VOAL

VOAL

Juncker: Do të ketë prapë luftë në Ballkan nëse shpërbëhet BE-ja

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar nënpresidentin amerikan, Mike Pence, për mundësinë e një lufte të re në Ballkanin Perëndimor, nëse shpërbëhet Bashkimi Evropian.

Pence ka qëndruar në Bruksel më 20 shkurt, por detajet e bisedës, Juncker i ka zbuluar në një intervistë për gazetën Financial Times, të publikuar të premten.

Administrata e re amerikane, me në krye presidentin Donald Trump, ka vlerësuar disa herë se largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja, do të nxisë edhe vende të tjera të braktisin bllokun.

“I kam thënë (v.j. nënpresidentit Pence): Mos i ftoni të tjerët të largohen, sepse nëse BE-ja kolapson, do të keni luftë tjetër në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Juncker për Financial Times.

“Mundësia e vetme për këtë pjesë të torturuar të Evropës është të ketë perspektivë evropiane. Nëse i lëmë vetëm – Bosnjën dhe Hercegovinën, Republikën Sërpska, Maqedoninë, Shqipërinë, të gjitha këto vende – do të kemi prapë luftë”, ka thënë Juncker.

Marine Le Pen të premten do të vizitojë Moskën

Kandidatja për presidente e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen të premten do të vizitojë Moskën, ku pritet të bisedojë për bashkëpunimin në mes të Francës dhe Rusisë si dhe për luftën kundër terrorizmit.

Agjencia e lajmeve Interfax raporton se ftesa për vizitën njëditore, të Le Pen, vetëm një muaj para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, është bërë nga kreu i komitetit të jashtëm të Dumës Shtetërore, Leondi Slutsky.

Partia e Frontit Kombëtar e Le Pen e ka konfirmuar vizitën.

Raportet e Le Pen me Rusinë kanë qenë temë e debatit gjatë fushatës zgjedhore, pasi një pjesë e madhe prej 9.7 milionë dollarësh, partia e saj, Fronti Kombëtar i kishte marrë nga një bankë ruse më 2014.

Ajo hapur përkrah presidentin rus Vladimir Putin dhe ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë.

Sipas sondazheve në Francë, Le Pen pritet të arrijë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku me gjasë ajo do të përballet ndaj Emmanuel Macron për postin e presidentit.

Steinmeieri zyrtarisht në postin e presidentit të Gjermanisë

Ceremonia në Bundestagun gjerman u ndoq nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i deritanishëm Joachim Gauck

BERLIN – Ish-shefi i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier, të mërkurën zyrtarisht ka marrë postin e presidentit të vendit.

Steinmeier bëri betimin zyrtar në Parlament, me çka dhe zyrtarisht filloi mandati i tij në funksionin e presidentit, ndërkohë që ceremonia në Bundestagun gjerman u ndoq nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i deritanishëm Joachim Gauck.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Steinemeier u ndal edhe te marrëdhëniet Gjermani-Turqi, ku u shpreh i lumtur nga ulja e tensioneve, ndërkohë që porositi se duhet tu vihet fund deklaratave të zyrtarëve turq të cilët krahasojnë zhvillimet aktuale me neonazizmin. aa

Belgjikë: Përkujtohen viktimat e sulmeve terroriste

Pjesëmarrës në përkujtimin e viktimave të sulmeve terroriste në aeroportin Zaventem në Bruksel

Në Belgjikë sot me një moment të heshtjes janë përkujtuar viktimat dhe është shënuar njëvjetori i dy sulmeve terroriste nga të cilat janë vrarë 32 vetë.

Në këtë ceremoni të përkujtimit në aeroportin Zaventem në Bruksel, të pranishëm ishin Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde, së bashku me kryeministrin, Charles Michel, dhe qindra pjesëmarrës të tjerë.

Para një viti, në këtë aeroport dy sulmues vetëvrasës i vranë 16 vetë në një terminal përplot me njerëz.

“22 marsi përgjithmonë do të mbetet në zemrat tona… ne qëndrojmë këtu të bashkuar”, tha një zyrtar i aeroportit, pasi i lexoi emrat e tarye që u vranë nga këto sulme.

Pastaj, Mbreti dhe Mbretëresha udhëtuan me tren në stacionin e metros Maelbeek, në qendër të Brukselit, për tu bashkuar me një grup tjetër që i përkujtonte viktimat e sulmit të dytë vetëvrasës në një tren, po të njejtën ditë, me ç’rast u vranë 16 vetë të tjerë.

Në këto sulme ishin plagosur më se 320 persona.

Hetuesit e Belgjikës thanë se këto sulme ishin kryer nga Shteti Islamik, nëpërmjet rrjetit që kishte dorë në sulmet në Paris, në nëntor të vitit 2015, nga të cilat u vranë 130 vetë.

Ish-ministri britanik shuplakë Bashës: Ballkani nuk rrezikohet nga Rusia, por nga politikanë populistë si ai. Qendrimet e Bashës, të pazakonta

Ish-ministri britanik shuplakë Bashës: Ballkani nuk rrezikohet nga Rusia, por nga politikanë populistë si ai. Qendrimet e Bashës, të pazakonta

Denis MacShane, ish-ministër për Europën në Britani gjatë qeverisjes së Tony Blair, ka bërë një shkrim për Ballkanin dhe Shqipërinë në portalin e njohur të Brukselit, EurActiv.

Ai shkruan se Ballkanit nuk i vjen kërcënimi nga Rusia, por nga politikat populiste alla-Trump.

MacShane shkruan se Basha dhe Partia Demokratike kanë refuzuar të votojnë propozimet për reformën në drejtësi dhe ligjet e vetingut.

“Shqipëria pritet të votojë në verë kur kryeministri pro-perëndimor dhe pro-BE, Edi Rama do kërkojë rizgjedhjen. Politika shqiptare në 20 vitet përpara se Rama të marrë një fitore të qartë në vitin 2013, është dominuar nga i zhurmshmi Sali Berisha dhe Partia e tij Demokratike. Nën sundimin e tij, ka pasur skandale të pafundme financiare, përfshi çështjen e piramidave dhe vendi u bë sinonim i korrupsionit, ndërkohë që mijëra shqiptarë emigruan në veri”.

Në shkrim autori thekson se Lulzim Basha i ka quajtur broçkulla ose “bullshit” komentet e kryediplomates së BE, Federica Mogherini, e cila kërkoi që të votohet vetingu.

“Populizmi i ashpër alla-Trump i Bashës është i pazakontë. 42-vjeçari, i edukuar në Holandë, ka punuar për OKB-në në Kosovë. Nën qeverisjen e Berishës, ai ka mbajtur poste të larta si ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm dhe shihej nga PPE si tipi i ri i politikanit europian në Ballkan. Por tani politika e stilit të vjetër po kthehet në Ballkan dhe Basha, me dëshirën për të zëvendësuar Ramën, duket i vendosur që të luajë në rrugë dhe me mosbashkëpunimin parlamentar në vend të normave europiane”.

Shkrimi i MacShane vjen në kohën kur Britania, edhe pse ka votuar për të dalë nga BE, ka paralajmëruar një samit me Ballkanin Perëndimor në vitin 2018.

Artikulli i plotë i botuar në EurActiv:

Riballkanizimi dhe deeuropianizimi i politikave të ballkanit perëndimor po përshpejton shumë axhendën e politikave të jashtme të BE-së.

Pavarësisht zbulimeve të shumta në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në shtete si Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi si dhe mbështetja ndërkombëtare diplomatike e Kremlinit ndaj Beogradit në fushatën për të bindur botën që Kosova është thjesht një provincë e Serbisë, problemi i vërtetë është refuzimi i lidërve të Ballkanit për të pranuar qëndrimin në fuqi të marrëveshjes së shekullit të 21 që pasoi fundin e dekadës së luftërave të nisura nga Milosheviçi.

Në Maqedoni, lideri i partisë popullore eruropiane, Nikola Gruevski , që qëndron në fuqi prej një dekade, nuk do të pranojë që ka humbur zgjedhjet dhe duhet t’i dorëzojë pushtetin një koalicioni të një partie të moderuar socialdemokrate dhe partnerit të tij shqiptar në Maqedoni. Shqiptarët përbëjnë 25% të populatës multietnike të Maqedonisë.

Në Kosove, partia ultra- nacionaliste Vetevendosje që refuzon çdo bashkëbisedim me Serbinë (dhe një tjetër partie më të vogël të udhëhequr nga Ramush Haradinaj) po bllokojnë përpjekjet e qeverisë Kosovare për të zgjidhur çështjen e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi.

Bashkimi Europian ka thënë se politikanët Kosovarë duhet të vendosin në lidhje me çështjen e kufirit si kusht për nisjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave. Askush nuk jeton në rajonin malor përveç disa deleve por një shumicë prej dy të tretash nevojitet në Kuvendin Kombëtar të Kosovës për të arritur në një marrëveshje, kështu që partitë kundërshtare luajnë lojëra.

‘Rusia do të na mbrojë’

E njëjta gjë vlen për Bosnien ku lideri i komunitetit serb, Milorad Dodik, ka refuzuar të gjitha thirrjet për të zbatuar Marrëveshjen Dayton, me mbështetjen e theksuar nga Kremlini. SHBA e ka shpallur persona non grata Dodikun, por kur përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e jashtme, Federica Mogherini iu drejtua parlamentit serb këtë muaj, ajo u prit me fishkëllima nga nacionalistë serbë që bërtisnin se nuk u nevojitej Europa, pasi “Rusia do të na mbrojë”.

Tashmë, një betejë politike oportuniste mbi reformën gjyqësore në drejtësi në Shqipëri ka çuar papritur drejt një populizmi anti-europian në një vend ku më parë ndjenja pro-europiane ishte pothuajse universale.

BE-ja dhe SHBA-ja duan që Shqipëria të sjellë para një procesi të vështirë vlerësimi, aplikuesit për gjyqtarë dhe një sërë reformash të tjera për të pakësuar nivelin e lartë të korrupsionit duke përfshirë rryshfetin ndaj gjyqtarëve ose kërcënimet e drejtpërdrejta fizike kundrejt atyre ose familjeve të tyre.

Megjithatë në parlamentin Shqiptar Partia Demokratike opozitare refuzon të votojë propozimet e BE-së dhe SHBA-së mbi vetingun dhe reformën gjyqësore. Shqipëria pritet të zhvillojë zgjedhjet në verë, ku Kryeministri socialist pro-perëndimor dhe pro-BE, Edi Rama, do të kandidojë për një mandat të dytë.

Politikat shqiptare në 20 vitet para se Rama të arrinte një fitore të qartë në 2013 u dominua nga zhurmëmadhi Sali Berisha dhe Partia e tij Demokratike.

Nën drejtimin e tij pati skandale të pafundme financiare përfshirë skemën piramidale ku miliona shqiptarë humbën kursimet e tyre dhe vendi u bë një legjendë korrupsioni me shumë shqiptarë që emigruan për në veri.

Rama ra dakort të dërgonte trupa shqiptarë për të luftuar ISIS në Irak dhe fitoi një çmim të madh për vendin e tij – ofertën për anëtarësimin në BE. Por së pari, siç e bëri të qartë Kancelarja Gjermane, Angjela Merkel, përmes zëdhënësit të saj Gjermania do të shohë “ reforma gjithëpërfshirëse lidhur me reformën në sistemin gjyqësor nga qeveria shqiptare.

“Është në interes të popullit shqiptar, që në shumicë kërkuan realizimin e këtyre reformave, ecja para me këtë proces. Gjermania u bën thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të zbusin tonet e mosmarrëveshjeve të tyre politike. Thirrjet për dhunë, që dëgjohen herë pas here, mund dhe duhet të mos jenë një nga mjetet e pozicionimeve politike kontradiktore.”
Kjo reflekton shqetësimin në Berlin dhe kryeqytete të tjera të BE-së që partia demokratike ka vendosur të organizojë protesta massive në rrugë e të bojkotojë parlamentin për të krijuar një klimë tansioni me afrimin e zgjedhjeve të Qershorit.

Në 2013, Sali Berisha i plakur pranoi humbjen dhe një kalim paqësor pushteti u vendos në Tiranë, në kontrast të thellë me atë që po ndodh aktualisht në Shkup.
Tani, gjithsesi, pasardhësi i Berishës si lider i PD-së, Lulzim Basha, po nxit zemërim në rrugë kundër Ramës. Mogherini vizitoi Tiranën ku deklaroi se zbatimi i vetingut dhe reformës në drejtësi është e vetmja pengesë që mban Shqipërinë larg nga nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Ajo shtoi: “Ata që nuk votojnë vetingun, nuk e duan integrimin e Shqipërisë në BE.”

Të nesërmen e vizitës së Mogherinit, Basha e përçmoi atë teksa nxiste ndjenja kundër BE-së gjatë një tubimi në protestën e opozitës duke deklaruar: “Kanë ardhur mjaft zyrtarë të BE-së këtu për të thënë se nuk do të ketë integrim në BE pa realizuar zgjedhje të lira e të ndershme, pa luftuar korrupsionin, drogën, etj. Tani ata thonë që e vetmja gjë me rëndësi është vetingu e sapo të zbatohet vetingu do të nisin negociatat e BE-së. Kemi një fjalë në shqip për këtë dhe këto quhen ‘broçkulla’ e në Anglisht ‘bullshit’.”

Atëherë turma filloi të thërriste ‘Broçkulla! Broçkulla!Broçkulla!”Populizmi i papërpunuar i stilit Trump është i pazakontë. Me një moshë 42-vjeçare dhe i edukuar në Hollandë ai punoi për OKB në Kosovë dhe në gjykatën ndërkombëtare të Hagës për krimet në Ballkan.

Nën udhëheqjen e Berishës ai mbajti pozicione të rëndësishme si ministër i brendshëm dhe ministër i jashtëm dhe u pa nga drejtuesit e Partisë Populiste Europiane si një tip politikani të ri Europian në Ballkan.

Por tani politikat e vjetra Ballkanike po lartësohen dhe Basha me dëshirën e tij për të zëvendësuar Ramën duket më i etur për të luajtur në rrugë dhe mos bashkëvepruar me Parlamentin sesa të respektojë normat demokratike europiane .I njëjti rikthim në politikat e vjetra të Ballkanit mund të shihet në Maqedoni , Kosovë, Serbi dhe Bosnje.

Zyra Britanike e punëve të jashtme po propozon një konferencë të ballkanit perëndimor në vitin 2018, në daljen e fundit të Mbretërisë së bashkuar si një lojtar i politikës së jashtme të Bashkimit Europian para Brexit. Sekretari i Politikës së jashtme britanike, Boris Johnson vizitoi rajonin dhe iu drejtua parlamentit.

Konferenca e Ministrisë së jashtme Britanike është një lëvizje e mirë dhe tani duket sikur Bashkimi Europian dhe ministrat e saj të huaj marrin e seriozisht Ballkanin Perëndimor vetëm kur shpërthen dhuna. Po bëhen gati dy dekada që kur ndodhën luftërat Ballkanike që ndoqën ndarjen e Jugosllavisë .

Qëndrueshmëria , sundimi i ligjit, zgjedhjet paqësore dhe dorëzimet e qeta të pushtetit duken përtej së mundshmes.

Ministri i Brendshëm i Francës jep dorëheqje

Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Le Roux ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij pas hetimit të nisur ndaj tij me akuzën për korrupsion.

PARIS – Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Le Roux ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij pas hetimit të nisur ndaj tij me akuzën për korrupsion duke punësuar si këshilltare dy vajzat e tij të moshës 14 dhe 16 vjeç, raporton Anadolu Agency (AA).

Le Roux në një deklaratë në një konferencë për media të mbajtur në Paris ka theksuar se i ka paraqitur dorëheqjen e tij presidentit francez François Hollande.

Pasi ka dalë nga rezidenca Elysee bashkë me kryeministrin Bernard Cazeneuve dhe pasi ka transmetuar se është takuar me presidentin Hollande ku dhe i ka paraqitur dorëheqjen Le Roux tha: “Në këtë mënyrë kjo më ka siguruar të shpreh ndershmërinë time, besnikërinë time ndaj të vërtetës dhe angazhimin tim për vlerat republikane që kam mbrojtur gjithmonë”.

Batalioni i NATO-s vendoset në Poloni si përgjigje ndaj veprimeve të Rusisë

Ushtarët polakë dhe ata amerikanë afër sistemit mbrojtës raketor Patriot në Poloni

Komandanti ushtarak amerikan, Steven Gventer, thotë se një batalion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, me më tepër se 1,100 ushtarë të NATO-s, do të vendoset në Poloni, në fillim të muajit prill, derisa aleanca veri-atlantike, po e krijon një forcë të re në përgjigje ndaj okupimit dhe aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

Nënkoloneli Gventer, i cili e komandon këtë grup, tha mbrëmë vonë se batalioni është “mision, e jo cikël i zhvillimeve stërvitore”.

“Qëllimi është për ta zmbrapsur agresionin në Baltik dhe Poloni”, tha Gventer dhe ka shtuar se “forca është plotësisht e gatshme për të qenë vdekjeprurëse”.

Në përbërje të këtij batalioni janë 900 ushtarë amerikanë, afro 150 britanikë, dhe 120 ushtarë rumunë.

Kjo është njëra prej katër formacioneve shumëkombëshe në gjithë rajonin e Baltikut.

Rusia e ka dënuar këtë vendosje duke e vlerësuar si strategji agresive në kufijt e saj.

Sulmuesi në aeroportin e Parisit ka qenë nën ndikimin e drogës dhe alkoolit

Testet toksikologjike të kryera te sulmuesi i vrarë kanë dëshmuar për nivelin e alkoolit prej 0,93 gram për litër gjak, si dhe prani të kokainës dhe kanabisit

PARIS – Zyrtarët francezë kanë konfirmuar se 39-vjeçari Ziyed Ben Belgacem, i cili të shtunën u qëllua për vdekje në aeroportin Orly në kohën kur po sulmonte ushtarët francezë, ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe drogës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e prokurorit të Parisit, ka njoftuar se testet toksikologjike të kryera te sulmuesi i vrarë kanë dëshmuar për nivelin e alkoolit prej 0,93 gram për litër gjak, si dhe prani të kokainës dhe kanabisit.

Babai i tij tha të dielën se Ziyed “nuk ka qenë terrorist”, por se për veprimin e tij, fajtorë janë alkooli dhe droga. “Biri im nuk ka qenë terrorist. Ai asnjëherë nuk është lutur, ndërkohë që pinte alkool. Ai ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe kanabisit”, tha babai i Ziyedit të vrarë.

Gjermania hedh poshtë pretendimet e Trumpit për borxhin ndaj NATO-s

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen

Gjermania ka hedhur poshtë pohimet e presidentit amerikan, Donald Trump se Gjermania i ka borxh “shuma të mëdha parash” NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.

Deklarata e ministres gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, vjen si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të Trumpit, i cili të shtunën shkroi në Twitter, se Gjermania duhet të paguajë borxhin për mbrojtje.

“Nuk kemi borxhe ndaj NATO-s”, ka thënë von der Leyen, duke shtuar se objektivi i aleancës për shpenzimet e mbrojtjes nga vendet anëtare nuk është i lidhur ekskuzivisht me kontributet financiare ndaj NATO-s.

Më 2014, NATO është pajtuar për një plan, sipas të cilit, çdo vend anëtar do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes për 2 për qind të GDP-së më 2024.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar se Berlini është i përkushtuar për këtë qëllim.

Në deklaratën e von der Leyen thuhet se rritjet e shpenzimeve të mbrojtjes së Gjermanisë nuk janë vetëm ndaj NATO-s por edhe ndaj OKB-së dhe përpjekjeve paqeruajtëse të BE-së, si dhe për luftimin e militantëve të Shtetit Islamik.

Martin Schulz zgjidhet kryetar i përgjithshëm i SPD-së

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të asamblesë së përgjithshme të mbajtur në Arena Berlin, Schulz është zgjedhur kryetari i përgjithshëm duke marrë plotësisht 605 vota të vlefshme

BERLIN – Martin Schulz u zgjodh në krye të Partisë Social Demokratike (SPD) në Gjermani. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të asamblesë së përgjithshme të mbajtur në Arena Berlin, Schulz është zgjedhur kryetari i përgjithshëm duke marrë plotësisht 605 vota të vlefshme. Ndërsa është njoftuar se në votim 3 vota kanë qenë të pavlefshme.

Në një fjalim falënderimi Schulz tha “Ky është një momenti i mrekullueshëm për mua dhe për të gjithë ju. Besoj se ky rezultat do të hapë rrugën për drejtimin e vendit.”

Ish-kryetari i SPD-së, Sigmar Gabriel në një konferencë për shtyp të mbajtur në Willy Brandt Haus, qendrën e përgjithshme të partisë më 25 janar duke vënë në dukje se Schulz kishte më shumë shanse në zgjedhje ai ishte shprehur se “Për partinë dhe veten tonë ky është vendimi i drejtë. Unë nuk do të jem kandidat për kancelar”

Gabriel duke njoftuar se do të linte postin e kryetarit të përgjithshëm të SPD-së ai kishte deklaruar se kandidati për kancelar është Martin Schulz.

Sigmar Gabriel i cili është ende në detyrën e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, prej 7 vitesh ai ndodhej në krye të SPD-së.

Autoritetet franceze: Autori i sulmit në aeroport është Ziyed Ben Belgacem

Zyrtarët francezë konfirmuan se 39-vjeçari Ziyed Ben Belgacem ka tentuar sot në mëngjes ti marrë armën ushtarit në aeroportin Orly me ç’rast është vrarë

PARIS – Zyrtarët francezë konfirmuan se 39-vjeçari Ziyed Ben Belgacem ka tentuar sot në mëngjes ti marrë armën ushtarit në aeroportin Orly në Paris me ç’rast është vrarë.

Ata thanë se sulmuesi është shtetas francez. Presidenti i Francës François Hollande deklaroi se hetuesit do të vërtetojnë nëse sulmuesi ka “komplot terrorist prapa vetes”.

Ai hodhi poshtë çdo lidhje midis sulmit me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në prill dhe maj. Hollande porositi se asgjë nuk do ti ndalë në luftën kundër ekstremistëve në vitet e ardhshme.

Rikujtojmë se të shtunën në mëngjes në aeroportin Orly në Paris një person tentoi ti marrë armën një ushtari me ç’rast është neutralizuar.

Pas kësaj një pjesë e aeroportit ishte evakuuar ndërsa janë marrë masa të larta të sigurisë.

Të gjitha fluturimet në aeroportin Orly janë pezulluar dhe janë riorientuar drejt aeroportit Charles de Gaulle.

Gjendja e jashtëzakonshme në Francë është shpallur pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris në vitin 2015 ku humbën jetë 130 persona. Gjendja e jashtëzakonshme është zgjatur pas sulmit terrorist në Nicë më 14 korrik të vitit 2016 në të cilin mbetën të vdekur 84 persona. aa

Junker thotë se një luftë tregtare BE-SHBA, nuk do të ishte e mirë për asnjërën palë

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka paralajmëruar se lufta tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, nuk do të ishte e mirë për asnjërën palë.

I pyetur nga gazeta gjermane, Bild am Sonntag,se nëse Evropa mund të përballojë një “luftë tregtare” me Shtetet e Bashkuara, Junker tha se “lufta tregtare nuk është e mirë për interesat e BE-së e as të SHBA-së”.

Ai tha se duhet marrë seriozisht komentet proteksioniste e bëra nga administrata e presidentit Donald Trump.

Ditë më parë, Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin ka thënë se administrata e Trumpit nuk ka dëshirë që të futet në luftë tregtare por tha se është e nevojshme që marrëdhëniet tregtare të rishikohen.

Trump ka akuzuar Japoninë se ka ulur vlerën e monedhës kombëtare me qëllim që t’i krijojë avantazh eksporteve të vendit.

I vrari në Paris, i njohur për autoritetet franceze

Aeroporti “Orly”, Paris, 18 mars 2017

Forcat e rendit në aeroportin “Orly” të Parisit, kanë vrarë një person, i cili ka tentuar që t’ia marrë armën një ushtareje, duke bërë që autoritetet të mbyllin aeroportin.

Askush nuk është lënduar nga ky incident, i cili vjen në kohën kur Franca është në gatishmëri të lartë, pas një serie të sulmeve të grupeve xhihadiste, që kanë marrë jetën e më shumë se 230 personave, që prej janarit të vitit 2015.

Prokurorët francezë kanë thënë se lidhur me incidentin e së shtunës, kanë nisur një hetim anti-terrorist.

Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Le Roux, ka thënë se personi që është vrarë të shtunën, ka qenë i lidhur me një sulm të mëhershëm mbi policinë në veri të Parisit, ku një zyrtar policor ishte lënduar, duke shtuar se ky person “ishte i njohur për policinë dhe shërbimet e inteligjencës”.

Incidenti ndodhi rreth orës 8:30 në terminalin e aeroportit “Orly”, i cili është aeroporti i dytë më i madh në Paris.

“Personi ia mori armën ushtarit dhe u fsheh në një dyqan të aeroportit para se të qëllohej për vdekje nga forcat e sigurisë”, ka thënë për AFP-në, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.

Duke folur për mediet, pasi vizitoi aeroportin, ministri Le Roux tha se burri kishte tentuar, “por s’ia ka arritur” që t’ia marrë pushkën një ushtareje, e cila ishte në patrullim me dy kolegë të tjerë.

Ai shtoi se i vrari ishte i dyshuar për një sulm ndaj policëve në metronë e Garges-les-Gonesse.

Ekipet e emergjencës dhe forcat e rendit jashtë aeroportit "Orly" në Paris

Ekipet e emergjencës dhe forcat e rendit jashtë aeroportit “Orly” në Paris

Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar tre apo katër të shtëna.

Trafiku ajror në aeroportin “Orly” është pezulluar dhe të gjithë aeroplanët që janë nisur drejt “Orly”-t janë dërguar për në aeroportin tjetër në Paris, “Charles de Gaulle”.

Ekipet e policisë elite të Francës kanë intervenuar menjëherë në aeroport duke kërkuar për eksplozivë të mundshëm, por nuk kanë gjetur asgjë.

Mediet ndërkombëtare raportojnë se vëllai dhe babai i personit të vrarë të shtunën në Paris, janë marrë në pyetje nga Policia.

Autoritetet franceze ende nuk e dinë se cili është motivi i këtij sulmi.

Franca është ende në gjendje emergjente pas një serie sulmesh terroriste që ndodhën që prej janarit të 2015. (REL)

Gjermania kërcënon ministrat turq me ndalim të paraqitjeve publike

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel

Gjermania ka kërcënuar politikanët turq se do t’ua ndalojë paraqitjet publike. Ky është zhvillimi i fundit në përshkallëzimin e tensioneve në mes të Ankarasë zyrtare dhe Evropës.

Kriza diplomatike nisi kur Holanda dhe Gjermania refuzuan që të lejojnë ministrat turq tu drejtohen diasporës turke, për referendumin e 16 prillit, që pritet të rrisë kompetencat e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan është përgjigjur duke akuzuar Gjermaninë për “praktika naziste” dhe ka fajësuar Holandën për masakrën në Srebrenicë më 1995.

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i ka thënë revistës Der Spiegel se Berlini do të “ndërmarrë masat e nevojshme nëse Ankaraja nuk i bindet ligjeve gjermane”.

“Ata që kalojnë vijën nuk mund të pretendojnë se mund të propagandojnë këtu qëndrimet e tyre politike”, është shprehur Gabriel.

Më 17 mars, Turqia ka kërcënuar se do të dërgojë 15 mijë refugjatë në Bashkimin Evropian dhe ka paralajmëruar se mund të anulojë marrëveshjen me BE-në, për të ndalur fluksin e refugjatëve në bllok.

Vritet një person në aeroportin Orly të Parisit, i kishte marrë armën një ushtari

Forcat e sigurisë në aeroportin Orly në Paris, kanë vrarë një burrë i cili arriti që t’ia merrte armën një ushtari, ka thënë Ministria e Brendshëm franceze.

Dëshmitarët kanë thënë se aeroporti është evakuuar pasi janë dëgjuar të shtëna rreth orës 8:30.

Burri kishte arritur që të ikte dhe të hynte në një dyqan të aeroportit dhe më pas është qëlluar për vdekje nga autoritetet e rendit, ka thënë për AFP, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.

Ai ka shtuar se asnjë person nuk është lënduar nga ky incident.

Francë, adoleshenti që kreu sulmin në shkollë ishte i apasionuar pas armëve

Prokurorja franceze Fabienne Atzori theksoi se incidenti, që ndodhi në qytetin Grasse, nuk është i lidhur me terrorizmin

PARIS – Adoleshenti i cili shtiu me armë të enjten në shkollën e mesme në pjesën juglindore të Francës, me ç’rast plagosi tetë persona, sulmin e ka kryer pasi kishte shikuar video të të shtënave masive në SHBA.

Prokurorja franceze Fabienne Atzori theksoi se incidenti, që ndodhi në qytetin Grasse, nuk është i lidhur me terrorizmin.

“Nuk ka asnjë tregues apo provë se bëhet fjalë për sulm terrorist”, ka thënë Atzori në konferencën për media. aa

Letra-bombë në zyrën e FMN-së ishte dërguar nga Greqia

Policia franceze afër zyrës së FMN-së në Paris pasi atje dje eksplodoi një letër

Autoritetet e Greqisë thonë se letra-bombë që ka eksploduar dje në zyrën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Paris, ishte dërguar nga Greqia.

I punësuari në zyrën e FMN-së që e kishte pranuar këtë letër ishte lënduar lehtë, ndërsa personeli tjetër ishte evakuuar.

Ministri i rendit publik i Greqisë, Nikos Toskas, tha se letra-bombë ishte dërguar nga Greqia, në emër të ligjvënësit të njohur opozitar, Vassilis Kikilias.

Ky incident në FMN ka ndodhur derisa një grup anarkist grek e ka pranuar përgjegjësinë për një letër-bombë të cilën e kishte dërguar për Ministrinë e financave të Gjermanisë më 15 mars.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, tha se kishte “ngjashmëri” ndërmjet këtyre dy incidenteve.

Sulm në një shkollë në jug të Francës

Sulmi i armatosur ndaj shkollës Alexis de Tocqueville, në qytetit Grasse, i cili ndodhet në jug të Francës, është kryer nga një nxënës i kësaj shkolle i cili është 17 vjeç

PARIS – Në një shkollë të mesme në jug të Francës është kryer një sulm me armë dhe se ka shumë të plagosur.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Henry Brandet, në një deklaratë për televizionin francez BFM, ka thënë se sulmi i armatosur ndaj shkollës Alexis de Tocqueville, në qytetit Grasse, i cili ndodhet në jug të Francës, është kryer nga një nxënës i kësaj shkolle i cili është 17 vjeç.

Brandet ka thënë se sulmuesi kishte shumë armë me vete gjatë sulmit dhe ka theksuar se ai nuk është mbikëqyrur nga policia apo nga shërbimet informative më parë.

Duke vënë në dukje se në këtë ngjarje janë plagosur të paktën 8 persona, pjesë e të cilëve ishte edhe drejtori i shkollës, Brandet ka shtuar se ende nuk kanë një informacion që bashkë me të mund të ketë patur ndonjë tjetër sulmues.

Ai ka theksuar se janë rritur masat e sigurisë në zonë dhe se është dhënë alarmi për ndonjë sulm të mundshëm në këtë rajon, si dhe ka thënë gjithashtu se i kanë bërë thirrje njerëzve të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Policia ka marrë masat e gjera të sigurisë në rajon dhe ka dhënë alarmin për një sulm në rajon duke kërkuar që njerëzit të mos dalin nga shtëpitë e tyre. aa

Shpërthen përsëri vullkani Etna në Itali, 10 të lënduar

Si pasojë e shpërthimit të vullkanit aktiv Etna, në jug të Italisë, 10 persona janë lënduar lehtë

ROMË – Si pasojë e shpërthimit të vullkanit aktiv Etna, në jug të Italisë, 10 persona janë lënduar lehtë. Sipas agjencisë së lajmeve të Italisë ANSA, e cila bazohet në burimet e Institutit Kombëtar Gjeofizik dhe Vullkanologjisë (INGV), është hapur një vrimë e re pranë kraterit aktiv i cili ndodhet në pjesën juglindore të vullkanit në ishullin e Sicilisë. Shpërthimi ka ndodhur në një lartësi prej 2 mijë e 700 metrash.

Në shpërthimin e fuqishëm që ndodhi në orët e mëngjesit, janë lënduar 10 persona të cilët ndodheshin në mal në atë moment. Sipas vlerësimeve të para të lënduarit nuk janë në gjendje kritike.

Shpërthim në zyrën e FMN-së në Paris

Një zyrtar francez konfirmoi se gjatë shpërthimit të bombës, deri te e cila erdhi me hapjen e një zarfi, nuk ka pasur dëm të madh material

PARIS – Në zyrën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Paris ka ndodhur shpërthimi i një bombe, ku si pasojë një person është lënduar, njoftoi policia franceze.

Një zyrtar francez konfirmoi se gjatë shpërthimit të bombës, deri te e cila erdhi me hapjen e një zarfi, nuk ka pasur dëm të madh material.

Ende nuk dihet se kush e ka dërguar letrën, ndërsa ekspertët policor gjenden në vendngjarje.

Zyra e FMN-së në Paris ende nuk është prononcuar për këtë ngjarje.

Drejtoresha e FMN-së Lagarde: E dënojmë aktin qyqar

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Christine Lagarde sulmin mbi Zyrën e organizatës në Paris e quajti “akt qyqar të dhunës”.

Legarde lëshoi një njoftim pasi në Paris gjatë shpërthimit të bombës, që ndodhi me hapjen e një zarfi, u plagos një person.

Drejtoresha shtoi se është plagosur një i punësuar. “E dënojmë këtë akt qyqar të dhunës dhe konfirmoj vendosmërinë e FMN-së që të vazhdojë punën e saj. Bashkëpunojmë ngusht me zyrtarët francezë me qëllim që ky rast të hetohet dhe të ofrohet siguri për të punësuarit”, deklaroi Lagarde.

Policia franceze pas shpërthimit evakuoi 150 persona në afërsi të vendit të shpërthimit, me ç’rast janë marrë masa të larta të sigurisë.

Në Francë ende në fuqi është gjendja e jashtëzakonshme pas serisë së sulmeve terroriste gjatë dy viteve të fundit.

Kryeministri i Holandës shpall fitoren në zgjedhje

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, shënoi fitore kundrejt politikanit anti-islamik, Geert Wilders, në zgjedhjet parlamentare, të mërkurën.

“Holanda i tha ‘stop’ llojit të keq të populizmit. Duam t’i përmbahemi trendit që kemi: të sigurt, të qëndrueshëm dhe të begattë”, u tha Rutte mbështetësve në Hagë.

Me më shumë se 90 përqind të votave të numëruara, Partia Popullore për Liri e zotit Rutte ka fituar 33 ulëse në Parlamentin prej 150 vendesh.

Partia Liria e zotit Wilders ka dalë e dyta me 20 ulëse, ndërsa Demokristianët dhe partia e qendrës D66 kanë fituar nga 19 ulëse.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 81 përqind.

Liderët evropianë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, e uruan kryeministrin e Holandës për fitoren.

“Një votë për Evropën, një votë kundër ekstremistëve”, tha Juncker.

Zgjedhjet në Holandë janë të parat prej tri palë zgjedhjeve që mbahen këtë vit në Evropë e që shihen si test për unitetin e Bashkimit Evropian, në kohën e rritjes së ndjenjave nacionaliste në kontinent.

Kryeministri holandez mposht kandidatin anti-islamik

Në Holandë, partia e qendrës së djathtë e kryeministrit Mark Rutte fitoi zgjedhjet parlamentare të 15 marsit, me së paku 31 ulëse në Parlamentin prej 150 vendesh, thonë exit-pollet që publikoi transmetuesi kombëtar NOS.

Partia Popullore për Liri doli shumë më lart seç sugjeronin sondazhet e opinionit gjatë fushatës zgjedhore.

Partia anti-islamike Liria, e udhëhequr nga Geert Wilders, nuk arriti depërtimin e pritur dhe mori vetëm 19 ulëse në Parlament.

Demokristianët dhe partia e qendrës D66 po ashtu fituan nga 19 ulëse, thonë exit-pollet.

Partia Laburiste, partnere e koalicionit të zotit Rutte qysh në vitin 2012, doli keq, duke rënë në nëntë ulëse, nga 38 sa ka pasur.

Partisë së kryeministrit Rutte tani do t’i duhen së paku tre partnerë të tjerë për të siguruar shumicën.

Zgjedhjet në Holandë janë të parat prej tri palë zgjedhjeve që mbahen këtë vit në Evropë e që shihen si test për unitetin e Bashkimit Evropian, në kohën e rritjes së ndjenjave nacionaliste në kontinent.

Në zgjedhjet presidenciale në Francë, kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, pritet të arrijë në balotazh në muajin maj.

Gjermania mban zgjedhjet e përgjithshme në shtator, ndërsa partia euro-skeptike Alternativa për Gjermaninë, e cila ka kundërshtuar politikën e kancelares Angela Merkel për refugjatët, ka rritur popullaritetin e saj.

Përgatiti: Valona Tela

Zgjedhjet në Holandë, test për unitetin e BE-së

Kryeministri i Hoandës, Mark Rutte, me mbështetësit e tij në Hagë – 14 mars 2017

Zgjedhjet e sotme në Holandë janë të parat në mesin e disa palë zgjedhjeve që do të mbahen këtë vit në Evropë dhe ato shiheni si test për unitetin e Bashkimit Evropian në kohën e rritjes së ndjenjave nacionaliste dhe populiste në kontinent.

Holanda, shtet me 17 milionë banorë, rrallë tërheq vëmendje nga jashtë, por këtë herë është ndryshe.

Beteja midis kryeministrit Mark Rutte nga qendra e djathtë dhe Geert Wildersit, populist, i cili ka bërë fushatë për ndalimin e Kuranit, mbylljen e xhamive dhe largimin e vendit nga BE-ja, ka rritur fokusin te votimet, pasi ndjenjat nacionaliste kanë shkaktuar dy rezultate të papritura, vitin e kaluar.

Fillimisht ka qenë vendimi i Britanisë së Madhe për të lënë Bashkimin Evropian në referendumin e qershorit. Kjo është pasuar me fitoren e papritur të presidentit amerikan, Donald Trump, në nëntor, i cili ka bërë fushatë me moton “Amerika e para”.

Këto rezultate kanë bërë që shumë në Evropë të pyeten nëse BE-ja mund t’i mbijetojë valës aktuale të ndjenjave anti-establishment.

Partia Liria e Wildersit ka udhëhequr sondazhet e opinionit, shumicën e kohës, gjatë fushatës, edhe pse rezultatet e anketave janë kthyer në favor të liberalëve të kryeministrit Rutte, në ditët e fundit.

Në një debat të nxehtë, më 13 mars, dy kandidatët kanë shkëmbyer grushte verbale, në përpjekje për t’i bindur votuesit.

Rutte ka thënë se Wilders ka ofruar “zgjidhje të rreme” për të ndezur ndjenjën kundër migrantëve.

“Këtu është dallimi midis postimeve në Twitter nga divani juaj dhe udhëheqjes së një vendi. Nëse drejtoni një vend, duhet të merrni vendime të ndjeshme”, ka thënë Rutte.

Wilders e ka quajtur atë “kryeministër të të huajve”.

“Evropa nuk e do këtë. Evropa nuk mund ta menaxhojë këtë. Janë vetëm disa heronj në Evropë, si kryeministri hungarez, (Viktor) Orban, që guxon të mbyllë kufijtë”, ka thënë Wilders.

Lideri i Partisë Liria, Geert Wilders.

Lideri i Partisë Liria, Geert Wilders.

Disa orë përpara këtij debati, Rutte u ka thënë gazetarëve në Roterdam se shpreson se Holanda do të shërbejë si shembull për vendet e tjera evropiane, duke ndaluar përqafimin e “këtij lloji të gabuar të populizmit”.

Zgjedhjet në Holandë vijnë në kohën kur në Francë, Marine Le Pen, nga ekstremi i djathtë, duket se do të arrijë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në prill, ndërsa në Gjermani, partia anti-migrante Alternativa për Gjermaninë ka rritur popullaritetin e saj përpara zgjedhjeve në vjeshtë, të cilat mund të përmbysin kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Nëse një udhëheqës populist, anti-BE fiton në Holandë, kjo do t’i inkurajojë lëvizjet populiste sigurisht në Francë dhe ndoshta në Gjermani”, thotë Judy Dempsey, analiste në Institutin Carnegie Europe në Bruksel.

Në zgjedhjet në Holandë konkurrojnë 28 parti dhe asnjëra prej tyre nuk pritet të fitojë më shumë se 17 ose 24 ulëse në Parlamentin prej 150 vendesh. Analistët thonë se ka shanse të mira që Wilders të dëbohet nga pushteti, kur të nisin bisedimet për koalicionin qeverisës. Partitë e tjera e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes së partisë së Wildersit në qeveri.

“Ne vazhdojmë të presim se Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e kryeministrit aktual, Mark Rutte, do të dalë partia më e madhe në Parlament pas zgjedhjeve”, thotë Pepijn Bergsen, analist për Gjermaninë, Holandën dhe Austrinë në grupin Economist Intelligence Unit në Londër.

Shqetësimet ndërkombëtare për këto zgjedhje janë ushqyer javën e fundit me një konfrontim diplomatik të Holandës me Turqinë.

Holanda, por edhe Gjermania kanë refuzuar të lejojnë ministrat e Qeverisë turke të organizojnë tubime politike në territorin e tyre, në mbështetje të një referendumi që pritet të rrisë pushtetin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia ka thënë më 13 mars se ka ndaluar të gjitha bisedimet në nivel të lartë politik me Holandën dhe se, sa i përket Ankarasë, marrëveshja me BE-në për të ndihmuar frenimin e migrantëve aziatikë, ka marrë fund.

Analisti Bergsen thotë se vota për Brexit dhe fitorja e Trumpit kanë rritur vëmendjen ndërkombëtare mbi zgjedhjet në Holandë, porse ndjenja anti-migrante dhe anti-islamike nuk janë të reja në politikat e vendit.

“Kriza me migrantë në Evropë i ka nxitur këto forca, por nuk i ka krijuar ato; ato kanë qenë atje”, thotë Bergsen, duke nxjerrë në dukje suksesin e politikanit populist holandez, Pim Fortuyn, i cili, pak ditë para zgjedhjeve në vitin 2002, është qëlluar nga një person, i cili ka thënë se do t’i mbrojë myslimanët nga persekutimi.

Përgatiti: Valona Tela

Nacionalistët skocezë kërkojnë referendum të ri për pavarësinë

Kryeministrja skoceze ndërmori një tjetër hap dje drejt ndarjes nga Mbretëria e Bashkuar, duke njoftuar se synon të fillojë një proces ligjor për një referendum të ri për pavarësinë e Skocisë.

Gjatë një konference për shtyp në Edinburgh, Kryeministrja Nicola Sturgeon tha se është “gjëja e duhur” që t’u jepet skocezëve mundësia për të shprehur opinionin e tyre për “Brexit”, procesi gjatë të cilit britanikët votuan për të dalë nga Bashkimi Evropian. Në fjalimin e saj, zonja Sturgeon, partia e së cilës është partia më e madhe në Skoci (Partia Kombëtare), tha se nuk do të rrinte pa bërë asgjë ndërsa procesi Brexit rrezikon ekonominë e Skocisë dhe lidhjet e saj me Evropën.

Ky zhvillim vjen vetëm një javë pasi fituan terren nacionalistët e Sinn Fein në zgjedhjet parlamentare në Irlandë. Megjithëse nuk përbën surprizë, njoftimi i zonjës Sturgeon i rrit pasojat e votimit për Brexit, proces të cilin qeveria konservatore britanike po mundohet ta përmbajë.

Menjëherë pas fjalimit, Faisal Islam, editori politik i kanalit britanik “Sky News”, përmblodhi mendimet e shumë gazetarëve politikë duke thënë se “kush e di se ku do të mbarojë e gjithë kjo”.

Komentatori politik Nick Cohen shkruajti në Twitter se “Brexit, që ishte projektuar për të mbrojtur Britaninë, fillon tashmë shkatërrimin e saj”.

Në krye të një qeverie që përfaqëson pakicën, Kryeministrja skoceze është shprehur se dëshiron që votimi të ndodhë në periudhën ndërmjet vjeshtës së vitit 2018 dhe pranverës së vitit 2019, duke argumentuar së parlamenti britanik po lëviz më i sigurtë drejt zbatimit të votimit për Brexit. Ajo gjithashtu tha se Kryeministrja konservatore e Britanisë, Theresa May, nuk u konsultua me Skocinë përpara se të vendoste për daljen e prerë nga BE-ja, proces që do të sjellë jo vetëm humbjen e anëtarësisë politike në bllokun evropian, por edhe humbjen e tregut të përbashkët evropian duke mbartur kështu pasoja ekonomike.

Gabriel: Shqipëria është një partner i rëndësishëm i Evropës

Rama u takua në Berlin, me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, ndërsa pas takimit kanë mbajtur një deklarate të përbashkët për mediat, ku temë ishin zhvillimet në Shqipëri, por edhe rajon

BERLIN – Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe e konsideron vendin si një partner të rëndësishëm të Evropës, u shpreh sot shefi i diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel, në një deklaratë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Berlin, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama u takua në Berlin, me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, ndërsa pas takimit kanë mbajtur një deklarate të përbashkët për mediat, ku temë ishin zhvillimet në Shqipëri, por edhe rajon.

Gabriel ka deklaruar se Evropa ka mundësinë të bashkëpunojë me Shqipërinë dhe vendet fqinje të saj për paqen dhe stabilitetin.

“Shqipëria është kthyer në një partner të rëndësishëm të Evropës dhe ne dëshirojmë që këtë afrim të Shqipërisë ndaj BE ta avancojmë edhe më tej, ndërsa plani i hapave është në tryezë për këtë. Unë dua t’ju falënderoj për reformat që janë të lidhura me punën tënde në Shqipëri dhe për angazhimin tuaj personal për të përballuar sa më mirë disa konflikte në vendet e rajonit. Në periudhën e fushatave elektorale nuk është e thjeshtë t’i ndërmarrësh këto hapa, por besoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve e dëshiron këtë përparim. Shqipëria ka mundësinë e madhe historike që t’i afrohet gjithnjë e më shumë Bashkimit Evropian”, u shpreh Gabriel.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë ka theksuar se Shqipëria është partner shumë i angazhuar për marrëdhënien “kaq të veçantë të Gjermanisë me rajonin.”

“Shpreh mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe rajonit, posaçërisht edhe për reformën themelore në drejtësi, ku falë mbështetjes suaj dhe mbështetjes së partnerëve të tjerë, ne jemi në një proces shumë të avancuar. Shpresojmë shumë që të jemi në lartësinë e sfidës, për të filluar zbatimin e reformës përmes Vettingu-t të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ashtu sikundër kërkohet dhe mirëkuptohet në rekomandimin e Komisionit Evropian, për të mundur pastaj që të çelim negociatat me BE-në”, ka deklaruar Rama.

Sulmuesi në Dyseldorf është nga Kosova

Stacioni i trenit në Dusseldorf, ku një 36-vjeçar nga Kosova sulmoi me sëpatë 9 persona

Policia gjermane ka thënë sot se personi që ka plagosur nëntë persona me sëpatë në stacionin kryesor të trenit në Dyseldorf dyshohet se është një 36-vjeçar nga Kosova.

Autoritetet gjermane thonë se 36-vjeçari nga Kosova, vuan nga sëmundje mendore. Ai jeton në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Wuppertal.

I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes pasi ka kryer sulmin dhe është hedhur nga një urë aty pranë, duke i shkaktuar vetes lëndime serioze.

Ai është arrestuar dhe tashmë gjendet në spital.

Policia gjermane beson se ai ka vepruar i vetëm. Ata thonë se viktimat me lëndime serioze janë në gjendje stabël.

Liderët e BE-së të shqetësuar për ndikimin e Rusisë në Ballkan

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk

Liderët e Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për “ndikimet e jashtme”, që po shkaktojnë përçarje në shtetet e Ballkanit Perëndimor, pas disa lëvizjeve të fundit të Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkan, për të bllokuar lidhjet e ngushta me Perëndimin.

“Do t’i bëj të qarta shqetësimet e mija për destabilizimin e mundshëm në rajon dhe për rrezikun që prezenton për sigurinë tonë të përbashkët”, ka thënë kryeministrja britanike, Theresa May, teksa ka njoftuar se vendi i saj do të jetë nikoqir i samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, ku fokusin pritet të jetë fokusimin në rikthimin e stabilitetit në rajon.

“Në dyshimin për komplot për grusht-shtet në Mal të ZI, unë bëj thirrje që të bëjmë më shumë për të luftuar destabilizimin e rajonit nga fushatat dezinformuese ruse dhe të rritet dukshëm angazhimi i Perëndimit për këtë rajon”, ka thënë May në samitin e mbajtur në Bruksel.

Autoritetet në Mal të Zi, kanë thënë se serbët që veprojnë nën urdhrat e Rusisë, jann përpjekur që ta vrasin ish-kryeministrin Milo Gjukanoviq, në ditën e zgjedhjeve, që u mbajtën në tetor, si pjesë e një komploti për ta destabilizuar vendin.

Mali i Zi shpreson që më vonë gjatë këtij vitit të anëtarësohet në NATO, një lëvizje që Rusia e konsideron “provokim” dhe kërcënim për sigurinë e saj.

Presidenti i rigjedhur i Këshillit Evropian Donald Tusk, para se të fillonte samiti i BE-së, aludoi në ndikimin negativ të Rusisë në rajon.

“Tensionet dhe përçarjet na kanë rrëshqitur nga duart, kryesisht për shkak të ndikimeve të pashëndetshme nga jashtë, të cilat kanë destabilizuar disa shtete. Unë do të ju propozoj liderëve që të ndërmarrim masa”, ka thënë Tusk.

Në Ballkanin Perëndimor bëjnë pjesë Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Shqipëria.

Ukraina çon Rusinë në Gjykatën e Hagës

Hagë

Ukraina nisi të henën rastin e saj kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke kërkuar një urdhër, që do të ndalonte mbështetjen e Moskës për separatistët në lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Në një deklaratë të hapur para gjykatës, avokatët e Ukrainës thanë se Qeveria ruse “ua ka bërë të pamundur shtetasve ukrainas të ndjehen të sigurt në vendin e tyre”.

Vendimi i gjykatës mund të marrë vite.

Kievi e akuzon Rusinë për shkelje të konventave të OKB-së kundër terrorizmit dhe diskriminimit, duke mbështetur grupe në lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Moska ka marrë kontrollin e gadishullit ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014 dhe vazhdon mbështetjen për separatistët që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.

Ky konflikt, që ka nisur në prill të vitit 2014, ka lënë të vrarë mbi 9,750 persona.

Kremlini mohon dërgimin e trupave ose pajisjeve ushtarake në lindje të Ukrainës, edhe pse Kievi dhe vendet perëndimore thonë se ekzistojnë dëshmi të pakundërshtueshme.

Mogherini: Situata në Ballkan e tensionuar, të ruhet kredibiliteti i procesit integrues

Në Bruksel ka nisur takimi i Ministrave të jashtëm të BE-së në të cilin, pos temave tjera, do të diskutohet dhe për situatën e tensionuar në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Situatën si të tensionuar e ka vlerësuar në prag të fillimit të takimit edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila javën e shkuar kishte vizituar të gjitha shtetet e rajonit në fjalë.

Ajo u tha gazetarëve në Bruksel në prag të nisjes së takimit se pret që të konfirmohet përkushtimi i BE-së për perspektivën e integrimeve evropiane të këtij rajoni.

“Sapo u ktheva nga vizita në tërë rajonin, Do të raportojë përpara ministrave sot, ndërsa më vonë gjatë javës edhe para kryeministrave të vendeve anëtare. Situata është e tensionuar dhe kjo paraqet sfidë, si të brendshme ashtu edhe rajonale, por edhe globale. Edhe vet rajoni ka kapacitete për t’u përballur me këtë nëse ruhet kredibiliteti i procesit të integrimeve evropiane”, ka thënë Mogherini, duke shtuar se ajo pret që nga ky takim i sotëm dhe nga samiti i BE-së të enjten dhe të premten të rikonfirmohet edhe një herë gatishmëria dhe përkushtimi e BE-së për rajonin.

Në Bashkimin Evropian diplomatët thonë se në pothuajse të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit ka tensione, sidomos në Maqedoni dhe Bosnje e Hercegovinë dhe është e nevojshme që BE-ja të dëshmojë se përkundër problemeve të saja të brendshme nuk do ta harrojë rajonin dhe është e vetëdijshme për rreziqet që situata në rajon paraqet për tër Evropën.

Prandaj edhe kanë vendosur që këtë javë Ballkani perëndimor të jetë në agjendën e takimit të Këshillit të Çështjeve të Jashtme sot dhe në Këshillin Evropian më vonë gjatë javës.

 

Këshilli i BE-së do të debatojë për Ballkanin Perëndimor

Federika Mogherini, sot pasdite do t’iu raportojë shefave të diplomacive të vendeve të BE-së për gjendjen e Ballkanit Perëndimor, pas vizitës së saj në shtetet e rajonit gjatë javës së kaluar

BRUKSEL – Ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sot në Bruksel do të shqyrtojnë gjendjen në Republikën e Maqedonisë dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe do të miratojnë konkluzionet të cilat më pas shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së do t’i miratojnë në Samitin e Këshillit Evropian të enjten.

Sipas agjencisë së lajmeve MIA, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federika Mogherini, sot pasdite do t’iu raportojë shefave të diplomacive të vendeve të BE-së për gjendjen e Ballkanit Perëndimor, pas vizitës së saj në shtetet e rajonit gjatë javës së kaluar.

Këshilli për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian me të cilin kryeson Mogherini, do të fillojë me seancë të përbashkët të ministrave të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme të vendeve anëtare për zbatimin e strategjisë globale të BE-së në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Këshilli pritet të miratojë konkluzionet për përparimin të dakorduar nga ana e Këshillit Evropian më 15 dhjetor të vitit 2016, që do të jenë bazë e raportit për Samitin e Këshillit Evropian më 9 dhe 10 mars.

Këshilli për punë të jashtme do të ketë diskutime edhe për migracionin si vazhdim i takimit joformal të shefave të shteteve ose qeverive në Maltë më 3 shkurt të vitit 2017, ku u diskutua për aspektet e jashtme të emigracionit. aa

NATO, Rusi: Bisedime në nivel ushtarak për herë të parë në tre vjet

Zyrtarë ushtarakë të Rusisë dhe NATO-s mbajtën të premtën bisedimet e para të drejtpërdrejta, prejse aleanca perëndimore ka ndërprerë kontaktet me Rusinë, tre vjet më parë, për shkak të ndërhyrjes së Kremlinit në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel, ka biseduar në telefon me shefin e shtabit të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, në lidhje me mundësitë e rifillimit të bashkëpunimit, për parandalimin e përplasjeve aksidentale midis focave ushtarake dhe çështje të tjera të sigurisë.

Selia e NATO-s në Bruksel e konfirmoi po ashtu bisedën.

Një zëdhënës i NATO-s tha se “dy gjeneralët janë pajtuar që të mbeten në kontakt”.

Merkel do të takojë Trumpin më 14 mars

Zyrtarë në Berlin thanë se kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takojë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Uashington, më 14 mars.

Takimi, i parë zyrtar mes tyre, do të pasojë një fillim gjaknxehtë të marrëdhënieve.

Prejse presidenti i ri amerikan ka marrë detyrën më 20 janar, Merkel ka folur fuqishëm në favor të politikave që Trump i ka kundërshtuar.

Merkel ka kundërshtuar deklaratat e Trumpit se NATO është një “aleancë e vjetëruar”, duke thënë se “sfidat e botës sonë sot nuk mund të menaxhohen nga ndonjë shtet individual”.

Merkel ka folur edhe në favor të agjendës së tregtisë multilaterale, të cilën Trump e ka vënë në pikëpyetje.

Ajo po ashtu ka thënë se “bashkëpunimi i ngushtë” midis Uashingtonit dhe Evropës duhet të bazohet në “vlera të përbashkëta”, përfshirë demokracinë, lirinë dhe respektin për të drejtat dhe dinjitetin e secilit individ.

Gjatë fushatës zgjedhore më 2016, Trump e ka cilësuar politikën e Merkelit për dyer të hapura për migrantët si “të çmendur”.

Eurodeputeti polak i PE-së mund të ndëshkohet për “komente të turpshme”

Një deputet polak i Parlamentit Evropian mund të ndëshkohet, pasi tha se gratë “duhet të fitojnë më pak se burrat, sepse janë më të dobëta, më të vogla dhe më pak inteligjente”.

Presidenti i Parlamentit është duke hetuar nëse Janusz Korwin-Mikke ka thyer rregullat me komentet ndaj deputetëve të tjerë.

Rregullat ndalojnë shpifjen, gjuhën dhe sjelljen raciste dhe ksenofobike.

Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve i bëri thirrje presidentit të Parlamentit, Antonio Tajani, të ndëshkojë deputetin nacionalist polak për “komentet e turpshme”.

Ndëshkimet për raste të tilla radhiten nga vërejtja për pezullim deri në pezullim të përkohshëm.

BE-ja nis hakmarrjen ndaj amerikanëve, iu vë viza

Bashkimi Europian nis të hakmerret ndaj autoriteteve amerikane, duke nisur procedurat për vendosjen e vizave për shtetasit amerikanë.

Të enjten në Bruksel, eurodeputetët do të votojnë në seancë plenare rezolutën drejtuar Komisionit Europian për vendosjen e përkohshme të vizave për shtetasit amerikanë, si përgjigje kundër vendimit të Washingtonit për të mos hequr vizat për shtetasit nga Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Polonia dhe Rumania.

Kjo procedurë është hapur që nga viti 2016, pas reagimit negativ nga autoritetet amerikane për të hequr vizat për të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe për të zbatuar parimin e reciprocitetit.

Parlamenti Evropian i heq imunitetin Le Penit

Deputetët evropianë votuan për të hequr imunitetin e Marine Le Pen, në mënyrë që të lejojnë prokurorët francezë të ndërmarrin hapa ligjore kundër udhëheqëses së të djathtës ekstreme, për publikimin e imazheve të vrasjeve të kryera nga Shteti Islamik.

Anëtarët e Komitetit për Çështjet Ligjore të PE-së mbështetën me shumicë dërrmuese heqjen e imunitetit të Le Pen, pas kërkesës së prokurorit të komunës Nanterre në Paris.

Prokurori hapi një hetim sipas ligjit francez, që ndalon shpërndarjen e imazheve të dhunshme apo atyre që nxisin terrorizmin.

Udhëheqësja e Frontit Nacional, Marine Le Pen është deputete e Parlamentit Evropian që prej vitit 2004.

Ajo i publikoi fotot me imazhe brutale në dhjetor të vitit 2015, si reagim ndaj një gazetari që krahasoi Frontin Nacional me Shtetin Islamik.

Vendimi për t’i dhënë fund imunitetit të Le Pen pritet të konfirmohet nga deputetët evropianë gjatë sesion plenar të së enjtes, por ky konsiderohet si një formalitet pas aprovimit të komitetit.

Ky u fundit votoi me 18 vota pro dhe vetëm 3 kundër për heqjen e imunitetit të Le Pen. Sipas ligjit francez, dënimi maksimal për shpërndarjen e imazheve të dhunshme është 3 vite burg dhe një gjobë prej 75 mijë eurosh.

Ekspertët thonë se kjo çështje ligjore ndaj Le Pen pritet të përfundojë shumë kohë pas zgjedhjeve presidenciale franceze, ku kryetarja e Frontit Nacional pritet që të arrijë në balotazh.

Merkel: Islami nuk është burim i terrorizmit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se feja islame nuk është burim i terrorizmit duke i bërë thirrje edhe vendeve myslimane të bashkohen në luftën kundër kësaj dukurie.

Merkel njihet për qëndrimin e saj kritik ndaj ndalimit amerikan për shtatë vendet me shumicë myslimane.

“Mendoj se vendet myslimane duhet të japin kontribut në luftën ndaj terrorizmit. Sepse vetëm në këtë mënyrë njerëzit do të bindeshin se feja islame nuk është burim i kësaj dukurie”, ka thënë Merkel në Konferencën Vjetore të Sigurisë në Mynih, transmeton lajmi.net.

Ajo në fund i ka bërë thirrje qytetarëve, që të bëjnë dallimin mes ‘islamit paqësor’ dhe ‘terrorizmit në emër të islamit’.

Francë: Dy të plagosur nga snajperi gjatë fjalimit të Hollande

Një snajper i policisë franceze aksidentalisht ka plagosur dy njerëz gjatë fjalimit të presidentit Francois Hollande.

Incidenti ndodhi në qytetin francez Villognon derisa Hollande po fliste në ceremoninë e hapjes së linjes së re të trenit të shpejtë.

Polici ndodhej në kulmin e një ndërtese, afro njëqind metra larg vendit ku po fliste Hollande. Derisa ndryshoi pozicionin, snajperi shkrepi papritmas, ka cituar Reuters një burim anonim.

Pierre N’Gahane, një zyrtar I lartë I policisë në rajon, tha se plumbi goditi dy njerëz në këmbë dpor plagët e tyre nuk janë të rënda.

Zhurma e të shtënave mund të dëgjohet edhe në regjistrimin video të fjalimit të Hollande.

“Shpresoj të mos jetë diçka serioze”, tha presidenti francez duke shtuar se “Nuk e besoj”.

Aeroportet gjermane me qarkullim rekord prej 111.9 milionë pasagjerë

Enti për Statistikë i Gjermanisë (Destatis) njoftoi se aeroportet gjermane vitin e kaluar realizuan rritje të numrit të pasagjerëve për 3.4 përqind në krahasim me vitin 2015

FRANKFURT – Aeroportet në Gjermani vitin e kaluar kanë realizuar qarkullim rekord gjithsej 111.9 milionë pasagjerë. Enti për Statistikë i Gjermanisë (Destatis) njoftoi se aeroportet gjermane vitin e kaluar realizuan rritje të numrit të pasagjerëve për 3.4 përqind në krahasim me vitin 2015 dhe realizuan qarkullim rekord.

Në linjat e jashtme vitin e kaluar nga aeroportet gjermane kanë fluturuar 88.2 milionë pasagjerë, që është për 3.6 përqind më shumë se në krahasim me një vjet më herët, ndërsa në linjat e avionëve brenda Gjermanisë kanë fluturuar 23.7 milionë njerëz, ndërsa edhe kjo është rritje prej 2.8 përqind në krahasim me vitin paraprak.

Më së shumti pasagjerë nga aeroportet gjermane kanë fluturuar në drejtim të Spanjës, ndërsa rritje më e madhe e pasagjerëve vitin e kaluar është realizuar në linjat drejt Tajlandës edhe atë për 26.3 përqind. aa


Send this to a friend