Treni që të çon në Monte Generoso
“Dua të ngjitem maje malit të shikoj gjithë Arbërinë,” – thoshte Naim Frashëri në “Bagëti e bujqësia”, poemën e tij për Atdheun. Le të përfytyrojmë sadopak poetin tonë kombëtar duke u ngjitur me tren në Malin e Tomorrit dhe, përgjatë udhëtimit, të kishte mundësinë që të kundronte ngeshëm, si në pëllëmbë të dorës, gati gjithë jugun e vendit, male, vargmale, lugina e rrjedha lumenjsh, fusha, pyje, qytete dhe fshatra.
Ishte 21 maj 1871. Naim Frashëri, për katër ditë, do t’i kishte mbushur 25 vjet. Shqipëria jonë në atë kohë kishte rrugë vetëm për këmbësorë, për kuaj dhe për qerre.
Naimi ishte poet romantik. Dhe poetët kanë ëndërruar shumë. Edhe kombet e tyre, teksa lindnin, ëndërronin shumë. Naimi ndoshta ishte më ëndërrimtari i shqiptarëve. Por gjurmë ëndrrash me trena, aq më tepër- tek ngjiten në majat e maleve,- vështirë të kishe gjetur, vështirë të gjesh.
Nga ajo ditë, jo shumë larg Shqipërisë, në Zvicër zinte fill historia e pushtimit të Alpeve nga trenat malorë. Do të pushtoheshin majmale gati dy herë më të larta se Tomorri, se Korabi, se Shkëlzeni, se Cukali, se Pashtriku, se Sharri. Prej atëherë zviceranët nuk do të ishin më kundrues të Alpeve nga poshtë, pra, nga qendrat e tyre të banimeve nga rrëzat a nga shpatet e tyre, por, e kundërta, nga sipër Alpeve ata do të ulnin shikimet për të kundruar magjitë e bukurive të vendit të tyre.
ËNDRRA E GUXIMSHME E INXHINERIT ZVICERAN TË HEKURUDHAVE
I pari zviceran dhe i pari evropian që ëndërroi trenin në Alpe ishte Niklaus Riggenbach (Guebwiller, 21 maj 1817 – Olten, 25 korrik 1899), inxhinier, projektues dhe realizues i lokomotivave me avull. Ai projektoi dhe realizoi mbi njëqind të tilla, njëra prej të cilave u vu në punë në linjën e re zvicerane në veri të Zyrihut në verën e vitit 1847. Famën e përjetshme ia dhanë hekurudhat që morën emrin e tij, hekurudhat Rigi. Shqetësimi i tij kryesor studimor u përqëndrua në sistemet që do të mundësonin ngjitjen e trenave në terrene të pjerrëta. Një lokomotivë me sistem ingranazhesh të përshtatshme për ngjitje të tilla e realizoi më 1862, ndërsa më 12 gusht 1863 e patentoi shpikjen e tij në Francë, ngaqë në Zvicër ia kishin mohuar një mundësi të tillë.
Më 21 maj 1871, në përvjetorin e 56 të lindjes së inxhinierit, siç e përmendëm më lart, u bë përurimi i hekurudhës së parë të dhëmbëzuar. Siç shkruhet në faqen zyrtare në internet të komunës Arth, më 21 maj 1871, Hekurudha Vitznau-Rigi u përurua në prani të katër anëtarëve të Këshillit Federal Zviceran dhe figurave të shquara politike e fetare nga Zvicra Qendrore. Prania e kaq shumë personaliteteve nuk ishte rastësi, pasi ishte hekurudha e parë me dhëmbëza në Evropë. Niklaus Riggenbach, së bashku me inxhinierët Adolf Naeff dhe Olivier Zschokke, ndërmorën ndërtimin e hekurudhës malore. Hekurudha Vitznau-Rigi fillimisht shkonte nga Vitznau në Rigi-Staffelhöhe, në kufirin e Kantonit të Schwyz. Kantoni i Schwyz nuk e kishte dhënë lejen për seksionin Staffelhöhe-Kulm; megjithatë, një komitet nga komuna Arth mori leje për të ndërtuar një hekurudhë midis Arth dhe Rigi-Kulm. Hekurudha e parë me dhëmbëza në Evropë ishte një sukses i madh. Pas vetëm disa javësh, tri udhëtimet ngjitje dhe zbritje të planifikuara fillimisht në orar duhej të shkonin në pesë. Shumë pasagjerë u ankuan në fillim për pritjet ndonjëherë me orë të tëra, dhe pati përleshje dhe debate të shpeshta për vendet më të mira. Pasi Kantoni i Schwyz dha lejen, Komiteti Arth filloi ndërtimin e Hekurudhës Arth-Rigi. Seksioni Staffelhöhe-Kulm u përfundua i pari në vitin 1873. Deri në bashkimin e dy hekurudhave në vitin 1992, Hekurudha Vitznau-Rigi duhej të paguante një qira për përdorimin e binarit Staffelhöhe-Kulm. Gjithashtu në vitin 1873, Shoqëria Ndërkombëtare për Hekurudhat Malore, e themeluar nga inxhinieri Riggenbach, filloi ndërtimin e seksionit Goldau-Kulm. Hekurudha Arth-Rigi u përurua zyrtarisht më 3 qershor 1875. Shërbimi filloi të nesërmen. Vitet e para të funksionimit të Hekurudhës Arth-Rigi nuk ishin aq të suksesshme sa shpresohej. Megjithatë, hapja e Hekurudhës Gotthard në vitin 1882 dhe më vonë lidhjet me Südostbahn (Hekurudhën Juglindore) në vitin 1891 dhe linjën Zyrih-Thalwil-Zug në vitin 1897 çuan në një rritje të numrit të pasagjerëve. Trafiku i pasagjerëve, veçanërisht nga Lucerna nëpërmjet Goldau, u rrit ndjeshëm, duke rezultuar në një rënie të numrit të udhëtarëve në Hekurudhën Vitznau-Rigi. Hekurudha Arth-Rigi u elektrifikua në vitet 1906/7, madje edhe para Hekurudhës Gotthard (1922) dhe shumë kohë para Hekurudhës Vitznau-Rigi (1937). Ndërsa ndërtimi i dy hekurudhave të Rigi solli më shumë turistë në Rigi, kjo gjithashtu do të thoshte se, me kalimin e kohës, pronarët e kuajve, hambarët dhe udhërrëfyesit humbën mjetet e tyre të jetesës dhe iu desh të gjenin një punë tjetër. Hekurudha ishte më e rehatshme, më e shpejtë dhe – ndoshta çuditërisht – edhe më e lirë se ngjitja me një kalë dhe udhërrëfyes. Megjithatë, hekurudha Arth-Rigi krijoi gjithashtu shumë vende të reja pune, të cilat u mbushën pothuajse ekskluzivisht nga njerëz nga Arth.
Duke kapërcyer pjerrësi deri në 25 përqind, nga Vitznau drejt majës Rigi, treni do të bënte një ngjitje në një linjë pesë kilometra të gjatë. Ndërsa maja e malit do të arrihej më 1873. Kështu mali, nga pengesë, do të shndërrohej përfundimisht në një destinacion. Gazetarja e Radiotelevisione Svizzera Italiana, Elizabeth Camozzi, në një shënim jubilar, thekson se kjo shpikje e revolucionoi turizmin zviceran dhe atë evropian në gjysmën e dytë të Shekullit XIX.
Ato pesë kilometra të para, të 21 majit 1871, thekson gazetarja, përbënë tashmë një pikë kthese: jo vetëm një arritje teknike, por edhe një ndryshim në perspektivë, në të cilën mali, nga një hapësirë për t’u kaluar ose për t’u frikësuar, u bë një vend për t’u arritur edhe për kënaqësinë e shikimit. Dhe atë 21 maj, së bashku me gazetarët, vizitorët dhe shikuesit kuriozë u dyndën për të përjetuar së bashku një udhëtim marramendës dhe çuditërisht të sigurt. Në shpatin që të çon nga Vitznau në Malin Rigi, ndodhi diçka që, në atë kohë, dukej pothuajse e pakonceptueshme: një tren përshkoi pjerrësi që deri atëherë ishin konsideruar të ndaluara, dhe e bëri këtë pa rrëshqitur ose ndaluar. Megjithatë, Rigi Bahn nuk ishte hekurudha e parë me dhëmbëza: aplikimet industriale ekzistonin tashmë, dhe Hekurudha me Dhëmbëza Mount Washington ishte hapur në Shtetet e Bashkuara në vitin 1869. Megjithatë, në Evropë, kjo ishte linja e parë që pati një ndikim kaq të thellë në imagjinatën alpine. Dhe që atëherë, modeli u përhap me shpejtësi. Brenda pak dekadash, Alpet u pajisën me një rrjet hekurudhor malor që ndryshoi marrëdhënien midis njerëzve dhe lartësisë. Jungfraubahn, Gornergrat dhe Pilatus i përkisnin epokës së hekurudhave të mëdha alpine të paraprira nga eksperimenti Rigi. Edhe Tiçinoja u nxit nga ky transformim midis fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Hekurudha Monte Generoso dhe funikularët San Salvatore dhe Brè, megjithëse jo gjithmonë të pajisur me sisteme me rafte dhe pinione, i përgjigjen të njëjtit parim: duke e bërë majën të arritshme dhe duke e transformuar atë në një përvojë. Edhe këtu, mali pushon së qeni thjesht një pengesë për t’u kapërcyer dhe bëhet një destinacion për t’u arritur, një vend nga i cili mund të vëzhgohet dhe ndahet peizazhi.

AVENTURË MAHINTËSE TURISTIKE
Në një udhëpërshkrim të tetorit 2017, ne nënvizojmë ngjitjen tonë me trenin e vogël Pilatus në Montegeneroso (Malin Bujar), tren që e merr emrin nga mali që ndodhet në kantonin e Lucernës. Nga ky tren udhëtari mund të shikojë 73 maja të larta malesh. Nismën për këtë hekurudhë e pati ndërmarrë inxhinieri Eduard Locher. Në atë kohë kjo u quajt çmenduri, siç e nënvizojmë ne në udhëpërshkrimin tonë të atëhershëm, duke parë relievin e thepisur dhe defektet që mund të kishte mjeti në ato vende. Por ideja e tij e çmendur u bë realitet me inaugurimin e linjës hekurudhore. Kjo vepër u ndërtua në 400 ditë nga 600 njerëz. E gjatë 4618 metër, që të çonte nga Alpnachstadi në Pilatus Kulm. Linja u përdor nga një tren me avull deri më 1937. Ajo që sot mbetet një nga vendet më të thepisura në botë është konsideruar një kryevepër inxhinierike. Ngjitja nga Capo Lago deri në kuotën 1705 metër të Monte Generoso është më se mahnitëse. Para syve tanë kalojnë të gjithë brezat pyjore dhe të bimësisë. Një adrenalinë të veçantë japin zonat e zhveshura, tejet të rrëpirta. Pika më e lartë e udhëtimit, ku ndodhet edhe Fiore di Pietra, maja më panoramike e Tiçinos dhe nga më të magjishmet e Zvicrës, lejon një shikim 360 gradësh ku spikat Liqeni i Luganos, Lugina e Lumit Po deri tek Apeninet, masivi alpin i Gotthardit dhe Bernina. Më të pasionuarit vijnë këtu për të parë lindjen e diellit dhe gjithë shndërrimet që pëson natyra gjatë trajektores së diellit deri në perëndimin e tij, në një mori të pafundme ngjyrash dhe nuancash. Turistët e dhënë pas aspektit aventuror ndalin në stacionet e ndryshme për të shkelur me këmbë shtigje të vështira malore.
Linja hekurudhore e Monte Generosos, përuruar më 1890, është një ndër të parat e ndërtuara në Zvicër. Ndër vizitorët më të famshëm të saj janë Mbretëresha Margerita e Savojës, Princi i Kurorës më vonë Mbreti i Italisë Viktor Emanueli III, Princesha Enriketa e Saksonisë, Mbreti Boris i Bullgarisë, Mbretërsha Xhovana e Savojës, romancieri francez Hektor Malot, poetesha italiane Ada Negri e shumë të tjerë.
Ndikimi i Rigëve u shtri përtej Zvicrës. Në Gjenovë, në fund të shekullit të 19-të, sipërmarrësi zviceran Franz Josef Bucher, tashmë i lidhur me zhvillimin turistik të Rigëve, ndihmoi në frymëzimin e ndërtimit të funikularit që lidh qytetin me kodrat Castellaccio. Sipas traditës, ishte ai që sugjeroi emrin “Righi”, duke përshtatur emrin e malit zviceran sipas drejtshkrimit italian dhe duke transferuar simbolikisht imazhet alpine në peizazhin urban Ligurian. Mali nuk është më vetëm një sfidë fizike apo një kufi natyror: ai bëhet një peizazh për t’u soditur, një përvojë e arritshme dhe një industri turistike. Transformimi nuk është vetëm teknik dhe ekonomik, por edhe kulturor. Ngjitja me tren në pothuajse 1 800 metra do të thotë demokratizim i lartësisë, thekson gazetarja. Aty ku dikur arrinin vetëm disa alpinistë ose barinj, tani vizitorët, familjet dhe udhëtarët ngjiten.
Ideja dhe realizimi i hekurudhës së parë malore kërkonte shumë frymëzim dhe guxim. Niklaus Riggenbach (Niklaus Rigenbah) u frymëzua nga hekurudha e parë malore në botë, The Mount Washington Cog Railway, Hekurudha Malore e Malit Uashington, në New Hampshire (Nju Hempshajër) të Shteteve të Bashkuara. Kjo është hekurudha e dytë për nga pjerrësia e terrenit, pas hekurudhës së Pilatus në Zvicër, me një mesatare pjerrësia nga 25 për qind deri në 37 për qind. Hekurudha, sipas zërit përkatës enciklopedik, është afërsisht 5 km e gjatë dhe ngjitet në shpatin perëndimor të malit Uashington, duke filluar në një lartësi prej afërsisht 820 m mbi nivelin e detit dhe duke përfunduar pak para majës së malit prej 1917 m. Treni ngjitet në mal me 4.5 km/orë dhe zbret me 7.4 km/orë. Lokomotivat me avull ngjiten përafërsisht në 65 minuta dhe zbresin për 40 minuta, ndërsa motorët me biodizel mund të ngjiten në vetëm 36 minuta.
Panorama, dikur një privilegj i të paktëve, bëhet një përvojë e përbashkët. 155 vjet më vonë, Rigi Bahn vazhdon të funksionojë, duke vepruar së bashku me trenat modernë. Ekzistenca e saj është një kujtesë se çdo infrastrukturë është gjithashtu historia e një epoke që zgjodhi të përballej me kufizimet dhe t’i transformonte ato në mundësi. Ajo linjë hekurudhore solli një mënyrë të re për të përjetuar malet. Dhe ndoshta kjo është trashëgimia e vërtetë e hekurudhës me ingranazhe Rigi: duke demonstruar se edhe shpati më i vështirë mund të shndërrohet në një udhëtim.
Dhe ne na kujton vargun e famshëm të Naim Frashërit, në këtë vit jubilar të 180 vjetorit të lindjes së tij: “Dua të dal majë malit të shoh gjithë Arbërinë”. Sa bukur iu ka paraprirë ëndrrave tona poeti ynë kombëtar.




















Nje shkrim model.
Flm familja e shquar BUCPAPAJ.
Falenderimet dhe nderimet tona Lexues i respektuar i voal.ch.
Nje pershkrim i kjartè e tan zhdèrvjellsi me shum te dhana per historine e vjetèr e te sotmen e ktij vendi tè vogèl (Lihtenshtejn) por tè mrekullueshem, ku kam patun rastin fatmire ta vizitoj, ku andrrat e mia duke soditun natyrèn e miresin e njerzve,andrrat e mija perftyronin
Shqipnin e dashtun..Ju uroj pèrzemersisht miq Skènder e Elida BUÇPAPA, per kthjellsine e reportazhit, shnet e mbarsi te ardhmenise jetsore e krijuese !
Po dukej sikur ishte nje cope Shqipni sikur e do zemra jone i nderumi Z.Bardhi Mirditas. Respekte
Falemnderit per informacionin shume interesant .Ndjek shkrimet tuaja me kureshtje e kenaqesi .