Fjala e kryetarit të Bashkisë Përmet, z. Niko Shupuli.
“I nderuar zoti Deputet!
Të nderuar miqtë tanë kosovarë!
Të nderuar pjesëmarrës!
25 Maji tashmë është kthyer në një traditë të bukur dhe kuptimplotë, këtu në Frashër të mblidhemi së bashku për një arsye madhore – përkujtimi i ditëlindjes së Atdhetarit të kulluar, Apostullit të shqiptarizmës dhe poetit të madh kombëtar, Naim Frashërit. Pjesëmarrësit këtu janë nga Frashëri e Përmeti, Tirana e Kosova. Ka të rinj gjimnazistë, njerëz të letrave dhe kulturës, përfaqësues të pushtetit vendor e qeverisë, përfaqësues shoqatash, personalitete e akademikë të shquar që me veprën e tyre i kanë bërë dhe i bëjnë shërbim të madh çështjes sonë kombëtare.
Nuk mund të ndodhte ndryshe përveçse kjo pjesëmarrje kaq e larmishme, sepse Naimi ishte dhe mbetet i të gjithëve, i kujtdo që ka lindur shqiptar e flet gjuhën e bukur shqipe, pavarësisht moshës, arsimit, besimit e trevës ku ka lindur apo banon. Naimi dhe vëllezërit, Samiu e Abdyli, mbeten simbole të dashurisë për Atdheun, të dashurisë për popullin dhe njeriun e thjeshtë. Tradita që krijoi Naimi, vijon të mbetet e gjallë dhe frymëzuese edhe për brezat e shoqërisë së sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poet i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i arsimit e kulturës shqipe. Unë besoj e shpresoj se, edhe ky aktivitet dhe dhjetëra të tjerë që zhvillohen në qytete e institucione të ndryshme të Shqipërisë e jashtë saj, kudo që ka shqiptarë, përcjellin mesazhin naimian: Shqipëria e Atdheu ynë ka nevojë për më shumë punë, për më shumë dashuri e vëllazëri, për më shumë besim tek e ardhmja, për të patur më shumë dritë brenda vetes sonë, sepse vetëm kështu do të vijë dita që Shqipëria të bëhet Zonjë e vërtetë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Frashëri dhe Dangëllia sot nuk janë në ditët e tyre më të mira, nuk janë atje ku e meritojnë, janë braktisur dhe dëgjohen çdo ditë e më pak zërat e njerëzve, zilet e bagëtive që frymëzuan Naimin, boritë e makinave apo zërat e fëmijëve që hyjnë e dalin nga shkollat. Kapacitetet tona njerëzore dhe financiare si pushtet vendor si ato të ish-komunës Frashër dhe sot të Bashkisë Përmet, por edhe aktorëve të tjerë lokalë, janë të mangëta për të nderuar Naimin e veprën e tij, ashtu siç e meritojnë. Të gjithë ne, së bashku, deputet, akademikë, pushtet vendor duhet të ngremë zërin, të lobojmë së bashku që kjo zonë të marrë vlerat dhe rëndësinë që i takojnë. Të tjerët s’kanë simbole kombëtare dhe i krijojnë, si një mundësi që i japin vetes për t’u identifikuar. Ne që i kemi, nuk e vlerësojmë siç duhet. Emri i tyre, emri i Frashërit, pasuritë e mrekullueshme natyrore dhe kulturore janë mundësi për zhvillim e prosperitet të kësaj krahine e më tej dhe të Përmetit.
Frashërllinjtë: Naimi, Abdyli e Samiu, janë simbolet e shqiptarizmit, nderi dhe krenaria jonë kombëtare. Ata i kanë kapërcyer kufijtë lokalë, nuk janë vetëm të Frashërit e Përmetit, por të gjithë kombit e shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, ndaj edhe kontributi dhe angazhimet për të vendosur në vendin e duhur e të merituar dinjitetin e tyre duhet të jetë mbarëkombëtar. E kjo kërkon rikthimin e ish-banorëve të Dangëllisë, rregullimin e infrastrukturës, rrugës që lidh Frashërin me rrugën nacionale, rijetësimin e muzeut, duke e kthyer këtë fshat të Dangëllisë në një vend pelegrinazhi kombëtar, ku të gjejnë inspirim e frymëzim brezat që vijnë nga çdo vend ku jetojnë shqiptarët. Përvjetorët e lindjes së vëllezërve Frashëri duhet të kthehen në festa kombëtare që të kujtohen kudo që ka e rreh zemër shqiptari.
Ndaj, ky takim i sotëm, këtu, mendoj se duhet të jetë edhe një apel për qeverinë shqiptare e institucionet e saj, Ministrinë e Kulturës, atë të Arsimit e Sportit etj. e aktorë kombëtarë që iluminizmin dhe atdhetarizmin e këtyre figurave ta vlerësojnë e mbështesin më shumë. Në përfundim të kësaj ligjërate dua të citoj fjalët e akademikut Jorgo Bulo: “Nga koha e Naimit në kohën tonë ka rrjedhur shumë ujë, kanë ndryshuar kode morale e sisteme politike, por Ai, ka mbetur përjetësisht apostull i shqiptarizmit dhe ndërgjegjja e kombit, ka mbetur përjetësisht Poeti ynë kombëtar. Ai mbetet përjetësisht i gjallë. Ai është Shqipëria! Dhe njerëz të tillë kombi nuk i harron kurrë, por i nderon dhe i respekton pafundësisht!”
Faleminderit!”
*****
Traditë me përmasa kombëtare.
Duke filluar nga 25 maj i vitit 2004, në Frashër ka filluar një traditë e bukur Festive. Në përvjetorin e ditëlindjes së Naimit, për të përkujtuar Vëllezërit Frashëri: Abdylin, Naimin, dhe Samiun, mblidhen aty nga të gjitha trojet shqiptare, në një veprimtari me përmasa të gjera kombëtare. Kjo traditë e bukur filloi me iniciativën e z. Tomor Kotorri dhe që nga viti 2004 deri në vitin 2011 organizatore e këtij takimi kanë qenë Komuna Frashër, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) dhe Qendrën Kulturore Përmet.
Pas këtij viti, 2012 deri në vitin 2015 kjo veprimtari është organizuar nga shoqata atdhetare kulturore mbarë kombëtare “Vëllezërit Frashëri” në bashkëpunim me komunën Frashër.
Këtë vit, 25 maj 2016, shoqata atdhetare kulturore mbarë kombëtare “Vëllezërit Frashëri” ka bashkëpunuar me Bashkinë Përmet. Deri më sot janë organizuar 13 veprimtari kombëtare për jetën dhe veprën e vëllezërve Frashëri dhe patriotëve të tjerë.
Në këtë veprimtari merrnin pjesë, të zgjedhurit vendorë të Bashkive Përmet e Këlcyrë dhe të qarkut Gjirokastër, shumë personalitete të shkencës dhe kulturës dhe midis tyre gjendej dhe akademiku Rushan Liço. Bukurinë kësaj feste ia shtonin dhe zërat e gëzueshme të nxënësve të shkollave të mesme të Prizrenit, Suharekës e Rahovecit si dhe të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qytetit të Përmetit dhe Këlcyrës.
******
Monument përjetësie me vargje e këngë.
Pas fjalës së zjarrtë të kryetarit të Bashkisë Përmet, z. Niko Shupuli, në skenën e gurtë para monumenteve të Vëllezërve Frashëri, ngjiten njëri pas tjetrit grupet folklorike. Çeljen e bëri grupi i Gjirokastrës, i cili nëpërmjet këngëve, e solli të gjallë imazhin e tyre. Grupi i Gjirokatrës, pasi performoi vetëm një pjesë të repertorit të tij, ua la vendin grupeve të tjera, për t`u rikthyer më pas përsëri në skenë. Ngjitet në skenë grupi i Përmetit. Vargjet e Naimit, të kthyera në këngë, e ndezën më tepër atmosferën. Ndihesh krenarë për Frashërin, vendlindjen e Rilindjes Kombëtare, ndihesh krenarë për këta instrumentistë dhe këngëtarë që s`pushojnë së krijuari dhe së kënduari. Këngëtarë dhe dëgjues ndihen krenarë që aty në Frashër, i ngrejnë çdo vit, në ditëlindjen e Naimit, një monument përjetësie, veprës së tyre të përjetshme, një monument i ndërtuar me këngë e valle, me recitime e duartrokitje, me sy që shkëlqejnë e zemra që rrahin fort për atë epokë të përjetësuar me emrin Rilindje.
*****
Tomor Kotorri: Frashërllinjtë janë simbol i krenarisë kombëtare
Pushojnë një çast këngët dhe duartrokitjet. Në skenë ngjitet të përshëndesë pjesëmarrësit, z. Tomor Kotorri.
Pjesë nga fjala e tij:
“Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” t’ju falënderoj dhe t’ju uroj mirëseardhjen sot, në Frashër, në vendlindjen e Frashërllinjve të mëdhenj, në këtë 170-vjetor te poetit tonë kombëtar Naim Frashëri
Pa dyshim që veprimtari dhe konferenca të tilla mbartin vlera të mëdha kulturore dhe shkencore. Ato pasurojnë kulturën e shoqërisë dhe i njohin drejt për drejt brezat e ardhshëm me historinë e hershme të kombit tonë.
Gjatë gjithë historisë së kulturës shqiptare ne jemi dëshmitarë të lindjes të personaliteteve dhe intelektualëve të shquar, të cilët kanë shërbyer si orientues për brezat e mëvonshëm dhe janë bërë shembull i krenarisë kombëtare. Të tillë janë vëllezërit Frasheri: Abdyli, Naimi dhe Samiu
Naimi na ka mbledhur e do të na mbledhë vazhdimisht, duke na frymëzuar e duke na ushqyer me shqiptarizëm, me mirësi e përparim , duke na uruar e bekuar për përparimin e shkëlqimin e kombit tonë. Për të gjithë ne, vëllezërit Frashëri kanë qenë e do të mbeten simbol i dashurisë e krenarisë kombëtare, por në mënyrë të veçantë Naimi krijon në vetëdijen tonë portretin e një poeti mendimtar, një nga mendjet me të ndritura dhe talentet më të fuqishme të gjithë kulturës shqiptare.
Në fjalën dhe veprën e tij, poezia shqipe gjeti shkëlqimin e saj, gjuha shqipe bukurinë e saj, atdhedashuria shqiptare lulëzimin e saj.
Ai i këndoi aq bukur Shqipërisë, ëndërroi aq fuqishëm për lirinë dhe të ardhmen e saj, sa që emri dhe vepra e tij u lidhen ngushtë me fatet e Shqipërisë, të cilit populli i dha si mbiemër emrin e Shqipërisë dhe e quan Naim Shqipëria”.
Midis të tjerash, në fjalën e tij, z. Tomor Kotorri u shpreh:
Më lejoni të bëj disa falënderime për të gjithë ata që sponsorizuan dhe u bë i mundur zhvillimi i kësaj veprimtarie kombëtare:
Bashkia Përmet, Cesvi Përmet, Këshilli i Qarkut Gjirokastër, Bashkia Këlcyrë, Ani Çulli, biznesmen përmetar me aktivitet në Tiranë, Shkëlqim Canollari, biznesmen përmetar me aktivitet në Tiranë.
******
Rexhep Qosja, apostull i shqiptarizmës.
Në skenë ngjiten përsëri grupet folklorike, por edhe recituesit e talentuar, të ardhur nga Rahoveci , Prizreni, Suhareka, nga e gjithë Kosova. Anëtaret më të reja të shoqatës “Zëri Dardan”, Doruntinë dhe Eriola Thaçi, recituan vargje të bukura dhe shumë prekëse, të cilat u shoqëruan me duartrokitje të zjarrta të publikut.
Në skenë ngjitet përsëri Kryetari i Bashkisë Përmet, z. Niko Shupuli dhe Kryetare e Këshillit të Bashkisë Përmet znj. Miranda Habili (Fezga). Do t`i jepet titulli “ Qytetar Nderi i Përmetit” akademikut Rexhep Qosja, i cili nuk ishte i pranishëm aty në Frashër, në dhënien e këtij titulli, por në një kohë të mëvonshme, përfaqësues të bashkisë dhe të këshillit bashkiak Përmet, të shoqëruar nga personalitete të shkencës dhe kulturës shqiptare, do të shkojnë vetë në Prishtinë për t`ia dorëzuar këtë titull akademik Rexhep Qosjes.
Z. Tomor Kotorri, gjatë fjalës së tij, do ta vlerësonte figurën e tij, si një zë i kthjellët, intelektuali i ndërgjegjes kombëtare, mbrojtës i lirisë, i të drejtës dhe i së vërtetës.
“ Rexhep Qosja ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Kelmendit, Malit të Zi, është akademik shqiptar. Më 1964 u diplomua në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni -jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981. Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera. Për krijimtarinë shkencore e letrare është vlerësuar me çmime te ndryshme si ne Kosovë dhe Shqipëri. Në vitin 2000, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”
Me veprën e tij shkencore, letrare e publicistike, Rexhep Qosja i ka bërë sfidë ideologjisë kundër shqiptare të nacionalizmit sllav duke u ushqyer në burimet e kulturës kombëtare dhe njëkohësisht në ato evropiane e botërore, Në veprën e tij ai ndalet shumë te ideali gjuhësor i Rilindësve, të cilin e vështron si shprehje të koncentruar të idealit kombëtar. Në të vërtetë, kjo punë mbetet studimi më i plotë, me qasje tipologjike, historike dhe hapësinore, një arritje shkencore e pakrahasueshme deri tani. Rilindja Kombëtare është “Vetëdija më e lartë, më e përgjithshme e kulturës sonë. Janë gjashtëdhjetë vite pune e një njeriu qe i është përkushtuar veprimtarisë intelektuale për të mirën e kombit. Rexhep Qosja është një zë i kthjellët, intelektuali i ndërgjegjes kombëtare, mbrojtës i lirisë, i të drejtës dhe i së vërtetës”.
*******
Tomor Kotorri vlerëson veprën e Jorgo Bulos.
Në fjalën e tij z. Tomor Kotorri, i kushtoi një vëmendje të veçantë dhe akademik Jorgo Bulos. Sheperi dhe Zagoria, të cilat janë vendlindja e akademikut Jorgo Bulo, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me Përmetin. Dy treva me histori të dokumentuara mijëravjeçare, nën këmbët e të njëjtit mal, atij të Dhëmbelit. Shumë banorë të trevës së Zagorisë janë bërë prej vitesh dhe shekujsh banorë të Përmetit. Ndaj ka ndjeshmëri të lartë ky vlerësim që bëhet për akademikun Jorgo Bulo.
Fjala e z. Tomor Kotorri:
“Jorgo Bulo lindi në Sheper, Gjirokastër më 1939. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave. Në vitin 1960 përfundoi studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të larta në vitin 1960, do të ishte bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku për dy dekada do të ishte edhe shef i sektorit të historisë së letërsisë shqipe
Sot mbush 18 muaj nga largimi i parakohshëm nga jeta, i prof. Jorgo Bulos, njeriut, që la një numër të madh veprash shkencore në fushën e letërsisë, si monografi, studime, artikuj të botuara në një shtrirje të gjerë kohore. Përveç veprave, me një vlerë aq të madhe e me peshë shkencore, ai na la buzëqeshjen, ngrohtësinë miqësore, dashurinë dhe bujarinë, na la shembullin se si duhet të respektohet miku, shoku e njeriu. Ai na mësoi si duhet të kuptohet Naimi, na porositi si t’i lexojmë vargjet e Çajupit, kur na merr malli për Atdheun, për vendlindjen.
Akademiku Jorgo Bulo vdiq në një kohë të gabuar, por në vendin e duhur, në Përmet, në vendlindjen e Rilindësve te mëdhenj. Duket sikur zgjodhi vendin ku kishte lindur Naimi, duke folur për Naimin, për letërsinë dhe kulturën shqiptare, me vështrimin nga Frashëri, nga vendlindja e Vëllezërve Frashëri. Jorgo Bulo do te jetë gjithmonë midis nesh, edhe këtu në Frashërin e Naimit, edhe pranë institucioneve kulturore shkencore. Ai është një studiues i shquar i letërsisë shqipe, intelektual dhe erudit i pashoq, sidomos në ndriçimin e figurave të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me punën e tij shumë vjeçare në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë ka lënë gjurmë të paharruara si pedagog shkencor dhe kontribues i madh në edukimin e brezave, në studimet albanologjike. Puna dhe personaliteti i tij na bën të ndihemi të gjithë krenar. Akademik Jorgo Bulo gjatë jetës dhe punës së tij u vlerësua me çmime kombëtare si “PENDA E ARGJENDTË” dhe “FAIK KONICA” .
Më pas u ngjitën përsëri grupet folklorike dhe nxënësit e shkollave duke e gjallëruar më tej atmosferën festive. Të pranishmit vizituan shtëpinë-muze të “Vëllezërve Frashëri”, atje ku u ngjiz dhe lindi shpirti i kombit shqiptar.
*******
Konferencë shkencore për Rexhep Qosjen dhe Jorgo Bulon.
Pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie ishte dhe konferenca shkencore: : “Rexhep Qosja dhe Jorgo Bulo, studiues të shquar të letërsisë shqipe dhe të Rilindjes Kombëtare”. Kjo veprimtari u organizua në Sallonin ,( Oda) ku u mbajt Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Fjala e hapjes u mbajt nga z. Tomor Kotori, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”. Më pas u mbajtën kumtesat që ishin përgatitur për këtë sesion shkencor:
Prof. Begzad Baliu: “Albanologjia dhe Rexhep Qosja”.
Prof. Dr. Shyqyri Hysi dhe Dr . Ermelinda Kasha: “Personaliteti i studiuesit Jorgo Bulo”.
Poeti Lumo Kolleshi: “ Porosia e madhe e Rexhep Qosjes modeli më i plotë për studimin e poetit kombëtar Naim Frashëri”.
Të pranishmit i përshëndeti dhe vajza e akademik Jorgo Bulos, znj. Anila Bulo, e cila falënderoi organizatorët dhe studiuesit e këtij sesioni shkencor.
Më pas u vizitua Teqeja Bektashiane e Frashërit dhe, në një nga lokalet e Piskovës, u shtrua një drekë për të ftuarit.
Materiali u përgatit
nga Kujtim Mateli.
Përmet, 25 maj 2016.
Komentet