VOAL

VOAL

Zgjedhjet lokale, më 12 tetor

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.

“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Caktimi i kësaj date, sipas Presidencës, synon që të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera relevante, “me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor”.

Osmani u ka bërë thirrje subjekteve politike, organizatave dhe shoqërisë civile që t’i qasen “me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë”.

Më 4 qershor, Osmani ishte takuar me përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Në takim nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Gjatë këtij takimi ishin përmendur datat 5, 12 dhe 19 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit lokale, Kosova i ka mbajtur në tetor të vitit 2021.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte fituar në më së shumti komuna, pasur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Caktimi i datës për zgjedhjet lokale po vjen në kohën kur Kosova është përfshirë në një krizë politike pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit.

Që nga votimet, ende nuk janë krijuar institucionet e reja, teksa deputetët ende nuk kanë arritur ta konsitutojnë Kuvendin e Kosovës, që do t’i hapte rrugë edhe krijimit të ekzekutivit të ri.

Pas takimit konsultues me Osmanin më 4 qershor, përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se në takim është diskutuar edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale.

Haxhiu ka thënë se ajo e ka paraqitur këtë ide, duke shtuar se mbajtja e dy palë zgjedhjeve brenda një dite është përkrahur edhe PDK-ja.

Megjithatë, për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që të konsituohet Kuvendi dhe më pas me marrëveshje politike të shpërndahet ai dhe të shpallen zgjedhjet e reja.

Albulena Haxhiu: I kemi numrat për qeverinë ‘Kurti 3’

Deputetja e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se subjekti i saj tashmë i ka siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë Kurti 3.

Ajo ftoi partitë tjera që ta sfidojë Vetëvendosjen në Kuvend, duke theksuar se disa parti që deri tani kanë qenë në opozitë po e pengojnë me qëllim konstituimin e Kuvendit, sepse siç tha ajo, e dinë se  Vetëvendosja e ka shumicën për qeverisje.

Pas dështimit për herë të njëzet e tetë të seancës konstituive që Haxhiu të votohet për kryeparlamentare, ajo tha se janë të hapur që të marrin pjesë në takime të tjera të ftuara nga presidentja e vendit.

Haxhiu iu bëri thirrje deputetëve të partive të tjera që të reflektojnë dhe të dalin nga kjo situatë, sepse sipas saj është e pakuptimtë të shkosh në kuvend dhe mos të bësh asgjë.

E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu ritheksoi kundërshtimin e subjektit të saj karshi propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovë për një qeveri të tranzicionit.

Krahas kësaj, Haxhiu përmendi deklarimin e deputetit te PDK, Abelard Tahiri se “Qeveria Kurti është më e dëmshme sesa bllokimi i kuvendit”. Sipas saj, kjo e konfirmon se partitë e tjera me qëllim po e pengojnë konstituimin e kuvendit, sepse  e dijnë që LVV-ja i ka numrat për krijimin e qeverisë së re.

“Nuk e kam të qartë se çfarë ka thënë zotri Gashi. Duhet ta theksoj që nuk e kam dëgjuar se si e ka theksuar. Ajo çka ne e kundërshtojmë është kjo ideja e kryetarit të LDK-së, për qeverie e tranzicionit. Shtrohet pyetja se pse duhet të kemi qeveri të tranzicionit kur qytetarët e Kosovës më 9 shkurt kanë folur…

Ne kemi thënë që i kemi numrat për qeverinë dhe lë të na matin, le të na sfidojnë. Këta e dijnë që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng kuvendin e Republikës së Kosovës…Këtë e konfirmon një deklaratë e ish-ministrit të drejtësisë, deputetit aktual, zotrit Tahiri i cili thotë që më e dëmshme është qeveria Kurti se bllokimi i kuvendit.

Me këtë deklaratë, ata thonë që po e bllokojnë kuvendin sepse më e dëmshme se bllokimi është qeveria Kurti. Për qytetarët e Kosovës kjo qasje nuk është e mirë”, tha Haxhiu.

Sot ka dështuar për të njëzet e tetën herë të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Seanca e radhës do të mbahet më nëntë qershor në orën njëmbëdhjetë. /KosovaPress/

Çka do të ndryshonin zgjedhjet e reja parlamentare?

Bekim Bislimi

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë duke u përmendur si mundësi për të thyer bllokadën institucionale në Kosovë, por jo të gjithë besojnë se ato do të sillnin ndonjë ndryshim të madh në raportin e forcave politike.

“E tëra që mund të ndodhë, është një rezultat i përafërt dhe rikthim në situatën ku jemi aktualisht. Është vetëm një tentim për vonimin e zgjidhjes”, thotë për Radion Evropa e Lirë Artan Muhaxhiri, sociolog dhe njohës i zhvillimeve politike.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt.

Dhjetëra tentativat për të konstituar Kuvendin nuk sollën asnjë rezultat.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk po arrin t’i sigurojë votat për t’u zgjedhur kryeparlamentare, hodhi idenë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale, më vonë këtë vit.

Albert Krasniqi, nga organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+), vlerëson se zgjedhjet mund të jenë e vetmja rrugëdalje, në rast se mungon kompromisi për konstituimin e Kuvendit.

Megjithatë, ai nuk pret që ato të sjellin ndryshime të mëdha në përfaqësimin e partive në Kuvend.

“Në termin e numrave mund të ketë lëvizje, e cila partitë politike mund t’i forcojë ose dobësojë, por, natyrisht, nuk mund të ketë ndryshime të mëdha për një kohë kaq të shkurtër”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Opozita me dyshime për efektin e zgjedhjeve të reja

Nëse për Lëvizjen Vetëvendosje – e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo me mjaftueshëm vota për të formuar e vetme qeverinë – zgjedhjet e reja janë zgjidhje, për pjesën më të madhe të opozitës, ato nuk do ta ndryshojnë situatën në mënyrë thelbësore.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se nëse zgjedhjet e reja mbahen, ato nuk duhet të mbahen së bashku me lokalet.

“…pse duhet pritur afati i zgjedhjeve lokale, që i bie diku në mesin e tetorit? Duhet të shkojmë shumë më herët”, thotë Tahiri.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, zgjedhjet e reja nuk do të zgjidhnin asgjë.

Deputeti dhe nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se ato do të ishin thjesht një “përsëritje e zgjedhjeve të 9 shkurtit”, sa u përket rezultateve që do të dilnin prej tyre.

“Për LDK-në, zgjedhjet tani janë të papranueshme. Nuk besoj që zgjidhin diçka, përveçse mund ta përmirësojnë fjalorin e partisë së parë [LVV-së], sepse në procesin [e kaluar] zgjedhor ka pasur fushatë negative, fjalor denigrues – gjë e cila është bërë problem”, thotë Haziri.

Ai shton se edhe nëse Vetëvendosje e përmirëson fjalorin ndaj partive të tjera, kjo me shumë gjasa nuk do ta ndryshojë qëndrimin e LDK-së për bashkëpunim me të.

Por, ai nuk e përjashton mundësinë e ndonjë bashkëpunimi në të ardhmen, nëse rrethanat, siç shprehet, bëhen më favorizuese.

Fjalori që është përdorur, nuk duhet të përdoret më, thotë edhe Bekë Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke theksuar se kjo është thelbësore për të kapërcyer krizën politike që po shtyn drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“[Zgjedhjet] nuk do të ndryshonin asgjë [në rezultatin e partive]. Por, më e mira do të ishte sikur ne të kuptonim – të gjitha partitë politike dhe aktorët e partive politike – se duhet ta ndalim armiqësinë… Nuk kemi lënë vend as të ulemi, as të bisedojmë”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, edhe pas, gjuhë denigruese është përdorur nga disa përfaqësues politikë – përfshirë kryeministrin në detyrë të Kosovës dhe udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Gjuha e përmbajtur si shans për bashkëpunim

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se, nëse vendi shkon në zgjedhje, një nga përfitimet e pakta mund të jetë pikërisht pastrimi i këtij diskursi.

Muhaxhiri thotë se fjalori aktual ndërmjet partive politike po i largon ato gjithnjë e më shumë nga mundësia e bashkëpunimit.

“Nuk ka ndonjë sens që kjo gjuhë të ashpërsohet kaq shumë, në qoftë se në prapaskenë janë duke biseduar për ndonjë koalicion. Mirëpo, në politikën kosovare, nuk i dihet kurrë”, thotë Muhaxhiri.

Në të njëjtën linjë është edhe Krasniqi. Ai thotë se gjuha përçarëse është kthyer në pengesë serioze për ndërtimin e çdo lloj bashkëpunimi paszgjedhor.

Zgjedhjet e reja mund të përcillen me retorikë më të përmbajtur politike dhe, në këtë mënyrë, të hapin rrugën për një rifillim të raporteve ndërmjet partive, sipas tij.

“Unë besoj që partitë, me zgjedhje [të parakohshme], më shumë duan t’i japin shans mundësisë për të bashkëpunuar. E kanë kuptuar që, me rezultatet aktuale, një parti e vetme nuk mund ta formojë [qeverinë]. Patjetër duhet ta kenë një kompromis më të gjerë”, thotë Krasniqi.

Të dy analistët kujtojnë se pa një marrëveshje kompromisi që do të çonte në konstituimin dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare është e pamundur të realizohen ligjërisht.

EULEX-it i zgjatet mandati në Kosovë deri në vitin 2027

Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) në Kosovë i është zgjatur mandati deri më 14 qershor 2027.

Kështu është marrë vendim nga Këshilli i Bashkimit Evropian në Luksemburg më 05.06.2025.

Sipas këtij vendimi, Komiteti Politik dhe i Sigurisë ra dakord që misioni të zgjatet deri më këtë datë.

Hera e fundit kur EULEX-it iu zgjat mandati ishte më 5 qershor 2023, deri më 14 qershor 2025.

Më 4 shkurt 2008, Këshilli miratoi Veprimin e Përbashkët duke themeluar misionin EULEX në Kosovë.

Shuma referente financiare për mbulimin e shpenzimeve të EULEX në Kosovë nga data 15 qershor 2025 deri më 14 qershor 2027 është 170,866,980 euro.

Nga kjo shumë, 64 mijë e 492 980 euro janë për mbulimin e shpenzimeve të misionit në Kosovë, kurse 106 mijë e 374 janë për mbështetjen e procedurave gjyqësore të zhvendosura në një Shtet Anëtar.

EULEX ka ardhur në Kosovë në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, duke e zëvendësuar misionin e OKB-së, UNMIK, por me kompetenca më të kufizuara.

EULEX-it iu zvogëluan kompetencat edhe më shumë në vitet 2011 dhe 2012 kur Kosovës iu hoq ‘mbikëqyrja ndërkombëtare’ e pavarësisë.

Pasi pranoi fajësinë, Vllajiq dënohet me pesë vjet burgim për spiunazh në Kosovë

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor në një seancë dëgjimore më 5 qershor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Vllajiq, gjithashtu, u deklarua fajtor për posedim të paligjshëm të armëve. Për këtë vepër ai u dënua me 6 muaj burgim, por e cila iu zëvendësua me një gjobë prej 1.000 eurosh.

Sipas aktakuzës, e cila u ngrit më 22 maj, Vllajiq veproi si bashkëpunëtor i BIA-s, duke mbledhur informacione që kërcënonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Mes tjerash, në aktakuzë përmendet se ai regjistroi fshehurazi lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe praninë e bashkësisë ndërkombëtare në veri, dhe se mblodhi të dhëna për anëtarët e komunitetit serb të dyshuar si bashkëpunëtorë të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Vllajiq, i cili u arrestua më 26 qershor 2024, ishte anëtar i Policisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar BIA-n për të komentuar rreth deklarimit të Vllajiqit dhe është duke pritur një përgjigje.

Në mars të këtij viti edhe një grua nga komuniteti serb në veri të Kosovës, me inicialet J.GJ, u arrestua për “spiunazh”.

Ajo ishte e punësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ndërsa mediat raportuan se ajo ishte “spiune” për BIA-n.

Agjencia Serbe e Informacionit dhe Sigurisë nuk ka komentuar për këtë çështje.

Institucionet serbe nuk kanë reaguar ndaj arrestimit të gruas me inicialet J.GJ, megjithëse deri më tani ka qenë praktikë që pas çdo arrestimi të serbëve në Kosovë, përfshirë ata për “terrorizëm” ose “minim të rendit kushtetues”, Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe ka bërë një njoftim. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, gjithashtu nuk e ka komentuar këtë zhvillim.

Më herët gjatë vitit, më 20 shkurt, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti gjithashtu një aktakuzë kundër dy individëve me inicialet B.SH dhe M.Q pas dyshimit për kryerjen e krimit të spiunazhit, dhe mediat në atë kohë deklaruan se ata ishin shqiptarë të Kosovës të lidhur me autoritetet serbe, përkatësisht Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë.

Megjithatë, BIA mohoi çdo lidhje me këta persona të arrestuar në Kosovë, duke shtuar se kjo ishte një “përpjekje për të përhapur lajme të rreme” nga Prishtina.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse ndonjë i dyshuar shpallet fajtor.

Osmani: Data e zgjedhjeve lokale do të caktohet në ditët në vijim

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur të mërkurën se në ditët në vijim do të caktojë datën për mbajtje të zgjedhjeve lokale.

Deklarata e Osmanit vjen pas takimit që ka zhvilluar me krerë të subjekteve politike të Kosovës.

Në takim nuk ka qenë i pranishëm Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, por partinë e ka përfaqësuar Albulena Haxhiu.

Në takim nuk janë parë as përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.

Albulena Haxhiu ka thënë se datat 5,12 apo 19 tetor janë datat që janë përmendur më së shumti gjatë takimit për mbajtje të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021.

Lidhja Demokratike e Kosovës pati dalë e para, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Diskutimet për zgjedhjet lokale bëhen në kohën kur Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndonëse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti.

Më 4 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 26-n herë.

Gjatë prononcimit për media, Haxhiu ka thënë se në takim me presidenten Osmani është diskutuar edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale, ndonëse partia së cilës i takon ajo është për konstituim të Kuvendit, çka nuk ka ndodhur as katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

“Qëndrimi ynë është për. Pra, për neve është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi, të votohet Qeveria, por nëse sot ka qenë e 18-ta seancë prej kur është bërë propozimi për Komisionin për votimin e fshehtë dhe nuk ka vullnet, atëherë ne nuk po shohim zgjidhje. Edhe Partia Demokratike e Kosovës u pajtua me këtë. Ideja ishte e imja. Kisha vullnet për të diskutuar këtë”.

Megjithatë, për të ndodhur kjo, pra mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që të konstituohet Kuvendi, dhe më pas me marrëveshje politike të shpërndahet ai dhe të shpallen zgjedhjet e reja.

Kuvendi nuk po konstituohet pasi Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të parlamentit, dhe për propozimin e LVV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.

Albin Kurti përkujtoi masakrën e Deçanit më 1 qershor 1998: Kujtimi i martirëve qëndron në themel të lirisë sonë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ngjarjet tragjike të 1 qershorit 1998 në komunën e Deçanit, kur forcat serbe zhvilluan një ofensivë të madhe ushtarake në rajonin e Dukagjinit, duke kryer krime të rënda ndaj popullatës shqiptare.

“Më 1 qershor 1998, në kuadër të një fushate të gjerë ushtarake në Dukagjin, forcat serbe kryen një operacion të egër që përfshiu rrethimin dhe bombardimin e fshatrave si Pobërgjë, Hulaj, Batushë dhe të tjerë përreth,” deklaroi Kurti.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare si Human Rights Uatch dhe OSBE, ky aksion u karakterizua nga përdorimi i armëve të rënda ndaj vendbanimeve civile, zhvendosje të dhunshme të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, ekzekutime dhe zhdukje të civilëve të pafajshëm, si dhe shkatërrim i qëllimshëm i pronës.

“Në këtë 27-vjetor, nderojmë 19 civilët e vrarë nga forcat serbe dhe përkujtojmë të gjithë ata që ranë gjatë luftës për liri. Kjo ditë na rikujton dhimbjen, por edhe vendosmërinë e popullit tonë për liri dhe dinjitet,” tha ai.

Në mbyllje të fjalës, Kurti theksoi se sakrifica e popullit të Kosovës mbetet themel i lirisë dhe shtetësisë.

“I paharruar qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Lavdi e përjetshme,” përfundoi ai. bw

ZRRE: Bizneset e mëdha kalojnë në tregun e hapur të energjisë

Radio Evropa e Lirë

 

Zyra e Rregullatorit për Energji bëri të ditur se më 1 qershor bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë.

“Me sukses, të gjitha që kanë lidhur kontrata me furnizuesit kanë dalë në tregun e hapur. Ato që nuk kanë lidhur kontratë, kanë kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Megjithatë, Fejzullahu nuk dha shifra se sa kompani, nga rreth 1.300 që preken nga vendimi i liberalizimit të tregut, kanë lidhur kontrata dhe sa të tjera do të furnizohen me rrymë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.

Pas hyrjes në fuqi të vendimit, Aleanca Kosovare e Bizneseve, tha se ZRRE-ja ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë “dhe duke shpërfillur realitetin ekonomik të vendit”.

“Ky vendim është goditje direkte ndaj sektorit privat, që është shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës, dhe rrezikon qindra vende pune, ul konkurrencën, dhe nxit rritjen e çmimeve për konsumatorët”, u tha në reagim.

Kjo aleancë kërkoi shtyrjen e vendimit për një vit, duke paralajmëruar se bizneset do të vazhdojnë kundërshtimet edhe përmes protestave.

Po ashtu, një ditë më parë, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se bizneset nuk janë kundër tregut të hapur, por kërkoi që vendimi të shtyhej për një kohë, në mënyrë që ky kalim në tregun e liberalizuar të përgatitej më mirë.

Ai paralajmëroi se pa përgatitje të duhura, vendimi i ZRRE-së do të ketë efekte negative për bizneset, ekonominë dhe qytetarët e Kosovës.

Vendimi i ZRRE-së

Sipas këtij vendimi të ZRRE-së të gjitha bizneset e mëdha, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, është dashur të zgjedhin vetë një kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike.

Nëse nuk kanë arritur të përzgjedhin, këto biznese nga 1 qershori kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur, ku furnizimi bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit,(FMF) por me çmime të përcaktuara nga tregu.

FMF-ja mund të furnizojë vetëm dy muaj më energji kompanitë dhe nëse pas kësaj periudhe ato që nuk gjejnë furnizues, rrezikojnë të shkëputen nga rrjeti energjetik.

Aktualisht në Kosovë janë të licencuara 21 kompani tregtare për furnizim me energji, ndërsa një kompani tjetër është në proces licencimi.

Megjithatë, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vetëm pesë prej tyre kanë paraqitur deri tani oferta konkrete për sektorin e bizneseve.

Pjesë e këtyre kompanive është edhe Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, që aktualisht furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrialë në vend.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa biznese gjatë kësaj jave dhe asnjëra prej tyre nuk ka nënshkruar marrëveshje me kompanitë e licencuara.

Sipas tyre, vetëm KESCO ka dhënë një ofertë me çmim deri në 260 euro për megavat – çmim që ata e konsiderojnë të papërballueshëm.

KESCO nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë çmim.

Për shkak të çmimit të lartë të energjisë dhe mungesës së ofertave nga kompanitë furnizuese, më 29 maj, qindra biznese protestuan duke bllokuar për dy orë tri hyrjet kryesore të Prishtinës me mauna dhe automjete.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se bizneset po kërkojnë që zbatimi i vendimit të shtyhet për një vit, meqë “nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim të madh”.

Nga ana tjetër, Njazi Musliu, pronar i kompanisë Eurometal në Ferizaj, që ka afër 90 punëtorë, e ka cilësuar vendimin si shkatërrues për biznesin e tij.

Në protestën e së enjtes, ai theksoi se ky zhvillim e bën të pamundur konkurrencën në tregjet e rajonit dhe Evropës, ku kompania e tij është e pranishme me produkte të përpunimit të metalit.

“Do të detyrohemi të ulim numrin e punëtorëve nën 50, vetëm që të mos hyjmë në tregun e hapur në mënyrë që të ruajmë klientët me çmimet aktuale”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e kritikoi Odën Ekonomike duke thënë se “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur bizneset për këtë proces.

Nga ana tjetër, ZRRE-ja ka thënë të premten për Radion Evropa e Lirë, se disa biznese private dhe ndërmarrje publike tashmë kanë nënshkruar kontrata me kompani të licencuara për furnizim me energji elektrike.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Kurti-deputetëve opozitarë: Votuat Zajednicën, Specialen e demarkacionin, sot s’e votoni Albulena Haxhiun

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur pakënaqësi ndaj deputetëve opozitarë për refuzimin e kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke e krahasuar këtë qëndrim me mbështetjen e mëparshme të tyre për disa vendime të debatueshme.

Në një takim me gra të Lëvizjes Vetëvendosje, të mbajtur në kuadër të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Kurti tha se deputetët që sot refuzojnë ta mbështesin Haxhiun janë të njëjtët që në të kaluarën kanë përkrahur nisma si krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Gjykata Speciale, amnistimi i personave të përfshirë në krime në veri, si dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

“Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit nga qytetarët. Në vend që të respektojnë vullnetin e popullit, opozitarët e luftojnë Albulenën,” u shpreh Kurti. Ai shtoi se këta deputetë jo vetëm që nuk e mbështetën kandidaturën e saj, por edhe penguan kuorumin për votimin e fshehtë në Kuvend.

Sipas Kurtit, pesë prej deputetëve opozitarë kanë qenë pjesë e të gjitha vendimeve që ai i konsideron të dëmshme, ndërsa Albulena Haxhiu, sipas tij, nuk ka qenë e përfshirë në asnjë prej tyre. bw

Kurti reagon pas hapjes së pikës kufitare Glloboçicë–Jazhincë: Po lehtësohet lëvizja me Maqedoninë e Veriut

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas hapjes zyrtare të pikëkalimit kufitar të përbashkët Glloboçicë–Jazhincë me Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në prag të sezonit turistik veror.

Sipas tij, kjo është pika e dytë kufitare që bëhet funksionale brenda dy muajve, pas asaj në Hani të Elezit – Bllacë, dhe do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve.

“Lëvizja e qytetarëve dhe mallrave po bëhet çdo ditë e më shumë, më lehtë dhe lirshëm mes dy vendeve tona,” shkroi Kurti. sn

Kosova merr nën kontroll edhe një objekt tjetër në Leposaviq

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet lokale në Leposaviq, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë marrë kontrollin mbi sallën sportive në këtë qytet, e cila funksiononte sipas sistemit të Serbisë.

Nënkryetarja e komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se qëllimi i sallës sportive nuk do të ndryshojë dhe se të gjithë do të mund ta përdorin atë për të njëjtat qëllime si më parë.

Kjo është një nga një sërë aksionet e ndërmarra për marrjen nën kontroll të objekteve apo për mbylljen e institucioneve të Serbisë në qytetet e Kosovës, të cilat Prishtina i konsideron si të paligjshme dhe paralele.

Më herët gjatë majit, edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut morën kontrollin mbi sallën sportive të qytetit, pas së cilës u njoftua se salla do të mbetet funksionale dhe se ata që duan ta përdorin duhet t’u drejtohen personave përgjegjës për caktimin e terminëve.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe në fillim të vitit 2024. Fillimisht u mbyllën organet e përkohshme komunale, banka Kursimorja e Postës, Posta e Serbisë, Fondi për sigurim pensional dhe shëndetësor, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike dhe institucione të ngjashme.

Në valën e fundit të mbylljes së institucioneve që funksionojnë në sistemin e Serbisë, përveç sallave sportive, janë përfshirë edhe bibliotekat e qytetit, muzeu i qytetit në Mitrovicën e Veriut, Instituti për kulturë, rini, sport dhe shërbime të specializuara, si dhe Shoqëria Kulturo-Artistike “Kosovski Bozhur”.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, duke reaguar ndaj aksionit për marrjen në kontroll të objektit ku funksiononte salla sportive në Leposaviq, deklaroi se kjo u bë “me mbështetjen e disa serbëve që i shërbejnë interesave të [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”.

Ndryshe, në krye të katër komunave në veri të Kosovës janë kryetarë shqiptarë, pasi serbët – me iniciativë të Listës Serbe – kishin bojkotuar zgjedhjet lokale. Megjithatë, në pushtetin lokal marrin pjesë edhe disa pjesëtarë të komunitetit serb, kryesisht nga partia e Nenad Rashiqit, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe tha se marrja e kontrollit mbi sallën sportive në Leposaviq është një “shkelje e rëndë të jetës së përditshme të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, të cilët po mbeten pa hapësira për aktivitete sportive, shoqërim dhe zhvillim të shëndetshëm psikofizik”.

“Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se nuk pajtohemi me veprimet e njëanshme dhe të dhunshme të regjimit në Prishtinë, dhe nuk do të pajtohemi me ‘realitetin e ri’ që Kurti po përpiqet të krijojë në komunat serbe përmes forcës dhe armëve”, u tha në reagimin e kësaj partie.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Kjo zyrë theksoi se objekti i sallës sportive është ndërtuar ekskluzivisht me mjete të Qeverisë së Serbisë dhe se atë e kanë përdorur qindra fëmijë për sport shkollor dhe aktivitete jashtëshkollore, rekreative, klube sportive, si dhe Fakulteti i Edukimit Fizik.

“Në këtë objekt janë mbajtur edhe provime dhe pjesë të ligjëratave nga fusha e edukimit fizik, prandaj salla ka pasur një rëndësi shumëfunksionale për këtë komunë”, u tha në njoftim.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se po krijohen “kushte të pamundura” për jetën e komunitetit serb në Kosovë, duke pretenduar se kjo po bëhet me qëllim që ata të detyrohen të shpërngulen.

Në mesin e majit, Bashkimi Evropian deklaroi se veprimet e autoriteteve kosovare rrezikojnë të rrisin tensionet në terren dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale si dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Po ashtu, BE-ja u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilën palët u pajtuan më 2023 dhe që ta zbatojnë pa vonesa dhe parakushte të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Brukseli.

“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane për të dyja palët”, tha BE-ja.

Për këtë asociacion, palët kanë rënë dakord gjatë dialogut dhe ai ishte thënë se ka për qëllim, ndër të tjera, të rregullojë funksionimin e institucioneve serbe, të ardhurat dhe financimin nga buxheti i Serbisë.

Sot nis ‘Defender Europe 25’, Kosova mirëpret komandën amerikane

Kosova po bëhet për herë të parë mikpritëse e komandës së një divizioni të ushtrisë amerikane, në kuadër të “Defender Europe 25” – ushtrimi më i madh ndërkombëtar i këtij viti. Aktiviteti ushtarak nis sot në Babaj të Bokës, Gjakovë, me pjesëmarrjen e 25 mijë ushtarëve nga 29 vende partnere.

Në këtë ushtrim janë të angazhuar 25 mijë ushtarë nga 29 shtete pjesëmarrëse.

Këto ushtrime zhvillohen në 18 shtete, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bullgarinë, Kroacinë, Çekinë, Finlandën, Greqinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Norvegjinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Suedinë.

Për dy javë me radhë, Kosova do të jetë mikpritëse e këtij ushtrimi ushtarak, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nga e hëna e deri më 9 qershor do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

Kosova është një nga shtetet që merr pjesë në këtë ushtrim, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake. Pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025” konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit të saj në strukturat e sigurisë europiane dhe ndërkombëtare.

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar zhvillimin e ushtrimit, i cili do të përfshijë lëvizje të konvojeve ushtarake nga bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, me theks të veçantë në Aeroportin e Gjakovës dhe poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.

“Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar ‘Defender Europe 2025’. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Përmes këtij ushtrimi, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësi të tregojë gatishmërinë e saj operacionale dhe nivelin e bashkëpunimit me aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Kujtojmë se Kosova nuk ishte pjesë e këtij ushtrimi në vitin 2023, pasi ishte përjashtuar për shkak të tensioneve të shtuara në veri të vendit

Incidenti në veri- Drejtori i policisë: Shenjat në qafën e të riut ishin ngjyrë lapustili, jo gjak!

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media, ka shpalosur detaje rreth incidentit që ndodhi në veri të Mitrovicës të premten më 23 maj.

Hoxha ka thënë se disa media serbe kanë shpërndarë informacione të pavërteta, lidhur me këtë incident.

Drejtori i policisë sqaroi se aktiviteti për të cilin raportuan mediat serbe nuk ishte protestë, por një defilim i maturantëve, i paralajmëruar më parë në Policinë e Kosovës.

Ai tha se policia kishte qenë e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

“Policia e Kosovës sqaron me përgjegjësi të plotë se aktiviteti në fjalë nuk ka qenë protestë, por defilim i maturantëve që ishte paralajmëruar paraprakisht në Policinë e Kosovës,” tha Hoxha.

Sipas tij, gjatë këtij defilimi në zonën e kafiterive disa pjesëmarrës kanë filluar të provokojnë qytetarët me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me gjeste simbolike me tre gishta. Kjo ka nxitur reagimin e Policisë, me qëllim që të mos përshkallëzohej situata.

“Në këto rrethana, me qëllimin e vetëm që të mos përshkallëzohet situata, kanë ndërhyrë pjesëtarët e policisë që kanë qenë të caktuar për mbarëvajtjen e këtij defilimi,” u shpreh Hoxha.

Ai komentoi edhe rastin e një personi që u shfaq në media me shenja të kuqe në qafë, për të cilin u pretendua se policia përdori dhunë.

Hoxha tha se pretendimet janë të pavërteta dhe se “shenjat me ngjyrë në qafë ishin vendosur nga shokët e klasës me marker, si pjesë e traditës së festës së maturës”.

“Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat. Janë evidentuar imazhet e personit të shfaqur ku në qafë pretendohej se kinse kishte gjak, ka rezultuar se ishte ngjyrë e vendosur nga shokët e klasës. Shenjat me ngjyrë në qafë i njëjti i kishte pasur edhe para ndërhyrjes së zyrtarëve tanë policor. Po ashtu edhe në deklaratën e tij zyrtare që e ka dhënë në stacionin policor në veri, ka thënë se këto shenja janë vendosur me ngjyrë markeri si traditë që përdoret në festat e maturantëve të shkollave të mesme në veri të Mitrovicës,” deklaroi Hoxha.

Policia e Kosovës theksoi se përkundër sulmeve të vazhdueshme në komunat veriore, zyrtarët kanë vepruar me profesionalizëm për të ruajtur rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët.

“Në lidhje me veprimet e zyrtarit tonë policor në rastin konkret, do të trajtohen me seriozitet të gjitha deklaratat dhe pamjet e siguruara nga kamerat,” përfundoi Hoxha.

Hoxha ka shtuar se vlerësimi i djeshëm i Serbisë, që ka lështuar fletarrest për policin D.B është në vazhdën e përndjekjeve të policëve të Kosovës.

Ai ka shtuar se zyrtari policor në fjalë ka pranuar kërcënime me jetë në rrjete sociale.

“Ka marrë kërcënime në rrjetet sociale të cilat menaxhohen nga grupet e serbëve në veri duke bërë thirrje për vrasjen e tij apo siç kanë thënë ata duke e kthyer atë në një kufomë. Ai është transferuar në Mitrovicën e Jugut për të shmangur ndonjë incident të mundshëm”, ka shtuar ai.

Hoxha tha se kjo propagandë e vazhdueshme e fabrikuar dëshmon që Policia e Kosovës është bërë traget i sulmeve hibride që burimin e kanë në Beogradin zyrtar. /Telegrafi.

Policia e Kosovës nis hetim ndaj zyrtarit të vet, por e mohon se u ushtrua dhunë kundër maturantit serb

Zyrtarë policorë të Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

 

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës e ka mohuar përsëri se ka pasur dhunë në ndërhyjnë e saj ndaj një incidenti verbal që përfshiu maturantë serbë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe të premten, por tha se ka nisur një hetim kundër një zyrtari të vet të përfshirë në incident.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha në një konferencë për media të dielën se zyrtari policor do të hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe se ai është transferuar në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut nga Mitrovica e Veriut pas incidentit.

“Kemi iniciuar një procedurë për hetim në Inspektoratin Policor të Kosovës, i cili është agjencion i veçantë… ne do të punojmë që të mos kemi lëshime dhe gabime që i japin dikujt argument ta konsiderojnë Policinë e Kosovës si forcë që nuk e respekton ligjin dhe i tejkalon kompetencat”, tha Hoxha.

Incidenti në Mitrovicën e Veriut të premten shkaktoi reagime të shumta, kryesisht për shkak të mënyrës se si i ishte përgjigjur atij pjesëtari i Policisë së Kosovës, ndërsa Serbia lëshoi fletarrestim për të.

Në videot e publikuara në rrjetet sociale, oficeri shihet duke vrapuar drejt një parade të maturantëve serbë dhe duke e kapur në qafë njërin prej tyre.

Hoxha tha se Policia e Kosovës ndodhej atje për ta mbështetur parakalimin e paralajmëruar të maturantëve, duke shtuar se “disa pjesëmarrës filluan t’i provokojnë qytetarët që kanë qenë ulur në kateteri me thirrjet ‘Kosova është zemra e Serbisë’ dhe duke bërë simbolin me tre gishtërinj”.

Ai tha se reagimi erdhi për këtë, me “qëllimin e vetëm që situata të mos përshkallëzohej në mes të nxënësve dhe qytetarëve që kanë qenë në kateteri”.

Hoxha i hodhi poshtë pretendimet se ishte ushtruar dhunë ndaj maturantit dhe i quajti “propagandë” raportimet se ai ishte gjakosur nga zyrtari policor gjatë incidentit.

“Në media është shfaqur një person që pretendohet se është përdorur dhunë e tepruar nga zyrtari policor. Edhe vetë maturanti [serb] në prezencë e prindit të tij ka thënë se kanë qenë vizatime me marker dhe ka thënë që është traditë e maturantëve të ngjyrosen ashtu. Maturanti nuk ka shenja dhune në qafë”, ka thënë ai.

Hoxha tha se lëshimi i fletarrestimit nga Serbia për zyrtarin policor është në “vazhdën e përndjekjeve të policëve të Kosovës”.

“Kemi pasë raste që policë tanë janë arrestuar në Serbi. Ne i përgjigjemi vetëm gjykatave tona por jo autoriteteve serbe”, tha Hoxha.

Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.

Ai tregoi se zyrtari policor në fjalë ka marrë kërcënime me jetë në rrjete sociale pas incidentit.

Të premten, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë.

Sipas tij, maturantët përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”.

Reagimet ndaj incidentit

Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, tha se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar hetim ndërkombëtar për incidentin e së premtes në Mitrovicën e Veriut.

“Përfshirje e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve ndërkombëtarë në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb, pezullim i mbështetjes politike dhe logjistike për Policinë e Kosovës derisa të vendoset llogaridhënia dhe respekti për të drejtat themelore të serbëve”, tha Ministria serbe të shtunën.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e quajti incidentin “plotësisht të papranueshëm” dhe se pretendoi se institucionet që duhet të sigurojnë paqe “po përdoren për të përhapur frikë dhe presion me motiv etnik”.

“Ne kërkojmë hetim të menjëhershëm të këtij rasti, përcaktimin e përgjegjësisë dhe ndëshkimin e policëve që kanë keqpërdorur kompetencat e tyre”, thuhet në deklaratë.

Kryetari i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, dënoi incidentin, duke thënë se “përdorimi i mundshëm i forcës kundër të rinjve është një goditje serioze ndaj vlerave themelore demokratike”, dhe shtoi se kjo ndikon në përkeqësimin e marrëdhënieve në veri të Kosovës.

Rashiq është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, dhe partia e tij fitoi gjithashtu një ulëse në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në shkurt.

Reaguan edhe organizata të shoqërisë civile serbe në Kosovë, Kisha Ortodokse Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat si Nisma e Re Shoqërore, CASA, Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, Aktiv dhe Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike shprehën shqetësim për “reagimin selektiv të Policisë, që ishte drejtuar ekskluzivisht ndaj një nxënësi serb”, si dhe për “përdorimin e tepruar të forcës”.

Serbia lëshon fletarrestim për policin e Kosovës në lidhje me incidentin në veri

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës pranë një veture policore në veri të Kosovës. (Fotografi ilustruese nga arkivi)

 

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrestim të shtunën për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident me maturantë një ditë më parë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq tha në një njoftim se “polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.

Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.

Incidenti në Mitrovicën e Veriut më 23 maj shkaktoi reagime të shumta kryesisht për shkak të mënyrës se si i ishte përgjigjur atij një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.

Polici është kritikuar se veproi në mënyrë “selektive” dhe përdori “forcë të tepruar” kur e ndali një maturant serb të Kosovës gjatë një feste të maturantëve në Mitrovicën e Veriut për shkak se, siç thuhet, ai i kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë.

Policia e Kosovës për rajonin e veriut njoftoi më 23 maj se parada e maturantëve serbë në qendër të Mitrovicës së Veriut përfundoi “qetësisht dhe pa ndonjë problem”, por shtoi se Policia duhej të ndërhynte gjatë festimeve për shkak të disa provokimeve, dhe se situata u qetësua dhe se festa vazhdoi.

Në deklaratën e policisë nuk saktësohet se kush kë po e provokonte dhe në çfarë mënyre.

Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet një maturant gjatë paradës duke treguar gishtin e mesëm në drejtim të një kafeneje, ndërsa nga aty një klient, siç thuhet, po bënte me duar simbolin e shqiponjës dykrenore – e cila është simbol në flamurit kombëtar shqiptar.

Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, reagoi ndaj incidentit duke thënë se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë, të cilët, sipas tij, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”.

Sveçla publikoi në Facebook një video ku dëgjohen maturantët duke kënduar këngën “Vidovdan” dhe duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë” pranë urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar hetim ndërkombëtar për incidentin e 23 majit në Mitrovicën e Veriut.

“Përfshirje e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve ndërkombëtarë në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb, pezullim i mbështetjes politike dhe logjistike për Policinë e Kosovës derisa të vendoset llogaridhënia dhe respekti për të drejtat themelore të serbëve”, tha Ministria serbe të shtunën.

Kryetari i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, dënoi incidentin, duke thënë se “përdorimi i mundshëm i forcës kundër të rinjve është një goditje serioze ndaj vlerave themelore demokratike”, dhe shtoi se kjo ndikon në përkeqësimin e marrëdhënieve në veri të Kosovës.

Rashiq është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, dhe partia e tij fitoi gjithashtu një ulëse në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në shkurt.

Ai i kërkoi ministrit Sveçla t’i marrë të gjitha masat e mundshme, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten, dhe njoftoi se do të kërkojnë edhe një hetim nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e quajti incidentin “plotësisht të papranueshëm” dhe se pretendoi se institucionet që duhet të sigurojnë paqe “po përdoren për të përhapur frikë dhe presion me motiv etnik”.

“Ne kërkojmë hetim të menjëhershëm të këtij rasti, përcaktimin e përgjegjësisë dhe ndëshkimin e policëve që kanë keqpërdorur kompetencat e tyre”, thuhet në deklaratë.

Edhe Lëvizja Popullore Serbe dhe Demokracia Serbe kërkuan hetim dhe e quajtën ngjarjen “dhunë institucionale ndaj fëmijëve serbë nga Policia e Kosovës”.

Kajas shkon me helikopter në Mitrovicë, takon përfaqësuesit e EULEX: BE do heqë masat ndaj Kosovës

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, ka vizituar misionin e EULEX-it në Mitrovicë.

Ajo e ka bërë këtë me dije përmes një postimi në rrjetin social Instagram. “Ditën e kam nisur me një vizitë në qendrën e EULEX-it në Mitrovicë”, ka shkruar Kallas.

Në anën tjetër, një ditë më parë ajo ishte në Prishtinë, ku u takua me krerët e partive politike.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kallas theksoi se Bashkimi Evropian ka filluar procesin e heqjes së masave të vendosura ndaj Kosovës. sn

Kallas bën thirrje për zhbllokim të ngërçit politik në Kosovë, thotë se ka nisur heqja e masave

Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas në Prishtinë, 22 maj 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje të enjten partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend, si dhe ka thënë se blloku evropian ka nisur tashmë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, në vizitën e saj të parë në Kosovë, Kallas tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës.

“Formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin dhe rritjen e Kosovës, si dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kallas.

Kosova nuk po mund të krijojë institucionet e saj të reja as tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, për shkak se asnjë parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Prej atëherë, deputetët janë mbledhur 19 herë në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për konstituimin e tij, që është hap i nevojshëm drejt krijimit të qeverisë së re, por kanë dështuar vazhdimisht pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Kallas i bëri këto komente para takimeve me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Ajo do të pritet në një darkë pune sonte në mbrëmje nga kryeministri në detyrë Kurti.

E pyetur për masat ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj Kosovës verën e vitit 2023, Kallas tha se blloku “ka filluar t’i heqë masat, por është me rëndësi të kuptohet njëkohësisht se nuk duam të shohim përshkallëzim në veri”.

“Unë personalisht jam duke i bindur vendet anëtare se ne duhet t’i heqim masat për Kosovën, por disa thonë se Kosova duhet ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe përshkallëzimi në veri bie ndesh me këtë. Ne jemi gati t’i bëjmë hapat tonë, por kemi vërtet nevojë të shohim shtensionim në veri”, tha Kallas.

Ajo nuk shpjegoi se kur ka filluar heqja e masave dhe çfarë masash mund të jenë hequr deri tani, por shtoi se “ky vendim hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës, por edhe për lidhje më të ngushta me Evropën”.

Kallas tha se mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare “po minon” përpjekjet drejt shtensionimit të situatës.

Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur një sërë institucionesh paralele serbe në javët e fundit, për të cilat thonë se janë të jashtëligjshme.

Rreth dialogut

Kallas tha se Kosova dhe Serbia janë partnere të barabartë në tryezën e dialogut dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes tyre është e vetmja rrugë drejt një të “ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për popujt e këtij rajoni”.

“Stabiliteti varet nga dialogu, jo nga konfrontimi”, theksoi ajo.

E pyetur rreth Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur si Marrëveshja e Ohrit – për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023 – Kallas tha se ajo vlen dhe është detyrim për palët.

Gjatë vizitës së saj në Serbi të enjten, Kallas tha se synon t’i ftojë në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës “së më shpejt për të folur për hapat konkret përpara”.

Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.

Kallas po qëndron në Kosovë si pjesë e një turi në Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin vizita në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

Osmani e takon Limajn lidhur me përpjekjet për konstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takon në zyrën e vet, kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, 19 maj 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka takuar të hënën kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, si pjesë e konsultimeve të saj politike në përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin në Kuvendin e Kosovës, i cili ka mbetur i ka konstituuar edhe tre muaj pas zgjedhjeve.

Në një njoftim të shkurtër në Facebook, Presidenca tha se takimi vjen pas kërkesës së pranuar nga Nisma për takim.

Presidenca nuk dha hollësi për atë që u bisedua në këtë takim, ndërsa Limaj nuk ka folur rreth tij deri tani.

Nisma i fitoi tri ulëse në Kuvend në zgjedhjet e 9 shkurtit, në të cilat garoi në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Takimi mes Osmanit dhe Limajt vjen disa orë pasi deputetët dështuan për herën e tetëmbëdhjetë radhazi ta formojnë Kuvendin.

Të hënën, ligjbërësit refuzuan për të dhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u emëruar – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe AAK si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Për krijimin e institucioneve të reja nevojitet arritja e ndonjë marrëveshjeje politike, duke parë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i ftoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AKK-NISMA 8, Lista Serbe 9, Partia për Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe pakicat joserbe 10.

Takimi i Osmanit me Limajn është i pari prej se Osmani takoi krerët e LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, javën e kaluar në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga ky ngërç.

Pas atij takimi të përbashkët, Osmani tha se nuk kishte pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Ajo kishte paralajmëruar takime për këtë javë me secilin lider veç e veç, nëse ata do ta shihnin të nevojshme.

Lista Serbe kërkon kompromis, ndërsa Prishtina vazhdon mbylljen e institucioneve të Serbisë

Sandra Cvetkoviq

Derisa Lista Serbe u bën thirrje vendeve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca – të përfshihen në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për funksionimin e ndërmarrjes Ujësjellësi Ibër, autoritetet e Kosovës po vazhdojnë me mbylljen e institucioneve që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Më 16 maj, u mor nën kontroll objekti i Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Mitrovicën e Veriut. Ditët paraprake u mbyllën edhe hapësirat e palestrës sportive, muzeut të qytetit, Institutit për Kulturë, Rini, Sport dhe Shërbime të Specializuara, si dhe të Shoqatës Kulturore-Artistike Kosovski Bozhur.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi në një konferencë të jashtëzakonshme, më 14 maj se partia e tij “është gjithmonë për një zgjidhje kompromisi” që duhet kërkuar përmes bisedimeve dhe dialogut.

“Për fat të keq, nuk kemi me kë të bisedojmë, sepse dialogu me autoritetet në Prishtinë nuk ekziston – ata e refuzojnë”, tha kreu partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, që mbështetet nga Beogradi.

Ky është rasti i parë që Lista Serbe kërkon një kompromis për mbylljen e institucioneve serbe, të cilat autoritetet e Kosovës i konsiderojnë si paralele dhe ilegale, dhe të cilat kanë nisur të mbyllen në fillimin e vitit 2024.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) nëse aktualisht ekziston gatishmëri për dialog mbi funksionimin e mëtejshëm të institucioneve të financuara nga Beogradi.

Çfarë nënkuptohet me zgjidhje kompromisi?

Delegacioni i Listës Serbe më 15 maj, në një takim me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, shprehu shqetësim për valën e re të mbylljes së institucioneve serbe nga autoritetet e Kosovës.

Sipas njoftimit të kësaj partie, ata paraqitën “propozime konkrete për tejkalimin e situatës së krijuar”, që përfshijnë, ndër të tjera, kthimin e menjëhershëm të të gjithë punonjësve në vendet e tyre të punës në kompaninë serbe Ujësjellësi Ibër.

REL-i iu drejtua Listës Serbe për sqarime rreth natyrës së këtyre propozimeve kompromisi dhe nëse ato përfshijnë edhe institucionet e tjera të mbyllura, por nuk mori përgjigje.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, zhvilloi takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Beograd, ku theksoi se “tema prioritare në dialogun me Prishtinën duhet të jetë shtensionimi” dhe se “për këtë duhet të fillojë diskutimi”.

Ai u bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve të QUINT-it që të angazhohen “për të ndalur dhunën e Albin Kurtit ndaj serbëve dhe institucioneve serbe”.

“Thirrje e vonuar për kompromis”

Politologu nga Prishtina, Dritëro Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Listës Serbe për kompromis është e vonuar, dhe se kjo parti duhej ta kishte adresuar më herët, përpara se të niste bojkotin e institucioneve të Kosovës në vitin 2022.

Ai shtoi se Lista Serbe e ka humbur kredibilitetin pas bojkotit të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës në vitet 2023 dhe 2024, dhe se realiteti në terren ka ndryshuar.

“Kjo çështje [e mbylljes së institucioneve serbe] lidhet më shumë me dialogun Kosovë–Serbi dhe me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Por, në fund të fundit, pa marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke, nuk do të ketë dialog real në këtë kuptim”, tha Arifi.

Ndërkaq, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, vlerësoi se për autoritetet e Kosovës nuk është në interes që të ndërpriten shërbimet e ndërmarrjeve komunale, dhe beson se do të gjendet një zgjidhje për funksionimin e tyre.

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të jetë e mundur për institucione të tjera serbe që ekzistojnë paralelisht me ato të Kosovës, si komunat, qendrat për punë sociale, e të tjera.

“Varet nëse ato institucione janë të nevojshme për Kosovën. Për ato që janë të nevojshme, është e pashmangshme të gjendet një zgjidhje”, tha Gogiq.

Ndërkohë, ndërmarrja publike komunale në Shtërpcë – komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës – ka rifilluar punën brenda sistemit të Kosovës pasi ishte mbyllur në fillim të majit.

Protesta dhe reagime ndërkombëtare

Anëtarë të klubeve sportive që përdornin hapësirat e palestrës së mbyllur protestuan të premten në Mitrovicën e Veriut, duke kërkuar që ajo t’u kthehet, në mënyrë që t’i vazhdojnë aktivitetet. Në protestë morën pjesë edhe disa anëtarë të Listës Serbe.

Të rinjtë, shumica prej të cilëve ishin të shoqëruar nga prindërit, thanë se “po u mohohet e drejta për të ushtruar sport dhe aktivitete”.

Nga Komuna e Mitrovicës së Veriut thanë se palestra është funksionale dhe se të interesuarit për ta përdorur duhet t’i drejtohen personave përgjegjës për caktimin e orareve.

Megjithatë, Bashkimi Evropian reagoi më 16 maj, duke vlerësuar se veprimet e autoriteteve të Kosovës rrezikojnë ngritjen e tensioneve në terren dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

BE-ja, po ashtu, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të pranuar nga të dyja palët në vitin 2023, dhe që të fillojnë menjëherë zbatimin pa vonesa apo kushte të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

“Kjo përfshin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja palëve”, thuhet në reagim.

Ky Asociacion ishte parashikuar të rregullojë, ndër të tjera, funksionimin e institucioneve serbe, pagesat dhe financimet nga buxheti i Serbisë.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, më 15 maj përsëriti se çështja e mbylljes së institucioneve serbe duhet të trajtohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – çka, sipas autoriteteve në Prishtinë, është e papranueshme, pasi ata theksojnë se po vendosin rend, ligj dhe sundim të ligjit.

Beogradi, në anën tjetër, refuzon të mbyllë institucionet e tij në Kosovë. Disa prej tyre i ka zhvendosur në qytetet kufitare brenda territorit të Serbisë, ndërsa ka vazhduar të paguajë pagat mujore për të punësuarit.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë gjithashtu reagoi, duke paralajmëruar se mbyllja e institucioneve serbe pa një tranzicion institucional, pa alternativa të qëndrueshme dhe pa përfshirjen e komunitetit lokal “rrezikon seriozisht qasjen e komuniteteve jo-shumicë në shërbimet bazë”.

Radio Evropa e Lirë

Kosovari i akuzuar për krime kibernetike ekstradohet në SHBA

Radio Evropa e Lirë

Një shtetas i Kosovës është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për krime kibernetike në dëm të qytetarëve amerikanë, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Ndaj Liridon Masuricës, 33-vjeçar nga Gjilani, i njohur si “@blackdb”, rëndojnë akuzat për konspiracion për mashtrime dhe për përdorim dashakeq të 15 apo më shumë instrumenteve të paautorizuara elektronike.

Nëse shpallet fajtor, Masurica mund të dënohet me burgim në kohëzgjatje maksimale prej 55 vjetësh.

Masurica ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës më 12 dhjetor 2024, ndërsa është ekstraduar në SHBA më 9 maj, në përputhje me marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ekstradimi i Masuricës “është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis”.

Sipas saj, “ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Ky është vetëm një rezultat nga hapat që po ndërmarrim për të dëshmuar se Kosova është një vend ku krimi nuk gjenë strehim”, është shprehur ajo.

Ekstradimin e ka përshëndetur edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila ka vlerësuar “bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

*Video nga arkivi: Si të mbrohemi nga krimet kibernetike?

Për ekstradimin e Masuricës në SHBA ka njoftuar fillimisht prokurori amerikan, Gregory W. Kehoe.

I pandehuri thuhet se ka bërë paraqitjen fillestare në një gjykatë federale në Tampa të Floridas më 12 maj, para gjyqtares Lindsay Saxe Griffin, e cila ka urdhëruar që ai të mbahet në paraburgim.

Sipas aktakuzës, Masurica ka qenë kryeadministrator i BlackDB.cc – një treg i zi online që ka funksionuar nga viti 2018 deri më tani.

BlackDB.cc, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ka ofruar ilegalisht në shitje kredenciale të vjedhura të llogarive dhe serverëve, informata për kartela të kreditit dhe informata të tjera identifikuese të individëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Pasi i kanë blerë, kriminelët kibernetikë kanë përdorur gjërat e blerave në BlackDB.cc për të kryer një varg aktivitetesh ilegale, përfshirë mashtrime me taksa, mashtrime me kartela krediti dhe vjedhje identiteti.

Hetimi ndaj Masuricës është kryer nga Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane, të cilat kanë thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme për arrestimin e të dyshuarit.

Disa javë më parë, dy kosovarë ishin ekstraduar në SHBA, ku akuzohen për mashtrim dhe vjedhje identiteti të amerikanëve.

Bëhet fjalë për dy të rinj – Ardit Kutleshin, 26 vjeç, dhe Jetmir Kutleshin, 28 vjeç – të cilët ishin arrestuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar, në bazë të kërkesës së SHBA-së për ekstradim.

Avokati i Popullit ia shpreh Trendafilovës shqetësimet rreth punës së Gjykatës Speciale

Radio Evropa e Lirë

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka shprehur dyshimet e tij nëse në Gjykatën Speciale të Kosovës po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të të akuzuarve, duke ngritur shqetësimet e tij rreth punës së këtij institucioni.

Qelaj ka thënë se në një takim që ka zhvilluar më 13 maj me kryetaren e Speciales, që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka folur për një sërë çështjesh në lidhje me punën e institucionit që ka selinë në Hagë, “duke u bazuar edhe në shqetësimet e ngritura nga palët”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në këtë institucion, në Holandë, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Me Trendafilovën, Qelaj “foli në lidhje me barazinë e armëve në raport me provat dhe mënyrën se si janë siguruar këto prova, e në veçanti duke iu referuar provave që sigurohen nga Republika e Serbisë, duke pasur parasysh që Serbia është një shtet që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës janë të akuzuarit”, bëri të ditur një komunikatë e lëshuar nga Avokati i Popullit.

Qelaj thuhet të ketë thënë se “duke pasur parasysh mënyrën, rrugën dhe procedurat se si janë siguruar këto prova të njëjtat sa janë kredibile dhe sa mund të jenë të komprometuara në momentin kur paraqiten në gjykatë, dhe sa iu mundësohet mbrojtjes që këto prova t’i kundërshtojnë duke marrë informacione nga palët që i ka siguruar”.

Avokati i Popullit ka thënë se, “nga shqetësimet që i ka pranuar… del brengosëse mënyra se si funksionon gjykata duke u konsoliduar të gjitha nivelet e gjykatës në një strukturë të vetme, që lenë për të dyshuar në pavarësinë e gjykatave të niveleve që veprojnë brenda kësaj gjykate, dhe kjo nuk është në frymën e standardeve ndërkombëtare që garantojnë gjykimin e drejtë në raport me shkallëshmërinë e procedurës dhe që ndërlidhen pastaj me të drejtën për një mjet efektiv juridik”.

Në takimin Qelaj-Trendafilova, në Prishtinë, sipas Avokatit të Popullit “është ngritur si shqetësim edhe përgjimi i bisedave edhe vizitave në paraburgim sepse konsiderojmë se përkundër faktit se këto mund të jenë të lejuara me ligj por cenojnë parimin e privatësisë, jetës familjare edhe cenojnë mbrojtjen efektive nëse këto përgjime ndodhin edhe në raport me ekip mbrojtëse të të akuzuarve”.

Avokati i Popullit ka thënë se “konsideron se problem në vete është kohëzgjatja e paraburgimit. Kjo kohëzgjatje dhe mos ndryshimi i masave me masa tjera alternative sikur Gjykata nuk u beson institucionet e Kosovës se ata mund të garantojnë respektimin e atyre masave dhe të garantojnë një proces të rregullt dhe të papenguar”.

Sipas komunikatës nga Avokati i Popullit, Qelaj “theksoi edhe çështjen e kompensimit të viktimave që nuk janë në standard të njëjtë për të dëmtuarit që te rastet që gjykohen në Republikën e Kosovës sepse të gjithë duhen trajtuar njësoj”.

Trendafilova qëndroi në Prishtinë, më 13 maj, ku kishte paraparë të mbante një konferencë për media.

Por, një grup veteranësh, së bashku me udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën para hotelit ku ishte paralajmëruar të mbahej konferenca, e cila u anulua pas protestës.

Veteranët thanë se kryetarja e Gjykatës Speciale nuk ishte e mirëseardhur në Kosovë, dhe se vizita e saj përbënte fyerje për qytetarët e Kosovës.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Deri më tani, kjo Gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të administrimit të drejtësisë.

Presidenti i Këshillit Evropian viziton Kosovën

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do ta vizitojë Kosovën të mërkurën.

Gjatë pasdites, ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Costa e viziton Kosovën në një kohë kur ligjvënësit kosovarë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, edhe pas 15 përpjekjeve. Qeveria e Albin Kurtit është ende në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re pas konstituimit të Kuvendit.

Po ashtu, kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit. Këto masa mbeten ende në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.

Costa një ditë më parë qëndroi në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Costa theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiq ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.

“Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër”, tha Costa.

Në Sarajevë, ai shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.

Pas Kosovës, ai do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipërinë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Liderët e BE-së zgjodhën portugezin Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, detyrë të cilën e mori më 1 dhjetor 2024.

Kurti: Kuvendi duhet të konstituohet nga të gjitha partitë, Haxhiu mbetet kandidatja jonë

Radio Evropa e Lirë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të shtunën se nuk do ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, me gjithë mungesën e votave, duke thënë se emërimi i kryeparlamentarit dhe formimi i Kuvendit të ri është detyrë e të gjitha partive parlamentare.

“Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pavarësisht se a është ai fitues absolut apo relativ, Kuvendi themelohet nga të gjithë dhe bashkë; nga vendi i parë së bashku me vendin e dytë, tretë dhe pakicat serbe dhe joserbe”, tha Kurti të shtunën duke folur në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar trembëdhjetë herë radhazi deri tani ta konstituojnë Kuvendin e ri.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme për të qeverisur e vetme.

Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.

Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Por, Kurti – një ditë para seancës së radhës të dielën – e përsëriti se Vetëvendosje nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut.

“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu, ndërsa të tjerët lë ta propozojnë kandidatin e tyre kur t’u takon atyre. Neve si fitues të zgjedhjeve na takon pozita e kryetarit”, tha Kurti.

Haxhiu dështoi në gjashtë seanca t’i merrte më shumë se 57 vota dhe pas kësaj, në seancat pasuese, kryesuesi i seancës – që vjen nga Vetëvendosje – propozoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Kurti i kritikoi partitë parlamentare – PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe – që nuk po marrin pjesë në votim, duke e bërë të pamundur formimin e komisionit.

“Ne nuk kemi bllokuar, sepse ne e kemi propozuar kandidatin tonë. Sikur mos ta bënin, do të ishim bllokues. Ne nuk kemi bllokuar, sepse kemi votuar për, bllokues janë ata që votojnë kundër ose nuk votojnë fare për ta pamundësuar kuorumin”, shtoi Kurti.

“Nuk ka krizë institucionale apo politike në Kosovë”

Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, tha për Radion Evropa e Lirë se kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar në Kosovë duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike.

Ai theksoi se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet, dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Është paradoksale që partitë aktuale kanë kërkuar pavarësimin e Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, por tani po e kanë të vështirë ta bëjnë atë funksionale dhe të vetëqëndrueshme”, tha Visoka.

Por, Kurti – kryeministër në detyrë – i hodhi poshtë këto vlerësime, duke thënë se Kosova ka institucione funksionale.

“Në Kosovë nuk kemi krizë institucionale e as politike, Në Kosovë kemi njëfarë vakumi kushtetues. Nuk kemi krizë sepse mekanizmat dhe institucionet e shtetit funksionojnë”, tha Kurti.

“Kosova ka Qeveri, ka kryeministër dhe ka ministra në detyrë, por Kosova nuk ka Kuvend. Nuk mund të ketë Qeveri të re pa Kuvend të ri”, shtoi ai.

Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.

LDK-ja, e cila doli e treta duke i fituar 20 ulëse, e ka hedhur poshtë ofertën e Vetëvendosjes për koalicion qeverisës.

Në vend të kësaj, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një qeverie kalimtare mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit të vendit, pra në prillin e vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.

Derisa Vetëvendosje e ka kundërshtuar menjëherë idenë e një qeveri të tillë, partitë e tjera parlamentare kanë shprehur vullnet për të biseduar.

Kurti e përsëri të shtunën qëndrimin e partisë së tij, duke thënë se “ne duam qeveri funsionale jo tranzitore”.

Rënia në indeksin e lirisë së medias

Kurti i hodhi poshtë gjetjet në raportin vjetor për lirinë e shtypit në Kosovë të organizatës Reporterët pa Kufij, duke thënë se në Kosovë nuk ka mungesë të lirisë së shtypit, dhe u bëri thirrje mediave të “reformohen dhe përmirësohen”.

Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

“Është për keqardhje rënia e thellë në indeksin e medias. Në Kosovë ka liri të shprehjes dhe liri të mediave, jam dëshmitar i kësaj nga përvoja dhe jeta këtu”, tha Kurti.

Ai tha se Qeveria e tij gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar e “ka ndalur financimin e mediave për të mos ndikuar në to, dhe nuk kemi asnjë pronar mediash në qeveri për të mos kontrolluar ato”.

“Në Kosovë mediat janë të lira, gjendja ku kanë rënë ato është jo si pasojë e ndikimit të Qeverisë, por e kontrollit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizimit. Përgjegjësia është e mediave, u takon atyre të reformohen, që do të thotë të duan të reformohen dhe të përmirësohen, që do të thotë të duan të përmirësohen”, tha ai.

Kapen armë dhe uniforma në Mitrovicën e Veriut, Svelça: Terrorizëm i sponsorizuar nga Serbia

Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në një aksion të Policisë së Kosovës në veri të vendit janë zbuluar tre raketa hedhës krahu, dy helmeta balistike ushtarake, dy çanta ushtarake, një antiplumb dhe një gazmaskë.

Këtë ai e ka quajtur “terrorizëm i sponsorizuar nga Serbia”.

“Në një aksion të radhës të Policisë së Kosovës janë zbuluar tre raketa hedhës krahu (zolla), dy helmeta balistike ushtarake, dy çanta ushtarake, një antiplumb dhe një gazmaskë.

Terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia si në rastet si ky sot, nuk kanë dhe nuk do të kenë më vend në Kosovë.

Nuk do të ndalemi, në çdo cep të Republikës sonë” – shkruan Svelça.

Për këtë rast më herët raportoi mediumi në gjuhën serbe “KoSSev”, i cili raportoi se ngjarja ka ndodhur në një ndërtesë të njohur si Vampirusha në dalje të Mitrovicës së Veriut.

Kontrolli u krye në hyrjen e dytë të kësaj ndërtese..

Siç ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, i cili ndodhet në terren, në një banesë janë gjetur tri pushkë, helmeta, një maskë gazi, një jelek antiplumb dhe një çantë ushtarake.

Ai saktësoi se nuk ka të arrestua dhe se nuk dihet se për banesën e kujt bëhet fjalë.

Barduani: KFOR-i s’është i shqetësuar nga vakumi institucional në Kosovë

Flaka Zogu

Komandanti i misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se, pavarësisht bllokadës politike që po vazhdon në Kosovë, KFOR-i nuk është i shqetësuar për ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj sigurisë dhe mbetet plotësisht i përgatitur për t’u përballur me çdo përpjekje për destabilizim.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Barduani theksoi se periudhat zgjedhore mund të krijojnë hapësirë për aktorë të jashtëm me qëllime të këqija, por se KFOR-i e sheh situatën aktuale në Kosovë si pjesë të proceseve normale demokratike.

“KFOR-i nuk është i shqetësuar”, tha ai. “Jemi të pajisur mirë dhe të pozicionuar për t’u përballur me çdo kërcënim të mundshëm ndaj sigurisë.”

 

Më shumë se një muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova nuk ka arritur ende t’i formojë institucionet e reja.

Njëmbëdhjetë përpjekje për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës dështuan, ndërsa në këtë situatë nuk mund të vazhdohet ende me formimin e Qeverisë.

Duke folur për peizazhin më të gjerë të sigurisë, Barduani kujtoi dy incidente të mëdha në veri të Kosovës — sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, dhe sulmin në kanalin ujor Ibër-Lepenc, në nëntor të 2024-tës.

Ai theksoi reagimin e shpejtë të NATO-s ndaj dhunës së vitit 2023, kur u vendosën edhe 1.000 trupa shtesë për ta forcuar praninë e KFOR-it, veçanërisht në veri.

“Situata mbetet e qetë, por e ndjeshme ndaj përshkallëzimit të papritur”, paralajmëroi Barduani, duke përmendur si shkak çështjet e pazgjidhura për shkak të mungesës së përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, institucionet e Kosovës akuzuan Serbinë si fajtore për incidentin, por kjo e fundit mohoi se ka gisht në këtë rast.

I pyetur për rrezikun e sulmeve të ardhshme, Barduani shmangu spekulimet, por theksoi gatishmërinë e vazhdueshme të KFOR-it. “Ne ruajmë një prani të shpejtë, fleksibile dhe të dukshme në të gjithë Kosovën, dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse është e nevojshme”, tha ai.

Komandanti i KFOR-it vuri theks të veçantë në bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

“Ne zhvillojmë patrullime të përbashkëta, ushtrime stërvitore, dhe mbajmë kontakte të vazhdueshme”, theksoi ai, duke shtuar se komunikimi i shpejtë nga Policia e Kosovës gjatë operacioneve në veri është thelbësor për të shmangur keqkuptimet dhe përshkallëzimet e panevojshme.

Marrëdhëniet me Forcat e Armatosura të Serbisë u përshkruan si të qëndrueshme dhe transparente. Barduani konfirmoi takime të rregullta dhe komunikimin e vazhdueshëm me udhëheqjen ushtarake serbe për të siguruar vëzhgimin e aktiviteteve pranë vijës kufitare administrative.

“Kemi çdo arsye për të pritur bashkëpunim të vazhdueshëm”, tha ai, duke përmendur patrullimet e sinkronizuara dhe monitorimin e përbashkët si mjete kyç për parandalimin e kontrabandës dhe forcimin e stabilitetit.

Pavarësisht pranisë së fuqishme ushtarake, Barduani përsëriti se paqja në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor nuk mund të arrihet vetëm me mjete ushtarake.

“KFOR-i dhe NATO-ja mund të bëjnë vetëm atë që është e mundur ushtarakisht. Zgjidhja afatgjatë është politike”, theksoi ai, duke shprehur mbështetjen e plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai mirëpriti emërimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, me të cilin tashmë ka zhvilluar takime, duke konfirmuar mbështetjen e KFOR-it për përpjekjet diplomatike.

“Për ta çuar përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen te përfitimet afatgjata”, tha Barduani.

Duke folur për të ardhmen, Barduani vlerësoi bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe shprehu mbështetje për aspiratat euroatlantike të vendit.

“I gjithë Ballkani Perëndimor duhet të ketë qasje në zonën euroatlantike si pjesë e Evropës”, deklaroi ai.

“Çelësi për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në rajon është vullneti i të gjithë aktorëve për të përqafuar diplomacinë, për të refuzuar dhunën dhe për të punuar për kompromise”, përfundoi Barduani.

Ndërron jetë Kaqusha Jashari, ish-aktiviste politike dhe themeluese e PSDK-së

Radio Evropa e Lirë

Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare Kaqusha Jashari, një nga figurat e njohura të skenës politike të Kosovës, themeluese dhe ish-kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSDK), si dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës.

E lindur në Prishtinë, Jashari vijoi shkollimin fillor dhe të mesëm në Kamenicë, Gjilan dhe Prishtinë, ndërsa Fakultetin e Ndërtimtarisë e nisi në Beograd dhe e përfundoi në Prishtinë.

Deri në vitin 1975 punoi në operativën ndërtimore në Ferizaj, për t’u angazhuar më pas në funksione të rëndësishme politike në organet krahinore të Kosovës gjatë periudhës së autonomisë.

Në vitet 1986–1988 ajo ishte kryetare e Bashkimit të Sindikatave të Kosovës dhe kryetare e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Pas acarimit të raporteve politike mes Prishtinës dhe Beogradit, u largua nga pozita dhe deri më 1990 mbajti detyrën e drejtoreshës së autoritetit rrugor të Kosovës.

Në periudhën e viteve ’90, Jashari vazhdoi aktivitetin politik në radhët e PSDK-së, duke e udhëhequr këtë parti nga viti 1998 deri më 2008.

Ajo ishte pjesë e legjislaturës së dytë të Kuvendit të Kosovës (2006–2010) si deputete. Përveç politikës, Kaqusha Jashari njihej edhe për pasionin e saj për artin, veçanërisht pikturën, ku ka hapur disa ekspozita personale.

Të dhënat për këtë biografi janë marrë nga Fjalori Enciklopedik i Kosovës.

Brunei heq vizat për shtetasit e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me sulltanin dhe kryeministrin e Bruneit, Sultan Haji Hassanal Bolkiah, në Brunei, 5 maj.

 

Radio Evropa e Lirë

Brunei i ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës, duke u bërë vendi i dytë nga Azia Juglindore brenda javësh që mundëson udhëtim pa viza për kosovarët pas Malajzisë, njoftoi të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani njoftoi se – gjatë vizitës së saj shtetërore në Brunei, e ka nënshkruar një marrëveshje bashkë me sulltanin dhe kryeministrin e Bruneit, Sultan Haji Hassanal Bolkiah, për heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve.

“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe një lehtësim konkret për qytetarët tanë, duke përmirësuar ndërlidhjen, shkëmbimet kulturore dhe ekonomike”, tha Osmani.

Brunei – një sulltanat i pavarur islamik – ndodhet në bregun verior të ishullit Borneo në Azinë Juglindore. Në veri kufizohet me Detin e Kinës Jugore, ndërsa në të gjitha anët e tjera kufizohet me shtetin lindor Saravaku të Malajzisë.

Osmani e cilësoi këtë marrëveshje si “një tjetër dëshmi e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe sulltanatit të Bruneit”.

Kosova dhe Brunei kanë lidhje zyrtare diplomatike, megjithëse të kufizuara. Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë në Brunei dhe Brunei nuk ka përfaqësi diplomatike në Prishtinë.

Brunei e njohu pavarësinë e Kosovës më 2012, katër vjet pasi Prishtina e shpalli atë nga Serbia më 2008.

Në fund të muajit të kaluar, Malajzia – një vend tjetër në Azinë juglindore – i hoqi vizat për shtetasit e Kosovës për udhëtime të shkurtra 30-ditore.

Deri tani, Brunei ka qenë në mesin e 37 vendeve të botës ku kosovarët detyrohen të pajisen me vizë pasi të kenë mbërritur në vendin e vizitës.

Tani, Brunei bëhet vendi i 54-të ku kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm pa regjim vizash.

Nga sot Izraeli heq vizat për kosovarët, kërkohet vetëm leja elektronike

Nga sot, 5 maj 2025, qytetarët e Kosovës nuk kanë më nevojë për vizë për të hyrë në Izrael për qëllime turistike, për sa kohë që kanë një pasaportë të vlefshme të Kosovës dhe aplikojnë paraprakisht për ETA-IL.

Kjo është rezultat i marrëveshjes për heqjen e vizave të nënshkruar midis dy vendeve më 18 qershor 2024, e cila u ratifikua më 5 shkurt 2025 dhe hyri në fuqi më 5 maj 2025 .

Megjithatë, duke filluar nga 1 janari 2025, të gjithë udhëtarët nga vendet e përjashtuara nga viza, përfshirë Kosovën, duhet të marrin një Autorizim Elektronik Udhëtimi (ETA-IL) përpara se të hyjnë në Izrael. Ky autorizim është i vlefshëm për qëndrime deri në 90 ditë dhe ka një kosto prej 25 shekelësh izraelite (mbi 7 euro) .

Për të aplikuar për ETA-IL, ju mund të vizitoni faqen zyrtare të qeverisë izraelite:  Procesi është i thjeshtë dhe zakonisht merr më pak se 72 orë për të marrë miratimin. sn

Kosovë- Ambasadori suedez: Formimi i qeverisë, sfidë edhe për Evropën

 

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, duke e komentuar procesin aktual politik në Kosovë, tha se formimi i qeverisë është një sfidë e përbashkët në shumë vende evropiane.

Westerlund në intervistë për Ekonomia Online tha kjo nuk është diçka e pazakontë.

Ai shprehu besimin se partitë politike në Kosovë do të tregojnë fleksibilitet dhe se, ashtu si gjithmonë, një qeveri do të formohet në fund.

‘Sa i përket formimit të qeverisë, kjo është një sfidë që e kemi të gjithë. Ka shumë vende në Evropë, në Evropën Perëndimore, që u duhet disa muaj për të formuar një qeveri. Kjo është pjesë e lojës. Nuk kam komente shtesë për këtë. Uroj që të gjitha partitë politike të jenë fleksibile dhe në fund do të formohet një qeveri, si gjithmonë’, tha ai.

Ambasadori Westerlund, tek u ndal për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian, tha se anëtarësimi në BE do t’i hapte Kosovës rrugën drejt zhvillimit ekonomik. Ai në këtë kontekst, tha se ky proces kërkon edhe kompromise.

‘Ndryshe nga Suedia, ju keni një vendndodhje shumë të mirë gjeopolitike në Evropë. Mendoj se Ballkani Perëndimor ka një të ardhme të ndritur. Mendoj që sa më shpejt të jetë e mundur duhet të bëheni anëtarë të BE-së. Pasi të bëheni anëtarë të BE-së, do të keni një të ardhme të madhe, një të ardhme në drejtim të zhvillimit ekonomik. Thjesht duhet të bëni disa kompromise për t’u bërë anëtarë të BE-së dhe pastaj mendoj që ju pret një e ardhme shumë premtuese’, tha Westerlund. sn

Malajzi- Hapet Ambasada e Kosovës në Kuala Lumpur, presidentja Vjosa Osmani: Moment historik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës së re të Kosovës në Kuala Lumpur në Malajzi.

Osmani u prit me nderime nga kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim.në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya të Malajzisë.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani ka përuruar hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi.

“Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë. Një prani edhe më e fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi.

Një shtëpi më shumë e Kosovës, ku do të avancohen interesat e qytetarëve tanë, do të fuqizohen aleancat tona dhe do të mbrohet me vendosmëri shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet”, ka theksuar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe kryeministri Ibrahim kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media në Kuala Lumpur.

Kryeministri Ibrahim tha se do të ketë konsultim dypalësh në nivel zyrtar sa më shpejt të jetë e mundur, për të siguruar që të ndikojnë sa më shpejt në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike ndërmjet Malajzisë dhe Kosovës.

Ndërsa Osmani ka falënderuar kryeministrin Anwar Ibrahim, për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë për Kosovën. Ajo tha se në takim riafirmuan angazhimin për lidhje më të forta diplomatike, dhe partneritete më të ngushta  ekonomike në fushat me interes të përbashkët.

Ajo ka mirëpritur edhe vendimin e Malajzisë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, si një akt besimi dhe miqësie midis dy vendeve tona.

Gjithashtu, Osmani ka falënderuar kryeministrin Ibrahim për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare duke thënë se Kosova është e gatshme të kontribuojë edhe në platformat e mëtejshme rajonale si ASEAN. bw

Kryeministri Kurti: “Hasi Jehon” është më shumë se një festival, është një urë që na lidh me njëri-tjetrin dhe me botën, përmes zërit të pastër të folklorit shqiptar

 

 

Gjonaj, Has, 2 maj 2025

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të 50-vjetorit të themelimit të Shoqatës kulturo-artistike “Malësori” dhe në edicionin e 36-të të Festivalit Folklorik “Hasi Jehon”.

 

“Pesë dekada përkushtim e punë të palodhshme për ruajtjen e vlerave të folklorit burimor, përmes veshjeve, instrumenteve e këngës popullore, e kanë shndërruar këtë manifestim në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në trojet ku jetojnë shqiptarët. Është një vendtakim i përvitshëm për mijëra artdashës dhe një skenë ku vlerat kulturore marrin hov”, u shpreh në hyrje të fjalës së tij kryeministri Kurti.

 

Në vijim, kryeministri tha se ky manifestim, që mbahet në fillim të muajit maj, përkon me datat simbolike të pajtimit të madh të gjaqeve më 2 maj 1990, ngjarje kjo e cila ndodhi pikërisht këtu, në vendin ku po zhvillohet manifestimi edhe sivjet.

 

“Përballë sfidave dhe periudhave të vështira të së kaluarës, “Hasi Jehon” ka qëndruar si një dëshmi e gjallë e rezistencës dhe angazhimit për ruajtjen e identitetit tonë kulturor”, u shpreh kryeministri.

 

Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbështetjes institucionale dhe financiare për të gjitha fushat e kulturës, veçanërisht në fushën e folklorit, ku kemi mbështetur në vazhdimësi ansamblet, manifestimet, studimet dhe botimet në tërë territorin e vendit, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë.

“Hasi Jehon” është më shumë se një festival: është një urë që na lidh me njëri-tjetrin dhe me botën, përmes zërit të pastër të folklorit shqiptar”, tha kryeministri.

Shoqata kulturo-artistike “Malësori”, me projektin Festivali Folklorik “Hasi Jehon”, është mbështetur nga Qeveria përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gjatë vitit 2021 është përkrahur me shumën 7 mijë euro, në vitin 2022 kjo përkrahje është më shumë se trefishuar në vlerën prej 25 mijë euro. Ndërkohë, festivali ka marrë mbështetje edhe në vitin pasues me vlerë prej rreth 27 mijë euro, ndërsa kjo përkrahje gjatë vitit 2024 ka arritur në vlerën prej 30 mijë euro.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

I nderuar Drejtor i Festivalit “Hasi Jehon”, z. Haziz Hodaj,
I nderuar Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla 
Çeku,

Të nderuara shoqëri kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve e të partive tona, në nivel qendror e lokal,
Të nderuar artdashës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër, 

 

Në malet e bukura të Hasit, këtu ku trashëgimia e pasur natyrore ndërthuret me trashëgiminë po ashtu të pasur kulturore, po takohemi për të festuar një moment të rëndësishëm historik – 50-vjetorin e themelimit të Shoqatës Kulturo-Artistike “Malësori” dhe edicionin e 36-të të Festivalit Folklorik “Hasi Jehon”.

 

Pesë dekada përkushtim e punë të palodhshme për ruajtjen e vlerave të folklorit burimor, përmes veshjeve, instrumenteve e këngës popullore, e kanë shndërruar këtë manifestim në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në trojet ku jetojnë shqiptarët. Është një vendtakim i përvitshëm për mijëra artdashës dhe një skenë ku vlerat kulturore marrin hov.

 

Ky manifestim, që mbahet në fillim të muajit maj, përkon me datat simbolike të pajtimit të madh të gjaqeve më 2 maj 1990, ngjarje kjo e cila ndodhi pikërisht këtu, në vendin ku po e zhvillojmë manifestimin edhe sivjet. Përballë sfidave dhe periudhave të vështira të së kaluarës, “Hasi Jehon” ka qëndruar si një dëshmi e gjallë e rezistencës dhe angazhimit për ruajtjen e identitetit tonë kulturor.

 

Ky festival përfaqëson një institucion të rëndësishëm për mbrojtjen, prezantimin, bartjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë shpirtërore. Për më shumë se tri dekada, ka bashkuar shoqëri kulturo-artistike nga të gjitha trojet e banuara me shqiptarë, duke ofruar një hapësirë për të festuar pasurinë tonë folklorike dhe etnomuzikore.

Meqë e njohim rëndësinë jetike të ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore, si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i kemi kushtuar vëmendje të veçantë mbështetjes institucionale dhe financiare për të gjitha fushat e kulturës. Veçanërisht në fushën e folklorit, kemi mbështetur në vazhdimësi ansamblet, manifestimet, studimet dhe botimet në tërë territorin e vendit. Sepse duam zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë.

Festivali Folklorik “Hasi Jehon”, i cili që nga viti 2022 gëzon mbrojtje ligjore si vlerë e trashëgimisë kulturore shpirtërore në mbrojtje institucionale, është një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet kur përkushtimi i artdashësve bashkohet me përkrahjen profesionale të institucioneve.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për të gjitha nismat që synojnë ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore. Nëpërmjet mbështetjes së rregullt, synojmë që kjo trashëgimi të dokumentohet, të kultivohet dhe t’i jepet vendi i merituar në jetën kulturore e shoqërore.

 

Dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ngjarjeje, që jo vetëm e ruan dhe pasuron trashëgiminë tonë, por edhe e shfaq atë në mënyrë të denjë para publikut vendor dhe ndërkombëtar.

Ju uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve në prezantimin e këngëve, artit, valleve dhe gjithë trashëgimisë sonë shpirtërore. Po ashtu, uroj që të gjithë të pranishmit të përjetojnë tri net të mbushura me emocione, krenari dhe ndjenjë të bashkimit kulturor.

Mirënjohjet më të sinqerta u shkojnë të gjithë atyre që me pasion e kujdes punojnë për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë sonë kulturore. “Hasi Jehon” është më shumë se një festival: është një urë e cila na lidh me njëri-tjetrin dhe me botën, përmes zërit të pastër të folklorit shqiptar.

Ju faleminderit dhe ju uroj një festival sa më të suksesshëm, e sonte, nesër mbrëma e pasnesër mbrëma, një çast shumë të veçantë e të këndshëm për juve dhe të gjithë ata mysafirë që na kanë nderuar neve në “Hasi Jehon”.

 

Faleminderit!

 

 

(Zyra e Kryeministrit)

 

 

 

Osmani publikon pamje nga pritja shtetërore që iu bë në Malajzi

Presidentja Vjosa Osmani po qëndron për vizitë zyrtare në Malejzi, me ftesë të Kryeministrit të këtij vendi, Anwar Ibrahim.

Ajo ka publikuar në llogarinë e saj në Facebook, pamje nga pritja me nderime të larta shtetërore që i është bërë atje, teksa ka falenderuar për mikrpritjen.

“Pritja me nderime të larta shtetërore në Kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya në Malajzi. Faleminderit Kryeministër Anëar Ibrahim për mikpritjen!”, ka shkruar Osmani. sn

Nuk po konstituohet Kuvendi, ambasada e SHBA: Përgjegjësi e lidershipit politik

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njoftoi se është përgjegjësi e lidershipit politik të formojë një Kuvend dhe një Qeveri të qëndrueshme, dhe se ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kështu raportojnë mediat në Kosovë. Në lidhje me bllokimin e kostituimit të Kuvendit në Kosovë, Ambasada deklaron se u takon qytetarëve të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë ata.

“Kosova është një shtet sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e udhëheqjes politike të formojë një Kuvend dhe një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën”, thekson Ambasada Amerikane në Kosovë.  sn

Kurti i thërret në takim liderët e PDK dhe LDK, në tentim për ta zhbllokuar konstituimin e Kuvendit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

 

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka thirrur në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për konstituimin e vonuar të Kuvendit të Kosovës.

Ai i ka ftuar ata në takim të përbashkët të enjten në orën 8:30, rreth dy orë para se të fillojë vazhdimi i nëntë i seancës konstituive të Kuvendit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Në letrën e tij, Kurti i fton PDK-në dhe LDK-në si dy prej tri partive me më së shumti ulëse në Kuvend, të bisedojnë për emërimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Por, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Besian Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se “ne nuk marrim pjese ne takim” dhe se kryetari Abdixhiku ndodhet jashtë vendit.

“Çështja e nënkryetarëve të Kuvendit, të përcaktuar si vende përfaqësimi të partive, nuk është çështje diskutimi, sepse janë pozita të përfaqësimit partiak. Çështja e kryetarit te Kuvendit, është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, tha Mustafa.

PDK-ja ende nuk ka komentuar rreth ftesës nga Kurti.

Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e saj, për shkak të mospajtimeve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosjes, dhe disa prej partive më të mëdha parlamentare, për postin e kryetarit të Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit – i nisur më 15 prill – ka dështuar tetë herë radhazi deri tani, pasi Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.

Haxhiu shihet nga PDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si “figurë përçarëse”, derisa LDK-ja ka thënë vazhdimisht se nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, deri tani e ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota më së shumti.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh. AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse në një koalicion parazgjedhor, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Kjo është hera e parë që Kurti e fton në takim Krasniqin e PDK-së, ndërsa hera e dytë Abdixhikun e LDK-së, i cili nuk e kishte pranuar ftesën e tij të parë.

Thirrja e Kurtit për takim vjen disa orë pasi ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se ia ka shprehur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Në një reagim në rrjetin social Bluesky, Rohde tha se partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.

“Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihen para politikave partiake”, shkroi Rohde.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.

Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja.

 

 

Kryeministri Kurti bëri homazhe në Kompleksin e Martirëve në Çikatovë të re

 
Çikatovë e re, 30 prill 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me deputetë të Kuvendit bënë homazhe pranë varrezave të martirëve dhe vendosën lule të freskët te pllaka përkujtimore në Memorial të Martirëve në Çikatovë të re. 
 
Aty prehen martirët e vrarë gjatë luftës së fundit dhe viktimat e zhdukura me dhunë, trupat e të cilëve u gjetën më vonë në Serbi dhe u rivarrosën me nderim në këtë memorial.

 

Memoriali gjithashtu përbëhet nga një mur muzeal, krahas varrezave dhe pllakës përkujtimore dhe hapësira përreth, të krijuara për të respektuar kujtimin e atyre që humbën jetën dhe për të ndihmuar brezat e ardhshëm të njohin historinë.
Zyra e Kryeministrit

Lista Serbe jashtë loje: Si do të mbrohen interesat e serbëve në Kosovë?

Deputetë të Listës Serbe, përfshirë kryetarin Zllatan Ellek, duke shkuar në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Prill 2025.

 

Sandra Cvetkoviq, Bekim Bislimi

Në një kohë kur çdo votë deputeti ka rëndësi vendimtare, nëntë votat e Listës Serbe në Kosovë nuk po merren parasysh nga askush. Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as në tentimin e tetë, më 29 prill, për shkak të mungesës së votave.

Ndërsa viteve të kaluara Lista Serbe ishte pjesë e rregullt e koalicioneve qeverisëse, këtë herë askush nuk i afrohet, dhe askush nuk pret bashkëpunim me të – as Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, e as partitë që deri vonë ishin në opozitë.

Për këtë situatë është përgjegjës sulmi i armatosur dhe vrasja e një polici të Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023, thotë për Radion Evropa e Lirë, Miodrag Milliqeviq nga organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicën e Veriut. Ai shton se, pas këtij sulmi në veri të Kosovës, të kryer nga një grup serbësh dhe për të cilin përgjegjësinë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, kjo listë ka humbur “potencialin për koalicion”.

“Kjo paraqet një problem shtesë për komunitetin serb, kur bëhet fjalë për përfaqësimin e interesave të tyre, që zakonisht ndodh përmes Listës Serbe”, thekson Milliqeviq.

Lista Serbe nuk ka reaguar publikisht për sulmin në Banjskë, dhe nuk është distancuar nga Radoiçiq, të cilin më parë e kishte mbështetur hapur. Ai aktualisht është në arrati, dhe besohet se gjendet në Serbi. Në Kosovë, ndaj tij është ngritur aktakuzë për rastin Banjska, dhe është lëshuar urdhër arresti edhe për dyshimet për krime lufte ndaj popullatës civile.

Nga ana tjetër, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se si partitë shqiptare, ashtu edhe Lista Serbe, pajtohen që bashkëpunimi mes tyre nuk është i mundur. Ai shton se Lista Serbe as nuk e sheh veten si përfaqësuese të serbëve në institucionet e Kosovës.

Megjithatë, ai thekson se interesat e komunitetit serb nuk mund të mbrohen, nëse nuk marrin pjesë në institucione, pasi Qeveria e Kosovës merr vendime që i prekin drejtpërdrejt ata.

“Edhe nëse mbetet jashtë Qeverisë, Lista Serbe mund të marrë pjesë në punën e Kuvendit dhe të ketë ndikim në procesin legjislativ. Mundësisht, edhe të ndalojë miratimin e disa ligjeve”, thotë ai, duke kujtuar se votat e deputetëve serbë janë thelbësore për ndryshimin e Kushtetutës apo për miratimin e ligjeve të rëndësishme.

Megjithatë, sipas tij, një ndryshim i imazhit të saj mund të përbëjë një zgjidhje për bashkëpunim.

Lista Serbe, e vetmja parti serbe në Kosovë me mbështetje nga Beogradi zyrtar, tashmë prej muajsh nuk komunikon me mediat në Prishtinë, dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si do të mbrojë interesat e komunitetit të saj nëse përjashtohet nga institucionet udhëheqëse.

Kjo parti ka bojkotuar institucionet e Kosovës për më shumë se dy vjet, pasi vetë e nisi largimin e serbëve nga institucionet në nëntor të vitit 2022, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr targat serbe.

Megjithatë, Lista Serbe mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por për herë të parë prej themelimit humbi njërin prej 10 mandateve të rezervuara për serbët. Ky mandat i shkoi Nenad Rashiqit, udhëheqës i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, dhe partner i deritashëm i koalicionit qeverisës të Albin Kurtit.

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?
Infografikë

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?

Çfarë thonë partitë shqiptare për bashkëpunimin me Listën Serbe?

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, që nga mesi i prillit nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi partitë e tjera shqiptare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate – nuk po e mbështesin kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje në mënyrë kategorike refuzon çdo bashkëpunim me Listën Serbe.

“Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë, i njohur, dhe nuk ka ndryshuar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë.

Pas zgjedhjeve, Vetëvendosje bëri të ditur se do ta formojë Qeverinë e re me ndihmën e votave të komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu Listën Serbe. Gjithashtu, kjo parti ishte përpjekur të pengonte pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, me arsyetimin se nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”, duke aluduar në sulmin e Banjskës.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i saj, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo parti e rrespekton vullnetin e qytetarëve, të cilët e kanë zgjedhur Listën Serbe t’i përfaqësojë. Por, sipas tij, aktualisht LDK-ja nuk ka kurrfarë komunikimi me Listën Serbe.

Ai thotë se LDK-ja u përmbahet parimeve që të mos bashkëpunojnë me elementë që bien ndesh me ligjin.

“Me elementë që kanë problem me krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin dhe problemet tjera ligjore, ne nuk kemi bashkëpunuar asnjëherë. Kështu që krejt parametrat janë të vendosur. Për pjesën politike, ne nuk kemi problem. Por, gjithçka që nuk i prek këto parime, të cilat i përmenda më herët, është i mirseardhur bashkëpunimi, por jo me elementë të tillë, në asnjë mënyrë”, thekson Haziri.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, në Kosovë lidhet edhe me krimin e organizuar, korrupsionin, vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, dhe me sulmin në Banjskë të Zveçanit, të cilin autoritetet e Kosovës e konsiderojnë akt terrorist.

Këtë javë, ndaj tij është lëshuar edhe një tjetër fletarrestim, për dyshime për krime lufte ndaj popullatës civile. Ai ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe për krim të organizuar ndërkombëtar.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo parti nuk ka ndonjë rol udhëheqës në procesin e formimit të qeverisë së re.

Siç thotë ajo, AAK-ja nuk ka mandatar për formimin e ekzekutivit të ri, dhe si rrjedhojë, ajo nuk ka ndonjë arsye që të ketë ndonjë bashkëpunim me Listën Serbe dhe deputetët e saj.

“Jemi partia më e vogël shqiptare [në Kuvend] dhe ne nuk kemi radhën për formimin e qeverisë. Ata që e formojnë qeverinë, ndoshta duhet të komunikojnë [me Listën Serbe]. Në çfarë forme duhet të bashkëpunojmë ne, kur ne nuk e kemi mandatarin për formimin e qeverisë?”, shprehet Kadrijaj.

Gogiq: Lista Serbe të “ribrendohet dhe të distancohet nga e kaluara”

Politologu Gogiq thotë se ende nuk është e qartë në publik se kush refuzon bashkëpunimin – Lista Serbe, partitë shqiptare apo të dyja palët. Sido që të jetë, sipas tij, mungesa e besimit mes përfaqësuesve politikë të serbëve dhe shqiptarëve nuk mund të zgjidhet së shpejti.

“E kemi të qartë qëndrimin e partive shqiptare se nuk do të kërkojnë bashkëpunim me Listën Serbe, edhe po të mos mund të formojnë qeverinë. Kjo vlen për Vetëvendosjen dhe për opozitën. Ata thonë se më mirë shkojnë në opozitë apo në zgjedhje të reja, sesa të qeverisin me votat e Listës Serbe”, thekson ai.

Ai shton se, për sa kohë nuk ndryshon perceptimi i publikut shqiptar për Listën Serbe, bashkëpunimi nuk do të jetë i mundur.

Zgjidhja, sipas tij, do të ishte që partitë shqiptare të ndryshojnë retorikën ndaj Listës Serbe, ose që vetë Lista Serbe të “ribrendohet, të ndërmarrë hapa të qartë për distancim nga e kaluara, që është problematike për shqiptarët”.

“Lista Serbe me besimin më të ulët në dekadën e fundit”

Edhe Milliqeviq, nga organizata Aktiv, thotë se ende nuk është e qartë nëse Lista Serbe dëshiron të marrë pjesë në jetën politike të Kosovës dhe të jetë zë i njerëzve që ia kanë besuar votën.

“Kjo është pyetja kryesore për përfaqësuesit e Listës Serbe, sepse interpretimi ynë i angazhimit të deritanishëm të tyre në Kuvend, veçanërisht gjatë një viti e gjysmë të fundit, nuk mund të konsiderohet as i kënaqshëm. Këtë e dëshmon edhe Analiza e Trendeve, një sondazh që kemi realizuar në mesin e komunitetit serb në gjithë Kosovën. Besimi në përfaqësuesit serbë në Kuvend është në nivelin më të ulët në dhjetë vjetët e fundit. Ky është realiteti thelbësor”, thotë Milliqeviq.

Organizata Aktiv prej vitesh ndjek dhe analizon qëndrimet e komunitetit serb në veri dhe jug të lumit Ibër, dhe i publikon ato çdo vit në një raport të veçantë.

Raporti për vitin 2024 u prezantua më 30 prill në Prishtinë. Ndër të tjera, thuhet se nuk ka asnjë politikan konkret në të cilin komuniteti serb ka besim – shumica refuzon të përgjigjet në pyetjen se kujt i beson.

Sipas këtij hulumtimi të Aktiv-it, vetëm 2.8 për qind e të anketuarve kanë besim te Lista Serbe.

Milliqeviq, megjithatë, thekson se aktualisht nuk ekziston një alternativë ndaj Listës Serbe sa i përket përfaqësimit politik të serbëve, duke pasur parasysh se kjo parti ka fituar bindshëm më së shumti vota në zgjedhje – rreth 38 mijë ose 4.26 për qind.

“Nëse kjo pyetje i referohet kontekstit më të gjerë, situata ndryshon ndjeshëm. Atje keni parti të tjera politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në gjithë Kosovën, por gjithashtu edhe shoqëria civile dhe mediat luajnë rol të rëndësishëm në përfaqësimin e interesave të komunitetit serb”, shprehet ai.

Milliqeviq dhe Gogiq përfundojnë se mbetet të shihet se si do të veprojë Lista Serbe, nëse Kuvendi i Kosovës do të arrijë të konstituohet.

Kurti pyetet për formimin e qeverisë: Një herë duhet konstituuar Kuvendi

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se një herë duhet konstituar Kuvendi e më pas të flitet për formimin e qeverisë, kur u pyet për këtë çështje gjatë një aktiviteti në Istog të mërkurën.

“Një herë Kuvendi, pastaj qeveria”, u shpreh Kurti në një prononcim për “Istogu Channel” pasi vendosi gurthemelin e projektit të banimit të përballueshëm dhe social në këtë komunë.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e kryetari i Istogut, Ilir Ferati.

Nesër do të jetë seanca e nëntë për konstituimin e Kuvendit.

Deri tash, në gjashtë tentativa për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e mjaftueshme. Në shtatë herë pati 57 vota, ndërsa në seancën e fundit mori tri vota më pak.

Kurti vazhdimisht nuk ka dhënë përgjigje konkrete për konstituimin e Kuvendit apo formimin e qeverisë./KOHA

Edhe dy ditë afat për nxjerrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe

Sandra Cvetkoviq

 

Edhe dy ditë skadon afati për të marrë dokumente të Kosovës mbi bazën e atyre që lëshohen nga organet serbe për qytetet në Kosovë – sikurse certifikata e lindjes, martesës apo vdekjes.

Një pjesë e qytetarëve, kryesisht nga komuniteti serb, nuk kanë mundur të marrin dokumente të Kosovës pasi kishin vetëm dokumente të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat autoritetet e Kosovës nuk i njohin.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) në nëntor të vitit të kaluar mori një vendim që lejon regjistrimin në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës mbi bazën e dokumenteve serbe.

Bazuar në ekstraktin nga libri amë i lindjeve, ndër të tjera, aplikuesit mund të fitojnë shtetësinë e Kosovës, gjë që më pas u mundëson nxjerrjen e letërnjoftimit, realizimin e të drejtave të ndryshme administrative dhe të tjera.

Sipas MPB-së, nga 1 shkurti deri më 25 prill, janë kryer gjithsej 4.330 regjistrime në sistemin kosovar mbi bazën e dokumenteve serbe.

Nuk ka të dhëna zyrtare të sakta për numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe që posedojnë dokumente kosovare, pasi ky komunitet, sidomos në katër komunat në veri, ka bojkotuar regjistrimin e popullsisë më 2024.

Sipas vlerësimeve të sektorit civil serb dhe autoriteteve lokale në komunat me shumicë serbe, në Kosovë jetojnë rreth 100.000 serbë. Një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2023, me titull “Analiza e trendëve, qëndrimet e komunitetit serb”, tregoi se mbi 90 për qind e 536 të anketuarve posedojnë dokumente të Kosovës.

“Pavarësisht pretendimeve se në veri të Kosovës ka rezistencë më të madhe ndaj nxjerrjes së dokumenteve kosovare, është e qartë se shumica dërrmuese kanë marrë letërnjoftimet e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në raport.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës të hënën u ka bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën për regjistrim gjatë dy ditëve të mbetura, pasi pas datës 30 prill një gjë e tillë më nuk do të jetë e mundur.

Çfarë ndodh pas skadimit të afatit për regjistrim?

MPB-ja nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse pas skadimit të afatit do të tolerohen ende dokumentet serbe, siç ka ndodhur në raste të veçanta kur qytetarët kishin vetëm letërnjoftime të lëshuara nga organet e Serbisë.

Zyrtarisht, institucionet e Kosovës i konsiderojnë institucionet serbe që funksionojnë në qytetet e Kosovës si paralele dhe ilegale, ndërsa Beogradi refuzon t’i mbyllë ato pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Në fillim të vitit 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e institucioneve serbe, përfshirë organet e përkohshme komunale që ishin përgjegjëse për lëshimin e ekstrakteve të lindjes dhe dokumenteve të tjera. Edhe pas mbylljes, këto institucione nuk e kanë ndërprerë punën, por janë zhvendosur në qytetet kufitare në territorin e Serbisë.

Çfarë dokumentesh kërkohen për regjistrim në sistemin e Kosovës?

Vendimi i MPB-së parasheh që të drejtë për të aplikuar për regjistrim në sistemin e Kosovës kanë të gjithë qytetarët që nga 10 qershori 1999 deri më 1 shkurt 2025 kanë qenë të regjistruar vetëm në sistemin serb.

Pas datës 1 shkurt 2025, ekstraktet e lindjes apo vdekjes do të mund të nxirren vetëm përmes një kërkese të veçantë për regjistrim të mëvonshëm në zyrat komunale të gjendjes civile.

Për regjistrimin civil mbi bazën e dokumenteve serbe, kërkohet paraqitja e ekstraktit origjinal nga libri amë i lindjeve të Serbisë për të aplikuar për shtetësinë e Kosovës, dhe më pas për dokumentet që kërkohen. Gjithashtu, njëri nga prindërit e fëmijës duhet të jetë shtetas i Kosovës.

Deri më tani, serbët në Kosovë janë përballur me vështirësi të shumta për të fituar shtetësinë, për shkak se institucionet nuk i kanë njohur ekstraktet më të reja të lëshuara nga autoritetet serbe.

Ligji për shtetësinë e Kosovës parasheh që shtetësia të fitohet përmes lindjes, naturalizimit dhe në bazë të nenit 32 – që përcakton se shtetas të Kosovës konsiderohen të gjitha personat që më 1 janar 1998 kanë qenë shtetas të Jugosllavisë dhe kanë pasur atëherë vendbanim të përhershëm në Kosovë.

Në vendimin e MPB-së për marrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe thuhet gjithashtu se për regjistrimin në librin amë të lindjeve duhet të paraqitet edhe letërnjoftimi i Kosovës, i prindërve.

Sektori civil serb në Kosovë ka theksuar disa herë problemet me të cilat përballet komuniteti serb sa i përket regjistrimit të lindjeve, marrjes së shtetësisë dhe sigurimit të dokumenteve personale.

Radio Evropa e Lirë

Hapet edhe një zyrë e Postës së Kosovës në Leposaviq

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet e Kosovës kanë hapur zyrën e katërt të Postës së Kosovës në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Në hapjen e kësaj zyre, që është e dyta që është hapur në qendër të Leposaviqit, ishte i pranishëm edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Ky është një lloj bashkëdyzimi i ligjshmërisë dhe cilësisë. Ata operatorët e palicencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës, ku përveç dërgesave të zakonshme të Postës, mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit”, tha Kurti.

Nga Posta e Kosovës thanë se në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqit – tani ky institucion ka trembëdhjetë pika. Shumica e pikave – 11 prej tyre – sipas Postës, janë hapur vetëm në dy vjetët e fundit.

Megjithatë, një nga pikat e Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill u sulmua me dy granata dore. Sulmi ndodhi disa ditë pasi kjo pikë ishte hapur.

Sulmi u dënua nga zyrtarët në Kosovës dhe nga Gjermania. Kurti, e ishte cilësuar sulmin si “orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”.

Sulme në veriun e Kosovës janë regjistruar edhe vitin e kaluar, teksa institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë një sërë hapash për, siç kanë thënë, shtrirjen e sovranitetit në këtë pjesë të vendit.

Këtu përfshihet mbyllja e organeve të përkohshme komunale – që funksiononin sipas sistemit të Serbisë – dhe ndërmarrjet e tyre publike. Po ashtu, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimore, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera.

Në veri, po ashtu është ndaluar përdorimi i dinarit serb për kryerjen e pagesave. Serbia ka financuar strukturat paralele në veri dhe ka mbështetur serbët atje përmes pensioneve dhe shtesave të tjera, në dinarë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar shumë nga veprimet e Prishtinës në veriun e Kosovës, duke i vlerësuar si veprime të paakordinuara.


Send this to a friend