I mbyllur, në vijim të ngjarjeve të përgjakëshme të marsit, Parlamenti shqiptar u hap të shtunën e shkuar. Çështjet që ai duhet të diskutojë janë të shumta, të rënda e të ndërlikuara.
Politika e brëndëshme dhe e jashtëme e qeverisë, gjëndja financiare dhe ekonomike, ngritja e mundëshme e një Banke të Shtetit, studimi i masave të vlefshme për të lehtësuar dhe siguruar hyrjen e kapitalit të huaj në Vend, konçesionet, komunikacionet e brëndëshme, nevoja e fillimit të ndërtimevet të punëve botore më të ngutëshme, për të lehtësuar kushtet e jetës dhe për të ndaluar mërgimin e fuqisë puntore, dënimet me vdekje të shqiptuara nga Gjykata Ushtarake, përzënia me forcë e qytetarëvet, dënimi me vdekje në mungesë i tre deputetëve dhe amnistia e mundëshme e të dënuarvet politikë, liria e shtypit etj. janë çështje dhe probleme që presin të diskutohen dhe të zgjidhen nga Parlamenti shqiptar.
Për të shpjeguar gjëndjen e tanishme politike të Shqipërisë, është e nevojshme të kthehemi tek ngjarjet e 1914-ës, të cilat qenë fillimi i një periudhe të turbullt, të pasur me bëma tragjike dhe përmbysje të brëndëshme. Është e njohur se largimi nga Shqipëria i Princ Wied-it, i zgjedhur dhe i dërguar nga Evropa, qe për atë Vend fillimi i një sëre ngjarjesh të dhimbëshme. Krahinat jugore të mësyeme nga trupat greke, pjesa tjetër e Shqipërisë, prè e dhunës së popullsive të rebeluara të krahinave të qendrës, përpëlitej në anarkinë më të frikëshme. Qeveria absolute e Esad pashës, fuqia e pakët e së cilës kufizohej vetëm në krahinën e Shqipërisë së Mesme, u shfuqizua si pasojë e përparimit të trupave austro – hungareze. Durrësi u pushtua dhe Esati, i shtrënguar të ikte me pak pasues, u shpërngul në Selanik, ku vendosi selinë e Qeverisë së tij imagjinare, duke u vënë në dispozicion të Komandës së Armatës së Lindjes. Shqipëria, e pushtuar e gjitha nga ushtritë ndërluftuese, mbeti pa një qeveri të sajën kombëtare.
Mbas shëmbjes së mbretërisë së dyfishtë, trupat austro – hungareze të pushtimit, të ndjekura nga trupat italiane, në fundin e vjeshtës 1918, u larguan krejtësisht nga Shqipëria. Popullsitë e krahinave të ndryshme që, për vetë faktin e pushtimit nga fuqi ushtarake kundërshtare, kishin mbetur të ndara e pa asnjë kontakt për rreth tre vjet, mundën së fundi të rivendosnin lidhjet, të rifillonin marrëdhëniet e ndërprera për një kohë të gjatë e të përsiasnin gjithashtu mbi nevojën e ngutëshme për t’i dhënë jetë një organizmi kombëtar përgjegjës i cili, me autoritetin e duhur, duhej të merrte përsipër mbrojtjen e interesave t’Atdheut.
Më 25 dhjetor 1918, rreth 60 përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë u mblodhën në Durrës. U zhvillua kështu n’atë qytet, me miratimin dhe mbështetjen e autoriteteve italiane, një mbledhje e rëndësishme që u shpall Asamblè Kombëtare në përfaqësimin e popullit shqiptar, duke zgjedhur një qeveri të përkohëshme, për t’i dhënë asaj detyrën e saktë të përfaqësonte Shqipërinë nëpërmjet një Dërgate të posaçme në Konferencën e Paqes në Paris.
Gjëndja ndërkombëtare e Shqipërisë dukej tepër e rëndë. Konferenca nuk mbante parasysh të drejtat e shqiptarëve. Ajo e quante tokën e tyre si një mall pa zot, të gatëshme për të qënë prè e gjithfarë traktativash, për të kënaqur mëtimet e tepërta greke e jugosllave. Qëndrimi i Konferencës së Parisit nuk mund të mos kishte rrjedhoja të thella n’atë Vend. Një lëvizje proteste shpërtheu në gjithë Shqipërinë. Gjëndja e Qeverisë së përkohëshme të Durrësit, e paditur jo vetëm për dobësi të tepërt por edhe për atdhetarizëm të pamjaftueshëm, u bë e papërballueshme. Ajo u përmbys nga Asambleja Kombëtare revolucionare e Lushnjes, e mbledhur nga fundi i janarit 1920. Në datën 30 janar 1920 Asambleja kombëtare e Lushnjes i dërgonte të nderuarit Nitti, Kryeministër, protestën e mëposhtëme :
“Asambleja kombëtare shqiptare, e mbledhur sot në Lushnje, ka vendosur njëzëri të protestojë kundër vendimit të marrë nga Anglia, Franca dhe Italia, për të copëtuar Shqipërinë ndërmjet Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, duke zbatuar kështu marrëveshjen e Londrës. E njëjta Asamblè ko votuar sot këtë urdhër dite :
- Protestë kundër vendimit që dënon një Shtet neutral e të njohur, një nga kombet më të lashtë të Evropës, me të vetmin qëllim për të kënaqur synimet imperialiste të qeverive fqinje : kërkon një Shqipëri krejtësisht të pavarur, brënda kufijve të saj etnikë e natyrorë, në mënyrë që të ndreqen padrejtësitë e kryera nga Kongresi i Berlinit dhe nga Konferenca e ambasadorëvet e vitit 1913.
- Vendos të mos pranojë asnjë lloj mandati a protektorati.
- Shqipëria nuk dëshiron tjetër veçse të zerë vëndin e saj në gadishullin ballkanik, t’i japë fund mjerimit të saj e të vendosë marrëdhënie paqeje dhe harmonie me Shtetet fqinj. Shqiptarët janë të vendosur të përballojnë të gjitha sakrificat dhe të kundërshtojnë, deri në pikën e fundit të gjakut, çdo lloj vendimi që mund të rrezikojë tërësinë e tyre tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë.”
Një protestë e njëjtë i u dërgua Kryesive të Dhomës së deputetëve e të Senatit italian. Në to thuhej, ndërmjet të tjerash, se shqiptarët, të tmerruar thellësisht përballë fakteve rrënqethëse që fatalisht po piqeshin, presin me armë në dorë që të tingëllojë ora e fundit e jetës së tyre kombëtare, për t’i treguar botës se popujt dijnë të vdesin para se të kalojnë dorë më dorë si bagëtitë, për t’u bërë prè e drejtuesve të sotëm të diplomacisë evropiane. Protesta përfundonte me një thirrje të gjallë Parlamentit italian, për të mos miratuar politikën rrënuese të qeverisë e që të respektohej, në drejtim të Shqipërisë, traktati i Londrës i 1913-ës, për të mos i lënë një njollë të pashlyeshme në histori Atdheut të madh të Garibaldit.
Asambleja Kombëtare e Lushnjes miratoi një statut të përkohshëm që, megjithë mangësitë që në të janë të qortueshme, përbën hapin e parë serioz drejt një sistemimi politik përfundimtar të Vendit. Në sajë të atij statuti u krijua në Shqipëri Këshilli i Lartë i Regjencës, Dhoma e deputetëve dhe Qeveria, një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e vetë asaj Dhome. Në këtë mënyrë qeveriset aktualisht Shqipëria.
Kohët e fundit po rrënjoset në popull bindja mbi nevojën e thirrjes së Asamblesë Kushtetuese për :
- Të vendosur përfundimisht mbi formën e Qeverisë.
- Të shfuqizuar ligjet turke, ende të pranishme në administratë.
- Të sistemuar çështjen e pronës private, me qëllim lehtësimin dhe sigurimin e hyrjes së kapialeve të huaja në Shqipëri.
Në këtë vështrim gazeta zyrtare ka botuar, disa muaj më parë , një deklaratë të Kryeministrit të Vendit. Mbasi zbulonte mangësitë e statutit të miratuar nga asambleja e Lushnjes e janarit 1920, kryetari i qeverisë shqiptare njihte nevojën e thirrjes së Asamblesë kushtetuese “me qëllim për të sistemuar dhe stabilizuar përfundimisht të drejtat politike të popullsive dhe formën e qeverisë, ashtu si edhe organizimin kompleks të Shtetit”. E ndërgjegjëshme për këtë nevojë të dukëshme qeveria e tanishme, pohonte ai, është e përqëndruar në punët pregatitore për lehtësimin e thirrjes së Asamblesë Kushtetuese. Por qeveria ka bindjen se Asambleja Kushtetuese nuk mund të mblidhet para se veprimet ushtarake në vazhdim, çarmatosja e popullsisë, regjistrimi i popullsisë e përcaktimi përfundimtar i kufinjve të jenë kryer. A jemi, ndoshta, pranë ngjarjesh politike të rëndësishme në Shqipëri, ngjarje që mund të kenë një karakter përcaktues mbi t’ardhmen e Shtetit të ri ballkanik ?
Në vënd të parashikimeve të papeshuara është më e matur pritja e ngjarjevet:aq më shumë se zhvillimi i mëtejshëm i gjërave në Shqipëri është i varur nga çështjet e ministrave. Për të qenë më të saktë, është për t’u përjashtuar a priori që një këshill i ri ministror (qoftë edhe i përqëndruar), ku do të hynin elementë të së djathtës, do të ngulmonte në politikën e ndërmarrë nga qeveria e tanishme e Xhaferr Ypit dhe do t’i qëndronte zbatimit të programit të konceptuar prej saj.
SOTIR GJIKA
Corriere delle Puglie, 9 – 9 – 1922 Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet