Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ai dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë “shumë, shumë larg” arritjes së ndonjë marrëveshjeje të mundshme politike për formimin e institucioneve të reja të vendit, pas zgjedhjeve të qershorit.
Duke folur për media pas një takimi me Kurtin të premten, Abdixhiku tha se mospajtimet kryesore mes tyre kanë të bëjnë me postin e presidentit.
“Pra, LDK ka kërkuar që ne ta propozojmë emrin e presidentit, në këtë pikë nuk kemi pasuar pajtueshmëri”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku paralajmëroi se partia e tij nuk ka vullnet për vazhdimin e bisedimeve, nëse nuk i jepet mundësia ta propozojë kandidatin për president.
“Përfaqësimi i vetëm që mund të mbetet është një përfaqësim nga LDK-ja, një emër që e bisedojmë bashkërisht me LVV… nëse kjo nuk mund të arrihet, atëherë me keqardhje them se LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tepër për bisedime e takime”, shtoi ai.
Ai tha se oferta e deritanishme që LDK-ja ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, atë të zëvendëskryeministrit dhe disa Ministri, “nuk është e mjaftueshme për të dhënë zgjidhje”.
Takimi mes tyre – i katërti deri tani – u zhvillua disa orë para se të përfundojë afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Një ditë më parë, Kurti kërkoi nga kryesuesi Avni Dehari, për të shtyrë seancën konstituive të Kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë për një marrëveshje politike që do të jepte një zgjidhje për çështjen e presidentit.
Por, Abdixhiku e përsëriti se sot duhet të ketë seancë konstituive dhe Kosova të ketë kryeparlamentar dhe nënkryetarë kuvendi brenda afatit kushtetues.
LDK së voni ka bërë publik qëllimin se e dëshiron postin e presidentit, teksa Kurti ka insistuar se presidenti i ri duhet të jetë një figurë konsensuale dhe jopartiake.
Vëzhguesit politikë i thanë REL-it se LVV-ja dhe LDK-ja duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve.
Dy partitë e tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca nuk kanë pranuar të hyjnë në negociata me Kurtin, duke shprehur qëndrimin se duan të jenë në opozitë.
Më herët gjatë ditës, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një shkrese, refuzoi sërish takimin me Kurtin. Ai i është përgjigjur pozitivisht vetëm ftesës së parë të Kurtit dhe pas takimit të tyre më 10 korrik, Hamza deklaroi se partia e tij do të mbetet në opozitë.
Aleanca, ndërkaq, ka refuzuar të gjitha ftesat për takim, duke argumentuar se veçse ka paraqitur disa pika për LVV-në, të cilat nëse përmbushen, Kurti do të ketë shtatë votat e Aleancës për formimin e institucioneve.
Pas shtyrjes së seancës konstituive më 6 gusht, organizatat joqeveritare në Kosovë bënë thirrje për respektimin e afatit kushtetues për formimin e institucioneve, teksa mirëpritën bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Ndërkaq, ambasadat e akredituara në Kosovë bënë thirrje që Kosova sa më shpejt të ketë institucione me mandat të plotë, në mënyrë që të vazhdohet me agjendën e reformave evropiane.
Nëse partitë nuk arrijnë një ujdi për krijimin e institucioneve, atëherë vendi rrezikon të mbajë zgjedhje të reja – që do të ishin të katërtat në gati dy vjet.

