Shënime për librin “Jeta ime”
Duke lexuar librin me kujtime “Jeta ime” të artistit Dedin Suli, me një këshëri të veçantë u enda nëpër rrugët e jetës së këtij artisti,nëpër kujtime të vjetra dhe të reja dhe, sakaq ,parafytyra e çasteve dhe ndodhive u përvijua në ato çfarë ai me ëmbëlsinë e një sili të thjeshtë e plot kolor i paraqet. Ne gjithnjë,interesuesve të historisë së artit, po edhe lexuesve të apasionuar, na intereson se cilët kanë qenë hapat dhe grafikët në ngjitje të artit shqiptar,si disa lloje artesh janë krijuar nga asgjëja duke arritur nivele europiane,po na duhet të kuptojmë se çfarë sakrificash bënë ata artistë duke vënë përkrahu e futur në të njenjtin hulli talentin me pasionin,kur është fjala për të kujtuar si u ngrit Filarmonia e parë shqiptare,Opera dhe Baleti,apo Ansambli i Këngëve dhe Valleve ,organizime të fuqishme artistike që manifestuan një art të madh dhe të fuqishëm ;duke na kujtuar sesi mund të krijohet në vijimësi një art i tillë kur gjen përkrahje nga institucionet shtetërore.Në pamje të parë, ky libër me një titull të thjeshtë të duket se e mbështet rrëfimtarinë në jetën personale të një artisti,kohën,familjen,marrëdhëniet me krushqitë,fëmijtë dhe shokët,apo njerëz të tjerë që, zakonisht ndodhen për rastësinë e fatit në jetën e kujtdo.Ndoshta mund ta kishte titull tjetër si:Ju rrëfej artin shqiptar,apo Simfoni e artë,ose: Breza artistësh në sytë e një artisti,e tituj të tjerë.Po gjithëses, titulli është personal dhe nganjëherë ai zgjidhet dhe sugjerohet në kontekst tjetër.
Dedin Suli e ka kompozuar librin në disa plane,së pari ,ai tregon prejardhjen e tij,dhe, mësojmë se prejardhja shkodrane dhe me nënë italiane i ka sjellë peripecitë e natyrshme në një kohë të caktuar.Sot ai gëzon statusin e qytetarit italian.Po kështu,në planin tjetër, ai rrëfen se çfarë dashurie ka përcjellë dhe ka marrë nga njerëzit e tij të fisit dhe nga gjithë afrimiteti i tij,sesi ka rritur djalë e vajzë të shkëlqyer,se djali i tij Antonini sot është një pianist i shquar në Itali apo vajza njeh një punë të suksesshme, pra,Dedini ka qenë fatlum që ka pasur dhe ka një familje e cila e ka mbështetur kurdoherë në rrugën e tij të gjatë e të lodhshme artistike.Nga ana tjetër ,njohja dhe kontaktet e vazhdueshme me artistë të mëdhenj si Besim Zekthi,Agron Aliaj,Rexhep Çeliku ,e muzikantë të kalibrit të madh si Çesk Zadeja,Tish Daia e emra të tjerë të shquar të asaj kohe, vijnë si një fati i porositur në jetën e tij kur duhet të mendojmë (me ato çka na jep libri) se artistë të tillë janë bërë promotor i gjeneratave krijuese dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar,e njëherit Dedini ka thirrur kujtesën dhe dokumentacionin dhe ka shkruar libra, të cilat mbeten fondamentalë në historinë e artit të Teatrit të Operas dhe Baletit si:”Besim Zekthi,korife i vallëzimit shqiptar”,”Agron Aliaj,artisti që thuri legjendë”,”Historiografia e artit koreografik shqiptar”,”Artistë të shquar të artit koreografik shqiptar”,”Rexhep Çeliku ,valltari fluturues” e tani, libri i fundit..
Pothuajse në të gjitha librat, sidomos në ato monografikë, gjejmë si shtesë një një sintagmë epitetike e cila nuk mund të merret në kufijtë e një lëvdate për të bërë bujë.Ajo merret në kufijtë e një përcaktimi të natyrshëm.Artistë të tillë ndodhen në sinorin e një legjende, sepse ato shpesh na kanë sjellë në skenat tona një art interpretativ dhe krijues të fuqishëm,duke formuar kështu shkollën me fytyrë kombëtare dhe moderne të koreografisë,muzikës ,baletit shqiptar dhe duke e futur atë, jo në paradhomat e artit të botës, po drejt në sallonin e tij të ndritshëm.Nga ana tjetër, këta artistë kanë pasur fat që një artist tjetër ka marrë lapsin dhe ka regjistruar ,jo vetëm aktivitetin e tyre artistik,po edhe ka skicuar me dashuri portrtetin e tyre ,përmes së cilëve projektohen pastaj nga kolektiva artistike edhe hijet madhore të artit shqiptar.Në këtë kohë të ngushticave morale dhe të egoizmave paranonjake,libri i Dedin Sulit vjen edhe me një kumt tjetër,i cili na bën të mendojmë kur është fjala ta përvijojmë thënien se tek artistët e vërtetë ndjenja e egoizmit dhe e cmirës nuk ka ekzistuar kurrë dhe s`ka sesi të ekzistojë.Përmasa e tretë e librit ,ajo që vjen e zgjerohet përmes rrëfimeve të shtrira të mbushura me episode e përshkrime interesante, është se këta artistë,shumica u shkolluan në shkolla elitare,po ata kyen edhe një rol të madh,në kohën e izolimit totalitar, transmetuan artin shqiptar në skenat e Europës dhe ishin artistët shqiptarë të cilët këtë e bënë jo vetëm me zellin e nevojshëm që zotëronin, po edhe me profesionalizëm dhe aftësi krijuese e interpretuese në mënyrë dinjitoze e plot klas.Ky dimension dhe kjo performancë e fortë artistike e sjell natyrshëm sesa të nevojshme e ka artisti hapësirën krijuese dhe mundësinë e përhapjes së vlerave të tij,artisti i vërtetë kërkon hapësirat dhe verifikimet e artit të tij duke u përballur me shijet e një lexuesi elitar europian,dhe ,kur merr nga ky lexues lavdërimet , ato nuk i vë si dekorata në një gjoks të ngrefosur, por si motivime të forta për arrtitje të mëtutjeshme.
Në këtë pikë Dedini ka ditur të na japë me dhjetra shembuj, të flasë për dhjetra premiera të veprave të rëndësishme si: baleti Halili dhe Hajria,Cuca e maleve,Përpara stuhisë,apo balete të huaja të vënë në skenë si: Zhurale,Kujdes i kotë,Lola,Fadeta e këtu të përmendë koreografë të tillë si Agron Aliaj,Petrit Vorpsi,Skënder Selimi etj,po këtu nuk harrohen gjithë ata balerinë e valltarë të shkëlqyer si Dedin Suli,Zoica Haxho,Llaqi Nako,Vera Misiti,Ikbal Morina,Sekine Sharofi,Adivije Sharofi,Lejla Kuçi etj,ato qindra valle si shqiptare dhe të huaja kërcyer nga artistë virtuozë që tronditën skena shqiptare dhe të huaja.Pasuria e emrave në libër është e tillë sa të tregojë kujdesin e Dedinit që çdonjërin për ta përmendur duhet,jo thjesht si njohje rastësore, as si kortezi shoqërore,po të tregojë vlerat e secilit duke i parë këto vlera me syrin e një studiuesi të artit e,njëkohësiht krahas vlerave të tregojë edhe momente miqësore ,gjë të cilat e ngrenë lart figurën e çdo artisti në kontekstin e kohës po marrin edhe vlerësimin universal të fuqisë që vetiu ta jep arti.Siç e kemi theksuar, fuqia e raporteve miqësore dhe shoqërore në kufirin e një sinqeriteti të ngrohtë dhe pa hile, përbën kushtin themeltar në gjallërimin e atmosferës krijuese dhe ngritjen e moralit artistik,edhe pse në një kohë të caktuar kushtet mund të mos jenë fort të mira.Kjo ide jepet më së miri në veprën e Dedinit dhe na ka krijuar vetvetiu lehtësinë për ta konceptuar çdo artist më së miri, kur duhet ta ndjekim portretin e tij të shkrirë me ngjyrat e artit në një sintoni pa krijuar dezekuilibër, as disharmoni midis njeriut dhe artistit.Kjo është njohja e Dedinit, e cila është shtresuar në një rreth të gjërë kujtimesh dhe episodesh që përforcojnë këtë temë.
Në librin me kujtime,në të vërtetë ato nuk janë kujtime të thjeshta po kujtime reflektive përmes analizës,Dedin Suli i përmbahet metodtës së zgjerimit të konceptit mbi artin ,duke e ngritur këtë zgjerim jo në parametrat e renditjes kronologjike, edhe pse nuk mungon kjo,po më së shumti në dhëninen e kriterit të vlerave,kriter që nuk synon një histori që i ngjan tjetrës,po episode që zgjerohen prej këtyre vlerave dhe asnjë nuk i ngjan tjetrit.Edhe pse në strukturën lineare ai vijon ndërtimin,kuptohet se brenda saj zgjerohet rrethi konceptual i vlerave dhe vetvetiu kështu mozaikaliteti qëndron si një freski dhe ndërhurje e shumë planeve kompozicionale në këtë libër mjaft interesant për artin.Ky kuptimi i strukturës i jep librit një veçanësi interesante dhe krijon frymën e lirshmërisë në të shkruar,kur na duhet të përceptojmë një derdhje të lirë të gjithë atyre akteve shkrimore e ato të mblidhen sërish në fiksidenë e memories sonë se për artin shqiptar, gjithnjë ka diçka për t`u rrëfyer dhe jo vetëm me kompetencë e profesionalizëm ,po edhe me një krenari të ligjshme për arritjet e tij madhështore nëpër kohra.
Një vlerë tjetër ku lexuesi mund të përsillet me këshërinë e tij është vizita që tregon autori në vende të ndryshme të Europës,si qytete,objekte arti,si kisha e Notre Damit,Teatri Balshoj,Napoli,Firenca,Parisi e dhjetra e dhjetra momente të ndryshme që përcillen gjatë këyre vizitave ,ku autori me një kompetencë dhe njohuri të admirueshme na bën përshkrimin e tyre.Natyrisht që këto përjetime janë personale dhe thuren edhe në shoqërinë e njerëzve të tjerë ,qoftë familjarë.Dedini mjafton të tregojë dhe lexuesi ta ndjekë me syrin e vëmendjes së tij,e,sidomos ai lexues që ka një informacion të mirë mbi gjithë ato vende dhe ndërt esa madhështore,një i tillë është Balshoj Teatër në Moskë ku Dedini në mënyrë të natyrshme ,si një studiues, gjen lidhjet e shkëputura të artit shqiptar me atë rus në fushën e baletit…
Libri i Dedin Sulit është një libër monografik për artin ku gërshetohet një autobiografi fisnore dhe personale e familjare ,një libër ku ndërthuret jeta e artistit në një terren të zakonshëm me terreninin tjetër të majave artistke,një kombinim i bukur i jetës njerëzore me jetën artistike,një ndërthurje në ideotematikën sesi jeta njerëzore mund të lëvizë në kuptueshmërinë e saj përmes forcës magjike të artit dhe të marrë vlerë gjithëkohore.Në vendin tonë gjithnjë arti është parë si i tillë,dhe Dedini si një autor me përvoje, e ka ditur këtë,ai nuk lë thjeshtë një testament vlerash ,po një libër i përmasave që zgjerohen në kuptimin e viteve artistikë,duke dëshmuar herë herë me skrupulozitetin e artististit –studiues.Kështu në librin e tij ndërthuren çaste të jetës së zakonshme dhe momente të bukura,shfaqje premierë dhe artistë pasionantë,takime me njerëz të mëdhenj të artit si Ismail Kadare ,i cili nuk përton dhe ka kënaqësinë e posaçme të shkruaj mbi baletmaestrin Agron Aliaj.Këtu ,siç ndodh në botën e artit, shpaloset ajo botë artistike e talenteve dhe figurave që u gdhenden në panteonin e artit koreografik ,të muzikës ose të operas;janë pikërisht ata artistë që vunë gurthemelin e këtyre gjinive duke kombëtarizuar ato ,po edhe duke u dhënë vlera të larta artistike dhe nivele europiane.
Libri i Sulit të tërheq për stilin e thjeshtë dhe konkretësinë e imazhit,ai është një derdhje e lirë e gjithë këtyre kujtimeve të cilat rreshtohen në pafundësinë e tyre duke marrë një komandë instiktive nga shtytja magjike e artit.Edhe pse autori është munduar të ruajë linearitetin e tyre,aspektin kronologjik,ky aspekt shpesh ndërpritet dhe koha thyhet në njëtrajtësinë e saj,atëhere kur duhet të sjellë pikanten e jetës familjare dhe artistike.Kështu libri i kapërcen kufijtë e një ditari dhe ngrihet në shkallët e monografistë duke rrokur edhe mënyra procedimi të filozofimit artistik dhe duke dëshmuar jo vetëm atmosferën artistike të viteve të gjata ,po edhe figurat e ndritura të artit shqiptar,për të cilët duhet të kemi një nderim të posaçëm dhe të mësojmë prej tyre.Autori Dedin Suli,në librin e tij monografik i kapërcen kujtimet e thjeshta dhe e tejshtrin vështrimin e tij në hapësirat e pamatura të artit muzikor,koreografik,në artin e baletit dhe operas.Ai dëshmon me autencitetin e një rrëfimtari të sinqertë dhe sjell gjithnjë atë që ka parë dhe përjetuar,por jo vetëm kaq,edhe atë që e meriton të thuhet,sepse ne kemi nevojë të njihemi me këo vite të arta të artit shqiptar.Duke bërë një punë të nevojshme dhe që meriton të përmendet, autori sjell tablo të gjalla të një realiteti të hovshëm artistik,pa zbukurime dhe lajle lule,po në një mënyre të thjeshtë ,ashtu siç ai vërtet i ka parë,dhe jo vetëm i ka parë,po i ka kaluar nëpër filtrat e dijes dhe përvojës së tij,sepse ai nuk ka qenë një spektator i artit,po një artist,balerin,koreograf,solist në mjaft vepra dhe është nderuar me çmime e ka korrur një numër të madh duarttrokitjesh nga spektatori në vite.Dedin Suli mban edhe Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, po paralel në shkuarje të këtij Urdhëri vjen puna dhe krijimtaria e begatë artistike që e nderojnë atë.Rrëfimi për artin shqiptar është një dëshmi jo vetëm e përkushtimit të dokumentimit të tij nga një studiues skrupuloz,po mbi të gjitha e një dashurie dhe nderimi për gjithë ata artistë që krijuan vepra të pavdekshme.
Komentet