

Më 22 shkurt 2026, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës zhvilloi Asamblenë e tij vjetore dhe zgjedhjet e radhës, duke shënuar një moment historik në katër vitet e veprimtarisë së tij.
Për herë të parë që nga themelimi, në krye të Unionit u zgjodh një grua: gazetarja, shkrimtarja dhe botuesja me banim në Zvicër, Elida Buçpapaj. Zgjedhja e saj përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e shoqatës dhe në përfaqësimin dinjitoz të gazetarisë së diasporës shqiptare. Në postin e Nënkryetarit u zgjodh gazetari me banim në Francë, Artan Kutra, ndërsa detyrën e Sekretares së Përgjithëshme do ta mbajë gazetarja me banim në Itali, Alba Kepi.
Kjo përbërje e re drejtuese pasqyron shtrirjen europiane të Unionit dhe forcon dimensionin e tij ndërkombëtar, duke ruajtur njëkohësisht frymën e bashkëpunimit profesional që e ka karakterizuar që nga themelimi.
Unioni u krijua si një domosdoshmëri për të mbrojtur misionin e së vërtetës dhe profesionalizmit në panoramën e medias shqiptare. Gjatë pesë viteve të veprimtarisë së tij, ai ka ruajtur me përpikëri pavarësinë nga politika, biznesi dhe çdo faktor tjetër ndikues, duke u mbështetur financiarisht vetëm në kuotat e anëtarësisë dhe duke funksionuar në transparencë të plotë.
Në fjalën e tij në Asamble, gazetari, shkrimtari dhe botuesi Skënder Buçpapaj bëri një pasqyrë të detajuar të katër viteve të drejtimit të tij, duke u ndalur veçanërisht në arritjet dhe sfidat e vitit 2025.
“Ne kemi arritur ta ruajmë më së miri pavarësinë tonë – nga politika, nga biznesi dhe nga çdo ndikim i jashtëm. Kjo është një arritje që nuk ka qenë e lehtë, por është thelbësore për misionin tonë,” – theksoi ai.
Duke vlerësuar funksionimin e forumeve të brendshme të komunikimit, ai shtoi: “Forumet tona në U12 dhe në postën elektronike kanë funksionuar në mënyrë të shkëlqyer. Përmes shkëmbimit të mendimeve, me përfshirjen e të gjithë anëtarësisë, kemi arritur në optika të përbashkëta dhe bashkëveprime të suksesshme si një ekip tashmë i konsoliduar.”
Z. Buçpapaj vuri në dukje se viti 2026, si vit jubilar, kërkon një dinamikë të re veprimtarish: “Pesëvjetori ynë duhet të na gjejë më të organizuar, më të dukshëm dhe më të bashkuar. Një turne në hapësirën shqiptare – në Shqipëri dhe në Kosovë – do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer nga afër mendimet tona dhe për të forcuar më tej lidhjet tona profesionale.”
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e institucionalizimit të çmimeve për gazetarët më të mirë shqiptarë: “Është koha që të përcaktojmë qartë emërtimin e çmimeve, formulimin e motivacioneve dhe ta organizojmë dorëzimin e tyre me një ceremoni të denjë dhe të mediatizuar. Kjo kërkon një mendim të përbashkët sa më të kristalizuar.”
Në analizën e tij mbi kontekstin aktual, ai u shpreh se zhvillimet në atdhe kërkojnë një vëmendje gjithnjë e më të shtuar nga Unioni: “Ndjeshmëria jonë ndaj fjalës së lirë, mendimit të lirë dhe mediave të lira duhet të rritet. Këto janë në qendër të platformës sonë dhe përbëjnë arsyen e ekzistencës sonë.”
Në përfundim të mandatit të tij të dytë si kryetar, z. Buçpapaj falënderoi anëtarësinë për besimin dhe bashkëpunimin: “Besimin që më keni dhënë jam përpjekur ta justifikoj sa më mirë. Do të vazhdoj, si pjesë e kësaj shoqate, t’ia kushtoj energjitë e mia misionit tonë të veçantë intelektual dhe atdhetar.”
Asambleja konfirmoi se Unioni hyn në një fazë të re zhvillimi, me synime të qarta për rritjen e rolit të tij në debatet publike, organizimin e tryezave të rrumbullakëta me ekspertë për temat më urgjente kombëtare dhe forcimin e pranisë së tij publike, përfshirë krijimin e faqeve zyrtare në rrjetet sociale.
Me zgjedhjen e drejtuesve të rinj dhe me përvojën e konsoliduar të pesë viteve, Unioni rikonfirmon angazhimin e tij për të qenë një zë i pavarur, profesional dhe i palëkundur në mbrojtje të së vërtetës dhe interesit publik.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
