VOAL

VOAL

Mustafa, pas takimit të LDK-së: Zgjedhjet janë të evitueshme, por ende s’kemi marrëveshje për postin e presidentit

Radio Evropa e Lirë

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Besian Mustafa tha se ende nuk ka marrëveshje për ndonjë kandidat për postin e presidentit.

Ai vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme – që do të nxiteshin nga moszgjedhja e presidentit apo presidentes së re para fundit të afatit kushtetues – janë “të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme”.

Por, ai shtoi se “pushteti ka 66 ulëse, dhe pa ta nuk bëhet kjo punë”.

Mustafa tha se deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare që ka mbledhur të paktën 30 nënshkrime deputetësh dhe se mbetet e paqartë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen,

“E kam të pamundur të përgjigjem se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Mund të ketë sërish takim. Ne jemi të hapur, me shpresën që do të arrijmë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”, tha Mustafa.

Ky zhvillim vjen pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar zgjedhjen e presidentit të ri, ku nuk u arrit konsensus.

Kurti kishte deklaruar se diskutimet ishin “në një atmosferë konstruktive” dhe se çdo zhvillim i ri do t’i bëhet i ditur publikisht.

Takimi vjen teksa afati kushtetues për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit po afrohet, dhe pas raundit të parë të bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut, kur nuk u arrit konsensus mes partive.

“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, pati thënë Abdixhiku epas takimit të 2 marsit, duke shtuar se LDK-ja mbetet e hapur për diskutime të mëtejme, por skeptike ndaj idesë që secila parti të shkojë në Kuvend me kandidat të vetin.

Abdixhiku kishte theksuar se për LDK-në gara me disa kandidatë është “procedurë e paraparë për të dështuar” dhe mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Nga ana tjetër, Kurti para takimit të djeshem kishte deklaruar se për zgjedhjen e presidentit “duhet dikush që i siguron 80 vota”, pa përmendur emra konkretë.

Ai ka thënë më herët se Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit, duke theksuar se vendit i duhet një personalitet që, sipas tij, “u bën ballë shtrëngatave” në rrethanat aktuale gjeopolitike. Megjithatë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. Partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për, siç kanë thënë, njëanshmëri në favor të Qeverisë.

Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për “pengim të drejtësisë” vazhdon sot në Hagë

Kallxo.com

11:01- Nis dëshmia e ekspertit Kun Herlar në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur dëshmia e ekspertit holandez Kun Herlar, në çështjen gjyqësore ku për pengim të drejtësisë ku po gjykohen Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu.

Kun Herlar punon në Institutin e Kriminalistikës së Holandës (IKH) që nga shkurti 2009 dhe aktualisht shërben si ekspert i kriminalistikës në fushën e analizës së dokumentacionit në aspektin e gjurmimit.

Ai ka sqaruar se puna e tij përfshin analizën e formave të gjurmimit në dokumente, ekzaminimin e materialeve dhe objekteve për të evidentuar lidhjet e tyre me personat ose ngjarjet e hetuara, si dhe analizën e vendngjarjes.

Ndërkohë, gjatë seancës, u diskutua edhe mbi kërkesat e tre të akuzuarve të tjerë: Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu, të cilët kishin kërkuar nga gjyqtari i vetëm ndryshimin e kushteve të lirimit të tyre.

Prokuroria kundërshtoi kërkesat e tyre, duke u obliguar që më vonë të zgjerojë parashtrimet e saj lidhur me këtë çështje.

Gjithashtu, Hashim Thaçi, i pranishëm përmes video-lidhjes, u ankua gjatë seancës për mungesë të përkthimit, duke kërkuar qartësi në procedurë.

Seanca pritet të vazhdojë me pyetje të mëtejshme nga ZPS-ja drejtuar ekspertit Kun Herlar.

09:19- Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për “pengim të drejtësisë”

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë do të vazhdojë edhe sot, më 03.03.2026 në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Përveç Thaçit, në këtë rast po gjykohen edhe Hajredin Kuçi, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu.

Këta akuzohen për pengim të drejtësisë, vepra që sipas aktakuzës lidhen me rastin gjyqësor ku ish-katërshja e UÇK-së po gjykohet për krime lufte në Hagë.

Seanca e sotme pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit me numër 8. Kjo seancë është paraparë të fillojë në orën 09:30, por transmetimi i saj publik bëhet me 45 minuta vonesë.

Të hënën më 02.03.2026, dëshmitari 7, u pyet për dëshmitë e Rrustem Mustafës, Sylejman Selimit, Bislim Zyrapit dhe Nuredin Ibishit.

Gjatë seancës, avokatja e Thaçit, Sofi Menegon tha se, bazuar në materialet e nxjerra nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), “duket se vetëm dy dëshmitarë nga çështja 6 (akuzat për krime lufte), që lidhen me çështjen 12, janë pjesë e regjistrimit me video për ndërhyrjet në çështjen 12”, duke iu referuar zotit Mustafa dhe zotit Zyrapi.

Ajo e pyeti dëshmitarin nëse ka pasur ndonjë dëshmitar tjetër nga çështja 6 që është intervistuar me zë dhe video.

Dëshmitari 7 tha se nuk i kujtohet.

Menegon tutje ngriti çështjen e organizimeve shtesë lidhur me sigurinë dhe e pyeti dëshmitarin nëse është e saktë që asnjë prej dëshmitarëve në çështjen 12 (akuzat për pengim të drejtësisë) nuk janë vendosur në një vend tjetër si rezultat i sjelljeve të pretenduara prej të akuzuarve.
Dëshmitari tha se një gjë e tillë është e saktë.

Avokatja mbrojtëse e pyeti po ashtu nëse është e saktë që ZPS-ja është detyruar të riorganizojë rendin e dëshmitarëve në çështjen 6. Gjë që u konfirmua nga dëshmitari.

Në një tjetër pyetje, Menegon iu referua një shënimi zyrtar të takimit të 24.02.2026 me ZPS-në, duke theksuar se dëshmitari nuk ishte në gjendje të thotë se cilët dëshmitarë të ZPS-së janë zhvendosur apo hequr nga lista.

“E saktë, sepse ne po lëviznim dëshmitarët dhe unë shpesh nuk kam pyetur për arsyen ose pse po i hiqnim ata, thjesht i kemi hequr për arsye të ndryshme, nuk kam pyetur konkretisht në mënyrë specifike.” – ishte përgjigja e dëshmitarit.

Tutje, Menegon kërkoi të ndalet te dëshmitari Rrustem Mustafa, i cili ka dhënë dëshmi në çështjen 6 (akuzat për krime lufte) në korrik të vitit 2023, pas një marrëveshjeje për pranimin e faktit midis palëve.

“Sipas deklaratës suaj ai nuk ka pasur masa mbrojtëse, a është e saktë?” – pyeti Menegon.“Po, e saktë” – u përgjigj Dëshmitari 7.

Në pyetjen pse nuk ka pasur masa mbrojtëse, dëshmitari tha se më herët kishte shpjeguar se prokurori vendos lidhur me masat mbrojtëse. Ai shtoi se nëse personi është publik dhe i njohur, nëse ka dhënë dëshmi publike në gjykata ndërkombëtare, tribunale apo edhe gjykata vendore, atëherë kjo merret parasysh.

“Pra ai ka dëshmuar në mënyrë të hapur dhe është person i njohur dhe figurë e njohur në Kosovë” – deklaroi dëshmitari.

Menegon prezantoi më pas një artikull ku thuhet se ish-oficerë të lartë të UÇK-së të zonës operative të Llapit, përfshirë Rrustem Mustafën – Remi, ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës për krime lufte.

Ajo e pyeti dëshmitarin nëse pajtohet se artikulli flet për dënimin e Mustafës dhe lidhet me krimet e pretenduara gjatë luftës.

“Nuk e kam parë më herët(artikullin). Mustafa është person publik. Unë e di që ai ka qenë pjesë e disa hetimeve në Kosovë, por nuk më kujtohen detaje që kanë të bëjnë me të” u përgjigj Dëshmitari 7.

Tutje, Menegon e pyeti nëse është e saktë që më 6 dhjetor 2018, Mustafa përmes avokatit ka thënë se do të paraqitet vullnetarisht në Hagë për intervistë.“Po” – u përgjigj dëshmitari.

Menegon kërkoi që ky dokument të bëhet pjesë e provave, kërkesë që u kundërshtua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS). Megjithatë, dokumenti u pranua si provë gjyqësore.

Duke iu referuar një artikulli të 26 tetorit 2019 të publikuar nga Insajderi, me titull “Struktura komanduese e UÇK-së e ftuar në Hagë”, avokatja e Hashim Thaçit, Sofi Menegon i tha dëshmitarit se përmbajtja e këtij artikulli përputhet me deklarimin e tij të mëhershëm se persona në nivele të larta të UÇK-së kishin bërë publike faktin se do të intervistoheshin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Dëshmitari u përgjigj, duke e konfirmuar këtë gjë. Në pyetjen nëse e kishte parë më herët artikullin në fjalë, ai tha se nuk i kujtohet. Menegon më pas citoi pjesën ku thuhet se Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, ishte intervistuar nga ZPS më 04.08.2019, duke e pyetur dëshmitarin nëse pajtohet se artikulli konfirmon intervistimin e Zyrapit nga ZPS-ja.

“Po, pajtohem” – u përgjigj dëshmitari. Avokatja vijoi duke e pyetur nëse bashkëpunimi i tij me ZPS-në ishte i njohur publikisht në atë kohë.

Dëshmitari u përgjigj: “Po.” Menegon kërkoi që artikulli i 26 tetorit 2019 të pranohet si provë materiale në këtë proces gjyqësor. Kërkesa u pranua.

Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) lexoi përmbledhjen e aktakuzës dhe paraqiti deklaratën hyrëse. Të gjithë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.

Kurse sot ekipet e mbrojtjes pritet të nisin pyetjet për dëshmitarin 7.

Në deklaratat hyrëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokurori i Specializuar të premten më 27.02.2026, lexoi në mënyrë të përmbledhur aktakuzën ndaj Hashim Thaçi, i cili po gjykohet për vepra që lidhen me pengim të drejtësisë.

Sipas prokurorit, “Hashim Thaçi mban përgjegjësi individuale për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi nga së paku 26 qershori dhe 18 korriku 2023, vepër penale kundër rendit publik”.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Thaçi ngarkohet për “tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi – midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023”.

Pika e tretë ka të bëjë me “tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023”.

Në vijim, prokurori lexoi edhe katër pika që lidhen me shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe zbulim të dëshmitarit.

Sipas aktakuzës, Thaçi ngarkohet me veprat penale: shkelje e fshehtësisë së procedurës, përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë” (Pika 4), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023” (Pika 5), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes burimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 6), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të një dëshmitari të mbrojtur midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 7).

Aktakuza përfshin edhe katër pika për mosbindje ndaj gjykatës: Mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023” (Pika 8), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 1 dhe 13 shtatorit 2023” (Pika 9), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023” (Pika 10), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 11).

Prokurori paraqiti edhe përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve të tjerë në këtë rast.

Sipas aktakuzës së lexuar, Bashkim Smakaj “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 9 shtatori dhe 30 tetori 2023”, si dhe për “Mos bindje ndaj gjykatës midis së paku 9 shtatori dhe 30 tetori 2023”.

Ndërkaq, Isni Kilaj “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 6 tetori dhe 2 nëntori 2023”, si dhe për “Mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023”.

Sipas leximit të prokurorit, Fadil Fazliu “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023”, si dhe për “Mosbindje ndaj gjykatës së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023”.

Ndërsa, për Hajredin Kuçi prokurori deklaroi se “mban përgjegjësi penale individuale për mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 1 dhe 13 shtatorit 2023”.

Të gjithë të akuzuarit po gjykohen për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë, ndërsa procesi gjyqësor po vazhdon në Hagë. Të gjithë ishin të pranishëm në sallë dhe deklaruan se e kuptuan aktakuzën ndaj tyre, teksa u deklaruan të pafajshëm.

Në deklaratat hyrëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokurori i Specializuar ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi ka tentuar që përmes personave që e kanë vizituar atë, të udhëzojë dëshmitarët në procesin gjyqësor që të minimizonin rolin e tij gjatë luftës dhe ta ndihmonin atë.

“Përpjekjet e Thaçit për të ndikuar të dëshmitarët nuk kufizoheshin vetëm në vizitat me bashkakuzuarit e tjerë por ai ka përdorur dhe shumë vizita të tjera për të nxjerrë informacione konfidenciale dhe për të dhënë udhëzime. Motivi ishte që dëshmitarët të ndryshonin deklaratat e tyre ose të dëshmonin në atë mënyrë që të ndihmonin Thaçin”- tha Prokurori i Specializuar.

Ai ka thënë se si prova kryesore janë video-incizimet nga takimet e Thaçit me dëshmitarët.

“Në incizime në rastin e Thaçit dëgjojmë fjalë, pëshpërima që ishin qartazi udhëzime për të ndërhyrë tek dëshmitarët… Volumi i zërit ulet kur ai nis të jep udhëzime”- ka thënë ai.

Prokurori gjatë seancës tha se një njërin nga audio-incizimet Thaçi dëshironte të eliminonte provat për keqtrajtimin e personave për të cilët akuzohej në rastin paraprak.

Ndërkaq si provë u paraqit edhe qesja me letra të grisura e gjetur para banesës së Isni Kilajt. Prokurori tha se copat e grisura të letrës janë dokument konfidencial që Kilajt ia ka dhënë Thaçi. Ky dokument, prokurori special tha se ishte dëshmia konfidenciale e njërit nga dëshmitarët.

Ky rast ka derivuar nga gjykimi ku Thaçi akuzohet për krime luftë në Kosovë, me ç’rast sipas Prokurorisë, përmes tashmë të akuzuarve, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi është provuar të pengohet drejtësia.

KALLXO.com kishte siguruar dosjen për të cilën akuzohet Thaçi dhe të tjerët. Informacione konfidenciale të grisura e të hedhura në mbeturina e informacione konfidenciale të mbajtura në vetura pretendohen se janë gjetur dhe janë dëshmi e prova nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Thaçin dhe të tjerët, në aktakuzën e re të ngritur më 2 dhjetor 2024.

Të gjitha këto informacione që ishin shkruar në letra, që ZPS thotë se i kishte gjetur gjatë bastisjeve në vendbanimin e Hysni Kilajt dhe veturën e Bashkim Smakajt, pretendohet se ishin dhënë nga Thaçi gjatë vizitave që ata i kishin bërë në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu hetimet e Zyrës së prokurorit të specializuar.

Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

ZPS ka vlerësuar se veprimet e të akuzuarve synonin pengimin e çështjes Thaçi dhe të tjerët.

Policia arreston pesë serbë të dyshuar për vrasjet në Syriganë gjatë luftës

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të dielën se i ka arrestuar pesë persona në Skenderaj, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për arrestim të serbëve lokalë të Kosovës.

Të dyshuarit besohet që i kanë vrarë gjashtë civilë shqiptarë në fshatin Syriganë të Skenderajt në periudhën maj–qershor 1998. Atyre u është caktuar një masë fillestare prej 48 orësh paraburgim.

Duke ofruar më shumë hollësi, policia ka thënë se e ka nisur operacionin e arrestimit në orët e hershme të mëngjesit në gjashtë lokacione të ndara: pesë në Komunën e Skenderajt dhe një në Mitrovicën e Veriut.

Sipas Policisë, gjatë batisjeve në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse janë konfiskuar: një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, një armë brezi e tipit Zastava M-57, dy karikatorë dhe 77 fishekë, një pushkë gjuetie me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi, si dhe uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.

Lista Serbe ka reaguar ashpër ndaj aksionit policor, duke thënë se të dielën janë arrestuar “pesë nga bashkatdhetarët tanë, pronarë të ndershëm dhe të ndershëm shtëpish”.

Kjo parti, e cila i ka nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka kritikuar atë që e ka quajtur “regjim” të kryeministrit të Kosovës, Albim Kurti, që “pa prova të vlefshme arreston serbët, duke i paditur ata për krime lufte me qëllimin e qartë të frikësimit dhe persekutimit të tyre”.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë pas zhvillimeve në Lindje të Mesme

Radio Evropa e Lirë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të shtunën vonë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme.

Mbledhja është mbajtur me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, është thënë në një komunikatë të Kryeministrisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme kundër Iranit, të cilat kanë rezultuar me vrasjen e liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei dhe dhjetëra figurave tjera të larta shtetërore.

SHBA-ja bëri të ditur se sulmet i nisi pasi e kuptoi se Irani nuk kishte gatishmëri të bënte kufizime të theksuara në programin bërthamor dhe atë të raketave.

Është politikë e kamotshme e SHBA-së që Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore.

Irani është kundërpërgjigjur në ditën e nisjes së sulmeve, duke synuar bazat ushtarake amerikane në vendet e rajonit, por duket se raketat dhe dronët e tij janë rrëzuar.

Në komunikatën e Kryeministrisë është përmendur se Kosova solidarizohet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.

“Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjikë”.

Izraeli tha të dielën se po i vazhdon sulmet kundër shënjestrave të regjimit “në zemër të Teheranit”, teksa Irani po kryen sulme në shtetet e Gjirit Arab.

Për sulme është raportuar në Dubai të Emirateve, në Doha të Katarit, në Bahrein dhe Kuvajt.

Presidenti amerikan, Donald Trump e quajti Khamenein “një prej njerëzve më djallëzor në histori” dhe u bëri thirrje iranianëve ta marrin në duar shtetin e tyre.

Irani u zotua për “ofensivë shkatërruese” kundër bazave amerikane dhe Izraelit, në shenjë hakmarrjeje.

Trumpi i tha që të mos veprojë ashtu sepse do të përballet me forcën më të madhe të parë ndonjëherë.

Vjosa Osmani mbështet operacionin ushtarak amerikan kundër Iranit: Ka ardhur ora e lirisë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke shkruar në platformën X se “ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit”, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Osmani ka thënë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, qëndron e palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Osmani i ka dënuar sulmet e regjimit iranian kundër aleatëve në Lindjen e Mesme, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë një shans përfundimtar lirisë dhe paqes. bw

Radio Evropa e Lirë: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë

Deklarim pafajësie, akuza për ndërhyrje e përgjime: Çka ndodhi në nisje të gjykimit për pengim të drejtësisë
Mimoza Sadiku

16:3827.2.2026

Në Gjykatën Speciale sot nisi gjykimi për pengim të drejtësisë, ku të akuzuar janë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Në deklaratën hyrëse, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se Thaçi udhëhoqi tri grupe, në përpjekje, për siç u tha, ndikimin e dëshmitarëve specifikë në rastin e parë kundër tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria tha se ka dëshmi, përfshirë audio-incizime të kryera në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku pretendoi se Thaçi udhëzoi të akuzuarit të ndikonin që dëshmitarë të caktuar, përfshirë edhe të mbrojtur, të ndryshonin dëshminë.

Në seancë u paraqitën edhe pjesë të përgjimeve, ku Thaçi pretendohet se udhëzon se cilët pjesë të dëshmive duhet të ndryshohet.

Prokuroria tha se ka gjetur edhe materiale te të akuzuarit, që dyshohet se u janë dhënë nga Thaçi.

Mbrojtja e Kilajt tha se nuk ka dëshmi bindëse ndaj klientit të tyre. Ndërkaq, ai i Smakajt tha se ai nuk ka ndërhyrë në dëshmitarë.

Pas deklaratave hapëse, në gjykatore nisi dëshminë dëshmitari i parë i mbrojtur i ZPS-së. Mbrojtja do të nisë pyetjet ndaj tij të hënën.

Këtu po e mbyllimin mbulimin e drejtëpërdrejtë të zhvillimeve në Hagë për ditën e sotme.

Faleminderit që na ndoqët!

16:2127.2.2026

Dëshmitari u përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë

Në seancën e shkurtër të pyetjeve nga Prokuroria për dëshmitarin e saj të parë të mbrojtur, organi ndjekës e pyeti atij lidhur me çështjet procedurale që lidhen me dëshmitarët.

Ai u pyet se sa kohë përpara dëshmitarët shkojnë në Hagë për dëshminë.

Ai u përgjigj 7-10 ditë para ditës së dëshmisë, në mënyrë që gjatë asaj kohe të përgatiten, duke analizuar deklaratat e tyre të para dhe duke shikuar materiale të tjera. Dëshmitari tha se ata kanë të drejtë të ndryshojnë dëshminë e dhënë dhe ta korrigjojnë atë.

Si shembull u mor Rrustem Mustafa i cili nisi dëshminë më 11 korrik 2023. Por, në gjykatore u tregua si dëshmi bileta e udhëtimit për në Hagë që tregonte se ai kishte udhëtuar drejt Holandës më 4 korrik, pra një javë më parë.

Dëshmitari tregoi se ka listë të dëshmitarëve dhe tregohet nëse ata kanë masa mbrojtëse dhe tha se këto gjendet në data-baza të Prokurorisë.

Ai u pyet nëse një dëshmitar, nëse publikisht tregon se do të dëshmojë a i humbet masat mbrojtëse, dëshmitari tha “jo”.

Mbrojtja e Thaçit dhe të katër të akuzuarve të tjerë nuk pranuan që sot të nisnin marrjen në pyetje dëshmitarin. Avokatja e Thaçit kërkoi dy orë për pyetje për dëshmitarin. Gjykatësi vendosi që dëshmia e 07-shit të vazhdojë të hënën.

15:4627.2.2026

Dëshmitari i parë është i mbrojtur

Në gjykatore ka nisur dëshminë dëshmitari i parë i Prokurorisë në rastin për pengimin e drejtësisë. Identiteti i tij nuk bëhet publik dhe ai do njihet si dëshmitari 07.

Gjykata është siguruar që, me qëllim që të mos i zbulohet identiteti, t’ia ndryshoi edhe zërin.

Në fillim, ai bëri betimin se do të thotë të vërtetën.

Menjëherë pas betimit, Prokuroria nisi pyetjet për dëshmitarin dhe punimet kaluan në seancë private.

15:4327.2.2026

Dëshmitari i parë në gjykatore

Pasi kanë përfunduar deklaratat hyrëse, në gjykatore është sjellë dëshmitari i parë, që do të dëshmojë deri në orën 15:55 (seanca transmetohet me 45 minuta vonesë) dhe më pas seanca do të vazhdojë me çështje të tjera logjistike, tha gjykatësi.

Osmani i thotë Prattipatit se prania ushtarake amerikane në Kosovë mbetet e rëndësishme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pret në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, 26 shkurt.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka përsëritur diplomates së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë se prania ushtarake amerikane në vendin e saj mbetet e rëndësishme, pas zërave të ditëve të fundit se SHBA-ja mund ta kufizojë atë, njoftoi zyra e Osmanit të enjten.

Rreth 590 forca amerikane shërbejnë në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Shqetësimet rreth humbjes së pranisë amerikane në vend u ngritën ditë më parë kur gazeta amerikane Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, tha se SHBA-ja po kërkon nga aleanca të kufizojë veprimtarinë e vet të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Osmani e priti në takim të enjten të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, të cilës ia përsëriti “rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë”, sipas një njoftimi nga zyra e saj.

Lidhur me kufizimet e mundshme, një zyrtar i Pentagonit i tha Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se “sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”.

Kosova i vlerëson si qenësore lidhjet me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë mbështetësi kryesor i pavarësimit dhe shtetndërtimit të saj.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Por, ky mision paqeruajtës, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, dy vendeve fqinje që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara.

Koloneli i pensionuar amerikan, Ray Wojcik, i tha REL-it ditë më parë se Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane në vend, mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë hapësirën për ndikime të jashtme.

Wojcik, i cili më herët ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë, shtoi se prania ushtarake e SHBA-së në Kosovë ka një vlerë shumë të madhe parandaluese, shumë më të madhe sesa numri i trupave që ka në tokë.

“Ajo dërgon një sinjal të qartë për angazhimin strategjik dhe të drejtpërdrejtë të Amerikës dhe forcon besueshmërinë dhe unitetin e NATO-s”, shtoi ai.

Misioni faktmbledhës i PPE shkon në selinë e PD, takim me Berishën dhe përfaqësues të tjerë

Një mision faktmbledhës i Partisë Popullore Evropiane (PPE), ka shkuar sot, 25 shkurt, në selinë e Partisë Demokratike.

Delegacioni i PPE do të zhvillojë takim me kreun e PD-së, Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike.

Në fokus të përfaqësuesve të PPE është mbledhja e fakteve për çështje që lidhen me zgjedhjet, funksionimin e institucioneve dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Vizita e misionit faktmbledhës vjen në kuadër të angazhimit të PPE për të monitoruar zhvillimet politike në vendet partnere dhe për të forcuar bashkëpunimin me forcat politike partnere në rajon. gsh

Kurti u takua sërish me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për të huajt dhe automjetet

Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorëve dhe diplomatëve të akredituar në Kosovë më 24 shkurt 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë me të cilët ka biseduar për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atij për automjetet.

Ky është takimi i dytë i këtij formati, që kur se Kosova ndërmori hapa drejt zbatimit të plotë të këtyre dy ligjeve më 15 janar të këtij viti. Kurti ishte takuar me korin diplomatik vetëm një ditë pas nisjes së periudhës informuese për ligjet.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti i ka njoftuar ndërkombëtarët për procesin e informimit të qytetarëve për këto dy ligje dhe për aktivitetet e tjera të ndërmarra për zbatimin e plotë të tyre.

Zbatimi i plotë i ligjeve do të nisë më 15 mars dhe deri atëherë do të zhvillohet fushata informuese, që sipas Qeverisë, çdo i huaj të ketë informacione të sakta për ligjet, “ashtu që ata të jenë të njohur me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre”.

Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, pasi personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të kenë leje pune ose licencë për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.

Në praktikë, marrja e lejes së punës apo e licencës për arsimim mund të jetë problematike, pasi Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, të cilat i konsideron paralele dhe të paligjshme.

Gjatë takimit të parë me ndërkombëtarët të zhvilluar më 16 janar, Kurti kishte deklaruar se procesi i integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb do të zhvillohet në koordinim me Bashkimin Evropian, duke shtuar se do të merren parasysh edhe shqetësimet e komuniteteve joshumicë.

Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që Serbia i mbështet në Kosovë do të zgjidhet në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës.

Serbia në integrimin e shëndetësisë dhe të arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, ashtu siç bën edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e autoriteteve aktuale në Beograd.

Institucionet shëndetësore dhe arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë në bazë të sistemit të Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që autoritetet kosovare nuk i kanë mbyllur.

Kryeministri i Kosovës takim me përfaqësuesin e BE Sorensen, Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë vetëm përmes njohjes reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Kosova mbetet e angazhuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke nënvizuar se zgjidhja e qëndrueshme duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve.

Përmes një postimi në platformën X, Kurti bëri të ditur se ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Sipas njoftimit publik, gjatë takimit është diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe ecurinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. bw

Cili model i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë serbe në Kosovë mund të jetë në lojë?

Sandra Cvetkoviq

Dhënia e kompetencave ekzekutive përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si model për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës, është, sipas politikanes nga Kosova, Rada Trajkoviq, opsioni i vetëm për mbijetesën e qëndrueshme të komunitetit serb.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se nuk mund të ketë dallime nga sistemi arsimor i Republikës së Serbisë, sepse, në të kundërtën, do të “rrezikohej” pozita dhe mbijetesa e serbëve në Kosovë.

Trajkoviq ka qenë drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, ka ligjëruar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit në Mitrovicë të Veriut, i cili vazhdon të funksionojë nën sistemin e Serbisë, dhe ka qenë gjithashtu deputete në Kuvendin e Kosovës.

Nga ana tjetër, sociologu nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, njëherësh njohës i rrethanave politike, vlerëson se qasja më logjike për integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore – të cilat në zonat me shumicë serbe në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë nën sistemin e Serbisë – do të ishte “eklekticizmi pragmatik”, përkatësisht “identifikimi i modeleve ndërkombëtare ekzistuese të një natyre të ngjashme” dhe “përzgjedhja e zgjidhjeve që do të ishin të përshtatshme për Kosovën”.

“Nuk do të ishte e nevojshme të fillohej nga zeroja, sepse praktika të tilla të integrimit të pakicave, madje edhe brenda kornizave të ndërlikuara, janë aplikuar për dekada me radhë dhe në shumë situata të ndryshme”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës pa një qëndrim të qartë për modelet e integrimit

Çështja e integrimit të kujdesit shëndetësor dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti tha se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se duhet bërë “inkorporimi dhe bashkimi i tij”.

Atëkohë, ai tha se për këtë integrim do të punohet së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Këtë mesazh ua përcolli sërish ambasadorëve të vendeve të QUINT-it – SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Italisë – në mes të janarit të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me diplomatët e akredituar në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me diplomatët e akredituar në Kosovë.

Por, deri më tani, nuk u specifikua qartë se cilat modele të integrimit janë duke u konsideruar.

Lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Më 10 shkurt, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pesë-gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe arsimor serb dhe shtoi se të gjithë duhet të jenë konstruktivë për këtë çështje.

Në fund të javës së kaluar, Bashkimi Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të mbështetura nga Serbia në Kosovë, do të zgjidhet brenda kornizës së dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës.

Beogradi zyrtar këmbëngul në integrimin e shëndetësisë dhe të arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, ashtu siç bën edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e autoriteteve aktuale në Serbi.

Çfarë parasheh Asociacioni për shëndetësinë dhe arsimin serb?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe u dakordua në vitin 2013 me Marrëveshjen e parë të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa parimet për të u harmonizuan në vitin 2015.

Ky asociacion përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e pranuan në vitin 2023 në Bruksel, e pas së cilës Bashkimi Evropian hartoi edhe një draft-statut.

Kosova, megjithatë, nuk e ka dërguar ende këtë draft-statut në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, i cili do të duhej të ishte hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit.

Draft-statuti nuk u bë kurrë publik, por Radio Evropa e Lirë kishte qasje në të dhe ai duhet të zgjidhë çështje të shumta të hapura, duke përfshirë funksionimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit.

Institucionet serbe pas luftës

Pas luftës në Kosovë më 1999, Serbia i zhvendosi institucionet e saj në zonat ku popullata shumicë është serbe.

Shumicën e tyre, autoritetet e Kosovës i mbyllën viteve të fundit.

Por, institucionet arsimore vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, duke përfshirë kopshtet parashkollore, shkollat fillore dhe të mesme, si dhe Universitetin me seli në Mitrovicë të Veriut.

Institucionet shëndetësore serbe – si shtëpitë e shëndetit dhe klinikat lokale, Qendra Klinike Spitalore në Graçanicë dhe ajo në Mitrovicë të Veriut, si dhe Qendra Shëndetësore në Pasjan – funksionojnë gjithashtu.

Këto institucione parashihet të bëhen private nën ombrellën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia të ofrojë “kontribut financiar”.

Në draft-statut specifikohet që ato të kenë “statusin e institucioneve të huaja private” dhe të marrin leje, ose licenca, për të vepruar në përputhje me ligjet aktuale të Kosovës.

Edhe kur bëhet fjalë për kurrikulën, draft-statuti thotë se ajo duhet të rregullohet në përputhje me ligjet aktuale të Kosovës.

Aktualisht, nuk është e qartë se si do të dukej ajo, marrë parasysh se Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme kur bëhet fjalë për historinë ose gjeografinë, sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, në draft-statut theksohet se Asociacioni do të ketë kompetenca sa i përket arsimit, që nënkupton bashkëpunimin midis komunave, prezantimin e politikave arsimore para autoriteteve qendrore, ofrimin e këshillave autoriteteve qendrore për kurrikulën serbe, ofrimin e këshillave për ndryshimet në ligjin e arsimit, e kështu me radhë.

Sipas draft-statutit, do të ekzistonte gjithashtu standardi i “dhënies së dyfishtë të diplomave”, kosovare dhe serbe, të cilat do të njiheshin si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia.

Në të njëjtin draft parashikohet që institucionet arsimore dhe shëndetësore të mund të përdorin ambiente të ndërtuara me financim të Serbisë, por një gjë e tillë nuk duhet ta pengojë funksionimin e sistemit ekzistues arsimor dhe shëndetësor të Kosovës.

Ngjashëm, Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të duhej të kishte kompetenca në fushën e shëndetësisë, duke lehtësuar bashkëpunimin midis komunave për përmirësimin e shëndetësisë primare dhe sekondare, përfaqësimin e politikave shëndetësore dhe sociale para autoriteteve qendrore, financimin e projekteve infrastrukturore, pajisjeve dhe materialeve mjekësore, mbledhjen ose financimin e ndihmës sociale etj.

Çfarë thuhet për shëndetësinë dhe arsimin në ligjet e Kosovës?

Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, të cilat u hartuan në bazë të Planit të Martti Ahtisaarit – dokumentit mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 – parashikojnë gjithashtu të drejta për komunitetin serb, nga kultura, gjuha, feja dhe tradita, te çështjet e arsimit, shëndetësisë, ekonomike dhe pronësore, e deri te formimi i komunave me shumicë serbe përmes procesit të decentralizimit.

Sot, në Kosovë janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe. Gjashtë ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi, ndërsa katër të tjerat janë të lidhura territorialisht në veri – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komunitetet pakicë kanë të drejtë të arsimohen në njërën nga gjuhët zyrtare në të gjitha nivelet, që do të thotë edhe në serbisht, sepse kjo gjuhë, së bashku me shqipen, është në përdorim zyrtar në të gjithë territorin e Kosovës.

Megjithatë, institucione arsimore në gjuhën serbe brenda sistemit të Kosovës aktualisht nuk ka.

Gjithashtu, Kushtetuta e Kosovës dhe Plani i Ahtisaarit përcaktojnë se komunitetet pakicë kanë të drejtë t’i krijojnë dhe menaxhojnë institucionet e tyre private arsimore, të cilave mund t’u jepet ndihmë financiare në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

Neni 20 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale të Kosovës u jep komunave të Graçanicës, Shtërpcës dhe Mitrovicës së Veriut kompetenca të zgjeruara në aspektin e kujdesit shëndetësor sekondar, ndërsa me Nenin 21, komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetenca të zgjeruara në arsimin e lartë.

Komunat e Mitrovicës së Veriut, Graçanicës dhe Shtërpcës, me këto kompetenca të zgjeruara, kanë të drejtë të ofrojnë kujdes shëndetësor sekondar, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve shëndetësore, punësimin e punonjësve shëndetësorë, pagesën e pagave dhe trajnimin e punonjësve shëndetësorë dhe të atyre të punësuar në administratë.

Kur bëhet fjalë për arsimin e lartë, komuna e Mitrovicës së Veriut, me kompetencat e saj të zgjeruara, ka të drejtë të ofrojë arsim të lartë, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve arsimore, punësimin e stafit mësimdhënës, pagesën e pagave dhe trajnimin e stafit mësimdhënës dhe administrativ.

Pse serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë?

Muhaxhiri: E rëndësishme që integrimi të bazohet në standardet ndërkombëtare

Muhaxhiri thotë se pika fillestare për integrimin duhet të bazohet në standardet ndërkombëtare dhe kriteret objektive, siç janë Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave.

“Kjo do të siguronte përshtatjen strukturore të marrëveshjes në kornizën institucionale të sistemit të Kosovës. Çështja kryesore është të sigurohet që modeli i ardhshëm i integrimit funksional të vlerave, të jetë i qëndrueshëm në aspektin e normalizimit afatgjatë”, thotë Muhaxhiri.

Ai shton se përfaqësues të serbëve nga fusha të ndryshme të jetës, duhet të marrin pjesë në këtë proces, sepse çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit, sipas tij, do ta ketë ndikimin më të madh në jetën e tyre të përditshme.

“Ndaj, është shumë e rëndësishme që ata të jenë aktorë në tryezën e vendimmarrjes dhe të mos luajnë role pasive, si mbështetje formale për politikanët nga Beogradi”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mund të konsiderohet si një nga themelet për “hyrjen graduale në fazën e hartimit paraprak të marrëveshjes përfundimtare” midis Kosovës dhe Serbisë.

“Perspektivat për sukses do të varen nga gatishmëria e Kosovës dhe Serbisë për të bërë kompromise reale dhe nga serioziteti i ofertave dhe presioneve nga Brukseli dhe Uashingtoni. Qartazi, do të jetë e pamundur të arrihet edhe suksesi më i vogël, nëse të dyja palët nuk janë të gatshme të bëjnë lëshime”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Trajkoviq: Roli i bashkësisë ndërkombëtare është thelbësor

Trajkoviq beson se çështja e integrimit të kujdesit shëndetësor dhe arsimit serb është gjithashtu një çështje sigurie dhe se nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen aktive të bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ajo thekson se integrimi i kujdesit shëndetësor dhe arsimit duhet të çojë në stabilitet dhe në garantimin e “sigurisë shëndetësore dhe arsimore” për pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

Kjo, sipas saj, mund të arrihet vetëm nëse këta dy sektorë integrohen në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do t’u jepte serbëve të Kosovës autonomi më të madhe në vendimmarrje në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

“E theksoj edhe një herë – ne e ruajtëm dhe e kultivuam sistemin e arsimit dhe të kujdesit shëndetësor [pas luftës në Kosovë], me ndihmën dhe garancitë e forta të NATO-s. Sot, një numër i madh pacientësh trajtohen jashtë Kosovës, në Serbi. Dallimi në sistemin arsimor [nga Republika e Serbisë] nuk duhet të ekzistojë, thjesht sepse serbëve në Kosovë nuk do t’u sigurohej mbijetesë dhe siguri e qëndrueshme”, beson Trajkoviq.

Vendet perëndimore, deri më tani, kanë shprehur kryesisht pikëpamjen se të gjitha institucionet serbe duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin, por se kjo duhet të ndodhë në konsultim me komunitetin serb dhe përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përgatiti: Valona Tela

Ish-shefi i AKI-së dënohet edhe në rigjykim për rastin “Gylenistët”

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor edhe në rigjykim ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi dhe e ka dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim në rastin e njohur “Gylenistët”, sipas Betimit për Drejtësi, medium i specializuar për raportim në fushën e drejtësisë.

Ndaj tij është shqiptuar edhe një dënim plotësues, – ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike për katër vjet, pas përfundimit të dënimit me burgim.

Gashi ishte dënuar me masë të njëjtë burgimi – katër vjet e tetë muaj – edhe në korrik të vitit 2023 për dëbim të paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin leje qëndrimi dhe leje pune në Kosovë.

Vendimi në procedurën e rigjykimit është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.

Gashi është raportuar se nuk ka qenë i pranishëm në seancë, por vetëm mbrojtësi i tij, avokati Driton Musliu.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thuhej se Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës, duke rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej tyre, “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit”.

Në shpalljen e vendimit më 2023, nga akuza ishin liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Aktakuza u ngrit pasi më 29 mars të vitit 2018, pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e gjashtë shtetasve turq.

Dëbimi i tyre është thënë të jetë bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Arrestimit dhe dëbimit i parapriu revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit, për të cilin veprim më vonë gjykata tha se ishte i jashtëligjshëm.

Nga pesë shtetasit turq, tre prej tyre posedonin leje të përhershme të qëndrimit, përkatësisht Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Karhaman Demirez, ndërsa dy prej tyre Hasan Hysein Demir dhe Cihan Ozkan kishin leje të përkohshme.

Familjet e gjashtë shtetasve turq ngritën një padi ndaj institucioneve të Kosovës në vitin 2018 për arrestim dhe ndalim arbitrar të familjarëve të tyre.

Disa nga familjarët kanë kërkuar azil në Kosovë e disa të tjerë janë larguar drejt vendeve evropiane.

Gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi në mars të vitit 2018 u dënuan nga gjykatat atje me gjithsej 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Gjykatat në Turqi, shumicës prej tyre iu shqiptuan nga 8 vjet burgim, kurse njërit, Mustafa Erdem, drejtor i përgjithshëm i institucionit “Gulistan” në Kosovë, më 5 qershor iu shqiptua dënimi prej 15 vjetësh.

Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor “Gulistan”.

“Gulistan” ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.

Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e klerikut fetar turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.

Mbështetësit e Gulenit, i cili vdiq në tetor të vitit 2024, konsiderohen terroristë nga Turqia, ndërkaq Lëvizja Hizmet, që ka miliona mbështetës, në Turqi është shpallur terroriste.

Kurti takon Hamzën teksa afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës po mbaron

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të dielën vonë me liderin e partisë kryesore opozitare në vend, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në atë që duket të jetë fillimi i përpjekjeve të tij për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, për t’i shmangur një palë zgjedhje të tjera të parakohshme.

Kosova duhet të ketë president të ri më së largu deri më 4 mars, sipas ligjeve, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në fillim të prillit.

Osmani po e kërkon edhe një mandat të dytë pesëvjeçar, por ajo nuk duket ta ketë mbështetjen e nevojshme për t’u rizgjedhur.

Deri tani nuk është paraqitur apo përmendur ndonjë kandidat tjetër i mundshëm për president.

Kurti – partia e të cilit ka 57 vende në Kuvend – tha se bisedoi me Hamzën, ndër të tjera, edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, dhe se do ta takojë të hënën edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Hamzën.

Ai shtoi se Hamza – partia e të cilit ka 22 ulëse, shprehu “gatishmërinë” e tij për bashkërendim parlamentar për çështje të “interesit shtetëror e kombëtar”.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, e kritikoi takimin mes Kurtit dhe Hamzës në zyrën e kryeministrit, duke thënë se “është pak e çuditshme që takimet për këtë temë të mbahen në zyrën e tij, sikur të ishte proces i Qeverisë”.

“Takimet për çështjen e Presidentit duhet të zhvillohen mes kryetarëve të partive parlamentare, sepse ky është proces parlamentar dhe kërkon marrëveshje politike mes forcave parlamentare”, shkroi Cakolli në Facebook.

Presidentja Osmani është kritikuar nga partitë opozitare se ka qenë e afërt me partinë e Kurtit.

Ato kanë thënë se ajo “nuk përfaqëson figurë unifikuese”, por nuk kanë shpjeguar pse.

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se partitë opozitare i sheh në pozitë shumë të pafavorshme, sepse pavarësisht kuorumit që kërkohet për zgjedhjen e presidentit, partia e Kurtit e ka shumicën e konsiderueshme.

Megjithatë, ajo shtoi se procesi do të zhvillohet relativisht qetë, “sepse askush nuk dëshiron zgjedhje të reja, as Vetëvendosje dhe as partitë opozitare”.

Osmani u zgjodh presidente për herë të parë më 2021 duke gëzuar mbështetjen e Vetëvendosjes së Kurtit, por deri tani, as Kurti e as zyrtarë të partisë së tij nuk kanë shprehur mbështetje publike për një mandat të dytë për të.

Ajo ka ngulur këmbë i duhet një mandat i dytë për t’i vazhduar “punët e mira” që ka thënë se i ka nisur.

Për të garuar për president të vendit, një kandidat duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për ta fituar atë pozitë.

Kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61 sosh.

Megjithëse roli i presidentit të Kosovës është ceremonial, moszgjedhja e tij në kohë i kushton shtetit.

Dështimi për ta zgjedhur presidentin e vendit para 4 marsit do ta fuste vendin në krizë të re duke nxitur zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të dytë brenda muajsh.

Kosova u përball me krizë politike e institucionale tërë vitin 2025, që i kushtuan me mungesë fondesh ndërkombëtare e vonesa në kalimin e buxhetit për vitin e ri fiskal.

VAZHDIMI I SHPIFJEVE PËR RAIF OSMANIN BABA I VJOSA OSMANIT Shkruar nga Abas Fejzullahi

  • Vegëzat në vijim për lexim japin të dhëna nga shkrimet me kundërshtime-reagime të publikuara deri më 2020-06-08 në ora 22:00

 

Kosova e miraton pakon e 19 të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë

Në qendër të Prishtinës shihet një poster me mbishkrimin “Liri për Ukrainën”.

 

Radio Evropa e Lirë

Kosova ka ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës, duke e miratuar pakon e 19-të me sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

Pakoja, e miratuar në një mbledhje të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti të premten në mëngjes, përfshin sanksione edhe kundër Bjellorusisë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova synon promovimin e paqes dhe lirisë, dhe se vendimi i Qeverisë kontribuon në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.

Kosova i ka miratuar të gjitha pakot paraprake të bllokut kundër Rusisë.

Çfarë përmban pakoja?

Pakoja e 19-të, e miratuar në tetor të vitit të kaluar, rrit ndjeshëm trysninë mbi ekonominë ruse të luftës, duke synuar sektorë kyç si energjia, financat, baza ushtarako-industriale, zonat e veçanta ekonomike, si dhe mbështetësit dhe përfituesit e luftës së saj agresive.

Një ndalim i plotë i Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) rus dhe një goditje e mëtejshme ndaj flotës në “hije” përfaqësojnë sanksionet më të forta deri më tani ndaj sektorit jetik energjetik të Rusisë.

Ndalimi i LNG-së do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh, ndërsa kontratat afatgjata nga 1 janari 2027.

Masa të forta synojnë gjithashtu shërbimet financiare dhe infrastrukturën, duke përfshirë për herë të parë kriptovalutat, si dhe tregtinë.

Masat prekin gjithashtu sektorin e shërbimeve dhe forcojnë mjetet kundër anashkalimit të sanksioneve.

Me këtë paketë, numri i anijeve të listuara në flotën në “hije” të Rusisë arrin në gjithsej 557.

Kosova u rreshtua përkrah Perëndimit menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë Ukrainës në shkurt 2022, dhe prej atëherë i ka miratuar pakot e BE-së dhe SHBA-së kundër Moskës.

Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, ua mori jetën mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.

Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.

Kuvendi i Kosovës e miraton buxhetin vjetor mes kundërshtimeve nga opozita

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të premten ligjin për buxhetin shtetëror në vlerë rreth 4 miliardë euro, me gjithë kundërshtimet dhe ankesat e opozitës.

Projektligji për buxhetin kaloi në lexim të dytë me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenime, katër ditë pasi ishte miratuar në lexim të parë.

Ligji tani do t’i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për dekretim, para se të hyjë në fuqi.

Votimi erdhi pasi Komisioni për buxhet, punë dhe transfere bëri ndryshime dhe i miratoi ato në ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky është një buxhet i “përkohshëm dhe emergjent”, duke shtuar se ai do të rishikohet.

“Për këtë arsye, ne, si Qeveri, nuk ua kemi dhënë hapësirën as ministrive që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar se nuk kemi shumë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe në mënyrë cilësore, në mënyrë që ato pastaj të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës”, tha Murati.

Partitë opozitare u ankuan se rekomandimet e tyre ishin shpërfillur nga Komisioni dhe i tërhoqën ato në prag të votimit në Kuvend, prandaj edhe votuan kundër kalimit të buxhetit vjetor. Deputetë të caktuar opozitarë paraqiten amendamente gjatë seancën, por nuk morën mbështetje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e kritikoi projektligjin për buxhetin dhe njoftoi se deputetët nga partia e tij do të votonin kundër.

“Ne i tërheqim të gjitha amendamentet dhe nuk e mbështesim këtë buxhet që nuk e reflekton as përbërjen e qeverisë, nuk është dokument profesional, ka shumë defekte për 2026 por do jetë i dëmshëm edhe për vitet e ardhshme”, ka thënë ai në seancë.

Shefja e Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku, tha se partia e saj nuk ka votë “për” buxhetin, pasi që Komisioni për buxhet nuk i mori parasysh amendamente e propozuara nga ajo.

Buxheti i vitit 2026 u miratua me disa muaj vonesë, dhe pasi vendi ishte detyruar ta zgjaste buxhetin e vitit të kaluar për disa muaj, për shkak të krizës politike e institucionale.

Si do të shpenzohet buxheti i vitit 2026?

Buxheti i vitit 2026 parashihet të arrijë në rreth 4 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi tre miliardë euro janë ndarë për nivelin qendror, ndërsa 867 milionë euro për nivelin lokal.

Për investime kapitale, të cilat shihen si shtylla kryesore për zhvillimin ekonomik, janë planifikuar 998 milionë euro, ose 7.2% më shumë krahasuar me vitin 2025 (931 milionë euro).

Megjithatë, investimet kapitale përbëjnë vetëm 25.2% të buxhetit të përgjithshëm.

Në një analizë të Institutit GAP thuhet se 81 për qind e buxhetit të projekteve kapitale në vitin 2026 është për projektet që do të vazhdojnë nga vitet e kaluara, ndërsa projektet e reja mbeten të kufizuara si në numër ashtu edhe në vlerë dhe kryesisht janë projekte të vogla.

Shpërndarja e investimeve kapitale, sipas GAP-it, nga niveli qendror në komuna vazhdon të jetë joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, ndonëse më e balancuar nga aspekti partiak, duke nxjerrë në pah pabarazi.

Subvencionet dhe transferet

Kategoria me rritjen më të madhe është ajo e subvencioneve dhe transfereve, me një rritje prej 17.4%.

Sivjet janë ndarë mbi 1.3 miliardë euro, krahasuar me rreth 1.1 miliardë euro në vitin e kaluar.

Kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së disa kategorive të pensioneve, mbështetjes se lehonave dhe rritjes së asistencës sociale.

Pagat dhe shtesat për mbi 91 mijë punonjës të sektorit publik do të kushtojnë mbi 980 milionë euro, nga 916 milionë euro sa ishin në vitin 2025.

Ndërkohë, shpenzimet për mallra dhe shërbime arrijnë në 509 milionë euro, ose rreth 7 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Në buxhet janë ndarë edhe 46 milionë euro si rezervë shtetërore për emergjenca, e njëjta shumë si në vitin paraprak, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe likuiditetit financiar.

Për herë të parë, projektbuxheti parasheh edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, për ata që kanë qenë të angazhuar në organizata buxhetore të paktën 12 muaj para marrjes së vendimit.

Barrën kryesore për mbushjen e arkës së shtetit pritet ta mbajë Dogana e Kosovës, nga e cila parashihet të grumbullohen mbi dy miliardë euro, dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), me rreth 1.2 miliardë euro të hyra të planifikuara.

Kurti: Ligjet për byronë shtetërore dhe çmimet tavan, prioritete të Qeverisë

Radio Evropa e Lirë

Kabineti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka miratuar të premten një program dyvjeçar për projektligje, i cili përfshin dy ligje të rëndësishme, si ai për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjin për çmimet tavan.

Duke folur në mbledhje të Qeverisë, Kurti tha se këto dy ligje janë prioritet i tij në dy vjetët e ardhshme.

“Do të vazhdojmë me vendosmëri për të sjellë ligje të qarta e cilësore në dobi të qytetarëve dhe sundimit të ligjit”, tha Kurti.

Kjo është një përpjekje e re e Kurtit për t’i fuqizuar këto ligje, pasi Gjykata Kushtetuese ia kishte rrëzuar që të dyja gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar.

Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Gjykata më e lartë e vendit ia rrëzoi Kurtit dy herë ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.

Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka kishte dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Kushtetuesja tha në vendimin e janarit se e shfuqizoi ligjin për byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Ligji për çmimet tavan

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023.

Asokohe, gjykata kishte theksuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Qeveria e kishte arsyetuar ligjin për shkak të “rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë dhe ankesave të shumta të qytetarëve, lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve te të gjitha produktet bazë”.

Sipas qeverisë, ligji do të aplikohej në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ligji, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i konsideronte produkte themelore drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Kryeministri Kurti takoi të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati

Prishtinë, 19 shkurt 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyrën e tij të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Znj. Prattipati e uroi Kryeministrin Kurti për formimin e Qeverisë dhe për mandatin e ri. Diskutuan për raportet bilaterale dhe potencialin e madh të tyre, sidomos në fushën e tregtisë dhe investimeve, por edhe në fusha të tjera si sundimi i ligjit, siguria dhe integrimi euro-atlantik.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për urimet dhe bashkëpunimin e deritanishëm me znj. Prattipati dhe Ambasadën amerikane në Kosovë, si dhe gatishmërinë e plotë të tij dhe të kabinetit të ri qeveritar për të vijuar dhe avancuar këtë bashkëpunim, përfshirë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit Kryeministri, ndër të tjera, theksoi se Republika e Kosovës dhe qeveria që ai drejton mbeten të përkushtuara ndaj synimeve për integrim në BE dhe NATO, si dhe angazhohen për paqe dhe siguri në rajon dhe aleanca të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike./Zyra e Kryeministrit

 

As emër, as marrëveshje: Pse po vonohen kandidaturat për president?

Krenare Cubolli

 

“Figurë konsensuale” – këto mund të jenë fjalët që i bëjnë bashkë të gjitha partitë politike në Kosovë kur bëhet fjalë se kush duhet ta mbajë pozitën e presidentit të shtetit në pesë vjetët e ardhshëm. Por këtu përfundon gjithçka.

Partitë nuk po dalin hapur me idetë e tyre se kush është personi i denjë për atë pozitë, dhe po presin ftesën e njëra-tjetrës për t’i nisur diskutimet.

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se partitë opozitare i sheh në pozitë shumë të pafavorshme, sepse pavarësisht kuorumit që kërkohet për zgjedhjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti e ka shumicën e konsiderueshme – 57 vota në Kuvend.

Megjithatë, ajo beson që procesi do të zhvillohet relativisht qetë, “sepse askush nuk dëshiron zgjedhje të reja, as Vetëvendosje dhe as partitë opozitare”.

Çfarë thonë partitë?

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thotë për REL-in se për partinë që përfaqëson ajo, prioritet këto ditë kanë pasur konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, ndërsa tani në radhë është miratimi i Buxhetit të shtetit për vitin 2026.

Sipas saj, nga java e ardhshme nisin diskutimet “për proceset e reja”.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputeti Artan Behrami thotë se në momentin që pranojnë ftesë nga LVV-ja apo nga partitë tjera, janë të gatshëm të diskutojnë për emrin që “personifikon unitetin e qytetarëve”.

“Qëndrimi i partisë është që ne duhet t’i nënshtrohemi një dialogu politik me partitë tjera politike, dhe nga ai diskutim, nga këto kompromise dhe dialog, do të dalë edhe presidenti ose presidentja”, shprehet ai për Radion Evropa e Lirë.

Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të siguronte nga një qëndrim prej deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në këtë drejtim.

Kreu aktual i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha ditë më parë se u është ofruar partive të mëdha opozitare shqiptare për bashkëpunim në këtë çështje, mirëpo e ka parë që nuk kanë vullnet.

“Nëse opozita do të mund ta prezantonte një kandidat të vetin, ose mua, ose cilindo kryetar partie, një figurë, dhe ta mblidhte votën, do ta kishim një balancim të pushtetit. Unë nuk jam kandidat, sepse nuk kam bazë kandiduese, duhen 30 nënshkrime”.

Dhe, ashtu është. Duhet të sigurohen të paktën 30 firma të deputetëve që një emër të kandidohet për president, ndërsa duhen siguruar dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për ta fituar atë pozitë.

Kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Bekim Jashari, nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, është përmendur në të kaluarën si kandidat potencial për president, mirëpo ky propozim nuk është jetësuar kurrë.

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës.

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës.

Dilemat për Osmanin

Presidentja aktuale, Osmani, është kritikuar nga partitë opozitare se ka qenë e afërt me LVV-në. Ato kanë thënë se ajo nuk përfaqëson figurë unifikuese, pa përmendur diçka konkrete.

Në anën tjetër, Osmani ka thënë se i duhet një mandat i dytë për t’i vazhduar “punët e mira” që ka thënë se i ka nisur.

Emrin e saj për mandatin e parë e pati çuar përpara LVV-ja. Këtë herë, partia në pushtet nuk po e përmend asnjë emër.

“Unë jam e bindur që, në bazë të mandateve që i kemi, në bazë të përgjegjësve ndaj shtetit dhe institucioneve, ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë dhe që mundemi, që të ofrojmë alternativën më të mirë dhe të mbështesim atë alternativë”, thotë Nagavci për REL-in.

Emini beson se arsyeja e mosdaljes me një emër ka të bëjë me kalkulimet strategjike të LVV-së.

“Duke e zvarritur procesin, dhe duke mos dalë me emër konkret, LVV po blen kohë. Sa më shumë afrohet afati, aq më pak hapësirë ka opozita për t’u organizuar dhe për të dalë me një alternativë të unifikuar”.

Osmani dhe Kurti garuan me një listë të vetme më 2021. Osmani u bë presidente, Kurti kryeministër.

Osmani dhe Kurti garuan me një listë të vetme më 2021. Osmani u bë presidente, Kurti kryeministër.

A duhet t’i jepet Osmanit një mandat i dytë?

Deputeti Behrami beson që jo.

“Personalisht, mendoj që zonja Osmani më shumë mund t’i kontribuojë opozitës si antipod i Qeverisë Kurti, sesa si presidente e Republikës së Kosovës”.

Emini thotë se performanca e Osmanit duhet të shihet nga dy dimensione. Në rrafshin e brendshëm, ajo përmend kufizimet që ia përcakton Kushtetuta e Kosovës këtij roli, si dhe zhgënjimin që mund të ketë ekzistuar për qasjen e saj në kohë krizash politike, ndërsa në nivelin ndërkombëtar vlerëson se Osmani ka qenë dukshëm më e suksesshme.

“Pra, duke qëndruar vetëm te figura e saj, pa e krahasuar me kandidatë të tjerë, që për momentin nuk ekzistojnë, mund të thuhet se ajo duhet marrë merita për rolin aktiv në nivel ndërkombëtar. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme për faktin që Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për një diplomaci të sofistikuar për të naviguar një rend botëror të vështirë”.

Pavarësisht rolit ceremonial presidencial, mospërmbushja e afateve i kushton shtetit.

Nëse Kosova nuk e ka emrin e ri për pozitën e presidentit deri më 4 mars, atëherë duhet t’i organizojë zgjedhjet e reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Sikur të mos mjaftonin dy palë sosh që u organizuan gjatë vitit të kaluar…

Liria ka emrin e Leotrim Ahmetit!

– Leotrimi i vogël i ka thirrur Nanës së vet:

“Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam semut prej barku.”

Nana e Leotrimit tregon:

“Kur ja kam hjek teshat ia kam parë se ju kish shqyer barku dhe i kishin ra zorrët, ja kam qit xhemperin me ia mbulu, Leotrimi më ka thënë ‘ma nanë, mos um prek se po kam dhimbje shumë.”

Skulptura e Leotrim Ahmetit, punuar nga Sabri Behramaj, shtatore e vendosur në Skenderaj.

Në faqen e Ilir Kullës lexojmë:

Leotrim Ahmeti femija martir i masakruar nga Serbia 28 vjet me pare dhe i perjetesuar ne kete statuje bronxi u vizitua nga nipi i tij sot ne moshen e Leotrimit kur ai u vra nga kriminelet. Liria e Kosoves eshte ngritur ne gjakun e Leotrimave, ajo ka emer vuajtjen dhe sakrificat nje shekullore te nje kombi te tere!

Thaçi përballë gjyqtarëve të Hagës: “Nuk pendohem për asgjë!”

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar para gjyqtarëve dhe prokurorëve të Hagës, se ka bërë për popullin e tij atë që do të kishin bërë dhe ata për vendin e tyre nëse do të përjetonin të njëjtat ngjarje.

 

Thaçi tha se akuza që ai ka pretenduar për të marrë kontrollin e Kosovës, është ofenduese për mijëra viktima të pafajshme dhe luftëtarë.

“Vendosa të kthehem në Kosovë 1998. Ky ishte vendim personal, i askujt tjetër. Nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosjen. Bëra atë që do të bënte secili prej jush nëse vendi juaj do të përjetonte atë që përjetoni populli im. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë.

Prokuroria pretendon se qëllim im ishte marrja e kontrollit të Kosovës. Kjo është e pavërtetë, por është ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri. Është ofendim për mijëra viktima të pafajshme të vrarë gjatë masakrave. Është ofendim dhe e padrejtë dhe për përpjekjet e NATO dhe aleancës perëndimore që bashkëpunova ngushtë”, deklaroi ai në Hagë.

Ai shtoi se i vetmi kundërshtar i tij dhe Kosovës ishte Sllobodan Millosheviçi, i cili bënte plane gjenocide në Kosovë, ndërsa theksoi se Shqiptarët nuk ushtronin pushtet dhe një pretendim i tij është paradoksale.

I vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe botës demokratike, ishte Sllobodan Milloshevic. Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë, veçanërisht kur gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë prej orës në orë dhe ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time. Lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë të pushtuar përreth 90 vite. Fakti që jam sot gjallë është rastësi dhe fat. Nuk u ktheva të rrezikoja jetën time për kontroll dhe pushtet, u ktheva duke rrezikuar jetën për liri dhe paqe. Pyetja që shtrohet është, marrje e kontrollit prej kujt? Kush??

E vërtetë është se kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Milloshevic. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet, është paradoksale. Shtypeshin nga Milloshevic. Unë nuk kisha iluzione, por shpresa e jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike, SHBA dhe NATO. I gjithë fokusi im ishte ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance. Për këtë qëllim udhëtova në shumë qytet për ti bindur për kauzën tonë, Bruksël, Londër, Berlin e vende të tjera.

Kudo që isha, në kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të Administratës amerikane. Millosheivici e kishte filluar luftën dhe ne vetëm po vetëmbroheshim. Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO nuk do te kishte pavarësi të Kosovës”, tha Thaçi.

Kujtojmë se sot mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit. Panorama

Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi flasin sot para Gjykatës- Çfarë pritet të ndodhë sot në Hagë, dita e fundit e deklaratave përmbyllëse

Në seancën e sotme do të flasin përfaqësuesi i viktimave, mbrojtja dhe më pas vetë të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

 

HAGË- Procesi gjyqësor në Hagë vijon sot me paraqitjen e deklaratave përmbyllëse. Në seancën e sotme do të flasin përfaqësuesi i viktimave, mbrojtja dhe më pas vetë të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Pas pushimit të drekës, secili prej tyre do t’i drejtohet trupit gjykues me fjalime prej 20 minutash. Në seancën e sotme është i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Glauk Konjufca si përfaqësues i qeverisë së Kosovës.

Në seancën e fundit, pas deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes së Krasniqit, trupi gjykues dhe prokuroria drejtuan pyetje shtesë ndaj palëve. Pas përfundimit të deklaratave, çështja kalon për vendimmarrje. Gjykatësit kanë deri në tre muaj kohë për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të afatit. Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin e katër ish-krerëve me nga 45 vite burg secilit./Dosja.al

Albin Kurti: Serbia e Millosheviçit ka kryer krime kundër shqiptarëve, Vuçiç kërcënim për përsëritjen e tyre

“Më 17 shkurt u arrit një shkallë tjetër e lartë në përfaqësimin tonë në Ballkan dhe Evropë. Dita e sotme është ditë përkujtimi për ata që flijuan për lirinë. Ne kujtojmë vizionet e parealizuara të aktivistëve. Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të 1990, kujtojmë UCK-në. Përkulemi me nderim para dëshmorëve.

Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së republikës, brengosemi që krerët e UCK po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat ndaj tyre nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës tonë çlirimtarë. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiçit”, tha Albin Kurti. dosja.al

18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Vjosa Osmani: Lufta e UÇK ishte e drejtë dhe e pastër!

Kuvendi i Kosovës po mban një seancë solemne në kuadër të 18 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj në Kuvend, theksoi se Kosova, 18 vjet më parë, u ngrit nga vuajtja në dinjitet, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.

“18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet, rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm.

Pavarësia u fitua me mund, gjak e sakrificë e durim shekullor. U ndërtua nga ata që u persekutuan, burgosën, dëbuan dhe asnjëherë nuk u nënshtruan. Sot përulemi para kujtimit të të gjithë burrave e grave që ranë për këtë ditë, që Kosova të jetë republikë”, u shpreh Osmani.

Më tej, ajo tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër dhe e drejtë dhe se çdo përpjekje për ta barazuar me krimet gjenocidale të serbëve jo vetëm që minon drejtësinë, por gjithashtu dëmton rëndë edhe themelet e një paqeje afatgjatë në rajon, duke iu referuar gjyqit që po mbahet në Gjykatën Speciale të Hagës për 4 ish krerët e UÇK-së.

Ajo tha se lufta e UÇK-së ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës, dhe nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për deformim të historisë.

UÇK është ideali më i madh që ka ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, relativizuar apo barazuar viktimën me agresorin është e padrejtë por edhe e pavërtetë dhe e papranueshme.

Krerët e UÇK sot në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë u ngritën për liri, dinjitet për të jetuar të lirë në atdhe. Çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë me krimet gjenocidiale të Serbisë jo vetëm që minon drejtësinë por edhe dëmton thellë themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë.”, shtoi Osmani. gsh

VIDEO- Presidenti Begaj fjalim në Kuvend: Kosova, realitet i pakthyeshëm

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj mbajti një fjalim përshëndetës në Parlamentin e Kosovës, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë. Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi të gjithë figurat që kanë kontribuar në lirinë e Kosovës.

 

Begaj theksoi se në këtë përvjetor, Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.

Sipas tij është një vend ku tashmë funksionon dhe frymëzon liria, ndërsa theksoi se Kosova është një shtet i ri, por me rrënjë të thella sakrificash.

“Në jetën e një shteti ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, shtet sovran. Sot Kosova është vendi ku liria funksionon dhe frymëzon. Kosova është shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash.  Ajo ecën me hapa të sigurt drejt të ardhmes”, tha Kreu i Shtetit shqiptar.

Begaj u ndal edhe tek procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së, që siç tha ai po përballem e akuza të montuara.

“Sot mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës, nuk mund të kuptohet dhe të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkudhëtareve të tjerë. Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Ndërkombëtare, duke na bërë tëe gjithëve të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar”, tha ndër të tjera Begaj.

Presidenti Begaj garantoi Kosovën se Shqipëria do të mbështesë dhe do të jetë në krah të saj në çdo rrugëtim euroatlantik. gsh

Kosova 18 vite shtet, qeveria mban seancë solemne

Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti u shpreh se shteti, pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli i Kosovës janë të lashta.

“Vërtetë shteti, pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti ynë është ndërtuar dhe qëndron mbi vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar, pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa përmendur kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit.

“Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, ka thënë ai.

Kurti shtoi se ky përvjetor e gjen vendin në fillim të një mandati të ri qeverisës, me shumë sfida përpara, por me synime të qarta për forcimin e shtetit.

“Mësues e studentë, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, është shprehur ai. bw

Krerët e shtetit nderojnë sakrificën për lirinë dhe pavarësinë

Radio Evropa e Lirë

Me ngritjen solemne të flamurit shtetëror, Kosova nisi ceremonitë zyrtare për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë.

Flamuri i Republikës së Kosovës u ngrit në oborrin e ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Presidentja Osmani e cilësoi këtë ditë si një moment reflektimi dhe krenarie dhe nderoi sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik, Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, tha ajo.

Kryeministri Kurti theksoi përparimin e vendit në forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e ekonomisë, ndërsa kryeparlamentarja Haxhiu tha se “sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi”.

Në seancën solemne të Qeverisë, Kurti përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai tha se shpallja e pavarësisë nuk mund të përkujtohet pa u nderuar ata që kontribuuan në ndërtimin e shtetit.

“Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, tha Kurti.

Ai shtoi se ky vit i pavarësisë e gjen Kosovën në fillim të mandatit të ri qeverisës, ndaj “punët janë të shumta”.

“Mësuesë e studentë, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenarë duke punuar e forcuar shtetin”, tha Kurti.

Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 nga institucionet vendore, pas një periudhe të gjatë administrimi ndërkombëtar dhe negociatash për statusin.

Ajo u mbështet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve të Bashkimi Evropian.

Që nga ajo kohë, Kosova bëri përparim në ndërtimin e institucioneve shtetërore, konsolidimin e sigurisë me mbështetjen e NATO-s dhe zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare.

Megjithatë, shteti vazhdon të përballet me sfida të mëdha, përfshirë kundërshtimet e pavarësisë nga Serbia dhe disa vende të tjera, si dhe pengesa në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

17 shkurt 2008 – Kosova feston sot 18-vjetorin e Pavarësisë! Axhenda e aktiviteteve

Republika e Kosovës shënon 18-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Me rastin e këtij përvjetori, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të ndryshme festive.

Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Axhenda e aktiviteteve

18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.

Nga ora 7 do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës, pas 20 minutave, përkatësisht në orën 7:20 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në orën 7:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve e pas pesë minutash do të bëhen homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë.

Në orën 8:00 mbahen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova e pas 10 minutash te te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Nga ora 9 do të ketë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e në 10:30 do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga ora 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti Heroinat, në orën 11:30 mbahet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në 17:30 pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe dita do të përmbyllet me koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin brenda një seance me 66 vota!

Me 66 vota për, 32 kundër dhe pesë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2026.

 

“Falënderoj deputetët e Kuvendit për votimin e buxhetit”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Arbërie Nagavci, shefe e Grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi që shqyrtimi i dytë i projektligjit për buxhetin të bëhet më 20 shkurt, në orën 11:00.

Ky propozim u miratua me 67 vota të deputetëve.

Kryetarja Haxhiu, kërkoi nga komisionet funksionale për buxhet, si dhe nga komisionet tjera parlamentare, sipas fushave që mbulojnë, që ta shqyrtojnë projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe t’ia paraqesin Kuvendit raportet me rekomandimet, informon REL.

Si shkoi seanca?

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe atyre në opozitë, i kanë thënë zëshëm dallimet në qëndrime lidhur me projejtligjin për buxhetin e shtetit, të dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e re e Kosovës.

Seanca e së hënës ishte vazhdimësi e seancës së jashtëzakonshme të 13 shkurtit, e cila në rend ditë kishte edhe buxhetin.

Atë ditë, partitë i miratuan marrëveshjet ndërkombëtare, por jo edhe buxhetin.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu pranoi të premten që seanca të shtyhej, pasi partitë opozitare kërkuan më shumë kohë për ta lexuar dokumentin dhe kërkuan që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të ishte i pranishëm për diskutime.

Kurti iu përgjigj ftesës dhe mori pjesë në diskutimet e së hënës.

Sa parashihet të jetë buxheti?

Projektligji parasheh që buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 të jetë rreth 4 miliardë euro.

Ministri i Financave i Qeverisë së Kosovës, Hekuran Murati tha se miratimi i këtij projektligji është nevojë emergjente.

“Është një buxhet që kufiri i shpenzimit është përafërsisht 4 miliardë euro apo 3 miliardë e 967 milionë euro. Këto shpenzime mund të zbërthehen në kategori: paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliard e 358 milionë euro, si dhe shpenzime kapitale 998.4 milionë euro apo 897 milionë euro të financuara nga granti apo buxheti i rregullt, si dhe 100 milionë euro të tjera të financuara nga klauzola e investimeve”, ka thënë Murati.

Ai përmendi se ky projektligj është dashur të miratohej në tetorin e vitit të kaluar – periudhë kur Qeveria ishte në detyrë. Në mungesë të konsensusit politik, projektligji nuk ishte miratuar në Kuvend.

Murati kërkoi që projektligji të miratohet siç është propozuar, ndërsa u zotua që në mars do të ketë rishikim të tij.

Çfarë thanë partitë?

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se kjo parti mbështet projektligjin.

“Duke pasur parasysh emergjencën e funksionimit të institucioneve në mënyrë të rregullt, faktin se ky është buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës, dhe që buxheti adreson kujdesin për të gjithë sektorët, departamentet dhe të gjitha shtresat e qytetarëve, duke adresuar edhe disa nga prioritetet e Qeverisë, ne i japim mbështetje të plotë këtij buxheti”, theksoi Nagavci.

Mbështetje dha edhe grupi parlamentar multietnik, i cili përbëhet nga deputetë të komuniteteve joserbe.

“Konfirmoj se do të votojmë për miratim”, tha Emilija Rexhepi.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosvës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ishin në të njëjtën linjë.

Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk e sheh të nevojshme urgjencën për miratim të buxhetit dhe nëse deputetët kanë më shumë kohë, ata mund të propozojnë alternativa që mund të ndikojnë pozitivisht në projektligj.

Ai tha se buxheti i propozuar për vitin 2026, “është buxhet që menaxhon status quo-në” dhe se shpenzimet e rritura për subvencione dhe transfere, e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme.

Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkoi që në buxhet të reflektohen edhe ministritë e reja, si dhe të shpërfaqet ekspozeja e kryeministrit Albin Kurti, të cilën e shpalosi në ditën që u votua ekzekutivi.

Ai theksoi se projektligji për buxhetin nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vendit, Prishtinës – komunë nën drejtimin e LDK-së.

“Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave shumicë, atëherë edhe LDK-ja do të ridefinojë pozicionin e saj në relacion me çështjet që kërkojnë edhe numrat tonë në këtë Kuvend”, paralajmëroi Abdixhiku.

Ai nuk sqaroi se për cilat çështje e kishte fjalën, por votat e LDK-së mund të duhen për mandatin e ri të presidentit të Kosovës.

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani i skadon mandati më 4 prill, ndërsa 30 ditë më përpara Kuvendi duhet të votojë për emrin që do të ketë mandatin e ri.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se fakti që dokumenti për buxhetin është i njëjtë sikurse ai i tetorit të vitit të kaluar, tregon se ekzekutivi nuk ka bërë asnjë veprim për të sjellë një dokument tjetër, me ndryshime për buxhetin të bazuar mbi programin politik dhe rezultatin zgjedhor.

“Ne nuk e mbështesim këtë dokument. Ne e shohim të rëndësishëm. Këto dy tre ditë që i kemi përpara, deri të premten, nëse do të vazhdojmë që të mos kemi mundësi të japim asnjë amendament, unë propozoj që ne ta bojkotojmë procesin e diskutimit të buxhetit”, theksoi Tahiri.

Me projektligjin për buxhetin nuk u pajtua as Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Deputeti i saj, Igor Simiq, tha se në dokument “ekzistojnë shumë hapësira për komente negative dhe kritika”, në veçanti për buxhetet që ndahen për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat drejtohen nga kjo parti.

Çfarë tha Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha deputetëve të Kuvendit se rishikimi i buxhetit nuk mund të bëhet pa prezantuar planin e programit të Qeverisë.

Duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të partive opozitare, Kurti u tha atyre se duhet të pranohet se “nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tani kemi progres stabil”.

“Ne këtu u kritikuam se ky është buxhet i status quo-së. Pjesërisht besoj që u përgjigja me faktin se ne duhet ta sjellim njëherë programin qeveritar dhe më pastaj rishikimin e buxhetit”, tha Kurti.

Deputetët e kanë miratuar javën e kaluar propozimin e Qeverisë për zgjatjen buxhetore për muajin mars nga buxheti i vitit të kaluar.

Kjo zgjatje ka qenë e domosdoshme që të mos ketë ndërprerje në pagat e punëtore të sektorit publik dhe pagesave të tjera.

Qeveria e re, në krye me kryeministrin Albin Kurtin, i ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. gsh

Maqedonci i quan të “papërgjegjshme” deklaratat e gjeneralit serb për FSK-në

Kreu i ushtrisë serbe, gjenerali Millan Mojsilloviq, kishte thënë për gazetën Politika se fuqizimi dhe modernizimi i FSK-së kishte “karakter kërcënues” për serbët e Kosovës dhe se “nuk i kontribuon paqes”.

 

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka quajtur si “të pavërteta dhe të papërgjegjshme” deklaratat e kreut të ushtrisë serbe se shndërrimi në ushtri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të përbëjë kërcënim për komunitetin serb në vend.

Kreu i ushtrisë serbe, gjenerali Millan Mojsilloviq, kishte thënë për gazetën Politika se fuqizimi dhe modernizimi i FSK-së kishte “karakter kërcënues” për serbët e Kosovës dhe se “nuk i kontribuon paqes”.

Në një reagim në Facebook të hënën, Maqedonci i hodhi poshtë pretendimet e tij, duke thënë se FSK-ja është forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike.

Viteve të fundit, Kosova ka marrë ose blerë pajisje të ndryshme ushtarake kryesisht nga SHBA-ja, si dronët RQ-20 Puma, raketat Javelin dhe automjetet Humvee, në përpjekje për t’u ndërruar në ushtri.

“Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, tha Maqedonci.

Maqedonci nguli këmbë se mandati i saj “është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”.

Ai shtoi se deklaratat e tilla “synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet”.

Serbët përbëjnë rreth 3.31 % të popullsisë në Kosovë, sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2024.

FSK-ja, edhe sot, duhet të marrë leje nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, për të operuar në pjesën veriore të vendit, ku popullata shumicë është serbe.

Ky kufizim u vendos nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2013, përmes një letre të dërguar shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe mbetet në fuqi.

Ndërkohë, shndërrimi i FSK-së në ushtri paritet të përfundojë në vitin 2028, sipas planit, thanë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Tash për tash po zhvillohen kapacitetet ajrore, po forcohen regjimentet luftarake dhe po punohet për të plotësuar komponentin e rezervës me 3.000 pjesëtarë, pasi objektivi për 5.000 trupa të rregullta është arritur tashmë.

Gjithashtu, FSK-ja po përgatitet të bashkohet me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila është pjesë e planit për paqe në këtë rajon, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump./REL

Kuvendi ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, projektligji për buxhetin shqyrtohet të hënën

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi i Kosovës i ka ratifikuar të premten marrëveshjet e vendit me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, në vlerë të rreth 1 miliard eurove.

Deputetët nuk kanë arritur pajtueshmëri për projektligjin për buxhetin, andaj pas konsultimeve mes shefave të grupeve parlamentare, seanca është shtyrë për të hënën në orën 10:00.

Sipas projektbuxhetit, që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 është rreth 4 miliardë euro.

Nga shuma totale prej 3,955,595,904 miliardësh, 998 milionë euro janë ndarë për investime kapitale, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit, apo mbi 1.3 miliard euro, parashihet të shpenzohen për subvencione dhe transfere.

Mbi 980 milionë euro janë ndarë për pagat dhe shtesat e mbi 91 mijë punonjësve të sektorit publik. Mallrat dhe shërbimet do të kushtojnë 509 milion euro, kurse shpenzimet komunale mbi 35 milionë euro.

Partitë shqiptare në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e kanë kritikuar votimin e projektligjit për buxhetin, duke thënë se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta lexuar gjithë dokumentin.

Sipas tyre, për disa ministri as nuk është planifikuar buxhet.

Opozita ka kërkuar tri ditë shtesë për ta shqyrtuar projektligjin, si dhe e kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të jetë prezent në sallë për të diskutuar.

Deputetët opozitarë e kanë arsyetuar mosvotimin e tyre, duke thënë se një ditë më parë e kanë mbështetur propozimin e Qeverisë për zgjatjen buxhetore për muajin mars nga buxheti i vitit të kaluar.

Kjo zgjatje ka qenë e domosdoshme që të mos ketë ndërprerje në pagat e punëtore të sektorit publik dhe pagesave të tjera.

Ministri Murati e ka pranuar se disa ministri të reja nuk kanë buxhet, mirëpo e ka përmendur urgjencën e miratimit të projektligjit të ri dhe është zotuar se do të ketë ndryshime e rishikime të buxhetit gjatë javëve e muajve në vazhdim.

Marrëveshjet ndërkombëtare

Në nisje të seancës, deputetët janë pajtuar për një shmangie nga procedurat që parashihen nga Kuvendi për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për shkak të rëndësisë së miratimit të tyre sa më parë që është e mundur.

Marrëveshja e miratuar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian kap vlerën e 882 milionë eurove.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.

Plani synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.

Qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së sipas Planit të Rritjes përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumë-partiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.

Kuvendi i ka ratifikuar të dyja marrëveshjet e nevojshme për t’i siguruar fondet: atë që e mundëson paketën e planit dhe planin e reformave dhe tjetra për marrëveshjen e kredisë.

Kosova i ka ratifikuar edhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore. Afati i fundit për miratimin e një pjese të fondeve ka qenë pikërisht e premtja e 13 shkurtit.

Tri marrëveshjet parashohin programe në sfera të ndryshme:

  • njëra në vlerë të 90.3 milionë eurove është për financim të politikave zhvillimore, efektivitet fiskal, konkurrueshmëri dhe rritje të gjelbër,
  • dy tjerat, secila në vlerë në 18.6 milionë eurove parashohin forcimin e sistemit të shëndetësisë dhe edukimin në fëmijërinë e hershme, si dhe kujdesin për kapitalin njerëzor të Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se marrëveshjet me Bankën Botërore janë ndër më të favorshmet për vendin, pasi kanë normë interesi 0 për qind.

Për këto marrëveshje, dhe rrezikun e humbjes së këtyre fondeve, është folur gjithë vitin e kaluar, meqë Kosova ka qenë pa institucione funksionale për t’i çuar ato përpara.

Qeveria e re, në krye me kryeministrin Albin Kurtin, i ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për ish-krerët e UÇK: Haga të mbajë një proces gjyqësor të drejtë e të paanshëm!

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota një rezolutë. përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

R E Z O L U T A

Duke rikonfirmuar përkushtimin e plotë të Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues, përfshirë Amendamentin Nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar;

Duke rikujtuar qëllimin e këtij amendamenti dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të adresuar dhe demantuar akuzat e pabazuara që burojnë nga Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës [Dokumenti 12462] i 7 janarit 2011, të cilat as pas një dekade hetimesh ndërkombëtare nuk kanë përbërë bazë për t’u përfshirë në aktakuzat e ngritura kundër udhëheqësve dhe luftëtarëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;

Duke shprehur besimin e plotë në vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë sublime e historisë sonë të lavdishme, mbi të cilën qëndron Republika jonë dhe duke nderuar sakrificat e burrave dhe grave të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj, siç nënvizohet edhe në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës;

Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të saktësuara në Kushtetutën e Republikës sonë dhe në aktet e standardet ndërkombëtare;

Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me instrumente ndërkombëtare, si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

Duke e vlerësuar të domosdoshme që të ritheksohen detyrimet që rëndojnë mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ashtu si edhe mbi çdo institucion tjetër të Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e standardeve dhe parimeve kushtetuese e ndërkombëtare për administrimin e duhur të drejtësisë;

Kuvendi i Republikës së Kosovës

KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, që përmban standardet më të mira ndërkombëtare, lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
KËRKON nga shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që ta respektojnë marrëveshjen me Republikën e Kosovës, që gjykata të operojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e cila në brendi i ka të gjitha standardet më të mira ndërkombëtare. Shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të marrrin përgjegjësi, nëse shkelen këto të drejta.
INKURAJON të gjitha shtetet demokratike të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Haradinaj njofton për largimin nga udhëheqja e AAK-së

Radio Evropa e Lirë

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi se nuk do të kandidojë për udhëheqjen e partisë në zgjedhjet e brendshme partiake.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, Haradinaj tha se zgjedhjet partiake do të mbahen nga 20 shkurti deri më 6 qershor.

“Nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës”, tha Haradinaj, duke treguar se janë disa arsye për këtë vendim.

E para, tha ai, është koha e gjatë në udhëheqje, përkatësisht nga maji i vitit 2000, kur u themelua partia, por edhe rezultati jo i mirë i partisë në dy palë zgjedhjet e fudit më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025.

AAK në zgjedhjet e fundit arriti të siguronte gjashtë vende në Parlamentin e Kosovës.

Haradinaj njoftoi se deri tani, kandidaturën për kreun e ri të AAK-së e ka shpallur Ardian Gjini, por tha se mund të ketë kandidatura të tjera.

I pyetur nëse do të jetë kandidat për president, Haradinaj tha se nuk është.

Ndërkaq, për qëndrimin e partisë lidhur me votimin e Vjosa Osmanit për një mandat të dytë si presidente, Haradinaj tha se AAK-ja ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Haradinaj është zgjedhur deputet i legjislaturës së dhjetë që u konsititua një ditë më parë. Ndërkaq, në zgjedhjet e dhjetorit ai ishte kandidat i AAK-së për kryeministër.

Në të kaluarën, Haradinaj ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës.

 

Buxheti i Kosovës 2026 prej 4 miliardë euro dërgohet në Kuvend, parashikohet edhe paga e 13

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026.

 

Në mbledhjen e parë, Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se vlera totale e buxhetit arrin 4 miliardë euro. Janë dhënë shpjegime edhe për pagën e 13-të.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vlera e buxhetit është 4 miliardë euro.

“Sot po e riprocedojmë në Kuvend edhe projektligjin për buxhetin e viti 2026 të cilin e patëm miratuar në mbledhjen e 31 tetorit të vitit të kaluar. Është buxhet në vlerë prej 4 miliardë eurosh, ku për komunat e Kosovës parashihen 867 milionë euro”.

Ai ka thënë se ky buxhet e përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti dhe e cila sipas tij, do të paguhet sapo të hyjë në fuqi buxheti.

Kurti ka thënë se buxheti përmban edhe vlerën që mundëson rritjen e shtesës për 15 vjetët e para të përvojës së punës.

Ai ka theksuar se paga e 13 për punëtorët e sektorit publik, do të paguhet sapo të hyjë në fuqi Ligji për Buxhetin.

“Ky buxhet e përmban edhe pagën e 13 për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti, pagë e cila do të paguhet sapo të hyjë në fuqi Ligji i buxhetit”.

Shtesat për fëmijë, Kurti deklaroi se do të shkojnë në 90 euro, për çka tha se me këtë rritje Kosova do i lë prapa edhe disa vende të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, ai premtoi edhe rritje të shtesave për nënat lehona.

“Shtesat për fëmijë janë sot 30-45 euro për fëmijë, ndërkaq mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë ato. Pra nga zero sa i gjetëm në 45, dhe mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për familjet me tre e më shumë fëmijë… Edhe shtesat për nënat e reja lehohnat do t’i rrisim nga 500 euro në muaj për gjashtë muaj”.

Përgjatë mandatit të kaluar, Kurti tha se si Qeveri kanë shtuar punësimin, me fokus rininë dhe gratë. Ai bëri me dije se do të krijohet platforma “Superpuna” edhe për gratë.

“Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar, me fokus te rinia dhe gratë si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes të ngriten, duke rritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat gjatë këtij mandati që po e përmbyllim tash kanë shënuar rritje mesatare prej 47%”.

Ndërkohë ministri i financave Hekuran Murati ka thënë se në vlerën prej 4 miliardë euoshe, të hyra buxhetore janë 3.64 miliardë euro. Pjesa tjetër ka thënë se financohet nga huamarrjet dhe metodat e tjera të deficitit.

Murati ka thënë se për shkak të ndryshimit të dikastereve do të nevojitet një rishikim, por se për shkak të urgjencës ai to të procedohet në Kuvend dhe pastaj do të rishikohet.

Ministri i Financave ka shpjeguar se paga e 13-të, të cilën edhe e kishin premtuar do ta marrin punëtorët e sektorit publik të cilët kanë marrë 12 paga, ndërsa ata që sapo kanë filluar do të mund të përfitojnë nga kjo vetëm pasi të arrijnë tek paga e 12-të.

“Kjo parashihet që paga e 13-të vjen për ata që i kanë marrë 12 paga. Me fjalë të tjera, nëse dikush ka filluar rishtazi do ta marrë pagën e 1-të në vitin e ardhshëm. Kështu që kjo është e paraparë që paga e 13-të paguhet për punëtorët që marrin pagë nga buxheti i shtetit, por që kanë punuar së paku 12 muaj, para se të paguhet paga e 13-të”.

Kabineti i ri qeveritar në mbledhjen e parë pas zgjedhjes, ka miratuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore).

Kjo marrëveshje prek vlerën e 90.3 milionë eurove, ndërsa siç tregoi ministri i Financave, Hekuran Murati, periudha e kthimit është 12 vjet.

“Periudha e kthimit është 12 vjet, norma e interesin zero për qind. Konsideruar rëndësinë e marrëveshjes dhe kushtet e mira financiare ju ftoj ta miratojmë për ta proceduar në Kuvend për ratifikim”./Monitor.al

Vendosja e doganës së Kosovës në Durrës- Rriten me 25% volumet e mallrave drejt Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare theksoi se vendosja e Zyrave të Doganës së Kosovës pranë Doganave të Shqipërisë në Portin e Durrësit dhe Porto Romano ka rritur me 25% volumet e tregtisë nga portet e Shqipërisë drejt Kosovës.

Në takimin e parë zyrtar si Drejtor i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, priti Drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, duke konfirmuar partneritetin efikas mes dy doganave.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare theksoi se vendosja e Zyrave të Doganës së Kosovës pranë Doganave të Shqipërisë në Portin e Durrësit dhe Porto Romano ka rritur me 25% volumet e tregtisë nga portet e Shqipërisë drejt Kosovës.

Prania e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit u vlerësua nga të dy palët si një vlerë e shtuar strategjike, e cila ka kontribuar drejtpërdrejt në lehtësimin e procedurave doganore, rritjen e efikasitetit operacional dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset dhe operatorët ekonomikë në të dy anët e kufirit.

Në eksport, volumi i mallrave të eksportuara drejt Kosovës gjatë vitit 2025 u rrit me 6%, duke arritur mbi 1 milion e 21 mijë ton dhe ka zënë një peshë specifike prej 26.345% ndaj peshës totale të eksporteve tona drejt të gjitha vendeve. Kryesisht drejt Kosovës gjatë vitit 2025 janë eksportuar çimento, stuko xhami, stuko transplantimi, çimento me rezinë, përbërje stukuese dhe mastikë të tjera; mbushje që përdoren në piktura; preparate jo refraktare sipërfaqësore për fasada, mure të brendshme, dysheme, tavane të brendshme apo të ngjashme me to, etj.

Në fjalën e tij, z. Beja theksoi se proceset e dixhitalizimit të shërbimeve doganore mbeten një prioritet strategjik për Administratën Doganore Shqiptare, pasi kontribuojnë në rritjen e transparencës, thjeshtimin e procedurave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj bizneseve. Ai nënvizoi se shkëmbimi elektronik i të dhënave dhe zhvillimi i sistemeve të përbashkëta dixhitale do të vijojnë të jenë në fokus, në funksion të përshpejtimit të proceseve, forcimit të kontrollit dhe luftës kundër paligjshmërisë.

Drejtori i Doganës së Kosovës vlerësoi se hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit përbën një arritje të jashtëzakonshme për ekonominë e Kosovës, pasi mundëson përpunim më të shpejtë të mallrave, kursen kohë dhe ul ndjeshëm kostot për bizneset, duke rritur konkurrueshmërinë e tyre dhe duke krijuar lehtësi konkrete për operatorët ekonomikë kosovarë.

Në këtë kuadër, u theksua se procedurat e përshpejtuara dhe funksionimi i pikës unike “One Stop Shop” në Morinë kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e volumit tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe në rritjen e fluksit të pasagjerëve, duke reflektuar drejtpërdrejt në lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Lehtësitë procedurale dhe ulja e kostove janë ndjerë konkretisht nga bizneset dhe tregtarët, çka ka sjellë reduktim të kohës së pritjes, ulje të kostove financiare dhe rritje të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve./Monitor.al

Mbledhja përuruese e Qeverisë së re të Kosovës

 

 

Prishtinë, 12 shkurt 2026

 

Qeveria e re e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen përuruese dhe njëherësh mbledhjen e parë, në të cilën ka:

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Qëllimi i kësaj marrëveshje është krijimi i bazës së nevojshme ligjore, që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian, në vlerë prej 882.6 milionë euro, që ofrohen brenda këtij instrumenti për reforma dhe rritje;

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “ Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore);

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja ka për qëllim përshpejtimin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, integrimit ekonomik rajonal, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në, duke plotësuar fondet e instrumentit të para anëtarësimit (IPA);

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë. Kjo marrëveshje është mbështetje ndaj sektorit shëndetësor në Kosovë si pjesë edhe e programit qeverisës. Ka vlerën 18.6 milionë euro, dhe kushtet janë të ngjashme sikurse ajo për edukimin në fëmijërinë e hershme;

 

–           Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “ Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës. Ministria e Financave bashkë me Bankën Botërore, ka nënshkruar marrëveshjen e kredisë për projektin Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesin për Kapitalin Njerëzor në Kosovë;

 

–           Miratuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, në vlerë prej rreth 4 miliardë euro;

 

–           Miratuar kërkesën ndaj Kuvendit, që përmes një vendimi të autorizojë zgjatjen e zbatimit të Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal, edhe për muajin mars 2026./Zyra e Kryeministrit

Osmani anulon shkuarjen në Munih, Kurti sinjalizon gatishmërinë për diskutime për presidentin

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Munih, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Si arsye për anulimin e vizitës janë përmendur angazhimet institucionale dhe prioritetet që lidhen me zhvillime brenda vendit.

Konferenca e Sigurisë në Munih i mban punimet këtë vit më 13-15 shkurt në qytetin gjerman. Ajo konsiderohet konferencë me nam, për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë të niveleve më të larta.

Paraprakisht ishte raportuar se përveç Osmanit, në këtë konferencë do të merrnin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Në nivel botëror, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bashkë me një delegacion të nivelit të lartë.

Vendimi i marrë nga Osmani vjen një ditë pasi Kosova është bërë me Qeveri të re në krye me Albin Kurtin.

Qeveria është zgjedhur më 11 shkurt, në të njëjtën ditë që është konstituuar Kuvendi i Kosovës.

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.

Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në ditët e para është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që ka Kosova me BE-në dhe Bankën Botërore. Të gjitha së bashku kapin vlerën e rreth 1 miliard eurove.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar në mbledhjen e mbajtur në paraditen e së enjtes se pas votimit të buxhetit të shtetit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, atëherë fokusi kthehet te çështja e pozitës së presidentit.

“Sa të përfundohen këto [marrëveshjet], jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet e tjera politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka thënë hapur se synon edhe një mandat në krye të shtetit.

Ende nuk dihet nëse emri i saj do të propozohet në Kuvend dhe nëse do t’i ketë vojtat e nevojshme.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë.

Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, presidentja Osmani ka thënë se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.

Kurti prezanton para deputetëve kabinetin e ri qeveritar, Konjufca ministër i Jashtëm, Gërvalla e Drejtësisë! Prioritetet: Investim 1 mld euro në mbrojtje

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kabinetin e ri qeveritar të kryesuar nga Albin Kurti. Në kabinetin e ri, Glauk Konjufca është Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka Zëvendëskryeministër për çështje të pakicave dhe bashkëpunim.

 

Kabineti përfshin gjithsej 21 ministri, mes të cilave Financat (Hekuran Murati), Mbrojtja (Ejup Maqedonci), Shëndetësia (Arben Vitia), Arsimi (Hajrulla Çeku), dhe Kulturë e Turizëm (Saranda Bogujevci).

Gjatë ekspozesë së tij para deputetëve, Kurti prezantoi prioritetet kryesore të qeverisë së re. Ai premtoi një investim prej 1 miliard eurosh në mbrojtje, përfshirë rekrutimin e ushtarëve të rinj, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”.

Qeveria e re synon gjithashtu investime të mëdha në energji të ripërtërishme, përmirësim të arsimit, rritje të mbështetjes për punësimin e grave, kujdes ndaj gjyshërve, dhe rritje të pagës minimale. Në shëndetësi, çdo qytetar do të ketë mjek familjar dhe një kontroll vjetor, ndërsa buxheti për barnat esenciale do të arrijë 100 milionë euro.

Kurti bëri një bilanc të mandatit të kaluar, duke theksuar përparimin në ekonomi, forcimin e bizneseve, rritjen e mirëqenies sociale dhe stabilitetin institucional. Ai gjithashtu foli për procesin në Hagë ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, duke e cilësuar si një përpjekje që bie ndesh me të vërtetën historike.

Presidentja Vjosa Osmani caktoi Albin Kurtin si mandatar për formimin e qeverisë, ndërsa deputetët e Kuvendit votuan kabinetin e ri, duke shënuar fillimin e një mandati të ri qeverisës në Kosovë.

Kabineti i prezantuar qeveritar:
Kryeministër Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri

Albulena Haxhiu zgjidhet Kryetare e Kuvendit të Kosovës

Albuena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, u zgjodh kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Tashmë deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 10-të kanë votuar pro kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Pas votimit, kryetare e Kuvendit të Kosovës është zgjedhur Albulena Haxhiu.

Ajo ka arritur që të merr vota 66 pro nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kundër kanë votuar LDK-ja dhe PDK-ja dhe pakiva serbe ndërsa AAK-ja ka abstenuar.

Kujtojmë se Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare në Kosovë nga LVV-ja.

Pas zgjedhjes së Haxhiut në krye të Kuvendit të Kosovës sipas rendit të ditës rradha është për të votuar në pako nënkryetarët e Kuvendit.


Send this to a friend