VOAL

VOAL

Kastriot Myftaraj kallzon penalisht në Prokurori Egla Harxhin dhe bashkëjetuesin e saj

Kastriot Myftaraj nuk ndalet, pas kërcënimeve këtë herë ka marrë një nismë konkrete.

Ai ka kallzuar  penalisht në Prokurorinë e Fierit shtetasin francez Jarl Alexandre Alé de Basseville dhe të dashurën e tij shqiptare Egla Harxhi për shkak të deklarimit të tyre për shpalljen e Principatës së Libofshës.

Deklaratat e Egla Harxhit dhe shtetasit francez janë bërë prej kohësh në rrjetet sociale por edhe në media të ndryshme në vend. Ndërsa kallëzimin e plotë e ka publikuar ‘’City News”.

”Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë, ashtu si në çdo shtet është një parim kushtetues i mbrojtur posaçërisht nga ligjet e prejardhura nga Kushtetuta, përkatësisht Kodi Penal. Elementët përbërës të sovranitetit kanë mbrojtje të posaçme në nenin 3 të Kushtetutës që i përcakton si bazat e shtetit.

Edhe veç me shpalljen e projektit të tyre këta dy shtetas kanë kryer veprat penale të përmendura më lart, të cilat ligjvenësi i ka artikuluar juridikisht në atë mënyre që për to nuk kërkohet ardhja e pasojës kriminale që të quhen të kryera”, thuhet ndër të tjera në padinë e Myftarajt.

KALLZIM PENAL

Kallzues:

Kastriot Myftaraj, i dtl. 1966, vendlindja Korçë, vendbanimi Tiranë

Të kallzuar:

1)Jarl Alexandre Alé de Basseville, i dtl. 8. 7. 1970, vendlindja Bordeaux (Bordo), Francë, shtetësia: franceze.

2)Egla Harxhi, e bija e Ilirit dhe e Anilës, e dtl. 29.7. 1991, vendlindja Tiranë, shtetësia dhe kombësia: shqiptare.

OBJEKTI:

Fillimi i procedimit penal ndaj këtyre shtetasve për veprat penale të mëposhtme:

1)”Marrëveshje për dorëzim territori”, parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal

2)”Provokimi i luftës”, parashikuar nga neni 211 i Kodit Penal

Baza Ligjore

Neni 283 i Kodit të Procedurës Penale

Nenet 210, 211 të Kodit Penal

Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier

I nderuar z. Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier!

Të nderuar zotërinj, Prokuror i linjës, Prokuror i çështjes dhe Oficer i policisë gjyqësore i çështjes

Në datën 8 shtator 2017, në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan ishte e pranishme shtetasja shqiptare Egla Harxhi e cila tha se personi me të cilin bashkëjeton, shtetasi francez Jarl Alexandre Alé de Basseville po punon për të shpallur një principatë sovrane dhe të pavarur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në zonën e Libofshës, duke marrë sovranitetin mbi këtë territor. Nga mënyra si foli kjo shtetase u kuptua qartë se ajo është bashkëpunëtore e z. de Basseville. Ajo e mbrojti projektin duke bërë një krahasim me Principatën e Monakos në Francë si dhe duke spekuluar për të mirat që do të sjellë për banorët e zonës.

Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë, ashtu si në çdo shtet është një parim kushtetues i mbrojtur posaçërisht nga ligjet e prejardhura nga Kushtetuta, përkatësisht Kodi Penal. Elementët përbërës të sovranitetit kanë mbrojtje të posaçme në nenin 3 të Kushtetutës që i përcakton si bazat e shtetit.

Edhe veç me shpalljen e projektit të tyre këta dy shtetas kanë kryer veprat penale të përmendura më lart, të cilat ligjvenësi i ka artikuluar juridikisht në atë mënyre që për to nuk kërkohet ardhja e pasojës kriminale që të quhen të kryera.

Jarl Alexandre Alé de Basseville me dinakëri e ka lënë bashkëjetuesen e vet që të shpallë projektin e tij, në mënyrë që të shohë se si do të reagojë shteti shqiptar.

Nga ato që u thanë në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, në 8 shtator 2017, lind dyshimi i arsyeshëm se ka një marrëveshje për dorëzim të territorit të Shqipërisë te fuqi të huaja, me qëllim cënimin e pavarësisë dhe integritetit të shtetit shqiptar. Këtu dua të bëj saktësimin juridik se ligjvënësi ka parashikuar si subjekte te të cilët bëhet dorëzimi eventual i territorit jo veç shtete, por edhe fuqi të huaja. Me fjalën “fuqi” kuptohen në këtë rast subjekte joshtetërore.

Këtu nuk e kam fjalën për shtetet anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB, siç tha Egla Harxhi në emision, por për shtete dhe fuqi të tjera, që do të dalin nga hetimi.

I tërheqë vëmendjen Prokurorisë së Shtetit Shqiptar, se zona e përzgjedhur për këtë projekt është teper delikate. Atje në vitin 1924 është vendosur një bashkësi refugjatësh nga Sanxhaku i Serbisë që kërkuarn strehim në Shqipëri për shkak të përndjekjes nga autoritetet e kohës të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (e njohur më pas si Jugosllavi). Në atë kohë këta njerëz që në fakt ishin boshnjakë muslimanë, u deklaruan si shqiptarë për të siguruar strehim në vendin tonë. Por pas vitit 1990 këta njerëz janë deklaruar si serbë në censusin (regjistrimin) e fundit të popullsisë në Shqipëri, duke keqpërdorur mikpritjen shqiptare.

Shpallja e një prinicipate sovrane dhe të pavarur në një territor ku banon një bashkësi e konsiderueshme serbe, ka ndërlikime ndërkombëtare që shkojnë shumë përtej një “shakaje” të një tipi ekcentrik në dukje.

Unë kam qenë i pranishëm në emisionin “Zonë e Lirë” në 12 dhjetor 2016 së bashku me z. de Basseville dhe zonjën Harxhi (në këtë rast nuk e shpallën këtë projekt) dhe gjatë kohës që ishim në dhomën e grimit, kam pararë me sytë e mij se ai mbante një medalion me simbolin kombëtar serb, Kryqin e Shën Savës (kryqin me katër “C”), të cilin e fshehu në emision. Sigurisht është e drejta e tij të mbajë simbolet që dëshiron, por kur vjen në Shqipëri me një projekt të tillë, kjo simbolikë fiton një kuptim tjetër.

Nëse shpallet një principatë sovrane dhe e pavarur në një pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, ku jeton një bashkësi minoritare që ka lidhje me një shtet afër nesh (Serbia), atëherë duke pasur parasysh se shteti shqiptar do të jetë i detyruar që të reagojë detyrimisht pas faktit të kryer, kemi të bëjmë me një akt që synon të provokojë luftë duke e vënë Republikën e Shqipërisë para rrezikut të ndërhyrjes së fuqive të huaja.

Sepse Serbia do ta quajë këtë një dhunë ndaj bashkëkombasve të saj. Krahasimi me Monakon është krejt pa vend pasi Monako nuk është një shtet i krijuar në kohën kur mbi atë territor ekzistonin ligjet në fuqi që mbronin sovranitetin dhe integritetin e Francës. Në rastin e Principatës së Libofshës bëhet fjalë për një shtet që krijohet në një territory ku ekzistojnë ligje në fuqi që mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit ekzistues, Republikës së Shqipërisë.

Do të ishte një papërgjegjshmëri e madhe nëse sa më sipër, pra provokimi i luftës për shkak të një akti të tillë, quhet një skenar fantastik, që nuk mund të ndodhë. Meqënëse ligjvënësi i ka parashikuar këto vepra penale, atëherë organet ligjzbatuese kanë detyrim të veprojnë kur verifikohen situata që kanë të bëjnë me to.

Pikësëpari, Prokuroria, si institucioni kushtetues i ngarkuar me hetimet dhe ndjekjen penale, ka detyrim që të kryejë hetime në linjën që kam thënë më lart.

Nëse nuk veprojnë autoritetet shtetërore ashtu si e kanë detyrim ligjor, atëherë të heshtin kur të ndërmerren veprimet e nevojshme ndaj këtyre dhunuesve të sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë.

Me respekt

Kastriot Myftaraj

 

Nuk shkoi asnjë ditë në punë, ja si Joleza Koka paguhej çdo muaj në ministri

Emisioni “Stop” ka publikuar mbrëmjen e djeshme një video e cila tregon se si Joleza Koka, ish kryetarja e Forumit Rinor të Partisë Socialiste, gjatë kohës që punonte si këshilltare në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, është paguar pa shkuar as edhe një ditë në punë. Në pamjet filmike që emisioni investigativ publikoi mbrëmjen e djeshme, tregohen dëshmitë e punonjësve pranë kësaj ministrie, të cilët shprehen se Jolezën nuk e kanë parë të vinte asnjë ditë në punë, edhe pse paguhej çdo muaj.

Ish kryetarja e Forumit Rinor të Partisë Socialiste, Joleza Koka përpara disa ditësh sulmoi drejtuesin e programit “Stop” Saimir Kodrën, duke e akuzuar për thyerje të etikës televizive dhe përdorimit të gjuhës ofenduese. Joleza Koka ka nisur edhe një peticion për çështjen në fjalë, madje është ankuar te Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) të cilët kanë ndërhyrë për fshirjen e emisionit të asaj date në Youtube.

Si kundërpërgjigje, emisioni “Stop” publikon një skandal me përmasa edhe më të mëdha se çështja parimore e Jolezës. Saimir Kodra u shpreh se ndaj saj së shpejti do të ngrihet edhe një padi për vjedhje, pasi dy vite “punë” Joleza nuk denjoi të paraqitej as në zyrë.

Burgu 313 gati 30 qeli VIP – Pritet arrestimi i personave të njohur politikë

Reforma në drejtësi pritet që në ditët në vijim të japë frytet e para. Nga sot policia e Shtetit pas ndryshimeve ligjore të bëra për shkak të reformës ka më shumë kompetenca në hetimin e korrupsionit dhe zbardhjen, apo drejtimin e një investigimi të plotë ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit. Burime zyrtare nga drejtoria e pëgjithshme e burgjeve thanë për CityNews. al se janë bërë gati 30 qeli tek burgu 313, si masë e parë për arrestimet e pritshme të personave VIP.

Të njëjtat burime theksuan se në ditët në vijim pritet të ketë një furtunë arrestimesh edhe të “peshqve” të mëdhenj. Mësohet gjithashtu se policia prej disa ditësh ka filluar një operacion të gjerë ani-trafik. Ndërkohë disa dosje me krim ekonomik dhe korrupsioni janë në duart e oficerëve të policisë, të cilët nga sot pritet të fillojë të jenë në një monitorim të fortë ndërkombëtar, për t’i investiguar dhe çuar në përfundim dosjet e hetimit për personat VIP, të cilëve tashmë iu kanë përgatitur edhe qelitë e paraburgiomit në burgun 313./CityNews

Zyrtare! Rifillon importi i mishit nga Brazili në Shqipëri

Nis përsëri importi i mishit brazilian drejt Shqipërisë. Kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi konfirmoi për AgroWeb.org se ka rifilluar importi i këtij mishi pas bllokimit nga muaji mars. Lajmi bëhet i ditur nga media përmes AFI (Albanian Food Industri) e cila njofton se pas këmbënguljes disa javore të ekspertëve të AFI, qeveria braziliane ka korrigjuar vendimin për eksportet e produkteve shtazore drejt Shqipërisë. Drejtoresha e Njësisë Ekonomike në Ministrinë e Jashtme Silvana Leskaj përmes një shkrese zyrtare njoftoi AFI se për problematikën në fjalë ishte angazhuar i ngarkuari i ministrisë sonë të jashtme në Ambasadën e Shqipërisë në Brazil për t’u konsultuar për këtë çështje me përfaqësues të Ministrisë Braziliane të Bujqësisë, shkruan bionews.al.

Pas kësaj qeveria e këtij vendi përmes një memorandumi reflektoi korigjimet e duhura. Ky memorandum e kalon Shqipërinë nga një vend që ndalohet importi i çdo lloj produkti shtazor brazilian në një vend që lejon importin. Në pranverë të këtij viti Ministria e Bujqësisë Shqiptare pezulloi importin e mishit nga disa kompani braziliane. Më pas Ministria e Bujqësisë e Brazilit vendosi një embargo totale për eksportet e mishit drejt Shqipërisë. Ky urdhër shqetësoi disa prej anëtarëve të AFI-t. Brazili është eksportuesi kryesor i mishit të viçit dhe të pulës drejt Shqipërisë. Janë disa kompani shqiptare që operojne me importet e këtyre produkteve.

Sipas INSTAT Shqipëria importon nga Brazili rreth 4 200 ton mish pule në vit,rreth 100 ton mish viçi dhe 1900 ton mish derri. Në mars të këtij viti autoritet tona nxorrën një udhëzim sipas të cilit produktet me bazë mishi nga Brazili nuk do kalojnë në territorin shqiptar, pa iu bërë më parë analizat. Kontrollet u vendosën pasi mishi i ardhur nga Brazili theu rregullat e sigurisë në vendet e Bashkimit Europian. 33 zyrtarë në Brazil u vunë nën hetim aso kohe me dyshimet se ishin përfshirë në skandalin e eksportit të mishit të viçit të kalbur. AgroWeb.org publikoi një sërë shkrimesh për ndalimin e mishit të kalbur nga Brazili në Europë. Më pas, raportoi për hyrje në Shqipëri të një ngarkese 26 tonëshe me mish pule nga Brazili, e cila rezultoi me përmbajtje të Salmonelës. AKU bëri të ditur se e kishte bllokuar këtë sasi mishi me salmonelë në pikën doganore të Durrësit. Kjo ngarkesë me mish pule, pasi u analizuar nga ISUV, rezultoi me ngarkesë të virusit “Salmonela SPP”./agro.web

Interesi i gjeneratës tjetër në qendër të politikës dhe të shtetbërjes – Nga Edi RAMA*

I nderuar Kuvendi i Shqipërisë,
Shkëlqesi ambasadorë,
Miq të ftuar,

Përsëpari, në emër të shumicës së re kuvendore dhe të të gjithë zgjedhësve tanë, i uroj zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit, zgjedhjen në detyrën e lartë.

I nderuar kryetar,

Asnjëherë s’kam qenë më i sigurt sesa në votimin e dy ditëve më parë, që investimi i votës sime për një individ, do të kthehet plotësisht në një përfitim publik.

E dëgjova me vëmendje fjalën tuaj inauguruese dhe e nënshkruaj çdo rresht të saj.

Jam i bindur se nën drejtimin tuaj, kjo shumicë qeverisëse nuk do të tolerohet në asnjë rast dhe për asnjë arsye, të përdorë forcën e numrave, për të shkelur vijat e kuqe që përcakton libri i rregullave të bashkëjetesës në këtë Kuvend.

Jam po njësoj i bindur që nën drejtimin tuaj, axhendat partiake apo kuturisjet individuale nuk do të marrin më peng rendin e punëve të ditës së këtij Kuvendi.

Ne do të vijmë këtu çdo ditë, për katër vjet me radhë, në seancën plenare e në komisionet parlamentare, me qëllimet e mëdha të programit tonë qeverisës.

Jemi të vetëdijshëm për gabimet dhe për defektet tona në aktivitetin parlamentar dhe politik të katër viteve të shkuara; ashtu siç jemi të vetëdijshëm, për barrën e shtuar të përgjegjësisë së këtij mandati të ri, ku nuk ka as kohë, as arsye, po mbi të gjitha as moral, për të vazhduar në rrugën “Avazi i Vjetër”.

Me këto parasysh do të synojmë të jemi, sot e katër vjet me radhë, forca e shembullit, jo shembulli i forcës.

E di që është shumë më e lehtë ta thuash, sesa ta bësh. Por ne hyjmë në këtë legjislaturë të re me të gjithë vullnetin e mirë, për ta bërë ndryshimin që Shqipëria kërkon edhe nga ky Kuvend, nga kjo sallë, duke e nisur nga vetja këtë ndryshim të domosdoshëm.

Ky vit, ku konflikti dhe mirëkuptimi mes nesh, qeverisë dhe opozitës, kulmuan që të dyja, si asnjëherë më parë, brenda një harku shumë të shkurtër kohe, na ka dhënë një mësim të rëndësishëm. Uroj që edhe kolegët opozitarë ta kenë marrë dhe ta kenë kuptuar këtë mësim.

Ne kemi kuptuar që e kemi pasur gabim, kur mendonim se durimi me këtë opozitë që kemi nuk i’a vlen, se në fund asgjë nuk ndryshon.

Kemi gjykuar gabim, kur çdo sulm përtej kufijve etike të opozitës e kemi skualifikuar për shkak të shëmtisë së pajustifikueshme të formës, pa e analizuar sidoqoftë, arsyen burimore të sulmit.

Personalisht, kam mësuar edhe të tjera gjëra me rëndësi nga ky vit, por ndjesë që nuk i ndaj dot me ju, sepse konkurrentëve u tregohen vetëm ato që duken.

Ja edhe diçka tjetër që doli vetiu, duke e shkruar këtë fjalë; jo armiq, asnjëherë, po as kundërshtarë. Ju jeni konkurrentë dhe ne nuk kemi ardhur këtu për të luftuar me ju, po me idetë e me politikat tuaja. Shpresoj të jetë kështu edhe për ju!

Ne jemi me ju në një garë, shpesh me gjakra të ndezur, se kush i fiton zemrat e mendjet e njerëzve, duke luftuar secili me të tijën dhe secili duke menduar se e tija është më e mirë se e tjetrit, për njerëzit e për vendin.

Në këtë pikë vlen të përmendet një tjetër mësim i këtij viti:

25 qershori provoi edhe njëherë, këtë herë edhe më qartë se të tjera herë, se në Shqipëri nuk fiton kush i fryn më shumë zjarrit të konfliktit; kush akuzon, shan e fyen më shumë tjetrin dhe bllofon më shumë me kartat e veta; kush i qan më shumë ditën hallet e miletit, pasi ka numëruar natën sa ka nxjerrë për vete nga shqepja e shtetit dhe zhdëpja e qytetarit.

Në një nga ditët e protestës së opozitës, e cila pararendi për disa muaj me radhë zgjedhjet, kryetari Basha doli në protestë bashkë me vajzën e tij të vogël.

Nuk e risjell këtu atë episod për ta komentuar, aq më pak për ta gjykuar. Por sepse, në fund fare, qofshim në qetësi, a qofshim në konflikt, qofshim në të drejtë, a qofshim në gabim, gjithçka që ne bëjmë, lidhet me fëmijët tanë. E në këtë punën tonë, e cila është shumë më shumë sesa e jona, ne duhet të mos e harrojmë asnjëherë, se në çdo gjë që bëjmë keq, u bëjmë keq fëmijëve të gjithë Shqipërisë.

E ardhmja e fëmijëve tanë është prioriteti ynë themelor si prindër dhe përpjekjet tona si individë, po në rastin konkret, edhe si udhëheqës apo përfaqësues të partive e të mbarë popullit shqiptar këtu në Kuvend, janë përpjekje që përcaktojnë shumëçka, për të sotmen dhe gjithçka për të ardhmen e mbarë fëmijëve të Shqipërisë.

Ata ushqehen, vishen, kanë nevojë për kukulla, libra, klasa të mira, topa e fusha sporti dhe nevojat e pritshmëritë e tyre rriten dora – dorës, bashkë me ta. Nëse ne realisht duam të bëjmë më shumë për ta dhe nuk diskutohet që çdokush në këtë sallë do që të bëjë më shumë, le të mbajmë në radhë të parë parasysh më kryesoren; atë që nuk kushton asnjë qindarkë, teksa jeta jonë politike zhvillohet përmes përpjekjeve e kundërshtive tona. Le të mbajmë parasysh, se askush prej nesh këtu, në këtë sallë, nuk u mëson fëmijëve në shtëpi tabiatet e vjetra të bashkëjetesës së degraduar brenda këtyre mureve. Askush prej nesh, sado të ndryshëm e në kundërshti me njëri-tjetrin, nuk ua miraton fëmijëve të vet brenda mureve të shtëpisë, atë që rëndom, kush më shumë e kush më pak, ne e bëjmë këtu, me fjalorin joetik e me sjelljen shpesh agresive ndaj njëri-tjetrit, në sytë e mbarë opinionit tonë publik, edhe të vetë fëmijëve tanë.

Shqipëria është një vend i pasur në burime natyrore, po pasuria jonë më e madhe janë njerëzit – dhe ç’është më e rëndësishmja, ne kemi shumë fëmijë, shumë të rinj, me një qasje pozitive, ambicioze, ndaj të ardhmes. Vajza e djem që besojnë tek e ardhmja dhe e duan shumë Shqipërinë.

Shumë prej tyre e kanë lënë vendin në këto dekada, po nuk e kanë zëvendësuar atë në zemrën e në mendjen e tyre. Ata janë larguar e largohen në kërkim të një jete më të mirë diku tjetër. Po ka prej tyre që rikthehen e do të donin edhe më shumë të riktheheshin, për të investuar këtu eksperiencën dhe aftësitë e fituara në vende më të zhvilluara se i ky yni.

Mund të ketë ende plot gjëra në këtë vend, që i pengojnë shumë prej tyre ta konsiderojnë vendimin për t’u rikthyer.

Por le të jemi deri në fund të vërtetë, me veten dhe me ta.

Pengesa më e madhe për rikthimin e tyre, ashtu sikundër dhe shtysa më e fortë për largimin e tyre, i ka themelet këtu, në këtë sallë dhe mbahet në këmbë nga ne, përmes shfaqjeve të përjavshme të këtij Kuvendi dhe të thënave të jetës së përditshme të katundit tonë politik; ku del në pah në mënyrë vrastare për ëndrrat e shpresat e njerëzve dhe e më të rinjve sidomos, hendeku mes katundit të politikës dhe botës së fëmijëve e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Unë dëshiroj me gjithë shpirt dhe do të bëjmë çmos, që fituesit e këtyre zgjedhjeve të jenë në radhë të parë, ata që nuk votuan, sepse ende nuk janë në moshën për të votuar: Fëmijët e gjithë Shqipërisë!

Unë dua që kjo qeveri, kjo shumicë qeverisëse të vendosë interesin e fëmijëve në qendër të politikës dhe të shtetbërjes.

Kjo për mua do të thotë shumë më shumë përpjekje të drejtpërdrejta, në funksion të fëmijëve, shumë më shumë shpejtësi e thellësi në reformat që bëjnë shtet, në emër të fëmijëve.

Nuk do ta harroj asnjëherë një stërgjyshe, që gjatë një takimi me pensionistë më tha: “Çdo gjë që ti do t’u shtosh çiliminjve të mi, do të jetë si të më kesh dyfishuar pensionin tim!”

Për çdo familje me tre ose më shumë fëmijë, ne i japim falas librat për fëmijën e tretë, apo të tjerët pas tij.

Ne duam që në harkun e këtij mandati t’ia dalim t’i japim të gjithë këtyre familjeve, me tre ose më shumë fëmijë, një bonus mujor. Ky Bonus i Fëmijës, nuk është vetëm një mbështetje financiare për familjet me shumë fëmijë, por edhe një instrument i provuar në nxitjen e rritjes ekonomike dhe stimulimin pozitiv të demografisë.

Shumë vite më parë, kur drejtoja Bashkinë e Tiranës, u krijua Çeku i Bebes. Një politikë e re, timide padyshim për vetë mundësitë financiare, në mbështetje të fëmijëve të porsalindur e të çifteve të reja, e cila më pas u shtri në të gjithë Shqipërinë. Po qysh atëherë, megjithëse kjo u kthye copy-paste në një politikë qeveritare, jo vetëm shuma ka mbetur fiks po ajo, por edhe zbatimi i kësaj politike ka degraduar. Mjafton të kujtoj se në 2013, në malin e borxheve që trashëguam, një pirg prej afro 6 milionë dollarë ishte borxh ndaj bebeve, prej moslëvrimit të çekut nga qeveria.

Po, ç’është e vërteta, edhe gjatë mandatit tonë të parë, ky detyrim nuk është përmbushur plotësisht dhe me korrektesë të plotë. U kërkoj ndjesë sot, të gjithë fëmijëve dhe prindërve që nuk e kanë marrë në kohë, apo që ende nuk e kanë marrë fare, çekun e tyre.

Padiskutim që, do ta marrin çdo qindarkë që u takon, po ndërkohë ne do të marrim masa që këto vonesa e moskorrektesa, aspak të denja për qeverinë, të mos ndodhin më. Por gjithashtu, ne do ta rrisim çdo vit vlerën financiare të Çekut të Bebes, duke nisur që nga projektbuxheti i vitit të ardhshëm.

Së dyti, ne do të përqendrojmë më shumë vëmendje, energji e burime financiare, tek shkollat dhe edukimi. Mësuesit duhet të bëhen heronjtë tanë në përpjekjen e përbashkët për rritjen e cilësisë së edukimit. U uroj sot, të gjithë atyre, njësoj si edhe nxënësve e nxënëseve, bashkë me prindërit natyrisht, një vit shkollor sa më të mbarë, sa më të suksesshëm, sa më argëtues për të gjithë.

Mësuesit duhet të ndjejnë jo vetëm mbështetjen e qeverisë, po të të gjithëve ne këtu dhe të të gjithë kombit.

Pagat e mësuesve janë rritur, vijimësisht, në vite. Këtë vit ato u rritën shumë ndjeshëm e do të rriten sërish gjatë këtij mandati. Por, po aq e rëndësishme, është të rritet mbështetja morale e publike për ta. Ne duhet t’i mbështesim mësuesit kundër çdo shfaqjeje agresiviteti, apo shprehje mosrespekti në klasë, – qoftë midis nxënësve apo nxënësve ndaj mësuesve, po edhe anasjelltas, kur siç ka ndodhur, mësues të padenjë njollosin të gjithë kategorinë e tyre – çka lejomëni ta rikujtoj, është bërë normë mes politikanëve, edhe në këtë “klasën” tonë këtu.

Prandaj u bëj thirrje sot, kryetarëve të partive dhe të gjithë deputetëve në këtë sallë, – në interes të fëmijëve të Shqipërisë dhe të gjeneratave të tjera – që të rritemi e të vetëdijesohemi të gjithë sëbashku, për dëmin e madh që u bëhet fëmijëve, që u bëhet vajzave dhe djemve të këtij vendi, si pasojë e shfaqjeve të agresivitetit dhe të shprehjeve të mosrespektit mes nesh.

Le të debatojmë me pasion, le t’i mbrojmë me zjarr pozicionet tona të kundërta, le ta kundërshtojmë njëri-tjetrin edhe me ashpërsi, po ju lutem, të mos lejojmë të gjithë së bashku, që bashkëjetesa jonë politike të jetë barku që prodhon modele e shembuj të këqij për fëmijët e Shqipërisë.

Në këtë kontekst do t’ju ftoja të reflektonim edhe më gjerë, për influencën negative mbi gjithë shoqërinë, të modeleve dhunënxitëse të komunikimit e të shembujve të këqij të bashkëjetesës, që ky Kuvend dhe katundi ynë politik ka prodhuar.

Natyrisht, asnjë dyshim, barra më e madhe e përgjegjësisë edhe në këtë drejtim sot na bie ne, shumicës parlamentare dhe qeverisë. Ne do ta mbajmë këtë barrë, duke kultivuar sensin e tolerancës, frymën e dialogut, ndjenjën e mirëkuptimit me konkurrentët tanë, në këtë sallë e jashtë kësaj salle.

Dikur, shumë vite të shkuara, i ndjeri dhe i paharruari Gramoz Pashko, në mesin e të parit konflikt të brendshëm brenda partisë, pat përdorur i pari një shprehje që më vonë e kemi dëgjuar shpesh: “Gjërat që na bashkojnë janë më shumë se ato që na ndajnë.”

E risolla këtu shprehjen e tij, jo për t’ju thënë juve, konkurrentë të respektuar, që kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, se gjëra që na ndajnë. Jo! Gramozi dhe Saliu asokohe, si pjesë të së njëjtës parti, kishin më shumë gjëra që i bashkonin, se gjëra që i ndanin. Ndërsa ne jo, ne kemi më shumë gjëra që na ndajnë, se gjëra që na bashkojnë. Por ama, gjërat që ne na bashkojnë janë më të mëdha, sesa gjërat që ne na ndajnë.

Shqipëria dhe reputacioni i saj në botë është një gjë e madhe që na bashkon, apo jo? Unë nuk dua ta besoj kurrsesi se ju e doni më pak se ne Shqipërinë dhe se jeni të qëllimshëm, kur kontribuoni në cenimin e reputacionit të saj në sytë e botës.

Po atëherë, si ka mundësi, pse jemi ne të ndarë tash sa e sa vite, për këtë gjë kaq të madhe?

Kush prej nesh fiton dhe çfarë dreqin fiton, duke e dëmtuar reputacionin e Shqipërisë në sytë e botës?

Absolutisht, askush këtu nuk fiton asgjë. Të tjerë po, dashakeqë të këtij vendi, fitojnë prej shfrimeve të mllefeve të brendshme nëpër kanalet mediatike të botës. Ndërsa Shqipëria veç humbet. Shqiptarët, jashtë a brenda Shqipërisë, veç humbasin.

Atyre që mund të më thonë se i paguajnë lobistët nëpër botë apo media të huaja, për të diskredituar qeverinë e korruptuar e të inkriminuar të Shqipërisë, po jo Shqipërinë, sot unë mund t’u them vetëm një gjë prej gjërave të shumtë që mund të thuhen kundër këtij argumenti joserioz.

Le të mos bëjmë emra vendesh, gjenden kollaj, qoftë shumë afër nesh, apo më larg nesh, ku qeveria dhe opozita përlahen mesvedi bajagi fort. Por ama nga ku, kurrë, për asnjë arsye, konkurrentët politikë nuk marrin rrugët e botës për të njollosur njëri-tjetrin, duke njollosur në fakt vendin e tyre. Madje asnjëherë, si rregull, nuk i artikulojnë në një gjuhë tjetër, kusuret që s’i lënë pa thënë njëri-tjetrit, në gjuhën amtare.

Votat nuk merren, duke mbushur veshët e të huajve me baltë ndaj njëri – tjetrit. Zgjedhjet nuk fitohen, duke financuar apo nxitur të huajt të deklarojnë e të publikojnë sensacione të zymta për këtë vend, që është njësoj i të gjithëve ne, yni dhe i juaji. Pushteti nuk merret, duke shkuar në Bruksel të ndarë si të ishim përfaqësi grupimesh në një konflikt ndëretnik.

Të jem i qartë fare:

Mos të mendojë askush se po i bie vërdallë, duke pasur parasysh thjesht dekriminalizimin a kanabisin, të dyja tema të ngritura me shumë forcë nga Partia Demokratike; problematika reale padyshim, por që sipas meje u frynë, duke kaluar çdo cak e masë në veshët e në sytë e botës.

Hiri i të vërtetës e do të thuhet sot, se opozita luajti një rol real, në shkundjen tonë karshi të dyja këtyre problematikave. Nëse sot, ne jemi në një ofensivë totale dhe me rezultate të paimagjinueshme kundër kanabisit, e kotë të mohohet se edhe opozita pati kontributin e saj.

Dikush prej kolegëve opozitarë, apo të gjithë bashkë mund të ngrihen tani në këmbë e të thonë se po mos ua kishim fryrë kokën partnerëve ndërkombëtarë, s’do ishte ngritur diga e ligjit të pastërtisë së figurës. E cila pengon sot, çdo individ me rekorde kriminale të hyjë në parlament, në këshilla bashkiakë, në administratë.

Dakord, le të mos e debatojmë këtë e ta marrim të mirëqenë kështu siç mendoni ju, por le të provojmë të paktën që problemet e një përmase të caktuar, t’i diskutojmë njëherë së bashku. Të përpiqemi njëherë t’i adresojmë e t’i zgjidhim në shqip, me durim e mirëbesim.

Ashtu sikundër të përpiqemi, dreqi e mori, të ndajmë raportimet e fakteve nga kriminalizimi i shqiptarëve në burimet e huaja të informimit, ku sot flitet paturpësisht në disa qytete për krim etnik shqiptar! Ndaj kësaj besoj se nuk ka asnjë diskutim që ne duhet të jemi bashkë.

Shteti ynë, kushtetuta e tij, drejtësia në këtë shtet, procesi zgjedhor në Shqipëri, paraja e zezë në politikë, media, ekonomi, apo transparenca në përdorimin e fondeve publike, janë gjëra të mëdha që parimisht nuk na ndajnë, por na bashkojnë, apo jo?

Çfarë na pengon të hapim një dialog serioz, të organizuar, të vazhdueshëm dhe të duruar për të mos vijuar edhe katër vjet të tjera në rrugën “Avazi i Vjetër”; për të mos i lënë këto problematika në rrjedhje të lirë, duke u shtrënguar pastaj të gjejmë zgjidhje të minutës së fundit pasi jemi bërë gazi i mbarë botës.

Kush prej nesh fiton dhe çfarë fiton konkretisht, nëse mund të ma thotë, nga barrikadimi për gjithçka dhe gjithnjë përballë njëri-tjetrit me grykët e zjarrit mbi njëri-tjetrin? Absolutisht askush asgjë nuk fiton.

Në emër të shumicës qeverisëse, unë ju shpreh sot të nderuar kolegë, të gjithëve pa përjashtim, opozitarë tradicionalë, apo sezonalë të Partisë Socialiste, gatishmërinë tonë, që të ndërmarrim një nismë të përbashkët, një tryezë të hapur për gjërat e mëdha që duhet të na bashkojnë, të cilat, e përsëris, në numër janë shumë më pak sesa ato që na ndajnë, po në thelbin, në peshën e tyre janë paketa e detyrimeve madhore të partive të vërteta politike dhe të politikanëve seriozë të çdo vendi.

Shqipëria e bashkuar me Europën dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve janë, apo nuk janë pjesë e kësaj pakete detyruese për të gjithë ne?

Kush prej nesh fiton dhe çfarë fiton konkretisht nga mosmarrëveshjet e konfliktet tona, që kthehen rëndom në pengesa në rrugën e integrimit europian, apo, po njësoj, në vonesa të pajustifikueshme për ta zotëruar axhendën kombëtare të bashkimit të shqiptarëve?

Me të parën dihet dhe gjithkush e kupton çfarë dua të them. Edhe me të dytën dihet se çfarë po them, por që të mos ketë keqkuptime të pafajshme, apo keqinterpretime të qëllimshme, po e bëj të qartë:

Nuk po flas për Shqipëri të madhe, por për një popull të vetëm shqiptar, i cili, edhe pse sot ka dy shtete dhe jeton shumë më mirë se dje edhe në shtetet e tjera rrotull nesh, apo larg nesh, është ende larg së qeni i lidhur në të drejta dhe në detyrime, kompakt në qëllimet e mëdha dhe i unifikuar në përpjekjet drejt tyre, siç janë plot kombe të tjera të zhvilluara.

Madje, edhe vetë gjuha jonë sot, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, pak nga inercia e boshllëkut të shumë viteve tranzicioni ku shkolla e humbi misionin e funksionin e saj, pak nga çorodia vlerore e pjellë prej tranzicionit, e cila vazhdon sot e tërë ditën të na shfaqet në disa forma shqetësuese marrëzie, siç qe së fundmi ajo që përfshiu edhe vetë Heroin tonë Kombëtar Skënderbeun! Njerëz që, për hir të të vërtetës, nuk mund të maten as me zgjatimin e fundbarkut të kalit të Gjergjit, mbinë nga dheu nëpër ekrane, portale dhe ballina për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë tonë, historisë së të gjithë fëmijëve tanë.

Aq sa qesharak në marrëzinë e vet, ai episod kërkon analizë, reflektim, reagim, aspak për t’u marrë me perden që, në fakt, nuk e mbuloi monumentin, por, me çka u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar mediatikisht, si embrioni i një krimbi kërcënues, dhe dëgjojeni me vëmendje, i një krimbi kërcënues për një ndër kolonat më të rënda mbajtëse të shtëpisë tonë: harmonisë fetare dhe përkatësisë europiane të shqiptarëve.

A e kemi ne, i nderuar Kuvend i Shqipërisë, luksin që të mos bëhemi bashkë për gjëra kaq të mëdha sa vlerat tona identitare dhe sfidat tona, si komb dhe si shtet në Europën ku jetojmë?

Po edhe sikur të çirremi e të shqyhemi për pikëpamjet tona politike dhe për argumentet tona mbi taksat apo mbi koncesionet, kjo nuk duhet të na pengojë të gjejmë të njëjtin zë dhe të qëndrojmë krah për krah, kur duhet folur për Shqipërinë, në emër të vendit tonë, të kombit tonë; kur duhet folur për integrimin europian të Shqipërisë dhe duhen mbrojtur vlerat, liritë dhe të drejtat e çdo shqiptari, të çdo fëmije me gjakun tonë, kudo që jeton mbi tokë.

Një shembull ulëritës:

Flasim dhe flasim, nuk reshtim, për shqiptarët që largohen, por a do fillojmë të flasim pa humbur kohë dhe për fuqinë vendimmarrëse të tyre në këtë vend, e cila do t’i lidhë ata kudo që të jenë, edhe moralisht, përveçse shpirtërisht dhe mendërisht siç janë të lidhur sot me Shqipërinë?

E kam fjalën për jetësimin e të drejtës së votës të çdo shqiptari në emigracion, duke i mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje drejt e nga aty ku banon, kujtdo ndër bijtë e bijat e këtij populli që dëshiron të zgjedhë parlamentin dhe qeverinë e vendit të vet.

A nuk është kjo një gjë tjetër e madhe që na bashkon dhe për të cilën të gjithë flasim prej kaq vitesh, duke fajësuar në fund të çdo mandati njëri-tjetrin pse nuk u bë edhe kësaj radhe?

Ju ftoj të gjithëve të mos humbasim më kohë, por të ulemi dhe ta bëjmë së bashku realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet politike të vitit 2021.

Kush prej nesh fiton dhe çfarë fiton konkretisht, nëse kjo nuk bëhet? Absolutisht, askush nuk fiton asgjë. Shqipëria po, humbet, humbet shumë më shumë se sa thjesht një pjesë votuesish në zgjedhjet parlamentare. Humbet lidhjen morale të bijve të vet me vendin amë.

Ne do të vazhdojmë ta dinamizojmë politikën tonë të jashtme, duke fuqizuar edhe dimensionin e diplomacisë ekonomike. Nuk dua të zgjatem me detaje në fushat që mbulojnë dhe do të trajtojnë vetë ministrat, një e nga një.

Do të nënvizoj vetëm gjëra shumë kryesore.

Së pari, ne do të punojmë shumë fort për konkretizimin e disa nismave në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, në radhë të parë, brenda suazës së Procesit të Berlinit.

Do të shumëfishojmë gjithashtu përpjekjet, për të konkretizuar më shpejt dhe më shumë prej nismave, tanimë të dakordësuara me Kosovën në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.

I uroj kryeministrit Haradinaj urtësi, fuqi dhe shëndet në të mirën e Kosovës. Uroj njëkohësisht që të biem dakord për kthimin e kufirit tokësor mes dy shteteve në një kufi europian; pa radha kilometrike dhe kontrolle të tepërta policore, mundësisht qysh prej 1 janarit 2018. Ne jemi gati. Shpresoj që edhe Kosova të jetë gati. Gjithashtu, uroj që bashkimin doganor të Shqipërisë me Kosovën ta bëjmë fakt të kryer një orë e më parë, duke i kthyer doganat në portet e Shqipërisë në dogana edhe të Kosovës. Projekti është gati, i punuar, i konsultuar dhe i dakordësuar mes dy palëve në nivelin teknik. Miratimi nga ana jonë në nivelin politik është gati. Presim vetëm miratimin e Qeverisë së Kosovës.

Së dyti, ne vazhdojmë të besojmë në devizën tonë, “Zero probleme me fqinjët” dhe do të intensifikojmë përpjekjet për të zgjidhur përmes strukturës tanimë të dakordësuar të dialogut problemet e mbartura me të vetmin fqinj sot që kemi probleme, Greqinë.

Mesazhi im për fqinjin jugor është i thjeshtë dhe i qartë: Ne duam miqësi reciproke, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim strategjik.

Për ne, çdo grek që jeton në Shqipëri është anëtar, apo anëtare me liri dhe me të drejta të barabarta i familjes sonë dhe minoriteti grek në tërësi, është një urë tejet e vyer lidhëse mes të dy vendeve dhe popujve tanë, urë për të cilën kujdesi i qeverisë dhe i shtetit shqiptar vetëm do të vijojë të rritet. Por, Shqipëria, pavarësisht halleve dhe nevojave të saj, nuk do të mbyllë asnjëherë as sytë, as gojën, në mbrojtje të të vërtetave dhe të drejtave të veta.

Lejomëni sot të shprehem besimplotë se koha që kemi përpara do të sjellë zgjidhjet e dëshiruara për të dyja palët me dialog real, me këmbë në tokë, jo me deklarata fluturake në distancë dhe marrëdhëniet mes nesh do të ngrihen në një nivel të ri miqësie, respekti dhe bashkëpunimi strategjik.

Së treti, po e nis me një parantezë:

Sot është dita e një kujtimi thellësisht të përzishëm për Shtetet e Bashkuara, 11 shtatorit dhe duke rikonfirmuar në këtë ditë angazhimin tonë të palëkundshëm në krah të aleatit tonë të madh strategjik, dua gjithashtu të informoj se qeveria e re do t’i dedikojë një fond solidariteti viktimave të shkatërrimeve kolosale që fatkeqësia natyrore po shkakton prej ditësh mbi Shtetet e Bashkuara.

Ne do të vazhdojmë të mbështetemi fort tek aleanca strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian, duke u pozicionuar pa asnjë ekuivok dhe kontribuar me të gjitha mundësitë në çdo front të përbashkët diplomatik, apo ushtarak.

Për ne, sidoqoftë, historia e integrimit europian të Shqipërisë është historia jonë; historia e reformave që duhet të shkruajmë dhe zbatojmë këtu në Shqipëri; historia e demokratizimit dhe modernizimit të këtij vendi, jo sepse na e kërkon Brukseli, apo e gjithë bota bashkë, por sepse Shqipëria Europiane është amaneti i rilindësve tanë dhe detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë.

Padiskutim, çelja zyrtarisht e negociatave vitin e ardhshëm është ajo çka Shqipëria pret dhe meriton dhe është e padrejtë, sipas nesh, që kjo çështje të vazhdojë të zvarritet për arsye që s’kanë lidhje me Shqipërinë, duke nxjerrë në çdo hap sebepe të reja. Megjithatë, asgjë për t’u hatërmbetur. Dihet si funksionon Bashkimi i sotëm Europian dhe vetë ky proces gjithnjë e më i paparashikueshëm si integrimi. Kështu që, nuk na mbetet veçse të bëjmë sa më mirë atë që kemi ne në dorë dhe pavarësisht zyrtarizimit dhe fazave të zyrtarizuara në proces ne ta bëjmë Shqipërinë një vend me standarde, norma dhe mirësjellje si në Bashkimin Europian.

E kemi ne në dorë të reformojmë rrënjësisht qeverisjen, institucionet e gërryera prej vitesh e vitesh të tëra nga korrupsioni dhe sistemin e degraduar prej vitesh e vitesh të tëra të shërbimeve për qytetarët. Dhe do ta bëjmë! Kjo është pjesë e shtetbërjes që nënkupton në çdo hap edhe vetë procesi i integrimit europian. Ne do të shtyjmë fort në këtë drejtim.

Kemi një vizion të plotë dhe një plan të qartë që ka nisur të jetësohet me strukturën e re të qeverisë dhe do të vazhdojë kaskadë deri në bazën e piramidës së shtetit. Parimi i qeverisjes tonë do të jetë: “Më shumë me më pak!”

E kemi ne në dorë të vigjëlojmë mbi procesin e Vetting-ut dhe të shtyjmë përpara në tërësi Reformën në Drejtësi, duke lehtësuar paralelisht barrën e rëndë të shumë hallkave të sistemit të drejtësisë mbi qytetarët dhe mbi vendin në tërësi. Përqendrimi tek Vetting-u është mëse normal. Fokusimi edhe i opinionit publik tek peshqit e mëdhenj është mëse i kuptueshëm. Por, ndërkohë, sistemi ynë i drejtësisë shkatërron përditë shpresa dhe të drejta të shumë e shumë njerëzve të zakonshëm. Ne do të shtyjmë fort, jo vetëm që opinioni publik të shohë prova konkrete të dobisë kombëtare të Vetting-ut, por edhe që në tërësi drejtësia që duam pas katër vjetësh të mos duket më një utopi për njeriun e zakonshëm, siç është dukur sot e 27 vjet.

E kemi ne në dorë të rimëkëmbim çdo shkollë ekzistuese që ende kërkon, edhe pse prej shumë vitesh, dorën e shtetit; çdo dhomë dhe mjedis spitali që po ashtu ende pret prej shumë vitesh dorën e shtetit; çdo rrugë kombëtare që sot lëngon prej dorës së një shteti që në infrastrukturën rrugore në këto 20 e kusur vite ka lënë gjurmët e gishtave të një papërgjegjshmërie dhe paaftësie spektakolare. Dhe do t’i bëjmë!

Një program i madh investimesh do të nisë të zbatohet gjatë këtij mandati në infrastrukturën rrugore, shkollore dhe shëndetësore të vendit, falë të cilit do të hapen edhe shumë vende të reja pune, si dhe do të ndikohet ndjeshëm rritja ekonomike e Shqipërisë.

Partneriteti me biznesin do të hyjë në një fazë të re. Qeveria e re do të ketë një Ministre Shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes, de facto figurën e Ombudsmanit, Avokatit të Sipërmarrjes brenda qeverisë.

Edhe bashkëpunimi me sipërmarrjen për të luftuar korrupsionin në administratë, për të pastruar grabitqarët nga zyrat e shtetit, për të lehtësuar ndjeshëm ndërveprimin e biznesit me shtetin do të hyjë në një fazë të re dhe ne nuk do ngurrojmë të përdorim të gjitha metodat e nevojshme jokonvencionale.

Nga ana tjetër, edhe lufta kundër informalitetit do të hyjë po ashtu në një fazë të re, qysh në 100 ditët e para të qeverisjes dhe do të nisë me një ndryshim të ndjeshëm në qasje dhe në rezultate që do të konsolidohet pa ndërprerje për katër vite me radhë.

E kemi ne në dorë të rrisim ende shumë më lart nivelin e sigurisë në vend, të shërbimit policor në territor; të godasim fort çdo “të fortë” që sfidon rendin dhe qetësinë e njerëzve të zakonshëm në komunitet; të vazhdojmë ta ripërtërijmë trupën tonë policore, duke e ulur sistematikisht më tej moshën dhe duke rritur profesionalizmin e saj. Dhe do ta bëjmë!

E kemi ne në dorë të rrisim volumin e investimeve, duke mos e rritur, por duke e ulur borxhin; të kapërcejmë nivelin 5% të rritjes ekonomike në vitin e tretë të këtij mandati; të krijojmë mundësi për 220 mijë vende pune më shumë në librat e llogarive të shtetit; të rrisim përsëri rroga e pensione në harkun e katërvjeçarit, përsëri pa e rritur borxhin; të rrisim më tutje eksportet bujqësore, duke i stimuluar ato dhe më fort dhe duke hequr dorë nga subvencionimet joeficente me frymëzim partiak. Dhe do ta bëjmë!

Do të angazhohemi fuqimisht, në bashkëpunim me pushtetin vendor, pa dallim majtas, apo djathtas, për të mbyllur përfundimisht kapitullin kaq shumëvjeçar të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Po ashtu, do të mbyllim edhe procesin e legalizimeve. Një strukturë e posaçme do të bëjë inventarin e pronave të shtetit që nga rrugët që janë ende, thuhet pronë publike, por mish për topat e sekserëve nëpër hipoteka, deri tek të gjitha tokat e lira bujqësore, apo turistike, të cilat nuk mund të lihen më në dorën e grabitqarëve dhe sekserëve të këtij vendi.

E kemi ne në dorë që turizmin ta kthejmë në një nga burimet më të shtuara të rritjes ekonomike dhe të punësimit në katër vitet e ardhshme. Ta ndryshojmë fort qasjen në këtë sektor. Ta ngremë në një nivel të ri bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe me të gjithë industrinë. T’i rrisim ndjeshëm investimet e brendshme dhe të huaja në turizëm. Dhe do ta bëjmë!

Qysh vitin e ardhshëm, mos prenotoni ikje jashtë, sezoni turistik do të sjellë një erë të re në Shqipëri me siguri të lartë, pastërti shembullore dhe shërbime shëndetësore dinjitoze. Kjo është e arkivuar. Shkollëshumtit në opozitë ta mbajnë mend edhe pastaj ballafaqohemi me realitetin. Unë po ju them mos u harxhoni kot për të ikur jashtë vitin tjetër. Ju si të doni.

Djegia e pyjeve gjatë këtij sezoni meriton një analizë shumë serioze dhe një reagim të fortë dhe efikas qysh vitin që vjen. Reformimi dhe ngritja në një nivel krejt tjetër i Emergjencave Civile është një domosdoshmëri imediate. Dhe do ta bëjmë!

Qasja jonë ndaj mjedisit do të jetë një qasje e re dhe pastërtia e vendit dhe mbrojtja e burimeve tona natyrore do të vihet menjëherë dhe nuk do të lëvizë për asnjë ditë gjatë katër viteve nga rendi i ditës. Shqipëria mund të jetë ende e varfër, por s’ka pse të mos jetë që sot e pastër; mund të jetë një treg shumë i vogël, por s’ka pse të mos jetë një vend shumë i sigurt; mund të mos ketë raketa, avionë, trena të shpejtë, por s’ka asnjë arsye të mos ketë ujë dhe energji për të gjithë, në të gjithë territorin, siguri të garantuar dhe mundësi të barabarta për secilin, zhvillim ekonomik dhe social shumë më domethënës për njeriun e zakonshëm.

E kemi ne në dorë dhe do ta bëjmë!

Natyrisht, çdo dorë që do të na jepni në këtë proces dhe në këtë rrugë ku ne duam të bëjmë një ndryshim historik, ne do ta puthim dhe asnjëherë nuk do ta kafshojmë.

Faleminderit!

*Fjala e mbajtur në Kuvend gjatë prezantimit të sintezës së programit të qeverisë së re

Rama: Ata që mbuluan Skënderbeun, nuk maten as me zgjatimin e fundbarkut të kalit të Gjergjit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas 10 ditësh për ngjarjen e mbulimit të Skënderbeut gjatë faljes së namazit të Bajramit në sheshin kryesor të Tiranës. Rama ka reaguar ashpër por në një mënyrë më fine për t’u shprehur duke thënë se “njerëz që nuk maten as me zgjatimin e fundbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë”

Rama qëndrimin e tij e ka shpalosur  nga foltorja e Kuvendit ku ka dhënë “një paralajmërim të fortë, lidhur me atë që e ka quajtur kërcënim i shqipes dhe harmonisë fetare dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve”.

Duke iu referuar ngjarjes së fundit për mbulimin e Skënderbeut në shesh, gjatë festës së Kurban Bajramit, Rama tha se për këtë duhet një analizë e fortë dhe reflektuese.

“Në emër të shumicës qeverisëse ju shpreh sot të gjithëve, opozitës tradicionale apo sezonale, gatishmërinë tonë të ndërmarrim një nismë të përbashkët, tryezë të hapur që duhet të na bashkojnë.

Shqipëria e bashkuar me Evropën, apo bashkimi kombëtar i shqiptarëve janë apo nuk janë paketë e bashkëpunimit tonë? Nuk po flas për Shqipëri të madhe por për një popull të vetëm shqiptar, që ka dy shtete, por është ende larg së qeni i lidhur në të drejta dhe detyrime, kompakt në qëllimet e mëdha. Edhe gjuha jonë sot, shqipe, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, ca nga inercia e boshllëkut të arsimit në tranzicion, ca nga çodoria e pjellë prej tranzicionit që na shfaqet në forma shqetësuese marrëzie, si ishte ajo që përfshiu edhe heroin tonë kombëtar Skënderbeun. Njerëz që nuk maten as me zgjatimin e funbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë. Aq qesharak, ai episod kërkon analizë, reflektim, jo për perden që nuk e mbuloi monumentin, por me çfarë u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar si embrioni i një krimbi kërcënues, për harmoninë fetare dhe përkatësinë evropiane të shqiptarëve”, tha kryeministri shqiptar.

Ruçi, degjenerimi i politikës dhe turpërimi i PD – Nga TOMORR ALIZOTI

Për të gjithë ata që duan të gjejnë arsye apo justifikime për emërimin e Gramoz Ruçit si Kryetar të Parlamentit dhe Fatmir Xhafajt si ministër të Brendshëm, shoqëria duhet të ketë vetëm neveri dhe asgjë tjetër. Në vitin 2012, u dënua me 5 vjet burg Xhon Demjanuk, 91-vjeçar, për shkak se kishte qenë roje në burgun nazist në Sibohor të Polonisë, ndërsa në vitin 2016 u dënua, po me 5 vjet burg, Reinhold Hanning, i cili, gjithashtu ka qenë roje në kampin e Auschvitcit.

Imagjinoni ç’mund të thuhet në rastin e Gramoz Ruçit, i cili ka qenë ministër i Brendshëm dhe drejtor i Sigurimit Kriminal të Shtetit apo për rastin e Fatmir Xhafës, që ka qenë hetues dhe gjyqtar në një regjim genocidial-totalitarist si komunizmi. Pra, edhe rojet e kampeve po dënohen me burg gati 70 vjet pasi ka rënë nazizmi, ndërsa ne po vendosin në krye të shtetit sot, ata, që 27 vite më parë, ishin në krye të regjimit komunist. Çdo kujtim, dhimbje dhe vuajtje e komunizmit është gjallë, çdo psherëtimë apo rënkim nga torturat, piskamë nga lajmet dramatike për arrestime, burgosje apo pushkatime, çdo imazh i skalitur i kampeve të Spaçit, Burrelit dhe kujtdo tjetër është e gdhendur pashqitshmërisht në mendjet e atyre që vuajtën, por edhe tërë popullit.

Krimi kishte emër, ndonëse fshihej pas një regjimi, pas një partie, pas një ideologjie. Emrat ishin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, por edhe Ramiz Alia, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa, Nexhat Haznedari, Fehmi Abdiu, etj., etj. Dhimbja do të na shoqërojë ne, siç do të shoqërojë hija e krimit ata, që e mbajtën në këmbë diktaturën, por edhe ata, të cilët sot, sjellin në krye të vendit njerëzit e diktaturës dhe gjejnë justifikime për rikthimin në krye të vendit të Ruçit apo Xhafajt.

Një turp i rëndë do të shoqërojë edhe ata që uzurpuan apo përdorën opozitën dhe Partinë Demokratike, duke u hequr si parti që ngrihet mbi gjakun, dhimbjet dhe idealet e atyre që masakroi komunizmi. Partia Demokratike, sot, më shumë ngrihet mbi turpërimin apo talljen me dhimbjen e atyre që u pushkatuan apo persekutuan nga komunizmi. Dy ditë më parë, grupi parlamentar i Lulzim Bashës tregoi se është aq i ndotur, sa tre prej tyre votuan pro Gramoz Ruçit.

Është e qartë se ata janë ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit, të cilëve Ruçi me siguri ua ka emrat, pseudonimet dhe u njeh dosjet. Një turp më i rëndë ishte mënyra se si Lulzim Basha dhe njerëzit e tij në grupin parlamentar u përpoqën të shpjegojnë votimin. Ata e mohuan fare atë, ata thanë se Rama manipuloi votat. Në këtë moment, këto të vërteta të mëdha, të rënda dhe shumë të turpshme për partinë, lajmet, për të cilën të burgosurit e komunizmit i ndiqnin me drithërima në qeli në vitin 1990, do të zhurmohen nga një kor zvarranikësh, të cilët do të thonë se kritikët e Bashës kanë inate personale, se ata që kritikojnë Bashën, kanë qenë hajdutë dhe ministra për tetë vite, se mes tyre ka spiunë apo ish-sigurimsa etj.

Ky kor i poshtër që nuk ka asnjë ideal, nuk e ka fare problem hajdutërinë e ish-ministrave, nëse ka patur ish-ministra hajdutë, nuk e ka problem të qenit ish-spiunë të ndonjërit prej kritikëve, sepse vetëm dje u provuan se Basha minimumi, ka tre prej tyre të zgjedhur të tijtë, nuk e ka aspak problem faktin që mes kritikëve mund të ketë njerëz që kanë punuar me Nexhmije Hoxhën sepse vetë Basha ka zgjedhur njerëz të tillë më parë, por edhe tani.

Ky kor është ndoshta një prej grupeve me pa formë, pa trajtë që ka njohur ndonjëherë Shqipëria në këto 27 vite. Gramoz Ruçin apo Fatmir Xhafën nuk i emëroi Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, por Partia Demokratike dhe Lulzim Basha po tregojnë dhe kanë treguar se nuk e kanë fare shqetësim një gjë të tillë, po tregojnë, dhe këtu po tregohen të sinqertë, se ata nuk janë një grup apo një parti që ka ndonjë bindje politike, ndonjë qëndrim moral që ka lidhje me të djathtën. Partia Demokratike, sot, kori i njerëzve të Bashës, po tregojnë se janë që të gjithë një grup interesi, të cilët kanë për parim gjithçka që u bën punë.

Ata kanë parim mungesën e parimit. Gjithkush në Shqipëri, çdo demokrat sidomos, e ndien se kjo PD është një parti e tillë. Ky ishte momenti ideal që PS, një parti që në thelb nuk ka reflektuar asgjë nga krimet e komunizmit dhe nga bartja e vetëdijes kriminale të partisë së punës, të emëronte Ruçin Kryetar të Parlamentit. Ky është momenti kur PD është më e dobët se kurrë dhe ky është momenti kur PD është zhveshur krejtësisht nga çdo ide apo bindje dhe moral i djathtë.

Sigurisht, duke e ditur këtë, njerëzit pranë Bashës, deputetë të afërt të tij, po përdorin një gjuhë të ashpër kundër komunizmit, me qëllim që të fshehin sadopak karakteret bosh dhe mungesën e plotë të parimit dhe bindjeve. Kur ata shajnë apo kritikojnë komunizmin, duken si karikatura dhe kjo gjë do t’i ndjekë përgjithnjë. Të qenit i djathtë dhe antikomunist është çështje bindjeje të brendshme. Tërë lista e kandidatëve të Bashës, me përjashtime periferike, të qëllimshme, nuk pati asnjë zë të qartë, të njohur të djathtë dhe antikomunist dhe këtu nuk po flas asfare për veten.

Dua të qetësoj çdo përfitues dhe servil profesionist pranë kryetarit, se beteja ime nuk është një betejë për vendin tim në PD, por një betejë në kujtim të vuajtjeve të atyre që u masakruan sepse ishin patriotë dhe antikomunistë dhe një betejë për të dhënë një mundësi fluksit të djathtë të ketë zë. Lulzim Basha do të vazhdojë të bëjë si i djathtë, do të shtyjë njerëzit e tij bosh të flasin si të djathtë, të hakërrehen si antikomunistë, por emërimi i Ruçit do të pasohet nga të tjerë, djemtë dhe vajzat e byrosë politike do ta popullojnë gjithnjë e më shumë politikën dhe parlamentin sepse kjo është opozita më pa bojë e gjithë këtyre viteve.

Të djathtët e vërtetë, ata që e njohin se ç’është ajo, atyre që iu dhemb ajo. Ata Basha dhe grupi i tyre i mbajnë jashtë, larg, ose i përdorin si zbukurim, duke qenë deri në fund perversë. Jam i bindur se do të vijë një moment, kur vetë PD të nxjerrë në sipërfaqe atë që fsheh, të nisë të flasë për ta lënë pas atë që ka ndodhur në komunizëm, të shohim “përpara”. Në këtë moment, që nuk do jetë larg, do të kemi zyrtarisht jo më ish-gazetarë të ZP-së, apo ish-nëndrejtorë të institutit të studimeve marksiste-leninsite, por vetë njerëz të byrosë politike.

Mund të kemi edhe ne Ruçin tonë. Atëherë do të kemi ndoshta një parti të re demokratike të djathtë, nëse brenda PD nuk do të ketë patur një lëvizje për t’i dhënë kësaj pamjes së tanishme. Ia vlen shumë më tepër ta mbrosh kujtimin e atyre që u masakruan, ta nderosh dhimbjen e gjakun e atyre që u vranë apo persekutuan nga ai regjim dhe të jesh jashtë parlamentit, jashtë PD-së, se sa të jesh aty dhe të jesh karikaturë dhe votues apo mbrojtës i votuesit të Ruçit.

Servet Pëllumbi duhet të ndiqet penalisht – Nga AGRON TUFA

Edhe pse është folur shumë për një epokë “të rënies së ideologjive”, fill pas gremisjes së sistemeve  totalitare komuniste në vitin 1990, rizomat e hidhura të nostalgjisë totalitariste shpërthejnë gjithkund në Europë. Por torfën dhe fermentin më të pëlleshëm e gjejnë, padyshim, në Shqipëri. Sa për Europën e lirive dhe të kujtesës, ajo di si të ndeshet me idetë totalitariste: ajo i ka edhe ligjet, dhe mekanizmat, dhe higjienën e ndërgjegjes dhe syçeltësinë e duhur. Europa e pasluftës së Dytë Botërore ka vazhduar të denazifikohet e dekomunistizohet dhe vazhdon ende.

Problem mbetet Shqipëria me toksikatet e saj të paprekura ideologjike. Te ne vazhdojë të ardhangen frutat e helmëta mendore, që topisin mendjen dhe zeherosin gjakun e gjeneratave, sikundër doli pak muaj më parë edhe nga rezultatet e sondazhit të OSBE-së, në të cilin 49% e të anketuarve ishin pro rikthimit të regjimit të Enver Hoxhës. Një nxitje të tillë, një helmatisje cinike e ndeshëm këto ditë në deklaratën z.Servet Pëllumbi, ish-profesor “marksist” (por, në fakt, enverist), ish-deputet në dy dekada dhe që për dekadën e tretë, ia ka kaluar stafetën parlamentare të birit.

Por çfarë tha z.Pëllumbi? Si mjaft të tjerë të falangës së tij më parë, propagandoi e mashtroi publikisht: “Në asnjë vend të Europës Lindore nuk flitet më për antikomunizëm, pas 27 vjetësh nga ndryshimi i sistemit dhe konsolidimi i demokracisë. Tezat për antikomunizëm tregojnë varfërinë e ideve, mendimeve dhe qëndrimeve <…> . Pas 27 vjetësh nuk mund të bëhet fjalë për antikomunizëm në Shqipëri”. (“Panorama”, 9 shtator 2017). Përkoi që këtë “konstatim” të profesorit enverist e lexova bash më 9 shtator, teksa udhëtoja për në Postribë dhe Shkodër, me rastin e 71-vjetorit të “Kryengritjes së Postribës” (9 shtator 1946).

Më habiti se me çfarë syzesh e lexojmë realitetin historik unë dhe profesori enverist! Ai, me mashtrimin se “as që mund të bëhet fjalë për antikomunizëm në Shqipëri”, ndërsa unë, me të ngjashmit e mi, me misionin për ta përkujtuar atë ngjarje të përgjakur me terrorin që pasoi: 78 të pushkatuar, qindra të burgosur e të internuar, tortura dhe shtëpi të djegura, çdo ditë reprezalje dhe gjyqe në qytet, deportime dhe luftë klasash, përndjekje dyzetvjeçare sipas biografisë. Kuptohet që profesorit i leverdis dhe përpiqet të ushtrojë ndikim mbi njerëzit, që ta besojnë, të nxisë kështu amnezinë e përgjithshme, se kështu i thotë atij muza internacionale ideologjike.

Syzet e tij e fshijnë realitetin ku bëj pjesë unë dhe qindra mijëra të tjerë. Alibia e profesorit me Europën, sigurisht është një mashtrim i lirë dhe banal dhe ne, më poshtë, do t’ia heqim edhe maskën edhe kallajin. Ngutja dhe padurimi i nxit inertet komuniste të kompensojnë mungesën e realiteteve, duke i sublimuar ato me sajesa. Kështu, disa muaj para profesorit, një çerek diplomati e çerek publicisti i dështuar, i frynte në vesh këshillën e vet kryetarit të opozitës, duke i thënë se “me kuajt e ngordhur të antikomunizmit nuk fitohen zgjedhjet as në Europë, jo më këtu…”. Pra, nuk është rastësi kjo djegë e profesorit enverist, por dukuri.

E, nëse jam i saktë, atëherë ku duhet kërkuar “habia filozofike” e kësaj dukurie? Nëse e dekonstruktojmë, na përftohet besimi i kulluar e mitik i profesorit për rikthimin e kohëve të arta, me në krye shokun Enver. Me logjikën e tij, ashtu siç po shkojnë punët në vendin tonë, profesori është në rregull, gjithçka bën vaki e vakia s’ka të sosur. Veçse për ta pastruar terrenin e manipulimit, logjikës përllogaritëse të profesorit i duhet t’i heqë qafe si të paqena krimet e komunizmit dhe kujtesën e njerëzve për të. Që ta heqë qafe këtë pengesë, profesori shpif, mashtron, falsifikon dhe thërret në ndihmë Europën, dikur të urryer, duke e përfshirë krejt kontinentin si dëshmitar të gënjeshtrës së vet.

Besimi dhe shpresa e profesorit enverist sugjeron që me pak hile, mashtrime e dredhi, mund të arrihet vetëpërtëritja e plotë e totalitarizmit në këtë vend, deri në riardhjen e Enverit. Sigurisht, ai nuk është aq budalla, sa të injorojë faktin e vdekjes fizike të diktatorit. Por, arketipi psikoanalitik i të menduarit të tij, ma do mendja se gjen shpjegim të mjaftueshëm me teorinë e “Dy trupave të mbretit”, për të cilën profesori as që ia ka idenë. Kjo teori e ka zanafillën në një cause célébre që lidhej me dukatin e Lankasterit, të cilin mbretërit anglezë të dinastisë së Tudorëve e kishin patur gjithmonë pronë private, por jo të Kurorës.

Shkurtimisht, teoria e hartuar thotë: “Mbreti ka dy trupa, një trup natyror dhe një trup politik. Trupi natyror është i vdekshëm, u nënshtrohet sëmundjeve që vijnë nga natyra apo aksidenti, papjekuria e fëmijërisë apo matufepsja e pleqërisë, njëlloj si gjithë njerëzit e tjerë, por trupi i tij politik nuk mund të shihet apo preket sepse lidhet me Qeverisjen e popullit dhe përkujdesjen e së Mirës publike, prandaj ky trup është i paprekshëm nga sëmundjet që dëmtojnë trupin natyror. Për këto arsye, ajo që bën mbreti me trupin politik, nuk mund të zhvlerësohet nga cilado paaftësi e trupit të tij natyror”. (Kantorowwitz: 1957,7)1 .

Rrjedhimisht, një teori e tillë merr vlerë universale përshtat me enveristët tanë, sipas postulatit të mësipërm: “Enveri vdiq si trup fizik, por rron gjallë trupi i tij politik, enverizmi, i cili duhet reanimuar”. Prandaj, për këtë qëllim, nuk duhen kursyer të gjitha mjetet në lojë. Kjo dëshirë e shtyn “natyrshëm” profesorin të thërrasë “jallan shahit” Europën për të ilustruar simulimet e tij imagjinare e kriminale. Por në realitet, pikërisht ballafaqimi me Europën për këto çështje të kujtesës, ia heq profesorit kallajin dhe maskën. Le t’i rendisim disa fakte kokëforta. Komisioni Europian, në dhjetor 2010, ka përgatitur një raport për Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës, me temën e sipërcituar2.

Në këtë raport, ndër të tjera, citohet: “Drejtësia për viktimat është e rëndësishme për tranzicion të suksesshëm nga totalitarizmi në demokraci”. “Gjykimet e autorëve, mekanizmat e kërkimit të së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi dhe kompensimi i viktimave dhe kthimi i pronave të konfiskuara, janë ndër mjetet kryesore për arritjen e këtij objektivi”. “Katër shtete anëtare të BE-së kanë legjislacionin kombëtar kundër mohimit të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, i cili përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste:

– Në Republikën Çeke: Kodi penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist, komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit.

– Në Poloni: mohimi publik dhe kundërfaktual për krimet naziste, krimet e komunizmit dhe krimet e tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimet e luftës, është një vepër penale.

– Në Hungari: refuzimin publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të gjenocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit, të kryera nga regjimet kombëtare socialiste dhe komuniste, është një vepër penale.

– Në Lituani: lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimeve të kryera nga BRSS (Bashkimi Sovjetik), ose Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale”.

Ka disa aspekte mbi të cilat po punohet, e që janë:

• Edukimi dhe ndërgjegjësimi

• Projektet kërkimore

• Simbolet e totalitarizmit

• Kuadri ligjor mbi mohimin e krimeve.

Në raport, gjithashtu citohet: “Më 16 qershor 2009, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme miratoi konkluzionet, duke deklaruar se: “Për të forcuar vetëdijen Europiane të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, kujtimi i të kaluarës së trazuar të Europës duhet të ruhet, pasi pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin”. Ky pra, është qëndrimi i Europës reale dhe vendeve ish-komuniste të BE dhe jo ashtu siç mashtron apo siç do t’i vinte për hosh profesorit mashtrues e nostalgjik.

Në akord me ligjet europiane mbi kujtesën, i takon deduktivisht, që z.Servet Pëllumbi duhet të ndiqet penalisht. Z.Servet Pëllumbi të na ndjejë, por është tej së pamundurës, që të kyçen dhjetëra mijëra familje në amnezinë e propozuar prej tij. Është e nevojshme, madje pa asnjë spekulim filozofiko-ideologjik, që profesori dhe simahorët e diktaturës të çarmatosen për pak nga paja ideologjike e nostalgjia enveriste, të bëhen thjesht njerëz në vetë të parë, ta imagjinojnë për një grimë veten në vendin e atyre dhjetra mijëra fëmijëve, të cilët u rritën jetimë e në internim, pasi terrori komunist ua pushkatoi prindërit, pa u lënë as edhe një vend ku të gjenin eshtrat.

Unë nuk besoj se ish-komunistët si z.Servet Pëllumbi janë krejtësisht të privuar nga ndjenjat e parëlindura prindërore të racës njerëzore, sa të mos mund të rrokin me mend e, ndoshta, edhe me zemër, pasojat e këtij pengu të përjetshëm, të pangushëllimtë. Dhe nëse Europa me përvojën e saj na mëson, se “pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin”, z.Pëllumbi duhet të thellohet më mirë në “habinë filozofike”, se sa viktima të pafajshme ka shkaktuar terrori komunist?

Përse, me cilën të drejtë tokësore a hyjnore u pushkatuan ata në kohë paqeje? Ku i kanë varret mbi njëmbëdhjetë mijë qytetarë (aq sa ka mundur të evidentojë me emra e data gazeta “Liria” e ish-të persekutuarve politikë deri në momentin e ndërprerjes, pranverë 1997)? Çfarë kemi bërë ne për ta, për t’ua kthyer eshtrat familjeve? Çfarë masash kemi ndërmarrë ne si shtet për fashitjen dhe rehabilitimin e kësaj traume kombëtare? Këto, sa për fillim, pa u shtyrë më tej në malin e morekujesë me pyetje të pafundme. Por z.Servet Pëllumbi nuk do. Dhe jo vetëm nuk do, por mashtron. Dhe jo vetëm mashtron, por përfshin në mashtrimin e tij Europën dhe BE-në.

Ç’na mbetet të bëjmë atëherë? A ka njerëz të besueshëm profesori, miq e të afërt, shokë e dashamirës, që t’i pëshpëritin butësisht në vesh, pa ia vrarë ëndërritjen me sy hapur të pleqërisë: Boll more burrë, se le nam! Turp me rrejt…!? Në mbyllje, po i kujtoj profesorit të filozofisë m-l, se filozofët e vjetër grekë, sofistët, e shumëzonin defenitivisht me zero bashkëbiseduesin, sapo e kapnin në kontradiktë flagrante me veten e vet.

1. Për më tepër rreth kësaj teorie lexoni studimin e Gëzim Qendros “Aura e trupit politik II”, në: / peizazhe.com/2016/02/04/aura-e-trupit-politik-ii/

2. raportin e plotë mund ta lexoni këtu: https://www.youtube.com/ watch?v=Co7BNAaH2fE. Një panoramë më të gjerë të evidentimit të raportit mund ta gjeni në shkrimin e studiuesit Dritan Dema, të cilit i jam referuar, në adresën: http:// www.thealbanian.co.uk/mohimi-krimeve-teregjimeve-totalitare-ne-shqiperi-duhet-te-jeteveper-penale.html

Rama paraqet programin e qeverisë së re

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraqiti sot para parlamentit programin e qeverisë socialiste për katër vitet e ardhshme.

Në qendër të këtij programi ai renditi rritjen ekonomike, kujdes më të madh social për fëmijët dhe të moshuarit, investime në shkolla e spitale dhe bashkëpunim ekonomik më të mirë me vendet fqinje.

Zoti Rama i bëri thirrje opozitës që të bëhej pjesë e disa reformave me rëndësi që lidhen me ekonominë, sistemin gjyqësor, integrimin europian, shkollimin e fëmijëve dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë, imazhin e Shqipërisë në botë.

“Çështjet që na bashkojnë janë më të mëdha se sa ato që na ndajnë”, – iu drejtua ai deputetëve të opozitës, duke kërkuar që kundërshtimet e saj të mos jenë “fluturake e mediatike”, por të jenë konstruktive dhe dobiprurëse për qytetarët.

Kryeministri Rama bëri thirrje që në parlament t’u jepej fund grindjeve të kota e të zhurmshme dhe të gjithë palët të përqëndrohen tek nevojat e qytetarëve.

Në politikën e jashtme ai theksoi si të shkëlqyera marrëdhëniet me SHBA, gadishmërinë për një bashkim doganor me Kosovën dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Greqi.

Por kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi pas seancës se kjo seanca dhe fjalimi më bosh, që ishte dëgjuar më parë gjatë paraqitjes së programit qeverisës.

“Thelbi u zëvendësua me propagandë të stilit të vjetër. Rama nuk foli për 300 mijë vendet e punës që premtoi dhe për 300 mijë shqiptarët që nisi në emigracion. Rama 2 nuk e njeh dhe nuk mban përgjegjësi për premtimet e Rama 1. Integrimi është stopuar totalisht për shkak të krimeve, që u shtuan gjatë qeverisjes socialiste” – tha zoti Basha.

Ndërron jetë akademiku Farudin Hoxha

Ka ndërruar jetën në moshën 82-vjeçare akademiku dhe profesori Farudin Hoxha.

Akademiku Hoxha ka qenë projektues i shumë veprave hdiroenergjitike në Shqipëri.

Gjithashtu, akademiku me profesion inxhinier hidroteknik ka qenë edhe Ministër i Ndërtimit.

Homazhet do të mbahen në hotel Internacional, prapa ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në orën 16.00, në ditën e sotme.

Per lajmin e hidhur te ndarjes nga jeta te profesorit qe ka qene edhe ish-ministri i Ndërtimit ka reaguar me nje postim ne faqen e tij edhe ministri Damian Gjiknuri.

Mesazhi i Gjiknurit 

Me hidhërim mësova lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesor Farudin Hoxhës. Lajm i rëndë, që prek familjarët e tij, kolegët, miqtë dhe dashamirësit e shumtë.

Profesor Farudini do të mbahet mend gjatë si projektuesi i disa prej veprave më madhështore të energjitikës në Shqipëri.

Pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, ai nuk reshti për asnjë ditë së kontribuari me mendimet dhe këshillat e tij të vyera.

Familja humbi njeriun e dashur! Kolegët dhe miqtë humbën bashkëudhëtarin e shumë sfidave!

Sektori elektroenergjitik humbi njeriun që me veprat e tij nuk do të harrohet asnjëherë. Të gjithë, kemi humbur një njeri të mirë! U prehsh në paqe Farudin!

Kush ishte Farudin Hoxha (1936-2017)
Inxhinier hidroteknik, profesor, akademik.
Lindi në Gjirokastër. Kreu Politeknikumin e Tiranës dhe ndoqi studimet e larta për ndërtime hidroenergjetike në Budapest e Sofje; u diplomua më 1961 në UT.

Prej vitit 1961 ka punuar në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve dhe më vonë në Institutin e Studimeve dhe të Projektimeve të Hidrocentraleve, Nënstacioneve dhe Linjave të Tensionit të Lartë.

Në vitin 1971 për një periudhë gjashtëmujore, kam kryer specializimin pasuniversitar në Francë për mekanikën e dherave dhe ndërtimin e digave të larta me materiale vendi ose rrethanorë.

Pavarësisht nga detyrat e tjera që ju ngarkuan, profesori ka vazhduar rregullisht punën studimore e projektuese në këtë Institut deri në mesin e vitit 1993.

Nga nëntori 1982 deri në maj 1988, ka qenë Ministër i Ndërtimit dhe më pas deri në 21 shkurt 1991, kur ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga Qeveria, ka qenë ministër pranë Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin ekonomik me jashtë.

Ka qenë anëtar i grupit qendror për studimet, projektimet dhe ndërtimet e veprave hidroenergjitike në Shqipëri:

– Skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin.
– Hidrocentali i Vaut të Dejës me fuqi 250.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1 miliard kilovat/orë.

– Hidrocentali i Komanit me fuqi 600.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 2 miliard kilovat/orë.

– Hidrocentali i Fierzës me fuqi 500.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1.7 miliard kilovat/orë.

– Hidrocentali i Banjës me fuqi 60.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.25 miliard kilovat/orë.

– Hidrocentali Bistrica II me fuqi 5.000 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.032 miliard kilovat/orë.

– Hidrocentali i Bogovës me fuqi 2.500 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 0.0125 miliard kilovat/orë.

Ka qenë projektues dhe kryetar i grupit të studimit dhe të projektimit të të gjitha digave të hidrocentraleve të mësipërme me lartësi nga 40 m deri në 167 m disa prej të cilave nga Komiteti Botëror i Digave të Mëdha (ICOLD), janë klasifikuar ndër më të lartat në Evropë e më gjerë.

Ka kryer studime dhe projektime dhe për vepra të tjera hidroteknike dhe hidroenergjitike të rëndësishme, si hidrocentrale, ujëmbledhës, diga, stacione pompimi etj., një pjesë e të cilave janë ndërtuar.

Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Digave të Larta prej vitit 1991 deri në vitin 1995. Prej vitit 2002 e në vazhdim jam Kryetar i këtij Komiteti.
Nga nëntori 1999 deri në nëntor 2000 kam qenë Drejtor i Përgjithshëm i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Prej vitit 1997 deri në vitin 2008 ka qenë anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.

Prej vitit 1997 deri në vitin 2004 ka qenë anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Shqipërisë.

Prej vitit 1973 deri në vitin 1982 ka qenë anëtar i Komisionit Qeveritar për ekonominë ujore me vendet fqinjë. Prej vitit 2001 deri në vitin 2005 ka qenë anëtar i këtij Komisioni.

Prej vitit 2000 deri në vitin 2006 ka qenë i zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Tiranës. Mban titullin shkencor “Profesor” dhe “Akademik”.

Në vitin 1986 u pranua anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga viti 1989 ishte anëtar i saj.

Prej vitit 1997 deri në vitin 1999 ka qenë Sekretar Shkencor i ASh dhe nga ky vit deri në vitin 2008 ka qenë zgjedhur dhe zëvendëskryetar i saj.

Për arritjet në punën studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimeve hidroenergjitike, është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë.

GASHI I GURIT NË PANTEONIN E KOMBIT – Nga Azgan HAKLAJ

 

Fisi i Gashit të Malësisë së Gjakovës është ndoshta rasti unikal në krejt hapsirën e trojeve etnike shqipëtare, ku legjendat, mitet e vetë historia gërshetohen sëbashku si një nyjë e pazgjidhshme gardiane.

Ato kanë ardhur krah për krah, nga mesjeta shqipëtare e deri në ditët tona ,si një simbol i ndritur i qëndresës së genit Iliro-Dardano-Arbëror, përballë dallgëve e furtunave të shumta historike, betejave te përgjakshme, me krajla, me sulltanë, të cilët me falangat e tyre, të etura për gjak, pushtet e lavdi sulmonin tokat shqipëtare.

Gashi është një ndër fiset me banim më të vjetër në krahinën e Tropojës dhe ka një shtrirje të gjërë jo vetëm nē Shqipëri, por edhë Kosovë dhe Mal të Zi.

Mbiemri Gashi është mjaft i dëgjuar nga Trieshi, Mal i Zi deri në Nish e Kamenicë.

Ka pozicion gjeografik mjaft i favorshëm.Territori i tij sapo lind dielli mbulohet me rrezet e para të mëngjesitShtrihet mes lumenjëve të Tropojës në verilindje, Mullarekë në jugperwndim. Nw veri ka Luginën e Gashit tashmë e pranuar në UNESKO.

Gashi është krahina më e vjetër e banuar e Tropojës, (Malësia e Gjokovës) .

Në Tropojë është pikëpjekja e qytetrimeve iliro-dardane të cilët kanë banuar qysh 2000 vjet para Krishtit dhe katër shekuj para tij kanë formuar mbretëritë e tyre.

Kalaja e Rosujës sherbente si kufi mes labeatëve dhe dardanëve.
Banorët e kësaj treve janë quajtur dardanmalas (dardanët e maleve).
Gashin e kanë banuar edhe fisi ilir i skirtonëve siç na thotë studiuesi Xheladin Gosturani.

Ai është i vendosur në Shpatet e Shkelzenit madhështor, i cili si një piramidë kolosale, me kokën mbi re vigjelon nga pozicioni qendror i trojeve etnike, i barazlarguar nga Danubi dhe Prveza.

Nw këtë Mal tē shënjtë prehen dy vëllezrit Dardanë, eposi i Kreshnikëve, balada e Gjergj Elez Alisë, mitet, orët, legjendat.

Rrëzë tij shtrihet fshati Mejdan, ku u ndesh Gjergj Elez Alija me bajlozëtt e Detit, Muji dhe Halili me krajlt e Serbisë.

Në Luginën e Gashit lodrojnē zanat e shtojzovallet.

Keto pasuri të vyera të historisē kombëtare i ruajnē gardianët e hekurt, hyjnorët që tashmë janë Nderi i Kombit, Dervish Luzha dhe Rexhep Beli.

Në historinë shekullore të Tropojës, Gashi i Gurit ka qenë barrikada e parë e përplasjeve me invadimet e pushtuesve të panumërt, serbë, turq, austrohungarezë, malazezë, etj.

Në historinë e tij Gashi i Gurit kurrë nuk u gjunjēzua dhe nuk u kompromentua nga pushtuesi.

Sipas deftereve osmane te vitit 1485 Shtrirja e hershme e Gashit ishte pëveçse aty ku është i vendosur sot ,mes dy lumenjëve, si një mesopatomi e vogël, edhe në fshatrat e Tropojës, Luzhë, Gri, Geghysen ,Rajë ,Tpla, (Vulpiana kryeqendra e Dukagjinëve), Dushaj, Degë ,Curraj i poshtëm dhe Botushë të Gjakovës.

Zona ku do të shtrihen më vonë Fisi i Bardhëve banohej nga fise ilire.
Në defterin e Sanxhakut të Shkodrës rezulton se fshatrat Gosturan, Babinë,Shumicë, Kovaç, Berbat ne vitin 1485 banoheshin nga ilirët.

Po nga e ka prejardhjen Gashi i Gurit.

Në shkrimin “Malsorët e Alpeve” shkruar nga austriaku Ernest Von Hesse Wartegg thekson se Fisi i Gashit ,formon dy bajraqe, Shipshan dhe Bardhaj.

Kahraman Ulqini në shkrimin e vet “Fiset e Malësisë” deshmon se fiset e Malësisë Madhe, dhe tē Malsisë Gjakovēs kanë zanafillë tē përbashkët. Hoti, Shkreli ,Krasniqja, Palabardhi etj. Sipas legjendave të grumbulluara nga etnografi i njohur Rrok Zojsi fisi i të bardhëve të Gashit e ka prejardhjen, nga Kuçi, Mal i Zi. Kuçi ka qenë i populluar me Shqiptarë. Në vitin 1856 malazezët hyjnë në Kuçin e poshtëm. Mirkoja vellai i Princit pret kokat e femijëve në djep, të semurëve, pleqëve me kosoren ortodokse.

Nw vitet 1877-1878 malazezët pushtuan bajrakun e Rodajes, disa fshatra të Kuçit dhe të Zetës, duke i debuar me forcë shqipëtarët nga trojet e tyre.

Ata që nuk u shpërngulën u ortodoksizuan.

Udhëtimi i Kall Kamberit me të shoqen, Hanen e bukur nga Kuçi në qafë të Kolçit ,tek të Bardhet e Gashit të ngjason me Adamin dhe Evën. Hana vdiq ndërsa Kalli me vajzën  e tyre u vendos nē fshatin Kuçanë, në Shipshan.

Nga Toplana në Curraj të poshtëm, në Botushē e në Luzhë eshtë levijzja tjetër e popullsisë.

Edit Durhami tek ” Brenga e Ballkanit”thekson se në Toplanë të rrethit të Shkodrës ishte fisi i Gashit, nga këtu për shkaqe konfliktesh shkuan në Botushë.

Per t’u bërë ballë pushtuesve fiset lidheshin me njëri tjetrin, kështu rreth viteve 1600-1650, Bardhët, Shipshani dhe Luzha u bashkuan dhe formuan fisin Gash, sipas studiuesit Xheladin Gosturani.

Gjenerali malazesas Mark Milani i cili i njihte mirë trimëritë e djemve të këtij fisi në librin e tij “Jeta dhe zakonet Shqipëtare” e ngre lart trimërinë dhe virtytet e djemve të gashit. Gjenerali i njohur thekson se Gashi është një nga fiset më të njohura dhe më të vjetra, e më trime të Shqipërisē dhe se origjina e hershme e tyre eshtë nga Pali i Bardhë, i Principatës së lashtë të Dukagjinëve.

Në mesjetē Gashi, asokohe i besimit Katolik udhëhiqej nga princi i famshëm Pjetër Shpani.

Banorët e lashtë të kësaj treve ju përgjigjën të parët thirrjes së Gjergj Kastriotit për kryengritje kundër osmanëve dhe derguan nē besëlidhjen e Lezhës 2 mars 1444 Princin e tyre Pjetër Shpani së bashku me të bijtë, si dhe princat e Dukagjinëve Nikollë dhe Pal Dukagjini të dalluar në betejat përkrah Gjergj Kastriotit.

Pal Dukagjini është i jati i Lekē Dukagjinit. Kryeqendra e Dukagjinëve ishte në Vulpianë (Tplani i sotëm) me 15 mijë banorë.

Kjo vertetohet nga deshmitë e Frang Bardhit dhe Pjetër Bogdanit.

Fan Noli në veprën e tij thekson: “Në Vulpianē në mes të maleve”.
Edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) e të Lekë Dukagjinit, Gashi e mbajti pērherë të ndezur flakën e lirisë dhe njohu autoritetin e Princit të vet, duke mos e përfillur Portën e Lartë dhe pashallarët turq.
Këtë e deshmon me së miri Frang Bardhi në relacionet që i dergon që nē fillim të shekullit të 16-të Vatikanit mbi gjendjen e Kurisë së kishës dhe të popullit tē Arbërit siç i quante Prelati i lartë bashkëatdhetarët e vet.
Imzot Bardhi përshkruan gjëndjen e rendë të popullatës të këtyre anëve, pas djegjes e plaçkitjes së vendit nga ushtritē e pashallarëve të begollëve të Pejës dhe vrasjes së katër priftërinjēve katolikë.

Ai shkruan se vendi është shkatërruar, Fisi i Gashit është plaçkitur e shumë familje janë demtuar rëndë.

Mbi njē bregore të bukur mbi Babinë, shkruan Bardhi, i biri i Princit Pjetër Shpani (Pjetri i Dytë) po nderton sarajin e tij. Me 15 shkurt në vitin 1602 në kishën e Shën Aleksandrit në fshatin Dukagjin te Matit ku mblodh Kuvendi i Dukagjinit, mori pjesē edhe peshkopi i Sopës Nikoll Bardhi nga fisi i Bardhëve.

Nē vitin 1614 prijësi i famshëm Lala Drakala organizoi Kuvendin e Kuçit, Kuvendin e Parë Ballkanik , në zemren e maleve shqipëtare me 44 përfaqsues nga Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Hercegovina, Maqedonia për çlirimin e Gadishullit Ballkanik nga turqit.
Nga të 44 përfaqësuesit ballkanas, një e katërta vinin nga vatrat e qëndresës shqipëtare.

Në këto vatra do të dërgoheshin dymbëdhjetëmijë luftëtarë.
Pas betejës së madhe të Fushëkosovës 1389, ky Kuvend ishte koalicioni i parē i madh ku shqipëtarët kishin një rol të dorës së parē.
Lala Drekala dhe luftëtarët e tjerë kishin jo vetēm kurajon e trimërinë por edhe vizionin e jashtëzakonshëm se pa aleancën e përbashkët te ballkanasve dhe mbështetjen e fuqive të mëdha, ishte e pamundur çlirimi i trojeve shqipëtare dhe bashkimi i tyre.

Në maj të vitit 1688 krenët e Gashit i drejtohen me një letër Papës së Romës. Me anë të kësaj letre ata i drejtohen Selisē së Shenjtë duke kerkuar ndihmën e saj diplomatike, logjistike për çlirimin e trojeve Arbërore.

Kjo letër përkonte me shperthimin e Kryengritjes së Bogdanit e cila ishte e para pas thyerjes së turqve në Vjenē në vitin 1683. Kryengritja u organizua nga Pjetër Bogdani autori i “Çetës së Profetëve”i cili për shqipëtarët është hero kombëtarë.

Ai ēshtē pararendës i Rilindjes Kombëtare. Ne vitin 1689 Bogdani afroi 20000 luftëtarë ushtrisë austrohungareze. Me dt 24 shtator në Nish u zhvillua një betejë mes austriakëve dhe turqve e fituar nga austriakët. Me austriakët u bashkua Gashi Krasniqja e Surroi, Mitrovica, Peja, Prizereni,Shkupi, Tetova, Kumanova, Vuçiterna, Pazari i Ri.

Viti 1689 shenoi vdekjen e gjeneralit Pikolom, udhëheqësit të ushtrisë austriake për Kosovën dhe Vdekjen e Pjetër Bogdanit.

Uniteti shqiptaro -austriak nuk vazhdoi, gjendja e ushtrisë austriake dhe e shqipëtarëve u përkeqësua, turqit dogjën Rozhajën dhe Lumën.
Pas betejës së Kosovës osmanët kryen mizori të papara, duke djegur fshatra të panumërta, duke shkretuar vendin dhe vrarë banorët e shkretë.

Me 6 prill te vitit 1690 Perandori i Parë Leopoldi i bëti thirrje ballkanasve të rrokin armët.

Sipas një letre nga Nishi të 22 prillit 1690 shqipëtarët deklaruan se janē të gatshëm dhe veçse presin ardhjen e ushtrisë austriake, për të luftuar kundër turqëve dhe tartarëve. Megjithkëtë gadishmëri kryengritje tjeter nuk u organizua. Ushtria austriake nuk donte të luftonte dhe shqipëtarët mbetën vetëm përballë ushtrisë osmane. Mehmet Pasha siç thuhet në dokumentat e kohës ndërmori njē fushatë ndeshkimore kundër Surroit, Gashit, Krasniqes, vende këto që në menyrë tē patundur kanē mbajt besën ndaj Madhërisë Perandorake, duke mos pranuar kurrë miqësinë turke.
Ndërsa në Kosovē kryengritja u shtyp ne verën e vitit 1690, ajo vazhdoi në Shqipërinë jugore, nē sanxhakët e Delvinës dhe Himarës.

Gashianët e prijësit e tyre i kanē gërshetuar betejat për liri me të gjitha krahinat e tjera, me qëllimin e vetëm të arritjes të një kryengritje të përgjithshme kombëtare, e cila do të çonte në çlirimin e vendit.

Ne vitin 1845 Gashi dhe prijësit e tij ishim palca e kryengritjes së udhëhequr nga Binak Alija e Sokol Rama. Kjo betejë ishte aq e përgjakshme sa u luftua trup me trup në livadhin e madh ,përballë kullave të Binak Alisë e Mic Sokolit, nē brigjet e Valbonës. Turqit i lanë 1500 ushtarë të vrarë, vendi u la me gjak dhe u pagëzua livadhi i Turkut.

Gashi i Gurit dhe prijësit e tij u dalluan në betejat kundër turqëve në vitet 1867-1870 në Gjakovë, në betejat për mbrojtjen e Plavë -Gucisë, në vitet 1879-1880.

Malazezët kishin kerkuar takim me të parët e Rekës, Malsisë, Pejës, Gjakovës e Rugovës. Nga Malsia e Gjakovës shkuan 7 burra Ali Ibra,Binak Alia, Qerim Delia, Mal Dula,Halil Brahimi, Ahmet Sadria e Mic Sokoli.
Dergata malazeze drejtohej nga Teodor Milani ( vëllai i Mark Milanit).
Dërgata Shqipëtare nga Ali Ibra. Asnjë kompromis për Plavën: “Bjerë në rrafsh të Velikës ti përpjekim armët se edhe Dukagjinin me ta lëshue nuk tē duhet gja, se mashkull të gjallë nuk tē la, veç ta la Cerrnogoren në çika e n’gra” i drejtohet Ali Ibra Teodor Milanit.

Në janar 1880 zhvillohet beteja kundër 12000 forcave të Mark Milanit, betejē që ka hyrë në histori. Ali Ibra komandoj forcat e Gashit.
Muhtar Pasha, Valiu i ri i Kosovës , jo vetëm qē dështoi në dorëzimin e Plavë-Gucisë, por u kërcenua se do të ketë tē njējtin fat tē Mehmet Ali Pashës.

Ky ishte vrarë sëbashku me Adullah Pashë Drenin në kullën e këtij të fundit në betejën e 3-6 shtatorit 1878 ,nē aksionin e parë të Lidhjes Shqipëtare të Prizerenit për mbrojtjen e trojeve etnike nga coptimi nga vendimet e Kongresit të Berlinit në qershor 1878. Vrasja e marshallit turk dhe e feudalit shqipëtar, tradhtarë shpetoi Kosovën e viset e tjera nga ndarja mes Turqisë, Serbisë, Malit të Zi.

Raportet e detajuara të konsujve austrohungarezë dhe rusë drejtuar kancelarive përendimore deshmojnē se Ali Ibra me luftëtarët e tij mori në mbrojtje kotolikët shqipëtarë, duke e djegur skenarin turko-sllav tē njē lufte fetare mes shqipëtarëve, e cila do te kishte pasoja katastrofike.

Kjo dëshmon se askush më mirë se Gashi nuk e ka përvetësuar postulatin profetik të Pashko Vasës: “Feja e shqipëtarit është shqipëtaria”.
Poeti i madh Gjergj Fishta duke evokuar trimërinë e djemve të Gashit në betejat me ushtritë e Knjaz Nikollës shkruan tek Lahuta e Malsisë  “Trim ish kanë Osman Haxhia, bajraktari i fortë i Gashit. Që bje n’shka si n’mish të dashit”.

Ja si shprehet kënga popullore për qëndresën shqipëtare të betejës së përgjakshme të Slivovës me 1881, ku mbetën në fushën e nderit dragojtë e maleve, Mic Sokoli e Zmajl Hyseni dhe u plagosën Ali Ibra zv Komandant i përgjithshëm i Lidhjes Shqipëtare të Prizerenit dhe Shpend Zeqir Haklaj drejtues i formacioneve ushtarake tē Gashit, i dekoruar me medaljen e trimërisë për sherbime ndaj Atdheut.

“N’fush’ t’Kosovës na u lidh jezeri,

Haj medet ka mbet’ shumë njeri.

Mic Sokoli e Zmajl Hyseni.

Apo:
” Ali Ibra n’vraç të zi

Po i shkon gjaku për zingji

Se ktu i thonë Shqiptari”.

Pas rënies të Lidhjes Shqipëtare të Prizerenit Ali Ibra me krerët e Gashit mori nē mbrojtje në kullën e tij Kryetarin e qeverisë ,që u ba edhe i lidhjes së Prizërenit, Omer Prizërenin.

Udhëheqësit e Ri të lëvizjes kombëtare Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini etj e vendosën fisin e Gashit e luftëtarët e tij vullnetarē, në qendër të planeve tē tyre për organizimin e betejave që do të çonin në kryengritjen e përgjthshme çlirimtare.

Nē betejat me ushtritë turke të viteve 1908-1909-1910 janë zhvilluar luftime shumë tē ashpra.

Në vitin 1908 bie fyt me fyt me turqit në Sukë Hereç Zmajl Plak Haklaj, i dekoruar me medaljen e trimërisë për sherbime te larta ndaj Atdheut

Në vitët 1910 u zhvillua beteja homerike ne Qafë tē Morinës ,e zhvendosur në kodrat e Haklajve për disa ditë, ku mbeti në fushë të betejës deshmori i Atdheut Man Arif Haklaj.

Vllaznia Haklaj u shqua për qëndresē spartane.
Gushianēt udhëhiqeshin nga Adullh Hoxha, Halil e Zeqir Brahim, Shpend e Grosh Zeqiri (Haklaj), Arif Delia.

Kwnga popullore na sjell me vertetësi ashpërsinë e luftës.

“Ku po del kjo flakë e verdhë,

Gashit t’Gurit si përherë,

Gashit t’Gurit renda–renda,

 

I ka djemt (Bajram Rama) me shtatë zemra.

Brahim Bardhi t’madhe briti

Po ku je Halil Brahimi

Lesho Kushtrimin te Shpend Zeqiri.

Gashianët nuk pranuan kompromisin me pashain turk siç na vertetojnë vargjet memoriale.

N’Qafë të Morinës pasha ka dale

U ka çue bajrakëve fjalë

A po vini me u pjek me mue

Me u dhanë vulat me u rehatue

Ka thirrë Gashin nuk i ka shkue.

Ushtria Osmane e Turgut Pashës mori goditje të randa për ta thyer qafën në kodra të palçit ku pesoi demtime tē konsiderueshme edhe aty në luftë me forcat e Prel Tulit, të cilëve u erdhen në mbështetje djelmnia e Dukagjinit të udhëhequra nga Mehmet Shpendi.

Adullah Hoxha i Gashit sëbashku me Shaban Binakun e Krasniqes hyjnë trimërisht në Gjakovë, dhe me vetëdije se do të jepnin jetën shkatërruan zyrat e administratës turke. Ata bij shqiponjash pas qëndresës heroike u kapën nga qindra forca turke. Kur e pregatitën ekzekutimin xhelatët ju drejtuan trimit të Gashit:
“Ti ke tradhētuar Padishahun e nuk ke lekurë Hoxhe.
Unë kam lekurë ujku u përgjigj ky trim legjendarë.
Adullah Hoxha dhe Shaban Binaku u varën por mbetën të përjetësuar në këngë të popullit.

“Haj medet po ban Kosova

Sot po varet Adullah Hoxha.

Haj medet po ban konaku

Sot po varet Shaban Binaku.

Kontributi i Gashit ështē i vendosur nē gurë themelin e Pavarsisë.

Gashianët ishin mbēshtetja kryesore e Kryengritje së përgjithëshme te udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini që çoi në shpalljen e pavarsisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë nga babai i pavarsisē plaku i Vlorës Ismail Qemali.

Asnjë pushtues qē ka shkelur trevat e veriut shqipëtar nuk ka shpëtuar pa u përballur pritē me pritë me djemt e Gashit e prijësit e tyre.
Ketë fat e kanë provuar serbët, turqit, malazezët, austrohungarezët e më vonë italianët dhe gjermanët.

Në fshatin Mejdan përballë Shkelzenit eshtë fushëbeteja e duelit tē Gjergj Elez Alisë me bajlozin e detit. Është fushëbeteja e Kreshnikēve, Mujit dhe Halilit me krajlitë serbe. Fshati e mori emrin Mejdan dhe e ruan Brez pas brezi në kujtim të Gjergjit legjendarë, i cili u ngrit nga shtrati i vdekjes me 9 plagē, i doli trimërisht ne mejdan bajlozit, për tē mbrojtur nderin e motrës dhe lirisë.

Në Gash është zhvilluar mbledhje e parë KANÇL, 10 mars 1943, në shtëpinë e Sadik Zenunit në Berbat, për të organizuar luftën çlirimtare. Kryetar qe zgjedhur Ibish Shpend Haklaj.

Nē konferencën historike të Bujanit 1943-1944 Gashi kishte përfaqsuesit e tij. Kjo konferencë vendosi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sipas parimit të vetëvendosjes së popujve pas Luftës Dytë Botërore, por u tradhëtua nga komunistët shqipëtarë.

Ram Muja i quajtur “Luani i Malësisë” ishte i ftuar special i Konferencës së Pezës, por nuk mori pjesë sepse dyshoi tek komunistët dhe u bashkua me forcat nacionaliste. Eshtë i vetmi burrë dhe nacionalist i helmuar, i vrarë pastaj i varur nga komunistët.

Gashi, Tropoja, Malësia e Gjakovës, krenohet me dy bijtë e vet, klerikë dhe atdhetarë të flaktë, me nderin e Kombit Rexhep Beli e Dervish Luzha, luftëtarë, antifashist, mësues të popullit, patriot të klasit tē parë.
Dervish Luzha marshoi me forcat çlirimtare shqipëtare në ndjekje të nazistëve, dhe kur mbërriti në gur të shpuem nguli shkopin dhe tha fjalët profetike: “Deri këtu është toka shqipëtare ku është folë gjuha amtare”.

Gashi krenohet me deshmorin e atdheut Rrustem Sadri Haklaj, i cili ra ne vitin 1937 ne hyrje të Kalasë së Gjirokastres, në mbrojte të rendit kushtetues e institucioneve nga rebelimi i forcave te Ethem Totos.

Gashi, Tropoja (Malsia e Gjakovës) krenohet me Geghysenin Nderi i Kombit.

Gashi, Tropoja krenohen me Nikaj-Merturin Nderi i Kombit.

Gashi, Tropoja janë krenarë për mbështetjen që i dhanë luftës Çlirimtare për Çlirimin e Kosovës. Tropojanët ishin në vijën e parē të luftimeve. Ata kanë kontribut të çmuar në betejat legjendare tē Koshares, me kollosët e qëndresës, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, dhe shembjen e piramidave të kufirit mes Shqipërisë dhē Kosovës.

Shumë djem të Gashit dhe të Tropojës e mbështetën Kalorēsin e Lirisë z Ramush Haradinaj, si Halil Kuçana ,Rexhep Kërtoçi, Rakip Sadiki, Zajë Çela ,Hysni Neziri, Feriz Trezhnjeva, Fatmir Doçi, Bylbyl Breçan, Xhevahir Selmani etj. Disa ranë deshmorë nē fushë të Mejdanit, si Fatmir Doçi, Bylbyl Breçani. Zajë Çela dhe Hysni Neziri u plagosën. Një kontribut të veçantë ka gazetari Ismail Buçpapaj, i cili me kameren tij qëndroi në frontin e luftës, duke ngritur lart moralin dhe optimizmin e luftëtarëve, me transmetimin e aksioneve heroike të UÇk-së, nga terreni hodhi poshtë propogandën e shfrenuar kundër saj, si dhe ne sensibilizimin e opinionit për strehimin e vllezërve tanë kosovarë.

Kontribut të çmuar dha pushteti lokal atëherë për strehimin e 20000 qytetarëve të ardhur nga frontet e luftës. E tërë Tropoja ishtë në mbështetje të kauzës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

Po e përfundoi këtë opinion timin me perifrazimin e diplomatit të shquar gjerman Gensher: “Nga vende të vogla vijnë histori tē mëdha. Hisoria e kombit tim ,fillon nga oborri i shtëpisë time”.

“Bomba” e Saimir Tahirit: Në bodrumet e Policisë ka 100 tonë drogë

Krahas disa detajeve për jetën private, në studion e emisionit ‘Xing me Ermalin’, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, foli edhe për jetën e tij profesionale, duke zbuluar edhe një informacion që prej vitesh ngjall kuriozitet: Çfarë bëhet me drogën e sekuestruar nga policia, teksa zbuloi se “në depozitat e policise ka 100 tone drogë”.

‘Kur unë mora detyrën, një pjesë e drogës së kapur ruhej tek bodrumet e ministrisë. Por mbi zyrat e Gjendjes Civile ishin depot e drogës. Unë e mora kurajon të shkoja njëherë se kisha kuriozitet shumë të madh, por ishte një erë që nuk e imagjinon dot.’ ‘Ata që bëjnë inventarin aty, dilnin me Pogonishte!’-thanë Mamaqi dhe Tahiri në një batutë të ndërthurur.

Më tej ai shpjegoi se me një kërkesë të tij, depozitat u spostuan dhe tashmë droga ruhet në një depozitë të policisë dhe më pas digjet.

Mamaqi: Droga që sekuestrohet ca bëhet me të? Ku cohet dhe si mund të shkojmë ne atje ta përdorim?

Tahiri: Edhe kjo është estradë. Kur mora detyrën një pjesë e drogës ishte në bodrumet e ministrisë. mbi zyrat e gjendjes civile ishin depozitat e drogës. shkova njëherë dhe ishte një erë që nuk e imagjinon dot. po të rrije një minutë, dilje me pogonishte.

Mamaqi: Ca bëre ti, bërë spostim?

Tahiri: E spostuam. është diku në një depozitë të policisë, nuk e di tamam ku.

Akuzat e PD se manipuluan votat për Ruçin, vjen reagimi i parë nga Komisioni

Deputeti socialist Ulsi Manja, i cili ishte anetar i komisionit per votimin dhe numerimin e votave gjate votimit ne Kuvend per kryetarin e ri te tij, ka reaguar pas akuzave te PD se ky komision ka manipuluar votat.

 

“Po lexoj në disa portale që Komisioni i Votimit për Kryetarin e Kuvendit paska deformuar rezultatin e votimit apo diçka të tillë më duket, në përpjekje për të justifikuar rrjedhjen e 3 votave të PD (2 vota pro Ruçit dhe 1 e pavlefshme ).

Epo transparencë më të madhe se sa ky votim unë nuk di të ketë: fletët u firmosën dhe u vulosën në prani të kamerave live, në prani të kamerave dhe 140 deputetëve u votua, live u numëruan dhe ju treguan deputetëve dhe publikut fletë për fletë dhe këta përsëri kanë gojë e flasin! Pika që s’u bie se çfarë opozite paskan ndërmend të bëjnë në këtë legjislaturë!”, shkruan Manja.

Mbahet seanca e parë e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë

Seanca është drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare, pasi deputeti më i vjetër i Parlamentit, ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar drejtimin e seancës së parë

TIRANË – Është mbajtur sot seanca e parë e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Seanca konstituive është drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Besnik Baraj, pasi deputeti më i vjetër i Parlamentit, ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar drejtimin e seancës së parë.

Baraj, në një fjalë të shkurtër përshëndetëse u shpreh se: “I uroj këtij Parlamenti të kthehet në vlerë reale komunikimi dhe të etikës dhe zgjidhjes së interesave të popullit nga pikëpamja ligjore. Shqipëria të ecë përpara duke ndërtuar modele të reja.”

Ndërkohë po gjatë ditës së sotme, në orën 18:00 do të mbahet një seancë tjetër, ku do të bëhet betimi i deputeteve dhe zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë.

Partia Socialiste e Shqipërisë, fituese e zgjedhjeve parlamentare ka propozuar për postin e kreut të Kuvendit, deputetin Gramoz Ruçi, ndërsa grupet e tjera parlamentare nuk kanë propozuar kandidaturë.

Kujtojmë se Partia Socialiste e drejtuar nga kryeministri i vendit, Edi Rama, fitoi zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 25 qershor të këtij viti, duke fituar 74 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, i përbërë nga 140 deputetë.

Partia Demokratike e Shqipërisë fitoi 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 19 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 3 mandate dhe Partia Social Demokrate ka siguruar vetëm 1 mandat. aa

Beniamin Bakalli flet nga Spaçi: Komunizmi po instalohet në Shqipëri dhe ne duhet të veprojmë

Të dashur antikomunistë dhe të nderuar bashkëvuajtës. Është tepër e vështirë për mua të flas para jush të cilët e keni larë me lot e me gjak këtë tokë. Jemi mbledhur sot në një nga laboratorët më famëkeq të komunizmit në botë.

Ky është një vend absurd që vetëm komunizmi mund ta krijojë dhe vetëm ne që e kemi parë dhe jetuar mund ta kuptojmë. Sa herë vij këtu, më kujtohen ditët e trishta kur vija për të takuar të dashurit e mi. Nuk ishin pak por ishte një jetë e tërë që u dergjëm rrugëve dhe dyerve të spacit dhe burgjeve të tjera komuniste Pas viteve 90 menduam se e lam pas atë periudhë të egër diktatoriale menduam se gjithçka ndryshoi. Pamë liri me sy, dhe iu falëm zotit që na dhuroi një jetë të re.

Shumë nga ne zgjodhën të emigronin dhe shumë të tjerë të rifillonin jetën këtu në atdheun e tyre për të ndihmuar dhe për të sjellë ndryshim me fisnikërinë tonë. Por çfarë po ndodh sot miqtë e mi?

Sot presekutorët dhe hetuesit komunistë po na qeverisin përsëri. Komunizmi po instalohet dhe ne duhet të veprojmë. Sa kohë që e majta në Shqipëri nuk i ka shkëputur lidhjet me të shkuarën kriminale dhe enveriste, politika në Shqiperi nuk ka asnjë shans për të ecur perpara drej Europes, por do të mbetet peng i shantazheve dhe helmeve të dikurshme, duke risjellë në skenë të njëjtën përleshje absurde, mes ushtrive të vdekura Shqiptare. Armiku i Shqiperise ka qënë dhe do të mbetet vetem ideologjia komuniste dhe mbeturinat e saj i jam mirenjohes te perbashkës sonë i perulem me menyren më njerezore.

Ështe sfida e gjysherve tanë, prinderve tanë e jona Unë, Beniamin Bakalli ndjej detyrimin moral, qytetar dhe mbi të gjitha si antikomunist të shpall kandidaturën timë për kreun e Partisë Lëvizja e Legalitetit, nga ky vend, për të ngritur zërin tuaj dhe për ta cuar Shqipërinë aty ku i takon.

Ylli Gurra: U takova me Ngjelën, ja si u sqaruam

Pas polemikave dhe debateve të ashpra për “mbulimin” e monumentit të Skëndërbeut gjatë faljes së Namazit të Bajramit, myftiu i Tiranës, Ylli Gurra i cili u përplas pak ditë më parë me Spartak Ngjelën, qe beri thirrje se duhet te arrestohet.

 

Myftiu ka folur ne emisionin “Oktapod”, Gurra ka hedhur dritë mbi të vërtetën e akuzave të Ngjelës dhe sot se janë sqaruar.

U ndjetë keq nga ajo që shkruajti Ngjela. Ai tha se ka qenë keqkuptim?

“Kemi folur me Ngjelën. Ndërkohë që doli avokati Ngjela dhe bëri një akuzë që s’e kishte bërë ndonjëherë përveçse dhe në faktin politik. Përveçse frikës së arrestimit ajo që më shumë nuk më pëlqeu ishte gjuha.
Ajo gjuhë, ajo thellësi gabimi dhe një lajthitje vërtet e thellë. Në momentin e parë mendova ta hedh në gjyq.
Sepse fillim e mbarim asgjë nuk qëndronte. As zëri im, as fjalët e mija. Dje pata një takim me Ngjelën. Mendova ta hedh në gjyq, por në fillim mendoova atë qytetaren dhe vendosa ta dëgjoj. Gjithçka ka qenë një keqkuptim. Si fillim e ka publikuar Myftaraj më pas Ngjelës ia kanë servir dhe e ka postuar pa e parë fare… Jemi sqaruar për këtë”, tha Myftiu.

Tiranë: SHBA dhe BE mbështesin projektin e gazit IAP nga Fieri në Split

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në , Donald Lu, tha në takimin e përbashkët për projektin e gazit Adriatiko-Jonian (IAP) se SHBA e kanë mbështetur gjithmonë këtë korridor, krahas linjës së interkonjeksionit Greqi – Bullgari, sepse rritin larminë e furnizimit të vendeve të Ballkanit me energji.

Ambasadori Lu tha se nga projekti TAP qytetarët shqiptarë do të paguajnë më pak para për energji, ndërsa projekti IAP do të çlirojë dhe Europën Juglindore nga ndikimi i fortë rus, i cili ka në dorë shumicën e rezervave të gazit, që furnizojnë kontinentin.

“Ne luftojmë për këtë korridor, sepse ndihmon në bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit dhe do të çlirojë Europën nga varësia e gazit rus. Shqipëria luan një rol kryesor për gazsjellësin dhe ne jemi shumë pranë përmbushjes së kësaj ëndrre” – tha ambasadori Lu.

Sipas tij, konsumatorët shqiptarë do të kenë mundësi të mëdha investimesh të reja në të ardhmen.

Këtë verë Shqipëria shpenzoi mbi 80 mln dollarë për energjinë, ndërsa me projektet e gazifikimit do të paguajnë më pak.

“Ballkani njihet për luftërat mes fqinjëve, gazsjellësi IAP është i rëndësishëm, pasi mbështetet në bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë. Për këtë arsye keni mbështetjen e SHBA. Në Shqipëri qeveritë kanë treguar mbështetje për TAP dhe nuk ka simbol më të fuqishëm për integrimin në BE”, tha zoti Lu.

Ndërsa ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, tha se projekti TAP do të ketë rol për gazifikimin e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa projekti IAP ka pasur pengesa teknike dhe kërkon mbështetjen e vendeve të BE.

Projekti i Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) është realizuar deri tani në masën 50 për qind, ndërsa projekti për gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP) është i dyti për nga rëndësia strategjike për ekonominë shqiptare dhe për vendet e rajonit.

Projekti IAP rreth 290 milionë euro parashikon ndërtimin e një linje gazi 516 kilometra nga Fieri në Malin e Zi, Bosnja deri në Split të Kroacisë.

GJERGJ KASTRIOTI: MITI DHE E VËRTETA – Nga EMIL ASDURIAN

Sigurisht, ajo qe ndodhi ne Shqiperi se fundi dhe qe sipas modelit amerikan u akuzuan mediat e genjeshterta e te pa kontrolluara sa u quajt nje histeri, nuk eshte dhe nuk duhet te merret si nje ndodhi e shkeputur por si nje vazhdimesi e nje sulmi shume vjecar dhe te planifikuar ndaj nje figure thelbesore, ne mos te vetmes. Sic e ka thene ne disa ese dhe mendimtari yne Kadare, ndihet dora e boshtit te mirenjohur qe prej shekullit te kaluar Serbo-Turqi, ko kjo e fundit nepermjet propagandes direkte e indirekte kerkon te shtrije kalifatin deri afer Bosnjes, ndaj Kosoven dhe Shqiperine e ka si shtepine e vet, gjoja ngaqe shumica e popullsise eshte ne fene islame. Ky kercenim eshte i vertete, dhe deshmohet nga mbulimi m’i fundit i heroit kombetar nderkohe, kur shume imame kane bere deklarata te drejtperdrejta kunder tij apo nepermjet nje pinjolli te mesuar ne Anadoll, nje fare Jazexhiu, qe thote qe me ligjet e sotme Gjergji i Kastrioteve do te quhej terrorist, veases e te tjere. Permendet Schmidt dhe disa te tjere autore austrihungareze qe heroi yne paska pasur origjine serbe nga e ema, e te tjera. Gjithcka, qe ai te mos jete hero, te mos jete Aleksander sic qe, qe turqit e turkoshaket, vete e quajten te tille, sa dhe eshtrat ja moren si talizman nga admirimi dhe nga frika. Del me pas nje analist i “ri rebel” qe hedh teorine qe ai, Skenderbeu Aleksandri i ri nuk eshte vertete ashtu, se eshte sajese Rilindase dhe e filmit Ruso-Shqipetar, apo miti i kultivuar nga diktatura. Po si qe ne te vertete ky hulumtues qe vec hulumton nuk thote gje, vec hedh pak uje kompromisi te shuaje zjarrin. Cilin zjarr? Gjergji yne ndaloi hordhite e nje pushtuesi per 25 vjet, ushtrise me te eger e me te pergatitur te asaj kohe. Qendroi i vetem per vendin e tij, dhe shpetoi civilizimin perendimor ne baze te te cilit ngrihet kultura dhe demokracia moderne. Ndaj i ngrene monumente edhe sot, kur ne e mbulojme. Kush ish ne te vertete e ka shkruar Barleti, se si ish ka gravura plot, por a kane rendesi ato per hir se te vertetes. Jo e kam thene plot here, askush nuk e quan Zhan D’Arken te marre ne France, se kish halucinacione per bashkimin e saj, por RESPEKTOHET, per ate qe arriti. Mbulimi qe nje MOSREPEKT i hapur, dhe kushdo qe ka pergjegjesi te denohet si te kish djegur flamurin, se dhe ai na qenka bizantin dhe mund te na ofendoje muslimanet. SIMBOLET JANE SIMBOLE TE NJE POPULLI, MJERE KUSH I FYEN. Nuk ka justifikime por pergjegjesi. Ata qe mundohen te shuajne zjarrin, vecse jane hipokrite, mbulojne koken me batanije e nuk shohin te verteten, lufta per te mbrojtur kete figure qendrore eshte CESHTJE KOMBETARE, jo fetare. Qeveria duhet te mbaje qendrim e te tregoje qe askush nuk mund te cenoje simbolet kombetare, po ashtu bashkia e Tiranes me Komunitetin mysliman. Zjarri nuk shuhet me pikla justifikimesh. A DUHET TE SHUHET KY ZJARR?

Shuarja u sherben vetem atyre qe e ndezen duke e mbuluar, qe ta bejne prape. Simbolet kombetare as mbulohen dhe as nuk vihen perdhe. Nese e pranojme te ndodhe nuk jemi komb, vec nje kra-kra e s’meritojme te jemi, dhe as ate te madhin e te lavdishmin arberin me tre fe, SKENDERBE.

Deklaratë për Antikomunizmin Nga Beniamin Bakalli

Më lejoni që në emër të Partive tradicionale shqiptare që besojnë në filozofinë politike të konservatorizmit modern,të ftoj çdo shqiptar që mendon se ka ardhur momenti të respektojmë të vërtetën e së shkuarës si kusht për të ardhmen tonë, të marr pjesë ,të shtunën ora 11 në Spaç në një takim simbol të antikomunizmit, në ditën që shënon kryengritjen e parë kundër komunizmit në Shqipëri dhe në Europë.

Ne sot jemi njëlloj si dje,pushtetin e kanë të njëjtit njerëz ose bijtë e tyre,ata që ishin dje,te njejten filozofi drejtimi, ate te Marksit,festojme daten e çlirimit të vendi tjeter ashtu si ne socializem,festojme diten e deshmoreve ate te komunizmit,sot ne shkolla mesohet e njejta histori politike me ate te diktatures,e genjeshter sot shtiren se jane pro besimit fetar,dje po ata ndaluan predikimin e tij,pasurine kombetare dje e drejtonin ne emer te shtetit,sot ne emer te biznesit,fjalen e lire dje nuk e lejonin,sot e kontrollojnë tërësisht,zgjedhjet dje detyronin votimin ,sot kontrollojnë numurimin,mungesa e lirisë dje,është zvendesuar nga iluzioni i lirisë sot.

Sot jemi me te qarte se kurre se ,regjimi diktatorial nuk eshte shkatërruar,por vetem eshte shndërruar në një demokraci te rreme me vese despotike,prandaj duhet ndryshuar sistemi mental i klases drejtuese politike.

Ne besojme se me ndryshimin e sistemit shoqëror duhet te ndryshoje sistemi i referimit nga dhuna tek liria.

Ne besojmë se sistemi i vlerave në liri krijon një truall të përbashkët për njerëzit që mendojnë ndryshe.

Ne do formesojme një platformë dekomunistizimi të shoqërisë shqiptare të cilës do ti japim jete nepermjet mekanizmit politik te partive tona mbeshtetur ne besimin tuaj dhe ne moralin tone.

Ftoj të na bashkëngjitet çdo familje që ende mban mbi shpinë dhimbjen e interrnimeve,të burgimeve,të pushkatimeve,te mungeses se nje varri per te afermit e tyre.

Ejani me ne te lutemi se bashku ne monumentin e vuajtjeve te njerezve tane,por edhe per te treguar që egzistojmë.

Unioni i shoqatave të ishpërndjekurve politikë,

Partia e të Drejtave të mohuara

Partia Lëvizja e Legalitetit

Partia e Bashkimit Liberal Demokrat

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat

Pse nuk na duhet Skënderbeu i nacionalistëve? – Nga Fatos LUBONJA

Debati i hapur së fundmi midis skënderbejanëve dhe myslimanëve, i nxitur nga mbulimi i Skënderbeut gjatë lutjes te sheshi, ka të bëjë në thelbin e vet me pyetjen: A mundet dhe a duhet të konsiderohet Skënderbeu detyrimisht zoti i parë i gjithë shqiptarëve sepse, përndryshe, po u futën zota të tjerë mbi të, (veçanërisht Allahu i myslimanëve) kombi rrezikohet, apo sekush është i lirë të ketë zotin e vet sipas vizionit që ka për botën, besimin, profesionit, etj.? Personalisht do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje duke cituar Aurelio Simmaco, përfaqësues i paganëve në Senatin romak (384), i cili, duke debatuar me senatorët e krishterë, që kërkonin eliminimin e besimeve të tjera në perandori, u thoshte atyre: “Un intere non potes pervenire ad tem grande secretum” (një rrugë e vetme nuk mjafton për të të çuar në një sekret kaq të madh)

Pra, sipas meje, nuk na mjafton as Skënderbeu i nacionalistëve, as Allahu i myslimanëve për të gjetur rrugën e së vërtetës sonë. Për ata që mendojnë ndryshe nga unë, se kanë gjetur rrugën e vetme, them se duhet të respektojnë rrugët e të tjerëve. Këtë e them për të gjithë, por mbi të gjitha për skënderbejanët, meqenëse ata janë më agresivët.

* * *

U ngacmova për të rihyrë në këtë debat nga një shkrim i Artan Lames, i cili mbyllej me një citim nga kujtimet e Nolit. Atje Noli tregon se, kur ishte fëmijë, i ati, që i kishte kultivuar kultin e heroit, i thoshte që, sa herë të gjendej në ndonjë situatë të vështirë, të pyeste veten: “Çfarë do të kishte bërë Skënderbeu në këtë rast?”. Dhe Lamja e mbyllte shkrimin duke thënë: “jemi të gjithë Skënderbe”.

U ngacmova nga ky pasazh sepse unë, p.sh., fëmijës tim i them: Kur të jesh në vështirësi, ndiq shembullin e kolibrit, zogut më të vogël të pyllit, dhe i tregoj një përrallë indoamerikane.

Por, përpara se të tregoj përrallën, po shpjegoj se pse nuk i them: “mendo Skënderbeun”, megjithëse i kam lexuar edhe unë kujtimet e Nolit? Po, ja, duke lexuar Lamen si njeri që e ka interiorizuar këtë porosi, për shoqërim idesh, m’u kujtua një rast kur kemi qenë të dy së bashku në vështirësi. Atëherë kur Edi Rama vendosi të prishte stadiumin “Qemal Stafa”, që na dhembi të dyve shumë, e donim ta pengonim. M’u kujtua se Lamja asohere doli në shenjë proteste nga mbledhja farsë te Hotel Tirana, që Edi Rama e paraqiti edhe si dëgjesë, edhe si aprovim projekti. Kurse unë bashkë me disa miq e aktivistë të shoqërisë civile tentuam të hyjmë për të shprehur mendimin tonë kundër, por na ndaluan bodigardët e pronarit të hotelit dhe u mjaftuam duke dhënë disa deklarata për shtyp.

E pra, a ju duket se kaq do të kishte bërë heroi ynë i madh Skënderbeu, ashtu siç e kemi të modeluar në kokë? Jo, jo; po të kishte qenë ai në vendin tonë, nuk do ta kishe bërë dy, por do të kishte hyrë me kalë në Hotel Tirana, do t’i kishte prerë me shpatë bodigardët e Ram Gecit sikur t’i kishin dalë përpara, do të kishte vërshuar në sallën e mbledhjes e do të kishte bërë namin. Le më sikur të kishte qenë në sallë si Lamja. Kurrsesi s’do kishte dalë prej andej, por do ta kishte detyruar Ramën t’ia mbathte për të shpë- tuar kokën duke e bërë që të mos i shkonte më kurrë mendja të prishte stadiumin, e jo më t’i ngrinte edhe atë gungën e shëmtuar përpara syve te sheshi. (Të them të drejtën nuk jam i sigurt nëse, pasi të kishte çliruar sallën nga Rama dhe të vetët, do të mbante pastaj atë fjalimin e famshëm: “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush”.)

Kurse ne jemi shumë të vegjël për të bërë mrekullira të tilla. Sepse ai është hero, kurse ne jemi njerëz të thjeshtë, që as duhet të na shkojë mendja të krahasohemi me të e të pyesim se çfarë do të bënte ai sikur të ishte në vendin tonë, e jo më të themi: “jemi të gjithë Skënderbe”. Mirëpo, duke parë se sa shumë jemi ne të vegjlit dhe se kërkund nuk po na del ndonjë hero i madh, shpëtimtar, unë shtroj pyetjen: Mos duhet ta shohim një çikë si ndryshe këtë punën e heroit? Mos problemi është te modelimi që i kemi bërë atij, duke e paraqitur si supernjeri që vjen e shpëton një popull të tërë? Një psikoanalist jungian do të na shpjegonte se Skënderbeu që kemi në kokë është sendërtim i arketipit të heroit që kemi në subkoshiencën tonë dhe se, që të bëjmë vërtet ndonjë akt të guximshëm, duhet të kuptojmë këtë diferencë, duke e integruar këtë arketip në koshiencën tonë. Se vetëm atëherë do të mund të bëhemi shpëtimtarë të vetvetes e pastaj do të mund të ndihmojmë dhe të tjerët; kurse fakti që mburremi me Skënderbeun supernjeri dhe presim një Skënderbe që të na shpëtojë nga e keqja, tregon se kemi mbetur në stad fëminor.

Por le t’i kthehem modelimit. Unë ngulmoj se vështirësia për ta integruar në koshiencë Skënderbeun si hero qëndron edhe në atë se, ashtu siç e kanë modeluar rilindasit dhe veçanërisht rimodelimi që i ka bërë soc-realizmi, nuk na ndihmon për këtë. Së pari, sepse ashtu si ata heronjtë e filmave më të këqij komercialë të Hollivudit apo të socrealizmit, si superhero ai krijon shumë distancë me realitetin e mundësive të qenies njerëzore. Së dyti, sepse ai është një figurë e modeluar në kohët që kanë pjellë figura autoritare, që kanë udhëhequr masat drejt luftërave, kurse ne jetojmë në kohën e paqes dhe në demokraci. Pastaj, pamja që i ka dhënë Odhise Paskali bazuar në filmin e famshëm të viteve ‘50, është, siç shkruan studiuesja Jane Sugarman: “Një formë e pacipë e maçoizmit nacionalist”. A mund të imagjinohet një grua shqiptare të pyesë veten çfarë do të bënte Skënderbeu në vendin tim? Atyre që në këtë pikë të shkrimit do të thonë, ja ky maskarai po na shan përsëri Skënderbeun, po nxitoj t’u them: mos u ngatërroni, nuk e kam me Skënderbeun e vërtetë, por me ata që e kanë modeluar kësisoj.

Po më mirë të kaloj te përralla indoamerikane që i tregoj vajzës sime të vogël, e që po e sugjeroj për të gjithë. Është një përrallë që e kam dëgjuar nga mendimtari i shquar franko-algjerian (“maître à penser” i thonë francezët) Pierre Rabhi, i cili, ç’prej 50 vjetësh, ka lënë qytetin dhe ka ndërtuar një jetë në fshat mbi parimin e ndërtimit të lumturisë nëpërmjet një jete të përkorë, në harmoni me natyrën, në mbrojtje të planetit nga ata të shumtë (veçanërisht në vendin tonë) që çdo bukuri natyrore e shohin me syrin e deformuar nga babëzia dhe kërkojnë ta shfrytëzojë për të nxjerrë përfitim material. Duke dashur të përshkruajë kuptimin e zgjedhjes së jetës së tij, ai tregon këtë përrallë:

Një ditë, në pyll ra një zjarr i madh, i tmerrshëm, dhe të gjitha kafshët u mblodhën të dëshpëruara se ndiheshin të pafuqishme për ta shuar. Në atë moment kolibri, zogu më i vogël i pyllit, fluturoi dhe shkoi e mori me sqepin e tij ujë te një përrua dhe e hodhi mbi flakët. Pastaj shkoi prapë, e prapë. Një nga kafshët e pyllit e pa dhe i tha me qesëndi: “Po ti o kolibër, me atë sqepin tënd kujton se do ta shuash zjarrin?” Kolibri iu përgjigj: “E di, por unë bëj pjesën time.”

“Panorama” 

 

Diana Çuli i rikthehet me ‘Mea Culpa’ pushkatimit të poetëve: S’tërhiqem nga pjesa ime e përgjegjësisë

DIANA ÇULI (MAJTAS) VILSON BLLOSHMI DHE GENC LEKA

Tryezat o takimet e rastësishme, në fund, thonë më shumë se të gjithë planet e detajuara që s’shërbejnë për asgjë. I tillë ishte edhe takimi i një grupi miqsh që u ritakuan pas shumë vitesh në një fshat larg Tiranës, për të shijuar një mëngjes larg zhurmave.

Ada, personazhi kryesor i dramës së shkrimtares Diana Çuli, “Mea Culpa”, lexuar mbrëmë në Teatrin Kombëtar, për të përmbyllur fazën e dramës shqipe, befas, pikërisht në çastin që nuk e priste, u gjend me shpatulla pas murit. Gazetari i ardhur me qëllime të qarta nga Tirana, nuk vonoi të tregonte arsyen pse i ishte bashkuar, thuajse pa ftuar, asaj tryeze që u duk se do të gdhihej nëpër gota vere e kujtimesh.

Po, Ada ishte shkrimtarja e akuzuar nga gazetari për firmosjen e një dokumenti që çoi në arrestimin e një autori të ri, 40 vite më parë. Këtë herë, Diana Çuli e risolli vetë, edhe një herë, në vëmendje, çështjen e zhurmshme por të pambyllur të pushkatimit të autorëve, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

Diana kishte ulur veten në tryezë, pas emrit të Adës, për të dëgjuar të gjitha akuzat që dëgjon prej thuajse 25 vitesh. Përpara se aktorët Olta Daku, Erjona Kakeli, Elia Zaharia, Helidon Fino, Genti Deçka, Andia Xhunga, Dritan Boriçi dhe Ligoraq Zira, të zinin vendet për të nisur pjesën, e pyeta Dianën se pse e bëri këtë dramë sot, kaq shumë vite pas lumit të parë të akuzave që dëgjoi, në vitin 1994, kur ajo vetë thotë se mësoi për këtë histori.

“Nuk di të them një arsye të vetme. Ka disa! Së pari duhet të distancohesh nga e gjithë ngarkesa që të shkakton një histori e tillë, e tmerrshme; së dyti duhet të ndihesh gati edhe nga ana artistike. Kjo dramë është shkruar dimrin që shkoi, në janar ka qenë e përfunduar. Ishte rastësi që në mars të këtij viti shpërtheu dhe u hapën sërish letrat e kësaj historie. Nëse nuk do të kishte ndodhur kështu, nëse nuk do ta kisha përfunduar, me siguri që nuk do të kisha mundur ta shkruaja pas marsit, sepse do ngarkohesha edhe një herë me ndjenjat e këqija që më kanë shoqëruar herë pas here, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore”. Sigurisht, periudha të tjera me ujëra të patrazuar, autorja ka pasur edhe më parë, por sot është e bindur që ka ardhur koha të zbardhen e trajtohen këto çështje duke analizuar të gjithë kohën dhe rrethanat.

leximi

“Nuk mund të hapen e mbyllen çështjet sa herë i teket njërit e tjetrit. Qëllimi im, në këtë rast, është të kuptohet e analizohet i gjithë sistemi përmes ngjarjeve që ndodhnin e ku përfshiheshin të gjithë”.

– Pjesa, I përfshiu të gjithë! Nga momentet e para kur dukej se e akuzuara e vetme do të ishte përballë shikimeve mbytëse të të gjithëve, vijimi i bëri të gjithë fajtorë, të paditur, të pambrojtur, por, sidomos, të frikësuar. Ishte e frikësuar redaktorja e re që sapo kishte nisur të punonte në revistën “Minerva”, ishte e frikësuar kryeredaktorja e saj (në dramë) që jepte urdhra, pasi merrte urdhra, ishte i tmerruar zëvendësprokurori, bashkëshorti i kryeredaktores së revistës së vetme letrare, që gati fuste në kurth të shoqen për të zbatuar urdhrat që ai vetë u nënshtrohej pa e bërë fjalën dysh. Ishin të gjithë hallkat e lidhura të një sistemi që nuk linte jashtë asnjë.

Në një kohë kur e gjithë bota e artit po tronditej nga sytë që vëzhgonin e shpiknin ngjarje edhe atje ku nuk ishin, të gjithë do t’u thoshin “Po” të gjithëve!

Ada e bëri këtë duke menduar se ishte një nga dhjetëra punët, një nga dhjetëra analizat e vlerësimet letrare që bënte përditë. Sot ajo tronditet edhe më, kur i shoqi i kundërvihet për ngjarjet e së shkuarës, kur i biri i kërkon të vërtetën, kur shoqja që ka pasur e ka ndihmuar dikur, duke rrezikuar veten, i hedh poshtë të tëra duke e akuzuar njësoj siç njerëzit që nuk e njohin, por dëgjojnë vetëm spekulimet që hedh në treg media për të mbajtur veten në këmbë.

Të gjitha këto realitete ishin pjesë e dramës “Mea Culpa” të Diana Çulit, e cila megjithëse pranon se ngjarjet vetëm sa janë ngacmuar nga realiteti, ka pranuar t’i vërë një titull shfajësues. “Sigurisht që do ta quaja kështu, unë nuk tërhiqem nga pjesa ime e fajit, por këmbëngul tek analiza në kontekstin kohor dhe te zbardhja e së vërtetës së plotë”, pohon autorja.

“Dokumentet që ligji i ndalon të bëhen publike, sot vidhen nga arkiva dhe shkaktojnë trazirat që lexoni”, thotë në një moment zëvendësprokurori, “zbatuesi” i hallkës së parë të urdhrit për pushkatimin e prozatorit të ri për të cilin zymtë- sia e vetmia që i lexohej nëpër radhët e krijimit, ishin fare të parëndësishme në vendimin e fundit tragjik. Sepse, siç synonte të tregonte deri në fund pjesa, gjërat nuk janë asnjëherë ashtu siç duken!

I pushkatuari i dramës, Ardian Simaku, prej një familjeje të pasur që ndër vite regjimi e kishte pasur nën vëzhgim, akuzohej për shpërdorim detyre, për abuzim me fondet e shtetit, e veprimtari agjitative kundër shtetit. Nëse gjithë kësaj i shton edhe një vëlla të arratisur, dosja plotësohej. Mirëpo, duhej një firmë që shteti të ishte korrekt nga ana ligjore. Këtë arriti të realizojë zëvendësprokurori përmes bashkëshortes së tij, kryeredaktores së revistës letrare.

E pyetur për këtë skemë të funksionimit të gjërave, Çuli tha se ajo vetë nuk ka pasur kryeredaktore një grua, por ka marrë urdhër, njësoj si gjithë kolegët e saj, nga kryeredaktori, për të zbatuar e bërë punën që duhet të bënte.

“Ngjarjet nuk janë tërësisht siç unë i shkruaj në dramë, sepse aty ka edhe elementë të krijuar, por pak a shumë ka ndodhur kështu. Unë nuk dua të merrem konkretisht me ngjarjen, por me fenomenin”, pohon Diana Çuli.

Nga ana tjetër, nuk duket të jetë pjesë e fenomenit fakti që Ada, gjendet përpara lumit të akuzave, pikërisht në çastin kur është fare pranë një çmimi të rëndësishëm europian në letërsi.

Në këtë rast, e vërteta e Adës me atë të Dianës, ecin bashkë. Shkrimtarja ka pohuar edhe më herët se akuza të tilla rreth saj ngrihen pikërisht në momente të rëndësishme të karrierës së saj. Qoftë më herë, kur ishte pjesë e politikës e qoftë tani kur në mes ishte vetëm ‘lufta’ brenda letërsisë.

Drama nuk ka mbaruar…Befasitë e fundit janë ato që kujtojnë për të mijtën herë se sistemit nuk i shpëtonte askush, se zinxhiri ishte i lidhur dhe hekuri i hallkës që kundërvihej, rrihej në të nxehtë. Mbrëmë, drama e Diana Çulit vetëm sa u lexua, në kuadër të konkursit prej nga do përzgjidhen dramat shqipe që do të ngjiten më pas në skenë, gjatë sezonit të ardhshëm. Nëse do të ndodhë, do të zbardhni historinë e plotë…

FJALA E ÇULIT NË “TOP STORY”:

Jo shumë kohë më parë, për të tretën herë, çështja e firmës së Diana Çulit në dokumentin e dosjes së pushkatimit të autorit Genc Leka, u bë mediatike. Ajo vetë pranoi të jepte sqarimin e saj në media. “Në 2007 unë kam dalë publikisht, dy orë, në emisionin e Blendi Fevziut. Kam thënë jam këtu nuk do të largohem kurrë nga Shqipëria; kërkoj të zbardhet kjo çështje deri në fund, roli im në këtë. Ku jam? Jam këtu dhe pres gjithçka të ndodhë kjo.

I kam kërkuar ndjesë familjes Leka që emri im ishte përfshirë në këtë gjë, por unë nuk e ndiej veten përgjegjëse për vrasjen, pushkatimin e poetit Genc Leka. Kjo ngjarje ka ndodhur 42 vite më parë, nuk e kam bërë sot unë këtë person, se në gjithë gazetat del fytyra ime e sotme dhe ngjan sikur ka ndodhur sot në demokraci.

Akuza është tepër e rëndë, llaftarisht e rëndë, nuk u është thënë as përgjegjësve të diktaturës ajo që më është bërë mua në këto 25 vjet. Tani e korrigjoi pak zoti Tufa, por e zezë në të bardhë është shkruar shumë e rëndë akuza. Unë nuk kam heshtur, se i numërova kur kam folur.

Nga 2007-ta deri më sot u hap tani. Unë mendoj, zoti Tufa, këtu është zoti Blloshmi që prej 15 vjetësh e ka shkruar këtë çështje në shtyp, duke u nisur nga emri im dhe unë s’kam dashur kurrë të replikoj me zotin Blloshmi, se e kam kuptuar dhimbjen e tij, e kam kuptuar që është identifikuar armiku i gjithë kësaj ngjarjeje në personin tim, por s’e quaja të drejtë të replikoja me zotin Blloshmi se i përkiste një dhimbjeje shumë të madhe. Kam menduar që do të qetësohen gjakrat, emocionet, do të vijë dita kur do të hapen dosjet dhe do të kuptohet prej vërteti se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

Kthehemi 42 vjet prapa, është koha që unë sa kam hyrë në gazetën “Drita”, sa ka ndodhur plenumi IV, ka rënë bomba mbi kulturën dhe artin, është arrestuar Todi Lubonja dhe Tedi Paçarami për mendime të gabuara në kulturë dhe art; është anatemuar Xhevahir Spahiu nga vetë Enver Hoxha si sartrian, është anatemuar Moikom Zeqo nga Mehmet Shehu si dekadent, që janë akuza shumë të rënda nga krerët e shtetit; është krijuar një luftë e madhe në shtyp duke ngritur rininë për të anatemuar romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, në këtë atmosferë unë dhe një grup tjetër të rinjsh, ishte drangul Lidhja e Shkrimtarëve se ishin pushuar të gjithë nga puna në plenumin IV.

Në atë kohë, unë kur kisha sektorin e poezisë, jetonim në diktaturë, në rend policor, s’ishte diktatura as e Çausheskut, por diktatura më e rëndë e kohës së Enver Hoxhës dhe nëse dilte gazeta “Drita” të dielën deri të martën na dridhej gjaku që zyra e shtypit e Komitetit Qendror mund të ulërinte dhe të thoshte vjersha dekadente, tregim skandaloz, ndalohet gazeta, kush është redaktori.

Ekspertizat letrare ishin një rutinë dhe detyrim ligjor për të gjithë redaktorët që ishin atje dhe nuk ishte fjala që je bashkëpunëtor i Sigurimit. Më ka ardhur hetuesi, që nuk e mbaj mend as për fytyrë, e pashë pastaj më vonë, i shoqëruar me siguri. Nuk thuheshin hollësitë… jetojmë në kohën e realizimit socialist me 5 dogma të tmerrshme dhe ne kishim mënyrën dhe rregulloren në tavolinë si duheshin analizuar. Erdhi vetëm cikli i poezive të Genc Lekës nga hetuesi dhe njeriu që e shoqëronte, unë si redaktore e poezisë që isha, do të bësh një analizë për këto poezitë, se na duhet.

Sigurisht që e kupton që ky poeti që ka këto vjershat është në siklet … Unë s’jam e zonja sot të shpjegoj që cili ishte ekuilibri i mendimeve të mia liberale apo revolucionare, se është 40 vjet më vonë dhe unë s’jam sot me ato mendime që kam pasur atëherë. Jo s’kam qenë e detyruar, ishte detyrim ligjor, do ta bëje se s’bën. Nëse s’e bëja unë, unë do dënohesha dhe do ta bënte dikush tjetër.

Me logjikën time të sotme, kur e shikoj dhe kur e lexoj ekspertizën, them edhe në atë moshë të re që paskam qenë, kam pasur një lloj maturie dhe nuk e kam rënduar. Po zoti Tufa, se nëse unë do të kisha zell revolucionar, unë s’do kisha shkruar tronditje ideologjike, se trishtimi dhe pesimizmi ishin kategori ideore, ishte i ndaluar që të botohej, çoroditje më e dobët se tronditje.

Unë mund të kisha thënë tronditje ideologjike që shtyn dhe sot lexuesit të ngrihen kundër regjimit, s’e kam thënë, s’kam thënë që ka bërë agjitacion dhe propagandë, kam thënë që ka pesimizëm, trishtim, s’kam thënë asnjë fjalë që mund ta rëndonte atë njeri të cilin nuk e dija ku ishte dhe në çfarë rrethane. Iku, unë s’e kam dëgjuar më këtë histori. S’e dija ça ka ndodhur, e kam dëgjuar për herë të parë në ’94.

S’më ka zënë gjumi, jam ndier keq, kam kërkuar të di ç’ka ndodhur, u hap sikur ishte dënuar për shkak të recensës sime.. Habitem se si ju, zoti Agron, jeni marrë vetëm me këtë segment të dënimit të poetit dhe nuk keni parë se ka mbi 90 dëshmitarë, ka mijëra faqe me deponime, ka njerëz që janë shpërblyer se kanë dalë atje, janë bërë anëtarë partie.

Unë s’e quaj veten përgjegjëse për vrasje, se ndryshe nuk do qarkulloja në rrugë. Nxirreni ju që unë jam përgjegjëse, hapeni dosjen se këtë detyrë keni, po jo ta thoni me emocione dhe të bërtisni gjithandej, unë s’e quaj veten përgjegjëse”.

ANI JAUPAJ/PANORAMA

Më 7 shtator 1956 Enver Hoxha zbarkonte në Korenë e Veriut

Më 7 shtator 1956 lideri komunist i Shqipërisë Enver Hoxha vizitonte për herë të parë Korenë e Veriut.

Delegacioni qeveritar shqiptar, i përbërë nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia mbërrin në Phenian ku u prit nga udhëheqësi koreano-verior Kim Il Sung.

Atdheu dhe Kombi – çështje madhore që nuk ndan por bashkon – Nga KOLEC TRABOINI

Kapur pas titullit e jo prej përmbajtjes shumë shqiptarë mysliman janë pozicionuar ashpër ndaj shkrimeve të mia por duke prekur dhe personalitetin tim, mirëpo ideja dhe thelbi i shkrimit tim ishte se pa Gjergj Kastriotin nuk mund të kishte e Shqipëri e as shqiptarë. Këtë të vërtetë unë e kam nxjerre nga historia dhe nuk është amplifikim i ideve apo platformave të ndokujt tjetër, apo agjende politike platformash qëllimkëqija, prandaj me duket ai acarim që e kalon etiken krejt pa ndonjë bazë morale dhe i paarsyeshëm. Shkrimi im në atë rast, por edhe tërë shkrimet e mija në fushë të gazetarisë nuk janë të pozicionuara kurrë fetarisht, nuk kanë të bëjnë me fe dhe trajtojnë vetëm probleme në interes të popullit dhe kombit shqiptar. Sepse këtu, more vëllezër shqiptarë, edhe në rastin e incidentit me mbulimin e shtatores së Gjergj Kastriotit, nuk është punë feje po punë kombi. Një grup ekstremistësh islamikë përpiqet të manipuloje shqiptarët myslimanë, nëse këtë ju nuk e kuptoni sot, do bini viktimë e tyre herët a vonë.

Luftoj me këta ekstremistë ka 20 vjet. Ky është thelbi i shkrimeve të mia, të shpëtojmë njerëzit nga influenca e nga manipulimet radikale. Ju që shani nëpër forumet sociale jeni të falur, por e vërteta nuk mbulohet me shoshë, doni apo nuk doni ju, dua apo nuk dua unë. Kush ndjehet shqiptar pavarësisht nga feja, duhet ti dalë zot Kombit dhe At Themeluesit të tij Gjergj Kastrioti. E kjo për të gjithë qëndron njësoj. Askush nuk ka pse të mendojë se e do Atdheun më shumë se tjetri.

Gjithsesi qoftë, tek qëndrimi ndaj Gjergj Kastriotit ndahen rrugët, atdhetarët nga tradhtarët e bukëshkalët, shqiptarët nga bacil mbetjet e turko-osmanëve apo dhe armiqve historikë, kushdo qofshin. Të tjerat i dini vetë. Mjafton ti shihni e ti ndiqni ngjarjet me qetësi dhe kthjelltësi, dhe patjetër me dashuri për këtë vend e për këtë popull. Po ju sjell një shkrim timin të shkurtër (si shkrim brenda shkrimit) publikuar 20 vjet me parë kur nisa polemikat me disa studentë ekstremistë që po përgatiteshin në universitetet e lindjes me një program të qartë për radikalizmin e shqiptarëve myslimanë të Shqipërisë dhe ndezjen e një konflikti fetar që edhe sot e kësaj dite është në agjendën e tyre me qellim krijimin e një shteti Neo-Osman në principet e Kalifatit Islamik.

 

*           *           *

 

Në raport me kombin, feja është një çështje e disi më e vogël, personale, e një njeriu në të drejtën e lirinë e tij themelore për besim, por atdhedashuria është një çështje madhore e miliona njerëzve. Mund te them vetëm kaq, se ju student në Universitetin Islamik në Kuala Lumpur të Majlazisë, O. J., shfaqni një urrejtje e mllef kundër kristianizmit dhe veçmas katolicizmit sa unë nuk kam dalluar tek asnjë shqiptar tjetër me fe myslimane apo fe tjetër. Kundërpërgjigja që ti i jep zotit Ardian Vehbiut, në tërësi, zbulon patosin tënd të jashtëzakonshëm për pushtuesit turko-osman të Shqipërisë, që e përdori fenë islame si një mjet për të shkombëtarizuar shqiptarët. Në të vërtete, pavarësisht konvertimit ku me dhunë e ku me privilegje, nuk ja arriti, por ndikoi në vonesën historike për shkëputjen nga Turqia.

Këtu gjen kontekst historik shprehja poetike e Pashko Vas Shkodranit ”Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që në të vërtetë është një lajtmotiv atdhetar dhe jo ateist. Ju kot e pa baza e sulmoni edhe atë. Misionarët e fundamentalizmit islamik nga viti 1992-1997 u përpoqën, me para, me fondacione gjoja bamirëse, dhe me të gjitha mënyrat ta kthenin Shqipërinë në një shtet avangardë të Islamizmit radikal në Evropë dhe ndër ato bij shqiptarësh (në qoftë se e ndjeni veten të tillë), që ranë viktime e këtij revanshi oriental, jeni edhe ju. E kuptoj që të vjen ndoshta hidhur kur i dëgjon këto fjalë por dije se nisem nga asnjë faktor tjetër veç dhimbjes se ty në këtë rrugë që ke nisur, do të zbehen cilësitë si shqiptar. A nuk e pyet veten pse ke kaq mllef ndaj Skënderbeut? “Shpirti islamik i shqiptarit – sipas teje,- me tu bërë Shqipëria e pavarur, i liroi vendin të afërmeve të Vatikanit e Athinës… sepse Stambolli kish vdekur”.

Tani të pyes hapur, pse e jeton ti që ke lindur tepër vonë ketë “dramë historike”.

Këtë dramë e kanë përjetuar para teje ca si Haxhi Qamili e Musa Qazimi, të cilët rrëmbyen pushkët, ngritën flamurin e Turqisë dhe bënë kryengritje, e tek hiqnin zvarrë atdhetarët shqiptarë, thërrisnin si të çakërdisur “Dum Babën!”, domethënë babë Sulltanin e Stambollit. Të jetosh si dramë çlirimin nga pushtuesi vetëm për faktin se me atë të lidh feja, do të thotë se të janë fashitur e shuar ndjenjat kombëtare dhe e ke zëvendësuar me diçka tjetër. Raporti me Atdheun është guri i provës për çdo atdhetar të vërtetë. Ti mos pandeh se në Greqi nuk kishte mysliman në revolucionin e 1821. Edhe sot po të shkosh në Athinë do të gjesh grekë me mbiemër turk, por janë kreshtanë. Në Athinë ku kam jetuar pesë vjet, kam parë marketin me emrin Alizoti, kishte familje Haxhi, Vrioni, Karahasani e soj-soj. Ajo që ndodhi pas 1821 ishte se populli masivisht e braktisi fenë që erdhi bashkë me pushtuesin, gjë që populli ynë nuk e bëri. Është mirë apo keq kjo që ndodhi me ne, do ta kuptosh nga qëndrimi i Europës ndaj vendeve Islamike.

E për të gjykuar dhe arritur tek e vërteta mos u nis nga ato që thonë diplomacitë, por nga ato që bëjnë shtetet perditë. Europa ka qenë e mbetet tepër konservatore. Ju duhet ta dini çfarë ka thënë para pak kohësh Helmut Kohl: “Turqia myslimane nuk ka vend në Evropën kristiane” ( është fjala për Bashkimin Evropian), lexo gazetën “Bota Sot”, Zvicër 1997.

Nuk e kuptoj edhe urrejtjen e jashtëzakonshme që shfaqni ndaj Kadaresë sikur ky qenka “spiun”( fjalët e tua). Thelbi i kësaj urrejtje, me sa kuptoj, qëndron në një propozim miqësor që Kadare ka bërë dy vite më parë që, ne si komb, ndër kombet kristiane më të para në Evropë (në Durrës ka ardhur vetë Apostulli Shën Pali), pra ti kthehemi origjinës në fenë që kemi pasur. Ky nuk ishte propozim për tjetërsim por kthim i natyrshëm e i vullnetshëm tek vetvetja, ashtu siç e kishim para se të na pushtonin turko-osmanët. Pas kësaj Kadareja u sulmua rreptë nga mjaft fanatikë, sa ky u detyrua të mbrapsej nga ideja vet dhe të deklaronte në panik në një takim me shqiptarët kosovarë në Gjermani të cilët e akuzuan si anti islamik, se “edhe unë jam mysliman”. Krejt e pakuptimtë kjo deklaratë. Asnjë shkrimtar në botë nuk del të deklarojë besimin në publik sepse besimi është një çështje krejt vetjake. Në qershor 1995 kam botuar në gazetën “Egnatia” shkrimin satirik për gazetarin Mefail Maliqi që deklaratën e Ismail Kadaresë e konsideronte si një fitore islamike (lexo: e pjesës radikale), kur Kadare para së gjithash është një shqiptar e nuk i takon një pjese të popullsisë me besim fetar, por gjithë popullit të vet. Shkrimi im mban titullin “Gazetari Mefail Maliqi i bie fyellit në një vrimë”, por ti edhe pas kësaj deklarate të vonë e sulmon Kadarenë. Mos vallë edhe sulmi yt është në vorbullën e fanatizmit që e ndan popullin pjesë-pjesë? Pyet veten me qetësi dhe përpiqu të jesh më shumë shqiptar se sa fetar, sepse atdheu të lind, besimin e fiton por edhe mund ta humbësh nëse besimi të tronditet. Kur vdes njeriu në tokën e atdheut i pushojnë eshtrat përjetë.

Atdheu është mbi çdo gjë, mbi priftërinjtë e hoxhallarët. Besimi është një çështje vetjake e brendshme e një njeriu që nuk lind nevoja të demonstrohet.

Atdheu dhe Kombi janë një çështje madhore e miliona njerëzve në një kauzë të përbashkët që nuk ndan por bashkon.

 

*         *           *

 

Kjo ishte për atëherë, shkruar e publikuar plot njëzet vjet më parë në Boston, shtator 1997 me një dëshirë të mirë që studentët shqiptarë nëpër universitetet islamike të mos radikalizoheshin, por ata mjerisht siç ishin përgatitur ashtu dhe vazhduan, duke u përpjekur me çdo kusht e çdo mënyrë të ndikonin tek shqiptarët myslimanë me qëllim për ti përdorur ata për programet e tyre ekstremiste. U përqendruan se pari me propaganda fetare, duke treguar gjoja epërsinë e një kodi fetar mbi një tjetër, pastaj nisen përpjekjet për rrënimin moral të figurave që përbejnë themelet e kombit shqiptar. Bënë atë që bëjnë ndërtuesit kur duan të rrënojnë një shtëpi e të ngrenë një tjetër, pra të shembin shtetin shqiptar laik e të ndërtojnë një shtet fetar islamik radikal, e për këtë u hodhën edhe në rrënimin e historisë. Përfituan nga ideja se historia e krijuar në kohën e monizmit ishte manipuluar dhe duhej një histori e re sepse, sipas ekstremistëve turko-osmanët, nuk kanë qenë pushtues por shpëtimtarë të Shqipërisë e të shqiptarëve. Pra vrasësin e paraqesin si shpëtimtar dhe pushtimin Osman pesë shekullor e konsiderojnë si një lumturi e madhe e pa rrëfyer më parë dhe këtë ua paska fshehur shteti shqiptar.

Në avancim të ideve të tyre për ndërtimin e Shqipërisë Kalifat, sulmuan me të gjitha mjetet e propagandës Gjergj Kastriotin, gur themelin e kombit shqiptar. Pastaj nisën të merren me figura të tjera përfaqësuese që e ngrenë prestigjin e shqiptarëve në botë, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe e zgjeruan objektivin e sulmeve me Ded Gjo Lulin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin e tjerë. Duke përdorur mjete teknologjike bashkëkohore arritën të përhapin idetë e tyre shkatërrimtare nëpërmjet rrjetave elektronike, por përfituan nga tolerance e tepruar e disa kanaleve televizive të Tiranës që u lanë hapësirë për propaganda antikombëtare këtyre kasnecëve të neo-osmanizmit turko-arab. Duke përfituar nga zhgrehja e apatia e Akademisë së Shkencave të Tiranës që ka rënë në duart e ca njerëzve të paaftë e karrieristë, në media e kudo nuk harruan ta ngrinin lart një figurë ndër më të urryerat në historinë e kombit shqiptar, Esat Toptani, të cilin e kanë pudrosur zellshëm edhe gazetarë në ekranet televizive apo duke botuar libra me qëllim për ta rehabilituar, ndërkohë duke denigruar djaloshin trim shqiptar Avni Rustemi.

Në këto rrethana, ajo që ndodhi në sheshin qëndror në Tiranë me monumentin e Gjergj Kastriotit, ngjarje të cilën kërkojnë ta minimizojnë pushtetarët përgjegjës për këtë kryeskandal, nuk është gjë tjetër veç qershia mbi tortë e ekstremistëve fundamentalist islamikë, që arritën të influencojnë edhe mbi drejtuesit e komunitetin shqiptar mysliman, të cilët të paktën në një ditë u bënë palë me ekstremistet. Edhe dalje e një figure hierarkike të komunitetit mysliman në Tiranë, duke i kërkuar falje e ndjesë komunitetit katolik për çfarë ndodhi turpësisht me shtatoren e Gjergj Kastriotit, është pjesë e provokimeve djallëzore sepse Gjergj Kastrioti nuk është figurë vetëm e komunitetit shqiptar katolik, por ai është heroi kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhën në botë duke përfshirë dhe shqiptarët mysliman, ortodoksë, evangjelistë dhe ateistë. Nuk e dimë sa në këtë ndjesë të dalë boje ka dorë djallëzia apo është e gjithë mosdija, niveli mediokër i oratorit, dhe mungesë e intuitës kombëtare.

Nuk është tepër herët për të thënë se si do të jenë rrjedhimet e deri ku na çon kjo rrugë revanshesh të fanatizmit fetar, për më tepër edhe të vrullit që kanë marrë hordhitë e neo-osmanizmit në trojet shqiptare. Nuk është tepër herët për të venë alarmin që ti pritet rruga mizorisë ogurzezë të fanatizmit fetar. Mendjelehtësia, anashkalimi, duke u fshehur pas tolerancave vetëmburrëse, nuk është gjë tjetër veç një vetëvrasje, të cilën populli shqiptar nuk e meriton se mjaft ka vuajtur nëpër shekuj.

Prandaj them, se kur flasin e shkruajmë në mbrojtje të identitetit tonë si shqiptarë, nuk është punë feje por është punë kombi dhe atdheu.

 

Shtator 1997-2017

Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi ynë kombëtar i keqkuptuar dhe i keqpërdorur – Nga Miron ÇAKO

U bë shumë ditë që figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit (1405-1468) është keqkuptuar dhe keqpërdorur në portale dhe në media mbi mbulimin apo jo, me qëllim apo pa qëllim të shtatores së tij në sheshin me emrin e tij, për kurban bajramin, festën e besimtarëve musliman.

1. Personalisht dua të besoj se mbulimi i fushpamjes së shtatores se heroit nuk ishte me qëllim dhe aspak me karakter fetar, por vetëm çështje teknike siç shprehet publikisht dhe perfaqësuesi i KMSH, Myftiu i Tiranës z.Ylli Gurra. Mbas këtij sqarimi zyrtar askush nuk duhet të grindet dhe të hamendësoj për prapaskena të mbulimit të shtatores, ashtu siç ka ndodhur teknikisht dhe me aktivitete të tjera të organizuara në sheshin “Skenderbej”.

Mendoj se kjo është në interes të harmonis fetare, që është aq e mirë, por njëkohsisht dhe aq e brisht. Prandaj ne me çdo mënyre duhet ta ruajmë, ta kurojme nga çdo virus i huaj, që të mbetet e shëndetshme, si një organ jetik i trupit (kombit).

2. Për ata besimtarë, fetar musliman që e shikojnë shtatoren e Skënderbeut si një idhull dhe që sipas tyre bie ndesh me doktrinën islame të adhurimit e kështu ata nuk duhet të falen para një “idhulli” si Skenderbeu. Mendoj se ky është një problem që duhet ta zgjidhin ata vetë ose KMSH-ja, sepse Skënderbeu ishte aty para se ata të uleshin për t’u falur. Çdo ankim ose mbulim i statujës bie ndesh me karakterin e sheshit si një vend publik në një shtet laik.

3. Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu sipas historianëve të kohës dhe më vonë, ka bërë një luftë çlirimtare në tokën e Arbërit për gati 25 vjet kundër pushtuesve osman.

Lufta e tij së bashku me stëretërit e shqiptarëve të sotëm nuk ka qenë një luftë me karakter të mirfilltë fetar si një kryqëzat, por një lufte çlirimtare nga ekspasioni i Perandorisë Osmane në Ballkan dhe në Arbëri. Nqs disa fetar, teologë, historianë musliman të huaj dhe vendas ndihen të atakuar fetarisht nga lufta çlirimtare e Skënderbeut kundër turqve, problemi nuk është i Gjergj Kastriotit dhe i luftës të popullit shqipetar, por i atyre vetë që nuk e ndajnë shtetin nga feja dhe këtu nuk kemi të bëjmë me çështje fetare, por me etnike ose siç quhet sot fenomeni i neootomanizmit (osmanët e rinj).

Ky është një problem serioz që nuk duhet toleruar nga organet shteterore se mund të bëhet një precedent i rrezikshëm për nxitjen e konflikteve nacionaliste dhe fetare në Ballkan.

4. Ata fetar apo nocionaliste “të krishterë” që e nderojnë figurën e heroit kombetar duke i dhënë ngjyra fetare si një kundërvënie kundër një feje tjetër, përsëri janë duke e keqkuptuar dhe keqpërdorur atë. Siç e përmendëm më sipër Skënderbeu luftoi kundër Perandorisë Osmane me përzierje popujsh kryesisht nga Azia, që si fe zyrtare kishin islamizmin, por Gjergji nuk ishte një kryqtar dhe ushtria e tij një kryqëzat me emblem kryqin, por një ushtri e organizuar për çlirimin dhe mbrojtjen e vendit, me emblemë shqiponjën dykrenare, simbol i principatës së Kastriotajve.

Kryqëzatat u krijuan në perëndim me idenë për të çliruar Jerusalemin dhe varrin e Krishtit nga arabët. Ato nisën me bujë, por degjeneruan dhe për ironi kryqëzata e katërt në vitin (1202-1204) pushtoi, plaçkiti deri në sakrilegje kishat dhe pasuritë e të krishterëve orthodhoksë në Kostandinopojë.
Prandaj është gabim që figura e heroit tonë kombëtar të keqperdoret nga ata që e nderojnë dhe e përçmojnë si një figurë fetare që i kundërvihet me shpatë një feje tjetër. Kjo bie ndesh me doktrinën e krishterë. Krishterimi si besim dhe fe nuk përhapet dhe mbrohet me anë të shpatës, armës ashtu si Krishti i tha Petros i cili kërkonte të përdorte thikën për të mbrojtur jetën e Krishtit “fute shpatën në këllef, unë mund t’i lutem Atit dhe ai të më dërgoj dymbëdhjet legjione ëngjëjsh”. Në krishtërim nuk ka dhe nuk mund të këtë luftë të shenjtë sepse Mbretëria e Zotit nuk është në një vend dhe shtet të caktuar, por në zemrat e besimtarëve dhe ajo pritet të bëhet e dukshme ashtu siç është në qiell edhe mbi dhè me ardhjen e dytë të lavdishme të Zotit Krisht.

Sa herë që të krishterët e kanë harruar këtë parim të Mbretërisë së Zotit që pritet të vij nga qiejt dhe e kanë ndërtuar atë në tokë me mjetet e gabuara dhe të pamoralshme, kanë gabuar, duke e humbur qytetrimin e tyre.

Gjergj Kastrioti lindi nga një familje e krishterë në 6 maj 1405, u pagëzua që fëmijë i krishterë, u konvertua mysliman me imponim në Stamboll kur u mor peng bashkë me tre vëllezërit e tij nga sulltan Murati, u rikthye i krishterë në besën e etërve të tij kur u rebelua nga ushtria e sulltanit. U kthye ne Krujë e çliroi atë, rimori tokat e të atit, principatën e Kastriotëve, bashkoi princat shqiptar ne kuvendin e Lezhës duke hedhur themelin e shtetit Shqiptar. Dhe bashkë me ta me një ushtri modeste çliroi tokat e Arbrit, si një strateg i përkryer me 30 luftra, 29 të fituara edhe vetëm një të humbur me tradhti, mundi dhe shkatërroi mitin e perandorisë së pathyeshme osmane, ndaloi dyndjen barbare të turqëve në Europë, mbrojti qytetërimin europian, shkruajti historinë me të lavdishme të popullit shqiptar dhe me të drejtë u lartësua si hero kombëtar dhe figurë frymëzuese për çdo shqiptar, europian dhe për çdo popull që e aspiron lirinë nga pushtuesit sado të fuqishëm që ata mund të jenë.

Mund të themi si një fakt historik, se ishin vetë turqit supersticioz që e mitizuan dhe e kthyen në një idhull fatsjellës shpatën dhe eshtrat e tij, të cilat i morën, shpatën sulltan Mehmeti dhe eshtrat ushtarët i mbanin në trup si hajmali për të marrë fuqi nga fuqia e pamposhtur e atij kur ishte i gjallë.

Së fundi Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk është një mit, nuk është një idhull, nuk është një kryqëtar, por një person historik, princi i Epiriotve, mbreti i pashpallur i Arbërve, atleti i Krishtit që do të thotë me moral dhe virtyte të larta të krishtera që përmblidhen; në dashuri për Zotin, për të afërmin, vendin dhe në falje ndaj armikut.

Ai ishte nje atdhedashës i madh, që bëri detyrën ndaj mëmëdheut në kushte të përcaktuara të historisë, një frymëzim dhe nder për të gjithë ata që janë dhe ndjehen shqiptarë, një hero kombëtar i patjetërsueshëm me përmasa ndërkombëtare.

Emisioni për Skënderbeun, kërcënohet gazetarja Rudina Xhunga

Gazetarja e njohur Rudina Xhunga eshte kercenuar me mesazhe ne rrjetet sociale, pas emisionit te saj “Rudina” pak dite me pare ne “Vizion Plus”, ne lidhje me temen e cila kishte ndezur nje debat te gjere ne opinionin publik, pas dites se Bajramit, per foton Skenderbeut te mbuluar ne shesh gjate faljes se besimtareve myslimane. Ajo ka publikuar nje reagim ne “dritare.net”, ku ben me dije se do te padise shtetasin Skënder Ndosha, i cili jeton ne Greqi.

Reagimi i plotë i Rudina Xhungës

Pas emisionit për Skënderbeun, pata shumë mesazhe, shumica të pakënaqurish.

Të pakënaqur që kisha ftuar Imamin Armand Ali, të pakënaqur që dy profesorë, si Pëllumb Xhufi dhe Moikom Zeqo, flisnin përballë këtij imami, të pakënaqur që “i rrija me kurriz”  përfaqësuesit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke “shprehur hapur anshmërinë”, të pakënaqur që hoqa nga skenografia e studios sime Skënderbeun, të pakënaqur që kisha veshur fustan të kuq.

Secili ka të drejtë të jetë i pakënaqur dhe ta shprehë këtë, por e drejta e tij mbaron, kur shprehja e pakënaqësisë cenon, lëndon, dëmton, prek dhe vret tjetrin.

Sikundër mbaroi e drejta e një personazhi që zgjodha mes disave, të cilët më kërcënonin dhe masakronin në mesazhe.

Ky quhet Skënder. Jo SkënderBeu, por Skënder Ndosha.

Është nga Fushë-Arrëza, jeton në Greqi, ku është i vetëpunësuar.

Më akuzon që po shes gjakun e të parëve të tij, që unë nuk ia njoh dhe pastaj i kthehet të parëve të mi, të vdekurve të mi, të gjallëve të mi dhe më sqaron gjerë e shtruar, fantazinë e tij për ç’do u bëjë atyre.

Skënder Ndosha, nga Fushë-Arrëza, që jeton në Greqi dhe është i vetëpunësuar, mund të jetë një prej 1000 mesazheve që erdhën. Nuk është e vërtetë që unë nuk i lexoj, nuk është e vërtetë që nuk më lëndojnë, nuk është e vërtetë që nuk më ndikojnë.

Dhe nuk është e vërtetë që ky është çmimi i të qenit publik  dhe mund ta lë veten të ma shenjojnë ditën, këta si ky.

Ndaj të them Skënder Ndosha, që do të të padis, por jo në Fushë-Arrëz. Në Greqi, aty ku je i vetëpunësuar dhe jeton në FB tënde.

Nuk do të të mbyll faqe FB. Mbaje ta kesh.

Unë kam kontribuar që ti të jetosh më mirë aty ky je, me gjithë emisionet e mia për shqiptarët e Greqisë.

Tani meqë i je vënë të gjallëve dhe të vdekurve të mi, unë vij e të gjej dhe të kërkoj deri në fund, ligjërisht. Dhe dua të jap një tjetër kontribut, për t’u treguar vendin, atyre si ty.

Atyre si ty që guxojnë të hyjnë në varret e të dashurve dhe dhomat e fëmijëve me fjalët e tyre të ndyra, atyre si ty, që po i lamë, do vijnë edhe me armët e tyre.

Dhuna nuk mbaron, kur të mbaroj unë, sepse unë vdes përditë, kur e lë dhunën të më pështyjë. Dhuna në fillim pështyn, pastaj vret.

Ndaj Skënder Ndosha nga Fushë-Arrëza dhe shokët e tij, duhet ta mendojnë mirë, kur guxojnë dhe lëshojnë të pëgërat e tyre në publik.

Myftiu Ylli Gurra: Do ta padis Ngjelën!

Pas shume polemikash qe pasuan diten e Kurban Bajramit me foton e mbulimit e Skenderbeut ne mes te sheshit, teksa behej falja e besimtareve, avokat Spartak Ngjela del me nje thirrje shume te forte: te arrestohet myftiu Ylli Gurra.

Me nje postim ne faqen e tij ne FB, Ngjela, teksa e cileson ate “barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit”, shkruan se “unë nesër, duke bërë detyrën ndaj kombit tim, paraqes denoncimin me shkrim përpara Prokurorit të Përgjithshëm”.

Por ne nje interviste ekskluzive telefonike per “Panorama”, Myftiu Ylli Gurra thote se deklaratat te cilat Ngjela i referohet nuk i perkasin as atij vete, as vellait te tij biologjik, Mehdi Gurra.

“E para unë s’kam ndonjë vëllazëri biologjike me Mehdi Gurrrn që është nga një fshat i Tiranës, unë jam Ylli Faik Gurra nga Dragostunja e Librazhdit dhe avokati, për arsye nuk di se cfarë të vetat në raport me politiën, bën thirrje për ndasi dhe për myslimanë turq dhe ortodoksë grek por nuk ka asnjë lloj vërtetësie në këtë mes. Ne kemi qenë dhe jemi krenar që të jemi shqiptar.

S’kam pse të jap shpjegime sepse ai ka folur broçkulla që në fillim të herës.

Nenet që ai ka referuar i duhet me i lexu për veten se s’ka lidhje aspak.

Në videon që avokati pretendon as nuk jam unë dhe nuk është vëllai im biologjik. Se di me sa gjykim ngrihet dhe bën thirrje për arrestimin dhe krahasimet që mund të bëje ai.

Problemet e pritshmëritë e tij politike mos t’ja faturojë figurave publike. Të kishte lodhur veten të kishte pytur dikë se kush është ky zotëria. Dihet kush jam dhe nga jam unë.
Po aq groteske ka qenë edhe ajo e Kastriot Myftarajt.

Do më duhet ta kallëzoj, se si ngrihet e flet kështu, aq më tepër zotëria në fjalë që pretendon se është një nga flamurtarët e demokracisë e fjalës së lirë, një përbaltje deri në ekstrem. Sigurisht do ta padis sepse vërtet ka qenë i tepruar. Se di për cfarë shkelje të ligjit pretendon se deklarimi s’është i imi”, tha Gurra për “Panorama”.

Ngjela: ‘Të arrestohet myftiu Ylli Gurra, ja krimet që ka konsumuar’

Pas shume polemikash qe pasuan diten e Kurban Bajramit me foton e mbulimit e Skenderbeut ne mes te sheshit, teksa behej falja e besimtareve, avokat Spartak Ngjela del me nje thirrje shume te forte: te arrestohet myftiu Ylli Gurra.

Me nje postim ne faqen e tij ne FB, Ngjela, teksa e cileson ate “barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit”, shkruan se “unë nesër, duke bërë detyrën ndaj kombit tim, paraqes denoncimin me shkrim përpara Prokurorit të Përgjithshëm. I ftoj të gjithë shqiptarët të denoncojnë shëmtimin barbar në Shqipëri përpara prokurorisë shqiptare”.

Ky është një barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit.

Një osman barbar na quan turq ne shqiptarëve që jemi populli më i vjetër i Europës, pasardhës të Aleksandrit të Maqedonisë; Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Fan Nolit Gjergj Fishtës dhe të shënjtores së madhe Nënë Tereza?

Si qënkemi turq mor, palaço ne që kemi shpëtuar Perëndimin nga barbaria osmane!
Kjo është vlera më e madhe e shqiptarëve.

Si ka mundësi që të lejohet një injorant agresiv që mbron tezën e Beogradit agresiv dhe Athinës agresive, pushtuese territoresh shqiptare, se shqiptarët janë turq?

Ne kemi gjuhën më të vjetër në Europë, dhe kemi vrarë aq pushtues turq në 500 vjet, sa sot do të ishte dyfish popullsia e Turqisë.

Nëse kjo prokurori e dominuar nga hordhitë otomane Berishë- Beograd, nuk respekton Kodin Penal për fyerje të tharmit shqiptar nga një barbar, kjo do të përbëjë krim që do ta ndjekë vetë prokurorinë e sotme kompetente shqiptare, menjëherë sa të formohet SPAK.

Ja krimet që ka konsumuar Ylli Gurra;

Neni 265 i Kodit Penal:
“Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve raciale, nacionale ose fetare… dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 268 i Kodit Penal:
“Poshtërimi botërisht i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit… dënohet deri në dy vjet burg.

Neni 266 i Kodit Penal:
“Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë… duke fyer ose shpifur për to….dënohet gjer në 5 vjet burgim.

Nëse prokuroria shqiptare nuk e ka filluar çështjen penale kundër barbarisë antishqiptare, tregon se ka frikë nga antikorrupsioni dhe shpreson në destabilizim shoqëror në Shqipëri.

Nuk ka destabilizim në Shqipëri, le të lodhen së prituri të gjithë barbarët dhe të korruptuarit.

Unë nesër, duke bërë detyrën ndaj kombit tim, paraqes denoncimin me shkrim përpara Prokurorit të Përgjithshëm.

I ftoj të gjithë shqiptarët të denoncojnë shëmtimin barbar në Shqipëri përpara prokurorisë shqiptare.

Sa më shumë denoncime, aq më i lartë patriotizmi shqiptar.

Barbarët e kanë marrë gjithmonë humanizmin europian si dobësi.

Por ky myfti ka shkelur ligjin shqiptar dhe ka fyer shqiptarët në vendin e vet. Po e ndjen veten turk, të marrë gjithë taborin e tij me ardhacakët, e të ikë në Anadoll; por pas dënimit.
Kjo ka mijëra vjet që është toka e shenjtë e shqiptarëve.

Akademia e Shkencave – i pari dorëhiqet nënkryetari

Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, në një klimë debati të ashpër dhe presioni edhe nga kryeministri, ku drejtuesit këmbyen vendet dhe nënkryetari u bë kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vjen dorëheqja e parë në këtë institucion.

Burime për “Panorama” bëjnë me dije se nënkryetari i sapozgjedhur, akademiku Myzafer Korkuti ka dhënë sot dorëheqjen nga posti në të cilin u zgjodh vetëm së fundi me votën e anëtarëve.

Pas dorëheqjes së nënkryetarit, Akademia ka vendosur thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Asamblesë më datën 11 shtator, ku do të diskutohet për reformimin e institucionit.

Ndërkohë që kryetari i sapozgjedhur Gudar Beqiraj nuk ka bërë asnjë reagim dhe nuk dihet nëse do të ndjekë nënkryetarin me ndonjë dorëheqje të mundshme.

Kujtojmë se Korkuti u zgjodh nenkryetari i Akademise me 27 vota pro, 3 kunder dhe nje abstenim.

Akademiku Artan Fuga ishte i pari qe ngriti fort zerin per katrahuren e zgjedhjeve ne Akademine e Shkencave dhe pas apeleve publike iu drejtua permes nje letre te publikuar ne “Panorama” kryeministrit Rama, duke i kerkuar te ndaloje katrahuren.

Pikerisht diten e zgjedhjeve ne Akademi, kryeministri Rama reagoi publikisht me thirrjen ‘Stop Farses’, e duke kerkuar reformin te menjehershem, duke kercenuar se nese Akademia vijon me te sajen, do t’i prese buxhetin. Dhe ne fakt, ashtu vendosi.

“Jeta e Fildezit është në rrezik”, zbardhet letra që babai i gjyqtares i dërgoi ministrit Manjani

Vrasja e gjyqtares Fildez Hafizi ishte paralajmëruar edhe më herët por jo vetëm një herë. Babai i Fildez Hafizit, Benjamin Hafizi i kishte dërguar Ministrit të Drejtësisë një vit më parë. Në letër i moshuari i kërkon ministrit të mbrojë vajzën e tij.

“Jeta e Fildesit është në rrezik. Merreni në mbrojtje Fildesin”, shkruhet ndër të tjera në letër.

 

Fildez Hafizi, 39 vjeçe u vra nga ish-burri i saj Fadil Kasemi më 31 gusht, pak metra larg banesës së saj. Ajo ishte nënë e dy fëmijëve, ndërsa punonte si gjyqtare në Shkodër. Hafizi ishte divorcuar dy vjet më parë nga 53-vjeçari por mes tyre kishin vijuar konfliktet.

Pak muaj pas divorcit, Kasemi kishte shkuar në Golem ku ajo ndodhej për pushime me nënën dhe dy fëmijët dhe e kishte dhunuar dhe tentuar ta vriste, ndërkohë që Fildez kishte marrë edhe një urdhër-mbrojtje. Ai ishte arrestuar dhe kishte bërë 11 muaj burg për armëmbajtje dhe dhunë në familje, pavarësisht se ishte dënuar me 3 vjet heqje lirie.

Vrasja e gjyqtares Fildeze Hafizi ishte paralajmëruar edhe më herët por jo vetëm një herë.

 

Pak ditë pasi Fadil Kasemi u dënua me 3 vite burgim për tentativën e vrasjes së ish-gruas së tij Fildes Hafizi, në 2015, babai i gjykatëses së Shkodrës i dërgoi një letër ministrit të Drejtësisë ku e informonte atë se procesi ndaj ish-dhëndrit ishte fals dhe tejet i dyshimtë.

“BalkanWeb”
zbardh letrën e plotë që Benjamin Hafizi i drejtoi kreut të dikasterit të drejtësisë, Ylli Manjani, të cilit i kërkonte të ndërhynte për përjashtimin e tre gjykatësve të çështjes, me argumentin se vendimi i firmosur prej tyre ishte i pabesueshëm.

Në krye të herës ai shpjegon ngjarjen e 19 korrikut 2015, ku ish-dhëndri tentoi t’i vriste vajzën në sy të djalit të mitur.

Benjamin Hafizi jep argumentet e tij se përse ngjarja ishte një tentativë e pastër për vrasje dhe jo vetëm dhunim i së bijës.

Në letrën e tij ai e vë theksin te zvarritja e pakuptimtë e procesit dhe këmbëngul të rigjykohet çështja.

Nëntë muaj pas kësaj ngjarjeje zhvillohet një proces gjyqësor i zvarritur, i heshtur, i dyshimtë, pa njoftim të familjarëve dhe personit të dhunuar. Nuk janë thirrur të pyeten personat e dhunuar në proces. Nuk dihet kush është avokat dhe pse e ka vonuar çështjen pas kaq muajsh, për të gjitha këto anomali dhe vonesa unë kërkoj anulimin e këtij gjyqi fals dhe gjykimin nga një trupë tjetër gjykuese”.

Babai i gjykatëses së ndjerë e mbyll letrën e tij për Manjani, duke theksuar fort faktin se e kishte dërguar atë pa dijeninë e vajzës, jeta e së cilës ishte në rrezik.

Asokohe letra u protokollua në ministri. Ndërkohë “BalkanWeb” kontaktoi me zyrtarë të ministrisë të cilët thanë se do e verifikonin faktin nëse letra është trajtuar ose jo.

Por, vetëm pasi gjykatësja u vra nga ish-bashkëshorti në zonën e “Xhamllikut”, me kërkesën e presidentit të Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimet për vendimin e gjykatës së Kavajës për Fadil Kasemin.

53-vjecari u dënua me 3 vite burgim për akuzën e dhunës në familje dhe armëmbajtjes pa leje.
Ai rifitoi lirinë pas 18 muajsh qëndrimi në qeli, për shkak se përfitoi nga ligji për amnistinë.

Nga SHBA autoblinda për ushtrinë shqiptare

Në Shqipëri kanë mbërritur 6 automjetet e para të blinduara, pjesë e 248 mjeteve të tilla që Qeveria amerikane i ka ofruar në formë dhurate për ushtrinë shqiptare. Në total vlera e tyre shkon në 12 milion dollarë.

Shqipëria është “një nga katër aleatët e NATO-s në Europë që merr këto makina të avancuara”, u shpreh ambasadori amerikan Donald Lu në ceremoninë e marrjes në dorëzim të automjeteve nga autoritetet shqiptare. Ambasadori amerikan theksoi se qeveria e SHBA-ve është e përkushtuar të forcojë aftësitë e ushtrisë shqiptare si aleat i NATO-s. “Kjo aftësi e re do të jetë një hap vendimtar që Forcat e Armatosura të Shqipërisë të arrijnë objektivin parësor të NATO-s që të kenë një grup këmbësorie të modernizuar plotësisht operacional dhe autonom deri në 2019”, deklaroi ambasadori Lu.

Për ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli “në rritjen e standardeve të Forcave të Armatosura, këto mjete janë pjesë e paketës së mjeteve të blinduara, një projekt të cilin ne e nisëm së bashku që në vitin 2015. Kjo ndihmë vjen absolutisht në kohën e duhur, në momentin kur Batalioni i Dytë i Këmbësorisë po rrit ndjeshëm angazhimet në kuadër të Aleancës dhe kjo do të ndikojë cilësisht në përmbushjen e detyrimeve dhe objektivave e kapaciteteve” deklaroi ministrja Kodheli duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë “një aleat dhe mik strategjik i Shqipërisë.

Automjetet e blinduara për transport janë të markës HMMWV 1114 dhe kanë shpejtësi maksimale 125 km/h, kapacitet mbajtës 1+3+1 pushkatar, peshojnë 6 ton si dhe kanë autonomi lëvizjeje 443 km. Mjetet e blinduara janë të pajisura me sistem të mbajtjes së armëve mitraloz të rëndë dhe mitraloz të lehtë si dhe granatëhedhës.

Për gratë që ziejnë fasule… – Nga Flutura AÇKA

Ku jeni mi, gra, që i keni lënë këto vajza vetëm të luftojnë për ju. Prapë dajak do hani, prapë do t’ju vrasin, sa kohë nuk e mbroni veten. Duhet të ishit me mijëra, vetëm kështu ligji do të ndryshonte në favorin tuaj. Një ligj që mjafton vetëm të kërcënoheni, tjetri, “burri i paburrë” shkon në burg dhe i paamnistuar. Vetëm një ligj shumë shumë i ashpër, që të veprojë për një kohë 20 a 30 vjet, aq sa ta mendoni ju që nuk rrezikoheni, aq sa të ndrydhojë ky mentalitet i poshtër se ju jeni pronë, do të mund ta bëje kthesën e madhe për ju. Po ku jeni ju? As kur ju kërkohet me alarm, nuk dilni, por zini fasule. Këtë ligj të ashpër duhet ta kishin kërkuar ju me mijëra në shesh. Nuk e bëtë, shteti nuk ju ka faj. Të ishte vrarë një grua e zakonshme ne perëndim, sepse nuk ka vepruar ligji, bulevardi nuk i nxinte gratë. Të ishte vrare një gjykatësnë Perëndim, një njeri që duhet te mbrojë të drejtat e të tjerëve, një grua si shembull i grave që mbrojnë më të dobëtit, ishte anuar shteti.Shteti e vrau Erieta Abdulin, me marrëveshje politike.
Shteti e vrau Irena Selin, me heshtje policore
Shteti e vrau Fildes Hafizin sepse nuk e mbrojtiHipokritë dhe hipokrite, Fildes Hafizi nuk ka nevojë për shtëpi pas vdekjes, por të mos vdiste!

Fakti i panjohur rreth gjyqtares së vrarë nga ish-bashkëshorti

Fildes Hafizi nuk ka qenë e pajisur me urdhër-mbrojtje në momentin kur ka ndodhur ngjarja.

Ky është vendimi i Gjykatës së Tiranës, i siguruar nga Ora News ku gjyqtarja Majlinda Doga ka vendosur më 7 prill të vitit2015 pushimin e çështjes për caktimin e urdhrit të mbrojtjes,  pasi vetë Fildesi nuk ishte paraqitur në seancë.

Nuk dihen motivet dhe arsyet që mund ta kenë çuar gjyqtaren në tërheqjen nga vendimi i mëparshme pasi në 24 mars  ajo i është drejtuar policisë  ka kërkuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes që është pranuar nga gjykata dhe me pas nuk është paraqitur  më  për të vazhduar procesin.

Ndërkohë babai i Firdesit, Bynjamin Hafizi, i është drejtuar me një letër ministrit të Drejtësisë më 11 maj 2016, ku pasi i parashtronte të gjitha faktet e ngjarjes së ndodhur më 17 korrik 2015, mosndëshkimin në kohë të autorit dhe vonesat në procesin gjyqësor të divorcit, kërkonte anulimin e vendimit dhe rigjykimin e çështjes.

Në përgjigjen e mbërritur më 7 qershor 2016, thuhet se ministri Manjani ka urdhëruar verifikimin e ankesës, veprim nga i cila ka rezultuar se nuk ka pasur zvarritje në procesin e divorcit mes Fildez Hafizit dhe Fadil Kasemit, por janë ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara.

Ndërsa lidhur me kërkesën për rigjykim të dosjes penale, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se nuk ka qenë në gjendje për t’i kthyer një përgjigje të plotë, duke kërkuar specifikime konkrete për çështjen dhe palët e përfshira në gjykim.

Masat e Shengenit – 177 qytetarë u bllokuan në Rinas, iu refuzua dalja nga Shqipëria

Ne bilancin e saj per muajin Gusht, Policia e Shtetit ka numeruar hyrje daljet permes Rinasit, duke theksuar se nderkohe vijon puna nga ana e Policisë Kufitare për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë.

Njëkohësisht vijon puna për të përballuar fluksin e hyrje – daljeve të shtetasve që qarkullojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit.

Vëmendje e veçantë edhe në drejtim të evidentimit dhe bllokimit të atyre shtetasve që kanë për qëllim kërkimin e azilit në Francë e në vende të tjera të BE-së.

Në drejtim të evidentimit dhe bllokimit të shtetasve që kanë për qëllim kalimin e kufirit për të kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, gjatë kësaj periudhe u është refuzuar dalja nga Republika e Shqipërisë:

-177 shtetas të refuzuar bazuar në masat shtesë të përcaktuara në urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, urdhër i dalë në fillim të muajit Gusht.

Aktualisht janë forcuar edhe masat në drejtim të parandalimit të akteve terroriste.

Policia Kufitare e Rinasit është e angazhuar maksimalisht për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor të gjithë shtetasve që hyjnë dhe dalin nëpërmjet aeroportit, si dhe e vendosur për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar paligjshmërinë.

Gjatë muajit Gusht kanë hyrë në Shqipëri 308.497 shtetas shqiptarë e të huaj.

Kanë dalë 201.332 shtetas shqiptarë e të huaj.

Gjatë gjithë muajit Gusht ka pasur një rritje të madhe të fluksit të hyrjes për në vendin tonë, krahasuar me një vit më parë , ku numri arrin deri në 13.500 shtetas shqiptarë dhe të huaj në ditë.

Aktualisht në Rinas po punohet me 7 sportele në hyrje dhe 5 në dalje.

Gjatë gjithë muajit Gusht nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, janë arrestuar 9 shtetas, si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 8 të tjerë, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave”.

Janë kapur 8 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale, për llogari të Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe.

Janë proceduar penalisht për veprën penale atë të ”Braktisjes së femijëve të mitur” 4 shtetas (dy burra e dy gra).

Të jesh shqiptar nuk është vetëm një fjalë… – Nga KOLEC TRABOINI

-Apologjia ime-

Në një shkrim të fundit për çfarë me 1 shtator 2017 ngjau në sheshin “Skënderbej” ku u mbulua shtatorja e heroi tonë kombëtar  Gjergj Kastrioti, shpreha mendimin se nuk është mirë të ndodh kështu dhe se  demonstrimet tendencioze fetare nuk shërbejnë për asgjë të mirë.  Papritmas kundër meje nisën anatemimet,  u hap barku për të nxjerrë të gjitha të këqijat që mbajnë brenda njerëz të fanatizuar që veç rastin presin të shfryjnë me arsye të humbur. Kam një pyetje për të gjitha ata që nuk dinë tjetër veç të shajnë si njerëz ordiner, pa pikë etike dhe mungesë kulture, apo që kërcënojnë duke treguar dhunën si mjet dominimi fetar, pse kështu? Kush ju frymëzon e nxit të bëni shantazhe dhe ofendime të tilla publike Më vjen keq për ta me të vërtetë. Nuk ka dritë në botë ti kërkojë mëshirë errësirës, përkundrazi njerëzit përpiqen që natën sa të jetë e mundur ta ndriçojnë. Kështu funksionon edhe për mendjet e errëta të mbushura skajshëm me fanatizëm fetar.

E ka thënë bukur e thellësisht të ndjerë i madhi Naim Frashëri tek “Fjalët e qiririt”:

 

“Unë zjarrit nuk i druhem

Dhe kurrë s’dua të shuhem,

Po të digjem me dëshirë,

Sa të munt t’u ndrinj më mirë.”

 

Qëllimi im pra nuk ka qenë tjetër veç ndriçimi i tollovive që po ndodhin me keqpërdorimin e figurave e simboleve që përbëjnë identitetin tonë kombëtar si shqiptar, dhe jo ofendimi në atë që ndokush beson në të drejtën e tij të patjetërsueshme. Duke reaguar ligsht disa po tregojnë se dinë të shkruajnë po nuk dinë të lexojnë. Nuk dinë të perceptojnë mesazhin e një shkrimi të përcjellë në mediat sociale. Ja thelbi i asaj që kam shkruar ”Shqiptarë pa Gjergj Kastriotin nuk ka e as ka për të pasur kurrë!”

Pse ky keqpërdorim i asaj çfarë unë kam theksuar në shkrimin tim se qëndrimi ndaj Gjergj Kastriotit përcakton identitetin e atyre që janë apo duan të jenë shqiptar. Jua përsëris sepse e shoh se ka shumë mishmash fjalësh e të shara prej njerëzish hakmarrës e inatçorë që nuk kursejnë as të gjallë e as të vdekur. As kjo nuk mendoj se është tipike shqiptare.  Gjithsesi ta keni kuptuar mesazhin tim, them hapur e pa drojë se në pikëpamje studimi apo shkrimi nuk më intereson asnjë fe. Pra pse e anashkalojnë problemin dhe përqendrohet tek feja. Sa për dijeni të atyre që nuk dinë tjetër veç të shajnë e mallkojnë duke vënë soj-soj epitetesh, në fëmijërinë time të hershme, im atë mësues, çdo festë Bajrami me  merrte e shkonim tek nxënësit e tij në Postribë të Shkodrës, që ishin shqiptarë mysliman e që babai im u kishte mësuar të donin Shqipërinë dhe të nderonin Gjergj Kastriotin. Prandaj antimyslimanin shkoni e gjejeni diku tjetër.

Në fokus kam pasur e kam mendimin se identiteti ynë si komb buron nga Gjergj Kastrioti,  ai është e mbetet At-Themeluesi i kombit shqiptar. Dhe është krejt i natyrshëm arsyetimi se ata që nuk e pranojnë apo e dhunojnë figurën e Gjergj Kastriotit, flamurin e tij që është flamuri ynë kombëtar, nuk ka mundësi të jenë shqiptar. Sepse të jesh shqiptar do të thotë të kesh disa atribute dhe principe që përmbajnë krenari dhe detyrime. Nëse ndokush pretendon se at-komb formuesi i kombit të tij është Sulltan Murati që e ka tyrben në Prishtinë, dhe atë e ka hero kombëtar, me falni por ai ndokushi nuk ka se si të jete shqiptar, por turk, selçuk, arab, mongol apo diç tjetër. Prandaj flisni për thelbin e problemit sepse unë nuk ja mohoj fenë askujt dhe as që më intereson të diskutoj punë feje. Përkatësia fetare është një gjë personale dhe duhet të mbahet personale. Mburrja në publik për përkatësinë fetare dhe demonstrimi i tejskajshëm në një vend me pluralizëm fetar e kompromenton besimin. Gjithësesi nuk pranoj të hyj në asnjë debat të karakterit fetar por vetëm kombëtar.

Kombi është mbi politikën apo religjionet. Kushdo që ndjehet krenar për identitetin e tij si shqiptar është miku dhe vëllai im, kujtdo feje ti përkasë në besim, por feja të shkojë e të rrijë nëpër tempuj se atje e ka vendin.

Të gjithë ata që janë të fiksuar pas ideve fetare deri në marramendje e errësim të logjikës, i këshilloj të mos i lexojnë shkrimet e mia. Unë shkruaj për mendje të kthjellëta dhe për shqiptarë të vërtetë e jo patriotë me bateri që thonë jam shqiptar e mendjen e kanë Erdogan e Arabi. Gjithçka që shkruaj, e përsëris, e fokusoj në planin kombëtar. E në i doni mendimet e mia hapur e me sinqeritet, mua më vjen fort keq kur shoh që intelektualë shqiptar të besimit mysliman, njerëz shumë të mirë e të kulturuar, të heshtin para të tilla mynxyrave kur u kish dashtë që ata të flisnin të parët, pa na lënë atë barrë neve. Por nëse ata heshtin unë nuk mund te hesht. Pyetja ime nuk i është drejtuar gjithkujt por atyre myslimaneve që ishin në atë shesh me emrin “Skënderbej” në Tiranë me 1 shtator 2017 ku u përdhos figura e heroit tonë kombëtar duke e mbuluar, dhe kryekreje u drejtohet atyre që shajnë dhe e përbuzin Gjergj Kastriotin. Jam fort dyshues se mund të këtë shqiptarë të vërtetë që e dhunojnë imazhin e At-Themeluesit të Kombit te tyre.

Gjergj Kastrioti para se në një monument në sheshet që mbajnë emrin e tij në kryeqytetet arbërore, është në zemër të shqiptarëve dhe atje nuk mund ta prek kush në jetë të jetëve. Ai është i përjetshëm në zemrat tona e, siç na mbrojti nga hordhitë barbare osmane, ashtu dhe ne shqiptarët që kemi genin e tij, do ta mbrojmë deri në fund Atin e Kombit, Gjergj Kastrioti!

Ata që tallen me emrin e tij e vërtetojnë katërçipërisht se janë pjellë bastardë  ngecur si mish i huaj në trojet shqiptare. Nuk ka asnjë arsye tjetër kjo sfidë e tyre e inspiruar nga qarqe antishqiptare të cilat financojnë miliona euro-dollarë  për të prishur ekuilibrin social në trojet shqiptare. Projekti i fshehtë për të krijuar  shtetin neo-otoman në Ballkan nuk është përrallë dhe as një imagjinatë libreske, por një realitet për të cilin punojnë agjendat lindore. Keqardhje është se për të përballuar këtë rrezik, qarqe të caktuara në Europë nxisin krijimin e Jugosllavisë së re. Shqiptarët nuk duhet të bien viktimë e asnjërit krah, por të shohin zhvillimin e forcimin e shteteve të veta nëpërmjet një kordimini ndërshqiptar.

Ajo çfarë dua të theksoj është se dëmin më të madh drejtuesit e Komunitetit Fetar Mysliman të Shqipërisë, duke e mbuluar monumentin e Gjergj Kastriotit e duke bërë ceremoni masive fetare në sheshin që mban emrin e tij,  ja kanë bërë shqiptarëve të besimit mysliman. Duke i paraqitur besimtarët myslimanë me pa të drejtë si anti Skënderbe dhe duke i shfaqur në publik si një copëz e kulturës arabe, çfarë në të vërtetë nuk janë.

Nuk kanë pse mërziten nga pyetja ime ata që vënë kombin para fesë, sepse për ata nuk kam asnjë pyetje janë vëllezërit e mi të një gjaku dhe të një ideali kombëtar çfarëdo besimi ti përkasin.

Kam bindjen që Gjergj Kastrioti nuk është simbol fetar kristian, por prijës dhe hero kombëtar i shqiptarëve. Edhe sikur Papati të kërkonte ta bënte shenjtor të katolicizmit, unë i pari do të thosha publikisht jo. Ai është gur themeli i kombit tonë, atdheut tonë, ku duhet të jetojnë në harmoni të gjithë besimet, por si një shtet modern laik ku shteti dhe feja janë të ndara dhe gjithmonë me prioritet shqiptarinë.

Të jesh shqiptar nuk është vetëm një fjalë, është edhe një vepër, e bashkë me të një përkushtim e nderim për kombin të cilit i përkasim.

 

3 shtator 2017

Sevim Arbana: Protestoj jo vetëm për Fildesin! Profilet e 100 grave të vrara – Kemi ngritur zërin po nuk na ka dëgjuar kush!

Profilet e disa grave, nder me shume se 100 gra te vrara ne vite nga dora makabre e burrit, babait, vellait, te dashurit, etj,etj,

Kemi protestuar qe ne 2000, intensivisht.

Kemi ngritur zerin dhe kemi kerkuar qe dora gjakatare te ndalet

Kemi lobuar per te bere ligjin kunder dhunes

Kemi protestuar ‘dy kokrra’ vazhdimisht, deri dje

Kemi thene qe mekanizmi i referimit eshte i paplote dhe jo funksional

Kemi kerkuar shtetin dhe te huajt si aleate

Kemi kerkuar partneritete me policine dhe gjykatat

Kemi kerkuar qe fuqizimi ekonomik, strehimi i viktimave te dhunes, edukimi i tyre, mos jete slogan/parulle , po realitet.

Kemi filluar te protestojme qe ne 1998 e sot, jo vetem ne 16 Ditet Nderkombetare Kunder Dhunes ndaj Grave, po gjithmmone.

Kemi krijuar rrjete brenda e jashte.

S’kemi arritur te ndalojme kete dore gjakatare, pasi shteti, institucionet vendase dhe te huaja ,e kane patur gjetke mendjen, gjetke hallin, gjetke propaganden.

Ndaj sot, kemi cdo jave nje viktime.

Cdo histori eshte sa e ngjashme, aq e ndryshme.

E mjaftueshme per t’u bere roman, film, e gjithcka, per nje realitet , qe nuk eshte larg, vetem dy hapa nga zemra e Europes.

Do vij ne proteste per me shume se 100 gra te vrara , jo vetem per Firdesin. Ajo ishte Preludi i nje kembane qe kish kohe qe binte.

Erieta Avdyli, 33 vjeç.Tirane. Ne 13 maj 2000 nje qen zbulon rastesisht trupin e dekompozuar te Erietes prane fshatit Romanat.

. Fiqirete Qinami, 16 vjeç, Berxull. Vritet nga babai i saj ne 3 korrik 2003, me kater plumba, pasi u kthye naten vone ne shtepi. Ruzhdi Qinami ekzekuton vajzën e tij, pasi ishte larguar një natë nga shtëpia.

Groshe Martincanaj, 21 vjeç. Me 2 shkurt te vitit 2004 u qellua per vdekje nga i ati, pasi ishte larguar dy dite nga shtepia. Babai i saj, Gjini, malësor nga Lekbibaj, i cili prej dy muajsh banonte me familjen e tij në periferi të Tiranës, nuk mundi të kapërdinte “turpin” e vajzës së tij.
. Irena Seli, 39 vjeç, zhduket ne Portin e Durresit me 16 dhjetor 2004. Irena dyshohet te jete rrembyer dhe vrare.

Esmeralda Laho, 19 vjeç, Tirane. Mbeti e vdekur ne vend me 29 tetor te 2006 ne Tirane. Ajo u qellua me pistolete ne zemer nga i dashuri i saj, Fatjon Mertiri, i cili u arrestua. Viktima 19 vjeçare mendohet te jete vrare pasi nuk ka pranuar te trafikohej si prostitute ne Itali.

.Aishe Vata, 18 vjeç. Vritet dhe me pas i pritet koka me 11 tetor 2012 ne Xhafzotaj te Durresit nga Shaban Norja 80 vjeç.

Manushaqe Çeliku, 34-vjeç. Vritet ne Orikum te Vlores me 9 dhjetor 2012. Manushaqja eshte masakruar me sqepar nga bashkeshorti i saj, Shkelqim Celiku,

Eriselda Elmazi, 25 vjeç. Korçe. Eshte rrahur dhe prere me mjete te mprehta nga bashkeshorti i saj Romeo Babani, 28 vjeç, i cili me pas e ka hedhur ne koshin e plehrave me 16 shtator 2012.

Aurora Trashani 32 vjeç. Aurora u gjet e vdekur ne daten 2 shkurt 2011. 32-vjeçarja Aurora Trashani eshte qelluar me 60 thika dhe autori i vrasjes ka tentuar te digjte trupin,

Rolanda Doku 36 vjeç. Rolanda kishte denoncuar dhunën sistematike të të shoqit madje ajo kishte marrë edhe urdhër mbrojtjeje ndërsa kishte nisur procedurat e divorcit. Kushtet ekonomike kishin bërë që pavarësisht këtyre problemeve Edmondi dhe Rolanda të jetonin në të njëjtën banesë. Rolanda u vra nga bashkeshorti Edmond Doku, 45 vjeç, me 7 tetor 2012 ne Tirane, nderkohe qe per te ishte leshuar urdher mbrojtjeje nga Gjykata.

. Hyrije Bruka, 34-vjeç. Historia e çiftit Bruka nga Kukesi, me banim ne Kamez, ka nisur dy vite me pare, kur pas konflikteve mes çiftit, 34-vjeçarja, eshte vetedorezuar ne polici, pas tentatives per te goditur me sepate bashkeshortin e saj, Qazim Bruka. Nje vit me pas, ne shkurt te vitit 2012, 56-vjeçari e ka masakruar me thike bashkeshorten e tij, Hyrijen, duke i nxjerre asaj syrin e djathte, teksa shoqeronte femijet e saj nga ambientet e strehezes ku qendronte per ne shkolle. Bashkeshorti i saj denohet me 2 vjet burg dhe lirohet nga burgu me amnistine e ofruar me rastin e 100 vjetorit.

Më 2 shkurt u vra Eleni Basho laborante, ajo u qëllua me tre plumba. Viktima u qëllua rreth 30 metra larg banesës së saj. Ajo humbi jetën rrugës për në spital. Eleni Basho ishte nënë e dy fëmijëve. Vrasja e saj mbetet ende mister.Po atë datë në Tiranë te “Komuna e Parisit” u vra Megi Jokiçi, policia pohoi se Megi u vra aksidentalisht, ajo ishte duke parkuar makinën e saj, në kohën ku persona të paidentifikuar hapën zjarr nga një makinë, në drejtim të Aleksandër Goçajt dhe Genti Marës.

Më 3 mars nga fshati Luzh të Tropojës vritet Naime Abazi, ajo u vra nga bashkëshorti i saj Xhemal Abazi. Sipas Policisë Xhemal Abazi e ka vrarë bashkëshorten e tij me armë zjarri për motive të dobëta.

Më 27 mars vritet Leonora Kaloçi, arkëtare në “NGB” Bank, ajo u vra nga Viktor Gushi, gjatë një tentative të këtij të fundit për të grabitur filialin e një banke në Tiranë. Leonora ishte nënë e dy fëmijëve.

Më 19 prill vritet Lahe Sina, 52 vjeçe, ajo u vra nga bashkëshorti i saj, ngjarja ka ndodhur në fshatin Çermë, të Lushnjës. Shazivar Sina 60 vjeç, ka qëlluar me çifte gruan e tij 50 vjeç. Shkak për këtë vrasje dyshohet se janë borxhet e shumta që kishin bashkëshortët.

Më 11 maj vritet në Toshkëz të Lushnjës Rajmonda Sota, 23-vjeçarja u qëllua me armë nga shtetasi Erjon Çjapi. Sipas policisë vrasja ka ndodhur për motive të dobëta.

Më 14 qershor në Kir të Shkodrës u vrau Marie Çuku, 17 vjeçe. Arsyeja për gjakmarrje.

Më 4 korrik në Lapardha të Beratit u vra Alma Gjata, 35 vjeçarja u godit me sende të forta nga bashkëshorti i saj Sokol Gjata 40 vjeç. Sipas policisë dyshohet se Sokol Gjata e ka vrarë bashkëshorten e tij për motive xhelozie. Po më korrik në Mat, gjendet kufoma një 20 vjeçareje të masakruar

Më 14 korrik në Shëngjin, vëllai masakron familjen e motrës dhe më pas vetëvritet. Sandër Prendi ka qëlluar Dane Prendi 45 vjeçe.

Më 28 korrik në fshatin Brenog të rrethit të Has Gëzim Muslika vrau gruan Pranvera, 30 vjeçe. Ai e ka qëlluar bashkëshorten e tij me pistoletë. Pranvera ishte nënë e 3 fëmijëve. Sipas policisë Gëzimi e ka kryer këtë krim në kushte të rënda depresioni.

Më 2 gusht në Tiranë Arben Koxhaj vrau gruan Manjola Koxhaj ai e ka goditur bashkëshorten e tij me thikë në trup. 32 vjeçarja ishte nënë e 2 djemve. Sipas të afërmve, Arbeni dhe Manjola kishin zënka të shpeshta midis tyre.

Më 2 gusht në Dukagjin të Shkodrës, Mirash Bregu vrau vajzën 14 vjeçe Marjanën dhe më pas vrau veten.

Më 7 gusht në Tiranë, vritet Fatbardha Tafa. 37 vjeçaria u sulmua me thikë nga Aldo Hoxha.

Më 4 shtator në Kukës, gjendet kufoma e një femre në liqenin e Fierzës. Policia tha se kishte gjetur trupin e Thëllënxa Rexhmatit.

Më 12 shator në Pogradec u vra Fatjona Sula, nënë e dy fëmijëve, ajo u masakrua me gurë në kokë nga Çelnik Maliqi, 27 vjeç.

Më 24 shtator në Lezhë, vritet Miranda Shtjefni, po atë ditë u vra edhe bashkëshorti dhe fëmija i tyre. Autori i vrasjes është Kastriot Zhupa, 38 vjeç, fqinjë me viktimat.

Më 26 shtator në Mallakastër vritet Azbie Myftari 52 vjeç. Ende nuk dihet kush janë autorët. Pasi po në atë ditë u vra edhe bashkëshorti i saj.

Më 30 shtator vritet Eliverta Çoçka, për motive xhelozie nga ish dashuri i saj, 52-vjeçarin Viktor Rozani.

Më 6 tetor në Tiranë vritet Rolanda Doku. 36 vjeçaria është vrarë nga bashkëshorti Edmond Doku 44 vjeçar. Arsyeja: dyshohet për shkak të urdhërit që kishte lëshuar gjykata që ky i fundit mos ti afrohej Rolandës.

Më 12 tetor një vrasje do trondiste Durrësin , ku Shaban Norja, 80 vjeç vrau Aishe Vatën, 18 vjeçe. Pasi Aishe Vata, nuk pranoi të abortonte fëmijën që kishte me Shaban Norjan. Aishia dhe Shabani kishin një lidhje prej 4 vitesh.

Më 19 tetor në Durrës, vritet Lime Dedej, ajo u vra nga bashkëshorti i saj 48 vjeçari Bujar Dedej. Ky i fundit e ka goditur gruan e tij me çekiç në kokë pas një zënke

Më 12 nëntor në Elbasan, vritet Vergjinushe Hasani, 43 vjeçarja u vra nga bashkëshorti i saj Agron Hasa për motive xhelozie

Më 10 dhjetor në Vlorë, vritet Mushaqe Çeliku, 33 vjeçaria ishte shtatzënë dhe priste fëmijën e tretë. Ajo u vra më sqepar nga Shpëtim Çeliku bashkëshorti i saj.

Me 13 dhjetor, Masakrohet me thika nëna e 2 fëmijëve, vëllai ish-i dënuar për prostitucion. Viktima Asinja Krytha , 49 vje

-Giulia Poltofieri. 24 vjec ajo u vra ne bresherine e kallashnikovit mga vjerri i saj Engjo Lucaj me 30 janar te ketij viti ne Elbasan.

-Dy jave me vone ne diten e te dashuruarve nje zjarrfikes nga Erseka,rremebeu automatikun edhe I mori jeten te dashures se ti 32 vjecare Nertila Petriti.

-Dy dite me vone ne qytetin e Kucoves, Vasilika Muco 66 vjec ka vdekur nga arma e dhendrit te saj ,pasi ky I fundit nuk pranonte divorcin e vajzes, se te ndieres.

-Valentina Bregu,19 vjec humbi jeten me 30 mars te ketij viti,ne fakt ishe e divorcuar. Ajo u be pre e gjakenxehtesise se te jatit Nikolles qe nuk i kurseu plumbat mbi trupin e te bijes.

– Sonila Tafa 26 vjec vdiq me 7 prrill, nga plumb qe mori ne klabin qe punonte si balerine. Autori as qe nuk i njihet.

-Po ate dite ne Durres Mereme Pashai 70 vjec eshte rrahur per vdekje me dru ne koke nga i biri Lefteri 40 vjec,i cili pak kohe me pare kishte humbur te shoqen.

– Me 26 prill me Lekbibaj te Tropojes, Gjyste Peplekaj 18 vjec eshte qelluar per vdekje nga kushuriri I saj,efektiv i policies rrugore.Sipas zbardhjes se ngjarjes ajo i doli perpara plimbit qe ishte nisur per te jatin.

-Vlore nje muaj me vone,nje tjeter burre i mori jeten gruas,jo me plumbe po i cau koken duke e goditur pa pushime me gure. 45 vjecarja Lumturie Selimaj nena e dy femijeve.

-Nje jave pas Lumturijes,me 3 korrik,ne lagjen Kombinat te Tiranes Mimoza Nikolli 48 vjece u vra me arme zjarri,nga bashkejetuesi i saj,64 vjecar guardian burgjesh.

-Dhjete dite me pas me 13 korrik ,e Rrugen ‘Tefta Tashko’ 46 vjecarja Valbona Carçani, u ther me thike nga ish-bashkeshorti i saj Genci. Xhelozi,deklaroi policia

-Te nesermen me 15 korrik ne Fushe-Mamurras, Valbona Ndreu 27 vjec,dha shpirt nga dhuna dhe goditjet e forta,nga bashkeshurti i saj Marjan Lleshi 44 vjec,motive xhelozie.

-Po are dite pak ore me vone. Ne Tirane nga zhelozia e semure e te shoqit,punonjes i ushtrise, ku I zvrazi kallashnikovin mbi trupin e bashkeshortes se tij, Alketa Canit 27 vjece.

-Te dielen e dates 21 korrik nje tjeter burre xheloz do t’i ngulte thikene ne zemer te shoqes se tij Anxhela Haga, ende nje femije 17 vjec.

-Diana Ademi – 53 vjeçe mbeti aksidentalisht e vrarë në Vlorë, në gusht. Jetonte në Gjermani, po kalonte pushimet në Vlorë

-Liljana Menga – Vritet më 14 shtator nga bashkëshorti, Gjin Menga, për motive xhelozie. Lanë jetim katër fëmijë

-Majlinda Hoxha – 29 vjeçe, vritet në shtator aksidentalisht nga Ndriçim Balla. Objekti i atentati ishte Elton Fusha, i cili u plagos-Shpresa Telahi – 55 vjeçe, u gjet e vrarë në banesën e saj më 24 tetor. Nuk ka as motiv dhe as autor. Vrasja është e mbuluar me mister

-Radivije Brahja – Vritet nga bashkëshorti, Fehim Brahja. Mësuesja u mbyt më këllëfin e jastëkut më 4 nëntor

-Dallëndyshe Jazxhi – 50 vjeçe, vritet më 5 gusht me armë zjarri nga Edmir Jazxhi. Motivi i vrasjes, për xhelozi

-Zenjebije Mustafaraj – Vritet më 15 tetor nga Nexhmi Mustafaraj, këngëtari i grupit polifonik “Kurora Labe”. Autori më pas vrau veten

-Mbaresa Torba – 18 vjeçe, vritet më 21 tetor nga i fejuari, Arbër Dedja, pas një konflikti të çastit.

-Mrike Prenga – Nëna e 8 fëmijëve vritet në korrik nga bashkëjetuesi i saj, gardian në burgun e spitalit, Ali Veterniku, i cili më pas vrau veten. Vrasja është kryer në kushtet e depresionit

-Valbona Lleshi – Vritet në korrik nga bashkëshorti Marjan Lleshi. Motivi për xhelozi-

Edi Rama: “Akademia” zgjodhi farsën, uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës!

VOAL – Pas “zgjedhjeve” në institucionin në fjalë, zhvilluar sot paradite, ky është reagimi i kryeministrit Edi Rama në faqen e tij në facebook: Meqë “Akademia” zgjodhi farsën uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor.

Kryeministri e vë në thonjëza emrin e institucionit “Akademia”.

Në prag të “zgjedhjeve” sot në mëngjes Rama kishte bërë këtë status paralajmërues.

Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj #StopFarsës

Në mbrojtje të Skënderbeut, gjithmonë gati! – Nga MENTOR NAZARKO

Këto ditë u bë një provë e përgjithshme e mobilizimit kombëtar në rrjet në rast të sulmit ndaj një figure identitare themelore, si ajo e Skënderbeut. Në këto terma u shpreh dikush nga lexuesit e mobilizuar: më mirë që e bënë këtë që bënë (duke iu referuar të ashtuquajturit mbulim të monumentit), se kështu kuptuam qëllimet e tyre dhe sesi do të veprojmë në rast rreziku real.

Rrjeti shpërfaqi një ndjenjë të jashtëzakonshme përkatësie kombëtare: tema ishte e thjeshtë, pa komplikime, heroi për t’u mbrojtur, më i madhi i kombit, rreziku imagjinar, ai më i madhi i kohës së sotme-ekstremizmi fetar.

Kjo ndjenjë, në fakt ka kohë që shpërfaqet në rrjet dhe jashtë tij: shqiptarët duan të lexojnë për historinë, po ndihen krenarë për origjinën e tyre, në diasporë, në kampionate europiane futbolli, por dhe në ushtrinë greke.

Në një klimë të krijuar si kjo, ishte e vështirë të bëje thirrje për qetësi, ndonëse ishte dita e festës më e rëndësishme e komunitetit mysliman, në fakt, festë e gjithë shqiptarëve nëse u besojmë atyre rrëfimeve të shkëlqyera të bashkëjetesës fetare, kur shqiptarët e të gjitha feve festojnë bashkë.

Dje nuk ishte koha as të merreshe me faktet, apo të prisje shpjegimet e palëve të interesuara. Fotografët heshtën dhe fare vonë hodhën në qarkullim kënde të tjera të vendosjes së ekraneve, në raport me monumentin dhe distancën mes tyre. Nëse do flisje për qetësi, do të prisnin në llogore aktivistët kombëtarë, heronjtë e rrejshëm dhe të vërtetë.

Zbritja në skenë e Artan Lames i vuri kapakun e besueshmërisë sulmit ndaj Skënderbeut: Artani e njeh mirë historinë dhe sot është në qeveri. Po kush ishte përballë? Le te flasim sot, kur ndonëse moti po përkeqësohet, armët janë varur në mur dhe mund të arsyetohet më thjesht.

Për fat të mirë, përballë, kundër Skënderbeut nuk ishte askush, ose ishin fare pak zëra të zbërdhulët, të mjerë, të paguar të ekstremizmit të paguar fetar. Pse them, të paguar, ose të mjerë, të paditur? Frontit të ekstremizmit i janë larguar qoftë nga reagimi i fortë i autoriteteve, qoftë nga ndërprerja e financimeve, zëra të kualifikuar, si për shembull imami i Prishtinës.

Ndonjë portal, i financuar nga s’di kush për t’i bërë ballë rrezikut të islamofobisë, nuk kishte shumë zë dhe as ndikim. Por ka edhe më për t’u thënë. Me gjasë, asnjëra prej palëve të interesuara, të përfshira në ceremoni, nuk ka patur interes ta mbulonte Skënderbeun.

Organizatori i aktivitetit ishte Komuniteti Mysliman shqiptar, i cili gjendet nën një drejtim në përputhje me Islamin tradicional, duke mbyllur xhami ilegale, duke lëshuar mesazhe pajtuese me fetë e tjera, duke përdorur shpesh fjalën “kombëtare” në ligjërimin e vet publik, duke marrë pjesë në marshime, si ai i Parisit pas atentateve atje, marshim ndërfetar që bëri xhiron e botës, etj, etj.

Myftiu i Tiranës është njëri prej zërave më të fuqishëm të këtij shndërrimi cilësor të këtij Komuniteti. Nuk shihet, nuk dihet asnjë arsye pse ai ta bënte një gjë të tillë, ndërsa dje, në media, tha se figura e Skënderbeut, monumenti në vetvete nuk ndërlidhet, nuk interferon me faljen e namazit. Nga dikush prej frontit të mbrojtësve, vihej gishti te Turqia zyrtare. Ndihet në shumë elementë se Turqia, në njëfarë mënyre, është shndërruar në një lloj patroni të komuniteteve myslimane në rajon, duke propaganduar njëlloj islami të rreptë, si ai që duket se po propagandohet në vetë Turqinë e Ataturkut.

Por, nuk dihet, nuk ka, nuk njihet kurrfarë kërkese e këtyre autoriteteve në lidhje me Skënderbeun; ky lloj patronati i Turqisë nuk shihet, nuk ndihet, si ta zëmë patronati i Greqisë ndaj Komunitetit ortodoks, dhe padurimi ndaj Skënderbeut nuk është shpërfaqur as politikisht. Për shembull, Presidenti historik Demirel, tashmë i ndjerë, e mori me nderim “Urdhrin e Skënderbeut”, akorduar nga homologu i tij, Meidani në 2001.

Probabiliteti më i lartë, nëse do të kishte ndonjë mbulim të qëllimshëm, do të lidhej me ndonjë sponsor të komunitetit, i gjendur në ditën e festës në Shqipëri, në kërkim të rreshtit të parë, të publicitetit maksimal, në një sebep si ky. Por nuk dihet, nuk njihet kurrfarë rasti i ngjashëm që të mendosh se kishte diç- ka të qëllimshme në atë mbulim të pjesshëm, në distancë të monumentit, për më shumë në një kënd të caktuar. Ka dhe një moment tjetër, që jo drejtpërdrejt tregon se në atë që ndodhi, nuk kishte kurrfarë ndërhyrjeje nga jashtë. Heshtje totale nga mediat e rajonit, ato serbe, greke dhe turke.

Kësisoj, gjithë zhurma, stuhia në rrjet, apo stuhia, mbeti e shprehur thjesht si gatishmëri për të mbrojtur Skënderbeun, në rast të një sulmi real ndaj tij, për të mbrojtur vlerat kombëtare në përgjithësi, si një ndjenjë e shkëlqyer uniteti në mbrojtje të këtyre vlerave. U teprua nga zëra të veçantë me fyerje, por kjo është diçka normale në kushtet e demokracisë pa kontroll të rrjetit. Ndjenja kombëtare mes shqiptarëve mbetet e fortë.

Inaugurimi i Kuvendit në 27 vjet: Hapja, drejtuesit dhe disa veçori – Nga Afrim Krasniqi

Më 9 shtator do të hapet legjislatura e re parlamentare. Për herë të parë prej vitit 1997 kemi një parti politike, e cila i ka fituar zgjedhjet e vetme. Më 1997 ishte PS fituese e vetme, por ajo preferoi qeverisjen me aletë, madje iu dha atyre edhe kryetarin e Kuvendit dhe Ministrin e Jashtëm.

Njëzet vjet më vonë partitë dhe gjendja ka ndryshuar, – nuk ka më aleatë potencialë dhe se PS preferon qeverisjen e vetme me 74 mandate. Për pasojë, kryetari i Kuvendit do të jetë i saj, – i katërti në 27 vjet, pas Islamit, Dokles dhe Pëllumbit.

Sipas Rregullores së Kuvendit mbledhja e parë e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë.

Referuar të dhënave statistikore të deputetëve aktualë, deputeti më i vjetër është Sali Berisha (73), ndjekur nga Tritan Shehu (68) dhe Gramoz Ruci (66). Sipas rregullores, në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë. Kështu ndodhi më 2013, kur vendin e Berishës e pasoi Namik Dokle, në atë kohë 67 vjeç.

Në vite seancat janë hapur nga deputetët më të moshuar, përkatësisht Carcani, Arbnori, Godo, Agolli, Pellumbi, Xhuveli, Beja e Dokle. Kuvendi do të ketë edhe sekretarinë e tij, kryesisht të përbërë nga tre deputetët më të rinj (aktualisht janë Lala, Kërpaci, Mehmetaj), por që mund me rregullin e përfaqësimit politik mund të përfshihet në vend të dy emrave edhe Ulqinaku (PD) apo Xhindi (PS).

Drejtimi i mbledhjes e sekretaria nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë, përveç anës ceremoniale dhe memories parlamentare, kurse drejtimi i Kuvendit merr vlerë kryesore.

Sipas të dhënave të Instituti të Studimeve Politike, kryetarë në vite kanë qenë Islami, Arbnori, Gjinushi, Dokle, Pellumbi, Topalli dhe Meta. Islami, Arbnori e Dokle kanë pasur mandate gjysmake (1991 dhe 1997 për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, kurse më 2002 për shkak të dorëheqjes), kurse të tjerët kanë drejtuar me mandat të plotë.

Këtë herë pritet të jetë drejtues Gramoz Ruçi, deputeti aktual më me shumë mandate se bashku me zotin Berisha, – ish ministër i brendshëm më 1991, në të njëjtin kabinet me dy politikanët e tjerë Islami e Xhuveli, të cilët ishin më vonë ministra apo deputetë majtas dhe djathtas. Ndër deputetët aktualë zoti Ruçi ka pasur postin më të lartë në regjimin komunist, (përpara 1990) duke qenë kandidat i Komitetit Qendror të PPSH dhe Sekretar i Parë për Tepelenën.

Interesant është fakti se nga nëntë legjislatura, shumica e tyre (5) janë bojkotuar në seancat e hapjes, (3 herë PD dhe 2 herë PS). Kjo do të thotë se në pesë raste deputetët nuk kanë bërë betimin së bashku, por të ndarë sipas dy blloqeve politike. Po ashtu, në tre raste ka pasur votim me garë për kryetar parlamenti (1992, 1997, 2005), kurse në rastet e tjera ka pasur votim formal me një kandidat. Vetëm më 1991 ka ndodhur që pas votimit për emrin e parë nuk u vijua me votim për emër tjetër pasues (Agolli) dhe se është i vetmi rast kur votimi për kryetarin ishte i hapur.

Viti 1991 ishte ndofta i vetmi ku lejohej dhe u zhvillua debat për emrin e kryetarit, kurse me Rregulloren e re të Kuvendit, zgjedhja e tij bëhet pa debat.

Mbledhja e parlamentit me 9 shtator përputhet 100% me përcaktimin kushtetues të mandatit të parlamentit të vjetër (4 vjet, në të njëjtën ditë). Pas 1997 më 2017 është hera e dytë që parlamenti mblidhet në një ditë pushimi (dita e shtunë), kurse në pesë raste të tjera është mbledhur ditën e hënë, pra në fillim të javës.

Si rregull, për shkak se më 2017 do të kemi parlament të ri me një President të ri, mund të kemi në seancën vijuese edhe një mesazh zyrtar të Presidentit drejtuar parlamentit. Është aplikuar në disa raste, por jo nga dy presidentët e fundit.

E drejta e mesazhit është e drejtë kushtetues e Presidentit, kurse axhenda parlamentare deri në zgjedhjen e strukturave të parlamentit vijon të jetë jopolitike. Tradicionalisht, parlamentet e reja në shtator nxitojnë të votojnë kryeministrin, programin dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar përpara javës së tretë të shtatorit, kur kryeministri zakonisht udhëton për në mbledhjet e Asamblesë e Kombeve të Bashkuara (OKB), duke pasur kështu një legjitimitet të qartë për bisedime të ndryshme politike të nivelit të lartë.

Pushkatimet në Lurë i deshën Popoviçi, Mugosha, Stojniçi – Nga TANUSH KASO

Të  nderuar  miq !

Kemi ardhur sot këtu, për të përmbushur një detyrim moral, me vendosjen e një përmendoreje, kushtuar dëshmorëve të lirisë, të Lurës historike dhe legjendare.
Lura, e njohur më së shumti për të veçantën e liqejve malorë dhe për bukurinë natyrore,  ka shkruar edhe faqe të lavdishme në Historinë e Shqipërisë.
Kur përmendim Lurën, na dalin përpara syve figura të tilla të ndritura, si Dom Nikoll Kaçorri, nënkryetari i Qeverisë  së parë shqiptare të Ismail Qemalit; Ibrahim Gjoçi, luftëtar i paepur për Pavarësinë e Shqipërisë; bajraktari Tahir Mena, i vrarë në njërën  nga luftërat kundër turqve osmanllinj; Hakik Mena me të vëllanë, Selmanin, të rënë heroikisht në luftën kundër serbëve e malazezëve, dhe shumë bij të tjerë të kësaj treve, që dhanë jetën për atdhe.
Ka hyrë në Historinë e Lurës e të Shqipërisë edhe Gjok Doçi, “Hero i Popullit”, i cili u vra duke luftuar trimërisht kundër pushtuesve nazi-fashistë. Por, po të jetonte, nuk dihet si do të përfundonte edhe ai; sepse Enver Hoxha nuk kurseu as shokët e tij më të ngushtë të luftës, si Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon e të tjerë, të cilët i shpalli “armiq të popullit dhe të Partisë”, “agjentë e poliagjentë”, dhe i dërgoi përpara skuadrave të pushkatimit.
Lura është edhe vendi ku në çastet më të vështira të historisë janë mbledhur kuvendet e burrave më të shquar të kombit tonë, kanë lidhur besën dhe kanë marrë vendime të rëndësishme për fatet e atdheut. Në Lurën njëqintpërqint shqiptare, ata kanë gjetur mikpritjen dhe sigurinë e duhur, për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. Shtëpitë e familjeve të mëdha lurjane, kanë shërbyer si salla kuvendesh dhe si vendstrehime për delegatët e mbledhur nga e gjithë Shqipëria.
Këtej ka kaluar Abdyl Frashëri me shokë, për të shkuar tek Lidhja e Prizrenit, ku morën pjesë edhe lurjanët Kol Bib Doçi, Hasan Kaca, Halil Mena dhe Ali Mena.
Po këtu do të vinte më pas edhe i biri i Abdylit, Mid’hat Frashëri, për të kryesuar Kuvendin e Lurës, që u mblodh në fundin e muajit gusht të vitit 1943, mbas dështimit të Konferencës së Mukjes. Për krijimin e kushteve të përshtatshme për qëndrimin e delegatëve dhe për zhvillimin e punimeve të Kuvendit, u kujdesën të gjithë banorët mikpritës të Lurës dhe veçanërisht familja Mena, Ibrahim Gjoçi dhe Llesh Doçi. Në atë Kuvend morën pjesë rreth gjashtëdhjetë përfaqësues të forcave nacionaliste prej krahinave të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht nga Veriu. Ishin të pranishëm  edhe dy këshilltarë anglezë.  U bisedua për mundësinë e shmangies së luftës civile, për të cilën po përgatiteshin komunistët, sipas udhëzimeve të këshilltarëve jugosllavë që nuk e donin bashkimin e shqiptarëve dhe të Shqipërinë etnike, me Kosovë e Çamëri. Ishte kjo arsyeja që Miladin Popoviçi e grisi dokumentin e Marrëveshjes së Mukjes dhe ia hodhi në fytyrë Enver Hoxhës, duke urdhëruar luftë pa kompromis kundër nacionalistëve, më shumë sesa kundër gjermanëve. Dhe ashtu u bë. Filloi lufta shqiptaro-shqiptare, me një tërbim të paparë drejt Veriut, i cili ishte bastioni i fundit i qëndresës antikomuniste. Pati qindra të vrarë nga të dyja palët, në luftimet për jetë a vdekje që u zhvilluan në Krujë, Mat, Dibër, Lumë dhe në Lurë, ku Mehmet Shehu vendosi  shtabin e vet, për t’u përgatitur për sulmin e fundit mbi Mirditën e pamposhtur.
Shumë nga burrat e Lurës u grupan në çeta të vogla të armatosura dhe filluan qëndresën antikomuniste, përballë një ushtrie të madhe e të mirëarmatosur, të komanduar nga M. Shehu dhe nga vrasësit e tjerë komunistë.
Në pamundësi për t’i kapur dhe asgjësuar të arratisurit politikë, u arrestuan dhe u torturuan familjarët e tyre; iu dogjën shtëpitë, iu rrëmbyen bagëtitë dhe çdo pasuri tjetër. U krijua një atmosferë mbytëse për fshatarët e ndershëm e atdhedashës të Lurës, krejtësisht të pafajshëm. U internuan mjaft prej tyre në kampet e vdekjes, në Tepelenë, Porto Romano dhe nëpër llucat e Myzeqesë. U trondit dhe u shkretua Lura e bukur dhe paqësore. Filluan gjyqet  e montuara të inkuizicionit të kuq, ku u dënuan me burg të rëndë mjaft persona dhe të tjerë u pushkatuan.
Po të llogariten edhe vrasjet në përpjekjet e armatosura midis Forcave të Ndjekjes dhe luftëtarëve të lirisë, numri i të pushkatuarve me gjyq e pa gjyq, arrin një shifër relativisht të madhe, në krahasim me numrin e banorëve të këtij fshati.
Ajo që bie në sy në listat  e të pushkatuarve dhe të burgosurve për motive politike, të Lurës, është dënimi njëherësh i dy ose më shumë pjesëtarëve të të njejtës familje, gjë që synonte shpërbërjen dhe asgjësimin e disa familjeve fisnike, që ishin shquar në luftërat serbo-malazeze. Kjo bëhej sipas një studimi paraprak  të “këshilltarëve jugosllavë”, Dushan Mugosha, Miladin Popoviç, Velimir Stoiniç, etj.. Kësisoj mbetën shumë fëmijë jetimë dhe grave iu duhej të përballonin vështirësitë e jetesës, të rënduar më së shumti edhe nga presionet psikologjike që ushtronin mbi to pushtetarët komunistë dhe operativët e Sigurimit.
Kështu, p.sh., ndër të pushkatuarit janë: vëllezërit Isa dhe Ali Mena, bijtë e Hakikut; Mark dhe Preng Rajta, bijtë e Gjergjit; Sulejman dhe Bajram Buci, bijtë e Hajredinit; Misim dhe Sulejman Vladi, bijtë e Dullës; Habib dhe Qazim Xhogjegja, bijtë e Ahmetit.
Por, më tronditëse dhe e pashembullt në Shqipëri e në vendet ish-komuniste të Evropës, është vrasja e Selman Menës dhe e gjashtë djemve të tij: Tahirit, Hasanit, Bajramit, Islamit, Qazimit dhe Monit. Është folur e shkruar fare pak ose aspak për krime të tilla të komunizmit të kryera në Shqipëri. Evropa i ka dënuar ato, përpara më shumë se 25 vjetëve, për të gjitha vendet ish-komuniste. Janë edhe dy Rezoluta Evropiane për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, paraqitur shtetit shqiptar për miratim dhe për vënien në zbatim. Të parën, të vitit 1996, Kuvendi ynë e anashkaloi dhe nuk e votoi. Të dytën, të dërguar dhjetë vjet më vonë, në vitin 2006, Kuvendi e miratoi, por qeveritë nuk e zbatuan. Qeveritarët e atyre viteve dhe të tjerët që erdhën më pas, as e kanë çarë kokën fare për këto kërkesa (formale) të Evropës. Po edhe Evropa nuk u ka kërkuar shumë llogari për këtë qëndrim; edhe pse mund të merret si një fyerje për të, mospërfillja e “Rezolutave” të saj dhe hedhja në koshin e plehrave. Përfaqësuesit e Evropës nuk kanë dëgjuar as zërin  e shoqatave tona, kur në emër të atyre që përfaqësojmë kemi kërkuar drejtësi. Heshtja dhe harresa u intereson vrasësve komunistë dhe bijve e bijave të tyre, që jetojnë të qetë e të lumtur në këtë farë demokracie, të ndërtuar mbi gjakun dhe vuajtjet e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë të regjimit diktatorial.  Asnjë forcë politike e derisotme nuk e ka marrë seriozisht dënimin e krimeve të komunizmit, si edhe rehablitimin e integrimin real të shtresës sonë. Qindra të pushkatuar për motive politike mbeten ende pa varre. Mijëra djem e vajza, nipër e mbesa të tyre dhe të ish-të burgosurve politikë apo të internuarve, edhe pse tanimë të shkolluar e të pajisur me mastera, mbeten të papunë e të përjashtuar nga veprimtaritë politike, sociale dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare. Në njëfarë mënyre vazhdon lufta e heshtur e klasave. Ligji numër 9831, datë 12.11.2007,  “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë nga regjimi komunist”, ndonëse me një përllogaritje qesharake në krahasim me jetët e humbura, edhe tani mbas dhjetë vjetësh vazhdon të zvarritet . Zyrat qeveritare, të çdo force politike, janë të huaja e të mbyllura për këtë shtresë, së cilës nuk i njihet asnjë nga përparësitë që përcakton Neni 12 i Ligjit 7748, datë 29.07.1993 “Mbi Statusin e ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë nga Regjimi Komunist”.
Shtatë vjet më parë, shoqatat tona iu drejtuan qeverisë së asaj kohe, përkatësisht Ministrisë së Kulturës, që e kishte për detyrë, së cilës i paraqitëm kërkesën për ngritjen e një përmendoreje në Lurë, në kujtim të të rënëve nga diktatura komuniste; si edhe për vendosjen e një pllake përkujtimore tek Burgu i Vjetër në Tiranë. Fillimisht e gojarisht ato kërkesa u pranuan nga ish-ministri Ferdinand Xhaferi e pastaj nga ministri tjetër, Aldo Bumçi. Pastaj filloi zvarritja e çështjes, dhe justifikimi se “nuk kemi fonde”(!), deri sa u lanë në harresë e nuk u realizuan.
Pyetja e thjeshtë që del me këtë  rast është kjo: vallë, me të vërtetë shteti që është shtet, nuk paska aq fonde sapër një pllakë pëkujtimore dhe për një memorial të thjeshtë?! Apo është vetëm mungesa e vullnetit politik të atyre partive, të veshura me petkun demokratik?
Sidoqoftë, është në nderin e Lurës  dhe të birit të saj të denjë, zotit Dod Llesh Doçi, që kjo përmendore kaq shumë e pritur, tanimë është bërë një relitet i prekshëm, edhe pa ndihmën e ndonjë qeverie apo partie politike.
Këta burra dhe djem trima e fisnikë të Lurës, që nuk u pajtuan me regjimin diktatorial komunist dhe që u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar e të përparuar, si gjithë Evropa dhe bota e qytetëruar, e meritojnë të nderohen e të përkujtohen nga të gjithë ne si edhe nga brezat që do të vijnë.  Ju faleminderit!

 

*Fjala e mbajtur në Lurë më 27 gusht 2017, nga Z. Tanush Kaso, Kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Shqipërisë, me rastin e vendosjes së përmendores kushtuar të pushkatuarve dhe të burgosurve politikë nga diktatura komuniste.


Send this to a friend