VOAL

VOAL

Deputeti i PD-së: Ja ku bashkohen Edi Rama dhe Enver Hoxha

Ditën e djeshme Edi Rama bëri publik emrat e rinj të kabinetit qeveritar në një fjalim që zgjati rreth 120 minuta.

Ai foli edhe sesi do jetë qeveria për 4 vjeçarin e ardhshëm.

Por për deputetin e PD-së, Luçiano Boçi, Rama dje ka folur me termat e ish- diktatorit komunist Enver Hoxha.

Në Asamblenë-Plenium, në fjalën e tij Rama deklaroi:

“Nëse do të rendisja 10 tiparet kryesore që duhet të ketë mandati jonë, duhet të ishte në krye

1. Besnikëria ndaj njerëzve

2. Vullneti (nënkupto disiplina) për të çuar deri në fund reformat”.

Këto ishin dy të parat.

Mjafton një kërkim në Google me fjalët çelës dhe të del përpara një nga kongreset famëkeqe të PPSH, kur “Dulla” rendiste 10 cilësitë e komunistit, po aq sa renditi dhe ky “Tepsia”.

Jo vetëm kaq. Dhe cilësitë janë po ato.

Bëjeni vetë krahasimin.

E njëjta retorikë. I njëjti mentalitet.

Gramozi me Xhafën duken tamam “si qershi mbi tortë”.

Kjo nuk është më koincidencë!!!!!

Dy të parat ndër 10 cilësitë:

1. Anëtarët e Partisë sonë revolucionare duhet të jenë besnikë ndaj mësimeve të marksizëm-leninizmit, ndaj Partisë dhe popullit tonë……2. Komunistët duhet të jenë të pajisur me një disiplinë të çeliktë e të ndërgjegjshme, me një vullnet të hekurt për zbatimin e vijës së Partisë, të ligjeve të shtetit, për respektimin e zakoneve të mira të popuIlit.

Deliranti foli……

Timonieri më i vetmuar se kurrë – Nga Andi BUSHATI

Qeveria e sapo shpallur, më shumë sesa kabineti personal ku Edi Rama mbretëron i vetëm, është një skuadër ku kryeministri ka mbetur fillikat. Atë tashmë nuk ka kush e mbron. Kjo duket qartë si nga emrat e atyre që shkëlqejnë me mungesën e tyre dhe po aq nga ata që nuk bëjnë dot hije mbi postin që kanë marrë.

Po t’i shqyrtojmë me rradhë, në këtë kabinet të ri bie në sy mungesa e njeriut që ngriti “policinë që deshëm”, Sajmir Tahirit dhe atij që firmosi koncesionet e “shëndetësisë falas”, Ilir Beqes. Për fatin e tyre një gjë është e qartë: se nga qeveria nuk i nxorri as urrejtja e shpallur e Ilir Metës, as ashpërsia e çadrës së Lulzim Bashës. Mospërfshirja, tani kur LSI nuk ka më dorë në koalicion dhe kur çadra e dikurshme i ngjan një kështjelle rëre, të bën të mendosh se ajo ka lidhje vetëm me Edi Ramën.

Kryeministri kërkon t’i faturojë ish vartësve të tij, mbushjen e vendit me drogë, kriminalizimin e policisë, dhënien koncesioneve si Check Up, apo sterilizimi, që i rropën shqiptarërt deri në palcë. Rama e di mirë se një pjesë e madhe e publikut është e ndërgjegjshme për këto dështime katastrofale. Dhe tani ai po kërkon të lajë duart duke përpunur mesazhin se, për to, faji ishte i ish vartësve të tij.

Pra, ai po bën me kokën e Beqes dhe Tahirit të njëjtën lojë që bëri me Metën, Idrizin, apo Dulen duke i faturuar atyre dështimet e qeverisjes.

Po të rrëmojmë edhe më thellë në histori do të kuptojmë se kjo është një taktikë e njohur e Edi Ramës.
Edhe kur i doli era milionave që paguheshin për lejet e ndërtimit në bashkinë e Tiranës, ai i shkarkoi një nga një të gjithë zëvendësit, duke u përpjekur të krijojë iluzionin se qenë ata fajtorët e masakrës mbi kryeqytetin.

Në këtë kuptim, fabula e Tahirit sot, nuk është e ndryshme nga ajo e Blendi Gonxhes dje, njësoj si ajo e Ilir Beqes, në qeveri, nuk ndryshon nga ajo e Artan Lames në bashki. Qëllimi është i njëjtë: udhëheqësi nuk ka pasur djeni për mëkatet që kanë bërë ish vartësit e tij.

Në pamje të parë kjo duket si një manovër që të lejon ta kalosh lumin pasi s’ke më nevojë për kalin. Filimisht ajo mund të krijojë imazhin e një lideri të pastër, të tradhëtuar në qëllimet e tij nga ata që ka poshtë vetes.
Por, ky truk momental, vështirë se mund të sigurojë efekt afatgjatë. Sepse personazhe si Tahiri apo Beqja, vërtet i morën mbi supe të gjitha zezonat e qeverisjes së Ramës, por për katër vite me radhë, herë me mashtrime diabolike dhe herë me sinqeritet naiv, ata i vunë gjoksin mëkateve për të cilat akuzoheshin. Ish ministri i brendëshëm, ishte i gatshëm të bënte harakiri, qoftë në parlament, qoftë në studiot televizive, për t’u përballur me ata që e akuzonin. Edhe homologu i tij i shëndetësisë, i vuri gjoksin çdo konçesioni të jashtëligjshëm të dhënë me urdhër të Ramës, dhe u përfshi në beteja epike për të mbrojtur vendimet e shefit të vet.

Mirë apo keq, ky lloj profili që shpërndante përgjegjësinë e qeverisjes do t’i mungojë kabinetit Rama 2.
Dhe këtu vimë te emrat e shpallur të dielën.

Asnjëra nga tre rymat që përbëjnë skuadrën e re nuk mund ta luajë më këtë rrol.

E para është ajo e ish PS-së së Nanos që rikthehet pas kaq kohësh në qeverisje. Por, as Pandeli Majko që ka marrë një post nga ato që Hoxha i jepte baba Fajës apo babë Myslymit, dhe as Fatmir Xhafa, nuk kanë treguar ndonjëherë se janë të gatshëm të riskojnë nga reputacioni i tyre në emër të ekipit. Si dy politikanë të një shkolle tjetër, që kanë ditur t’i rezistojnë shumë tallazeve, ata janë të mbrujtur me besimin se sakrifica e tepruar nuk shpërblehet kurrë në politikë. Nëse ka një kredo me të cilën ata janë futur në këtë kabinet është se nuk duhet të vënë kurrë dorën në zjarr për Edi Ramën.

Pak a shumë i të njëjtit profil është edhe grupimi i dytë i ministrave të katapultuar nga njëra qeveri tek tjetra si Gjiknuri, Ahmetaj dhe Klosi. Gjatë gjithë mandatit të kaluar, kur kulmin e debatit të flaktë e kanë shpenzuar në ndonjë replikë kundër Blushit, ata më shumë janë përpjekur ta mbajnë mirë me Metën dhe të neutralizojnë sulmet e opozitës, sesa të evidentohen si gladiatorë politikë.

Sa për grupimin e tretë, atë të çupulinave që shefin e shohin si princin e kaltër, ndërsa Berishën e njohin si gogolin që po u doli përpara duhet të ndryshojnë rrugën, as që mund të imagjinohet mbajtja e ndonjë peshe politike.

Pikërisht për këto arsye, ndonëse sot duket më i fortë se kurrë, Edi Rama me këtë qeveri, sapo ka hapur siparin e konsumimit të tij të pandalshëm.

Ai bëri një fushatë elektorale duke kërkuar timonin i vetëm dhe mori personalish përsipër mbajtjen e përgjegjësisë për të gjithë qeverisjen. Por këtë të dielë, ai shpalli edhe një kabinet, ku nuk gjendet për be, as edhe një karakter i fortë, as edhe një luftëtar betejash politike, as edhe një anëtar i gatshëm të sakrifikojë nga vetja në emër të të tërës.

Nga sot, ai është komandanti i fuqishëm i një ushtrie pa gjeneralë dhe më i pa mbrojtur se kurrë prej të gjitha shigjetave, goditjeve dhe sulmeve që do t’i vijnë nga të gjitha anët.

Nga sot, ai ka hyrë në fazën e pashmangshme të të gjithë atyre që dëshira e papërballueshme për pushtetin absolut, i bën të krisin themelet që e mbajnë atë në këmbë./Lapsi.al.

Armët drejt Anglisë, Daily Mail: Cullhaj mori urdhër të lëvizte pakon 3 ditë më parë

Autoritetet shqiptare kanë zbuluar një komplot, ku tre pako me armë do të niseshin nga aeroporti i tyre dhe kishin për destinacion Britaninë e Madhe. Sipas Policisë, dyshimet ishin se armët do të përdoreshin për ndonjë sulm terrorist të mundshëm, apo ishin pjesë e krimit të organizuar.

 

Armët e llojit kallashnikovi, ishin të fshehura në tri kuti postare. Stafi i sigurimit i gjeti armët në pjesën e ngarkesës së aeroportit të Tiranës para se ata të ishin ngarkuar, shkruan Daily Mail.

Ato ishin të mbështjellë në peshqirë dhe qese brenda kutive DHL që përmbante edhe rroba dhe letra.

Policia anti-terror ka rritur vëzhgimin pas sulmeve terroriste në Londër dhe Barcelonë.

Zyrtarët nuk kanë zbuluar adresën e synuar të shpërndarjes, por thanë se kanë njoftuar homologët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

I dyshuari për këtë rast nga autoritete shqiptare është Sajmir Cullhaj, 32 vjeç, i cili u arrestua në Shqipëri pas konfiskimit te armeve. Thuhet se ai kishte marrë urdhra për të lëvizur armët tri ditë para se të dërgonte pakon të premten.

02CB2FF5000004B0-4828366-image-a-33_1503870575016

Ai ka refuzuar të japë më shumë detaje se nga vijnë armët, se për çfarë do të përdoreshin ose për marrësit e tyre të synuar. Detektivët gjithashtu po hetojnë një njeri i njohur me inicialet N.F – nga qyteti i Durrësit. Zëdhënësi i DHL-së nuk i është përgjigjur kërkesës lidhur me rastin në fjalë.

Nderkohe, Gazeta Shqiptare citon burime pranë hetuesve të çështjes te cilet bëjnë me dije se 32- vjeçari ka mohuar të jetë i përfshirë me këtë veprimtari kriminale. Nga ana tjetër, burime thanë se kanë prova të mjaftueshme që i përfshin këta dy persona në këtë veprimtari, ndërsa kanë nisur hetimet, në bashkëpunim edhe me autoritetet e huaja, për të zbuluar edhe personin që do të bënte pritjen e pakove në Mbretërinë e Bashkuar, emri i të cilit dyshohet të jetë i rremë.

daly mail

 

Asambleja e PS: Ja ndryshimi i parë që do të prekë qeverisjen e re shqiptare

Ndryshimi i parë në strukturën e re të qeverisjes së PS-së, është ai i takimit të paktën një herë në javë i deputetit të zonës me qytetarët.

 

Këtë e ka bërë të ditur Taulant Balla në nisje të Asamblesë së PS-së, ku do të prezantohet struktura e re dhe emrat e kabinetit qeveritar “Rama 2”.

Balla lexoi raportin nga i punës për veprimtarinë parlamentare ku theksoi edhe ndryshimet që do ndodhin në këto 4 vite.

“Ndryshimi që ne duhet të bëjmë për suksesin e jashtëzakonshëm me bashkëqeverisjen me njerëzit e zakonshëm, janë zyrat e reja në Bashki, që duhet të adoptohen dhe të shndërrohen në zyrat e deputetit përkatës. 

Për këtë qëllim, në rregulloren në grupin parlamentar ne do të propozojmë ndryshimin e kësa, duke theksuar se do të bëhet takim të paktën një herë në javë me qytetarët.

Ky ka qenë në fakt si rregull, por ka qenë opsional ndërsa tashmë bëhet i detyrueshëm, ku të paktën një herë në javë deputeti do të shkojë në zonën e tij elektorale. Një tjetër gjë që do të ndryshojë është fotografia e shëmtuar e Kuvendit në këto 4 vite, që qytetarët janë mësuar të shohin në parlamentin e kaluar.” tha Balla.

Ministri Bushati takon princin e Arabisë Saudite

“Marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite kanë filluar të diversifikohen. Takimi i sotëm me princin Alwaleed, ishte një mundësi për të biseduar më konkretisht mbi investimet e mundshme në shërbimet turistike”

TIRANË – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, është takuar sot me princin e Arabisë Saudite, Alwaleed bin Talal bin Abdulaziz Al-Saud, i cili ka mbërritur sot në vend.

“Marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite kanë filluar të diversifikohen përtej ndihmës ekonomike dhe humanitare. Takimi i sotëm me princin Alwaleed, ishte një mundësi për të biseduar më konkretisht mbi investimet e mundshme në shërbimet turistike, industrinë dhe modernizimin e infrastrukturës”, shkruan Busahti në profilet e tij në rrjetet sociale.

Princi i Arabisë Saudite po viziton Shqipërinë, ku pritet të takohet me drejtuesit e lartë të vendit.

Ai sot ka mbërritur fillimisht në Durrës me jahtin e tij. Në takimet mes princit saudit dhe zyrtarëve të lartë të vendit pritet të diskutohet për mundësinë për të investuar në Shqipëri, si dhe për projekte në fusha ndryshme mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë. aa

Princi i Arabisë Saudite vizitë në Shqipëri

Autoriteti Portual i Durrësit (APD) ka konfirmuar nëpërmjet një njoftimi se sot ka mbërritur në Durrës princi saudit, Alwaleed bin Talal bin Abdulaziz Al-Saud, me jahtin e tij

TIRANË/DURRËS – Princi i Arabisë Saudite, Alwaleed bin Talal bin Abdulaziz Al-Saud, anëtari i familjes mbretërore saudite ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të një vizite, ku do të takohet me drejtuesit e lartë të vendit.

Autoriteti Portual i Durrësit (APD) ka konfirmuar nëpërmjet një njoftimi se sot ka mbërritur në Durrës princi saudit me jahtin e tij.

“Pjesëmarrës në grupin e mikpritësve, ambasadori i vendit tonë(Shqipërisë) në Arabinë Saudite, Sami Shiba tha për APD, se në anije udhëton Princi Alwaleed bin Talal bin Abdulaziz Al-Saud. Anëtari i familjes mbretërore të Arabisë Saudite do të zhvillojë një takim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama-tha ambasadori Shiba”, theksohet në njoftimin e Autoritetit Portual të Durrësit.

Jahti “Kingdom” me gjatësi 74 metra ka flamurin e Arabisë Saudite dhe është regjistruar në portin e Jeddahut.

Në takimet mes princit saudit dhe zyrtarëve të lartë të vendit pritet të diskutohet për mundësinë për të investuar në Shqipëri, si dhe për projekte në fusha ndryshme mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë. aa

Majlinda Bregu kandidate për kabinetin e ri të Ramës?

Qeveria e re do të shpallet të dielën. Informacionet për emrat e ministrave të rinj të mandatit të ardhshëm deri tani përbëjnë pothuajse një të panjohur, pasi të sigurt në qeverinë e re janë vetëm Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Rama lajmëroi dje edhe krijimin e një ministrie të re, asaj të Diasporës, të cilës i kushtoi një pjesë të mirë të fjalimit para ambasadorëve.

“Dua t’ju informoj që në funksion të këtij aspekti themelor të kësaj qasjeje të re, qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”.

Pikërisht për këtë post të ri dje në ambientet politike qarkullonin disa kandidatura dhe mes tyre edhe ish-ministrja e Integrimit dhe ish-deputetja e PD, Majlinda Bregu, e cila përveçse një njohëse e mirë e proceseve integruese, ka edhe njohje me vlerë në nivele të larta të KE dhe PE çka e dëshmoi edhe me negociatat e fundit për krizën politike për bojkotin e zgjedhjeve nga PD, shkruan “Mapo”.

Vlerësimi i Ramës për punën e Bregut vjen që gjatë mandatit të kaluar qeverisës, ku ish-ministrja e PD mbante postin e kryetares së Komisionit të Integrimit.

Në momente kyçe për fatin e hapjes së negociatave në mbledhjet e përbashkëta Shqipëri–BE, Bregu ka kërkuar gjithmonë hapjen sa më parë të këtyre negociatave.

Burimet shtuan se kandidatura e Bregut është në diskutim dhe mund të realizohet me qëllim për të treguar hapje ndaj opozitës dhe pikërisht në një nga postet që ka të bëjë me raportet me jashtë.

Baladë për ty Arlindë! ‘Dije vetëm të punoje, jo të shiteshe’ – Nga Flutura Açka

Ishte natë e vonë mbrëmë, kur mora lajmin e hidhur për ty, Arlindë, dhe ngaqë jam mësuar të të gjej gjithmonë kah drita, nuk desha të shkruaja natën.

Edhe më vonë, një mesazh i shkurtër i tët bije nëpër natë, thirrja e fikur e saj “Ah, ç’ë bëri!”, m’i bëjnë edhe më të vështirë këto rreshta. Liria për të cilën ke shkruar shpesh edhe ti, liria për të cilën ke luftuar edhe ti, nuk më jep të drejtën të të gjykoj në vendimin tënd, por të gjykoj një Shqipëri që ka ajër gjithnjë e më pak për gra si ti. Nëpër median shqiptare, ku je vërtitur shpesh mes pasionit dhe pasigurisë, këmbënguljes dhe drojës, dashurisë dhe hezitimit, ti ishe një specie e veçantë, ti dije vetëm të punoje, jo të shiteshe.

Ka plot gra si ty, por kemi nevojë t’i njohim, sepse ato kurrë nuk bërtasin, ato vetem i japin Shqipërisë dhe kurrë nuk i marrin. Ty kurrë nuk të vinin ftesa për koktejle ministrore, për shëtitje turistike shoqëruese të tipit escort girl, nuk psherëtive kurrë për ndonjë çantë Hermes, as nuk u ankove se Tirana t’i thyente këmbët për të mbijetuar ti dhe familja jote, nuk bëre zhurmë kurrë për romanet e tu, edhe pse ishte një vajzë e talentuar, që nuk pati kohë – prej kësaj jete që po shpjegoj – as t’i ribotonte, nuk u përqave kurrë edhe pse e dite bukur mire se sa e vështirë është të rezistosh e papërlyer në kohë si tonat.

Ti dije të falje bujarisht, aq sa ndonjëherë kam mendur se kjo ishte një e “metë” e jotja. E lumja ti! Por si ia dole e vetme, e pandotur, pritëse, përjetësisht e qeshur, pranuese, e pafjalë, e painat, e pamërzi, që të mbetesh ti, vetvetja, në kohën e tjetërsimit të madh që jetojmë?

Gati pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, kur botuam bashkë romanin tënd të parë “Dashuri bjonde”, që u shit marramendthi, kemi qeshur shumë me faktin se do ta çudisnim dynjanë me titullin. Disa herë pata këmbëngulur ta merrje seriozisht talentin tënd, por ti nuk kishe kohë për të, nuk të tepruan kurrë minuta të mendoje për të.

Ti, takëngrëna nga vrapi, ti mirësia Arlindë, je në paqen tënde tani, atje ku as moti, as stina, as koha, as fryma, as paraja nuk bëjnë sens, dhe mbase qesh me baladat e të gjallëve që kanë vendosur të vazhdojnë. Por ata duhet të vazhdojnë, për të bërë një mjedis ku Arlindat të mos ndjehen të vetmuara, dhe ku bijat dhe bijtë e Arlindjave të mos ndjehen të braktisur nga fati, dhe shoqëria. Pushofsh në paqe!

 

Rama dhe të vërtetat mbi diplomacinë ekonomike – Nga SELIM BELORTAJA

Kryeministri Rama dhe të vërtetat mbi Diplomacinë Ekonomike.
Nuk lexova asnjë prej komenteve mediatike që pasuan takimin e sotëm të KM Rama me krerët e misioneve diplomatike. Nga eksperienca më rezulton se fillimisht është më mirë të mos ndikohesh prej zërash që në vrullin e parë vijnë prej shtysash e interesash nga më të ndryshme. Pastaj, e përse t’i lexoja kur isha vetë atje? Madje jo si vëzhgues por si ambassador, pra si objekt i mesazheve të kryeministrit.

Pa ju lodhur: mendoj se KM sot mbajti një fjalë të mirë. I hoqi (ose rihoqi) petën një lakrori mbushur me lloj-lloj lakrash, barërash, hithrash e përbërësish, ku ca janë të shëndetëshme e lehtësuese, por ama shumë të tjera janë ferra, gjemba e mbetje krejt të padobishme,madje të dëmshme për shëndetin ekonomik e kapacitetin zhvillimor të vendit.

E para zoti Rama ishte i drejtpërdrejtë por edhe mjaft modest. Ai as u mundua ta përvetësojë këtë nismë. Ta quajë atë një ide të porsalindur, apo një ..shpikje të vetën. Ai vetë solli në vmendje që me këtë temë janë marrë më përpara liderat e qeverive. Ideja dhe kërkesa është e njohur –tha ai. Ai u ndal te rezultati. Dhe këtu të gjithë bien dakord se rezultati është më së paku ..jo ai që pritej.

Së dyti, KM ishte krejt realist në mirëkuptimin e vet se rezultati (i investimit të huaj apo tregtisë me jashtë) nuk mund t’i faturohej njëanshmërisht vetëm një faktori: punës së Shërbimit të Jashtëm. Ai deklaroi se njihte edhe gjithë difektet e hallkave të tjera relevante në process. Por askush s’mund të mohojë se puna e përfaqsive tona dhe shërbimit të jashtëm ka një rol kyc në jetësimin e projekteve dhe flukseve të bashkëpunimit. Sektorit të jashtëm madje i kërkohej të kontribuonte edhe këtu: të sillte eksperiencat më të mira nga praktika e huaj. Pa hezituar të prekte cdo strukturë që ka ndikim, qoftë ajo edhe pranë zyrës së KM vetë.

E treta, Kryeministri as njollosi e as mohoi punën dhe performancën e përfaqsive “në aspektet e tjera”. Përkundrazi ai tha se pjesa rutinore, shkresore, konsullore, bëhej mirë. Madje kishte shënuar progres. Por vuri gjithashtu në dukje se kjo për një vend si Shqipëria ishte krejt e pamjaftueshme. Ne nuk jemi as një vend-fuqi e madhe që bëjmë politika globale dhe as ndonjë vend I vogël dhe I humbur, që kërkon identitet, apo që sforcohet për status, njohje apo halle të posacme politike. Efekti më i mirë që presim të marrim nga diplomacia është ai ekonomik.

Zoti Rama nuk ishte aspak arrogant, (në atë pozicion unë mbase do të isha pak më i ashpër). Ai thjesht solli në vemendje dicka që kushdo e sheh dhe e prek nga përfaqsitë tona. Shpërfillja, anashkalimi dhe inkompetenca në trajtimin e aspektit ekonomik të diplomacisë. A nuk jeni dhe ju dakord që së paku gjysma e përfaqsive kanë problem me këtë punë?..

Nuk pashë as “fshesë të hekurt” e as arbitraritet në fjalën e KM. Sepse as nuk “piketoi” e as nuk dënoi njeri. Ndëshkimi (por edhe promovimi e vlerësimi madje edhe shpërblimi) –sic la të kupohej ai –do të vinte natyrshëm si rezultat I dy hapave që për cdo menaxher janë më se normale: analizës së thellë të performancës diplomatiko-ekonomike –me pjesmarrjen dhe përgjegjësinë e të gjitha hallkave (përfshi edhe ministritë, agjensitë qëndrore deri dhe zyrën e Kryeministrit). Dhe”leximin” e performancës cdo 3 muaj për secilën përfaqësi dhe shërbimin e jashtëm në përgjithësi. Cfarë ka këtu të ..pa-arësyeshme? Ose jo-legjitime?
Pse ishte i dobishëm ky takim?

Për të gjithë parashtrimin si më sipër. Por edhe për theksin që sjell në vemendje. Rezultatin ekonomik, pra në investime, tregti, punësim e të ardhura. Në se gjithshka do të ndiqet seriozisht dhe në një qasje holistike (pra që nuk do të kursejë asnjë hallkë të administratës e qeverisjes) mund të jetë edhe një .. pikë kthese.

E dyta, për nënvizimin e nevojës për një analizë të thellë –si për justifikimin real të mbajtjes së shërbimit diplomatik në shtrirjen që ai ka sot, ashtu edhe për krijimin e një standardi matje të performancës. Më ka pëlqyer gjithnjë përpjekja e shtetarëve për t’i hequr “diplomatëve të mëdhenj” shqiptarë vellon e “sofistikimit professional”, argumentin e një elitarizmi fals për shkak të rolit të tyre të padukshëm, të paprekshëm, të pamatshëm, të një “pune të hollë” që vetëm ata e dijnë, vetëm ata e cmojnë dhe ku të tjerët ..as që duhet të ndërhyjnë. Shpesh e gjithë kjo reduktohet në njohjen vetëm te një ..anglishteje. Në një të folme të lirshme të saj dhe në disa gjeste, maniera e imitime, thjesht për shkak të qëndrimit shekullor nëpër kryeqëndrat e botës. Ndërkohë që rezultati në ekonomi e zhvillim të vendit është dicka shumë afër ..zeros.

Po a është cdo gjë e mbuluar dhe e zgjidhur pas kësaj fjale e këtij takimi? Sigurisht këtë nuk mund ta themi. Eksperienca ime e gjatë me Diplomacinë Ekonomike më ka bindur se produkti i saj (në kuptimin e “ngjitjes”, rezultatit final), vetëm pjesërisht varet nga puna e përfaqsive tona jashtë, e ca më pak varet nga shkëlqimi i “Shkëlqesive” jashtë. Në masë të ndjeshme jetësimi i flukseve financiare, industriale, teknologjike, e tregtare, përcaktohet nga funksionimi i gjithë makinerisë ligjore, administrative e vendimmarrëse te Shqiperise si vend pritës. Nga qartësia e procedurave, transparenca dhe përgjithësisht klima në mbrojtje të investitorëve. Varet edhe nga cilësitë, shkollimi, kapaciteti e motivimi I njerëzve që emërohen në poste diplomatike.

Emërim ky që nuk e bëjnë ambasadorët. Madje këta të fundit, nga emërime të tilla shpesh i “pjell belaja”. Se ju duhet të përplasen përditë jo vetëm me paaftësinë e tyre por edhe me paudhesi, manovra e intriga të vogla e të cuditshme (shumica e të cilave sigrisht vijnë prej inkompetencës dhe mosplotesimit të asnjë kriteri). Eshte pra nje perballje shume komplekse. Dhe kjo padyshim përbën një sfidë shumë të vështirë të shtetit e qeverisë së re. Kërkon një aksion të gjerë, të thellë e të sinqertë. Pjesë e të cilës –mendoj se ishte edhe ky takim.

Vuante nga depresioni, i jep fund jetës gazetarja Arlinda Canaj. E bija lajmëroi në ‘FB’

Gazetarja dhe shkrimtarja, Arlinda Canaj, i dha fund jetës pasditen e djeshme, duke u hedhur nga lartësia.

 

Ngjarja u denoncua në Policinë e Tiranës rreth orës 17:10 nga familjarët e 46-vjeçares Canaj, të cilët e raportuan rastin si vetëvrasje.

Nga ana tjetër, burime nga Policia thanë se, nga hetimet paraprake, dyshohet se vetëvrasja ka ndodhur në kushtet e depresionit.

Arlinda Canaj ishte gazetarja kryesore e portalit “Konica.al”, ndërsa ndër vite ka punuar në disa media të njohura.

Canaj ka qenë edhe një prej bashkëpunëtoreve të revistës “Psikologjia”. Canaj, e divorcuar, ishte nënë e dy vajzave, njëra prej të cilave lajmëroi edhe për ndarjen e papritur nga jeta të nënës së saj nëpërmjet rrjetit social Facebook.

Më pas edhe media ku ajo punonte, “Konica.al”, ka njoftuar për ndarjen e saj nga jeta.

“Arlinda Canaj, gazetarja kryesore e ‘Konica.al’ ka vdekur sot papritmas! Jeta shpesh nuk është gjë tjetër, veçse një shaka tragjike. Një gazetare themeluese e ‘Konica.al’, një nga gazetaret kulturore më të rëndësishme të vendit, Arlinda, kolegia jonë, ka humbur jetën sot papritmas. Në mëdyshjen për të mos spekuluar me vdekjen e saj dhe dëshirës që njerëzit e saj të dashur të kenë më shumë solidaritet, ne zgjodhëm të dytën! Çfarë dhimbje të shkruash këto fjalë për një jetë të re! Për një nënë! Për një kolege të përkushtuar dhe elitare që deshi ta përçmonte jetën e zakonshme!”.

Ky është ngushëllimi që stafi i “Konica.al” ka vendosur të shprehë publikisht nëpërmjet faqes zyrtare të Facebook-ut.

Nga ana tjetër, ngjarja u publikua mbrëmjen e djeshme zyrtarisht edhe nga Policia e Tiranës, që ndër të tjera deklaroi se oficerët e Komisariatit nr.4 kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Policia tha se, fillimisht 46-vjeçarja është dërguar në spitalin e traumës në gjendje të rëndë për jetën.

“Rreth orës 19:30, mjekët lajmëruan se shtetasja Arlinda Canaj ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes së marrë nga rënia nga lartësia. Nga hetimet e kryera është më- suar se kjo shtetase merrte mjekim prej gjashtë vjetësh, pasi vuante nga depresioni dhe dyshohet të jetë vetëhedhur nga ballkoni i banesës së saj”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.

Durrës: Takim njëditësh i kryeministrave të shteteve të Ballkanit

Zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, thotë se zoti Rama do të jetë mikrpitës i një takimi joformal të kolegëve të tij nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, këtë fundjavë.

Në kumtesën e djeshme theksohet se takimi njëditësh për tregtinë, shërbimet, investimet dhe ekonominë digjitale, do të mbahet nesër, në qytetin e Durrësit.

Takimi do të fokusohet në nxitjen e rritjes ekonomike, pasi për këtë çështje ishte arritur pajtueshmëria muajin e kaluar në Samitin e Trieshtës, në kuadër të takimit të katërt ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Megjithqë zyrtarisht procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është në pritje deri në vitin 2019, Brukseli ka shprehur përkushtim për vendet e Ballkanit, në periudhën e rritjes së ndikimit të Rusisë në këtë rajon, të cilin Moska e konsideron fushë tradicionale të interesit të vet, raporton AP nga Tirana.

Në takimin në Durrës do të jetë i pranishëm edhe komisionari për negociata për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i BE-së, Johannes Hahn, dhe zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Cyril Muller.

Gazeta holandeze shkrim të ashpër për ambasadoren shqiptare: Mohon raportin që sugjeron rikthimin e vizave

‘De Telegraaf’, gazeta me madhë në Holandë, ka botuar sot një shkrim për intervisten e Ambasadores se Shqipërise në Holandë, ku ajo mohoi ekzistencen e raportit që sugjeron rikthimin e vizave për Shqiptarët, shkruan gazetari i njohur shqiptar ne Holande, Vincent Triest.

“Pak kontekst: Gazeta De Telegraaf është një gazete me 1 milion lexues në ditë, me rreth 250 gazetarë fikse të punesuar në Amsterdam. Unë kam filluar të punoj si gazetar freelance në fillim të ketij viti për ‘De Telegraaf’, dhe për ketë arsyjë njeh mirë punën e tyrë. Dua të theksoj që karakterizimi që Ambassadorja Sakiqi ka berë për ketë media është komplet i pavend. Për ketë arsyjë ju ftoj të lexoni lajmin e botuar nga koleget tim holandez, që u botua sot në faqjet kryesorë të gazetes”, shkruan Triest.

Shkrimi i plotë:

MOHOHET RAPORTI PËR KRIMINELË SHQIPTARË; AMBASADORJA FSHEH PROBLEMET NË PROGRAMIN TELEVIZIV

Ambasadorja e Shqipërisë në Hagë ka gjetur një menyrë kreative për të fshehur problemet që krijohen nga krimi i organizuar nga vendi i saj në Holandë. Në një program televiziv shumë të shikuar ajo mohoi ekzistencën e një raporti tejet të fortë nga Policia dhe Prokuroria e Amsterdamit dhe Roterdamit.

Për shkak të konkluzioneve në raport, policia dhe prokuroria holandezë kërkuan të rivendoset regjimi i vizave për shqiptarët. Kjo do të parandalonte vendosjen e kollajshme të krimit shqiptar në Holandë.

Në një edicion informativ, ambasadorja Adia Sakiqi u shpreh: “Ky është një shkrim në një gazetë sensacionale, për të cilën gazetari ka patur një bisedë të shkurtër me një njeri që punon tek policia.”

Por, në të vertetë, dy gazetarë të ‘Telegraaf’ komunikuan me një oficer të lartë të Policisë si dhe një prokuror. Kjo bisedë ndodhi pasi rrodhën 40 faqe të raportit për krimin e organizuar shqiptar. Ambasadorja foli për ketë çështje dy herë gjatë ditëve të fundit me gazetarët e ‘Telegraaf’.

Sakiqi gjithashtu pretendon se ka zhvilluar një bisedë me koordinatoren për zgjerim në BE, tek Ministria e Jashtme Holandeze. Sipas Sakiqit, ajo i kishte thënë që mos t’a merrte aq seriozisht lajmin për raportin. Por, Ministria e Jashtme Holandeze nuk e përfshin veten në ketë pretendim. “Këto janë fjalë që nuk i kemi thënë”, reagoi një zëdhënës i ministrisë së Jashtme.

Adia Sakiqi tha edhe më shumë marrëzira. Ajo deklaroi se Policia dha thjesht një përshkrim për punën e tyre, pas arrestimit të një vrasësi shqiptar, para dy javësh. Por, raporti për shqiptarët është botuar para arrestimit.

Ambasadorja provoi në edicionin informativ që të hiqte vëmendjen nga problemi i krimit shqiptar, duke thënë që Amsterdami është një qytet ku turistët vijnë vetëm për drogën dhe për prostitutat.

Konkluzionet e forta që u morën në ketë raport të Policisë: në tregun holandez të drogës dhe të prostitucionit, kriminelët shqiptarë luajnë një rol parësor.

Shqipëria tenton të luftojë fort krimin, pasi kërkon të behët pjesë e Bashkimit Europian; dhe tani është kandidat-anëtare. Kjo ishte arsyeja pse raporti i Policisë dhe Prokurorisë për krimin në Holandë ra si bombë nga qielli. Deri tani, qeveria shqiptare nuk kishte reaguar. Sakiqi ishte e para që reagoi në media. Ajo tentoi të siguronte shikuesit që nuk do të rikthehen vizat. “Kam një lajm te mirë: Holanda nuk mund ta bej vetëm, këtë mund t’a bëjë vetëm Bashkimi Europian.”

Por, kjo nuk është e vërtetë. Sipas regullave të reja të Bashkimit Europian, një shtet anëtar mund të kërkojë vetë për një pezullim të lëvizjes së lirë në qoftë se personat e një nacionaliteti të caktuar kthehen në rrezik të shtuar për rendin publik, falë krimeve që kryejnë.

“Kjo është pikërisht çfarë po ndodh në Holandë”, tha deputetja Mona Keijzer. Ajo ka kërkuar bashkë me kolegët e saj një sqarim nga ministri i Jashtëm, si dhe nga ai për Siguri dhe Drejtësi. Ajo kërkoi nga qeveria që të lobojë tek Komisioni Europian, në mënyrë që Holanda të mund t’i rikthejë vizat për shqiptarët.

Holanda nuk është vetëm në këtë pikë. Edhe vende të tjera të BE-së, si Gjermania, Franca dhe Italia, kanë vënë re se kriminelët nga Shqipëria po fuqizohen në trafikimin e drogës dhe atë të qënieve njerzore.

Gazeta kërkoi një koment nga Sakiqi, por ajo reagoi nervoze. “Në qoftë se unë nuk e marr raportin, atëherë raporti nuk ekziston për mua. Unë nuk merrem me thashethemet.”

 

Rritet numri i shqiptarëve që pushojnë jashtë vendit, 500 mijë vetëm në korrik

Shqiptarët e Republikës së Shqipërisë po zgjedhin gjithmonë e më të shumtë të kalojnë pushimet verore jashtë vendit.

Vetëm për muajin Korrik, kanë qenë 496 mijë shtetas që kanë dalë nga territori i vendit, një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë.

Rritja përkon me ndryshim pozitiv edhe në terma vjetorë, ku daljet e shtetasve shqiptarë janë rritur me 4.9%.

Destinacionet në rritje për pushimet duke se kanë qenë Italia dhe vendet e tjera të aksesueshme në rrugë ajrore dhe detare, të cilat ofrohen shpesh në paketa turistike: vende si Turqia, Egjipti, etj.

Falë edhe shtimit të një sërë linjash low-cost, numri i shqiptarëve që kanë fluturuar jashtë vendit ka qenë rreth 127 mijë, një rritje e konsiderueshme me 35.7% krahasuar me Korrikun e shkuar. Aktualisht numri i daljeve në rrugë ajrore shënon një rritje vjetor për periudhën Janar-Korrik në 27.6%, me rreth 150 mijë pasagjerë më tepër se një vit më parë, shkruan “Scan”.

Po ashtu në rritje me 34.2% është edhe numri i shtetasve që kanë lëvizur me anije ose tragete. Ky numër arriti në 88 mijë pasagjerë.

Gjithsesi, rrugët tokësore mbeten mënyra e preferuar e udhëtimit, kryesisht për shkak të vizitave në vendet fqinje si Kosova, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kjo kategori ka shënuar një rritje minimale prej 2.2%.

Industria e bakrit, ftesë për investime. Rezerva, 17.5 milionë tonë

Ministria e Energjisë dhe Industrisë fton bizneset vendase dhe të huaja të investojnë në industrinë e bakrit në Shqipëri.

Në dokumentin teknik të publikuar nga kjo ministri thuhet se, vendi ynë ka rezerva bakri që mund të shkojnë në 17.5 milionë tonë mineral, shtrirë në pjesën më të madhe në zonën veriore të vendit, por rezerva ka edhe në Korçë dhe zonat e Elbasanit.

Një pjesë e kësaj industrie është dhënë tashmë me koncesion, ku kryesori është ai i kompanisë turke “Ber Alb”, që shfrytëzon minierën e Munellës dhe atë të Lak Roshit në rajonin e Pukës, duke e pasuruar mineralin në Fabrikën e Fushë Arrëzit.

Objektivi i ministrisë është nxitja e industrisë përpunuese të bakrit, e në listë për t’u dhënë me koncesion janë një sërë objektesh, përfshirë ish-Uzinën e Telave në Shkodër dhe Uzinën e Rafinimit të Bakrit në Rubik.

Për të rritur interesin është menduar që të ketë skema me lehtësira fiskale për investimet që mund të përfshihen në zonat teknologjike. Përparësi do të kenë subjektet që marrin përsipër të zhvillojnë të plotë ciklin e përpunimit, nga miniera deri në produktin përfundimtar, bakër elektrolik dhe tela e kabllo. Pasurimi duhet të sigurojë shkallë të lartë rikuperimi të bakrit mbi 85% dhe të elementëve të tjerë si ari e argjendi.

TRISHTIM SHQIPTAR i përshkallëzuar në kufijtë depresionit – Nga KOLEC TRABOINI

Qytetarët shqiptarë në përditshmëri dëgjojnë lajme që ua shkallojnë trurin. Lajme që të krijojnë sindromën e njerëzve që jetojnë jo në Evropë, por nëpër fiset e xhunglave të Afrikës ku ca janë me fatin e luanit e të tjerët të presë, të viktimës së përjetshme. Kësisoj ata që kanë arritur të zënë një vend në bazë të lidhjeve fisnore, klanore, politike, tarafit e interesave mafioze ndjehen të plotfuqishëm, ndërkohë që të tjerët në fat të zi e me shpresë të vdekur sa nuk u mbetet tjetër; o ikja nga sytë këmbët prej këtij vendi të vet mallkuar ose të bëjnë vetëvrasje si i vetmi shpëtim i sigurt prej kësaj katrahure ku kurrkush nuk e ka sigurinë e të nesërmes. Rrugë tjetër nuk ka në këtë trishtim shqiptar i përshkallëzuar në kufinjtë e depresionit.

Edhe shpresa se ndërrimi i qeverisjes do të lëvizte ujin e qelbur në pushtet e administratë, u flashk në katër vjet hallakatje, sepse sikush mendoi e punoi për të rregulluar të vetët, pra familjen, rrethin, fisin. Lexova një shkrim dhe mu nxinë sytë, të gjithë fëmijët e deputetëve të dy krahëve të politikës, pozitë e opozitë ishin punësuar e me rroga të majme, të gjithë vëllezërit e motrat e deputetëve, ministrave, funksionarëve të lartë janë të punësuar në vendet më të mira, qoshe të ngrohta e të sigurta duke përfshirë edhe Bankën e Shtetit. Ndërkohë ata që për 8 vjet i pat mbajtur qeveria e shkuar në papunësi ani pse të kualifikuar, vazhduan të jenë po ashtu të papunë, sepse edhe kur bëhet ndonjë konkurs, gjejnë një shkak a sajojnë një të tillë, që të vendoset ai që duan, ai për të cilin kanë bërë kompromis pas kuintave të dy palët. Ata kanë qenë e mbeten zotër të këtij vendi pavarësisht rotacionit të pushtetit.

Kaq shumë është konsoliduar mendimi se pushtetet ndërrohen, por ne të tarafit e miqësive jemi po këta, se armiq jemi në foltore të parlamentit por në interesa jemi aleatë, sa nuk jam çuditur aspak kur pasi e shkarkuan drejtoreshën e një Arkivi (e njohur kjo si pjesë e strukturës politike që populli me verdiktin e vet e qorrollepsi në 2013), doli në median vizive ku denoncoi me ashpërsi shkarkimin e saj e foli kundër qeverisë si abuzive dhe e korruptuar, kur kjo qeveri i kish apo jo një apo dy vjet në funksion. Dhe e dini çfarë ndodhi? Në pseudo konkursin që u zhvillua për administratën e Parlamentit, në sektorin shtypit, doli fituese pa konkurim, pra u emërua, pikërisht ish-drejtoresha e Arkivit. Pas kësaj ajo nuk u pa me në TV të kritikojë qeverinë Rama 1 e as mos prisni të kritikojë qeverisjen Rama 2, veç nëse e heqin nga puna. Atëherë po, vë ulërimat për korrupsionin qeveritar e për të shkretin popull që përdoret si mashë për të nxjerrë gështenjat e politikës nga zjarri.. Po të hoqën bëju gjëmën, kështu funksionon këtu në Shqipëri. Këtë më së shumti e aplikojnë gazetat që i hedhin vickla qeverisë vetëm kur ajo nuk jep para.

Toga e politikaneve të PD, që kanë dalë si opozitë brenda opozitës në qark të mbyllur, u bënë të gjallë vetëm kur nuk i vunë në listat elektorale të deputetëve dhe kjo i ndërseu duke u shfaqur si luftëtarë te shquar për demokraci. Hajde ç’vete. Po ku ishin më parë? A do të flisnin po të ishin në listat e deputetëve të parlamentit të ri? Ata që kishin qenë squk-squll nëpër vite mbi kolltukë, me rroga të majme, me makina të shtrenjta që nuk i motivonin dot me rrogat e veta, por mund të bënin çdo gjë sepse ishin nën sqetullën e kryetar-kryeparit të partisë që bën sikur ka ikur po aty është si hija e Zeusit. E paparë. Jemi kundër Bashës por jemi për Berishën, thonë. A thua Luli mbahet me forcat e veta e me në krye të vet në timon të partisë. Ore, sikur të mos e dojë Berisha, as pesë minuta nuk mbahet në këmbë Lulëzim Basha. Prandaj të duken të pabesueshme këto argumente kundërshtore ndaj Bashës ndërkohë që i thur lavde Berishës.

Këto qëndrime të dyanshme tregojnë mirëfilli së ky grupim është pa ideale, por i prekur interesash te ngushta e që gjithë shpresën e kanë që Berisha t’i thotë Lulit, hapi rrugën këtyre mocionistëve se janë besnikët e mi. Po nuk ka për ta thënë Berisha këtë as sot e as mot. I duhen kuaj të rinj për karron e vjetër partiake që tundet e shkundet si mos o zot. Aq më tepër që ka përpara vetingun dritherues, i cili është një mekanizëm që diçka do të hajë. Pa kurban nuk del kjo vjeshtë. Ja pra ku janë kurbanët e vjeshtës, këta pa imunitet e të braktisur. Këtë skemë të funksionimit të politikës shqiptare, që sakrifikon të tjerët për të shpëtuar veten, e dinë edhe çiliminjtë e të mos e dijë ta zëmë opozitari në katror Ridvan Bode që qendron shpatull në shpatull me Arben Imamin, dosjet e të cilëve i ka mbyllur kryeprokurori( që paguhet për ti hapur), e që tashmë nuk do të mund më të mbrojë asnjë politikan a funksionar që e ka ngjyer gishtin në mjaltin e pushtetit. Në kampin e pushtetarëve ndodhi ndryshe.

Ata që votuan për ndryshimin dhe shpresën, katër vite hëngrën veten me dhëmbë tek vazhdonin të rrinin të papunë e pa asnjë të ardhur dhe shohin, për ironi të kohës mizore ku i ka sjellë rasti të jetojnë, që të emërohen nëpër funksione e zyra po ata që deri më dje bënin ligjin e Maliqin me pushtetin tjetër. Thonë i miklon qeveria për të dobësuar gjoja kundërshtarët, po askush nuk e beson sepse plani shkon me stilin mafioz: ”Hajdutë-kundërshtarë por vëllezër”. Mishin ja hanë njeri-tjetrit por kockën ja ruajnë. Për katër vjet a më thoni se cilin prej pecogrosove të qeverisë së mëparshme e vuri qeverisja e Rilindjes në bankën e të akuzuarve. Gjeti një minoritar krapuliq, një farë Spiro Ksera e me këtë u mjaftua. Po ky Spirua në krahasim me bosat e mëdhenj të milionave ishte jo Spiro Dija por Spiro Mosdija. Se Ksero, ne greqisht i thonë të dish. Në këtë rastin e qeverisjeve tona është në kuptimin të dish të vjedhësh. Shumat e vogla për të cilat u akuzua Spiro Ksera tregojnë se ai nuk paska ditur të vjedhë. Këta që tashmë kanë shumicën në parlament mesa duket kanë menduar se më mirë t’i japin privilegj e t’i mbyllin gojën ndonjë mercenari sesa ta lëmë të flasë e të prish punë në Media në mënyrë të përnatshme. Mbase me kësisoj zgjidhjesh e kanë mirë për veten e tyre politikanët në pushtet që duan të jenë larg sherrit, por për ata që me votën e vet i sollën në pushtet kurrsesi nuk kanë menduar e nuk mendojnë gjatë. Ka një të vërtetë publike tashmë, kudo ka nisur të shfaqet zhgënjimi.

Janë 400 mijë vetë të ikur nga Shqipëria në vitet 2013-2017. Ja çfarë thotë për këtë kardinali i Këlnit, Gjermani, Rainer Maria Woelki që vizitoi Shkodrën: “E shikoj si problem të Shqipërisë pasi në 2013-n kanë qenë 3.2 milion banorë dhe ndërkohë janë 2.8 milionë tani. E shoh të rëndësishme për të qëndruar këtu dhe për ta zhvilluar vendin. Dhe mendoj se Shqipëria e ka fuqinë për të ecur përpara. Vetëm strukturat sociale duhet të jenë ato të duhurat, që nuk bën të mundur vetëm mirëqenien e një grupi por të të gjithëve”.

E megjithatë, populli në këto zgjedhje të qershorit që shkoi u kap pas mendimit se kjo qeverisje që kemi vërtetë na takson, na le pa punë, na vjedh, na ropat, na ka vënë në ikje nga sytë këmbët, por le ta zgjedhim edhe një herë se mbase është ngopur e na vjedh më pak. Por nuk ka asnjë garanci që kjo masë njerëzish që përbëjnë qindra e mijëra të jenë edhe më tej besnikë të verbër të shpresës së thyer. Këtë e vërteton ulja e madhe e elektoratit të PD. Nga disfata në disfatë deri në shthurje. Partitë nuk duhet të mendojnë se njerëzit janë budallenj dhe se votojnë për sytë e bukur të ndonjë politikani a ndonjë deputeti, që mjerisht vazhdojnë të zgjidhen me listë si në kohën e diktaturës. Asnjë ndryshim nuk ka. Jetojmë në një demokraci të dhunuar e shthurur që ta kufizon lirinë e zgjedhjes.

Mjerisht qeverisjet ndërrohen e gjërat mbetën po aty ku ishin. Hyjmë e dalim nëpër zyra e shohim të njëjtët fytyra. Me pak makiazh pink a blu sigurisht. Dhe po ato janë. Po ai mall i skaduar. Po ato lëvere të vjetra, ato pisanjozë xhepshpuar që me të hipur në kolltuk si deputet a nëpunës shteti u bënë milionerë. Lajmet thonë: Zbulohet një deputet me 56 shtëpi, 18 i ka blerë brenda vitit, deputeti tjetër gazetar me hap krenar shkon të blejë bankën,( kinse harron thënien e Indro Montanelli-t “..Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë.”. Të tjerët nga brekëgrisur apo trafikanët u bënë pronarë televizionesh. U bënë e çfarë nuk u bënë.

E i mjeri njeri i gjendur pa rrugëdalje nuk ka më se ta ushqej shpresën e vet. Dy vetëvrasje më 18 gusht 2017 në qytetin e Tiranës ditën që u dha lajmi për 56 shtëpitë e deputetit. Një i ri vret në mes të ditës nënën e babain e vet. Diagnoza steriotip me porosi të qeveritarëve që duan të mbrojnë fasadën është “depresion”. Një mashtrim i madh ky. Sepse nuk zbulon rrënjët e depresionit kolektiv e të ankthshëm që ka mbërthyer shqiptarët. Po e vërteta është ndryshe. Në depresion të thelle është tërë sistemi, është tërë populli që ecën kuturu e marramendshëm si i droguar, e pak e nga pak po kthehet në një popull endacak dhe i huaj në shtëpinë e vet. Sepse, nëse duam ti hyjmë të vërtetës në themel, shpresa tashmë për shqiptarët është bërë një kurvë që shalohet me të parin bandit politik a shtetar të korruptuar që i del në rrugë.

LIGJI 7501 I VITIT 1991 PËR TOKËN – LIGJI ANTINJERËZOR, LIGJI ANTIDEMOKRATIK, LIGJI ANTIKUSHTETUES, LIGJI BURIM KONFLIKTESH SOCIALE* – Nga Prof. ISMET ELEZI

Kohët e fundit ka filluar të flitet përsëri në televizion e të shkruhet në shtyp për shfuqizimin e ligjit famëkeq me nr.7501/91 “për tokën”. Kjo nuk është e papritur. Për shfuqizimin e këtij ligji do të kërkohet deri në pikë të fundit, brenda dhe jashtë vendit, nga organet shtetërore shqiptare dhe nga organizmat ndërkombëtare, deri sa të hiqet nga qarkullimi.

Me të drejtë shtrohet pyetja përse ka kaq kërkesa e mallkime për këtë ligj? Arësyet janë të forta e të shumta.

Ligji për tokën me Nr.7501/91 është një ligj antinjerëzor, sepse është në kundërshtim të hapët me të drejtën natyrore njerëzore. Njeriut i mohohet e drejta e pronësisë mbi tokën, që është larë me djersën e gjakun e brezave të tërë për ta blerë, ruajtur, mirëmbajtur, punuar për të jetuar dhe i jepet një të treti që s’ka patur lidhje me të.

Shtetëzimet, shpronësimet dhe kolektivizimi i bujqësisë që zbatoi shteti totalitar, goditën pikërisht këtë nerv jetësor, këtë të drejtë themelore.

Ky ligj është krejtësisht antidemokratik, sepse demokracia nënkupton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njueriut dhe jo shkeljen dhe mohimin e tyre. Një ndër këto të drejta themelore është ajo e së drejtës së pronësisë mbi topkën, mbrojtja juridike e pronës private nga shteti.

Ligji nr.7501/91 nuk është në pajtim me nenin 41 të Kushtetutës (1998) ku thuhet se:

1.”E drejta e pronës private është e garantuar.

2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me cdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.

3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publike.

4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”.

Me ligjin nr.7501/91 toka u është hequr pronarëve të ligjshëm dhe u është dhënë të tjerëve me asnjë nga mënyrat e caktuara në Kushtetutë. Qëllimi i këtyre dispozitave kushtetuese ishte të korigjohej shkelja e së drejtës së pronës private me ligjin nr.7001/91. Në realitet në Shqipëri veprohet krejtësisht kundër këtij parimi kushtetues edhe pas hyrjes së saj në fuqi (1998) duke lënë në fuqi ligjin nr. 7501/91, i cili doli dhe hyri në fuqi para Kushtetutës pikërisht atëhere kur u prishen kooperativat bujqësore. Problemi i tokës në atë kohë mund të ishte zgjidhur shumë lehtë, duke marrë secili pronar ato toka që kishte futur në kooperative. Në këtë mënyrë u veprua ne malesite e veriut, ku malesoret nuk e zbatuan kurrë ligjin nr.7501/91. Për këta pronarë nuk ka probleme që ndikojnë e që kërkojnë zgjidhje për tokën, por mund dhe do të ketë të tjera që lidhen me të.

Ndryshe u veprua me ish pronarët e ligjshem ne fshatrat e Shqiperise se mesme e te jugut, ku u zbatua ligji ne fjale.

Me mijera pronare te zhvendosur ne qytete ose ne qendra te tjera banimi per arsye se hyjne ne marredhenie pune me shtetin, me ligjin e lartpermendur u zhveshen nga e drejta e pronesise mbi token, sepse ajo iu nda nga komisionet e posacme personave pa toke.

Ligji nr.7501/91, u bazua teresisht ne parimin leninist qe “toka i takon atij qe e punon” dhe jo pronarit te ligjshem te saj.

Kete parim e mbrojti forca politike qe kishte pushtetin politik ne ate kohe ne kompromis me opoziten, duke u nisur nga interesa per te fituar votat gjate fushates elektorale. Ky pazarllek u be duke shkelur brutalisht te drejten e prones se pronareve te ligjshem te tokes. Dhe pasojat e kesaj politike kane qene teper te renda.

Per ilustrim po japim disa shembuj pa perzgjedhje, por qe jane kuptimplote: Ne nje fshat te vogel te rrethit te Sarandes, me shume se 200 familje jane zhvendosur ne qytete brenda vendit apo edhe ne emigracione jashte shtetit. Keta jane zhveshur plotesisht nga e drejta e pronesise mbi token (bahcet me peme frutore, ullinj, arra, hardhij, etj.). Posedues te tokave te tyre dhe te qindra e mijera rrenjeve te pemeve drufrutore ne baze te ligjit nr.7501/91, jane bere rreth tridhjete familje, te cilat me pare merreshin krejtesisht me blegtori dhe banonin ne mal. Keto familje aktualisht shfrytezojne token dhe pemet drufrutore, shesin vaj ulliri e raki, ndersa pronaret e ligjshem nuk kane te drejte te marrin nje vesh rrush apo nje kile vaj ulliri.

Keq paraqitet gjendja ne fshatra te Kurveleshit, Tepelenes e te Bregdetit etj., ku zhvendosjet e pronareve kane qene massive dhe tokat e pemet drufrutore te tyre kane kaluar sipas ligjit ne posedim te atyre personave qe kane mbetur ne fshat. Me nje fjale, ky shpronesim i detyruar eshte me keq se reforma agrare e vitit 1946, e cila u linte pronareve nje sasi te kufizuar toke.

Zbatimi i ligjit nr.7501/91 ka sjelle jo pak pasoja sociale, rrahje, plagosje, vrasje dhe konflikte te tjera pronesore, te cilat perbejne rreth 40-45 perqind te krejt konflikteve qe ndodhin ne shoqerine e sotme shqiptare.

Ligji ne fjale eshte ne kundershtim edhe me rekomandimet e Keshillit te Europes, e te organizmave te tjera te Bashkimit Europian, te cilat vazhdimisht kane kerkuar edhe kerkojne nga organet tona shteterore rregullimin ligjor te pronesise mbi token.

Lenia ne fuqi e ligjit te lartpermendur eshte ne kundershtim te hapur edhe me interesat kombetare ne teresi, sepse frenon ne menyre te drejtperdrejte investimet e huaja ne Shqiperi. Pra, nga cdo pikepamje qe te shikohet, rezulton se ligji nr.7501/91 ka ardhur koha te shfuqizohet sa me pare, duke kompensuar me toka ne dispozicion te shtetit jo pronaret, por poseduesit e tokave sipas ligjit 7501, si edhe duke mare masa te tjera ne favor te tyre.

Te gjitha ligjet e aktet ligjore qe kane dale nga viti 1992 e deri ne vitin 2005, kane qene tentativa te deshperuara per rregullimin juridik te regjimit te tokes, pa prekur thelbin e tij, domethene ligjin nr.7501.

Sigurisht, me shfuqizimin e ketij ligji lindin nje varg problemesh te tjera, qe meritojne vemendje te vecante dhe kerkojne zgjidhje ligjore te drejta.

Nder keto po permendim disa prej tyre:

1.Me shfuqizimin e ketij ligji mbetet per t’u rregulluar sasia e tokes qe do u lihet ne pronesi ish pronareve te medhenj (cifligareve).

Per kete mund te zbatohen ato reforma ekonomike qe jane praktikuar ne vende te tjera demokratike, pa u kthyer mbrapa ne feudalizem.

2.Ne trojet e shtepive ose ne tokat bujqesore te pronareve, fshatareve te larguar nga fshati e te vendosur ne qytete ose ne qendra te tjera banimi apo jashte shtetit, jane ndertuar objekte socialkulturore, si cerdhe, kopshte, shtepi e vatra kulturore, muzeume, shkolla, dyqane, etj. nga shteti ose nga ish kooperativat bujqesore.

Ne rast se shteti do te ruaje te drejten e pronesise mbi keto objekte, atehere lind e drejta e pronareve te ligjshem per kompensim, sipas tarifave te caktuara nga organi kompetent shteteror. Ne rast se keto objekte p.sh., magazina, dyqane, etj., kane kaluar ne pronesi te personave fizike, a do te detyrohen keta te kompensojne vleren e truallit te zene, apo do e marre persiper shteti kompensimin e tyre? Po qe se keto ndertesa nuk ushtrojne me funksionet e tyre, a mund t’u jepen ne pronesi pronareve te truallit si kompensim, duke u bere vleresime nderteses e truallit? 3.Ne trojet e shtepive apo ne tokat bujqesore te pronareve te ligjshem, te larguar nga fshati, persona fizike para ose pas viteve 1990 kane ndertuar shtepi banimi. Kush do te beje ne keto raste kompensimin e truallit dhe mbi cilat kritere? Ne qofte se vlera e nderteses eshte me e vogel se ajo e truallit te zene, a mund t’i jepet pronarit te truallit si kompensim? Ne rast se I mbetet te zotit te baneses, sa do te jete siperfaqja e truallit qe do te kete brenda ares se pronarit?

4. Ka raste kur shtepite e banimit te ish pronareve te larguar nga fshati, me banim ne qytete, jane prishur dhe ne trojet e tyre jane ndertuar shkolla, muzeume, cerdhe etj. dhe keto objekte tani nuk funksionojne me, kush do te beje kompensimin e trojeve te pronareve te ligjshem te shtepive te prishura?

Ceshtjet e siperme jane vetem disa nga shqetesimet qe kane lindur ne praktike,duke vene ne plan te pare shfuqizimin e ligjit 7501 “Per token”.

Aktualisht parlamenti i ri, i ka te gjitha mundesite per te studiuar me ekspertet me te kualifikuar, juriste, ekonomiste, sociologe, dhe per te gjetur zgjidhjet e pershtatshme ne pajtim me Kushtetuten dhe me rekomandimet e institucioneve dhe te organizmave te tjera evropiane.

Jane te gjitha mundesite te njihet pervoja e vendeve te tjera ballkanike e evropiane dhe te merren masat perkatese. Gjithshka eshte ne varesi te vullnetit politik te forcave politike qe perbejne parlamentin. Partia Republikane, qe me krijimin e saj, shpalli ne program kerkesen paresore , kthimin e pronave pronareve te ligjshem e te meparshem dhe shfuqizimin e ligjit nr.7501/91. Qendrimi konsekuent ndaj kesaj ceshtjeje parimore ka karakter te theksuar politik dhe cdo terheqje ne kompensim me poste qeveritare do te demtonte seriozisht imazhin dhe besimin ndaj elektoratit te saj.

Natyrisht, zgjidhja e problemit varet nga mbeshtetja e te gjitha forcave politike ne parlament, por ne radhe te pare, nga maxhoranca, e cila ka shpallur se do te vendose shtetin e se drejtes dhe do te respektoje te drejtat e lirite themelore te njeriut, perfshire te drejten e pronesise private mbi token. Kjo do te ishte nje nga reformat kryesore ne fushen ekonomike me karakter te theksuar politik e shoqeror. Jo pak pergjegjesi historike e politike ka edhe o opozita per te korrigjuar gabimin e se kaluares per miratimin e ligjit nr.7501/91, si edhe per te realizuar ne praktike, politiken e re, qe nenkupton ne plan te pare politiken e re ekonomike shoqerore, ku themelore eshte e drejta e pronesise mbi token.

Realizimi i qellimit human dhe i mbrojtjes se drejtesise, kerkon qe, ne mbeshtetje te forcave politike parlamentare te angazhohen plotesisht edhe masmedia, si force e pallogaritshme, OJQ-te, institucionet e tjera si Avokati i Popullit, Zyra per Mbrojtjen e te drejtave te Qytetareve e posacerisht te vazhdojne perpjekjet e tyre ligjore konsekuente Shoqata e Pronesise me Drejtesi, Shoqata e Bregdetit etj. per shfuqizimin e ligjit nr.7501 si domosdoshmeri historike.

Shfuqizimi i ligjit nr.7501, nuk ka aktualisht per qellim vetem te mbroje interesat e pronareve te ligjshem, por edhe te atyre qe kane zene tokat e tyre. Alternativat jane te ndryshme ose duke I kompensuar ata nga shteti me toka qe kane ne dispozicion, ose duke I blere tokat nga pronari, apo duke I dhuruar ose ne marreveshje ndermjet tyre lidhen kontrata ne baze te kodit civil e forma te tjera. Me nje fjale, zgjidhja qe propozohet ka parasysh mbrojtjen ligjore te pronareve te ligjshem dhe te atyre qe kane mare tokat e tyre sipas ligjit nr.7501/91.

Shpresojme qe, veç parlamentit, edhe Presidenti i ri i Republikes, do te ushtroje te gjithe pushtetin dhe autoritetin e tij te larte per te plotesuar kete mision sa historik aq edhe njerezor, per rivendosjen e te drejtes se pronesise mbi token pronareve te ligjshem.

12 Gusht 2007

Kush e sulmon Kadarenë – Nga Çerçiz Loloçi

Rezart Palluqi, një shkrimtaruc-katundar prej Elbasani ka bërë kohët e fundit një letër të hapur për Ismail Kadarenë (http://www.radiandradi.com/zoti-kadare-kerkoni-te-falur-polemike-nga-rezart-palluqi/testatakryesore/gazeta/), ku kërkon në thelb të sqarojë momentet me motrën e vet, Kadrie Kadare, ku sipas horizontit të tij pllaquritës e mendon një lloj spiunimi të vëllait për motrën.

Nuk ia vlen të lexosh gjithë letrën e hapur dhe mjerim i madh për ata që i krijojnë hapësirë botimi, por mjafton të shikosh cilësimin e pacipshëm ‘kolegu Palluqi’ (pllaquritje), për të mos e marrë seriozisht një tekst të tillë, që edhe Resul Bedo nuk do ta bënte asnjëherë kur shkruante për heronjtë ose dëshmorët e atdheut. (Emri apo mbiemri kurrsesi nuk et asnjëherë për vlerën e një shkrimtari, por nëse do të lexosh krijimtarinë e këtij autori, ndoshta duhet marrë në mbrojtje për t’u strehuar në ndonjë vorfnore). Natyrisht këto raporte, më mirë se kundërshtarët apo servilët e Kadaresë, i ka shpjeguar ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme Kastriot Dervishi, ku e vetmja letër e Kadaresë për Enver Hoxhën është bërë pikërisht në kohën kur gjithë personat që iste Kakuja (Kadrie Kadare) ishin arrestuar dhe burgosur.

Natyrisht se nuk ia vlen të merresh me Rezart Palluqin, por palluqëria është më e gjerë brenda dhe jashtë kujve zyrtarë të Republikës së Shqipërisë. Është pak a shumë i njëjti mendim që ka djali i eksponentit të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe nomenklaturës komuniste, Ilir Demaliaj, që shpërndau letrën e Kadaresë; koncepti i kreut të sapozgjedhur të Shoqatës Antikomuniste Demokrate dhe i nëndrejtorit të Institutit të Dokumentimit të Krimeve Komuniste, po aq sa mendimi i shokut Nasho Jorgaqi që ka marrë në përdorim arkivin e Nexhmije Hoxhës; të Henri Çilit të UET që ka edhe Çmimin ‘Kadare’, por që boton edhe marrëzitë e Mustafa Nanos dhe punëson ‘varrëmihësin’ e Skënderbeut Hysamedin Ferraj; koncepsioni i shokut Fatos Lubonja që do të dekonstruktojë mitet komuniste por asnjëherë nuk është shprehur për vrasjet pa gjyq të babait dhe nënës së vet gjatë regjimit komunist të parisë nacionaliste; përsiatjet e Adrian Vehbiut me pejzazhet e fëlliqësisë dhe kështu me radhë të një llagëmi gjirizesh majtas, djathtas e në qendër që janë gjithmonë kundër vlerave më të spikatura properëndimore të shqiptarëve.

(Shumë kohë më parë jetonte në Korçë një person që shkruante në majë të trarëve dhe shante nga mëngjesi në darkë Kadarenë, botonte edhe libra dhe, pa pasur asnjë konflikt me pushtetin e djeshëm e të sotëm, ra nga qeramidhet dhe u nda nga jeta. Një tjetër shkrimtar dhe përkthyes që gjëmën e madhe e kishte nga diktatori, thjesht dhe vetëm për xhelozi, mbushte gazetat arbëreshe me denigrime kundër shkrimtarit Kadare).

Bashkë me qeramidherënësin, përkthyesin e indoktrinuar më keq se Pal Vata, kanë ikur në botën tjetër edhe shumë syresh të angazhuar nga Sigurimi i Shtetit, nga levat e partisë që janë konseguentë në përbaltjen e Kadaresë, përfshi shoqatën e agronomëve në pension, organizatën e montatorëve të serrave me tranguj, lidhjen me dy koka të Shkrimtarëve dhe Artistëve në demokraci (një kryetar me vulë dhe kryetari tjetër me anëtarë që shkoi dhe e zhvarrosi rivalin tjetër për t’i rrëmbyer vulën) asosacionin e heronjve të Punës Socialiste, mbarëkombëtarët kuqezi, por të gjithë më vete dhe së bashku kanë pasur një fund të trishtë: janë tretur si hiri që nuk i përmend askush dhe që nuk të bëhet të shkosh as për të kryer nevojat ditore.

Holanda kërkon rikthimin e vizave për shqiptarët (dokument)

Autoritetet holandeze kërkojnë rivendosjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke kushtëzuar kështu lëvizjen e tyre në hapësirën Shengen.

Pas problematikave në rritje të kriminalitetit nga bandat shqiptare në Holandë, Policia Holandeze në bashkëpunim me Prokurorinë Holandeze kanë këshilluar qeverinë për të rikthyer vizat për të gjithë shtetasit shqiptarë në zonën Shengen.

 

Këtë e konfirmon një memo e brendshme që përshkruan raportin në fjalë, i cili është nisur për këshillim qeverisë, ku kërkohet pikërisht rivendosja e regjimit të vizave.

Një kërkesë e tillë është siguruar në mënyrë ekskluzive nga ABC News.

Kriminelët shqiptarë në Holandë janë fuqizuar së tepërmi vitet e fundit, pasi operojnë kryesisht në trafikun e drogës, pastrim parash dhe në trafikun e qenieve njerëzore.

Për Policinë dhe Prokurorinë Holandeze, mënyra më e mirë për të luftuar këtë fenomen është rikthimi i detyrimit për pajisjen me viza, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të mos hyjnë më lirisht në zonën Shengen dhe në Holandë.

Policia e Amsterdamit ka konfirmuar për ABC News ekzistencën e këtij raporti dhe tha që policia ka parë një fuqizim të fortë të elementëve kriminalë në Holandë. Numri i të dyshuarve për vepra penale me kombësi shqiptarë përgjatë një viti është dyfishuar, duke shtyrë kështu kërkesën për masa më të ashpra.

Do të jetë qeveria në Holandë ajo që do të vendosë për një masë të tillë, e cila deri më tani po studion raportin. Zyra e Ministrit të Brendshëm preferon të reagojë pasi ministri të ketë marrë vendimin e tij. Të paktën disa parti politike janë shprehur në të kaluarën pro forcimit të masave shtrënguese për shqiptarët dhe kështu rikthimi i vizave mund të jetë një opsion real për Holandën./ABC News

Pse bënim më shumë seks në komunizëm? – Nga Dr. Mirela Oktrova

Lajmet e ditëve të fundit për zbulime rrjetesh prostitucioni, që veprojnë në qendër të Tiranës, ka kohë që s’përbëjnë më sensacion. Ekzistenca e dukurisë nuk përbën më lajm, po vetëm konfliktet e aty-këtushme të autoriteteve me të.

Po ndonëse gjatë pranë dukurisë, ne si shoqëri vazhdojmë të përballemi me të me vetëdijen e strucit, që mendon se shpëton vetëm duke mbyllur sytë – kështu refuzojmë të perceptojmë emergjencën dhe agresivitetin e dukurisë, gjeografinë e shtrirjes dhe thellësinë e depërtimit të saj… Kjo në një kohë, që areale të tëra rreth nesh ka kohë që janë përfshirë në diskutime sa të ethshme aq edhe të kthjellëta publike, si për mënyrën e perceptimit shoqëror të prostitucionit ashtu edhe për trajtimin ligjor të protagonistëve dhe përfituesve të tij.

Kaq shumë ndryshojmë ne nga pjesa tjetër e botës?

Ndonëse ndeshet praktikisht në çdo kulturë, qëndrimi ndaj prostitucionit varet nga standardet kulturore, etike dhe fetare të shoqërive përkatëse dhe ndryshon vazhdimisht nën ndikimin e zhvillimit të tyre. Po kështu, edhe qëndrimi i institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare. Kështu, ndërsa Parlamenti i BE-së në vitin 2014 u rekomandoi vendeve anëtare të ndalojnë prostitucionin, si shkelje e të drejtave të njeriut dhe formë dhune ndaj grave, Amnisti International – me një vendim parimor, bazuar në anketime në të gjithë botën – shpalli një vit më vonë vendimin e vet, për të avokuar pro “dekriminalizimit të të gjitha aspekteve të punës seksuale konsensuale”. Ky dyzim qëndrimesh reflektohet edhe në pamjen globale të dukurisë.

Aktualisht në Europë prostitucioni lejohet në: Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë, Danimarkë, Finlandë (pjesërisht), Greqi, Luksemburg, Portugali, Spanjë, Turqi, Hungari, Angli dhe ndalohet në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Francë, Lituani, Itali, Norvegji, Rumani, Suedi. Prostitucioni lejohet edhe në Australi, Brazil, Kanada dhe Zelandën e Re, ndërkohë që ndalohet në SHBA (përveç Nevadës), Afrikë dhe Japoni, Kinë, ku ka lëvizje për amendim, Pakistan dhe Tailandë, ku ndalimi është i pjesshëm si edhe në Jemen dhe Arabinë Saudite, ku dënohet me vdekje. Shqipëria evidentohet botërisht si një vend, që nga njëra anë e ndalon prostitucionin, por nga ana tjetër funksionon si burim për trafikimin e skllaveve shqiptare të seksit drejt Perëndimit.

A e justifikon veten diskutimi publik për dekriminalizimin e tij? 

Nisur nga synimi për t’i prerë apo ngushtuar sferën e veprimit kriminalitetit të organizuar, sigurisht që po! Me kusht, që qasjet të jenë të zhveshura nga pseudomoralizmi dhe seksizmi.

Prostitucioni nuk është fenomen natyror, por produkt shoqëror. Cilësimi i shpeshtë si “zanati më i vjetër i botës” e justifikon ekzistencën e tij po aq pak sa ç’do të justifikonte vazhdimësinë e skllavërisë. Po fakt është, se bota ka pasur dhe ka nevojë për të – madje dhe bota jonë – dhe për sa kohë që kërkesa mbijeton, ajo do të vazhdojë të prodhojë pashmangshmërisht edhe oferta. Prostitucioni është padyshim një rrugë për të siguruar të ardhura jominimale, të pamundura ose të vështira për t’u fituar ndryshe. Se për sa kohë tregu i punës kërkon një kualifikim që mungon, nga puna e keqpaguar s’tepron gjë dhe martesa për para të shndërron në robinë, prostitucioni do të vazhdojë të shërbejë si alternativë ndaj çdo pune të rëndomtë apo martese të detyruar.

Po nëse është kështu, ç’argumente flasin pro dhe cilat kundër liberalizimit të prostitucionit?

Argumentet pro u referohen të drejtave të njeriut – ato kundër, bazohen te vijimi i denatyrimit të tyre edhe në kushtet e legalizimit.

Në një qasje të ftohtë liberale ndaj çështjes, ndalimi i prostitucionit me ligj kufizon mundësitë e ushtrimit të tij si profesion për sigurimin e jetesës dhe përbën për këtë arsye shkelje të të drejtave të njeriut. Se nëse dikush zgjedh të ofrojë seks në këmbim të pagesës, për këtë me siguri që ekziston një arsye e fortë, që e bën vendimin alternativën më të mirë në realitetin ku individi jeton. Dhe nëse ky opsion bie – ligjërisht apo shoqërisht – individit i duhet të kërkojë një alternativë tjetër të çfarëdollojshme, çka përbën kufizim të së drejtës së tij për punësim. Por kritikët vërejnë, se legalizimi i prostitucionit nuk do të thotë automatikisht shtim mundësish punësimi për gratë, pasi sipas vetë prostitutave të intervistuara, prostitucioni nuk është zgjedhje por pamundësi për t’u punësuar ndryshe. Duke iu referuar një studimi të kryer në pesë vende të Europës Perëndimore – kundërshtarët globalë të legalizimit vënë në dukje, se edhe vetë gratë e përfshira në prostitucion janë kundër trajtimit të prostitucionit si punë të ligjshme, pasi kjo sipas tyre sjell me vete rreziqe akoma më të mëdha nga shfrytëzuesit e dhunshëm.

Në fakt, si ekzistenca ashtu edhe dekriminalizimi i prostitucionit janë të mundura vetëm në një kulturë ku seksi nuk ka si parakusht barazinë e partnerëve, por vullnetin e njëanshëm. Kështu shoqëritë patriarkale priren ta shohin seksin si një akt të njëanshëm, gjatë të cilit nuk është relevante dëshira e gruas, po vetëm pëlqimi i saj formal. Në kushtet kur dikush që dëshiron seks mund ta kënaqë dëshirën e vet në një marrëdhënie të kryer pavarësisht dëshirës së partneres, janë të gjitha mundësitë, që ai ta marrë këtë kënaqësi kundrejt pagesës edhe gjetkë. Megjithatë kritikët vërejnë, se liberalizimi i prostitucionit nuk zbut kurrfarë tensioni social. Sipas tyre, ai ka vlerë vetëm për industrinë e seksit, pasi heq stigmën, shndërron trafikantët në sipërmarrës dhe çliron kërkesën për tregun e seksit nga skrupujt moralë apo frikërat sociale.

Ndërsa mbështetësit e legalizimit, përshirë të gjitha organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e mbështesin dekriminalizimin e prostitucionit, për të nxjerrë nga ilegaliteti dhe hequr nga rruga, keqtrajtimi dhe diskriminimi punonjëset e tij, për kritikët, legalizimi nuk e përmirëson dot statusin e tyre – se nëse në rrugë ato mund të kenë mundësi t’i shmangen rrezikut dhe të refuzojnë praktikat e rrezikshme e denigruese, në mjediset e mbyllura janë thjesht robina të punëdhënësve. Sipas tyre, legalizimi shkon gjithsesi vetëm në interes të klientëve. Në pjesën dërrmuese të rasteve ato janë edhe viktimat, që infektohen nga klientët për shkak të seksit të pambrojtur, të cilin nuk e refuzojnë dot pa pasur pasoja edhe në kushtet e legalizimit.

Diskutimi është shumëplanësh, delikat dhe i rëndësishëm – ai kërkon njohuri dhe tolerancë, drejtësi dhe humanizëm, qasje të kthjellët dhe gatishmëri të sinqertë për angazhim social. Po para së gjithash kërkon kurajë për të mos mbyllur sytë, gatishmëri për prononcim pa komplekse dhe përgjegjësi për rekomandime të mbështetura dhe perspektiva me vlerë shëruese.

Një diskutimi të tillë koha nuk i ka ardhur…, në fakt i ka shkuar…

Se kur pasojat e dukurisë zhvatin e godasin në të katër anët – në qendër dhe në periferi, në shtresat e larta dhe në rrogozet e ndyta, si mbijetesë apo si krim i organizuar…, s’ ka struc që fshihet dot duke mbyllur sytë … .

Ndaj më mirë t’i hapim – edhe sytë edhe gojën…

/Burimi: Mapo/

FRONI I PERËNDIVE! TOMORI, ATY KU ZOTI FLET SHQIP – Nga AZGAN HAKLAJ

“Pa Atdhe nuk ka Fe”

 (Profeti Muhamed)

 

Përpara se grekët e lashtë të krijonin zotat dhe të mitizonin Olimpin si fron të Perëndive, Mali Zot i Tomorit, apo Baba Tomorri siç shprehej poeti ynë rilindas, Çajupi, ishte një nga tempujt më të shenjtë e më të njohur të Botës që nga epoka pellazgjike.

Vazhdimësia e adhurimit të këtij tempulli madhështorë të besimit e të natyrës, njëherësh nga shqiptarët, tregon jo vetëm autoktoninë e racës Pellazgo-Iliro-Arbërore, por njëherësh edhe faktin kuptimplotë se stërgjyshërit tanē apo “Pellazgët Hyjnorë”, siç shpreheshin për ta mendjendriturit e Rilindjes Kombëtare.

Ata patën krijuar që në krye të herēs një marrëdhenie speciale e të drejtëpërdrejtë me Zotin e Dheut, të cilin grekët e vjetër të ardhur shumë shekuj më pas, në territorin ku dikur lulëzonte jeta, kultura dhe civilizimi pellazgjik, e tjetërsuan me dinakëri në Zeus dhe e vendosën me seli në Olimp.

Tomorri, i vendosur në kërthizën e trojeve të stërlashta Pellazgo-Ilire, është faltorja ku të parët tanë i blatonin lutje dhe dhurata Krijuesit të Gjithësisë.

Kulti i 12 perëndive pellazge ishte aq frymëzues për Aleksandrin e Madh, nëna e të cilit Olimbia ishte bijë e Mollosëve, fis epriot, sa në përfundim të fushatës së tij triumfuese në Lindje, ky Perandor e strateg gjenial i racës tonë ngriti nē Indi, një panteon madhështorë, në përkujtim të tyre.

Si kryekult i historisë të besimeve tona Baba Tomori gërsheton më shumë se cilido vend tjetër vazhdimësinë dhe shtresëzimin e besimeve nga ai Pagan, Paleokristian dhe së fundmi Bektashizmin, të themeluar nga Ilministi Hyjnorë Haxhi Bektash Veliu.

Bektashizmi Shqiptar u identifikua që në lindje si një fe kombëtare, i cili me figurat më të shquara të tij dhe përmes tempujve, diturisë, mbajti të ndezur pishtarin e lirisē e të dashurisë për Atdheun.

Nuk është rastësi që Vëllezërit Frashëri së bashku me Pashko Vasën konsiderohen me tē drejtë “etërit e nacionalizmit e të Rilindjes Kombëtare”.

Vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Ismail Qemali, Aqif Pashë Elbasani, Murat Toptani e të tjerë ideologë e Prijës të Lirisë, të dalë nga gjiri i Komunitetit Bektashian, janë krenarija jonē dhe ballina e historisë tonë kombëtare.

Asnjë besim tjetër nuk e ka bërë të vehten shprehjen profetike të Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, siç e ka bërë Komuniteti Bektashian.

Flamuri Shqiptar, Kuqezi shpaloset madhështorë nē Selinë e Shenjtë tē Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ashtu si në objektet e kultit të saj në mbarë trojet etnike të Kombit Shqiptar.

Tomori është kështjella e pamposhtur e Lirisë, e historisë kombëtare dhe e identitetit tonë etnik.

Dhjetra perandorë i kanē rënë kryq e tërthorë Shqipërisë dhe Ballkanit. Kanë ikur dhe janë varrosur në gërmadhat e historisë pa ja arritur dot të zhdukin dhe të asimilojnë gjuhën tonë Hyjnore, gjuhën me të cilën vetë Zoti ju flet në këtë tempull madhështorë mbarë njerëzimit.

“Aty ku është shpirti i Zotit, aty është Liria”, thotë një fjalë e urtë latine.

Liria e Kombit Shqiptar ka selinë këtu në Tomor.

Strategët dhe mbretërit e ndritshëm ilirë, Bardhyli, Pirro, Agroni e Teuta i faleshin Tomorit dhe e adhuronin si Fron të Zotit.

Perandorët ilirë të Romës dhe shenjtorët kristianë të trojeve tona e njihnin më së miri dhe evokonin me krenari historinë e tij.

Historia më e lashtë e Shqipërisë rrotullohet rreth Tomorit Hyjnorë, rreth Malit-Zot, ashtu siç rrotullohet Toka rreth boshtit të saj.

Baba Tomori është kryefjala dhe kallzuesi më autentik i gjenezës shqiptare. Aty gjendet kulmi, shkëlqimi i lavdisë, shenjtërisë dhe madhështisë të Kombit Shqipëtar. Nga ky kulm i lartë mund të shohësh larg e thellë, të çash mjegullnajën e kohës e tisin e hapësirës, të fluturosh si shqiponjë dodoniane, zeusiane.

Edhe pse koha me largësinë e saj kërkon ta zvenitë këtë madhështi, konturet e tempullit të lashtë gjithnjë rriten në horizont.

Emrat e Tempullit të lashtë të Tomorit e Dodonës pellazgjike, e cila u ba orakulli i Zeusit, Perëndisë më të fuqishme të mitilogjisë grekem dokumentohen herët në histori.

Në poemat e Homerit ata janë versnikë, binjakë. Tek Iliada citojmë: “O mbret, Zeus, Dodonës pellazgjik, që banon larg, duku sunduar Dodonën ( Tomorin e sotëm), që e rrahin dimra të egër”.

Historiani Aravantioit në librin e tij botuar në Janinë në vitin 1859 nënvizon: “Dodona ishte qendër pellazge, parahelene, shumë më e hershme se gjuha, perënditë dhe mitologjia greke”. Këtë konstatim e kanë pranuar edhe autorët më të zeshëm helenë.

Babai i historisë greke, Herodoti, apostrofon faktin se: “Faltorja e Dodonës është më e vjetra mbi dhé”, pra më e lashta dhe aty vinin blatime nga të gjithë popujt e Evropës që ndodheshin nē veri tē Ilirisë.

Hesiodi në poemën”Carmina” përshkruan Hellopinë dhe e cilëson si atdheu i Dodonës. Ai pohon se: “Dodona dhe lisi ishin qendrat e pellazgëve”.

Pseudo Skylasi, Tuqiditi, Klod Ptolemeu, Tit Livi dëshmojnë se “elejtë”, fis epiriotë, përkatësisht ilirë, u përhapën në Italinë e Jugut.

Eskili, shek. V p.e.s., tek ” Prometeu i lidhur” na thotë: “Kur të keni arritur në tokën e Molosëve të Dodonës së Sipërme ka një orakull dhe tempull të Jupiterit Thesprot”. Ai pohon se Tempulli i Dodonës gjendet në majë të një mali të lartë që është Tomori i sotëm.

Rilindasi Sami Frashëri shkruan se edhe në kohët më të qytetëruara të Greqisë, Tempulli i famshëm i Dodonës, që gjindej në Epir, u përkiste pellazgëve. Priftërinjtë, që shërbenin në tempull, dhe popullsia rreth tij flisnin gjuhën e pellazgëve. Vizitorët që vinin nga krahinat greke merreshin vesh me përkthyes. Priftëreshat e faltores së Dodonës (Tomorit të sotëm) nuk flisnin helenisht.

Në mitilogji thuhet se të gjithë njerëzit që vinin nga të gjitha anët e botës kërkonin të dinin parashikimin e fatit të tyre.

Tri gratë që përmend Straboni lidhen me emrin e fisit “Graik”, “Gratë” që gjendeshin në Epir. Fjala gra është vendase, pellazge, shqipe.

Babai i historisë greke, Herodoti, thekson një fakt të madh shkencor për tempullin më të lashtë të Botës: “Dodona është ndërtuar nga banorët vendas të Epirit, prej kësaj vatre, tradita e shenjtërisë së Zeusit është përhapur në drejtim të Greqisë sotme e më gjërë.

Në këtë Mal-Zot kremtohet festa e Abaz Aliut, Heroit të Luftës së Qerbelasë, figurë emblematike e Peligrinazhit Botërorë e gërshetuar me mitin e Dodonës, më dt. 20-25 gusht të çdo viti. Gjurma e Abaz Aliut lidhet me historinë dhe legjendën se si ai ka ardhur në Tomor.

Rilindasi yni i Madh, Naim Frashëri, në poemën “Qerbelaja” thotë:

“Abaz Aliu zu Tomorë,

Erdhi afër nesh .

Shqipëria s’mbetet e gjorë,

Se Zoti atë e desh”.

Heroi i Luftës së Qerbelasë trashëgoi fuqitë e tij të mbinatyrshme dhe prej këtej për pesë ditë shkoj në Olimp, prandaj dhe Peligrinazhi i Malit të Tomorit që nga koha e ardhjes së Abaz Aliut, kremtohet nga dt. 20-25 gusht për pesë ditë rresht të qëndrimit dhe largimit të tij.

Ditët e Tomorit janë ditë blatimi dhe lutjesh për Perënditë, janë ditë përkushtimi dhe flijimesh, për çdo njeri pavarësisht çfarë besimi ka.

Ky Peligrinazh, tashmē i përvitshëm, ka marrë përmasa botërore.

Në Tomor, në Olimpin Shqipëtar, Perëndinë e ligjësisë, selinë e Zanave të Maleve siç e quan poeti ynë Naim Frashëri tek “Bagëti e Bujqësi” apo “Hija e Tomorit”, ndryshe: “Perëndia e Tomorit” tek ” Gjahu i malësorëve” të Kristoforidhit, edhe këtë vit do të marshojnë qindra mijëra peligrinë nga e gjithë bota.

Jo larg prej ketu janë trojet e Qypryllinjëve të kësaj dinastie të shquar, nga rradhët e të cilës dolën kryeministrat, burrështetas e reformatorë të mëdhenj, të cilët ngritën Perandorinë Osmane nē apogjeun e saj dhe lanë gjurmë të thella në histori.

Vetë Mustafa Qemal Ataturku, “Babai i Turqisë moderne” kur Kryegjyshata Botërore Bektashiane e vendosi selinë në Tiranë, i është shprehur një diplomati të huaj se: “Bektashizmi ështē kurora e artë e Islamizmit dhe ajo i takon Shqipërisë.

Poeti ynë Naim Frashëri, ideolog i Bektashizmit, i atdhedashurisë e njëherësh patriark i kulturës tone, me postulatin memorial: “Ti dritë që lind andej nga perëndon” e ka konstruktuar bektashizmin si një besim thellësisht atdhetarë, kombëtarë dhe evropian njëherësh.

Nëse toleranca fetare është kryevepra e civilizimit dhe humanizmit shqiptar, kontributi i udhēheqësve të klerit dhe liderëve shpirtërorë të Bektashizmit është i dorës së parë dhe i një rëndësie historike për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Tre dekada më parë Nanë Tereza e bekoi Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe u përqafua si motra me vëllanë me Haxhi Dede Reshat Bardhin. Këta bij të pavdekshëm të Shqipes janē shenjtorët më të ri të Racës Arbërore. Nënë Tereza dhe Reshat Bardhi këta banorë të përjetshëm të parajsës janë simbolet më tē ndritura, jo vetëm të unitetit shpirtërorë, por dhe kulturorë e politik të Kombit Shqiptar.

Bektashizmi dhe Shqipëria janë një dhe të pandarë,  ashtu siç është trinomi ynë, Gjuha-Kombi dhe Flamuri.

Është nderi dhe privilegji më i madh që Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore është sot dhe përjetësisht në Tiranë në Kryeqendrën e Kombit Shqiptar.

Shpirtëndrituri Dedë Reshati e pat bekuar Flamurin Shqiptar që Forcat tona të Armatosura e shpalosën me krenari në misionet paqeruajtëse në Afganistan, nē Irak, por edhe Flamurin Amerikan si simbol të Atdheut të Lirisë.

Ky është mesazhi i Bektashizmit Shqiptar. Paqe, Harmoni, Tolerancë, Vllaznim. Bashkim në një Shtet-Komb të orientuar nga vlerat evropiane, të lirisë, demokracisë dhe progresit.

“Pa Atdhe nuk ka Fe”.”Jetëgjatësia e një populli varet nga jetëgjatësia e trashëgimisë shpitërore të tij “

Këto profeci të Profetit Muhamed, misionet e përbashkëta Kombëtare e Hyjnore konkretizuan një bashkëpunim të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar dhe Kryegjyshatës Botërore, nën kujdesin e veçantë të Haxhi Dede Edmond Brahimajt.

Më dt. 22 gusht në Malin Zot-Tomor do të organizojmë Koncertin Tematiko-Artistik, që vitin tjetër do të kthehet në Festival i përvitshēm Kombëtarë: “Froni i Perëndive”.

Këtë vit do të marrin pjesë artistë, grupe artistike, shoqata kulturoro-artistike nga tē gjitha trojet etnike.

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar nderon me Titullin:
” Misionar i Kombit” Kryegjyshin Botërorë të Bektashizmit Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Vitin tjetër e në vazhdim, hartës së festivaleve kombëtare të organizuara nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar tash 15 vite, do t’i shtohet dhe një Festival Hyjnorë, i përvitshëm. “Froni i Perëndive”.

Ky bashkēpunim vjen pas një bashkëpunimi me sukses me Kumunitetin Musliman në Tiranë. Para disa vitesh, për herë të parë në një spektakel madhështor, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, në Pallatin e Kongreseve, organizoi për herë të parë Ditëlindjen e Profetit Muhamed.

Çdo vit, në bashkëpunim me Agjensinë e Spektakleve “Jehona e Shkodrës”, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar organizon me rastin e Krishtlindjeve. më 25 dhjetor: “Sofrën Shkodrane”.

Ne, Shqiptarët, duhet të jemi krenarë për historinë tonë.
Gjeneza jonë është e hershme, heroike, e lavdishme, atdhetare e patriotike.

Ndihemi krenarë që kemi tempullin më të lashtë të botës, Dodonën pellazgjike, Tomorin e sotëm, orakullin dhe faltoren e Zeusit, Perëndisë më të fuqishme të mitologjisë, greke dhe prejardhja e tij është prej trojeve tona, prej parardhësve tanë, e dokumentuar dhe e pranuar nga studiuesit e botës, por edhe nga vetë ata helenë.

ZOTI KRYEMINISTËR, KTHEJANI QETËSINË ESENINIT SHQIPTAR, LASGUSH PORADECIT – Nga Besim Ndregjoni

Në fillim të muajt gusht ndodhesha me pushime në Pogradec në qytetin e Mitrushit e të Lasgushit ku perla e mrekullueshme hyjnore liqeni,  i jep këtij qyteti, madhështinë e bukurinë natyrore  me pamjen e magjishme që  do ta kishte lakmi çdo krahine apo qytet në botë.  Po shëtisja me miqtë e mij pogradecar ish të përndjekur politike dhe rastësisht përjetova një debat  në mes dy rojeve të lokalit 1 Maj,  dhe dy zonjave të nderuara bijat e poetit të madh lirikut të pazevendësushëm  shqiptar me përmasa botërore Lasgush Poradecit. Godina e 1 Majit ishte në tokën e Lasgushit të  madh, e ndërtuar mbas viteve 90 e përkrahur nga pushtetet politike,  rojet nuk u  jepnin të drejtë zonjave të parkonin makinën në pronën e tyre të trashëguar brez mbas brezi. Debati ishte sa qesharak dhe aq tragjikë.  Ata që kishin ndërtuar godinën në tokën e Lasgushit, nuk lejonin pronaret e ligjshme të pushonin në pronën e tyre. Ata që kishin përkrahjen e mafies pushtetare, silleshin me zonjat e nderuara si xhelatë duke u mohuar  qëndrimin në pronën e ligjëshme.  Duke dëgjuar këtë debat në mes pronareve të ligjshëm dhe mbrojtsve të hotelit të pa ligjshëm, mendja të shkonte larg në kohë, kur barbarët komunistë , në vitet 44-90 i nxirrnin  pronarët nga pronat e tyre dhe i degtisnin rrugëve të Shqipërisë si muhaxhirë. Viktimat e pafajshëmm ishin bijat e Lasgushit poseduese e kësaj prone. Kurse mafia e pushtetit sillet si padrone ndaj këtyre viktimave që si qytetare të dermuar nga sorollatja nëpër gjygje për 27 vite  nuk janë në gjendje të gëzojnë pronën. Këto viktima të diktaturës dje dhe të “demokracisë”  sot , kan një emër, janë pronarët e ligjshëm zoti Kryeministër, janë Maria, dhe Konstandina dy bijat e poetit LLazi Gusho, Lasgushit të pavdekshëm. Janë qytetare dhe  pronare në  qytetin e tyre. Lasgushi i madh i poezisë shqipe dje në diktaturë,  përbuzej nga regjimi, që si thurte lavde komunizmit . Sot vajzat e Lasgushit, zoti Kryeministër e shohin veten të përbuzura, e shohin veten si “lecka të hedhura poshtë” nga ata që nuk pranojnë të trazohen nga tregimet e tyre-historira të kaluara që u kujtojnë pushtetarve karierën gjatë regjimit komunistë. Në Pogradec tregonin se turizmi e kishte  pronë një ish ministër finance të pushtetit aktual, disa hotele janë të ish ministrit të mbrendshëm, po të kësaj qeverie,  vila në Hudenisht jane të filan deputeti të  majtë në parlamentin e tanishëm shqiptar  etj .  Dhe asnjë pronarë i  ligjshëm në Pogradec nuk kishte një vilë apo një hotel. Para ndërgjegjeve të këtilla ne ballafaqohemi nga një rrezik vdeksor: Ringjallja e diktaturës me një maskë të re.

Pronarët shqiptar dje në kondita ekstreme mbrotjen të drejtën , të vertetën, njerzoren dhe nderin e kombit shqiptar. Padrejtsia në këtë vend zoti Kryeministër është kthyer  në formën ma të keqe  të sundimit  duke hedhur mbi vete  mantelin e “demokracisë’.

Kohët kan ndryshuar , sistemet diktatoriale e politike, shkojnë e vijnë, por pronarët të përndjekur me karakter  dhe koncepti i tyre njerzor  janë vlera të përhershme. “Prezenca e së keqes” në shoqërinë shqiptare  do të përfundoi në mënyrë të paevitueshme në korruptimin  e plotë  të atyre  që sundojnë, ose në revoltën e atyre që persekutohen. Është bërë  zakon në Shqipëri që për të mbuluar të vërtetën, qeveritarët  akuzohen si “shfrytëzues”e “parazite”sepse shumë prej tyre kërkojnë dhe marrin pasurinë dhe pronat e sekustruar  pa të drejtë nga regjimi diktatorial.

Në Kushtetutën Amerikane gjinden tri fjalë që përcaktojnë filozofinë e themeluesve të kësaj demokracie të madhe: liria, jeta dhe kërkim për lumturi (life, liberty and the pursuit of happiness) Në thelb, koncepti i pronës private kishte aq rëndësi sa edhe jeta dhe liria.  “Prona private “ ( the private property) është diçka që i takon vetëm pronarit të ligjshëm, don të thotë  një e drejtë   ekskluzive me e gëzue  në kuptimin më të gjërë të fjalës, çdo gjë që ka një çmim ose një interes  e konsiderohet  kryesishtë si burim pasurie.

Prona private është burimi i të ardhurave që i shërbejnë plotsimit e nevojave material  e kulturore vetiake e familjare. Një  gjendje e  këtill e bën pronarin e lire e të pamvarun nga shteti, I pamvarun në një shoqëri ku sundon ligji, individi quhet qytetar i lire. Me ardhjen e komunizmit në Shqipëri koncepti i pronës ndryshoi rrënjësisht, ajo u përcaktua  si “diçka që është në përputhje  me parimet  e një shoqërie që i përgjigjet kërkesave të moralit komunistë” Kjo don të thonte pasuri shtetërore , koperativiste dhe jo private. Natyrishtë pronarët e kundërshtuan dhe përfunduan në burgje dhe kampe përqendrimi. Kështu jetoi Shqipëria 45 vite  diktaturë.

Por absurditeti i një zhvillimi të këtill çfaqet sot kur sistemi komunist është përmbys dhe metodat e tia vazhdojnë të aplikohen nga qeveritare të indoktrinuem  që refuzojnë të pranojnë kuptimin e mirfilltë të pronës private: jetë të lire e të pamvarun nga “shteti”.  Është asurde kur shihen sot viktimat e regjimit komunistë ish pronarë të sillen vërdallë zyrë në zyrë e gjykatë në gjykatë për pasurinë e trashëgueme dhe sorollaten përpara një administrate shurdh –memece  që sundon këtë vend, dhe jo nga “shërbestarë”  e demokracisë të shoqërisë së lire.

Zoti Kryeministër kthejani qetsinë Lasgushit në botën e amshuar, kthejani pronën Eseninit shqiptar dhe gëzoni bijat e tij duke ju dhënë pronën e tyre. Aborgoe ligjin famkeqë 7501 dhe atëhere do të ndërtoni shtet, shtet të së  drejtës. Mos aborgimi i këtij ligji dhe mos kthimi i pronës tek i zoti është një këmbanë dhe paralajmrim për të gjithë ata që sot heshtin e qëndrojnë indifferent.  Koha do ta tregojë!

Besim Ndregjoni

 

 

Dalja e parë pas aksidentit…ja si duket ish-ministri Arben Ahmetaj (Fotot)

Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj u përfshi në një aksident të rëndë rrugor fiks një më muaj më parë në Maqedoni, duke mbetur i plagosur.

Në aksidentin e 16 korrikut u plagosën 14 vetë, pasi “Range Rover” i drejtuar nga shoferi i Ahmetajt, u përplas me një autobus dhe dy makina të tjera. Makina rrëshqiti si pasojë e reshjeve të shiut.

Fatmirësisht, ish-ministri i Financave duket se e ka marrë veten nga aksidenti. Ai u fotografua sot nga gazetarët e “Gazeta Shqiptare” në qendër të Tiranës.

Ahmetaj mban paterica, me sa duket deri në rikuperimin e plotë të tronditjes që i la aksidenti.

Fotot janë shkrepur përballë “Taivanit”, pak metra larg zonës së ish-Bllokut.

 

VANGJUSHI I DURRËSIT DHE “VANGJUSHËT” E TJERË – Fejton nga TANUSH KASO

Kryebashkiaku i Durrësit, i rizgjedhur me votën e vjedhur a të blerë, nga më pak se gjysma e  atyre që shkuan në votime, është bërë i njohur prej kohësh si armik numër një i monumenteve historike e kulturore të atij qyteti të lashtë. Pa përfillur protestat e shtetasve shqiptarë, të historianëve dhe të intelektualëve atdhedashës të Durrësit e të Shqipërisë, ai u ka vënë kazmën disa monumenteve me vlera të pazëvendësueshme. Ky “guxim i tepruar” i tij, nuk vjen vetëm nga mania e fitimit prej firmave të  ndërtimit, por edhe nga mungesa e respektit ndaj çdo gjëje shqiptare, për shkak të prejardhjes së tij joshqiptare.
Në fare pak raste ai është detyruar t’i ndërpresë punimet e ndërtimit mbi monumentet historike të rrënuara pjesërisht, duke i lënë të rrethuara ato zona, si varreza të mëdha e të frikshme.
Por, ndryshe ka vepruar me atë shatërvanin shekullor e mjaft të bukur, me vlera arkitektonike e historike, që gjendej në sheshin përpara Bashkisë. Me gjithë protestat mbarëqytetare të patriotëve durrsakë, pa dallim bindjesh politike, ai e bëri të vetën: e zhduku atë nga sheshi, sepse i vriste sytë, sa herë që kalonte para tij për në zyrën e vet. Po çfarë kishte menduar të sajonte në atë shesh, me atë fantazinë e tij “pjellore”? Asokohe u hapën fjalë se donte të ndërtonte një objekt të kultit fetar ortodoks sipas stilit grek, për t’i bërë qejfin Janullatosit. Dhe ndofta ato nuk kanë qenë thjesht “thashetheme”. Por, Vangjushi nuk guxoi ta bënte atë; sigurisht mbas ndonjë ndërhyrjeje nga lart, për të mos ndezur frymën e protestave masive dhe të komenteve të padëshiruara. Mirëpo një ditë, teksa vështronte i kënaqur sheshin e zbrazët, simbol i fitores së tij mbi vullnetin e qytetarëve, gati sa nuk thirri me të madhe “Eureka”!  Sepse ai e kishte gjetur se çfarë do të ndërtonte në vendin e shatërvanit të dikurshëm. Ndonëse nga trupi ai hyn në kategorinë e shkurtabiqëve, dhe si i tillë nuk mund të ketë qenë kurrë ndonjë basketbollist i shkëlqyer, Vangjushi vendosi të ndërtojë aty, mu përpara derës së Bashkisë, një fushë basketbolli!
Kuptohet se këtë “vepër të katërvjeçarit”, që pritet të përurohet së shpejti me ceremoni, ai e krijoi për t’u bërë qejfin miqve të tij trupgjatë të Durrësit e të Tiranës.
Vangjushi i Durrësit, ka dhënë prova se është edhe armik numër një i librave shqip. Drejtuesit e Bibliotekës së atij qyteti, ka kohë që kanë dhënë alarmin  se po dëmtohen mijëra libra e po dalin jashtë përdorimit, për shkak të lagështisë, të ngushtësisë së vendit dhe të kushteve tejet të papërshtatshme. Është shkruar e folur edhe në mediat qendrore për këtë çështje shqetësuese. Megjithatë, Vangjushi e ka bërë veshin e shurdhër dhe asqë e ka vënë fare ujin në zjarr për zgjidhjen e këtij problemi. Ai tip, që duket se nuk ka lexuar asnjë libër jashtëshkollor në jetën e tij, nuk ka sesi ta njohë vlerën e vërtetë të librave. E quan si një objekt pa kurrfarë rëndësie Bibliotekën e qytetit, ku rendin çdo ditë për të thithur dituritë, nxënësit, studentët dhe qytetarët e tjerë durrsakë. Kjo mospërfillje e tij, mund të jetë edhe ngaqë nuk parashikon ndonjë përfitim të madh vetjak, në të holla, nëse do t’i hynte punës për rikonstruksionin e Bibliotekës së qytetit.
Moskokëçarja e Vangjushit të Durrësit, për Bibliotekën dhe për librat shqip, na kujton edhe ata “Vangjushët” e Korçës, të cilët ca vite më parë asgjësuan disa mijëra libra shqip, me justifikimin absurd se “ishin të vjetër dhe do të zëvendësoheshin me libra të rinj”! Mos vallë ata zotërinj ishin aq injorantë sa të mos e dinin se librat, ashtu si vera, sa më të vjetër të jenë, aq më shumë vlerë kanë?! Apo ishte thjesht një veprim antishqiptar i elementëve drejtues të atij qyteti, të frymëzuar nga fqinjët e jugut? Pati disa reagime mediatike për atë ngjarje; por, asnjë ndërhyrje nga organet qeveritare kompetente.
I pakuptueshëm është edhe qëndrimi i drejtuesve të mëparshëm e të tanishëm të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Nuk thuhet arsyeja e vërtetë e mosfunksionimit të Bibliotekës së vjetër në rrugën e Elbasanit, ku mbahen të ndryrë dhe flenë prej shumë vitesh, disa mijëra libra me vlerë, në gjuhë të huaja. Ndërkohë aty qëndrojnë dhe paguhen më kot disa punonjës. Sipas njërës prej atyre nëpunëseve, arsyeja qenka se dyshemeja e katit të dytë nuk mban dot peshën e lexuesve dhe rrezikon të shembet. Po edhe mbas më shumë se njëzetë vjetësh, ajo as është shembur dhe as është vënë dorë për ta rikonstruktuar. Është mëkat që ajo ndërtesë e madhe dykatëshe, që dikur shërbente për bukuri si Bibliotekë Kombëtare, vazhdon të mbahet e mbyllur, për shkaqe të panjohura.
Po zjarri që ra papritmas në Bibliotekën aktuale Kombëtare dhe që asgjësoi disa mijëra libra, si mund të shpjegohet? A ndodhi nga shkaqe natyrore, apo nga veprime ose mosveprime njerëzore?
Mos ka pasur e ka edhe aty ndonjë “Vangjush” a “Vangjushkë”? Si është e mundur që ajo ngjarje e paparë në historinë e kësaj Biblioteke dhe që tronditi kryeqytetin e mbarë Shqipërinë, të mbetet pa asnjë fajtor? Dihet se për objekte të kësaj rëndësie, ligji parashikon një varg masash parandaluese, për mbrojtjen nga zjarri dhe për rreziqe të tjera të mundshme. Drejtoria duhet të kontrollojë zbatimin e tyre me përpikmëri. Policia zjarrfikëse është e detyruar të ushtrojë kontroll të rregullt kohëmbaskohe. Janë të punësuar aty edhe elektriçistë të mirëmbajtjes, të cilët përgjigjen për çdo difekt që ndodh. E megjithatë, mbas atij zjarri e dëmi të madh të shkaktuar, “faji mbeti jetim”. Askush nuk e mori përsipër dhe të gjithë dolën “pa u lagur aspak”.
Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ajo ngjarje, nuk është bërë transparenca e plotë për publikun e gjerë. Nuk është treguar qartësisht se si dhe pse u shkaktua zjarri. Kujt i bie përgjegjësia kryesore për atë dëm të madh. Drejtuesit e Bibliotekës nuk mund të mbrohen me formulën e zakonshme “një shkëndijë elektrike”, kur kemi të bëjmë me një objekt të një rëndësie të veçantë dhe jo me një ndërtesë të çfarëdoshme. Ende sot nuk është bërë bilanci dhe nuk është dhënë informacioni zyrtar se sa libra u shndërruan në hi dhe cilët ishin ata. Biblioteka Kombëtare nuk i është kthyer normalitetit dhe nuk ka rinisur t’u shërbejë lexuesve me librat që u nevojiten.
Në pamjen e jashtme, ky institucion shtetëror me emrin kumbonjës “Biblioteka Kombëtare”, duket sikur funksionon normalisht. Sepse hapet e mbyllet rregullisht. Dhe po rregullisht paguhen një numër jo i vogël punonjësish, që nga rojet, pastrueset, nëpunësit e thjeshtë e deri tek “punonjësit shkencorë” dhe drejtoresha. Kësaj të fundit, nuk është çudi që një ditë t’i jepet ndonjë titull nderi a dekoratë, siç iu dha paraardhësit të saj, titulli më i lartë, “Nderi i Kombit”.

 

Dorëhiqen ministrat teknikë

Tre muaj pas marrëveshjes “Rama-Basha”, ministrat teknikë të Partisë Demokratike bënë aktin formal të largimit nga Qeveria “Rama”, në të cilën u përfshinë si pjesë e marrëveshjes për të monitoruar nga afër sjelljen e administratës në zgjedhje dhe për të garantuar standardin e tyre.

Partia Demoratike thotë se ky nuk është një objektiv i arritur, sepse sipas kreut të saj Lulzim Basha, Edi Rama i kishte blerë zgjedhjet përpara arritjes së marrëveshjes.

Megjithatë, ministrat teknikë qëndruan në detyrë edhe gati dy muaj pas zgjedhjeve për të hartuar raportin për standardin e zgjedhjeve.

Top Channel mësoi se raporti ka përfunduar dhe menjëherë pas tij, ministrat kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjet. Për ta bërë këtë, ata nuk i ka penguar mungesa e kryeministrit për shkak të pushimeve, sepse as zëvendëskryeministrja dhe as ministrat teknikë nuk u takuan asnjëherë këto 3 muaj me kreun e qeverisë ku bënin pjesë.

Hallka lidhëse ishte Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nëpërmjet të cilit kalonin vendimet dhe kryhej komunikimi për funksionimin e tyre. Përpara se të jepnin dorëheqjen, disa prej ministrave teknikë i kishin kaluar më parë kompetencat te zëvendësministrat përkatës: ministri i Brendshëm, i Shëndetësisë dhe ajo e Financave.

Por me përfundimin e raportit për zgjedhjet, duke dhënë dorëheqjen, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Qeverinë “Rama” rrëzojnë çdo tezë për një bashkëqeverisje Rama-Basha, për të cilën kreu i opozitës është sulmuar edhe nga kritikët e tij brenda Partisë Demokratike.

Vazhdojnë zjarret në Shqipëri, ja situata në 24 orët e fundit

Emergjencat Civile kanë bërë me dije situatën në 24 orët e  fundit në të gjithë vendin, ku mësohet se janë shënuar 5 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Korçë, Vlorë e Gjirokastër.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 50 punonjës zjarrfikës, 7 automjete zjarrfikëse, 60 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, 48 punonjës të Pyjores dhe të bashkive etj, të mbështetur nga helikopterë.

Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU VLORË

Janë ende aktive vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Finiq dhe Delvinë. Situata ka qenë problematike në fshatrat Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme, bashkia Finiq, si dhe në pyllin e Pilloit të fshatit Vergo, bashkia Delvinë.

Në ndihmë të forcave zjarrfikëse, punonjës të bashkisë, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës, është angazhuar dhe një helikopteri duke shuar të gjitha vatrat e zjarrit.

QARKU TIRANË

Vijon aktive vatra e zjarrit në fshatin Sinaballaj të bashkisë Rrogozhinë. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të mbështetura edhe nga një helikopter po punojnë për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit.

QARKU GJIROKASTËR

Kanë vazhduar të jenë të ndezura disa vatra zjarrit në Jorgucat të bashkisë Dropull dhe në fshatrat Kardhiq dhe Dhoksat të bashkisë Gjirokastër. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake kanë punuar duke shuar plotësisht zjarret në Dhoksat, ndërsa vijon operacioni për shuarjen e vatrave të fshehura në fshatin Jorgucat dhe Kardhiq.

QARKU KORÇË

Është riaktivizuar zjarri në pyllin me pisha në fshatin Panarit, bashkia Korçë. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të mbështetura nga forca ushtarake, por kërkohet ndërhyrje nga ajri, për shkak të vështirësive të terrenit.

Rama: E ndjej dhimbjen e Vuçiçit për njohjen e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për gazetën beogradase “Blic” ka folur për iniciativën e presidentit Aleksander Vuçiç për Kosovën dhe skenarin më të mirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës; (pa)mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë; raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe për basketbollin dhe artin.

“Iniciativa e Aleksandar Vuçicit për ta nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovën është një akt i lidershipit me të cilin ai e shpalosi një vizion kurajoz për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë. Kam respekt për iniciativën e tij që të ballafaqohet me të kaluarën në mënyrë frontale dhe jokonvencionale”, ka thënë Edi Rama, në intervistën e titulluar “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiçit për ta zgjidhur problemin e Kosovës”, që botohet nesër në gazetën “Blic”, transmeton Klan Kosova.

 

Në pyetjen e gazetës se cila është zgjidhja e problemit të Kosovës, Rama përgjigjet: “Njohja e plotë e Republikës së Kosovës nga Serbia! Por, e di se kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet kur e vendosi veten në këpucët e Aleksandrit. Prandaj, aktualisht zgjidhja është që të punojmë fuqishëm së bashku”.
Idenë e Ivica Daçiç për ndarjen e Kosovës Rama e konsideron si një “propozim jokonvencional”, ashtu siç është edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, ose bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Qasjet e këtilla mund t’i diskreditojnë edhe qëllimet më të mira”. “Zhurma rreth deklaratës për ‘bashkimin e Shqipërisë me Kosovën’ ishte një konkluzion trivial, e jo një plan, kërcënim apo dëshirë. Por, nëse mbyllet horizonti i integrimit të rajonit tonë në BE nuk është e vështirë të parashikohet rizgjimi i fantazmave nga e kaluara”, tha ai.

“Raportet e tashme mes Serbisë dhe Shqipërisë janë më të mira sesa që kanë qenë ndonjëherë”.
Gazeta e ka pyetur Ramën edhe për kohën kur ishte basketbollist, por ai përgjigjet në mënyrë diplomatike: “Nuk mund të jem aq kurajoz sa të them se kam qenë basketbollist derisa flas me një gazetar që vjen nga vendi i basketbollit. E kam dashur basketbollin si pjesë të rinisë sime. E dua artin si pjesë të dëshirave të mia. E dua politikën si pjesë të qenies sime”, ka thënë ai.

Askush nuk u kujtua për Osman Kazazin që bëri 42 vite burg në diktaturë – Nga Nesrete Jegeni

9 Korrik! Kjo ditë filloi në një mënyrë të veçantëpër mua ,ashtu si çdo 9 korrik i jetës time. Me një buqetë lulesh në dore mar rrugën drejt një ” Busti të vogël për 40 vite burg” siç shkruan z. Agron Sejamini. Në bazamentin e gurtë ku qëndron busti shkurt e thjeshtë shkruhet :” JA KUSHTOI JETEN LIRISE DHE ATDHEUT”. Përqëndroj vështrimin me mirënjohje e falenderim të thellë mbi emrin Paul Luyf, mjeku hollandez që dhuroi këtë bust. Fola me vete: -Edhe bustin e kujtesës nuk ta ngritën shqiptarët ! Në fytyrën e bronxtë endet si e gjallë buzëqeshja që e karakterizonte,e ëmbël dhe që fliste shumë. Po,po,të kuptova! Pavetëdijshëm po diagoloja me të si dikur në dhomën e madhe,të ngrohtë e zemërhapur për miq shqiptarë e të huaj. Për t’i qëndruar besnike një prej cilësive të tija të vyera,modestisë,por edhe faktit që kurrë nuk e pranoi kultin e individit, largohem ngadalë e me një trishtim që nuk më rëndon pak për në stëpinë e tij të përjetshme,atje ku ai nuk do të më ndalonte të vendosja këtë buqetë. Përkëdhel me gishtat e mi gërmat prej bronxi,që rradhiten bukur njëra pas tjetrës duke formuar vargjet që miku e bashkëvuajtësi i tij,Islam Lleshi,ja kushtoi me shumë dashuri:
“Pushon tej harresës,
Simboli i qëndresës,
Nacionalisti i besës,
Njeriu i vuajtjes e i shpresës.” Në se do të ishe ende në jetë,unë dhe im vëlla me shumë përzemërsi do të të festonim 100 vjetorin e lindjes.Ndihem krenare që jam mbesa e një njeriu kaq të veçantë,por ndjej dhe një dhembje të thellë ,pasi sikurse shkruan edhe z. Alfons Zeneli: ” Askush nuk u kujtua për Osman Kazazin që bëri 42 vite burg në diktaturë”

Dëshmitë që fundosin deputetin shqiptar: Nuk ndaloi, shtoi shpejtësinë, por u largua, çka fsheh

Deshmitarë aksidentit tragjik të orëve të para të mëngjesit, që u shkaktua nga deputeti Aqif Rakipi, kanë qenë edhe dy kusherinjtë e viktimës, të cilët punonin bashkë me të në Tregun Agroushqimor në autostradë.

Ata kanë parë të gjithë skenën e ngjarjes, edhe pse nuk pranojnë të japin shumë detaje, pasi siç shprehen ata, po presin që të japë një version zyrtar Policia e Prokuroria.

Megjithatë, ata konfirmojnë se shoferi që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes.

Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët.

Ndërsa një familjar i viktimës shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime se deputeti mund të jetë larguar edhe për të fshehur diçka.

“Policia thotë që nuk ishte i pirë, megjithëse jam i bindur që ka qenë i dehur. Por largimi i tij në atë mënyrë nga vendi i ngjarjes nuk lidhet vetëm me këtë. Me siguri ai ka dashur të fshehë diçka. Nuk më bindin fare justifikimet e tij që iku për t’u dorëzuar në Polici. Këto janë justifikime”, shprehet ai. panorama

Pasuritë marramendëse të zyrtarëve jashtë Shqipërisë, me emra

Pasuritë e paluajtshme dhe llogaritë bankare të zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe të fëmijëve të tyre, shtrihen nga Australia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Spanja, Gjermania etj.

Ka një perceptim të opinionit publik dhe dyshime të forta se, pasuritë e padeklaruara, pra të fshehura jashtë vendit, arrijnë qindra milionë euro, pasi ILDKP ka zbuluar se, vetëm një grup i ngushtë funksionarësh, vitet e fundit, kanë fshehur rreth 40 milionë euro pasuri.

Pasuritë e deklaruara jashtë vendit   

Deputeti Eduard Ndocaj, i njohur ndryshe si ‘Kaubojsi’ posedon pasuri të paluajtshme, me vlera të mëdha, në Itali. Deputeti Ndocaj, i cili nuk do të jetë pjesë e parlamentit të ri, posedon një apartament në Solaro në Itali, me sipërfaqe 480 m2. Ndocaj ka në pronësi një tjetër apartament në Bergamo në Itali, me sipërfaqe 100 m2 dhe truall 2 000 m2.

Të dy apartamentet kanë një vlerë 650 mijë euro. Deputeti Ndocaj ka gjithashtu në pronësi një tjetër apartament në Solaro në Milano, me sipërfaqe 180 m2, me dy garazhe për makina, me vlerë 300 000 mijë euro.

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami ka në pronësi biznese, prona dhe apartamente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë vitit 2016, Eduard Selami ka blerë 0.22 hektarë tokë në Virginia Beach në SHBA, me vlerë 149 mijë USD. Gjithashtu, Selami rezulton se ka blerë, apartament në Virginia Beach në SHBA, me vlerë 252 mijë USD.

Shumën në fjalë e ka marrë si kredi, me interes 5 %, për 30 vjet. Nga biznesi që posedon në SHBA, Selami, për vitin 2016, ka fituar 48 mijë USD dhe nga 20 700 USD të ardhura nga qiraja e apartamenteve po në SHBA.

Edhe deputeti Tom Doshi deklaron se disponon prona në Australi, të cilat i ka dhënë me qira. Gjatë vitit 2016, Doshi ka marrë nga 1 800 euro në muaj nga qiradhënia e pronave.

Ndërsa deputeti Vangjel Tavo, gjatë vitit 2016, ka shitur një shtëpi që kishte në pronësi në Pire të Greqisë, me vlerë 90 mijë euro.

Vajza e deputetit Myqerem Tafaj, Enkelejda, është pronare e një apartamenti në Gjermani.

Vajza e deputetit Namik Dokle, Manjola Dokle, ka blerë një apartament në Lugo, në Itali, me vlerë 200 mijë euro. Deputeti Anastas Angjeli, gjatë vitit që lamë pas, ka blerë për motrën e tij, një apartament në Greqi, me sipërfaqe 70 m2.

Milena Harito, ministre e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, deklaron një shtëpi në Paris, nga dhënia me qira e së cilës, për vitin 2016, ka marrë 8 164 euro.

Pasuritë e tjera

Pasuri të paluajtshme jashtë vendit ka edhe Denada Prifti, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Zonja është pronare e një shtëpie në Spanjë, blerë më 02.04.2002, 7 675 euro. Shtëpia ka një vlerë kaq të ulët pasi, sipas saj, është për t’u restauruar. Ajo gjithashtu rezulton se është pronare e një trualli me sipërfaqe 419 m2 në Gjermani, blerë më 01.10.2014, me vlerë 13 000 euro.

Ndërkaq, Petraq Milo, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili ka qenë pjesë e forumeve të larta të Partisë Demokratike, ka transferuar mbi 196 mijë euro në Francë, për sigurimin e jetës.

-Eduard Ndocaj, deputet

Apartament 480 m2, në Solaro në Itali, 650 mijë euro.

Apartament 100 m2 dhe truall 2 000 m2, në Bergamo në Itali.

Apartament në Solaro në Milano, me sipërfaqe 180 m2, me dy garazhe për makina, me vlerë 300 000 mijë euro.

Kredi në Itali, 185 mijë euro, detyrimi i mbetur 130 mijë euro.

Kredi në Milano, 435 mijë euro, detyrimi i mbetur 300 mijë euro.

-Eduard Selami, deputet

Blerje toke me sipërfaqe 0.22 hektarë në Virginia Beach në SHBA, me vlerë 149 mijë USD. Blerë në 5 dhjetor 2012.

Të ardhura nga qiraja e apartamenteve në SHBA, 20 700 USD për vitin 2016.

Të ardhura nga biznesi në SHBA, 48 mijë USD për vitin 2016.

Blerje apartamenti në Virginia Beach në SHBA, me kredi, në shumën 252 mijë USD, me interes 5 %, për 30 vjet.

-Tom Doshi, deputet

Prona në Australi, dhënë me qira, 1 800 euro në muaj.

Kredi në Australi, shuma e shlyer për vitin 2016, 2 791 euro në muaj.

-Vangjel Tavo, deputet

Shtëpi në Pire të Greqisë, shitur në 2016 me vlerë 90 mijë euro.

-Anastas Angjeli, deputet

Ka blerë apartament për motrën në Greqi, me sipërfaqe 70 m2, me kredi.

Vajza Jona Marashi, shtuar llogaria bankare në SHBA me 21 mijë USD gjatë vitit 2016.

Të ardhura nga Education Development Center, 87 mijë USD.

-Myqerem Tafaj, ish-ministër i Arsimit, deputet

Vajza Enkelejda, të ardhura nga apartamenti në Sindelfingen, 6 615 euro.

Apartament në Gjermani, blerë në 2014, shlyer 15 999 euro, mbetur 186 mijë euro.

Vajza tjetër, Alma Tafaj, të ardhura nga puna si mjeke në Gjermani, 13 136 euro plus 40 540 euro.

-Namik Dokle, deputet

Vajza Manjola Dokle, blerje apartamenti në Lugo, Itali, 200 mijë euro.

-Jozefina Topalli, deputete

Djali Genar Topalli, llogari bankare në Itali me vlerë 6 mijë euro

Majlinda Bregu, deputete

Depozitë në SHBA, zvogëluar në 2015 me 12 575 USD si pasojë e konvertimit të monedhës.

-Milena Harito, ministre e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike

Të ardhura nga qiratë e ambienteve të shtëpisë në Paris, 8 164 euro.

Të ardhura nga studio në Kremlin Bicetre Francë, 3 343 euro.

Shkëlqim Cani, deputet

Bashkëshortja zonja Cani depozitë në USA në vlerën 34 257 dollar (2013).

Bashkëshortja zonja Cani llogari rrjedhëse në USA në vlerën 408 dollar (2013).

-Denada Prifti, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të BSH

Pronare me 100% i një shtëpie për t’u restauruar në Spanjë, blerë më 02.04.2002, 7 675 euro.

Pronare me 100% i një trualli me sipërfaqe 419 m2 në Gjermani, blerë më 01.10.2014, 13 000 euro.

-Petraq Milo, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës

Sigurim jete në Francë i datës 09.04.2003, 196 mijë euro.

-Elisabeta Gjoni, zëvendëskryetare e Këshillit Mbikëqyrës të BSH

Djali, të ardhura nga paga pranë shoqërisë Gensler në USA, 40 911 dollarë.

-Adia Sakiqi, ambasadore e Shqipërisë në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta

Shtëpi 240 m2 në Bruksel, 320 mijë euro, burimi kredi bankare dhe të ardhura mujore.

Gjendja e llogarisë në bankën AMRO, në Holandë, 2 016 euro plus 1 010 euro.

Llogari rrjedhëse në Blegjikë, 36,26 euro.

Kredi e përbashkët për blerjen e një shtëpie, në vitin 2009, 150 mijë euro.

Të ardhura nga bashkëshorti, Tom Vandecasteele, 11 682 euro.

-Ardiana Hobdari, ambasadore e Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës

Depozitë bankare në Francë, shtuar me 5 500 euro.

-Kastriot Robo, ambasador në Danimarkë

Të ardhura nga dhomat e shtëpisë dhënë me qera, 9 600 sterlina britanike.

Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë

Kalim 13 700 euro në llogarinë e djalit, Mirlind, në Deutsche Bank në Gjermani

-Brunilda Kadi, anëtare e KLD

Depozitë në SHBA, shtuar me 2 986 lekë. Depozita e krijuar nga të ardhurat e bashkëshortit në SHBA.

Blerje makine në SHBA, 1 200 USD.

-Gjin Gjoni, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Bashkëshortja, viti 2014, gjendja e llogarisë depozitë në një bankë në Strasbourg, Francë, pakësuar me 10 828 euro.

Lulzim Basha, kryetari i opozitës, pasuritë në vite 

Viti 2005

Pronar me 100% i një shtëpie banimi në Holandë në vlerën 510 000 gulden.

Pronar me 100% i një apartamenti në Tiranë në vlerën 205 000 dollar.

Pronar me 100% i një apartamenti në Durrës në vlerën 33 000 euro.

Bashkëpronar me 1/3 pjesë takuese i një apartamenti në Tiranë në vlerën 17 500 lekë.

Bashkëpronar me 1/4 pjesë takuese i një apartamenti në Tiranë në vlerën 62 000 dollar.

Bashkëpronar me 1/4 pjesë takuese i një trualli me sip. 22 100 m2 në Tepelenë, rikthim prone në vitin 2004.

Depozitë bankare në vlerën 52 000 dollar.

Depozitë bankare në vlerën 81 000 euro.

Automjete  Pronar me 100% i një veture tip Mercedes Benz në vlerën 72 000 euro.

Pronar me 100% i një pikture në vlerën 6 500 euro.

Pronar me 100% i një ore dore në vlerën 5 200 euro.

Pronar me 100% i një ore dore në vlerën 4 500 euro.

Pronar me 100% i një unaze diamanti në vlerën 11 500 euro.

Pronar me 100% i një servis porcelani në vlerën 6 800 euro.

Viti 2006

Bashkëshortja zonja Aurela Isufi të ardhura nga shitja e apartamentit në Tiranë në vlerën 100 000 euro, në të cilin është bashkëpronare me 33%.

Bashkëshortja zonja Aurela Isufi detyrime të paguara në vlerën -5 000 euro për apartament në Durrës.

Viti 2007
Të ardhura nga shitja e banesës në Hollandë në vlerën 257 500 euro.

Bashkëshortja zonja Aurela Basha të ardhura nga shitja e veturës në vlerën 45 000 euro.

Viti 2008
Bashkëshortja zonja Aurela Basha të ardhura nga shitja e apartamentit në Durrës në vlerën 45 000 euro.

Bashkëshortja zonja Aurela Basha detyrime të paguara në vlerën -40 000 euro për blerje e një apartamenti në Kavajë, për të cilin është bashkëpronare me 50%.

Viti 2012
Të ardhura të bashkëshortes nga shitja e apartamentit në Tiranë 10 450 000 lekë. Pjesa e Znj. Basha është 25%. /shqiptarja.com

Reshje të shumta shiu, shkulen shtyllat e tensionit, shumë zona pa energji elektrike

Reshjet e shumta të shiut në gjithë vendin kanë sjellë dëme të mëdha në rrjetin energjetik.

OSHEE raporton se për shkak të motit të keq, zona e Divjakës nuk furnizohet me energji elektrike. Ndërkohë që pa energji elektrike ka qenë edhe një zonë e Tiranës, per te cilen po punohet nga ana e operatoreve ne terren.

 

Deputeti Rakipi aksidentoi me vdekje kalimtarin, deklarata e fortë e PD: Mik i Ramës, po fshihet ngjarja

Pas ngjarës së rëndë, ku një kalimtar mbeti i vdekur pasi u shtyp me makinë nga deputeti i PDIU Aqif Rakipi, ka reaguar PD.

Në një deklaratë të fortë PD kërkon që të zbardhet ngjarja duke shtuar se Rakipi është mik i Ramës dhe se ka qenë me shpejtësi kur ka përplasur 53-vjeçarin.

Deklarate e Partise Demokratike

Partia Demokratike kerkon zbardhje dhe transparence te plote te nje ngjarjeje te ndodhur sot ne oret e para te mengjesit, ku te dhenat jane se deputeti Aqif Rakipi ka aksidentuar per vdekje me makine nje person. Ka dyshime serioze se ngjarja po perpiqet te mbahet e fshehte dhe te manipulohen provat dhe vendngjarja ne favor te deputetit qe njihet si mik i ngushte i kryeministrit Rama.

Partia Demokratike i kerkon policise se shtetit te beje publike ngjarjen dhe i kerkon prokurorise hetim te plote e te pandikuar politikisht. Te dhenat jane se deputeti mik i Rames ka qene me shume shpejtesi kur ka perplasur per vdekje personin dhe eshte larguar edhe nga vendngjarja me makinen e tij.

Prishja e vendngjarjes do t’ju sjelle veshtersi eksperteve ne percaktimin e shkaqeve te aksidentit. Per kete arsye PD kerkon hetim e pergjegjesi te plote para ligjit per deputetin dhe drejtesi per viktimen.

Deputeti Rakipi përplasi për vdekje kalimtarin, dalin detajet: Si ndodhi dhe ç’tha kur shkoi në polici

Zbardhen detaje nga aksidenti i mengjesit te sotem ne Vore-Tirane, ku deputeti i PDIU-se, Aqif Rakipi perplasi per vdekje nje 53-vjecar.

Policia njofton se rreth orës 04:41, eshte njoftuar se në rrugën Interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me Tregun ushqimor ka ndodhur një aksident automobilistik.

“Menjëherë është nisur patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete, dhe në këto momente, afërsisht në orën 04:51 minuta, Komisariati i Policise nr.2 ka njoftuar që në këtë Komisariat është paraqitur shtetasi A. R., me automjetin e tij, tip Mercedes (i dëmtuar në pjesën e përparme të tij) i cili deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorozohej në Komisariat”.

Ndërkohë është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur.

Në keto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas Ekspertit autoteknik të Policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e kembesorit S.S., rreth 53 vjeç.

Deputeti aksidenton me vdekje një 53-vjeçar, paraqitet në polici

Deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi ka aksidentuar nje person ne aksin Vore-Tirane, duke i shkaktuar vdekjen.

Sipas te dhenave te para mesohet se i aksidentuari eshte nje shtetas 53-vjecar dhe aksidenti ka ndodhur ne aksin rrugor Vore- Tirane, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me Tregun ushqimor.

Aksidenti ka ndodhur ne oret e para te mengjesit te sotem saktesisht ne oren 04:41,dhe viktime e aksidentit ka mbetur shtetasi 53-vjecar me inicialet S.S.

Mesohet se pas aksidentit deputeti Rakipi eshte paraqitur vete ne polici. Policia njoftoi zyrtarisht se deputeti u paraqit vetem pak minuta pas aksidentit se bashku me mjetin e tij, i cili ishte i demtuar ne pjesen e pare.

Një PD konservatore – Nga ERALD KAPRI

Ende pa nisur sezoni politik ka një rritje të pritshmërisë tek Partia Demokratike. Jo thjeshtë se përballë saj kundërshtari është në kulmin e pushtetit, apo të faktit që pritet prej opozitarizmit si shpresë dhe alternativë, por edhe të qasjes ideologjike që duhet të ndjekë PD-ja. Në një analizë të para pak ditëve të Arbër Zaimit, u hodh idea se PD duhet të kthehet në një parti konservatore dhe se liberalizmi në Shqipëri është i dështuar dhe për më tepër i zbatuar nga socialistët.

Ky shkrim nuk do të merret me qeverisjen e Ramës, cili ndonëse shfaqet si liberal, në fakt politikat e tij të koncensionit dhe frymës së madhe të dorës së shtetit nuk ka asnjë lidhje me të djathtën. Nuk ka asnjë qeveri liberale në botë që paratë e buxhetit i jep me koncension siç janë dhënë në PPP-të e famshme në shëndetësi. Përtej makiazhit mediatik, politikat e Ramës janë thjeshtë një manaxhim të trafikut të influencave, dhe asgjë më shumë.

Partia Demokratike duhet më së shumti të mësojë nga e kaluara e saj në mënyrë të që ringrihet si një forcë besimi. E djathta është frymë që bazohet tek besimi se qeverisja duhet të rrisë lirinë dhe shanset e qytetarëve të saj.

Çdo vëzhgues i politikës di të bëjë ndarjen e mandatit të parë të demokratëve 2005-2009 dhe mandatit të dytë. Në vitet e para pati një reformë fiskale që uli taksat dhe rriti të ardhurat, u ulën procedurat dhe burrokracitë e shtetit, pati ulje të korrupsionit falë tenderimeve elektronike dhe ekonomia rriti besimin duke shkuar në vitin 2008 në rreth 9 %. Por ndonëse me këto rezultate falë ideve të djathta, duhet pranuar se e djathta u la në mes. Sërish fryma e qeverisë qendroi e madhe, shpenzimet qeveritare u rritën, nuk përfunduan reformat anti korrupsion.

Partia Demokratike duhet të mësojë nga fakti që dështoi me reformën e pronës pikërisht se nuk tentoi ta zgjidhë si e djathtë. I dha të drejtë zaptuesit dhe jo pronarit, e në përfundim çështja nuk u zgjidh as për pronarin dhe as për zaptuesin. Reforma në arsim ishte po ashtu një dështim në terma më afatgjatë. Edhe pse pati rezultate të para si eleminimi I korrupsionit në pranimet në universitete, reforma e maturës shtetëtore nuk është asgjë më shumë se një reforma majtiste e cila është shumë larg meritë-preferencës.

Partia Demokratike dështoi edhe në trajtimin e ish të përdjekurve politike. Çështja e ish të përndjekurve është më shumë morale se financiare. Ende sot në Shqipëri nuk ka një datë të memorizimit të viktimave të komunizmit dhe borxhi I PD ndaj kësaj shtrese vijon ende si një barrë.

Pretendimi sipas të cilit PD nuk duhet të merret vetëm me pronarët dhe ish të përdjekurit se nuk janë shumicë në popullsi, është tërësisht nihiliste. Si mundet që PD të fitojë besimin e gjerë të elektoratit kur ka humbur besimin e votuesve të vet besnikë?! Sipas këtij pretendimi edhe e djathta në perëndim nuk mund të fitojë zgjedhjet sepse gjithkund të pasurit janë në minorancë.

Së pari politika është çështje besimi, para se të jetë programore. Britanikët mbështetën Çurçillin për të udhëhequr luftën jo se e dinin se si ai do e bënte por se kishin besim se ai do fitonte. Theçeri fitoi 3 mandate edhe pse me trazira të mëdha sociale sepse njerëzit besonin se po vepronte drejt. Edhe Kameroni në Britani fitoi zgjedhjet falë rritjes së besimit të qytetarëve të tij duke hapur Partinë Konservatorëve ndaj elementëve të rinj. Ai besonte se kriza ekonomike do të mbyllej vetëm falë një politikë monetare të kujdeshme dhe ia doli, duke fituar bindshëm dhe vetëm mandatin e dytë. Në 2005, demokratët fituan zgjedhjet sepse më herët fituan besimin. Pra, besimi është i pari.

E pikërisht këtu duhet të fillojë ngritja e Partisë Demokratike. Të besojë tek e djathta dhe tek elektorati i vet, duke rifituar besimin tek votuesi i saj. Ngritja e saj është pashmangshmërisht e lidhur me të djathtën konservatore.

Besimi kërkon kohën e vetë ndaj PD duhet ta fillojë tek zgjidhjet e pakompromista të së djathtës konservatore. Duhet të bindë shqiptarët se do zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës dhe të zbatimit të ligjit. Të flasë më hapur me ish të përdjekurit e të vendosë një raport me të drejtë më ta. Ti qendrojnë fort programit të uljes së taksave, të shtetit të së drejtës, të luftës ndaj korrupsionit dhe të hapjes së saj ndaj elementëve të rinj.

Tabela – Ja sa kushton një shtëpi në Tiranë, çmimet sipas zonave

Çmimet e banesave, të cilat të paktën për qytetin e Tiranës kishin shkuar me rritje gjatë fillimit, gjatë muajve prill-qershor, kanë pësuar ulje. Raporti i Bankës së Shqipërisë për 3-mujorin e dytë të këtij viti referon se indeksi i çmimit të shitjes së banesave, regjistroi rënie. Përkundër kësaj, qiratë kanë shkuar me rritje në vazhdimësi, edhe pas 3 muajve të parë të 2017-s.

Nëse për Bankën Qendrore, sinjali për uljen e çmimeve të apartamenteve, është rënia e kërkesës, si pasojë kjo edhe e ndikimit të taksave vendore, realiteti tregon se që nga muaji janar, apartamentet në Tiranë janë shtrenjtuar. Ndërkohë, qiratë të cilat gjatë gjithë vitit 2016 shkuan me një tendencë uljeje, në prill-qershor janë rritur ndjeshëm. Për Bankën e Shqipërisë, rritja e numrit të lejeve të ndërtimit, si dhe e kërkesës së konsumatorëve për blerje banesash kanë nxitur gjithashtu investimet në ndërtim.

Por, reflektimi i çmimeve reale pritet dalë pas muajit gusht, ku lëvrimi i 1000 kredive nga bashkia e Tiranës, si dhe rritja e kredisë nga bankat, do të shtojnë kërkesën për blerje banesash. “Stoku i kredisë për individë17 shënoi rritje mesatare vjetore prej rreth 7.5% në tremujorin e dytë të vitit. Zgjerimi i këtij portofoli është mbështetur vazhdimisht si nga kredia për konsum (12.9%), ashtu edhe nga kredia e dhënë për blerje banese (6.3%)”, raporton BSH.

Çmimet referencë

Në fillim të këtij viti, Enti Kombëtar i Banesave bëri vlerësimin e çmimeve për apartamentet në të gjithë vendin, përfshirë edhe 32 zonat kadastrale të Tiranës. Ajo çka ra në sy në vlerësimin e institucionit, i cili në llogaritjet që kryen, nuk përfshin vlerat e rrjetit inxhinierik, projektit, studimit gjeologjik dhe sizmik, lejes së ndërtimit, truallit dhe shpenzimet operacionale në masën 4 për qind, ishte fakti se krahasuar me vitin 2015, çmimet mbetën të pandryshuara në 23 zona kadastrale, ndërsa në 9 zona të tjera pati ulje dhe ngritje.

Po ashtu në vlerësimin që është bërë për të gjitha qytetet e Shqipërisë, u vunë ré luhatje të vogla, teksa në pjesën më të madhe kanë mbetur në nivelin e vitit 2015. Por, nëse për të gjitha qytetet çmimet referencë të banesave u zyrtarizuan pa luhatje të mëdha, e kundërta ndodhi në Tiranë, ku fatkeqësisht apartamentet po shiten më shtrenjtë për shkak të taksës së infrastrukturës që ka hyrë në fuqi nga janari. Nga llogaritjet që bëjnë ndërtuesit, (ata që u preken drejtpërdrejt nga kjo taksë), një metër katror u rrit nga 7000 lekë deri në 16 000 lekë më shtrenjtë, sipas zonave.

Ndërtuesit

Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, nxitën fondin publik të investimeve qysh në gjashtëmujorin e parë, ndërsa tashmë janë aktivizuar lejet e ndërtimit sidomos në Tiranë, për shkak të Planit të Ri Rregullues. Fondi i Investimeve Publike prej rreth 76 miliardë lekësh po orientohet për ndërtimin e ujësjellësve, mirëmbajtjes dhe sigurisë në rrugë, se sa ndërtimit të autostradave të reja. Ndërsa investimet private do të jenë më të larta për objekte banimi dhe HEC-e. Ndërtuesit janë optimistë sidomos për sektorin e banesave, ku si oferta dhe kërkesa janë në rritje.

Sipas ndërtuesve, miratimi i planit të ri Rregullues në Tiranë po i jep një hov ndërtimit në kryeqytet. “Janë shumë projekte gati që kanë mbyllur marrëveshjet me pronarët e trojeve dhe janë në pritje të miratimit të planit të ri rregullues nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Presim që puna në terren për ndërtimin e këtyre objekteve të jetë në gjysmën e dytë të vitit”, thonë ata, teksa shtojnë se pjesa më e madhe e kërkesës i dedikohet objekteve të banimit dhe më pak zyrave të biznesit dhe dyqaneve. Madje në periferi shumë objekte që po ndërtohen i kanë dedikuar edhe katin e parë banimit, dhe jo shërbimeve.

Ndërtuesit thonë gjithashtu se ka një kërkese në rritje për standarde. Blerësit gjithnjë e më shumë kërkojnë që shtëpia e re të respektoje standardet e sigurisë dhe hapësirat publike. Preferohen blloqet e banimit, ku brenda të tyre të jenë të organizuara hapësirat e pushimit dhe njësite e shërbimeve. Po ashtu, investitorët parashikojnë se pjesa e mbetur e vitit 2017 do të përqendrojë me shumë ndërtimet në objektet e hoteleri turizmit, teksa ndërtimi i rrugëve është maturuar dhe nuk priten ndryshime.

Ecuria

“Indekset e çmimit të shitjes dhe të qirasë së banesave kanë shënuar zhvillime me kahe të ndryshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017. Indeksi i çmimit të banesave regjistroi rënie gjatë dy tremujorëve të parë. Në tremujorin e dytë, ndryshimi vjetor real i tij ishte -11.5%. Në të kundërt, indeksi i qirasë vijoi trendin rritës, të nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2016. Raporti çmim/qira regjistroi nivelin më të ulët që nga tremujori i parë i vitit 2015” , vlerëson Banka e Shqipërisë.

32 zonat, sa shiten sot apartamentet

Sipas zonave kadastrale të Tiranës, qendra dhe zonat më të lakmuara (ish-blloku, Rruga e Elbasanit, Stadiumi “Selman Stermasi”, kanë pësuar rritje drastike, ku çmimi për metër katror ka shkuar plus 120 euro. Ndërkohë, duke shkuar sa më larg vijës së verdhë të kryeqytetit, çmimi është rritur me 50-70 euro.

Zona                                                               Lekë/m²                Shtesa                  Lek/m²
Lagja “Ali Demi”                                         97,700                     9600                   107,300
Bulevardi “Bajram Curri”                          78,000                    7000                   85,000
Ministria e Jashtme                                    187,000                  13800                 200,800
Bashkia e Tiranës                                        134,500                  13800                  148,300
Rruga e Elbasanit                                        95,000                   16000                  111,000
Stadiumi “Selman Stermasi”                     110,000                 16000                  126,000
Pallati i Brigadave                                        80,000                  9600                    89,600
Rruga “Bardhyl”                                           77,000                   7000                    84,000
Rrëza e malit të Dajtit                                 60,000                  7000                    67,000
Rruga e Dibrës                                              70,000                  7000                    77,000
Shkolla e Bashkuar, Allias                          60,000                  7000                    67,000
Ish-Blloku                                                      190,000               13800                   203,800
Garda e Republikës                                      132,000               13800                   145,800
Blloku i Vilave, Selitë                                   107,000              13800                    120,800
Stacioni i funditt “Tirana e Re”                  82,000               9600                       91,600
Kopshti Zoologjik                                          65,000                7000                      72,000
Rruga “Muhamet Gjollesha”                       120,000             13800                     133,800
Blloku i Ambasadave                                    100,000             13800                    113,800
Unaza e Re                                                      85,000               7000                       92,000
Fusha e Aviacionit                                         65,000               7000                       72,000
Rruga”Qrnal Stafa”                                       110,000              9600                       119,600
Selvia                                                                100,000            9600                        109,600
Blloku i Magazinave                                      72,000              9600                         81,600
Bulevardi “Zogu l”                                         130,000             16000                      146,000
Stacioni i Trenit                                             100,000             13800                     113,800
Rruga “Don Bosko”, Jordan Misja             77,000               7000                       84,000
Qendra e Tiranës                                            145,000           13800                       158,800
Rruga e Kavajës                                              139,500            13800                       153,300
Rruga “Myslym Shyri”                                  102,000            13800                       115,800
Zona e Laprakës                                             87,000              9600                         96,600
Zona e fillimit të autostradës                      75,000               9600                         84,600

Shekulli

Pronat dhe pensionet, afatet e reja dhe pagesat për të marrë dokumentet

tabela e tarifave

Ju duhen urgjent dokumentet e pronësisë apo dokumentet e pensionit? Mjafton të paguani më shumë dhe Arkivi i Shtetit do t’jua mundësojë brenda 5 ditëve. Tarifat e reja dhe afatet hyjnë në fuqi nga 1 shtatori, dhe për dokumentet e pronësisë dhe pensionet, që janë pjesa dërrmuese e kërkesave në Arkivin e Shtetit (përjashto rastet e studiuesve), me 4 mijë lekë për pensionet dhe 10 mijë lekë për pronat, do të merrni atë që ju duhet brenda një kohe rekord.

 

Nuk shkurtohet pak, por rreth 10 ditë, nga afati normal i kthimit të përgjigjes. Në daljen publike ditën e djeshme, zëdhënësja e Arkivit shpjegoi se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të përmirësojë edhe shërbimet për kërkesat pronësore dhe biografike për qytetarët, duke nisur nga data 1.9.2017. Afati standard i përgjigjeve për kërkesat biografike do të bëhet 15 ditë, nga 23 që ka qenë deri më sot, sërish nëpërmjet parimit ndërkombëtar arkivor të “kërkimit me pagesë”.

Pra, qytetarët do të aplikojnë nga çdo cep i Shqipërisë në filialet qendrore të Postës Shqiptare dhe 15 ditë më vonë do të marrin përgjigjen po me postë për kërkesat biografike. Ndërkaq, prej datës 1 shtator 2017, futet edhe aplikimi me procedurë të përshpejtuar, që mund të bëhet pranë Arkivit Qendror Shtetëror, ose arkivave shtetërore vendore, ku ruhet dokumentacioni. Procedura e përshpejtuar bëhet me tarifë të diferencuar nga procedura standarde dhe përgjigjja jepet: 5 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat pronësore, 3 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat biografike joshkollore dhe brenda një dite pune për kërkesat biografike shkollore.

TARIFAT E REJA

Endrit Musai, drejtor i Inspektimeve dhe Trajnimeve në Drejtorinë e Arkivave, në një intervistë për “News 24” sqaron modelin e ri të pagesave për çdo lloj dokumentacioni që kërkohet në Arkivin Qendror të Shtetit apo ato vendore.

“Krahas tarifave për procedura të zakonshme, do të kemi dhe procedura të përshpejtuara, ku tarifa është më e lartë se ajo që aplikohet në procedura të zakonshme. Është një praktikë e aplikuar edhe më parë, në vitet 2000. Tarifa e përshpejtuar për dokumente të pronësisë shkon rreth 10 mijë lekë për 5 ditë. Për dokumente biografike joshkollore është 4 mijë lekë, dhe për ato biografike shkollore është 4 mijë lekë dhe bëhet brenda ditës.” Për të siguruar dokumente të kohës, mjafton që qytetarët të aplikojnë me postë dhe përgjigjja vjen po në mënyrë të tillë.

“Deri në nëntor të 2016-s, aplikimet bëheshin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Prej nëntorit 2016, nëpërmjet një marrëveshje me Postën Shqiptare, këto aplikime kryhen vetëm pranë sportelit të postës, duke eliminuar kontaktin fizik dhe ulur mitmarrjen”, sqaron Musai.

BORDEROTË DHE LIBRAT E PAGAVE

Arkivit të Shtetit mund t’i drejtohen të gjithë ata qytetarë që u është afruar mosha e daljes në pension dhe vetëm tani vënë re që nuk i kanë të shënuara të gjitha vitet e punës. Drejtori i Inspektimeve dhe Trajnimeve në Arkivin e Shtetit sqaron se ky institucion ka dokumente të deri përpara një dekade.

“Para viteve ‘90, pranë çdo ndërmarrjeje bujqësore, kooperative, ekzistonte një arkiv. Pas ‘90, dorëzimi i tyre u bë në mënyrë të plotë. Vitet e punës deri në vitin 2006, borderotë dhe librat e pagave të këtyre ndërmarrjeve apo institucioneve të para ‘90 që u shkrinë, si dhe një pjesë e këtij dokumentacioni u ruajt në arkivat shtetërore, kryesisht ato vendore. Më pas, i kaluan Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe ndodhen atje. Te ne ndodhen dokumentacioni i ministrive, të cilat kanë bërë emërimet e tyre nëpërmjet vendimeve të titullarëve”, bën me dije drejtori në Arkivin e Shtetit.

UNIFIKIMI I TARIFAVE

Të gjitha njësitë që përbëjnë rrjetin arkivor, ku përfshihet: arkivi qendror shtetëror, arkivi qendror teknik dhe arkivi qendror i filmit, kanë unifikuar ato tarifa që kishin. “Historikisht, që pas viteve ‘90 ka pasur një tarifë të caktuar për marrjen e të dhënave arkivore, e cila që në vitet 2000 e deri në ditët tona është ruajtur e pandryshuar, e madje edhe është ulur. Marrim rastin e kërkesave për dokumente gjeografike, për të cilat më parë tarifa ishte 1 mijë lekë të rinj dhe sot është 500 lekë. Ndërkohë, kërkesat për dokumente pronësie, tarifa e aplikimit është 1500 lekë të rinj dhe 100 lekë për fotokopje. Këto tarifa kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë. Thjesht Këshilli i Lartë i Arkivave arriti të bëjë një unifikim të tarifave”, sqaron drejtori i Inspektimeve dhe Trajnimeve në Arkivin Qendror.

Ato që drejtohen në Arkivin e Shtetit kërkojnë më së shumti dokumente pronësie, e po ashtu edhe dokumente biografike shkollore (kryesisht në arkivat vendorë). Më të paktë në numër janë ata që kërkojnë dokumente biografike. Risi për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave është katalogu online i 2 milionë titujve që janë të aksesueshëm online për të gjithë qytetarët.

Shteti komb, finalizimi i ëndrrës tonë nacionale – Nga Azgan HAKLAJ

Platforma për jetësimin e tij,domosdoshmëri historike

 

Gjuha, territori, historia e kultura janë elementët bazikë që e identifikojnë shtetin komb, apo shtetin nacional, sipas përkufizimit përendimorë.
Kongresi i Manastirit ka meritën historike, pasi krijoj alfabetin shqip dhe e identifikoj Shqipërinë para Evropës dhe botës si një komb kulturorë.
Me zgjedhjen e shkronjave latine, korifenjtë e kulturës kombtare i treguan Perëndimit se Shqipëria është një popull me kulturë e histori thellsisht evropiane dhe se janë fara dhe rrënja e qytetërimit evropian.
Ata dëshmuan se orientimi i tyre kulturorë dhe politik drejt vlerave të civilizimit përendimorë është jo vetëm domosdoshmëri ekzistenciale,por dhe mënyra më e sigurtë për t’u shkeputur përgjithmonë nga kthetrat e Perandorisë Otomane dhe të asaj Ruso -Sllave.
Gjuha si simbol themelorë i një populli është faktor kohezioni vetëm atëherë kur ajo shërben për unifikimin e të gjitha teksteve që nga Abetarja e deri tek literatura universitare e ajo akademike.
Një tekst i abetares për të gjithë femijët në hapsirën etnike shqiptare është alfa e betejës për ta bërë sistemin arsimorë mbarëkombtarë,një gurë themeli dhe premisë të sigurt për të ardhmen e brezave që vijnë.
Kuvendi famëmadh i Arbrit i vitit 1703 i mbledhur nën kujdesin e Papës Shqiptarë Klementi i Xl Albani është jo vetēm djepi i Rilindjes Kombëtare por është interpret i dēshirës së flaktë të arbërorëve për ta mbrojtur gjuhën e kulturën e vendit të tyre.
Hapja e seminareve dhe kolegjeve në zona të ndryshme me vendim të Kuvendit historik të Arbërit ,
ku mesimi jepej shqip dhe me tekste të unifikuara ,na tregon jo vetëm mashtrimin trashanik e kriminal qe historiogrrafia komuniste e dirigjuar nga qarqet antishqiptare sllavo-greke, ka bërë për moshën e gjuhës shqipe, por edhe diçka tjetër themelore, kujtesën tonë historike dhe se
jemi tre shekuj prapa së veni nē jetē projektin e stërgjyshërve tanë.
Një sistem i unifikuar i gjuhës e shkollës shqipe do të thotē që femijët, nxënësit dhe studentët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal tē Zi, Luginë tē Preshevës të kenë nē duart e tyre një tekst mēsimorë, të kenë të drejta e kritere të njëjta për të hyrë në universitetet tona dhe diplloma te barazvlerëshme në gjithē hapsirën shqiptare.
Njësoj si për universitetet publike ashtu edhe për ato private.
Kualifikimet pasuniversitare, doktoraturat e gradat shkencore duhet te jepen sipas një sistemi të njësuar nacional.
Bashkimi shpirtëror i kombit me një projekt nacional i paraprin bashkimit politik dhe ekonomik.
Ai pregatit terrenin dhe sherben si gurë-themel i shtetit komb.
Trashëgimia kulturore dhe historike janë një e të pandara për të gjitha trojet etnike ku banojnë shqiptarët.
Këtë na tregon më së miri folklori,etnografia e së fundmi historia e arkeologjia e epokës ilire, para kristiane dhe e mesjetës së hershme.
Deshmi të pakundërshtueshme, histotike dhe shkencore tregojnë se të Parët tanë kanë patur jo vetëm hemogjenitet përsa i takon gjuhës, menyrës se jetesës, riteve, dokeve e zakoneve të dalluar qartë nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës por dhe një civilizim tē shkallës më të lartë.
Shqiptarët ndodhen sot përballë kërcenimit serioz te kuartetit antishqiptarë ,Moskë-Ankara-Beograd-Athinë.
Në këto qendra përpunohen taktikat e hartohen strategjitë për të groposur njëherë e përgjithmonë kulturën e vjetër shqiptare dhe kujtesën tonë historike.
Shkatërrimi apo tjetërsimi i monumenteve të lashta dhe autentike shqiptare, duke përfshirë edhe ato të kultit,përpjekja për të përvetësuar figura të shquara Iliro-dardano -arbërore dhe për ti etiketuar ato si sllavo-greke,e së fundmi edhe përpjekja donkishoteske për tu marre shqiptarëve Eposin Kombëtarë, trashëgiminë Ilire ,Gjergj Kastriotin, Migjenin apo Nanë Terezen vertetojnë katërcipërisht këtë teoremë.
Keto fakte deshmojnë se siç jemi të ndarē në pesē shtete me qeveri tē paafta e të korruptuara, me akademi që flenë gjumë akoma nuk e kemi krijuar nëse shprehemi nē gjuhën ushtarake mburojën raketore kundër armiqve tanë historik.
Ka 15 vite që Unioni Artistik i Kombit Shqiptarë si institucioni me i rendesishëm i kulturës kombëtare shqiptare ,vepron nē të gjithë hapsirën etnike të Kombit Shqiptarë për të promovuar artin tradicional,folkun , kengèn, vallen , etnografinë si pashaportë autentike, si adn-në e Kombit tonë.
Festivalet kombetare , spektaklet, koncertet tematiko-patriotike janë organizuar nën moton;
Një komb, një kulturë-njē gjuhë- një flamurë-një histori-një atdhe dhe së fundmi në Plavë-Guci :
Një Komb Një Shtet.
Keto manifestime janë kthyer në referendume artistiko -qytetare dhe se Unioni Artistik i Kombit Shqipetar është laborator i platformës së unifikimit të kulturës kombtare,padiskutim mund të quhet parlamenti shpirtëror i kombit.
Ky konstatim me vjen natyrshëm për shkak se eshtë i shtrirë me aktivitete të rendësishme në mbarë hapsirën shqiptare dhe se ka si lidershqip ajkën e artit shqiptarë.
Mesazhet e tij kanë qenë domethënëse për kohën dhe i kanë paraprirë zhvillimeve politike.
Mesazhet a artit janë të fuqishme dhe se futen aty ku nuk futet dot politika dhe diplomacia.
Kombi jonë nuk përcaktohet tek kombet dinastike apo kombet politike por tek kombet etno -kulturore prandaj jetëgjatësia dhe shpetimi nga asimilimi gjatë sagës së gjatë kulturës tonë i dedikohet.
Nëse i referohemi historisë së bashkimit te Gjermanisë aspak me shumë nuk ka kontribut Bis Marku se sa Gëte për realizimin e endrres sē popujve gjermanikë.
Profeti Muhamed na mëson se:
“jetëgjatësia e një populli varet nga jetëgjatësia e trashëgimisë shpirtërore të tij.
Nëse qindra-mijra artistë të Unionit Artistik të Kombit Shqiptarë i bijen kryq e tërthorë Atdheut me diplomaci artistike e art diplomatiko-politik ,ashtu si Shen Pali Ilirikumit për tē përhapur Ungjillin e kulturës tonë kombtare ,qeveritarët e ministrat e korruptuar me anë të marionetave të tyre ti mbyllin dyert kur ju paraqet projekte madhore të kulturës kombëtare të kuvendeve të kengëve, të valleve shqipe.
Ata shkojnē mē tej duke u bërë barrikada e parë për të demtuar e asfiksuar trashëgiminë kulturore.
Projektet kombëtare, festivalet folklorike dhe strategjia afatgjatë për të zbuluar e promovuar breza të rinj artistësh kerkon bashkëveprim mes qeverive shqiptare dhe mbështetje financiare e logjistike.
Ka më shumë se një dekadë e gjysëm që është shembur muri mes shqiptarëve dhe asnjë festival kombëtarë i folklorit i mbeshtetur nga qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës nuk është bërë e me gjasa as nuk mendohet të zhvillohet në Prizeren apo Prishtinē, për të mos folur për Shkupin, Mitrovicën,Preshevën apo Ulqinin.
Këto treva të shquara kulturore e historike të Kombit tonë kanë të drejtē të ngrenē pyetjen ??!
Përse Shqipëria nanë na sheh me syrin e njerkës?
Çfarë bën qeveria e Kosovës?
Cilat janë frytet e takimeve pompoze dhe sfilatat qeveritare Tiranë-Prishtinë.
A ka diplomaci kulturore mbarëkombtare?
Eshtë paradoksale fakti që Shqipëria një nga vendet më trashëgimi kulturore ndër më të pasurat e të vjetrit e Evropës krahas asaj (Greko-Romake) ka buxhetin me tē ulët nē kontinent ne raport me XHDP-në për kulturën e vet kombëtare.
Hap tjetër i rendësishëm i platformës së shtetit komb është hapsira e lirë ekonomike,krijimi i komunuellthitt ekonomik shqiptarë.
Politika të unifikuara të zhvillimit, të sigurisë kombëtare dhe diplomacisë.
Akoma me barriera doganore, me politika reciprociteti, në kufirin shqiptaro-shqiptarë.
Mendoni kur Princ Dhimitri i shtetit tē Arbërit 800 vjet më parë bënte tregti të lirë me Raguzën dhe i merrte në mbrojtje në territorin e vet.
Kjo ka ndodhur dhe dy dhekuj më vonë me Gjon Kastriotin dhe djemt e tij, të cilët u zotoheshin venedikasve se do ti mbronin dhe do të paguanin çdo dëm qe pësonin në territorin e tyre.
Njē komunuellth shqiptarë ekonomik duhet tu japë garanci bashkëkombasve se nuk do tu shfaqet si makth trau i doganave apo taksimi i dyfishtë.
Hapsira e lirë ekonomike për të dhanë frytet e saj kërkon në radhë tē parë lëvizjen e shpejtë të mallrave e sherbime me shpejtësi në hapsirën panshqiptare.
Kjo ndodh vetëm atherē kur tē financohen projektet
e medha të infrastrukturës , Rruga e Arbrit, korridori Adriatik-Alpe , lidhja e porteve shqiptare me rrjetin hekurudhorë të Kosovës, një rrjet i unifikuar i energjisë.
Këto janë investimet strategjike pa të cilat shqiptarēt nuk mund tē pretendojnë tē hedhin bazat ekonomike.
Siguria kombëtare e diplomacia e përbashkët jënë pjesë e rëndësishme e platformës së shtetit-komb.
Përtej slloganit:
” Një Komb , Një Qendrim” qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës duhet ta kuptojnë se FSK dhe ato të ushtrisë në Shqipëri duhet të trajtohen njësoj ,tē shkollohen në njē akademi e me një program të vetëm.
Të kenë të njëjtin sistem gradash dhe të njëjtën strategji të përbashkët në luftën kundër terrorizmit apo kundër rreziqeve që vijnë në mbarë hapsirën etnike shqiptare nga fqinjët shovinistë.
Politika e jashtme ka qenë nyja gardiane e shtetit shqiptarë për 100 vjet.
Çlirimi i Kosovës ka sjellë një realitet të ri të cilin u detyra ta njohë edhe presidenti serb Viçiç.
Eshtë koha tē presim me shpatën e drejtësisë këtë nyje të djallit.
Shqiptarët duhet ti flasin botës me një gjuhë.
Diplomacia duhet tē jetë mbarëkombtare.
Shqiptarët nga komb etnokulturorē duhet te bēhen komb politik.
Ka arrdhë koha qe ata të kenē shtetin Komb.
Një mik i madh i shqipëtarëve ish ambasadori i Amerikës ne Kosovë Willam Wolker ,në 20 vjetorin e spektaklit “Mirë se vini në Alpe”
Dhe në festivalin e Dytë kombëtar,
“Kënga dhe vallja shqipe na bashkon” tha:
“Unë nuk i ndaj shqiptarët të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Çamërisë, të Maliit të Zi, të Luginës sē Preshevës.
Shqipetarët janë Një dhe kanē Një flamurë.
Po e mbyll këtë opinion timin duke apostrofuar faktin se keto manifestime kultutoro-artistike u organizuan nga shoqata Alpet Shqipetare, shoqata Maja e Karafilit ,me mbështetjen e Unionit Artistik të Kombit Shqipetar ne trojet e Ali Pashë Gucisë dhe Jakup Ferrit në Vuthaj, Plavë -Guci me dt 30, 31 korrik, 1 gusht 2017.

Sekretari amerikan i Shtetit i telefonon Ramës, pas fitores në zgjedhje ia kujton 3 ‘detyrimet’ që ka PS

Kryeministri Edi Rama ka marre sot një telefonatë nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, i cili e ka uruar Kryeministrin për fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit.

Sipas njoftimit për mediat, bëhet me dije se Sekretari amerikan i ka shprehur Ramës bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partine Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit.

Duke i shprehur Kryeministrit të gjithë mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, Sekretari i Shtetit i ka përcjellë Edi Ramës përshtypjet shumë pozitive të Zëvendës Presidentit Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe ka rikonfirmuar vullnetin amerikan për një vëmendje të përqendruar në zhvillimet në rajon.

Kryeministri Rama e ka falënderuar bashkëbiseduesin për telefonatën dhe i ka bërë një pasqyrë të plotë të situatës rajonale nga këndvështrimi i vendit tonë, duke u përqendruar kryesisht tek dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë.

Në pjesën e fundit biseda është shtrire tek roli i Shqipërisë në NATO, kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku Sekretari Tillerson është shprehur me konsideratat më të larta. Ndërsa Kryeministri Rama ka kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit, çka është pritur me shumë interes nga bashkëbiseduesi. Biseda telefonike mes të dyve ka zgjatur më shumë se njëzetë minuta, sipas Kryeministrisë.

Kështu Petrit Vasili paralajmëron largimin nga Shqipëria: Le të ikim ku s’na sheh njeri!

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste pr Integrim, Petrit Vasili ka zgjedhur vargjet e Jorgo Bllacit, për të treguar gjendjen se ku ndodhet Shqipëria.

Një stuatë e errët e paraqitur më së miri përmes vargjeve, që për Vasilin do të thonë shumë. Megjithatë pikëpyetja e madhe që ai lë, është nëse mes reshtave na flet për një largim të tijin nga Shqipëria.

Autori i “Eja kënga ime”, e mbyll poezinë me vargjet: Eja kënga ime, kaq poterë, Unë e ti nuk e durojmë dot! Se jo pakëz jeta na ka vrarë… Ndaj, le t’ikim ku s’na sheh njeri! Mbase larg në pyjet magjistarë, Do të gjejmë prehje dhe qetësi!…”…

Megjithatë, ai e ka dhënë të qartë mesazhin e btimit të këtyre vargjeve, kur thotë se sipas tij, përbëjnë “skenarin e pamëshirshëm të kohës dhe personazheve ku jetojmë”

Shkrimi ne Facebook i Petrit Vasilit

Ja skaneri i pamëshirshëm i kohës dhe personazheve ku jetojmë:

EJA KENGA IME!…

Jorgo Bllaci

Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimê,

Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,
Vrasësi ku hiqet për viktimë,
Dhe viktimës i kërkon shpagim!
Ku tê përdhunuarat gjykohen,
Me të rrugës ligj nga prostitutat,
Ku tê marrë e të urtë përgojohen,
Dhe servilët, porsi minj nga skutat,
Dalin, rrahin gjoksin edhe mburren,
Se luftuan vrimash, si heronjtë,
Kuajve të ngordhur tek u sulen,
Per t’u hequr me tërbim patkonjtë…
Ku gjithkushi klith e shfryn paprerë,
Me një duf që mëshirona o zot!
Eja kënga ime, kaq poterë,
Unë e ti nuk e durojmë dot!
Se jo pakëz jeta na ka vrarë…
Ndaj, le t’ikim ku s’na sheh njeri!
Mbase larg në pyjet magjistarë,
Do të gjejmë prehje dhe qetësi!…


Send this to a friend