VOAL

VOAL

Më 27 gusht 1950 vdiq Cesare Pavese, shkrimtar i shquar italian

August 27, 2018

Komentet

Dielli nuk mbulohet nga retë- Poezi nga Isuf B.Bajrami

Ai lindi
rrëzë Shkëlzenit,
në një tokë ku bora ruan fjalën
dhe guri mban betimin.

E quajtën Tahir Sinani.

Dhe emri i tij
nuk mbeti në një vend,
por u bë rrugë.

Shkëlzeni e pa si lindje drite,
si hap i parë mbi dheun e lirë.

Kullat e malësisë
e njohën në heshtje,
si burrat që flasin pak
por mbajnë shumë në zemër.

Pashtriku ia hapi horizontin,
si flamur që s’bie kurrë në tokë.

Shari e kurorëzoi me Plis mbi mjegull,
prandaj mjegulla nuk e fshehu dot
hapin e tij të rëndë si vendim.

Karadaku i dha jehonë,
si këngë që nis larg
dhe kthehet më e fortë.

E Korabi…

Korabi e priti në shpatet e tij,
aty ku era flet më fort se fjala,
dhe qielli bie mbi gurë
si dëshmi e heshtur.

Nëpër këtë rrugë
rridhnin lumenjtë poshtë maleve,

Drini si damar i tokës,
dhe fushat hapeshin
si libra të hapur historie.

Bagëtitë e bjeshkëve
e shikonin në kalim
si të kuptonin
se disa njerëz
nuk janë thjesht kalimtarë.

Ata janë gjurmë.

Ai kaloi
si stuhi që nuk shkatërron,
por zgjon.

Si zjarr që nuk djeg tokën,
por ndez kujtesën.

Dhe retë erdhën…
si gjithmonë
kur dielli është i fortë.

U munduan ta mbulojnë
Shkëlzenin, Pashtrikun, Sharrit, Karadakun, Korabin…
por malet nuk u zhdukën.

Vetëm u bënë më të heshtura,
duke pritur dritën.

Sepse emri i tij
nuk ishte vetëm emër.
Ishte vijë drite
që lidh kreshta me kreshta,
kullë me kullë,
zemër me zemër.

Tahir Sinani
nuk ecën më mbi tokë.

Ai ecën mbi kujtesë.

Dhe aty ku kaloi,
nuk mbeti vetëm gjurmë.

Mbeti betim.

Prandaj:
Dielli nuk mbulohet nga retë.

Sepse retë kalojnë
mbi Shkëlzen, Pashtrik, Sharr, Karadak e Korab…
por dielli që u ngrit mbi to
nuk zbret më.

Ai bëhet dritë
në çdo agim
që lind mbi këto male.

Vendi i Lekës,26.06.2026

O moj Shqipëri me vlerë! Ti je zgjuar këtë herë!- Poemë nga ESHREF YMERI

 

 

O moj Shqipeja me vlerë!

Ti je zgjuar këtë herë!

Nxirr në krye njer’z me nder!

Të të drejtojnë përherë.

Shporre Ramën që mbjell vrer,

Se Rama ësht’ veç kolerë,

Ta ka bër’ jetën zeher.

Moj Shqipe në dallg’ të flamës,

Nën pushtet të Edvin Ramës,

Shih se çfarë të ka kurdisur,

Servilserbi i dalldisur,

Sa keq të ka katandisur,

Shih se ku të ka vithisur,

Moj e mira fatgremisur,

Ty të do të boshatisur,

Një milion t’i ka degdisur

Nëpër botë arratisur.

Të tjerë do degdisë, n’inat

Po pret një tjetër mandat.

Shih si të ka poshtëruar

Me ftesën që ka dërguar

Për armikun e harbuar,

Në koncert na e ka ftuar

Bregoviçin e marruar,

Atë që u ka kënduar

Kriminelëve të tërbuar

Të Serbisë së hakërruar,

Krejt shqiptarët për t’i shuar.

Atë ftesë pse e dërgoi?

Sepse djalli e mësoi:

Se kërkon që të mbjellë vaj,

Shqiptarët t’i përçaj.

Moj Shqipe, me shtat të derdhur,

Rama ty keq ta ka hedhur.

Rama, ky njeri i hiçit,

Servilthekur i Vuçiçit,

Sikur ka marr’ porosinë,

Ta shpërbëjë Shqipërinë,

Po ashtu dhe Dardaninë,

Duke mbjellë dhe tradhtinë.

Dhe të gjithë bukur e dinë,

Qëllimit po ia arrinë

Me trarin e Kalimashit

Nën efektin e hashashit.

Tani dhe vite më parë,

Bashkë me Thaçin i pandarë,

Ky Vuçiçi s’ka karar

Krejt shqiptarët pa i parë

Si askund të përçarë,

Kasht’ e koqe të shpërndarë,

Cep më cep në botën mbarë,

Punë që Rama e ka tharë.

Dhe Rama nuk kuturis

T’i kërkojë hesap Serbisë

Për krimet që i ka kryer

Dardanisë gjakpërlyer

Me vrasje dhe përdhunime,

Me djegie dhe shkatërrime.

S’kuturis se s’ka derman,

Me Vuçiçin nuk ia mban

Se ësht’ burrë pa taban.

Nuk ia mban as sadopak

Se ka lindur frikacak.

Domosdo veç na kujton

Atë diktatorin “tonë”,

Kur  si langua i stanit

I servilosej Dushanit,

Dushanit dhe Miladinit,

Burracak, pjell’ e mjerimit.

Gënjeshtrën e ka parim,

Të ngritur gjer në mashtrim,

Dhe vret mendjen e mendon

Si ta tallë Shqipen tonë.

Që të sundojë pa mbarim

Ka arritë një përfundim:

Me gënjeshtra, punë që dihet,

Me mashtrim gjithçka arrihet.

Ju, shqiptarë, kudo që jeni,

Një bindje të gjithë e keni,

Atje ku banoni, rrini,

Brenda, jashtë apo nga vini,

Se ç’është Rama, “kryetrimi”?

Thjesht është një humnerë mashtrimi.

Por ama ka dhe guxim,

Fton Prishtinën në takim,

Të ulet me kriminelë,

Që s’duan gojën me çelë

Për krimet që patën mbjellë

Dardanisë kryekështjellë.

Dikur me gjuhën e “trimit”,

Si njeriu i “guximit”,

Atje në kështjell’ të krimit,

Në Beograd, pjellën e zisë

Ia pat kujtuar Serbisë

Pavarësinë e Dardanisë,

Çka Vuçiçin e habiti,

Atë fjalë mirë nuk e priti,

Që dardanët peshë i ngriti.

Por koha iku, kaloi,

Rama shpejt mendjen ndryshoi,

Ato fjalë krejt i harroi,

Vuçiçin e përqafoi,

Krimet kurrë nuk ia kujtoi.

Me Vuçiçin flaku sqimën,

Dardanisë i ktheu shpinën.

Kur dardani kritikon,

Rama zë e reagon,

Reagon edhe nuk resht

Edhe shpejt kërcen si plesht,

Por për krimet serbe hesht.

Çdo shqiptar mendjekthjelluar

Lë mendjen i befasuar:

Medet çfar’ na paska qenë

Ky Rama kaq “hijerëndë”

Me të vetët gojëpis,

Por servil që të bezdis

I Vuçiçit të Serbisë,

Armikut të Dardanisë

Dhe të mbarë Arbërisë.

I duket dele mileti,

Se e ka dehur pushteti,

Jo pak, njëzet e ca vjet,

A thua se është mbret.

Çudi me popullin tonë,

Dostojevskin të kujton,

Kur për popullin rus shkruan

Që ka kënaqësi kur vuan.

Ndaj dhe Rama nuk përton,

Diktatorin imiton:

Shtypi njerëzit, nxirru shkumë

Që të të duan më shumë.

Gjasat janë: do zgjatet lëmshi

Deri te dyzetenjëshi,

Qindvjetorin për të pritur

E partisë “mendjendritur”

Për çka bërë e për çka ditur

Të pjellë servilë të selitur,

Servilë të gjyshepartisë,

Shërbëtorë të Serbisë.

Moj Shqipe përballë shqotës,

Rama, ky hajdut i votës,

Të ka bër’ gazin e botës,

Po të luan mendtë e kokës.

Dhe një ditë, nesër  a sot,

Serbogreku do të thotë:

“Shqipja ka mbetur pa zot,

Shqipen e shkeli kush deshi,

Nga Maroku e Bangladeshi”.

Dhe vërtet, u turpëruam,

Trojet dot nuk i bashkuam,

Se kemi qen’ të përçarë,

Njëri-tjetrin duke vrarë,

Që nga koh’ e Ilirisë,

S’na u shqit dell’ i marrisë.

Siç duket, ka qenë bitisë,

Kemi mallkim prej Hyjnisë.

Serbogrekët po gëzojnë,

Njëri-tjetrin e urojnë,

Na përbuzin, na sfidojnë

Dhe duart rrin’ e fërkojnë.

Shqipe, kthe mendjen për mirë!

Largoje këtë qafir!

Këtë njeri të pështirë,

Sepse jetën ta ka nxirë,

Ta ka nxirë e bërë pis,

Hundën vetë e mban në lis.

Ta ka nxirë fare katran,

Asnjë lum’ dot nuk ta lan.

 

ZVËRNEC I BUKUR I DHEUT- Poezi nga Albert HABAZAJ

 

 

Zvërneci im, i bukur i dheut,

I qetë, bujar, në vendin tënd,

Dinjiteti i rrënjëve të thërret: ngrehu

Mos lejo të të fyej një që u çmend.

 

Asnjë mos lejo, as dhjetë, as njëqind

Se je siç të ka falur Perëndia,

Asnjë hiene a lugati mos iu bind

S’është erë deti, është vetë lubia.

 

Dhe njerëzit, dhe flamingot, dhe pelikanët

S’i mbajnë më dot litarët e durimit,

Ne nuk kanë as cipë, as Atdhe rrufjanët,

As fe nuk kanë, a i zëntë mallkimi!

 

Deti merr frymë rëndë me dallgë tërbimi

Dhe rëra dhe pishat ndjejnë çoroditje,

Përrenjtë e bardhë nxihen nga zemërimi

Dhe mbushin detin në buzë me tronditje.

 

Fara e ligë nuk zë kurrë në Zvërnec

Për ne Zvërnec domethënë perlë,

Dufi popullor shpërthen një shtet mistrec

Si pena e Fatos Arapit qëllon thellë.

 

Vlorë, 12.06.2026

PEMË CICËRONJËSE- Tregim nga RUZHDI GOLE

 

*
Hap çezmën, uji rrjedh, kur … kur dëgjoj tinguj. Uji rrjedh plot cicërima. Mbush pëllëmbët me tingujt e ujit, laj shplaj fytyrën, fillimisht sytë, mollëzat, hundën, buzët dhe … veshët. Veshët më gumëzhijnë më shumë se ngahera, më gumëzhijnë butë sikur të jenë afër një zgjoi pranveror.
Gjithësia shtëpiake cicëron lehtë-lehté. Shoh veten kalimthi, e këqyr në pasqyrë. Më duket sikur ajo  më ndrit xixash. Si kam parë gjer më sot, në moshën time tymtymtë.
Pasqyra merr tiparet e mia. Gjithçka shfaqet aty e vërtetë e thinjur.
Nuk më vjen keq për veten, patjetër ndjej keqardhje. Sot e gjeti kohën mysafiri im të më afrohet, të kërcej rrethrrotull strehëzës, të përpiqet të dal q’andej për të ardhur me mua në përcjelljen e …
Sot nuk do të përcjell askënd. Për këtë jami i bindur. Jo aq i bindur. Ku i dihet ditës në rrugë, rrugës në diell, diellit në breg, bregut tej thellësive se ç’ndodh?
Mbrëmë, vonë, im bir Luari, teksa po kthehej nga kryeqyteti merr mamin e vet në telefon dhe i thotë shkurt :
-Vij me një të papritur.
Vetëm kaq ?!
-Ç’është kjo e papritur, moj grua?
-Ç’të të them?
Vri mëndjen unë, vri mëndjen gruaja. Asgjë s’i thoshnim njeri-tjetrit.
Djali ynë, Luari është afër të tridhjetave. Nuk e trazojmë për jetën e tij. Edhe ai s’na thotë ndonjë të re, veç të diturave të përditshme.
Për hajër! Të jetë ndonjë e papritur … e pritur – belbëzova lehtë. Aq lehtë sa as veshët e mi nuk e dëgjuan të papriturën ose e dëgjuan paksa.
Mysafiri erdhi mbrëmë në shtëpi nga kryeqyteti. E solli im bir, Luari.
Sa u hap dera e shtëpisë Luari gjithë gaz ngriti lart një kafaz me papagallin plot tinguj.
Tingujt, cijatën menjëherë, paksa të mërzitur në jetën e fluturakut, ngaqë papagalli ishte ndarë nga të vetët. Kafazi ku rrinte prej ditënetësh po ai, por ndërroi hapësirë – mendova. Tjetër qiell, tjetër rrugë, të tjera drita dhe një fytyrë e paparë ndonjëherë prej tij : fytyra e tim biri. Si i dukej papagallit fytyra e tim biri, e qeshura e tij, fjalët? E shkurtër koha e tyre bashkë nga kryeqyteti gjer në shtëpi. Luari qeshej  e e trazonte zogun e mbyllur në kafaz duke luhatur gishtrinjtë e tij n’ajri e duke prekur telat e hollë të kafazit të zogut. Nuk ishte fole, ndoshta dukej strehëz, ndoshta as njëra as tjetra.
*
Sot, nuk do të takoj askënd… Do rri me papagallin – përsiata ndër vete. -Vetmia plot tinguj të lehtë, të ngadaltë e rrëmbimthi më gjallëron.
Hapa krahët n’ajri, i harlisa me njëritjetrin. Pas pak, këtij mëngjesi të hershëm m’u kujtua fëminia e vreshtave me ullinj e portokaj në jug. Lejlekët tek vinin në lagunën e Nartës e të Zvërnecit.Pastaj tek përcillja shtegtimin e tyre mall e trishtim. Sot unë jam me të djeshmen … edhe nesër…
Të gjitha e gjithçka jetojnë tek ky papagall.- përsiata sëdyti. -Përkëdhelitë, puthja, plagosja e krahut, gjilpëra spitalore  e mëmës sime. Po ahere ky papagall s’ishte as ëndërr, as ëndërrimtar.
Në shtëpi nuk ndihet frymë njeriu. Luari ka shkuar në studion e tij radiofonike. Gruaja doli shpejt me ditarin ditor të mësimit.
Përse të dal ?
Njerëzit janë bërë paksa të padukshëm, shumë të rrëmbyer.- mendova. – Ndonjëherë edhe fluturakë. Ndoshta unë mund të jem tani më pak afër tyre. Jo ndoshta. Unë vetmohem për të gjetur tjetër njeri tek vetja. Ndryshe nga deri tani. Dhe kur ta gjej njeriun tjetër të vetvetes do t’u afrohem më shpejt frymorëve. Ta ketë fajin papagalli? Ky papagall i egër, që unë pak nga pak po them veç gjysma fjalësh sikur dëshiroj t’i ngjaj lirikës së tij.?
Asnjë papagall nuk është i egër përderisa cicëron? A ke ndigjue ti, grua ndonjë cicërimë që të vret veshët? Asnjëherë!!!.
Kujt i fola?. Gruaja po shfleton ditarin…Luari po luan në piano.
Papagalli i ka zbutur shamatat e mia me zonjën time, ka mpakur zënkat dhe hatërmbetjet e mia me djalin. Luari tani sikur flet më pak me mua, flet më shumë me papagallin. Unë, përmes cicërimave të tij, flas me djalin?
Oh, sa gazmohet im bir!
Kaq shpejt?
Ç’mbarësi qënke, o papagall !!!
Ti, sa më sheh mua të mvrejtur, përplas krahët, sa më dëgjon mua shamator, natyrisht shamator jo vetëm mua se të vetat ka dhe gruaja, përplas krahët fort telave të strehëzës tënde pa çati. I përplas aq fort sa ca nga puplat e tua fluturojnë n’ajri, na bien në flokë, hundë vesh Unë dhe gruaja, duke parë njëri-tjetrin, ia shkrepim një gazmendi, rrokemi, puthemi e ndukemi pa pasur droje prej teje. Na duket sikur ti skuqesh, mbyll sytë, kthen kokën mënjanë…, o cicëronjës i pafundmë…
*
Mos ec aty – më foli Landi.- Mos shkel. Unë asnjëherë nuk kaloj mespërmes sheshit. Dëgjoj zëra, shpirtra…
U kthjellova. Nuk më kishte shkuar mendja t’i anashkaloja sheshit, sheshit të vogël, por ja sonte, sonte Landi…po dëgjonte akoma zërat e atyre që i mbyllën sytë nën gërmadha…
I njihja fatkeqët – foli Landi me një zë të dhimbsur si përhera.
Mua m’u bë sikur gërmadhat e grahmat po shkërmoqeshin tani para syve tanë. Ajri sikur po mbytej në terr. Terri, sonte, kacavirej lumor e i ngathët.? Pluhuri, vet i përgjakur, po ecte dorakëmbas gjithë shtjella përthithëse.?
-Ky shesh duhej të mbillej me pemë. Ose të gjelbëronte lulishte – dëgjova zë ndjeshëm Landin. –
Rrallë herë shoh ndonjë buqetë me lule mbi beton.
Kush mund ta sjell? – e pyeta unë. -Të afërmit, besoj iu gjegja vet pyetjes sime.
-Megjithatë asnjë nuk e përdhos këtë vend. Përhera është bosh. Edhe qentë e natës nuk ndyjnë këtu.- tha Landi.
Duhet të mbillen pemë këtu – përsërita fjalët e tij.- Ahere vijnë e cicërojnë zogj. Ç’është ky shesh? I gjithi beton, Sikur u merr frymën e shpirtit fatkeqëve.
Ndala anës sheshit. Veshi i mbrëmjes dëgjonte kthjellët gjithçka. Rreth e qark muzikë, fishekzjarre, pijetore, lojëra fati.
Rroftë muzika!- ngriti zërin Landi me një sinqeritet njerëzor.- Të gjitha duhen, por një pemë, një pemë e vetme hyjnore a nuk duhet mbjellë për fatkeqët e asaj nate?
(Sërish gjithandej ngjethje, të bërtitura, Fuqia njerëzore … e tkurrur, ndarë e shkelur, coptuar nga fatkeqësia. Një hapjembyllje sysh qënka Jeta.? Ndoshta po, ndoshta jo… Por tragjedia nuk qënka vetëm një kohë. Shpesh, ajo është koha vetë. Sikur ngriu gjithçka. Qielli u mbush plot stalaktite, të cilët, në fantazinë time u shfaqën përsëri këtë mbrëmje aq të gjatë e të gjatë sa mbrritën mbi kokat tona, na i gërvishën ato.)
Edhe unë mund të mos jetoja sot- foli trishtueshëm Landi.
As unë- iu gjegja.
Të dëgjosh tjetrin në grahmat e fundit. Tjetri mund të jetë dhe është i njohuri yt, komshiu yt, fisi yt, familja jote.
Tjetri, në fatkeqësi, asnjëherë nuk është i panjohur. Ai mund të jetë dhe është e qara jote dhe durimi për të mbijetuar.
*.
Një mbrëmje papagalli e braktisi kafazin e tij. I dhimbsej vetja edhe atij si njeriut. Natyrisht jo sa jeta e njeriut. Sado t’i duam e të dhembshurohemi për frymorët e tjerë në tokëqielldet, në plisarevalë, ata ndonjëherë të gënjejnë me cicërima çjerrëse, ca kafshime të thella. Të lëndojnë, të bëjnë të zësh krevatin, të rrufisësh barna. Por asnjëherë nuk të mbysin e nuk të vrasin. Ne vetplagosemi kur i qëllojmë ata me gurë e çifte.
Nuk ka humbur papagalli – më qetësoi Luari sa hyra në shtëpi dhe pashë kafazin bosh. – E lëshova vetë. Ditën cicëronte, natën grindej e përplaste krahët brenda strehëzës.
Po, po, edhe unë ia e kam dëgjuar cicërimën veç ditën.- iu gjegja Luarit.- Natën s’ka qenë i qetë.
E di përse? – më pyeti im bir dhe pa pritur fjalën time vazhdoi :
-U bënë disa mbrëmje që papagalli sheh vetëm jashta dritares. Nuk e kthen kokën as kur i fishkëllej unë.
Çfarë sheh ky papagall veç një Zot e di- fola unë.
E di dhe unë, ndoshta edhe para zotit, – m’u gjegj Luari. – Papagalli gjithë këto mbrëmje ka parë veç sheshin. Zgjaste kokën, çukiste me sqep mbi xham dhe…M’u dhimbs. Ia  hapa dritaren. Ai kërceu vrullti, ktheu kryet pas sikur më përshëndeti dhe fluturoi. I shkurtër fluturimi i tij.
Po nuk fluturove ecën vetëm pupthi – fola unë.
Jo, jo nuk e ka harruar kaq shpejt fluturimin – buzagazi Luari.
At e bir po vështronim nga dritarja. Papagalli i ulur në mes të sheshit. Eci pak hapa. Papritur hapi krahët por nuk u ngut e nxit’ të fluturonte. Nisi të eci prapë me ngadalë duke ledhatuar gjithandej sheshin me krahët e hapura. Shpupuriti buqetën. Me sqep mori një nga lulet. Eci paksa dhe e la në njerin cep të sheshit. Duke kërcyer lehtas u kthye tek buqeta e shpupuritur. Mori një lule tjetër, një tjetër pastaj, një tjetër. I shpërndau lulet në shesh. Ky ledhatim i mungonte shpirtrave fatkeqë.
Zogu ktheu kryet nga dritarja e shtëpisë. Aty i mbetën sytë.
Edhe tek papagalli i egër paska ndjesi dhembshurie ?
Duhet shembur, duhet shembur me patjetër gjithë ajo shtresë e ftohtë betoni – foli  qetë im bir.
Duhen mbjellë pemë. Pema është hyjnore për të gjithë frymorët.- përsiata për të disajtën herë.
Po e lë dritaren hapur – tha Luari.
Ajri i freskët, pak nga pak, po mbushte mushkëritë e mbrëmjes bregdetare.
Zgjoi pranveror jeton tek im bir. Shtjella përvëluese dhe e vakët, e rrokshme duf e mpakje tek gruaja ime dhe…unë.
A besoni ju në fantazinë time ?

SOT…- Poezi nga FETAH SHEHOLLI

 

 

Të kërkova:
Nën hijen e rrushit
Nën degët e kumbullës
Në çdo qosh të shtëpisë

Sot
Nuk je në ditëlindjen time
Për herë të parë
Do të më mungosh
Edhe në të tjerat
Derisa jam gjallë

Lëmova me afsh
Parfumin erëkëndës
E këmishën e bukur
Shijova aromën tënde
Preka gjurmët e gishtave tu
Oh, i shtrenjti Ngadhnjimi im!

Të gjeta
Në fotografitë e para një viti
Me atë buzëqeshjen tënde të ëmbël
Mungesa jote m’u bë eshkë në zemër

E di:
Të tjerët
Edhe për asgjë
Bëjnë muzikë
Vallëzojnë e dalldisen…

Unë s’i kuptoj
Nuk i shoh
As nuk i dëgjoj

Jam i mbërthyer
Në lëvozhgën e mallit tim
Ku fytyra jote kristal
Po më fisnikëron qëndrimin
Pip në këmbë

14 qershor 2026

Mjegull mbi Tiranë, mjegull mbi Prishtinë- Poezi satirike nga ARIF EJUPI

 

(Kjo poezi satirike pasqyron zhgënjimin qytetar ndaj etjes për pushtet dhe largimit të shumë njerëzve nga profesionet e tyre për interesa politike e materiale. Përmes figurave të forta poetike, autori ngre shqetësimin se vetëm respektimi i profesionit, përgjegjësisë dhe institucioneve mund ta nxjerrë Kosovën dhe Shqipërinë nga “mjegulla” e krizës dhe përçarjeve politike.)

 

Pse gjithë kjo dëshirë dhe etje
për t’u marrë me politikë?

Aktori, këngëtari, mjeku,
prokurori, mësuesi,
ushtaraku, farmacisti,
punëtori, hoxha e prifti…

Aktori duhet të jetë
në film e teatër.

Këngëtari në estradë,
e jo Kuvendit
me iu bërë metastazë.

Mjeku në ordinanca e spitale.

Mësuesi në shkolla.

Punëtori në fabrika e uzina.

Ushtaraku në Armatë.

Prokurori në Prokurori.

Farmacisti në farmaci.

Hoxha në xhami
e prifti në kishë.

Kur secili kryen punën
në profesionin e vet,
atëherë mund të kemi
institucione të shëndetshme
dhe shtet.

Të gjithë e kemi kuptuar
se pa qenë në Parlament e në Qeveri,
s’do ta kishit gjithë këtë pasuri.

Katër veta në një shtëpi,
secili me nga një parti.

Rroga të majme e mëditje,
fare pa punuar,
njëri-tjetrin duke akuzuar
e sabotuar.

Shumica prej jush,
t’u e ndjekur gjahun
nga partia në parti,
keni varfëruar
Kosovë e Shqipëri.

Kaluan muaj e stinë mjegull
mbi Tiranë,
mjegull mbi Prishtinë.

 

ARIF EJUPI
Gjenevë, 13 maj 2026

TROPOJA E MBULUAR ME PLISBARDHË- Fotoreportazh nga TAHIR BEZHANI

 

Kulla e Brahim Hoxhë Dollapit në retrospektivë kohe.

 

Qielli i mëngjesi i datës 20 qershor 2026 ishte i kthjellët si loti. Dukshëm vërehej se temperaturat në  këtë ditë do  ishin të larta. Megjithatë, nuk e kishin fuqinë e ndalimit të udhëtimit deri në Koçanaj të Malësisë së Gjakovës, Tropojë në Festen e Plisit. E dija ditën më parë se do mbahej manifestimi i 13 -të me radhë, organizuar nga ideatori, aktori, poeti, krijuesi e punëtori i palodhshëm në jetën kulturore e jo vetëm, Ismet Krasniqi -Lala.

Isha tejet i gëzuar për ftesën si pjesëmarrës i këtij manifestimi tani tradicional. Tropoja ime them shpesh në biseda me miq e shokë. Ka vite, afër tri dekada që shkoj shpesh në këtë  zemër të shqiptarisë. Tani aty flen gjysma e zemrës sime, e kam “hisen” e ndarë si nip. Rrugëtimin për në Tropojë e bëj symbyllas. Më tërheqin miqtë krijues, më kanë “marrë” zemrën dhe jetojmë se bashku, me Lulin, Gjonin, Delinë, Asllanin, Rexhepin, por edhe me ata që kanë ndërruar jetë tani, i kujtojmë pandarë, Haki Zllamin, Ibrahim Malajn, ShabanNokshiqin, Avdyli Sulën, Sejdi Berishën etj. Një lidhje e fortë vëllazërore si mishi e  ashti . Kështu do jetë përgjithmonë, mjaft më ndarje të dhunshme, ikën ato kohë…. Tani jemi së bashku kudo!

U zgjova herët të shtunën e 20 qershorit. U përgatitem për rrugëtim në Tropojë. Kisha njoftuar edhe mikun Bardhyl Ferizi që së bashku të jemi në atë event me rëndësi të veçantë. Pasi u dëgjuam përmes telefonit, caktuam vendtakimin dhe u nisem për Bajram Curri në ora 09-të me një gëzim të pashpjeguar.

Me Bardhyl Ferizin gjatë udhëtimit, përballë Shkelzenit , fotokujtim.

Kufirin në Qafë Morinë e kaluam mrekullueshëm. Sa  ëmbël dukej “kufiri” me përshëndetjen e zyrtarëve kufitarë! A mund erdhët vëllezër, a u lodhët rrugës?! Kalofshi ditë të bukur!- ishin fjalët e këndshme të policivë kufitare. Vazhduam rrugë deri mbi liqenin artificial në Kasaj. Përballë Shkëlzenit bëmë fotokujtime me mikun Bardhyl Ferizi. Ferizi është profesionalist, i njohur  për foto të bukura.

Në qytetin alpin, Bajram Curri mbërritëm fiks në ora 09,50. Në tavolinat e hotel “Turizmit” ndihej arome pishe, blini, vinte ajri bjeshke dhe krijohej mrekullia në hapë të parë. Aty na priste miku Deli Metalija, koreografi e valltari njohur në trojet shqiptare, i dekoruari nga Presidenti i Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i madh” dhe më pas ‘’Nderi i kombit’’

Pas kafeve të mëngjesit në atë mrekulli, me makinë të Delisë,  u nisëm për në fshatin Koçanaj. Nuk ishte larg qytetit, tamam në grykë të Valbonës.

Shpejt u gjendem para asaj madhështie historike. Oborri, bahçja dhe kulla ishin të vogla për gjithë ata burra e gra me plisa të bardhë nga e gjithë shqiptaria: Shqipëria, Kosovë, Maqedoni, Presheva , diaspora etj.

Kulla e Brahim Hoxhë Dollapit, shkallët hyrës në oden e burrave, kati II

Kulla ishte arkitekturë  trashëguese, më shkallë dhe frengji. Në hyrje për në oden e burrave, në mure ,ishte një pllakë  me mbishkrimin:

” Këtu ka pushuar Isa Boletini me shokë tjerë”.

Sa rrëqethëse! Imagjinata të rikthente në  kohë dhe ndjeshmëria të diktonte lavdinë ”, këtu edhe unë, ku ishin ata, trimat e kombit, prijsat e Lëvizjes Shqiptare për lirinë dhe bashkimin kombëtarë. Ata që luftuan deri në vdekje armiqtë turq e serbosllavë.”

Padashur sytë mbushën me lot e nuk derdhen, e ruajnë krenarinë….

Pas disa çasteve në odën e burrave të kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, sipas skenarit të programit, dolëm në oborr me shoqërim  të  rapsodëve me këngë majekrahu për Brahim Hoxhë Dollapin dhe bëmat e tij.

Në oborrin e kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, tani të trashëgimtarit, nipit, Sahit Dollapi,  ideatori i Festës së Plisit, Ismet Kraniqi-Lala, hapi manifestimin e 13-të me radhë, me fjalët më të zgjedhura për atë tubim të mrekullueshëm.

Ismet Krasniqi-Lala dhe Agron I. Gjedija gjate manifestimit të Ditës së Plisit në Koçanaj-Tropojë.

Pamje nga manifestimi, oborri i shtëpisë, kullës së Brahim Hoxhë Dollapi, Koçanaj-Tropojë.

 

 

Duke shpaluar kujtesën ndër vite për këtë manifestim, Ismet Krasniqi Lala, theksoi meritat edhe të bashkëpunëtoreve të tij të pandashëm, si Prend  Buzhala, Agron I. Gjedija etj. Ismeti potencoi se iniciator për këtë manifestim në kullën e Brahim Hoxhë Dollapit në Koçanaj të Tropojës, ishte nipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini nga Boletini i Mitrovicës. Për rëndësinë historike të kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, folën disa folës, emra të njohur të historisë e kulturës sonë, të cilët u dëgjuan me shumë kureshtje nga të pranishmit megjithëse temperaturat e larta e kishin përfshi ambientin.

Në fjalën e tij, Ismet Krsniqi-Lala, theksoi me pak fjalë rëndësinë historike të kësaj kulle:” sot gjendemi në Kullën e Brahim Hoxhë Dollapit në fshatin Koçanaj të Tropojës, kullë me një histori të veçantë në rezistencën ndaj pushtetit Otoman. Këtu qëndruan, morën vendime të mëdha për kombin, për pavarësinë e Shqipërisë, për bashkimin kombëtarë, Kullë kjo, ku qëndruan trimat e kohës si Isa Boletini,  Hasan Prishtina, Bajram Curri,,Azem e Shote Galica, e shumë të tjerë”. Ideatori i Festës së Plisit përfundoi fjalën duke falënderuar Agron I. Gjedinë për bashkëpunim me theks të veçantë se “të bashkuar mund të bëjmë çdo punë të  mirë, të ndarë nuk arrijmë asgjë të mirë…” Lala u përcoll me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Bukuri pa koment!…

Këtë manifestim, nga më të mirët që nga fillimi e madhështuan pjesëmarrës të moshave të ndryshme, ku takimi mori sharmin e këndshëm nga folësit e shumtë. I  veçantë ishte plaku 89 vjeç, nga Doberdoli i Klinës në Kosovë, Mark Pjeter Berisha, i cili foli për plisin nëpër kohë, vuajtjet për mbajtjen e tij nga sundimtarë, qëndresën dhe krenarinë e bardhësisë së plisit ndër shekuj. Ai tregoi se plisin e mban në kokë që nga mosha 12 vjeç, pa e hequr kurrë. Plaku i deklaroi dy gjëra si porosi: kudo që ka shqiptarë, anekënd rruzullit tokësor, le ta mbajnë me krenari plisin e bardhë, identitet i yni kombëtarë. Porosia tjetër ishte: “lindni sa më shumë fëmijë sepse sa më shumë fëmijë, aq më shumë Shqipëri!.”

Me duartrokitje dhe të qeshura u pritën porositë e plakur 89 vjeç, si porosi të qëndrueshme në çdo kohë. Me kumtesa interesante u paraqiten  Agron Isa Gjedija,  Prend Buzhala, Gazmend Boletini etj. Ishte tejet tërheqëse dhurimi i një pikture, portret i Isa Boletinit nga piktorja e mirënjohur tetovare, Besa Dauti ,e cila ia dhuroi  nipit të Isa Boletinit, Gazmend Boletinit.

Portet Isa Boletinit, punuar nga Besa Dauti nga Tetova.

Moment i këndshëm ishte rasti kur drejtori i DKRS të Mitrovicës, z. Gazmend Asllani, në emër të komunës, i ndau dekoratë për kullën e Brahim Hoxhë Dollapit ,me motivacion e rëndësi historike të rezistencës ndaj armiqëve të vendit. Këtë dekoratë e pranoi  Sahit Dollapi, trashëgimtarë i Brahim Hoxhë Dollapit.

Këtë manifestim  me shumë peshë historike e përshëndeti edhe kryetari Bashkisë së Tropojës ,z. Rexhë Biberaj ,i cili u respektua me duartrokitje të gjata. Kryebashkiaku Biberaj, ndau dekorate postmortum për Kullën e Brahim Hoxhë Dollapit.

 

Foto majtas, kryebashkiaku Rexhë Biberaj duke ia dhënë dekoratën pronarit te shtëpisë ,trashëgimtarit, Isë Dollapi.

 

Nga oda e burrave kanë lindur anekdotat dhe në oda burrash janë përdorë duke trajtuar ngjarje e tema interesante, të mprehta me shume filozofi kohore sipas zaptuesve dhe ecurive kohore. Edhe këtë event e hijeshoj mbledhësi i urtësisë popullore, z. Muzafer Osmani nga Ferizaj, duke interpretuar disa sosh nga ky thesar. Pika kulminante të bukurisë festive ishin edhe pikat muzikore  ku veçohej vallja e Tropojës nga grup vajzash e djem të rin,j pastaj me këngë folklorike nga rapsodët e mirënjohur, Nazmi Hajdari, Ramë Dollapi etj.

E gjithë kjo ditë e bukur, e nxehtë, e mbushur me gëzim e hare, me pune të vlefshme, me shumë angazhime, përfundoi në hotel “Sylbica”, në një drekë të përbashkët ku vazhdoi gjatë kënga, hareja, miqësia e papërshkruar e pjesëmarrësve të shumtë. Ishte kënaqësi e dukshme kur brenda sallës së hotelit” Sylbica” shkëlqenin plisat e bardhë si vetë bardhësia shqiptare….

 

Tropojë, 20 Qershor 2026

PËR NJË KRYENGRITJE MORALE! – MES TË RINJVE ZËRI RINOR I ATJONIT…

“Për atë që dua(m)” – është libri me me traktate, siç i quanti autori i tyre, shkrimet e tij të shkurtëra, Atjon Zhiti, studenti i Filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, në Itali.
Shokët dhe miqtë, po edhe lexuesit, i kujtojnë ato vëzhgimet e tij rinore, me atë vrullin studentor të para 10-12 vjetëve, qartësinë dhe porositë si “kredo” dhe që ndjehen aktuale e të freskëta dhe që botoheshin shpesh në median shqiptare dhe nëpër botë.
Po sjellim sot copëza nga gazetat me shkrime të tij me emërtime të reja:
Ishte Atjoni që e tha kështu:
Të bëjmë
një kryengritje morale!
FUQIA QYTETARE
.
A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit?
E përsëris: shtetari pa shtetasin është një hiç
Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja. Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre.
Gjithçka deri tani është e ditur, por jo e mirëkuptuar.
Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojmë “personazhet publikë” të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike. Kjo gjendje e brishtë konsiston në kalimin nga një status i të qenit në një tjetër, në një lak kohor relativisht të shkurtër ose të gjatë që tejkalohet. Në rastin tonë është kalimi nga një regjim diktatorial në një republikë demokratike, ku në të ka patur dhe një minifaze tjetër tranzicioni nga republikë presidenciale në atë parlamentare, totalisht e paparashikuar, në limitet e absurditetit dhe simbol mosfunksionimi.
.
TRENI I DIKURSHËM
.
Kisha marr trenin Tiranë-Durrës për arsyen e thjeshtë se gjithmonë më kishin tërhequr muzeumet dhe kurrë s’kisha parë një repert industrial në një muze ambulant. Në një pikë të “udhëtimit” dhe nuk di se ku, pashë një moçal, i cili me tërhoqi e më bëri kurioz. Doja të dija se si qe krijuar dhe me pak kërkim mësova se procesi i krijimit të tyre quhet eutrofizimi i ujrave, ku pellgjet me ujra të embël, liqenet, kur nuk kanë më fluksin e një lumi ose rrëkeje, pasurohen me nitrat e fosfat, të cilat janë ushqyese per alga dhe mikrovegjetacione që konsumojnë gjithë oksigjenin duke ja mohuar gjithë krijesave të tjera dhe në fund dhe vetë vetes, derisa ekosistemi kthehet në moçal e kurth vdekjeprures. Gjithsesi.
Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shteterore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikerisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.
Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete. Aty duket fillimi i një pasurimi me substanca të ndryshme, që në të vërtetë përthithen nga pak, nga ana tjetër shkaktohet vdekje e ata pak harrojnë se shuhen bashkë me atë çka krijuan.
Politika duket sikur ka mbërritur një periudhë stabiliteti dhe simptomat e tumorit kurohen si të një migrene, pasi nuk është realisht e stabilizuar e bashkë me të dhe vendi, por vetëm shtresa e “politikëbërsave”.
Po të vërejmë rreth e rrotull, jo me shumë vëmendje, shohim se ka vetëm një rotacion mbiemrash e jo ndërrime metodash pune e idealesh, të paktën sa për të respektuar denominacionin partiak.
Duhet të pranoj ama se çdokush ka ardhur me ide të ndryshme mbi “ç’do bej”, por duhet të pranohet nga ne të gjithë se këto kanë lindur nga intuita të paplota dhe si të tilla janë të pamjaftueshme. Pamja ndryshon, por konsistenca mbetet e njëjta e kjo gjë kuptohet thjesht duke i hedhur një sy realitetit.
.
FLATRA E THYER
QË KËRKON NDIHMË
.
…një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmerisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetem të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.
Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i permbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?
.
NË KËRKIM TË…
.
Shumë kërkues, studiues dhe arkeologë të famshëm, madje çuditërisht dhe Hitleri, kërkonin Agartin, një vend fantastik, ndoshta jo ekzistues, dhe thuhet se portat e kësaj mbretërie ndodhen në Indi. Agarti mendohet se është një mbretëri e nëndheshme e krijuar për njerëz të përsosur për të shpëtuar nga një kataklizëm. Këta banorë me inteligjencën dhe diturinë e tyre të pamasë, nuk bënin luftëra, por ata krijuan një rrjet komunikimi të nëndheshëm.
Agarti është thjesht një mit, është thjesht një kërkim përsosmërie, paqeje që neve njerëzve bashkëkohorë na mungon. Kërkimi i Agartit është thjeshtë një sinonim i kërkimit të vetvetes, sepse të gjithë neve na mungon ajo përsosmëri, pak njerëz ia kanë dalë të gjejnë vetveten, atë përsosmëri ose mund të them se vetëm një njeri ia ka dalë dhe ai është Sokrati me Dajmonin e tij, (δατμον), shpirtin e tij paqësor e të përsosur, megjithëse koha, demokracia, Athina, e cila është shembull i të gjitha qeverive në botë njëkohësisht ishte dhe simbol korruptimi si qeveritë sot.
Si mundi një shëmbëlltyrë si Athina të dëmtonte të Përsosurin? Mirë, e lëmë Sokratin…
Kërkimin e Agartit në mënyrë simbolike e ka bërë dhe përfaqësuesi më i famshëm i rrymës filozofike cinike Diogjeni. Ai gjatë ditës shëtiste me disa kandilë të ndezur, njerëzit e pyesnin se çfarë kërkonte e ai përgjigjej: Njeriun.
Njerëzit për këtë e mendonin si ai ishte i çmendur, por ama ai kishte të drejtë, kërkonte vërtet njeriun e përsosur që ndodhej në Agart. Prandaj Agarti është thjeshtë kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie. Ajo çiltërsi, pastërti e përsosmëri që te njerëzit e sotëm na mungon.
.
Nga libri “Për atë që dua(m)”,
UetPress, 2015, Tiranë.

Gara e të pangopshmëve- Poezi nga ARIF EJUPI

 

Armatosen.
Vrasin.
Pushtojnë.

Djegin, shkatërrojnë —
rrugë që vetëm në varre çojnë.

U tret njerëzorja,
humanizmi,
miqësia;
në sipërfaqe doli interesi
dhe egërsia.

Më lehtë merren vesh kafshët mes vete
se sa njeriu me njeriun.

Botë e shfrenuar,
botë e degjeneruar,
të fuqishmit në garë:
kush më shumë po rrëmben
e rrënon.

Dikush dehet nga luksi
e sevdaja.
Dikush vdes nga uria.

Njeriu për njeriun
jo ujk,
por mortajë:
prangos,
plagos,
dhunon,
vret
e miliona zemra helmon.

Fare nuk pendohet,
por prapë planifikon krim të ri.

Njeriu —
qenia më e përsosur
dhe më e pamëshirshme
e rruzullit tokësor.

 

Arif Ejupi
Gjenevë, 15 maj 2026

Shënim i autorit:
Kjo poezi lindi nga një pamje konkrete në Gjenevë, gjatë kohës kur në Evian të Francës mbahej samiti i G7. Miliona u shpenzuan për vendosjen e grilave mbrojtëse në dyqane, banka dhe objekte të tjera, për t’u mbrojtur nga të pastrehët, të uriturit dhe të zemëruarit, ndërkohë që bota vazhdonte të përballej me luftëra, uri, padrejtësi dhe pabarazi të thellë.

FSHEHTAS MË FALJE DASHURI- Poezi nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar nënës sime, në 17-vjetorin e ndarjes nga jeta)

 

Ishin zakone të mbrapshta,
relikte pushtimesh ndër shekuj.
Po të më doje e të më ledhatoje,
do të mëkatoje.

Larg syve të të tjerëve,
prapa perdeve,
i kaloje netët pagjumë,
duke më dhënë gji
e duke më falur ngrohtësi.

Herët në mëngjes mjelje
dele e lopë,
pastaj vazhdoje punën
në ara e kopsht.

Punëtore si bletë,
me duart e tua të arta,
na rrite pa i trokitur
askujt në derë.

Kishe zemër të bardhë
dhe ishe solidare.
Gjithçka që kishe,
me të tjerët e ndaje.

Ishe vërtet bukëdhënëse
dhe e dëlirë;
secili që të njohu
të kujton për të mirë.

Prehu në paqe
dhe qëndro e qetë,
se ishe grua
dhe nënë e vërtetë.

Nga mërgimi
rrallë të vij te varri,
por për Ty kurrë
s’më shuhet malli.

Arif Ejupi

Për Tyn’zonë (Kushtuar rinisë kryengritëse të Tiranës)- Nga REX KASUMAJ

Poezia ime e parë revolucionare në jetë, e shkruar sot…
Qershor, 2026
.
Cili varg poezie
sado i pabukur
provincial
që aq shumë duron
shëmtinë e tiranisë
të shkruaj përballon
.
Ç’figura të befta
plot magji ylberore
e mall
nga rr’fimi bien
kur ai, o Zot, hijeson
në përrallë
.
Cila vesë muzgu
pa xixëllonja s’do
të vuante
kur tirani sykeq
bukurinë do t’u
truante
.
Pse gjirin për fëmijën
nëna do të humbte
një natë
kur tirani
fshehtë sehironte
mbi Dhéun e ngratë
.
Kush? Rinia e harruar
njëj agu u zgjua
dhe i bëri be’në
kjo tokë e jona është
për Tyn’zonë, Skënderbenë…
.
R

O idhulli im, shpëtimtari i popullit tim- Nga ARIF EJUPI

 

(Vargje mirënjohjeje Presidentit amerikan William Jefferson Clinton, mikut të madh të Kosovës. )

Me të gdhirë dita
e me t’u ngrysur nata,
o idhulli im,
o shpëtimtari i popullit tim,
lutem për Ju.

Me mua luten toka,
qielli, dielli e hëna,
dhe miliona zemra nënash,
të cilave dhimbjen
ua ktheve në besim e shpresë
për jetë të re.

Ëndërr e kam
të marr në përqafim,
të puth ballin
e të falënderoj,
që na nxore nga dhëmbët
e shtrigës plakë,
që kudo la varre,
gjëmë e plagë.

Paç uratën e Zotit,
që shpëtove mijëra jetë njerëzish
nga kthetrat e fashistëve
dhe sadistëve!

Sa herë shkoj në Prishtinë,
kërkoj hapat e tu.
Të fala edhe në Nju-Jork të çoj,
sa të jem gjallë
do të kujtoj.

O idhulli im,
o shpëtimtari i popullit tim,
o arkitekt urash e miqësish,
o luftëtar i pakompromis
kundër prangave
dhe diktaturave.

Me veprën tënde humane,
nga netët e Shën Bartolemeut
na i ngjalle shpresat e fashitura
për jetë dhe të ardhme.

Me emrin tënd
pagëzuam djem e sheshe.

Emri yt kudo dëgjohet,
emri yt kudo nderohet,
emri yt përjetësisht do të kujtohet,
sa të ketë shqiptarë
mbi këtë tokë!

Arif Ejupi
Gjenevë, 23 maj 2026

 


Send this to a friend