Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se veprimet e Kosovës në aspektin e zbatimit të Ligjit për të huajt janë plotësisht në pajtim me përgjegjësitë e një shteti sovran – për të mbikëqyrë popullatën e vet – në përputhje me standardet evropiane.
“Nuk mund të kemi standarde të dyfishta. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Si i tillë ka përgjegjësi ndaj qytetarëve të vet, por edhe kundër organeve të BE-se. Asnjë shtet anëtar i OKB-së nuk lejon të huajt e padokumentuar që të mbeten aty”, – ka thënë ai.
Konjufca është shprehur se Ligji për të Huajt në Kosovë ka për qëllim të përmirësoj shërbimet publike për qytetarë në Kosovë.
“Serbët që punojnë në institucione shëndetësore arsimore që nuk menaxhohen nga institucionet e Kosovës, e që posedojnë dokumente nga strukturat serbe, obligohen të aplikojnë brenda 12 muajve për të marr lejen e qëndrimit. Ligji nuk është diskriminues e as preferues ndaj ndonjë komuniteti. Është ligj me standarde evropiane. Por s’mund të lejojmë paralelizma sepse është në kundërthënie në sundimin e ligjit dhe rendin kushtetues”, – ka thënë Konjufca.
Ai ka folur edhe për krime të luftës.
Sipas tij, ndryshe nga Serbia që i ka ndalur ndjekjet penale të personave për krime lufte në juridiksionin e vet, Kosova është e përkushtuar të ballafaqohet me të kaluarën.
“Institucionet tona gjyqësore kanë një strategji të bazuar në të drejtën e viktimës dhe i ndjekin këto krime pa marr parasysh etninë e kryerësve dhe në pajtim me standardet më të larta të drejtësisë. Kemi qindra raste”, – ka thënë Konjufca.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, në fund të mbledhjes së KS të OKB-së, ka shprehur pakënaqësinë në lidhje me përbërjen e Qeverisë së Kosovës.
“Kemi inkurajuar, kemi mbështetur tranzicionin, kalimin paqësor të pushtetit në veri të Kosovës, por nuk jemi të kënaqur me faktin që serbët nuk janë përfshirë në Qeveri në përputhje me Kushtetutën”, – ka thënë ai, duke u ankuar se serbët në Kosovë, etiketohen vazhdimisht si ‘të tjerët’.
19:07- Mbretëria e Bashkuar kërkon nga Serbia të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë
Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jennifer MacNaughtan, ka thënë se vendi i saj e mbështet rrugëtimin euroatlantik të Kosovës si shtet demokratik dhe ka inkurajuar shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë.
“I inkurajojmë ato shtete që ende nuk e kanë bërë [njohjen], që t’i bashkohen shumicës. Siç e ka theksuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë shkelje e të drejtës ndërkombëtare. Njohja është thelbësore për stabilitet afatgjatë”, ka thënë MacNaughtan.
Ajo ka shtuar se vendi i saj e vlerëson procesin zgjedhor në Kosovë.
“Inkurajojmë një proces për zgjedhjen e Presidentit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kthimi i kryetarëve në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është gjithashtu një hap i mirëseardhur”, ka thënë ajo.
MacNaughtan ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të zgjidhin mospajtimet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“E mirëpresim themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur dhe marrëveshjen e BE-së për zbatimin e Ligjit për të huajt. Pas sulmit në Banjskë, përsërisim thirrjen ndaj Serbisë që të luajë rolin e saj për të ulur tensionet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë, përfshirë Milan Radoiçiqin. Bëjmë thirrje për llogaridhënie edhe për sulmet kundër KFOR-it dhe personelit të Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023”, tha ajo
18:08- Mesazhi për Kosovën dhe Serbinë nga SHBA: rruga e vetme përpara është normalizimi i marrëdhënieve
Përfaqësuesja e SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit, ka përsëritur qëndrimin se SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Tammy Bruce, kjo paqe mbetet e rëndësishme për të dyja vendet dhe për një të ardhme më të mirë të shteteve të Ballkanit.
“E vlerësojmë faktin se populli i Kosovës dhe Serbisë janë miqtë tanë. Ata meritojnë një të ardhme që përkufizohet nga siguria, mundësitë ekonomike e marrëdhëniet fqinjësore, e jo me tensione politike apo me probleme të ricikluara shoqërore”, – tha Bruce.
Ajo ka dhënë edhe një mesazh për të dy ministrat e këtyre vendeve, Kosovës dhe Serbisë.
“Një mesazh për Gjuriqin dhe Konjufcën, është i thjeshtë: rruga e vetme përpara është normalizimi. Presidenti Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Ne shpresojmë që Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq të ulin ‘temperaturën’ dhe të angazhohen për këtë”, – ka thënë ajo.
Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Tammy Bruce ka përsëritur qëndrimin amerikan se misioni i UNMIK-ut duhet të përfundojë.
“UNMIK-u është krijuar më 1999 në bazë të Rezolutës së këtij Këshilli, 1244. Ka qenë moment tjetër, Kosova ka qenë vend tjetër nga sot… Nuk ka arsyetim që në vitin 2026 Kosova të trajtohet sikur të ishte në vitin 1999. Sot KFOR-i, Eulex-i dhe NATO sigurohen që të ruhet siguria në rajon”, – ka thënë tutje Bruce.
17:55- Konjufca: Raporti i UNMIK-ut trajton pamjaftueshëm rastin e sulmit në Banjskë
Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme, ka theksuar në KS të OKB-së se Kosova përpiqet që të ofrojë siguri në pjesën veriore të vendit për të gjithë qytetarët e saj.
“Përpjekjet e Kosovës për të ofruar siguri në pjesën veriore dhe për të adresuar kërcënimet kanë për synim që të ofrojnë stabilitet për të gjithë qytetarët. Në këtë frymë ne kemi marr masa për të integruar institucionet arsimore e shëndetësore komunale nëpër vendet e banuara me shumicë serbe në shërbime nga Qeveria e Kosovës”, – ka thënë ai.
Sipas Konjufcës, Kosova ka një ndër kornizat më moderne për mbrojtën e pakicave në Europë.
“Mbetet shqetësuese që Serbia me aktorë të tjerë keqdashës vazhdon t’i kthejnë në armë të drejtat e pakicave dhe të eksploatojnë natyrën shumëetnike të Kosovës për të promovuar përçarje, duke minuar edhe institucionet tona por edhe bashkëjetesën paqësore. Raporti përmend shumë shkurt zbulimin e armatimeve të paligjshme në këtë pjesë, por që nuk i vlerëson në mënyrë adekuate, përpjekjet e Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera qeveritare, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të vendit tonë”, – ka thënë Konjufca.
Ndonëse raporti i UNMIK-ut përmend edhe disa incidente në veri të Kosovës që janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës, sipas Konjufcës ky raport harron të përmend edhe kërcënimin hibrid të Beogradit për të penguar paqen dhe integrimin e komunitetit serb.
“Në veçanti raporti trajton pamjaftueshëm rastin e sulmit të armatosur terrorist në Banjskë, që mbetet shqetësim i madh për ne. Si BE, si NATO, si Kosova kanë bërë thirrje të vazhdueshme për llogaridhënie. Beogradi i ka trajnuar e tani po i mbron kryerësit kryesor të këtij akti terrorist, duke përfshirë Milan Radoiçiq, që në atë kohë ka qenë nënkryetar i Listës Serbe” – ka shtuar tutje Konjufca për rastin e Banjskës.
17-36- Konjufca i bën thirrje Serbisë ta njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia nuk është e interesuar të anëtarësohet në BE, por po përpiqet të minoj stabilitetin në rajon.
Ai ka thënë se Kosova është shtet paqedashës dhe asnjëherë nuk ka ndërhyrë në politikat e një vendi tjetër, aq më pak, në politikat e brendshme të një shteti tjetër.
“Përkundër agresionit të Serbisë dhe kërcënimeve hibride ndaj shoqërisë dhe institucioneve të saj, Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet e veta ndërshtetërore – fqinjësore. Megjithëkëtë pengesa ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve, mbetet Serbia, që as nuk është e interesuar të normalizoj marrëdhëniet me Kosovën e as t’i bashkohet BE-së”, – ka thënë Konjufca.
Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të ballafaqohet me realitetin dhe ta njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, e jo ta mbajë peng gjithë shoqërinë dhe gjithë rajonin.
17:25 – Konjufca: Nuk mund t’i besojmë Serbisë
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se demokracia në Kosovë është stabile.
“Kemi institucione funksionale, arritje ekonomike, politike dhe polici profesionale e siguri. Kemi mbajtur edhe zgjedhje të lira e demokratike në nivel lokal dhe atë qendror, duke shfaqur edhe njëherë që Kosova ka ndërtuar institucione demokratike e të pavarura që kanë aftësi për të ruajtur stabilitetin”, – ka thënë Konjufca.
Ai shtoi se Qeveria e sapoformuar do të vazhdojë me programin e saj me reformat e thella për ta bërë Kosovën edhe më të sigurt dhe më të integruar në botën e gjerë.
Megjithatë, sipas tij, Beogradi ka vazhduar të luaj rolin destruktiv duke u përpjekur që të ndërhyjë në zgjedhje dhe duke u përpjekur për mbështetje të Listës Serbe në këto zgjedhje.
“…duke synuar që ta pasqyroj regjimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja, kemi arritur ta ruajmë integritetin e institucioneve tona”, – ka thënë tutje ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës.
Ai theksoi se është e domosdoshme që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Konjufca ka thënë se raporti i UNMMIK-it nuk e trajton mjaftueshëm sulmin terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s.
“Si Kosova ashtu edhe BE-ja ka bërë thirrje për vendosjen e llogaridhënies për këto tri vjet. Beogradi i ka trajnuar, e tani i mbron kryerësit e këtij akti terrorist”, ka thënë Konjufca.
“Nuk mund t’i besojmë Serbisë…”, ka thënë ai.
17:14- Gjuriq kërkon që UNMIK-ut t’i vazhdohet mandati
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se prania e UNMIK-ut, garanton siguri për paqen, stabilitetin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut të serbëve në Kosovë.
“Në një kohë kur po bëhen thirrje për të ulur buxhetin e UNMIK-ut dhe për të ndryshuar mandatin e tij, Republika e Serbisë dërgon një mesazh të qartë dhe të padyshimtë: prania dhe roli i këtij misioni nuk duhet të dobësohen, ai duhet të forcohet. Më lejoni të jem absolutisht i qartë në rrethanat aktuale, UNMIK-u nuk është vetëm i rëndësishëm, ai është i domosdoshëm”, – ka thënë Gjuriq.
Ai ka thënë se Republika e Serbisë mbetet e vendosur për të mbështetur një rol të tillë.
“Çdo diskutim rreth së ardhmes së tij duhet të udhëhiqet rreptësishtë nga realitetet në terren, jo nga supozime që mund të mos përputhen me përvojën e jetuar të komuniteteve. Në një kohë të pasigurisë globale në rritje dhe krizave të shumëfishta në rajone të ndryshme, është veçanërisht e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit të mbetet i ankoruar në fakte”, – ka thënë Gjuriq.
Ai ka deklaruar se marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk po zbatohen.
17:00- Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i OKB-së është mbledhur të enjten më 09.04.2026, për të diskutuar për situatën në Kosovë.
Udhëheqësi i misionit të UNMIK-ut, Peter Due, ka paraqitur para këtij Këshilli, raportin e fundit për Kosovën.
Gjatë raportimit, ai ka ngrehur nevojën që sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.
Due ka thënë se OKB-ja është e gatshme për bashkëpunim me Beogradin dhe Prishtinën që kryesitë e atyre akteve të mbahen përgjegjës.
Ndonëse ka folur edhe për zgjedhjet në fund të dhjetorit 2025 në Kosovë, por theksi kryesor sipas tij qëndron tek zgjedhja e Presidentit duke thënë se do të kapërcehen të gjitha dallimet dhe të zgjidhet presidenti
“Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve”, ka thënë ai.
Më pas, ai e ka cilësuar si pozitive rikthimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në pozitat e kryetarëve në veri.
“Në veri të Kosovës, rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe shënoi një hap të rëndësishëm drejt riangazhimit në institucionet lokale. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë pa sfida,” theksoi ai.
Shefi i UNMIK-ut e ka vlerësuar si pozitive edhe gjetjen e zgjidhjes për çështjen e zbatimit të Ligjit për të huajt.
Në raportimin e tij, ai ka bërë thirrje edhe për ruajtjen e pavarësisë së gazetarëve.
Kosova po përfaqësohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca./Kallxo