(shkëputur nga INDIGO, roman dashurie në dorëshkrim)
Tuneli m’i ka mbështjellë punët e mi ka bërë lëmsh fare!
Tamam në çastin kur begenisa t’ia i shkel syn’ e djathtë tunelit të kënduar, tashmë të njohur, Kalimash, kur bëhesha gati t’ia kris një sy gjumi ëndërrimtar, gjithnjë syçelë, të endë si ojme qenari, një ëndërr nostalgjike, të kridhem në mendime e të zhytëm në pusin meditativ, açik e vetëm për të, për Ajkunën, heroinën time në Tiranë, që pasi ta kilikos mirë e mirë, si dem i uritur, do t’i qepem kullosës së një sasie të mirë, të livadheve gurgulluese të trupit të saj të bukur, që s’e kam pa kurrë më parë, kurrë pa vjelë, as një të vetmin fryt nga plantacioni i trupit të saj
Isha preokupuar me termin (emrin) Tunel. Përpara se në kuptim praktik e konkret, fizik, mendoja se fjala Tunel ka kaptim simbolik e metaforik. Nga leximet e librave por më shumë e më shpesh të tregimeve e pse jo edhe te artikujve e reportazheve e mbaja mend kur thuhej se përherë në fund të tunelit shfaqej një dritë. Për të zgjidhur, deri diku, nyjën e dilemës, kisha vendosur të lexoja një libër, a roman, me titull Tuneli. Një kohë të gjatë pandehja se një roman, me titull të tillë e ka shkruar shkrimtari shqiptar bashkëkohës Agron Tufa. E pata gabim. Tufa kishte shkruar romanin me titull “Dueli”, (pra jo “Tuneli”!) që mua në ishte tekur, si budallas kosi. “Duelin” e tij e kisha lexuar me vakt dhe asgjë nuk mbaja mend nga përmbajtja e tij, me përjashtim të deklaratës së shkrimtarit Kadare që, atëbotë, kishte thëne se nuk kishte lexuar diçka më të bukur nga letërsia shqipe në dhjet vjetët e fundit. E kjo nuk ishte pak për një shkrimtar të ri dibran nga Peshkopia. Fatbardhësisht, ditë me vonë, mora vësh se autor i romanit me titull “Tuneli”, është një tjetër autor me prejardhje shqiptare, Ernesto Sabato, nga Argjentina e largët e Amerikës Latine. Dëshmia më e mirë se ky shkrimtar i mrë, më të vërtete kishte prejardhje shqiptare ishte deklarata e tij, “Në shtëpi nëna gjithmonë në fliste shqip”. (Në mos qoftë ky një trill më shumë i facebookut, të papërgjegjshëm, gjithsesi!).
Poshtë facebook-u, rroftë facebook-u!.
Kisha lexuar diku e dikur se, në Argjentinën e largët, qysh se nga kohën e Skënderbeut, treqind familje shqiptare kishin gjezdisur në botën e hapët dhe kishin ngulur në Argjentinën e bukur. Ndoshta nga njëra prej atyre 300 familjeve shqiptare të Argjentinës e ka prejardhjen edhe Lionel Messi, futbollisti më i ri mirë në botë. Këtë Lioneli e pohoi me gojën e vet, kur tha se, menjëherë pas shpërnguljes se shqiptarëve në Italinë jugore, familja e tij, bashkë me 300 tjera, ishte shkëputur e kishte vazhduar rrugën e mërgimit për t’u ndalur pikërisht në Argjentinë. Mjerisht rrjedhën e këtij rrëfimi të këndshëm dhe krenar e ndërprenë një thelb i hidhur. Shkrimtari i njohur, të them (me kusht) shqiptar, Ernesto Sabato, më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare, të ndarë nga fondacioni Velija. Shpërblim ky me emrin Ismail Kadare, pra, shkrimtar me famë botërore, sigurisht po aq i njohur edhe në opinionin lexues të Argjentinës së Ernestit. Ideja e mirë dhe fisnike e përgjegjësve nga Tirana, ishte që me rastin e dorëzimit të këtij shpërblimi të çmuar, rreth një tryeze, të uleshin tre krijues të njohur shqiptarë. I ftuari laureat i radhës, Ernesto Sabato, Kadareja vet, si nikoqir dhe maestro Ibrahim Kodra që, ato ditë, kishte çelë ekspozitë personale në Tiranën e tij të ri gjetur, pas aq shumë vjetësh në mërgim, pa të drejtë kthimi në vendlindje. E menduar mirë, s’ka fjalë, apo jo!
Rreth një tryeze të vetme tre emra, tri personalitete të njohura të botës së artit, gjithandej në botën e artit. Një trio madhështor dhe për lakmi e krenari. Ndonëse opinioni i gjerë shqiptar e priste ma padurim, ky takim nuk ndodhi. Ndoshta nuk ndodhi kurrë dhe e dini (ju kujtohet!), sigurisht: ditën kur Ernesti duhej të fluturonte nga Buenes Airesi (Ajri i Mirë!) për ne Tiranë (që do ta shihte për herë të parë e të fundit në jetën e tij, E. Sabato vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 prill 2011 në moshën 99 vjeçare). Si shumë e shumë të tjerë edhe unë ëndërroja se nuk ishte larg dekiku që, do të ndërmarr krejt çka është e nevojshme, ta takoja e do të shihja gjallë. Në madhësi e formë reale. Aty, midis Tiranës së shqetësimeve dhe të drithërimeve, rrahjeve të shpejtuara të Zemrës. Takimi i shty për më vonë. Thanë se për shkak të një fatkeqësie të rëndë në gjirin familjar, me pasoja të dhimbjes se madhe që kishte ndodhur ndërkohë në familjen e Ernestit. I raft damlla e goja iu shtrembëroftë atij që e nxori goje dhe e përhapi këtë informatë aq me parë që duhej dhe shpresoj të këtë qenë e rreme. Nuk e di, nuk kam haber se a erdhi Sabato në Tiranë, por, ndërkaq jam i sigurt se takimi i paramenduar nuk do të ketë ndodhur në të njëjtin dekor e në të njëjtën skenografi.
Tash, një ditë frik, bëhet e ditur se romanin “Tuneli” të Sabatos në gjuhën shqipe e sjellë shkrimtarja jonë e njohur, M. Meksi. Kënaqësinë e leximit të atij fragmenti po e ndaj me Ty, Fatbardha ime e, pastaj shohin e bëjmë. Bisedojmë e llafosim shtruar dhe më gjatë rreth këtij romani, kur ta kemi lexuar, që të dy, të tërin.
Ja ai fragment: “Ekzistonte një tunel i vetëm, i errët dhe vetmitar , tuneli nëpër të cilin kishte rrjedhur fëmijëria dhe rinia ime, e gjithë jeta ime.
Nga një copëz e tejdukshme e murit prej guri, unë e kisha parë, këtë vajzë dhe kisha menduar se ajo vinte nga një tjetër tunel paralel me timin, ndërkohë që në të vërtetë, ajo i përkiste botës së madhe, botës pa kufij, të atyre që nuk jetojnë nëpër tunele dhe ndoshta i qe afruar nga kërshëria njërës prej dritareve të mia të çuditshme dhe i kishte zënë syri spektaklin e vetmisë time pa shpëtim , ose e kishte tërhequr gjuha memece, çelësi i pikturës time.
Dhe atëherë ndërsa unë bëja përpara brenda tunelit tim, ajo jetonte jashtë, jetën e saj të natyrshme, jetën e rrëmujshme të njerëzve që jetojnë përjashta, atë jetën e çuditshme dhe absurde, ku ka vallëzime dhe festa, gëzim dhe mendjelehtësi.
Nganjëherë, qëllonte që kur unë kaloja përpara njërës prej dritareve të mia, ajo ishte duke më pritur, e pagoje, dhe plot ankth. (përse më priste?; Përse më priste plot ankth dhe e pagojë?)
Ndonjëherë, qëllonte që ajo të mos vinte në orar dhe e harronte këtë qenie të mbyllur dhe atëherë unë me fytyrën e ngjeshur pas murit e përfytyroja atë në vende të paarritshme…”.
*
Në këtë e sipër, pak para se të shkel syn’ e djathtë të Tunelit Kalimash, papritmas fare, në mendje më trokitën në zemër, me therën e grithen, si çaponj të kishin, vargjet pot revoltë e pezëm, të Nolit tonë të pavdekshëm, që aq mirë korrespondojnë e rrokin për fyti aktualitetin e vluar të sotëm, që vlon tani e gjithë ditën në shoqërinë, bashkëkohëse e moderne shqiptare.
Të Ura, të Ura vraponi e burra…– bërtet Noli!
Vraponi, o burra,
Me armë, me topa,
me kordh’, me shpata,
Se dolli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shijakut në Durrës me vrap.
Kuçedr’e Turqisë,
Hyen’e urisë, e rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari,
Dogja këtë thëthijnë dhe vjen te Shqiptari,
Si gjarpër zvarritet, i sillet përqark,
Me dinin në gojë, me helmin në bark…
*
Gjumi (mbretëror) thyhet. Bëhet copë e grimë. Shndërrohet në spira e grimca të imëta mikroskopike, tamam ashtu siç bëhet një brosh diamanti kur përplaset plloçash mermeri kokëfortë!
Bëhet hi e pluhur, mjegull bëhet!
Ëndrra soset, ikën e tretet, shkon në bisht sorre, shkon…
Muret e Tunelit Kaliamsh, mbështillen e bëhen lëmsh. Ngushtohen aq shumë, sikur bëhen grusht në kraharorin tim, mbytur në djersë ethesh. Nga andej, nga zgropi i kraharorit, zbërthen një klithmë rënkuese, e pa kontrolluar dhe pa artikuluar fare, thua se Noli, Noli ynë i mirë e i urtë, mendjehollë me vargjet e tij kolosalë, ishte fajtor për të gjitha të ligat e djeshme dhe për gjitha gomarllëqet, koshoneritë e sotme.
O Nol, o Sitilian, o imzot Nol, o Fan Sotiri, aman, fol bre burrë, fol o burrë fisnik e bujar, sa i shtrenjtë që je, po ku janë ata Burra!
Fol, fol, ore trim, se na doli flaka!
Ku janë ata dhe cilët janë ata!
B u rr a!
Te cila Urë, i thërret Ti, të vrapojnë ata burra, ta kam hatrin!
Komentet