VOAL

VOAL

Gjermania voton sot për misionin anti-ISIS

December 4, 2015

Komentet

Gjermania dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje të reja për mbrojtjen, paketë mbështetjeje 1.3 miliardë euro

Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës një paketë të re mbështetjeje me vlerë mbi 1.3 miliardë euro, që përfshin ndihmë ushtarake dhe mbështetje për sektorin energjetik.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri të ditur marrëveshjen pas takimit me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Sipas tij, paketa synon të forcojë mbrojtjen e Ukrainës dhe sektorin energjetik përpara dimrit.

Merz konfirmoi se rreth 1 miliard euro do të shkojnë për ndihmë ushtarake, ndërsa rreth 350 milionë euro do të përdoren për mbështetjen e energjisë.

Zelenskyy tha gjithashtu se gjatë vizitës janë nënshkruar 15 marrëveshje dhe dokumente, kryesisht në fushën e sigurisë, prodhimit dhe bashkëpunimit industrial, me një vlerë totale prej mbi 8.5 miliardë eurosh.

Ndërkohë, Ukraina dhe Gjermania kanë nënshkruar edhe një marrëveshje të veçantë për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër dronëve. bw

Kancelari gjerman bën një vizitë surprizë në Kiev, dëgjohen shpërthime! Merz: Makineria ushtarake ruse mund të kthehet edhe te vende të tjera

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbërritur në Kiev në një vizitë të papritur, në një kohë kur kryeqyteti ukrainas është nën kërcënimin e sulmeve të reja ajrore ruse.

Pak pas mbërritjes së tij në Kiev, në qytet u dëgjuan shpërthime. Më herët ishin aktivizuar sirenat e alarmit ajror dhe autoritetet kishin paralajmëruar për praninë e dronëve rusë në hapësirën ajrore mbi kryeqytet.

Pas mbërritjes, Merz deklaroi se kishte udhëtuar drejt Kievit për t’i shprehur Ukrainës mbështetjen e Gjermanisë në një periudhë të rëndësishme të luftës.

“Jam në Kiev sepse Ukraina ka nevojë për të gjithë mbështetjen tonë në javët e ardhshme”, tha kancelari gjerman në një deklaratë.

Merz theksoi se mbështetja gjermane për Ukrainën do të vazhdojë dhe se këtë mesazh do t’ia përcjellë edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Do t’i them presidentit Volodymyr Zelensky: Mund të vazhdoni të mbështeteni në ndihmën tonë”, u shpreh ai.

Kancelari gjerman paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që paraqet vazhdimi i luftës, duke deklaruar se, nëse Rusia nuk ndalet, makina e saj ushtarake mund të kthehet në të ardhmen kundër vendeve të tjera. Panorama

Kandidati për president në Austri: Nëse zgjidhem, do rikthej përkrenaren e Skënderbeut në Krujë

Günther Fehlinger-Jahn

AUSTRI- Günther Fehlinger-Jahn ka njoftuar kandidaturën e tij për postin e Presidentit Federal të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028. Kryetari i “Austrian Committee for NATO Enlargement” ka publikuar një video nga Muzeu i Vjenës, ku ka bërë një premtim të veçantë për Shqipërinë. Fehlinger-Jahn shprehet se, nëse do të zgjidhej president, do të punonte për rikthimin në Krujë të armëve dhe përkrenares së Skënderbeut.

“Si President i Austrisë, zotohem se do të rikthej në Krujë, Shqipëri, përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut, për të nderuar Mbretin Skënderbe,” shkruan Fehlinger-Jahn.

Fehlinger-Jahn, ekonomist dhe aktivist austriak, është prej vitesh një zë publik në favor të zgjerimit të NATO-s dhe BE-së, me fokus të veçantë te Ballkani Perëndimor. Ai është mjaft aktiv në rrjetet sociale, ku shpesh komenton zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Serbi, si dhe çështjet që lidhen me Rusinë, Ukrainën, NATO-n dhe Bashkimin Evropian./Dosja.al

Brukseli ofron treg të përbashkët nëse vendet kandidate të BE-së “janë të gatshme njëmend”

Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një tregu të përbashkët për nëntë shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tregu parashihet në propozimin për ndryshimin e politikës së zgjerimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë (REL) ka pasur qasje, dhe miratimi ose publikimi i të cilit pritet më 6 tetor, pas takimit njëjavor të Kolegjiumit të Komisionit Evropian në Strasburg.

Tregu i përbashkët për vendet kandidate përshkruhet si “instrumenti më i fuqishëm i bllokut për nxitjen e prosperitetit dhe konvergjencës ekonomike”.

Qasja në këtë treg, hapësira e përbashkët e BE-së në të cilën mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitali qarkullojnë lirshëm, deri tani ka qenë plotësisht e mundur vetëm pas anëtarësimit formal.

Megjithatë, që këto propozime, ose disa prej tyre, të hyjnë në fuqi, nevojitet miratimi formal dhe pajtueshmëria e të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Dokumenti do të shërbejë si bazë për diskutimet strategjike ndërmjet liderëve të BE-së në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel dhe do t’i kushtohet zgjerimit të BE-së.

Vendet kandidate janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina.

Treg përbashkët, por me kushte

Qasja në tregun e përbashkët nuk ofrohet automatikisht, por lidhet qartë me përparimin konkret të vendeve kandidate në procesin e reformave.

“Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme”, thuhet, ndër të tjera, në draft-dokumentin e Komisionit Evropian.

Sipas dokumentit, instrumentet ekzistuese do të zgjeroheshin gradualisht, në përpjesëtim me shkallën në të cilën secili vend është realisht i gatshëm.

Dokumenti parashikon gjithashtu mekanizma mbrojtës kundër “ngecjes” në reforma, që do të thotë se qasja e fituar një herë nuk është domosdo e përhershme.

Megjithatë, dokumenti nuk përmban kritere të sakta, afate kohore apo rrethana të përcaktuara qartë se në cilat kushte qasja mund të pezullohet.

Çfarë ofrohet dhe çfarë ekziston tashmë?

Propozimet e reja të Komisionit Evropian parashikojnë përfshirjen e hershme të vendeve kandidate në sektorë të përzgjedhur, veçanërisht në fushën e teknologjive kritike, ekosistemeve industriale, integrimit financiar dhe zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit.

Propozohet gjithashtu pjesëmarrja në programin “Horizont Evropa”, programin kryesor të BE-së për financimin e kërkimit dhe inovacionit, si dhe në projekte të rëndësishme me interes të përbashkët evropian.

Megjithatë, disa nga ofertat në këtë dokument tashmë janë në dispozicion të vendeve kandidate dhe vendeve potenciale anëtare. Kjo, ndër të tjera, vlen për zonën e përbashkët të pagesave në euro (SEPA) dhe heqjen e tarifave të roamingut.

SEPA tashmë është në dispozicion për shumicën e vendeve kandidate. Pesë vende, Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, i janë bashkuar zyrtarisht SEPA-s.

Situatë e ngjashme është edhe me ofertën që lidhet me heqjen e tarifave të roamingut. Ukraina dhe Moldavia e përdorin këtë regjim që nga fillimi i këtij viti, ndërsa Komisioni Evropian planifikon që vitin e ardhshëm heqjen e tarifave ta zgjerojë edhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Cili është përfitimi nga tregu i përbashkët?

Përfitimet e integrimit evropian do të vinin shumë më herët se vetë anëtarësimi, thotë Korina Stratulat, zëvendësdrejtore në Qendrën për Politika Evropiane.

“Megjithatë, oferta duhet të jetë po aq e qartë sa edhe kushtet: çfarë qasjeje sigurojnë kandidatët, kur e sigurojnë atë dhe çfarë do ta justifikonte pezullimin e saj. Kandidatët duhet ta dinë se çfarë do t’u mundësojë përmbushja e kushteve, dhe jo vetëm se sa mund t’u kushtojë mos përmbushja e tyre”, thotë Stratulat për REL-in.

“Integrimi gradual duhet të mbetet rrugë drejt anëtarësimit, dhe jo një dhomë pritjeje e përhershme”, theksoi ajo.

Oferta për qasje në tregun e përbashkët lidhet gjithashtu me Marrëveshjen ekzistuese të Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilën secili vend kandidat e ka me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje përbën kornizën ligjore për afrimin gradual të vendeve kandidate me tregun e përbashkët.

Të dyja sistemet bazohen në heqjen e pengesave tregtare, përafrimin e rregullave dhe standardeve me rregullat e BE-së dhe përfshirjen graduale të vendeve kandidate në hapësirën ekonomike evropiane.

MSA-ja u mundëson kështu vendeve kandidate që, edhe para anëtarësimit të plotë, të përfitojnë nga një pjesë e përfitimeve ekonomike të integrimit, ndërsa njëkohësisht i përgatit ato për integrimin e plotë në tregun e përbashkët.

Çfarë tjetër ofrohet?

Qasja në tregun e përbashkët është vetëm një pjesë e dokumentit të gjerë, në të cilin Komisioni Evropian paraqet propozime të reja, nga të cilat del se vendet e ardhshme anëtare, në momentin e anëtarësimit, nuk do të gëzojnë domosdo të njëjtat të drejta si shtetet aktuale anëtare.

Elementi më i ndjeshëm i draftit lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, e cila në dokument përshkruhet në mënyrë simbolike si “angazhim i përkohshëm në lidhje me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.

Sipas këtij propozimi, vendet e ardhshme anëtare do të angazhoheshin që të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet njëzëshmëri.

Shteteve anëtare u propozohet që në një numër të caktuar fushash, përfshirë zgjerimin, të kalojnë nga vendimmarrja unanime në vendimmarrje me shumicë të cilësuar.

Sipas propozimit, vendimet për hapjen ose mbylljen e kapitujve të negociatave do të merreshin me shumicë të cilësuar, ndërsa vendimi për pranimin e një anëtari të ri do të vazhdonte të merrej në mënyrë unanime.

Ku janë dobësitë e ofertës?

Në “çekuilibër”, është e bindur Korina Stratulat.

“Për kandidatët vendosen kushte të rrepta, ndërsa Bashkimit, në përgjithësi, i ofrohen mundësi dhe jo detyrime”, thekson Stratulat.

Ajo vlerëson se përdorimi më i mirë i marrëveshjeve ekzistuese ka kuptim, por vetëm renditja e instrumenteve nuk është e njëjtë me një detyrim që ato do të përdoren.

“BE-ja duhet të thotë se çfarë do të ndryshojë, kush do ta zbatojë dhe brenda cilit afat. Përndryshe, kushtet më të rrepta për anëtarësim rrezikojnë të bëhen zëvendësim për zgjidhjen e dobësive të vetë Bashkimit”, deklaroi ajo.

Ukraina përdor për herë të parë raketën balistike FP-7, Zelensky publikon pamjet

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar përdorimin e parë luftarak të raketës balistike taktike ukrainase FP-7, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve raketore të vendit.

Sipas agjencisë Ukrinform, Zelensky e bëri njoftimin përmes një postimi në Facebook, ku publikoi edhe një video që, sipas tij, tregon përdorimin e raketës.

 

“Raketa balistike taktike ukrainase. FP-7. Përdorimi i parë luftarak. Faleminderit për rezultatin. Hapi tjetër: prodhimi”, deklaroi Zelensky.

Njoftimi vjen në një kohë kur Ukraina po përpiqet të zgjerojë kapacitetet e saj të prodhimit të armëve dhe raketave, me synimin për të reduktuar varësinë nga furnizimet e huaja.

Më herët, Zelensky kishte deklaruar se forcat ukrainase kishin goditur një sërë objektivash, përfshirë pika në Detin e Zi, një vend për lëshimin dhe magazinimin e dronëve sulmues në rajonin e Oryolit në Rusi, një objekt nafte në rajonin e Samarës dhe një depo furnizimi të forcave ruse në rajonin e Bryanskut.

Pretendimet për goditjet dhe efektet e tyre janë deklarata të palës ukrainase dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. bw

Ambasadori Britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves: Dënimet e fundit nuk janë në asnjë mënyrë një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj

Deklaratë e Ambasadorit Britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves:

“Në qershor të vitit 1999, trupat britanike kaluan kufirin këtu në Han të Elezit si pjesë e misionit të NATO-s të autorizuar nga Rezoluta 1244 e OKB-së për të ndaluar spastrimin etnik dhe dhunën kundër popullsisë civile në Kosovë. Politikat katastrofike të Slobodan Millosheviqit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuara mirë në Kosovë. Qindra mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largoheshin nga Kosova ose u zhvendosën brenda vendit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë, shprehu vazhdimisht shqetësimin e tij të thellë për situatën e rëndë humanitare. Millosheviq refuzoi të gjitha ofertat për paqe, duke përshpejtuar fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe veprimin e NATO-s në Kosovë.

Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe që atëherë. Ajo mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për drejtësi ndërkombëtare, llogaridhënie dhe respekt për vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Kosova mori vendimin e vështirë për të krijuar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të shquara në organizatat që ishin qendrore në luftën e saj çlirimtare. Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbështetur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për rajonin në tërësi.

Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera kundër viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato nuk janë në asnjë mënyrë një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë me forcë. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimet e tyre.

Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj të vërtetës rreth Ballkanit Perëndimor dhe pajtimit të qëndrueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerë në të gjithë rajonin dhe ndërkombëtarisht në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të begatë për të gjitha komunitetet.”

Vizita në Francë – DW: Atje ku dikur zhvilloheshin luftëra, Papa Leoni XIV tani bën thirrje për paqe

 

“Kontributi që një Evropë e organizuar dhe e gjallëruar mund t’i japë qytetërimit është i domosdoshëm për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore.” Në ditën e fundit të vizitës së tij katërditore në Francë,Papa Leoni XIV, në fjalimin më të rëndësishëm politik të udhëtimit, theksoi rëndësinë e Evropës dhe i bëri thirrje asaj të angazhohet më shumë për paqen në kontinent, si dhe të mbetet e hapur ndaj migrantëve.

Në qytetin Metz, në lindje të Francës, Papa u bëri thirrje evropianëve për një “dialog me durim” për të kapërcyer luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Për këtë, sipas tij, nevojitet “guxim në negociata” dhe gatishmëria për të “hequr dorë nga disa pozicione për të mirën më të madhe të paqes”.

Në fushëbetejat e dikurshme

Fjalët e tij u thanë në një vend në lindje të Francës që, si pak vende të tjera, pasqyron historinë e trazuar të Evropës. Metz ndodhet në një rajon që gjatë shekullit të kaluar ka ndryshuar disa herë përkatësinë shtetërore. Pas Luftës Franko-Gjermane të viteve 1870/71, qyteti i përkiste Perandorisë Gjermane; pas Luftës së Parë Botërore u rikthye në Francë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u pushtua sërish nga Gjermania, përpara se në vitin 1944 të bëhej përsëri francez. Shumë toka bujqësore në këtë zonë ishin dikur fusha beteje.

Pikërisht për këtë arsye, Metz ka sot një rëndësi të madhe simbolike. Qyteti përfaqëson transformimin nga armiqësia në bashkëpunim. Armiqtë e dikurshëm janë bërë partnerë të ngushtë që sot mbështesin së bashku procesin e integrimit evropian.

Pse Metz?

Vetë Papa kishte insistuar që mesazhin e tij për paqen ta përcillte nga Metz. Këtë e bëri të ditur kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve të Francës, Kardinali Jean-Marc Aveline, pak para fjalimit të Papës. Destinacionet Paris dhe Lourdes ishin vendosur që më parë. Gjatë planifikimeve, Aveline i kishte propozuar Papës edhe disa vende të tjera në Francë, përfshirë edhe Metzin. Në takimin e radhës, Leoni kishte zgjedhur menjëherë Metzin, “për shkak të Evropës”.

Vizita në Metz u shndërrua në një homazh për Robert Schumanin. Schumani (1886-1963), i lindur në Luksemburg dhe me shtetësi fillimisht gjermane, ishte një burrë shteti francez dhe një nga etërit themelues të idesë së Evropës së bashkuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Si ministër i Jashtëm i Francës, ai promovoi pajtimin franko-gjerman, punoi për bashkimin e Evropës dhe në vitin 1958 u bë presidenti i parë i Parlamentit Evropian. Në një kishë të vogël pranë Metzit, ku kishte jetuar për shumë vite, ai u varros pas vdekjes. Prej më shumë se 30 vitesh po zhvillohet një proces kishtar për lumnimin e tij.

Edhe qendra e kongreseve ku foli Papa mban emrin e tij: Qendra e Kongreseve “Robert Schuman”. Në fjalimin e tij, Papa e citoi Schumanin më shpesh sesa papët paraardhës që përmendi. Ai tha: “Schumani, i cili përjetoi kufij shtetërorë që ndryshonin vazhdimisht, ndihmoi në vendosjen e themeleve të një Evrope që ishte e vetëdijshme për urgjencën e rrëzimit të mureve që e ndanin.”

Kritika ndaj riarmatosjes

“Sot marrëdhëniet mes njerëzve dhe mes shteteve po bëhen gjithnjë e më barbare”, tha Papa gjatë thirrjes së tij për një Evropë të bashkuar dhe paqësore. Kontinenti që pas vitit 1945 arriti të kapërcejë urrejtjen dhe armiqësinë mund t’i japë fund kësaj spiraleje negative. Sipas tij, e drejta ndërkombëtare dhe multilateralizmi janë kundërpeshat më të mira ndaj çdo vullneti për dominim që mbështetet te konfliktet. Përballë kësaj, ai vendosi atë që e quajti “iluzioni i riarmatosjes”.

Kur theksoi rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare dhe të rregullave detyruese ndërkombëtare, fjalimi i Papës së parë amerikan në krye të Kishës Katolike u perceptua gjithashtu si një kritikë ndaj politikës së SHBA-së nën presidentin Donald Trump, i cili është fokusuar në forcimin e pushtetit të vet dhe ka hequr dorë nga shumë angazhime ndërkombëtare të vendit të tij.

A po i referohej Trumpit?

Pak para nisjes nga Roma, Papa përshëndeti gazetarët që e shoqëronin në avion. Midis tyre ishte edhe korrespondenti i CNN-it, i cili e pyeti për përjashtimin e mediave kritike, përfshirë CNN-in, nga raportimi në Shtëpinë e Bardhë.

“Në avionin e Papës të gjithë janë të mirëpritur”, u përgjigj Leoni. Për të, është “shumë e rëndësishme që raportimi të jetë i plotë dhe që kushdo të ketë mundësinë e informimit”. Edhe në apelin e tij për trajtimin njerëzor dhe dinjitoz të refugjatëve mund të vëreheshin paralele me situatën aktuale në SHBA.

Megjithatë, në këto tema politike, Papa nuk theksoi vetëm distancën nga administrata aktuale në Uashington. Fjalimi i tij, në çdo pjesë ku shprehte vlerësim për idenë evropiane dhe për evropianët, tingëllonte si një kundërpërgjigje e qetë ndaj Papa Françeskut.

Papa Françesku, jezuiti nga Argjentina, gjatë udhëtimeve të tij në Evropë preferonte të vizitonte periferitë e kontinentit, kampet e refugjatëve dhe njerëzit e margjinalizuar. Ai nuk arriti kurrë në Paris, Berlin, Vjenë apo Madrid. Që në vitin 2014, në fjalimet para Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës në Strasburg, Françesku kishte kritikuar ashpër një Evropë të lodhur dhe pa energji.

Kritikë ndaj legalizimit të eutanazisë

Leoni tingëlloi dukshëm ndryshe nga paraardhësi i tij. Megjithatë ai theksoi edhe përgjegjësinë e evropianëve. Kjo përfshinte mbrojtjen e pakushtëzuar të jetës dhe refuzimin e çdo forme të eutanazisë. Në Francë, gjatë verës, eutanazia u lejua me ligj në kushte të kufizuara, ndërsa në disa vende të tjera evropiane po zhvillohen diskutime të ngjashme për rregullime ligjore.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron, mandati i të cilit përfundon pas pak muajsh, në frymën e Schumanit foli për një “Evropë që mbron, bashkon dhe vepron”. Sipas tij, kjo Evropë duhet të jetë “sovrane, e bashkuar dhe demokratike”, e frymëzuar nga projekti i paqes dhe mirëqenies që synuan etërit themelues.

Metz, një nga vendet në zemër të Evropës së dikurshme të shkatërruar nga luftërat, u bë për Leonin një shembull pozitiv përballë konflikteve që vazhdojnë në botë. Metz dhe rrethina e tij dëshmojnë se “pajtimi është i mundur vetëm kur ekziston guximi për të thyer zinxhirin e mllefit”, tha ai në paraqitjen e tij të fundit publike gjatë kësaj vizite, në predikimin në katedralen e qytetit.

Edhe aty, ashtu si në çdo ditë të kësaj vizite në Francë, Papa u prit me duartrokitje dhe entuziazëm./DW/

Parlamenti hungarez iu hap rrugë hetimeve, i heq imunitetin kryeministrit Peter Magyar dhe dy ish-ministrave të Orbanit

Parlamenti hungarez ka votuar sot heqjen e imunitetit parlamentar të kryeministrit Peter Magyar dhe dy ish-ministrave të qeverisë së Viktor Orbanit, duke i hapur rrugë vijimit të hetimeve penale ndaj tyre në çështje të ndryshme. Vendimi u miratua me 139 vota pro, pa vota kundër apo abstenime.

Në rastin e Magyar, hetimi lidhet me një incident të vitit 2024, kur ai dyshohet se i mori telefonin një personi që po e filmonte në një klub nate dhe më pas e hodhi pajisjen në lumin Danub. Magyar e ka kundërshtuar çështjen, ndërsa kishte kërkuar vetë që imuniteti i tij të hiqej, duke deklaruar se dëshironte që rasti të trajtohej nga drejtësia.

Dy ish-ministrat e epokës së Orbanit, Balazs Hanko dhe Miklos Sesztak, përballen me hetime të tjera. Hanko, ish-ministër i Kulturës dhe Inovacionit dhe deputet i Fidesz, hetohet për dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në çështjen e Fondit Kombëtar të Kulturës. Ndërsa Sesztak, ish-ministër i Zhvillimit dhe deputet i KDNP-së, është nën hetim në lidhje me një çështje korrupsioni që lidhet me kontrata të Volanbusz.

Fidesz dhe KDNP nuk morën pjesë në votimin parlamentar. Rasti i tre politikanëve ishte kërkuar nga prokuroria hungareze më 22 shtator, me qëllim që hetimet përkatëse të mund të vijonin pa pengesën e imunitetit parlamentar.

Vendimi vjen në një moment të rëndësishëm për politikën hungareze, pasi qeveria e re e drejtuar nga Magyar ka deklaruar se synon të hetojë çështje të korrupsionit të lidhura me periudhën e gjatë të qeverisjes së Viktor Orbanit. Vetë Magyar ka propozuar gjithashtu heqjen e imunitetit parlamentar për veprat penale që ndiqen nga prokuroria. bw

Media austriake EXXTRA24: Dokumentar mbi qeverinë Rama: Producenti austriak Frederik Füssel follows the money – ndjek gjurmët e parave

Ekipi editorial

 

Një videoklip i shkurtër po tërheq vëmendje të konsiderueshme në Shqipëri: regjisori austriak Frederik Füssel shihet duke biseduar me një burim anonim rreth një pajisjeje USB. Thuhet se ajo përmban informacione mbi pagesat, përfituesit dhe rrethanat që lidhen me to. Füssel aktualisht po punon për një dokumentar që heton pretendimet për korrupsion lidhur me qeverinë e Edi Ramës.

 

Sfondi

 

“Çfarë përmban kjo USB?” – pyet Füssel në fragmentin e publikuar. Personi i paidentifikuar përgjigjet se ajo përmban të dhëna mbi pagesat, emrat dhe shumat e parave. Gazetarja shqiptare Lindita Çela e shpërndau klipin në rrjetet sociale. Që nga data 23 shtator, disa media shqiptare kanë raportuar mbi këtë projekt dokumentari. Burimi flet për emra dhe pagesa

Sipas raportimeve të deritanishme, dokumentari përqendrohet pjesërisht te dëshmia e një personi nga Shqipëria, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Burimi pretendon se zotëron informacione mbi pagesat e kryera ndaj individëve, të cilët ai i akuzon për veprime të paligjshme. Çela e ka përshkruar klipin e publikuar si një fragment të shkurtër nga një hetim shumë më i gjerë. Materiali raportohet se është ende në fazën e shqyrtimit.

 

Pushteti ekzekutiv

 

Mbetet e paqartë se cilët individë dhe projekte do të përfshihen përfundimisht në dokumentarin e përfunduar. Kjo lë gjithashtu të hapur pyetjen nëse miku i Ramës, Fate Velaj – ambasadori i Shqipërisë në Vjenë – do të ketë ndonjë rol në film.

Përmbajtja e saktë e USB-së nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur vetëm përmes videos. Gjithashtu, deri më tani nuk janë konfirmuar publikisht origjina dhe vërtetësia e ndonjë dokumenti të mundshëm. Në këtë fazë, klipi shërben më tepër si një njoftim për pretendimet sesa si provë që vërteton akuzat për korrupsion që po ngrihen.

 

Planifikohen shfaqje në festivale ndërkombëtare të filmit

 

Füssel është producent dhe regjisor austriak. Kompania e tij e prodhimit, “Seven Ocean Pictures”, e rendit atë si drejtor menaxhues dhe producent.

Sipas Füssel-it, pas përfundimit, dokumentari synohet të prezantohet para një audience më të gjerë në festivale të mëdha ndërkombëtare të filmit. Ende nuk është njoftuar ndonjë festival specifik apo datë premiere.

Një prezantim i tillë mund t’i sjellë filmit vëmendje ndërkombëtare dhe t’i ekspozojë gjetjet e tij ndaj shqyrtimit më të gjerë publik. Megjithatë, fakti nëse pretendimet do t’i rezistojnë shqyrtimit përfundimtar do të varet nga provat në themel të tyre – si dhe nga fakti nëse personat në fjalë do të përballen me akuza konkrete dhe do t’u jepet mundësia për t’u përgjigjur.

Në Shqipëri, edhe vetëm klipi i shkurtër paraprak ka nxitur tashmë debate. Për momentin, pyetja kryesore mbetet pa përgjigje: A do të jetë në gjendje dokumentari i plotë të vërtetojë dhe të dokumentojë qartë gjurmët e pretenduara të parave?

Historia Të gjithë personat e përfshirë në këto pretendime konsiderohen të pafajshëm derisa të provohet e kundërta.

https://exxtra24.al/documentary-on-the-rama-government-austrian-producer-frederik-fussel-follows-the-money-trail/

Alarm në veri të Europës! Forcaat suedeze dhe finlandeze zbulojnë avionët ushtarakë rusë mbi Gjirin e Finlandës

Forcat ajrore finlandeze thanë të premten se avionë luftarakë suedezë dhe finlandezë ishin ngritur në ajër për të identifikuar avionët luftarakë rusë që fluturonin mbi Gjirin e Finlandës.

 

Forcat ajrore thanë se avionët e Alarmit të Reagimit të Shpejtë të dy vendeve nordike ishin ngritur në ajër të enjten.

Ata kishin identifikuar një detashment rus të përbërë nga një aeroplan transporti Tu-134, avionë luftarakë MiG-31 dhe avionë luftarakë Su-30 “në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Gjirin e Finlandës”.

Sipas ushtrisë, ky ishte “misioni i parë i përbashkët operativ i identifikimit” për të dy forcat ajrore.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson komentoi mbi operacionin në X, duke thënë se “Deti Baltik nuk ka qenë kurrë kaq i prekshëm sa është tani – por gjithashtu nuk ka qenë kurrë më i mbrojtur sesa është tani”.

Tensionet mbi Detin Baltik janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe avionët nordikë ngrihen rregullisht në ajër për të kapur avionë rusë.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga dekada të mosangazhimit ushtarak dhe iu bashkuan NATO-s.

Një avion luftarak MiG-31 i forcave ajrore ruse ngrihet në një bazë ajrore gjatë stërvitjeve ushtarake në rajonin Tver, 14 shkurt 2022

Incidenti ndodhi në të njëjtën ditë kur Shërbimi i Inteligjencës së Mbrojtjes Daneze (DDIS) tha se rreziku i veprimeve ushtarake ruse kundër vendeve të NATO-s po rritej dhe një pushtim i plotë ishte “shumë i pamundur”, por i mundshëm.

“Ekziston një rrezik i ulët, por në rritje, që Rusia të nisë një sulm të kufizuar ushtarak kundër një ose disa vendeve të NATO-s që kufizohen me Rusinë”, tha Thomas Ahrenkiel, kreu i DDIS, në një konferencë për shtyp në të cilën paraqiti një vlerësim të përditësuar të kërcënimit nga Rusia.

Ai tha se agjencia ende e konsideronte “shumë të pamundur që Rusia të shihte ndonjë interes për të pushtuar një vend të NATO-s, por ne nuk mund ta përjashtojmë këtë mundësi”.

Në vlerësimin e DDIS, agjencia tha se Rusia ka të ngjarë të kryejë më shumë të ashtuquajturat “sulme hibride” kundër objektivave në Perëndim.

Ai vuri në dukje se në të kaluarën sulme të tilla “kishin kryesisht për qëllim krijimin e frikës dhe dobësimin e mbështetjes publike për ndihmën ndaj Ukrainës”.

Por ato tani kishin filluar të përfshinin veprime që synonin të ndalonin mbështetjen që të arrinte në Ukrainë, të tilla si sabotimi kundër kompanive të mbrojtjes ose transporteve hekurudhore që transportonin pajisje ushtarake, tha agjencia.

DDIS tha se mendonte që Rusia do t’i intensifikonte sulme të tilla, të cilat mund të përfshijnë edhe “sulme kibernetike shkatërruese që dëmtojnë funksionet kritike shoqërore”.

“Do të kontrollohen të gjithë” – Magyar njofton projektligjin për verifikimin e pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë

Kryeministri hungarez Peter Magyar njoftoi një projektligj që do të mundësonte verifikimin e pasurimit të politikanëve deri në 20 vjet më parë, dhe disa ish-zyrtarë të lartë do të përfshiheshin gjithashtu në kontroll, shkruan Telex.

Në një video të postuar në Facebook të enjten, Magyar tha se projektligji do t’i dërgohej parlamentit hungarez pa vonesë.

“Që tani e tutje, fundi i botës në të cilën politikanët e Fidesz shkruanin në mënyrë cinike çdo gjë në të dhënat e tyre të pronës, ndërkohë që të gjithëve u ishte e qartë se mënyra e tyre e vërtetë e jetesës dhe prona në letër nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën”, tha kryeministri hungarez, siç raportohet nga Telex.

Sipas propozimit të shpallur, kontrollet do të mbulonin anëtarët e parlamentit, kryeministrat, ministrat, sekretarët e shtetit, komisionerët e qeverisë dhe komisionerët e kryeministrave.

“Verifikimi i pasurimit do të zbatohet për çdo anëtar të parlamentit, kryeministër, ministër, sekretar shteti, komisioner qeveritar dhe komisioner të kryeministrit, mandati i të cilit ka mbaruar në pesë vitet e fundit, dhe sigurisht edhe për ata që aktualisht mbajnë ose do të mbajnë këto pozicione në të ardhmen”, tha Magyar.

Kontrollet do të kryheshin nga Administrata Kombëtare Hungareze e Taksave dhe Doganave (NAV).

Për politikanët aktualë, verifikimi do të fillonte pasi të kenë kaluar dy vjet që nga emërimi i tyre i parë. Nëse dikush nga parlamenti ose qeveria aktuale jep dorëheqjen ose zëvendësohet, NAV, sipas njoftimit të Magyar, do të fillonte automatikisht një kontroll brenda 30 ditëve.

Nëse, gjatë procedurës, një politikan ose person tjetër i mbuluar nga ligji ka një deficit tatimor prej të paktën pesë milionë forintësh, emri, pozicioni dhe shuma e deficitit tatimor të përcaktuar të tij do të publikohen në listën publike të NAV-it.

Propozimi do t’i jepte NAV-it kompetencat e nevojshme për kontrolle të hollësishme për të përcaktuar nëse asetet dhe standardet e jetesës së politikanëve korrespondojnë me të ardhurat e tyre të tatueshme dhe të dhënat e pronës.

“Gjatë inspektimit, NAV do të zbulojë gjithçka – pasuri të paluajtshme, llogari bankare, aksione biznesi, sigurime, investime dhe asete që janë përpjekur të fshihen deri më tani – dhe do t’i krahasojë ato me të dhënat e pronës, dhe më pas do të bëjë një vlerësim të rrezikut”, tha Magyar.

Nëse NAV përcakton se nuk ka parregullsi, procedura do të përfundojë.

Megjithatë, nëse gjendet një mospërputhje midis të ardhurave të tatueshme dhe aseteve që mund të tregojë mospërmbushje të detyrimeve tatimore ose të ardhura të fituara në mënyrë të paligjshme, do të iniciohet një audit i detajuar tatimor.

Elementi kyç i njoftimit të Magyar është aftësia për të kontrolluar origjinën dhe rritjen e aseteve deri në dy dekada më parë, ndërsa sistemi do të përfshinte jo vetëm mbajtësit aktualë dhe të ardhshëm të pozicioneve më të larta, por edhe ata, mandati i të cilëve ka përfunduar gjatë pesë viteve të mëparshme. bw

PS rrëzoi kërkesën e SPAK-ut: Eurodeputetja Isabel Wiseler Lim kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut

Eurodeputetja Isabel Wiseler Lim ka reaguar në lidhje me rastin e Belinda Ballukut, ndërsa ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj si deputete, në një kohë kur është nën hetim nga SPAK.
Gjatë takimit të 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian në Tiranë, Wiseler-Lima vlerësoi punën e SPAK-ut dhe theksoi se ky institucion gëzon një nivel të lartë besimi te qytetarët shqiptarë.

Po ashtu ajo ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si garantohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe nëse reforma në drejtësi do të vijojë të jetë e pakthyeshme.

“Kur isha në maj këtu si vëzhguese e zgjedhjeve, ju ishit në fushatë, e tani ju shoh këtu si kolegë dhe mund të flasim si parlamentarë me njëri-tjetrin. SPAK-u është në fakt një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi. Kjo është një nga format për të cilën është rënë dakord nga të dyja palët. Por megjithatë pavarësia nuk është se sigurohet menjëherë, pra kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu dhe çdo hetim dhe fillim i tyre do të vendosen këtu. Dhe ndërkohë anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit zgjidhen nga parlamenti. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe pyetja është a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, tha ajo. bw


Send this to a friend