Nuk e di pse kur e hapa kapakun e shpirtit të tij më doli si libër, një libër i moçëm dhe me fletë të vyshkura si gjethet në vjeshtë… Nën rreshtat e dallueshëm kishte një shkrim hieroglifesh. Fillimisht nuk e transkriptova dot, kishte një kod magjik. Vijova udhën nëpër faqet ku kishte vetëm poezi… dhe bashkë me këtë udhëtim ikte mjegulla mbi shkrimin e vjetër deri sa më në fund doli në dritë një shprehje lakonike, një lloj kontradiksioni logjik tejet provokues. “Jam ai që nuk kam, por e di se çfarë më mungon”… Jam kalorësi i të përkohshmes! Tingëllima më zgjoi antikitetin, e gjithë dashuria poligame e Zeusit ishte me gratë e përkohshme me tokësoret… Sherifi është një dashnor me dritën, me dhimbjen dhe me përgjegjësinë. Ai nuk do as gjyq, as gjykatës; ai ka sallë gjyqi vetminë, gjykatës reflektimin e tij dhe këngë vendimmarrëse të shprehurin e lirë. E fillon procesin e tij me dashurinë… Sa bukur ashtu si Jacque Prevert, që thoshte tek poezia “Dashuria”:
“Kjo dashuri e tëra për ne
Nëse përsëri ngjallet
…të gjithë me diell do jemi… ajo
është e jotja,
është e imja.
Kështu ka qenë gjithmonë e re
…nuk ka ndryshuar
Ndërsa Skënder Sherifi është më i sofistikuar, më dritëpak, sepse mendon më thellë kur shkruan:
Të deshifrojmë bashkë me mallëngjime
Mister i përjetshëm i
Përjetësisë etere…
Poezia e tij kumton filozofikisht. Skënder Sherifi nuk del dot nga burgu i brengave, madje as edhe nuk do që të dalë prej andej, sepse brenda tyre ai është i lirë për sa kohë flet, shprehet, këlthet, proteston dhe dëneset… Tek e fundit, kurajën t’i thotë botës je e tillë, se paku për mua. Dimensionet e tij të vetmisë dhe universit hapen si një ritmikë muzikore nga minutat zëulëta deri te koralet gjithëpërfshirëse, ku krenat e protestës shfryjnë. Ai s’ka drojë t’i thotë dashurisë se është vetëm ai që mund t’i tregojë sekretet e tokës së tij. Mes paganizmit dhe erotikës, ai është enigma. Po, po poeti është magnetizmi enigmës në këtë jetë. Te shpirti tij poetik gjej Mirabon… njeriun më të vlerësuar në historinë e Francës. Skënder Sherifi e sheh si urë që lidh ku kalojnë fatet, kohët, dashuritë dhe hijet… Simbolika është shumë ndjellafrymëzuese… Mirabo… Mirë asht bo… bërë… ndaj ne kemi nevojë të shihemi… Epikuri thoshte se nuk mund të lahemi dy herë në të njëjtën vijë uji, se ai rrjedh. Edhe poezia sherifiane është e tillë, rrjedh, nuk përsërit… por që të na orientojë, na lë një takim tek ura Mirabo, atje nën hijen e saj është poeti, ai atje vështron, mban shënime dhe shkruan për gjithësinë. Edhe ai është një urë që merr frymë, që ndërton ëndrra, që lë peng shpirtin në letër dhe që ndjehet i pajetë, por jo i vdekur sepse nuk dëgjohet. Bota moderne si në varkën e Karonit ka humbur dëgjimin, nuk do të mbajë përgjegjësi, por kjo sjellje shpinakthyese nuk e tut poetin. Sa më pëlqen një varg i tij… “Nën urën Mirabeau, e zezë, e magjepsur”. Ma gjej psenë… e lexoj unë këtë fjali, sepse poeti është i preokupuar keqas, pasi siç thotë ai, jetojmë në kohën kur me dollarë dhe me euro, shiten ide të rreme. Kjo lloj jete është një fatalitet ndryshe, i takon modernitetit kallp, përtej tri fataliteteve që shkruante Viktor Hugoi… dhe quhet varrosja e mendimit në tregun e mallrave. Oh kjo gjendje e shndërron poetin në një cinik. Cinizmi i tij ka dhe nuk ka moshë. Kur poeton si simbolist, mosha e tij është relativizëm kronologjik, sepse plazmohet si parzmore estetike. Kur ai kumton si filozof, Sherifi shfaqet si hero epik, si i ardhur nga kullat e moçme të dinjitetit, ku maska është një nocion që përbuzet. Por, ironia është se bota pranon dhe do njeriun me maskë. Këtë poeti ynë nuk e duron dot, ndaj të gjitha poezitë e këtij vëllimi janë një procedurë e heqjes së maskave. Për të mos mbetur vetëm, Sherifi lexon shpirtrat dhe si një kriptolog, të gjitha personazhet e kulturës dhe historisë i shndërron falë alkimisë së tij fillimisht në këngë shpirti dhe më tej në rima, vargje dhe poezi. Si të thuash, iu krijon një tjetër jetë, krejt të pamenduar prej tyre. Kjo zhbërje-ribërje nuk është deformim, është ringjallje nga bota materiale në atë të poezisë idilike. Ky lloj konvertimi mund të quhet pa droje… “Unë të vjedh shpirtin që ai të mos humbë (a nuk e vodhi zjarrin Prometheu) dhe kështu të ta mbaj gjallë. Dua të ta mbroj nga vrasja që atij i bëjnë çdo ditë, pasi ti ishe pa sozi që të ta devijonte shënjestrën. Në këtë kuptim poezia e Skënder Sherifit mund të quhet pa mëdyshje “Muzeumi i shpirtrave artistikë”. Në hyrje të këtij muzeumi, që është poezia e tij, lexojmë: “Unë, Skënder Sherifi, kujdesem këtu pa pagesë”!
Jeta është një çast apo shuma e çasteve, është ajo që jetojmë, apo është iluzioni që ne përjetojmë? Kjo brengë është kudo në vargjet e autorit deri sa në një moment ai ndalet dhe shfryn. Është tanimë në një rol të vështirë teatror. Këndon këngën e moçme sa koha që vjen nga mugëtirat, titulluar “Vajtimi i pleqve të rrënuar”, kushtuar autorit francez, Fontenelle.
Çfarë mjerimi, çfarë poshtërsie mizore
nuk ka një Zot mëshirëplotë
për pleqtë e shkretë në këtë botë iluzore!
Përball kësaj vetmie dhe mosinteresimi, me fletën e dënimit në duar që një ditë unë, ti, ai të gjithë do jemi pleq të braktisur, poeti sa personal dhe më shumë impersonal zhytet në jetën e pasionit dhe dëshirave që të lë të kuptosh se biografia shpirtërore e viteve ‘70-‘80-të po vinte duke lëshuar që nga larg një aromë përçudnimi të tillë, që tregon se pasi lamë pas dashurinë, pasi humbëm mendimin dhe pasi harruam se një ditë do të jemi të harruar, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të harbohemi.
Liria u bë e lirë dhe e pakapshme në ekstrem.
Hapësirat na u hapën, të pamundshme në ujem.
Marramendjet morën vrull, si dallgët oqeanike
e palexueshmja u bë e lexueshme, dikur në ikje!
Këto janë motive në një liri, që vetëm emrin ka të tillë, sepse ajo ka humbur gjithçka ky është kumti i poetit. Shoqëria është e sëmurë, është nën ethe, por shkenca krenohet. Shëndeti mendor i saj është në tallazi, por dikush apo disa kujdesen, veç e gjitha kjo për poetin është një shfaqje, ndaj ai ua heq maskën kur ju thotë:
Stop me teatrologjinë e Sorbonës, stinë e pa stinë
nuk jam djali i askujt, e refuzoj që sot atësinë…
Kjo lloj proteste është sa shpërthim, aq edhe përgjegjësi, është kushtrim… Teatrologjia e shkencës është një nocion shumë i patakuar. Mbase është Sherifi, ati këtij krijimi dhe bekuesi i kësaj krijese, por është një e vërtetë e madhe, e pathënë me kaq vetëflijim. Por, jeta ecën, ka muzikën e vet. Edhe një shikim naiv vajzëror sërish shpirtin ia ngroh, qoftë edhe në mënyrë të pakapshme… për dashurinë si thotë ai: “E ndez flakën dhe rrëzohet për të marrë plagën”… Skënder Sherifi shtron ndoshta pyetjen më të mençur… Shkakun e mërzisë nuk po e gjej dot? Po pse jeta duhet të bëhet kaq e komplikuar, pse njeriu duhet të shumëzohet me faktorët e kotësisë dhe të sendërtimit? Pse? A nuk ka gjëra më të thjeshta dhe më delikate, më humane dhe më të dëlira? Një dashuri e pastër të sjell gëzimin.
Në sytë e mi
ka një det pafund,
në sytë e tu
era degët i tund…
Mjaftojnë edhe këto vargje të kuptosh se sa i thjeshtë është motivi jetës… Pra, Sherifi hera-herës del nga bota e enigmave dhe goditjes së sofistikuar, është i bardhë si një djalosh që e do mirësinë si të jetë prej shpirti dhe ka një imanenc që nuk do shumë vuajtje për t’u kuptuar, ajo është dashuria e drejtpërdrejt dhe pa dredha. Edhe nëse dashuria nuk vjen, edhe nëse ikën, edhe nëse na fal gëzim, edhe nëse jo, ajo është për ne, është si ne, është ne. Ndryshe duhet të pranojmë se jemi në jetë, por jeta nuk është e jona, jemi ata që s’jemi, por nuk e dimë ende se çfarë jemi dhe çfarë nuk jemi. Mbetet të jemi pjella të relativitetit. Si shkruan poeti:
Ne jemi fëmijët e pasigurisë,
bij të një ardhmërie pa jehonë.
Edhe këto dy vargje po të kishte i gjithë libri, do ia vlente ta lexoje dhe ta rilexoje. Çdo të thotë të jesh biri pasigurisë? Kjo është gjëmë apo mëdyshje? Jetojmë në kohën e pasigurisë, po kultura e pasigurisë dhe civilizimi me të njëjtin emër, cilët do të jenë?! E ardhmja pa jehonë do të thotë që jetojmë kohë pa shpirt dhe si e tillë, ajo nuk do shndërrohet dot në kujtesë… Eh çfarë pafuqie kemi si peshën e shpinës dhe kryqin në udhë të golgotës. Misteri i mistereve është një ekuacion me të panjohura. Jemi turmë apo jemi individë? Turma në rresht e tmerron poetin. Individi është gjithçka për Sherifin që pa dorashka shprehet: “Adhuroj imagjinatën, të ardhmen dhe lirinë e pafund”. Me këtë pohim-himn, Skënder Sherifi del nga hekurat lidhur si Prometheu dhe e kalon atë vuajtje. Imagjinatën nuk ia privatizojnë dot, të ardhmen e parasjell shtjellave të imagjinatës, lirinë e ka me vete se nuk lyp as para, as poste e as tituj. Ai është nga raca e artistëve që nuk shërbejnë. Të kujton atë që thoshte Viktor Hugoi, “Poeti s’ka pse lutet, ai e ka lirinë me vete”! Shqetësimi i tij është fati i njerëzimit dhe jo historitë burleske apo shandanët e bukurisë prarore, ku gjithçka është dukje, shtirje dhe epsh. Poezia e tij në këtë kuptim ka graham të një zhytjeje në thellësitë e dritës parësore, atje ku u nis udha pa mëkate. Ai guxon të shkruajë, “të shkojmë atje ku buron faji që të mos mbetemi në iluzion”. Sherifi sfidon. Ai nuk ka as frikë e as turp që të thotë se nuk do të shtiret, se as lutet në tempuj dhe se as spërdridhet shtigjeve të deonizmit të rremë. Ai ia përplas në fytyrë kotësisë dhe shoqërisë së konsumit, kur shkruan:
“ Lamtumirë, Saint Tropez”, pa pushime do vdes…
Oh sa më pëlqen ky varg! Sa dëshpërim dhe duf ka, por edhe sa shpagim dhe mençuri! Mendoj se në të gjithë botën në një refren këto vargje do duhej të shkonin gojë pas goje, kudo dhe për këdo që duket i dëshpëruar se nuk u bë dot snobi i tregut! Ne duhet të demistifikohemi, ndryshe jemi të humbur! Ja psalmi i tij vetmitar, por edhe trimnor:
Keni lindur me pasurinë e egos tuaj, me frymën e dikujt,
me dritën e ditës suaj dhe ajsbergun sekret të huaj
me gjurmën personale të dishtave, me suksese e halle
me një nur pak special, që mund të hyjë në anale
një mister të panjohur, një anë të shenjtë ovale…
Çka dreqin ju ndalon për të qenë ç’ka jeni
të fortë e të lirë, duke menduar ç’ka do leni?
Këtu poeti ngre problemin delikat. A jemi ne ata që jemi apo jemi ata që ne duam të dukemi?! Jemi vetja, por si na do tjetërsimi modern?! Jetojmë në botën e së vërtetës apo kudo ka qenie fatkeqe të klonuara me ikjen nga vetja? Edhe një strofë mjafton t’i bësh një rezonancë magnetike njerëzimit dhe njeriut! Jashtë tyre ka institucione, tribunal apo muzeume, tempuj apo biblioteka, ka gjithçka por njerëz a ka?
Nuk ka një përgjigje për këto pyetje, por ka vetëm një balsam, më mëllaga pyjesh dhe me aromë blinash… ka, ka… dhe ja si e shpreh poeti kur mbyll sytë në nocturne:
“Ah, mon Amour, dans ma Vie pour toujours! – Ah dashuria ime, në jetën time dhe për gjithnjë! Dhe dashuria për të është si zambaku i majit… Krahas mëdyshjeve sofistike, te Sherifi ka një lloj natyraliteti përjetues, sepse akuareli i tij i shpirtit është ngjyer bukur në ndjeshmëri të sinqerta.
Dashuria e tij ka motiv, ka frymëzim, ka qasje dhe ecje, ka histori dhe udhëtim, ka brendi dhe kocka e gjak. Pra, poeti Skënder Sherifi nuk rrëzohet, ai është i gatshëm që t’i gjejë botës gravitetin dhe në bosht të vërë ndjenjat, tek shkruan:
Eja shpejt, e të dashurohemi o mike,
me një dashuri që nuk njeh limite,
me befasinë e bebeve të sapolindura,
që shohin për herë të parë, rreze drite.
Poeti ynë frankofon, lindur e rritur në Belgjikë nuk stepet askund, nuk ndalet as të vallëzojë me vdekjen dhe as të luajë me detin. Ai është një zë që ngjan vetëm me veten e tij… është një tip i çuditshëm, ku e vjetra zakonore është harta e tij e gjeneve dhe e reja është një kavalet hapur në parqet e vetmisë, ku ai vështron botën dhe hedh ngjyrat e poetekës së tij. Ne lexuesit, falë këtij vëllimi na duket se hapim një album pikturash të dikurshme me qëllimin mirtor që të kuptojmë se ku dhe si ka ecur bota perëndimore e dritave që feksin rrugëve, por jo shpirtrave…
Të faleminderit poet, mik i mirë Skënder Sherifi!
Me besë
Përparim Kabo…
Ps. T’i vonova jo më kot këto rreshta, sepse doja të t’i dhuroja sot, më 4 shkurt, ditën e lindjes së poetit të shquar Jacques Prévert. Edhe dhuratat kanë simbolikën e tyre… Mirënjohje që më beson!
Komentet