Autoritetet hungareze kanë sekuestruar rreth 20 milionë dollarë para cash, të cilat ishin fshehur në pyje, ndërtesa fermash, magazina dhe prona banimi, në kuadër të një hetimi për korrupsionin ndaj Miklos Sesztak, ish-ministër në qeverinë e Viktor Orbanit, raporton Reuters.
Miklos Sesztak, ish-ministër në qeverinë e Viktor Orban
Sipas autoriteteve, paratë u zbuluan gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa ambiente, ndërsa një pjesë e tyre ishte groposur në pyje dhe një tjetër ishte ruajtur në një kasafortë me vlerë të lartë, në një vendndodhje të izoluar.
Hetimi zhvillohet në kuadër të fushatës kundër korrupsionit të ndërmarrë nga kryeministri i ri hungarez, Peter Magyar, i cili largoi nga pushteti Viktor Orbanin pas 16 vitesh qeverisje, në zgjedhjet e prillit.
Magyar ka premtuar luftë gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian, të cilat ishin përkeqësuar gjatë viteve të qeverisjes së Orbanit.
Operacioni kundër korrupsionit është pagëzuar prej tij si “Operacioni Purgatori”. Sipas një sondazhi të publikuar këtë javë nga agjencia Median në faqen e lajmeve HVG, 70% e të anketuarve e konsiderojnë këtë operacion shumë të rëndësishëm.
Hetimet kanë prekur edhe figura të tjera të ish-qeverisë. Dy ish-ministra të kabinetit të Orbanit dhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy, janë arrestuar në hetime të veçanta për akuza korrupsioni. Ata kanë mohuar çdo shkelje. Panorama