PAMJE NGA UNIVERSI
-Çdo gjë vërente hyu i kësaj toke-
(Kështu nis “Epi i Gilgameshit”)
Në një glob të vetëm,
Në një vend të vetëm,
Një njeri i vetëm,
Nxjerr në fund paketën,
Në një pip të vetëm,
Ndez e shuan jetën.
NËSE
Nëse njerëzit do të ishin drurë,
Toka s’do të rriste pyje kurrë
Nëse bota do të ishte përrallë,
Krejt fosilet do t’i kishim gjallë.
Nëse qielli do të ishte det,
Te çdo peshk do shfaqej një kometë.
Nëse deti do të ishte qiell,
Te ti dallgët do ta kishin sjellë.
Nëse unë do të ishe ti,
Dashuria do të quhej Dashuri!
SHPJEGIM I LASHTË PËR BOTËN.
Mbi harkun e hapur të krahut,
Koka jote si preja pas gjahut.
Një flok lëviz te bulëza e veshit.
… Tërmeti thërret kiametin!
Puthja qetëson planetin…
HI&HESHTJE
Hiri, – heshtja e Atit e të Birit.
Heshtja, – hiri i flakës së qiririt.
JETË NË EPRUVETË
Githnjë e më shumë pleq të urritur për seks,
Gjithnjë e më pak lehona, ninulla, e spermë!
Gjithnjë e më e rrallë jeta në planet!
Verbërisht Fillesa sheh fundin e Vet.
MË MORI NJË MJEGULL
-Ika zemëruar-ë
Me cigare shuar-ë-
(Folklor)
Bëra të të ik për tutje,
Barabar me barin, ulëtaz mbi ujëra.
Ti gjithkund më prisje në fund të çdo udhe,
Në breg të çdo ujëdhese, ku më nxirrte lundra.
Bëra të të ik për lart,
Zgjata një hap pa shkelur në gur,
Kaptova një lumë në vaun pa urë,
Kërceva një gardh, një kufi, një pirg…
Përplasesha, gjakosesha, bija në kurriz,
Gjysmëfluturoja në ëndërr e dritë.
Zemra më thoshte: Prit, Prit! Prit!
Zemrimi më shtynte: Ik! Ik! Ik!!
Një bletëz më ngjiti një mal lartësi.
Një mjegull më mori, më hodhi mbi re.
Një shkabë balade më çoi atje…
Më çoi atje…
Pra më solli këtu,
Ku as nuk bie dot mbi Hënë, as Toka nuk më njeh,
Ku ti as prani, as mungesë s’je.
Siç ndodh, kur kujtohesh se veten s’e ke…
PËR NE
Toka gati po ndërron orbitë,
Vjen përqark vetëvetes si ti nëpër qelqe,
Rend më shpejt rreth diellit,
Si unë rreth teje,
Bota më e bukur bëhet:
Shton zogj e yj në qiej,
Shtron udhë e shpresë më tej,
Shkund shira në erë,
Harkon lart ylberë,
Çel ditë si vjollca më shpesh,
Ngrys net për ëndrra mes nesh.
Toka po ndryshon orbitë
(Net e ditë vijnë sa çel e mbyll ti sytë).
Bota po i shton stolitë,
Për ta parë e pasur
Të dy në një shpirt.
SHI
Bie shi
Dhe s’ka rëndësi se zbret nga retë,
Se është ujë i shenjtë, s’ka rëndësi.
Se mumjet kthen në jetë,
Se vallëzon në degë,
Se bën muzikë nën strehë,
Se i çmend lumenjtë,
Se gjëmon në det,
As dua ta di.
Bie shi…
Nga të gjitha pikat,
Shoh si më sheh ti.
AR-MIK
- Në avull,
Përballur…
- Në shpatull,
Ndjej akull!
MARS
Majë e lartë ngrin në borë.
Këtu poshtë mbijnë bimë.
Përtej malesh dimërorë,
Ti po çel në marsin tim.
GUASKAT
Guaska! Guaska! Guaska!
Askush s’i përmend molusqet e squllët…
Fshehur gjalluan e heshtur u zhdukën.
Guaska, kafka, maska!
Të sotme, të djeshme, të lashta,
Flasin për jetët e flashkëta!
SANATADITA
Borë e ftohtë…
Mot i ngrohtë…
Ti ke frikë nga lumi poshtë.
Me këmishën gjer në kofshë,
Nxiton zbathur nëpër moshë.
ERRËT&EGËR
Reptilët shkelin gjurmët e njerëzve,
Avionët ndalin trafikun e shpezëve.
Ujku i urtë me çip nën lëkurë,
Vesh zhgunin e fundit të territ në guvë,
Për t’i humbur ndjekjes së deles rudë.
Njeriu me gëzof ariu të murrmë,
Kafsh-on kofshë struci në furrë.
Tigrit të festës i bien bateritë,
Xhigolos në mesnatë i shterin fuqitë.
TË KAM
Të dua e s’di ç’të të dua më fort:
Zërin që shemb,syrin që tremb a buzën që dhemb.
Të puth e s’di ku të të puth më parë:
Aty ku më urren, këtu ku të pëlqen a kudo ku më ndjen.
Të flas e s’di ç’të të them më shumë:
Për ditët nën dhunë, për fatin e lumë,
Kur s’ishe ende tek unë
Dhe fshehtas të bija në gjunjë.
Të kam e s’di se ç’të kam:
Në plagë e lëngatë, balsam,
A shpirtit të ngulur si kamë.
NOKTURN
(Në 3 pamje)
A.
Larg e larg me vite e vise,
Iknin bashkë asaj rrugice,
Mes dritareve dhe syve,
Që shenjonin kryet e tyre.
- Odë e vogël, hojëzmjaltë,
Mbylli qelqe e kanatë.
Bota jashtë, ata në shtrat,
Pa tishërt e këmishënatë,
- Vagabondë të pazakontë
Dolën prapë qytetit, vonë.
Tishërt muzgun e najlontë,
Vishte trupi i saj i njomë.
GURORE
- Zemra i gurit, shpuar vrimë,
Ngjeshet fort me dinamit.
Ikni! Mbathjani të gjithë,
Para se ky mort t’ju thithë!
Ora kthehet mbrapsht me frikë…
- Qelqi i qetësisë u kris,
Mali, pluhur vis më vis.
- …Ora mbarë akrepat nis.
Numërohemi me gisht…
Të gjithë jemi!
Mal më s’kish…
NATA E “T’RRËFYMIT”.
Fjalët, farëza fluturake binin e mbinin matanë kuptimeve…
Flisnim me sy, në flakë të vështrimeve…
Sytë erreshin prej buzëve… Heshtja ulërinte!
Zhvisheshim e flisnim me pushin e lëkurës,
Me të fshehat e turpshme, qershiglat e gjinjve.
E prapë s’i gjendej fundi partiturës!
Atëherë vërshoi palca, gjëmoi gjaku për finale.
Dhe…
Fjalën e mori sërish fjala si fillim në çdo ringjallje.
PAS MEJE…
Zemër, ndal një grimë,
Frymë, bëj pak pushim,
Qëndro një çast, mendim,
Ta di se cili jam,
Kur shpirtin nuk e kam.
LIRI
Liria e lakuriqit, verbëria,
Liria e perlave, thellësia,
Liria e vjollcës, erëmimi,
Liria e pyllit gjelbërimi,
Liria e zinxhirit, hallkat,
Liria e kufirit, prangat.
Liria ime, çarku yt i fshehur,
Liria jote, harku im i ngrehur.
TË PASHË PËR PASHKË
Qyteti i Lashtë,
Lagja e Thatë,
Rruga e Gjatë,
Pallati i Bardhë,
Shkalla e Shtatë,
Kati i Gjashtë,
Hyrja e Parë…
Çelësi në bravë,
Portën e hap…
Hyjmë pa fjalë.
(Çelësi, jashtë)…
Brenda, bashkë
Me Botën e Mbrapshtë,
Dhe verën për Pashkë.
Çelësi në çast,
Kyç derën nga pas
Dhe ngjitet ngadalë
Në qiellin erashkë.
Hap portën e Artë,
Të shkojmë në Parajsë…
BUKURSHKRIM
Fletorja me vija e klasës së parë.
A, B, ….S,…Y, dhe Z… Shkronjat në radhë,
Që ende s’dinin të bëheshin fjalë.
Më vonë, përkufizimet, të vërtetat absolute,
Hekurudha, tym avionësh si shtiza për tutje.
Kufij, vektorë, rrathë, kënde, kulme.
Dhe A, dhe B,… dhe Z, në fraza, libra, lutje.
Dhe ura që flijoheshin për të ngritur mure.
Këtej e jona, matanë e huaja,
Kjo na takon neve, kjo është e juaja…
Dhe unë, në një vizë pingul drite ngrihesha e bija,
Mbi shkronjat e mia netëve e gdhija,
Një letër shkrim-e-fjalëbukur priste dashuria.
FARI
- Mezi e priti natën fari,
Ta gjente bregun lundërtari.
- Mezi e priti ditën fari,
Ta shihte detin udhëtari.
- Shuhet e ndizet si malli,
Ndizet e shuhet së gjalli.
SARHOSH
(Këngë e përhershme mejhanesh)
– Gastarja bosh,
Kuleta bosh,
Klepsidra bosh…
Ç’të josh të rrosh,
Në këtë moshë,
Për lëmoshë,
Atje, përposh?!
– Dy sy në qosh,
Më marrin osh!
KTHIMI
Gjysmën e jetës fluturimin e mësove prej shpezësh,
Gjysmën tjetër, gaforret të mësuan të ecësh.
Mbërrite në nisje,
Pa e ditur ku ishe.
HESHTJA
Flaka një gur,
Mbeti në flur.
Kur do të përgjigjesh? Kur?
HAMLET I HARRUAR
I sigurt për zgjimin, përhumbet në gjumë,
Zgjohet me frikën, se s’do flerë më kurrë.
JE
Ti je fusha tej, në male,
Çeltinë je, midis korijes,
Je mëngjesi thellë mesnate,
Fundi je, këtej fillimesh.
Heshtje hesht në fund të fjalës,
Dritë ndrit ti, lot për lot.
Etja je, përposh ujëvarës,
Bota, kur s’do ketë botë.
Më je udha për gjithkund,
Unë, përtej meje je.
Je liria që më mund,
Je gjithçka që jam atje!
Je e nuk e di se ç’je!
ZHGËNJIMI
Fshehur vetes vetëm hesht,
Mister brenda në mister,
As vjet atij, as këtë vjeshtë,
S’i dhe një shpresë, një shenjë s’i merr.
Zhgënjyer keq ai nga ti,
Pasqyrat sheh me neveri,
Si qiell i kthjellët, i pafund,
Kur veten gjen përmbys në llum.
SYRI I NJERIUT
Nën sytë e njeriut, lakuriq kjo botë,
Nga Poli i Veriut, deri në Bangok.
Që nga elefanti, te bacili kok,
T’i fshihen atij, mundohen më kot.
Qeniesh, vendesh, sendesh, honeve të zinj,
Xhunglave, nëndetesh, tutje në asgjë,
Si pishtar zjarrvënës sulet syri i tij,
Zhvirgjëron enigma gjer në ADN.
Pas kobesh kozmike, tërmet e taifun,
Që botën nuk mundën ta venë përfund,
Është syri i njeriut që sulet gjithkund,
Ta ktheje planetin në hi e në shkrumb!
DORËSHKRIM
Si të ta nis në dorëshkrim këtë vjershëz,
Me bojën e freskët pikuar prej penës
Dhe shkronjat radhitur me urdhër të zemrës
Si kardiogramin e fundit mbi letër,
Si të ta nis?
Shkenca ende këtu s’ka mbërritur,
Fatkeqësisht!
GRUAJA E SKLLAVIT
Bie si borë nga qielli-greminë,
Kur gjumi vetëm e zë…
AI s’e kujton më lirinë,
Por s’mund ta harrojë ATË!
NATË VIENEZE
Nata është për buzë,
Dita është për sy.
(Serenadë)
Një stuhi parfumesh,
Ia beh si ofshamë…
Tulipanët qajnë,
Diku në Holandë.
Si kratere, puthjet,
Mish e shpirt i çajnë.
Ndërsa buzët s’duken…
Buzët vallë ku janë.
Hija e Shubertit,
Pa violë e kitarë,
Bie bashkë me terrin,
Përmbi Serenadë.
Pak si pamje e gjallë,
Pakëz nëpër mall,
Ty të kam përballë.
Një gotë limonadë,
Të ndriçon si llampë…
Në Jugun e largët,
Ndizen portokajtë.
Mbrëmje vieneze,
Nxito, bëhu natë,
Sundo sa më gjatë!
S’DO MUNDJA TA DIJA
Si ndjehet qershia në fillimlulëzim?
Ç’ndjen një flutur që s’është më krimb?
Ç’ndjen pasqyra, kur sheh një thinjë?
Ç’ndjeje për mua, kur s’dije se isha?
Asgjë nga këto s’do mundja t’i njihja,
Po mos të m’i thoshte në shpirt dashuria!
PËRMBAJTJE E FORTË EROTIKE
Fëmijët lënë dërrasën e zezë,
Fshehin shkumësat e bardhë,
Nxjerrin thëngjijtë e zinj,
Vizatojnë në murin përballë,
Figura porno me “llafe turpe”.
Pas murit që vetiu bie,
Një pamje e nxehtë dashurie…
Skenën me seks,
Prindërit e fshehin me pullë të kuqe…
Komentet