Është koha për një ndërhyrje të mençur të njerëzve të besueshëm dhe patriotë.
Të gjithë historianët e politikës që janë marrë sistematikisht me studimin konflikteve të brendshme, kanë zbuluar se shkaqet themelore të përplasjeve dhe ballafaqimeve të ftohta në shoqëritë e vendeve post-diktatoriale, duhen kërkuar tek ekzistenca e qeverive të dobëta, institucioneve të ngrata në aspektin e qendrueshmërisë e të burimeve njerëzore të kualifikueme, tek korrupsioni masiv, kontrolli i qeverisë nga krimi i organizuem.
Shqipëria e vitit 2017, jo vetëm nuk bën përjashtim nga perkatesia tek kjo bashkesi vendesh te pastabilizueme, por paraqet shembullin më tipik në Europë, të konfliktit të ndërlidhur me varfërinë, me korrupsionin dhe krimin e organizuem, të përhapur me çdo pore të pushtetit dhe politikes; nje drejtësie që nuk është mbrojtëse e shtetit tonë të shtrenjtë, të Shqipërisë së paster, bazave të saj konstitucionale e morale, të qytetarëve të saj, të familjes dhe vlerave të saj, mbi të cilat ngrihet rendi ynë, gjithshka e shenjtë e jona.
Edi Rama, i përkrahur fuqimisht nga shkatërruesi dhe kompromentuesi i kabinetit ministror pararendes, Ilir Meta, erdhi në drejtimin e vendit me pretendimin me i ndreqë dhe me i pershtatë institucionet shteterore shqiptare, drejt sfidave te procesit integrues dhe europianizues.
Mirëpo, në vend që të punonte në këtë drejtim, makineria politike qe Edi Rama që ndërtoi në segmentin e tij kohor qeverisë 2013-2016, jo vetëm e vendosi popullin që ai qeverisi në nje gjendje apatie të plotë mendore dhe pa një përspektivë qendrueshmerie e rritjeje, por ndali rritjen ekonomike reale, të bazuar në investime dhe sipërmarrje legale, u përfshi në një modul permanent skandalesh të pakonceptueshme për nje vend demokratik, të cilat në asnjë rast nuk ndëshkohen nga drejtësia që hesht me buton.
Ai promovoi, me metoda tipike fashiste sjelljeve mbi shoqerine e njerezve normal, një parehati për kedo të pa anëtarësuar de facto, në oborrin e tij partiak; një gjendje pasigurie për jetë normale sipërmarrëse nën ligj; vendosi një kontroll underground mbi shoqërinë, shtypin, botën akademike e universitare desidente dhe aktualisht është në procesin e një ndëshkimi me metoda jakobiniste të kundërshtarëve politike dhe mediatikë më kryesorë.
Grupimi i tij politik po ecen aktualisht drejt instalimit të mekanizmit të çimentimit të pushtetit, me zgjedhjet e datës 18 qershor 2017.
Kemi hyrë në vitin elektoral, pa një ndryshim në Kodin Zgjedhor, pa një garanci për numërim te paanshëm dhe të drejtë të votës së sovranit, pa asnjë sistemim të procesit të financimit të partive politike për fushatën elektorale, me kriminelë që lirohen gjithandej nëpër kendet e pakontrollueshme të vendit, me një qeveri në krizë të qartë qendron në mënyrë absurd pa rënë; dhe kur sapo ka filluar implementimi i refomës në drejtësi, të cilës i kanë dalë që në fillesë, defektet thelbësore, që lidhen me kontrollin, sistemin e patronazhit nga politika më e mbrapsht dhe më e korruptuar, e procesit te emërimeve në strukturën institucionale të saj.
Opinioni publik po provon gjithnjë e më qartë se një politikë e korruptueme, nuk mund të ndërtojë një sistem të drejtësisë së pastër në shërbim të nacionit dhe komunitetit.
Deri më tash kemi qenë nën rrethanat e ekzistencës së një Konsorciumi të Pavarur, që operonte me kodet e veta, me një lëpirje, ose me rrëshqitje të lehtë nga pushteti i radhës. Ndërsa sot, po kalohet nga ky Konsorcium i Pavarur e i Paprekshem e me raste Servil ndaj pushtetit, në një Apendiks Juridik kryesisht të Parlamentit, në të cilin organ, në aspektin procedural, për shkak të uzurpimit të pushteteve ekstra-parlamentare nga Speaker-i, dhe jo nga Byroja dhe bashkesia parlamentare.
Ndërkaq, një dorë e fortë po operon me program paraprak, po kontrollon procesin, permes shkeljes se hapesirave boshe të paparashikuara nga “shkencetarët” qe kane shkrue ligjin.
Si shpjegohet që hartuesit e reformës së sotme, nuk arritën ta studionin këtë lloj Konsorciumi Juridik, me veset e veta të mbrapshta dhe të parandalonin, lënien pas prej tyre në sistem, edhe më tutje, të çorbës së prishur me kohë?
A e menduan ata, ditën kur shkruajten ligjin, se po linin hapur rrugën e tranzicionit të xhaketave të vjetra, për të emërue me gisht, robt e tyre, si një garanci për vijimin e kalbësinës së sistemit të drejtësisë?
Dhe mendja me shkon tek juristi i madh Kristo Floqi, i cili mendonte që kombit jonë, për me ecë në rrugën e madhe të qytetnimit e përparimit, nuk i mjaftonte veç ripërtëritja e përforcimi i moralit arbnor tradicional, por edhe mënyra me i rregullue mirë ndjenjat e veprimet e tij, përmes ligjeve të drejta.
A thue e ka mendue ndonjëherë Floqi, kur shkroi “E drejta Themelore ose Konstitucionare”, vepër të cilen ia vendosi në përdorim njerëzve të shtetit shqiptar të fillesës më 1920, gjykatësve, avokatëve dhe juristave të asaj kohe, se pas 100 vitesh, organizmat e qeverisjes së drejtësisë së shtetit të tij të zemres, do të zgjidheshin me gogla në zyrën e Ilir Metës, dhe para kësaj vendimarrjeje të pandryshueshme e të paracaktueme, të diplomuarit shqiptarë të Oxfordit, LSE, La Sapienza etj., as nuk mund të kishin shpresë për me u vendosë në ndonjë llogari përzgjedhjeve të posaçme?
A thue mendonte ai shqiptar me zemer të madhe e mendje të ndritur, i cili deshironte me i pa bashkëatdhetarët e vet, jo rob, por zotët e vetës së tyre, duke ia llamburitë mendjen e tyre që atë kohë kur kombi po zgjidhte shpergajt e injorancës, me nji vepër reformatore, të frymëzueme prej moralistëve dhe politologëve në za si Bentham, Brehm, Bluntschli, Felix Berriat, Faustin Helie, Filanguieri, Guizot, Thiers, Rossi, Hobbes, Montesquie, Rousseau, se do vinte një ditë, që garancitë e përsonazheve intelektuale dhe formative, do ishin një hiçmosgjë, para xhaketave e vjetra të drejtësisë enveriste dhe dalëzotësve të koorespondueme me shkollë nate?
Kështu, një javë më parë, doli në pah defekti numer një i reformes në drejtesi: një dorë e padukshme filloi të ndërtonte strukturat e kandidateve, per KLGj dhe KPP, dhe KP për çdo rreth gjyqesor: një numër kandidatësh, me vetë-ofrim, përcollen emrat e tyre për t’u shqyrtuar. Po kuptojmë se hartuesit e ligjit, nuk paskan menduar per nje set kriteresh arsimimi, pervoje, integriteti dhe formacioni profesional, për të shmangur riciklimet, shkurajuar te korruptuarit, injorantet dhe militantet me shenje ne balle, të trimeruar, nga ambicja per kandidim?!
Më pas radha u erdhi akademikëve të Enver Hoxhës: ata i ranë edhe më shkurt: u vetë-emëruan në organin e pastrimit te Drejtesise. Komisioni i Vetingut nga Akademia, nje komedi e damshme arkeologësh dhe pëshash të renda, të dalë mode, kohe dhe perspektive.
Ndërsa me datën 27 janar, tre emra të sjellur në zyrën e kryeparlamentarit nga shefi i akuzës, vetëm tre, u aprovuan në hallkën e dytë, pa bërë asnjë transparencë dhe asnjë zgjerim në përzgjedhje, në hallkën e parë. Procedura këtu duhet të ribëhet dhe prokurorët e spikatur në mbrojtje të shtetit dhe publikut, duhet të ofrohen për ta zgjeruar bashkëpunimin e tyre të devotshëm në të mire të Shqipërisë.
Kam pershtypjen qe nga shiu i korrupsionit në drejtësi, po shkojme me shpejtesi me këmbët tona, drejt bresherit pa mbarim, qe deperton ne Pallatin e Drejtesise, permes pullazit te Kryesise se Parlamentit Shqiptar.
Kjo Kryesi “nuk e din” qe eshte veç koordinatore dhe jo vendimarrese ne ndertimet institucionale. Jemi në fakt, duke marrë rezultatin logjik të dilentantizmit në analizen e konstitucionalizmit shqiptar dhe vleresimit të terrenit politik dhe social aktual të ketij vendi te deformuar dhe ç’ekuilibruar.
Reforma ne Drejtesi me duket në rrugë pa krye, në dorë të militanteve dhe marionetave te politikes se korruptueme.
Qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se jemi në nje fillim i mbrapshte, të një projekti eksperimental dhe të pastudiuem, për terrenin e shkatërruem moral të një shoqërie të korruptueme dhe kriminalizueme në shumë pore të trupit të vet.
Drejtesia e vertete është e lidhur me emra profesionistesh me dinjitet, të afirmuar; eshte e lidhur me Falkonet dhe Borselinot e shoqerise shqiptare, jo me marionetat në varesi te lojrave politike te radhes; (ndjese kujt nuk i perket ky cilesim nga te vete-ofruarit) është i lidhur me brezin e ri të idealisteve shqiptare të jurisprudences që nga katedrat presin që shteti t’u hapë mundësinë për kontribut serioz.
Në krye të sistemit kanë të drejtë të vendosen para së gjithash, vetëm Prokurorët dhe Gjyqtarët më të spikatur, që janë përballur pa u ndalur dhe pa u frikësuar me kriminelët dhe padronet e politikës. Ata janë shumë pak dhe duhet të kooptohen menjëherë në drejtim të sistemit; nevoja shtetërore per ligj, rend e drejtesi, imponon perzgjedhjen e tyre. Të tjerët vijnë pas. Ku jane vendet e hapura per te diplomuarit e shkelqyer ne universitetet perendimore?
Si do hapet dera e brezit te ri te ekselences te shkolluar vertetesisht?! Mirëpo kjo ska si të ndodhte ndryshe, kur në qeverisjen e drejtësisë është përjashtuar nga percaktimet kushtetuese, institucioni i Kreut të Shtetit, të zgjedhur drejtpërdrejtë nga Kombi, si një garanci paprekshmërie e Republikës nga krimi, korrupsioni dhe simbol i kalorësisë skenderbegiane të nacionit.
Kjo që po ndodh në këtë vend me Drejtësinë e Re, është rezultat i troshitjes së dukshme të shtyllave të moralit të politikës, ose edhe i mungesës fare të këtyre shtyllave. Shumica e çështjeve tona shtetërore, proceseve tona të rindërtimit të organeve gjyqësore, deshmojnë se jemi para një fatkeqësie të përgjithshme të ngrohur brenda nesh, me të cilen, si me një të keqe me karakter të përgjithshëm që është e veshtirë ta luftosh, jemi pajtuar dhe po e legalizojmë e modifikojmë.
Kodi moral i politikës së radhës në këtë vend është serish “après moi le déluge» (Pas meje u bëftë kijameti). Por ne nuk duhet të harrojmë se Drejtësia dhe Gjykatësit, janë mbrojtësit e shtetit tonë të shtrenjtë, të Shqipërisë, të bazave të saj, të familjeve tona, të njerëzve tanë, të bazave mbi të cilën ngrihet rendi ynë i ligjit dhe lirisë së mbrojtur, gjithshka e shenjtë e jona.
Zëri i këtyre gjykatësve do të kumbojë anëkënd vendit në çdo rast që ata do veprojnë dhe varësisht sjelles, me ngazëllim ose me ligshtim, me drejtësi ose me padrejtësi e ligësi. Ka kohë që në mbarë Shqipërinë, publiku ka zgjatur krahët dhe bën thirrje për të ndalur turrëvrapin e tërbuar të antishtetit tek ne, që është i mishëruar në politikën dhe drejtësinë e kompromentuar.
Me duket se edhe këtë radhë jemi në rrugën e një eksperimenti të ri, të cilin të gjithë ne e shohim, por skemi fuqi që ta ndalim. Por ne duhet të ndalemi, ta mendojmë dhe ta analizojmë se ku jemi, para se të jetë shumë vonë. Dhe këtë nuk mund ta bëjnë “Liberalët” Fashistë me pushtet e diktat, por veç pak njerëz vullnetmirë, patriotë dhe të dijshëm që i kanë mbetur këtij vendi, te cilet i kemi perjashtuar dhe nuk i pikasim dot. Sepse Zoterit e politikes, nuk i duan.
Është koha për një ndërhyrje të mençur të njerëzve të besueshëm dhe patriotë.
Romeo Gurakuqi Universiteti Europian i Tiranës Tiranë, me 27 janar 2017
Komentet