VOAL

VOAL

“Nëse do të shpëtosh Tahirin, mos e prek Llallën”, Meta “telefonon” Ramën (E PLOTE)

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot mesazheve të improvizuara të Berishës, Bashës, Metës, Kryemadhit dhe Tahirit gjatë emisionit “Zonë e Lirë”.

Rama është treguar ironik me Bashën dhe Berishën, ndërkohë që Metës i ka kujtuar shprehjen “me qetësi dhe dashuri”.

 

Sali Berisha jam: O Edvin Habilaj, o kumbar, shite Saje Qorrin dhe mbylle këtë histori me kaq se ndryshe nuk mbyll dot mandatin…

Eh mor plak, unë dhe ti kemi një problem, flemë pak. Ta mirëkuptoj hallin, e di që nuk do flesh, por bëj si të bësh. Shëndet.

Lul Basha jam: të thashë që trëndafilin e ke zëvendësuar me hashashin. Pas skandalit që të ka plasur…

Eh mor Lul, thashë se u bëre burrë, por prapë lule më lule mbete.

Luli jam prapë: e pe sa butë u sollëm në Kuvend për Sajmen

O Lul është koha e gjumit për ty vlla, nuk ke takat për Arjan Canin. Fli gjumë vlla.

O i gjati Ilir Meta jam, duhet të takohemi patjetër, kemi ca gjëra pa mbyllur. Nëse do shpëtosh Tahirin mos e prek Llallën.

Me qetësi dhe dashuri zoti president, ah sa bukur.

Mona jam. O kriminelë kujt i thua motër ti. Unë motra jote?

Ca të bëj unë, iku tepsia, ka shpërthyer dashuria për atdheun tani. Motra ishe, motra mbete.

O Edo Gaz Demi jam. Ta kryva porosinë te shtëpia e Sajmes…

Gazo rroftë Partizoni se ka nevojë këtë radhë.

O Shef Sajmja jam: Erdhi kontrolli, unë qëndrova stoik, piva një puro në ballkon. Ata skanë parë gjë, pas puros do pi një trefletësh

S’është ky. Puron në PS e pi vetëm Fino.

Sajmiri jam shef. Jo Tahiri, shoferi i kamionit. Cfarë fitoj po dëshmova se kam marrë 5 milionë euro në muaj.

Shko te fronti se atje fiton.

Jam Moisi Habilaj…

Mos na e prish, kalo te tjetra. Me keta palo kusherinj…

O i madh ‘Lolo’ jam…

Kalo pra nga këta.

Lali Eri jam, beniamini jot i vetëm tashme. Te lutem mos u trishto shef per Sajmen se ti mbuloj une shpenzimet me Tironen tone. 

Më pëlqeu ajo e autobuzit elektrik, por mos dil ne media sikur je ketu, kur je jashte shtetit. Te lutem.

Ngjela jam. Ti nuk e kupton demokracinë. Po të kishe lexuar librat e mi nuk do kishe dështuar…

Avokat shyqyr që u bëre u gjallë, qëkur nxorra Lulin nga çadra nuk më flet më.

Pse i ka mbet qejfi Ngjelës?

Qëkur nxorra Lulin nga çadra. Aty filloi.

Donald Lu jam. Më interesonin bandat e Elbasanit se jetoj te rruga e Elbasanit…

Skanë parë gjë akoma Don, rrugë më rrugë. Cdo njeri që në rrugë ka zgjedhur të bëjë ato që s’duhet këmba këmbës deri në fund.

Koco jam. Po të zë mallkimi im biri im.

U bë shumë kohë që nuk dëgjohemi. Ske çfarë i bën, për mua është rruga pastaj miqësia. Jo miqësia që dikton rrugën. Natën.

Jam Briseida e tatimeve, të kujtohet? Mos e dorëzo lehtë Sajmirin, ai bëhet kamizak për ty.

I keni rënë në qafë Briseidës ju të kazanit.

O Skënderbe Elisa Spiropali jam. Askush nuk e bën dot figurën tënde, o i pari i vendit.

Këto nuk mi thotë mua. Këto ua thotë të tjerëve.

Pas kontrollit, Tahirit i shkon një ftesë në shtëpi, ja për çfarë bëhet fjalë

Nje dite pasi kater oficeret zbarkuan ne shtepine e ish-ministrit Saimir Tahiri, aktualisht deputet i lire i Kuvendit te Shqiperise, mengjesin e sotem, atij i ka mberritur nga prokurori Besim Hajdarmataj një ftesë për t’u paraqitur në Prokurori.

tahiri

“Newsbomb” duke publikuar edhe ftesen per Tahirin, shkruan se ai eshte ftuar të paraqitet pranë gjykatës së shkallës së parë për Krime të Rënda në Tiranë.

Mbetet për t’u parë se ç’do bëjë Tahiri me këtë “ftesë” per paraqitje, edhe pse ai vete ka deklaruar se nuk ka asnje ore kohe per te humbur dhe ka kerkuar nga prokuroria e Krimeve te Renda shpejtim e procesit per nxjerrjen sa me pare te te vertetes.

Përgjimet zbardhin udhëtimet e Habilajve në Siçili me makinën e Tahirit

Përgjimet nga prokuroria italiane për bandën e Habilajve tregojnë për jetën e trafikantëve, rreziqeve, ulje-ngritjeve të trafikut dhe keqpërdorimet e milionave të fituara brenda natës, si dhe pikëpamjet e tyre mbi politikën shqiptare, përfshirë komentet tashmë të famshme për funksionimin e politikës si një organizatë kriminale

Roli i Tahirit

Dokumenti i policisë italiane e përmend ish-ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri si gjatë përgjimeve, ashtu edhe gjatë komenteve në tre raste. Në njërin rast, (faqja 100), dy të dyshuarit, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë me njëri-tjetrin se çfarë ka më shumë se sa ata Saimir Tahiri. Moisiu beson se Saimiri ka bërë 5 milionë euro brenda një muaji ndërsa Çelaj thotë se këto janë para të parëndësishme për të pasi atij 20 milionë nuk i  mjaftojnë në një fushatë elektorale. Në kohën e zhvillimit të kësaj bisede, 16 dhjetor 2013, Tahiri kishte vetëm tre muaj në postin e Ministrit të Brendshëm, por ai pati qenë deputet që nga viti 2009.

Në rastin tjetër,  (f 93) Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro.

Në rastin e tretë, (f. 193-194) policia italiane shënon se më 3 mars 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj patën mbërritur në Sicili me makinën A8, nën pronësinë e Saimir Tahirit. Ata u kthyen në Shqipëri më datë 24 mars po me makinën e Tahirit.

Në rastin më problematik për Tahirin, ai përmendet si përfitues i mundshëm i një shume parash nga trafiku i drogës./Marrë me shkurtime nga Reporter/

Tiranë, prezantohet autobusi i parë elektrik

Gjatë fjalë së tij në aktivitet, Veliaj theksoi se brenda këtij muaji do të përfundojnë testimet dhe pastaj do të vendoset për kalendarin e transformimit të flotës së autobusëve, për financimin apo të rrjetit të karikimit

TIRANË – Bashkia e Tiranës ka prezantuar dhe testuar sot autobusin e parë elektrik në kryeqytetin e Shqipërisë.

Në aktivitetin e organizuar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues nga kompanitë e transportit publik të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij në aktivitet, Veliaj theksoi se brenda këtij muaji do të përfundojnë testimet dhe pastaj do të vendoset për kalendarin e transformimit të flotës dhe për financimin.

“Ajo që po bëjmë në Tiranë është në fakt ajo që po ndodhte edhe dje në Paris, ku zyrtarët e bashkisë gjithashtu po testonin dy autobusë se si performonin në linjat e Parisit. Ne do të krijojmë një kompani publike të transportit, nëse nuk do të na përgjigjen operatorët privatë në këtë shkallë modernizimi. Detajet ne do t’i bëjmë specifike më vonë, por ajo që ne do të kërkojmë është që, në mënyrë graduale nga 10 për qind, apo 20 për qind, do të kërkojmë atë që quhet ‘turn-over’, pra rikthimin e flotës, e një pjese të flotës, në autobusë elektrikë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj shtoi se pas testimeve, brenda këtij viti do të hartohet dhe një plan që do iu vendoset në dispozicion të gjithë operatorëve për të bërë dhe transformimin e flotave të tyre, duke shtuar se, “Besoj që brenda vitit tjetër ne do të shikojmë në Tiranë një pjesë të madhe të operatorëve të transportit publikë tashmë me një flotë të re me autobusë elektrik”.

Pas prezantimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësues të kompanive shqiptare të transportit që operojnë në Tiranë, bënë një udhëtim me autobusin elektrik duke parë nga afër mënyrën se si ai funksionon në trafikun dhe rrugët e Tiranës. aa

Fevziu: Kam parë foton e një ministri me Habilajt, kush po e pengon të bëhet publike

Prej disa ditësh, opinioni publik po zihen nga dalja në skenë e grupit të Habilajve, të akuzuar për trafik droge.

 

Në përgjimet e autoriteteve italiane, doli emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, ku më pas prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.

Lidhur me këtë situatë, gazetari dhe moderatori i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, është shprehur se pritet që dalin në skenë dosje dhe fakte korruptive nga të dyja anët e politikës.

“Nuk kam folur për një video të një kryebashkiaku, por kam folur për një foto të një kryebashkiaku, foto të një ministri të qeverisë me pjesëtarë të familjes Habilaj, foto të cilën e kam parë vetë, por nuk kam pasur mundësi ta publikoj sepse personat që e kanë në dispozicion nuk kanë vendosur akoma ta publikojnë. Por nuk mund të them për përgjegjësinë e ministrit në fjalë, sepse duhet parë në çfarë rrethanash kanë qenë.

Fotoja është bërë në grup, një drekë apo darkë elektorale, në një restorant të Vlorës. Kjo edhe mund të publikohet, siç mund të publikohen përgjimet e një të afërmi të një ministri që janë parë dhe dëgjuar nga një numër i madh gazetarësh. Ka një të vërtetë që fotoja e ministrit është marrë nga filmime nga kamerat e sigurisë së restorantit.” – tha Fevziu duke folur me disa studentë.

Banka Botërore: Investimet e huaja në Shqipëri do të bien me 22% deri më 2019

Banka Botërore lajmëron një ulje të konsiderueshme të investimeve të huaja në vendin tonë në vitet në vijim. Në një projeksion të fundit për Shqipërisë, investimet e huaja direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019.

Banka thotë se IHD këtë vit do të arrijnë në 8.3 për qind të PBB nga 8.7 për qind që ishin vitin e kaluar. Por vitin e ardhshëm ato nuk pritet të jenë më shumë se 7 për qind e PBB dhe më 2019 do të jenë 5.6 për qind e PBB-se.

Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%.
Banka thotë se vitet e fundit investimet e huaja direkte kanë qenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri ndaj dhe rënia e tyre do të gjenerojë një hendek.

Ekonomia e Shqipërisë u rrit 3,4 për qind në 2016 dhe kjo rrit u nxit më së shumti nga investimet private në dy projektet kryesore, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll.

Banka thotë se remitancat dhe investimet e huaja financojnë pjesën dërrmuese të importeve.
Sipas BB, tani, më shumë se kurrë thekson urgjencën e reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e sapo nisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet.

Përfitimet e rritjes ekonomike me krijimin e vendeve të reja të punës duhet të konsolidohen dhe zgjerohen, në mënyrë që të thyhet zinxhiri i emigracionit, reformave të cekëta, si dhe rritjes së ngadaltë ekonomike.

BB rekomandon eliminimin e faktorëve dekurajues dhe barrierave për punësimin formal, për të mundësuar ritme më të shpejta të rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e varfërisë.

Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes për të mundësuar kompanitë që të krijojnë më shumë vende pune, të zgjerohen dhe të rrisin produktivitetin është një rekomandim tjetër.

Rritja e barazisë, cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe sistemeve të mbrojtjes sociale, duke reduktuar në të njëjtën kohë rolin e qeverisë rekomandohen për tu bere. /Monitor/

 

Rama sulmon sërish gazetarët: Ju pengojnë aparatin tretës, mos i takoni

As sot kreu qeverisë Edi Rama nuk ka ndalur sulmet ndaj gazetarëve pas ngjarjes së djeshme, ku një pjesë të tyre i shau dhe fyeu kur të gjithë i shprehen interesin me pyetje në lidhje me një nga çështjet më të nxehta që ka trazuar ujërat e politikës, arrestimin e Saimir Tahirit.

 

Por sot teksa ishte i ftuar në aktivitetin e Dhomave të Tregtisë, Rama e ka devijuar fjalimin e tij në lidhje me investimet e huaja pikërisht te mediat.

“Shqipëria është një vend ku nuk mungojnë problemet nëse ju do të dëgjoni sidomos ambasadorët e huajë, të cilët me shumë të drejtë janë kërkues dhe e shikojnë Shqipërinë si vend ku mund të bëjnë bizneset dhe si vendi që duhet të anëtarësohet në BE. Por nëse do të dëgjoni sipërmarrësit që operojnë në Shqipëri do të keni një pamje shumë më inkurajuese dhe optimiste sesa nga ajo që mund të ofrohet nga thashethemet e mediave. Me sugjerimin që kush ka ardhur sot ti gëzohet këtij vendi të bekuar dhe me këshillën miqësore që as mos takoni gazetarë mos lexoni gazeta sepse iu pengojnë aparatin tretës iu uroj mirëseardhjen dhe u them se kush investon sot në Shqipëri nuk do pendohet kurrë nesër dhe kush ngurron sot do të thotë si ka mudnësi që ma morën radhën para”, tha Rama duke ftuar investitorët e huajë që të investojnë në vendin tonë”, tha ai.

Ndërkohë që dje u bë një thirrje nga Unioni i gazetarëve për të bojkotuar veprimtarinë e kryeministrisë, thirrje e cila parimisht u pranua nga gazetarët, por s që në orët e para të mëngjesit televizionet  shqiptare u pushtuan nga aktiviteti ku Rama ishte i ftuar dhe sërish nuk ngurroi që vëmendjen ta spostojë te në tjetër temë, fyerjet nga punës së gazetarëve.

Gazetarja rrëfen historinë e Ramës me sopatë në dorë: Drejtori më tha ‘mos i bëj pyetje, të flasë ç’të dojë se nuk i dihet’

Ngjarjes së paprecedentë kur dje kryeministri Edi Rama shfryu dufin ndaj një pjese të gazetarëve që po i merrinit një reagim për çështjen “Tahiri”, dhe vendimin e marrë nga parlamenti për të mos i hequr mandatin e deputetit i kanë dalë kundër gazetarë dhe politikanë.

Shumë prej tyre kanë shpërndarë në rrjetet sociale kundër reagimet ndaj sjelljeve fyese dhe denigruese ndaj tyre, ndërsa një pjesë tjetër ka ndarë eksperiencat në terren përballë Ramës.

Një të tillë ka rrëfyer edhe Aranita Brahaj, gjatë kohës kur raportonte nga terreni dhe një ‘këshillë’ të pronarit të medias në raport me Ramën gjatë kohës që ky i fundit ka në kryetar bashkie në Tiranë.

“Kur dikur punoja si gazetare dhe ne ndonje rast me duhej te beja kronike edhe per aksionet e ish kryetarit te Bashkise qelloi nje rast qe me merr drejtori i lajmeve i redaksise per te me dhene nje keshille te rendesishme profesionale: kujdes qendroi larg e mos i bej pyetje lere te flasi cte doje vet, se nuk i dihet! E kishte fjalen per personin qe edhe duhet ti afroja mikrofonin nderkohe qe ne dore kishte nje sepate. Skishim pare gje akoma”, shkruan Brahaj ne profilin e saj ne Facebook.

Çështja CEZ – Dënohet me 11 vite burg Kastriot Ismailaj

Gjykata Penale e Tiranës dënon me 11 vite burg ish- administratorin e kompanisë DIA. Burimet thonë se Prokuroria kërkoi dënimin e Ismailajt me 15 vite burg, për skandalin e CEZ-DIA, por gjykata e zbriti dënimin me 4 vite.

Po kështu me vendim të Gjykatës së Tiranës, Kastriot Ismailajt i konfiskohen dhe 4 milionë dollarë.

Ndonëse ai kërkoi dje që të rihapej hetimi pasi dispononte 100 prova të reja, Gjykata e Tiranës ka dënuar me 11 vite burg Ismailajn.

Ky verdikt vjen pas një seance maratonë dhe pas 1 vit e gjysmë hetimesh. Kastriot Ismailaj u akuzua për “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë.

Vila luksoze e Habilajve

MBI 80 PËR QIND E DEPUTETËVE NUK E NJOHIN HARTËN E SHQIPËRISË ETNIKE (!) – Nga Ramiz LUSHAJ

I besoj Nacionalizmit të Popullit tim.

I besoj Shpirtit nacionalist të Popullit tim për Bashkim Kombëtar Shqiptar, për Shqipërinë Etnike,

Si t’iu besoj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë kur mbi 80 për qind e tyre nuk e njohin realisht e konkretisht Hartën e Shqipërisë Etnike, nuk kanë në pasaportat e tyre diplomatike vizita pune apo turistike në viset etnike shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Camërisë…!

Nuk e dijnë kah e ku i bie Shkupi e Mitrovica, Plavë-Gucia e Presheva, Drenica e Tivari, Preveza e Vermoshi…!

Shqipëria do të bahet dhe Kombi do të bashkohet kur edhe përfaqësuesit e popullit në kuvendet e tyre në Shqipërinë Nanë apo në Kosovë, në Maqedoni…do ta njohin ma shumë e do ta duan ma mirë Shqipërinë Etnike në të gjithë territoret e saj në gjashtë shtete të Ballkanit.

Gjurmët e Moisi Habilaj te pakot me kanabis, ja pse vendimi gjyqësor i 2005-s rrëzon pretendimet e Tahirit

Në vitin 2015, ish-ministri Saimir Tahiri deklaroi se nuk kishte të dhëna që Habilajt kishin precedentë në momentin që u shiti makinën, por një vendim i Gjykatës së Vlorës i vitit 2005 tregon se Moisi Habilaj u hetua pasi gjurma e gishtit të tij u gjet mbi pakot me 53 kg kanabis, por ia hodhi drejtësisë me vetëm 10 muaj burg

I arrestuari në Itali për trafikimin e rreth 3.5 tonëve kanabis, Moisi Habilaj nuk ka qenë person i panjohur për drejtësinë shqiptare. 39-vjeçari që implikon në përgjimet e tij edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri i ka shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë në vitin 2005, periudhë kur është proceduar nga Prokuroria e Vlorës për akuzën e “mbajtjes, përpunimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim”.

BIRN disponon një vendim të nëntorit 2005 të gjykatës së Vlorës, ku Moisi Habilaj rezulton se është proceduar dhe gjykuar së bashku me tre persona të tjerë, pasi gjatë një operacioni u gjetën 53 kg kanabis i ndarë në 54 pako e gjysmë, e cila ishte bërë gati për shitje.

Hetimet zbuluan një gjurmë gishti të Habilajt në pakot e drogës, por Gjykata e Vlorës e ka dënuar atë me 10 muaj e 20 ditë burg për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.

Lidhjet e Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përmendja e tyre si kontigjentë të policies në kultivimin e kanabisit u denoncuan për herë të parë në publik nga ish-oficeri i Antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani në vitin 2015. Sipas Zaganit, vëllezërit Habilaj lëviznin me makinën e ministrit të Brendshëm dhe ishin të paprekshëm nga policia e Vlorës.

Në deklaratat publike pas këtij denoncimi, Tahiri pranoi se ia kishte shitur makinën njërit prej vëllezërve Habilaj-me të cilët kishte lidhje fisnore, por u mbrojt me faktin se nuk kishte të dhëna se ata ishin implikuar në kultivimin apo trafikimin e kanabisit.

Padijeninë për implikime të mëparshme të vëllezërve Habilaj, Tahiri e përsëriti edhe intervistën e tij në emisionin “Opinion” më 19 tetor 2017, ku pranoi si gabim të tij faktin që nuk kishte kryer verifikime.

“Unë duhej të kisha kërkuar mirë kujt po ia shisja makinën. Pa paragjykuar fare dhe pa menduar se kjo makinë u ishte shitur ca njerëzve që kanë aktivitet kriminal, më shkoi mendja që të kërkoja makinën time dhe të shkoja me pushime. Kjo më ngarkon me përgjegjësi morale pa asnjë diskutim, por jo me faj,” tha Tahiri në Opinion.

I pyetur nga BIRN, një nga prokurorët e çështjes që po heton dosjen “Habilaj” tek Krimet e Rënda tha se kanë pasur informacione të nevojshme dhe të sigurta se ky person dhe anëtarë të grupit të tij mereshin me aktivitet kriminal.

Sipas prokurorit, në shumë raste ka munguar vullneti i përbashkët polici-prokurori për të hetuar këtë grup, madje në disa raste hetimi për Habilajt është braktisur dhe dekonspiruar, duke mbartur çështjen për vite me radhë.

Procedimi penal që mban numrin 165 i vitit 2005 në ngarkim të të pandehurve Shpërblim Alliu, Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha tregon se lënda narkotike e ndarë në 54 pako e gjysmë, e cila peshonte 53 kilogramë u  gjet në shtëpinë e shtetasit Mustafa Alliu në fshatin Panaja të rrethit të Vlorës.

Nga deklarimet e shtetasit Mustafa Alliu ka rezultuar se kjo sasi droge i përkiste të pandehurit Shpërblim Alliu.

Nga ana e prokurorisë është kryer përpunimi kimiko-fizik i sipërfaqeve të brendshme dhe të jashtme të pakove me lëndë narkotike dhe ka rezultuar në shiritin e dytë të natribanit, nga ana e brendshme u gjetën dy gjurmë të cilat i përkisnin njëra të pandehurit Moisi Habilaj dhe tjetra te pandehurit Flamur Zeka. Në njërën prej sipërfaqeve të mëdha të pakove është gjetur gjurma e pëllëmbës së të pandehurit Shpërblim Alliu, ndërkohë që gjurmë gishti ka pasur edhe i pandehuri në atë kohë, Ylli Hoxha.

Sipas vendimit të Gjykatës që pasoi këtë procedim, Moisi Habilaj ka pranuar se ai kishte dijeni për sasinë prej 53 kg drogë, pasi në një vizitë në shtëpinë e Alliut ai e kishte hapur ngjitësin. Megjithatë, Habilaj ka pretenduar se pasi e ka mbyllur sërish atë, e ka këshilluar të pandehurin Shpërblim Alliu që ta asgjësonte.

Përfaqësuesi i Prokurorisë, Dorian Tafili ka kërkuar dënimin me 7 vite burg për Moisi Habilajn, i cili në atë kohë akuzohej për veprën penale të “mbajtjes dhe përpunimit të bimëve narkotike”, por Gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë, duke e dënuar përfundimisht me 10 muaj e 20 ditë burgim për “moskallëzim krimi”.

Pasi pranoi gjykimin e shkurtuar, Gjykata dënoi me 4 vjet burg Shpërblim Alliun ndërsa Zeka dhe Hoxha u dënuan gjithashtu për moskallëzim krimi.

Avokati Eduard Veçani, i cili në atë kohë mbronte Flamur Zekën kujton për BIRN se klienti i tij ka qenë punëtor i thjeshtë, i cili kishte pranuar të paketonte sasinë e drogës kundrejt 10 apo 15 mijë lekëve të vjetra.

Sipas avokatit Veçani, këto dënime u lanë në fuqi dhe nga gjykata e Apelit Vlorë.

Dymbëdhjetë vjet pas dënimit minimal nga Gjykata e Vlorës, Moisi Habilaj akuzohet nga Prokuroria e Katanias për trafikimin e 3.5 tonëve kanabis drejt Italisë, në bashkëpunim me 6 shqiptarë dhe katër italianë gjatë viteve 2013-2017.

Në hetimet voluminoze të antidrogës italiane, Habilaj është përgjuar ndërsa përmend rryshfete apo dhurata për Tahirin dhe familjarët e tij. Këto përgjime, por edhe prova të tjera e shtynë Prokurorinë e Krimeve të Rënda që t’i kërkonin Kuvendit të Shqipërisë të autorizonte arrestimin e Tahirit, si person i dyshuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Por deputetët e Partisë Socialiste në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit votuan kundër kërkesës së Prokurorisë, duke paralajmëruar votën kundër arrestimit edhe në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Shqipërisë.

BIRN

‘Rama në ankth, nuk di ç’gjëma të tjera ka në dosjet përtej Adriatikut’

Fjalim të dikujt, që është në ankth të madh, pasi nuk di se cfarë gjëmash ka në dosjet e tjera përtej Adriatikut. Kështu e ka përmbledhur gazetari Andi Bushati fjalën e sotme të Ramës për Saimir Tahirin.

“Fjalimi i Rames sot: edhe me Saimirin edhe kundër Saimirit, është pasqyrim i ankthit të atij që nuk di se ç’gjëma të tjera ka në dosiet përtej Adriatikut, prandaj ai dhe e mbron dhe e sulmon ish ministrin dhe kujdeset te thotë: un s’kam ditur gjë se ç’bënte ai dhe i kisha lënë dorë të lirë”- shkruan ai në një postim në FB.

bushati

“Nuk ka një përputhje të ligjit me realitetin e minoriteteve etnike në Shqipëri”

Teksa qeveria e mbrojti ligjin gjatë gjithë procesit të hartimit dhe diskutimit të tij, nga ana tjetër ligji në fjalë shkaktoi debate, por edhe reagime kundër, sidomos në radhët e historianëve

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë, me një konsensus mes forcave kryesore politike miratoi disa ditë më parë ligjin “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, një nismë kjo e qeverisë.

Në kuptimin e këtij ligji, pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.

Teksa qeveria e mbrojti ligjin gjatë gjithë procesit të hartimit dhe diskutimit të tij, nga ana tjetër ligji në fjalë shkaktoi debate, por edhe reagime kundër, sidomos në radhët e historianëve.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe historiani Paskal Milo, në një intervistë për Anadolu Agency (AA), theksoi se ky ligj është shumë liberal, në kuptimin e respektimit të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve.

“Nuk ka një përputhje reale të ligjit me realitetin e minoriteteve etnike në Shqipëri, sepse në të drejtën ndërkombëtare për minoritetet ka qenë e fiksuar shumë qartë që ka një ndarje të përshkallëzuar të minoriteteve në përputhje me realitetet ekzistuese në të gjitha vendet. E drejta ndërkombëtare ka njohur minoritete etnike që janë ato që janë një pjesë e popullsisë që kanë një vazhdimësi gjeografike me shtetin amë, siç është në Shqipëri minoriteti grek apo ai maqedonas. Ka dhe minoritete të tjera që janë quajtur etno-kulturore, minoritete gjuhësore ose minoritete fetare. Në Shqipëri edhe më parë ne kemi njohur minoritete solide siç ka qenë minoriteti etnik grek, apo siç ka qenë minoriteti maqedonas apo minoriteti malazez, por kemi njohur ndoshta jo zyrtarisht që ka pasur minoritet rom apo egjiptian apo një komunitet serb, por këto nuk janë cilësuar minoritete etnike, qoftë për arsye historike apo politike, por më tepër nuk janë cilësuar si minoritete etnike sepse nuk kanë mbushur kriteret”, theksoi Milo.

Sipas tij, nuk mund të pretendojnë romët që janë minoritet etnik, sepse nuk kanë kriteret dhe nuk kanë një vazhdimësi gjeografike. Egjiptianët, shton ai, të cilët nuk flasin as gjuhë të tyre, por flasin vetëm shqip, ju mungon elementi i gjuhës, megjithatë quhen minoritet etnik.

Ai shton se si historian, por edhe si qytetar e studiues nuk ka absolutisht asgjë kundër që nëse përmbushen standardet dhe kriteret të njihet edhe një minoritet bullgar në Shqipëri, por thekson se “Qeveria shqiptare nuk duhej të futej në këtë interpretim dhe vendim, sepse e fut veten edhe Shqipërinë pa pasur nevojë në vorbullën e një debati historik, që shpesh herë ka qenë dhe agresiv midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për identitetin e këtyre njerëzve.”

“Përveç kësaj krijojmë, i bëjmë qefin apo plotësojmë një kërkesë pse jo dhe legjitime nga pikëpamja dhe këndvështrimi bullgar dhe nga ana tjetër krijojmë një klimë jo të mirë në marrëdhëniet me Maqedoninë si vend fqinj, sepse mohojmë ekzistencën e minoritetit maqedonas dhe themi që është minoritet bullgar dhe kështu krijojmë rrethana dhe kushte që nesër këto palë të mund të shtojnë kërkesat, mund të ushtrojnë presion më të madh ndaj Shqipërisë për kërkesa të tjera edhe të pa motivuara”, tha Milo.

Ish-ministri Milo thekson se minoritet me peshë në Shqipëri janë minoriteti grek i pari për shkak të numrit, traditës dhe historisë, por edhe minoriteti që është njohur maqedonas dhe shton se edhe malazezët janë njohur zyrtarisht, por pesha e tyre ka qenë më e pakët në raport me minoritetet e tjera.

Çupi: Jemi një nga vendet e pakta në Ballkan që ka miratuar ligjin për pakicat kombëtare

Ndërsa deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Dhurata Çupi, duke folur për AA shprehet se qëllimi i këtij ligji, për ti dhënë edhe vendit nuanca sa më evropiane, nuk ishte për ti kufizuar, por ishte për t’ju dhënë të drejta pakicave kombëtare.

“Shteti shqiptar në njëfarë mënyre ishte i detyruar për miratimin e ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare në kuadër edhe të nënshkrimit të një marrëveshjeje kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Theksoj se qeveria e ka përgatitur ligjin për pakicat kombëtare, opozita ka pasur objeksionet e saj, pavarësisht se së fundi me konsensus e ka miratuar. Çështja e mbrojtjes së pakicave kombëtare ka qenë një shqetësim që në vitin e parë të krijimit të Këshillit të Evropës, që në vitin 1949 ka pasur një deklaratë dhe një material drejtuar departamentit të çështjeve ligjore në Këshillin e Evropës, për mbrojtjen e pakicave kombëtare i konsideruar si një shqetësim tashmë në disa vende të Evropës. Janë dashur rreth 50 vite që të konsolidohet dhe të fillohet të nënshkruhet kjo marrëveshje nga disa vende. Në dijeninë time nuk është nënshkruar nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës. Ne jemi një nga vendet e pakta në Ballkan që ka miratuar tashmë ligjin për pakicat kombëtare”, thekson Çupi.

Ajo shton se ka një listë të mbyllur, ku përfundimisht Kuvendi ka vendosur që të jenë të listuara 9 pakica kombëtare. Çupi shton se “Në kreun e tretë të ligjit garantohet edhe mbrojtja e tyre me një instrument të veçantë, siç është krijimi i komitetit të mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare, që do të varet nga ekzekutivi. Kishte një diskutim të opozitës që të tentohej të ishte i pavarur apo të kishte varësi të dyfishtë ndoshta. Ligjvënësi ka vendosur që ky komitet të varet nga kryeministri, kryetari i komitetit të emërohet nga kryeministri. Ka një risi që emërimi të bëhet me rrotacion me qëllimin për të përfaqësuar të gjitha pakicat kombëtare.”

Ndërsa gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, por edhe gjatë seancës parlamentare kur u miratua ligji në fjalë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, e konsideroi këtë ligj si një angazhim që sipas tij, buron kryesisht nga aderimi i Shqipërisë në Konventën Kuadër për Minoritetet e Këshillit të Evropës.

Ligji e ka përkufizuar një pakicë kombëtare, si një grup shtetasish shqiptarë që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar, shfaqin karakteristika dalluese kulturore, etnike, gjuhësore, fetare ose tradicionale dhe të cilët janë të gatshëm për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar së bashku identitetin e tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, fetar ose tradicional.

Sipas këtij ligji, personat, që u përkasin pakicave kombëtare, kanë të drejtë të ruajnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre gjuhësor, kulturor, fetar dhe trashëgiminë e tyre kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe, gëzojnë të drejtën të mësojnë gjuhën e pakicës.

Fevziu paralajmëron ‘furtunë’: Po qarkullon një foto e një ministri me Habilajt dhe një kryebashkiak që…

Në një shkrim me titull “Kush po i sjell përgjimet?”, ne “Opinion.al”, gazetari Blendi Fevziu paralajmëron se ditët në vijim pas situatës ku është futur politika shqiptare vështirë se do të jenë të qeta. Ai thotë se po qarkullon një foto e një ministri tjetër të qeverisë me Habilajt.

 

 

Nga Blendi Fevziu –

Kanë mjaftuar disa materiale të publikuara në dhjetë ditët e fundit për të hapur një kuti të zezë të politikës shqiptare dhe padyshim vesin më negativ dhe më problematik të saj, lidhjet me krimin.

Kanë qenë fillimisht krerët e partive opozitare, Basha dhe Kryemadhi që kanë afishuar në emisionin Opinion fotot e disa politikanëve të rëndësishëm të PS të shoqëruar me persona në kërkim nga autoritetet italiane. Fotot, një pjesë e të cilave në zyrat elektorale të PS, u pasuan të nesërmen nga një tjetër foto, ku po i njëjti person që shfaqej në mbedhjet e PS kishte pozuar edhe në çadrën e protestës së PD!

Vetëm 4 ditë pas fotove, PD publikoi një dosje hetimore italiane ku gjendeshin mbi 400 faqe përgjimeve të Habiljave të Vlorës, të cilët, përfshinin edhe ish Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria kërkoi arrestimin e Tahirit, në një gjest, që është padyshim më i forti i 25 viteve të fundit. Deputetët u ndanë në Komisionin e mandateve, por historia nuk mbyllet këtu. Nuk mbyllet as të mërkurën kur të votohet për fatin e Tahirit. Nisur edhe nga informacionet që po qarkullojnë e që po paralajmërohen prej kohësh, pyetja bazë është: a janë këto materialet të vetme dhe sporadike apo pjesë e një fushate për pastimin e politikës dhe prerjet e lidhjeve të saj me krimin? A është kjo një betejë e disa partive opozitare që po demostrojnë pak materiale kompromentuese që kanë apo më tej? Një fushatë e ngjashme me atë të Zajevit në Maqedoni që publikoi disa mijëra përgjime dhe tronditi thellë vendin? A është një betejë vetëm e Prokurorisë, që ka vendosur të veprojë më në fund apo diçka më e madhe? Pyetja padyshim që meriton një analizë më të thellë. Dhe nis thuajse një vit e gjysëm më parë.

Në momentin që kanabisi ishte në kulmin e kultivimit të tij dhe kur ambasadorët e huaj thuajse nuk flisnin për të, në Tiranë u shfaqën disa zyrtarë ose oficerë të organeve ligjzbatuese të vendeve të ndryshme të BE që nisën të marrin informacione nga gazetarë dhe njerëz të specializuar pikërisht këtë problem. Nga vjeshta e vitit të kaluar, në Tiranë u shfaqën ekipe të mediave kryesore europiane si M6, BBC, DË etj, të cilët nisën ta etiketojnë Shqipërinë, në ekrant e tyre, si eksportuesin më të madh të kanabisit në Europë. Për këtë deklarim ata referonin burimet e shërbimeve të tyre sekrete.

Në fillim të vitit, në mediat tona nisën të shpërndahen informacione që ishin furnizuar nga shërbimet dhe zyrat ligjzbatuese perëndimore. Ato flisnin për fuqizimin e krimit të organizuar në Shqipëri dhe për rrezikun, ende të pakonfirmuar, se ai mund të përdorej nga terrorizmi.

Disa muaj më parë, po këto burime, në kontrast me qetësinë diplomatike, nisën të flasin për një rrezik direkt që i qaset Shqipërisë dhe të paralajmërojnë publikimin e dokumentave që kompromentojnë njerëzit e fuqishëm politik në Shqipëri. Cili ishte shqetësimi që ata kanë shprehur në takime me shumë njerëz influentë në media dhe jo vetëm?

Shqetësimi i parë dhe kryesor ka qenë fakti që kulivimi thuajse legal i Kanabisit po fuqizonte tej mase bandat dhe krimin e organizuar në vend. Ky fuqizim mund të paralizonte policinë, gjyqësorin, prokuroinë dhe padyshim mund të blinte lehtësisht politikën. Ose mund ta bënte krimin pjesë të politikës siç kishte ndodhur në disa raste në 2013. Pra krimi po bëhej aq i fuqishëm sa çrrënjosja e tij do ishte shumë e vështirë.

Shqetësimi i dytë ishte lidhja e politikës me krimin. Po sipas këtyre burimeve qyteti i dytë dhe i tretë më i madh i Shqipërisë janë thuajse krejt nën kontrollin e bandave që i përdorin institucionet si ndërmarrje private. Dokumentat që qarkullojnë dëshmojnë me foto dhe me tekst ndikimin që bandat kriminale të këtyre qyteteve kanë mbi pushtetin lokal.

Shqetësimi i tretë ishte “legalizimi” i krimit dhe sfida thuajse publike që ky po i bën qytetarëve normalë të këtij vendi. Përfaqësues të përfitimeve të paligjshme dhe kriminale janë fotografuar për javë të tëra në rrugët e qyteteve kryesore, në restorante dhe në klubet e natës. Shpesh herë në shoqërinë e njerëzve me pushtet në këtë vend. Ajo që bie në sy është moskokëçarja e këtyre keqbërësve të vegjël, që ndihen krejt të pashqetësuar. Siç thoshte një oficer perëndimor, po këta keqbërës që në Belgjikë dhe Hollandë lëvizin me transport publik për të mos rënë në sy, këtu parakalojnë më makina 200 mijë euroshe pa asnjë shqetësim. Dhe sfilojnë përpara policisë që është e paaftë t’i ndalojë ose në shumë raste trembet nga lidhjet e forta politike të tyre. Pra këta banditë ordinerë, ndihen pak a shumë zotër të vendit.

Shqetësimi i katërt ishte investimi i parave të krimit në Shqipëri dhe përfitimi i më shumë të ardhurave që më pas investohen po në aktivitete kriminale.

Javën e dytë të shtatorit, videoja e përplasjes së policisë në Elbasan ka qenë shokuese jo vetëm për opinionin në Shqipëri, por edhe për partnerët tanë. Ajo ka qarkulluar në zyra të rëndësishme në Bruksel, duke bindur tashmë edhe politikën për alarmin që shërbimet e specializuara e kishin lëshuar edhe më parë: krimi po sfidon hapur në Shqipëri dhe shteti është ia paaftë të reagojë. Nuk është çudi që fushata e fundit të ketë nisur edhe nga ky shqetësim.

Nisur së paku nga këto të dhëna, por edhe të tjera që me siguri njerëzit e medias nuk i dinë, situata vështirë që të jetë e qetë në ditët në vijim. Në redaksi portalesh kanë qarkulluar fotot të një tjetër ministri të qeverisë në shoqërinë e një njeriu të Habilajve gjatë fushatës në Vlorë. Edhe pse në një drekë disi të gjerë. Qarkullojnë përgjime të një kryetari bashkie të rëndësishëm me eksponentë të njohur të botës së krimit, një dosje që implikon të afërmin e një Ministri, raporti i një shërbimi perëndimor për klanet dhe familjet mafioze në Shqipëri si dhe një dosje e rëndësishme korrupsioni që me gjasë do të vihet në lëvizje edhe nga organet e hetimit shumë shpejt!

Bashkë me këto do të shtohet presioni edhe diplomatik për luftë reale kundër krimit dhe për pastrimin e politikës prej tij. Siç thonë njerëz që janë marrë me krimin për shumë vite në Europë: krim të organizuar ka kudo, por krim që të sfidojë shtetin publikisht, ndodh shumë rrallë të gjesh.

“Tahirit do t’i kontrollohet banesa, ndalesë daljes jashtë Shqipërie”

Duke deklaruar votën e tij dhe grupit të PS-së kundër arrestimit të Saimir Tahirit, si një kerkëse që duhet refuzuar dhe e papranueshme, pas letrës së bakallit që e cilësoi ai formulimin e akuzës, kryeministri Rama tha se pret të bëhet drejtësi dhe pret deri në fund që Tahiri të provohet se është i pafajshëm.

Duke iu bashkuar raportit të shumicës te Keshilli i Mandateve, Rama theksoi se grupi i PS-së është dakord dhe do të votojë që deputetit Tahiri t’i kontrollohet banesa dhe ti ndalohet lëvizja jashtë Shqipërisë.

“Pranojmë dhënien e autorizimit për mos daljen jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur, garancinë pasurore, kontrollin personal dhe të banesës së Tahirit. Në asnjë rast për asnjë deputet tjetër, nuk do ta kisha kuptuar pranimin e këtyre kërkesave që mbeten ekstrem. Kjo është një cudi e re shqiptare, pasi pyetja a është i pafajshëm Tahiri nuk mund të rrijë pezull”- tha Rama.

Rama rrëzon kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit: E papranueshme

Pas nje fjale te gjate kryeministri Edi Rama, duke leshuar akuza te forta ndaj prokuroreve dhe duke theksuar se kerkon te dije nga drejtesia a eshte i pafajshem Tahiri, e ka quajtur kerkesen per arrestimin e tij te papranueshme.

Ku u gjet ky zell i madh i një Prokurorie që s’ka lëvizur as fijen e flokut ndaj krimit, me një bilanc memec, me ca akuza të pabaza.

Vazhdon avazi, policia kap natën dhe kriminelët vijnë në mëngjes duke dredhur zinxhirin në dyert e gjykatave.

Prokurorët ta mbledhin veten, të fokusohen te çështja dhe të bëjnë punën e tyre, dhe jo të gjykojnë me këtë mungesë të tmerrshme provash. Ne do t’i japim një mbështetje serioze hetimit. Refuzojmë kërkesën për arrest”.

Rama deklaron voten 

Prandaj jam i detyruar që të flas qartë, a është i pafajshëm Tahiri? Të gjithë presin që t’i bashkohem qëndrimit të Tahirit kundër një gjyqi farsë, që i ngjan një farse të inskenuar nga inatçorë. Por jo, edhe më parë i bëhej i njëjti gjyq nga prokurorët dhe gjykatat. Gjyq politik, kopje surrogato. A është i pafajshëm Tahiri? Mund ta rrëfej pa asnjë ndrojë. Përgjigjen e Saimirit edhe në publik edhe përballë. Është fiks sikur e keni dëgjuar ju. Asnjë fjalë më shumë. “Me makinën kam gabuar, por pa asnjë qëllim dhe dashje duke mos më shkuar mendja për pasojat. Asgjë nga ato të tjerat nuk është e vërtetë, zero” fjalët që kam dëgjuar unë. Por mua nuk më mjafton përgjigja e Saimir Tahirit,e kam të pamundur të mjaftohem. Pasi akuzat janë gabuar me duart e një organi ligjzbatues, prokuroria e krimeve të rënda. Do ishte zhgënjimi më i rëndë nëse do të zbuloja nëse Tahiri nuk është ai që unë njoh, që e kam besuar dhe mbrojtur, por një vemje që turpëron fjalën njeri. Kushdo të mendojë ç’të dojë ‘Jo lëshoi Saimirin’ Jo kështu e të tjera, nuk më intereson. Për mua sot dhe deri kur të dalë e vërteta a është i pafajshëm Tahiri? Kësaj pyetje nuk i kam ikur dhe nuk i iki.

Kësaj pyetje nuk i iki. Boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirit. E kam bërë pa ma kërkuar ai, me mish e me shpirt pa shkëmbyer kurrë asnjë favor tjetër përvec miqësisë ideve dhe me Tahirin. A jam pishman? Jo!. Pasi gjithçka bëmë në një punë dreqi, nuk kanë munguar gabimet, por nuk kemi gabuar me qëllim. Uroj të mos e kem pishmanin e jetës time gjithçka i kam dhënë dhe kam marrë nga Tahiri që kur hyri në PS. Detyra si avokat me Tahirin ka përfunduar ditën që Tahiri zgjodhi një avokat për t’u mbrojtur.

Kjo parti nuk ka për t’u bërë mburoja e askujt përballë drejtësisë, por në emër të drejtësisë nuk do të lëmë të poshtërohen deputetë. Me alibinë që po luftohet krimi, me synimin për të bërë një rrugë dhe dy punë ky vend nuk ngjiten kurrë më lart por rikthehen në rrugët e tatëpjetave. Arbitrariteti është i patolerueshëm. Drejtësi po, deri në fund. Ta harrojnë arbitraritetin. Ku bën vaki në cilin shtet, që t’i kurohet të akuzuarit që të provohet se nuk është fajtor.

Ai që akuzon duhet të vërtetojë cdo akuzë që ngre. Akuzuesi nuk jep asnjë provë. Kjo barbari a nuk u ngjan me atë që ndodhi në fillim të viteve ’90 që drejtësia çoi pas hekurave kryetarin e partisë tonë. Me ca letra magazine nga Italia, por me demek për të bërë drejtësi. Kush e inskenoi pas 25 vitesh atë stafetë barbarie, mes politikës së baltos dhe drejtësisë së burgos. Shqiptarët presin zbatimin e Vettingut, që e udhëhoqëm ne. Kur Shqipëria pret të celë negociatat të arrestohet një deputet pa e marrë në pyetje dhe pa prova të faktuara. Ku u gjet ky zell i një prokurorie të rënda që nuk ka lëvizur gishtin që kur është ngritur.

Kështu i luftojnë kriminelët këta? Policia kap dhe lidh pranga, kriminelët dil në mëngjes duke dridhur zinxhirët, por ne cfarë jemi ne ligjvënësit shqiptarë, apo na dinë ekspertë kontabël, që firmosin bilance, apo inspektorë pune si ata të Gërdecit.

Apo ne na erdhi në shtet Saje Qorri dhe një rrugë e dy punë, rrëzojmë qeverinë dhe bëjmë çorap drejtësinë? Kemi prova, por janë sekret, por mirë u mbyll dera. Po cfarë doli? Asgjë. Nuk besoj që ata njerëz me shkollë me një farë eksperiencë që ato 4 fletë bakalli justifikojnë faturën e arrestit të një deputeti. Kaq për atë shfaqje dramatike dhe komike. Uroj që prokurorët ta mbledhin veten të mbyllin komunikimin me nxitësit e kësaj cështje.

Refuzojmë kërkesën për arrest unanimisht, pranojmë dhënien e autorizimit për mos daljen jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur, garancinë pasurore, kontrollin personal dhe të banesës së Tahirit. Në asnjë rast për asnjë deputet tjetër, nuk do ta kisha kuptuar pranimin e këtyre kërkesave që mbeten ekstrem. Kjo është një cudi e re shqiptare, pasi pyetja a është i pafajshëm Tahiri nuk mund të rrijë pezull.

***

“Boll e kam bërë avokatin për të, më vjen shumë mirë që ai e ka thënë që nuk ka nevojë të bëjë askush avokatin e tij”- ka thënë kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e tij në grupin e PS.

Kjo parti nuk ka për tu bërë asnjëherë mburoja përballë drejtësisë, por edhe nuk do lëmë asgjë për të bërë që të poshtërohen deputetet.

Puna jonë dhe e deputetëve mbaroi që në kohën që deputeti Saimit Tahiri pajhtoi një avokat.

Drejtesi po deri ne fund dhe ta mesoje cilido, arbitraritet kurre dhe ta harroje. Ne cilin shtet te se drejtes i kerkohet te akuzuarit se eshte fajtor, per te vene kujen, e ka ai qe akuzon barren te faktoje me prova cdo akuze qe ngre.

Katundi yne ku akuzat kercasin perdite, i akuzuari nuk ka cfare provon kur akuzuesi nuk jep asnje prove per akuzat qe ngre.

Kryetari i kësaj partie, i vetmi politikan i dënuar me burg në këtë vend me të njëjtën lehtësi vrastare, me ca letra magazinash nga Italia pa lidhje direkte me të por demek me luftën e së resë për të bërë drejtësi, kush e inskenoi me ngutin më të madh rikthimin sot pas 25 vjetësh të asaj stafete barbarie të politikës që baltos, ta harrojë se e kthen mbrapsh në ato zgafella Shqipërinë e sotme.

“Droga nga Shqipëria në Siçili, flet polici në egzil “Në vendim tim edhe policia trafikon marihuana!”

Gazetari italian Dario De Luca pasi botoi tek MeridioNews telefonatat e kushërinjve të ish-ministrit Saimir Tahiri, sjell nga Zvicra një intervistë me oficerin e policisë Dritan Zagani që ishte i pari që ka bërë këtë denoncim:

«Nuk jam i lumtur për këtë që është duke ndodhur. Mafia është shumë e fortë»

INTERVISTA

Tani në Shqipëri të gjithë janë duke folur për përfshirjen e mundur të ish-ministrit në trafikun e drogës. Ju si ndjeheni?
“Hetuesit italianë më kanë bërë dhuratën më të bukur në botë, por jam ende gabim, por unë në fakt jam keq, nuk jam i lumtur për atë që është duke ndodhur në vendin tim. Unë jam larguar tashmë prej disa vitesh nën akuzë, ndërkohë që nuk është kryer kurrë asnjë seancë gjyqsore ndaj meje. Unë jetoj me gruan dhe tre vajzat tona. Unë po përpiqem të bëj një jetë të dytë në Zvicër dhe nëse kam marrë vendimin për t’u larguar nga Shqipëria, e bëra kryesisht për familjen time “.

Dritan Zagani ka qenë kreu i antidrogëss në rrethin e Fierit, ndërkohë edhe një i burgosur nag vendi i tij, si është e mundur?
“Në vitin 2014 po hetoja një grup trafikantësh të lidhur me kushërinjtë Habilaj. Një grup shumë i fuqishëm që trafikonte kokainë dhe armë. Gjithashtu kisha përgatitur një informacion, por pastaj më burgosën. Gjatë hetimit unë pashë edhe Audin e famshëm që më pas mësova të ishte veturë e Ministrit Saimir Tahiri. Vura re se ishte përdorur për të bërë udhëtime të dyshimta, por ankesat e mia nuk u dëgjuan “.

Ti përfundove në burg. Për sa kohë ? Çfarë ka të bëjë puna që bëje me policinë italiane?
“Më kanë mbajtur në burg për gjashtë muaj dhe tetë ditë pa ardhur asnë prokuror për të më dëgjuar. Askush nuk më ka pyetur, thjesht më harruan. Në atë kohë unë gjithashtu bashkëpunova me hetuesit italianë, nëpër kanalet informale siç ndodh në të gjithë botën. Dhe kjo gjë më çoi në akuzën se shita informacione “.

Gjatë këtyre kohëve bisedove me financierin Alessandro Giuliani i cili për një periudhë u interceptua. Kështu që përfundove edhe në telashe, siç është treguar në programin e Le Iene, për bisedat tuaja për drogën. Mund t’ju shpëtonte kreu i Interpolit në Tiranë, Anna Poggi, por gjërat shkuan ndryshe.
“ishin vetëm fjalë, pa asnë provë. Unë mund t’ju them me siguri se do të luftoj deri në fund dhe do t’i sjell këta njerëz para Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg “.

Shqipëria mbetet kanali i preferuar për furnizimin me marihuanë në Sicili. Gjatë viteve kanë ndryshuar mënyrat e përdorura nga trafikantët?
“Deri në vitin 2014 kisha shumë informata për udhëtimet e kamionëve, por edhe nga deti me anijet e peshkimit. Unë gjithashtu kisha lajme edhe për rrugë që shkonin në Kalabri. Gjatë asaj kohe jam transferuar dhe burimet nga shërbimet sekrete më kanë informuar se droga është marrë edhe me aeroplanë të vegjël. Ishte e pamundur të bëhej transportimi me 200-300 kilogram marihuanë gjatë çdo udhëtimi. Kjo mund të ndodhte vetëm me mbulime të nivelit të lartë. “

Sa korrupsion ka në vendin tuaj? Habilaj në letrat e hetuara nga Rosa dei vendi shumë herë i referohet rolit të policisë në trafikun e drogës.
“Unë gjithmonë e kam denoncuar korrupsionin. Por problemi i vërtetë është kur pjestarë të agjencive të zbatimit të ligjit gjithashtu kanë një interes në trafikun e drogës. Politikanët kanë përdoruar gjithashtu para nga krimi, madje edhe me fonde për zgjedhje. E gjithë bota e di se ata i kanë mbyllur sytë duke i dhënë rrugë kultivimit dhe shitjes së marijuanës “.

A do të ndryshojë kjo situatë ndonjëherë?
“Në Shqipëri për të ndryshuar kjo situiatë kërkohet shumë kohë. Kërkohet puna e madhe e Europës ose ndryshe ose ndryshe Shqipëria rrezikon të bëhet një gropë e krimit. Ndryshe mbetet vetëm revolucioni si një zgjidhje. Mafia është shumë e fortë dhe themeli i saj është në drogë. “

 Parlamenti i Shqipërisë a do të marrë një qendrim të kjartë kundër Tahirit ?

“Parlamenti nuk do të votojë në favor, sepse Tahiri është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë. Prandaj ai nuk mund të rrëzohet, sepse nëse rrëzohet ai, rrëzohet edhe qeveria shqiptare”.

/ Përktheu Elida Buçpapaj

Intervista e plotë e Dritan Zaganit edhe në italisht

http://catania.meridionews.it/articolo/59842/droga-dallalbania-alla-sicilia-parla-lagente-in-esilio-nel-mio-paese-anche-la-polizia-traffica-la-marijuana/

ÇUNI I SAIMIRIT DHE ÇUNI IM – Nga Lirim NEZHA

 

Të enjten, gjatë emisionit “Opinion” të Fevzos në “Klan”, gati sa nuk më shkuan lotë nga keqardhja për njeriun Saimir Tahiri. U shfaq i zverdhur, me buzën që i dridhej dhe me fjalët që i artikulonte me vështirësi, sidomos kur herë pas here përmendte çunin e vet, për të cilin donte që kur ta kthente kokën pas të mos e perflisnin dhe të ishte krenar për babain e vet.

Më erdhi sinqerisht keq sepse ajo që po thoshte është aspiratë prindërore e gjithkujt që ka një a më shumë fëmijë.

Pastaj befas m’u kujtua çuni im 16 vjecar që ca muaj më parë,si adoleshent që ishte, lëvizi disa metra makinën në pronësinë time e për fatin tonë të keq, policët e Sajmirit, pjesëtarë të “policisë që duam”, e kapën në rrugë dhe pa asnjë diskutim e morën adoleshentin, edhe kundër çdo ligji për sjelljen ndaj një minoreni,dhe e cuan ne komisarjat të tmerruar.Është vetëm një fëmijë .Nuk është i rritur mes deliquentësh dhe si i tillë i lexohej frika dhe tmerri në fytyrë teksa befas,nga përkëdhelitë familjare u gjend i rrethuar me policë në një dhomë të komisarjatit.Policët e Sajmirit nuk pyetën fare se si duhej sjellë me një adoleshent,a duhej rrëmbyer si kriminel apo duheshin njoftuar më parë prindërit e tij.Jo,ata e morën makinën dhe cunin dhe e trajtuan fiks si kriminel,edhe pse gjatë atyre metrave që e lëvizi makinën nuk ndodhi asgjë e keqe.Makinën e bllokuan për më shumë se dy javë dhe cunin,këtë 16 vjecar të brishtë,e proceduan penalisht dhe e vunë përballë togave të zeza,një vend I frikshëm edhe për të rriturit,pale për fëmijët.Dhe ne,familja ime,respektuam ligjin .

Çuni im edhe sot pas një viti është ende duke kryer dënimin penal të dhënë nga drejtesia për të vetmin mëkat,dëshirën djaloshare për të lëvizur ca metra makinën e babait të vet.

Ndërkohë,cuni i Sajmirit ndodhet në shtëpinë e vet,i sajdisur e i mirërritur nga familjarët e vet.Sepse ai nuk ka gabuar.Dhe nuk ka asnjë arsye të mos gëzojë fëmijërinë e vet.

Por ajo cka më bëri të shkruaj këto radhë është kapja e Sajmirit me thonj e me dhëmbë pas imunitetit për t’i qëndruar larg,sa më larg togave të zeza.

Sepse janë të frikshme togat e zeza!!!

Janë të frikshme prangat,por këtë nuk e kupton dot kur prangat janë në duart e tim biri.

As në duart e babait të atyre vogëlushëve që humbën jetën në autostradë rrugës për të takuar atin e burgosur për ca tjegulla mbi strehën e tyre.

Nuk e kupton dot as kur prangat janë në duart e atij fakirit që nuk mundet të paguajë faturën e radhës dhe plandoset në qelli e cohet drejt vetëvrasjes.

Se sa të frikshme janë prangat nuk e kupton dot nëse keto prang atë ftohta janë në kycet e një përdoruesi që në xhep i gjenden 5 gramë hashash.

Nuk e kupton dot ftohtësinë e prangave Sajmir,nëse ato vendosen qoftë edhe në duart e adoleshentit që masakroi një qen ,akt pas të cilit bëre mirë qe more iniciativë ligjore.

E pra,duhet tja zgjatesh kycet prangave për të kuptuar se sa të ftohta janë e në fund për të kuptuar edhe se sa e rëndësishme është që në këtë vend duhet bërë drejtesi.

Nisur nga sa thashë më lartë rrotullohem 180 gradë dhe them se edhe Sajmiri është një si unë,sikurse cuni i tij nuk duhet të jetë ndryshe nga cuni im.Edhe Sajmiri duhet t’i jepet drejtësisë dhe të vërtetojë para saj pafajsinë e supozuar dhe te pretenduar.

Fundja le të shpenzojë ca dhe le ta blejë drejtësinë sikurse bëjnë gjithë soji i politikanëve,por të tregojë ca më shumë burrëri për t’u përballur me të.

Pikërisht këto janë standartet morale dhe jo ato sipas të cilave nëse nuk është ndëshkuar askush para teje nuk ka pse ti të ndëshkohesh.Ka dhe duhet të ketë gjithnjë një herë të parë.Fundja askujt nuk i ka dalë emri në tabulate trafikantësh.Ty po!Ndaj ke detyrimin të na vërtetosh të kundërtën,në mos,të provosh jo vetëm ftohtësine e prangave por edhe atë të qelisë.Edhe pase ka për të qënë një qeli VIP dhe kjo më duket e padrejtë!

“Dosja e re në prokurori” – Habilajt, në 4 vite xhiruan rreth 300 milionë euro

Nga dosja sekrete e mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mësohet se grupi kriminal i Moisi Habilajt ka dërguar në brigjet italiane nga vitit 2013-2017 rreth 30 tonë drogë kanabis sativa, raporton “Abc News”.

Grupi krimanal i drejtuar dhe i organizuar nga vëllezërit Habilaj kanë trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre Italiane rreth 30 tonë kanabis sativa.

Në këtë konkluzion kanë dalë hetuesit italian, ku ky aktivitet criminal ishte kryer në harkun 2013-2017. Gjatë biseda të përgjuara dhe të bëra publike tashmë nga gjykata e Katanias, anëtar të këtij grupi shqetësohen për mjetet të siguruar mjete të shpejta lundruese me tre motor, të cilët konsiderohen edhe si gomone oqeanike. Vetëm në dy aksionet e fundit të kryera në Itali e në Shqipëri, grupit që udhëhiqej nga Moisi Habilaj e Florian Habilaj dhe anëtarve të tjerë, Nezar Seiti, Meriadian Suluaj e Armando Sulaj, iu sekuestruan në total rreth 8 tonë drogë.

Fillimisht, në zonën e Brindisit u kapën rreth 3.5 tonë kanabis dhe ishte dërguar nga banda e Habilaj me mjete lundrues gjatë muajit shtator. Por vijimi i aksionit edhe në territorit shqiptar çoi në zbulimin edhe të 4 tonëve të tjera drogë të magazinuar dhe e gatshme për transport detar, në zonën e Babicës së Vogël në qytetit e Vlorës. Por ky aksion diskret, solli edhe përplasjen ndërmjet policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku deri në momentin e kryerjes së operacionit, uniformat blu u mbajtën larg nga frika e donkonsperimit.

Gjithashtu, ABC News ka mësuar në dosjen e cila mbahet sekret nga organi qendror i akuzës se, gjatë vitit 2014-2015, grupi kriminal i Habilajve ka dërguar në Itali ngarkesa me drogë edhe në rrugë ajrore, konkretisht në zonën e Akrenisë, po në Vlorë. Për këtë aktivitet kriminal, Prokuroria e krimeve të rënda në bashkëpunim me homologët e Katanias, të cilët kanë kryer përgjimet edhe në territorin Shqiptar, prangosjen e Deputetit Saimir Tahiri. Emri i ish-ministrit të Brendshëm ka dalë gjatë biseda me anëtarët grupit si edhe i ka ndihmuar këta të fundit të jenë të paprekshëm në qarkun e Vlorës. Aktualisht fati i deputetit Tahiri mbetet në dorën e ligjvënësve nëse do t’ia heqin apo jo mandatin e deputetit. Prokuroria kërkon burgosjen e Tahirit, pasi ai akuzohet për “trafik të narkotikëve e kryer në grupin e strukturuar kriminal” dhe “korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë”.

Ekskluzive e voal.ch Dritan Zagani i përgjigjet Saimir Tahirit: Mos shpif, isha i pastrehë dhe nuk disponoj asnjë pronë në Orikum!

Lidhur me shpifjen e fundit te z.Tahiri se une kam bere deklarimet e mia si i shitur per nje cope toke nga politika e djathte qe qeveriste deri dje, ndjehem vertete i zhgenjyer nga ish ministri im, sepse edhe pse e di mire qe eshte nje njeri i lidhur koke e kembe me trafikun e droges, perseri e mendoja nje njeri me te zgjuar nga ana juridike si jurist qe e pretendon veten.

Edhe pse eshte jurist me shkollë nate, perseri eshte e pafalshme per nje te tille qe te mos kuptoje efektin e dokumentave qe provojne komplet te kunderten e asaj qe shpif, dhe kjo ne daç ne aspektin kohor se kujt kohe i perkasin keto fakte (dokumenta shteterore dhe jo partiake si ato që ai i paraqet),ashtu edhe sa i perket faktit se ato dokumenta demostrojne qarte, kuptueshem edhe per nje jurist i kalibrit te tij se ajo qe ai pretendon nuk eshte as me pak e as me shum se shpifja e tij e radhes ne perpjekje per te mbuluar zullumet qe ai dhe shefi i tij Rama kane bere keto kater vite pushtet se bashku, duke kriminalizuar shoqerine shqiptare deri ne qelize me politiken e tyre te droges, deri sa arriten te na vene emrin e ri “Kolumbia e Ballkanit”.

Pra se pari, une ju them per gjithe skeptiket qe me mendojne akoma ashtu sikur Tahiri shpif (flas per pjesen e shendoshe te bashkeatdhetareve te mi, jo per ata milatante qe nuk duan as uje e bukë para partise dhe droges se rilindjes) qe une disponoj te gjithe dokumentacionin e nevojshem ligjor te shtetit shqiptar dhe jo te partise dje apo sot, qe ajo cope toke e dhene me VKM nr 159,date 13/06/2013 (lehtesisht e verifikueshme ne internet nga kushdo), provon te kunderten e asaj qe Tahiri pretendon, sepse aty nuk ka nje dhuratë per mua personalisht, por ka nje vendim te qeverise te shtetit shqiptar per nje numer te caktuar punonjesish te shtetit qe perfitojne objekte apo terrene edifikabile, per arsye te të qenit te pastrehe dhe si funksionare te shtetit ne baze te ligjit gezojne te drejten e pasjes banese per familjet e tyre. Pra i nderuari Tahiri ne asnje moment kur shpif nuk ben prezent faktin e vertete qe ajo nuk eshte asgje me shumë se nje vendim qeverie i bazuar ne ligj per shume punonjes shteti si puna ime, biles edhe ne ate terren ku figuron emri im, qe eshte rreth nje mije meter katror, une nuk jam i vetem si perfitues, por jam me nje koleg te nderuar timin qe per ironi te fatit eshte edhe patriot i Tahirit qe ai rastesisht as e ka vene re qe ta publikoi, dhe as qe e thote se ne ate VKM eshte nje liste me objekte apo terrene e shtrire ne gjithe teritorin e vendit,ku ka perfitues punonjes te pa strehe si puna ime nga e gjithe vendi,qe nga Korça, Tirana Durresi Vlora etj.

Se dyti per ta iluminuar pak z.Tahiri dhe ata qe i besojne verberisht, jo per ata qe duan ta besojne si militante,une dhe kolegu im patriot i Sajes jemi te vetmit nga ajo liste perfituese sipas VKM-se akoma dhe sot nuk jemi perfitues real sipas ligjeve te shtetit dhe kjo sepse pas marrjes se vendimit qe na njeh ne si pronare sipas VKM-se ne ju drejtuam zyres se regjistrimit te pasurise Vlore, ashtu se dhe ligja e parashikon, por aty kemi marre nje pergjigje te çuditshme ku ai terren figuronte i regjistruar si prone ne emer te nje tjeter shtetasi shqiptar qe pas verifikimeve tona rezultonte i vdekur dhe me pas ca trashegimtare te tij e e kishin kaluar mbi pronesi si trashegimi( kete e provojne shumë qarte dokumentat qe une disponoj). Dhe ne keto kushte ne si perfitues nga ligji ne bashkepunim me zyren e regjistrimit te pasurive na lindi e drejta te bejme nje padi prane gjykates se shkalles se pare Vlore,per keta persona qe kishin pervetesuar toka shteterore ne menyre të paligjeshme, dhe ashtu u be ne fillim, ne me ane te nje avokati te pajtuar privatisht, ne nje kohe qe eshte vete shteti qe duhej ta bente se shtetit i ishin vjedhur pronat me dokumenta false, beme padi ne gjykaten e shkalles pare Vlore, e cila pas disa muajsh gjoja hetime gjyqesore u detyrua ta “ngrije”, ta pushojë çeshtjen sepse zyra e shtetit ne sherbim te qytetareve,pra zyra e regjistrimit te pasurive nuk u paraqit asnjehere te bente detyren ligjore qe ka dhe qe paguhet nga taksat e shqiptareve ne seancat ligjore per kete qellim, dhe kjo e gjitha pas prononcimit tim publik lidhur me faktet e implikimit te shtetit e ministrit Tahiri me trafikantet e droges, pra me pak fjale une isha shpallur armiku i partise shtet dhe ne keto kushte shteti ne asnje menyre nuk duhet te zbatonte ligjet e tij per mua “armikun e popullit”, pra si rezultat i kesaj sot e kesaj dite une nuk jam pronar i ligjshem i asaj toke qe Saja thote per kete qe ju thashe me lart, duke demtuar pa te drejte dhe kolegun tim te nderuar oficer policie dhe nga me te nderuarit ne drejtorine e Policise Vlore qe akoma edhe sot jeton ne banese me qera sepse nuk ka mundur te marre te drejten qe shteti i tija dhe i imi e ka vendosur me ligje.

Per gjitha sa po them jane dokumentat autentike ne zyren e avokatit tone te nderuar prane gjykates se shkalles se pare Vlore, si dhe une disponoj kopiet e tyre.

Ky eshte realiteti dhe i provuar me dokumenta autentike ligjore, ndaj dhe une i perseris Saimir Tahirit shprehjet brilante qe ai i ka aq per zemer se “Nuk ke pare asgje akoma”,,,si dhe “SUKSESE NE JETE “.

 

Me respekt per kedo qe ka sy e veshe te kuptoje te verteten Dritan Zagani.

Date 22/10/2017

Dokumentat i disponon edhe redaksia e voal.ch

Prokurori që arrestoi Nanon: Ku gabuan kolegët e mi për Tahirin

Kërkesa e prokurorisë për t’i hequr imunitetin e deputetit Saimir Tahirit, ka hapur mjaft debat ditët e fundit në politikën shqiptare.

Prej dy ditësh Këshilli i Mandateve është mbërthyer nga diskutimet e replikat dhe prokuroria është akuzuar se nuk paraqiti prova të forta në ngarkim të ish-ministrit.

Kjo çështje ka shkaktuar interpretime nga më të ndryshmet në radhët e ekspertëve.

Por një emër që është i njohur në hetimin e zyrtarëve të lartë është Fatos Dervishi. Bëhet fjalë për prokurorin që arrestoi Fatos Nanon dhe bashkë me të mjaft personalitete të politikë shqiptare të pas viteve ’90. Në një prononcim për gazetën “SOT”, ai ka folur mbi rrugën që do të duhej të kishte ndjekur prokuroria në rastin e Tahirit.

Sipas Dervishit, gjëja e parë që duhej të kishte bërë organi i akuzës, është të kishte kërkuar një komision të përbashkët me autoritetet italiane, për të siguruar të dhëna dhe dëshmi të plota për këtë rast.

Unë urgjentisht do t’i kisha kërkuar Prokurorisë Kombëtare të Antimafias në Itali që të zhvillohej pa humbur kohë një komision rogatuar midis Prokurorive respektive, ku nga ana e Prokurorisë shqiptare të dërgoheshin pyetjet e detajuara për të gjithë të arrestuarit dhe të gjithë personave që kanë dijeni për veprimtarinë kriminale të këtij grupi dhe në të njëjtën kohë do t’i kisha kërkuar Gjykatës së Apelit të Katanias që të më autorizonte dhe të mundësonte marrjen në pyetje dhe marrjen e të gjithë materialit hetimor të kryer dhe administruar së bashku me evidencat përkatëse, përgjimet dëshmitë, fotografitë, videot etj. Unë vetë kam kryer 4 komisione të tilla, të cilat kanë rezultuar të suksesshme”, tha ai.

Një tjetër debat ka hapur dhe shkresa që prokuroria ka dërguar në Kuvend. Ajo është vetëm 4 faqe, ndërkohë që janë paraqitur dhe disa prova të tjera, por asnjë provë e drejtpërdrejtë kundër ish-ministrit.

Për zotin Dervishi, prokuroria duhej t’i kishte kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit për të hapur më tej hetimet.

Shkresa që prokuroria ka dërguar në Kuvend ishte e nxituar. Nuk duhej që t’i kërkonte Kuvendit autorizim për arrestim. Kuvendit duhej t’i kërkohej të heqë imunitetin dhe të hapë rrugë për hetime të mëtejshme. Nxitimi tjetër është që prokurorët vajtën shumë shpejt në Kuvend.

Më datë 17 regjistruan procedimin penal dhe menjëherë i bënë kërkesë Kuvendit. Kur shumë mirë mund të prisnin të siguronin të gjitha provat e nevojshme. Kërkesa në Kuvend duhej të kishte prova bindëse”, tha ai. Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve pati debat dhe mbi deklaratat e prokurove, të cilët thanë se hetimet nisën pas shkrimeve në gazeta.

Për Dervishin, mund të nisen hetime të tilla, por gjithmonë duhet të hetohet për të siguruar prova të tjera. “Në çdo vend të botës nisin hetime mbi bazë të artikujve në media. Kjo nuk ka asgjë të keqe. Por ajo duhet të jetë indicie, pastaj ti si prokuror duhet të hetosh dhe të sigurosh provat e nevojshme.

Prokuroria shumë lehtë duhej të priste të vinte dosja nga Italia, ta përkthente dhe të paraqiste të gjithë elementët që implikojnë ish-ministrin”, tha ai.

Aktualisht prokuroria është në pritje të përgjigjeve nga Italia, për të sjellë të tjera prova mbi bandën e Habilajve dhe ish-ministrin Tahiri.

Nga skafi te makinat dhe bizneset, gjithë pasuria që iu sekuestrohet vëllezërve Habilaj në Vlorë

Pasuria e vëllezërve Florian Habilaj dhe Moisi Habilaj do të sekuestrohet, nisur nga dyshimet se ajo rrjedh nga veprimtaria e tyre kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike. Pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Katanias në Itali për grupin e drejtuar nga dy vëllezërit, Policia e Vlorës dhe Prokuroria për Krimet e Rënda kanë bllokuar tri biznese, pesë automjete, si dhe një mjet lundrues që rezultojnë në emër të tyre.

Bëhet fjalë për një lokal në qendër të qytetit të Vlorës, si dhe një aktivitet për import produktesh ushqimore, ndërsa biznesi i tretë ende nuk bëhet i ditur. Pas vënies në sekuestro të pasurive të paluajtshme të Habilajve, autoritetet kanë kërkuar dhe bllokimin e llogarive bankare për dy vëllezërit.

Në një dalje për mediat, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Gentian Shehaj, u shpreh se operacioni “Banda e Babicës”, i mbështetur nga reparti “Delta Forcë” dhe që çoi në sekuestrimin e rreth 4 tonëve lëndë narkotike në fshatin Babicë dhe arrestimin e shtetasit Armando Kaçerri, por edhe sekuestrimin e një mjeti lundrues dhe mjeteve luftarake në banesën ku u sekuestrua lënda narkotike, ende nuk ka përfunduar.

Po gjatë këtij operacioni u bë arrestimi i Nazer Seitit në fshatin Velçë, i kërkuar nga Italia, por edhe i implikuar në grupin e vëllezërve Habilaj në trafikimin e lëndëve narkotike dhe veprimtari të tjera kriminale, sipas Policisë.

“Policia ka vijuar kontrollet në disa objekte dhe prona në pronësi të vëllezërve Habilaj, për kapjen e personave të tjerë, pjesëtarë të kësaj bande, por edhe sekuestrimin e lëndës narkotike, pasi kemi pasur dyshimet tona se në këto objekte mund të kishte sasi të lëndës narkotike të fshehur.

Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka vijuar punën edhe për identifikimin e aseteve dhe pasurive që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale, ndërsa ka referuar në Prokurori materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj për veprën penale ‘pastrim i produkteve të veprës penale’ për tri aktivitete biznesi të dyshuara se janë në pronësi të Habiljave, 5 automjete dhe një mjet lundrues”, u shpreh Shehaj.

Pas sekuestrimit të pronave të paluajtshme dhe automjeteve, kreu i Policisë së Vlorës deklaroi se është kërkuar nga organet përkatëse evidentimi dhe bllokimi i llogarive bankare të këtij grupi kriminal.

“Në lidhje me aktivitetin kriminal të këtij grupi, ta theksojmë edhe një herë se Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, më datë 30 prill të vitit 2017, ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materialet procedurale për grupin kriminal të njohur si ‘Habilaj’, pas informacioneve të siguruara për aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të narkotikeve”, ka theksuar drejtori i Policisë së qarkut Vlorë.

Ndërkohë aksioni i Policisë vijon, dhe në mbështetje të tyre tashmë janë edhe forcat e FNSH-së Fier, ku pas një kontrolli të ushtruar në qytet është arrestuar një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Bëhet fjalë për Fredi Hoxhajn, 42 vjeç, nga fshati Romës në bashkinë e Selenicës. 42-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Catanzaros në Itali, për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni” dhe “pjesë- marrje në organizata kriminale”.

Aksioni do të vijojë edhe në ditët e ardhshme në të gjithë qarkun e Vlorës, ndërsa në fokus janë edhe akset rrugore dhe lokalet e natës, me shërbime të përforcuara në Vlorë. Pikërisht gjatë kontrollit në një lokal nate, është arrestuar në flagrancë Musto Kapaj, 26 vjeç, banues në fshatin Gjorm, pasi dispononte një armë të ftohtë, thikë.

Gjatë këtyre ditëve, Vlora ka qenë thuajse nën shtetrrethim me forca të shumta policie, ndërsa mësohet se megaoperacioni i nisur prej disa ditësh, do të vijojë në qytetin bregdetar dhe fshatrat e lumit të Vlorës.

Tri provat sekrete kundër Tahirit, 1800 faqe përgjime të reja dhe dhurata 15 mijë € për ish-ministrin

Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, dhe dy prokurorët, Elisabeta Imeraj dhe Gentian Osmani, u paraqitën mëngjesin e të shtunës në Kuvend me dëshmi të reja, që sipas tyre, do të shërbenin për t’i hequr imunitetin deputetit Saimir Tahiri.

Në nisje të seancës së dytë të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, prokurori Besim Hajdarmataj i kërkoi kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të zhvillonte seancë pa media dhe pa praninë e deputetit Saimir Tahiri për të paraqitur prova te reja, që vërtetojnë implikimin e ministrit për akuzën e “trafikut të narkotikëve” në bashkëpunim me vëllezërit Habilaj.

Burime tepër konfidenciale nga mbledhja me dyer të mbyllura e zhvilluar në Kuvend pohojnë për “Panorama” se, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë deklaruar se nga institucionet e drejtësisë italiane ka mbërritur në Shqipëri një dosje e plotë me 1800 faqe, në të cilën, sipas prokurorëve, vërtetohet edhe më qartë lidhja dhe implikimi ish-ministrit Tahirit me vëllezërit Habilaj.

Sipas të njëjtave burime, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë konfirmuar se nga dosja voluminoze prej 1800 faqëshe është një tjetër fakt që dëshmon se makina “AUDI” e ish-ministrit Tahiri me targa AA 003 GB, mund të jetë përdorur për trafik të lëndëve narkotike.

Nga përgjimet ambientale që i janë bërë dy trafikantëve, është konstatuar se ata i kanë paguar shuma të mëdha vëllezërve Habilaj që të përdornin në disa raste “Audi”-n me targa AA 003 GB, pasi ai ishte në emër të ish-ministrit Tahiri dhe nuk ndalohej nga autoritetet.

Gjithashtu, në përgjimet e administruara tashmë edhe nga Prokurorët e Krimeve të Rënda, flitet edhe për një dhuratë që i është bërë shtetasit me emrin Saimir, (për të cilin Prokuroria pretendon se është ish-ministri Saimir Tahiri) një varëse me vlerë 15 mijë euro, prej diamanti dhe kostume të shtrenjta.

JUXHIN MUSTAFARAJ/PANORAMA

Çfarë tregoi mikesha e Habilajt – Oficerja disa herë në Greqi me kreun e bandës, bisedat për…

Një oficere policie është kthyer “Thembra e Akilit” për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka përdorur dëshminë e kësaj punonjëse policie, për të kërkuar heqjen e imunitetit të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe arrestimin e tij për akuzën e “Trafikut të drogës” dhe “Korrupsionit pasiv”.

Gjatë hetimeve të kryera, prokuroria e Krimeve të Rënda ka mësuar në përgjimet e bisedave të anëtarëve të grupit, se kjo oficere ka qënë mike e kreut të grupit kriminal, Moisi Habilaj, i arrestuar pak ditë më parë nga prokuroria e Katanias.

Nisur nga këto të dhëna, prokuroria ka shoqëruar pak ditë më parë këtë punonjëse police, duke i administruar dëshminë e saj në dosje. Oficerja, ka treguar se mes saj dhe Moisi Habilaj ka pasur një miqësi, dhe se gjatë kohës që kanë qëndruar bashkë, Habilaj i ka thënë se është kushëri i Saimir Tahirit, ministrit të Brendshëm.

Sipas saj, kjo bisedë është bërë në një Bar-Kafe në qytetin e Vlorës, ku Moisiu i ka pohuar se kishte siguri në këtë punë, pasi ishte kushëri i Tahirit. Në rrëfimin që ka dhënë para prokurorëve oficerja ka kërkuar garantimin e mbrojtjes fizike dhe jetës së familjarëve të saj, ndërkohë që ka shtuar se në diskutimet që ka bërë me Habilaj, ky i fundit i kishte premtuar se do ndërhynte lart për ta ngritur në gradë dhe për ta emëruar në një pozicion më të mirë punë në polici.

Në një farë mënyre kjo oficere ishte kthyer dhe si informatore e Habiljat dhe zbulimi i saj, ka bërë që ajo të bashkëpunojë me prokurorinë. Pasi ajo ka shumë gjasa që të jetë në listën e oficerëve të policisë në Vlorë, që mund të arrestohen në periudhën në vijim. Duket se për ti shpëtuar prangave të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, oficerja ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar atë që dinte rreth lëvizjeve të grupit që drejtohej me Habilaj, policët e implikuar me këtë grup dhe bisedat e ndryshme që ka bërë Habilaj me këtë punonjëse policie gjatë kohës kur kanë qëndruar së bashku.

Burime pranë “Shqiptarja.com” thanë se kjo oficere kishte udhëtuar disa herë në Greqi me Moisi Habilaj, por sipas saj këto udhëtime kanë qënë për disa probleme personale dhe dijeninë e saj, nuk bëhej fjalë për trafik droge. Dëshmia e kësaj oficereje tashmë është administruar në dosjen e prokurorisë, ndërkohë që kjo shtetase është marrë në mbrojtje nga prokuroria. Vetë prokurorët e Krimeve të Rënda deklaruar në Këshillin e Kuvendit se disponojnë dëshminë e një efektiveje, e cila është mikeshë e ngushtë e Moisi Habilajt. Efektivja ka dëshmuar përpara prokurorëve të krimeve të rënda se Moisiu i ka pohuar se ka kushëri Tahirin. Prokurorët thanë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit se kjo është një tjetër provë që lidh Tahirin me Habilajt.

Dalja në skenë e kësaj dëshmie është kthyer “Thembra e Akilit” për çështjen e arrestimit ose jo të ish-ministrit të Brendshëm. Prokurorët kanë këmbëngulur se dëshmia e efektives është në unison dhe gjen mbështetje nga provat e tjera indirekte kundër ish-ministrit Saimir Tahiri. Burimet nga mbledhja e Këshillit të Mandateve i pohuan Report Tv se edhe kjo provë e re e paraqitur nga prokurorët e Krimeve të Rënda nuk ka qenë bindëse për anëtarët socialistë të këtij këshilli, pasi nuk përbën asnjë lidhje të drejtpërdrejtë mes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe Moisi Habilajt.

Përgjimet e reja të dosjes Habilaj: 50 copë i merr Saimiri, tani shkojmë të marrim një 15-she

Dy ditë më parë u arrestua në fshatin Babicë për llogari të drejtësisë italiane shtetasi Nezar Seiti, i cili dyshohet se është i përfshirë në trafikun e narkotikëve të Habilajve.

 

Seiti u arrestua në operacionin që u finalizua me kapjen e 4 tonëve hashash. Por cili është Nezar Seiti?

Ai përmendet dhe ka qenë subjekt nën përgjim i Prokurorisë së Katanias për çështjen e trafikut të drogës. Në dosjen voluminoze, Seiti përmendet si një ndër dy bashkëpunëtorët e ngushtë të Moisi Habilajt, i arrestuar nga autoritetet italiane. Bashkëpunëtori tjetër i ngushtë mësohet të jetë, sipas hetuesve italianë, Miridian Sulaj.

Sulaj dhe Seiti ishin në krye të transfertave që kryheshin nga Shqipëria në Itali, edhe për llogari të Angelo Busacca-s”, shkruhet në faqen 342 të dokumentit të dalë nga Prokuroria e Katanias. Në një bisedë me Sulajn, Seiti thotë se “nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit”. Bëhet fjalë për një bisedë të regjistruar në janar të vitit 2017. Materiali ka plot biseda mes tij dhe Moisi Habilajt, të regjistruara kryesisht në një automjet me të cilin lëviznin.

Pergjimi

Në një përgjim të datës 25 janar 2017, Miridiani dhe Nezari flasin për një transaksion dhe përmendet edhe emri i një personi Saimir, që do të merrte një pjesë të mirë të “mallit”.

Nezari: Dje i shkrova Lolos (Florian Habilajt)… më tha 20 copë…30 i bëra unë me Moisun…dhe 20 ti, pastaj Agroni 100. Unë e pyeta “ku do ta çosh?!”…”te Saimiri”…dhe unë aty i thashë: “Jo vlla, jo, nuk marr unë 150 euro për 20 euro, çfarë po thua?”. 50 copë i merr Saimiri, tani do të shkojnë të marrin një 15-she. Unë i thashë se nuk marr 150 mijë euro për 50 copë që kemi ne, nuk jam çmendur./Panorama

Muzikë greke në makinë, Habilaj vishej te ‘Hugo Boss’: Vetëm çorapet i bleva 320 euro

Qarkullonin shumë para në duar dhe visheshin mirë. Një nga përgjimet po në makinën e Habilajt, mes Moisi Habilaj dhe anëtarit të bandës së tij të trafikut Eneo Sulaj nxjerr në dritë disa nga shpenzimet që ata bënin për veshje.

 

Përgjim i datës 10.1.2014

Dëgjohet të hapet dera e makinës. Moisi Habilaj dhe Eneo Sulaj futen brenda, në radion e makinës dëgjohet muzikë greke.

Të dy komentojnë veshjet që sapo blenë të Hugo Boss. Moisi thotë se ka shpenzuar 1 mijë euro dhe vetëm corapet i ka blerë 320 euro.

Më pas Moisi komenton njerëzit në lagjen ku po kalojnë, që shohin në një mënyrë të çuditshme.

Moisi: Vëlla, ai më parë ishte një person që shiste fruta, e poshtë frutave kishte 3 kallashnikovë, 10 pistoleta, bomba dore dhe të tjera…

Eneo: I shiste, apo…

Moisi: jo, i mbante atje, ishte bandit, ai ishte ta coje në të sëmës, profesion kishin grabitjet, bankat…

moisi2

Çështja Tahiri, Këshilli mblidhet sërish nesër

Në Shqipëri prokuroria tha sot se kishte dyshime të arsyeshme që ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i përfshirë në aktivitetin e trafikut të drogës duke i dhënë mbështetje grupit të Habilajve, i cili i godit fillimisht pak ditë më parë në Itali. Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të parlamentit, prokuroria, paraqiti në një seancë me dyer të mbyllura prova shtesë që sipas saj ishin në favor të kërkesës për arrestimin e zotit Tahiri. Ndërkohë gjatë mbledhjes ajo ndryshoi versionin për udhëtimet e zotit Tahiri me automjetin që më parë ja kishte shitur njërit prej vëllezërve Habilaj. Seanca do të vijojë nesër me mbrojtjen e ish ministrit të Brendshëm.

Në hyrje të mbledhjes së sotme prokuroria kërkoi që diskutimet të zhvilloheshin me dyer të mbyllura për shkak të disa të dhënave që sipas drejtuesit të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj, përbënin sekret hetimor. Por deputetë të të dy krahëve kërkuan që fillimisht të paraqitej pjesa që mund të bëhej publike.

Duke argumentuar kërkesën për arrestimin e ish ministrit Tahiri, zoti Hajdarmataj tha se ajo erdhi pas gërshetimit të informacioneve mes hetimeve të nisura më parë nga Prokuroria ndaj grupit të Habilajve në Shqipëri dhe atyre që dolën nga hetimet në Itali që cuan në arrestimin e Moisi Habilajt dhe shpalljen në kërkim të vëllait tjetër Florian Habilaj, të cilët rezultojnë të jenë dhe kushërinj të zotit Tahiri: “Regjistrimi i procedimit, është bashkuar me dy procedime të tjera që ne i kishim në fazën e hetimit. Dhe duke i bashkuar të gjitha e duke patur parasysh dhe aktet e dala e të bëra publike, një pjesë të marrë tanimë dhe në rrugë zyrtare, ne kemi harmonizuar secilën provë me njëra tjetrën dhe kemi arritur në këtë bindje”.

Sipas drejtuesit të Prokurorisë për Krimet e Rënda, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e ish ministrit në aktivitetin e Habilajve: “Duke qenë se ne kishim paraprakisht të dhëna që këta persona e ushtronin aktivtetin e tyre në qetësi të plotë, ne kemi krijuar dyshimin, që kjo ndihmë, referuar dhe bisedave të përgjuara, në rastin konkret krijohet bindja dhe dyshimi i arsyeshëm që është i përfshirë në këtë aktivitet dhe deputeti Saimir Tahiri”.

Ndër elementët e rinj, të paktën ato të bërë publik, dhe që ishin përfshirë në kërkesën zyrtare drejtuar parlamentit, ishin të dhënat mbi udhëtimet që sipas prokurorisë zoti Tahiri, kishte bërë në verën e 2014, me makinën që e kishte shitur një vit më parë. Prokuroria në kërkesë shprehej se ish ministri kishte udhëtuar katër herë jashtë vendit i shoqëruar nga Artan Habilaj dhe të tjerë. Por duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve, zoti Hajdarmataj ofroi një version të ndryshëm: “Në tre nga udhëtimet pasqyrohet që ka udhëtuar shtetasi Saimir Tahiri. Në një nga udhëtimet, në kohën që shtetasi Saimir Tahiri ishte në Greqi, Artan Habilaj udhëton për në Greqi, dhe në kthim kthehet me këtë automjet vetë personalisht shtetasi Saimir Tahiri”.

Nga ana e tij zoti Tahiri në pyetjet drejtuar prokurorëve u kujtoi atyre se e njëjta prokurori ka hetuar me kërkesë të tij në vitin 2015, akuzat e bëra nga ish zyrtari i Policisë Dritan Zagani lidhur pikërisht me përfshirjen e automjetit të tij në trafik droge, dhe Iprokuroria i ka vlerësuar ato të pabaza: “Në asnjë informacion të përpiluar prej vetë shtetasit Dritan Zagani, apo bërë me dije në formë verbale eprorëve të tij, nuk përmendet automjeti me targë AA 003 GB sit ë jetë përfshirë në veprimtari kriminale të trafikimit të lendëve narkotike”, tha zoti Tahiri duke lexuar vendimin e Prokurorisë për pushimin e çështjes.

Seanca u ndërpre më pas në mënyrë që prokuroria të paraqite provat dhe faktet që ajo i konsideronte sekrete. Me rifillimin e seancës avokati i zotit Tahiri kërkoi tre ditë kohë meqënëse sipas tij Prokuroria kishte paraqitur argumenta shtesë. Përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan. “Ka një kërkesë për shtyrje. Ju thoni se nuk kemi ngut. Jo, jo, ne kemi ngut. Se vetë kërkesa e prokurorisë përmban ngutin brenda. Sepse nëse mbani mend, ishte një nga pyetjet që ne u drejtuam: Keni frikë se prishen provat, keni frikë se mund të ikë, keni frikë se mund të kryejë sërish verpa të tilla penale? Po kemi frikë. Dhe ky është nguti”, u shpreh deputeti Enkelejd Alibeaj.

Me vendim të kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi seanca për dëgjimin e zotit Tahiri do të zhvillohet nesër paradite.

Nis mbledhja “sekrete”, merret vendimi i papritur për Tahirin

Pas një pushimi disaminutësh, ka nisur sërish mbledhja e Këshillit të Mandateve ku pas diskutimeve pritet të vendoset nëse do t’i hiqet apo jo imuniteti deputetit të Partisë Socialiste Saimir Tahiri.

Pas 3 orë zhvillimesh prej orës 11.00, në këtë rinisje të dytë, mbledhja do të zhvillohet pa praninë e mediave. Kjo për shkak se tre prokurorët e Krimeve të Rënda do të paraqesin fakte dhe prova të cilat konsiderohen sekret hetimor dhe që deputetët e Këshillit do të firmosin për të mos nxjerrë  asnjë informacion jashtë kësaj mbledhje. Në fakt kjo ishte një kërkesë që prokurorët bënë që në nisje të seancës, pra mbajtjen e mbledhjes me dyer të mbyllura për shkak të peshës së informacioneve, por deputetët vendosën ndryshe. Një vendim i gabuar pasi vetë ata nisën të kërkonin me ngulm prova, për të cilat prokurorët s’mund të flisnin në prani të gazetarëve.

Prokuroria për Krime të Rënda e kryesuar nga Besim Hajdarmataj e akuzon Saimir Tahirin për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim me grupin e Habiljave, disa prej të cilëve të arrestuar në Itali, bashkë me kapon e bandës, Moisi Habilaj, kushëri me Tahirin.

Ndërsa në mbledhjen e hapur Tahiri ishte vetë prezent dhe ju drejtua me disa pyetje prokurorëve, në kushtet kur do të paraqiten provat sekrete, ai nuk është më i pranishëm, për vetë faktin se ndaj tij prokuroria ka nisur procedim penal më 17.10.207, dhe si i tillë nuk ka të drejtë të mësojë për faktet sekrete që disponohen kundër tij.

Saimir Tahiri përfaqësohet nga avokati Artan Hajdari.

Seanca ndaj Tahiri ndërpritet, por shikoni çfarë postoi Rama

Fill pas pushimit të seancës ku do të vendoset për fatin e Saimir Tahirit, ka reaguar përmes një statusi kryeministri Edi Rama.

Ashtu siç deputetët socialistë mbrojtën Tahirin në seancën e Këshillit të Mandateve, kryeministri ka bërë një kthesë 180 gradë, duke i cilësuar deklaratat e prokurorisë si një muhabet pazari i cili sipas tij ka nisur 72 orë më parë nga “kazanët” e krimit, politikës e medias.

Ashtu si edhe deputetët socialistë, të cilët gjatë 3 orëve të seancës kanë aluduar se prokuroria nuk ka prova konkrete, edhe kryeministri e ka shprehur hapur se është në pritje të tyre.

“Deri këtu muhabet pazari nga 72orë çorbë në kazanet e krimit politikës medias! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi PROVAT”-shkruan Rama në rrjetin social.

Zbulohet dokumenti: Mevlan Habilaj rekomandoi anëtar partie babain e Saimir Tahirit

Kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në Partinë Demokratike, Kreshnik Çollaku, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, në një kohë që ka lumë akuzash ndaj ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të skandalit të përgjimeve për bandën e Moisi Habilajt në Itali dhe implikimi në to të Tahirit, ka nxjerrë sot një dokument të Arkivit Qendror të PPSh, në fund të viteve ’70.

Pikërisht në këtë dokument, që daton më 10 janar të ’77-ës thuhet se Mevlan Habilaj rekomandon për antar partie shokun Bashkim Tahiri (ati i Saimirit, MInistër i Brendshëm 2013-2017.

Emri i Tahirit po lakohet shumë së fundmi, për lidhjet me Habilajt. Ndonëse në një deklaratë për shtyp dje, ai bëri të ditur  se ka përgjegjësi vetëm morale në këtë histori, dhe se ka gabuar që i ka shitur makinën pa i verifikuar kushërinjve të tij të 10.

Në dosjen hetimore të italianëve për trafikun e drogës të Habilajt dhe 10 të arrestuarve të tjerë, zbardhen përgjime telefonike dhe ambientale ku përmendet emri i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

POSTIMI I PLOTË

Habilaj-Tahiri

Sipas dokumentave të Arkivit Qendror të PPSh në fund të v. 1970 shoku Mevlan Habilaj rekomandon për antar partie shokun Bashkim Tahiri (ati i Saimirit, MInistër i Brendshëm 2013-2017…

Dosja italiane mbërriti që në maj në Tiranë: Përmban edhe shumë emra zyrtarësh me imunitet

Gazeta Shekulli shkruan këtë të mërkurë se italianët kanë sjellë në Shqipëri një dosje voluminoze hetimore sa i përket trafikut të drogës në vendin tonë, dosje në të cilën përmendet jo vetëm Mois Habilaj, por edhe një sërë zyrtarësh me imunitet jo vetëm në radhët e policisë.

 

Rreth katër muaj më parë, më saktë diku para zgjedhjeve, ose në ditët e fundit të fushatës, në drejtim të drejtësisë shqiptare, e cila për pak ditë kishte kaluar në duart e ca të djathtëve që solli marrëveshje e 18 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, vjen një material voluminoz. Bëhet fjalë për një dosje të madhe me hetime dhe përgjime. Janë disa prokurorë që kanë marrë përsipër hetimin, ndërsa brenda saj gjendeshin emrat e Habiljave, ushtarëve të tij dhe një sërë personash të tjerë.

Janë burime të besueshme hetimore, të cilat saktësojnë se në këtë material hetimor, janë shumë emra të cilët janë përfolur në lidhje me drogën dhe që kanë shërbyer në radhët e policisë, por sipas të dhënave për arsye hetimore janë mbajtur sekret dhe do vijohet të mbahet sekret edhe për pak ditë, derisa prokurorët që kanë marrë përsipër hetimin të lëshojnë edhe urdhër-arrestet e shumta që dalin nga ajo dosje e italianë.

Pra gjithçka ka nisur nga raport i Guardia Di Finanzes për drogën, ku thuhej se u asgjësua mbi 99.8 përqind e drogës në Shqipëri!  Shekulli shkruan se ka pasur një manipulim nga ana e policisë shqiptare, pasi i janë dhënë homologëve italianë koordinata të gabuara për të bërë kontrollet nga ajri për parcela me drogë. Kështu, autoritetet italiane nuk mundën të bënin saktësisht monitorimin për shkak të koordinatave të gabuara që iu dhanë homologët shqiptar. Ky të paktën është përfundimi i hetimit tonë, në duart e të cilit tashmë është fati i një dritë-hije të gjatë të një kriminalizimi masiv të strukturave tona të policisë!

Guardia di Finanza kërkoi ndihmë nga prokuroritë e zonave që ishin më pranë brigjeve në Shqipëri duke bërë të mundur kështu mbledhjen e një sërë informacionesh mjaft të rëndësishëm për sa i përket historisë së trafikut të drogës. Në Katania, sigurisht që Antimafia kishte mundur të grumbullonte shumë fashikuj hetimesh dhe përgjimesh, GDF kërkon të dhëna konkrete, atëherë ndërhyhet për të kuptuar fiks se çfarë kishte ndodhur me policinë dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.

Del në skenën hetimore konkretisht emri i Moisi Habilajt, i arrestuar dy ditë më parë në Itali si kreu i bandës së trafikut ndërkombëtar të drogës. Më pas edhe i ish-ministrit të Brendshëm Saimi Tahiri i cili përmendet nga Habilaj në përgjimet që kanë kryer ndër vite autoritetet italiane. Dosjet italiane që janë për trafikun e drogës në vendin tonë kanë emra trafikantësh dhe efektivesh policie e deri tek shefa komisariatesh, nëndrejtorë dhe drejtues të drejtorive në qarqe.

/Marrë me shkurtime nga Gazeta Shekulli

Expres

Fatos Klosi merr në mbrojtje Saimir Tahirin: Pse nuk më bind historia e dosjes italiane

Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi i ftuar në studion e emisionit “Studio e Hapur” në News 24 ka komentuar implikimin e emrit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në bisedat e përgjuara mes dy trafikantëve të drogës në Itali nga autoritetet italiane.

Pas publikimit të të gjitha përgjimeve, Klosi tha se nuk e bind dosja e autoriteteve italiane.

“Për Tahirin është thënë edhe më parë, me thënë të drejtën nuk e kam besuar. Unë e dëgjova sot dhe i besoj më shumë se atyre kriminelëve. Më duket absurde se si policia italiane beson se dy kriminelë kanë folur pa doreza fare. Kriminelë që flasin kaq lirshëm dhe s’ja kanë frikën e përgjimit”,- tha Klosi.

Zëri i Amerikës: Përgjimet, Habilaj përmend disa herë Tahirin

Në Shqipëri publikimi i dosjes së përgjimeve të kryera nga autoritetet italiane të bisedave që anëtarët e organizatës italo-shqiptare që merrej me trafikun e drogës mes dy vendeve, ka thelluar më tej përmasat e çështjes e cila ka përfshirë ish ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri. Moisi Habilaj, njëri prej të arrestuarve, i cili rezulton të ketë një lidhje faresfisnore me zotin Tahiri, e përmend këtë të fundit në disa raste gjatë bisedave të tij. Ndonëse në përgjime përmendet vetëm emri Saimir, hetuesit italianë e identifikojnë atë pikërisht me ish ministrin shqiptar. Në një përmbledhje të përgjimeve të kryera në 16 dhjetor të viti 2013, mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, një tjetër anëtar i organizatës, hetuesit shkruajnë se “të dy flasin për një njeri të pushtetshëm me emrin Sajmir Tahiri (deputet në Shqipëri), njeri politik. Moisiu thotë se “ai ka më shumë se ne”. Sabi i përgjigjet duke thënë se Sajmiri ka vetëm emrin (në sensin e famës dhe pozitës), por nuk beson se ka më shumë para se ata. Moisiu përllogarit se Sajmiri në një muaj ka bërë 5 milion euro. Sabi thotë se ai paratë i lë për fushatën elektorale. Moisiu i thotë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milion në një fushatë”.

Në një bisedë tjetër të së njejtës ditë, përmendet fakti se kanë blerë bizhuteri të shtrenjta disa mijëra eurosh “për gruan dhe nënën e Saimirit”. Ndërsa në përgjimet e datës 2 mars 2014, sërish mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, të dy janë duke bërë llogaritë e shpenzimeve dhe pagesave që duhet të kryejnë, kur thonë mes të tjerash se “30 mijë euro duhet t’ia japin Sajmirit”.

Në një dalje për mediat dje pasdite, ndërsa deklaroi se do të kërkojë nga Prokuroria të hetojë dhe verifikojë gjithshka rreth tij dhe punës së tij, ish ministri u shpreh se “dy kriminelë që janë kushërinj të mij të shkallës së dhjetë, janë arrestuar për trafik droge dhe siç është bërë publike, pa hezituar të përdorin dhe emrin tim. Sigurisht kriminelë që përdorin emra politikanësh dhe ministrash,për tu mburrur me njëri tjetrin në dobi të fitimeve të paligjshme, ka pa fund dhe unë nuk jam as i pari dhe as i fundit”.

Ai mohoi të ketë patur lidhje me Habilajt. “As kam patur dhe as kam asnjë raport, aq më pak të paligjshëm, ndaj nuk kam asnjë përgjegjësi më shumë, prandaj dhe dënoj çdo veprimtari kriminale, të kujtdo, qofshin dhe këta kushërinj të gradës së dhjetë, që s’kanë hezituar të përdorin emrin tim”, u shpreh ish ministri i Brendshëm.

Zoti Tahiri ishte vënë nën akuzë për lidhjet e tij me Habilajt që dy vjet më parë. Ish zyrtari i policisw shqiptare, Dritan Zagani, kishte denoncuar publikisht aktivitetin e tyre të trafikut të lëndëve narkotike, duke hedhur dyshime se mbroheshin nga policia e Vlorës, për shkak të lidhjeve me drejtuesin e asaj kohë të ministrisë së Brendshme. Sipas Zaganit, akuzat e të cilit u hodhën poshtë që atëherë nga ish ministri, Habilajt, lëviznin me një automjet, tip “Audi” i cili ishte i zotit Tahiri. Ky i fundit kishte shpjeguar se ja kishte shitur automjetin Habilajve, ndërkohë që opozita pretendoi se ish ministri kishte udhëtuar me të njejtin automjet dhe pas periudhës në të cilën ai kishte kryer shitjen. Një fakt të tillë më pas e pranoi dhe vëllai i Moisi Habilajt, një ndër të arrestuarit në Itali. Dje zoti Tahiri tha se ndjente përgjegjësi morale “që kam bërë gabimin e madh dhe të vetëm që u kam shitur makinën personale. Nuk duhet të kisha neglizhuar kurrë të verifikoja kujt ja kisha shitur makinën”.

Por sipas ish zyrtarit të policisë shqiptare Zagani, i cili mbrëmë u intervistua nga Zvicra përmes një lidhje me emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan, lidhjet e zotit Tahiri me Habilajt kanë qenë të ngushta dhe se sipas tij ata kanë drekuar disa herë bashkë që përpara marrjes nga ana e tij të postit të ministrit të Brendshëm.

Përgjimet e kryera nga autoritetet italiane dëshmojnë se të paktën në Shqipëri aktiviteti i Habilajve ka vijuar i pa shqetësuar nga policia vendase dhe se ata kanë patur lidhje të forta. I tillë është rasti i bisedës që Moisi Habilaj zhvillon në tetor të 2013 me të vëllanë Florianin, i cili dyshohet se merrej me dërgimin e drogës drejt Italisë. Floriani i tregon në telefon se në Tiranë kishte takuar “shefin e madh” me të cilin kishin biseduar për disa shqetësime që ata kishin patur në aktivitetet e tyre, dhe se ai i kishte thënë të rrinin të qetë.

Opozita në Shqipëri ka ngritur fort zërin lidhur me këtë rast. Partia Demokratike ka kujtuar se ajo ka denoncuar me qindra herë lidhjet e zotit Tahiri me Habilajt, porse kryeministri Edi Rama kishte marrë gjithnjë në mbrojtje ministrin e tij. Por përmes një statusi në Facebook, zoti Rama u shpreh se pavarësisht mbështetjes që i ka dhënë zotit Tahiri “Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet”.

Në mbrëmje kreu demokrat Lulzim Basha u shfaq sërish para mediave duke theksuar se “Edi Rama e shiti Sajmir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij. Sepse, Tahiri ka qënë as me pak as më shumë se ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt, Shullazin dhe banda të tjera mafioze në vend”. Zoti Basha njoftoi se sot “PD do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar. Për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën. Po troket ora e vendimeve të mëdha”.

Qëndrimit të PD-së ju bashkua edhe LSI-ja. “Saimir Tahiri është një nga hallkat që lidh Edi Ramën me krimin por ka edhe shumë hallka të tjera që janë ende aty e që i drejton Edi Rama. Janë hallkat e krimit e trafikantëve por edhe të oligarkëve që me bekimin e Edi Ramës po pastrojnë paratë e krimit të organizuar”, deklaroi në një dalje për mediat kryetarja Monika Kryemadhi e cila tha se mbështet “qëndrimin dhe propozimin e kryetarit të PD,-së Lulzim Basha për tryezë të gjerë politike që do të përgjigjet me një aksion intensive dhe pa kompromis në luftën ndaj bandave dhe krimit në pushtet”. Menjëherë më pas, ajo së bashku me kreun e grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili u takua në selinë e demokratëve me zotin Basha për afër 60 minuta.

Prokurori shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj: S’kam parë askund kaq shumë viktima të drejtësisë sa në Shqipëri

Prokurori shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj rreth drejtësisë në Shqipëri.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është lënë të bjerë shumë poshtë, por duhet të bëhemi bashkë për t’ia dalë.

Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë për publikun shqiptar eksperti i OPDAT për reformën në drejtësi shqiptaro-amerikani Gjon Juncaj në aktivitetin “TED EX Tirana”, me moton: “E vërteta e zhveshur është gjithmonë më e mirë se çdo gënjeshtër e veshur bukur”.

Nëna ime ishte e fiksuar për drejtësinë.

Ajo thoshte se, nëse bën diçka gabim, do të kesh probleme.

Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë njerëz viktima të pafajshëm të lënë të pambrojtur nga sistemi i drejtësisë se sa këtu në Shqipëri.

Jam veçanërisht i turpëruar sepse nuk ka ndershmëri në sistemin e drejtësisë, sepse është lënë të bjerë shumë poshtë”, ka thënë Juncaj.

Megjithatë, këshilltari juridik i Ambasadës amerikane që ka qenë i angazhuar drejtëpërsëdrejti me reformën në drejtësi thotë se ka shpresë, por që në këtë betejë të vështirë duhet të jemi të gjithë bashkë.

Por kam një ndjenjë që dua ta ndaj me ju, ajo është shpresa.

Nuk mund t’ja dalim nëse nuk bëheni të gjithë bashkë.

Duhet të kuptoni një gjë. Ju keni zë. Jeni shumë, ndërsa ata janë pak.

Ka ardhur koha për të ndërtuar një vend për të cilin duhet të jeni krenarë”.

Juristi Juncaj familja e të cilit është me origjinë nga Malësia e Madhe, shpreh shqetësim dhe për largimin e shqiptarëve nga atdheu i tyre.

Dua të jem i ndershëm me ju. Jam i turpëruar për ata njerëz të pafytyrë, që kanë shkaktuar dhembje për njerëzit në disa sektorë, si në kujdesin shëndetësor dhe në atë të edukimit.

Njerëzit kanë nevojë të shkollohen, pavarësisht kush janë”, tha Juncaj, i cili ishte një nga dhjetë folësit e eventit të që përcolli ide dhe mesazhe frymëzuese për publikun duke rrëfyer nga një histori të tyre.

Rama: Saimir Tahiri – person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet

VOAL – Kryeministri Rama, në një postim të sotëm në faqen e tij në facebook, lidhur me regjistrimet e bisedave të grupit mafioz Habilaj, të arrestuar në Itali, kushërinj të Saimir Tahirit, shkruan:

 

DUAM TË VËRTETËN! SA MË PARË!

Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!

Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.

Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.

Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie.

Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!

Athina ankohet për ligjin e pakicave – Bushati: Na e jepni modelin tuaj, mezi presim

Pas “sulmit” diplomatik të Athinës zyrtare një ditë më parë, lidhur me miratimin e ligjit të pakicave kombëtare, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati është përgjigjur duke i kujtuar homologut të tij Kotzias se është kërkuar një model prej tij.

 

 

“Të gjithë kolegëve, qofshin këta fqinj apo jo, përfshirë edhe Greqinë, gjatë këtyre dy viteve e gjysmë punë që është bërë për hartimin e këtij ligji, i kam kërkuar që të na parashtrojnë gjithashtu eksperiencën e vendeve të tyre. Ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për të studiuar çdo lloj modeli për pakicat, duke përfshirë edhe modelin grek, nëse një i tillë ekziston”, ka deklaruar Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare i është përgjigjur dhe presidentit grek, i cili e cilësoi “amatorizëm ndërkombëtar” lëvizjen e Shqipërisë. “Amatorizimi kam frikë se duhet kërkuar nëpër kryeqytetet e vendeve të tjera, por kurrësesi në Shqipëri”, ka thënë Bushati.

Por a i druhet Bushati një vetoje greke?

“Nuk kam asnjë arsye as të mendoj, për asnjë çast, e as të besoi që një shtet, qofte ky edhe fqinji ynë Greqia, do të ishte i intersuar për të vendosur veton ndaj Shqipërisë, sepse e kam thënë dhe do ta them, nuk është as në interesin e Greqisë dhe as të Shqipërisë që të kemi të tilla ngjarje, por politika e megafonit ditën e diel duhet t’ia lërë vendin ditës së punës në marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, ka shtuar Bushati./TCH

Avokati i Popullit denoncoi raste torture nga policia ndaj qytetarëve të arrestuar

Avokati i Popullit kërkoi sot nisjen e hetimeve ndaj një punonjësi të policisë së shtetit për veprën penale të torturës. Sipas të dhënave dhe dëshmive të shqyrtuara nga zyra e Avokatit të Popullit, një qytetar i dënuar me dy vjet burgim për veprën penale të falsifikimit u dërgua me probleme të rënda shëndetësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në masa sigurie. Shtetasi F.B. është mbajtur i lidhur me pranga në krevatin ku vuan sëmundjen, edhe pse ruhet me policë, siç u konstatua nga nga ekspertët e zyrës së Avokatit të Popullit
Sipas dokumentave dhe dëshmive, kjo sjellje ndaj të dënuarit u krye sipas urdhërit të një nënkomisari policie, A.D., i cili injoroi ftesën për të dhënë shpjegime pranë Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit deklaroi se mbajtja e lidhur me pranga e të dënuarve që marrin shërbim shëndetësor konsiderohet një sjellje çnjerëzore dhe element torture, e cila është përjashtuar shprehimisht nga Manuali i “Rregullave dhe Procedurave Standarde për Trajtimin dhe Sigurimin e Personave të Arrestuar dhe Ndaluar në Njësitë Policore”.
Avokati i Popullit kërkoi fillimin e hetimeve penale ndaj punonjësit të policisë për veprën penale të torturës, neni 86 i Kodit Penal, heqjen e prangave dhe mosmbajtjen lidhur pas krevatit gjatë kurimit në QSUT “Nënë Tereza”, si pjesë e respektimit të të drejtave themelore kushtetuese.
“Qytetarë shqiptarë, të cilët vuajnë dënime apo janë të pandehur në gjykata, trajtohen në mënyrë të padenjë e ndonjëherë edhe çnjerëzore nga autoritetet tona të Policisë” – deklaroi Avokati i Popullit.
Sipas tij, policia nuk duhet të përsëritë më shkelje të tilla të të drejtave themelore të shtetasve dhe të njohë sa më parë Manualin e “Rregullave dhe Procedurave Standarde për Trajtimin dhe Sigurimin e Personave të Arrestuar dhe Ndaluar në Njësitë Policore”, i cili është miratuar qysh në vitin 2011 me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Komiteti i Parandalimit tё Torturёs i Kёshillit tё Europёs ёshtё shprehur në disa raste se praktika e mbajtjes sё prangosur nё spital e personave tё burgosur ёshtё njё akt degradues ndaj individёve dhe duhet zëvëndёsuar me masa tё tjera alternative sigurie.


Send this to a friend