*
Hap çezmën, uji rrjedh, kur … kur dëgjoj tinguj. Uji rrjedh plot cicërima. Mbush pëllëmbët me tingujt e ujit, laj shplaj fytyrën, fillimisht sytë, mollëzat, hundën, buzët dhe … veshët. Veshët më gumëzhijnë më shumë se ngahera, më gumëzhijnë butë sikur të jenë afër një zgjoi pranveror.
Gjithësia shtëpiake cicëron lehtë-lehté. Shoh veten kalimthi, e këqyr në pasqyrë. Më duket sikur ajo më ndrit xixash. Si kam parë gjer më sot, në moshën time tymtymtë.
Pasqyra merr tiparet e mia. Gjithçka shfaqet aty e vërtetë e thinjur.
Nuk më vjen keq për veten, patjetër ndjej keqardhje. Sot e gjeti kohën mysafiri im të më afrohet, të kërcej rrethrrotull strehëzës, të përpiqet të dal q’andej për të ardhur me mua në përcjelljen e …
Sot nuk do të përcjell askënd. Për këtë jami i bindur. Jo aq i bindur. Ku i dihet ditës në rrugë, rrugës në diell, diellit në breg, bregut tej thellësive se ç’ndodh?
Mbrëmë, vonë, im bir Luari, teksa po kthehej nga kryeqyteti merr mamin e vet në telefon dhe i thotë shkurt :
-Vij me një të papritur.
Vetëm kaq ?!
-Ç’është kjo e papritur, moj grua?
-Ç’të të them?
Vri mëndjen unë, vri mëndjen gruaja. Asgjë s’i thoshnim njeri-tjetrit.
Djali ynë, Luari është afër të tridhjetave. Nuk e trazojmë për jetën e tij. Edhe ai s’na thotë ndonjë të re, veç të diturave të përditshme.
Për hajër! Të jetë ndonjë e papritur … e pritur – belbëzova lehtë. Aq lehtë sa as veshët e mi nuk e dëgjuan të papriturën ose e dëgjuan paksa.
Mysafiri erdhi mbrëmë në shtëpi nga kryeqyteti. E solli im bir, Luari.
Sa u hap dera e shtëpisë Luari gjithë gaz ngriti lart një kafaz me papagallin plot tinguj.
Tingujt, cijatën menjëherë, paksa të mërzitur në jetën e fluturakut, ngaqë papagalli ishte ndarë nga të vetët. Kafazi ku rrinte prej ditënetësh po ai, por ndërroi hapësirë – mendova. Tjetër qiell, tjetër rrugë, të tjera drita dhe një fytyrë e paparë ndonjëherë prej tij : fytyra e tim biri. Si i dukej papagallit fytyra e tim biri, e qeshura e tij, fjalët? E shkurtër koha e tyre bashkë nga kryeqyteti gjer në shtëpi. Luari qeshej e e trazonte zogun e mbyllur në kafaz duke luhatur gishtrinjtë e tij n’ajri e duke prekur telat e hollë të kafazit të zogut. Nuk ishte fole, ndoshta dukej strehëz, ndoshta as njëra as tjetra.
*
Sot, nuk do të takoj askënd… Do rri me papagallin – përsiata ndër vete. -Vetmia plot tinguj të lehtë, të ngadaltë e rrëmbimthi më gjallëron.
Hapa krahët n’ajri, i harlisa me njëritjetrin. Pas pak, këtij mëngjesi të hershëm m’u kujtua fëminia e vreshtave me ullinj e portokaj në jug. Lejlekët tek vinin në lagunën e Nartës e të Zvërnecit.Pastaj tek përcillja shtegtimin e tyre mall e trishtim. Sot unë jam me të djeshmen … edhe nesër…
Të gjitha e gjithçka jetojnë tek ky papagall.- përsiata sëdyti. -Përkëdhelitë, puthja, plagosja e krahut, gjilpëra spitalore e mëmës sime. Po ahere ky papagall s’ishte as ëndërr, as ëndërrimtar.
Në shtëpi nuk ndihet frymë njeriu. Luari ka shkuar në studion e tij radiofonike. Gruaja doli shpejt me ditarin ditor të mësimit.
Përse të dal ?
Njerëzit janë bërë paksa të padukshëm, shumë të rrëmbyer.- mendova. – Ndonjëherë edhe fluturakë. Ndoshta unë mund të jem tani më pak afër tyre. Jo ndoshta. Unë vetmohem për të gjetur tjetër njeri tek vetja. Ndryshe nga deri tani. Dhe kur ta gjej njeriun tjetër të vetvetes do t’u afrohem më shpejt frymorëve. Ta ketë fajin papagalli? Ky papagall i egër, që unë pak nga pak po them veç gjysma fjalësh sikur dëshiroj t’i ngjaj lirikës së tij.?
Asnjë papagall nuk është i egër përderisa cicëron? A ke ndigjue ti, grua ndonjë cicërimë që të vret veshët? Asnjëherë!!!.
Kujt i fola?. Gruaja po shfleton ditarin…Luari po luan në piano.
Papagalli i ka zbutur shamatat e mia me zonjën time, ka mpakur zënkat dhe hatërmbetjet e mia me djalin. Luari tani sikur flet më pak me mua, flet më shumë me papagallin. Unë, përmes cicërimave të tij, flas me djalin?
Oh, sa gazmohet im bir!
Kaq shpejt?
Ç’mbarësi qënke, o papagall !!!
Ti, sa më sheh mua të mvrejtur, përplas krahët, sa më dëgjon mua shamator, natyrisht shamator jo vetëm mua se të vetat ka dhe gruaja, përplas krahët fort telave të strehëzës tënde pa çati. I përplas aq fort sa ca nga puplat e tua fluturojnë n’ajri, na bien në flokë, hundë vesh Unë dhe gruaja, duke parë njëri-tjetrin, ia shkrepim një gazmendi, rrokemi, puthemi e ndukemi pa pasur droje prej teje. Na duket sikur ti skuqesh, mbyll sytë, kthen kokën mënjanë…, o cicëronjës i pafundmë…
*
Mos ec aty – më foli Landi.- Mos shkel. Unë asnjëherë nuk kaloj mespërmes sheshit. Dëgjoj zëra, shpirtra…
U kthjellova. Nuk më kishte shkuar mendja t’i anashkaloja sheshit, sheshit të vogël, por ja sonte, sonte Landi…po dëgjonte akoma zërat e atyre që i mbyllën sytë nën gërmadha…
I njihja fatkeqët – foli Landi me një zë të dhimbsur si përhera.
Mua m’u bë sikur gërmadhat e grahmat po shkërmoqeshin tani para syve tanë. Ajri sikur po mbytej në terr. Terri, sonte, kacavirej lumor e i ngathët.? Pluhuri, vet i përgjakur, po ecte dorakëmbas gjithë shtjella përthithëse.?
-Ky shesh duhej të mbillej me pemë. Ose të gjelbëronte lulishte – dëgjova zë ndjeshëm Landin. –
Rrallë herë shoh ndonjë buqetë me lule mbi beton.
Kush mund ta sjell? – e pyeta unë. -Të afërmit, besoj iu gjegja vet pyetjes sime.
-Megjithatë asnjë nuk e përdhos këtë vend. Përhera është bosh. Edhe qentë e natës nuk ndyjnë këtu.- tha Landi.
Duhet të mbillen pemë këtu – përsërita fjalët e tij.- Ahere vijnë e cicërojnë zogj. Ç’është ky shesh? I gjithi beton, Sikur u merr frymën e shpirtit fatkeqëve.
Ndala anës sheshit. Veshi i mbrëmjes dëgjonte kthjellët gjithçka. Rreth e qark muzikë, fishekzjarre, pijetore, lojëra fati.
Rroftë muzika!- ngriti zërin Landi me një sinqeritet njerëzor.- Të gjitha duhen, por një pemë, një pemë e vetme hyjnore a nuk duhet mbjellë për fatkeqët e asaj nate?
(Sërish gjithandej ngjethje, të bërtitura, Fuqia njerëzore … e tkurrur, ndarë e shkelur, coptuar nga fatkeqësia. Një hapjembyllje sysh qënka Jeta.? Ndoshta po, ndoshta jo… Por tragjedia nuk qënka vetëm një kohë. Shpesh, ajo është koha vetë. Sikur ngriu gjithçka. Qielli u mbush plot stalaktite, të cilët, në fantazinë time u shfaqën përsëri këtë mbrëmje aq të gjatë e të gjatë sa mbrritën mbi kokat tona, na i gërvishën ato.)
Edhe unë mund të mos jetoja sot- foli trishtueshëm Landi.
As unë- iu gjegja.
Të dëgjosh tjetrin në grahmat e fundit. Tjetri mund të jetë dhe është i njohuri yt, komshiu yt, fisi yt, familja jote.
Tjetri, në fatkeqësi, asnjëherë nuk është i panjohur. Ai mund të jetë dhe është e qara jote dhe durimi për të mbijetuar.
*.
Një mbrëmje papagalli e braktisi kafazin e tij. I dhimbsej vetja edhe atij si njeriut. Natyrisht jo sa jeta e njeriut. Sado t’i duam e të dhembshurohemi për frymorët e tjerë në tokëqielldet, në plisarevalë, ata ndonjëherë të gënjejnë me cicërima çjerrëse, ca kafshime të thella. Të lëndojnë, të bëjnë të zësh krevatin, të rrufisësh barna. Por asnjëherë nuk të mbysin e nuk të vrasin. Ne vetplagosemi kur i qëllojmë ata me gurë e çifte.
Nuk ka humbur papagalli – më qetësoi Luari sa hyra në shtëpi dhe pashë kafazin bosh. – E lëshova vetë. Ditën cicëronte, natën grindej e përplaste krahët brenda strehëzës.
Po, po, edhe unë ia e kam dëgjuar cicërimën veç ditën.- iu gjegja Luarit.- Natën s’ka qenë i qetë.
E di përse? – më pyeti im bir dhe pa pritur fjalën time vazhdoi :
-U bënë disa mbrëmje që papagalli sheh vetëm jashta dritares. Nuk e kthen kokën as kur i fishkëllej unë.
Çfarë sheh ky papagall veç një Zot e di- fola unë.
E di dhe unë, ndoshta edhe para zotit, – m’u gjegj Luari. – Papagalli gjithë këto mbrëmje ka parë veç sheshin. Zgjaste kokën, çukiste me sqep mbi xham dhe…M’u dhimbs. Ia hapa dritaren. Ai kërceu vrullti, ktheu kryet pas sikur më përshëndeti dhe fluturoi. I shkurtër fluturimi i tij.
Po nuk fluturove ecën vetëm pupthi – fola unë.
Jo, jo nuk e ka harruar kaq shpejt fluturimin – buzagazi Luari.
At e bir po vështronim nga dritarja. Papagalli i ulur në mes të sheshit. Eci pak hapa. Papritur hapi krahët por nuk u ngut e nxit’ të fluturonte. Nisi të eci prapë me ngadalë duke ledhatuar gjithandej sheshin me krahët e hapura. Shpupuriti buqetën. Me sqep mori një nga lulet. Eci paksa dhe e la në njerin cep të sheshit. Duke kërcyer lehtas u kthye tek buqeta e shpupuritur. Mori një lule tjetër, një tjetër pastaj, një tjetër. I shpërndau lulet në shesh. Ky ledhatim i mungonte shpirtrave fatkeqë.
Zogu ktheu kryet nga dritarja e shtëpisë. Aty i mbetën sytë.
Edhe tek papagalli i egër paska ndjesi dhembshurie ?
Duhet shembur, duhet shembur me patjetër gjithë ajo shtresë e ftohtë betoni – foli qetë im bir.
Duhen mbjellë pemë. Pema është hyjnore për të gjithë frymorët.- përsiata për të disajtën herë.
Po e lë dritaren hapur – tha Luari.
Ajri i freskët, pak nga pak, po mbushte mushkëritë e mbrëmjes bregdetare.
Zgjoi pranveror jeton tek im bir. Shtjella përvëluese dhe e vakët, e rrokshme duf e mpakje tek gruaja ime dhe…unë.
A besoni ju në fantazinë time ?