JUXHIN MUSTAFARAJ/ Opozita do të protestojë sot përpara Kryeministrisë për të kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama.
Një muaj pas protestës së 16 shkurtit, kur morën vendimin për djegien e mandateve, deputetët e opozitës do të jenë sërish në krah të qytetarëve pa imunitetet parlamentare, por me të njëjtën kërkesë: Largimin e qeverisë. Policia e Shtetit, njësoj si 30 ditë më parë, ka vendosur të mos pranojë plotësisht kërkesën e paraqitur nga PDja për të rrethuar godinën e Këshillit të Ministrave.
Burime nga Policia e Shtetit sqarojnë për “Panorama” se kërkesa e PD-së ka qenë për një protestë që niste sot në orën 11:00, për të vijuar për 48 orë me radhë. Një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga Policia e Shtetit, e cila ka kërkuar që protesta e opozitës të përfundojë brenda orës 00:00 të ditës së shtunë. Gjithashtu, opozitës nuk i është pranuar kërkesa për të protestuar në rrugën “Ismail Qemali”, që ndan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me hotel “Rogner”.
Nga ana tjetër, përmes një plani të detajuar masash ka rrethuar të gjithë godinën e Kryeministrisë me rrjeta teli për të pamundësuar hyrjen e qytetarëve në godinën e Kryeministrisë. Gjithashtu, në të gjithë hapësirat rreth godinës së Këshillit të Ministrave janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për të filmuar dhe dokumentuar çdo akt dhune apo tentativë të protestuesve për të hyrë në Kryeministri. Edhe shtyllat, në të cilat janë vendosur kamerat, janë të lyera me graso për të mos lejuar dëmtimin e tyre nga protestuesit. Partia Demokratike ka qëndruar edhe këtë herë e rezervuar sa u takon detajeve të organizimit, por ka sqaruar se synimi kryesor i protestës do të jetë sigurimi i një pjesëmarrjeje më të lartë se ajo e 16 shkurtit. Do të ketë një foltore të rezervuar për qytetarët, të cilët do të tregojnë vështirësitë e tyre nga qeverisja e Edi Ramës.
QËNDRIMET
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, përmes një reagimi të shkurtër iu përgjigj qëndrimeve të forta të SHBAsë dhe BE-së për protestën e sotme. Basha u kërkoi ambasadave të ishin palë me vlerat e demokracisë që përfaqësojnë dhe jo palë me parti.
“Asnjëherë nuk komentoj deklaratat e ambasadave. Por meqë më pyetët, kam një sugjerim. Nuk u kërkoj të jenë palë me asnjë person në Shqipëri apo parti, por u kërkoj të jenë palë me vlerat e demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të luftës kundër krimit të organizuar, drogës dhe shitblerjes së votës, probleme që u shprehën qartë dhe në raportin e DASH-it. Kam bindjen dhe informacionin se do të hyjë në histori si një nga protestat më të mëdha për të ndalur të keqen dhe për të hapur dyert e mbyllura të Europës”, tha Basha.
Më herët, kryetari i PD-së u bëri thirrje shqiptarëve t’u tregojnë botës së koha kur Shqipëria qeveriset nga disa kriminelë, ka marrë fund.
“Shikoni si e trajton Parlamentin, si banja publike. Shikoni si i trajton deputetët, si bagëti që shiten e blihen si në pazar të Milotit. A ka shenjë më të qartë të degradimit të këtij pushteti sesa shitblerja e së ashtuquajturve deputetë të opozitës së re, si të ishin bagëti? Provokimet me këta të mjerët që i peshkon sa andej këtej do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët dhe nga opozita, duke filluar me të shtunën, në 16 mars, me protestën e madhe që do të zhvillohet në Tiranë. Unë ju ftoj të gjithëve të jemi bashkë për t’i treguar botës se koha kur vendin e sundonte një njeri me 5 kriminelë, ka marrë fund. Shqiptarët kanë vendosur ta marrin në dorë fatin e tyre dhe nuk ka për të pasur kthim prapa deri në fitoren e qytetarëve”, tha Basha nga një takim me studentë e pedagogë në Durrës.
Komentet