Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës zhvilloi takimin e radhës, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet politike në Shqipëri, protesta që prej 106 ditësh vijon në rrugët e Tiranës, liria e medias, si dhe mënyra se si këto zhvillime po pasqyrohen në hapësirën mediatike shqiptare.
Në fokus të takimit ishte veçanërisht roli i medias në një periudhë të tensionuar politike. Unioni theksoi se e vërteta, objektiviteti, paanshmëria dhe profesionalizmi janë domosdoshmëri për informimin korrekt të publikut. Media, duhet të jetë e pavarur nga çdo pushtet politik apo ekonomik, të verifikojë faktet dhe t’i japë publikut informacion të plotë, të saktë dhe të balancuar.
Gazetarët Shqiptarë Profesionsitë të Diasporës u shprehën kritikë ndaj atyre mediave që e trajtojnë protestën e vazhdueshme në Tiranë si një zhvillim dytësor, duke i kushtuar hapësirë të kufizuar ose duke e anashkaluar në raportimin e përditshëm.
Sipas Unionit, është problematike që një protestë që ka hyrë në ditën e 106-të dhe që ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Shqipërisë të mos trajtohet me seriozitetin dhe standardin profesional që kërkon një zhvillim i tillë. Në vend që të analizohen kërkesat e protestuesve, të verifikohen faktet dhe të dëgjohet zëri i qytetarëve, protesta, sipas diskutimeve, shpesh reduktohet në një lajm periferik.
Unioni ngriti shqetësimin edhe për ndikimin e presioneve të qeverisë, politike, ekonomike apo institucionale mbi mediat dhe gazetarët, veçanërisht në rastet kur raportimi përmban qëndrime kritike ndaj qeverisë.
Në diskutim u përmendën gjithashtu kufizimet apo bllokimet e dhjetëra profileve që përcjellin zërat e protestës, denoncimet ndaj skandaleve dhe korrupsionit në qeveri, si dhe postimet, videot dhe fotografitë që përmbajnë kritika të forta dhe fakte në kundërshtim me qëndrimet e qeverisë.
Unioni vlerëson se çdo kufizim i pajustifikuar i qarkullimit të informacionit cenon të drejtën e publikut për t’u informuar dhe krijon rrezik për deformimin e realitetit publik.
Reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe zgjedhjet e vitit 2027
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua reformave ligjore dhe institucionale, veçanërisht reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.
Sa i përket reformës zgjedhore, Unioni theksoi nevojën për një reformë zgjedhore në shërbim të standardeve të demokracisë, të funksionimit të drejtë të sistemit zgjedhor dhe të rikthimit të besimit të qytetarëve te procesi demokratik. Sipas Unionit, reforma duhet të garantojë transparencë, konkurrencë reale dhe standarde të barabarta për të gjithë aktorët politikë.
Vëmendje iu kushtua edhe reformës territoriale, për të cilën u ngrit shqetësimi se mund të favorizojë interesa elektorale të partisë në pushtet. Diskutimi u përqendrua te mënyra se si ndarja aktuale territoriale ndikon në përfaqësimin e komuniteteve, decentralizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.
Në fokus ishte edhe perspektiva e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Një prej pikëpyetjeve të ngritura ishte pjesëmarrja e forcave opozitare në këtë proces dhe, në mënyrë të veçantë, nëse ato do të pranojnë të hyjnë në garën elektorale përballë mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama.
Unioni vlerëson se vendimi i forcave opozitare për pjesëmarrje ose jo në zgjedhje do të jetë një prej faktorëve që mund të ndikojë ndjeshëm në klimën politike të vendit dhe në mënyrën se si do të zhvillohet përballja elektorale.
Protesta dhe nevoja për një përfaqësim më të qartë
Protesta që vijon prej 106 ditësh në Tiranë ishte një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit.
Unioni shprehu interes për mënyrën se si kjo lëvizje do të vijojë dhe nëse do të ketë një forcim të saj përmes formave të ndryshme të mosbindjes civile.
Në këtë kuadër u ngrit edhe nevoja për një përfaqësim më të qartë të protestës. Sipas Unionit, organizatorët duhet të kenë një strukturë apo përfaqësi që të mundësojë komunikim të rregullt me median, publikun dhe institucionet, duke bërë të qarta kërkesat, objektivat dhe hapat e ardhshëm të lëvizjes.
Një përfaqësim i tillë, sipas Unionit, do të ndihmonte median dhe opinionin publik të kuptojnë më mirë synimet e protestës, mënyrën se si ajo do të vijojë dhe strategjinë që organizatorët synojnë të ndjekin.
Në përfundim të takimit, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës bëri të ditur se do të vijojë ndjekjen e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri.
Në kuadër të këtij angazhimi, Unioni do të kontaktojë dhe intervistojë figura politike, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë, analistë dhe personalitete të tjera që, përmes qëndrimeve dhe analizave të tyre, ndikojnë në debatin publik dhe në zhvillimet aktuale në vend.
Qëllimi është që publiku shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë të ketë akses në informacion të plotë, profesional dhe të verifikueshëm, duke dëgjuar këndvështrime të ndryshme dhe duke krijuar hapësirë për një debat publik të bazuar në fakte.
Për Unionin, ky është pjesë e misionit të gazetarisë profesionale: të ndjekë, të analizojë, të pyesë dhe të informojë, duke ruajtur pavarësinë editoriale dhe duke mos u vendosur në funksion të interesave të asnjë force politike.
Takimi u përmbyll me mesazhin se e vërteta dhe interesi publik duhet të qëndrojnë mbi interesat politike, ndërsa objektiviteti, profesionalizmi dhe pavarësia editoriale duhet të jenë bazat mbi të cilat ndërtohet besimi i publikut te media.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
13 Shtator 2026