Thirrje e artistëve, shkrimtarëve dhe krijuesve për mbrojtjen e peizazheve themeluese të Shqipërisë
Ne, artistë, shkrimtarë, poetë, muzikantë, studiues, mendimtarë dhe qytetarë të lidhur me bukurinë e botës, marrim sot fjalën për të mbrojtur peizazhe, vlera e të cilave e tejkalon pafundësisht çmimin e tyre.
Sepse toka nuk është mall.
Ajo nuk është një aset i thjeshtë ekonomik.
Ajo nuk është vetëm një sipërfaqe e matshme, e regjistruar apo e shfrytëzueshme.
Ajo është vendi ku një qytetërim mëson të shohë, të emërtojë dhe të banojë botën.
Lagunat, kriporet, pyjet bregdetare dhe brigjet ku flamingot zbresin çdo vit i përkasin asaj gjeografie të thellë që ka formësuar imagjinatën dhe ndjeshmërinë e brezave të tërë.
Këto peizazhe nuk janë vetëm hapësira natyrore.
Ato janë vende kujtese, krijimi dhe transmetimi.
Ato janë gjithashtu vende jete, pune dhe takimi, ku prej brezash bashkëjetojnë njerëzit, fauna dhe flora, në një harmoni të çmuar.
Ato jetojnë në rrëfimet, legjendat dhe këngët tona popullore, në filmat, në figurat e letërsisë, në ngjyrat e pikturës, në qëndismat dhe format e kostumeve popullore, si dhe në fjalët e gjuhës sonë.
Prej shekujsh, artistët përpiqen të kapin dritë-hijen e veçantë të një peizazhi, pasqyrimin e qiellit mbi valë, valëvitjen e gjetheve mbi luadh, ngjyrat dhe kontrastet e relievit, qetësinë dhe gjallërinë e natyrës, lindjen, perëndimin, mjegullën dhe fluturimin e një zogu në hapësirë.
Peizazhet nuk janë vetëm tema të pikturës.
Ato janë atelietë e padukshme të imagjinatës, të shpirtit dhe të krijimtarisë.
Çdo kulturë e madhe lind nga një dialog i gjatë, i ndërlikuar dhe i vazhdueshëm mes natyrës, njeriut dhe territorit ku ai jeton.
Shkatërrimi i këtyre vendeve nuk do të thotë vetëm ndryshim i një mjedisi.
Do të thotë ndërprerje e një dialogu të lashtë midis natyrës, kulturës, kujtesës dhe jetës së përditshme të një populli.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit.
Ne nuk jemi kundër përparimit.
Megjithatë, sot shumë prej këtyre peizazheve kërcënohen nga betonizimi i bregdetit në emër të zhvillimit.
Por përparimi i vërtetë fillon aty ku njeriu di të ruajë atë që nuk mund të zëvendësohet.
Ne shprehim solidaritetin tonë me të gjithë ata qytetarë që, në mënyrë paqësore dhe me dinjitet, janë ngritur për të mbrojtur këto vlera dhe këtë trashëgimi natyrore të rrallë.
Disa pasuri kërkojnë shekuj për t’u krijuar.
Mjaftojnë vetëm pak vite për t’i zhdukur ato.
Ky tjetërsim është një humbje e dhunshme dhe shpesh e pakthyeshme.
Flamingot janë bërë sot simbol i kësaj brishtësie.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve, institucioneve kulturore, institucioneve ekonomike dhe financiare, organizatave ndërkombëtare, organizatave joqeveritare, shkencëtarëve, artistëve, të rinjve, studentëve, sipërmarrësve dhe të gjithë qytetarëve që të kontribuojnë për ruajtjen dhe transmetimin e tyre.
Sepse kur një peizazh zhduket, nuk është vetëm natyra që humbet diçka.
Gjuha humbet një pjesë të kujtesës së saj.
Kultura humbet një pjesë të rrënjëve të saj.
Krijimtaria humbet një pjesë të horizontit të saj.
Dhe njerëzimi humbet një pjesë të pasurisë së tij të vyer, të pazëvendësueshme dhe të padukshme.
Çfarë na ka lënë Toka amanet?
Kemi për detyrë ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta trashëgojmë.
Sepse amaneti nuk është pronë.
Amaneti është përgjegjësi, një bashkëbisedim në heshtje midis kohërave, epokave dhe brezave.
Me besimin tek ju!
21 qershor 2026
Julian Tauland
Artist piktor
Kjo thirrje mbetet e hapur për artistë, shkrimtarë, studiues dhe qytetarë që dëshirojnë t’i bashkohen.