VOAL

VOAL

Rama rizgjidhet nënpresident i Internacionales Socialiste

Për të dytën herë, Kryeministri Edi Rama është zgjedhur nënpresident i Internacionales Socialiste.

Lajmin e ka bërë publik vetë Kryeministri Rama përmes një statusi në Facebook, ku ai ka falënderuar Internacionalen Socialiste për besimin që i ka dhënë me votën pro propozimit. 

“Faleminderit Internacionales Socialiste për besimin e shprehur me votën pro propozimit për Zv.President të saj

Policia shoqëron deputeten Donika Kadaj Bujupi

Policia e Kosovës ka shoqëruar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj Bujupi, në kufirin me Maqedoninë. Lajmin e ka konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Shoqërimin e deputetes Kadaj Bujupi nga Policia e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si “skandal të papranueshëm” i cili është bërë “për vepra të mëhershme”.

Lajmi gjithashtu është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila përmes një komunikate për medie ka njoftuar se “bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e urdhërarresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot me 03.03.2017 gjatë ditës ka realizuar zbatimin e një urdhërarresti në PKK-Hani i Elezit”.

Njësitet relevante policore kufitare bazuar në urdhëresë, “kanë ndaluar deputeten e RKS-së znj. D. (K.) B., të cilën e kanë njoftuar mbi arsyen e ndalimit dhe bazuar në urdhëresë e njëjta do të shoqërohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se deputetja Kadaj Bujupi “do të shoqërohet në gjykatë, ashtu siç parashihet me urdhëresë”.

Basha, Mehdiu, Ndoka ua vënë një kusht Ramës dhe Metës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur per rreth 60 minuta në selinë e tij krerët e partive aleate për të diskutuar lidhur me ofertën e fundit të ardhur nga Qeveria.

Ne perfundim te ketij takimi koalicioni opozitar ka dale me nje deklarate ku shprehet i gatshem per dialog por qe permes nje qeverie me mbeshtetje te gjere politike te garantoje zgjedhjet e lira dhe te ndershme.

“Koalicioni opozitar duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët për shkak të kërcënimit të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare, shpreh gatishmërinë për një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë, me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar me qëllim krijimin e kushteve për zgje​dhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike që do të garantojë:

1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.

2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.

3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”, thuhet ne deklaraten e PD.

 

Në një mbledhje të zhvilluar sot Rama dhe Meta ftuan Bashën të diskutojnë për ecjen përpara të Reformës në Drejtësi dhe Reformës Zgjedhore.

Nga ana e tij kreu i opozitës, u takua fillimisht me Edmond Spahon, Edi Palokën dhe Majlinda Bregun, të cilët do të jenë përfaqësuesit e PD-së në takimin me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

Çfarë i bëri bashkë Ramën dhe Llallën, kryeministri e falënderon publikisht

Plani i ri kombëtar antikanabis ka mbledhur bashkë me një takim kryeministrin Rama, ministrin e Brendshëm Tahiri, krerë të lartë të policisë dhe kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Gjatë fjalës së gjatë mbajtur para të pranishmëve, teksa ka numëruar akuzat e radhës për qeverisjen e shkuar dhe mënyrën se si e katandisi vendin, me drogë, mjerim, varfëri e korrupsion, kryeministri Rama ka thënë se me planin e ri do të korret fitorja e radhës në luftën kundër kanabisit.

1

“Falenderoj Prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtorin e Shërbimit Informativ që janë këtu dhe pas një pune të përbashkët për të hartuar një plan të ri kombëtar për luftën kundër kanabisit. Ishte vetëm para 3 vjetësh kur në këtë godinë formuloheshin komunikata sekrete për publikun dhe median, sot jemi krejt ndryshe”- tha Rama.

Rama ka theksuar vendosmërinë për të luftuar korrupsionin dhe përsëriti thirrjen drejtuar krerët të policisë e çdo polici për të zbatuar vetëm ligjin dhe për të refuzuar çdo telefonatë nga lart.

“Sa policë janë larguar pse guxuan të bezdisin një deputet, apo një të fortë që i kërkonte llogari për parkimin, dokumentacionin. Sa drejtues unë njoh këtu, disa prej tyre kur isha kryetar bashkie që janë ndjerë të lënduar deri në palce së kanë qenë në prag dorëheqjes për shkak të telefonatave që vinin nga kjo godinë për të mos i bërë karshillëk x apo y. Ditën e parë më shikonin dhe nënqeshnin pa besim kur u thosha që kërkesa e parë për ju është të bëni drejtuesin e policisë në bazë të ligjit dhe të refuzonin nënshtrimin ndaj cdo telefonate që ju vjen nga lart. Drejtori i Akademisë më tha: nëse kjo që ju thoni bëhet atë policia e shtetit është e bërë, se në atë ka njerëz me aftësi dhe eksperiencë që shërbejnë me dinjitet në cdo polici të BE”- tha ai.

Rrethohet ambasada maqedonase në Tiranë, ja çfarë po ndodh

Qindra qytetarë po protestojnë sot përpara ambasadës maqedonase në Tiranë.

Ata janë organizuar nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet me flamuj kuqezi dhe me parulla.

Protesta e të rinjve të PDIU-së zhvillohet në mbështetje të partive politike shqiptare në Maqedoni, ndaj të cilave Presidenti Ivanov refuzoi formimin e qeverisë së re, duke mos pranuar kushtet e shqiptarëve.

Prej javësh Maqedonia është në krizë qeveritare për shkak se Nikolla Gruevski i cili fitoi zgjedhjet nuk arriti të marrë mandatet e nevojshme për të krijuar qeverinë.

Nga ana tjetër lideri i opozitës mori së fundmi edhe mbështetjen e tre partive shqiptare duke arritur një shumicë prej 67 deputetësh, nga 61 që i duhen.

Por Presidenti Ivanov, një politikan i krahut të Gruevskit, nuk pranoi ti japë mandatin Zaevit për të formuar qeverinë e re për shkak se nuk lejon një platformë shqiptare në këtë qeveri.

Manjani i fton të gjithë në çadrën e lirisë, vetë ai ende nuk e jep shembullin

TIRANË- Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani duket se tashmë mbështet opozitën. Ndërsa LSI vijon t’i rezistojë ftesave të PD-së për t’iu bashkuar protestës dhe për të braktisur qeverinë, ish-ministri që vjen nga kjo forcë me sa duket e ka ndarë mendjen.

Pas denoncimeve të aferave sipas tij korruptive të qeverisë “Rama” deri dhe të të ashtuquajturave afera seksuale të ministrave në hotelin e Klement Balilit, Manjani thotë se tashmë të gjithë duhet të rrinë në ‘Çadrën e Lirisë’ siç është pagëzuar çadra e ngritur para Kryeministrisë ku proteston prej 14 ditësh opozita.

“Ka të drejtë Prof. Fuga! Në çadrën e lirisë dhe të zgjedhjeve të lira të gjithë duhet të rrimë! Shqiptarët duhet të zgjedhin, jo të votojnë!”, – shkruan Manjani në rrjetin social “Twitter”.

Ftesa për dialog nga mazhoranca, Basha mbledh urgjent aleatët

TIRANE- Pas sinjaleve pozitive për dialog nga ana e koalicionit qeveritar me opozitën, kryetari i Partisë Demokratike ka thirrur në selinë blu në një mbledhje urgjente aleatët.

Gazetarja Elda Menga raporton për ‘BalkanWeb’ se ky do të jetë një takim informues, ku në fokus mendohet se janë dhe propozimet e mazhorancës.

“Koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmërinë e çuarjes përpara të këtyre reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor. Liderët e koalicionit shprehen gatishmërinë për të dialoguar me përfaqësuesit e opozitës në Kuvend apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën.”, thuhej në deklaratën e tryezës javore të koalicionit qeverisës

Po ashtu, ‘BalkanWeb’ mësoi se më herët se Basha kishte zhvilluar një takim dhe me 3 anëtarët e PD-së, Majlinda Bregun, Edi Palokën dhe Edmond Spaho, që do të zhvillonin sot takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederica Mohgerini, pak para se kjo e fundit të konfirmonte takimit me liderin e opozitës. Ndërkohë, gazetarja Menga konfirmon për ‘BalkanWeb’ se ende lideri i demokratëve nuk ka në axhendën e tij një takim me Mogherinin.

‘News24’ konfirmon: Mogherini takon sot Lulzim Bashën

TIRANE- Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian Federica Mogherini do të takohet sot me liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashës. Ky fakt është bërë i ditur nga delegacioni i Bashkimit Europian, për ‘News24’.

Po të njëjtat burime theksuan se të gjithë liderët politikë janë të ftuar që të takohen me Mogherinin, e cila pritet të vijë pasditen e sotme në kryeqytet. “Përfaqësuesja e larte e BE do te takohet gjate turit te saj ne rajon me ldieret politike. Lideret politike jane ftuar qe te takohet ne tirane me te, duke perfshire edhe zotin Basha”, pohuan për ‘News24’ nga delegacioni i BE-së.

Fillimisht u tha se Mogherini nuk do të takohej me kreun e PD-së, takim që nuk ishte caktuar as në axhendën e diplomates. Ndërkohë, dje Basha sqaroi arsyet se pse Mogherini nuk do të takohej personalisht me të. Ai tha se zonja Mogherini do takojë një përfaqësues të PD-së, edhe pse jo kryetarin, duke zbatuar kështu axhendën që ka.

“Pjesë e axhendës së saj do të jetë një takim me përfaqësues të partive politike, pjesë e takimit do të jetë edhe përfaqësuesi i PD. E rëndësishme është ajo që po i thuhet asaj. Do i thuhet që pacienti ka kollë të lehtë dhe do shurup apo që ka kancer dhe duhet futur urgjentisht në operacion. Unë e kam takuar zonjës Mogherini dhe do takoj sërish si kryeministër i Shqipërisë”- tha dje Basha.

Zaevi flet hapur: E vërteta e bisedës me Ali Ahmetin dhe partitë shqiptare

Zoran Zaev zbardh detaje nga biseda me Ali Ahmetin dhe partitë shqiptare. Ai theksoi se është kundër ndryshimeve kushtetuese kur është fjala për himnin, flamurin dhe stemën, por se debati nuk duhet që të ndalet, ai duhet që të vazhdojë.

Sipas tij, “Nuk është diskutuar për ndonjë platformë, rreth 80 për qind e asaj që kam biseduar me Ahmeti ka qenë si ti kthejmë paratë e vjedhura prapa, si do ti rrisim pagat e qytetarëve. Budallallëk është ajo se do të dënohen qytetarët nëse nuk flasin shqip”.

Duke folur për një emision në TV24, ai tha se “Po manipulohet me popullin se paratë do të jenë në dy gjuhë. Në 32 komuna në vend është dygjuhësia, Kumanova ka tregjuhësi, cilin e manipulojnë ata, Gjuha është për t’u kuptuar njerëzit. Të mos trembemi nga asgjë, çfarë nebulozë është ajo, duhet të udhëhiqemi nga nevojat e qytetarëve- tha lideri i LSDM-së.

Ai theksoi se pavarësisht vendimit të Ivanovit që të mos ua japë mandatin 67 deputetëve, kjo nuk do të thotë se s’do të kemi një qeveri. Zaev është pothuajse i sigurtë se Ivanov përsëri do të japë mandatin.

Manipulimi i qytetarëve është banditizëm dhe mbrojtja e interesave të tyre. Gruevski e tërheq Maqedoninë në skenare të rrezikshme.

Platforma u publikua më herët dhe Gruevski ishte i gatshëm për ta berë gjuhë të dytë gjuhën shqipe vetëm e vetëm për ta zhbërë PSP-në. Ivanovi nuk kërkoi 61 mandate nga VMRO-DPMNE-ja, këtë e kërkoi nga ne- tha Zaev.

Përfaqësuesi i partisë së Trumpit mesazhe të forta nga çadra e PD: Basha, kryeministri i ardhshëm

I pranishem ne çadren e protestes se opozites ishte sot edhe Jason Emert, kryetari i Bashkimit të Forumeve Rinore të partive të Djathta si dhe Sekretar i Pergjithshem i Forumit Rinor Republikan ne ShBA.

“Unë do vij t’ju tregoj mbështetjen sot këtu. Ju e dini që ka patur disa ndryshime në Uashington. PR e presidentit Trump është shumë e gëzuar ta thotë këtë gjë: Ne kemi premtuar do ta bëjmë Amerikën të madhe dhe i mbeshtesim të gjithë vendet anembanë botës që duan t’i bëjnë vendet e tyre të mëdhenj.

Mund t’ju them ju nuk i meritoni këto. Asnjë vend nuk meriton të drejtohet nga banda të organizuara dhe banda horrash. Në SHBA, si në cdo vend të lirë ne mbështesim të drejtën e njerëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Unë jam këtu jo vetëm për të mbështetur lëvizjen tuaj por edhe për të përcjellë mesazhin që lideri Basha do jetë kryeminsitri i ardhshem i Shqiperise”, tha Emert.

Sipas Bashës, “mbështetja ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme kurrë s’ka qenë më e madhe se sot. Këtu nga ky shesh ju dëgjuat përfaqësuesit më të lartë të rinisë evropiane që iu bashkuan rinisë shqiptarr që është në ballë të kësaj beteje për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Si u pshurrën veprat e diktatorit nga çamarrokët e Tiranës – nga Kolec Traboini

– Natën e 20 shkurtit 1991 dhe të nesërmen-

Shkova sërish në sheshi “Skënderbeu” në mbrëmjen e 20 shkurtit 1991. Mora me vete djalin tim 5 vjeçar Donaldin. Shkuam aty ku paradite qëndronte me hije rëndësinë e tij monumenti i diktatorit, por tashme qe zhdukur. Ish rrëzuar e hequr zvarrë. E përfshiu urrejtja popullore për shtypjen gjysmëshekullore. Kish mbetur vetëm bazamenti mbi të cilin ishte ndezur një zjarr. Mendova mos ishin pastruesit e Tiranës, por jo. Njerëzit nga pallatet pas Muzeut Kombëtar dhe të Rrugës së Durrësit vazhdonin të sillnin libra të diktatorit nga shtëpitë e tyre dhe i hidhnin në zjarr. Një zjarr që nuk u shua tërë natën. E tregoj këtë se për këtë aspekt intuitiv qytetar nuk është shkruar asnjëherë ani pse shumë e rrahin gjoksin për heroizma të kurrkund qëna. Ca çamarrokë shakatare, u afruan e thanë:

“Pse i digjni mo. Këto duhen pshurrur!”. Dhe nisin ti pshurrin..
I thashë çunit tim: “Nuk do të keni më fatin të jetoni me fëmini në diktaturë siç ndodhi me ne. Jepi dhe ti…”, por Donaldi ishte i vogël dhe nuk arrinte të kuptonte domethënien e fjalëve të mia.
Atë natë të 20 shkurtit 1991 por edhe të nesërmen në mbrëmje ndodhi ajo për të cilën askush për çerek shekulli nuk foli. U pshurrën veprat e diktatori prej fëmijëve të Tiranës. E kjo pra ishte një ngjarje e pa precedent. Sepse ata askush nuk i mësoi. Nuk i thirri Ramiz Alia në yzyrhanet e veta për ti konsultuar e mikluar do si do. Thjeshtë ashtu u lindi mendimi dhe fëmijët ashtu bënë. Dhe nuk kanë kërkuar asnjë herë tu njihet kjo meritë si akt i madh demokratik. Nuk folën kurrë. Dhe e bënë këtë veprim kur shumë kush nga ata që vazhdojnë të na tregojnë përralla për lufte titanike karizmatike për demokraci, mbanin ende në xhep pranë zemrës, teserën e kuqe të partisë diktaturë, apo ende i kishin emrat në borderotë e pagesave si spiunë sigurimi.
Të nesërmen, paraditen e 21 shkurt 199, pa asnjë organizim, pa asnjë lajmërim u mblodhëm në qendër të Tiranës sepse ende nuk na ishte shuar në shpirt zjarri urrejtës i të djeshmes. U dyndëm tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Tek ura e Lanës, në cepin e lulishtes “Rinia” e Hotel “Dajti-t”, turma u ndal. Larg, andej nga godina e Komiteti Qendror, papritmas u dëgjuan disa krisma automatiku me breshëri.
“Krisi në bllok”- tha njëri.
“I hëngërshin kokat e njëri-tjetrin!”- shtoi një tjetër.
“Të shkojmë e ti japim dorën e fundit!”- e pasuan.
Përballë njerëzve që synonin të marshonin drejt bllokut të udhëheqjes, me synimin për ta pushtuar e shkatërruar, doli një tank dhe u ndalua aty tek ura e Lanës. Turma u drodh dhe u mblodh në fillim. Pastaj u gjallërua sërish. U trimërua.
Mbaj mend se një shofer i Kinostudios, më duket shoferi Tom G., burri i pastrueses Nadire, më thirri në emër e me tha: “Kol, mos u frikëso nga tanket se jemi përgatitur mirë”.
Ngriti cepin e palltos dhe me tregoi një bombë molotov. Kështu i thonë shisheve me benzinë. Por tanku u tërhoq pas ndërmjetësimit me protestuesit të mikut të Ramiz Alisë, Neritan Ceka.
Ai hipi mbi një makinë e me megafonin që mbante në dorë na tha: “Mos u shqetësoni se Ramizin e kemi gjallë. Kthehuni. Të shkojmë nëpër shtëpira”
…Pastaj nisi të tregojë një histori koti me djalin që e mbante në krahë.
E ne ja kthyem: “Neritan, pirdhu më gjithë Ramiz Alinë!”.
Në turme pati reagime kundërshtuese dhe u krijua bindja se Neritan Ceka ishte një emisar i dërguar për të fashitur urrejtjen e njerëzve për kastën e Ramiz Alisë dhe për të shpëtuar bllokun e udhëheqjes nga shkatërrimi. Dhe ja arriti. Por edhe ja shpërblyen. U kthyem në sheshin “Skënderbeu”. Disa djem hipën në tarracën e Pallatit të Kulturës dhe prishën parullën PPSH, nga e cila kam ruajtur deri vonë një copë peciklas të bardhë. Njerëzit ishin të tejngopur me urrejtje për regjimit ndaj atë ditë donin të bënin diçka pa tjetër. Lindi mendimi për të shkuar tek Shtëpia e Partisë ti vinim flakën.
Ky ishte mendimi i përgjithshëm i njerëzve që nuk donin të shpërndaheshin, madje u lëshuan thirrje më zë të lartë nga e gjithë turma:
“Te shtëpia e Partisë! Te shtëpia e Partisë!”.
U nisëm. Arritëm deri tek Medreseja, por atje rruga ishte shumë e ngushtë dhe policia ishte gardh. Nuk ishte e mundur të kalohej. Qëndruam ca kohë por asnjë shenjë se policia dhe “sambistët”, forcat më brutale të diktaturës, do të tërhiqeshin e do të na hapnin rrugë. Vendosëm të shkojmë përsëri në sheshin “Skenderbeu”. Në kthim, pak pa hyrë në qendër, turma u ndal para librarisë “Flora” ku shiteshin librat e diktatorit. Nuk kishte shitëse brenda. Me gurë i thyen xhamat. Pastaj ju vu flaka. Libraria u dogj. Flaka vazhdoi gjatë dhe në kujtesën time vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të përflakën veprat e diktatorit të urryer, por edhe i dashuruar marrëzisht prej bacileve të kuqe të kolerës komuniste të rigjallëruar skajshëm vitet e fundit, shkruajnë kujtime, bëjnë promovime, trumbetojnë anti-Mukje, anti-Balliste. Aq përdhunshëm ky revansh i bijve të kolerës së kuqe, sa të thuash ka ardhur koha që meritojnë të ri-pshurrën sërish prej çamarrokëve të Tiranës veprat e teveqeleve të komunizmit që nuk paskan ngordhje, si atëherë kur në hi i përfundoi e gjithë ajo histori. Rri e mendoj e them: Eh, sa të thella kanë qenë e vazhdojnë të jenë punët në këtë Shqipërinë tonë. Kush nuk u dekorua e kush nuk u pasurua ani pse ishin një tufë spiunësh e lakenjsh, ku nuk depërtuan e nuk dolën sërish në krye të punëve enveristët e djeshëm. Të isha unë president, ata çamarrokët e Tiranas do ti dekoroja me tituj “Nderi i Kombit” para se ata që u futën në grevë të urisë, ndenjën ca ditë pa ngrënë, por ama kanë 25 vjet që e hanë si të babëzitur me “bark të pangishëm,” siç thoshte Migjeni, këtë të mjerën Shqipëri. Lavdi maskarenjve!

Qeveria vendos të dëmshpërblejë plotësisht banesat e Zharrëzës

Qeveria miratoi në Tiranë një paketë masash për dëmet e shkaktuara nga lëkundjet e tokës në Zharrëz të Patosit dhe Kuman të Roskovecit.

Vendimi i qeverisë përcakton afate të shpejta për vlerësimin e banesave të dëmtuara rëndë apo të shkatërruara plotësisht dhe dëmshpërblimin e plotë të tyre nga buxheti i shtetit dhe kompania e naftës Bankers Petroleum.

Një ekspert i pavarur ndërkombëtar po kontraktohet për vlerësimin shkencor mbi shkaqet e lëkundjeve.

Ministri i energjisë dhe industrisë urdhëroi dy ditë më parë kompaninë Bankers Petroleum të ndalojë injektimin e ujit në shtresat gëlqerore në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit pa dëmtuar mjedisin, sipas standarteve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat për komunitetin.

Qeveria ftoi banorët të mbështesin grupet e punës në terren, të cilat po fillojnë punën menjëherë, në mënyrë që vlerësimi i banesave të dëmtuara të kryhet brenda muajit.

Një grup banorësh të fshatit Zharrëz nga bashkia e Patosit zhvilluan një protestë prej disa ditësh para ministrisë së energjisë, duke kërkuar të dëmshpërblehen për dëmet e rënda që ka marrë mjedisi dhe disa qindra banesa të tyre, për shkak të lëkundjeve të forta sizmike.

Ata kërkuan rehabilitimin e mjedisit në zonën e ndotur në ajër, ujë, dhe toka bujqësore.

Pas dy greva urie dhe pas një marshimi 4 ditë në këmbë nga fshati i tyre deri në ministrinë e energjisë në Tiranë, protestuesit e mbyllën protestën e tyre para ministrisë së energjisë, duke pritur të zbatohet vendimi i qeverisë.

(Video) Ja lista e plotë e anëtarëve të fondacionit ‘Soros’: Që nga bashkëshortja e Kryeministrit deri tek Ismail Kadare

Emisioni ‘Opinion’ ka publikuar mbrëmë listën e plotë të anëtarëve të bordit të fondacionit “Soros” në Shqipëri që nga krijimi i tij në vitin 1991 e deri më sot.

Nga ajo që vihet re për disa vite antarë dhe kryetarë të këtij fondacioni ka qenë kryeministri Edi Rama dhe gruaja e tij Lindita Xhillari. Po ashtu pjesë e listës së anëtrëve të publikuar sot ka qenë edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare, akademiku Artan Fuga.

Po ashtu disa emra të tjerë janë Henri Cili, Delina Fico, Iris Luarasi, Artan Santo, Mustafa Nano etj.

Ja avokatët që do të drejtojnë Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Tiranës

Të shtunën e javës së shkuar, avokatët e Tiranës votuan për Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë Tiranë, të cilët do të zgjedhin kryetarin e kësaj dhome në një votim të dytë.

Bëhet fjalë për 50 avokatët më të votuar të Tiranës, të cilët u përballën mes tyre të kategorizuar në tre lista. Në listën e parë garuan avokatët që kanë të drejtën e përfaqësimit në dy shkallët e gjyqësorit dhe që kanë një eksperiencë pune deri në 10 vjet. Nga të gjithë garuesit u zgjodhën 10 prej tyre.

Në kategorinë e dytë ishin avokatet femra, nga të cilat u zgjodhën 15 avokate si pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Tiranës.

Ndërsa në listën e tretë të votimit ishin avokatët “senjor” dhe u zgjodhën 25 prej tyre, të cilët sipas ligjit kanë të drejtë të përfaqësojnë klientët në të trija shkallët e gjyqësorit, përfshi edhe Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Në listën e avokatëve të rinj, listën e kryesoi Ledio Braho, listën e anëtareve femra e kryesoi Aurela Anastasi dhe atë të avokatëve “senjor” e kryesoi Fatmir Braka që ishte dhe avokati më i votuar.

Në të trija kategoritë për të cilat u votua, avokatët zgjodhën në radhët e tyre edhe emra të njohur nga avokatia, përfshi dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani.

Procesi zgjedhor u zhvillua në Akademinë e Arteve dhe ishte transparent, ndërsa fituesit e rinj do të përbëjnë Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë për periudhën Shkurt 2017 – Shkurt 2021.

Për kategorinë e avokatëve të rinj, ky ishte votimi i parë në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë i dalë nga votimi do të zgjedhë organet drejtuese të dhomës sikurse janë Këshilli Drejtues, kryetari, zv. kryetari dhe sekretari i kësaj dhome si dhe përfaqësuesit e dhomës avokatisë Tiranë për në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

ANTARET ME NIVEL PERFAQESIMI NË TË GJITHA SHKALLET E GJYQESORIT

Fatmir  Braka
Alban  Caushi
Aranit  Roshi
Arben  Vani
Ardian  Leka
Ardian  Visha
Arjan  Salati
Bashkim  Sulstarova
Dashamir  Kore
Dorian  Çeliku
Ervin  Pupe
Ferdinand  Doja
Flamur  Çato
Gazmend  Zeneli
Genci  Çifliku
Ilirjan  Celibashi
Mark  Pellumbi
Mirash  Martini
Perparim  Sanxhaku
Saimir  Vishaj
Skender  Kacupi
Sokol  Puto
Theodhori  Sollaku
Virxhil  Karaja
Ylli  Manjani

LISTA ANTAREVE FEMRA

Aurela  Anastasi
Denisa  Daka
Deshira  Subashi
Donata  Lepenica
Elona  Rizo
Enkelejda  Kambo
Erinda  Ballanca
Flora  Gjini
Irena  Reso
Nertila  Qordja
Rezarta  Melo
Shpresa  Bakri
Vadiola  Muço
Zana  Hasko

LISTA ANTAREVE ME NIVEL PERFAQESIMI VETEM NE DY SHKALLET E GJYQESORIT

Alban  Ferizaj
Besmir  Nanushi
Boiken  Bendo
Erind  Germenji
Erion  Semani
Erjon  Kanxheri
Ermal  Nufi
Iv  Rokaj
Ledio  Braho
Sokol  Berberi

Rama ofertë befasuese Bashës: Presim kontributin e opozitës për…

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” dhënë për gazetarin Erli Murati, përveç të tjerave ka folur edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Pyetjes se kujt do t’i takojë ai, PS-së, LSI-së apo do të zgjidhet në mënyrë konsensuale së bashku me opozitën, Rama i jep një përgjigje befasuese.

Ndërkohë që opozita ka dalë nga parlamenti dhe po vazhdon një protestë që duket e gjatë, me synim hyrjen në zgjedhje me një qeveri teknike, Rama “i shkel syrin” asaj, për çështjen e kreut të shtetit.

Ai deklaron për herë të parë, se për zgjedhjen e presidentit nuk do të ketë aritmetikë votash dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të opozitës, në këtë proces.

“Koalicioni do bëjë më të mirën për të zgjedhur një President që t’i rikthejë kuptimin kushtetues, dinjitetin qytetar, paanshmërinë politike, figurës së kreut të shtetit. Patjetër që do të mirëpresim çdo kontribut të opozitës në këtë proces të rëndësishëm, ku përpara aritmetikës së votave duhet të jetë përcaktuese fryma e Kushtetutës së Shqipërisë”, ka deklaruar kryeministri.

Doganat: Po, në Shqipëri kanë hyrë 1120 kontenierë, por jo me lëndë kimike!

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar në lidhje me artikullin e bërë publik dje në mediat italiane, sipas të cilit në vendin tonë kanë hyrë të paktën 1300 kontenierë me lëndë kimike.

Përmes një komunikate për shtyp, Drejtoria e Doganave sqaron se gjatë vitit të kaluar në Durrës me destinacion Maqedoninë kanë hyrë 1120 kontenierë, por që brenda tyre kishte ushqime, dhe jo lëndë kimike.

Më poshtë reagimin e plotë:

Lidhur me artikujt e publikuar gjatë dy ditëve të fundit në media, per tranzitin ndërkombëtar nga Shqipëria, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave informon opinionin publik se:

Për vitin 2016 nga Porti i Durrësit janë trazituar drejt Maqedonisë, nëpërmjet Degës Doganore Qafë Thanë, 1120 tranzite ndërkombëtare me kontenierë.

Nga verifikimet e kryera në deklarimet e përshkrimit të mallrave/artikujve të transportuara në këto  tranzite ndërkombëtare kanë qenë mallra kryesisht ushqimore

Të gjitha këto tranzite kanë kaluar në doganën shqiptare, me Doganë hyrëse Durrësin dhe Doganë dalëse Qafë Thanën dhe këto tranzite rezultojnë të mbyllura në sistemin tonë elektronik brenda afateve të përcaktuara.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka patur ndonjë shqetësim të ngritur nga homologët lidhur me këtë çështje por referuar këtij artikulli ka komunikuar zyrtarisht me doganat homologe në Itali dhe në Maqedoni, dhe pret një konfirmim  zyrtar prej tyre.

Zëdhënësi i Angela Merkel: Thirrjet për dhunë, jo mjet për të imponuar pozicione konfliktuale

Zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel ka reaguar për protestën e opozitës në Tiranë. I pyetur nga gazetarët Steffen Seibert thotë se Gjermania mbështet kursin e reformave të qeverisë shqiptare.

 

Pyetje: Do të doja t’ju pyes edhe për një rajon tjetër, Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë për të qënë më specifik. Për dy javë rresht, opozita ka bllokuar Parlamentin. Lideri opozitar Basha thotë se ka marrë mbështetjen e shumë përfaqësuesve të huaj për të rrëzuar qeverinë e korruptuar të Edi Ramës e për të caktuar një qeveri teknokrate e cila të qëndrojë në pushtet deri në muajin qershor. A është qeveria federale e Gjermanisë një prej përfaqësuesve të huaj që mbështesin këtë pretendim?

Seibert: Nuk jam në dijeni të kësaj deklarate të liderit të opozites shqiptare. Ajo që mund t’ju them është se qeveria federale e Gjermanisë mbështet kursin e reformave të qeverisë shqiptare. Siç e dini, Shqiperia ka ndërmarrë disa hapa drejt një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit gjyqësor. Gjermania asiston dhe mbështet sidomos këtë proces të reformës në drejtësi duke dërguar edhe gjykatës gjermane në misionin EURALIUS. Është në interesin e popullit të Shqipërisë, ku meqë ra fjala shumica e dëshiron këtë reformë, që të ecë përpara në këtë proces. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të gjitha forcat politike punojnë së bashku në Parlament. Nisur nga kjo, qeveria federale e Gjermanise i bën thirrje të gjitha partive politike të Shqipërisë të zbusin mosmarreveshjet politike. Thirrjet për dhunë, që dëgjohen herë pas here, nuk mund dhe nuk duhet të jenë një nga mjetet për të imponuar pozicione konfliktuale politike. /

“Rama o plehër kimike”, Kryeministri pritet me protesta në Shkodër

Kryeministri Edi Rama po vazhdon turin për Vetingun në rrethe ku sot ishte në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

Gjatë leksionit për studentët ai foli për domosdoshmërinë e ligjit të ri të pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve,shkruan Opinion.al.

Ndërsa jashtë ai u prit me protesta. Janë një grup i vogël njerëzish që me pankarta në duar kërkojnë largimin e qeverisë. Ata janë organizuar nga Forumi Rinor i PD-së.

Edhe dy ditë më parë në Elbasan ai u prit me protesta nga studentët e universitetit shtetëror.

Spahiu: Takimi im besa-besë me Sali Berishën – 4 vjet pasi kërkoi arrestimin e tij

Berisha dhe Spahiu gjate takimit ne çadren e PD

Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, deklaron se bashkë me ish-kryeministrin Berisha i kanë lënë pas konfliktet e së shkuarës dhe janë bërë bashkë në kauzën për të rrëzuar Ramën nga pushteti.

Në një intervistë për “Panoramën”, Spahiu shpjegon qëndrimet e forta që ka mbajtur ndaj Berishës dhe arsyet përse ndodhi takimi me të në çadrën e ngritur përpara Kryeministrisë.

Duke folur për takimin me Berishën, ai sqaron: “Ato takime ishin një “besa-besë” simbolike për të vazhduar në një kauzë, e cila lë pas mëritë dhe inatet personale. Mendoj që në politikë, burrat e shtetit duhet të mbyllin disa kapituj personalë dhe të shikojnë përpara në historinë e tyre politike dhe në drejtimin e vendit. Besoj që në spektrin e djathtë ai takim është pritur mirë”.

Sipas Spahiut, atë me Berishën dhe Bashën e lidh edhe ideologjia dhe doktrina politike.

“Kjo ka qenë arsyeja përse Aleanca Kuqezi nuk shkoi majtas. Një lëvizje nacionaliste nuk mund të bashkohej me internacionalistët, me të majtën shqiptare. Lëvizja jonë e ka vendin tek e djathta”- thotë ai.

Kreu i AK-së sqaron edhe përplasjen fizike që ndodhi në çadrën e demokratëve dhe kush janë personat që e porositën atë…

Ja cilët deputetë nga maxhoranca dhe opozita votuan ligjin e plehrave

Voal po kthehet në 23 shtator 2016, kur në Parlamentin e Shqipërisë u votua ligji i plehrave. Shikoni vetë si kanë votuan deputetën e parlamentit të Shqipërisë.

Maxhoranca lejon importin e plehrave, këta janë deputetët që nuk iu bindën Ramës

Maxhoranca arriti të miratojë me 63 vota pro, 26 kundër dhe 4 abstenim projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Pas 10 orë debatesh dhe kundërshtimesh mes deputetëve të maxhorancës e opozitës, Grupi Parlamentar i PS-së me mbështetjen edhe të deputetëve të LSI-së arritën të kalojnë këtë ligj.

Si rrallë ndonjëherë në këto tre vite, shumica ra në nivelin e 63 votave, ku nuk munguan votat kundër apo edhe abstenimet brenda Grupit Parlamentar të PS-së. Deputetët Ben Blushi, Mimoza Hafizi e Dashamir Peza votuan kundër ligjit, së bashku me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Një grup deputetësh i Grupit Parlamentar të PS-së, ndonëse ishin në sallë, nuk morën pjesë në votim. Ndërkohë që deputetet Luljeta Arapi e Klodiana Spahiu vendosën të votojnë kundër vendimit të Grupit të PS-së, duke abstenuar për ligjin e menaxhimit të mbetjeve të integruara. Abstenim për këtë ligj votoi edhe deputeti e kandidati për kreun e LSI-së, Përparim Spahiu.

Teksa shpalli kandidaturën pak ditë më parë për kreun e LSI-së, Spahiu deklaroi se shumë gjëra duhet të ndryshojnë në bashkëqeverisje. Por ligji, ndonëse u deklarua se do të votohej kundër nga Grupi Parlamentar i PD-së, u abstenua nga deputeti Genc Pollo dhe u votua pro nga 19 deputetë të PD.

Sa u takon aleatëve të maxhorancës, Kryeministrit Rama i mungoi aleati i tij në qeverisje, Ilir Meta. Në votimin për ligjin e mbetjeve të integruara mungoi edhe i gjithë Grupi Parlamentar i PDIU-së së Shpëtim Idrizit./Panorama/23 shtator 2016

“Këta janë tre ministrat që janë filmuar me dashnoret te hoteli i Balilit”

Ish-kryeministri Berisha, në një status në “Facebook” shkruan se Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe Ilir Beqja janë tre ministrat që janë filmuar me të dashurat e tyre te hoteli i Klement Balilit.

Berisha i referohet deklaratës së ish-ministrit të drejtësisë Ylli Manjani, dhënë edhe dje për dritare.net, ku tha se ai vetë ka parë videot që gjenden në dosjet e partnerëve ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, emrat e sipërpërmendur janë publikuar nga Berisha në statusin e tij në “Facebook”.

STATUSI

Qeveria e Santa Quaranta-s!apo,

-Qeveri peng e Eskobarit

Pas akuzave te mediave te huaja per;

– Mimi Kodhelin, se ka punuar si femer striptease ne klubet e Athines dhe reagimit te saj me nje fraze te Thatcher e jo me proces penal ndaj autoreve te saj

– Per Ditzi Bushatin, se gjate vizites ne Brazil ka shkuar ne shtepi publike meshkujsh dhe ne vend te procesit penal Ditziu ka qepur gojen

– tani ishministri Manjani leshoi akuzen tronditese se ai ka pare videot e regjistruara nga Eskobari i Ballkanit, ne te cilat kolege te rinj ministra paraqiten ne skena erotike me te dashurat e tyre.

Nderkohe qe ai nuk tregoi emrat e ministrave te filmuar, Saranda dhe Tirana gumezhijne deri dhe me baste ne klube dhe kafene per emrat e Saje qorrit ne krye te listes, Gjiknurit, Beqjes etj etj. Por pavaresisht se cilet jane, dy gjera jane 100% te sigurta.

Se pari Ishministri Manjani, qe ka patur dosjen e dorezuar nga partneret tane thote te verteten me deklaraten e tij. Se ketejmi dhe heshtja e varrit nga ministrat dhe qeveria per kete deklarate l, qe tashme vjen direkt nga sh ministri i drejtesise, se dyti kjo deklarate deshmon se vendi ka nje qeveri, ne te cilen me shume se nje e treta e saj eshte peng i Eskobarit te Ballkanit dhe grupeve e sherbimeve te huaja , qe disponojne videot kompromentuese per ministrat aktual.

I bej thirrje prokurorise se pergjithshme te nise menjehere hetimin per te bere transparence te plote per akuzat per keto afera te anetareve te kabinetit aktual te degraduar te Edvin Kristaq Rames! sb

Mbërrijnë në Tiranë eshtrat e Imzot Vinçens Prenushit

Eshtrat e Vinçens Prenushit, një nga 38 martirët e lumnuar nga Vatikani kanë mbërritur sot në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Eshtrat e At Vinçensit do të qëndrojnë për një javë në Katedralen e Shën Palit dhe më pas do të rikthehen sërish në Durrës.

Imzot Vinçenc Prenushi u arrestua në 1947 nga komunistët në Tiranë e më pas u nis për në Burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars 1949.

Vinçens Prenushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885 në një familje modeste, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve. Ishte eseist, publicist, poet, folklorist e përkthyes, ka përkthyer romane nga Wisman, Sinkieviç, Weber dhe Pelico. Prindët e tij ishin Gjon e Drande Prenushi.

Është pagëzuar me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohur të Troshanit, ku, ju kushtua Urdhrit Françeskan (OFM). Më 25 mars 1908, shugurohet meshtar i Urdhrit Françeskan O.F.M. duke marrë dhe emrin At Vinçenc.

Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; “Visaret e Kombit”. Ky botim pati një jehonë të gjerë në vend, por sidomos në emigracionin shqiptar.

Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit Perëndimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën e sotme.

Procesi i beatifikimit të imzot Vinçenc Prenushit dhe 37 martirëve të tjerë shqiptarë, që tashmë gjenden në Kongregatën përkatëse të Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, ka filluar më 9 nëntor të vitit 2002 në Kishën katedrale të Shkodrës, në pranin e kardinalit Sepe, aso kohe prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.

Kthim në identitet, shtëpia e Çajupit do t’i nënshtrohet restaurimit

Një ekip i Ministrisë së Kulturës ka realizuar një vizitë në Sheper të Zagorisë, për rilevime në shtëpinë e Andon Zako Çajupit, ku thuhet se ky objekt është përshtatur për shkollë dhe një pjesë e ndërtesës pothuaj nuk përdoret.

“Më tej do të pasojë projekti pasi ndërtesa ka nevojë për restaurim, por edhe për kthim në identitet. Shtëpia e Andon Zakos, është monument i kategorisë I, shpallur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me Urdhër Nr. 412, Datë 18/09/2003″, njofton ministria e Kulturës.

“U mrekulluam jo vetëm me bukuritë e natyrës e të fshatit, por sidomos me mikpritjen e këtyre njerëzve kaq bujare që kanë vendosur të jetojnë aty edhe pse nuk është e lehtë”, thuhet më tej në njoftim.

Tiranë, protesta e opozitës në ditën e 11-të

Gjatë fjalës së tij, kreu i opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka përsëritur kërkesat për krijimin e qeverisë teknike dhe dorëheqjen e qeverisë aktuale

TIRANË – Protesta e opozitës në Tiranë ka hyrë në ditën e 11-të, ndërsa sot asaj i janë bashkuar organizatat që mbrojnë të drejtat e pensionistëve, por edhe organizata të tjera të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalës së tij, kreu i opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka përsëritur kërkesat për krijimin e qeverisë teknike dhe dorëheqjen e qeverisë aktuale.

“Shqiptarët janë në këmbë, shumica është në këmbë. Në Republikën e qytetarëve të thjeshtë, e sipërmarrësve, të papunëve, do të kenë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre duke gjetur punë në një ekonomi të re, plot shpresë dhe energji, ku mundësitë janë të barabarta para ligjit”, është shprehur Basha gjatë fjalës së tij në protestë.

Protestës së opozitës gjatë ditëve të fundit i janë bashkuar edhe disa organizata të shoqërisë civile, ish-të përndjekurit politikë, etj, që janë bërë pjesë në çadrën e vendosur para selisë së Këshillit të Ministrave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Protesta filloi më 18 shkurt, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë aktuale, drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me “thirrjet për veprime të dhunshme” që janë bërë në protestë, për të vërtetuar nëse kreu i opozitës, Lulzim Basha ka konsumuar elementë të veprës penale.

Zheji: “Çfarë po ‘gatuan’ Meta, prapavija e tij politike që po tremb Edi Ramën”

Duke analizuar situatën e fundit politike dhe raportin Rama-Meta, analisti Artur Zheji shkruan se “Meta është në kulmin e një pune që ai dëshiron të mbetet enigmë. Si ata skulptorët që nuk e rrëzojnë çarçafin e skulpturës së tyre, deri në përfundimin e saj, edhe ai ka vendosur ta mbajë të mbuluar më çarçaf surprizën e tij”.

Në një opinion në 360gradë.al, Zheji, teksa analizon daljen e fundit të kryeparlamentarit dhe kreut të LSI-së, Meta në “Zonë e Lirë” e Arjan Çanit, shkruan se “Meta ishte demoralizues, edhe kësaj rradhe në kulmin e protestës opozitare, për të gjithë ata që prisnin dhe presin një shenjë sado të vogël, që Koalicioni PS-LSI, mund të shkërmoqet përpara 18 Qershorit”.

Sipas tij, Meta kishte zgjedhur strategjinë që ka ca kohë që e sendërton në media, Zero informacion në lidhje se çfarë gatuan politikisht në të vërtetë dhe Zero tolerancë ndaj provokimit gazetaresk.

“Nga ky qëndrim, Ramës, i duket dhe ai ka filluar të mendojë se koha po punon edhe njëherë për të. Madje në ndarjen e tapive në Vlorë, tapi-marrësit, për pak nuk i puthnin duart, Tapidhënësit kryeministër dhe premtonin me zë të lartë se do të votonin Partinë Socialiste që u ndryshoi jetën. Dhe kryeministri i tejngopur me bekime hallexhinjsh, të sinqertë, dinakë apo shpirtzhuritur, u thoshte që të: “falenderonin qeverinë dhe jo Partinë Socialiste”. Dhe ata ja kthenin: “Po qeveria e Partisë Socialiste është zoti kryeministër!” dhe ai qeshte para nja dhjetë kanaleve Tv që e jepnin live në network kombëtar, duke harruar se qeveria e ka edhe një ose dy parti të tjera që e mbajnë në këmbë…”- shkruan Zheji.

Ai thekson më tej, se edhe duke ndarë tapitë e qeverisë së Partisë Socialiste, Rama, në fushatë si kryeqeveritar dhe si kryepartiak, qeshte dhe gëzonte me të madhe!

“Dukej shumë i lumtur nga deklaratat e Metës dhe demoralizimin që ato shkaktojnë te kundërshtarët e tij politikë, kudo ata ndodhen, Në PD, në PS, te Libra, te Zgjidhja apo dhe vetë te LSI. Muri i padepërtueshëm i Ilir Metës te Çani, por jo vetëm, gjithësesi e tremb edhe Ramën, sepse Zero Informacioni nga prapavija e tij politike, që jep Meta në media, por sigurisht edhe në takimet kokë më kokë që bën me të, demoralizon pa dyshim edhe vetë Ramën”- thotë Zheji.

Intervista – Manjani: Si më shkarkuan Rama e Meta. Pashë video të ministrave me dashnoret e tyre te hoteli i Balilit

Ylli Manjani në intervistën e parë televizive, pas shkarkimit si Ministër, ndaloi në çdo detaj të largimit të tij nga posti i Ministrit të Drejtësisë, duke pranuar se shkarkimin ia komunikoi Ilir Meta.

Vetë Manjani nuk ka pasur asnjë kontakt me Edi Ramën, as për dorëheqje, as për shkarkim.

“Misioni im, si ministër, ishte vetëm një, të vendos standardin e sjelljes publike të ministrit”- tha Manjani në Dritare me Rudinën.

“Këtë mandat më dhanë dhe ndoqa strategjinë të kryej mandatin dhe përgjegjësinë që më vendosën, standardin e një ministri. Ministri është autoritet publik dhe që nuk nënshtrohet kollaj, pa argument. Ministri propozon, debaton.”

Manjani vazhdon: “Meta më bëri të ditur situatën e vështirë që kishte krijuar standardi im si ministër në raport me kryeministrin dhe më tha se mund të zëvendësohesha dhe unë rashë dakord. LSI gjykon më mirë se unë.

Metës do ia jepja në çdo çast dorëheqjen, por jo Ramës. Unë nuk kisha kryer asnjë krim. Ndaj refuzova dorëheqjen dhe dola fola. Duhej të flisja, sepse nuk u hoq drejtori i burgut te Vaqarrit, por Ministri i dytë i Drejtësisë, pas Naços.”

MANJANI: KAM PARE VIDEOT E MINISTRAVE ME TE DASHURAT E TYRE TE HOTELI I BALILIT

Ylli Manjani i qëndroi dhe e përsërit deklaratën e tij në lidhje me videot e ministrave me të dashurat në hotelin e Klement Balilit.

“Po, më ka rënë në dorë dhe ishin të shërbimeve sekrete,” -tha ai, duke pranuar se nuk do të fliste për to, por për faktin se nuk qe ai përgjegjës për moskapjen e Balilit, por policia e shtetit.

Ka një datë, 17 maji 2016, kur Interpoli lëshoi urdhër-arrest. Interpol Albania ka pasur dhe ka detyrë ta arrestojë. Policia nuk e ka arrestuar dhe policia mos t’i bjerë anash sepse janë alibi që nuk justifikohen. Jam i vetmi zyrtar që kam kërkuar sistematikisht arrestimin e Balilit. Arrestimin e bën policia, e bën Ardian Çipa. Policia u mundua t’i hedhë fajin prokurorisë por, ishte faji i saj, i policisë së shtetit.”-tha Manjani në Dritare me Rudinën.

/dritare.net

E kaluara e tashme dhe totalitarizmi i sotëm i kamufluar Nga: EDA ZARI

Sapo kisha mbushur 18 vjeç. Para se të ndodhte vrasja e tim vëllai (Ilirian Zari, vrarë në kufi në moshën 30-vjeçare, më 3 shkurt 1990), kurrë nuk kisha shpenzuarasnjë çast të jetës sime për të kuptuar stilin e të menduarit njerëzor në rrethana totalitare. Nuk më kishte ballafaquar vetja me pyetje të natyrës: “Çfarë ndodh me sjelljen e një individi, një grupi apo të një klase të caktuar njerëzish, teksa me ndërgjegje ushtrojnë mbi shoqërinë pushtet të pakufishëm?” Ky sundim, përveç se përcaktonte vlerat e njeriut, diktonte intimitetin dhe mendimin e secilit në sfera të ndryshme jetësore. Më keq akoma, merrte vendime të të zhdukte sa hap e mbyll sytë brenda natës. Vallë, sa sundimtarë ndjeheshin kur përzgjidhnin serbes (pasi kishin larë duart në enën e pafajësisë, duke e justifikuar veprimin me detyrën që kryenin) se kush qe miku dhe kush armiku i radhës që duhej eliminuar? Apo, më konkretisht, me cilën ndërgjegje morale flinin komandantët e postave kufitare, kur qëllonim mbi civilët që tentonin të shkelnin kufijtë e “shenjtë”? (E lëmë mënjanë këtu nivelin arsimor apo moral të ushtarëve të kufirit, të cilët, në të shumtën e rasteve, ishin ushtarë që sapo kishin mbaruar arsimin tetëvjeçar).

Po oficerët e Sigurimit, hetuesit, gjykatësit, prokurorët, përgjuesit, ndëshkuesit, policët, inspektorët e organeve të ruajtjes së rendit në atë kohë? Sa e justifikueshme është të dilet sot, si dikur, me parullën: “Ne bënim atë që na kërkonte autoriteti dhe ligji përkatës”? Ishte vërtetë e domosdoshme, që këta njerëz të zgjidhnin këtë veprim, duke fikur mijëra jetë civilësh, përmes ekzekutimeve pa gjyq në kufi, si im vëlla, apo nëpër burgje, nëpërmjet gjykimeve të padrejta dhe në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare të njeriut, përmes torturave e më pas persekutimit të individëve, apo familjeve që lanë pas? Ç’të mirë personale u sillte zbatimi i një ligji çnjerë- zor? Apo flasim këtu për arsye praktike? A nuk është kjo praktikë, e cila në kurriz të jetës së një njeriu, u solli avantazhe personale? Faktet tregojnë se individëve të tillë, shërbyes të sistemit të dikurshëm, u ka rënë për detyrë të vijojnë maksimën e totalitarizmit. Dje, dikush ishte agjent apo hetues, sot është pedagog i së drejtës apo gjyqtar në një gjykatë shumë të lartë. Kjo nuk është thjesht “ironi e fatit”, kjo është teknika e së “keqes banale”, që u lejon atyre dhe sot e kësaj dite të veprojnë deri në instancat më të larta të së drejtës, të prirur nga sëmundja profesionale e praktikave të një sistemi totalitar. Kjo sjellje është një përmbysje e teorisë së “Imperativit Kategorik” të Kant-i, që thotë: “Vepro sikur maksimat e veprimeve të tua do të ktheheshin, përmes vullnetit tënd, në ligj universal. Vepro në mënyrë të atillë që njerëzimin, qoftë përfaqësuar nga vetja jote, qoftë nga dikush tjetër, ta trajtosh jo si mjet në dobi të një përfundimi, por gjithmonë si qëllim.” Si rrjedhojë, personat që dikur kanë pasur bindje dhe kanë kryer veprime totalitare, edhe në një rend tjetër shoqëror kanë për të vijuar të sillen si në realitetin totalitar.

Mirëpo, si duhet vepruar, kur vetë ligji është kriminal? Më së fundi, këta njerëz çfarë zgjodhën të bëjnë kundër krimit komunist, kundër atij sistemi totalitar? Këtu më vjen në mendje Hannah Arendt, e cila te “Banaliteti i së keqes – Eichmann në Jeruzalem”, ndër të tjera, thotë: “(…) këta njerëz nuk patën mundësi t’i bënin rezistencë sistemit, megjithëse mundësia e tyre e vetme ishte të mos bënin ASGJË”! Arendt më ndihmon të shtroj pyetjen: përse njerëzit e zakontë u përfshinë në krimet e komunizmit? Burokratët pranuan me vullnet të lirë, shijuan privilegjet e postit, thurën lavde dhe i rrahën shpatullat njëri-tjetrit sa herë që dekoratat e sistemit izolues dhe diktatorial shkëlqenin në xhaketat a uniformat e tyre. Me dashje, ata u përgatitën nga aparaturat e pushtetit totalitar dhe, si rrjedhojë, u deformuan moralisht në formë sistematike. Morali mbi bindjet, veprimet, sjelljet e këtyre pseudo-intelektualëve, dhe gjithmonë pseudo-njerëzve, neglizhenca për t’u ndërgjegjësuar për konceptin e lirisë njerëzore, shërbimi gatu-tu pro së keqes, u bë rutinë e punës së tyre të përditshme. Gjithsesi, veç këtyre konstatimeve tron- ditëse, ka diçka edhe më tragjike. Është tragjike se si shoqëria jonë, si në të kaluarën, por edhe SOT, anashkalon me urti artificiale këtë banalitet, duke na gostitur klishenë e ilaçit të famshëm, “KOHA”, sepse vetëm ajo mund të shërojë plagët përmes shiringës së harresës! Kjo është keqësia moderne! Kufiri i Shqipërisë përbëhej, në anën ku kjo kufizohej me Jugosllavinë, nga 176 piramida kryesore dhe 1254 të ndërmjetme, kurse në anën e kufizimit me Greqinë kishte 177 piramida kryesore. Im vëlla, Iliri, bashkë me vëllanë tjetër, Agimin, si dhe një person të tretë, në shkurt të vitit 1990 u rreshtuan në radhët e atyre pionierëve të cilët guxuan të tentonin për të përqafuar lirinë. Iliri, si dhe qindra të tjerë gjatë po atij viti, u fik pranë njërës prej atyre 353 piramidave kufitare të Shqipërisë. Sa herë flitet apo shkruhet për vrasjet në kufi të vitit 1990, sa herë kërkohet të provohet persekutimi dhe tmerret e komunizmit, shoh se si fotografia e tim vëllai është e para që ilustron makabritetin.

Një jetë e fikur, rënë në baltë, hetuesi, prokurori dhe dy ushtarë me duar në xhepa, bëjnë sehir me qesëndi e krenari kufomën e tij. [figura 1] Sot, në shkurt të vitit 2017, plot 27 vjet më pas, mes shumë dokumentesh, shoh për herë të parë pikërisht këtë foto, si dhe 7 fotografitë e tjera që përmban dosja e “Shërbimit Kriminalistik”, pjesë e vendimit të çështjes penale ngritur në ngarkim të vëllait të mbijetuar, që u arrestua natën e tentativës për arratisje. Lexoj deklaratat e dy ushtarëve që kryen vrasjen: “Unë jam ushtar i vitit të parë. Unë dhe A. qëlluam në drejtim të tij. Meqenëse e goditëm, ai u rrë- zua dhe tha: “O, më vratë”. Mbasi u sigurova se ai kishte vdekur, unë kalova në bllokim të kufirit, që të mos kalonin ata dy të tjerët.” Vazhdoj, me dridhje, të lexoj protokollin e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit Kolonjë, ku thuhet: “…ka të dhëna të mjaftueshme për veprën penale “Tradhti ndaj atdheut”.” Një tjetër proces-verbal, i mbajtur nga hetuesi i Degës së Ersekës, nënshkruar nga një pensionist nga fshati Starje, thotë: “…në këtë kohë dëgjova një trokitje në xham … duke dyshuar se mund të ishte nga ata personat që kërkoheshin, i thashë hajde brenda. (…) Unë dyshova, ndaj i thashë vajzës të shkonte të thërriste djalin tim. (…). Djali erdhi, e pas tij erdhi dhe njësiti i fshatit dhe e morën (Agimin).” Kaloj nëpër duar emra hetuesish, prokurorësh, gjykatësish, vendime gjyqë- sore, kontrollin e banesës… Më shfaqet i tërë filmi kur erdhën dhe na çarçavitën gjithë shtëpinë, pikturat e Lirit, poezitë e tij, përmbysën gjithë bibliotekën, divanet, dollapin e shtresave të gjumit, deri dhe sendet intime vetjake, kujtoj edhe shkopinjtë e gomës në kurrizin tim gjatë hetimit në Degën e Punëve të Brendshme të Tiranës, shenjat e të cilëve shkërmoqën shpirtin e tim ati, a thua se nuk qe i mjaftueshëm lajmi i rremë se ia kishin vrarë të dy djemtë në kufi… Marr guximin dhe nis të lexoj, për të parën herë, “Akt Kqyrje Mjeko-ligjore”, e cila përshkruan ekzaminimin e parë të kufomës së qytetarit Ilirjan Zari, e më pas përshkrimin e këqyrjes së brendshme të kufomës… A ka Zot, a ka Perëndia fuqi t’i japi një motre kaq forcë, sa të lexojë një autopsi? Çarje e diafragmës, shkatërrim i brinjës së parë dhe të dytë, shkatërrim i plotë i pulmonit të djathtë, shkatërrim i plotë i vertebrës së pestë torakale dhe prerje e palcës. Shkaku i vdekjes: hemorragji akute dhe insuficiencë respiratore pas goditjes me armë zjarri… Një autopsi e detajuar disafaqëshe, rutinë. Por jo me motivin për të gjetur fajtorin që kishte qëlluar padrejtësisht. Po më pas, ç’u bë me këtë trup, me këtë trup që e priste jeta, dashuria, telajot e së ardhmes që kurrë nuk gëzuan ngjyrat e jetës së tij? Jo, nuk mbaron këtu. S’ka trup, s’ka varr, s’ka protokoll, s’ka asnjë gur për prindërit dhe ne ku të përgjunjemi. Vetëm rropatje, sorollatje, tallje, përçmim. “Ejani pas 15 vitesh, ishte armik i atdheut. Mos e kërkoni…”. Në çantën e Ilirit ndodhej një pincë, një kaçavidë, ca libra dhe një aparat fotografik. Ky qe armiku i atdheut. Lirinë dhe artin tim ia kam borxh guximit të tij prej artisi ëndrrashumë. [figura 2] Kthehem pas, në të sotshmen. Mbledh arsyen dhe pyes: Cili është “zeitgeist-i” i sotshëm për konceptin e një shoqërie të lirë? Cili është angazhimi i ligjeve ndaj pasojave që i shkaktuan burokratët e dehumanizuar një brezi të tërë, brez që mori udhët e botës, për të qenë i lirë? Dikur, në gjysmën e parë të viteve ’90, në Shqipëri u bënë një seri gjyqesh pothuaj show, të cilët shpejt u emërtuan nga njerëzit e thjeshtë si “gjyqet e kafeve”. Përfundimi i tyre ishte dënimi i disa prej funksionar- ëve të lartë të shtetit të viteve 1945-1991 për “shpërdorim detyre” (paçka se organi i akuzës u përpoq të provonte se të akuzuarit kishin kryer krime kundër njerëzimit dhe të drejtave themelore të njeriut).

Të dënuarit që ende vuanin dënimin më 1997, u lanë të lirë me amnistinë e përgjithshme të atij viti. Një nga të dënuarit me burgim të përjetshëm (përfitues i amnistisë) apeloi vendimin, u shpall i pafajshëm, dhe jetoi “ballëlart” para shoqërisë, i shfajësuar nga çdo shkelje ligjore. Mirë, e dimë, drejtësia në Shqipëri ka shumë thyerje e kthesa. Po drejtësia sociale, shoqëria, njerëzit, ata që ia kishin dalë të jetonin ende si njerëz, ku ishin? Dhe, ca më keq, ku janë? Sa e aftë është shoqëria shqiptare për të kërkuar drejtë- si sociale sot? Jo drejtësi duke pasur parasysh vetëm “kokat e mëdha” të totalitarizmit, por ata të tjerët, ushtarët e vegjël, burokratët, hallkat e vogla të zinxhirit apo ingranazhet e makinerisë së madhe. Edhe nëse përgjegjësia ligjore është e vështirë apo e pamundur të faktohet, drejtësia sociale është e arritshme dhe duhet të zbatohet! Qeveria e viteve 1992-1996 hartoi dhe zbatoi, aq sa mundi, një ligj të posaçëm për lustracionin, i cili ndalonte nga pozitat e vendimmarrjes çdo individ që faktohej se u kishte shërbyer organeve të ushtrimit të dhunës në Shqipërinë e periudhës 1945-1990. Një komision me qëllim të ngjashëm funksionoi pas vitit 1997 deri në fillim të viteve 2000. Subjekt i komisionit përkatës, gjithsesi, ishin individët e emëruar në pozicionet e larta qeverisëse.

Me gjithë zhurmat e njëpasnjëshme, asnjë forcë politike nuk pranoi rivendosjen e një ligji për lustracionin, kurse Gjykata Kushtetuese, haptazi në konflikt interesi, e përbërë edhe nga individë që lustracioni i përjashtonte nga pozita që kishin, më 2012 e shpalli antikushtetues ligjin e propozuar. Kurse sot, prej ca pak muajsh, kemi një Autoritet specifik për informimin me dokumentet e ish-Sigurimit. Informim, shumë mirë. Por si do të zbatohet, ligjërisht, rasti kur evidentohet bashkëpunëtori i dikurshëm? Si do të veprohet kur lehtësisht faktohet se hetuesi i para 27 viteve është gjykatës sot? Duket se organet qeverisëse nuk i rëndon ky shqetësim. Veprimi mbetet në ndërgjegjen e shoqërisë (në ekziston ende një e tillë). Duke pranuar të jetonin me të keqen dhe/ ose prej së keqes, një grup shoqëror jo i vogël njerëzish u dehumanizua gjatë regjimit totalitar. Sot këta njerëz, pavarësisht shkallës së tyre të implikimit me të keqen, janë pjesë e integruar në shoqërinë tonë shqiptare, apo në shoqërinë globale në përgjithësi. Mirëpo, a mund të ecet në rrugë, të jetohet normalisht si qytetar, si profesionist, si njeri, duke pasur ende në pozita vendimmarrëse të cilitdo nivel këto qenie njerë- zore, dikur të dehumanizuara? A mund të jetojë normalisht dhe e shëndoshë një shoqëri e cila ka harruar të kërkojë ndjesë dhe të reflektojë për krimet e drejtpërdrejta, për pjesëmarrjen apo për moskallëzimin e krimit? Diktatura as erdhi, as qëndroi në fuqi e vetme. E sollën dhe e mbajtën në pushtet jo vetëm ata që qeverisnin, por edhe ata që shërbenin. E keqja banale është ende mes nesh!
Ekskluzive për “GSH” * Shkurt 2017, Düsseldorf

Kam punuar 40 vjet – pse duhet të jem e varfër ?! Nuk bëj dot”URRAAA”, kur vuajtja e mjerimi po na çojne drejt VDEKJES!!! Nga Ajtanga Lubonja

Dikush (qe nuk e njoh kush eshte me kish shkruar:

“nuk po te shaj se keto qe shkruan, i ke si refleks i moshes”

…dmth sipas tij qenkam budallallepsur!

Ndoshta, ne keto kohe qe ka ardhur te quajne budalla kur nuk shkon ne rrjedhen e çmendurise

(qe keto lloj monstrash e quajne MENCURI!

Une vertet jam e “VARFER”,

po ketu eshte difekti i SHTETIT…

kam punuar 40 vjet pa u shkeputur nje dite nga puna e shtetit!

Pse duhet te jem e varfer,

pse duhet te vuaj per buken e gojes!

Cili nga pushtetaret e politikanet ka punuar me shume se une!?

Ah po ata mendojne si te eci vendi perpara…

HIPOKRIZI!

S’me hiqen nga mendja ai çifti 84 vjeçar, qe ju kane prere energjine

dhe une po pres te vine te ma presin…

nuk e paguaj dot faturen!

Dhe shikoj duart qe me jane shtremberuar nga osteoporoza…

ta enderroj nje pike uje te ngrohte…!

Me thoni, a kam rreshkitur sado pak nga realiteti!

Po nuk bej dot “URRAAA”, kur vuajtja e mjerimi po na çojne drejt VDEKJES!!!

Berisha: “Kush është zyrtarja që pagoi 10 mijë euro për të mos i publikuar video-skandalin”

TIRANE– Ish- kryeministri Sali Berisha ka publikuar në “Facebook” mesazhin e një qytetari dixhital i cili denoncon një emision investigativ për gjobëvënie. Sipas qytetarit, drejtoresha e shkollës se mesme të Fushë Krujës u filmua nga emisioni investigativ duke marrë 300 euro, por emisioni nuk e nxori filmimin kundrejt një ryshfeti prej 10 mijë eurosh që i pagoi drejtoresha.

Gjithashtu Berisha shkruan se qytetari dixhital denoncon edhe kryebashkiakun socialist të Krujës, Artur Bushi si të përfshirë në prostitucion dhe plagosje.

Statusi i Sali Berishës në “Facebook”:
Qytetari dixhital denoncon:
-Artur Bushin si te dënuar per trafik droge e prostitucioni ne Itali
-plagosje me arme zjarri ne Itali te Kastriot Zalles
-Korrupsionin, gjobvenien nga emisioni “Fiks”. Kështu ai shkruan:
“Drejtoresha e shkollës se mesme te Fushe Krujës u filmua nga Fiksi duke marre 300 euro por Fiksi nuk e nxori filmimin kundrejt një ryshfeti, gjobe prej 10 mije eurosh qe i pagoi drejtoresha! sb
“Respekt z doktor e lider i demokracisë ne vendin tone. Dua te mbetem anonim por dua tju përcjell një shqetësim. z Artur Bushi pasi u amnistua nga Rilindja për krimin e prostiuticionit e te burgut për trafik droge e te plagosjes se qytetarit Kastriot Zalla ne Itali për motive prostitucioni. Vajza me emrin Bruna nga ferma Sukth mbese Thumane akoma është prostitute. Ajo mbahet trotuareve te Italisë nga vëllai i z Artur Bushi Partizan Bushi. pra nga tutori Artur nga vëllai tutor partizan . Para disa ditësh drejtoresha e gjimnazit ne Fushe Kruje u filmua qe merrte 300 Euro për një nder për mos tu nxjerre ne emisionin fiks fare ndërhyri Artur Bushi duke e shkarkuar e duke e zëvendësuar me drejtor tjetër e zonja ne fjalë si këmbim pagoi 10 mije euro ne këmbim te këtij nderi.

Basha: Liria sot e kërcënuar nga diktatura e krimit

Në Tiranë, protesta e opozitës hyri sot në ditën e 11. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi para ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, se sot liritë qytetare po kërcënohen përsëri.

“Sot jemi këtu si pjesë e një vendimi të madh popullor për t’i thënë Edi Ramës që e vetmja mënyrë për të rikthyer normalitetin në këtë vend është largimi yt dhe një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme,” tha zoti Basha.

Zoti Basha tha se liria sot po kërcënohet jo nga diktatura ideologjike, por nga diktatura e krimit, sepse qeveria po shkel Kushtetutën dhe ligjet për të mbrojtur kriminelët që e sollë në pushtet. Por drejtuesit e qeverisë janë shprehur se protesta e opozitës po pengon reformën në sistemin e drejtësisë. Po sot u regjistrua nga prokuroria një procedim penal ndaj zotit Basha lidhur me thirrjet për dhunë e mosbindje drejtuar protestuesve në tubime të mëparshme.

Thirrjet për luftë, nisin hetimet ndaj Bashës

Pas kallëzimit të policisë, prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Akuza zyrtare e ngritur ndaj tij është “thirrje publike për kryerjen e veprime të dhunshme” dhe ka të bëjë me deklaratën që lideri demokrat bëri gjatë ditës së premte nga çadra e protestës së opozitës .

Sipas prokurorisë, regjistrimi i procedimit është bërë pas referimit të kallëzimit nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Basha bëri thirrje publike për thyerje xhamash e shpim gomash ndaj zyrtarëve të shtetit.

Basha do të hetohet në ditët në vazhdim.

New York Times: Shqiptarët thonë se hapja e dosjeve është shumë vonë

“Ndërkohë që Shqipëria bën llogaritë me të kaluarën komuniste, kritikët thonë se është shumë vonë”.

Ky është titulli i një shkrimi të gazetës New York Times, e cila trajton përpjekjet e Shqipërisë për të zbardhur të kaluarën e hidhur diktatoriale, transmeton KJ.

Në qendër të shkrimit janë përpjekjet e kësaj qeverie për të hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit, përmes një komisioni të posaçëm.

“Kryeministri Edi Rama, 52 vjeç, thotë se kjo përpjekje, rezultat i një ligji të vitit 2015 të mbështetur prej tij, do të ndihmojë për të mbyllur dhe zvogëluar spekulimet nëse zyrtarët e sotëm kanë përfituar nga lidhjet e tyre me epokën komuniste. Por kritikët thonë se këto masa nuk kanë substancë dhe janë projektuar kryesisht për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë jashtë vendit. Ata vërejnë se shumica e dosjeve janë shkatërruar shumë kohë më parë, dhe se nuk ka një proces të qartë se si të trajtohen ish-bashkëpunëtorët”, shkruan gazeta.

Nikolin Kurti, nipi i At Shtjefën Kurtit, thotë për gazetën se Hajredin Fuga, njeriu që firmosi ekzekutimin e xhaxhait të tij, më vonë u bë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse këto dosje do ishin hapur në vitin 1992, ai nuk do ishte bërë gjykatës,” thotë Kurti.

Kurti mori vetë një buldozer dhe nisi të bënte gërmime pranë malit të Dajtit në vitin 2010, për të zbuluar trupin e xhaxhait.

Ai zbuloi 21 skelete, që u dërguan në zyrën e mjekësisë ligjore.

Kurti pagoi për analizën e ADN-së së një skeleti ku kishte dyshime, por nuk rezultoi të ishte xhaxhai i tij.

Dy vjet më vonë ai gjeti një dokument ku thuhej se trupi i xhaxhait i ishte dhënë universitetit mjekësor për autopsi nga studentët.

“Kjo duhej të ishte bërë 25 vjet më parë,” thotë Kurti.

Ndërkohë analisti Fatos Lubonja thotë për gazetën se ai nuk është optimist.

66-vjeçari thotë se nëse qeveria kërkon vërtet pajtim me të shkuarën, duhet të kishte ofruar amnisti për dëshmitarët ose edhe autorët e dhunës politike, në shkëmbim të informacioneve se ku janë varrosur trupat.

Sipas Lubonjës, të dy partitë kryesore në vend, PD dhe PS, kanë qenë të komprometuara gjatë periudhës komuniste.

“Në vend që të përdornin dosjet si mjet për të zbardhur të vërtetën, ato i përdorën si armë shantazhi për të sulmuar kundërshtarët si bashkëpunëtorë. Kjo është një betejë mes bandash, që përdorin çdo armë në dispozicion kundër njëri-tjetrit,” tha Lubonja.

“Këto përpjekje mund të kënaqin qeveritë perëndimore, por një llogaridhënie e vërtetë duhet të vijë nga vetë shqiptarët. Në Perëndim, këto tema shihen si një shenjë se diçka pozitive po ndodh në vend. Turpi nuk duhet të na vijë nga jashtë. Duhet të vijë nga vetë populli ynë”, thekson Lubonja.

Ushtria shqiptare në luftën kundër ISIS-it

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka prezantuar përpara Komisionit Parlamentar të Sigurisë ligjin për prezencën e ushtarakëve shqiptarë në luftën kundër ISIS. Kodheli tha se ushtrinë shqiptare në frontin kundër xhihadistëve e ka kërkuar SHBA.

“Ligji i ri parashikon prezencë ushtarake në luftën kundër ISIS. Prezenca e trupave ushtarake është kërkuar nga SHBA”, u shpreh Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes tha se ushtarakët shqiptarë do vijojnë të jenë prezentë edhe në Afganistan. “Kemi dyfishuar prezencën tonë ushtarake në Afganistan përkrah NATO-s, në funksion të paqes”, u shpreh Kodheli.

A e bëri fjalimin e Bashës me thirrje për ‘luftë’, Zheji tregon sekretin

Pas fjalës së kreut të PD-së, Lulzim Basha me thirrje për luftë kundër qevrisë dhe zërave se fjalimi mbante dorën e Artur Zhejit, reagon analisti.

Në një shkrim në 360grade.al, Zheji shkruan se në ethet e frikës që po shkakton rritja e figurës së Lulëzim Bashës në politikë, është rritur përpjestueshmërisht edhe sulmi ndaj tij në të gjitha pikat e mundshme.

“Për të qetësuar shpirtrat e sëmurë nga frika ”Basha”, po u jap një thelë mediatike, atyre që merren akoma me vitin 2011, sikur bëjnë ndonjë zbulim. E pra, kam qenë këshilltar i Lulëzim Bashës, në fushatën e vitit 2011, sepse isha i tmerruar, si edhe shumë shqiptarë që kishin sy dhe të paktën mbi 5 gr tru e sipër, nga projekti i frikshëm i kullave shumëkatëshe që paraqiti Rama asokohe. 7 apo 8 kulla gjigande te Liqeni artificial i Tiranës, dhe rreth 10 kulla të tjera në qendër tëTiranës, të cilat i konsideroja vdekje prurëse për kryeqytetin”- shkruan Zheji.

Ai sqaron se ka qenë ideatori i Moratoriumit të ndërtimeve në Tiranë dhe për gëzimin e tij kjo ide u pëlqye dhe u përqafua nga Basha!

“Dhe Basha, Moratoriumin shpëtimtar të kryeqytetit, e mbajti 4 vite dhe pothuajse deri në fund të mandatit si kryetari i Bashkisë së Tiranës. Jam pra, krenar që kam dhënë një kontribut të vogël, në mosmbytjen e Tiranës nga helmet, që shkaktojnë mbipopullimi dhe ndërtimet përbindëshore të ideuara nga Rama i asaj periudhe”- shkruan ai.

Ai u shton “zbulimeve” edhe sekrete të tjera: “Kam këshilluar Ramën në vitin 2003, në konfliktet me ish kryeministrin Fatos Nano dhe sidomos në fushatën e vështirë të vitit 2007, për kryetar bashkie për herë të tretë në Tiranë. Sepse bëja pjesë ndër ata njerëz që nuk donin që të gjitha pushtetet, e pra edhe Bashkia e Tiranës, të binin në dorën e kryeministrit, në revansh të paparë të asaj kohe Sali Berisha. Rama na premtonte një kryeqytet të jetueshëm, por miliarderët e ndërtimeve ishin më të fortë se ai dhe kryetari fitimtar i vitit 2007, Edi Rama, i shkeli të gjitha marrëveshjet me shoqërinë civile”- shkruan Zheji.

Ai thotë në fund se nuk ka asnjë ftesë nga stafi i liderit të Opozitës, për të qenë pjesë e ndonjë bordi këshillimi si strategjist politik. “Në rastin më të parë, që të vijë një kërkesë e tillë dhe nëse gjykoj se duhet pranuar, do t’ua bëj me dije”- thotë ai.

Armando Prenga dorëzon mandatin e deputetit

Deputeti në hetim i Partisë Socialiste, Armando Prenga dorëzon vetë mandatin e deputetit pas debateve të fundit në lidhje me heqjen nga ana e KQZ-së.

Prenga është nën hetim që prej vitit të shkuar për shkak se akuzohet se ka shtënë me armë ndaj fisit Çalja në lagunën e Patokut në Lezhë.

Heqja e mandatit të rij u kthye në “mollë” sherri mes KQZ-së dhe prokurorisë.

Basha rrit tonet: E kemi ushtrinë për të varrosur republikën e krimit

Në ditën e nëntë të protestës së PD-së, kundër qeverisë, kreu i demokratëve nga çadra e protestuesve ka qenë i rrethuar nga artistët, që iu bashkuan sot protestës.

“Jam këtu me ajkën e kombit, jo më kot në këto 9 ditë të përballjes e protestës këtu në sheshin e lirisë, krah për krah më qytetarët, PD, aleatët janë njerëzit e elitës së kombit. Sa herë që futet në panik ulet e drejton me banditët, forca e tij janë banditët llumi i shoqërisë, forca jonë janë elita, artistët, pedagogëve, më e mira që ka prodhuar ky komb”-tha Basha.

Sipas tij, deri në 18 shkurt frika si instrument sundimi mbizotëronte në popull dhe kokoshi krekosej me arrogancë.

“Prej 18 shkurt nuk po gjen vrimë ku të fusë kokën, ekuacioni ka ndryshuar populli nuk ka më frikë, e ka vrarë frikën e ka kuptuar se nuk ka pse të ketë frikë nga një pakicë që përfaqëson llumin, frikë duhet të ketë Rama dhe banda e tij”- tha Basha.

Basha i ka dhënë përgjigje edhe kritikëve se ai po bën thirrje për luftë por nuk ka ushtri që ta ndjekë pas.

“Ushtria e republikës së re ishte në shesh më 18 shkurt, ajo është në protestë, në çadër, në cdo shtëpi që është e zhgënjyer e nëpërkëmbur nga kjo qeveri dhe pret thirrjen finale për t’u cuar në këmbë për ta përmbysur e varrosur republikën e krimit, korrupsionit, drogës e korrupsionit. Ditët e kësaj beteje janë ditët e lavdisë së vërtetë qytetare”- tha Basha.

Vasili – ambsadorëve Lu dhe Vlahutin: Bordi i ONM antikushtetues, duhet marrëveshje ndërkombëtare

Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, në datën 20 shkurt i ka dërguar një letër dy ambasadorëve, atij amerikan Donald Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin, të cilët do të jenë edhe anëtarë në bordin e OMN-së për zbatimin e ligjit të vettingut.

Në letrën e siguruar nga “Gazeta Exress”., Vasili thekson se ngritja e Bordit të Monitorimit Ndërkombëtar është antikushtetues. Ai thotë gjithashtu se për rolin që do të ketë ONM-ja duhet një marrëveshje ndërkombëtare. “Qendrimi i Qeverise se Republikes se Shqiperise, e cila ka kerkuar fillimin e operimit te ONM-se vetem permes Sekretarit te Pergjithshem te Keshillit te Ministrave, nuk eshte ne frymen e Kushtetutes se vendit, si dhe ligjeve te tjera. Fillimisht, Qeveria Shqiptare, referuar pikes 2, te Nenit B, te Aneksit te Kushtetutes, si dhe  ligjit nr.43/2016 “Per Marreveshjet Nderkombetare ne Republiken e Shqiperise”, detyrimisht duhet te kishte propozuar fillimin e negociatave per nje marreveshje nderkombetare, ku te percaktoheshin konkretisht organizirni, funksionirni dhe detyrat specifike te ONM-se, si dhe marredhenia me institucionet shteterore ne Republiken e Shqiperise. Qeveria shqiptare nuk e ka ndermarre nje hap te tille te nevojshem dhe te detyrueshem per nisjen e procesit te rivleresimit kalimtar te gjyqtareve dhe te prokuroreve”, thuhet ne leter.  Ministri i Drejtësisë, thekson gjithashtu se edhe roli i deritanishëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi është i paligjshëm.

Basha-Ramës: Nëse bëj thirrje për luftë, do vijnë të të arrestojnë ty

Duke folur nga “çadra e lirisë”, kryetari i PD-së reagoi ndaj vendimit të policisë për dërgimin e materialeve në ngarkim të tij për akuzën thirrje publike të dhunshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Duke folur nga “çadra e lirisë”, kryetari i PD-së reagoi ndaj vendimit të policisë për dërgimin e materialeve në ngarkim të tij për akuzën thirrje publike të dhunshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Dy gjëra t’i ndajmë bashkarisht. Kjo është patjetër luftë. Është luftë për Shqipërinë demokratike, Shqipërinë Europiane, për të drejtat e çdo qytetari që goditet nga arrogance e një pushteti të inkriminuar, për zgjedhjet të lira.

Askënd nuk kemi provokuar. Po të na provokoni ta dini se nuk qëndrojmë si dele por do godasim fort. PD kemi vendosur ti vëmë gjoksin. Reagimi im është thirrje për mos pranim të së keqes. Nuk është thirrje për luftë, po bëra thirrje për luftë trecereku i policisë së shtetit do të vijë të marrë ty”, tha Basha.

Fotot – Kush është ai që qëlloi me grusht në fytyrë Kreshnik Spahiun

Ja fotot e Flamur Pirraçit, atij që sot e qëlloi me grusht në çadër Kreshnik Spahiun.

Flamur Pirraçi ka një fotografi me Berishën në faqen e tij në facebook. Duket se ai është fans i Berishës.

Edhe dëshmitarët e ngjarjes thanë se ai është parë disa herë në çadër gjatë këtyre ditëve.

Nuk dihet ende motivi i ngjarjes, por dihet se policia e ka marrë në komsariat.

 


Send this to a friend