Të papriturën e ndesha duke shfletuar një libër të vogël, të asokohe, “Feja opium për popullin”. Atë e shoqëroi buzëqeshja ime sarkastike, që shpejt u kthye në një ndjenjë habije, kur atje gjeta të fshehur bukurinë e një kartoline plot ngjyra , me urimin e krishtlindjeve të vitit 1966, (dy të kundërta në një alegori), që përfundonte me mbishkrimin Petro D. Emër që me ngacmimin emocional, më zbriti aq kujtime dhe që më lindi kristalizimin e narrativës të këtij tregimi…
Më tepër se shtatë dekada pas, ikona e tij mbetej e gjallë, dinamike dhe akoma më inspiron. Modest dhe mëndjendritur, fisnik e i pa përkulur, bamirës me imazhin e “Baron de Montesquieu”, që i kishte mbetur vetëm bosalina dhe bastuni nga vitet aristokratike, se pasuritë i ishin tjetërsuar. E njojta një ditë vjeshte, në moshën time afro gjashtë vjeçare, kur i çova në shtëpi një pjatancë me një gjellë të preferuar, që mamaja ja kishte gatuar. Atë veç lidhjeve miqësore me familjen tonë e bashkonte dhe një lidhje fisnore, pasi e shoqja Llamba Xhimitiku, ishte tezja e nënës time. Mezi e mbaja pjatancën e servicios, pasi njërën dorën ma kishin lidhur me fasho, për të mos ta përdorur. Ai më hapi derën dhe mbeti çuditur. Unë më çapkënllëkun tim, nuk e lashë të më pyeste. Jam mëngjarash dhe mamaja do të ma korrigjojë, por babi nuk është dakort.“Ah, ‘mancino’, tha xha Petri në aksantin italian. “Dhe unë
Kartolina e Krishtlindjes
kështu jam, gabim që mamaja insiston ta ndryshojë”. Pasi më përkëdheli, më mori për dore dhe më çoji në kopshtin e tij të pemëve. Aty ishte një kombinim ngjyrash prej lulesh e pemësh me fruta të freskëta, nën tingujtë e sinfonisë së zogjëve. “Merr çfare të duash. Ky është kopshti i Edenit dhe unë mbeta me pasionin e Minçurinit plak”, tha duke qeshur, por nuk përtoi të mi spjegonte ato. Mandej vazhdoi “ tashmë jetën time e kam ndarë midis këtij kopshti, leximit dhe ndihmesës time fetare”… Ishte kaq i dashur dhe miqësor, me një fytyrë të qeshur dhe mollëzat e kuqe, sa shpesh më ngjante me portretin e Santa Claus, në një version më elegant. Mbasi u futëm në shtëpi, ai mori një libër voluminoz nga ato, që mesa dukej lexonte shpesh dhe më tha: “Bëje mik dhe ai kur nuk do të tradhëtojë. Gjithçka një ditë humbet vetëm dija përjeton. Ky, këtu ka një veçanti, se është libri i Zotit, “Ungjilli”, të mëson e të drejton në mirësi dhe të pregatit për gjithë sfidat e jetës. Ai që quhet Zot është një madhështi, që ndahet brenda secilit prej nesh, fillimisht si ikonë, pasi përsosja spirituale fitohet gradualisht”. Unë e dëgjoja i përqëndruar duke admiruar vlerën e fjalëve të tij. Xha Petri hapi një kuti të vogël arturinash, nxorri prej saj një medaljon të vogël floriri me figurën e Shën Marisë, me zinxhir dhe ma vari në qafë. ”Paç shëndet dhe fat”, shqiptoi, duke më bërë kryqin. Me ndjenjën e befasisë dhe kënaqësisë u largova.
… Një të shtunë shkuam me maman në kishën e Shën Todrit për të asistuar në liturgjinë e mbrëmjes. Ambjenti mes ikonave dhe lutjeve me zë të ulët, të prehnin. Tek vendi pranë psaltit, Q. Bezhani, qëndronte i fiksuar xha Petri si epitrop, (emisar të dy familjeve fisnike), pranë tij ishte i shquari Dr.K.Kauri, i përkulur mbi dy duartë, më tej ishte Vasillaq infermieri dhe Nadiri kryeinfermier në spital ( të cilët i njihja nga përvoja shëndetësore). Mamaja i salutoi para se të zinim vend. Unë pas pak e pyeta maman me zë të ulët, se kurioziteti nuk më linte,“Ti me ke thënë se Nadiri është myslyman, pse vjen në kishë”?. Mamaja më përkëdheli në kokë duke më pëshpëritur, se më vonë do të ma spjegonte. Me kalimin e kohës kuptova se kjo ishte shprehje e respektit dhe tolerancës fetare…Në përfundim të shërbesës hyn me zhurmë një grup njerëzish mesa duket në nevojë, që kërkonin ndihmë për të jetuar. Xha Petri u ngrit shpejt i vendosi në rrjesht me qetësi, duke i ndarë secilit naforë, meshë dhe nga një shishe të vogël me vaj ulliri, gjithashtu të miturve u mbushi dorën me të holla dhe nga një trastë me rroba. Një vogëlush topolak, i mbetur pa gjë po qante. Xha Petri e mori në krahë dhe pasi e përqafoi e afroi tek ikona e Shën Marisë, duke i vënë dhuratën në dorë. Në kohën që po largoheshim mamaja më tha “ Xha Petri është njeri i veçantë, bamirës dhe me një shpirt të madh. Ai shërben në kishë pa pagesë, dhe me kursimet e kishës dhe të tijat ndihmojnë të vobegtit, të sëmurët dhe jetimët e “shtëpisë së fëmijës”. Një mbrëmje në shtëpinë tonë, ai duke biseduar me baban, bëri një “sinoptikë të aktualitetit” mes shprehjeve figurative, si “mëkati i ndershmërisë morale” dhe “Krishti që tashmë nuk flet”, mandej nxorri nga xhepi i zhilesë orën prej floriri “ U bë vonë, tha, më duhet të iki”. “Prit, e ndërpreu mamaja, “do të shoqëroj unë bashkë me Edin, sepse kam për ju dy vazo me reçel të freskët dhe disa kupa krem karamel”. Mbasi përshëndeti babanë dhe falenderoi mamanë, u larguam sëbashku. Për një çast ai ndaloi, dhe ju lut mamasë të më mbante atë mbrëmje në shtëpinë e tij, pasi kishte blerë një pulë të freskët dhe donte të më kënaqte. Mamaja më pa në sy, unë e aprovova me shikimin tim. Atë mbrëmje nuk mund ta harroj…Ishte si një vizitë në një muze kulture. Kur u futëm në dhomë, nënë Llamba nën dritën e kandilit dhe një qetësie sugjestive, bënte lutjen para ikonostasios. Unë shikoja zjarrin në sobën e madhe italiane pranë, që shkëlqente nga bardhësia e emalimit dhe refleksi i tij në mur përzihej me ato të kandilit. Më tutje një radio e madhe Philips me gramafon sipër, mbuluar nga një çentro dhe pranë saj kristaliera me kristale dhe servicio. Mbi të një pikturë e madhe klasike, me motiv biblik. Në qoshen tjetër të dhomës si një etyd teatral, qëndronte një kukull e bukur me kryq në qafë, e cila shikimin e kishte drejtuar në buzëqeshjen sardonike të buratinos, të varur në spango. Mua ajo figurë mes një kënaqësie më ngjalli trishtim, pasi shikoja simbolikën e dëshirës së tyre për një fëmijë, që aq shumë ju mungonte. Mendimin ma preu, dora e Xha Petrit që më drejtoi në një shkallë druri spiral, për tu ngjitur në dhomën e sipërme. Këtu është pasuria ime më tha ai me zë të ulët, duke më treguar bibliotekën e mobiluar, të mbyllur me xham. Po këto fotografi kaq të bukura?. E pyeta me kuriozitet. Në njerën kemi dalë në Piazza San Pietro, Romë, ndërsa tjetra në Akropoli, Athinë. Mbasi u ulëm ai filloi të më prezantoi me shumë libra me vlerë në gjuhë të ndryshme. Nga prononcimi kur lexonte titujtë, ndjeva aksantin italian,francez dhe grek, gjuhë që ai i zotëronte. Mes tingujsh të mekët e të ndrojtur shqiptoi: ”Tani je më i rritur, duhet të kuptosh se sot jetojmë versionin e Davidit me Goliatin, për të cilët të kam folur. Në këtë “vetërrethim”, aleati ynë është e vërteta, ku forcën njerëzore e gjejmë në frymëzimin nga dija dhe besimin tek zoti “. Mandej u ulëm në tavolinë për të shijuar darkën, ai çdo moment gjente diçka për të komentuar si rreth “savoir vivre” dhe mes aforizmave të mënçura, duke më transmetuar mesazhin e të vërtetës së jetës…
Mbas pak kohësh atij i kishte rënë në fytyrë një hije trishtimi, pasi shëndeti i thica Llambës po rëndohej. Lëvizjet e saj ishin kufizuar, si shkak i osteoartritit, po ashtu shikimi ishte pakësuar, si pasojë e glaukomës dhe degjeneracionit makular, megjithë mjekimet e këshilluara. Kështu ju referua enciklopedisë italiane të Treccanit, ku rekomandohej lëngu i degëve të rrushit, të cilat përmbanin lëndë antioksidante dhe përmirësonin shikimin. Ndërkaq zgjidhjen e gjeti tek pjergulla e rrushit të shtëpisë tonë.
Me fillimin e pranverës kur gjithçka lulëzonte, priste hardhinë në vendet ku shpërthenin sythet, e hapte atë dhe vendoste atje nga një shishe të vogël, të cilën e lidhte me spango dhe lëngu i hardhisë pikonte në shishe. Fillimisht u çudita, por kur dola mjek e ndesha në një revistë të huaj mjekësore faktin se, lëngu i rrushit përmbante flavonoide dhe polifenole me vlera, si resveratroli dhe proanthocyanidina, me veti të veçanta antioksiduese dhe antinflamatore. Një të djelë në vazhdim, xha Petri erdhi me një tufë trëndafilash në dorë, të freskëta dhe plot aromë, por në fytyrë i ishte shuar buzëqeshja. Mbasi ja dha mamasë, tha mes dhimbjes: ” Ma rrëmbyen dhe kopshtin, strehën romantike të meditimit dhe takimit me natyrën. Këto trëndafila janë kujtimi që mbeti. I preva të gjitha lulet dhe ja u ndava miqëve të mi. Të përballosh emocionet e një drame në vazhdim me të cilën ndeshesh, këtë ta ofron vetëm efekti psikoterapeutik i besimit tek Zoti”. Mamaja e prekur, duke marr trëndafilat, i ledhatoi duartë dhe e përqafoi: “Bëj kurajo, erdhën kohë të vështira”, i tha. Ai mes lotësh pëshpëriti ”Vlerat, ata nuk mund ti fitojnë me një identitet fiktiv virtual dhe antihuman “ dhe u bë gati të ikte. “ Prit pak, e ndaloi mamaja. Kam një vazo me gliko nga nerënxa, që ty të pëlqen “. “Helmin që ndjej nuk ka mjet ta ëmbëlsoj”, mori bastunin , vuri në kokë borsalinon dhe diçka mërmëriti duke u larguar …
Në prag të krishtlindjeve të vitit 1966, ishim mbledhur në sallon dhe po stolisnim pemën e vitit të ri. Motra na shoqëronte me tingujtë magjepsës të violinës, ndërsa mamaja pregatiste kulluret dhe një kek me gështenja dhe fruta. Në atë moment u dëgjua trokitja e bastunin të xha Petrit. Ngjiti ngadalë shkallët, na përshëndeti, mandej u ul në kolltukun pranë. Kur po vendosnim kartolinat në pemë, ai brofi në këmbë, “Kam dhe unë një kartolinë të bukur, urimi për pemën”, tha dhe bashkë me të na dha dhe një borsetë me fruta. Ishte ajo kartolinë që mua më frymëzoi!…Ne vazhdonim të stolisnim pemën me drita, topat prej qelqi dhe shirita plot ngjyra. Babai na pruri dhe “kartolinën e filozofit”, një kujtim i tij nga Ancona, që kurrë nuk harronte ta vinte në pemë. Ajo ishte një kartolinë me skicën e filozofit në meditim, mes librave dhe diçiturës domethënëse:”Dubito,Ergo Cogito..Ergo Sum”, (Dyshoj, prandaj mendoj, prandaj ekzistoj). “Ti respektojmë ne, se këtu ato “mëndje të mënçura” i eleminuan”, ndërhyri xha Petri, dhe duke shijuar çajin e malit shtoi:“Më mbeten të gjalla impresionet nga libri “Arti filozofik” i G.Gentiles, ku mund të kuptosh vlerësimin e atyre mendjeve, në një ekspoze të filizofisë helene, romane deri në atë ruse. Mua më tërhoqi vëmendjen figura e filozofit rus N.Fyodorov, që e quajtën “Sokrati Rus”, ndërsa italianet e pagëzuan ”Sant’Agostino moderno”. Me një empati patetike, ai i dha filozofisë dhe shkencës, një vend krah religionit dhe artit, duke patur si objeksion “ringjalljen e mendjeve të ndritura, duke i dhënë pavdekësinë, me sugjerimin mbi studimet genetike dhe ato të teknologjisë moderne për rikrijimin e tyre”… ( aludimi i klonimit dhe inteligjencës artificiale një shekull më parë?!). Babai i menduar ndërhyri: “E kam hasur dhe unë në filozofinë e Fiorentino-s, mbi imazhet radikale. Konceptimi i tij është quajtur “Botëkuptimi i mijëvjeçarit të tretë”. Eshtë kuriozitet se Fyodorovi, një “futurolog” aq besimtar, nuk pranonte të bënte as fotografi, bile nje skicë e portretit të tij që trashëgohet, është realizuar fshehurazi, nga piktori dhe miku i tij, L.Pasternak …
“Mos harroni të vendosni në majë të pemës, ëngjëllin me yllin në duar, tha me mllef xha Petri, besoj se do të jetë dhe hera e fundit. Pasi qytetin e mbushën me pankartat “Feja opium per popullin”,
Skica e Nikolla Fydorov
që dominojnë mbi stolitë e vitit të ri. Kjo nuk është rastësi, por një parathënie e dramës së madhe që troket”, përfundoi retorikën me një psheretimë. Ndërsa u ngrit për tu larguar, babai dhe mamaja e ftuan bashkë me thica Llambën, që të festonim sëbashku krishtlindjet. Ai u largua mendueshëm dhe pa fjalë. Duke ndjekur siluetën e tij, në silogjizëm mendoja, se dimensionet e tij ishin sinonim i forcës universale të dashurisë njerëzore, megjithë pamundësinë…fizike. Nuk kaloi shumë kohë dhe parashikimi i xha Petrit morri jetë. Shkurti 1967, shkurti që zgjati netët e me dhimbje i mbushi jetët, ku lufta kunder fesë u kurorëzua, me mbylljen e kishave dhe gjithë objekteve të kultit. Njerëzit mes pikëllimit, mbetën të çoroditur, pa zot, se koha krijoi “Zotin e ri”, të mitizuar në prezantim “jetik”. Ajo surprizë ateiste ishte një persekutim shpirtëror i pafund, veçanërisht për shërbëtorët e zotit. Xha Petri erdhi tek ne papritur, qysh në mëngjez. Ngjante si një skulpturë e ftohtë, e zbehtë, veshur me mantelin e zisë e të dëshpërimit, i pa fjalë, u ul në divan dhe qante me ngashërim. Mandej shtrëngoi dhëmbët dhe gërmat i kërcisnin në gojë “ Më vranë biomën fetare, rikryqëzuan Krishtin, por nuk munden të ma shkulin adhurimin hyjnor. Për mua kjo ishte “colpo di grazia”! Nuk është rasti që ata vazhdimisht kanë zgjedhur shkurtin për terror, në shkurt 1947 gjatë reformës agrare arrestuan dhe torturuan ish kryeplakun e Nartës, patriotin Nako Qirko, në shkurt të 1951 ekzekutuan 22 intelektualë, mes tyre dhe ekselenten S.Kasimati me mizaskenën e trilluar, në 15 shkurt 1959, “ekzekutuan” kirurgjikisht, vajzën tonë, juristen dhe avokaten e parë shqiptare, Erifili Bezhanin, për mendimet demokratike. Kështu ndodh kur asgjë nuk njeh “masë” dhe mohoen vlerat, por e ardhmja do ta rivendosi vullnetin e zotit”… Ishte një skenë morti, ku fjalët mungonin, fliste zemra…Por ai nuk mund ta mbante peshën e asaj dhimbjeje dhe vazhdoi… “Edhe mjeshtri i psikanalizës S.Freud e mohoi fillimisht zotin, veç kur kanceri e pushtoi dhe dhimbjet ju bënë të padurueshme megjithë përdorimin e morfinës, zgjodhi euthanasinë dhe në çastet e fundit, si në pendim belbëzoi: ”Feja i shërben progresit kulturor dhe vetëanalizës psikologjike”… Ndërkaq ai u ngrit dhe largua ngadalë, si hije e zvaritur. Profili i tij intelektual, i përkiste një bote, që nuk kishte asgjë të përbashkët me atë realitet. …Ditët në vazhdim, ishin për të netë pa hënë, por ai mbeti krenar në një mbijetesë shpirtërore, skllav i ideve humanitare dhe filantropike, principe që i bëri kode të jetës. Nuk mund ta ndante besimin fetar nga vetja, ndërkaq vazhdoi me përkushtim, zbatimin e riteve fetare. Por ishte e vështirë të përballonte në atë moshë emocione aq të forta, në një sizmikë pafund. E tretën brenga dhe dhimbja, që në një moment e morën me vete dhe zemra e tradhëtoi. Kështu të dy, njeri pas tjetrit, si një shpirt i ndarë në dy trupa, ditën e Pashkës, bashkë me “ringjalljen” e krijuesit, mbyllën sytë dhe u larguan nga jeta, por mbetën në zemrat e njerëzve. …Agimi i pranverës së vitit 1990, pranverë dhe në shpirtrat tona, solli rilindjen e fesë. Ishte “dita e shpirtrave “, në prag të pashkës. Sëbashku me mamanë shkuam në varreza, për ritualin përkujtimor të babait. Duke u larguar në një kthinë, midis varreve në mermer dhe dedikime, vërejta një varr të braktisur. Ishte një varr i thjeshtë, pa mermer, pa kushtim, vetëm me një cope betoni në krye dhe një bordurë përreth, ku emrat i mbulonte bari i egër i rritur dhe hidhrat. Ju afrova nga kurioziteti dhe për një çast mbeta i ngrirë, pa frymë, kur lexova emrat e mbuluara nga pluhuri dhe balta: PETRO dhe LLAMBRINI DOGA. Mu rrënqeth trupi, befasia ma çau zemrën. Mamaja u afrua spontanisht dhe e emocionuar shpërtheu në vaj: “Xha Petri, dëgjon, u hapën kishat, gëzohu. Doli fjala jote”…Duke e pastruar nga bari, ngritën kokën dy lulëkuqe të fshehura, pranë tyre ndezëm qirinjtë. Fshimë me kujdes, me një shami emrat e skalitura mbi beton. U përkulëm me respekt duke bërë kryqin dhe u larguam, por kujtimet na kthenin pas. Nuk mund të harroja frazën që më citoi një ditë duke biseduar: “Ka kohë për të folur dhe kohë për të heshtur”!… …Njerëz si ai, me shpirt human dhe histori bamirësie meritojnë vëmëndje të veçantë, mirënjohje dhe një audiencë përkujtimi.
Prill 2025

















Komentet