Trup gruaje,kodra të bardha, kofshë të bardha,
i ngjason botës në gjestin tënd kur më jepesh.
Trupi im prej fshatari të vrazhdë të plugon
e arrin të nxjerrë birin që nga fundi i tokës.
Qeshë vetëm si një tunel.
Nga unë trembeshin zogjtë
dhe tek unë penetronte nata
me pushtimin e saj të fuqishëm.
Për të mposhtur vetveten të modelova si një armë,
si një shigjetë për harkun tim,
si një guriçkë për llastiqet e mia.
Por vjen ora e hakmarrjes dhe të dashuroj.
Trup prej lëkure,prej myshku,
prej qumështi dëshirash të ndezura.
Ah, kupat e gjirit! Ah, sytë e perënduar!
Ah,trëndafili i pubisit! Ah,zëri yt i lehtë dhe i trishtë!
Trup i së dashurës sime, do të mbes në hiret e tua.
Etja ime, ankthi im pa kufi, lëvizja ime e pasigurtë!
Burime të errëta ku mbetet etja e përjetshme,
ku mbeten lodhja dhe dhimbja e pafundme.
Për zemrën time mjafton gjoksi yt,
për lirinë tënde mjaftojnë flatrat e mia.
Nga goja jote do arrijë deri në qiell
ajo që rrinte e fjetur në shpirtin tim.
Është në ty ëndrra e një dite,
arrin si vesa mbi kurorat e luleve,
gërryen horizontin me mungesën tënde,
përjetësisht në ijke si dallga.
Kam thënë që këndoje në erë
si pishat dhe velat e anijeve.
Si ato je e lartë dhe e heshtur
e papritur trishtohesh si një udhëtim.
Mikpritëse si një udhë e vjetër,
që e popullojnë jehona zërash nostalgjikë,
unë jam zgjuar e herë-herë kam parë të enden
zogjtë që flinin në shpirtin tënd.
Çesare Pavese
VAJZAT NË DET
Vajzat në muzg zbresin në ujë,
kur hapësira e detit prehet,
në pyll çdo gjethe pëshpërit
kur ato dalin me përkujdesje mbi rërë
dhe ulen në breg.
Shkuma bën lojëra të trazuara
në ujin e paqëtuar.
Vajzat kanë frikë nga algat e varrosura
poshtë valëve që mbërthejnë këmbët e shpatullat:
sa i zhveshur është trupi.
Dalin shpejt në breg
duke thirrur emrat tek shohin përreth.
Edhe valët në fund të detit, në errësirë,
janë të mëdha e duken tek lëvizin të pasigurta,
si të tërhequra nga trupat e atyre që kalojnë.
Pylli është strehë më e qetë se bregu në perëndim të diellit,
por vajzave trupnxira ju pëlqen më shumë
të rrinë në ajër të hapur
mbi çarçafin e shtruar.
Rabindranat Tagore
JO VETËM VEPËR E ZOTIT
Grua, nuk je vetëm vepër e Zotit,
por edhe e burrave,që gjithmonë
të bëjnë të bukur me zemrat e tyre.
Poetët të thurin një rrjetë
me fije të arta fantazie,
piktorët i japin formës tënde
gjithmonë pavdekësi të reja.
Deti dhuron perlat e tij,
minierat arin e tyre,
kopshtet verore lulet shumëngjyrëshe
për të të zbukuruar e mbuluar,
për të të bërë gjithnjë e më të çmuar.
Dëshira e zemrës së burrave
ka shtrirë lavdinë e vet
përmbi rininë tënde.
Përgjysmë je grua e përgjysmë je ëndërr.
Frida Kahlo
TI MERITON NJË DASHURI
Ti meriton një dashuri që të të dojë të pakrehur,
me të gjitha arsyet që të bëjnë të ngrihesh me nxitim,
me të gjithë demonët që nuk të lënë të flesh.
Ti meriton një dashuri që të të bëjë të ndihesh e sigurtë,
në atë shkallë sa të kafshosh botën kur kalon pranë teje,
që të ndjejë se përqafimet e tua janë perfekte për lëkurën e tij.
Ti meriton një dashuri që të dojë të vallzojë me ty,
që të gjejë parajsën sa herë që shikon në sytë e tu
e që nuk lodhet kurrë duke lexuar shprehësitë e tua.
Ti meriton një dashuri që të të dëgjojë kur këndon,
që të mbështet edhe kur bëhesh qesharake,
që respekton qenien tënde të lirë,
që të shoqëron në fluturimin tënd,
që të mos ketë frikë se bie.
Ti meriton një dashuri që të flakërijë tej gënjeshtrat,
që të sjell ëndrrën,
kafenë
dhe poezinë.
Komentet