Ai ishte një poet i njohur.Shkruante njëkohësisht edhe studime mbi historinë e gjuhës.Po shkonim drejt një festivali të poezisë.E shihja si po mendohej dhe nuk m`u durua pa e pyetur se çfarë përtypte mendja e tij.
”Eh,më tha,shkojmë drejt këtij festivali,por kot…Festivalet e poezisë,përveç takimit me njerëz që i njeh dhe nuk i njeh,një atmosferë,një farë daljeje, nuk kanë asgjë tjetër serioze, as të mundshme për t`u mbajtur mend.Çmimet i marrin kryetarët e organizimeve të njenjta në treva të tjera shqiptare.Sepse,edhe ata do sajdisin me çmime atë që jep çmim.Këtë nuk duhet ta bëjë ai që quhet poet,kjo në një farë mënyre është një korrupsion letrar,diçka e pakëndshme,po mjerisht kokëfortë…
”Për këtë mërzitesh ,i thashë.Kjo nuk është e re.Edhe poetët ,njerëz janë,kanë interesat e tyre,pastaj poezia nuk është vrapim njëqindmetërsh,kush del i pari…Ajo nuk është tjetër, veçse vlerësim subjektiv”.
Ai më pa drejt në sy duke lëvizur krahun e tij sikur me atë krah të shigjetonte një mendim.
Po ke të drejtë, më tha, njoh disa poetë të përkthyer në greqisht,spanjisht,rumanisht.Paguajnë një përkthyes dhe i botojnë librat në shtypshkronja dixhitale dhe,pa pikë turpi ,thonë nëpër gazeta se u përkthyen në Spanjë,Greqi dhe Rumani…Madje,njoh një poet që thotë se kalaja merret vetëm nga jashtë.Ai, poetët e traditës ,që nuk janë përkthyer në anglisht, i quan të mbetur në klasë…Lasgushin,Fishtën ,Migjenin…
Çështja e poezisë nuk është e thjeshtë.Një herë një poet me emër,në një aktivitet letrar ,më quajti poetin më të mirë të Çermenikës.Gjykim kategorik i perfomuar.Kur mbaroi aktiviteti ,disa më thanë se ai tjetri donte të më ulte,se unë isha poeti më i mirë i rrethit të Librazhdit.Qesha hidhur.Unë nuk e di se a jam poeti më i mirë i lagjes ,ju më thoni broçkullla…Të gjitha ia thosha mikut tim,ndoshta për t`u gjendur brenda shqetësimit të tij.Biseda shtjellohej kah ardhmëria,ndërsa pëgjatë xhamit të makinës rrëshqisnin pamje të peizazhit,kodrina,lugina të vogla,shtëpi me oborre dhe ara që vareshin poshtw themeleve të tyre,të cilat ngjanin si qilima që e zonja e shtëpisë i kishte nderur në mëngjes si në hapësirën e gëzimit të saj.Ardhmëria, një ëndërr e delirit ngjethës…Dhe fjala si një raketë pa mbushje që shkonte drejt saj.Po kush ishte maksimum i fjalës?Lavdia aspak,se lavdia,kohë më kohë, fjalën gërryen.Maksimumi I fjalës mbetet thjeshtësia,si ky diell që me pak pudër nazike gjethet e këtij peizazhi ngjyen…Rima më erdh si një përkundje e beftë e atij mëngjesi që këndellej në ëndrrat e veta prekëse.
Fragmente të tilla,copra bisedash vërtiteshin atë ditë shtatori,ndërsa makina merrte kthesat .
Kishim udhëtuar kaq kohë dhe ja ku u gjendëm në qytetin e vogël.Nuk e patëm të vështirë ta gjenim godinën ,sallën e madhe mbushur dingas me poetë,as të zinim vend pranë e pranë ,dhe të prisnim.Recitimet kishin filluar ,salla buçiste nga timbri i zërit dhe në çdo fundmbarim të recitimit shpërthenin duartrokitje.Shoku im u ngrit dhe recitoi.kishte një poezi të gjatë,po të bukur.Ai recitonte rrjedhshëm dhe fjalëve u jepte intonacionin dhe logjikën e duhur artistike.Kur mbaroi, duartrokitjet nuk kishin fund.Poezia e tij u pëlqye dhe, aty për aty,rrëmbimthi m`u krijua bindja se ai do ta merrte çmimin e parë.Më tutje ,si gjithnjë, sipas radhës, u ngritën disa poetë emigrantë, ardhur enkas për këtë takim.Ata recitonin bejte si:”Prej Prishtine e gjer në Tiranë,ku i thërrasin nanës :nanë,asht toka jonë,mos lshojmë nji pllamë…”Edhe pse plagjionte Pashko Vasën ,nuk kishte rëndësi.Dufi atdhetar rrënonte kujtesat e tjera ,për të ngritur vetëm një:kujtesën e kombit.
Një poet tjetër ,emigrant ,i përmalluar,filloi të recitonte një poezi mbi lumin.Ai ngatërronte Tamizin me Vjosën,Bajronin me veten.
Tani më falni ,tha,jashtë konkurimit do recitoj një poezi për të madhin Zef Shkurti,unë atë e kam quajtur:Turbinë e poezisë.Recitoi.
Panegjirizëm,duartrokitje plastike.(Jashtë, do t`i thosha se poezia i ngjet procesit të zierjes së rakisë.Nga gjithë ato bërsi të rrushit del pak,fare pak raki.Më pa i habitur.)
Atmosfera e fjalës poetike gjithnjë më pëlqen.Poezia e krijon vetvetiu një përndezje dhe një shkëputje nga e zakonshmja,dhe,sidomos kur ajo ka forcën e realizimit jetësor dhe të imagjinatës.Në këto takime çdo poet rri në ankth,mendon se i takon një çmim.Po çmimet do t`i marrin vetëm disa.Ndonjëri merr çmim në çdo aktivitet.Kjo nuk ka rëndësi,e rëndësishme është se në këto takime, çmimet nuk duhet të ekzistojnë,sepse ato jo vetëm nuk i vënë kurorë takimit, po krijojnë edhe një shije të hidhur për atë se çfarë nuk duhet të bëjnë pikërisht ata që e quajnë veten poetë,që shajnë pushtetin duke i marrë paratë atij për mbështetjen e forumeve të tilla poetike.Ky raport i pushtetit me artistin është i vështirë,konjuktural dhe asnjëherë nuk çon tek pastërtia.
Mendimet më lëvrinin në kokë ,kur u tha se duhej të bëhej nja pesëmbëdhjetë minuta pushim, se do të mblidhej juria.Dolëm në sallon jashtë.Entuziazmi kishte rënë .Ishte një situatë ankthi, e justifikuar në pritje të tilla.Kur u desh të dëgjonim çmimet, shoku im u skandalizua;çmimet kishin kaluar tek kryetarët e klubeve letrare në qytete të tjera.Jo vetëm kaq, edhe disa anëtarë të klubeve letrare po sajdiseshin me çmime të treta.E pashë atë burrë që shtrëngonte nën sqetull çantën e zezë dhe fytyra e tij kishte marrë një shprehje palëvizshmërie jo të këndshme.Dolëm.Pas takimit do shtrohej një drekë.Dhe aty, në drekë, i ulur afër tij dhe një poeteje që gjithnjë fliste si me veten edhe me të tjerët, m`u desh ta pres pjatën me kënaqësi ,se kisha uri.Në çaste të tilla poetët bëhen hokatarë,tregojnë barsoleta dhe krijojnë humor,mbajnë fjalime plot fjalë kumbuese për organizatorët,sërish akuzojnë pushtetarët,politikanë,që ndonjëri i quan :por(dhi)likanë,recitojnë sërish.Janë momentet më të çliruara,se edhe vera dhe rakia bën punën e saj.Poeti A.S u ngrit dhe, me një gjest triumfatori, filloi:
E ngre këtë dolii për Abazin,poet,kryetar i Klubit letrar organizues,i cili me dashamirësinë e tij na mundësoi këtë takim të mrekullueshëm që do mbahet mend gjatë nga ky qytet i vogël.Po(rdh)ilikanët e sotëm që po e shpartallojnë Shqipërinë ,ende nuk kuptojnë se nuk ka atdhe pa poetë.Kam këtu afër të shquarin Bashkim(një poet vetullngrysur)qytetar nderi i dy bashkive,që më tha pak më parë se edhe Abazi duhet propozuar për qytetar nderi.
Pas tij u çua shoku im dhe nxori me shpejtësi një libër të vetin.Ai lëvizi krahun guximshëm dhe e ngriti librin pak më lart se kokën e tij.Shpërtheu:
A shihni këtë libër?
Po,tha dikush.
Ky libër është një kryevepër.
Heshtje….
Sa kopje është shitur do thoni ju?
Njëqind ,u dëgjua një zë.
Pesëqind,ia ktheu tjetri.
Shoku im po i mblidhte shifrat.Befas ai e uli librin në tavolinë.
Asnjë,turfulloi,asnjë,eh..Pse do thoni ju? Thuaje,ti…E them,po ndoshta nuk do më besoni…Sepse shitet Vrima…Të më falnin këto poeteshat, po kjo është e vërtetë…
Libri “Vrima”,tha dikush…
Po, libri “Vrima”…ai shitet sot…
Poetesha që kisha afër, as që ndjeu siklet nga fjalët e tij,madje ajo u ngazëllye dhe më shtrëngoi krahun fort.Ajo nuk ishte fort e re,as e vjetër,po në moshë mesatare,mbahej dhe hiret ende shndrisnin nga grija e mbulesës së viteve.
Duhet thëne se këtë detaj,atëhere dhe tani e mbaj mend më shumë se të gjitha poezitë që u recituan dhe ndoshta edhe ato që do recitohen në takime të tillla.Pashë që shoku im,po ia them emrin:Bajram Skopeci,ishte mjaft i kënqur që kishte shprehur mendimet e tij në një duf të sinqertë me silvëllezërit e vet poetë.
Papritur u ngrit poeti Adem Zalo dhe iu drejtua poetit A.S.
A.S foli mirë këtu,po mua s`më përmendi,ndonëse ai ka shkruar një poemë për mua.Po nuk e kisha fjalën këtu,thelbi i çështje rri gjetkë.Tek poeti Bajram Skopeci.Ai është një Pushkin modern,po çmimin më të lartë atij ia ka dhënë koha,përderia vargjet e tij recitohen përmendsh, dhe disa poezi të tij janë bërë hite.Dëgjoni more vëllezër,unë kam lexuar disa studime të tij historike për gjuhën, dhe mendoj se Çabej po të ishte gjallë,me siguri do ia lironte vendin…
Në atë çast prita që poeti Bajram të çohej dhe ta kundërshtonte këtë superlativë qesharake, se ishte një barrë e rëndë. A nuk ishte ai që kishte kritikuar(me mua…) dhënien e çmimeve?Por poeti u ndje i kënaqur,aq i kënaqur sa,shkoi pranë Adem Zalos dhe porositi gjithë fotografët dhe kameramanët e televizionit lokal që ta fiksonin këtë çast historik…
Komentet