shirat e errta të shkurtit
në mars, prill e maj
me lule dhe vaj

nga qielli i vrerosur i shkurtit
tek fytyra e pranverës e pafaj
me lule dhe vaj

nga ankthi i pafund i shkurtit
në ankthin e pafund prej reje
si është e mundur Mam
që ti fle nën vjollca
e vjollcat çelin sipër teje

Gjashtë muaj pa ty Mam

8 Gusht 2016

U mbush gjysmë viti
sekondat, minutat, orët, ditët,
javët, muajt
njëri pas tjetrit shkuan
ditëlindja jote pa ty
në maj
gjithë lot e vaj

unë të kërkoj me sy
me veshët hapur
të dëgjoj kumtin tënd të bukur
që e mbushte shtëpinë me hare
ku je Mam ku je

në shtëpi gjithçka ka mbetur
ashtu sikur e le
dhoma jote e heshtur
mbulesa e shtratit e palëvizur
çanta jote po aty
në sirtarin e komodinës
pasqyrka e vogël
mbi komodinë
të preferuarit librat e tu
dritarja e dhomës tënde
nga shihje hënën
mungojnë vetëm syzat
t’i dhashë me vete
edhe letrat e bixhozit
që luaje duke pyetur fatthënën

në dollapin tënd
mungon vetëm
palltoja e madhe
që ti e përdorje shumë rrallë
mungojnë
një palë pantallona,
një golf dimri
dhe një xhaketë
që i vishje rëndom
kur dilje
rreth e rrotull
në dollapin e këpucëve
janë pantoflat e tua,
sandalet e verës
me pak takë në ngjyrë hiri
mungojnë vetëm
një palë këpucë dimri

e di që në Parajsë
është gjithmonë pranverë
po kur ike ti
ishte shkurt e shi
e shpirti im qante
me rrebeshe
sepse harmonia jonë
prej tingujsh,
ritmesh e ngjyrash
ishte Parajsa e tokës
ne ishim më të gjithëpushtetëshmet
e rruzullit
më të pasurat e botës
….

unë nuk i bindem
arsyes se vdekja ekziston
se kush lind vdes
se gjithçka
që ka një fillim
e ka një fund
se tek fundi nis fillimi
dhe tek fillimi fundi
sepse dashuria jonë
ishte dhe është
fund e fillim një përjashtim

Po vjen 8 shkurti zemra ime

vajza ime
e bukura ime
po vjen ora 18:00
kur nga dritarja e spitalit
shpirti yt fluturoi
në një botë krejt të panjohur
do ta heq këtë datë nga kalendari
pas datës 7 shkurt vjen direkt 9 shkurti
pas orës 17:00 vjen direkt ora 19:00

ti po flije sikur e keqja ishte larguar
e ti pas pak do të zgjoheshe
frymëmarrja jote ishte e rregullt,
e ngrohtë
krejt ndryshe nga vdekja
që vërtitej pranë teje
akullnajë e ftohtē

herët e tjera
ti nën tuba luftoje
për jetën
ti me çdo kusht
deshe të riktheheshe
në shtëpinë tonë
e të vazhdoje aty ku e kishe lënë
në spital gjithçka e panjohur për ty
nuk njihje askënd
sytë e Shën Mërisë dukeshin
artificialë
përpara syve të tu që luteshin
të mos vinte ajo
që kishe frikë se po vinte
ti e merrje me të mirë
të panjohurën
që nuk mund të bëhet urë
e që nuk duam ta njohim kurrë

ti luftoje me mish e me shpirt
të ktheheshe në shtëpinë tonë
të ngrohur nga dielli i dashurisë
që e bën të duket
një kokërr portokalli
diellin që ngroh
njerëzinë

ti ma shqiptoje emrin
nen tuba,
nën jerm,
nën morfinë

çfarë deshe të më thoshe Mam
si nuk mundëm të flisnim Mam
si nuk mundëm Mam

ne të rrethonim tek shtrati
ti na shihje dhe qeshje
ashtu e përhumbur
kujtoje se ishe në ëndërr
dhe prisje të zgjoheshe
nga ankthi makth

ti e bukur
si një skulpturë e bardhë e Rodenit
askush nuk mund
të besonte se ishe e sëmurë
me faqet ngjyrë rozë
që unë t’i puthja pa fund
po flije Mam
po flije aq qetshëm
aq rrejshëm

sa unë besova se do të zgjoheshe
të më thoshe
atë që deshe të ma thoshe aq shumë
por që nuk ma the dot
në këtë botë kurrë

po vjen shkurti Mam,
e urrej 8 shkurtin
qiellin bunker
që e kishte veshur
atë mbrëmje të ftohtë
në hekur

e urrej edhe 29 tetorin,
kur më the se ndiheshe pa qejf
ishim aq bukur
ti ishe kryeministrja e shtëpisë
fuqiplotë
ne demokracia më e bukur
e planetit tokë

8 shkurt 2017

e dashur Nëna ime,
Zonja Lili Skënderi
e dashur Lilka ime,
e dashur Lulja ime,
zambak uji
e dashur mrekullia ime
e dashur vajza ime që nuk e pata kurrë
e dashur motra ime që nuk e pata kurrë
e dashur shoqja ime që nuk e pata kurrë
me një trup e shpirt me Tim Atë
më linde, më dhe gji, më rrite,
e dashura Nëna ime unike

e dashur Lilka ime,
lule që nuk njeh vyshkje
ti Ëngjëlli im në tokë
dhe Ëngjëlli im në qiell
krijesë e bukur e Zotit
si kryeveprat e piktorëve
të gjithë rrymave e kohëve
me shpirt dhe fytyrë ëngjëllore

ne kemi kaluar bashkë shumë sfida
dorë për dore shtrënguar
sfidat e jetës po aq të zeza si vdekja
ne në krahë të njëra tjetrës
mbi to gjithmonë kemi triumfuar

nuk bëhet fjalë për triumfe fanfaresh
të gërryera nga hipokrizia prej bloze
fjala është për gjërat më të thjeshta
dhe të rëndësishme të jetës
që i japin frymën, kumtin dhe kuptimin kësaj bote

ti jepje dashuri pa cak e pa fund
ti Nëna ime një pyll i gjelbër
që nuk njohe as plakje dhe as tharje
që në çdo rrahjen tënde të zemrës
na bëre të jetonim një jetë të plotë
vetëm me dashuri dhe pa ndarje

nga 8 shkurti 2016
dhe në çdo shkurt që vjen
shpirtin tim e shkundin
pa prehje uraganët e dhimbjes
ti je me mua kudo ndodhem
por kjo nuk nuk e zbeh aspak
mungesën,
dhe peshën e pengjeve
që më rëndojnë si mal
mbi shpirt e shpinë
nuk e zbeh as mallin
që vetëm shtohet e shtohet
si një vullkan i sapozgjuar
që mezi pret
të eksplodohet

që jam vazhdimi yt dhe i tim eti
e kuptoj lehtësisht
se rebelohem për ta injoruar Kasandrën
për ta sfiduar të keqen
për ta hequr nga kalendari datën 8 shkurt
për t’i hequr nga kalendari
të gjitha ditët e vuajtjeve të tua
e për të ta mbushur kalendarin e jetës
me ditët e tua më të lumtura
që ti i kalove me Tim Atë,
poetin Vehbi Skënderi
që të deshi deri në frymën e fundit
kur fryma e lë trupin dhe ngjitet lart,lart, lart…

TAHIR BEZHANI DËSHMITAR I KOHËS- Nga Shejh Hasan MUZLI Selimi

 

“Shtegtime të Ndrydhura Jete”

Jam në dilem, mendoj, lexoj, shëtis dhe flas me veten time. U ngjita pas librit me qellim të gjejë një metodë krejt të re për mikun, poetin, prozatorin nga Smolica e Gjakovës. Ky burrë letrash e jetë të trazuar më bëni të qaj disaherë në faqet e librit tij. Kam lexuar libra, kam recituar poezi, por si libri “Shtegtime të Ndrydhura Jete”, të shkrimtarit Tahir Bezhani rrallë libër më ka bërë të përmallem në atë formë.

Qenia ka shtresëzimet e veta, ka thellësinë e ngacmimeve nëpërmes ndijimeve, ajo qenia është proçes i mahnitshëm, ndërton nëpërmes ngacmimeve reflekte që nxjerrin në pah shumëçka, që është e nevojshme e gjithçka që nuk nevojitet. Pra, qenia kapërcen edhe mbi vetveten, ndërton hendeqe që sjell përplasje, ose beng-benge e pas kësaj përplasje demonstron mendime, mençuri që i themi me plot gojën teza të sintetizuara e nganjëherë i emertojnë perla të diturisë.

Qenia i kthehet, bile i rikthehet kohës, ndoshta jo në mohimin e mohimit në të njëjtën substancë, jo në të njëjtën formë, por i rikthehet për një mësim, për një fat, për një reflektim. Kjo, qenia është proçesion, është një udhëtim, është kategorizim, është shfaqja e brendshme me veprime konkrete. Jemi në dilem të bashkohemi me arsyen, apo të lejohet arsyeja të veproj në një kapërcim pozitiv të gjësë.

Shtresëzimet e qenies, ndijimtare japin një ndriçim të brendisë së ndërgjegjshme, duke kërkuar shfaqjen pa përplasje me veten. Përplitjet e brendshme janë grimcat e ndijimeve që nuk të lejojnë të mbashë hije, apo të qëndrosh në hijen e ëndrrave cinike. Ne, nuk janë kurrë për të tjerët që verbërisht shfaqen dhe në hijen e vet dergjen. Ata që do jenë në të vërtetë për vete janë edhe në harmoni me të tjerët. Shfaqja e vullnetshme nëpërmes beng-bengut të brendshëm realizon konfirmimin e së vërtetës. Këtu të tjerat arsyetojnë me vetitë e tyre, apo me sentimente njohin në qenien tënde vlerë, apo anti vlerë.

Njeriu ka ëndrra, ka pasione, ka ego. Në qenien tonë është e mishëruar krejt vesi edhe karakteri. E gjitha kjo është një aktë formal, individual i kushtëzuar ose i pakushtëzuar. Shpeshherë i themi njeri i drejtpërdrejt, njeri meskin, i fshehtë, i ndyshëm prej të tjerëve. Ashtu siç ka që themi ky është njeri, ka një shpirt njeriu, një ndërgjegje të pastër, është burrë që di të qendrojë në këmbë.

Ne themi qenia, qenia dhe gjendja nuk mund të ndahen edhe pse janë dy institute që studiohen veçmas, ato ndërlidhen me njëra-tjetrën pazgjidhshmërisht. Këtu në analizën filozofike të qenie-gjendje shfaqen karaktere që deformojnë vesin, bile ka në shumë raste që vesi mundet përballë karakterit. Jemi dëshmitar të ngjarjeve që koha i ka zbeh tanimë, kur thonim lufta me vet-veten është lufta më e ashpër. Në këtë luftë njeriu harron gjendjen, sepse qenia është në luftë në brendinë e shtresëzimeve të nënmendimit.

Shumëherë biem në dilem, se duhet të shfaqemi, apo duhet të ndrydhim faktet e brendisë tonë. Nëse shfaqemi, kujt t’i shfaqemi? Nëse rrëfehemi, rrëfimi a mbetet një karakter sekret anonim, a përfitoj nga ky rrëfim-shfaqje, a është për mua një përfitim në të ardhmen. Më e rëndësishmja, a mund të udhëtoj rrëfim-vendimi për një jetë më të vlefshme?

Ka mjaft njerëz që edhe ngjarjet e familjes i diktojnë problem se po shpalosin probleme negative. Shumëherë e në shumë vende është quajtur varfëria, vobektësia, turp. Jeta në kushte të vështira është përfolur. Më e ëmbël për një njeri është ta quajnë i shkreti se sa i lumturi, më e ëmbël është të quhet i varfëri se sa i pasuri. Të gjitha këto janë elemente shoqërore e sociale, psikologjike që mbartë një shoqëri në zhvillim. Ka ndodhë që një njeri, një familje, një çiftë, një shtet për njëfarë kohe është në krizë, jo vetëm ekonomike, por edhe politike. Kjo është e përkohshme për gjithë këto struktura të shoqërisë. Familja e re rritet, fëmijët trashgojnë, shteti ndërton politika të ndjeshme për komunitetitin dhe dalin nga kriza në një kohë të shkurtër. Të gjithë nuk mbajmë mendjen këtu tani tek arritjet, por tek historia e përçmimit. Ka prej atyre që kujtojnë me nostalgji, mall, dhimbje ngjarje si këto që flet poeti në librin e tij. I kujtojnë që të përballen dhe të mos harrojnë të shkuaren e më keq të mos kthehen në atë kohë asnjëherë tjetër.

Pas gjithë kësaj që folëm më lartë, unë kam mbledh gjithë korpusin e librave të botuara nga Tahir Bezhani. Nuk e di më pëlqej më shumë se të gjitha libri e tjerë, ”Shtegtime të Ndrydhura Jete”. Kur ta lexoni këtë libër e nëse jeni me të vërtetë artist, krijues do qani. Do derdhni lot për jetën e poetit në rritje. Autori ka shkruar me një guxim, sinqeritet e ndërgjegje i cili ka shpalos shtresëzimet e qenies bashkë me brendinë, atje thellë në qenien ku nënvediaj ka kapërcye në rrethana artistike botën e një njeriu me brenga të mëdha.

E njoha Tahirin, e njoha nëpërmes mikut, shokut tim Lulzim Logu. Në shtëpinë e tij, kur unë e njoha nuk kishte asnjë shenjë të brengave. Ai i kishte fshirë ato, ai i kishte kapërcyer ato, ishte një Tahir tjetër. Sa lexova librin thashë me vete e paskan vjedh Tahir Bezhanin. Duhet të njoftojmë kërkimin e tij në të gjitha rrugët. Tani lind pyetja: Ku ta gjëjmë Tahirin që dikur rritej me aq shumë brenga, sa mbyllej njëra, lindte tjetra? Ai me guximin e një personaliteti që nuk ka varësi nga faktori i jashtëm tregon fije e për pe ngjarjet që në embrion. Në çdo ngjarje ai mendonte për jetën, mendonte për shkollimin, mendonte për punën, mendonte për nanën-babën, vllëzërit, motrat. Me një nostalgji të një korifej prej mendimtari, lideri elitar tashmë të konsoliduar, ai kujton me saktësi gjithë jetën me kushërinjtë, me nuset e axhave, me vllezërit e gjithçka tjetër.

Koha që sjell vetmia është dukshëm meskine. Ajo thërret në sfond kuptimin e jo mundësinë e të kuptuarit. Të jetosh i moskuptuar do të thotë je i vetmuar. Një hapësirë e mbushur me forma festive që nuk të dëgjojnë, nuk të lexojnë, nuk të përmbushin thelbin e së vërtetës, përbëjnë vetmin e një individi që nuk mund të bjerë në nivelin e tjerëve. Kjo nuk është vetmi objektive, kjo është subjektiviteti formal i ndodhisë. Një ambient sado i plotësuar të jetë dhe të kenë dije të barabarta, të ketë gjendjen sociale të përafërt duhet ta kuptojnë njëri-tjetrin. Kur ti nuk dëgjohesh prej njerëzve, edhe nëse është i përmbushur ambienti, ose ndoshta është një numër i kufizuar njerëzish dhe nuk të kuptojnë, venitja vjen gradualisht, sfondi natyral bie në ngjyrën gri të haptë, ngrin si fenomen, derisa të duket se je një fantazëm që bën hijen kalimtare iluzioniste.

Në padukshmërinë mes njerëzve të gjinisë-gjakut, të rrethit që e dëshiron shpirtërisht je i plagosur, sepse dukesh i padukshëm. Qendrimi në këto rrethana të jep një ndjesi iluzive që nuk ke mundësinë ta shpjegosh. Kjo lloj vetmie nuk ka të bëjë me mungesën e përkrahjes të mbështetjes, por me mungesën e lidhjeve e kjo të godet në shpirt, të godet në sistemin e ndjenjave. Në kohën e varfërisë, të vetmisë njeriu ka marrë me vete solidaritetin e bashkimit familjar në traumat e jetës së pa shpirt. Një lexues i kujdesshëm do pyes. Ka jetë pa shpirt? Po, po ka jetë pa shpirt, siç ishte jeta e poetit që sot është subjekt i shkrimit tim. Në fakt vëmendja për poetin është e dukshme. Ai prandaj ka fshirë të kaluaren e ngrysur. Jeta (kohë) është hendeku më i madh, që aty nuk ka as më të voglën ndjesi shpirtërore.

I dashur Tahir! Jam krejt i sinqertë me ngjarjet e ndodhitë tua. Me thënë të vërtetën kam qajt sikur … . kur ti flisje për kohën grih, për lisat që shërbenin për dërrasë varri, për bagëtinë, për piskamën tënde “ më paska vdek nana” . Sa janë bllokuar fijet neurotike qw lidhë sistemin nervor të trurit. Kjo ndodhi disaherë gjatë leximit të librit tuai. Më mirëkupto të lutem. Sa herë dëgjoj njeri që tregon për vdekje nane në voglin e tij, mendja më rri atje, tek babai im që është rrit pa nënë. Atij nuk i kujtohej nëna fare. Thoshte i mbaj pak mend flokët e gjata e të kuqe. Ai është pajtuar me një brisk të vogël që gdhendnin fëmijët lodrat e kohës. Një fëmijë që rritet me një traumë të tillë dhe bëhet në moshën e pjekurisë si Tahir Bezhani, me të drejtë unë them atë mikun tim të librit e kanë vjedh. Na sollën një tjetër me një pjekuri prej të rrituri e pa drama e ky qenke Ti që gjithmonë qesh e gëzon gjithë shoqërinë.

Ne kemi trashëguar shumë doke e zakone të pështira prej pushtuesve. E prej këtyre dokeve e zakoneve më të shumtat janë të Turqisë, janë kushtëzuar me tek populli jonë me dhunën psikologjike. Në të drejtën e legjislacionit osman, femra ishte plaçkë. Ishte mall që shitej, blihej, përdorej për arsye të ndryshme. Sulltanët kanë patur parimin bëni, siç ju them unë e mos bëni si bëj unë. Në rastin e martesës femra blihej, bilës nuk të ndante ditën e dasmës pa i dhanë këstin e fundit të vlerës së caktuar. Kështu familja shqiptare ra në një krizë të madhe ekonomike e morale. Me vdekjen e mashkullit, femrën nuk duhej ta nxjerrësh prej shtëpisë, sepse nuk kishin kushtet ekonomike për të martuar mashkullin e radhë. Kështu ishte edhe për familjen e femrës. Nëse vdes gruaja duhej t’i jepnim një vajzë tjetër. Nuk merrej parasysh fare vdekja. Për mashkullin që linte fëmijë, fëmijët nuk duhej të dalin prej shtëpisë. Ata nuk duhej të rriten në dyert e botës, sepse ishte turp. Asnjëri nga këto doke të kushtëzuara nuk kanë qenë në vatrat tona para pushtimit Turk. Këto veprime nuk i kishte kanuni i Lekës. Kjo u bë zakon, por jo kanun (ligj).

Nana jote e ndjerë nga dritaret e dyshekllëkut shikonte majën që e ndante me vendlindjen. Ajo qante për vendin e rritjes, qante për vdekjen e babës, të nanës, për martesat, dasmat që nuk mund të bashkohej fatkeqësis, as gëzimit. Kjo për një, ose pesë kilometra rrugë në këmbë, pra një orë larg. Kush e bëri këtë? Pjekuria fëmijërore politike e politikanëve tanë. Nuk morën parasysh asnjë nga këto trauma. Dikush thotë se kjo ishte ndarje që e bënë të mëdhenjtë e botës. Në të drejtën ndërkombëtare ka precedente të shumta dhe marrëveshje të shumta që ngjajnë me fatin tonë. E janë zgjidhë në mënyrën më perfekte. Njerëzit nuk kanë qëndruar të ndarë. Por ne, kur na vinte dikush në familjen e vet e ky dikush ishte bijw si nana jote e shikonim si agjent, bile edhe sot pas tridhjetë vjetësh kështu e kanë nofkën. Ky lloj epiteti ishte me kahe të dy anëshme si në Reken e Kqe ashtu në Malësin e Mirë.

Për këto kushte psikologjike, nëna juaj mund të ketë pësuar ndonjë shkak shendetësor dhe para kohe ju përsonalisht iu ka loçkuar. Ajo të donte dhe sytë e mendjen e kishte tek ti. Në bjeshkë atë verë që iu shërbeu me aq përkushtim në fakt iu tregoi disaherë në porosit që iu jepte se është vera e fundit me ju.

Tahir Bezhani, kur ishte i vogël, po rritej me tërë vëmendjen e shtëpisë së Sylë Bezhanit të Smolicës. Në atë kohë ke qenë si edhi (keci) në dërrasë. Sytë more burrë të bënin xixa ( nuk i ke pas si njeri). Më përfytyrohesh, kur babai yt në mes të shkallëve me bishtukun ndez që ju po shkonit për në aher tek bagëtia të tha: Të ka gjetë baba një nuse. Më duket që po të shoh tani si i ke picërruar sytë. Në të mijëtat e sekondës i ke marrë të gjitha çikat e Smolicës e për rreth të asaj kohe duke të rrahur zemra me furi kraharorin tënd e pyesje veten, cila do jetë? Nuk të ra keq zgjedhja e Avdullahut. Zadja qe shpi e mirë e vajzë me temel të pëlqej fort, u pajtove me të, bile edhe ia zunë me gojë gabelitë tua që nuk ia ke thënë askujt. Ja sajn në sukën e Dinos. (saj një mjet loje fëmijësh për të rrëshqit në dëborë). Më kupto, or burrë. Dua me larguar pak atë trishtim e të kam fut përfundi e po të zhgarraviti.

Tahir Bezhani sjell në mendjen e lexuesit me saktësi gjithë vogëlsitë e kohës së rritjes vet. Kjo nuk është vetëm kopetencë profesionale, por është mëritë e mendores, bile praktikon një shfaqje me fakte të ndijimeve që të gjithë duhet ta marrim si mëritë e praktikë. Mirënjohës ndaj cilitdo që ka kontribuar në rritjen e tij fizike, ashtu edhe intelektuale. Ai, lobon në familje derisa Idrizin e bën të vihet në dispozicionin e të drejtës për shkollim të Tahirit. Ndan me Zenelin gjithçka edhe bukën, biletën e udhëtimit, librat, fletoret e rrobat. Poeti, në këtë rast rrëfimtar nuk kishte lind për punë fizike. Ai kishte lind të mësoj të tjerët, të dokumentojnë historinë e familjes tij, të shoqërisë që e rrethon, të kthesave historike. Në qendër të kësaj rrëfenje ka vendos veten pa harruar asnjë gjë që e përplasi jeta si për mirë, si për keq deri në sindikatën e policisë që e paraburgosen mbi tre muaj.

Unë mendoj se nuk ka gjë më të ëmbël e më të çmuar se jeta. E them unë, sepse këtë e kanë thënë shumë para se ta them unë e do ta thonë shumë pas kësaj. Unë nuk jam peng i detyrimeve e të jem inferior, jam i detyruar të jem mirënjohës, të përlaj iluzionet dhe t’i shemb ato, sikur shembet ortegu në bjeshkë. Pleqëria është njëfarë fëmije me eksperiencë. Ajo të gudulis kujtimet e të bën paksa qesharak, sidomos kur shkel pas shumë kohësh në vendet që nuk ke qenë. Që shkel për së dyti në vendet që ke qenë, aty ke ndarë gëzime mbartë me vete haren e atyre kohëve që nuk vijnë kurrë. Në një vend kam lexuar se vetia e perëndive është se si iu japin njerëzve ndihmë, si i bëjnë ata të lumtur, kur kapërcejnë sfidat deri edhe ato të burgimit. Historia e letërsisë ka treguar shumë për korifejt e letrave botërore që janë burgosur. Kryeveprat që ne mburremi me to i kanë shkruar aty nën thundrën e dhunës. Kur mendon dhunën e një rrëgjimi e sidomos pushtues jeta nuk meriton të ketë emrin e bukur “JETË”. Letërsia është filozofia teatrale e historisë. Ajo është gjendja shpërthyese e nënvetëdijes nëpërmes ndijimeve. Ajo monton në analet historike gjendjen e qenies njerëzore, përcakton grupet sociale në shoqëri, merr me vete çmimin, çiltërsin, sikur në bjeshkë merr flladin e pishnajnës të sapo hedhur shtat. Unë mendoj se pleqëria iu duhet shumë njerëzve në rritje. Aty ata gjejnë eksperiencën historike, gjejnë mallin për jetën që në fakt është emërtesa më e bukur. Këtu duhet të marrin rinia.

Gati gjithnjë në këtë shënim më duhet të radhisë opinionin tim filozofik, sepse në shënimet e Tahir Bezhanit gjen jetë, gjen nëpërmes jetës mall, gjen dhunë psikologjike, gjen shtypje, histori, analizë faktesh të vendit tij, Kosovë e që unë jam për ta thirrë Dardani. Tahir Bezhanit në punën në polici filloi t’i sillet rrotull reja e zezë. Ai në punën e tij siguroi sigurinë e tij profesionale, intelektuale. Prej këtu e qysh në gjimnaz, në ushtri ai u bë pjesë e botimeve me poezi. Në këtë libër më ka tërheq shumë sinqeriteti i shkrimtarit Smolicas. Ai fillon në moshën e fëmijëris, gdhend gjithë ngjarjen, por në shërbimin ushtarak, në përplasjen me Kroatin e quan jashtë moralit, por ishte i detyruar. Nuk thonë kot më i sigurt je para atomit, sesa para opinionit. Sapo lexoja këtë ndodhi e Tahiri po rrëfente ndodhin e sinqert, mendja më shkoj në malet tona ku njerëzit ia japin kafen për poshtë këmbës njërit që s`ka marr gjakun. E kështu e detyrojnë njeriun të bëhet kriminel. As kjo, o Tahir nuk është në kanun. Telefonata prej një zyre operative me kercënim dhe urdhër despotik, mos te shikoj emrin tënd në faqet e revistave as te gazetave, kjo tregon që regjimet nuk e duan artin, ata historisë i thonë të shkruajmë ne me dhunë, pa gëzime, pa manifestin letrar.

Nga dhimbjet më të djegsa ishte rrëfimi për burgun e Lipjanit. Kemi punuar në gjithë degët e jetës që të përfitojmë të mira materiale për t’i shërbyer jetës dhe shëndetit, fëmijëve, familjes, por ngjarja më fyese është të qëllosh burrin. Autori këtu bënë historinë. Ai është dëshmitar, është aktor i dramës, është regjizor, dokumentues i hollësishëm me imtësi i ndodhive antinjerëzore. Por në gjithë këtë njeriu ka edhe gjak, ka edhe dhimbje për njerëzit e vet. Nuk i dërgoj ndërresat në shtëpi, sepse tronditen fëmijët, sepse ata do vuanin, mjaft kishte vuajtur vet në rritjen e tij, nuk donte të përjetonin të njëjtën gjë edhe fëmijët, bashkëshortja, baba, vllezërit, motrat.

Historia përseritët, ajo është e pa mëshirshme në gjykimin përfundimtar. Thonë se historin e bëjnë fitimtarët, por unë mendoj se historinë verbale nuk mund ta ndalojë askush. Këtu kemi të bëjmë me fitimtarët. Ata duhet të zhdukin gjithë dëshmitart, varret, bjeshkët, kullat, bilës edhe zogjtë që të shkruajnë historinë. Ndryshon interpretimi nga një njeri në tjetrin për ngjarjen, por shkrimin bëje, siç është. Tahir Bezhani iu kthye disaherë fshatit, punëve të bujqësisë, rrugën e bënte me biçikletë, 15 km për në banesën e tij në qytet. Ai kujtonte me kujdes mësimet e babës për punët e fshatit, qante hallin e bashkëshortes Zades, e cila kishte shumë ngarkesë, por nuk lodhej kurrë. Tahir Bezhani, bujk, poet, prozator, historian, analist dhe biograf i çmuar.

“Vendlindja e nënës ishte oqeani i lotëve ku lundroja me varkën e kujtimeve plot dhimbje e krenari”. Kësht foli poeti gjatë gjithë jetë. Në Zogaj nipi shkoj, por respektoj traditën. Më dërgoni tek daja Alush. Ai e di, se ku duhet të shkoj unë. Alush Zmajli një burrë me emër të mirë në tërë trevën e Malësisë Mirë e njohu që në thirrje nipin e tij. Pasi e pyeti, sipas protokollit e siguroj; se për cilindo individ kudo e sado të jetë të dal zot deri në vdekjen time e të gjithë ç’kam unë. Me shtetin e kam të vështirë të përballem. Tahir Bezhani i Kullës së Syl Bezhanit kishte menduar edhe për këtë deklaratë të dajës. Pasi jep sigurinë juridike për të gjithë, ai gëzon në truallin e nanës si kurrë më parë.

Poeti, autori i këtij libri shumëdimensional nuk harron lotin e babës si në rast gëzimi, ashtu edhe në rastet, kur gjendja nuk ishte në favorin e tij. I jepte kurajo babës sa e bënte atë me krah.

Thonë se një fëmijë që respekton, plotëson dëshirat e babës, të nanës nuk humbet kurrë, edhe nëse do ketë vuajtje që i vijnë ndoshta nga jeta e mëparshme. Autori sfidoi kohën, në udhën e tij të gjatë e plot ngarkesa, e ktheu atë për vete e në dispozicionin e tij. Në këtë udhë krijimtaria vazhdoi. Në jetën e tij ai botoji shumë libra si; “Koha lind vigaj”, monografi 2001. “Përplasje kohe”, poezi 2002. “Pëlcitje e vonuar”, poezi 2004. “Rapsodët e Rekës keqe”, monografi 2005, “Shkollat Shqipe në Rekë të Keqe”, monografi 2006. “Smolica bastion i lirisë”, monografi 2007. “Frymëzim në errësirë”, poezi 2008. “Jetë në furtunë”, kujtime 2009. “Piskamë e heshtur”, poezi 2010, Tiranë. ”Urtësi nga Reka e Keqe” p.I /2011. ” Mureve të heshtjes sime”, poezi 2011, Luli-SHBA. “Leximi i shkrumit”, poezi 2012, Tiranë. “ Vite tronditëse”, tregime 2013. ”Hyjt e mallit” përzgjedhje, Mujë Sadija 2014. ”Lojë hijesh”, poezi 2014. ”Vrapim pas së bukurës”, 2015, vështrime, kritikë letrare. ”Dëshira të çmendura”, poezi 2016 “Patra! (Greqi-shqip-Greqisht). ”Monologu i ashtit”, poezi 2016. ”Mësuesi historik i Smolicës”, monografi 2017. ”Urtësi nga Reka e Keqe”, II/2018. ”Madhështitë e atdheut”, reportazhe, portrete, 2018. ”Terrinë mallëngjimi”, poezi 2019, Tiranë. ”Pesha e lotit” tregime 2020. ”Diellnaja ime”, poezi 2020. ”Valset e hirit”, poezi 2022. “Rrugëtime të ndrydhura jete”, biografike 2023. “Pikla nga qielli”, poezi në botim, Tiranë 2025. Ja kjo është veprimtaria e këtij mendimtari të fondit të letërsisë dhe historiografi shqiptare. Tahir Bezhani ka lind me datën 17 maj të vitit 1947, në Smolicë, Rekë e Keqe, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Ponoshec, të mesmen në Gjakovë, kurse studimet e larta ne SHLP ”Bajram Curri” në Gjakovë, në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Tahir Bezhani ,që kur ishte nxënës dhe student nisi të shkruajë poezi e prozë në faqet e gazetave e revistave të kohës. Poezinë e parë e botoi ne vitin 1967 në revistën “Zani i Rinisë”. Një kohë bashkëpunoi edhe me “Rilindjen”. Për aktivitetin e tij në Sindikatën e Pavarur të Policisë së Kosovës, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në vitin 1995 e dënoi me dy vite burgim. Është anëtarë i Klubit letrarë “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtarë i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohorë të Globit (E.P.S.). Mori pjesë në disa takime me rëndësi të poetëve, organizuar nga Pegasi në Gjirokastër. Për veprimtarinë krijuese dhe aktivitetet e tjera letrare ka marrë më se tridhjetë mirënjohje nga Gjakova, Bajram Curri, Tirana, Lezha, Gjirokastra e shumë shkolla e ente shoqërore të Gjakovës. Është shpallur Qytetar Nderi” i Bashkisë Bajram Curri në vitin 2012.

Rrugëtimi i të qenit person publik e aq më shumë i letrave në një territor të caktur pa lere më në tërë territorin e një kombi sjell me vete një farë ngathtësie prej njerëzve për tu kuptuar. Në këtë fazë të moskuptuarit të çon në një kuptim më të thellë të vetes tuaj. Vërtetësia e të cilit shpallë njeriun brenda vetes. Të gjitha mendimet në përceptimin si element i ndijimit dhe ndërgjegjja flet për një thjeshtësi, por pa ra në inferioritet primitiv. Kjo ju mëson të rrokni atë që jeni në të vërtetë. Kjo do ndodhë në qoftëse bota nuk është gati për këtë. Ju fton të pajtoheni brenda vetes. Të prisni kohën edhe në qoftë se mungon për shkak të përfundimit të afateve jetësore. Kështu pra, ju ushqeni pjesët tuaja që ndihen gati gati vetëm. Me kalimin e kohës njeriu i niveleve të tilla shikon se po e njeh veten, e vlerëson atë, po merr pas një numër njerëzish që e kuptojnë, pastaj udha është e hapur, e mbarë. Një njeri që mendon është më shumë se sa një njeri që mëson. Kështu mendimi dhe vetmia udhëtojnë bashkë. Në vetmi shprehesh, në vetmi i thua vetes sa as rrëfimit që nuk ia thua haptazi në publik, bile as nanë. Por në aspektin mekat, të vajti mendja është i realizuar mekati. Kjo është në kompetencën e gjykimit të ndërgjegjes së mendimtarit. Në shumë raste e inferiorizojmë veten që të biem në nivelin e bazës. Jo superstruktura kurrë nuk ka nivelin e masave. Nëse kemi superstukturë krijuese është mendimi. Ai, mndimi pra drejton jo vetëm pendën në letrën e bardhë, por drejton tërë botën.

Gati gati gjithmonë poeti nuk del prej realitetit kombëtar. Aty gjenë familjen, gjenë dashurinë, gjenë tokën, gjenë jetën, aty ka trashëgimi, aty ka prejardhje, aty ka kullen. Në poezinë e tij poeti Bezhani lufton shumë me të kuptuarin e vargut, bilej në të kuptuarin e mendimit tij në kohën e ardhjes së vargut. Unë mendoj se një libër duhet të lexohet dhe interpretohet në disa forma. Po të lexohet, siç hapen rrathët në ujë atëherë libri ka arritur qëllimin. Unë e lexoj librin në kuptimin tim, dikush tjetër në kuptimin e vet. Kam mendimin se autori nuk e ka në mendje se ku i del vargu poetik. Atij i erdhi dhe e shënoj, ajo është ndjesi. Kaq është sipas meje. Njeriun, poetin e ditës e gjenë kritika shumë planshe. Poezia “ Në Zogaj”, ai përballet me mallin, përballet me dhimbjet, përballet me siluetën e nanës. “Jam këtu mes jush, Në rrënjën time, Me zemrën e zemrës, Me lotin e nënës. Plot mall si zjarr, Që pëlcet shkëmbinjve”. Në poezinë në Zogaj ai deklaron jo të gjallëve, por i thërret shpirtit të nanës. Jam këtu ku ti u dogje për së gjalli për këtë vatër. Jam këtu, porosia u krye, tani unë po numëroj gjurmët e tua. Jam mes jush se kështu më edukoj nana, më edukoj me dashurinë për atdheun, për shpirtin, jetën, për ardhmërinë. Sepse pa ardhmëri nuk ka jëtë, nuk ka atdhe. Po pëlcas, po pëlcas, sepse nana nuk është këtu, ajo ka vetëm kujtimet verbale. Ju iu vjen era nanë. Tezet e mia nuhasnin kurmin tim, ajo ishte era e nanës, motrës. “Në shpirt kam shpirtin e saj, Ngarkuar në plagën e kohës”. Autori piskat, jam me shpirtin e nanës në shpirtin tim, jam nip pa nënë në derën e dajës, mos më ngushëlloni, nana është këtu në mua. Ky është dheu im, toka ime, pjesa e shpirtit tim. “Të zbraz lotin e saj Çative të djegura” Unë kam ardhë këtu me oqeanin e lotit nanës. Do spërkas çatinë, kopshtin, pastaj një grusht me dhe për varrin e nënës sime në Smolic, në Rrafshin e Dukagjinit. Autori në këtë poezi ngre lart moralin e një familje të shpërndarë prej padrejtësive. Atij i kujtohet mësëmiri dhuna e fshehur në burgjet Serbe në vrimat e gurëve të qelive, gjaku dëshmitar i një krimi, shkopit e bejsbollit që nuk kursenin as fëmijë, as pleq, gra, as burra të kohës së burrnisë. Ai, krimi pra ishte në gjenezën e ushtarit, policit, oficerit, bile edhe të akademikut serb. Këtu jam tani më i fortë se kurrë, nën këtë dhunë unë po triumfoj, sikur feniksi që bëhet hi, bëhet mal, ai fluturon si zog në foletë e gatuara me gjakun tonë. Kështu mendonte autori.

Ku e ka kufirin dhimbja pyet autori me një neglizhencë të habitur. Pyet pasi palca e thame e kurrizit është thithë nga dhimbja, nga dhuna, përçmimi. Metafora, sitilistika, leksiku, loja me gjuhën tek ky autor zënë një vend nderi. Në shumë raste autori përsërit fjalë, kjo vërehet në librin që unë qëndrova pak më gjatë. Kjo nuk bëhet se autori ka harruar, apo i ka kaluar nga loti në kohën e frymëzimit. Jo, kjo përsëritje është një stampim metaforik që njerëzit t’i kthehen të kaluarës dhe të përcaktojnë formën e të ardhmes. “Mos e mbyllni derën e kullës, as dritaret, lerini pakës të hapura”. Porosi,mos e hani darkën herët, dritën në shtegun e oborrit mbajeni ndezur, dritaret e odës së burrave mbajeni me kapak hapur. Dikush udhëtar ka nevojë, duhet ndihmuar prej neve. Ndoshta shpirtërat vijnë kalojnë andej dhe të kenë nga të hyjnë brenda, të çmallen, të japin bekimin. “Do vij nën strehën time, Jam lodhur rrugëve të botës Terr e dritë një kuptim e kanë”. Tahir Bezhani ishte i burgosur i ndërgjegjes atdhetare në shtetin pushtues Serb. Ai mendonte se kurrë fizikisht nuk do të kthehet në shtëpi. Në surrealen ai imagjinonte veten nën strehën e kullës, mendonte se do jetë dritë, ndoshta edhe drita në shteg të oborrit po e pret. Kur vinte në realitetin objektiv e kuptonte që është në burg në terr. Terr e dritë një kuptim kanë. Pse ishte i ngujuar ai mendonte dritën dhe e solli me mund, por dhe drita erdhi. “Në mos unë, Shpirti në kullën time vjen…”. E dinte se jetën e merr vetëm krijuesi, por ai e mendonte se, sikur qindra shqiptar që dilnin të vdekur nuk munden të kalojnë torturës, sot janë pa varr, mendonte se edhe vet kështu do shkojë. Mos unë fizikisht, shpirti do vijnë. Tahir Bezhani erdhi më i fortë se kurrë. Dardania më e fortë se kurrë. Shqiptari krenar për sakrificën që e bëri himn.

“Në mos unë, Shpirti në kullën time vjen…”

Tiranë me datë 04.02.2025

Shejh Hasan MUZLI Selimi

KUMRIJA QË DONTE T’BAHEJ PËLLUMB- Sonet nga ANDREA ZALLI

Tregojnë se na ishte nji herë nji kumri
Që emnin e sojin e saj fort përçmonte
E t’bante jetë pëllumbash andërronte,
Ndaj t’përmbushte andrrën përdori nji dredhi.

Në nji qendër estetike me famë mbërriti,
U ly e u zbukurue pa kursim e pa masë,
Që zili asaj çdo pëllumbeshë me ia pasë
Mandej fill n’mes t’nji turme pëllumbash zbriti.

Me komplimente e lajka prej tyne u prit
E bukuroshen hareshëm përshndetën “gu-gu”,
Por kjo, padashje, ua ktheu n’gjuhë t’saj “ku-ku”,
Çka n’çast buzëqeshja t’dy palëve iu fashit..

Maskë, makiazh e pupla kur pa që i ranë,
Të kthehej ajo deshti sërish tek soji i saj,
Por aty mâ s’e qasën kur si pëllumb e panë.

Në mes t’katër rrugëve tash mbeti mavrija,
E vetme, e përbuzun, në mjerim e vaj,
E huej ndër pllumba, e huej ndër kumrija!

Romani “Mollë në Furtunë” i Hasan Muzli Selimit- Parathënie nga Prof. Dr. Ukë Zenel Buçpapaj

Romani “Mollë në furtunë” përfaqëson një rrëfim të thellë dhe gjithëpërfshirës që ndërthur jetën personale me atë kolektive, duke shfaqur tensionet mes traditës dhe modernitetit, drejtësisë dhe hakmarrjes, shpresës dhe dëshpërimit. Përmes një narrative që ndërton një histori të pasur në detaje dhe simbole, autori krijon një vepër që tejkalon kohën dhe vendin, duke u bërë një reflektim universal mbi natyrën njerëzore dhe fuqinë e saj për të mbijetuar përballë sfidave të mëdha.
Në thelb të romanit qëndron familja Kelmendi, një simbol i unitetit dhe qëndresës, që përfaqëson shpirtin e pathyer të një kombi. Përmes jetës së tyre, lexuesi përfshihet në një botë të ndërlikuar ku përplasjet mes brezave, kërkimi i drejtësisë dhe përpjekjet për një të ardhme më të mirë trajtohen me ndjeshmëri dhe realizëm.
Një nga elementët më të fuqishëm të romanit është përdorimi i hapësirës për të përçuar mesazhe të thella dhe emocione komplekse. Kulla e Lekë Kelmendit, për shembull, përfaqëson jo vetëm një simbol fizik të qëndresës dhe trashëgimisë, por edhe një lidhje shpirtërore me të kaluarën. Kjo hapësirë ndërlidhet me identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë, duke shërbyer si një strehë për kujtesën dhe shpresën.
Krahas kullës, qytetet dhe vendet e tjera ku zhvendosen personazhet përfaqësojnë pasigurinë dhe sfidën e integrimit në një mjedis të ri. Përshkrimi i këtyre hapësirave krijon një kontrast të fortë midis rrënjëve të thella të një vendi dhe jetës së përkohshme në mërgim, duke i dhënë lexuesit një pasqyrë të tensionit midis stabilitetit dhe lëvizshmërisë.
Struktura narrative e romanit është komplekse dhe shumëdimensionale, duke përfshirë perspektiva të ndryshme që shtojnë thellësinë e rrëfimit. Autori i ndërlidh historitë personale të personazheve me ngjarjet historike, duke krijuar një ndjesi të vazhdueshme tensioni dhe ndërthurjeje mes individuales dhe kolektives.
Kapitujt janë të ndërtuar në mënyrë që të zbulojnë gradualisht dimensionet e ndryshme të jetës së personazheve, duke i dhënë lexuesit një kuptim më të thellë të tyre. Ky stil narrativ ndihmon për të ndërtuar një lidhje të fortë emocionale me lexuesin, i cili përfshihet në udhëtimin e personazheve dhe përballet me dilemën e tyre.
Figura e nanës Hatë përfaqëson një forcë të palëkundur që ruan dhe mbështet familjen përmes sfidave të mëdha. Ajo simbolizon urtësinë e brezave të vjetër dhe qëndresën përballë presioneve të kohës. Përmes fjalëve dhe veprimeve të saj, lexuesi ndjen peshën e përvojës dhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore.
Furtuna është personazhi më dinamik i romanit, duke mishëruar tensionet midis të kaluarës dhe të ardhmes. Si një vajzë e re që përballon sfida të mëdha, ajo përfaqëson forcën dhe guximin e brezit të ri. Përmes përvojave të saj, lexuesi reflekton mbi rëndësinë e edukimit, luftës për drejtësi dhe sfidën e ruajtjes së identitetit personal në kohëra të ndryshimeve të mëdha.
Bekimi është një figurë që mishëron drejtësinë dhe përkushtimin ndaj lirisë. Ai paraqitet si një personazh që përballet me sfida morale dhe politike, duke u përpjekur të ruajë integritetin dhe dinjitetin përballë presioneve të brendshme dhe të jashtme. Përmes tij, romani eksploron pyetjet komplekse mbi sakrificën personale dhe detyrimet ndaj një kauze më të madhe.
Një nga temat më të fuqishme të romanit është lufta për drejtësi dhe liri. Kjo temë trajtohet jo vetëm përmes betejave fizike, por edhe përmes përpjekjeve intelektuale dhe morale të personazheve për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e tyre. Lufta shfaqet si një proces që kërkon sakrifica të mëdha dhe që përballet me pengesa të vazhdueshme.
Familja është shtylla qendrore e romanit, duke shërbyer si një burim mbështetjeje dhe shprese për personazhet. Përmes lidhjeve të ngushta familjare, autori paraqet rëndësinë e solidaritetit në përballimin e krizave. Marrëdhëniet midis anëtarëve të familjes Kelmendi janë një pasqyrë e sfidave dhe triumfeve që përjeton çdo familje në kohëra të vështira.
Përplasja midis traditës dhe modernitetit është një temë që përshkon gjithë romanin. Autori eksploron tensionet midis ruajtjes së identitetit kulturor dhe përpjekjeve për t’u përshtatur me botën moderne. Kjo temë pasqyrohet në mënyrën se si personazhet ndërveprojnë me hapësirat e tyre, zgjedhjet që bëjnë dhe marrëdhëniet që krijojnë.
Trauma është një temë qendrore në roman, e cila trajtohet me ndjeshmëri dhe realizëm. Përmes përshkrimeve të detajuara të përvojave të personazheve, autori tregon pasojat e dhimbjes dhe procesin e gjatë të shërimit shpirtëror. Kjo temë shfaqet në mënyrë të veçantë në përvojat e Furtunës dhe Beqirit, të cilët përballen me plagët e së kaluarës dhe përpiqen të gjejnë kuptim dhe pajtim.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i romanit është aftësia e tij për të trajtuar tema universale në një kontekst lokal. Përmes jetës së personazheve dhe ngjarjeve që përshkruhen, lexuesi ftohet të reflektojë mbi tema si drejtësia, dashuria, sakrifica dhe shpresa, të cilat kanë një rëndësi globale. Kjo ndërthurje e temave universale me përvojat specifike e bën romanin tërheqës për një audiencë të gjerë.
Stili letrar i romanit është një nga arsyet pse ai lë një përshtypje kaq të thellë. Gjuha është e pasur dhe poetike, me përshkrime të hollësishme që krijojnë një atmosferë të gjallë dhe emocionuese. Përmes dialogjeve autentike dhe përshkrimeve të ndjeshme, autori krijon një lidhje të fortë midis lexuesit dhe personazheve.
Përshkrimi i natyrës, veçanërisht peizazhit shqiptar, krijon një sfond të gjallë për ngjarjet e romanit. Këto përshkrime jo vetëm që i japin narrativës një ndjenjë realiteti, por edhe pasqyrojnë emocionet dhe gjendjet shpirtërore të personazheve.
Ky roman është një vepër që sfidon dhe frymëzon lexuesin, duke ofruar një pasqyrë të thellë mbi përvojat njerëzore në kontekste të vështira. Përmes një narrative komplekse dhe një përshkrimi të hollësishëm të personazheve dhe temave, autori krijon një histori që mbetet e gjallë dhe e rëndësishme për çdo kohë. Ai na kujton se, edhe në kohërat më të errëta, shpresa dhe dashuria mbeten burimet më të fuqishme të qëndresës dhe rindërtimit.
Një aspekt i veçantë i romanit është portretizimi i grave si qendra të fuqishme të narrativës. Përmes personazheve si Nana Hatë, Furtuna, dhe Sadetja, romani sjell në vëmendje fuqinë e grave në mbështetjen dhe drejtimin e familjeve në kohë të vështira. Nana Hatë, me urtësinë dhe përvojën e saj, është një shtyllë qendrore për familjen Kelmendi, duke simbolizuar forcën dhe qëndrueshmërinë e brezave të vjetër.
Ndërkohë, Furtuna, një figurë e re dhe energjike, përfaqëson gratë që jo vetëm që përshtaten me botën moderne, por edhe e sfidojnë atë. Ajo është një luftëtare, një diplomate dhe një simbol i shpresës për brezat e ardhshëm. Përmes Furtunës, lexuesi përballet me pyetje të thella mbi sakrificën personale dhe rolin e grave në ndërtimin e një shoqërie të drejtë.
Sadetja, nga ana tjetër, sjell një dimension më intim dhe personal të sfidave që përballojnë gratë, duke reflektuar mbi ndjenjat e tyre, humbjet dhe përpjekjet për të ruajtur lidhjet familjare. Autori e trajton këtë temë me ndjeshmëri dhe respekt, duke theksuar rëndësinë e zërit të grave në të gjitha aspektet e jetës.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e romanit është përshkrimi i marrëdhënieve ndërnjerëzore, të cilat pasqyrojnë kompleksitetin dhe ndërlikimet e jetës reale. Marrëdhëniet midis anëtarëve të familjes Kelmendi janë një mozaik emocionesh dhe sfidash, duke përfshirë dashurinë, konfliktet dhe sakrificat.
Një shembull i fuqishëm i kësaj është marrëdhënia midis nanës Hatë dhe Furtunës. Nana Hatë përfaqëson brezin që mban të gjallë traditat dhe kujtesën, ndërsa Furtuna është e përqendruar në të ardhmen dhe përparimin. Megjithëse këto dy figura ndonjëherë ndodhen në kontrast, ato gjithashtu plotësojnë njëra-tjetrën, duke treguar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet brezave.
Po ashtu, marrëdhënia midis Furtunës dhe bashkë-luftëtarëve si Berati thekson ndjenjën e solidaritetit dhe miqësisë që lind në kohë lufte. Përmes këtyre marrëdhënieve, autori tregon se lidhjet njerëzore janë një burim i fuqishëm për mbijetesën dhe shpresën, edhe në momentet më të errëta.
Lufta, si një temë qendrore, trajtohet në mënyrë shumëdimensionale, duke përfshirë jo vetëm përballjet fizike, por edhe ndikimet psikologjike dhe shoqërore. Përshkrimi i betejave dhe vuajtjeve të lidhura me to është realist dhe emocional, duke nxjerrë në pah kostot e mëdha të luftës mbi individët dhe komunitetin.
Përmes përvojave të personazheve si Furtuna dhe Beqiri, romani eksploron pasojat e luftës mbi psikikën njerëzore, duke përfshirë traumën, ndjenjën e humbjes dhe përpjekjet për të rindërtuar jetën. Këto përshkrime nuk janë vetëm një reflektim mbi vuajtjet, por edhe një dëshmi e forcës dhe qëndrueshmërisë njerëzore.
Pavarësisht nga sfidat dhe humbjet që përshkojnë romanin, shpresa dhe ringritja janë tema qëndrore që përshkruajnë udhëtimin e personazheve. Kjo shpresë shfaqet në momente të vogla – një bisedë e ngrohtë familjare, një ndihmë e papritur nga një mik – dhe në momente më të mëdha, si vendosmëria e Furtunës për të vazhduar përpjekjet diplomatike.
Autori përdor simbole të ndryshme për të ilustruar idenë e ringritjes. Një nga këto simbole është kulla e Lekë Kelmendit, e cila mbetet një simbol i qëndrueshmërisë dhe mbijetesës përballë kohëve të vështira. Po ashtu, përpjekjet për të rindërtuar jetën pas luftës janë një dëshmi e forcës së shpirtit njerëzor dhe e aftësisë për të gjetur dritë edhe në errësirën më të madhe.
Përmes trajtimit të temave universale, romani i drejtohet një audiencë globale, duke kaluar përtej kufijve kulturorë dhe kombëtarë. Ideja e drejtësisë, rëndësia e familjes dhe fuqia e shpresës janë tema që rezonojnë me lexuesit nga çdo pjesë e botës.
Në veçanti, romani ngre pyetje të rëndësishme mbi rolin e individit në përballjen me sfidat globale si lufta, padrejtësia dhe migracioni. Përmes personazheve dhe ngjarjeve të tij, autori na kujton se forca dhe qëndresa njerëzore janë burime të pashtershme që mund të na ndihmojnë të përballojmë edhe momentet më të vështira.
Një nga arsyet pse ky roman ka një ndikim kaq të fuqishëm është stili i tij i pasur dhe i ndjeshëm. Autori përdor një gjuhë poetike dhe përshkrime të detajuara për të krijuar një atmosferë që përfshin plotësisht lexuesin. Dialogjet, të mbushura me emocion dhe realizëm, ndihmojnë në ndërtimin e një lidhjeje të fortë midis lexuesit dhe personazheve.
Një tjetër teknikë narrative e përdorur me mjeshtëri është përdorimi i simboleve dhe metaforave. Për shembull, peizazhi shqiptar përshkruhet si një pasqyrë e ndjenjave të personazheve, ku bukuria e natyrës shpesh kontraston me dhimbjen e tyre të brendshme. Këto përshkrime jo vetëm që e pasurojnë narrativën, por edhe theksojnë lidhjen e ngushtë midis njeriut dhe mjedisit të tij.
Romani “Mollë në furtunë” është një vepër e fuqishme që ndërthur përvojat personale me ato kolektive, duke ofruar një pasqyrë të pasur mbi jetën, luftën dhe shpresën. Përmes një narrative komplekse dhe një përshkrimi të hollësishëm të personazheve dhe temave, autori krijon një histori që është njëkohësisht unike dhe universale. Ajo fton lexuesin të reflektojë mbi rëndësinë e drejtësisë, fuqinë e familjes dhe qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor përballë sfidave të mëdha.

AMANETI I “KULLËS” SË MALËSISË NGA AMERIKA NË VLORË- Nga Albert HABAZAJ Përgjegjës i Sektorit të Bibilotekës dhe Botimeve

 

Një panoramë mbi strukturën dhe mesazhet e librit “Porosia e kullës” e Dr. Pashko Rr. Camaj

Libri “Porosia e Kullës” = “Dreaming from the trunk of an American car” është udhëtimi jetësor i shkrimtarit, atdhetarit, Doktorit të Shkencave Mjekësore, me banim në New York Pashko Camaj – shqiptar i Malit të Zi, veprimtar i shquar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, që aktualisht shërben si Sekretar i saj.

Ky libër, që vjen si letërsi në formën e kujtimeve, është botim i “Onufrit” prestigjioz me botues Kadarejanin Bujar Hudhri.

Është shqipëruar nga intelektuali Nikollë Camaj, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, të cilin e kemi sot midis nesh, jo thjesht se është vëllai 4 vjet më i madh i autorit, porse qe dëshira për të ardhur në Vlorë, pikërisht sot, më 26 janar, ditën e ndritmërisë së përjetshme të Themeluesit të Shtetit Shqiptar, edhe për homazhet e 106-vjetorin të Ismail Qemal Historisë.

Arkitekti dhe karikaturisti i madh Arben Meksi është “mbles” i këtij takimi të veçantë letraro-artistik dhe kulturor.

Po zhvillojmë këtë veprimtari simbolike me domethënie të qartë, në mjediset e Bibliotekës, falë mundësisë që na krijoi Rektorja e Universitetit, prof.dr. Aurela Saliaj, e cila e vlerësoi rëndësinë e këtij takimi, edhe me pjesëmarrjen e saj.

Më duket, se këtë kuvend kulturor po e vështrojnë nga yjet dhe po bekojnë nga balli i kësaj bilbiloteke, tok me Plakun e Bardhë të Flamurit – Shenjtorin e kombit tonë, Ismail Qemal Vlorën, edhe dy Themelues e certifikues të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” eruditët liberatorë Fan. S. Noli e Faik Konica, të cilët, qysh para 116 vjetësh, nisën të shpërndajnë ndër shqiptarë rrezet e diellit vatran anembanë botës, kudo ndodheshin bijat e bijtë e SHQIPES. (nëpërmjet gazetës “Dielli”, organ zyrtar i “Vatrës”, e cila nisi botimin në SHBA më 15 Shkurt 1909).

Është një veprimtari unikale kjo e sotmja, jo vetëm se libri mbart vlera njohëse dhe edukative për studentët tanë, jo vetëm për Universitetin tonë, por patjetër dhe për Vlorën, për mbarë rininë e sotme andej dhe këtej Shqipërisë së Parë. Është një libër dinjiteti vetiak, jo vetëm për shqiptarin që ndihet i huaj në vend të huaj, por edhe kur ndihet i tillë në vend të tij. Është një manual karriere në furtunë e mbi dallgë.

Kemi në dorë një libër të vërtetë, letërsi autobiografike me motive emigranti, veshur me petk antropologjik, shkruar me gjuhë të pastër, të pasur, të rrjedhshme, kemi profilin e shkrimtarit bashkëkohor, që strukturën e këtij libri me kujtime, që lëndën e gjen tek kulla si simbolikë e shqiptarit në rrjedhat e kohës, tek malli për zjarrin e të parëve, tymin, zjarrin, amanetin e kullës për të vijuar Udhëtimin dinjitoz të jetës, siç e meriton njeriu.

“Porosia e kullës” vjen në 223 faqe (pa përfshirë shënimet e përkthyesit në gjuhën amtare dhe parathënien e Besnik Mustafajt, njërit nga autorët më përfaqësues të letërsisë moderne shqipe) Libri është ndërtuar me dy pjesë, që mbushen nga 18 kre, ku pjesa e parë ka 11 kre, pjesa e dytë 7 kre..

E kam natyrë që parathënien, ose tekstin shtesë e lexoj mbasi përfundoj librin dhe, sinqerisht, unë jam në një mendje me shkrimtarin e njohur Besnik Mustafaj, që shkruan se “Porosia e Kullës” është Amaneti i kullës, që e mban lëndën shkrimore në situatë, në dramacitet, me të priturat e jetës dhe me të papriturat e saj.

Libri nis me përshkrimin e mërgimit të dy personave – personazhe: motër e vëlla në bagazhin e një makine të vogël amerikane, frikën e tutjen, me nevojën e besimin, me shpresën e tkurrjen, me mosnjohjen dhe gjuhën e shenjave e gjesteve, me mëdyshjet e dyshimet e këtij fenomeni universal, që u përsëritka kohërash. Ky rrëfim nis pothuaj 40 vjet më parë. Personazhi kryesor i librit është vetë autori. Në moshën 20-vjeçare, iku nga Malësia e Malësisë së Madhe, ky djalosh me ëndrra i Shqipërisë së Veriut… Në moshën 61 vjeçare, vjen në Vlorë, që të kuvendojmë si vllazën të një gjaku për Amanetin e Kullës dhe për të marrë bekim nga qyteti i Flamurit, se Doktor Camaj ka bërë gjënë e duhur, të guximshme, aq të dhembshme, sa të lirë aq të lartë, sepse i nderuar mik i vlertë, përderisa ty, ende sot e kësaj dite të gërryen vetëdijen dyshimi me pyetjen e madhe: dilemën jetësore: “a i kam tradhtuar paraardhësit e mi duke lënë të vetmen atë botë që ata njihnin për kaq shumë breza”, këtë pyetje retorike ekzistenciale që na godet si dilema shekspiriane te “Hamleti”: “Të rrosh apo mos të rrosh?!” – do të thotë se ti nuk e ke harruar vatrën e të parëve, sepse ti herët e dallove të mirën nga e keqja dhe pate dëshirën madhe për ta bërë babain të lumtur dhe krenar për ty. Këtë e pate dhe e ke qëllim kryesor gjatë gjithë jetës. Ti nuk e ke harruar vatrën e të parëve të tu, ndezur tash e 16 breza e kjo flet shumë. Ti i ke pjesë organike të qenies tënde traditat më të mira, doket, zakonet, virtytet morale, historinë, etnokulturën tonë dhe kjo do të thotë, more zotëri, se ti je një atdhetar qytetar, që di të bësh emrin tënd dhe nderin tonë në botën e madhe. Me identitetin tënd, ngritur në lartësinë e qytetarit të botës, doktor je një simbol nderi. Kulla është rrënjosur në qenien tënde, por dëgjove zemrën… Ne mund të japim përgjigje pyetjes tënde, se vërtet kemi shumë përbashkësi, por kemi dhe përveçime, por sipas këndvështrimit tonë fasadesk, ndoshta nuk do të ishim të drejtë në përgjigje, sepse në rast të tillë duhet të futemi në lëkurën tënde, në lokalitetin tënd e në ato rrethana që të gjykojmë si duhet cila është më e mira dhe sa vlen. Kështu mendoj unë, ndoshta ha diskutim. Në libër marrim informacione nga etnologjia, folklori dhe antropologjia kulturore dhe sociale, njohim kodin e nderit, ritet si pjesë e ritualit të dasmës në Malësi, Kanunin e Lekë Dukagjinit, etnologjinë religjonale, atë të banesës, etnologjinë e peshkimit, florën, faunën, mënyrën e jetesës, edukatën morale, që përshkruan autori, që është një nevojë e domosdoshme njohjeje nga brezi i ri, sepse deri tek grupmosha jonë, e kuptojmë ç’ka shkruan dr. Pashko, por këta të rinjtë…aha. Dhe, drejtpërdrejtë, s’kanë shumë faj…

Ç’frymëmarrje të freskët i jep librit ajo panorama e urimit zakonor në Malësi! Shembulli i dr. Pashkos është fryt i edukimit qytetar, akademik dhe human, me nënshtresime të patundshme atdhetare, në fakt jo shumë të shfaqshme në tekst, por aqsa ngelen gjurmëlënëse në kujtesën tonë.

Autori është një përshkrues i mirë i morfologjisë mjedisore, i tipareve fizike dhe karaktereve njerëzorë, që i gdhend me një densitet psikologjik të lakmueshëm dhe nga shkrimtarë të mirëfilltë.
Morfologjia e lëndës që lidh vërtetësisht dhe artistikisht grimcat e jetës, hollësi e skena migjeniane që më rrëmbushin sytë nga trishtimi varfëror e lotët më ndalojnë leximin për disa çaste dhe vijoj më tej.

Libri duket që është i shkruar nga një njeri me kulturë, i ditur, që ka njohuri nga disa fusha të shkencës, edhe pse modestisht, nuk dëshiron të zhytet thellësish. Libri më duket si një kalë amaneti, që vjen i ngarkuar me dy hejbe kulturash të shkruara letrarishte: atë të Paqësorit, matanë Atlantikut dhe këtë këtej Adriatikut. Autori nuk i hedh poshtë këto tonat, se ka zjarr malli, por atë të Paqësorit e mban fort, se ka synime të larta.

Dua ta ngushtoj vështrimin tim në 3 cilësi që na dhuron ky libër: “Kulla..” është libër i mirë, i bukur, i dobishëm; është një libër, që duhet të lexohet nga çdo shqiptar, domosdoshmërisht nga ata shqiptarë që nuk e kanë njohur mërgimin me atë rrugë gjithë të lotit të hidhur. Ku i vërej unë këto 3 cilësi që shpreha dhe pse u dashka lexuar ky libër, kur po gufosin botimet, si rrallë herë?!

Në Shqipëri dhe në trojet e Shqiptarisë janë shkruar e botuar shumë libra autobiografikë, me kujtime apo biografi të letrarizuara, por letërsi në formën e kujtimeve me subjekt emigracionin është krijuar pak. Ndoshta letërsi e mirë e kësaj natyre, e këtij lloji, me motive kurbeti, me tematikë emigrimin numërohet me gishta.

Dhe shkrimtarët tanë të mërgatës janë të vërtetë, nuk i bëjnë buzëkuq fytyrës letrare, nuk bëjnë patinime në ndërtesën e tyre letrare, se vetëm ata dhe Zoti e dinë ç’kanë hequr për të arritur atje ku janë. Nuk kanë komplekse ata, janë pa ngarkesa, sepse zemra e tyre i shpërfilli mentalitetet e mykura dhe paragjykimet e lodhura, qyshkur morën Udhën e Mërgimit. Të huaj në dhè të huaj…
Eh, more kurbet! Mbete riciklues për ne për një të nesërme më të lehtë, për një të ardhme më të mirë. Gjithë bota në lëvizje është xhanëm, por foleja po mbeti shkretë, vyshket, thahet, mpaket, thërmohet… E, ne qeshim jetën tonë që të mos qajmë…

I nderuar dr. Pashko! Kujtojmë nga libri, se qysh 8-vjeç, ti dëshiroje dhe ëndërroje që është mirë ta marrësh në duart e tua fatin tënd…Ti ike rreth 20 vjeç nga Sukriqi, vendlindja jote, pranë liqenit të Shkodrës. More gjithë pasurinë tënde me vete: ajo çanta e vogël me disa gjëra të tuat personale dhe disa kujtime, albumin e vogël me fotografi, kryesisht bardhezi… Bashkë me Dritën, motrën më të madhe se ti, që siç ka emrin, ashtu u bë dhe për ty. Po nuk u ktheve më këtu për të jetuar e punuar. E thure folenë larg, shumë larg, në Botën e Madhe. Ti i di hallet e tua, sfidat, hutimet, dështimet, dëshpërimet, poshtërimet, se kurrkush nuk të pret me lule, aq më tepër kur udhëton drejt ëndrrës së shumëkërkuar, si të jesh një mall i zhvlerësuar… Por, ti i përballove me durim e vullnet, me zotësi e këmbëngulje, me edukim e mësim, me seriozitet e dinjitet dhe i bëre emër vetes. Nga një send në bagazhin e një veture amerikane, sot je atje – në supershtetin e botës Doktor i Shkencave Mjekësore, një emër i përveçëm dhe bujar.

Doktor i dashur! Edhe unë e kam provuar emigracionin, por jo larg. Ja, këtje përtej, në gadishullin Apenin dhe e njoh mirë Italinë, duke i shprehur mirënjohjen për 5 vjet që jetova, punova dhe veprova atje. Por, ndryshe nga ju, Doktor, unë mërgova vonë, në moshën 37- vjeçare dhe u ktheva herët, një çerek shekulli më parë. Jo, se ta dini…këta shqiptarët e vendit, që s’e kanë provuar migrimin dhe emigrimin – tashmë, domethënë, ne, shqiptarët e këtushëm, se qysh ju shohim juve…si të çuditshëm, gati si ufo, qysh në mënyrën e komunikimit, të veprimeve, tek ato që çfarë thoni e shkruani, sepse jeni më të sinqertë seç duhet, se ashtu jeni edukuar e gatuar me atë brumë, me atë kulturë, sipas standardeve të jetesës andej …

Ju vini të malluar. Unë e kam provuar dhe i njoh të dy botët, të dy mentalitetet. Ne, këtej, në jo pak raste, bëjmë sikur… Ne, shqiptarëve, nuk na bën mirë mungesa e idealizmit, ndaj s’ecim qartë.
Sikurse të gjithë ata shqiptarë që kanë njohur emigracionin, edhe unë, të mirëkuptojmë, të vlerësojmë, të shprehim mirënjohjen, sepse te “Porosia e kullës”, në një formë a në një tjetër, përshtat sipas rastit – kohën, hapësirën, personazhet, jam dhe unë, jemi dhe ne. Ti je një nga ne, që ike, por nuk i harron rrënjët. Babai yt, dritë i bëftë shpirti atje ku prehet është heroi yt. Për çdo bir babai i tij është hero. Sot, fatkeqësisht, ndjenjat egërsisht të shkreta, hasmëria e hakmarrja, si plagë të vjetra kullojnë gjak ende, se kanë zënë rrënjë tek psikologjia e shqiptarit në çdo prag. Pikërisht, në situata të tilla tragjike, Rrok Pjetri i Malit të Hotit ngrihet një Anton Çetë i heshtur e i panjohur shqiptar. Anton Çet’ e kaluar për ne… Ai është Rrok Pjetri i Malësisë së Madhe… Babai i doktorit u qëllua, se u fut të shmangte dy vdekje, për të shpëtuar dy jetë burrash të egër siç ishte Gjek Gjoni i malit të Trieshit dhe Rrok Gjoka i malit të Hotit… Ç’përshkrim mjeshtëror, që na mbush me ndjesi ekstreme, ç’etnolgji zakonore barbare shkruar me art, ç’kanun malesh në veprim, i shtjelluar drithërueshëm e me vërtetësi ajo ngjarje tronditëse e vitit 1972. Ç’humanizëm altruist surreal tej përmasave të mendimit njerëzor, ku luhet jeta dhe vdekja, gjakderdhja e hakmarrja, gjykimi dhe paragjykimi, verbimi dhe drita, falja, mirënjohja, vëllazëria. Vërtet hero Rrok Pjetri.

Edhe një imtësi do ta nxjerr nga libri, se më shpon si turjelë: skena e pijacës gjatë tregtimit të prodhimeve të stinës, me gjestin barbarisht i tmerrshëm të serbit Milorad ndaj Shekit të pafajshëm, gjuha e tij nënçmuese për shqiptarët, tërbimi i urrejtjes së trashë, e tronditën aq shumë Pashkon e ri, saqë e shtynë djaloshin të largohej përgjithmonë nga vendlindja
E, more Doktor! Unë u ktheva shpejt në “kullë”. Ti je atje, të jetosh si njeri. Ti je atje që t’i thuash asaj bote, që edhe shqiptarët mësojnë, mësojnë dhe të tjerët, i shërojnë ata, madje dinë edhe t’i udhëheqin mirë me vizion të qartë përpara.

Në fakt, gjithë Shqipëria është një mërgatë lulesh, nuk më pëlqen të përdor termin “diasporë”. Është mërgatë lulesh, sepse s’ekziston familje shqiptare, që nuk ka një emigrant të paktën…
Ky libër i vërtet deri në drithërimë është shkruar bukur, sepse ka rrëfim të çiltër të ngjarjeve, të shkuar me gjuhë të pastër, të pasur, të rrjedhshme, të kulluar, pa rënë në kurthet e terminologjisë gazetareske. Është një rrëfim i lirë, i vërtetë i një shqiptaro-amerikani, që banon e punon në një shtet të fortë me ligje. Thyerja në kohë e rrëfimit e bën më emocional, tërheqës, dhe me fuqi imazhi që të rrëmben e si pa kuptuar bëhesh, pa qenë, personazh i librit dhe ti. Pikërisht, kjo kronikë letrare e jetës familjare me emrat e tyre realë, ndërsa e personave të tjerë me emra të trilluar, ka ardhur e thyer në kohë dhe jo në mënyrë drejtvizore të njëtrajtshme është një gjetje me vend e autorit, që i jep dinamikë, gjallëri, kërshëri, freski dhe lexim të mbarë, aspak të mërzitshëm tekstit. Thyerjet në kohë dhe hapësirë, lëvizjet e rrëfimit nga udhëtimi kronologjik në Amerikë me retrospektivën mallëngjyese të vendlindjes e bën më të vëmendshëm e të dashur narrativën, si një shportë e bukur kujtimesh…

Mendoj se tek një autor nuk mund të kërkojmë apo gjejmë gjithologun. Ku e kam fjalën? Dr. Pashko, nga natyra humanist, është studiues, shkencëtar në fushën e mjekësisë. Por dituria klasifikohet në 10 klasa. Në njërën është zotërues autori ynë dhe, siç e shkruan në f. 209 të librit “ka një fushë të kufizuar kërkimi”. Më se normale. Ndërsa rrëfimi rrjedh burimor. Vjen natyrshëm. Nuk është libër historik, por letërsi kujtimesh. Historinë e të parëve nuk e harron, e kujton, e përmend (brenda formatit përkatës) dhe e nderon.

Rrëfimi është i besueshëm dhe autori është besnik i synimit dhe idealit të tij.

Nuk është se djaloshi Pashko i viteve 1985, më i vogli i bacës Rrok, shkeli mbi nderin e dinjitetin e të parëve, por donte që Udhëtimin ta vijonte në këmbë, jo zvarrë. Gozhdë 12 – çe më ka depërtuar në tru skena e studentit Camaj (pa prapashtesën oviq në fund, pra jo Camajoviq) me profesorin Çaviq për oksipitalin (os occipitale) “Unë i njoh mirë ata njerëz. Ata nuk mësojnë. Ne duhet t’i dërgojmë të gjithë mbrapa në Shqipëri”…

Mirë gënjimet e zhgënjimet, po mjerë fyerjet e poshtërimet! Ç’trim stoik ky bir Malsie! Shembull.

Ky libër duhet lexuar me vëmendje nga të gjithë. Sa shumë mëson nga jeta, aq më tepër kur një e tillë është tronditje që dhemb. Jo vetëm nga jeta në emigracion, por aty gjen reminishenca nga kodi zakonor, folklor dhe etnologji të pasur. Vëreni këtë fenomen: dje vajza në Malësi (jo vetëm ç’ka përshkruan autori, por edhe ndër malet tona në Labëri, të paktën) vasha 20 vjeçe quhej e ”plakur”; sot na shfaqet një modë, që s’ka problem edhe 40 vjeçe është normale të jeshë vajzë e pamartuar, se kështu e paska bota…

Doktor! E dimë që gjithë bota është ë lëvizje. Njerëzit, popujt, migrojnë, emigrojnë. Sikurse ne, njësoj apo para nesh. Dilema ekzistenciale “të rri apo të iki” është e rëndë. Bashkë me thellësinë e pikëllimit, përjetojmë tendencën shqetësuese të largimit të të rinjve nga vendlindja, patjetër dhe sidomos nga malësitë.

Unë, Doktor i dashur, jam një nga të ikurit e rikthyer. Sot, a duhet dëgjuar zemra? A duhet ndjekur mendja? Libri i rrok këto tema të mëdha, që përmbysin tradita dhe praktika jetësore. Dr. Pashku është nga të ikurit që ka rreth 40 vjet që mban në peshoren e dinjitetit lirinë dhe shkëlqimin e Amerikës me dashurinë e dheut të të parëve, të gjysh-stërgjyshërve dhe sigurinë e identitetit që të jep gjaku.

O miq të mirë! Po ky libër na mëson, na mëkon me harmonizimin e shëndetshëm të edukimit atdhetar dhe edukimit qytetar. Është një libër morali, pa rënë në moralizime, pa pasur assesi synim të na bëjë moral. Këtë duhet të kuptojmë, se po shkallafytemi fluturimesh turbullisht të papërcaktuara dhe të pasynueshme. Ngaqë sëmundja e moralit ndër ne shkakton simptoma të dukshme të infeksionit degjenerues, libra të tillë të rrallë si “Kulla” i japin jetë e shëndet Udhëtimit tonë në këmbë.

“Kulla” e Camajt, shkruar me shkronja malli, mbushur me nektarin e mërgatës së luleve është jo vetëm kulla e emigrantit, ajo simbolika e vatrës së Shqiptarisë, është fryma, tymi, zjarri i ndezur, është identiteti ynë.

Një ndër mesazhet humane që na dhuron bujarisht Doktor Pashko me këtë libër është: “Nuk kam kohë të mbaj mllef asnjëherë, as me vëllanë, as me qenin, s kam gjëra që duhet të bëj”. Me gurët që të kanë qëlluar, jo thjesht në kuptimin figurativ, ti ngrite shkallët e karrierës tënde, të jetës si njeri me dinjitet, edhe për vete, edhe për familjen, vëllazërinë e fisin, edhe për Malësinë.

…Kur unë e përfundova librin së lexuar, i ngarkuar me shumë mbresa e mendime i thashë gruas: “Vlen ta lexosh “Kullën”, se aty njeh jetën e emigrantit shqiptar, mëson sadopak dhe nga 5 vjetët e mi në mërgim”. Dhe ajo po e lexon me interes dhe vëmendje.

Për ç’ke bërë e arritur dhe për ç’ka po na dhuron këtu, me zemër e mendje, po të shprehem me vlerësim: Të lumtë Çoço! Faleminderit Doktor!

Më shumë nga plagët dhemb lëndimi- Poezi nga FATBARDH AMURSI



Njëri vëlla
Prangoset në diktaturë.
S`e kam thënë herë tjetër,
Po e them tani:
I fsheha lotët për të,
Ngaqë s`doja të m`i shihte njeri.
Vëllai tjetër
Ofiqar burgu në demokraci,
I njëjti intenerar si i prangosuri,
Veçse nga burgu në shtëpi.
Njeri merrte lekët e burgut të ferrit
Tjetri pagën si ofiqar i burgut me kondita,
Ndërsa krimet e komunizmit
Dënohen vetëm nëpër libra.
Si fole fishekësh
Në koburen me mulli të Haxhi Qamilit,
Po duan të alternohen fatet,
Ku viktima po do të shenjtërohet,
Me fshehje të persekutorit
Dhe një i pafajshëm t`ia lajë gjynahet?!
A mund të mbytet në pikën e lotit,
Ai që i fshehu për ty?
Lëndimi dhemb më shumë se një plagë.
Mos ma jep shansin të besoj
Se pirati na qënkish bërë Papë…
___
Në koburen me mulli, Haxhi Qamili, një fishek e vinte në fole dhe tjetrën në radhë e linte bosh. “Qe baba!-thoshte. E vendoste tytën tek koka dhe e shkrepte.-Më do Zoti!” Më pas ia drejtonte kundërshtarit, e shkrepte dhe ai vdiste në vend. Kjo lloj kobureje sot është në modë, duke trukuar fabrikimin e shenjtorëve të rremë.
Fatbardh Amursi

NJË ANALIZË E THJESHTË LETRARE, POLITIKE DHE STILISTIKE E LIBRIT “VITET E GJERMANISË”, SHKRUAR NGA SHKRIMTARI, HISTORIANI DHE POLITOLOGU I NJOHUR, Z. JUSUF BUXHOVI- Nga Mal Berisha

Hyrje
Më 25 janar 2025, në Hotel Tirana International u zhvillua një takim i hapur me shkrimtarin e njohur Besnik Mustafaj, organizuar nga Shoqata “TROPOJA”. Në mesin e folësve më të shquar ishte edhe shkrimtari, historiani dhe politologu i njohur nga Kosova, z. Jusuf Buxhovi. Me bujarinë e tij prej atdhetari të shquar, ai më dhuroi librin Vitet e Gjermanisë.
Inkurajoj miqtë e mi ta lexojnë këtë libër, nga i cili do të mësojnë shumë mbi ato vite të vështira të rezistencës së vëllezërve dhe motrave tona për çlirimin e Kosovës.
Dua ta falënderoj dhe ta përgëzoj mikun tim, autorin Jusuf Buxhovi, për këtë dhuratë të çmuar, shoqëruar me një analizë të thjeshtë por të thellë mbi përmbajtjen e tij me titull:
NJË DOKUMENTIM HISTORIK ME DIMENSIONE POLITIKE DHE STILISTIKË
Jusuf Buxhovi, një nga autorët më të shquar shqiptarë të letërsisë dokumentare dhe historiografisë, vjen me veprën Vitet e Gjermanisë, një rrëfim personal dhe analitik mbi zhvillimet dinamike në Europën e shekullit XX dhe XXI. Ky libër nuk është thjesht një vështrim retrospektiv mbi eksperiencën e tij si korrespondent i gazetës “Rilindja” në Gjermani (1976-1980 dhe 1994-2008), por një pasqyrë e qartë e ndikimit të këtyre zhvillimeve mbi Kosovën dhe Ballkanin.
Aspekti letrar dhe narrativ
Buxhovi ka një stil të veçantë rrëfimi që e bën librin e tij një kombinim mes reportazhit politik dhe letërsisë dokumentare. Ai i sjell lexuesit ngjarjet jo vetëm me saktësi faktike, por edhe me një përshkrim dinamik e emocional që rrallë gjejmë në studimet historike tradicionale. Përmes një rrëfimi të rrjedhshëm, ai e vendos veten jo vetëm si vëzhgues, por edhe si protagonist, duke dhënë një dëshmi të gjallë dhe personale mbi zhvillimet.
Fraza të strukturuara me kujdes, pasazhë të pasura me detaje dhe një ndjenjë ritmi që alternon analizat me rrëfimet autobiografike e bëjnë këtë libër të lehtë për të lexuar, pavarësisht peshës së temave që trajton. Përshkrimet e qyteteve gjermane, atmosferës politike në Berlin apo ndjeshmërivë që ai ka përjetuar si gazetar shqiptar në Perëndim e bëjnë librin një kombinim mes analizës dhe kujtesës personale.
Aspekti politik dhe historiografik
Buxhovi e vendos zhvillimin e Gjermanisë brenda kontekstit të gjeopolitikës europiane, duke nxjerrë në pah ndikimin e saj mbi Kosovën dhe Ballkanin. Një nga temat kyçe të librit është qëndrimi i Gjermanisë ndaj shpërthimeve të konfliktit në ish-Jugosllavi, roli i saj në mbështetjen e Pavarësisë së Kosovës dhe qasja e politikës së jashtme gjermane ndaj shqiptarëve në përgjithësi.
Lidhja që autori krijon mes politikës gjermane dhe fatit të Kosovës bazohet në dokumente, burime diplomatike dhe analiza personale. Ai përdor një qasje kritike, duke mos u ndalur vetëm te mbështetja gjermane, por edhe te kufizimet e saj dhe ndryshimet që ndodhën pas ribashkimit të Gjermanisë. Kjo e bën librin jo vetëm një burim historik të vlefshëm, por edhe një reflektim mbi raportet mes Perëndimit dhe Ballkanit.
Aspekti stilistik dhe gjuha publikistike
Gjuha e Buxhovit në Vitet e Gjermanisë ruan natyrshmërinë e gazetarisë analitike. Ai përdor fjali të shkurtra dhe të qarta kur analizon situatat politike dhe diplomatike, por nuk mungojnë pasazhet ku shfaqet një stil më letrar dhe evokativ. Shprehjet e tij shpesh përshkohen nga një dozë ironie dhe skepticizmi, veçanërisht kur analizon hipokrizinë diplomatike apo ndërhyrjet selektive të fuqive të mëdha në Ballkan.
Përveç kësaj, ai e shoqëron rrëfimin me krahasime dhe simbolika që u japin ngjarjeve një peshë më të madhe. Për shembull, kur flet për rënien e Murit të Berlinit, ai nuk e sheh atë thjesht si një fund të epokës së Luftës së Ftohtë, por si një paralajmërim për ndryshimet që do të pasonin në Ballkan, disa prej të cilave përfunduan në tragjedi.
Libri “Vitet e Gjermanisë” është një vepër me vlerë të shumanshme: si rrëfim personal, si analizë diplomatike dhe si burim për studiuesit e historisë bashkëkohore. Stili i tij e bën librin të lexueshëm dhe tërheqës, ndërsa analiza e tij e thelluar e vendos Kosovën dhe shqiptarët në një kontekst më të gjerë europian.
Për gazetarët dhe studiuesit, kjo vepër është një model i shkëlqyer se si një korrespondent mund ta shndërrojë përvojën e tij në një reflektim historik me ndikim afatgjatë. Ndërsa për lexuesin e gjerë, libri ofron një perspektivë të qartë mbi zhvillimet që formësuan Kosovën dhe Ballkanin në dekadat e fundit.
(Fotografitë janë kortezi e kineastit Kristaq Janushi )

Pak Amerikë (sipas meje) – Lajme, tragjedi, dhimbje, keqardhje!- Nga SENAD GURAZIU

Bisnesi është biznes – politika politikë, le ta përdorim këtë si “kompas”, le ta mbajmë afër, përgjatë scribo-aventurës sonë.

Tragjedia me aeroplanin e pasagjerëve dhe me helikopterin ushtarak është dhimbje… është lajm i dhimbshëm, 67 persona thuhet se e humbën jetën pas ndeshjes së fluturakeve pranë aeroportit Ronald Reagan të Uashington DC, të mërkurën në mbrëmje. Secila tragjedi, secila fatkeqësi, qofshin aso të natyrës… si zjarret e Kalifornisë, apo si fatkeqësi të trafikut ajror, hekurudhor, automotiv etj. secila fatkeqësi na pikëllon, na i rëndon zemrat.

Mirëpo akoma më e dhimbshme (sipas meje) është kur të tilla fatkeqësi janë të “lidhura” kryekëput me politikat aktuale. Sepse bizneset janë të lidhura me politikat. Janë të lidhura me “bujën, me zallahinë, me segmentet monetare, me egocentrizmin, me paturpësinë” e 1 a 2 javëve të fundit në skenën e politikave amerikane.
Si na qenka e “lidhur” fatkeqësia e mbrëmshme me politikat, ç’lidhje na paska aviacioni ajror + ai ushtarak me politikat?!

Epo, nuk është “pa lidhje”, ma lejoni ta sqaroj sadopak keqardhjen time si “pikëpamje” rreth gjithkaje të politikave që është duke u shpalosur ditëve të fundit, këto 2 javët e fundit para “syve” tanë. Për t’u “sqaruar” kuptohet se duhen ca rreshta më shumë (e pamundur të kapërthehet me pak fjalë – andaj dhe aq e lehtë të manipulohet politikisht me masat, sepse askush s’mund t’i kapërthejë të gjitha, madje as vetë AI, as vetë inteligjenca artifiça “Deepseek” e kinezëve : )

Presidenti Trump shpesh i thotë Evropës “e kemi një oqean ndërmjet”, e saktë kjo… kur duhet folur për interesat ekonomike natyrisht Atlantikusi na ndanë. S’e mohon kush ndasinë, ndarjen, kufirin oqeanik, gjithkush sheh xhepin e vet, vëllai-vëllait ia tregon bërrylin e edhe gishtin. Psh. rreth NATO-s Trumpidenti ia tregon gishtin e “mesëm” Evropës, njësoj siç eksperimentonte Mister Bean (ai shakaxhiu britanik) me gishtin e vet kur pati vajtur në Amerikë!

Sidoqoftë, të njëjtin Atlanticus e kemi mbushur me kabllo të trashë mediatikësh, lajmet e andej-oqeanit tashmë thjesht na seviren në pjatën e mëngjesit. Kafeja na shkundullos dhe na i bën sytë kokërr, ndonjë “croissant” a briosh i ngrohtë na pëlqen po ashtu, mirëpo na serviren dhe lajmet taze të Amerikës dhe të mbarë botës.

Akoma pa i dalë gjumi vetë Trumpidentit (atje në Shtëpinë e Bardhë), edhe ne ordinerët si qytetarë mësojmë për secilën ngjarje që ka ndodhur gjatë natës në Uashington. S’e kemi fjalën për “detajet” e dhomave të gjumit (detajet e universit, me mikrogrimca e me kuantika, aq detajisht s’na nevojiten, kuantikat u interesojnë vetëm shkencëtarëve : ) mirëpo derisa Trumpidenti akoma duke i përkundur ëndrrat, me Uashingtonin si të thuash jemi dhe ne evropianët më “afër” se ai vetë.

Pikërisht duke iu falënderuar oqeanit që na ndanë, na serviren dhe lajmet e Uashingtonit. U jemi mirënjohës dhe satelitëve të orbitës (sidomos atyre të Starlink), s’e mohon kush as këtë, por mirënjohja u takon dhe kabllove të Atlantikut. E dimë fort mirë se të kujt janë kabllot, sikur dhe me mijëra satelitë atje lart e dimë se te kujt janë. Psh. me mijëra mini-satelitë të Starlink e dimë fort mirë se janë të z. Elon Musk. Bisnesi biznes – politika politikë. E dimë i kujtë është X, i kujt është Facebook, Meta… i kujt Amazon, i kujt Starlink, i kujt Starship, e dimë madje dhe e kujt është “Miss Universe”, s’po themi gjë për pallatet e Trump etj.

Për t’i mbrojtur bizneset psh. oligarkët shpesh investojnë në politikat, oligarkët shpesh i blejnë komplet “politikat” e një vendi të caktuar. Dhe s’e kemi fjalën strikt për oligarkizmin e Aristotelit – nëse ta ndiqnim strikt definicionin aristotelian, ashtu ndoshta as Rusia e Putinit s’ka “oligarkë”. Pa le pastaj Kosova, Amerika etj. hiç se hiç.

Kohëve të fundit oligarkizmi është kthyer në një fenomen tejet kompleks. Nuk ndodhë vetëm në Rusi, as jo vetëm në Kosovë (Kosovën po e përmendëm sa për hir të “shembullit” jokrahasimtar). Oligarkia a la kosovarçe dhe politikat e atjeshme dalin si të thuash “qesharake”, nëse faqebardhësinë e Kosovës ta mbanim përball pasqyrës gjigante Euro-Atlantike, apo përball pasqyrës gjigante ruso-kineze. Shtet i “vockël”, ekzakt diç si mini-shtet, nëse ta krahasonim me Amerikat, me Kinat e me Rusiat e kësaj bote.

Abuzoje, “shite”, tradhtoje popullin kosovar komplet… në nivel evropian pothuaj s’merret as vesh, pothuaj si një pikë në Oqean. Vetëm Poseidoni e di sa i vogël është Oqeani. BE-ja do brengosej, do i binte alarmit “më humbi bebja”, ndihmë… më humbi Kosova, u zhduk, as shenjë as gjurmë. Mirëpo i gjithë kosovaro-hesapi pikë në Oqean, smerret vesh as humbja e “bebeve ballkanike”, s’e përmend kush.

Nëse ta pyesnim Aristotelin rreth oligarkizmit kosovar, do ta zinim “ngusht”, do ngelej pykë – tekefundit Aristoteli dikur s’e kishte idenë për format ideatike të Elon Musk, as për politikat e futurizmit. As nuk ishte qëllimi ynë ta krahasojmë Kosovën me Amerikën, s’jemi duke i krahasuar shtetet. Deshëm të themi që s’ka krahasime konceptuale të popujve, nuk “krahasohen” gjërat e pakrahasueshme. E njëjta vlen si në Amerikë, në Rusi, në Kosovë a në Kinë, kudo.

Nëse politikanët e Kosovës bëjnë dallavere interesash me oligarkët e atjeshëm, e dëmtojnë popullin (por s’merret vesh, ashtu-kështu popull i përvuajtur, duke qarë e vajtuar gjithmonë, me dallavere i dëmtojnë rreth 2 milionë subjekte politike). Populli aq i vjetër, popull i stërlashtë, dardanët, kosovarët pothuaj diç si proto-popull i Evropës, por ja që Kosova kurrë s’ka qenë shtet, dmth. si “organizëm” politik. Politikanët e Kosovës mund të ndjehen më fatlumët e planetit, sepse Kosova kurrë s’ka qenë shtet, për herë të parë tani shtet, në kohën e tyre, si fat i tyre.

Bisnesi biznes – politika politikë. Shfrytëzoje potencialin për aq sa ke kohë, zbulo ç’mund të eksploatohet, nesër në kokën e Trump “shkrep” ndonjë ide trumpetike dhe, varësisht nga interesat trump-ologjike, Kosova sakaq mund ta humb “shtetësinë” e vet. S’është shaka. S’do ketë pastaj as politikanë as çfarë të eksploatosh. Ose psh. (se mos vetëm Kosova) edhe ajo Ukraina e madhe mund ta humb gjysmën territoriale, thjesht për t’u balansuar interesat eventuale trump-putiniane.

Dhe nga ana tjetër siç dihet (veç e thamë, e vogël Kosovarlushja krahasuar me Kinën – ku na qenkan 2 milionë, e ku 2 miliardë subjekte politike – as Aristoteli s’e kishte idenë e kompleksitetit kinez) mirëpo çdo popull është i “Madh” si koncept. Kina mund t’ketë qenë shteti i parë i planetit, shteti më i vjetër i botës, edhe populli kinez është i vjetër sa vetë vjetërsia, njësoj sikur dhe kosovarët që janë popull vërtet i stërlashtë i Evropës. Shkurt e troç disa gjëra janë “krahasime” nonsens, të pakrahasueshme, anise brenda natës mund të bëhen diç si nonsens trumpidencial, mund t’na e nxirosin gjithçka.

Kosovën e përmendëm sa për hir të “shembullit”, për t’i ilustruar krahasimet e pamundura, mirëfilli fjalën e patëm për Amerikën marramendëse. Bujë e madhe politike, ka 2 javë lajmet e tyre dhe politikat na mahnitin. Trumpidenti gjatë javës së parë të detyrës dhe e katapultoi veten diku pranë diellit, si “superstar”. Gjithë ai popull i madh nën një kulm të federalizmit politik, 50 shtete së bashku duhet t’i kullufitin lajmet e tij, konferencat e tij, pollavrat e tij. Imagjinoje pakëz diku në Azi t’i bësh 50 shtete bashkë, nuk është e pamundur… për më tepër, imagjino t’kishte një Trumpident ballkanik, imagjino çfarë buje do ishte për 50 shtetet rreth-e-rrotull!

Bisnesi është biznes – politika politikë. Nuk është larg në kohë, fare e freskët është, e dimë se Mega-oligarku amerikan Elon Musk i pati “investuar 250 milionë $ në blerjen” e Trumpidentit. Thjesht u bë aq i pasur sa tashmë mund ta “blente” një Trumpident komplet. Dhe siç e dimë po ashtu (ende s’kemi “harruar”), ca ditë para inaugurimit të Trumpidentit, para 2 javësh eksplodoi fluturakja Starship (le ta quajmë thjesht “fluturake”, anise mund t’thoshim dhe Raketë, mund ta quanim dhe Saturn 6, Apollo 7, Enterprise 77, Starship, Spaceship etj., në thelb raketat fluturojnë, kështu që sa më thjeshtë). Edhe kjo fluturake që eksplodoi e dimë se ishte e z. Elon Musk.

Administrata e kompanisë së tij (SpaceX – gjithçka me X, sepse shefi i ka dobësi X-at, psh. e blen Twitter dhe e pagëzon X, por dhe vetë të birin e pati quajtur X, thuase na qenkësh prodhim serik… dalur nga traka, diku nga linja robotike e Tesla, i ka jo më pak por nja 13 X-a : ) eksplozionin spektakolar e pati quajtur “çmontim i paparishikuar” (ose kështu diç, përafërisht). Thënë të vërtetën “definicioni” i Elon Musk i eksplozionit ma pati ngjallur buzëqeshjen.

Hm, “çmontim i paparishikuar”… terminologji fort simpatike. Eksplodon një Starship (kujtohuni, patjetër se ju kujtohet, pati eksploduar dhe “space shuttle Columbia” e NASA-s, atëbotë e patën humbur jetën ekuipazhi komplet i fluturakes, 7 persona), mirëpo sipas z. Musk tashmë nuk është eksplozion fatkeq as fatkeqësi në qiellin e Amerikës, është “çmontim i paparishikuar”.

Para dy javësh e pamë “prushin e qiellit”, e pamë si u “çmontua” Starship. Edhe dikur, nëse bazohemi në termat e Elon Musk, qe “çmontuar” Columbia. Nuk pati eksploduar, por vetiu eksplozivisht qe “çmontuar”. Personifikimi i ShBA me figurën femërore “Columbia” (Kolumbia) është simbolikë kuptimplote dhe mjaft domethënëse, afërmendsh se është. Njësoj siç është simbolikë kuptimplote dhe Liberty. Jo vetëm se Columbia (si emër) lidhet me Kristofin, me Kolumbon, me detarin-eksploruesin, me vizitorin e “Indisë”. As jo sepse si logo ikonike e studios filmike “Columbia Pictures”, si të thuash “Columbia” pa hile ka ndihmuar të definohet (jo vetëm simbolikisht por) realisht industria kinematografike e shek. XX.

Patjetër se lidhet dhe me këto… por deshëm të vijmë tek thelbi se dallimi i “fatkeqësisë eksplozive” mes fluturakes Columbia (të NASA) dhe fluturakes Starship (të Elon Musk) është se Columbia i pati shërbyer programit për 22 vjet me radhë. Ndërsa Starship – për fat të mirë pa ekuipazh njerëzor – eksplodon, “paparashikueshëm çmontohet” duke qenë ende në fazën testuese. Sipas Musk, SpaceX ka mirëqenie të mjaftueshme për ta konsideruar një “asgjë”, humbja e 1 Starship është diç si “entertainment” – uaa, i njëjti Musk mund ta blejë 1 Trumpident komplet pa t’i dhimbset 1 raketë!

Gjatë funksionit 22-vjeçar, fluturakja Columbia do i fluturonte 28 misione, do i kalonte mbi 300 ditë në hapësirë (dmth. ~1 vit komplet), ​​dhe do “rrotullohej” mbi 4000 herë, do i kryente mbi 4000 rrotullime orbitale rreth Tokës. Lirisht mund t’thuhet se fluturakja ishte një “vjetërsirë, një hekurishte e vjetër”, do duhej t’ishte pensionuar.

Sepse s’mund t’i mbash për 2-3 dekada me miliona tekno-detaje “fringo” të reja, të kontrolluara, sepse gjithçka e asaj bote të lançimeve ishin ndërmarrje kolosale. Sepse të shkosh 30 herë në hapësirë me teknologjinë e asaj kohe nuk ishte pak (fluturimi i parë i Columbia ishte në v. 1981). Gjërat nisin e “ndryshken”, vidat nisin e çlirohen, vjetërsia e bën të veten, pjesët nisin e dëmtohen (eksplozioni dhe dizintegrimi i fluturakës duke u “zhytur” atmosferës pati qenë rezulatat i një diçkaje të kompromituar, lidhur me termo-problematikat).

Dmth. i pati ndodhur dhe vetë Agjencisë Kombëtare të Hapësirës… NASA, organizatë marramendëse, mega-kompani federale, organizëm gjigant, fatkeqësia u ndodhë dhe kompanive private si SpaceX (të Elon Musk), apo Blue Origin (të Jeff Bezos), Virgin Galactic (të Richard Branson), ULA (United Launch Alliance – të kompanive Lockheed Martin dhe Boeing) etj. etj.

Eksplozionet, “çmontimet e paparashikuara”, fatkeqësitë eksplozive mund t’u ndodhin të gjithëve. Madje dhe kinezëve me starship-at e tyre, edhe Arianespace e Evropës mund t’ketë “çmontime…” të pallogaritura, edhe ISRO e Indisë, Roscosmos e Rusisë etj. pa përjashtime, të gjithë.

Ja pse FAA e ShBA (Administrata Federale e Aviacionit) ishte e brengosur rreth sigurisë së ndërmarrjeve të njëpasnjëshme të lançimit të raketave nga SpaceX. Sepse Starship-at s’janë thjesht pako me fishekzjarre por janë probleme serioze. Në rregull, janë bizneset në pyetje, pagat e shumë inxinierëve, janë investime të mëdha private dhe tekefundit boss-i vendos vetë, me raketa e me fabrika janë private, pronësi e një super-miliarderi, lançimet janë qasje “entuziasmike” e një biznismeni privat. Por roli i Administratës së Aviacionit është që të kujdeset për sigurinë e hapësirës ajrore të 50 e kusur shteteve, kur është fjala për aviatikat e për space-aventurat.

Presidenti Trump (apo siç unë e quaj shkurt Trumpident – sepse sipas meje është kategori mëvete e presidencializmit, kategori e mëvetshme si psh. “Oqeani (Poseidoni, Saturni)”, “Jupiteri” etj etj.) rreth përplasjes tragjike të fluturakeve mbrëmë në Uashington DC i shprehu ngushëllimet e veta për familjet që i humbën të dashurit e tyre. Gjatë fjalimit për shtyp ai e fajësoi të ashtuquajturën DEI. Mirëpo ç’është DEI, dhe pse Trumpidenti për tragjedinë e mbrëmshme ia hedh fajet një “shkurtese” DEI?

DEI – Diversiteti, Barazia dhe Përfshirja, në skenën amerikane është supozuar t’jenë korniza organizative që synojnë promovimin e trajtimit të drejtë dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjithëve, veçanërisht grupeve që historikisht kanë qenë të nënpërfaqësuara, ose kanë qenë dhe janë subjekt i diskriminimit në bazë të identitetit ose aftësisë së kufizuar. Këto tre nocione (diversiteti, barazia dhe përfshirja) së bashku i përfaqësojnë “tri vlera të lidhura ngushtë”, që organizatat amerikane organizatat provojnë t’i institucionalizojnë përmes kornizave të DEI. Anise DEI njihet më së miri si një formë e trajnimit në kuadër të korporatave, po ashtu gjen zbatim brenda shumë llojeve të organizatave, qofshin aso akademike, të shëndetësisë, ushtarake etj.

I pyetur pse apo e fajësonte DEI (iniciativat e diversitet-barazisë), Trumpidenti u përgjigj “sepse kam sens të përgjithshëm…”. Dmth. investigimi do kryhet dhe duhet pritur, ende s’dimë detaje as fakte relevante sjellur në dritë nga ekspertët por unë si Trumpident pothuaj mund ta “ndiej” se kush e çfarë duhet fajësuar. Me fjalë të tjera, me fjalë troç e shkurt, sipas Trumpidentit, t’i punësosh të bardhët (ashtu-kështu suprematikë, dihet kjo) së bashku me zezakët, aborigjinët, kinezët, meksikanët, apaçët, indianët etj. në aviacionin civil dhe ushtarak, s’mund të jetë kurrë “mirë”. Racat e ndryshme të planetit thjesht s’mund të jenë të “besueshme”, s’mund të shtyhen me zotësinë e racës suprematike.

Njëra nga agjencitë që duhet të merret me ekspertizat e investigimit është FAA (që e përmendëm më lart – Administrata Federale e Aviacionit). FAA duhet të përcaktojë se çfarë shkoi gabim dhe çfarë e solli tragjedinë e mbrëmshme, aksidentin vdekjeprurës për 67 njerëz. Problemi është se FAA nuk e ka kryenjeriun e vet në postin e duhur drejtues, sepse FAA dhe interesat e Elon Musk dhe të Trump nuk përputhen.

Andaj mbrëmë derisa tragjedia e pikëlloi botën, agjencia kyç e Aviacionit Amerikan ishte pa “kokë”, pa udhëhqeje, sepse që nga inaugurimi i Trump drejtuesi i FAA qe larguar, duhej të largohej nga puna, ishte kërkesë e Elon Musk. Vetëm sot (31 Janar), tashmë kur përplasja e fluturakeve në Uashington është tragjedi e kryer, Trump njoftoi se do ta emërojë Administratorin e FAA.

Vetëm 1 ditë pas shpërthimit të Starship-it të Elon Musk, dmth. pas “çmontimit të paparashikuar” (siç sqaruam më lart), Administrata Federale e Aviacioni (FAA) ia ndaloi kompanisë SpaceX eksperimentimet e papërgjegjshme me Starship-at dhe pati raportuar për dëmet pronësore në ishujt britanikë Turks dhe Kaikos, shkaktuar nga “prushi qiellor” i Elon Musk. Dhjetra fluturime të avionëve për udhëtarët duhej të devijoheshin, për t’u shmangur nga mbeturinat e raketave të “çmontuara” të qiellit.

Sipas Rachel Maddow (MSNBC), fluturimet e Qantas (të Australisë) do pësonin vonesa nga rënia e mbeturinave. Edhe JetBlue Airways, American Airlines, Delta Air Lines, një kargo-avion i FedEx, një avion i Spirit Airlines do kishin probleme sepse duhej shmangur, devijuar.
S’mund të fluturoni përsëri me këtë raketë-Starship derisa të zbuloni se çfarë e shkaktoi shpërthimin e raketës – pati thënë FAA.

Ndalesë-kërkesë e thjeshtë dhe e logjikshme. Edhe vetë NASA-s dikur do i ndalohej njësoj, do duhej t’i investigonte gjërat e fatkeqësisë fillimisht. Gjeje shkakun e “eksplozioneve”, zgjidhi problemet teknike pastaj nisja rishtas me fluturimet e me lançimet. Mirëpo ja që arroganca e Elon Musk s’ia del mbanë me direktivat e FAA, andaj drejtuesi i agjencisë duhej të ikte.

Tri ditë më vonë pas inaugurimit Trumpidencial administratori i FAA do ngelej pa punën, pa postin e vet. FAA s’ka asgjë t’bëjë me politikat, drejtuesi zgjedhet me mandat 5-vjeçar, dmth. shërbimi i tij mund t’jetë gjatë mandateve të 2 presidentëve të ndryshëm. Trump s’do duhej t’i “përzihet” FAA-së, mirëpo ja që FAA është “pengesë federale” për biznesin e Elon Musk. Bisnesi është biznes – politika politikë.

Elon Musk e pati postuar dikur një “twitter-cicërimë” në X (të cilin X mediatik-internetik ai e zotëron, e pati blerë thuase na ishte asgjë, 44 miliardë $) ku shkruante “duhet të dorëheqet” (drejtuesi i FAA, Mike Whitaker), sepse shefi i FAA pati thënë që SpaceX duhet të funksionojë në “nivelin më të lartë të sigurisë”. Vallë, drejtues i një Agjencie Federale aq të rëndësishme, e cila kujdeset për sigurinë ajrore të 50 shteteve, dhe një biznismen arrogant tashmë ka fuqinë ta shkarkojë, vetëm e vetëm sepse ky drejtuesi i FAA kujdeset për sigurinë e popullit të ShBA!

Anise, edhe përpara shpërthimit të Starship (shenjë se jo gjithçka është nën kontrollin e SpaceX, dhe FAA kishte të drejtë lidhur me brengat rreth sigurisë) FAA donte të gjobiste kompaninë SpaceX me 633.000 $ për shkelje të sigurisë gjatë 2 lëshimeve (zbritjeve raketore) në Florida. Sepse tani raketat e SpaceX dhe kthehen, ripërdoren, dmth. duhet t’flasim për “zbritje, për aterim raketor”.

Dhe mbrëmë u përplasen fluturaket në Uashington, fatkeqësi, aksident mbase për shkak të njeriut si “faktor”, por e humbën jetën 67 njerëz të pafajshëm. Vallë a nuk është ironike që Amerika nuk e kishte mbrëmë njeriun kyç të FAA në detyrën e vet, administratori i pafajshëm të FAA duhej të jepte dorëheqjen para administratës së Trumpidentit. Bisnesi është biznes – politika politikë.

Thjesht sepse ia zinte “rrugën” biznismenit arrogant, Mega-oligarkut Elon Musk, i cili e pati “blerë Trumpidentin” me 250 milionë $ dhe kështusoj e kompromiton demokracinë dhe drejtimin e popullit gjigant, 300-milionësh të Amerikës. I njëjti Trumpident pastaj në përgjigjet para gazetarëve, me të njëjtën arrogancë i “injoron” pyetjet serioze të mediatikëve, sepse e gëzon fuqinë kushtetuese, vetë kushtetuta e ShBA ia mundëson të sillet si një Perandor, si një Trumpident.

Po ashtu, faktin thelbësor të “marrëveshjes” (ultimative) me shefin e Meta, Mark Zuckerberg, duke u pajtuar ky që t’ia paguaj Trumpidentit 25 milionë $, është pasqyrë e “mjerimit” të administratës së Trump. Kompania Meta, ose Mark Zuckerberg, u pajtua jashtë gjykatës (me dallaveret dhe me ultimatumin e Trump, për llogarinë e tij të pezulluar të Facebook) ranë dakord që Zuckerberg t’ia paguajë 25 milionë $ si dëmshpërblim.

Pastaj prezantuesi Jimmy Kimmel parodizon duke e pyetur gjoja vetë AI-n e Meta (Inteligjencën Artificiale) se çfarë do t’thotë kur CEO i një kompanie të madhe teknologjike i paguan Presidentit të ShBA 25 milionë $?

IA (Inteligjenca Artificiale) e Facebook i përgjigjet (më poshtë si vijon, citat):

“Ky është një skenar hipotetik, nuk jam në dijeni të ndonjë rasti në jetën reale të një CEO-s që i paguan Presidentit të ShBA 25 milionë $. Në përgjithësi, nëse një CEO do t’i paguante Presidentit një shumë të madhe parash, kjo mund të ngrejë shqetësime serioze etike dhe ligjore. Ja disa interpretime të mundshme:
– Donacion për fushatë: Nëse pagesa është bërë gjatë një fushate zgjedhore, mund të konsiderohet si donacion fushate.
– Ryshfet ose shitje me ndikim: Nëse pagesa është bërë në këmbim të trajtimit të favorshëm ose ndikimit mbi vendimet e politikave, mund të konsiderohet ryshfet ose shitje me ndikim, e që të cilat janë të paligjshme. [ të dyja këto dmth. i kanë bërë edhe Elon Musk, edhe Mark Zuckerberg – shën. im ]
– Donacion filantropik: Nëse pagesa është bërë për të mbështetur një iniciativë ose kauzë të caktuar bamirësie të mbështetur nga Presidenti, mund të konsiderohet donacion filantropik.
Sidoqoftë, është thelbësore të theksohet se Presidenti i ShBA është një nëpunës publik dhe përgjegjësia e tij kryesore është t’u shërbejë interesave të popullit amerikan, jo të pranojë ryshfet individësh apo të kompanive.”
(fund i cit.)

Dhe pra, në kuadër të parodizimit, Kimmel pastaj gjoja sikur i çuditur për mençurinë makinale, i drejtohet publikut “mos vallë IA (Inteligjenca Artificiale) më e mençur se ne amerikanët” : ) Sepse IA e Zuckerbergut del të jetë më e mençur dhe më objektive sesa shefi, më e besueshme sesa vete pronari i saj.

***
(Jimmy Kimmel është prezantues dhe producent i “Jimmy Kimmel Live”, emision i ABC-së, i ka më shumë se 20 milionë abonentë në kanalin e vet të YouTube – të cilin Kimmel madje dhe Dua Lipa, njësoj si Rihanna, e pati “zgjuar” në gjysmë të natës duke iu futur në dhomën e gjumit dhe duke kërcyer si e çmendur mbi shtratin e tij, me kamerat për ta parë gjithë bota : )

Fuqia e pabesueshme e shpirtit njerëzor- Nga Albana Lifschin

Kemi dëgjuar që njerëzit në momente të rënda dëshpërimi kanë arritur deri në vetëvrasje. Por a mundet që dëshpërimi, gjithashtu, të çlirojë energji positive, të fuqishme, duke prodhuar realitete të pabesueshme? E gjitha kjo histori ngjan si një përallë deri në momentin që gjëndesh përballë saj.
Zanafilla nisi në Lituani, ditën e kurorëzimit në martesë të dy të rinjve të dashuruar. Ndryshe nga ç’e priste, për Eduardin 26 vjeçar, ajo qe dita e zhgënjimit të madh. Vajza e braktisi para altarit, për dikë tjetër. Një rrufe e papritur kishte çarë tej përtej qiellin e kaltër.
Ishte viti 1921, kur Eduard Leedskalnin la vendin e tij të lindjes, Lituaninë, për të “kapërcyer” Atllantikun. Pas tronditjes që pësoi, djali kishte vendosur të ikte larg, sa më larg syve të botës, për të jetuar përfundimisht diku, në vetminë e tij.
Arriti në Kaliforni, ku ndenji disa muaj. Pastaj shkoi në Teksas dhe prej aty në Florida. Në “shtetin e diellit” u vendos në skajin më jugor të tij. Pasi eksploroi këtë vend me pamje marramendëse, fillimisht ndërtoi një kabinë druri për veten. Aty mblodhi mendimet dhe zhvilloi fantazinë e tij. Ç’do të bënte më tej? Një kështjellë e madhe dhe e veçantë me gurë korali, ndryshe nga çdo tjetër mori formë në imagjinatën e tij. Ajo ishte kështjella e ëndrrave të tij dhe, sa kohë që gjithçka varej vetëm nga ai, nuk do të kishte forcë që ta ndalte në rrugën e realizimit.
Rruga qe e gjatë, 25 vjet punë artistike. Për një çerek shekulli, askush nuk e dinte se çfarë bëhej në atë skaj të botës.
Kështjella e ngritur sipas imagjinatës së tij, u rrethua nga mure të lartë, deri në 7 metra, të ndërtuar nga blloqe të mëdhenj gurësh korali. Secili prej tyre peshonte disa ton. Vetëm kulla e kështjellës përmbante në vetvete gurë të tillë të mëdhenj korali, që të gjithë së bashku kishin një peshë prej 160 tonësh. Pas mureve të kështjellës së koralit, vizitori zbulon një ambjeni banimi, ku çdo objekt është punuar me mjeshtëri të hollë, nga duart e një njeriu të vetëm, Eduardit.
Të gjitha “mobiljet” e shtëpisë-kështjellë, janë të ndërtuara nga gurë korali. Shikon shtretër, tavolina e karrige të gjithë llojeve, masave e formave. Në mes tyre është një tavolinë e madhe korale në formën e shtetit të Floridës dhe një tjetër në formën e zemrës. Karriget relaksuese (“rocking chairs”) e çdo “karrige” korale që peshon rëndë, çuditërisht mund të lëvizet me nje prekje të lehtë të dorës për të ardhur sërish në balancën e vet po ashtu.
Hyrja brenda kështjellës së Eduard Leedskalin bëhet nëpërmjet një porte prej guri, që peshon tre ton, por që rrotullohet lehtësisht, duke të dhënë mundësinë e hyrjes brenda keshtjellës.
Një teleskop i gdhendur nga gurë korale lartësohet deri në 8 metra. Nëpërmjet këtij teleskopi, ai bënte studimet e tij astronomike natën, në qiellin e Floridës.
Si në çdo kështjellë edhe këtu ka një pus, nëpër të cilin zbret një shkallë spirale korale, e gdhendur deri poshtë, në ujë.
Në parkun e kështjellës korale ka gjithashtu një shkallë hekuri, nga maja e së së cilës mund të shikosh tërë pamjen e mrekullueshme përreth.
A thua, duke u marrë me këtë punë gjigande dhe artistike njëkohësisht, mjeshtri e harroi të dashurën e tij, që e pat quajtur “sweet sixteen” (e dashura qe 16 vjeçe)? A mos ndoshta e gjithë kjo kështjellë e jashtëzakonshme u ndërtua duke pasur pikërisht atë ndër mend? Këto pyetje të lindin tek shikon shtratin për dy vetë, shtrete të vegjël fëmijësh, si edhe një djep korali. Po ashtu, edhe një shesh për të luajtur fëmijët…
Ndoshta, kjo ishte jeta që pat ëndëruar ai.
Eduard Leedskalnin nuk u martua kurrë. Ai zgjodhi jetën e një eremiti, që ndjente pulsin e ëndrës familjare në këtë kështjellë të madhe që ndërtoi për të.
Pyetja e fundit, që dikë mund ta zgjojë nga magjia e kësaj përalle: Si mundet një njeri i vetëm të ketë përballuar fizikisht ndërtimin më këta gurë shumë tonësh, pa patur asnjë mjet modern pune?
Cili qe sekreti i tij? Kur e pyetën për këtë, ai u përgjigj se “… dinte sekretin e ndërtimit të piramidave të Egjyptit”.
Cili qe ai sekret? Eduard Leedskalnin e mori e me vete kur vdiq, në dhjetor të vitit 1951, në një spital të Majamit.
Nju Jork, 2015
(Përmbledhur në librin “Perëndimi Mistik”-publicistikë letrare, bot.Charlotte, USA 2016)

Vetmia e të qenit i moskuptuar – Esé nga George Orwell- Përktheu Kujtim Morina

Vetmia më e tmerrshme nuk është ajo që vjen nga të qenit vetëm por nga të qenit i moskuptuar: vetmia e të qëndruarit në një dhomë të mbushur me njerëz, i rrethuar nga njerëz që nuk ju shohin, nuk ju dëgjojnë, të cilët nuk dinë thelbin e vërtetë kush jeni. Dhe në atë vetmi, ndjeheni sikur po zbeheni, po zhdukeni në sfond derisa nuk jeni asgjë më tepër sesa një fantazmë, një hije e ish vetes tuaj.
Është kjo dhimbje e thellë e shpirtit e të qenit rrethuar me njerëz- miq, familje, kolegë- megjithëse ndjeheni plotësisht i padukshëm. Mund të buzëqeshni, tundni kokën dhe bëni lëvizje por përbrenda, keni një ndjesi izolimi që fjalët s’mund ta kapin. Ndjeheni sikur askush nuk ju kupton, sikur pjesët më të vërteta të vetes tuaj janë të fshëhura, të lëna të panjohura ndërkohë që bota vlerëson vetëm versionin e vetes tuaj që i përshtatet.
Kjo lloj vetmie ju godet fort sepse nuk ka të bëjë me mungesën e njerëzve, por me mungesën e lidhjeve. Ju digjeni për t’u parë cili jeni në të vërtetë, të keni dikë që të kuptojë gjuhën e shpirtit tuaj, cilësitë tuaja, ëndrrat dhe kompleksitetin e zemrës tuaj. Por kur jeni i moskuptuar, ndjeheni sikur ka një boshllëk të pambushur ndërmjet botës suaj të brendshme dhe asaj të jashtme. Është si të qëndrosh prapa një muri xhami, duke shpresuar dëshpërimisht se dikush do të arrijë t’ju shohë me të vërtetë, vetëm për të kuptuar se ata që t’i kanë ngulur sytë, janë të përhumbur.
Në atë hapësirë të të ndjerit i panjohur, filloni të pyesni veten. Vrisni mendjen nëse duhet të ndryshoni, nëse duhet të bëheni çfarë bota pret apo dëshiron prej jush, vetëm për të ndjerë një shenjë pranimi. Por edhe atëhere, vetmia nuk zbehet, ajo vetëm rritet. Sepse tragjedia më e thellë është zbehja e ngadalshme e thelbit tuaj, pjesë tuajat që filloni t’i fshihni apo t’i harroni se ju përkasin. Bëheni një hije, një fantazmë e vetes së dridhshme që ishit njëherë, duke u zvarritur në heshtje, duke u mbajtur me shpresën që një ditë, dikush mund t’ju kuptojë.
Çfarë e bën këtë lloj vetmie kaq të dhimbshme është se ajo nuk është thjesht dëshira për t’u dashur, është dëshira për t’u njohur dhe dashur pastaj pas njohjes. Për dikë që pasi të shikojë në pjesët tuaja që janë të ngatërruara, të komplikuara dhe madje të thyera, të thotë: “ E shoh, të kuptoj dhe jam këtu”. Është dëshira e zjarrtë për dikë të dëgjojë pëshpëritjet më të thella të zemrës tuaj dhe të ndiejë thellësitë e shpirtit tuaj, pa gjykime apo pritshmëri.
Megjithatë edhe në atë vetmi të tmerrshme, ka një forcë të heshtur. Është qëndrueshmëria në të mbajturit pas thelbit tuaj edhe kur ai ndjehet i padukshëm. Është kurajoja për ta mbajtur dritën tuaj ndezur, në refuzimin për ta lënë moskuptimin e botës të shuajë zjarrin brenda jush. Mund të ndjeheni i pavërejtur por e vërteta është se ju jeni unik, me kompleksitetin tuaj që ju bën të jashtëzakonshëm. Dikur, dikush do t’ju çmojë për këtë. Deri atëhere, mund ta ruani këtë vlerësim.
Nganjëherë, rrugëtimi I të qenit i moskuptuar çon në një kuptim më të thellë të vetes tuaj. Ju mëson të përqafoni atë që jeni në të vërtetë edhe nëse bota nuk është gati për këtë. Ju fton të gjeni paqen në shoqërinë e vetes tuaj, për të ushqyer pjesët e vetvetes që ndjehen të vetmuara dhe të pavlerësuara. Me kalimin e kohës, mund të zbuloni që lidhjet e duhura- ato që ju shohin, ju dëgjojnë dhe ju njohin- vijnë kur i pret më së pakti.
Kështu, prit. Mbaje thelbin tuaj gjallë. Refuzo të bëhesh një hije edhe nëse kjo do të thotë të qëndrosh vetëm për ca kohë. Vetja juaj e vërtetë meriton për t’u vlerësuar dhe megjithëse pritja mund të jetë e gjatë, bukuria e të qenit plotësisht i kuptuar ia vlen çdo moment. Njerëzit tuaj – ata që me të vërtetë e kuptojnë shpirtin tuaj – janë aty dhe kur t’ju gjejnë, vetmia e tmerrshme do të fillojë të zbehet. Do ta kuptoni që thelbi ose esenca juaj nuk kishte asnjëherë qëllim për t’u fshehur por synonte gjithmonë për të shndritur.

Letër e arkivuar: Hedie Jaho Sokoli (Logu)- Nga HASAN MUZLI SELIMI

 

VERBËRIA NDAJ SË VËRTETËS –

                                                                                                 -ËSHTË CINIZEM ËSHTË PADREJTESI.”

 

 

E dashtun Hedie!

Me këtë hymn me kujtove fjalimin e Plutarkut mbi varrin e vllait. Bota intelektuale e kohës e quajtën Plutarkun dashnor të fjalës, të ndjenies, të shpirtit, të marrëdhënies, e aq më shumë të demonstrimit të dashurisë për njeriun e gjak-zemrës.

Tani unë lexoj, mendoj, kujtoj, harroj, bile edhe mallin e braktis. Atij i them nuk kemi rrugë bashkë, prapë ai këmbëngul të më shoqëroj, por unë e godas sa më vjen keq prej tij. Ndaloj e përkëdhel, sikur përkëdhelnim ty, kur ti erdhe me britmë në shtëpinë tonë. Aty më rri mendja, në ato çaste të kobshme për ne. Aty që dielli filloi të lotojë, rrezet i largoj prej ku ne flisnim, qanim, qeshnim, lëviznim pa gravitet. Prej aty ku ti e quan me të drejt Troja-Itaka e IME. Vaji, piskama jote solli me vete kobin. Ti e ndieje atë, na njoftove, e vuaje edhe pse akoma kishe shumë pak njohje edhe me instinktin

Si sot më kujtohet, kur ti erdhe për herë të parë në shtepinë tonë. Na gjete me lot, mall, zgjove gëzimin. Ti ishe ajo që ndyshove statusin të të gjithëve çka ishin gjallë. Na detyrove të duam, të duam për sinqeritetin dhe përkushtimin tënd, për zellin dhe dëlirësin.  Ja sot më bëre të mendoj, të mendoj e të mburrem me ty, të hedh në faqet e librave të mi një dedikim-kujtim e ky të dëgjohet gjithkund. Sepse dikush me njihka, se dikush më bën historinë, se dikush më paska ndjek në çdo hap, e ky dikush më harton filozofinë e koncentruar të jetës time të trazueme, se ky dikush qenka investimi im. Me thënë të drejtën gjithmonë jam përpjekë të jem paksa modest. Modestia ka anët e mira, por skllavëria ndaj modestisë sjell inferioritetin ndaj mjedisit ku jeton. Pastaj mund ta them me plot gojë se: Verbëria ndaj së vërtetës është padrejtësia më e madhe. Sidomos kjo, kur këtë padrejtësi e bërë ndaj vetes. Pra drejtësia nuk mund të arrihet duke mos vlerësua veten. Këtu kemi të bëjmë me ndërgjegjen. Unë mendoj se gjykata më e rreptë për njeriun është ndërgjegjja. Njeriu kësaj gjykate nuk i shpëton dot. Kjo e ndjek njeriun gjithë jetën edhe pas … . Në konceptin cinik të egoizmit, nuk do të thotë që është ves egoizmi, as cinizmi. Të dyja janë virtyte dhe prekin karakterin e njeriut në rrugëtimin e tij drejt përparimit. Nuk ndalem unë duke analizuar fakte dhe provuar e miratuar shkrimin tënd, por do të bashkëbisedoj me ty si dikur, kur unë kisha nevojë t’i hapesha dikujt. E nuk gjeja njeri që heshtë para rrëfimeve të mia pa bërë mëkat. Ndoshta duhej sakrifica e përtypjes dhe fryrjes në mos rrëfim deri në plasje. Anoja shpesh nga vetja dhe i thoja vetes se mua nuk më duan. Biles nuk më vlerësojnë as për mendimet e mia. Ky ishte përfundimi im në gjendjen që solli jeta. Nuk e kuptoja që shpirti kërkonte atë që i mungonte. Më thoshin njerëz të ditur që ndërgjegjja, shpirti, zemra po të kërkojnë bashkimin në një rrugë “Sufiste”. Nuk e kuptoja, duhet të më braktisni tani që unë nuk e kam kuptuar, duhet të më braktisni që nuk kam kuptuar shumëçka që vinte jashtë  dhe pavarësisht nga unë. E pyesja veten, nuk merrja përgjigje. Lodhesha mbi libra të çdo lloj, por nuk ishte ajo libër që i nevojitej shpirtit, koshiencës. Zoti i Madhnueshëm ka bërë një projekt fillestar dhe e përmbush atë me shumë fanatizëm. Ndoshta bën ndonjë përjashtim për ndonjë që e ka nxjerrë vet për ta pasur në dukje, ati mund tij bëjnë ndonjë lëshim, ose tolerim. E ja erdhi, erdhi për mua vegimi, më nxori në horizontin e kuadratit të shenjës së ujorit. Përbindëshi iluzion u shkatërrua  prej forcës së magjisë pozitive. Tani flasim pa frikë, pa dorashka, me arsye të plakur, me ndijimet e pjekura e shumë më shumë të ndjeshme.

Hedie!

Nuk do të bëj letër të haptë, si korifejt njëri-tjetrit edhe pse ti je për mua një nga ata. Unë kam lexuar letra të korifejve të mendimit njerëzor që i drejtoheshin hapur njëri-tjetrit. Edhe pse i drejtoheshin hapur nuk i quanin të hapta. Por…! Në një vend kam lexuar që një filozof u bashkua në mendime me një bashkëbisedues shkencor: Ai bashkoj komponetet jetësore. Tha me shumë kokëfortësi, në radhën e parë preferoj Zotin-Besimin, në rradhë të dytë preferoj njeriun, në rradhë të tretë preferoj mendjen. Secila nga këto sipas mendimit tim janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhur me njëra-tjetrën për të konfirmuar besimin. E pra, njeriu zot, baba jonë po largohej. U tret besimi, ai, besimi pra u rrokullis deri në honet e moskthimit. Po, baba u largua pa u kënaq me ty, nuk ndjeu-shikoj asnjë rritje, nuk pa asnjë togfjalësh gëzimi. Ky është pengu im. Për shumë si për babën tim disaherë them është padrejtësi. Gaboj, … por kështu më duket e ndiej, e shfaq.

Ai, baba pra që i kishte ditët e numëruara, ishte gëzuar për ty aq shumë sa rendi të vinte aty dhe të shikonte, të prekte, të perceptonte, të quhej gjysh. Edhe pse ti e dada erdhët ai nuk u kënaq me ty, sepse ishte krejt i pamundur. I pamundur, ditët iu mbaruan, numerikisht e zëvendësove.

Mbaj mend ato ditë, kur baba ndërroj jetë. Ishte dita më e trishtuar e jetës time. Vogëlsia dhe shkathtësia tek unë nuk kishin më maratonën e garës së fituar. Rruga tani ishte e zënë, ajo mbante gurë e ferra.  Ngjarjet në shtëpinë tonë rrodhën si ujërat e rrëmbyeshëm të një lumi ku verës fshihet e dimrit ngre krye pa kursyer as veten.

Ahhh, sa nevojë pata per këtë letër bashkëbiseduese. Aq sa pata nevojë për babën, pata nevojë për mallin, ky mall që po më gërryen gati çdo ditë. E pata nevojën e rrëfimit. Të thashë unë e dua rrëfimin, ti e din, e din që edhe pse nuk kam mëkat rrëfimi është virtyt. Mëkati për mua është i huaj, i dëmshëm, i pështirë, nuk është ves, është gjallës brenda shpirtit të lig. Mendojnë se mëkati është vetëm tradhti, jo more mëkati është ai ves që grin njeriun dhe e kthen atë në qenie pa arsye, pa ndjenja, pa mendim, pa rrugë. Për mëkatarin e tillë nuk ka paqe, ka ferr, ka dhimbje, ka inferioritet shpirtëror.

Ngushëllimi erdhi si re e kuqe të një bote grih, erdhi në tymin e kohës. Ngushëllimet ishin i shkreti, lloje epitetesh të ndryshme. Ti nuk e di që unë gjithë jetën kam qenë i mangët prej mungesës së babës. Gjallnova nën kujdesin e nanës e shumë të Halilit. Të them jam jetim nuk më ka hije. Nuk më ka munguar asgjë përveç autoritetit prindëror. Autoriteti i babës është elementi më i pa zëvendësueshëm në krijimin e karaktereve tek fëmija, sidomos kur fëmia djalë. Këtë e kam provuar në jetë, nuk guxon askush të provoj të kundërtën. Nuk më dhanë barrë për të mbajtë përkujdesje në jetën e përditshme në familje. Pra, Halili me zhveshi nga çdo përgjegjësi, përveç të asaj të kërkimit të diturisë. Kjo ishte egoja ime dhe detyrim-vendim në heshtje për të përmbush dëshirën e babës. Ti besoj e di se sa herë ai, Halili, baci i të gjithëve të brezit tënd në shtëpi thoshte thirri babës, ai të udhëheq, ai po pret. Në çdo punë mistike thërras babën, gjithçka zgjidhet. Ai, Halili pra, qe mentori im, konfirmimi im i jetës, i vuajtjes, i punës e më në fund i mallit që e përkëdhel.

Hedie, Nana u lodh shumë me mua. Më rriti dy here, harxhoj shumë energji që unë të jem njeriu i punës. Sa shumë e kam deshtë nanën e kam dëgjua atë, i kam numëruar frymëmarrjen edhe me kilometra larg. Sot i kërkoj falje dhe i nënshtrohem vullnetit saj. Ti e di që në poezinë time thashë dikund, ’’ dua të vdes dhe të ringjall nanën’’. Ajo nuk iu gëzua kurrë jetës. Edhe kur ju lindët, në shtëpi kishte zë, këngë, gaz, britma loje të mjaftueshme, ajo nuk ishte e kënaqur, sepse ti ia di brengat. Vllezërit në lulen e djalnisë iu vranë për Atdheun, baba i vdiq, nana me një vlla në kushte fizike të pamundura, ishin ndryshku i nanës. Baba vdiq, kur nana kishte shumë nevojë për të, sepse ne po rriteshim. Vuajtjet e nanës i kam thënë në një vend tjetër. E këtu nuk po zgjatem por … .

Me ty kemi nda gëzimin, suksesin, dështimin, kemi mbështetë njëri tjetrin edhe pse ti ishe krejt e vogël. Nuk e di kisha besim tek ti  dhe ti e ke justifikuar këtë besim që unë e admiroj dhe e kam si shejtni. Ti e di që të gjitha motrat më kanë mbajt si me qenë unë “Orli Balosh” E për këtë nuk mund të veçoj asnjërën, por sipas radhës dhe moshës kontributi ndryshon.

E dashtun Hedie!

U bë shkak ky koment në FB në faqen e poetit, prozatorit, analistit, biografit Lulzim Logu që ne të dy të shndërrojmë mendimet tona në lidhje me mirënjohjen, me dashurinë, me përjetësinë, për modestin e virtyte të tjera. Ai, Lulzimi është inkurajuesi i  pakapërcyeshëm në rrugëtimet e krijuesve.

“ Korbat kanë nevojë të bisedojnë, gjuha e tyre nuk është gjithnjë paranoja jonë. Korbat duan dritën, duan diellin, nuk bëjnë konkurencë me ngjyrat. Gjuhën e njerëzve e duan dhe e njohin. Korbat rrinë në vende të shkreta, pa njerëz, pa kafshë, pa lule, pa këngë. Kënga e tyre vallëzon në hojet mitike dhe ne na bën supersticiozë. Gjëja e parë, kur shikon një shpend me emrin korb të shkon në mendje nata meskine, varret, vetmia poshtë blerimit, hijet e verës. Asnjeherë nuk të shkon në mendje që ky shpend ka një hall dhe e do këshillimin, ngushëllimin dhe se fundi shpëtimin. Bisedo me të poet dhe do gjesh diçka patjetër!…”

Unë duhet të di, bile i di gjuhët e shpendëve, të kafshëve dhe të njerëzve po e po. Kemi marrë me koshiencë detyrën e klerikut. Një ditë iu thashë disa besimtarëve. Nuk jam një klerik halli, por një klerik koshience. Hyj është dhe mbetet besimi kryesor, për tek ai duhet një udhërrëfyes që unë e gjeta me shumë mund, shumë sakrifikova. Më mbetet peng që nuk e gjeta në koheën e adoleshencës që të rritem me koshiencën që të detyron të jesh i tillë.  Edhe kjo ka mbetë për shkak se baba nuk ishte, ndoshta koha, rrethanat, nuk ma jepnin këtë dhuratë. Mësimi bëhet edhe në fshehtësi. Mbaje sekret këtë që ta thashç.

Shndrisin të gjitha pozicionet në fushën e jetës, por pozicioni i besimit është parësori. Jeta dhe natyra që na rrethojnë ka florën, faunën. Dallimi kryesor midis florës dhe faunës është se flora flet për jetën bimore të një ekzistencëteritorialiteti ose një periudhe të caktuar, ndërsa fauna përfaqëson jetën e egër të një hapësire, ose periudhe specifike. Dikur thoshim më thuaj veglat e punës të tregoj periudhën historike. Unë tani them më thuaj florën-faunën të tregoj vendin ku ndodhesh në gjitha planetet.

Toka është planeti i vetëm në të gjithë universin, që mund të mbështetem. Të mbështem dhe të zhvilloj jetën në kompleks. Në fakt, është një shtëpi, ka një çati për miliona forma të jetës. Shumëllojshmëria e bimëve dhe e kafshëve të egra, në botë, njihet si biodiversitet. Kudo që të shkojmë, ne gjejmë një larmi të ndryshme të bimëve, luleve, zogjve, insekteve, kafshëve dhe mikroorganizmave të tjerë. Në shtëpinë time atje ka shumë insekte. Nuk lejoj t’i vrasin askush, me asnjë lloj mjeti. Ato kanë zonën e vet të influencës dhe të jetës. Janë bashkudhtare me ne në jetë e kudo. Ka shumë pëllumba të egër, dallëndyshe etj. Një ditë erdhi një shpend që nuk e kisha parë kurrë as në albume. Qendroj gati një orë. Më pranoj të flas me të, bile edhe ta fotografoj. Iu tregova shumë njerëzve. Thanë se është lejlek. Nuk ishte koha për lejlek, por as forma e jashtme e tij nuk ngjasonte. Përfundimisht mendova, shpirtërat, shpirtërat udhëtojnë, në çdo vend që kanë qenë do shkojnë, me një formë tjetër, me një substancë tjetër. Do të them një ngjarje që në kohën e ndodhur ka bërë  bujë. Shejh Shefqet Shejh i Teqes Madhe të Sadive në Gjakovë, kaloj në jetën tjetër. Ditën e varrimit mbi arkivolin e tij ulet një shpend në anën e djathtë të arkivolit ku gjendeshin gjunjët e Shejh. Gjatë gjithë kohës së dhikrit, namazit që u bë në ditën e varrimit, ai shpend nuk lëvizi. Qëndroi me kokën ulur, në zi. Ja kush është shpendi, kush është zogu i malit, i pyllit. Po shpirti kush është? Ai lloj shpendi nuk është parë kurrë. As atë ditë nuk u pa, kur erdhi, as kur u largua.

E di që do thuash, pse u zgjate kaq shumë me këtë paragraf? U zgjata që të them se Korbi hynë në familjen e shpendëve grabitqar. Ai ka një kokërratje të kobshme. Paranojat flasin për qyqen, për kumrin, për shpendë të tjerë që nuk po i nominojmë. Të gjithë kërkojnë qetësinë tek njeriu. Ata e dinë me instinktet e tyre se njeriu nuk ka nevojë për ta. E kështu i mbron e nuk i ngacmon. Korbit nuk i hahet mishi, por penda e tij është shumë e vlefshme, kocka e tij i shërben njeriut më shumë se sa i shërben njeriu vetes, gjuha e tij është më e kuptueshmja, ai bisedon me njeriun i tregon këtij shumçka. Këtë nuk e bën shqiponja që ne e kemi simbol të bukurisë, bamirësisë, lartësisë, mbijetës. Korbin nuk bën ta fyesh, ta gjuash, ta vrasësh, ta mallkosh, ta paragjykosh.

Hedie!

Një poet hyjnor mund të flasë me Korbin e me cilindo shpend. Unë kam patur fatë të qëndroj në jetën time natën zgjuar. Koha që unë kam qenë natën zgjuar ka qenë pjesa e jetës sime më të mirë edhe pse nuk e doja ishte e lodhshme. Rraskapitja vinte deri aty sa nuk besoheshin vegimet. Në këto orë nate më kanë ardhë vegime, është shndrit qielli, toka, janë ndalë lumenjtë, kafshët, shpendët, gjithësia është paralizuar derisa biseda në vegimin ka marrë udhë. Tani udhëtimi është në fillesat e saj. Ne duhet të përgatitemi.

Mbetem tek falenderimi dhe të uroj gëzim.

Tiranë me datë12.01.2025

Shejh Hasan MUZLI Selimi

“Orli Balosh” (Gjë e mbinatyrshme hynore që rrin në hapsin dhe fluturon edhe jashte galektikës. Jeton me erën e frutave.).

 

Rreze e pashueme lirie!- Poezi nga YMER LLUGALIU

(Poezi e shkruar nga i ndjeri Ymer Adem Llugaliu, kushtuar Ylfete Humollit,vrarë më 1 shkurt 1990,nga forcat pushtuese të Serbisë)

Me Kosovën në zemër,
me Republikë në gojë,
shqiponjës dykrenore
në dorë i dhe fluturim.
Me ballin drejt diellit, me pranverë në krahnor,
ece nëpër gjurmët e Shotës,e nëpër gjurmët e Ajetes.
Sytë e Tu sy shqiponje derdhen rreze laser,
mbi tanke, mbi autoblinda e mbi robot.
Nëpër bulevardin e Pushkës kryengritëse
të Ballit të Atdheut.
Mur kinez nëpër çdo stuhi kundër Boreut.
Masa të vinte pas porsi valët e detit!
Kudo dëgjohej zani edhe ne kosovarët jemi njerëz.
Jemi të denjë me jetue në liri.
E tanku villte zjerm e korbat vezë të zeza,
shokë e shoqe thanë u vra Ylfetja.
Llapi hapin nisi me shtrue,
vërshoi befas, nëpër lugina, sheshe e bulevarde.
Gjakun e bijve e bijave të veta me grumbullue.
Në krahnor me marrë mesazh heroizmi detit me ia falë.
Çohu mori bijë se po të presin shoqet me shkue në shkollë.
Le ta marrin çantën, ta lanë në bankën e parë.
Unë provimin e dhashë! Mungesë s’do të më qes asnjë profesorë!
Çohu Ylfete njëzetmijë krushq po vijnë me të marrë.
Kanë përshkue kambë njëzetë kilometra rrugë.
Nanë, unë jam martue.
Në shtrat të fundit do të shtrihem,vetëm me Flamur.
Në këtë truell Arbnor.
Le ta marrin çantën ta lanë në bankën e parë.
Unë provimin e dhashë !
Mungesë s’do të më qes asnjë profesorë!

YMER ADEM LLUGALIU
Elbasan,15 shkurt 1990


Send this to a friend