Një major shqiptar, pjesë e Forcave të Armatosura i identifikuar si Ermal Dinoshi është shkarkuar me urgjencë nga detyra e tij në një bazë te NATO-s në qytetin Brunssum të Holandës.
Burime brenda ministrisë së Mbrojtjes thanë për “News24” se majori me detyrë në Komandën e Bashkuar të NATO-s në Brunssum të Holandës përveç detyrave të përditshme në bazën ushtarake të Aleancës pasi hiqte uniformën pas orarit zyrtar ushtronte një aktivitet tjetër.
Majori Dinoshi me detyrë specialist stërvitje në FASH është ndaluar pasi punonte në një shtëpi bari.
Pasi ushtaraku shqiptar është ndaluar nga autoritetet holandeze, urdhri për shkarkimin e tij të menjëhershëm është firmosur në Atdhe ku majori pritet të mbërrijë, thanë burimet për “News24”.
Më herët, TCH raportoi se një ushtarak shqiptarë i përzgjedhur për të qenë pjesë e një misioni bashkëpunimi me ushtrinë e Holandës, në kuadër të NATO-s, është arrestuar nën dyshim si i përfshirë në aktivitet kriminal.

Top Channel duke iu referuar policisë së Holandës, raporton se është vënë nën hetim Majori Ermal Dinoshi me detyrë specialist stërvitje.
Pas arrestimit ushtaraku shqiptarë, është duke u hetuar në gjendje të lirë nën dyshimin e përshtatjes, së një shtëpije për rritje kanabisi.
Dinoshi thotë policia e Holandës dyshohet se në bashkëpunim, me persona të tjerë ngritën një shtëpi për rritje kanabisi në qytetin Brunsum.
I kontaktuar Major Dinoshi mohoi kategotikisht përfshirjen e tij në këtë ngjarje.
“Çfarë Çfarë? Absolutist JO, kujdes me privatesinë. Ju lutem kjo që thoni është e pavërtetë. Keni ngatërruar person I nderuar” tha ai.
Ministria e Mbrojtjes pasi u kontaktua nga Top Channel, përmes zëdhënësit Fation Hoxhalli dha këtë reagim.
“Eshtë përfshirë në një veprimtari për të cilën autoritetet hollandeze janë duke e investiguar në gjendje të lirë.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes është në pritje të një raporti nga autoritet hollandeze. Ministria e Mbrojtjes I ka ndaluar të ushtrojë përgjegjësitë e detyrën në bazë dhe ka urdhëruar kthimin e menjëhrshëm në atdhe”.
Ministria e Mbrojtjes thekson se po bashkëpunohet me autoritetet hollandeze për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave përkatëse ligjore në vijim.
Kjo ngjarje ngre një sërë pikëpyetjesh se si ushtarakët e vendit tonë antarë i NATO-s përzgjidhen dhe në cfarë filtrash kalojnë për të shkuar në të tilla misione.
Sipas informacioneve që vinë nga strukturat e ushtrisë shqiptare, e njëjta përzgjedhje është bërë dhe këtë vit, me njerëz pa merita dhe pa kriter.
Shqipëria si vend i NATO-s, por edhe në këtë situatë ku është rritur kërcënimi i aktorëve të jashtëm e të brendshëm, është e rëndësishme një transparencë gjithnjë në rritje e kësaj përzgjedhjeje.




