VOAL

VOAL

“Brexit paraqet rrezik për perspektivën e rritjes së Irlandës”

August 14, 2019

Komentet

Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten një rezolutë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), përmes së cilës kërkoi që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë duke e hequr përdorimin e vetos për vendet anëtare.

Rezoluta kërkon gjithashtu që BE-ja ta ketë një buxhet më efikas, në mënyrë që të jetë në gjendje ta përballojë zgjerimin me vende të reja anëtare.

Rezoluta u mbështet nga 305 deputetë, ndërsa 157 deputetë votuan kundër dhe 71 abstenuan.

Bashkimi Evropian, aktualisht, për secilin vendim në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, ku hyn edhe procesi i zgjerimit, duhet të gjejë konsensus. Kjo ka bërë që shpesh vendimet të bllokohen nga ndonjë shtet anëtar përmes vetos, edhe kur të gjitha tjerat ishin në favor.

Kjo është rezoluta e fundit për procesin e zgjerimit që miraton Parlamenti Evropian në këtë përbërje, pasi zgjedhjet e reja në bllok do të mbahen në qershor.

Ky institucion i BE-së e ka mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit, ndërkaq me këtë rezolutë kërkon që BE-ja të reformohet para se të zgjerohet.

Parlamenti Evropian mbështet edhe integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun unik të BE-së përgjatë procesit të zgjerimit, edhe para se ato të bëhen anëtare formale të bllokut.

“BE-ja ka nevojë për një vizion afatgjatë politik dhe për reforma institucionale dhe financiare për të siguruar kapacitete për absorbimin e anëtarëve të ri”, thuhet në tekstin e rezolutës të cilën e kanë miratuar deputetët e Parlamentit Evropian të enjten.

Eurodeputetët kërkojnë që përgatitjet për zgjerim të zhvillohen paralelisht edhe në Bashkimin Evropian edhe në vendet kandidate. Ata kërkojnë po ashtu edhe mbrojtje më të fuqishme të vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe sundimit të ligjit.

Sa i përket reformave institucionale të Bashkimit Evropian, rezoluta kërkon që ato reforma ta lehtësojnë procesin e miratimit të vendimeve, të hiqet miratimi i vendimeve me konsensus dhe të ketë mekanizma më fleksibil. Ajo propozon që të përdoret votimi me shumicë të kualifikuar për të përmirësuar baraspeshën mes vendeve më të mëdha anëtare dhe atyre më të vogla.

Parlamenti Evropian po ashtu kërkon që institucionet e BE-së të fillojnë ta adresojnë ndikimin që pranimi i vendeve të reja anëtare do të ketë në përbërjen e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian.

Ndonëse kërkojnë që BE-ja të vendosë qëllime konkrete për reformat e vendeve kandidate, ata janë kundër vendosjes së afateve kohore për anëtarësim të ndonjë vendi në BE./REL

Kryeministri Kurti u takua me Kryetarin e Parlamentit të Irlandës Veriore, Edwin Poots

Belfast, 28 shkurt 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi agjendën e tij, ku u takua me Kryetarin e Parlamentit të Irlandës Veriore, Edwin Poots.

Në bisedën e zhvilluar mes tyre, folën mbi historinë dhe përvojat respektive, veçanërisht në ballafaqimin me të kaluarën e dhimbshme të luftës.

Kryekuvendari Poots foli për mësimet e nxjerra nga përvoja e Irlandës Veriore në përkujtimin e viktimave. U theksua roli i rëndësisë që kanë muzetë për të përkujtuar çdo jetë të humbur. Me atë rast, kryeministri Kurti përmendi nismën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për themelimin e Muzeut të Luftës, që në qendër do të ketë dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më tej, përmendi po ashtu edhe themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Kurti e falënderoi z. Poots për mikpritjen dhe bisedën e sinqertë. Prezent në këtë takim ishin dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti dhe ambasadori Nicholas Abbott.

Kryeministri Kurti takoi Ministren e Parë të Irlandës Veriore, Michelle O’Neill dhe zëvendësministren e Parë, Emma Little-Pengelly

Belfast, 28 shkurt 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai sot pati një takim me Ministren e Parë të Irlandës Veriore, Michelle O’Neill dhe zëvendësministren e Parë, Emma Little-Pengelly.

Biseda u përqendrua në çështje dhe tema që kanë të bëjnë me integrimin, pajtimin dhe ndërtimin e paqes. U theksua vullneti dhe gatishmëria për bashkëpunim dhe ndarje të përvojave në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë arsimin dhe teknologjinë.

Me këtë rast u bisedua edhe për qasjen në sistemin e arsimit të përbashkët në Irlandën Veriore ku nxënës nga komunitete të ndryshme bëhen bashkë dhe vijojnë mësimet për orë të caktuara gjatë javës.

Kryeministri foli për potencialin dhe suksesin e Kosovës në sektorin e teknologjisë, për zhvillimin ekonomik dhe demokratik në vend. Ai uroi znj. O’Neill dhe znj. Little-Pengelly për formimin e qeverisë. Bashkë folën edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në Irlandën Veriore.

Në takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti.- Zyra e Kryeministrit

Frika për mos angazhimin e SHBA-së në Europë, Gjermania po mendon të ketë armët e saj bërthamore

Gjermanët kanë filluar të diskutojnë nëse vendi përfundimisht do të ketë nevojë për armët e tij bërthamore mes frikës së mosangazhimit të SHBA-së me Europën, edhe pse Gjermania vazhdon të refuzohet nga Agjencia e Energjinë Bërthamore.

Zyrtarët gjermanë kanë filluar të diskutojnë një plan alternativ bërthamor me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, kryesisht falë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë, si dhe presionit të ish-presidentit Trump ndaj aleatëve europianë për të përmbushur kufijtë e shpenzimeve të mbrojtjes, raportoi të martën Wall Street Journal.

Ministri gjerman i Financave Christian Lindner shprehu shqetësimet në një artikull të botuar në mediat gjermane.

“Në cilat kushte politike dhe financiare Parisi dhe Londra do të ishin të gatshëm të ruanin dhe zgjeronin kapacitetet e tyre strategjike për sigurinë tonë kolektive? Dhe sa jemi gati të kontribuojmë ne?” pyeti Lindner.

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ka mbajtur një qëndrim pacifist dhe ka hequr dorë nga armët bërthamore dhe, së fundmi, nga energjia bërthamore.

Image

Gjermania filloi mbylljen e tre reaktorëve të saj të fundit bërthamorë në prill të vitit të kaluar në mes të shtytjes së saj për energji “të pastër”. Megjithatë, pa uzinat, Gjermania aktualisht po mbështetet kryesisht në qymyrin dhe gazin natyror për të fuqizuar ekonominë e saj.

“Energjia bërthamore na furnizoi me energji elektrike për tre gjenerata, por trashëgimia e saj mbetet e rrezikshme për 30,000 gjenerata,” tha në atë kohë ministrja gjermane e mjedisit Steffi Lemke.

Frika e Gjermanisë se SHBA-të mund të pushojë së qeni një parandalues i besueshëm bërthamor vijnë kryesisht prej Trump-it, i cili ishte hapur armiqësor ndaj NATO-s gjatë mandatit të tij në detyrë dhe po e ruan atë retorikë në gjurmët e fushatës.

Në fillim të këtij muaji, Trump tha se do ta linte Rusinë “t’u bëjë çfarë të dojë” vendeve anëtare të NATO-s që nuk po përmbushin kuotat e tyre të financimit.

Traktati i NATO-s thotë se një sulm ndaj një vendi anëtar është një sulm ndaj të gjitha kombeve në aleancë. Trump ka kundërshtuar më parë sasinë më të vogël të parave që vendet e tjera të NATO-s shpenzojnë për mbrojtjen në krahasim me atë që shpenzojnë SHBA-të. Ai gjithashtu ka kërcënuar disa herë në të kaluarën për tërheqjen e SHBA-ve nga NATO./Fox News – Syri.net

Macron: Trupat e NATO-s mund të futen në Ukrainë

FRANCË – Dërgimi i trupave perëndimore në terren në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet në të ardhmen. Kështu tha presidenti francez Emmanuel Macron të hënën në mbrëmje. “Një deklaratë jashtëzakonisht e saktë dhe jashtëzakonisht e rrallë, në Europë nuk ishte dëgjuar asnjëherë një fazë e tillë, as verbalisht”, tha të martën më 27 shkurt, Peer De Jong, nënkryetar i institutit Themiis, specialist në gjeopolitikë dhe ish-kolonel i trupat detare. “Një fjali tronditëse”, shtoi ai.

“Është një angazhim jashtëzakonisht i fortë dhe i adresuar qartë ndaj rusëve”, vazhdon të shpjegojë specialisti ushtarak. Kjo çështje e dërgimit të trupave tokësore është një nga opsionet. “Nëse të tjerët pohuan se nuk kishte konsensus për çështjen e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, presidenti francez vazhdoi të rikonfirmonte një formë vendosmërie në lidhje me ofensivën ruse”, nënvizon Peer De Jong.

“Sot, nuk ka fare plan për dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë, veçanërisht pasi 27 vendet duhet të bien dakord,” tha nënkryetari i institutit Themiis. Emmanuel Macron po përpiqet të pozicionohet në ballë të mbështetjes për Kievin. “Ne shohim se Franca po merr drejtimin e situatës, për të ofruar mbrojtje në Europë”, thotë specialisti. “Presidenti Macron padyshim dëshiron të shfaqet si një lloj organizatori në betejën antiMoskë, që kur Rusia ka pushtuar Ukrainën”, përfundon ai.

(France Info – BalkanWeb)

Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

Udhëheqësit evropianë janë pajtuar të krijojnë një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe bomba, për të mbështetur përpjekjet e Kievit për të luftuar pushtimin e nisur nga Rusia. Kështu tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të kontinentit të mbajtur në Paris.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, dhe udhëheqësit nga shtetet e Baltikut po ashtu morën pjesë në samit që zgjati deri në hënën mbrëma. Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në samit me diplomatin kryesor për Evropë, James O’Brien, ndërkaq në samit mori pjesë edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron.

“Ne po ashtu kemi vendosur t’i japim një shtysë të re koalicionit të mbrojtjes ajrore, gjë për të cilën ka bërë thirrje presidenti ukrainas [Volodymyr Zelensky], dhe të krijojmë koalicionin e nëntë këtë mbrëmje, një koalicion për raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, me të cilat mund të kryhen sulme të thella”, tha Macron gjatë një konference për media të mbajtur pas takimit.

Zelensky, që iu adresua samitit përmes video-lidhjes, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos mund të zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.

Ukraina varet shumë nga armët e avancuara dhe furnizimet me municion nga aleatët perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu bërë ballë sulmeve intensive nga forcat ruse, të cilat nisin pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Trupat ukrainase, që janë më të pakta në numër dhe me mungesë armatimesh, së fundi u detyruan të tërhiqen nga disa pozicione mbrojtëse në lindje, teksa një paketë e ndihmës ushtarake e SHBA-së në vlerë prej 61 miliardë dollarësh mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

Evropa do të ndihmojë Ukrainën “të marrë iniciativën dhe të veprojë së bashku në një kohë kur ka pasiguri në SHBA sa i përket ndihmës”, tha Macron, duke shtuar se në mesin e udhëheqësve që morën pjesë në samit kishte “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe në mënyrë më të shpejtë”.

Ai tha se “asnjë konsensus” nuk ekziston për dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë. Rusia nuk mund të fitojë luftën”, tha Macron.

Ndaras, presidenti polak Duda, tha për gazetarët pas takimit se “nuk kishte entuziazëm” në mesin e pjesëmarrësve lidhur me mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

Pjesëmarrësit në takim thanë se ka rritje të mbështetjes nga shtetet evropiane, përfshirë Francën, për një nismë të Çekisë për të blerë municione dhe predha jashtë Bashkimit Evropian dhe për t’i dërguar në Ukrainë.

Kryeminsitri Mark Rutte tha se Holanda ka vullnet që të ofrojë mbi 100 milionë euro për këtë qëllim.REL

Macron udhëheqësve evropianë: Rusia “nuk duhet të fitojë”

Presidenti francez duke folur në Paris gjatë konferencës për Ukrainën (26 shkurt 2024)

 

VOA/Marrë nga Associated Press

PARIS – Presidenti francez Emmanuel Macron u tha homologëve evropianë të hënën se duhet të garantojnë sigurinë e tyre kolektive duke ofruar mbështetje të palëkundur për Ukrainën, përballë ofensivave më të ashpra ruse në fushëbetejë gjatë muajve të fundit.

“Jemi në procesin e garantimit të sigurisë tonë kolektive, për sot dhe për nesër”, tha zoti Macron ndërsa priti 20 drejtues të qeverive dhe shteteve evropiane, si dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë në Paris, në shenjë uniteti për Ukrainën, ndërsa sulmi frontal i Rusisë hyn në vitin e tretë.

“Rusia nuk mundet dhe nuk duhet ta fitojë atë luftë”, tha zoti Macron në takimin në pallatin presidencial, ku morën pjesë kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, si dhe udhëheqës të tjerë nga vendet balltike.

“Gjatë muajve të fundit në veçanti, e kemi parë Rusinë të bëhet më e ashpër”, tha zoti Macron. “E dimë gjithashtu se Rusia po përgatit sulme të reja, në veçanti për të shokuar opinionin publik ukrainas”.

Zoti Macron përmendi nevojën për të forcuar sigurinë për të shmangur sulme të mëtejshme ruse ndaj vendeve të tjera në të ardhmen. Estonia, Lituania dhe Letonia, si dhe vendi shumë më i madh Polonia, janë konsideruar ndër objektivat e mundshëm të ekspansionizmit të ardhshëm rus. Të katër këto vende janë mbështetëse të vendosura të Ukrainës.

Gjatë takimit në Pallatin Elysee në Paris (26 shkurt 2024)

Gjatë takimit në Pallatin Elysee në Paris (26 shkurt 2024)

Ministri i jashtëm i Estonisë tha më herët këtë muaj se NATO ka rreth tre-katër vite kohë për të forcuar mbrojtjen e saj.

Në një fjalim të transmetuar me video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve të mbledhur në Paris “të sigurohen që Putini të mos mundet të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos zgjerojë agresionin e tij ndaj vendeve të tjera”.

Një zyrtar i lartë francez tha se konferenca nuk synon arritjen e angazhimeve të reja për sa i përket dërgesave të armëve dhe ndihmës financiare, por një koordinim më të mirë të mbështetjes për Kievin dhe për t’u siguruar se do të përmbushen zotimet e dhëna për ndihma. Zyrtari francez foli në rrethana anonimiteti.

Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në takimin e Parisit nga kryediplomati për Evropën, James O’Brien, dhe Britania nga Sekretari i Jashtëm, David Cameron.

Vendet evropiane janë të shqetësuara se Shtetet e Bashkuara do të ulin mbështetjen, ndërsa ndihma për Kievin është pezull në Kongres. Ata gjithashtu kanë shqetësime se një rikthim i ish presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mund të ndryshonte kursin e politikës amerikane në Evropë.

Konferenca e Parisit ndodh pasi Franca, Gjermania dhe Britania nënshkruan rishtazi marrëveshje dypalëshe 10-vjeçare me Ukrainën, me qëllim dhënien e një sinjali të fortë mbështetjeje afatgjatë, ndësa Kievi punon për të rritur mbështetjen perëndimore.

Hungaria miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO

Parlamenti hungarez ratifikoi anëtarësimin e Suedisë në NATO të hënën, më 26 shkurt, 2024/AP

VOA/Marrë nga Reuters

Anëtarësimi i Suedisë në NATO, krahas anëtarësimit të Finlandës kohët e fundit, është zgjerimi më i rëndësishëm i aleancës që nga vitet ‘90 kur ajo përfshiu në radhët e veta shtetet e Evropës Lindore.

Gjatë fjalimit të sotëm në Kuvend, Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se Hungaria “mbështet anëtarësimin. NATO-ja është një aleancë e mbrojtjes. Ne bëjmë aleanca për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast të një sulmi nga jashtë. Nuk ka ndonjë angazhim më serioz se ky.”

Ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO vjen pas vizitës së Kryeministrit suedez Ulf Kristersson javën e kaluar në Budapest, gjatë të cilës dy shtetet nënshkruan një marrëveshje për armatim. Kryeministri Orban tha se bashkëpunimi mes Suedisë dhe Hungarisë në fushën e mbrojtjes dhe anëtarësimi i Suedisë në NATO do të forcojnë sigurinë e Hungarisë.

“Kemi një marrëdhënie të gjatë me shtetin nordik dhe kemi patur edhe mosmarrëveshje. Shumë njerëz nga jashtë provuan të ndërhyjnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona. Ata jo vetëm që nuk kanë ndihmuar, por kanë penguar. Hungaria është shtet sovran dhe nuk toleron diktatin e të tjerëve mbi të, qoftë për përmbajtjen e marrëveshjes apo kornizën kohore të saj,” theksoi kryeministri hungarez Orban.

Stokholmi braktisi politikën e neutralitetit në këmbim për siguri më të madhe përmes NATO-s pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022. Herën e fundit që shteti nordik ka marrë pjesë në një luftë ishte në vitin 1814.

Sipas udhëheqësve perëndimorë, me anëtarësimin e Suedisë në NATO, Presidenti rus Vladimir Putin arriti pikërisht atë që donte të shmangte kur filloi luftën në Ukrainë – zgjerimin e aleancës.

Vendimi i Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO vjen pas anëtarësimit të Finlandës, duke u bërë vendi i 32-të i aleancës. Por Suedia, për dallim nga Finlanda, u përballë me vonesa të imponuara nga Turqia dhe Hungaria, të dyja këto shtete që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me Rusinë në krahasim me anëtarët e tjerë të aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Turqia e kushtëzoi ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë me kërkesat për veprim më të ashpër ndaj militantëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit, që sipas saj ka krijuar baza në Suedi. Suedia ndryshoi ligjet dhe rregullat rreth shitjes së armatimit për të kënaqur Turqinë. Ndërkohë Presidenti turk Tajip Erdogan e lidhi ratifikimin me miratimin e Shteteve të Bashkuara për shitjen e aeroplanëve luftarak F-16 Turqisë.

Vonesat e Hungarisë në procesin e ratifikimit ishin më pak të qarta. Budapesti kryesisht ishte i pakënaqur me kritikat e Suedisë për drejtimin që po merr demokracia në Hungari nën udhëheqjen e kryeministrit nacionalist Orban më shumë se që kishte ndonjë kërkesë konkrete.

Por pas ratifikimit nga Turqia, trysnia ndërkombëtare ndaj kryeministrit Orban u shtua.

Anëtarësimi i Suedisë në NATO pritet të kontribuojë në planifikimin e çështjeve të mbrojtjes dhe bashkëpunimit në pjesën veriore të aleancës. Ajo sjell në aleancë burime të rëndësishme, siç janë nëndetëset të afta për kushtet e operimit në Detin Baltik dhe një flotë të madhe aeroplanësh luftarak Gripen të prodhimit suedez krahas rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes që pritet të arrijnë deri në 2 për qind të prodhimit të saj të brendshëm.

Droni rus mbi autokolonën e saj, ministrja gjermane shpëton mrekullisht në Ukrainë

Një dron rus që po gjurmonte autokolonën e saj për ta sulmuar, ka bërë që vizita e ministres së Jashtme gjermane Analena Baerbock në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv, të ndërpritej me urgjencë.

Një zëdhënës i ministrisë tha për mediat se ata zbuluan që misioni i saj po ndiqej nga një dron spiun rus, ndaj anëtarëve të delegacionit iu kërkua të ktheheshin me nxitim në mjetet e blinduara.

Droni mbi kokat e tyre u zbulua teksa përgatiteshin së bashku me ministren për të vizituar ujësjellësin e qytetit.

Sipas revistës “Der Spiegel”, fluturime të tilla zakonisht pasohen nga sulme ajrore dhe për këtë arsye u vendos që Berbock dhe kolegët e saj të largoheshin sa më parë.

Droni rus vazhdoi të ndiqte makinat në lëvizje për pak kohë dhe alarmi i luftës ra në Mykolaiv, por në fund nuk pati sulm.

Qyteti në fjalë ndodhet shumë pranë frontit dhe në fillim të luftës porti i tij ishte një nga objektivat e parë të forcave ruse. Forcat ukrainase deri më tani kanë mundur të mbrohen me sukses, por së fundmi zona është përballur me sulme të shpeshta me dronë dhe raketa. Ndërkohë, porti i Mykolaiv mbetet i mbyllur për shkak të luftës.

Sakaq, të shtunën në mbrëmje, ministres së Jashtme gjermane iu desh të qëndronte për 20 minuta në një strehë në Odessa, pas një alarmi për sulm ajror.

Një shpërthim ndodhi në afërsi të qytetit, por nuk dihet se cili ka qenë objektivi dhe nëse ka viktima. Përpara vizitës së ministres së Jashtme, katër persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në dy sulme me dron rus në Odesa.sn

Hungaria pritet të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO

Hungaria pritet që të hënën, më 26 shkurt, të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO, duke larguar pengesën e fundit në mënyrë që shteti nordik të bëjë një hap historik dhe të bëhet anëtarja e 32-të e aleancës.

Votimi në Parlamentin hungarez pritet të kalojë pa probleme pas vizitës që kryeministri suedeze, Ulf Kristersson, bëri të premten e kaluar në këtë shtet, vizitë gjatë së cilës Hungaria dhe Suedia nënshkruan një marrëveshje për armë.

Hungaria është shteti i fundit që ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në aleancë.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Suedia, së bashku me Finlandën hoqën dorë nga politika e tyre e neutralitetit ushtarak.

Finlanda u bë anëtare e NATO-s vitin e kaluar, ndërkaq Suedia u përball me vonesa në ratifikim nga Turqia dhe Hungaria, shtete që kanë raporte të mira me Rusinë.

Turqia kërkoi nga Suedia që të ndërmerrte veprime më të ashpra kundër militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit që gjenden në Suedi, në këmbim të ratifikimit të anëtarësimit në NATO.

Suedia ndryshoi ligje dhe zbuti rregullat për shitjen e armëve në mënyrë që të plotësonte kërkesat e Turqisë. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka lidhur ratifikimin edhe me miratimin e shitjes së avionëve amerikanë F-16 për Turqinë dhe tani Ankaraja pret që të punojë me Shtetet e Bashkuara që të ketë një mbështetje në Kongres për shitjen e këtyre fluturakeve luftarake.

Ndërkaq, hezitimi i Hungarisë për ratifikuar pranimin e Suedisë kishte të bënte kryesisht me kritikat suedeze për demokracinë në Hugarinë e udhëhequr nga nacionalisti Viktor Orban.

Me pranimin e Suedisë dhe Finalndës, NATO-ja do të shënojë zgjerimin më të madh që në vitet ’90.REL

Zelensky: 31.000 ushtarë ukrainas u vranë në luftë, shpresoj për samit të paqes së shpejti

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë konferencës për media në Kiev, 25 shkurt 2024.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të dielën se 31.000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës para dy vjetëve.

Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin ukrainas për shënimin e dyvjetorit të pushtimit nga Rusia – i cili nisi më 24 shkurt 2022 – Zelensky shpresoi se një samit i liderëve botërorë do të mbahet në Zvicër në muajt e ardhshëm për të biseduar për vizionin e tij për paqe.

“Deri tani në këtë luftë janë vrarë 31.000 pjesëtarë të ushtrisë. Jo 300.000, jo 150.000, e as sa [presidenti rus Vladimir] Putin dhe rrethi i tij mashtrues kanë gënjyer. Por, sidoqoftë, secila prej këtyre humbjeve është flijim i madh për ne”, tha Zelensky.

Zelensky shtoi se nuk do të flasë për numrin e të plagosurve, për shkaqe sigurie.

Duket se kjo është hera e parë që Ukraina flet zyrtarisht në hollësi për numrin e përgjithshëm të ushtarakë të vrarë.

Herën e fundit kur Kievi foli për numrin e humbjeve në betejë ishte në fund të vitit 2022, kur zyrtari presidencial Mykhailo Podolyak tha se 10.000 deri në 13.000 ushtarë ukrainas ishin vrarë.

Zelensky pretendoi se humbjet e Rusisë janë 180.000 ushtarë të vrarë dhe 500.000 të plagosur në këtë luftë, që është shifër shumë më e lartë se vlerësimet e deritanishme, por e pamundur për t’u konfirmuar.

Rusia nuk i zbulon humbjet në luftë.

Më 24 shkurt, presidentja e Zvicrës, Viola Amaherd, tha se vendi i saj neutral shpreson se do ta mbajë një konferencë të nivelit të lartë për paqe në muajt në vijimë.

“Shpresoj se [samiti[ do të mbahet këtë pranverë. Ne nuk duhet ta humbim këtë nismë diplomatike”, tha Zelensky.

Ai shtoi se pret që kjo nismë e paqes t’i prezantohet Moskës.

Ndërkohë, Zelensky gjithashtu tha se fitorja e Ukrainës në këtë luftë varet nga mbështetja prej Perëndimit, e cila është përballur me rezistencë kryesisht nga ligjvenesit e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha në konferencë se është i sigurt se paketa vendimtare me ndihmë për Ukrainën do të miratohet përfundimisht nga Senati amerikane.

“Se a do të humbë, apo se a do të fitojë Ukraina do të jetë e vështirë për ne, dhe nëse do të ketë numër të madh të viktimave, kjo varet nga ju, nga partnerët tanë, nga bota perëndimore”, tha Zelensky.

Ai shtoi se “ka shpresë për Kongresin. Dhe, jam i sigurt se do të jetë pozitive”.REL

Lihtenshtajni: jo zgjedhjes së drejtpërdrejtë të qeverisë

Selia e qeverisë në Vaduz

Qytetarët e principatës hedhin poshtë nismën: Ekzekutivi do të vazhdojë të zgjidhet nga Parlamenti

VOAL- Populli nuk do të zgjedhë drejtpërdrejt Qeverinë e Lihtenshtajnit: popullsia e principatës hodhi poshtë një nismë në këtë kuptim me një shumicë të qartë të dielën.

Votat jo ishin 9309 (68%), për një pjesëmarrje që ishte afër 67%. Nisma popullore u nis nga partia e vogël Demokratët pro Lihtenshtajnit. Ai kërkoi që kreu i qeverisë dhe katër anëtarët e tjerë të zgjidhen drejtpërdrejt nga popullsia dhe jo nga Parlamenti, siç ndodh aktualisht.

Të drejtat e Princit në “monarkinë e trashëguar kushtetuese mbi baza demokratike” nuk do të prekeshin nëse propozimi do të ishte pranuar.rsi-eb


Send this to a friend