Kuvendi i Kosovës pritet të fillojë seancën e jashtëzakonshme, të thirrur qysh ditën e enjte, me të vetmen pikë në rendin e ditës, ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Aktualisht, Kuvendi po ballafaqohet me problematikën e vendimmarrjes, pasi që nuk janë siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Të enjten, gjatë orëve të pasdites, partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë zhvilluar takim edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo në opozitë. Për lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje, në bisedime janë përfshi edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, për në fund nuk kishte dakordim të plotë.
Mospajtimet ndërlidhen me faktin se Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit.
LDK nuk e mbështetë ratifikimin bashkë me raportin e Komisionit shtetëror për kufirin, pasi që atë e konsideron si jo final dhe në kundërshtim me marrëveshjen me Malin e Zi.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se të gjithë deputetët e kësaj partie politike do ta mbështesin ratifikimin e marrëveshjes, por pa raportin e Komisionit shtetëror, pasi që ai është kundërthënës.
Hoti tha se 27 deputetët e LDK-së do të votojnë për ratifikim, por qeverisë i mbetet t’i sigurojë votat nga partitë në koalicion, pasi që problemi është te koalicioni qeverisës.
Në anën tjetër, AAK ka deklaruar se do ta ratifikojë demarkacionin vetëm nëse Projektligjit i bashkëngjitet edhe raporti i Komisionit shtetëror.
Sidoqoftë, edhe nëse arrihet një marrëveshje mes PDK-së, AAK-së, Nismës dhe LDK-së me pakicat jo serbe, Kuvendi nuk do të arrijë të sigurojë 80 votat e nevojshme, pasi që subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje është pozicionuar kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, sikurse edhe Lista Serbe.
Ndërkohë, përfaqësuesit ndërkombëtar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe ata të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje të panumërta deputetëve që ta ratifikojnë demarkacionin dhe t’i hapin rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.
Komentet