Në Tokë, askush nuk mund ta mohojë më se mushka nuk pjell. Ndërsa deri përpara shekullit të njëzetë, kjo lindje mbartte një profeci shkatërrimtare, sot, ajo shihet si diçka krejt e mundshme. Shekulli motak i njëzetë sapo ishte ngritur në këmbë, dhe po mësonte të hidhte hapat e parë, kur mushka e kuqe, polli përpara maternitetit të qytetit në formën e çizmes. Tre nëna, që po vozitnin qiellin e kaltër nga dritarja e maternitetit, me barkun e pushtuar prej fëmijës, ulërinë, kur panë mushkën të lëpijë gjakun në trupin e fëmijës së saj, të shtrirë përdhe. Dy prej tyre e dështuan fëmijën. E treta u dergj prej dhimbjeve dhe tmerrit.
– Lindi mushka! Lindi mushka! Kjo është hera e dytë. Hera e parë ndodhi në kopshtin e konsullit Ferdinand. Erdhi kiameti. Këto janë shenjat e fundit të botës, – u çorrën ato në gjuhën e tyre amtare. – Më mirë vdis fëmija im! Më mirë, jip shpirt këtu në barkun e nënës, se sa të ngrodhësh si qen në këtë shekull të egër, që u nëm qysh në vitet e para të jetës së tij – shtoi gruaja tjetër.
Xhandarmëria e qytetit u vu në gadishmëri të madhe. Drejtori i saj, një burrë bukurosh, me kokë të rrumbullaktë si hëna e plotë, urdhëroi të hetohet mushka dhe të zbulohet ngjizësi i saj. – Ka mundësi që ajo të jetë mbarsur edhe prej njeriut, – hodhi ai hipotezën. Gjeneralët e tij, drodhën qerpikët, por mosbesimi apo hezitimet e tyre, perënduan shumë shpejt, kur doktori i kafshëve bëri dy konstatime që tronditën jo vetëm gjeneralin, por edhe ndërgjegjen njerëzore. Gjenerali i madh, u tërbua kur zbuloi se mushka, ishte motra e kalit të tij bukurosh, me krifë të bardhë, trup muskuloz, kokë elegante.
– Domethënë, këtu kanë ndodhur dy barbarizma. E para është se, kanë përdhunuar motrën e kalit tim racë, racë e pastër, e kulluar. E dyta është se, përdhunuesi ose mbarsësi i saj, ka qenë jo një gomar, siç dyshohet, por një njeri. Sipas ADN-së, ai ka qenë ose shqiptar ose grek – tha ai me zë të lartë, të lagësht, por edhe zemëruar përpara nënvartësve të tij. Fytyra e tij fotozhenike, u mbulua prej një shtresë ndjenjash të zymëta. Faqet e buta, buzët e plota, si të një femre dhe hunda me thyerje të ëmbël trekëndëshe, u nxi.
Ai vrapoi drejt mushkës, ia rrëmbeu prej duarve doktorit topin me fasho dhe ia mbështolli vetë gjunjtë e plagosur mëzit të vogël.
-“Ky akt barbar do të marrë emrin e fashos së përgjakur. Fashizëm pra do të thotë, t’i përthashë me fasho dhe plot durim e dashuri plagën foshnjës sonë të përdhunuar. Gjaku që shihni në këtë copë fasho është bastardizimi i racës sonë të bukur, dhe përdhosësit e racës sonë do ta paguajnë. Në emër të racës sonë të përzgjedhur dhe të mençur, i shpall luftë të hapur dhunuesve të pashpirtë shqiptarë dhe grekë, që sipas ekspertizës mjekësore janë pothuajse dhunuesit dhe keqtrajtuesit e motrës së kalit tim të vyer” – shpërtheu në lot burri, me emrin “Mos e Lini”, ose Musolini.
Homologu i tij, përtej Adriatikut, Mbreti i zogjve të shkapërndarë dhe vetë-izoluar,“Zogu”u përpoq ta qetësonte pronarin e kalit përtej-adriatikas, duke i premtuar se do të mobilizojë të tërë forcat policore për të arrestuar mushkë-dhunuesin. Musolini i dhuroi atij njëqind mijë franga ari, për të arrestuar dhunuesin e motrës së kalit të tij të shtrenjtë dhe të bukur si yll pranveror.
Edhe homologu grek nuk i kurseu premtimet dhe gadishmërinë e tij me qëllim që “dashnori i dhunshëm i mushkës të hidhej në një birucë dy me dy”. Sa më shumë që vononte gjetja e dhunuesit të mushkës, aq më shumë ajo egërsohej, hidhte shkelma pa arsye. Tërbimin e saj, e provoi në trutë e tij, edhe një ushtar, me emrin Adolf. Ai kishte ardhur për pushime në bregun tjetër të Adriatikut, dhe ndërsa Adolfi po këpuste lule bjonde në livadh dhe fuste ato në një vazo të zezë, të cilën e mbante e dashura e tij, Eva, mushka ia mbështolli ATIJ me një shkelm barkut dhe më vonë ia goditi me thundrat e saj të forta, pjesën e pasme të kokës. Sjellja xanxare e mushkës justifikohej jo vetëm prej spermës së njeriut në mitrën e saj, por edhe prej dobësimit të saj të madh. Mushka ishte bërë kockë e lëkurë, ngaqë mielli i atëhershëm amerikan që ajo hante, kishte shumë pak proteina dhe vitamina, ngaqë ufot u kishin vjedhur bujqëve amerikanë të gjithë traktorët dhe veglat e punës… Adolfi u tërbua për dreq. Çdo gjë që ishte e kuqe, me ngjyrën e pelës, ai e luftoi një jetë të tërë, me mish dhe shpirt. Ai i konsideroi pallavra akuzat e Musolinit se dhunuesit e mushkës, kishin qenë ose shqiptarët ose grekët. -“Hebrenjtë! Çifutët! Ata ia shkatërruan jetën mushkës, fëlliqën racën e bukur të kalit tënd dhe shkatërruan zorrët, e tronditën trutë e mia. Do të ma paguajnë çifutët! Do t’i vuajë shumë lëkura këtyre tregtarëve të pangopur që pandehin se mund të bëjnë dashuri edhe me kuajt e mushkat tona, prej racës së kulluar ariane”- u betua Adolfi.
Më vonë, kur Adolfi e vizitoi Duçen, ai shkroi në barkun e mëzit të vogël të dikurshëm, tashmë i rritur e bërë një goxha kalë i bardhë e bukurosh këto fjalë: “Italie, meine kleine schwester”. (Italia, motra ime e vogel) Joden, das essen van mein treur hond” (Jodet, ushqimi i qenit tim të dëshpëruar). Adolfi qeshi me të madhe, kur në ijën e majtë të kalit të bardhë të Duces lexoi: Shqipëria, “il mio sanduich”, dhe Greqia, “Il mio Kokoreci”. I frymëzuar prej fantazisë së Musolinit bukurosh, që katër orë në ditë merrej me llustrimin e këpucëve, rregullimin e jakës dhe pispillosjes së fytyrës, Adolfi me t’u kthyer në Atdhe, e mbushi barkun e kalit të tij, poashtu të bardhë, me emrat e tërë kolonive të tij. Në veshët e kalit të tij, hodhi në bojë tush emrin, Poloni. Përjashtoi përkohësisht vetëm atdheun e stepave të ftohta, Moskën. Por nuk u përmbajt, dhe e shtoi edhe emrin e Marksit, diku sipër thundrës së kalit të tij.
Kjo modë fluturoi në të gjitha hapësirat e banuara të Tokës. Barku i kuajve ose pelave zëvendësoi faqet e hartave luftarake. Meqenëse shpërtheu lufta, çdo udhëheqës shkruante aty emrat e kolonive të tyre. Shpesh ato nuk i lexonte çdokush, ngaqë kuajt mbuloheshin prej pëlhurave të lavdishme të flamujve nacionalistë. Vetëm kur kalorësi vritej e varej në kapistrat e kalit, flamuri i gjakosur hiqej prej trupit të kalit. Vrasësi, nga zemërimi dhe dhimbja e kamxhikonte kalin e armikut. Prej urrejtjes dhe frikës, ushtari fitimtar nuk e kuptonte ose shihte se kamxhiku i tij fshikullonte edhe emrin e atdheut të tij. Ushtari gjerman teksa ia fshikullonte trupin kalit francez, ai fshikullonte edhe emrin “Gjermani” që ishte pikturuar në barkun e tij. Kjo i ndodhi pothuajse çdo ushtari tjetër. Atij grek, që ndërsa ia nxinte lëkurën kalit Italian, të zënë rob lufte, mynxyroste edhe: “Grecia, il mio kokoreci”. Banorët e vendeve të pushtuara, si hapësira e mbretit të “Zogjve”, që kamxhikun ia kishin rrëmbyer me dhunë, shurronin me presion fshehurazi drejt barkut të kuajve, ku në barkun e tyre shkruhej emri i pushtuesve të tyre.
Hetimi mjekësor i mushkës së përdhunuar përfundoi. Në raport thuhet qartë se mushkën ose motrën e kalit të Musolinit, nuk e mbarsën çifutët, shqiptarët apo grekët, por të gjithë kalorësit europianë. Kur pra, dhjetëra duelet e armatosura përfunduan, dhe mushka e Musolinit dha shpirt prej plumbave të luftës, vëllezërit e shumtë të kuajve të Musolinit dhe Adolfit, kërkuan atdhe të ri. Shumë prej tyre u strehuan në gadishullin plot me male të larta mitologjike, dhe me shtëpi me ballkone të gjëra, ku flamujtë valëviten papushim dhe krenarë. Stallieri i stepave të mëdha, Stalini, bëri me bishtin e kalit të vrarë të Hitlerit, një palë mustaqe, që i përdori derisa vdiq, dhe ku mizat revizioniste e kapitaliste, thyen këmbët dhe antenat e tyre. Kuajt u ngjizën për dyzet e pesë vjet prej burrave muskulozë me spermë të kuqe. Mrekullia e radhës ishte se kuajt e vegjël lindnin me trup të vizatuar ose firmosur prej vendeve që baballarët e tyre kishin pushtuar. Udhëheqësit e gadishullit, me ballkone të ngurta dhe gjigante, i dënuan ashpër pushtuesit e atdheve të tyre. Kuajt me hartat e tyre historike në lëkurë, shërbyen si burim i jashtëzakonshëm historik, një mjet edukimi gjenial, ku edhe analfabetët mësuan përmendësh kolonizatorët e tyre. Këta popuj ushqejnë ende një frikë dhe përbuzje racore ndaj vetvetes dhe ish shkatërruesve te tyre. Kuajt e kuq përshembull, në hapësirën e vendit të shqiponjave, dekorohen me pëlhurën e kuqe të flamurit të banorëve të saj. Trupi i tyre është gjithmonë i mbuluar prej flamurit kuq e zi. Pronari i stallës së kuajve, Hoxha, mendoi që ngjyrës së kuqe të flamurit t’i jepte një nuancë akoma më të kuqe, duke e ngjyrosur atë me gjakun e menstruacioneve të gruas së tij. Ndërsa, ngjyra e zezë, ngjyra e trupit të dy shqiponjave në flamur, u bë më e zezë, sterros, prej çajit që kulloi prej syve guximtarë dhe inteligjentë të githë kundërshtarëve të stallës së kuajve të kuq.
Pak a shumë, kjo ndodhi në të gjithë vendet e tjera me ballkone me pamje nga shkëmbinjtë e nëmur ose xhepat gjigante, ku mbështillen stepat e mëdha plot me arusha cariste. Atje, ende besojnë, se mushka do të lindë për herë të tretë, çka do të shkaktonte shfarosjen e njeriut dhe të tërë kuajve mbi Tokë.
Ndërsa, sot, që kanë kaluar shumë vite prej ditës kur mushka polli për herë të dytë, në disa vende, stallat e kuajve janë demokratizuar. Ky demokratizim i pjesshëm është kryer kryesisht duke i therur kuajt dhe bërë sallam të shijshëm me to. Kjo ka bërë, që qytetarët të sillen të gjithë si kalorës të vegjël, e t’i tërheqin qerret e jetës së tyre sipas qejfit.
“Tiranët luftohen kur kuajt i bëjmë sallam të shijshëm, ose kur ata kalërohen prej njerëzve që e kanë mundur frikën dhe mosbesimin ndaj njëri-tjetrit” krenohen pronarët e kuajve, që jetojnë në kushte shumë më të mira se shumë popuj të tjerë afrikanë. Shkrimtarët besojnë se diktatorët, janë njerëzit më gjynahqarë të planetit. Boshëllëku i shpirtit të tyre është më i madh se i tërë barku i Saharasë. Ata lindin prej popujve primitivë, ku frika dhe pasiguria janë të një niveli të lartë. Sa më i sigurtë dhe i vetëdijshëm njeriu, aq më të paktë dhe të dobët bëhen diktatorët. Disa shkrimtarë janë entuziastë për stallën e kuajve demokratike, mbasi në trenin demokratik, udhëtojnë së bashku: kuajt nacionalistë, fashistë, nazistë, komunistë, socialistë, demokratë, socialdemokratë, liberalë, konservatorë, patriotikë, të krishterë, islamikë. Rëndësi ka që çdo kalë të presë biletën dhe të mos i rrëmbejë karrigen kalit tjetër. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Demokracia është një përrua ku mund të pinë ujë të gjithë llojet e kuajve…
Por kuajt, si kafshë të pavarura që janë, mendojnë krejt ndryshe nga padronët e tyre. Ata vërtetë, janë tashmë të lirë, në lëkurën e barkut të tyre nuk dallohen më hartat kolonilizuese. Ata mund të vrapojnë të lirë në fushat e mëdha plot me bar jeshil. Mirëpo ata përballen me dy probleme, në fakt stërshekullore. Kanë vështirësi të kuptojnë mjekun e tyre, ngaqë kur ai sëmuret, mjeku e pyet në qindra gjuhë: – Çfarë të dhëmb? Derisa doktori ia ka drejtuar kalit të njëjtën pyetje në qindra gjuhë, kali ose ka ngordhur ose është sëmurë më keq. Kështu që ilaçet shpesh nuk bëjnë efektin e duhur. Një ditë kali, ia veshi me shkelm në turinj doktorit, dhe gazetarëve me dhjetra mikrofonët e tyre, që dordollisnin në qindra gjuhë. Doktorri kërceu si top byku në ajër, ndërsa qindra mikrofonët e gazetarëve, çanë qiellin dhe u davaritën përballë qindra gojëve të reve. Retë atëherë recituan në kor: “Foli kalit në një gjuhë të vetme. Gjuha e kalit flet gjuhën e barit dhe gjuhën e lirisë së paskaj.”
E megjithatë, kali atë ditë, ia fali doktorit nacionalizmin gjuhësor dhe pranoi ta dërgojë atë urgjent në spital duke turfulluar e fluturuar gati-gati në ajër me thundrat e tij bukuroshe. Problemi i dytë qëndron tek qindra flamujtë, që valëviten në të katër anët e livadhit të tij të gjelbër dhe mirëmbajtur. Kali i mjerë, ëndërron që të mos fryejë erë ose stuhi, sepse atëherë pëlhurat gjigante të flamujve, valëviten duke ia zënë të tërë pamjen e diellizuar livadhit, dhe kalit i duhet atëherë të barisë nën një mugëtirë të poshtër. Shpesh ai hingërin i dëshpëruar: -Më mirë më mbuloni me më pak luks,mos më vishni me samarë prej druri special, zile me kumonë floriri, POR merruni më seriozisht, më kuptoni ndjenjat e mia të brëndshme. Sa pak që e keni studiuar botën dhe kulturat e kuajve të kësaj stalle, gjasme të bashkuar! Mendoni më shumë për vëllazërinë familjare dhe më pak për tapetet e kuq dhe çatitë fringo të reja të stallës që ju i ndërtoni çdo tre vjet. Mbledhjet e kuajve europianë këndej e tutje duhen bërë JO në Bruksel, por në Ballkan, atje, ku shtatë kalorës hipin mbi një gomar të vetëm, dhe valëvisin shtatë flamuj njëkohësisht.
Sot, gati një shekull mbasi mushka lindi për herë të dytë, ka edhe një problem tjetër për lirinë dhe të ardhmen e stallës së kuajve të bashkuar. Gjyshërit e kuajve te sotëm, jetonin në një stallë disa qindra metra larg shtëpisë së shkencëtarit të famshëm, Ajshtan. Ky i fundit, u grind me grushta me disa japonezë. Kur e pa se kalorësit japonezë po e vinin atë për poshtë, ai shpiku në çast një parfum special, të cilin ia spërkati në gojë kalorësit japonez, trupvogël por shumë të shkathët dhe luftarak. Kalorësi japonez, u fry si ballonë, lëkura e trashë iu hollua si petë bakllavaje, ose membranë tullumbaci dhe plasi me zhurmë duke u platitur përtokë. Gjyshi i kuajvë të sotëm, atëherë, u ul i shqetësuar në gjunj për të shpëtuar të zotin, por ky i fundit lëshoi disa grahma të forta në gojën e tij të gjatë dhe të ngushtë, përpara se të japë shpirt. Grahamat e parfumit special, depërtuan pra, thellë në mushkëritë e kalit të atëhershëm. Ky gaz sa i habitshëm, aq edhe çnjerëzor, avullon edhe sot në mushkëritë, kraharorët dhe trurin e kuajve.
Padronët, që krenohen me luksin, lirinë dhe mirëqënien e kuajve, nuk pranojnë që parfumin special të Ajnshtanit ta derdhin në dete. Atë, e ruajnë në çisterna gjigande në vende të siguruara mirë dhe e kërcënojnë njëri- tjetrin, sa herë që ata e hedhin mbi tavolinë profecinë e “pjelljes së tretë” të mushkës. Sidoqoftë, shantazhet janë më të rralla, kështu që ata, nuk besojnë më aq në bestytnitë arkaike, madje tallen me panikun që mbolli tek Musolini dhe Hitleri dy pjelljet e mushkës. Megjithatë, për aq kohë sa parfumi speçial i Ajshtanit nuk do të derdhet në oqean, unë do t’i falem çdo ditë qiellit, që kuajt të mos pjerdhin, ngaqë mushkëritë e tyre, janë të infektuara me parfumin e Ajshtanit, parfum që mua do të më fryjë si ballonë dhe bëjë të pëlcas përpara fytyrës së trishtuar të Zotit.
Rezart Palluqi
Maj 2015, Holandë
Komentet