VOAL

VOAL

Shpërthim në ambasadën amerikane në Kiev

Autoritetet në Ukrainë thanë se një pajisje ka shpërthyer në kompleksin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kiev, porse nuk ka shkaktuar viktima.

Policia tha se shpërthimi ka ndodhur rreth mesnatës.

“Hetuesit kanë zbuluar se një person i panjohur ka hedhur pajisje shpëthyese në bazën e misionit diplomatik”, tha përmes një deklarate policia.

Ambasada amerikane nuk e ka komentuar ende rastin.

Panik në Paris – Sulmon me çekiç policin, plagoset agresori. 900 vetë të bllokuar në katedralen “Notre Dame” (Video)

Pas Londrës edhe Parisi në panik. Mediat e huaja raportojnë se një person ka sulmuar një agjent policie me çekiç në afërsi të Notre Dame. Agjenti ka pësuar lëndime.

Më pas policia ka qëlluar mbi autorin duke e lënë të plagosur. Ndërkohë mësohet se e gjitha zona është evakuuar për të evituar ndonjë rrezik të mundshëm.

Policia po kreh lagjen “Ile de la Cite” në qendër të Parisit, në kërkim të bashkëpunëtorëve të mundshëm të agresorit.

Notre dam 2

Rreth 900 njerëz janë bllokuar në katedrale. “Ata janë të qetë, ua shpjeguam situatën dhe po presim që të mund të dalim jashtë,” shpjegoi për TV BFM një anëtar i dioqezës, përgjegjës për komunikim, që ndodhej në kishë. Për atë çfarë ndodhi po heton anti-terrorizmi, çka flet për një akt terrorist.

Paris Notre Dame

Franca është në gjendje të jashtëzakonshme, që pas sulmeve terroriste në Paris që lanë 130 të vdekur në vitin 2015.

Lunacek dënon ashpër sjelljen e Serbisë ndaj Jahjagës

Autoritetet e Serbisë i ndaluan ish-Presidentes Atifete Jahjaga që të marrë pjesë në një takim në Beograd. Eurodeputetja Ulrike Lunacek dënon ashpër këtë sjellje të Serbisë.

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte e ftuar për të promovuar librin “Unë dua të dëgjohem”, kushtuar rreth 20.000 femrave të dhunuara nga forcat serbe, gjatë luftës së Kosovës. Libri pritej të prezantohet sonte në Beograd, në kuadër të Festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, i cili po mbahet në kryeqytetin e Serbisë. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuese e posaçme për Kosovën, Ulrike Lunacek e ka dënuar ashpër sjelljen e autoriteteve serbe.

“Është plotësisht e papranueshme që ish-Presidnetes së Kosovës, Atifete Jahjaga, t’i pamundësohet nga autoritetet serbe pjesëmarrja në Festivalin „Mirëdita, Dobar Dan”, thotë Lunacek në një prononcim për Deutsche Wellen.

Autoritetet serbe të lejojnë futjen e Jahjagës

Presidentja Jahjaga kishte për qëllim të prezantojë atje librin “Unë dua të dëgjohem”, për femrat e dhunuara dhe keqtrajtuara në Kosovë gjatë kohës së luftës. “Kjo sjellje e autoriteteve serbe është edhe një kundërshtim tjetër i marrëdhënieve të mira fqinjësore, për të cilat Beogradi është obliguar në dialogun e Brukselit me Kosovën të ndëmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, pohon Lunacek, e cila kërkon që “autoritetet e Serbisë menjëherë të mundësojnë hyrjen e ish-Presidentes Jahjaga në Serbi me qëllim që sonte të mund të marrë pjesë në takimin ku është ftuar.”

Merkel: Vendimi i Trumpit nuk do të na ndalojë për të mbrojtur planetin

“Tani është e domosdoshme që të shikojmë përpara pas shpalljes së mbrëmshme të administratës amerikane”

BERLIN – Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shprehur se vendimi i presidentit Donald Trump që të tërheq Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Marrëveshja Klimatike e Parisit “nuk mund dhe nuk do të ndalë të gjithë neve që ndjejmë detyrim për të mbrojtur planetin”.

Merkel të premten u ka thënë mediave se vendimi i Trumpit është për të ardhur keq, por shtoi se “Tani është e domosdoshme që të shikojmë përpara pas shpalljes së mbrëmshme të administratës amerikane”.

Merkel tha se Gjermania së bashku me të tjerët do të bashkojnë forcat për sfidën më të madhe për njerëzimin, siç janë ndryshimet klimatike.

Ajo shtoi se Marrëveshja e Parisit doemos duhet të mbahet dhe “neve askush dhe asgjë nuk do të na parandalojë për këtë”. aa

Sorosi reagon ndaj zhvillimeve të fundit në Hungari

Manjati i biznesit dhe themeluesi i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, Xhorxh Soros tha sot se ishte i habitur nga shtrirja e protestave të shkaktuara nga miratimi i një ligji të ri në Hungari nga kryeministri i djathtë, Viktor Orban, i cili mund të detyrojë mbylljen e një prej universiteteve të tij më të shquara ndërkombëtare në këtë vend.

Universiteti i Evropës Qëndrore, themeluar nga Sorosi, mund të mbyllet në Hungari pasi një projekt-ligj i miratuar në prill nga partia Fidesz e kryeministrit Orban, vendos kushte të reja të rrepta, sipas të cilave duhet të operojë ky institucion.

Projekt-ligji çoi në kritika nga qindra akademikë në mbarë botën si dhe nga qeveria amerikane dhe Bashkimi Evropian.

Protestat tërhoqën turmat më të mëdha kundër sundimit shtatë vjeçar të zotit Orban, me organizatorët që llogaritën një pjesëmarrje prej gati 70 mijë njerëzish.

Duke folur në Forumin Ekonomik në Bruksel, një ngjarje e organizuar nga Komisioni Evropian, financieri vuri në lojë mënyrën sesi kryeministri hungarez e përgojon atë.

“Rezistenca që kryeministri Viktor Orban hasi në Hungari duhet ta ketë habitur, aq sa më habiti edhe mua. Ai kërkoi t’i paraqesë politikat e tij si një konflikt personal mes ne të dyve dhe më ka bërë mua objektiv të fushatës së tij të patundur propagandistike.”

Idealet e Sorosit janë krejtësisht në kundërshtim me pikëpamjen e zotit Orban se kultura evropiane është nën një kërcënim ekzistence nga migracioni dhe multikulturalizmi.

Soros tha se admiron popullin hungarez për rezistencën që ka treguar ndaj qeverisë që po mundohet ta shndërrojë vendin në një shtet mafioz.

“E admiroj mënyrën e guximshme me të cilën populli hungarez u ka rezistuar mashtrimeve dhe korrupsionit të shtetit mafioz që ka krijuar Orbani. Jam i inkurajuar nga mënyra energjike me të cilën institucionet evropiane i janë përgjigjur sfidave të ngjashme nga Polonia dhe Hungaria”.

Ligji që miratoi qeveria hungareze kërkon që universitetet e huaja të mbajnë një kampus në vendin e tyre dhe të sigurojnë marrëveshje bilaterale mes Hungarisë dhe qeverive të tyre.

Rregullat padyshim u drejtohen organizatave të finacuara nga Soros, i cili për dekada me rradhë ka dhënë miliarda dollarë nga pasuria e tij për të mbështetur kauzën liberale të “shoqërisë së hapur” në mbarë botën.

Papunësia në Gjermani ulje në nivel rekord

Papunësia në Gjermani gjatë muajit prill ishte 5,8 kurse në muajin maj ajo shënoi rënie në 5,7 përqind. Ky është niveli më i ulët i papunësisë në Gjermani që nga viti 1990, kur ky vend u bashkua

FRANKFURT – Niveli i papunësisë në Gjermani, i rregulluar në baza sezonale, ka rënë në 5,5 për qind, duke arritur në nivel rekord.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Federale e Punës në Gjermani (BA), në muajin maj në Gjermani, numri i të papunëve, i rregulluar në baza sezonale e cila pritej të ketë ulje për 15 mijë, u regjistrua si 9 mijë. Me këtë numri i të papunëve në vend, i rregulluar në baza sezonale, është llogaritur të jetë 2 milionë e 536 mijë. aa

Gjykata çeke vendos për ekstradimin e hakerit rus

Vendi ku është mbajtur seanca për hakerin rus, Yevgeny Nikulin

 

Një gjykatë në Republikën Çeke ka vendosur që hakeri rus i dyshuar për sulme kompjuterike në Amerikë dhe Rusi, mund të ekstradohet në të dy vendet.

Gjykata komunale e Pragës e ka nxjerrur vendimin për rastin e Yevgeny Nikulin, i cili është i akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për hakimin e kompjuterëve dhe vjedhjen e informacioneve nga kompani të mëdha duke përfshirë LinkedIn dhe Dropbox.

Rusia po ashtu është duke kërkuar ekstradimin e 29 vjeçarit i cili është arrestuar nga autoritetet çeke në tetor bazuar në një urdhër të Interpolit me kërkesë të Amerikës.

Vendimi përfundimtar do të jetë në duart e ministrit çek të drejtësisë, i cili mund të miratojë ekstradimin për ndonjërin nga këto vende.

Zyrtarët rusë kanë bërë të ditur se ata kanë punuar për të ndaluar ekstradimin e Nikulin në Amerikë.

Fati i Nikulin-it është duke u vendosur në kohën e hetimeve për ndërhyrje eventuale tw Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Zyrtarët amerikanë pretendojnë se këto sulme kanë ndikuar në fitoren e presidentit Trump.

Schultzi e quan Trumpin “shkatërrues të të gjitha vlerave perëndimore”

Kandidati gjerman për kancelar nga qendra e majtë, Martin Schulz ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump për shkatërrimin e vlerave perëndimore dhe dëmtimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, raporton Reuters.

Duke folur për gazetarët në Berlin, Schulz ka thënë se Trump “është shkatërrues i të gjitha vlerave perëndimore”, duke shtuar se presidenti amerikan po shkatërron bashkëpunimin mes kombeve.

“Dikush duhet të ngrihet përpara këtij njeriu me një ideologji të tillë të riarmatimit”, ka shtuar Schulz.

Presidenti Trump e ka kritikuar Gjermaninë për suficit tregtar dhe për nivelet e shpenzimeve ushtarake.

Këto deklarata vinë një ditë pasi kancelarja Angela Merkel bëri të ditura dyshimet e saj rreth besueshmërisë së Shteteve të Bashkuara si aleate.

Moldavi: Qeveria i ka përzënë pesë diplomatë rusë

Pamje e një pjese të kryeqytetit Kishinev në Moldavi

 

Ambasadori i Rusisë në Kishinev të Moldavisë, Farit Mukhametshin, thotë se pesë anëtarë të Ambasadës së Rusisë në Kishinev janë dëbuar nga autoritetet.

Por, ky veprim i qeverisë së Moldavisë është dënuar nga presidenti pro-rus, Igor Dodon.

“Qeveria ka ndërmarrë një akt shokues ndaj Ambasadës së Rusisë”, ka shkruar dje Dodon në rrjetin Facebook.

Qeveria e Moldavisë ka shprehur vullnet për tu integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Por, presidenti Igor Dodon e ka kundërshtuar këtë integrim dhe përpiqet t’i afrohet Moskës.

Rajoni separatist Transdnistria në Moldavi, për një kohë të gjatë është burim i tensioneve ndërmjet Kishinevit dhe Moskës.

Moska e ka mbështetur shpalljen e pavarësisë së këtij rajoni nga Moldavia në vitin 1990.

Të dy palët e kanë zhvilluar një luftë të shkurtër në vitin 1992, që përfundoi me intervenimin e ushtrisë ruse në anën e Transdnistrias.

Pavarësia e këtij rajoni nuk është pranuar nga asnjë shtet tjetër.

Çeki: Fillon dëgjimi për hakerin rus të kërkuar në SHBA

Ilustrim

 

Shtetasi rus, Yevgeny Nikulin, i cili ballafaqohet me akuza në Shtetet e Bashkuara se ka kryer sulme kibernetike kundër kompanive amerikane, do të dëgjohet sot lidhur me ekstradim.

Ekstradim të këtij personi, i cili në muajin tetor ishte arrestuar nga autoritetet çeke sipas fletarrestit të Interpolit me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, po ashtu kërkon edhe Rusia.

Dëgjimi i sotëm mbahet në burgun Pankrac në Pragë, që është një masë e rrallë, e cila e thekson ndjeshmërinë e këtij rasti.

Fillimisht dëgjimi ishte paraparë për 11 maj, por ishte shtyrë me kërkesë të avokatëve të Nikulinit.

Autoritetet e Çekisë e kanë arrestuar këtë person më 5 tetor të vitit të kaluar, në bashkëpunim me agjencinë amerikane FBI, pas fletarrestit të Interpolit.

Yevgeny Nikulin është i akuzuar se ka kryer sulme kibernetike dhe ka vjedhur informacione në LinkedIn, Dropbox dhe kompani të tjera.

Avokati i tij pretendon se agjentët e FBI-së janë përpjekur që ai të pranonte se ka kryer sulme kibernetike kundër Partisë Demokratike amerikane, para zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.

Rusia, po ashtu, e kërkon atë për akuza të ndara për vjedhje në Internet në vitin 2009.

Zyrtarët rusë më herët kanë thënë se ata po punojnë për ta parandaluar ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Merkel e zhgënjyer nga SHBA dhe Britania: ja çfarë duhet të bëjë Europa

“Kohёt, kur ne mund tё mbёshteteshim tёrёsisht tek njeri-tjetri kanё kaluar tani. Kёtё e kam pёrjetuar gjatё ditёve tё fundit.” Kancelarja Angela Merkel nuk e fshehu zhgёnjimin e saj pas samitit tё G/ nё Taormina. Nё njё fjalim mbajtur nё njё tendё birre nё Mynih-Trudering Merkel theksoi: “Ne europianёt duhet ta marrim vet nё dorё fatin tonё.”

Merkel me ankesёn e saj iu referua adiministratёs sё SHBA-sё nёn Donald Trump, por ajo kishte parasysh edhe Brexit qё ёshtё nё prag tё Britanisё sё Madhe. Natyrisht duhet t’i pёrmbahemi miqёsisё me SHBA-nё dhe Britanisё sё Madhe, theksoi Merkel si kryetare e CDU-sё duke marrё pjesё nё njё veprimtari elektorale tё kryetarit tё artisё simotёr CSU, Horst Seehofer.

Rol i veҁantё pёr Macron

“Edhe me Rusinё, edhe me shtete tё tjera” shpresohet pёr fqinjёsi tё mirё. “Por ne duhet ta dimё, se ne duhet tё luftojmё vet pёr fatin tonё”, tha Merkel. Nё kёtё kontekst ajo i kushtoi rёndёsi tё veҁantё marrёdhёnieve me Francёn.

Paraqitje shkatёrrimtare e Trumpit

Nё samitin e shtatё vendeve tё industrializuara nё Itali kryetarёt e shteteve dhe tё qeverive tё premten dhe tё shtunёn(27.05 – 28.05)nuk bёnё asnjё pёrparim. Presidenti i SHBA-sё me kursin e tij tё konfrontimit e zhyti G7 nё krizё tё thellё. Pёrpjekja, pёr ta bindur Trumpin pёr marrёveshjen e Parisit pёr mbrojtjen e klimёs, dёshtoi mjerueshёm. Njё vendim vendimtar pёr kёtё ai do ta marrё gjatё javёs.

DW

Macroni pret sot Putinin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ai rus, Vladimir Putin

 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të presë sot homologun rus, Vladimir Putin.

Takimi do të zhvillohet në Pallatin e Versajës, jashtë Parisit.

Macron, i cili është zgjedhur president më 7 maj, tha se është “e domosdoshme të flitet me Rusinë, sepse janë një numër çështjesh ndërkombëtare, të cilat nuk zgjidhen pa dialog të ashpër me të”.

Dy presidentët pritet të diskutojnë për ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në Francë, si dhe për ndërhyrjen ruse në luftërat në Siri dhe Ukrainë.

“Do të jem kërkues në shkëmbimet e mia me Rusinë”, tha Macron.

G7, Merkel e Trump anulojnë konferencat për shtyp

Ashtu siç ishte parashikuar samiti i G7 në Taormina të Italisë, një nga impenjativët e viteve të fundit nuk ka mundur ende të gjej sintezën e duhur të bashkëpunimit mes 7 vendeve më të fuqishme të botës në çështje të lidhura me klimën, tregtinë ndërkombëtare e krizën e emigrantëve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në mënyrë surprizë ka anuluar konferencën e saj të shtypit me mediat ndërkombëtare duke lejuar një bashkëbisedim të shkurtër mediatik vetëm me gazetarët gjermanë.

Gjithashtu dhe Presidenti amerikan Donald Trump nuk do të marr pjesë në konferencën e fundit të shtypit në përfundim të samitit të G7 por do të largohet menjëherë pas drekës së punës.

Para se të lërë Italinë, Presidenti amerikan do të ndalet në bazën ushtarake në Sigonella ku do të flas para trupave amerikane.

Papa në Gjenova: Jezusi është avokati ynë, t’ia besojmë çështjet më të rëndësishme!

“Të mos fundosemi në detin e të këqijave të jetës”. Këtë kujtoi Papa, duke kremtuar Meshën në Sheshin Kenedy të Gjenovës. Gjatë ditëve tona  rendim e punojmë shumë, merremi me një mori gjërash, pastaj rrezikohemi të arrijmë në mbrëmje të lodhur e me shpirtin e rënduar, të ngjashëm me një anije ngarkuar me mallra që, pas një lundrimi të lodhshëm, hyn në port me një dëshirë të vetme: të ankorohet e të shuajë dritat – vërejti Papa. – Të jetosh gjithnjë në rendje, me shqetësimin e njëmijë sendeve që duhen bërë, ka rrezik të habitemi, të mbyllemi në vetvete e të shqetësohemi edhe për gjëra pa pikë rëndësie:

“Që të mos fundosemi në detin e të këqijave të jetës, duhet të kujtohemi ditë për ditë ta hedhim spirancën në Zotin: t’i çojmë para tij barrët e rënda, njerëzit, situatat, t’ia besojmë gjithçka. Kjo është forca e lutjes, që lidh qiell e dhe, që i krijon Zotit kushtet të ndërhyjë në kohën tonë”.

Jezusi është si avokat, të cilit mund t’ia besojmë çështjet më të vështira – kujtoi Papa – Ja, fjala-kyçe e pushtetit të Jezusit: ndërmjetësim! Jezusi ndërmjetëson pranë Atit për ne çdo ditë, çdo çast. Në çdo lutje, në çdo kërkesë tonën për falje, posaçërisht në Meshë, Jezusi ndërmjetëson; i tregon Atit shenjat e jetës së tij të flijuar, plagët e tij. E ndërmjetëson, duke  nxjerrë për ne hirin e mëshirës. Eshtë avokati ynë e, kur kemi ndonjë çështje të rëndësishme, bëjmë mirë t’ia besojmë, t’i themi:

“O Zot Jezus, ndërmjetëso për mua, për ne, për këtë njeri, për këtë situatë”.

Lutja e krishterë – kujtoi Papa Bergoglio – nuk është mënyrë për të ndenjur paksa në paqe me vetveten, ose për të gjetur harmoni shpirtërore: ne lutemi ‘për ta çuar gjithçka para Zotit, për t’ia beauar botën: lutja është ndërmjetësim. Nuk është qetësi, është bamirësi. Lutje do të thotë të kërkosh, të lypësh, të trokasësh. Është të vihesh në lojë, për të ndërmjetësuar, duke ngulmuar para Zotit njëra palë, për tjetrën. Të ndërmjetësojmë pa u lodhur kurrë: kjo, përgjegjësia jonë e parë, sepse lutja është forca, që e çon përpara botën. Është misioni ynë, mision që në të njëjtën kohë kërkon lodhje e jep paqe. Ja pra, pushteti ynë: nuk duhet të dalim mbi të tjerët, e as të bërtasim më fort, sipas logjikës së kësaj bote, por të përdorim forcën e butë të lutjes, me të cilën mund të ndalojmë edhe luftërat e të fitojmë paqen.

Gjatë homelisë, Papa e krahasoi të krishterin me maratonomakun. Nuk është vrapues shpejtësie, as kampion, që duhet të arrijë i pari. Është shtegtar, misionar, maratonomak që çon lajmin e shpresës. I butë, por i vendosur të vrapojë plot besim, e njëkohësisht aktiv; plot me frymë krijuese, e njëkohësisht me respekt; i shkathët e i hapur, punëdashës e solidar. Me këtë stil t’i përshkojmë udhët e botës. Si për dishepujt e zanafillës janë udhët e botës: e sidomos atje ku Zoti pret të njihet, sot:

“Si në origjinë, Zoti dëshiron që kumtimi të çohet me forcën e Tij: jo me forcën e botës, por me forcën  e kulluar e të butë të dëshmisë gazmore. Kjo është urgjente! T’i kërkojmë Zotit hirin të mos fosilizohemi në çështje, që nuk janë themelore, por t’i kushtohemi me mish e me shpirt urgjencës së misionit. T’ua lëmë të tjerëve  përgojimet e diskutimet e shtira të atyre, që vetë flasin e vetë dëgjojnë e të punojmë konkretisht për të mirën e përbashkët e për paqen”.  Radio Vatikani

 

Estonia dëbon dy diplomatë rusë

Narva, Estoni

 

Ministria e Jashtme e Estonisë tha se ka dëbuar dy diplomatë rusë, por nuk dha më shumë detaje.

Shërbimi Baltik i Lajmeve i identifikoi dy diplomatët si Dmitry Kazennov, konsull i përgjithshëm i Rusisë në qytetin Narva, dhe Andrei Surgayev, konsull.

“Ky është një tjetër veprim jomiqësor dhe i pabazë, i cili nuk do të mbetet pa përgjigje”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Estonisë – vend anëtar edhe i Bashkimit Evropian, edhe i NATO-s – kanë qenë të tensionuara me vite.

Më herët, këtë muaj, një gjykatë estoneze ka dënuar një shtetas rus me pesë vjet burgim, pasi e ka gjetur fajtor për spiunim për Rusinë.

Itali, fillon samiti i vendeve të G7-ës nën masa të rrepta sigurie

TAORMINA – Në qytezën Taormina të Italisë ka filluar Samiti i G7-tës i cili tubon liderët e shtatë vendeve të industrializuara.

Liderët e Bashkimit Evropian dhe G7-tës, e cila përbëhet nga SHBA-të, Gjermania, Britania, Japonia, Franca, Kanadaja dhe Italia, janë takuar në Samitin 43-të të Liderëve të G7-tës. Ata në samit janë pritur nga kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni.

Duke shpërndarë një video-mesazh me homologët e tij para samitit, kryeministri Gentiloni ka thënë se, “Nuk do të jetë lehtë, por nga G7-ta do të përpiqemi të arrijmë rezultate. Fryma e Taorminas mund të na ndihmojë ta gjejmë rrugën e vërtetë”.

Nga ana tjetër, shefi i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, lidhur me samitin është shprehur se, “Pa dyshim, më i vështiri është samiti i G7-tës. BE do të bëjë çdo gjë që të arrihet një marrëveshje”.

Temë diskutimi, terrorizmi dhe siguria 

Në dy seancat e para të sotme, liderët e G7-tës do të diskutojnë lidhur me çështje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe sigurinë. Pas sulmit terrorist në qytetin e Manchesterit në Britani, palët do të bisedojnë lidhur me luftën kundër terrorizmit e posaçërisht kundër organizatës terroriste DEASH, si dhe lidhur me çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë.

Po ashtu, temë diskutimi pritet të jenë edhe provat raketore të Koresë së Veriut, zhvillimet në Lindjen e Mesme, kriza e refugjatëve, si dhe aktivitetet e Rusisë në Siri dhe Ukrainë.

Në seancën e fundit të ditës së parë, liderët do të vlerësojnë edhe ekonominë botërore dhe çështjet lidhur me zhvillimin e vazhdueshëm.

Dita e parë e samitit do të përfundojë me koncertin e Orkestrës së Filarmonisë La Scala në amfiteatrin antik.

Pas koncertit, liderët e G7-tës do të marrin pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Italisë Sergio Mattarella.

Liderët do t’i përfundojnë punimet me seancën e fundit gjatë ditës së nesërme.

Ndërkaq, në kuadër të masave të sigurisë, qendra e qytezës Taormina, ku do të mbahen seancat e ditës së parë, janë mbyllur tërësisht për qarkullim. Në çdo rrugë dhe cep të qytezës vërehet nga një ushtar dhe polic.

Për shkak të masave të rrepta të sigurisë, gazetarët dhe banorët e Taorminës lejohen të futen në qendër të qytetit pasi kalojnë në dy pika kontrolli.

Trumpi dhe liderët e BE-së me qëndrime “të ndryshme” për Rusinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u takua sot në Bruksel me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Pas takimit, presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk tha se presidenti Trump dhe zyrtarët e lartë të BE-së, dështuan të gjejnë terren të përbashkët në disa çështje.

Tusk u tha gazetarëve në Bruksel se përderisa për disa çështje, siç është lufta kundër terrorizmit, kishte qëndrime të njëjta, ai shtoi se “disa çështje, siç është klima dhe tregtia, vazhdojnë të jenë të hapura”.

Nuk jam 100 për qind i sigurt që sot ne mund të themi, dhe kur them ne, mendoj zoti president dhe unë, nuk kemi pozicione të njëjta, mendime të njëjta për Rusinë. Edhe pse kur bëhet fjalë për konfliktin në Ukrainë, duket se jemi në të njëjtën linjë”, tha Tusk.

Tusk tha se mesazhi kryesor i tij për presidentin Trump ishte se “ajo që i jep kuptim bashkëpunimit dhe miqësisë tonë, janë vlerat themelore perëndimore si liria, të drejtat e njeriut dhe respektimi i dinjtetit njerëzor”.

Trump, i cili është në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, që prej se është zgjedhur president, u takua në Bruksel edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogerini, si dhe me presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajan.

Presidenti amerikan,i cili në këtë vizitë po shoqërohet nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe këshilltari për siguri kombëtare, H.R. McMasterkanë shprehur shqetësimin se mund të humben vende të punës në SHBA për shkak të Brexit”, ka thënë një burim nga BE-ja që ka njohuri për mbarvajtjen e këtij takimi.

Trump u takua po ashtu në një drekë pune me presidentin e ri të Francës, Emmanuel Macron dhe e uroi për fitoren në zgjedhjet presidenciale, ndërkaq Macron tha se është i lumtur që po takohet me presdientin amerikan.

Trump sot merr pjesë në një takim me aleatët e NATO-s, ku temë qendrore pritet të jetë lufta kundër terrorizmit.

Presidenti amerikan ka qenë kritikë edhe ndaj NATO-s si dhe BE-së. Trump më herët e kishte cilësuar NATO-n si “organizatë të vjetruar”, duke thënë se aleanca nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar terrorizmin.

Ai po ashtu ka kritikuar shumicën e aleatëve për mosrespektimin e udhëzimeve të NATO-s mbi shpenzimet.

Stoltenberg: NATO do t’i bashkohet koalicionit anti-IS

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se vendet anëtare të aleancës do të pajtohen sot për pjesëmarrjen e NATO-s në koalicionin ndërkombëtar kundër grupit militant Shteti Islamik (IS).

“Kjo do të dërgojë mesazh të fuqishëm politik për angazhimin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit”, tha Stoltenberg përpara një takimi të liderëve të aleancës, sot në Bruksel.

Ai tha se marrëveshja nuk do të përfshijë plane të aleancës për t’u përfshirë në operacione luftarake.

Vendet anëtare të NATO-s tashmë janë të angazhuara individualisht në koalicionin që lufton Shtetin Islamik në Irak dhe Siri.

Policia gjermane shpartallon një bandë hajdutësh me 500 anëtarë

Mynih – foto arkivi

 

Policia e Mynihut tha se ka prishur një klan të madh hajdutësh, i cili, sipas vlerësimeve, mund të jetë përgjegjës për një të pestën e vjedhjeve në Gjermani.

Policia tha se banda kriminale mund të krahasohet me një “oktapod me këmbë në gjithë Evropën” dhe se pjesëtarët e saj janë të lidhur me gjak ose martesë.

Hetimet kanë nisur kur tri gra janë kapur duke bërë përpjekje për të hyrë në një pronë në Mynih, në janar të vitit 2016.

Hetimet kanë çuar në arrestime në Kroaci, Spanjë dhe Gjermani.

Reinhold Bergmann, komisionar i policisë për vjedhje të organizuara, tha se banda mund të ketë degë që operojnë edhe në vende të tjera, si: Belgjika, Franca dhe Italia.

Bergman tha se grupi ka shfrytëzuar kryesisht gra të reja për të kryer vjedhjet.

Policia tha se banda ka rreth 500 anëtarë dhe sistem hierarkik.

Zbulohet plani sekret francez në rastin e fitores së Le Penit

Një grup zyrtarësh të lartë dhe ministra të qeverisë në largim të presidentit Francois Hollande kishin hartuan një plan emergjence për të menaxhuar pasojat në rast se zgjedhjet do të fitoheshin nga Marine Le Pen. Sipas mediave franceze plani synonte dobësimin e pushtetit të saj.

Plani sekret, që shihej prej zyrtarëve që e hartuan si një përpjekje për të mbrojtur republikën e pestë franceze dhe ruajtjen e rendin publik, synonte vonimin e procesit të dorëzimit të pushtetit nga zoti Hollande tek zonja Le Pen. Po kështu synohej mbajtja e presidentit në largim në detyrë deri pas zgjedhjeve parlamentare që zhvillohen muajin e ardhshëm.

Në këtë mënyrë Marine Le Pen nuk do të kishte qenë në gjendje të emëronte kryeministrin që donte. Zyrtarët kishin llogaritur se partia e saj Fronti Kombëtar i ekstremit të djathtë nuk do të siguronte një shumicë parlamentare, duke e detyruar kështu zonjën Marine Le Pen të prante një kryeministër dhe një kabinet të zgjedhur nga partitë opozitare.

“Ishte një plan me shumë faza”, i tha një zyrtar i lartë revistës L’Obs. “Thelbesorja, ishte ruajtja e paqes, duke respektuar rregullat tona kushtetuese”, shtoi ai.

Plani nuk u vu në zbatim për shkak të fitores dërrmuese të Emmanuel Macronit.

Sipas shtypit francez, qëllimi i parë në mendjen e pjesëmarrësve në këtë plan ishte ngrirja e situatës politike dhe parandalimi i trazirave të dhunshme civile. E dyta ishte të kufizimi i aftësive vepruese të Marine Le Penit.

Mogherini thërret në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Bruksel më 24 maj, me diplomaten më të lartë të Bashkimit Evropian, për të diskutuar për mënyrat e kapërcimit të tensioneve në rritje dhe përparimin e synimeve të tyre për pranim në BE.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, i ka ftuar liderët e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, për të diskutuar për zhvillimin më të shpejtë politik, gjatë një darke pune në Bruksel.

Zyra e saj ka njoftuar mbrëmë se “do të diskutuohet situata në rajon” dhe “do të shikohet së bashku rruga përpara”.

Aktualisht, Maqedonia është përfshirë në krizë të thellë politike, e cila duket se ka filluar të zgjidhet pasi këtë javë është nominuar mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme pas votës së mosbesimit për qeverinë aktuale.

BE gjobit Facebookun me 110 milionë euro

Komisioni Evropian gjobiti rrjetin social Facebook me 110 milionë euro për dhënie të informacioneve të pasakta rreth blerjes së aplikacionit WhatsApp.

“Vendimi i sotëm dërgon sinjal të qartë te kompanitë, se ato duhet të veprojnë në përputhje me të gjitha rregullat e BE-së, përfshirë obligimin për të dhënë informacione të sakta”, tha komisionarja e BE-së për çështje të konkurrencës, Margrethe Vestager.

Në përgjigje, Facebook tha se ka bashkëpunuar me Komisionin dhe se gabimet nuk kanë qenë të qëllimshme.

Sipas Komisionit Evropian, Facebook, kur e ka njoftuar Komisionin për blerjen e WhatsApp-it në vitin 2014, ka thënë se “nuk do të jetë në gjendje të krijojë një përputhshmëri të besueshme automatike midis llogarive të përdoruesve në Facebook dhe llogarive të përdoruesve në WhatsApp”.

Megjithatë, WhatsApp, më 2016, ofroi mundësinë që përdoruesi të lidhë numrin e telefonit me profilin në Facebook, tha Komisioni Evropian.

Gjermania thotë se mund të tërheqë trupat e saj nga një bazë në Turqi

Avion luftarak gjerman në bazën ajrore në Incirlik të Turqisë

 

Berlini ka thënë se mund të zhvendosë trupat e saj nga një bazë ajrore në Turqi, për në ndonjë vend tjetër, pas refuzimit të Ankarasë zyrtare për të lejuar ligjvënësit gjermanë që të vizitojnë trupat e tyre që gjenden në Turqi.

Ministria e Jashtme gjermane ka thënë se vendimi i Turqisë për të refuzuar vizitën e trupave të tyre “është i papranueshëm”.

Trupat gjermane janë të vendosura në bazën në Incirlik, bazë që përdoret nga koalicioni ndërkombëtar që lufton kundër grupit militant Shteti Islamik.

Gjermania ka të stacionuar aty rreth 250 pjesëtarë të personelit ushtarak.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se pozicioni i Turqisë është “fatkeq” dhe se Gjermania, do të vazhdojë bisedimet për të zgjidhur këtë çështje por gjithashtu do të “kërkojë alternativa të tjera”, përveç bazës ajrore në Incirlik”, përfshirë edhe bazat në Jordani.

Vendimi i Turqisë për të refuzuar vizitën e ligjvënësve gjermanë, si duket ka të bëjë me vendimin e Berlinit që t’iu jap azil disa ushtarëve turq, të cilët Ankaraja i akuzon se kanë marrë pjesë në grusht-shtetin e dështuar të vitit të kaluar.

Kancelarja Merkel ka thënë se “është absoulitisht qenësore që ligjnëvësit tanë të jenë në gjendje të vizitojnë trupat tanë”.

Mediat gjermane kanë raprotuar se mbi 400 pjesëtarë të personelit ushtarak turk, diplomatë, gjykatës dhe zyrtarë të tjerë, kanë kërkuar azil politik në Gjermani.

Partia e kancelares Merkel i fitoi zgjedhjet në një shtet kryesor

Partia konservatore, Unioni Kristian Demokratik (CDU), i kancelares Angela Merkel, i ka fituar zgjedhjet në shtetin kryesor, North Rhine-Westphalia, kundër rivalëve të qendrës së majtë, që shihen si paralajmërim i disponimit politik para zgjedhjeve kombëtare në muajin shtator.

Rezultatet e para të zgjedhjeve në këtë shtet, të publikuara sot, tregojnë se CDU është e para me 33% të votave të fituara.

Ky shtet me numrin më të madh të banorëve në Gjermani, që paraqet afro 20% të popullatës në gjithë Gjermaninë, është tradicionalisht bazë e fuqishme e Partisë Social Demokrate (SPD).

SPD fitoi 31.2%, që paraqet rënie prej 39.1%, sa kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2012.

Francë: Presidenti i ri në ditën e parë të punës e emëron kryeministrin

Emmanuel Macron gjatë ceremonisë së djeshme të inaugurimit në Paris

 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet që gjatë ditës së sotme ta emëroj kryeministrin e ri dhe ta vizitoj kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Zoti Macron dje në Paris u inaugurua në postin e presidentit, me ç’rast e ka paraqitur agjendën tij për ripërtritjen e unitetit francez dhe rindërtimin e besimit në Bashkimin Evropian.

Shumë ekspertë thonë se zoti Macron, sot në ditën e tij të parë të plotë të punës, me gjasë për kryeministër do ta emëroj politikanin nga Patia Republikane, Edourad Philippe.

Më vonë, presidenti Macron në Berlin do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me synim të forcimit të raporteve të vendit të tij me aleatin shumëvjeçar, Gjermaninë.

Pas fitores së zotit Macron, 39 vjeçar, kundër rivales së tij të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, në zgjdhjet presidenciale franceze, kancelarja Merkel e ka përshëndetur presidentin e ri, Emmanuel Macron.

Muzeu në Gjeorgji ruan perlat e industrisë sovjetike të automobilave

Mamulashvili hapi muzeun e veturave tre vite më parë, dhe në të ekspozon koleksionin e tij privat të veturave

TIBILIS – Biznesmeni nga Gjeorgjia, Giorgi Mamulashvili, në muzeun e veturave në Tbilisi ruan kujtimin e automjeteve të prodhuara në periudhën e ish-Bashkimit Sovjetik.

Mamulashvili hapi muzeun e veturave tre vite më parë, dhe në të ekspozon koleksionin e tij privat të veturave.

Në një intervistë me gazetarin e AA-së, Mamulashvili tha se ai është një tifoz i madh i makinave të vjetra, dhe se gjatë gjithë jetës së tij, ai është marrë me blerjen dhe riparimin e veturave të cilat tani me krenari i ka ekspozuar.

“Meqë numri i veturave të blera u rrit, ndërtova një garazh privat ku riparoja veturat që ato të duken sikur tani kanë dalur nga fabrika, ndërsa në vitin 2014 këtë hapësirë e shndërrova në muzeun e parë automobilave në pjesën jugore të Kaukazit” tha Mamulashvili.

Duke theksuar se i bartë të gjitha shpenzimet e muzeut, Mamulashvili tha se dëshiron t’iu tregojë brezave të ardhshëm automobilat që janë prodhuar dhe përdorur nga paraardhësit e tyre sovjetikë.

Në mesin e gjithsej 26 automjeteve sovjetike, vëmendjen e veçantë e tërheqin pick-upi i parë sovjetik “GAZ 04” i prodhuar në vitin 1933 dhe sedani i parë sovjetik “M 01” nga viti 1936.

Në muze është edhe limuzina “Çajka” e ish-presidentit të Gjeorgjisë, Eduard Shevarnadze, vetura e blinduar “Zil” e ish-sekretarit të Partisë Komuniste të Gjeorgjisë, Konstantin Ustinovich Chern dhe sedan dhe limuzina “Çajka”, e përdorur nga Patriarku i Kishës gjeorgjiane, Ilia i dytë. aa

Europol: Sulmi kibernetik ka pasur për cak të paktën 150 shtete

Sulmi kibernetik i së premtes, ka goditur 200 000 mijë viktima në të paktën 150 shtete të botës, ka thënë agjencia e BE-së, Europol, duke shtuar se numri i të prekurve nga sulmet kibernetike mund të rritet.

Drejtori i Europolit, Rob Wainërig, ka thënë se çka ishte e veçantë e këtij sulmi, ishte përdorimi i një softveri në atë mënyrë që virusi të përhapet automatikisht.

“Përhapja e këtij sulmi në botë është e pashembullt. Numri i fundit është se mbi 200 mijë viktima në të paktën 150 shtete janë prekur, dhe shumë prej tyre janë biznese dhe korporata”.

“Në këtë moment, ne jemi përballë një kërcënim që po përshkallëzohet. Numrat po rriten dhe unë jam i shqetësuar se këto numra do të vazhdojnë të rriten”, ka thënë ai.

Në Detin Mesdhe shpëtohen qindra emigrantë

Në deklaratën me shkrim të publikuar nga Roja Bregdetare e Italisë me seli në Romë, theksohet se dje në 4 operacionet e shpëtimit janë shpëtuar 484 persona

ROMË – Ekipet e Rojës Bregdetare të Italisë, kanë shpëtuar 484 emigrantë gjatë përpjekjeve për të kaluar Detin Mesdhe.

Pasi që kushtet e motit dhe detit janë përmirësuar janë rritur kalimet e emigrantëve dhe operacionet e shpëtimit, në rrugën më të përdorura nga trafikantët e njerëzve në emigracionin e parregullt nga Afrika në Evropë.

Në deklaratën me shkrim të publikuar nga Roja Bregdetare e Italisë me seli në Romë, theksohet se dje në 4 operacionet e shpëtimit janë shpëtuar 484 persona.

Gjatë operacioneve janë nxjerrë 7 kufoma të emigrantëve nga deti. aa

“Drynat e dashurisë” në Paris shpresë për refugjatët

Nga shitja në ankand publik i “drynave të dashurisë” janë mbledhur 249.610 euro të ardhura

PARIS – Të ardhurat e përfituara nga shitja me ankand publik, i drynave të dashurisë që turistët kanë vendosur mbi urat në lumin Sena (La Seine) në kryeqytetin e Francës, Paris, do të përdoren për nevojat e refugjatëve.

Nga shitja në ankand publik i “drynave të dashurisë” janë mbledhur 249.610 euro të ardhura.

Në ankandin i cili ishte ndërprerë për disa kohë për shkak të protestuesve të krahut të djathtë ekstrem, janë shitur edhe pjesët që i përkasin Pont des Arts, që është ura ku janë vënë më së shumti drynat.

Turistët në përgjithësi pasi mbërrijnë në këtë urë vendosin drynin dhe më pas çelësin e hedhin në lumin Sena, si “dokument” i pavdekshmërisë së dashurisë së tyre.
Drynat e varur në urë në vitin 2015 u hoqën për shkak se kishte rrezik të shembjes së saj.

Turistët më pas filluan të vendosin drynat në urat e ngjashme të tjera mbi lumin Sena. aa

Macron bën betimin si president

Emmanuel Macron(majtas) dhe Francois Hollande(djathtas)

 

Emmanuel Macron ka bërë betimin si president, duke bërë që 39-vjeçari të bëhet presidenti më i ri në moshë i Francës.

“Francezët kanë zgjedhur më 7 maj, shpresën”, ishin fjalët e para të presidentit Francës.. Përgjegjësia që ma dhanë francezët është nderë dhe jam i vetëdijshëm për peshën e kësaj. Evropa dhe botës i duhet një Francë më e fortë, një Francë të lirisë dhe solidaritetit”, tha Macron.

Para ceremonisë së betimit, Macron është takuar me paraardhësin e tij, Francois Hollande, në Pallatin Presidencial të Francës.

Macron mposhti në zgjedhje, kandidaten e ekstremit të djathë Marine Le Pen. Ai në balotazhin e 7 majit fitoi 66 për qind të votave.

Papa Françesku në Fatima shenjtëron dy fëmijë

Papa ka shenjtëruar Francisko dhe Jacinto Marto në fillim të meshës të së shtunës me çka kanë shënuar edhe njëqind vjetorin e shfaqjes

FATIMA – Papa Françesku ka shtuar dy fëmijët në listën e shenjtorëve katolikë, për nder të një vëllai dhe motre të cilët pas shfaqjes së Virgjëreshës Mari njëqind vjet më parë në një fermë të qytetit portugez Fatima, e kanë shndërruar atë në një nga tempujt më të rëndësishëm katolik në botë.

Papa ka shenjtëruar Francisko dhe Jacinto Marto në fillim të meshës të së shtunës me çka kanë shënuar edhe njëqind vjetorin e shfaqjes. Qindra mijëra pelegrinë ishin në vend, prej të cilëve shumica e tyre e kanë kaluar ditën në Fatima duke u lutur për paqe, para shtatores së Madonnas. Të pranishmit duartrokitën me admirim, pasi Papa Françesku lexoi deklaratë rituale për shpalljen shenjtorë të vëllait dhe motrës Marto.

Vëllai, motra dhe kushërirja e tyre, Lucia de Jesus dos Santos, më 13 mars 1917 lajmëruan se Virgjëresha Mari u shfaq para tyre, ndërsa kullosnin delet. Ata thanë se u ka treguar në besim tre sekrete, parashikoi vizionin apokaliptik të ferrit, luftës, komunizmit dhe vdekjen e Papës dhe u bëri thirrje që të luten për paqe në botë dhe faljen e mëkateve.

Francisco dhe Jacinta Marto vdiqën në vitin 1919, gjatë një epidemie të gripit.

Hahn mbështeti Ramën, Kukani mbështet Hahnin

Eurodeputeti i djathtë, Eduard Kukan ka shprehur mbështetjen e tij për deklaratën e Johannes Hahn, nëpërmjet një statusi në Twitter.

“Mbështetje të plotë për Johannes Hahn dhe deklaratën e tij për qytetarët shqiptarë”, ka shkruar Kukan në statusin e vet, të publikuar para pak minutash.

Më herët Komisioneri Johannes Hahn i drejtoi një letër publike qytetarëve shqiptarë, ku u tregua i drejtëpërdrejtë dhe dënoi thirrjet për pengim të procesit zgjedhor, më 18 qershor.

“Më lejoni që të tregohem i qartë; dënojmë fuqimisht çdo thirrje për “aksione” që do të minojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe të drejta të tjera themelore. Këto “aksione” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, thotë Hahn.

Qeveria e Francës dha dorëheqje

PARIS – Pas deklarimit zyrtar se Emmanuel Macron është zgjedhur president i Francës qeveria ka dhënë dorëheqje.

Presidenti François Hollande i cili do të lë detyrën e presidentit të Francës ka pranuar dorëheqjen e paraqitur nga kryeministri Bernard Cazeneuve.

Duke i shprehur falënderimet kryeministrit Cazeneuve për detyrën e kryer gjatë 6 muajve, Hollande ka kërkuar të qëndrojë në detyrën e tij deri në formimin e qeverisë së re.

Kryetari i Këshillit Kushtetues të Francës, Laurent Fabius në një deklaratë ka njoftuar se Emmanuel Macron duke marrë 66.10 përqind të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sipas rezultateve zyrtare është zgjedhur presidenti i ri i vendit.

Pritet që Macron detyrën e presidentit ta marrë nga Hollande këtë të dielë.

Në Francë më 11 qershor do të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Nëse në raundin e parë asnjë parti nuk arrin shumicën absolute më 18 qershor do të mbahet raundi i dytë për partitë që kanë kaluar 12.5 përqind të votave. aa

Poroshenko: Fitili i luftës dhe butoni i paqes ndodhen në Moskë

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko gjatë pjesëmarrjes në programin “Minuta e Parë e Paqes” tha se fitili i luftës dhe butoni i paqes ndodhen në Moskë

KIEV – Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko gjatë pjesëmarrjes në programin “Minuta e Parë e Paqes” tha se fitili i luftës dhe butoni i paqes ndodhen në Moskë.

Presidenti ukrainas i cili mori pjesë në programin “Minuta e Parë e Paqes” organizuar në kuadër të përvjetorit të kapitullimit të Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore bëri disa kritika ndaj Rusisë.

Ai tha se si në Luftën e Dytë Botërore ashtu edhe sot ukrainasit janë në linjën e frontit. Poroshenko theksoi se kësaj radhe po luftohet për vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe botës së lirë kundrejt Rusisë.

“Edhe fitili i luftës, edhe butoni i paqes ndodhen në Moskë. Ato janë në duart e dikujt me ambicie imperialiste”, tha Poroshenko duke theksuar se është parandaluar lufta aktive me guximin e ushtarëve dhe përpjekjet e diplomatëve të Ukrainës.

Poroshenko tha se agresioni rus në Donbas vazhdon pavarësisht qëllimeve të mira të Kievit dhe ushtria ruse asnjëherë nuk ka qenë në përputhje me armëpushimin.

Ai shtoi se pa garantuar sigurinë e cila ka rol kyç në rajon në procesin e Minskut, nuk mund të arrihet progres. aa

Macron merr detyrën në fundjavë

PARIS – Lideri i lëvizjes “En Marche” i cili u zgjodh president i ri i Francës, Emmanue Macron, do të fillojë zyrtarisht detyrën në fundjavë.

Ministria e Brendshme e Francës ka deklaruar se Macron, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale do të marrë detyrën nga presidenti aktual François Hollande përmes ceremonisë që do të organizohet në Pallatin e Elizeut.

Në ndërkohë, Hollande së bashku me Macron morën pjesë në një ceremoni në sheshin Charles de Gaulle dhe vendosën kurorë lulesh në portën triumfale të Parisit.

Në ceremoni morën pjesë kryeministri francez Bernard Cazeneuve dhe ish-presidenti Nicolas Sarkozy, ministra, politikanë, krerë fetarë dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në një deklaratë për televizionin ‘France 2’ pas ceremonisë, Hollande theksoi se ceremonia e dorëzim-pranimit të presidencës do të bëhet të dielën, duke shtuar se “Çdoherë do të jem në anën e Macronit”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Francës, Macron ka marrë 66.06 përqind të votave kurse kundërshtarja e tij Marine Le Pen 33.94 përqind në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Gjatë zgjedhjeve, 25 milionë votues nuk dolën në votime, kurse katër milionë lanë të zbrazët fletëvotimin në shenjë proteste.

Rezultatet zyrtare në lidhje me zgjedhjet do të shpallen më 10 maj nga Këshilli Kushtetues i Francës. aa

Udhëheqësit e BE-së të qetë pas fitores së Macronit

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian morën frymë lirisht, duke shijuar fitoren e kandidatit Emmanuel Macron në garën presidenciale të Francës. Gazetat e kontinentit të vjetër, me frymë pro Bashkimit Evropian, përshëndetën fitoren e 39-vjeçarit ndaj kandidates të së djathtës ekstreme Marine Le Pen.

Nëse do të zgjidhej, Le Pen pati premtuar se do të nxirrte Francën nga eurozona dhe se do të hidhte në vote qëndrimin ose jo të vendit brenda Bashkimit Evropian.

Pas muajsh ballafaqimi me një valë nacionaliste populiste në të gjithë kontinentin si dhe përçarjeje politike për arsye të krizës së emigracionit, fitorja e fortë e Macronit shtron mundësinë e një fillimi të ri për Bashkim Evropian i përgatitur për të hyrë në negociata të ndërlikuara për daljen e Britanisë.

Fitorja e Macronit është përshëndetur në mbarë botën.

Presidenti amerikan Donald Trump e uroi nëpërmjet një komenti në Twitter fitoren zotit Macron, ku shkruante: “Urime Emmanuel Macronit për fitoren e tij të madhe si presidenti i ardhshëm i Francës. Pres me padurim për të punuar me të”.

Zoti Trump nuk kishte mbështetur publikisht asnjë kandidat përpara zgjedhjeve, por kishte lënë të kuptohej se në përgjithësi favorizonte pikëpamjet e Marine Le Penit.

Ish kandidatja për presidente Hillary Clinton, udhëheqësi i të drejtave civile në Amerikë Jesse Jackson si dhe kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio, ishin ndër ata që përgëzuan zotin Macron dhe popullin francez për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Fitorja e Macronit u përshëndet edhe nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në një koment në Twitter shprehej se ndihej “i lumtur që francezët zgjodhën një të ardhme evropiane”

Ndërkohë një zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, përshëndeti rezultatin duke e cilësuar si një “fitore për një Evropë të fortë dhe të bashkuar”.

Një çantë e dyshimtë në sheshin ku pritet të mbajë fjalim Macron

Forcat policore kanë rrethuar sheshin ku ndodhet një nga muzetë më të famshëm në botë, atë të Louvre-s, ndërsa ka larguar qytetarët dhe turistët nga zona

PARIS – Policia franceze ka gjetur një çantë të dyshimtë në sheshin ku kandidati për president i këtij vendi, Emmanuel Macron, do të mbajë një fjalim gjatë darkës.

Forcat policore kanë rrethuar sheshin ku ndodhet një nga muzetë më të famshëm në botë, atë të Louvre-s, ndërsa ka larguar qytetarët dhe turistët nga zona.

Thuhet se çanta është gjetur pranë çadrës e cila ishte përgatitur për pjesëtarët e mediave që do të ndiqnin fjalimin e Macron këtë mbrëmje.

Kujtojmë se gjatë fushatës elektorale, një person ka sulmuar me thikë një ushtar në këtë zonë.

Në dy vitet e fundit, të paktën 230 persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e sulmeve terroriste.

Zgjedhjet presidenciale të ditës së sotme në Francë në garën e së cilave është lideri i lëvizjes Marshimi, Emmanuel Macron dhe liderja radikale e djathtë, Marine Le Pen, zhvillohen ndërkohë që në vend ekziston gjendja e jashtëzakonshme. Ndërsa për ruajtjen e sigurisë së këtyre zgjedhjeve të paktën 50 mijë forca të sigurisë janë në detyrë.

Rezultatet pritet të dalin gjatë ditës së sotme. aa

Mbi 6 mijë emigrantë janë shpëtuar në Mesdhe në dy ditët e fundit

Fotografi nga arkivi

 

Mbi 6 mijë emigrantë janë shpëtuar në dy ditët e fundit, në Detin Mesdhe kanë thënë zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të flotës italiane.

Roja bregdetare italiane ka thënë se rreth 3 mijë persona janë shpëtuar më 6 maj, pothuajse numër i njëjtë i emigrantëve të shpëtuar më 5 maj.

Roja bregdetare ka thënë se flota italiane, agjencia e BE-së, Frontex dhe disa organizata joqeveritare kanë marrë pjesë në operacionet e shpëtimit.

Disa prej emigrantëve të shpëtuar janë dërguar në Itali, ndërkaq 730 emigrantë, në një anije të Mjekëve pa Kufi, janë nisur po ashtu drejt brigjeve italiane.

Roja bregdetare libiane i ka thënë agjencisë Associated Press se ka shpëtuar 170 emigrantë më 6 maj por nuk ka mundur që të shpëtojë më shumë emigrantë për shkak të mungesës së burimeve.

Italia dhe Libia kanë bashkëpunuar në përpjekjet për të shpëtuar emigrantët, të cilët po marrin rrugën e rrezikshme detare për të arritur në Evropë.

Ogranizata ndërkombëtare për Emigrantë, ka thënë se 43,490 emigrantë kanë arritur në Evropë përmes detit, që prej 26 prillit.

Zyrtarët thonë se rreth 1 mijë emigrantë kanë vdekur këtë vit, ndërkaq mbi 4 mijë e 500 emigrantë, kanë vdekur ose konsiderohen të zhdukur dhe ka frikë se janë mbytur më 2016.

Juncker: Anglishtja po e humb rëndësinë në Evropë

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, tha në një konferencë në Itali se “anglishtja është duke humbur rëndësinë në Evropë”.

Pas tensioneve me Britaninë, për shkak të negociatave për daljen e saj nga BE-ja, Juncker tha se do ta mbajë fjalimin në Firence në frëngjisht.

“Ngadalë, por me siguri, anglishtja po e humb rëndësinë në Evropë. Franca po ashtu mban zgjedhje”, tha ai, duke shpjeguar përse ka zgjedhur të flasë frëngjisht.

Juncker e cilësoi vendimin e Britanisë për të lënë BE-në si “tragjedi”.

Komentet e tij për gjuhën janë përcjellë me të qeshura dhe duartrokitje.

“Do të negociojmë në mënyrë të drejtë me miqtë britanikë, por mos të harrojmë se nuk është BE ajo që po braktis Britaninë, por Britania po braktis BE-në dhe këtu është dallimi”, tha Juncker.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka akuzuar disa zyrtarë evropianë se po bëjnë përpjekje të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare në Britani, të cilat do të mbahen më 8 qershor.

Bashkimi Evropian ka 24 gjuhë zyrtare.

Para se t’i bashkohej Britania më 1973, frëngjishtja ishte gjuha kryesore në BE.


Send this to a friend