Nga Anila Dedaj
Mexosopranoja rrëfen suksesin në Itali, bashkëpunimin me Andrea Bocellin dhe si ia doli të përzgjidhej në Teatrin Historik të Romës mes 900 vetash. Një histori e bukur dashurie për Shqipërinë, si dhe një mesazh për të pasionuarit ndaj muzikës lirike
Të kënduarit i dhuronte shumë kënaqësi, edhe atëherë kur nuk ishte e vetëdijshme për talentin që zotëronte. Zëri i saj, një xhevahir i shtuar muzikës lirike, nuk kaloi pa u vënë re nga mësuesja e muzikës. Nxënësja solare e shkollës “Emin Duraku”, Irida Dragoti, as që e ëndërronte asokohe, se një ditë do të performonte me divat e muzikës klasike shqiptare, sigurisht që s’kishte si ta dinte se e ardhmja do t’i rezervonte surprizën për të ndarë skenën me Andrea Bocellin në Koloseun e Romës.
Natyrisht, që në jetë asgjë nuk të dhurohet, por mexosopranoja shqiptare me pasion dhe besim i është përkushtuar rrugës së artit. Nuk ka qenë e lehtë, veçanërisht në vend të huaj, por për faktin që ia doli mbanë ajo i është mirënjohëse edhe shkollës shqiptare si dhe pedagoges së saj të parë Nina Mulës.
Ka mundur të interpretojë me emra të njohur të skenës italiane, dhe falë impenjimit maksimal sot këndon si soliste në Teatrin Historik të Romës. Ka qenë një sfidë më vete përzgjedhja mes 900 konkurrentësh, por ajo ia doli mbanë, edhe falë mbështetjes së familjes dhe bashkëshortit të saj. Ai është i huaj, mirëpo ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë dhe kjo Iridës ia bën edhe më të bukur kthimin e herëpashershëm për të përfituar energjitë pozitive, që siç tregon, veç mëmëdheu mund t’ia dhurojë…
Si i kujtoni fillimet tuaja në muzikën lirike. Ishte kjo ëndrra juaj e fëmijërisë?
Më ka pëlqyer gjithmonë të këndoja, por nuk e dija se kisha një zë lirik. Ishte mësuesja ime e muzikës, Fatbardha Kokona, në shkollën 8 vjeçare “Emin Duraku”, që më dëgjoi teksa po këndoja dhe i sugjeroi nënës sime se unë duhej të studioja patjetër muzikën lirike, pasi, sipas saj, kisha mjaft talent. Nëna ime e mori mjaft seriozisht këtë sugjerim dhe më dërgoi të studioja me profesoreshën e njohur Nina Mula.
E mbani mend debutimin tuaj të parë?
Sigurisht, ishte pikërisht Nina Mula që më ftoi të bëja një duet me vajzën e saj Invën, sopranon me famë ndërkombëtare. Debutova në Butrint, në një koncert të organizuar po prej saj. Isha mjaft e emocionuar dhe e lumtur. Sapo kisha mbushur 18 vjeç dhe si tani më kujtohen ato sensacione të mrekullueshme që provova në Amfiteatrin e Butrintit. Kënduam së bashku “La Barcarolle” dhe patëm mjaft sukses. E ruaj akoma si një kujtim të rrallë, DVD-në e atij eventi.
Në moshën 18 vjeçare vazhdoni studimet në Itali. Si ka qenë për ju përballja me një tjetër realitet?
Italia është mëmëdheu i lirikës. Të këndosh në Itali sigurisht që është mjaft e vështirë. Duhet të arrish një teknikë të përsosur, e për rrjedhojë duhet mjaft studim dhe eksperiencë. Fillimisht e pata mjaft të vështirë, por më tej me kalimin e kohës arrita të kuptoj dhe të asimiloj mentalitetin italian (im atë e kishte nënën italiane), si dhe arrita të diplomohem në Itali me rezultate maksimale.
Sa e vështirë ka qenë t’ia dilni mbanë, për më tepër të arrini rezultate të larta dhe kush ju ka përkrahur?
Ka qenë mjaft e vështirë. Në Itali universitetet paraqesin një kompleksitet e rigorozitet mjaft të lartë dhe, sigurisht që nuk është e thjeshtë të përballosh e të përfundosh studimet universitare. Duhet mjaft punë dhe durim. Përkrahje të vazhdueshme kam pasur nga im shoq Andreasi, që në çastet e vështira më ka dhënë zemër, në mënyrë që unë të arrija t’i përfundoja me sukses studimet. Mbështetje kam pasur edhe nga familja ime që gjithmonë ka pasur besim tek unë dhe tek talenti im.
Në aspektin profesional shkolla shqiptare sa ju ka vlejtur?
Shkolla shqiptare ka qenë mjaft e rëndësishme për mua, pasi aty janë formuar e konsoliduar bazat për vazhdimin e mëtejshëm të studimeve në Itali. Mësuesit e mi në Shqipëri kanë qenë mjaft kompetentë e profesionalë. I kujtoj me mjaft nderim, mirënjohje e dashuri. Rolin më të rëndësishëm sigurisht e ka pasur pedagogia ime, Nina.
Në Itali keni pasur mundësi të punoni edhe me emra të rëndësishëm si Andrea Bocelli, Riccardo Cocciante, Ennio Morricon etj. Ç’mund të na thoni rreth këtyre eksperiencave?
Kam takuar dhe bashkëpunuar me mjaft personazhe me emër. Jam munduar gjithmonë të kuptoj sekretet e suksesit të tyre muzikor. Ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe me përfitim të shihje profesionalizmin dhe modestinë e tyre në përgatitjen dhe ekzekutimin e koncerteve të rëndësishëm. Kujtoj me mjaft dashuri një koncert me Andrea Bocellin në Koloseun e Romës. Atmosfera ishte magjike. Andrea Bocelli ka një muzikalitet dhe spiritualitet të rrallë.
Jeni edhe nënë e dy fëmijëve, sa e vështirë është për ju të gjeni kohën e mjaftueshme për familjen?
Është mjaft e vështirë të koordinosh jetën familjare me atë profesionale. Megjithatë mendoj se është e vështirë edhe për ata që bëjnë profesione të tjera, apo që i dedikohen karrierës në sektorë të ndryshëm profesionalë. Sekreti qëndron në impenjimin maksimal si në familje ashtu edhe në punë. E ndjej veten një njeri praktik dhe mjaft të vërtetë. Jap gjithmonë maksimumin tim. Kur nuk punoj, i dedikohem tërësisht familjes time. Fëmijët perceptojnë gjithmonë dashurinë, dhe përkushtimin e nënës ndaj tyre.
Bashkëshorti juaj është i huaj, por jeni shprehur se ai është “i dashuruar” pas Shqipërisë. Mund të na tregosh diçka më tepër rreth kësaj?
Im shoq ka lindur dhe është rritur në Gjermani, por prindërit e tij janë italianë. Që në fillimet e njohjes im shoq u “dashurua” edhe me vendin e prejardhjen time. Andreasi (kështu quhet im shoq) e ka dashur gjithmonë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ka vlerësuar dashurinë dhe respektin që ata kanë reflektuar ndaj tij, dhe sigurisht që ua ka kthyer me mirënjohje e dashuri. Njëkohësisht, si gazetar, ka dashur të thellohet në historinë intriguese të Shqipërisë, në kulturën unike dhe në gjuhën e saj kaq të veçantë. Gjithmonë ka dashur të kuptojë shpirtin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dhe, kur futesh në shpirtin e një vendi, mëson edhe ta duash atë.
Jeni përherë e angazhuar në aktivitetet që mbahen për Shqipërinë. Cila është lidhja juaj me vendlindjen?
Jam thellësisht e lidhur me vendlindjen time. Është një lidhje e fuqishme dhe e pazgjidhshme. Mezi pres të kthehem herë pas here në vendin tim dhe të përftoj energjitë e veçanta pozitive të mëmëdheut. Ndjek aktivitetet kulturore dhe artistike të Shqipërisë nëpërmjet medieve dhe gazetave. Jam gjithmonë e axhornuar mbi eventet në vendin tim. Prej Shqipërisë më mungon mjaft gëzimi i jetës, dinamika, kreativiteti dhe shpejtësia me të cilën zhvillohen dhe realizohen projektet dhe idetë. Më mungojnë mjaft miqtë dhe të afërmit. Kur jam në Shqipëri ndihem sikur çdo gjë shkon mirë. Energjia qe ka Shqipëria është e pashpjegueshme. Këto lloj emocionesh me mungojnë shumë.
Po fëmijët tuaj, a e njohin Shqipërinë?
Christine, vajza jone e parë, tashmë 8 vjeçare, ka ardhur në Shqipëri shumë herë gjatë një periudhe, ka jetuar bashkë me ne në Tiranë për më shumë se një vit. Një pjesë e karakterit të saj është mjaft shqiptar. Është një vajzë e fortë dhe krenare. Alexander, që tashmë është dy vjeç, e ka vizituar dy herë Shqipërinë. Unë mundohen t’u transmetoj fëmijëve si gjuhën ashtu edhe kulturën shqiptare.
“Si u përzgjodha mes 900 këngëtarëve në Teatrin Historik të Romës”
Në një prej operave shqiptare (“Skëndërbeu”), është bërë pjesë si figurant edhe bashkëshorti juaj. Si ndodhi kjo?
Im shoq mësoi të dashurohet me ambientin tim (teatrin) që në fillimet e njohjes tonë. Ka frekuentuar mjaft shfaqje të mia, më ka shoqëruar ne teatro dhe ka studiuar me mua shumë pjesë operistike. Andreasi ka punuar edhe në të shkuarën si figurant në televizionet italiane. Një ditë, një regjisor italian, Carlo Saletti, që po përgatiste skenën për operën “Skënderbeu” të Prenk Jakovës, kishte nevojë për një figurant me një paraqitje të veçantë skenike, por nuk po mundej ta gjente. Im shoq po asistonte në provat e skenike, kur regjisori e vuri re. Menjëherë u përfshi në prova dhe kështu, Andreasi recitoi me mua në operën e sipërpërmendur. Në vazhdim, duke qenë i apasionuar mbas botës së teatrit, Andreasi ka recituar si figurant në disa opera edhe ne teatrot italiane. Ka qenë një emocion i madh qe kemi ndarë te njëjtën skenë disa herë.
Aktualisht jeni pjesë e Teatrit Historik të Operas së Romës me“ Fabbrica Young Artist Program”. Një nga 8 këngëtaret lirike të përzgjedhura mes 900 vetash. Sa e e vështirë ka qenë t’ia dilni mbanë mes një konkurrence të fortë?
Në Itali, në botën e teatrit, gjithçka është mjaft e vështirë dhe konkurrenca është mjaft ekstreme. Për mua ka qenë një impenjim mjaft i madh të merrja pjesë në seleksionimet e “Fabbrica Young Artist Program”. Dhashë maksimumin. Dhashë gjithçka brenda meje dhe bëra ç’është e mundur t’i transmetoja jurisë eksperiencën time, kompetencën, talentin dhe pasionin për kanton lirike. Ishte një gëzim i papërshkrueshëm kur mësova se isha përzgjedhur. Është me të vërtetë një nder për mua të këndoj si soliste për Teatrin Historik të Romës. Projekti në një kohë të shkurtër po arrin rezultate të mëdha. Falë tij, shumë këngëtarë po arrijnë sukseset e tyre në teatrot më të njohur të operave.
Cilat role ende ëndërroni t’i realizoni si mexosoprano dhe, a keni figura të muzikës lirike që ju inspirojnë?
Ka mjaft role e figura lirike që më inspirojnë. Nuk ka një në veçanti. Më inspirojnë personazhet, apo rolet, përgjithësisht, me mjaft karakter. Zëri im është një zë përgjithësisht Verdian, ose Wagnerian dhe gjendem mirë me role të këtyre kompozitorëve. Sigurisht edhe me autorët e Belcantos Italiane dhe veprat e Mozart, për të mbajtur në ekuilibër teknikën vokale. Një nga rolet që do më pëlqente të këndoja është roli i Amneris në opera “Aida” të kompozitorit Giuseppe Verdi.
Keni një mesazh për të rinjtë që janë të apasionuar pas muzikës lirike?
Në dritën e përvojës sime u rekomandoj gjithë të rinjve që duan të nisin karrierën lirike të kenë shumë pasion, këmbëngulje dhe durim. Si edhe në sektorë të tjerë profesionalë, edhe në lirikë nuk mund të arrihet suksesi rastësisht, apo me fat. Është një disiplinë mjaft komplekse dhe e vështirë. Nuk mund të ecet përpara pa kurajë, vazhdueshmëri dhe modesti. Vetëm talenti nuk është i mjaftueshëm.
Duhet durim, për të përballuar sfidat dhe humbjet. Duhet durim për të mos u demoralizuar nga portat që do të përplasen në fytyrë. Mua më ka ndihmuar edhe besimi, suksesin në profesion dhe familjen qe kam krijuar e konsideroj edhe një bekim nga ana e Zotit. Mendoj se artistët kanë nevojë të kenë edhe një jetë shpirtërore, mua më ka dhënë shtysë të madhe.
Komentet