STILIAN BUXHAKU
Dreka që hëngrëm 1 orë përpara vdekjes
Kur erdhi mesditën e 20 gushtit nga Amsterdami në aeroportin e Selanikut dhe u përqafuam, fjala e parë që më tha ishte…
“Do të jap një drekë sot vëlla, që ta mbash mend gjithë jetën”… thua se gjithë qenia e tij e ndjente të keqen që do të vinte një orë më pas.
U ritakuam pas shumë vitesh, krejt rastësisht, një vit më parë, kur kishte ardhur në Selanik për të filluar disa seanca kimioterapie.
Nga ajo ditë, nuk u ndamë më…
Kujtoj ditët që kaluam bashkë, veçanërisht ato kur ndjehej mirë…
E kuptoja menjëherë pasi më propozonte të shkonim në Kalkidiki, në Nea Mudania.
Mund të kemi shkuar dhjetëra herë së bashku atje dhe, në më të shumtën e rasteve, jemi ulur te taverna “Marina”, në qendër të këtij qyteti të vogël dhe buzë portit me jahte e peshkarexha.
I pëlqente kur këto të fundit ktheheshin ngadalë, jo jahtet, dhe i shihte me adhurim peshkatarët kur rregullonin rrjetat e zbrisnin peshkun prej barkut të tyre… Jam i sigurt që do të ketë shkruar dhe për to, ashtu si ka shkruar shumë herë për detin…
Dori ishte njeri gati-gati i çuditshëm. E dinte që vdekjen e kishte një hap larg, megjithatë, nuk reshte së bëri shaka, së qeshuri, së foluri, së menduari, së jetuari…
Mbaj mend që, një ditë më tha se kishte biseduar me mikun e tij. Dritan Hoxha. dhe së shpejti do të fillonte në “Top Albania Radio” një cikël emisionesh ku do të bashkëbisedonte drejtpërdrejt me dëgjuesit. Madje, më tregoi dhe hapjen e tij, ku do t’u drejtohej dëgjuesve më fjalët…
Unë jam Teodor Keko, i sëmurë dhe në prag të vdekjes, ndaj dua të bashkëbisedoj me ju jetëgjatët… Ishte një vullkan idesh. Edhe sot e shoh gjithnjë me telefonin në dorë kur përpiqej të ndihmonte tërë botën.
Fliste çdo ditë me të gjithë miqtë.
I merrte gjithkund, e merrnin nga gjithkund, po nuk rrëfeu kurrë dobësi, as në telefon.
E shihja dhe nuk arrija ta kuptoj ku e gjente atë forcë për të luftuar dhe shpërfillur vdekjen.
Kur lodhej, ulej në një nga verandat buzë shëtitores, ndizte cigaren dhe, për minuta të tëra qëndronte me sytë nga deti, në heshtje të plotë, sikur donte të çmallej me dikë që s’ma tha kurrë.
Sa për restorantet, më shumë se kudo i pëlqente të hante në tavernat karakteristike në shoqërinë e muzikës.
Pastaj, vonë, gjithnjë pas mesnate, ngrihej dhe shkonte të flinte, zakonisht në hotel “Ambassador”, i vendosur mbi njërën prej kodrave, me vreshta dhe ullinj, në juglindje të Selanikut, po dhe në hotel “Imperial Palace”, që ndodhet në qendër të Selanikut, fare pranë sheshit “Aristotelis”.
Edhe atë 20 gusht, rrugës nga aeroporti, rezervoi me telefon dhomën në hotel “Ambassador”, ku e njihnin të gjithë dhe më kërkoi të shkonim në tavernën “Janis” në Perea, një restorant tipik grek, që Dorit i pëlqente shumë për pozicionin buzë detit dhe ushqimin shumë të mirë…
Ne ishim bashkë atë çast, kur ai vendosi të kalojë luginën e vdekjes.
Nuk arriti të thoshte asnjë fjalë në atë moment ogurzi, nuk arriti të mbarojë fjalën “S’jam mirë…”
Por në sytë e tij në atë moment të keq, unë pashë dëshirën e madhe që kishte ai njeri të shikonte për herë të fundit Xhulin, Martinin, Elion, nënën, shokët e shumtë…
Dori, mbaje veten, i thashë… por ai ecte në atë tunel të errët, pa mundur dot të kthehej.
Komentet