Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të propozojë Ilse Aigner si kandidate për presidente të Gjermanisë. Ajo aktualisht është kryetare e Parlamentit të Bavarisë dhe anëtare e Unionit Social-Kristian (CSU).
Vendimi i Merz pritet të zyrtarizohet të hënën në strukturat drejtuese të CDU-së dhe CSU-së, të cilat do të shqyrtojnë dhe konfirmojnë kandidaturën e saj.
Nëse zgjidhet, 62-vjeçarja Aigner do të bëhet gruaja e parë që merr postin e presidentes federale të Gjermanisë, pas 12 presidentëve meshkuj. Gjithashtu, ajo do të jetë presidentja e parë që vjen nga radhët e CSU-së.
Merz kishte paralajmëruar më herët se do të mbështeste një kandidate femër për këtë post, duke theksuar se kërkonte një figurë të qendrës politike, larg ekstremizmave.
Kandidatura e Aigner ka marrë mbështetje edhe nga përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe të të Gjelbërve, çka pritet t’i sigurojë asaj votat e nevojshme në Asamblenë Federale, e cila ka 1,260 anëtarë dhe është përgjegjëse për zgjedhjen e presidentit të ri më 30 janar 2027.
Presidenti aktual, Frank-Walter Steinmeier, përfundon mandatin e tij të dytë më 18 mars 2027.
Ilse Aigner ka qenë ministre federale e Bujqësisë në qeverinë e Angela Merkelit gjatë viteve 2008-2013. Që prej asaj kohe është pjesë e Parlamentit të Bavarisë, të cilin e drejton që nga viti 2018.