VOAL

VOAL

Zbulohet përbërja qeverisë së re malazeze, ja sa ministra janë shqiptarë

April 28, 2022
blank

Komentet

blank

Parashutistë serbë në zonën kufitare me Kosovën?! KFOR e konfirmon: Ishte stërvitje e Forcave të Armatosura të Serbisë

Disa parashutistë nga Serbia thuhet të jenë lëshuar dy ditë më parë në zonën kufitare me Kosovën.

Në lidhje me këtë, kanë reaguar përfaqësues të KFOR, të cilët janë shprehur se sipas informacioneve të tyre, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë zhvilluar një stërvitje në zonën e Kragujevacit.

Më tej, KFOR-i thotë se stërvitja ishte paralajmëruar nga autoritetet serbe.

“Sipas informacioneve të KFOR-it, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë zhvilluar një stërvitje në zonën e Kragujevacit brenda Zonës së Sigurisë Tokësore në anën serbe të vijës kufitare administrative, në periudhën 29 dhe 30 qershor”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Klankosova.tv.

“Stërvitja është paralajmëruar nga autoritetet serbe në përputhje me procedurat ekzistuese”.

“KFOR-i mban një prani në të gjithë Kosovën dhe vazhdon të kryejë patrullime ditore, duke përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës, në respekt të plotë të mandatit të tij të OKB-së që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”. bw

blank

Vuçiq: Dialog me Kosovën nuk ka

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, 29 qershor 2022.

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht, nuk ka.

Ai i bëri komentet pas takimit në Beograd me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq tha se ka rënë dakord me të që mediave t’u drejtohet vetëm ai.

“Unë e informova [Lajçakun] se për çfarë dua të flas dhe se dua të tregoj të vërtetën për gjithçka që po ndodh… dhe se cilat janë qëllimet e fuqive perëndimore. Fjala e tij është e rëndësishme dhe nuk dua ta vë në një situatë të pakëndshme”, tha Vuçiq.

“Kemi një ndryshim të plotë të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi, e veçanërisht në Kosovë”, tha Vuçiq, duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për mundësitë e ri-regjistrimit të veturave me targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë me targa RKS (Republika e Kosovës).

Ai tha se Kosova dhe Perëndimi “duan t’i bindin serbët që të regjistrohen me targat RKS”.

“Nëse nuk i bindin, atëherë do t’ua marrin veturat”, tha Vuçiq.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës miratoi edhe udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.

Sipas udhëzimit, të gjithë personat që kanë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Vuçiq tha se përgjigjja e Serbisë ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës do të jetë e matur.

“Ne nuk do të ndërmarrim veprime ushtarake, por kërkojmë që të mos ua marrin pronat njerëzve dhe të mos i dëbojnë”, tha ai.

Vuçiq, po ashtu, tha se Serbia është e gatshme për dialog, por, sipas tij, pala kosovare nuk është.

“Pala tjetër nuk dëshiron zgjidhje kompromisi, por vetëm do që ne të pajtohemi me atë që ajo vendos”, tha Vuçiq, duke shtuar se Kosova e ka mbështetjen e Perëndimit për veprimet e saj.

Para vizitës në Beograd, Lajçak ka qëndruar në Kosovë nga data 27 qershor, ku ka thënë se është duke punuar në përgatitjen e një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Deri më tash, Kurti dhe Vuçiq janë takuar vetëm dy herë, por pa bërë ndonjë përparim konkret në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky proces ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

blank

Dodik merr ftesë nga Putin të vizitojë Moskën, një muaj para zgjedhjeve

Derisa ushtria ruse vazhdon bombardimin e qyteteve të Ukrainës – me intensitet të shtuar në lindje – presidenti rus, Vladimir Putin, ka gjetur kohë në agjendën e ngjeshur të luftës të takojë udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik. Dy zyrtarët janë takuar më 17 qershor, në margjina të një forumi në Shën Petersburg.

Putin ka thënë në takim se Rusia e vlerëson faktin që Republika Sërpska nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër shtetit rus.

“Fatkeqësisht, në rrethanat aktuale i kemi disa vështirësi për shkak të sanksioneve, por ne e dimë shumë mirë qëndrimin tuaj dhe e vlerësojmë shumë”, ka thënë Putin.

Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Rusinë, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe atë diplomatik, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ushtria ruse ka nisur sulmet kundër fqinjit të saj më 24 shkurt.

Në të njëjtën ditë ka dalë edhe lajmi se misioni paqeruajtës i Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR, do të rrisë praninë nga 600 ushtarë në 1,100. EUFOR ka thënë përmes një deklarate se “përkeqësimi i situatës së sigurisë në rrafshin ndërkombëtar ka potencial për të përhapur destabilitet në Bosnje e Hercegovinë”.

“Pozicionimi i këtyre forcave është një masë paraprake për forcimin e stabilitetit në këtë vend”, ka thënë EUFOR.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg,ka përmendur në mënyrë eksplicite Bosnjën në disa diskutime për kërcënimet e mundshme. Në një adresim në fund të majit, Stoltenberg ka thënë se NATO-ja do ta ndihmojë Bosnjën në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.

“Qëllimi është të parandalohet një jostabilitet i ri, një luftë e re”, ka thënë ai.

Sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss, gjatë qëndrimit në Sarajevë, më 26 maj, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë trajnimin e ushtrisë së Bosnjës.

“Historia tragjike e këtij vendi na kujton atë që ndodh kur ne dështojmë të ngrihemi kundër agresionit… Ato që shohim sot në këtë vend, janë shenjat e ndërhyrjes ruse, të cilat rrezikojnë të na zhysin sërish në ato ditë të errëta. Kjo duhet të ndalet”, ka thënë Truss.

Bosnje e Hercegovina, qe pas përfundimit të luftës më 1995, është e ndarë në vija etnike: në Federatën Myslimane-Kroate në njërën anë dhe Republikën Sërpska, të banuar me shumicë serbe, në anën tjetër. Bashkëpunimi i tyre kurrë nuk ka qenë më i miri.

Udhëheqësi i serbëve, Dodik, që është edhe anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka disa muaj që ka intensifikuar përpjekjet për ndarjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e territorit. Që nga vjeshta, ky entitet ka bllokuar shumicën e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Mbi 200 ligje dhe akte ligjore janë pezulluar. Entiteti do, po ashtu, që të krijojë ushtrinë e tij dhe të pushojë së njohuri juridiksionin e gjyqësorit kombëtar dhe të autoritetit tatimor.

Për këtë plan, analistët, por edhe disa zyrtarë thonë se Dodik ka bekimin e Rusisë. Dodik, i cili nuk e fsheh admirimin e tij për Putinin, ka thënë në fillim të qershorit se plani i tij për ndarjen e Republikës Sërpska është shtyrë për gjashtë muaj, për shkak të luftës në Ukrainë. Pjesën tjetër të Bosnjës, Dodik e quan “eksperiment të komunitetit ndërkombëtar” dhe “shtet të dështuar”.

Harun Karçiq, analist politik nga Sarajeva, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se përparimi i ngadalshëm i ushtrisë ruse në Ukrainë, është arsyeja e stepjes së Dodikut nga plani i ndarjes – së paku tash për tash.

“Sikur Kievi të kishte rënë dhe Rusia ta kishte marrë kontrollin e Ukrainës, ne këtu do të ishim në luftë tashmë. Unë jam i bindur se Dodik do ta kishte shpallur pavarësinë [e Republikës Sërpska] dhe Bosnja do të ishte përfshirë nga kaosi”, thotë Karçiq.

Zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar se, nëse Putin mbështetet për muri në Ukrainë, ai do të kërkojë vende të tjera për të provuar fitoren. Dhe një prej tyre mund të jetë Bosnja, ka thënë senatori demokrat, Chris Murphy, pas një vizite në Ballkan në fund të prillit.

Harun Karçiq, analisti nga Bosnja, shpjegon se përse ky vend mund të jetë domethënës për Rusinë:

“Bosnje e Hercegovina është interesante për Rusinë, sepse është e ndarë thellësisht. Republika Sërpska, e cila përbën 49 për qind të territorit, udhëhiqet nga pro-rusët; ndërsa pjesa tjetër [Federata Myslimane-Kroate] dëshiron fuqishëm t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Por, në interesin e Rusisë është që të parandalojë zgjerimin e aleancës së NATO-s dhe të BE-së dhe për këtë do t’i shfrytëzojë lojtarët dhe surrogatët e saj në Bosnje”.

Bosnje e Hercegovina i është bashkuar Partneritetit të NATO-s për Paqe në vitin 2006. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, zyrtarët në Sarajevë kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Ambasadori rus në Bosnje, Igor Kalabukhov, ka thënë se nëse Bosnja shkon në këtë drejtim, Rusia do të përgjigjet. Kalabukhov ka përmendur shembullin e Ukrainës, e cila ka aspiruar po ashtu anëtarësimin në NATO. Deklarata e tij është cilësuar si kërcënim i hapur edhe nga zyrtarët në Sarajevë, edhe jashtë saj.

I pyetur nëse paqja në Bosnje është në rrezik, Karçiq thotë se situata ka qenë më serioze në janar, kur Dodik ka filluar të jetësojë planin për ndarje dhe kur lufta në Ukrainë ka qenë pa nisur.

“Pas rritjes së numrit të ushtarëve të EUFOR-it, situata, në njëfarë mënyre, është vënë nën kontroll. Por, unë mendoj se EUFOR-i duhet ta rrisë edhe më shumë praninë – në së paku 5-6 mijë ushtarë – në mënyrë që të ketë kapacitet veprimi nëse Republika Sërpska merr hapa konkretë drejt ndarjes. Nuk duhet harruar se Republika Sërpska ka forca të armatosura policore, që brenda natës mund të shndërrohen në formacion ushtarak”, thotë Karçiq.

Toby Vogel, njohës i Ballkanit Perëndimor me seli në Bruksel, thotë se nuk beson se Rusia mund të ndezë konflikt në Bosnje, por, në të njëjtën kohë, ai tregon se nuk ka besuar se Rusia do të pushtojë Ukrainën.

“Ajo që mendoj se është rrezik i vërtetë, është se Rusia mund të vazhdojë ta destabilizojë Bosnjën edhe më shumë, përmes ndikimit te Millorad Dodik, lideri serb, dhe te Dragan Çoviq, lideri i partisë nacionaliste kroate. Në këtë mënyrë, pastaj, do të përpiqet ta turpërojë Perëndimin – në një vend ku BE-ja, NATO-ja, amerikanët, Britania, kanë investuar bashkërisht ndoshta më shumë se kudo tjetër”.

“Pra, nëse Rusia arrin ta prishë situatën atje, një gjë e tillë do të dërgonte një sinjal shumë të fortë – se Evropa nuk mund të mbajë rendin në oborrin e saj. Unë mendoj se kërcënimi rus është real, dhe jo vetëm për Bosnje e Hercegovinën, por për gjithë Ballkanin Perëndimor”, thotë Vogel.

Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s. Kosova ka prani të NATO-s në territorin e saj, ndërsa Serbia deklarohet neutrale ushtarakisht.

Asnjëri nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është anëtar i Bashkimit Evropian. Ato ndodhen në faza të ndryshme të integrimit, ndërsa Kosova dhe Bosnja janë më së largu. Vendet e BE-së janë të ndara sa u përket hapave që duhen ndërmarrë për përafrimin e tyre. Disa, si Franca dhe Holanda, hezitojnë për arsye të ndryshme, të tjera, si Austria, thonë se gjashtë vendet duhet të integrohen sa më parë që është e mundur.

“Kjo do të ishte vetëmbrojtje” për BE-në, ka thënë ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg. Sipas tij, nëse konflikti zgjerohet nga Ukraina në vendet e ish-Jugosllavisë, ndikimet në Evropë do të ishin shkatërruese.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, ka thënë pas kthimit nga Rusia se ka marrë ftesë të re nga Putini për vizitë në shtator. Vizita, nëse ndodh, do të jetë një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë. Nëse do të ketë ndonjë ndikim ose jo, mbetet të shihet.

Në dy raste, më 2014 dhe 2018, Dodik dhe Putin janë takuar pak para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje. Herën e parë, Dodik ka fituar garën për kryetar të entitetit Republika Sërpska, ndërsa herën e dytë ka fituar më së shumti vota për t’u bërë anëtar i Presidencës.

SHBA-ja, në muajin janar, e ka sanksionuar Dodikun, pasi e ka akuzuar për kërcënim të satibilitetit të rajonit. / REL

blank

Rada Trajkoviçit i ndalohet largimi nga Serbia: Po mbahem ende në një bodrum këtu në aeroport, sikur të isha kriminele

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane nga Kosova, Rada Trajkoviç, më 24 qershor ka njoftuar se i është ndaluar të largohet nga Serbia dhe se policia e ka ndaluar në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit.

Siç ka bërë të ditur ajo në llogarinë e saj në Twitter, asaj i është “ndaluar të largohet nga vendi rrugës për në Podgoricë”.

blank

“Sapo më është ndaluar të largohem nga vendi nga policia kufitare në ‘Nikola Tesla’. Nuk më dhanë arsye për ndalimin e daljes”, ka shkruar Trajkoviç në Twitter.

blank

Në një postim të mëpasshëm në Twitter, ajo shkroi se ishte “në ambientet e policisë në aeroport, ku aktualisht po mbahet për intervistim”.

 

“Unë jam ende duke u mbajtur në një bodrum këtu në aeroport. Askush nuk më afrohet dhe nuk më jep shpjegim. Policia është rreth meje dhe më ruan sikur të isha krimineli më i madh dhe më famëkeq në Serbi. Mua, një mjeke dhe profesoreshë”, ka shkruar Trajkoviç.

 

Lidhur me ndalimin e Trajkoviçit, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka kthyer përgjigje./REL

blank

Sofja miratoi propozimin francez, Shkupi e refuzoi

Parlamenti bullgar në mbledhjen ku u votua propozimi francez për Maqedoninë e Veriut, 24 qershor 2022.

Isuf Kadriu

Parlamenti i Bullgarisë votoi të premten për heqjen e vetos që ka bllokuar prej kohësh bisedimet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky veprim ngjall shpresa të reja se blloku mund të vazhdojë me planet e tij për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.

Vendimi u miratua me 170 vota për dhe 37 kundër në Parlamentin prej 240 anëtarësh, tha nënkryetari i këtij institucioni, Atanas Atanasov.

Sipas tij, 21 ligjvënës abstenuan.

Bullgaria ka përdorur veton kundër Maqedonisë së Veriut tash e dy vjet, për shkak të disa mosmarrëveshjeve rreth historisë dhe gjuhës.

Me votimin e së premtes, Parlamenti bullgar mbështeti të ashtuquajturin propozim francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Propozimi parasheh që Komisioni Evropian të jetë garantues i zbatimit të tij.

Sipas propozimit, Maqedonia e Veriut duhet t’i njohë bullgarët në preambulën e Kushtetutës së saj si një nga grupet etnike përbërëse të vendit.

Maqedonia e Veriut e ka bërë të qartë qysh në samitin e krerëve të BE-së, të enjten, se propozimi francez është “i papranueshëm”, pasi, siç ka thënë, nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.

Sipas zyrtarëve në Shkup, pala bullgare ka ndryshuar tekstin e propozuar.

Ndryshimet thuhet se kanë të bëjnë me kërkesën për nënshkrimin e një protokolli mes dy vendeve, i cili do ta detyronte Shkupin të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë pakicën bullgare në të, përpara se të mbahet mbledhja e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Veç kësaj, Parlamenti i Bullgarisë ka përfshirë në tekst edhe garancitë që i kërkon nga Këshilli Evropian, sipas të cilave, ky i fundit, gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, duhet ta njoftojë Sofjen me plotësimin e kushteve nga Maqedonia e Veriut.

Bullgaria, gjithashtu, ka përmirësuar draft-kornizën e propozuar, me kërkesën që “asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e ekzistimit të gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë”.

Këto plotësime nuk janë pranuar nga Maqedonia e Veriut, duke thënë se ato do të nënkuptonin “rrënim të identitetit kombëtar”.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha të premten se i takon Presidencës franceze të vendosë lidhur me propozimin e saj dhe qëndrimet e dy shteteve që janë pjesë e kontestit.

Osmani, paraprakisht, falënderoi Presidencën franceze, e cila, sipas tij, “u tregua shumë e kujdesshme në formulimin e tekstit, duke i kushtuar vëmendje ndjeshmërisë së të dyja palëve”.

Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për BE tash e 17 vjet dhe ka marrë dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në vitin 2020.

Data për fillimin e negociatave nuk është caktuar kurrë, për shkak të vetos bullgare.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

blank

Fyerjet e Ramës- Bullgaria reagon ashpër: Rregullo gjuhën, politikanët largohen, kombet mbesin

Bullgaria reagon ashpër ndaj fyerjeve të shumta që lëshoi kryeministri Edi Rama një ditë më parë ndaj këtij vendi.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, i kërkohet Edi Ramës që të rregullojë gjuhën e tij, pasi politikanët ikin, por kombet mbesin.

“Bullgaria ka qenë gjithmonë ndër ato shtete anëtare të Bashkimit Evropian që mbështesin përkatësinë evropiane të popullit shqiptar. Ne kemi mbrojtur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sot.

Ndër vite nuk ka pasur shumë zëra të tjerë me ne në këtë kauzë. Ne e mbrojmë atë sot, pavarësisht gjithçkaje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Si kundërpërgjigje, nuk është hera e parë që dëgjojmë kualifikime të paprovokuara të ashpra, fyese nga një kryetar qeverie. Gurët e tëmthit në një regjistër kaq të ulët gjuhësor nuk mund të justifikohen më nga natyra dhe mungesa e aftësive evropiane të komunikimit.

Presim që kryeministri shqiptar t’i përshtatë mjetet e tij shprehëse në një gjuhë që i përshtatet një politikani të një vendi kandidat për anëtarësim në BE,” thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme.

“Në këtë nivel, më shumë se çdo tjetër, ne insistojmë të mbajmë një ton të mirë komunikimi. Në këtë nivel kemi treguar gjithmonë gjithë respektin që kërkon një pozicion të përgjegjshëm dhe nivel të marrëdhënieve ndërshtetërore. Ne kemi një të ardhme të përbashkët me Shqipërinë.

Politikanët largohen. Kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, i cili nuk duhet të cenohet nga një gjykim i gabuar i politikanit. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes shteteve të bëhen peng i ekscentricitetit të kryeministrit aktual shqiptar,” deklaroi Ministria e Jashtme.

syri.net

blank

Petkov mban fjalimin e fundit si kryeministër: Ishte nder të drejtoja një qeveri të rrëzuar nga ambasadori rus dhe Borisov

Pas vendimit të marrë nga 123 ligjvënës bullgarë për rrëzimit e qeverisë së kryeministrit Kiril Petkov, shefi i ekzekutivit tha se ky votim ishte vetëm një hap i vogël në një rrugë shumë të gjatë.

“Ishte nder për mua të drejtoja një qeveri që u rrëzua nga Peevski , Borisov , Trifonov dhe Mitrofanova (ambasadori i Rusisë në Bullgari).

Ky votim është vetëm një hap i vogël në një rrugë shumë të gjatë. Ajo që opozita nuk e kupton ishte se në këtë mënyrë nuk mund ta fitojnë popullin bullgar.

Unë premtoj se do të vazhdojmë këtë betejë për të fituar vendin tonë. Dhe një ditë do të kemi Bullgarinë pa njerëz të sunduar nga mafia, një vend normal, një vend të suksesshëm evropian. Faleminderit!”, tha Petkov në fjalimin e fundit si kryeministër. bw

blank

Partia e Petkovit ka një shans të dytë për të propozuar një qeveri

RFE/RL

Qeveria gjashtëmujore e kryeministrit bullgar Kiril Petkov është rrëzuar në një votë mosbesimi lidhur me mosmarrëveshjet mbi ekonominë dhe nëse Sofja duhet të heqë dorë nga kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Partitë opozitare dhe partia ITN, një ish-aleate në koalicionin qeveritar të Petkov, u bashkuan për 123 vota kundër 116 votave që mbështesin qeverinë e Petkov.

Vota do të thotë se partia e qendrës e Petkovit, partia Vazhdo Ndryshimin (PP) ka një shans të dytë për të propozuar një qeveri.

Nëse dështon ta bëjë këtë, mund të bëhen edhe dy përpjekje të tjera nga partitë e tjera përpara se presidenti të emërojë një kabinet të përkohshëm dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

Këto do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare të Bullgarisë që nga prilli i vitit të kaluar.

Mocioni u propozua nga partia opozitare GERB e ish-kryeministrit konservator Bojko Borisov.

Petkov, një 42-vjeçar i diplomuar në Harvard, është zotuar se do të luftojë korrupsionin dhe ka marrë një qëndrim jashtëzakonisht të fortë kundër Rusisë, pavarësisht nga marrëdhëniet tradicionalisht miqësore të Sofjes me Moskën.

Petkov shkarkoi ministrin e tij të mbrojtjes në shkurt për refuzimin për ta quajtur “luftë” pushtimin rus të Ukrainës dhe mbështeti sanksionet e BE-së kundër Moskës.

ITN u largua nga koalicioni pasi akuzoi Petkovin për shpërfillje të interesave të Bullgarisë duke nxitur heqjen e vetos në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE nën presionin e aleatëve të saj në BE dhe NATO.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili vizitoi Bullgarinë në fillim të këtij muaji, i kërkoi Sofjes të hiqte dorë nga kundërshtimi i saj ndaj aspiratave të Maqedonisë së Veriut për në BE për një sere mosmarrëveshjesh gjuhësore dhe historike.

Bullgaria po përballet gjithashtu me inflacionin e lartë, i cili është rritur në nivelin më të lartë të 24 viteve muajin e kaluar, kur arriti në 15.6 për qind.

Sondazhet e reja ka të ngjarë të përfitojnë partinë GERB të Borisovit, si dhe partitë pro-ruse si Rilindja nacionaliste, pasi problemet ekonomike dhe lufta në Ukrainë polarizojnë shoqërinë.

blank

Bie Qeveria bullgare, vetoja për negociatat ndaj Maqedonisë së Veriut mbetet në fuqi. E pëson edhe Shqipëria

Qeveria e kryeministrit bullgar Kiril Petkov humbi një votë mosbesimi të mërkurën, duke rritur mundësinë e trazirave më të thella politike në vendin ballkanik që mbajti tri zgjedhje të përgjithshme vitin e kaluar.

 

Rreth 123 ligjvënës nga 239 në Parlament votuan kundër qeverisë.

Petkov, i cili erdhi në pushtet vetëm gjashtë muaj më parë, u votua për një premtim për të luftuar korrupsionin e shfrenuar dhe e ka shtyrë Sofjen të marrë një linjë jashtëzakonisht të fortë kundër Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës.

Votimi i mosbesimit të mërkurën u përshpejtua nga politikani i kthyer në televizion, Slavi Trifonov, i cili e tërhoqi papritur partinë e tij “Ka një popull të tillë” nga një koalicion i brishtë qeverisës me katër parti. Trifonov thotë se ai ka mosmarrëveshje për buxhetin dhe akuzon Petkov se merrte një linjë shumë të butë për të lejuar Maqedoninë e Veriut të fillojë bisedimet e pranimit të BE -së.

Ndërkohë sot në mesditë, Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, partia GERB e ish-kryeministrit bullgar, Boyko Borissov do të mbështeste propozimin e qeverisë së Kiril Petkovit për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pranimin e propozimit me pesë pika të Francës për negociatat e Shkupit me BE.

Por, ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta. Borissov rrëzoi Qeverinë e Petkov përmes një mocioni mosbesimi, mocioni i parë i sukesshëm në historinë moderne të qeverisjes në Bullgari. Pas këtij votimi, Qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim, as të çojë propozim në Parlament për të hequr veton ndaj Shkupit për çështjen e negociatave.

Nga këto zhvillime në Sofje e pësojnë si Maqedonia e Veriut, ashtu edhe Shqipëria, që përkundër optimizmit që shoqëroi deklaratën e Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi tashmë duhet të përballen edhe njëherë tjetër me zhgënjimin e refuzimit të caktimit të një date.

Pas votës në Parlament, Presidenti bullgar, Romen Radev duhet të nisë konsultimeve me partitë në parlament. Mandati për të formuar qeverinë e re i kalon sërish partisë së Kiril Petkov “Vazhdojmë Ndryshimin”, që duhet të formojë shumicën e re brenda shtatë ditëve.

Nëse Petkov dështon në formimin e mazhorancës brenda javës, atëherë mandati i kalon partisë së dytë më të madhe në Kuvend, që është partia GERB e ish-Kryeministrit Boyko Borissov. Procedura përsëritet me radhë deri kur shterohen të gjitha mundësitë.

Pas kësaj, emërohet një qeveri kujdestare që do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e reja. Nisur nga këto zhvillime, parashikohet që zgjedhjet e reja të parakohshme të mbahen në muajt shtator, ose tetor. gsh

blank

Parlamenti rrëzon qeverinë e Petkovit, çfarë pritet të ndodhë në politikën bullgare

Parlamenti i bullgarisë ka rrëzuar sot qeverinë e kryesuar nga kryeministri Kiril Petkov. Mocioni i mosbesimit është nisur nga GERB, dhe si arsye për nisjen e saj ka qenë se qeveria ka dështuar në politikat ekonomike të vendit.
Ajo që pritet të ndodhë është që qeveria të japë dorëheqjen.
Më tej, presidenti i vendit duhet të nisë konsultimet me partitë në Asamblenë Kombëtare.
Kjo pasohet nga prezantimi i partisë “Ne vijojmë ndryshimin”, e cila do të ketë në dispozicion 7 ditë për të mbledhur shumicën.
Nëse kjo dështon, kreu i shtetit do ti japë mandatin për krijimin e qeverisë së re, një partie tjetër, të dytës për nga madhësia.
Me shumë mundësi, partia e dytë në radhë do të jetë GERB, e cila gjithashtu do të ketë afat 7 ditor për të krijuar qeverinë.
Nëse edhe kjo dështon vijohet me parti të tjera më të vogla.
Pas shterimit të të gjitha mundësive do të caktohet një qeveri tranzitore.
Deri atëherë do të jetë qeveria e cila ka dhënë dorëheqjen që do të qeverisë vendin.
Duke pasur parasysh procedurat, ekspertët mendojnë se në gusht mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme, por duke qenë se kjo përkon me periudhë pushimesh, zgjedhjet mund të mbahen në shtator ose tetor. bw

blank

Bullgaria hoqi veton ndaj Maqedonisë së Veriut, rrëzohet qeveria kryeministrit Petkov

Rrëzohet qeveria e kryeministrit Kiril Petkov në Bullgari. Pas një mocioni mosbesimi qe u mbajt sot ne Parlamentin bullgar, u votua pro rrëzimit te Ekzekutivit.

Rrëzimi i qeverisë bullgare erdhi fill pasi ky shtet i hoqi veton Maqedonisë së Veriut.

Në parlamentin bullgar u votua me 123 vota pro shkarkimit nga 116 kundër. bw

blank

Vetoja ndaj Shkupit në BE, sinjale shprese nga Bullgaria

Bullgari, kreministri Kiril Petkov në parlament

VOA7Armand Mero

Një vendim i opozitës bullgare për të mbështetur heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut ka nxitur sot shpresat për zhbllokimin e mundshëm të nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian mes Brukselit dhe Tiranës e Shkupit. Kryeministri Rama dhe homologu i tij maqedonas Dimitar Kovaçevski si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, konfirmuan më pas pjesmarrjen në takimin e nesërm me krerët e vendeve të BE-së, i cili do t’i paraprijë mbledhjes së Këshillit europian, ku ndër temat është rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendimi përfundimtar i Bullgarisë duket se varet tanimë nga rezultati i votbesimit të kryeministrit Kiril Petkov, sot në mbrëmje

Një ditë më parë udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, vunë në dyshim praninë e tyre në takimin e nesërm me krerët e vendeve të Bashkimit europian në shenjë zhgënjimi ndaj zvarritjes së procesit të integrimit. Tirana dhe Shkupi po presin prej kohësh nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, të bllokuara nga vetoja e Bullgarisë, për shkak të disa pretendimeve të saj ndaj Shkupit.

Por sot një sinjal shprese u ndez pas deklaratës së kreut të opozitës bullgare Boykov Borissov, i cili i kërkoi qeverisë heqjen e vetos dhe mbledhjen e parlamentit për të marrë nje vendim, duke pranuar propozimin francez, i cili i ofron garanci Sofies për trajtimin në vijim, të problemeve bilaterale me Shkupin.

Pak pas këtij zhvillimi kryeministri Edi Rama shkroi në Twitter, me tone të përmbajtura, se sipas tij është “shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm, ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka marrë peng dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës”, duke konfirmuar kështu pjesmarrjen në takimin me udhëheqësit e vendeve të BE-së. Një takim në të cilin ai thotë se “nuk do të ketë shumë për të dëgjuar rreth nesh, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne e mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për marrjen tonë peng nga Bullgaria që shkatërron atë”.

Vendimi i opozitës bullgare u përshëndet si një hap historik nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili u shpreh se priste që qeveria t’i bëjë propozimin e nevojshëm parlamentit.

Kryeministri Kiril Petkov i qëndroi megjithatë linjës së zgjedhur, sipas së cilës çështja duhet të kalojë më parë në Komisionin e Jashtëm të parlamentit bullgar, më pas në parlament e së fundmi në qeveri. Komisioni i jashtëm u mblodh pasdite, por pas më shumë se një orë diskutimesh, mbledhja u ndërpre, duke u shtyrë “për arsye teknike”. Sipas njoftimit Komisioni do të mblidhet në një sesion të jashtëzakonshëm, por pa përcaktuar se kur.

Gjithshka duket se lidhet me situatën e nderë politike në Sofje. Qeveria e kryeministrit Petkov, do t’i nënshtohet votbesimit sot në mbrëmje, pasi një prej partive anëtare të koalicionit, u largua prej saj. Rezutati i këtij votbesimi, pritet të jetë përcaktues për qëndrimin e nesërm të Bullgarisë në mbledhjen e Këshillit europian.


Send this to a friend